Kryetari i Bshkisë së Tiranës dhe njëherësh kryetar i PD, Lulzim Basha, priti në një takim Peshkopin e arbëreshëve të Italisë, Imzot Donato Oliverio, Peshkop i Eparkisë së Ungrës, i arbëreshëve të Italisë.
Basha gjatë takimit vlerësoj kontributin e jashtëzakonshëm të klerikëve arbëreshë të cilët përveç veprimtarisë së tyre fetar, japin ndihmesë të ndjeshme edhe në ruajtjen e gjuhës shqipe (arbëreshe), të trashëgimisë kulturore dhe të gjitha traditave arbërore.
Po ashtu, Basha ka shprehur gadishmërinë për të dhënë kontributin në këtë mision fisnik dhe shumë të çmuar, për ruajtjen dhe trashëgiminë e vlerave të kulturës dhe traditës së arbëreshëve të Italisë.
Imzot Donato Oliverio, duke falënderuar Bashen për pritjen e veçantë, ka vlerësuar tolerancën fetare të shqiptarëve, si model për të gjithë botën dhe që do të ndikonte për paqen, mirëkuptimin dhe bashkëpunimin ndërfetar. Peshkopi i arbëreshëve të Italisë u angazhua personalisht dhe me të gjithë bashkëpunëtorët e tij, për të përhapur sa më shumë dhe në çdo vend të botës vlerat që mbartin shqiptarët, tolerancën fetare, fjalën e dhënë, besën, mikpritje, vëllazërinë.
Imzot Donato Oliverio, ftoi zotin Basha për një vizitë zyrtare, e cila u prit me kënaqësi.
Të ushqesh frikë
Nga Sami MILLOSHI/
Çfarë nuk po na dëgjojnë veshët?!!! Drejtoria Arsimore e Tiranës, u paska kërkuar mësuesve që ata të dorëzojnë librezat e pagesave të energjisë elektrike në drejtoritë e shkollave. Qëllimi? Të mësohet nëse e kanë paguar apo jo ata faturën e energjisë elektrike në shtëpitë e tyre.
Unë këtë çudi nuk e kam dëgjuar dhe nuk e besoj se ka bërë vaki në ndonjë vend tjetër të rruzullit tokësor. Ca kohë më parë, pata dëgjuar se Ministria e Brendshme kishte kërkuar që ata qytetarë që nuk kanë paguar gjobat që u ka vënë policia për arsye të ndryshme, nuk do të lejoheshin të dilnin jashtë kufijve të Shqipërisë.
Pasi njeriu njihet me këtë lajm, pyetja e parë është: “More, po çfarë i duhet Ministrisë së Arsimit nëse unë i paguaj apo jo dritat? A është kjo puna e saj në bazë të ligjeve që ka një shtet normal nga trutë e kokës?” Nuk e besoj se ka njeri me dy pare mend në kokë që të thotë se Ministria ka bërë mirë. Pse? Sepse nuk është punë saj. Është komplet problem privat i mësuesit në rastin konkret.
Ta supozojmë se një mësues nuk ka paguar energjinë. Ka organe të caktuara që e detyrojnë atë me ligj ta paguajë. Është sistemi i gjykatave që futet në lojë. Kur shuma e mospagesës është e madhe, gjykata mund të vendosë edhe për konfiskim pasurie. Të merr makinën, të merr shtëpinë, të merr nga depozitat bankare, etj, etj,. Kështu bëhet në një shtet ligjor. Të paktën, kjo është atmosfera që përjetoj dhe di unë këtu në Amerikë.
Po pse e bëjnë kështu, pse e anashkalojnë gjykatën? Sepse padrejtësisht e paragjykojnë si “të korruptuar”. Dhe në vend të ligjit fusin një urdhër ekzekutiv, të një zyrtari të rëndomtë të hierarkisë arsimore, që nuk ka kurrfarë forcë ligjore. Përveçse të një “force” iluzore, për të futur frikë te mësuesit, që nëse nuk paguajnë energjinë e kanë të rrezikuar edhe vendin e punës. Thjesht fare, duan ta bëjnë mësuesin e gjorë të ketë frikë zyrtarin që ka përsipër, i cili merret me mend, ka “moral” të lartë dhe “garanci” 100 % se ai vetë, pra zyrtari, e ka paguar faturën e energjisë. Po ky, ky zyrtari kujt do t’i dëshmojë se e ka paguar faturën e energjisë? Nëse është drejtor i drejtorisë arsimore, i bie që t’ia tregojë faturën Ministres, dhe kjo e fundit nga ana e vet, sigurisht, i duhet t’ia tregojë Kryeministrit.
Jo, kjo nuk është rruga e ndërtimit të shtetit ligjor. Kjo është rruga e mbjelljes së Frikës. Frikë nga zyrtarët e ulët, ndaj zyrtarëve më të lartë, frikë nga qytetari ndaj zyrtarit, frikë, frikë, frikë gjithandej. E megjithatë, askush nuk ka siguri që nga ushqimi i kësaj frike faturat do të paguhen…. Po ta zëmë se nuk do të paguhen edhe pas “kërcëllimit të dhëmbëve” të drejtorëve ndaj mësuesve, çfarë do të ndodhë? Do t’i pushoni mësuesit automatikisht? Mbi ç’ligj? Ku do të shkojnë nxënësit? Ku do t’i gjeni mësuesit e tjerë? Do t’i merrni nga rruga dhe do t’i shpallni mësues? Kjo është të futesh në labirintet e katrahurës dhe nga një problem i pazgjidhur, të prodhosh probleme të tjera edhe më të mëdha. Dhe mbi të gjitha, kjo do të thotë të prodhosh urrejtje për zgjidhjet voluntariste, që në thelb nuk janë zgjidhje ligjore.
Kur ia tregova këtë lloj “ndëshkimi” një miku tim këtu në Amerikë, ai bëri një spirale shakaje duke më drejtuar disa pyetje: “Po nëse mësuesit i kërkohet të paraqesë raportet seksuale me gruan? Po nëse i kërkohet të raportojë nëse e ka shëtitur qenin apo jo? Po nëse i kërkohet të raportojë se çfarë kanalesh televizive shikon? Po nëse i kërkohet të raportoje kë ka miq në Facebook? Po nëse i kërkohet të deshifrojë ëndërrat që ka parë natën e kaluar? Po nëse i kërkohet të përpilojë një plan strategjik për t’i vënë fre ambicieve të Putinit në Ukrainë??”.
“Miku im, shkove shumë larg me këto pyetje, i thashë. Por, gjithsesi ti ke të drejtë. Nëse i kërkohen të gjitha këto, ai do të duhet të jepte atë përgjigjen që jepte në diktature: Edhe jetën ia jap Partisë”. Me fjalë të tjera, të ktheheshim nja 30 vjet mbrapa dhe të humbnim kohë. Siç zakonisht kemi humbur.
“Vetëtimat” që lëshon Xhevua…
Libri me poezi “Vetëtimë” i Xhevahir Spahiut/
(esse)/
Nga Përparim Hysi/Nuk ka përkim më të bukur: si emri ashtu dhe vepra. E kam fjalën për Poetin e bukur Xhevahir Spahiu. Poezia e tij është e tillë që jo vetëm e rreshton autorin në shkallë të epërme të Poezisë Shqipe ,por dhe më tej si një poet që pëlqehet në të gjitha ato gjuhë ku është përkthyer.
Unë e kam dashur poezinë e Xhevos që nga fillimet e tij dhe, kur u vu në kryq nga vet Enver Hoxha, jo vetëm më erdhi keq, por u ula dhe shkrova duke e marrë në mbrojtje poetin, Xhevahir Spahiu. Shkrova… po nga e thëna në të bërë, shkon e vjen një det i tërë. Shkrova dhe, sado kjo qe vetëm protestë imja vetiake, autocensura e frikës më ktheu nga rruga, pasi i kisha bërë nja dy km për në shkollë. Se nuk ishte shaka e vogël për atë kohë. Se qeveria,- thotë Xha Myrtja, një personazh i tregimit tim,- as turp dhe as frikë nuk të ka. Enver Hoxha e akuzonte Xhevon se po shkonte në gjurmët e Zhan Pol Sartrit me atë poezi ekzistencialiste dhe kaq mjaftonte që ta përzinin nga gazeta ku punonte. Se pas Enver Hoxhës ia hoqi korën e plagës edhe Mehmet Shehu, atëkohë kryeminisër i Shqipërisë. Kështu që, për të qenë idrejtpërdrejtë me lexuesit, u ktheva dhe grisa ç’kisha shkruar. Nuk qeshë aq trim dhe nuk mund të rrah gjoksin. Këtë lloj “grisjeje” e kam bërë dhe për një shkrim, të aty të përatyshëm, për artistin e madh, Kujtim Spahivogli, kur e ndesha tek vuante “golgotën” e gulagëve të kohës. Sado që në vitet e demokracisë, ju ktheva asaj rrëfenjës për Kujtim Spahivoglin me titullin e atëhershëm “Hamleti në Mbrostar-Ura”, po jam i ndërgjegjshëm, se shkrimi i dytë nuk kish atë”vlagën” e atëhershme. Unë jam fshatar dhe e di mirë: përsheshi i parë nuk është si i dyti. Nga ana tjetër, kur merr të rishkruash diçka që ke shkruar dikur, të jesh i sigurt: diçka ka “rrjedhur” në vrimat e shoshës së kujtesës. Artilierët janë më të saktë se krijuesit. Ata porosisin:- Kurrë një predhë artilerie nuk bie në gropën ku ra njëherë. Dhe për të marrë “dekoratën e vërtetë të trimërisë sime” ja tek pohoj: jo vetëm kam djegur letra dhe krijime, por kam djegur dhe libra. Nga letrat që grisa kam ndjerë dhimbje të veçantë për letërkëbmimin që kam patur me poetin Genc Leka. Më kujtohet mirë që ka ndodhur pas atij botimi të poezisë së bukur të tij “Nxënësve të mi”, botuar,veç tjerash, dhe tek gazeta “Mësuesi”.
E sa për Xhevon – se ky është objekti i shkrimit tim- e kam “qarë” tri herë. Së pari, për “prerjen e veshit” nga Enver Hoxha e kryeministri që, mandej, vazhdoi deri tek kryetari i frontit të lagjes siç tregon poeti. Qe kohë e vështirë që një poet trim si Xhevoja diti t’i bëjë ballë.
* * *
Së dyti, kam qarë (tani dhe unë isha bërë trim,se kish ardhur demokracia) në vitin e mbrapshtë 1997. Qe koha e revoltave dhe ndërsa Vlora po digjte barotin e revoltave kundër qeverisë (epo kush tjetër dinte ta digjte barotin më mirë se sa Vlora?), poeti Xhevahir Spahiu nuk mund të fuste kokën në rërë si struci,siç bënë plot shkarrashkrues, “se ç’po ndodhte atje, nuk kish të bënte me ta”, por shkoi atje dhe “kapuçinët e zinj” desh i morën jetën. Poetin e bukur e shpëtoi Vlora. Unë atëherë shkrova poezinë kushtuar poetit me titull: “Xhevahir Spahiu”. Tani kisha dalë nga “vrima e frikës” dhe jo vetëm e shkrova, por dhe e botova në gazetën e asaj kohe dhe e përfshiva në librin tim me poezi ” Rektimat e dashurisë”. Poezinë po e sjell për lexuesit se, dhe në nuk ka vlera letrare, por e jep si në pëllëmbë të dorës rrezikun real të jetës së autorit.
Xhevahir Spahiut
XHevahir Spahiu! Xhevahir Skrapari!
Në një anë Poeti, në tjetrën:luftëtari!
Në një anë Poeti,në tjetrën Njeriu
Me gërmë të madhe: XHEVAHIR SPAHIU!
I përbuzje dredhat, mbroje veç të drejtën
Në rrugën e sheshtë,kërkoje përpjetën
Ndaj u “rrebelove”,shkove në Vlorë
Nuk të trëmbi ndjekja s’pyete për terror.
Kupol e Mesjetës dërgoi kapuçinjtë
Të rrahën me grushte, varda ranë shkopinjtë
Të goditën, Xhevo,me grushta barbarisht
Ty që ishe ëngjëll; qe Budë apo Krisht!
Krisht për fjalë të lirë,pa shtypje e dhunë
Që të rrojmë të lirë,si ti edhe unë
Farën e urrjetjes mbolle për pushtetin
Dhe e le rehatin,se zgjodhe Poetin!
Pa gatove vargje në magje revolte
Helm për diktatorët, pjellë të çdo epoke
pranverë 1997.
* * *
Në vitin 2000 kur mora rrugën për tek im bir, në Amerikë, një valixhe tepër të madhe me mbi 250 libra (atëherë s’kish kufizim për bagazh) kisha dhe dy libra të Xhevos “Kohë e krisur” dhe “Nesër jam aty”. Kjo e dyta ( e sillja dhe e risillja sa herë nëpër duar) sikur më bënte apel për t’u nisur dhe për të qenë aty: aty, në mëmëdhe. Mjerisht këtij apeli iu përgjigja pas 12-vjetësh, ama iu përgjigja me mëndje të kthiellët. Vërtet që jetova larg SHqipërisë për afro 12-vjet, po asnjë ditë nuk kam qenë larg saj. Interneti – shpikja më e bukur në botë,- ta jepë Atdheun me vete. Dhe unë “me vete” e pata. Pse e kisha me vete “Atdheun”, e ndiqja në gjithë dinamikën e vet dhe, ja tek marrë vesh një lajm që më sëmboi keqas. Erdhi ministrja e kulturës dhe tek gjen kshilltar të kësaj ministrie, Xhevon, e pushon. Ou!- vura alarmin unë. Po nuk qeshë i vetmi. Nga Kanadaja shpërthente një poet e prozator me vlerë si Faruk Myrto dhe thotë pak a shumë: ministrja të shkojë kshilltare dhe Xhevoja-ministër. Dhe kish të drejtë. Unë gati shkrimin në mbështetje të Xhevos, por ma dogji shkrimin Xhevoja që tha tek e intervistonin: – Po vure kuzhiniere bythën, prit që t’i hashë mutin !!! E,sa para do bënte një shkrim imi? Ikën socialistët dhe sa m’u bë qejfi: sado që pushtetin e kish marrë e djathta, Xhevahirin e zgjodhën Akademik. E meritonte dhe u mbusha me frymë, se jam një nga ata mijëra që e duan Xhevon. Por nuk shkoi shumë dhe ja lajmi tronditës: Xhevoja goditet nga një ishemi cerebrale. Ka ndodhur në prill të vitit 2009 dhe unë e “qava” prapë Xhevon me një poezi”Lutje Zotit”. Poezinë e kam shkruar më 27 prill të vitit 2009 dhe e kam përfshirë atë në librin tim “Njerëz që dua”. Për të mos i mërzitur lexuesit, nuk po e risjellë edhe këtë poezi këtu, por, në vija të trasha, i lutesha Zotit që ta kthente Poetin e bukur në jetë. T’i kthente fjalën,se fjala është “oksigjeni” për çdo poet apo krijues dhe, fjalën le “t’ua heqë politikanëve që e thinjën këtë popull”.
Pas të vrëjturit, dihet që kthiellet. Zoti, siç duket, më dëgjoi mua dhe mijëra dashamirës të Xhevos që ta kthejë Xhevon në jetë dhe gëzimi im është më buçitës për t’ju thënë: çdo ditë në ora 11.00 Xhevon e gjeni tek kafe “Evropa” ku ka 23 vjet pa e ndrruar vëndin. Unë, pothuaj, një herë në muaj pi kafe me të.
* * *
Xhevahir Spahiu jo vetëm ka poezi me vlerë, por është dhe prodhimtar. Shumë poezi të tij, për arsye subjektive dhe objektive, kanë mbetur sirtarëve. Se Xhevoja vërtet e ka kapërcyer atë “atak” kundër shëndetit, por ende nuk ka arritur riaftësimin për të shkruar siç shkruante. Lexoj,- më pohoi,- por ende nuk shkruaj. Vërtet që ky është një “handikap” i përkohshëm që Xhevoja do ta kapërcejë, po pikërisht, në këtë kohë relativisht të vështirë, tak dhe del një dorë kujdestare: dora aq e ngrohtë e një poeti të bukur që quhet Arian Leka. Arian Leka duke nxjerrë në dritë lbrin me poezi të Xhevos “Vetëtimë” sjell një prurje “vetëtimë”, veç është një vetëtimë e bukur. Arian Leka për Xhevon ka bërë atë që dikur ka bërë Mitrush Kuteli që solli “Lasgush Poradecin” apo ca më vonë edhe “Ligjëron Fan Noli”. Po në fund të fundit, kush më bukur se Arian Leka do redaktonte dhe do bëhej alter egua i Xhevahir Spahiut? E dëgjova Arian Lekën tek fliste për Xhevahirin me superlativa. Shkëmbej edhe ndonjë kafe me çiftin Leka aty pas klinikës 9 të Tiranës dhe, tek po e falnderoja për atë që kish bërë për Xhevon, ai më sfidoi duke më dhënë librin “Vetëtimë”. Natyrisht, gëzimi im qe i madh.
Duke lexuar, më dukej sikur dhe Xhevon e kisha përballë dhe gëzimi mbrrinte në apogjenë e tij.
* * *
Arian Leka librin e ka titulluar “Vetëtimë”, kurse unë duke ia marrë “tapitë nga dora”, them: “Vetëtimat ” e Xhevos. Ka poezi sa të shkrutëra,aq dhe të bukura. Ngjajnë me shkrepjen e një vetëtime, por që lënë gjurmë. Natyrisht, që unë nuk do merrem me gjithë poezitë e vëllimit, por për disa që më kanë lënë mbresa të veçanta, edhe do ndaloj. Të shumtat nuk kanë titull, por Poeti (po këtu qëndron dhe madhështia e tij) grish lexuesin për ta bërë pjesëmarrës aktiv të krijimit të tij. Më ndiqni:
Natë pa yll
Humbellë pa skaj
Zot, si rri fill?
Qaj…
A ka se si flitet më shkurt? A ka se si mund të grishet më bukur lexuesi?
Ose…
A ka gjëkundi ndonjë shitore
A ndonjë tezgë kot më kot
të ble me ca qindarka qorre
jo bukë, po pak durim, o Zot?
Shkurt, po rreh gjatë. Mesazhi i madh. I lexueshëm. Të blesh durim? Po pse me të vërtetë durim?
Ja dhe një “vetëtimë” tjetër:
Edhe… Edhe…
Kur më shumë besoja e më pak dyshoja,- e p ë s o j a;
Kur më pak besoja e më shumë dyshoja,- përsëri e pësoja.
Shumë mbresëlënëse janë dy poezitë e poetit kur qan për ndarjen me prindërit. Babanë e ka përejtsuar me poezinë “Loti”.
Një fjalë.
Vetëm një:
-A erdhi?
Dhe koka iu var..
Fjeti përgjithmonë
babai.
Në cep të syrit
Një pikë loti
Dhëmbje pa gjumë.
Loti i tij i fundit
isha unë.
S’ka poezi më prekëse. Dhe në vargje ka një detmalli në raport të barabartë: prind e bir. Për t’u vënë në kornizë apo si një leksion psikologjie për adoleshentët në ciklin “Etër e bij”. Amplituda e mallit bymehet e zgjerohet kur këndon për nënën: “Dy fjalë, një dhimbje/ nëna ime!… deri “… fjalët më dalin si një psherëtimë/nëna ime!, poeti sikur e ka shtrydhur mallin që del nga shpirti. Psherëtimat rrënjët i kanë në thellësi të shpirtit.
Dhe mund të vazhdoja me “Hajket” e tij aq të bukur, (nuk dallohen nga ato japoneze) dhe ca më shumë me “shkurtinat” që flasin aq bukur dhe aq “gjatë”.
Por jo të gjitha mund të përfshihe në një shkrim.
* * *
Xhevahir Spahiu është Akademik. Është Mjeshtër i madh. Është “Nderi i Skraparit”, por, mbi të gjitha, ky Poet i bukur është nga më njerëzorët. Në një intervistë e pyetën Xhevon:- Si është e mundur që të duan kaq njerëzit? Dhe ai u përgjigj:- Mos vallë ndodh që unë i dua shumë njerëzit?
Dhe unë, tek e mbyll, uroj që Xhevoja sa më parë të kthehet në “Botën e Poezisë” për të lëshuar të tjera vetëtima!
Tiranë, 25 prill 2014
Filmi Besa – Premtimi- mori çmimin e Madh të Jurisë për filimin dokumentar
SHBA: Nga data 17 deri në 26 Prill – në Nashville – Tennessee u zhvillua Festivali i 45-të, i Filmit Amerikan/
BEQIR SINA, New York/
NASHVILLE – TENNESSEE : – Film Festival Nashville ( NaFF ) 2014, që u zhvillua nga data 17 deri në 26 Prill – shpalli dhe fituesit me rastin e 45 vjetorit të ndarjes së këtyre çmimeve të quajtuara Çmimi Vjetor i Konkurrencës – “45th Annual Competition Award” , duke përfshirë edhe Çmimin e parë “Grand Jury Award” për fituesin Glen Campbell, filmin e tij “I’will Be Me – Do të jetë me mua”. Me çmimin e parë u nderuan simbas vlerësimeve respektive “Club Sandwich – Klubi i Senduiçve” , Before I Disappear – Para se të zhdukeni, dhe filimin që po bënë xhiron e botës – filmin BESA : Premtimi , filma këta të cilët ishin në mesin e filmave të tjerë më të vlersuar të këtij festivali dhe u nderuan me çmimin e këtij festivali prestigjoz amerikan Film Festival Nashville ( NaFF ) 2014 .
Konkurreca e filimit e dokumentar për Çmimin e Madh të Jurisë – Grand Jury Award për kryetarin e jurisë ka qenë ma e forta, duke nderuar me Çmimin e parë Grand Juria filimin : BESA : Premtimi, ndërsa me çmimin e dytë, “Honorable Mention” filmin: – Fshati i Gëzuar – Happy Valley dhe me çmimin special të Jurisë, vendin e tretë :”Special Jury Prize” filmin dokumentar: “Rrëmbyesi i Krishtit”.
Anëtari i Jurisë së filmit dokumentar Mark Rabinowitz , i Platformës Media Group, tha se filmi dokumentar BESA : Premtimi i drejtorit të këtij filmi Rachel Goslins ” është një punë frymëzuese që hedh dritë mbi një nga ngjarjet më të errëta në historinë njerëzore ” . Kurse anëtari tjetër i jurisë Allison Inman, drejtor i Teatrit Belecourt në Nashville shtoi se ” Filmi Besa – Premtimi – shqyrton fuqinë e një premtimi dhe përdor një histori emocionale dhe thellësisht personale për të zbuluar një kod kulturor dhe forcën e integritetit që është e “rëndë” dhe më se nevojshme në botën e sotme … ”
Festivali Nashville Film ( NaFF ) , i mbajtur nga 17 – 26 Prill 2014, duke prezantuar një mori të filmave në Amerikën e Veriut , sjell një pjesë të botës filmatografike në kinemanë “Nisan” të Nashville – Tenese në SHBA, në një festival 10 -ditor të filmit . NaFF shfaq diversitetin e zërit të njeriut dhe vizionin e tyre nga kurimi nëpërmjet segmenteve programore për të përfshirë, filma Latin, Afrikan, GLBT , dhe filma të cilat u dedikohen hebrenjëve . E themeluar në vitin 1969 nga Mary Jane Coleman , ky është një nga festivalet amerikane të filmit më të vjetër ( 45 – vjet ), në SHBA.
Festivali i Filmit Nashville, thotë se është krenar për të sjellë botën filmatografike në Nashville -SHBA, me anë tënjë “sfilate” të diversitetit të shpirtit të njeriut e shprehur përmes artit të filmit, në festivalet e çdo viti gjatë gjithë këtyre 45 vjetëve, prej se u krijua ai po ndihmon për të ndërtuar një komunitet më të informuar, bashkëpunuese dhe të”gjallë” në botën e artit.
NaFF – Festivali i Filmit Nashville i themeluar në vitin 1969 nga Mary Jane Coleman, ishte i njohur fillimisht sifestivali i ashtuquajtur “Festivali Creek Filmit”. Gati 20 vjet më vonë ky u quajt si Festivali i Filmit të Pavarur Nashvilledhe, më vonë, Festivali i Filmit në Nashville, prej në vitin 2003. NaFF është vlersuar nga bota e filmit, si një nga “25festivalet e filmit me vlerë në botë” nga “Revista e Kinoproduserve – MovieMaker Magazine”. Kurse, Instituti Brooks e ka quajtur atë një nga Festivalet e filmit amerikan me vlersimin më të lartë ndër 5 festivalet e filmit në SHBA
Filmi Besa – Premtimi :
Në një përshkrim të shkurtër të Filmit dokumentar Besa – Premtimi, thuhet se :” Historia kurrë nuk ka folur më parë( regjimi Enverian i burgosi disa famije shqiptare që patën strehuar Hebrejtë gjatë LDB, shembull është familja Biçaku e Çerrishtës në Librazhd) rreth individëve të guximshëm në Shqipërinë gjatë pushtimit nga nazistët që shpëtuan jetët e mijëra hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore”
Sipas atyre që ka shkruar rreth të këtij filmi thuhet se :” dëshmuar nëpërmjet prizmit të dy burrat u bashkuan së bashku në një kërkim të shquar dhe të papritura: të cilat mbas 50 vjetëve i ka zbuluar një fotograf i njohur hebre-amerikan, fotografi që kishte i vendosur të regjistrojë trimërinë dhe dhembshuri të shqiptarëve.
Me këtë rast ai ka marrë si shembull vetëm një rast(mbasi janë, qindra familje shqiptare të krishterët dhe muslimanët shqiptarë, ata që shpëtuan hebrejtë), kur një mysliman-shqiptar pronar i një -dyqani lodërash në vendos për për t’i kthyer tri libra të çmuar një anëtarit të fundit të mbijetuar të familjes hebreje, të cilin babai i tij e kishte strehuar gjashtëdhjetë vjet më para. Takimi i tyre u vendos me një lëvizje të jashtëzakonshme dhe drama e papritur qe ura që lidhi brezat dhe fetë, mes shqiptarëve dhe hebrejve.
Filmi Besa vazhdon të jetë një projekt i filluar vite më parë nga fotografi amerikan Norman H. Gershman, me titull God’s House (Shtëpia e Zotit). Filmi bazohet në të dhëna gojore, dokumenta e intervista me personazhë realë, shqiptarë a familje të cilët kishin shpëtuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai fillon me rrëfimin e Rexhep Hoxhës, lindur në Tiranë në vitin 1950. I ati, para se të vdiste i la atij amanet tre libra në gjuhën hebraike. Ato ishin të një familjeje hebreje që gjatë luftës ishte strehuar në shtëpinë e familjes Hoxha. Me ndihmën Gershmanit, Rexhepi zbulon historinë e panjohur të aktit të jashtëzakonshëm të të atit të tij; Besën e ndërthur me trimëri e sakrificë.
Filmi pastaj zgjerohet për të hyrë në thellësi të botës shpirtërore të protagonistëve dhe për t’i shpjeguar publikut të huaj se çfarë është Besa dhe përse shqiptarët mendojnë se ajo është pjesë e veçantë e kulturës së tyre. Edhe regjisori kryesor i filmit Jason Williams e pranon, se Besa është diçka e veçantë. Ai mendon se tre elementë shërbyen që shqiptarët të vepronin në mbrojtje të hebrenjëve; “E para ishte qeveria shqiptare gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore që hapi kufijtë për këta të ikur e të përndjekur; E dyta ishte roli pozitiv i klerikëve myslimanë, katolikë, bektashllinjë, e ortodoksë, që u bënin thirrje besimtarëve të ndihmonin e fshihnin hebrenjtë që kërkonin strehim; dhe së treti ishte fjala e dhënë, Besa ajo që i lidhte këta faktorë, duke krijuar të veçantën që mungonte në Evropë në atë periudhë.”
Filmit dokumentar Besa – Premtimi, i regjisorit kryesor Jason Williams është filmuar në Shqipëri, Bullgari, Izrael, dhe Shtetet e Bashkuara, filmi përmban rreth njëzet intervista me të mbijetuar dhe të shumë dëshmitarëve të tjerë. Dhe është shfaqur deri tanë në qytetet kryesore amerikane, New York, Los Angelos, Dallas, Çikago, Filadelfia,, Uashington, si dhe në Europë, Londer – Angli, Brukes – Belgjikë dhe Tiranë – Shqipëri.
TEFIK ABDULLAI kërkon votën e diasporës shqiptare
Abddullai, kandidati shqiptar nga diaspora SHBA dhe Kanada si kandidati i vetëm shqiptarë në zonën 8 të diasporës në SHBA dhe Kanada është kandidati i vetëm shqiptar për deputet në këtë zonë, i caktuar nga partia BDI, e cila garon edhe në dy zonat e tjera në diasporë. Ai në një intervistë për gazetarin Beqir Sina ka bërë thirrje që diaspora të mbështesë kandidaturën e tij.
Ju jeni kandidati i vetëm shqiptar për deputet në njësinë e 8 zgjedhore SHBA – Kanada. Cilët janë pritjet e juaja dhe qëllimi ?
Fillimisht duhet cekur se deri tani Parlamenti i Maqedonisë i ka pasur dyert e mbyllura për shqiptaret e komunitetit shqiptar te Amerikës dhe Kanadasë. Ky është rast i volitshëm për hapjen e kësaj dere institucionale e cila do te çeli rruge te reja për komunitetin tone. Ne në këtë moment jemi duke bere ç`mos rreth organizimit te këtyre zgjedhjeve për te mundur te korrim një sukses te volitshëm. Qëllimi ynë është te fitojmë këtë mandat.
Si u zhvillu fushata juaj ?
Unë si kandidat, me përfaqësues te shtabit zgjedhor kemi bere përgatitje te duhur duke vizituar terrene te caktuara ku janë te përqendruar shqiptaret ne Amerike dhe Kanada, si psh. Toronto, London, Nju Jork, Nju Xhersi, Detroit, Chicago Kenosha, Rockford, Medison dhe Dallas. Përkrahja ka qene ne nivel dhe ne kete drejtim duhet cekur sakrificën e Dallasit ku votuesit ditën e votimit vijnë me aeroplan gjer ne Çikago vetëm për te dhënë votën Tefik Abdullait. Ky shembull duhet t’ju japi kurajo te tjerëve te cilët nuk janë aq larg sa jane Dallasit !
Ju dhe shtabi i fushatës suaj, çfarë dini për kandidatët e komunitetit maqedonas dhe sa i frikoheni atij duke pasur para sysh se ai ka mbështetjen dhe është i propozuari i VMRO-DPMNE-se ?
Unë dhe shtabi nuk kemi arsye për frikësim dhe shqetësim, pasi qe edhe ne garojmë me ndihmën institucionale te subjektit tone i cili ligjërisht dhe administrativisht është ne anën tone, ashtu siç është partia maqedone ne anën e kandidatit te tyre. Prandaj ne bëjmë punën tone, pala tjetër bën punën e vet. Fushatën tone e kemi orientuar ne forcat tona te pasterta shqiptare te cilat janë te interesuara për një përfaqësim kombëtar ne parlamentin e Maqedonisë.
Çfarë keni bere për te pasur sa me shume shqiptar votues me dokumente valide sipas ligjeve te Maqedonisë te votojnë për ju ?
Gjate fushatës sime, unë dhe shtabi bashke me aktivistet tjerë jemi munduar maksimalisht t’jua bëjmë me dije shqiptareve se duhet te dalin te votojnë sa me shume duke përdorur logjiken e shëndoshë. Te gjithë kane premtuar se ditën e votimit do te jene te gatshëm te tregojnë transparence , te jene vigjilent, te votojnë pa asnjë presion dhe kështu te jene pjese e zhvillimeve demokratike.
Komuniteti shqiptar është marre gjate shume viteve me nevojat dhe çështjet e mëdha qe lidheshin me zhvillimet ne Ballkan. Sa keni besim te ndihma qe do te japi komuniteti juaj për tu zgjedhur si anëtar i Parlamentit te Maqedonisë nga diaspora Kanada dhe ShBA ?
Komuniteti Shqiptar i Amerikës dhe Kanadasë i ka dhënë disa provime gjate historisë, prandaj une kam besim te plote se ky komunitet do te jete ne krye te detyrës edhe kësaj radhe. Fillimisht u rreshtua me ne ne përpilimin e listave te votueseve dhe pastaj ka premtime te fuqishme se me 26 prill, e shtune, te njëjtit do te dalin te votojnë dhe ne ketë mënyrë do ti dalin edhe një here zot vatanit.
Ku shpreson se jeni me te forte ne këto votime ?
Shqiptaret ne këto komunitete janë te shpërndarë shume. Mendoj se përkrahja ime nuk do te mungoje ne asnjë vend ku shqiptaret do te dalin te votojnë dhe ma merr mendja se asnjë nuk do te votoje palën tjetër. Kemi besim te te gjithë shqiptaret dhe te te gjithë territoret ku jetojnë shqiptaret ne Amerike dhe Kanada. Ne përgjithësi jam shume i kënaqur me përkrahjen morale dhe materiale te shqiptareve ne përgjithësi dhe kjo, mua me obligon, qe ne t’ardhmen te angazhohem me mish e me shpirt për avancimin e çështjes shqiptare ne Maqedoni.
Çfarë duhet te bëjnë shqiptaret te ndihmojnë veten ? Dhe sa beson se si komunitet do te ecim përpara ?
Se pari shqiptaret duhet te dalin te japin votën e tyre për kandidatin shqiptar dhe kështu ta kryejnë obligimin e tyre kombëtar dhe kushtetues. Pastaj, bashkëpunimi im me votuesit, përkatësisht komunitetin shqiptar ne Kanada dhe Amerike do te beje analiza dhe projekte te reja te cilat sipas mendimit tim do te ndikojnë ne avancimin e demokracisë ne Maqedoni. Për mua është një kënaqësi dhe krenari te jem përfaqësues i diasporës ne fjale dhe njëkohësisht është një obligim i rende kombëtar dhe moral, pasi qe detyra do te kërkojë demonstrimin e nje kulture te re dhe demokratike me dimensione te reja funksionale ne Parlamentin e Maqedonisë.
Një mesazh për komunitetin.
Komuniteti shqiptar ka punuar, punon dhe duhet te punoje gjithmonë për çështjen shqiptare ne Ballkan, duke qene me i organizuar ne te gjitha fushat e jetës.(U intervistua Nga Beqir SINA/)