• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NDERROI JETE SEJFI PROTOPAPA

April 15, 2014 by dgreca

Vdiq në moshën 91-vjeçare anti-komunisti më i vjetër në SHBA, inxhinieri i NASA – Sejfi Protopapa/
Historia Bostonit, nuk mund të shkruhet pa historinë e emigracionit shqiptar!/
NGA BEQIR SINA, New York/
Boston, Massachusetts : Vdiq pas një sëmundje në moshën 91-vjeçare Sejfi Protopapa, anti komunisti dhe Ballisiti më i vjetër në SHBA, ish inxhinieri i NASA. Ai jetonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në qytetin Wayland të Massachusetts ku ishte vendosur aty së bashku me familjen e tij qysh në vitin 1944, kur u arratisë nga Shqipëria, pas ardhjes së qeverisë komuniste.
Në Shtetet e Bashkuara, Protopapa, duke iu bashkëngjitur grupeve anti komuniste në diasporë, së bashku me shqiptar nga Kosova, Shqipëria, Lugina e Preshevës, shqiptarëve të Maqedonisë, Malit të Zi, Çamëve dhe Arbëreshëve, lujatën një rol historikë, për më shumë se gjysmë shekulli – duke mbajtur gjallë frymën patriotike dhe kombëtare.
Sejfi Protopapa ishte bir i një avokati patriot me origjinë nga fshati Protopapë i Korçës. Ai ka lindur në Berat më 20 shkurt 1923. Arsimohet në fillim në vendlindje dhe vazhdon shkollimin në Itali . Në vitin 1943, kur ishte vetëm 20 vjeç, emërohet komandanti i një çete të Ballit, që vepronte në zonën e Roskovecit, e ndodhur midis Beratit dhe Fierit.
Në vitin 1944 ai largohet përfundimisht nga Shqipëria për tu rikthyer vetëm në vitin 1991 pas rënies së komunizmit. Fillimisht vendoset në Itali dhe më tej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtu në SHBA, ai vazhdoi studimet dhe diplomohet për Fizikë Bërthamore, duke punuar si inxhinier . Ishte i martuar me një estoneze dhe baba i tre fëmijëve.
Protopapa : ” Nga e keqja duhet të ndahemi menjëherë dhe përfundimisht”.
Sejfi Estref Protopapa u largua prej atdheut të tij, në nëntor të vitit 1944 me ardhjen e “farës së keqe” komunizmit, siç e quante ai, si një nga kuadrot e Ballit Kombëtar, si një nga personat e padëshirueshëm të Partisë Komuniste Shqiptare, sepse ai kishte bërë publike Direktivën Sekrete të Enver Hoxhës të datës 10 shtator 1943, ku ky porosiste organizatat e partisë të qarqeve të Shqipërisë që të fillonin luftën kundër organizatës së Ballit Kombëtrar, për ta quajtur atë shkaktar të mosbashkimit dhe të vllavrasjes…
Në kujtimet e tij lexojmë :”Unë me kushërirën time Diturinë, tregon Sejfiu, pasi mbaruam studimet në Itali në qershor të vitit 1943 u kthyem në Berat me dëshirën e madhe që të merrnim pjesë me armë në luftën Antifashiste”.

Historia Bostonit, nuk mund të shkruhet pa historinë e emigracionit shqiptar. Në historin bostoniane, kanë zënë vend tashmë dhe ngjarjet shpirtërore të kombit tonë. Dhe si të tilla janë edhe tre ngjarjet më të rëndësishme të muajit Mars. Janë data këto, të cilat, na bëjnë ta quajmë këtu në Boston, “Marsi Nolian” Janë përvjetorët e Nolit, të cilat kremtohen nga kisha shqiptare ortodokse në SHBA-së, dhe gjithë komuniteti shqiptarë në Amerikë. Janë pikërishtë tre përvjetorët historikë, që mbledhin rreth vetes jo vetëm besmitarët Orthodokës, por edhe Vatranët e kulluar, patriotët e atdhetarët mbarëshqiptarë.
I tillë ka qenë në kujtimet e mija edhe, 8 Marsi 1908 – i cili përkoi në 2008 gjashtë vjetë më parë me 100-vjetorin i dorëzimit të Fan Nolit në prift, gjë që shënon dhe ringritjen e kishës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë që po në atë vit, më 22 mars 1908, është 100-vjetori i të parës Liturgji Hyjnore në gjuhën shqipe nga At Theofan Stilian Noli, gjë që shënoi dhe themelimin të kishës shqiptare të Shën Gjergjit në Boston. Ndërsa po në mars – më 13 mars 1965 në Florida do të mbyllte sytë Theofan Stilian Noli .
Më 22 Mars 2008, tek varri i Kryepeshkopit Theofan Stilian Nolit, ditën kur shqiptarët e Amerikës përkujtuan 100 vjetorin e ditës kur u mbajtë Mesha për herë të parë në gjuhën Shqipe në sallën “Knights of Honor” të Bostonit në kujtimet e mija është edhe përshëndetia e inxhinier Sejfi Protopapa, patriot dhe veteran i diaspores, i cili ka punuar e kontribuar për demokracinë, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës gjatë gjithë jetës së tij, së bashku me shumë shqiptarë patriot dhe atdhetarë të shquar të çështjes kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai foli plot pathos, duke nënvizuar se gjënia e Peshkop Nolit, ishte se ai përcaktoj gjuhën Shqipe, në meshërimet kishtare si themelin e kombit Shqiptar, që do të kërkonte pavarësinë . Më tej ati thënë në këtë fjalim Protopapa, :” unë e përfytyroj lehtë zërin baritonë të Peshkop Nolt, duke dhënë liturgjinë e shënjtë në gjuhën Shqipe. Zëri i tij në gjuhën Shqipe në atë kishë të thjeshtë si edhe shkrimet dhe botimet në atë periudhë, ishin ndër pjesët kryesore të mureve për ndërtimin e shtetit të ri Shqiptar që shpalli pavarësin e vet në 28 Nentor 1912 “, ka thënë ndër të tjera një ndër anti komunistët më të vjetër në diasporë, Sejfi Protopapa.
Simbas professor Thanas Gjikës, thuhet se :” Menjeherë mbas shkërmoqjes së diktaturës komuniste, Sejfi Protopapa u angazhua në luftën për mbrojtjen e Autoqefalisë së Kishës Orthodokse Shqiptare. Ai u bashkua me z. Antoni Athanas, Very Rev’ Arthur Liolin, etj dhe shkoi në Shqipëri për të mbrojtur Autoqefalinë e Kishës Orthodokse Shqiptare. Ai ka shkruar artikuj të ndryshëm për këtë problem dhe investoi për të shugurar priftërinj orthodksë shqiptarë në Rumani, Maqedoni dhe këtu në Amerike, priftërinj që punojnë në rrugë të pavarur prej Hirësisë së tij Janullatos. Z. Protopapa në këtë drejtim punon në përputhje me rrugën e ideuar prej Sami Frashërit, i cili kur e ngriti i pari problemin e Autoqefalisë së Kishës Orthodokse Shqiptare si vepër me rëndësi kombëtare, tha se atë duhej ta kryenin së bashku shqiptarët e krishterë në bashkëpunim me shqiptarët myslimanë…” lexojmë në shkrimin me titull “Tre mësime nga jeta 90- vjeçare e Sejfi Protopa” nga Prof. Asoc. Dr. Thanas L. Gjika

Pasaporta
Emri: Sejfi
Mbiemri: Protopapa
Datëlindja: 20 shkurt 1923
Vendlindja: Berat
Origjina: Familje bejlerësh në fshatin Protopapë të Korçës
Vendbanimi: Wayland, Massachusetts, SHBA
Larguar nga Berati më 1944
Kthyer në vitin 1992

Arsimi
Tetëvjeçar në Berat
Shkollën e Mesme Tregtare në Vlorë
Ndërpret studimet në Universitetin e Peruxhias për Financë
Diplomohet për Fizikë Bërthamore në SHBA

Filed Under: Komunitet Tagged With: 91 vjec, nderroi jete, Sejfi Protopapa

FTESE PER DEBAT: DEFETARIZIMI I POLITIKËS DHE DEPOLITIZIMI I FESË

April 15, 2014 by dgreca

Nga koka e Blushit dhe nga koka e çdokujt tjetër ndër ne të hiqet përfundimisht ideja apo mendimi se ne mund të bëhemi qendër botërore e islamit, e krishterimit lindor, krishterimit perëndimor apo të çfarëdo ideologjie tjetër./
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/
Ne shqiptarët dështuam në përçartjen tonë gjysmëshekullore për t’u bërë qendër botërore e ideologjisë komuniste. Mjerisht, në Tiranë, mjerisht, duket të ketë koka që ende, pas rreth një çerek shekulli nga ky dështim, të përçartin drejtpërdrejt para publikut idetë e tyre që ne shqiptarët të jemi qendër botërore e ideologjive fetare.
Ndryshe nuk mund të shpjegohet as mund të interpretohet kontributi i fundit i shpallur nga Ben Blushi, me titullin “Hëna e Shqipërisë”, në temën fort të njohur përgjatë këtij çerekshekulli të fundit.
Në shpalljen e tij, autori i “Hëna e Shqipërisë” kërkon defetarizimin e Shqipërisë, me sa kuptoj unë ende jo ateizimin e Shqipërisë. Pra, kërkon laicizimin e Shqipërisë, e cila, sipas tij, nga një vend ateist tashmë qenka shndërruar në vend fetarist me prirje për t’u shndërruar në një vend ku qiellin ideologjik fetar ta zaptojë Hëna dhe ku të eklipsohet Dielli.
Më mirë kishte qenë, gjithsesi, që kjo qarkore të punohej dhe të shpërndahej si material partiak para se t’i shërbehej publikut të gjerë, sepse Blushi nuk është pa pushtet, nuk është senza voce in capitolo.
Laicizimi i Shqipërisë, i shoqërisë shqiptare në përgjithësi, kudo që ndodhet ajo, nuk mund të bëhet pa defetarizimin e politikës sa dhe pa depolitizimin e fesë.
Në fillim të ‘pluralizmit politik’ në Shqipëri u bë zakon që liderët e vendit, politikë, shtetërorë, qeveritarë e tjerë, me rastin e festave fetare, t’iu bëjnë vizita selive të krerëve të komuniteteve fetare. Diçka të tillë e kërkonte në atë kohë krijimi i imazhit të ri të Shqipërisë si një vend deri atëherë ateist. Rreth njëzet e pesë vite rresht, katër seli qendrore në kryeqytet dhe kushedi sa seli të tjera nëpër qarqe, rrethe dhe njësi të tjera lokale vizitohen nga liderë qendrorë dhe lokalë. Dhe këto vizita janë gjithnjë e më të mediatizuara. Blushi, me sa kuptoj unë, nuk ka propozuar që të hiqet dorë nga kjo traditë. E shumta, këtë ritual mund të vazhdojë ta bëjë kryetari i Shtetit, por pa ndonjë mediatizim kushedi.Natyrisht, si persona privatë askush nuk ia ka për rëndë as nuk ka pse t’ia ketë për rëndë askujt pse rëndom apo edhe në festat fetare viziton tempullin në të ciln beson apo tempujt për të cilët ka respekt, por këtë ta bëjë në mënyrë private, si çdo qytetar tjetër, pa bujë, ashtu si e kërkojnë edhe librat e shenjtë dhe porositë e shenjta.

“Një laicizëm i drejtë e lejon lirinë fetare. Shteti nuk e imponon religjionin, por në vend të kësaj iu jep hapësirë religjioneve me një përgjegjësi ndaj shoqërisë civile, dhe kështu i lejon këto religjione të jenë faktorë në ndërtimin e shoqërisë,” thotë Papa Benedikti XVI, i cili gjithashtu është teologu katolik aktualisht ndër më kompetentët në mos më kompetenti.
A e ka bërë dhe e a e bën këtë që thotë Joseph Ratzinger shteti shqiptar, shoqëria shqiptare, politika shqiptare në Shqipëri dhe jashtë saj në këto rreth njëzet e pesë vitet e fundit. A kanë qenë të paanshëm këta faktorë në krijimin e hapësirës ndaj religjioneve, a kanë ndërhyrë në punët e religjioneve, a kanë përdorur mjete joligjore në raportet dhe marrëdhëniet me këto religjione. Rezervoj bindjen time të plotë se këta faktorë nuk e kanë kryer as më së paku këtë që kërkon Ratzinger, pra nuk kanë bërë asgjë për laicizmin e drejtë. Kjo sjellje në mos deri tashti, më vonë, sigurisht, ka për të rezultuar kundërproduktive.
Në një shoqëri demokratike pluraliste, ku kultivohet edhe pluralizmi fetar, nuk mund të ketë komunitete fetare të nënës apo të njerkës. Në Shqipëri, në shoqërinë shqiptare, në politikën shqiptare, rezervoj bindjen time se ekziston kjo mendësi dhe kjo praktikë. Dhe kjo është e vërtetuar katërcipërisht në Tiranë, në Prishtinë e gjithandej ndër ne.
Kam gjithashtu bindjen se Blushi, kur nga pozita politike ngre shqetësimet e tij fetare, ka në kokë kryesisht modelin e një vendi dhe një shoqërie të caktuar që ende nuk e kanë pranuar pluralizmin fetar. Do të ishte me pasoja të pandreqshme që ne shqiptarët të shkojmë drejt kësaj. Oksigjeni për shqiptarët është pranimi i njëri tjetrit pavarësisht se janë apo nuk janë besimtarë, pavarësisht se cilës praktikë fetare i përkasin.
“Unë kurrë nuk e kam marrë një ndryshim mendimi në politikë, religjion, filozofi si shkak për t’u larguar nga një mik,” thoshte dikur Thomas Jefferson, politikan, diplomat, intelektual, President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky është njeriu i emancipuar dhe iluminist të cilin e kemi të domosdoshme për ta pasur në mesin tonë në Shekullin XXI. Është krejt e kundërta e realitetit që ne shikojmë rrotull në këto njëzet e pesë vite.
Oksigjen për shoqërinë shqiptare të kohës është edhe njeriu për të cilin fliste dikur në vetën e parë i madhi Abraham Lincoln, tek thoshte: “Kur unë bëj mirë, ndjehem mirë. Kur unë bëj keq, ndjehem keq. Ky është religjioni im.” Në mesin tonë, shpreh bindjen, po kultivohet i kundërti i tij, ai që thotë: “Kur unë bëj mirë, ndjehem keq. Kur unë bëj keq, ndjehem mirë. Ky është religjioni im.” Ky religjion, mjerisht, po bashkon përherë e më shumë njerëz në Shqipëri dhe në shoqërinë shqiptare.
Shpallja e Blushit, e bërë prejt tij nga pozita të pasinqerta, më forcon bindjen se në Shqipëri dhe ndër ne shqiptarët nuk është kuptuar aspak globalizmi, nuk është kuptuar aspak çfarë sfide përbën globalizmi për shoqëritë, vendet, kulturat, qytetërimet. Aq më shumë për vendet, shoqëritë, kulturat me ato veçanësi të rralla si tonat. Do menduar, do punuar, do bashkuar forcat, energjitë mendimet që një shoqëri e tillë të shndërrohet në faktor dhe të dalë faqebardhë përballë sfidave të globalizmit. Në mënyrë monopartiake, monofetare e tjerë ne do të dilnim me faqe të zezë përballë tyre dhe do të bëheshim kafshatë e kollajshme e të tjerëve. Dhe dukuritë përherë e më atipike që lulëzojnë ndër ne, janë pikërisht pasojë e moskuptimit të sfidave që sjell globalizmi.
Zgjidhja ndaj kësaj nuk është një kthim në vetizolim, siç e propozon sado tërthorazi e me nostalgji Blushi, nuk është marrja e ndonjë modeli që kanë në kokë ata si puna e Blushit. Ne shqiptarët nuk kemi nga t’ia mbajmë – ose do të sillemi, të veprojmë, të mendojmë në kuadrin e sfidave globale, ose do të marrim fund. Mbetet vetëm çështje kohe.
Feja në Shqipëri dhe ndër shqiptarët, në pluralizmin e saj, iu nënshtrohet patjetër ligjeve të një vendi demokratik. Shteti demokratik i përmbush detyrimet ndaj fesë si ndaj çdo fushe tjetër të jetës së vendit e të shoqërisë. Detyrim i shtetit në këto njëzet e pesë vite është që komuniteteve t’ua kthejë, t’ua kompensojë pronat që ua ka marrë shteti monist ateist. Ky detyrim do përmbushur sa më urgjent. Nga ana tjetër, kleri në shtetet tona, në Shqipëri dhe Kosovë, ka të drejtat dhe detyrat e tij si çdo pjesë e shoqërisë sonë, në përballje absolute me ligjet. Informaliteti në komunitetet fetare është i mbarsur me pasoja. Aq më tepër në një realitet të pushtuar nga informaliteti. Vendosja në kuadër ligjor e sa më shumë hapësirave në jetën e një vendi, shoqërie është masa më e shëndetshme që ndërmerr dhe kryen një shtet i përgjegjshëm demokratik. Një shtet i përgjegjshëm është ai që merr përgjegjësi mbi vete, nuk është ai që ua ngarkon përgjegjësitë të tjerëve. Të metat, dobësitë, mbrapshtitë janë, në radhë të parë, për faj të shtetit. Nëse nuk funksionon shteti, atëherë do riparë (riparuar) sistemi. Prandaj sistemet reformohen pa pushim në vendet dhe shoqëritë demokratike të konsoliduara apo në konsolidim e sipër.
Nga koka e Blushit dhe nga koka e çdokujt tjetër ndër ne të hiqet përfundimisht ideja apo mendimi se ne mund të bëhemi qendër botërore e islamit, e krishterimit lindor, krishterimit perëndimor apo të çfarëdo ideologjie tjetër.
Këtë shënim me temën e fesë do ta përmbyll me një mendim të Muhamet Aliut, boksierit legjendar të të gjitha epokave: “Lumenjtë, pellgjet, liqenet, përrenjtë – të gjithë kanë emra të ndryshëm, por të gjithë përmbajnë ujë. Ashtu si dhe religjionet – ato të gjitha përmbajnë të vërtetat.”

Filed Under: Analiza Tagged With: Depolitizimi i fese, Skender Bucpapaj

BE – PE miraton përfundimisht bashkimi bankar

April 15, 2014 by dgreca

STRASBURG, 15 prill / Parlamenti Evropian miratoi sot me një maxhorancë të gjerë një tërësi tekstesh që kompletojnë bashkimin bankar, me qëllim që të mënjaniohet që falimentimi i bankave në zonën euro të mos mbështetet në të ardhmen nga taksapaguesit.
“Me këtë votë, kemi një sitem të vërtetë evropian për vëzhgimin e të gjitha bankave në zonën euro dhe të trajtohen në rast falimentimi”, reagoi në llogarinë e tij Twitter komisioneri evropian i ngarkuar me shërbimet financiare, Michel Barnier

Filed Under: Rajon Tagged With: bashkimi bankar, BE – PE miraton përfundimisht

Perënditë flisnin shqip

April 15, 2014 by dgreca

Nga Nikolla LENA/
Zakonisht fundjavat nuk më pëlqen t’i kaloj në Tiranë.
Mbase zhurma, ajri i rëndë, mbingjeshja njerëzore më shtyjnë drejt periferisë. Këtë herë u drejtova nga fushat e Myzeqesë.
Kisha dëgjuar për një prodhim të bollshëm dhe një tregti të mirë të produkteve bujqësore të kësaj zone në këtë stinë, inisiativat e Ministrisë së Bujqësisë për fermerët e myzeqesë,si dhe përgatitjet e tokës për mbjelljet pranëverore që sa po kanë nisur. Nëpër fusha të zinte syri makineri bujqësore që pastronin tokën duke e bërë gati për plugim,pemë të harlisura nga gjelbërimi,kultivues të përkulur mbi parcelat e tyre e gjithëfarsoj procesesh të stinës në bujqësi.
Mbasi përshkova fushat e Kavajës, Lushnjës, nuk po më pëlqente shumë ti ndahesha asfaltit dhe autostradës komode drejt Fierit. Një shi i imët “britanik”, na shoqëroi pothuajse që në nisje.
Një shi lulesh i thonë në këto anë,sepse ndihmon bimët të shpërthejnë sythet e tyre.Dhe vertetë kumbullat,pjesëhkët,shelgjet ishin spërkatur në të bardhë nga petalet e tyre.
Në kthesën e fortë afër Kolonjës më shfaqet përball manastiri I Ardenicës. Si një murg i lashtë,hijerëndë, qëndronte ulur maj kodrës në një natyrë të qet. Qiparisë, pisha dhe drurë të harlisur e mbanin mes tyre këtë “plak” të moçëm dhe lëshonin pikalotshiu mbi zhgunin e tij të tymosur. Hija e tij e rëndë si një magnet i fuqishëm më tërhoqi drejt vetes. Një rrugë e asfaltuar më uli drejt e në prehrin e tij.
Gjeta plot makina vizitorësh që ishin parkuar për-rreth. Muret e rëndë dhe porta e madhe me shulin e ndryshkur që varej si lavjers i sahatit-kohë, më krodhën në një tjetër realitet.
U futa dhe unë në kishën e vjetër dhe gjeta ciceronin përball një grupi turistësh gjermanë, që po u tregonte mbi historikun e themelimit të këtij objekt-kulti,zografët që kishin realizuar Zotat në pikturat murale,Kostandin dhe Thanas Zografi,Shpataraku i famshm etj. Ikonostaset që prej 1744,një busull zodiakale në dyshemenë e kishës,e plotë data të tjera historike.
Data që rrokulliseshin thellë në shekuj mbase që pas vdekjes së Krishtit kur dishepujt e tij u shpërndanë nëpër Evropë që të mbillnin”farën”e mirë dhe historia qëndronte në kohën e Bizantit, aty ku merrte formë të plot dhe ky manastir rreth vitit 1282. Ciceroni u ndal edhe te heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti,që celebroi martesën e tij me bijën e Aranitit, Andronikën më 21 Prill të vitit 1451 pikërisht në këtë kishë.
Dy vite me vonë, në fund të Majit të vitin 1453 Kostandinopoja do të binte përfundimisht nga vullneti i hekurt i një djaloshi 22 vjeçar me emrin Mehmeti i dytë. Muret e rëndë të kokës së dytë të shqiponjës romake,që kishin rezistuar për njëmijëvjet sulmesh barbare, Venetikase, Otomane u shkërmoqën përball rinisë dhe mëndjes së këtij djaloshi-sulltan.
Thon se ushtari i par që shkeli brenda tyre dhe nguli flamurin osman, ishte me origjin shqiptare. Nuk di përse Ai më sjell ndërmend Aleksandrin e Olimpias(Olimbisë)të quajtur i madh. Mbase që Aleksandri ishte stërnip i këtyre trojeve.
Turistët u shpërndanë të sodisnin peizazhin natyror rrotull manastirit,gjë që e bëra edhe unë. Ishte si një kullë vrojtimi ku syri mund të shikonte në të gjitha anët.
Në lindje ngrihej Tomori madhështorë, në jug shtrihej Apolonia,më tutje vjosa dhe Narta ,ndërsa në perëndim ndeshje Detin pa fund me pishat e lashta të Divjakës që i rrinin si kurorë.Ka një legjendë për këto pisha,por dhe një histori.Kujt ti besojmë legjendës apo historisë?!Shpeshherë historia është shkruar nga legjendat.Kështu ndodhi me zbulimin e Trojës, e tha Homeri, Shlimani besoj në thënien e tij dhe ja ku doli Troja.
Kush e solli këtë pishë këtu?! Ushtarët e Cezarit në aventurën e gjeneralit të tyre për të shkatërruar ushtrinë e Pompeut që kishte ngritur çadrat në Karpen të Kavajës. Ata hodhën kokrrat e para të stikave të mara me vete në xhepat e kapotave të vjetra në marshimin e gjatë që niste prej Romës së vjetër.
Rrugët e saj hijeshoheshin prej pishave të buta njëlloj si këto këtu në Divjakë. Mbase I konsideronin si çamçakiza të kohës së tyre. Relaksoheshin me to para betejës. Kokrrat e para ranë nga xhepat e grisur të kapotave ushtarake gjatë fushimit në rërën e plazhit pas zbarkimit prej anijeve luftarake dhe mbin e morën jetë në këtë plazh të bukur. Përballë kishin varkat me rrema të lundrimit, detin e gjerë dhe pas tij Atdheun. Mbrapa shpine Pompein dhe një tokë të huaj. Një tokë që e njohën dhe e lakmuan. Më vonë e pushtuan dhe ngritën qytetet dhe qytetërimet e famshme si Apolonia dhe Dyrrahu.
Më nxori nga kjo përhumbje historike, hija e zhgunit të murrmë të dy burrave që kaluan në koridorin e ngritur pas murit të kishës.Kisha dëgjuar për murgj në këtë manastir,por s’kisha arritur ti shihja.Të gjith flisnin dhe heshtnin për ta. Edhe vet kishtari i shmangej kësaj pyetje. Ishin dy, pesë, gjashtë…nga kishin ardhur dhe ç’bënin aty?!.. Murgj…manastir, mjegull enigmatike. Ata u larguan si hije brenda thesit të tyre dhe u futën në një deriçkë misterioze. Lash murgjit në shenjtërinë e tyre dhe hodha sytë te këmbët e kodrës,aty ku kalonte degëzimi i rrugës Egnatia. Një degëzim i saj zinte fill në Apoloni, përshkonte gjith vargëkodrën deri në prerjen e lumit Shkumbin, merte djathtas dhe bashkohej me degën kryesone në Klodiana(Peqini i sotëm)për të vazhduar deri në Kostandinopoj. Nuk bindesha që themelet, gurët e këtij manastiri të zinin fill në vitin 1282.Nga lartësia,dominimi pamor,të jepte përshtypjen e një kulle vrojtimi, vendroje, garnizon që vëzhgonte…kë?.
Lëvizjet në via “Egnatia”Lëvizjet prej Apolonisë drejt Dyrrahut dhe Klodianës.. Po emri “Ardenicë” nga erdhi? Ky emër e kapërcen periudhën Romake, dyndjet Helene dhe ngjitet drejt “perëndive” drejt miteve. Ardenicë=Artemisë,perëndia e gjuetisë, motra e Apolonit,perëndisë së dritës dhe artit,bijtë e Zeusit. Sa afër njëri-tjetrit, as dhjetë kilometra në vijë ajrore. Njëri në Apoloni, tjetra në Ardenicë.Në shtegëtim “perëndish” Ardenica mund të quhet si një rezidencë verore e Artemisës,që bashkë me “perëndi” të tjera,kan pasur ngulimet e tyre në këto troje, nga malet e thepisura deri në fushat e shtruara.
Ato kanë folur Shqip.Prandaj ky vend duhet begatuar dhe respektuar, është vend “perëndish”.Jo larg prej këtej,rreth pesë kilometra ndodhet varri i një tjetër shenjti, i “Shën Kozmait”, varrosur në kishën e Kolkondasit,ose më saktë,mbi varrin e Tij u ngrit një kishë.Po ç’ishte ky njeri-perëndi,që erdhi të prhapte dritën e dijes si vet Prometeu dhe u shenjtërua në kto anë? Një histori që duhet treguar…
U ngulita me vështrim nga deti. Brezi i halorëve të Divjakës ma bëri me sy. Po thash. Aty ka det,pyll,ajër të pastër dhe peshk të freskët. Ka histori. Nga klubi I “shoferit” mora për në perëndim duke çar përmes disa fshatrave, Këmishtaj,Gradishtë, Gur, Kryekuq, Mizë, Divjakë.
Në të gjithë këtë hark më shoqëroj një rrugë e gjerë,e sistemuar dhe e asfaltuar mirë dhe me trotuare në të dy krahët. Kudo shikoje njerëz në pikun e punëve së stinës. Asfaltimi i kësaj rruge në formë unaze, lidh fshatrat e kësaj zone me autostradën Lushnje- Fier dhe ka lehtësuar biznesin e fermerëve për rreth.Ministria e Bujqësisë e ka hedhur vështrimin me seriozitet për investime të rëndësishme në këtë zonë myzeqare.Do të ket prodhim dhe turizëm.
Sigurisht, një udhëtim i gjatë ka hak dhe një drekë të shijshme dhe këtë nuk mund ta realizosh më mirë se në Divjakë. Deti, pylli, peshku i freskët…Ali Kali po na priste në maj të kalit me zgarën mbushur me ngjala të ngritur lartë.-“Hani, hani sa më shumë se më jeni ligur”-thërriste Ai.
Divjaka, një tjetër vend historik dhe turistik ku mund të kalosh këndshëm fund-javën.

Filed Under: Kulture Tagged With: manastiri i Ardenices, Nikolla Lena, Perënditë flisnin shqip

MAQEDONIZIMI I BDI-së

April 15, 2014 by dgreca

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/
E di që as vetë maqedonët nuk e mbajnë veten kurrkundngat aq të maqedonizuar. E di që përcaktimin tim partia BDI (Bashkimi Demokratik për Integrim) do ta marrë për lëvdatë.
Maqedonizimi i BDI-së nuk do të ishte temë e shkrimeve të mia nëse këto ditë nuk do ta dëgjoja në mediat njërin nga krerët e saj të deklaronte, madje me krenari të dukshme, se kjo parti është e vetmja në Maqedoni që është shtrirë tashmë në të gjithë territorin e vendit, përkatësisht në elektoratin e të gjithë vendit. Këtë mëtim, pra, nuk e kanë as dy partitë më të mëdha të Republikës së Maqedonisë, Lidhja Socialdemokrate apo VMRO-DPMNE.
Pjesë e pushtetit në Shkup, kjo parti iu bëri thirrje shqiptarëve t’i bojkotojnë votimet presidenciale që u zhvilluan të dielën, ngaqë, sipas liderit të saj, kryeministri nuk e përfilli kërkesën e tij që të kandidojë një emër konsensual, pra të pranueshëm edhe për BDI-në. Nga ana tjetër, i akuzoi për përçarje partitë shqiptare në Maqedoni që nuk mbajtën të njëjtin qëndrim.
Tri ditë para votimeve, kryetari i Rilindjes Demokratike Kombëtare (RDK) Rufi Osmani i hodhi poshtë thëniet e BDI-së: “Është po BDI, që ofendoi rëndë inteligjencën shqiptare duke zgjedhur Lazar Elenoskin si maqedonas ambasador në Bruksel. Është po kjo BDI e cila me votat e maqedonasve, maxhupëve, hajdutëve dhe korrupsionin e paparë mposhti vullnetin politik të popullit shqiptar në zgjedhjet lokale 2013 në shumë komuna shqiptare. Është po kjo parti që lejoi sjelljen e Car Dushanit në Shkup në emër të pajtimit historik me serbët. Është po kjo parti që i propozoi VMRO-DPMNE-së, Lazar Elenoskin dhe Sërgjan Kerimin si të ashtuquajtur ‘president konsensual’.
Është po kjo udhëheqësi e BDI-së që në Evropë kandidon person pa kredibilitet dhe kandidat që mori më 2011 vetëm 400 vota.”
Vesel Mehmedi, shef i Shtabit të RDK-së, sjell argumente të tjera në këtë drejtim. “Ju e shihni se si qeveris BDI-ja, unë jam këshilltar në komunën e Gostivarit dhe ju dëshmoj se zullumi i kësaj garniture është i jashtëzakonshëm duke diskriminuar vendbanimet shqiptare në Gostivar ku i humbën zgjedhjet në Gostivar. Është koha për t’i thënë stop diskriminimit të shqiptarëve nga vet shqiptarët.”
Është tërësisht e kuptueshme se zgjerimi me anëtarësi maqedonase i ka kushtuar BDI-së braktisjen dhe sakrifikimin e interesave të shqiptarëve. Sepse, ngat çdo mendjeje, maqedonasit votojnë për interesat e veta para se të votojnë për interesat e të tjerëve. Po ashtu zgjerimi i kësaj partie me anëtarësi nga pakicat e Maqedonisë, siç janë romët, gjersa interesat e këtyre nuk pajtohen me interesat e shqiptarëve por me interesat maqedone, e çon këtë parti në kundërvënie me interesat e shqiptarëve në tërësi.
Siç dëshmojnë të lartcituarit, shmangiet e tilla e kanë cënuar rëndë në karakter BDI-në duke e vënë në pozita lutëse dhe përulëse ndaj maqedonëve, nga njëra anë, dhe në pozita revanshiste dhe arrogante ndaj atyre shqiptarëve që e kanë refuzuar, pra që nuk kanë pranuar t’i japin votën kësaj partie.
BDI i lutet kryeministrit për një kandidaturë konsensuale nga radhët e maqedonasve dhe të turqve dhe nuk këmbëngul që Maqedonisë i ka ardhur koha të ketë një president shqiptar. Në vitin 2001, kur përgatitej Marrëveshja e Ohrit, unë kam kërkuar nga pala shqiptare në bisedime të kërkojë që të sanksionohet në këtë marrëveshje, pastaj në kushtetutën e kësaj republike maqedono-shqiptare që presidenti të jetë shqiptar. Nëse jo, atëherë disa poste të tjera kyçe të jenë të përcaktuara me kushtetutë që t’iu përkasin shqiptarëve. Dhe për këtë iu sillja shembuj të ngjashëm ku, nëpërmjet zgjidhjeve të tilla, ishte garantuar qëndrueshmëria e mëtejshme e shteteve të caktuara, ishte krijuar konstitucioni i domosdoshëm dypalësh, mendësia e domosdoshme dypalëshe mbi të cilën do të bazohej perspektiva e një bashkëjetese në unitet qytetar dhe shtetëror.
Duke qenë në pushtet gjithë këto vite, i takonte BDI-së të ngulmonte në këtë drejtim, duke u bashkuar me krejt faktorin shqiptar dhe me faktorë të tjerë të mundshëm përkrahës ndaj këtij faktori, siç do të kishin qenë turqit, romët e tjerë. Vetëm sanksionimet në kushtetutë do të ishin detyruese dhe po ashtu do të garantonin qëndrueshmërinë e Maqedonisë, integrimin e shpejtë të saj në NATO dhe në Bashkimin Evropian, për çka, jo pa të drejtë, dëshmojnë se janë shumë më të interesuar shqiptarët se maqedonët dhe të tjerët.
Duke u defaktorizuar çdo ditë e më tepër shqiptarët, siç ka ndodhur dhe po ndodh gjatë qeverisjes së BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së, Maqedonia vetëm sa do t’iu largohet përherë e më shumë integrimeve evropiane dhe veriatlantike. Dhe BDI do ta shohë veten gjithnjë e më pranë interesave maqedone e gjithnjë e më larg interesave të shqiptarëve. Natyrisht, kjo do t’i sjellë asaj ndëshkimet e pashmangshme nga ana e elektoratit shqiptar në Maqedoni.
Me kandidaturën e Iljaz Halimit për president të Maqedonisë, shqiptarët dëshmuan denjësisht se mund t’ia japin këtij vendi një president të denjë dhe dëshmuan dëshirën e tyre të çiltër e vizionare që Maqedonia, për të mirën e të gjithëve, pjesë të traditës së saj të sanksionuar shtetërore, ta ketë tash e tutje presidentin shqiptar.

Filed Under: Analiza Tagged With: MAQEDONIZIMI I BDI-së, Skender Bucpapaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4688
  • 4689
  • 4690
  • 4691
  • 4692
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT