• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kërkesë publike:T’i jepet mirënjohje post mortum Vaclav Havelit

April 3, 2014 by dgreca

INSTITUCIONEVE SHTETËRORE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS/

PARTIVE POLITIKE QEVERITARE DHE OPOZITARE/

E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, zonja, Atifete Jahjaga/

I nderuari Kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi/

I nderuari Kryetar i Kuvendit të Kosovës, z. Jakup Krasniqi/

«Edhe unë gjithashtu ndihem shqiptar»- Vaclav Havel/

Pesëmbëdhjetë vite më parë, më 29 prill 1999, gazeta franceze «Le monde» solli pikëpamjet e humanistit, shkrimtarit dhe Presidentit të Çekisë, Vaclav Havelit, lidhur me bombardimet e caqeve ushtarake dhe policore të regjimit të Millosheviqit.

Në shkrimin e titulluar  «Edhe unë gjithashtu ndihem shqiptar» Vaclav Haveli njoftoi opinionin se kishte marrë shumë shkresa nga aktorët serbë që kishin vënë në skenë pjesët e tija teatrale dhe që e vlerësojnë shumë veprën e tij letrare

“Më pyesin se çka kanë bërë të keqe ata që të bombardohen në këtë mënyrë? Natyrisht mua nuk më kanë bërë asgjë të keqe. Por, regjimi i tyre përdorë ushtarët për të masakruar qytetarët e vendit të vet, për të masakruar një grup shumë të madh të bashkë vendasve të tyre (…) Milošević-i i ka duart e përgjakura dhe nuk mund të vazhdojë të jetë bashkëbisedues për gjetjen e një zgjidhje politike (…) Në përputhje me parimin që rrjedh nga solidariteti njerëzor e që i tejkalon kufijtë e shteteve, të regjioneve… atë që ky regjim ua bën shqiptarëve është njëlloj sikur të ma bënte mua. Prandaj, edhe unë gjithashtu ndihem shqiptar»- deklaroi  Vaclav Havel-i.

Pesëmbëdhjetë vite më vonë, kur ende nuk janë gjetur të gjitha kufomat e gjenocidit serb në Kosovë, Presidenti i ri Çekisë, Millosh Zemani, prononcohet kundër shndërrimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës.

Reagimin  e tillë nga udhëheqësi i një shtetit anëtarë të BE-së dhe NATO-s duhet ta shohim si rezultat të shpërndarjes në botë të interpretimit serb të asaj se çka ka ndodhur në Kosovë dhe mungesës së veprave që do të informonin objektivisht për tragjedinë që përjetoi populli shqiptar i Kosovës.

Publikimi i veprave në gjuhë të huaja dhe shpërndarja e tyre nëpër bibliotekat universitare të vendeve të ndryshme në botë kërkon mund, angazhim dhe shumë më shumë kohë. Atë që mund ta bëjmë vetëm me vullnet të mirë është që, ndër të tjera, në pesëmbëdhjetë vjetorin e publikimit të deklaratës së lartpërmendur dhe kontributit që ky shtet anëtarë i NATO-s dha për lirinë e Kosovës, institucionet e Republikës së Kosovës duhet të gjejnë një formë se si t’i njihet një mirënjohje, Post mortum, Vaclav Havelit.

Me respekt

Bardhyl Mahmuti

3 prill 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: Kërkesë publike:T’i jepet mirënjohje post mortum, Vaclav Havelit

SHOQATA KULTURORE SHQIPTARE”ALEKSANDËR MOISIU”NË AUSTRI-TË NJËZËSHËM NË PUNËN E TYRE

April 3, 2014 by dgreca

 Shkruan:Shaban Cakolli/ Në Austri sot ka shqiptarë thuajse në çdo qytet austriak,madje edhe në disa qytete të vogla ku më parë nuk mund të bëhej fjalë për këtë,raste të rralla para viteve të 90-ta,do të jenë vendosur këtu individ të shtyrë nga motivet ekonomike.Presioni  i pushtuesit sërb mbi shqiptarët me qëllim të ndryshimit të strukturës etnike në Kosovë,në dobi të elementit sërb,mbyllja e të gjitha institucioneve kulturore e shkencore,pozita e vështirë ekonomike e sociale,mobilizimi i dhunshëm  në ushtrinë sërbe,bënë që në shumë shtete të  Evropës Përendimore të vendosen shumë shqiptarë të përndjekur nga regjimi pushtues sërb.Edhe  Austria është vendi ku nga vitet 90-ta janë vendosur shumë shqiptarë.E rëndësishme ishte dhe mbetet,se shqiptarët e strehuar në Austri nuk ndejën duarkryq,ata kishin aftësitë e nevojshme,bindjet e drejta,vullnetin dhe guximin për të shtruar çështjen shqiptare para popullit mik austriak,madje duke ngritur lart vetitë e mira të karakterit të tyre,kulturës e traditës kombëtare shqiptare.Padyshim çdo shqiptarë i strehuar atje ka bartur me vete një copë malli për atdheun e vet në të cilin kanë nisur rininë e tyre.Ky mall venitej gjithnjë e më shumë, andaj mërgimtarët tonë në Austri nuk e patën të lehtë të kalonin këtë piramidë dhimbjesh,për ta u desht një punë e mundimshme,vetdijësim i  gjeneratave të mërguara,vendosje e njerëzve të aftë e veprimtarë në krye të kësaj piramide,punë e rreshtur për organizim,internacionalizim të çështjes kombëtare para popullit austriak,organizimin e  hapjeve të shkollave shqipe atje,mbrojtëjen e gjuhës,kulturës dhe traditës kombëtare,ndihmën e atdheut,etj…Shqiptarët këtu e kuptuan me kohë se kishin vetëm dy rrugë;njëra ishte të punosh shumë punë krahu,i pa përfillur nga askush,pa liri e dinjitet,llustragji i rrugëve të huaja,kurse rruga tjetër ishte e mundimshme por e drejtë,e kjo ishte aktivizimi i çdo shqiptari këtu për çështjen e vet kombëtare,një organizim i fuqishëm me veprimtarë e intelegjent në krye të organizimit,pra këtë e zgjodhën shqiptarët e mërguar në Austri.Shqiptarët në Austri dolën të pregaditur mirë,të organizuar nëpër dhjetëra klube e shoqata,duke mos kursyar mund as lek,sepse vetëm kështu mund të realizonin qëllimin final.Rreth këtyre Qendrave Kulturore  Shqiptare „A MOISIU“ në Austri edhe sot e kësaj dite me zell punojnë veprimtarë të dalluar, të cilët premtojnë  se këto vatra kulturore te mërgimtarëve, e themeluar ndër të parat me përcaktim kombëtarë në diasporën shqiptare në Austri, do të vargoj suksese të mëtejshme në të gjitha sferat e veprimit. Vazhdimësia e traditës shumëvjeçare të punës ka rëndësi të veçantë edhe aktualisht, mbase numri i klubeve shqiptare jo vetëm në Austri po pakësohet,në vend të tyre po themelohen Qendra të ndryshme kulturore,Lidhje shkrimtaresh e artistesh,organizime të fuqishme,me njerëz intelegjent veprimtarë e atdhetarë të shquar të kombit,të cilët pa hezitim i ndjek pas mërgata jonë.Në Austri lindin nisma, dije, aksione e aktivitete nga më të ndryshmet dhe të rëndësishme kombëtare. Ndaj, me të drejtë thuhet se aktivitetet   këtu nuk kan të ndalur.Në Vjene  dy vite më parë është themeluar shoqata kulturore „Aleksander Moisiu“. Anëtaret e shoqatës vijnë nga treva të ndryshme shqiptare si: Kosova, Shqiperia  e Maqedonia. Kryetar i saj u zgjodh Besim Xhelili.Qëllimi i formimit të kësaj shoqate, sipas anëtarëve të kryesisë, është promovimi i kulturës shqiptare në Austri si dhe bashkimi i krijuesve të  rinjë shqiptarë që jetojnë në kryeqytetin Vienez.E kujtoj kur kjo Shoqatë me veprimtarë të zgjedhur shprehu dëshira për të bashkëpunuar me mërgimtarët shqiptarë kudo në Evropë dhe më gjërë,ku bashkëpunimin e parë e nisi me ne Lidhjen e Shkrimtarëve Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë nëGjermani (LSHAKSH).Ishte një moment gëzimi e kënaqësie kur u takuam dhe u njohëm me ta,mbase ajo çka zgjoi interesimin tonë ishte se kjo shoqatë e sapo krijuar kishte realizuar një mori aksione e aktivitete me rëndësi kombëtare.Takuam burra  të mençur e veprimtarë të cilët për punën e tyre i njihnim si emra, por nuk i kishim njohur për së afërmi si:Hazir  Mehmetin një mësues  i shkollës shqipe në Austri,gazetar i cili na njihte në faqet e shtypit rregullisht rreth aktiviteteve të mërgimtarëve tanë në austri,Anton Markun,një njeri i ngrohët,intelektual e veprimtarë,poet,Besim Xhelilin,Dan Kosumin, Ragip Dragushen,e shumë të tjerë.Edhe sot pas dy vjetësh njohëje me ta,ndajë mendimin se në asnjë qytet tjetër atje nuk mund të gjejmë shqiptarë më të organizuar,më të bashkuar ,më të njëzëshëm në punën e tyre se kjo Lidhje Shkrimtaresh”Aleksandër Moisiu”.Aleksander Moisiu,aktori i madh shqiptarë i cili ngriti lartë vetitë më të mira të karakterit,traditës e kulturës shqiptare para botës,sikur dëshmohet me sukseset dhe organizimet e këtyre veprimtarëve atje,të cilët lidhjen e tyre e pagëzuan”A.Moisiu”.Një veprimtari e tyre mjaft e frytshme e me ndikim,ka kontribuar që shqiptarët të kenë imazh të mirë tek autoritetet austriake.

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu” (LSHKSHA) , po arrin suksese të vazhdueshme në afirmimin e krijimtarisë artistike e letrare. Fryti kulmor ishte antologjia “Illiricum” e cila u promovua me sukses me rastin e 100 vjetorit të shtetit shqiptarë, duke krijuar një interesim tek vendorët dhe shoqatat kulturore të kombeve tjera. Kjo solli aktivitet e shumta në kontaktet dhe leximet letrare në disa qytete në Austri dhe jashtë saj. Njëra nga sukseset e fundit ishte kontakti me Shoqatën e Shkrimtarëve P.E.N-Club me seli në Vjenë.Në fakt, kjo shoqatë e mirënjohur në Austri dhe jashtë saj në ruajtjen, mbështetjen dhe afirmimin e krijuesve nga popujt e mundësoj promovimin e “Illiricum”-it i përkthyer në gjuhën gjermane. Ishte hera e parë që krijuesit shqiptarë po mbanin promovim dhe lexim në lokalet e P.E.N-Club-it. Kryetari i saj, shkrimtari i njohur në botë z. Helmuth A. Niederle e hapi mbrëmjen. “Është kënaqësi që po hapim sonte një mbrëmje promovimi të krijuesve shqiptar këtu në Austri. Ne do jemi të gatshëm në përkrahjen e aktiviteteve dhe pjesëmarrjen në shfaqjet në vazhdimësi”.

Illyricum – gjermanisht -shqip.Padyshim gjuha dhe kultura  kombëtare,janë ura që lidhin shqiptarët me kultura të popujve tjerë,andaj botimi të cilin bëjnë shqiptarët atje në gjuhën gjermane është shumë i rëndësishëm për kulturën tonë.

Kryetari i Lidhjes… “Aleksander Moisiu” në Austri z.Besim Xhelili ,në një takim me LSHAKSH;falemnderoi për pritjen dhe përkrahjen në aktivitetet e përbashkëta. Ai foli edhe mbi historikun e Lidhjes “Aleksandër Moisiu”. “Lidhja e jonë ka një histori të shkurtër, më pak se dy vjet, por kemi bërë hapa të mirë në bashkimin e krijuesve nga shumë lëmë krijimi dhe nga disa qytete të Austrisë. Para pak muajsh ishim 18 anëtarë të rregullt tani në “Illiricumi” në gjermanisht jemi 26 anëtarë. Shpresojmë se Lidhjes sonë do i bashkëngjitën edhe krijuesit tjerë nga gjithë Austria.

Ne jemi të hapur edhe për krijuesit shqiptarë, e të tjerë, nga shtetet tjera.” Rreth botimit në gjermanisht foli z.Anton Marku, duke i  falënderuar të gjithë krijuesit dhe donatoret, në veçanti përkthyesin. Z. Kurt Gostenschnigg, përkthyes, në fjalën e tij shprehu kënaqësinë që ndihmon në ofrimin e lexuesve austriak një antologjie të krijuesve shqiptarë në Austri. Ne jemi të hapur edhe për krijuesit shqiptarë, e të tjerë, nga shtetet tjera.”kështu pat thënë kryetari i LSHKSHA,z.Besim

Xhelili një vit më parë në mesin e LSHAKSH në Gjermani,e cila tani gjashtë muaj më parë është bërë realitet.Më 23-24 nëntor 2013,në Koblenz të Gjermanisë me nismën e LSHAKSH e cila bashkoi të gjithë krijuesit shqiptarë të mërguar kudo në botë,organizoi kuvendin themelues të krijuesve shqiptarë në mërgatë,ku si rezultat i këtij kuvendi doli LKSHM.Ne mërgimtarët kudo që jemi të strehuar këtë themelim të LKSHM e kemi pritur me shumë gëzim,sepse koha na kërkon më të bashkuar, më të dijshëm,më të fuqishëm,nga se intelektualët shqiptarë,krijuesit tanë sidomos në mërgatë duhet të jenë vetëm në shërbim të kombit,intelegjenca jonë thërret gjallëri e shpërthim ,jo vetëm të krijuesve që tani kanë bërë emër,por nevojë urgjente është në gjirin tonë të i bashkoj të rinjët e mërguar,të i aftësojmë ata,të i afirmojmë, pregadisim dhe shpëtojmë nga asimilimi.Të presish kohë më të mira se tani për të bashkuar zërin dhe dijen,mund të vonohemi.Duhet të bashkohemi sado më shumë që është e mundshme të përfaqesohemi para botës ku jemi strehuar si shqiptarë të dijshëm,të përfaqësojmë çështjen tonë,kulturën tonë,duke punuar me përkushtim të madh  me rininë tonë,e cila është e ardhmja jonë.Rinia jonë e mërguar është si pema me rrënjë të dobëta,për të cilën po nuk u përkujdesëm ashtu si duhet,nuk do jep fruta.Mos vetdijësimi i rinisë,sjell deri te asimilimi,i cili vite më vonë do të bëjë të vetën,kohën kur asimilimi do të mbisundonte kjo nuk do të jetë vetëm klithmë e rinisë sonë,do të jetë klithma e vet kombit,urojmë që rininë tonë të e mbajmë sa më larg asimilimit.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Aleksander Moisiu, Shaban Cakolli, shoqata

“Ndalini sa nuk është vonë”!

April 3, 2014 by dgreca

* Kërkim falje irakianëve të pafajshëm, viktima   të një të manipuluari shqiptar !/

*(Familja e kamikazit kosovar, Blerim Heta, i cili javës që shkoi vrau, në një sulm vetëvrasës në Bagdad, mbi 50 persona, thonë që atë e mashtruan. Ata thonë se atij ia shpërlanë trurin me ligjërata.(gazetaexpress,01.04.14)/

Nga Fahri XHARRA/

Që moti nuk jamë tronditur më shumë se me këtë shkrim ; nuk më tronditi as stili arab i vetëzhdukjes ,as hesapet e tyre që janë pashpresa , as ëndërrat e tyre të kota ; por mbeta i shtangur nga:“Vëllai ka filluar me fe kah prilli i vitit 2012 dhe tek pas një viti ia ka nisur që të na flas edhe neve në shtëpi për fe. Pas një viti, duke u shoqëruar me një shoqëri që ne nuk i dinim saktë se kush ishin, por e shihnim që ishin më ekstremistë se sa njerëzit që kishim parë kohë më parë duke shkuar në xhami, ai ndryshoi komplet, sa që u izolua. Nuk ia jepte dorën as çikave të axhës dhe as nuk na bashkohej nëpër festa familjare”, thotë Arjeta. Pse shqiptarët , mu pas pavarësisë ranë në kurthën e qoftlargëve?

Kush po del fitimtar , me kete shthuerrje kombëtare ?

Me habitë gjakftoftësia qeveritare ne te dy shtetet shqiptare,me habitë : “Ata thonë se atij ia shpërlanë trurin me ligjërata. Blerimi, konfirmojnë ata, ishte dëgjues i rregullt i ligjëratave të Shefqet Krasniqit, por edhe i ligjëratave të Bekir Halimit e Omer Bajramit nga Maqedonia.”

A jemi ata që mendojmë apo një dreq i madh na është futur në mes ?“Ai ka qenë pothuajse e i rregullt në ligjëratat e Shefqet Krasniqit. Ka shkuar edhe në Maqedoni. Në fillim e kem ditur se po shkon me shoqëri për qejf, por më vonë e kemi marrë vesh se ai ka qenë në ligjërata të atyre hoxhallarëve si Bekri Halimi ose Bajrami e të tjerë që folin për xhihad. Edhe në internet i ka dëgjuar shumë ligjëratat e tyre”, thotë Arjeta për Express.

Po , kush na qenka ky Shefqet Krasniqi , ky Bekir Halimi apo ky Omer Bajrami ? Kush janë vallë këta që po na e helmojnë rininë , djelmërinë, vajzërinë ?

E meritojmë ne si shqiptar të futemi në listën e kombeve terrorriste të botës? Kush është kjo pjellë e dreqit , që ka lëshue shtat në tokat tona?“Fenë po e perdorin mir po thua ti edhe unë po them ashtu shumë e vertetë se Fenë po e perdorin për qëllimet e tyre financiare e grupore e çka jo tjetër ;por e them hapur askund në asnjë Fe nuk shkruan të vritën njerëz të pa fajshëm,,, Kurani thote: Te marrësh një shpirt është sikur te vrasësh tërë njerëzimin ,thote SHpirt  e nuk permend asFe as komb por shpirt njeriu,,, ata le të dalin natëe ditë le te qjerren rrugëve duke bertitur se janë musliaman apo se feja thotë kështu ( sipas tyre) apo të bertasin Allahu Ekber — kot e kanë ( Zyhdi Hazeri , Hoxhë në Pejë ) “

Më ngjalli dhëmbshuri për të mashtruarit : “Ai nuk flet gjatë, pos thotë se ka një mesazh për të gjithë ata prindër që i shohin fëmijët e tyre se po bëhen ekstremistë.“Ndalini sa nuk është vonë”, shprehet  Remzi .Heta. Kemi edhe brenga tjera. Jemi te ngërthyer me lloj lloj grabitjesh. Jemi të mbërthyer nga fara e keqe .Vështirë e kishim gjithmonë , e kemi edhe tani. Por së bashku të krishterë dhe muslimanë , do te kuptojmë se jemi një.Kemi shembuj ndër ne që feja shikohej ndryshe e jo si po e shohim sot:” Veprat kryesore që S. Najdeni (Hoxhë Voka i Dibres) i botoi me alfabetin latin janë dy. E para është “Fe rrëfenjësja e myslimanëve”, botuar në Sofje më 1900, dhe e dyta “Abetare e gjuhës shqipe ndë të folë gegënisht”, botuar po në Sofje më 1900, por pa emër të autorit, pra anonime. E para është një vepër fetare e mbështetur në parimet Kur’anore, që janë të detyrueshme për të gjithë besimtarët myslimanë. Ky përfaqëson një manual fetar, por me mjaft të dhëna patriotike dhe filozofike. Problemin e diturisë dhe të prapambetjes Najdeni e trajton gjerë. Ai pranon dy dituri: atë fetare dhe atë të mendjes, të cilat, duke u mbështetur në Kur’an, nuk i kundërvihen njëra-tjetrës. Dituria për të është një armë e fuqishme, që mëkon ndërgjegjen kombëtare, që e njeh njeriun me shumë të dhëna, i jep atij pavarësi dhe e bën të barabartë me të tjerët.”fxh. Kemi edhe brenga tjera. Jemi të ngërthyer me lloj lloj grabitjesh. Jemi të mbërthyer nga fara e keqe .Vështirë e kishim gjithmonë , e kemi edhe tani. Por së bashku të krishterë dhe muslimanë , do te kuptojmë se jemi një. “Vërtetë ne kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë!”(At Gjergj Fishta )  Fol te drejten.. Pergjigju shqip

Më në fund po iu them troç : ”Kemi tri fe, por kemi vetëm një atdhe të përbashkët, një gjak vëllazëror, një gjuhë, një diell e një Zot. Detyrë mbi detyra kemi bashkimin dhe mbrojtjen e atdheut. ” Boll mo!

Fahri Xharra, 02.04.14

Filed Under: Analiza Tagged With: “Ndalini sa nuk është vonë”!, Fahri Xharra

ULËRIMAT

April 3, 2014 by dgreca

Nga Rasim BEBO/ Çikago/Ulërimat e nënave kur shikojnë fëmijët e tyre në rrezik, janë aq të llahtarshme, sa ndikojnë, siç thotë Viktor Hugo:  “Edhe te me më të egrit  dhe më gjakësorët, të cilët  kanë edhe ata çaste  të tyre të melankolisë”.  Dhe ja pikërisht.  kundërrevolucionari  më i rrezikshëm i Francës,  Konti De Ladenak, në kohën kur vihej në pikëpyetje kush do të fitonte; O Vandeja kundërrevolucionare ose revolucioni Francez, ky urdhëroi që fëmijët e rrethuar nga revolucionarët, të dilnin jashtë kështjellës, nëpërmjet deriçkës sekrete që dilte nëpërmjet një tuneli sekret, diku lartë, prapa kodrës, në një vend të fshehtë në pllajë. Viktor Hugo përshkruan në romanin historik “Viti 93”, se  Konti në dalje e sipër nga kështjella, dëgjoi ulërimat e tmerrshme të një gruaje, që kërkonte fëmijët, e cila sapo doli para kodrës, pa kështjellën në flakë dhe diktoi aty fëmijët e saj, teksa po u afrohej flaka për ti përlarë në katin e tretë.  Ajo ia dha ulërimës për shpëtimin e fëmijëve. Konti De Ladenak, në vend që të dilte nga kështjella, u kthye mbrapa, rrëmbeu dy fëmijët nëpër flakë dhe i zbriti poshtë, duke ua dorëzuar revolucionarëve. Por fill në këtë moment, një dorë e fortë e kapi nga jaka e xhaketës dhe e tërhoqi poshtë. E burgosë dhe po prisnin gijotinën për t’i prerë kokën…

Por në Shqipëri, një djalë 22 vjeçar, duke shëtitur anës detit, ku takohen lëpirjet e ujit  me rërën, duke ecur zbathur në muajin gusht të vitit 1962, kujton, se në moshën 16 vjeçare e kishin arrestuar si “armik i popullit” dhe kur ishte duke vuajtur dënimin e tmerreve të Burgut të Burrelit, në veri të vendit, vuri re një tabelë të shkruar, me një diçiturë te llahtarshme: “Burrel, këtu hyn dhe nuk del”. Në ato shtatë vjet burg, i vinin në kokë mendime të llahtarshme, se aty  jeta me vdekjen takohej  dhe ndahej  shpesh. Dhe kjo shkonte deri në eleminimin e  ajkës së kombit, që po rrallohej nga koha në kohë, duke i çuar njerëzit në breg të ndonjë lumi,  ku u jepnin vdekjen,  pa u lënë  as varr pas mbi tokë.  Por Ky djalë i ri,  përfitoi shume nga thesaret e atyre kolosëve nacionalistë  që ndodheshin aty, duke thithur një kulturë universitare, për aq kohë sa qëndronin bashkë në këtë jetë  të vdekjes,  që ndeshej çdo dite  gjatë jetës së burgut.

Z. Memishaj, i burgosur politik, dekoruar me medaljen e ARTË  “Naim Frashëri”,  Këtu në diasporë, kryesisht në Çikago, ka qënë dhe është në kryesi të Komunitetit Shqiptaro- Amerikan, si aktivist dhe organizator në festat kombëtare dhe në veçanti në festat e flamurit, duke kontribuar kurdoherë në çdo fushatë në dobi të kombit. Familja e Memisha Gjonzenelit, si nacionalistë të vendosur të Kombit Shqiptare, përbëhet nga ta njerëz, që mbi kurrizin e tyre kaloi kalvari më i rëndë dhe më i ashpër komunist.

Nga z. Memisha Gjonzeneli, citojmë tregimin e jetuar “Armiku”,  që është i ngjajshëm me atë që tregon Viktor Hugoj para 320 vjetёve.

          Memisha Gjonzenelaj tregon:  “Kishin kaluar shumë vite, që kisha dalë nga burgu, ku vuajta dënimin si “armik I popullit” , isha vetëm 16 vjeç kur më arrestuan… Një pasdite po shëtisja buzë detit. Ishte verë, këmbët i fusja në ujë për t’u  freskuar dhe këpucët i kisha lënë në anë të detit. Kisha humbur në kujtimet e mia, por më solli në vete një Klithme  gruaje:

-Po mbytet, ndihmë, ndihmë, më shpëtoni djalin, amani ndihmë!… – dhe donte të futej në det ashtu siç ishte veshur.

Ktheva kokën nga vinin klithmat dhe pashë një grua të lebetitur që bërtiste me të madhe. Në sipërfaqen e detit, para saj  50 – 60 metra larg, dallova një kokë njeriu që herë zhdukej  herë dilte mbi sipërfaqen e ujit. Nuk mendova gjatë, u lëshova me shpejtësi drejt djalit që po mbytej. Ndofta ishin lëvizjet e fundit të tij. Kur u afrova  djali u fundos  dhe më humbi nga sytë.  U zhyta thellë me kokë poshtë në thellësi të detit pa menduar se ç’po bëja. E kërkova me sy hapur dhe mezi e diktova, që po e tërhiqte tutje rryma detare, ca flluska ajri të fundit po i dilnin nga goja. E mbërtheva, pa u menduar se ai mund të  më merrte me vete edhe mua por fatmirësisht e nxora në sipërfaqe. E tërhoqa  me mundim deri në anë të detit. Ishte një fëmijë rreth 15 vjeç. Në anë të detit ishin grumbulluar njerëz të tjerë.

Unë e ktheva përmbys kokë poshtë.  Uji filloi të dalë nga goja. Nëna e tij lebetitej dhe s’më linte të punoja.  E hipëm në një makinë, dhe e çuam drejt e në spital. Sa u futëm brenda, unë doja të ikja, isha zbathur dhe i lagur, këpucët  i pata lënë në anë të detit, dhe më vinte zor të hyja brenda. Por infermierja  më tha:

–Bravo!  Ke shpëtuar një jetë njeriu. Ky fëmijë do të ta ketë borxh jetën.  Ejani ta shihni!…  Ishte dyllë i verdhë, por po e merrte veten.

Doktori kërkoi të afërmit e fëmijës, dy qytetarë që më shoqëruan mua,  thanë se nuk i njohim fare, e pamë që kishte nevojë për ndihmë, e ndihmuam, detyra e jonë mbaron këtu. Ashtu bëra dhe unë…

-Jo tha mjeku, ti do të rish këtu, deri sa të vije ndonjë nga të afërmit!…

Pas pak u dëgjuan të bërtitura te dera, ishte e ëma e djalit,  të cilën nga nxitimi nuk e kishim marrë në makinë.

-Amani, amani, më shpëtoni djalin, se e kam të vetëm, – tha ajo dhe hyri brenda, ishte katandisur në pikë të hallit. Doktor, të lutem më shpëto djalin!… dhe nuk priti përgjigje shkoi me shpejtësi në dhomën e të birit. Ai i hapi sytë. Ajo filloi ta puthe dhe ta përqafonte duke falënderuar për mrekullinë që bëri zoti, pastaj u kthye nga unë më përqafoj fortë dhe me puthi në të dy faqet.

-Të faleminderit, të faleminderit !…- më thoshte mua pa pushim.                        Ndërkaq po vinte edhe i ati I fëmijës, që ishte oficer I sigurimit. Unë e nuhata  dhe nuk doja t’i dalja përpara. I kërkova leje doktorit dhe u largova me shpejtësi, që babai I djalit të mos më gjente aty. Dola jashtë, ashtu i lagur dhe zbathur. Më vinte turp dhe ndërsa ecja ashtu i menduar, më kaloi pranë me shpejtësi një makinë policie. Ktheva kokën dhe pashë. Në makinë thashë me vete do te ishte babai I fëmijës  që unë I shpëtova jetën.                                                Pas  ca ditësh rastësisht takova doktorin . Sa më pa, filloi të qeshë.                      -Ç’farë ke?- i them?

–Atë dite, që ti solle fëmijën e mbytur, -më tha doktori, – erdhi i ati i djalit. Kur mori vesh që të birin e kishe shpëtuar ti, iu kthye djalit i nervozuar:  “E shikon ç’farë na ke bërë more palaço?!” Djali mbuloi kokën me çarçaf. – Edhe këtë kishim mangët, të na shpëtojë jetën një armik I popullit, një i burgosur politik. Atë e njeh gjithë Vlora…Ua,- tha e shoqja e habitur dhe e trembur- po unë e putha dhe në faqe! …Si? -bërtiti ai, – të pa njeri?.. – Jo tha gruaja – vetëm doktori… Epo doktori është yni… Po ku e dija unë, more burrë se cili ishte ai, po ta shikoje si notonte në det ai, sikur ecte me këmbë në ujë. Sa bërtita unë, ai u gjend tek djali… -Ah moj grua,  – tha ai i mërzitur,  ti nuk i njeh ata se ç’farë armiqsh janë. Dosjeve të tyre u vëmë gjurin  kur i shtrëngojmë, kaq shume krime kanë,  po harroje atë njeri !”.

Oficeri i sigurimit nuk tregoj mirënjohje ndaj personit që i shpëtoi jetën të birit… Pse? Se ai bashkë me urrejtjen kishte dhe frikën që e dominonte më shumë. Ai kishte frikë nga ndonjë shok i tij, se mund ta denonconte.  Dhe pastaj vijmë te fjala e Çërçillit që thotë: “ Komunistët hanë pjellën e vet”.

Organi që i dha Memos dekoratën e Artë, nuk e bëri për demagogji, por për meritë të padiskutueshme. Pavarësisht, pse shteti mbrohet  nga këta oficerë të sigurimit, që nuk e njohin mirënjohjen në raste të tilla.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: rasim bebo, Ulerimat

DEMARKACIONI ME MALIN E ZI

April 2, 2014 by dgreca

NGA RAMIZ LUSHAJ/

1.Ministri i Brendshëm i Republikës të Kosovës, Bajram Rexhepi, lidhur me vijën kufitare shtetërore me Malin e Zi në shtator 2010 në Pejë iu deklaroi masmediave për demarkacionin se “kufiri mund të luhet 200 ose 300 metra”(!) Kjo një problematikë (ndër)kombëtare përtej aktuales. Bisedimet e fundit Kosovë-Mali i Zi, mes ministrave të Jashtëm në shkurt 2014 dhe atyre të Brendshëm në mars 2014 ( shoqërue edhe me disa marrëveshje për kufirin) pohojnë se demarkacioni do të vendoset pas disa muajsh, kësaj vere. Ky është i katërti vit kalendarik i çështjes së hapur të kthimit të kufirit nga një kufi administrativ i ish-Jugosllavisë në kufi shtetëror në mes dy shteteve të reja Kosovë-Mali i Zi. Në takimin e parë zyrtar publik dypalësh dakordues më 21 qershorit 2010 në Podgoricë mes ministrave të Brendshëm Rexhepi-Brajoviç, u deklarua se demarkacioni do të përmbyllet ma së largëti kah fillimviti 2011. Gjenerali Erhard Bühler, komandant i KFOR-it në Kosovë deklaroi botënisht se kjo çështje do të përfundojë në verë 2011.  Edhe zv/kryeministri i Kosovës H. Kuçi lajmnoi vitin 2011. E, këso afatesh të njipasnjishme janë prit e përcjell në kalendarin e çdo viti. Edhe më 2011, më 2012, më 2013. Edhe tani më 2014. Këto tejzgjatje tregojnë se ka probleme të forta e të mëdha të vijës kufitare mes dy shteteve fqinjë. Përndryshe, ekspertë të kufirit, të cilët ishin edhe në“demarkacionin” tepër problematik e jo pak konfliktual Kosovë-Maqedoni, e përcaktojnë si ma të vështirë kufirin Kosovë-Mali i Zi.

2.Në kohën e Ish-Jugosllavisë të Titos, në vitin 1974, kufiri ndërmjet Republikës së Malit të Zi e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (KSAK) u vendos në dam të shqiptarëve të Pejës me rrethina. Kjo edhe për faktin se asokohe Pejën e drejtonte një malazez. Tani tri komunat kufitare: e Pejës, e Deçanit e Istogut (Burimit) drejtohen nga liderë shqiptarë të partive kryesore parlamentare të Kosovës, të cilët po ndikojnë në tejzgjatje po jo në këputje drejtësisht e përfundimisht të demarkacionit.

Shqiptarë, e jo vetëm ata, në të dy anët e kufirit Kosovë-Mali i Zi kanë mbetë duke i tund tapitë e pronave të tyre në erën e kohës e të premtimeve gjithfarësh. Aq ma keq kur kemi të bëjmë me raste të tilla: forcat policore të Malit të Zi hyjnë deri në 6 km në thellësi të territorit të Kosovës tue i pengue edhe shqiptarët e Deçanit, Pejës e Istogut të shfrytëzojnë bjeshkët e tyre, të dalin në stanet e tyre, të zotërojnë kullotat e pyjet e tyre. Nga zona e Rugovës, banorët e Shtankajve e Bogajve pse kanë deshtë të shfrytëzojnë tokat e tyre kanë pasë 5-6 arrestime nga forcat policore kufitare malazeze. Fatmirësisht, në mes policisë së dy shteteve e popullsisë së tyre, nuk ka pasë përplasje të përgjakshme, përveçse apelimeve e protestave jo të pakta.

Shteti i ri i Kosovës ndaj këtij problemi të vjetër të demarkacionit ka alternativë të njëjtë prej se nga viti 2010: “Nuk do të jetë problem për banorët që kanë tokat në ato pjesë. Ata do të pajisen me leje të veçanta për t’iu mundësuar lëvizja pa ndonjë problem dhe do të punojnë tokat pa pengesa”(!) Mirëpo në shekuj historia iu ka dhanë leksione banorëve të këtyre zonave kufitare pwr pronat e tyre me lëvizjet e shpeshta të kufinit (“granicës”). Në ma pak se njëqind vjet disa herë janë ndarë-bashkuar-ndarë ndërveti Mali i Zi me Serbinë.

3.Deklarata e ministrit Rexhepi është alarmante në se kryejmë përllogaritje: Vija kufitare me Malin e Zi është 78.6 km. Në koft se “kufiri luhet 300 m.” atëherë një e rënë e lapsit fjalathotë se Malit të Zi i duhen “falur” rreth 24 km2 sipërfaqe nga territori i Kosovës (!) Në koft se “kufiri luhet 200 m.” atëherë “dhurata” prapë është e jashtëzakonshme: mbi 15 km2 (!)

Në historinë botërore për 15-24 km2 sipërfaqe kufitare ka pasë raste të shpërthimit të një lufte lokale apo rajonale ndërmjet shteteve.Liderët në dy anët e kufirit kanë lëshue deklarata për “demarkacionin” qyshse në fillim vitin 2010, kur kryeministri malazez Milo Gjukanoviç deklaronte se “nuk ka kurrfarë probleme në kufizimin e Malit të Zi me Kosovën”, “Ekziston kontest i vjetër për përdorimin e kullosave nga njëra dhe ana tjetër e kufirit, por kjo nuk është problem i kufizimit”, “dikush dëshiron të krijojë disa probleme kufitare të Malit të Zi, në mënyrë që ta ngadalësojë integrimin e tij evropian”, etj. Njwherash edhe ministri i Brendshëm Rexhepi deklaronte para mediave në Podgoricë se liderët malazezë “me qëllim i mbyllin sytë” para problemeve lidhur me kufirin,  se qytetarë të Malit të Zi, “kanë zhvendosur njërën nga shenjat kryesore kufitare në dëm të territorit të Kosovës”, etj.

Edhe nga ana e Kosovës dhe e Shqipërisë ka pasë ndërhyrje në territore të sotme të Malit të Zi, si mw 8 qershor 2011 kur shqiptarët e Shqipërisë përgjatë një km hynë dhe e zhvendosën  50 m. kufirin në lumin Gërçar të Gucisë (mesi i rrjedhës së tij është kufi mes dy vende fqinjë), etj. Predrag Bulatoviç, deputet i Partisë Popullore Socialiste, parti opozitare serbe, kërkon nga foltore e Parlamentit Malazez, që, sipas tij,“duke pasur parasysh aspiratat shqiptaromadhe” të fqinjëve të lidhen me ta (Shqipërinë e Kosovën) të atilla marrëveshje që të garantojnë që çështja e kufirit me Malin e Zi të jetë zgjidhje e përjetshme.

 

Japonezët kanë një shprehje të madhërishme: “Tokë më fal që të shkel me kambë”!, ndaj nis edhe nga ky shembull aziatik duhet të shqetësohemi shqiptarisht e botënisht për demarkacionin sikur të kishim edhe një rast të vetmuar si ai i familjes Balaj nga Strellci i Deçanit për pronat  e saj në bjeshkën e Zhlebit.

 Këto prona, kryesisht alpine, nuk janë çështje të një individi, të një fshati apo komune, po janë probleme në 36 fshatra të komunave Deçan, Pejë e Istog (Burimi) përgjatë vijës kufitare Kosovë-Mali i Zi.

Zvarritja në katër vite kalendarike të përcaktimit të vijës së kufirit mes Malit të Zi e Kosovës ka të bajnë pikërisht me zbutjen e shpërthimit të ndonjë revolte të paparashikuar e të padëshiruar. Ndoshta kjo është arsyeja që nuk paraqiten shifra kaq ballas, kaq shkoqur, sa ma reale. Nganjëherë “demarkacioni” nuk pyet aq fort për “demokraci”!  Dy anët e kufirit nuk kanë nevojë as t’ua zvarritin e as t’ua shafitin problemet e pronave të tyre, po t’ua zgjidhin drejtësisht e shpejt ato.

3.Fakti që mbi 15 apo rreth 24 km2 tokë etnike shqiptare është në lartësi alpine, në reliev të thyer alpin, në bjeshkë me stane për verime bjeshktare, në pyje, në kullota verore, etj. nuk do të thotë që të jenë jashtë vëmendjes të banorëve në dy anët e kufirit, as të ketë shtyrje,heshtje, mbulim e mos zgjidhje të problemeve nga dy qeveritë e Kosovës e Malit të Zi, as të ndonjë kompromisi të mundshëm me EULEX e KFOR në Prishtinë, etj. Aq ma keq t’i falim pronat kësodore, kësokohe, kësisoj!

Nuk janë pak as mbi 15 km2 apo 24 km2, pasi ishulli strategjik i Sazanit – ma i madhi i Shqipërisë Londineze është vetëm 5.5 km2 dhe dihet nga historia mesdhetare se sa lufta janë krye nëpër shekuj në mbrojtje të tij. Pra, shtetit të ri të Kosovës i merren nga shteti i Malit të Zi, në secilin nga dy rastet e masipërme, rreth “tre Sazan” apo mbi “katër Sazan”(!) Nuk janë pak sikur të kishim qoftë edhe “një Sazan” të tillë.

Të mos harrojmë historinë: principata e mbretëria e Malit të Zi, dinastia çetinase e saj, me pushtime e aneksime dhe dekrete të Fuqive të Mëdha i ka marrë Shqipërisë Etnike qyshse nga luftërat e Ostrogut (1853) e Grahovës (1858) dhe në dy luftërat ballkanike 1912-1913 mbi 9.000 km2. E ka trefishue sipërfaqën e saj në dam të shqiptarëve etnik. Prapë do të vazhdojnë të marrin shteti i Malit të Zi toka shqiptare sa një, tre apo mbi katër “ishuj Sazan” në kufij të Pejës, Deçanit, Istogut (Burimit)?!!

4.Demarkacioni e ka lidhjen e vet të shumëfishtë (i)direkte edhe me krijimin e parqeve (ndër)nacionale si Parku Ballkanik i Paqes ndërmjet Shqipërisë, Kosovës e Malit të Zi (Plavë-Gucisë) si dhe Parku Nacional i Rozhajës (Mali i Zi), etj. Prej kohësh po punohet e financohet në këto projekte për me i kthye pronat e shqiptarëve etnik në “prona shtetërore” për me e vendos krejt lehtësisht vijën e kufirit shtetëror, sepse kësisoj banorët autoktonë shqiptarë nuk i kanë ma bjeshkë, pyje e kullota të tyre. Krijimi i këtyre parqeve edhe në Plavë-Guci e në Rozhajë synon me i detyrue shqiptarët etnik me u shpërngulë në vise, shtete e kontinente të tjera, me i spastrue etnikisht trevat shqiptare nga shqiptarët trojenik e me i mbush ato me kolonë malazezë, boshnjakë e serbë.

Demarkacioni në mes Kosovës e Malit të Zi paraqet një tjetër rrezik sa të fshehtë e të hapur, keqpërdorimi politik. Në zbatim të procesit të paraparë në nenin 3 të aneksit VIII të Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, të datës 26 mars 2007, u vendos kufiri Kosovë-Maqedoni dhe tani në prag të fushatës elektorale për Zgjedhjet Parlamentare në Kosovë duan ta kryejnë “de facto” edhe kufirin shtetëror me Malin e Zi për ta propoganduar si arritje para shqiptarëve e ndërkombëtare, për të vjelë vota, etj.

Ministri i Brendshëm i Malit të Zi, Rashko Konjeviç, pas nënshkrimit në Prishtinë të marrëveshjes për bashkëpunimin policor  Kosovë-Mali i Zi, para masmediave deklaroi qëllimin tjetër të përcaktimit të sivjetëm të vijës kufitare shtetërore në mes dy shteteve teksa pohoi: “ekspertët malazez dhe ata kosovar së shpejti duhet të finalizojnë demarkacionin e kufirit në mënyrë që t’i dërgohet një mesazh i përbashkët Komisionit Evropian drejt perspektivës evropiane”.

 5.Në fundvitin 1975, asokohe 20 vjeçar, isha vet i treti në një seminar të ATSH-së në Lezhë sëbashku me gazetarët e vendlindjes time, Gani Qerimi e Ibrahim Hajdarmataj e, rastisi të shkonim zyrtarisht tek anija e peshkimit “Islam Mustafa” në Shëngjin ku kapiteni i saj Fran Ivanaj para disa ditësh kishte ra heroikisht nga plumbat e një anije ushtarake jugosllave e futur në brendësi të territorit ujor shqiptar. Aty, në anije, na folën për “dy kufij detarë shqiptar”, njëri në ruajte të Ministrisë së Brendshme e tjetri, ma andejna, në ruajtje të Ministrisë së Mbrojtjes. Nuk po e çprushi këtë “enigmë” në mes Shqipërisë e OKB-së, etj., e hapur dhe e mbyllur nga E.Hoxha e M.Shehu, etj. Kjo m’u ka kujtue shpesh gjatë debateve e praktikave politike, diplomatike e juridike të viteve të fundit për të ashtuquajturen “Marrëveshje e Detit”, përndryshe “Pakti detar Shqipëri-Greqi”. Kjo m’u kujtua edhe në prillin 2012 kur tek “Syni i Sheganit” në kufi mes Hanit të Hotit dhe doganës malazeze, policia ujore kufitare malazeze arrestoi tetë peshkatarë të Malësisë së Madhe teksa peshkonin me katër varka në ujërat e shtetit fqinjë, pasi kishte mangësi edhe sinjalistika të kufirit ujor në liqenin e Shkodrës.

            Dikur, në kohën e monizmit, iu dha Jugosllavisë (sot pjesë e shtetit të Malit të Zi) një hapësirë detare pothuaj sa sipërfaqja e rrethit të Mallakastrës (580 km2) apo ma  e madhe se ajo e Paktit Detar Shqipëri-Greqi (354 km2). Kjo për arsyena të kohës. Në se këtë fakt nuk do ta quajmë “skandal”, atëherë duhet të përgaditemi që të mos ndodhemi përballë ndonjë “skandali” tjetër në përcaktimin e kufirit të pritshëm detar me Malin e Zi (tue nistue tek ishulli-tokë “Franc Jozef” në deltën e Bunës; përcaktimi i pikës treshe detare kufitare mes Shqipërisë-Malit të Zi-Italisë (sipas barazlargësisë dhe zgjidhjes së barabartë, që do të kënaqte kërkesat e tre shteteve), etj.

            Në fakt prej kohësh, gjatë denoncimit atdhetar e juridik dhe përdorimit politik elektoral të “Paktit Detar me Greqinë”, përfaqësues të lartë të së majtës në pushtet kanë deklarua se “do të kemi një të tillë Marrëveshje Detare edhe me Malin e Zi”,  ku “nuk do të lëshojmë asnjë milimitër”, “vetëm në dy palësh fqinjësi të mirë do ta ndajmë detin”, etj.

            Realisht, sikurse me Greqinë, pavarësisht nga Marrëveshja (të paplota) Shqipëri-Itali-Jugosllavi (1968), Shqipëri-Itali (1992), lind nevoja për përcaktimin e kufijëve detarë edhe me Italinë e Malin e Zi. Ne nuk po duam e as nuk mundemi të futemi si ekspertë në thelluta të së Drejtës Ndërkombëtare, të Konventës Montego Bay–1982 (Ligji për Detin), etj. Veçse theksojmë faktin se duhet patur kujdes në grykderdhjen e Bunës në det të hapur – tek delta e saj, tek dy ishujt e formësuar prej prurjeve lumore të saj në fundshek. XIX, si ishulli disa hektarësh “Franz Jozef” i bashkuar tashma me tokën (si gadishull) dhe tjetri, ishulli strategjik e turistik Ada në Ulqinin nën Malin e Zi. Pikërisht ndërmjet tyre, në deltën e Bunës, duhet të jetë pika me koordinata të përbashkëta dhe të njëjta për të dy shtetet: Shqipërinë dhe Malin e Zi, që të ketë në konsideratë edhe Kepin e Rodonit (ndryshe nga mangësi në Marrëveshjen me Italinë), etj.. Për ma tepër Mali i Zi ka një stacion matës në deltën e Bunës me ndryshime në shtratin e vet prej prurje të saj e l.m.d. të njëjtë me detin, etj.

            Ndryshe nga çdo vend tjetër në hartën e botës, në kufirin mes Shqipërisë e Malit të Zi i gjen kaq të lidhun në afri ndërveti kufirin detar, lumor e liqenor, çka kërkon studime e kujdes të veçantë, që të mos plasin një “skandal” tjetër i mundshëm, i radhës.  Nuk ka nevojë për ngutje, pasi Komisioni Ndërkombëtar i Kufinjve zgjati 12 vjet (1913-1925) për ndarjen e kufirit të Shqipërisë Londineze me Malin e Zi (mbretëri e republikë e ish Jugosllavisë Monarkiste). As kufini i sotëm Kosovë-Mali i Zi nuk ka nevojë për përngutje, pavarësisht se e kërkojnë ndërkombëtarët si kusht për integrimin e Malit të Zi e të Kosovës në BE e NATO, pavarësisht se opozita e sotme (sikurse Serbia) ngrihet kundra ngritjes së këtij kufiri nga administrativ në shtetëror, sepse njohja e kufijve ndikon në njohjen e Kosovës nga OKB si shtet i pavarur e sovran.

 6.Ende nuk jemi ulë me kambë në tokë e me duar në tavolinë e të bajmë llogari: sa kilometra katërore është Kosova sot në vitin 2014?! Pak kush e di. Askush nuk e thotë hapur. Sa km2 i kanë marrë Kosovës dardane Patriakana e Pejës, Manastiri i Deçanit, etj. të cilat kanë status të veçantë?  Fjala vjen: Manastiri i Deçanit nuk lejon të kalojë as autorruga për Plavë nëpër territorin e saj, jo le më pasandej të pretendojnë shqiptarët për pronat e saj!  Ky manastir i ngritur mbi toka të shqiptarëve si Hasi Kuçit, mbi themele të Kishës së Gashit të Xërxës, me projekt arkitekturor të priftit shqiptar Vita i Kotorrit, etj. sot ka 2.3 km2 territor të saj me status të veçantë e të mbrojtur nga KFOR! Kjo nuk është sipërfaqe e pakët: më pak se gjysma e ishullit Sazan të Vlorës dhe ma shumë se gjysma e ishullit Ada të Ulqinit shqiptar.Në koft se ia falim Malit të Zi mbi 15 apo 24 km2 nga territori i Kosovës, në koft se Mali i Zi merr prapë territore tokë-lumë-det të Shqipërisë nga delta e Bunës deri në thellësi të ujërave ndërkombëtare të Adriatikut (ndoshta dhjetra apo qindra km2 sipërfaqe), sepse çdo ndryshim i pikës fillestare në Tokë është tregues i ndryshimit të vijës ndarëse në hapësirën ujore detare.

            Në rast se Kosova e Shqipëria ecin me logjikën e lëshimit të territoreve të veta atëherë duhet të ndryshojë edhe sipërfaqja e tyre në hartën e botës dhe në libra shkollor e popullor. Mos vallë prapë duhet të rrudhemi etnikisht në territore si komb para oreksit shoven të fqinjëve malazezë, serbë, maqedonas e grekë?! A thue na e jep pa luftë Gjukanoviçi ishullin Ada? Jo. Atëherë pse ne u dashka t’i falim atij e shtetit të tij multietnik qoftë edhe një metër katëror nga territore të Shqipërisë Londineze e të Kosovës Euro-Atlantike?! Po nuk vepruam drejt, kombëtarisht, do na gjykoj e nuk do na e falin historia shqiptare.

           

 

                                                                                                                   

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: DEMARKACIONI ME MALIN E ZI, Ramiz Lushaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4716
  • 4717
  • 4718
  • 4719
  • 4720
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT