• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“FESTA E SHNAPJETRËS” TË HOTIT TË VENDIT – DËSHMI E LASHTËSISË ETNIKE ILIRE TË TIJ

March 8, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/ 

   1. Autariatët e antikitetit, fis i madh pagan ilir në brigje të Tarës e të Limit, paraardhësit e Hotit të sotëm skej liqenit të Plavës, qyshse në shekuj të parë pas Krishtit e përqafuan Krishtërimin në male e lugina të truallit të vet alpin, ma herët se në disa vende të Europës Perëndimore e ishujt e saj Atlantik.

            Shën Pali, hebre i diasporës, qytetar romak, dishepull i Jezu Krishtit, një nga përkrahësit e martirët e parë të krishtërimit, aty nga viti 57 (në ma shumë se një vit) e kreu ungjillizimin e shqiptarëve në Prevezë, Nikopol, Durrës (letrat nga ky qytet bregdetar kanë hyrë në Biblen e Shenjtë). Disa gurra dokumentare fjalaflasin se ky Apostull, mbështetës i madh i Shën Pjetrit, ishte edhe në Mirditë, Bregun e Matit, Lezhë, Shëngjin, Zadrimën e Epërme e deri në brigje të liqenit të Shkodrës. Në disa nga këto vende u ngritën komunitete të krishtera ilire të Kohës së Apostujve dhe nga shek. IV-V deri kah Mesjeta ka pasë edhe kisha të Shën Palit.

Krishtërimi, fillimisht si fe ilegale, u shtri nga ultinat bregdetare të Adriatikut të Mesëm deri në Hotin e Vendit në Bjeshkët e Nemuna (Bekuara). Predikuesit fetar të shtyrë edhe nga përndjekjet e ashpra të shtetit perandorak romak u ngjitën në këto vise ilire alpine nëpër luginat lumore nga Moraça-Cemi-Vermoshi (krye-Limi) si dhe nga Drini i Bashkuar në dy nga degëzimet e tij: Valbonë dhe Drini i Bardhë-Ultina e Epërme e Limit. 

2.

Shën Pjetri ishte një nga 12 Apostujt e parë të Jezusit të Nazaretit, i përzgjedhur si zëvendës i parë i tij, si themelues i kishës së tij, i cilësuar si një “shkamb” mbi të cilin do të ngrihej Kisha e Krishterë. Në vitin 33 zgjidhet Papë, i njohur i pari ndër 266 Papët e derisotëm. Ky udhëheqës hebre i dishepujve të Jezu Krishtit, drejtues i bashkësisë së parë të krishterë të Jeruzalemit, Peshkopi i parë i Antiokias, themelues e kryetar i bashkësisë katolike të Romës, martirizohet në Romë në vitin 67 dhe është Shenjt i pranuar e i nderuar nga katolikët edhe nga ortodoksët.

Dy shenjtorët e mëdhenj të krishtërimit, Shën Pjetri (1-67) e Shën Pali (5-67), duket se janë martirizuar nga perandori romak Neroni në të njëjtin vit e në të njëjten datë, më 29 qershor 67.  Shën Pjetri i kryqëzua i lidhur me zinxhirë po me kërkesë të tij me kokë poshtë që ekzekutimi i tij të mos ishte si i Jezu Krishtit 33 vjeçar, ndërsa Shën Palit iu pre koka.

Martirizimi i dy Apostujve të mëdhenj të Krishtërimit është përkujtuar në rreth 2.000 vjet si një festë liturgjike, e lashtë, e kremtuar edhe nga katolikët e ortodoksët, edhe nga anglikanët e luteranët.

Njihet si “Festa e Shën Pjetrit e Shën Palit”.

Fisi i Hotit të Vendit në krahinën e Plavë-Gucisë e ka kremtuar tradicionalisht, të paktën deri në qershor të vitit 1939, çka flet për hershmërinë historike trojenike të tij.

3.

Kur perandori romak me origjinë dardane nga treva e Nishit, Konstandini i Madh (306-337) e shpalli Krishtërimin fe zyrtare Hoti i Vendit u kthye në një qendër të rëndësishme fetare katolike me seli kishtare në Jasenicë, përmbi lumë, diku aty kah shkolla fillore e sotme.

Nga epoka (pas)akullnajore “Riss”, në Jasenicë, sikurse edhe në Guci, Gërbajë, Komariq, Rrozhajë, Pejë, etj. u krijua një gropë e madhe, e thellë, e gjatë; me lugina e lumenj, ku janë vendbanimet e sotme: Jasenica, Zabeli i Hotit (Vuthajve) e Hoti (i mbetur) i Vendit.

“Gropa e Jasenicës” është nga vendbanimet ma të vjetra të Hotit të Vendit, një vend tejet strategjik i Alpeve, ku ishte (krye)qëndra fetare katolike, e cila iu ka qëndue stuhive të kohërave të vështira  nga shek. IV-V deri në Mesjetë.

Gjurmë të kishave katolike në vende e etapa historike të ndryshme gjenden në tokën vrri e bjeshkë të Hotit të Vendit dhe në kujtesën e brezave të këtij fisi të lashtë, trim, fisnik, atdhetar. 

Thuhet se ka pasë kishë katolike në fund të bjeshkës së Torkuzit; në Llominat e Mehajve (Sinanajve) ku janë gjetë edhe kryqa katolik; në trojet e Shar Ibres së Haxhajve, etj.

Në vitin 1912 prej qytetit të Plavës mbi kodrina e skej liqenit e Limit, kah “Sokaku i Hotit” erdhën pushtuesit malazezë me pushkë e kryqa të ortodoksizmit sllavë po u kthyen mbrapa tek Shkambi i Karamanit, se Hoti si kështjellë natyrore e burrave të pushkës e të mendjes i kishte marrë masat e veta për mos me e ndrrue plisin e bardhë me kapicen e zezë.

4.

Veprimtaria baritore e kësaj ipeshkvie (dioqeze) të Jasenicës, sipas statusit të saj, sipas madhësisë kufitare kishtare të ndryshueshme, sipas kushteve, rrethanave e rëndësisë historike, rrezatonte në vise ilire përgjatë Limit deri në Sanxhak të Pazarit të Ri, në luginën e Valbonës e tek bigimi i Cemit dhe deri në brigje të lumit Bosnja (ilirisht: Bosana-lumë).  Dritërimi i saj u zbeh në kohën e okupacioneve sllave, pati rritje në kohën e principatave shqiptare e të shtetit të Skënderbeut dhe me pushtimin otoman shënoi rënie të pandalur. Veçmas pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ndikoi edhe terrori e genocidi shoven e fetar i Çetinës së Krajl Nikollës dhe i Beogradit të dinastive të Karagjorgjeviçëve e Obrenoviçëve, ai i Patriakanës Serbe e në prapaskenë edhe Patriakana Ruse.

Në koft se ndokush don me gjurmue fenë ilegale të pas kohës së Apostujve Shën Pjetër e Shën Pali apo edhe të periudhave përkohore të shpalljes fe zyrtare mjafton me kapërcye përpjetë mbi “Krojet e Vrujës” (Krojet e Vuthajve – Krojet e Ali Pashë Gucisë) dhe në një shpellë të atyshme (si edhe në të tjera të Plavë-Gucisë) gjen të shkruara kode të vjetra të krishtërimit të hershëm, kur priftërinjtë katolikë edhe në kohë inkuizicioni të ashpër shtetëror barbar e mbanin gjallë besimin e ritet e tyre fetare.

Vllaznitë e sotme të Hotit të Vendit mbi liqen të Plavës në 9- 10  breza apo afro tre shekuj, janë kthye nga të besimit katolikë në fenë muslimane. Të gjitha vllaznitë e Hotit të Vendit: Haxhaj, Sinanaj, Mehaj, Hysenaj apo Mujaj takohen tek Gjoka. Kryeherët, në kohën e pushtimit otoman, fillimisht hotjanët u kthyen në mysliman “artificial” për me iu shpëtue taksave, me fitue tokë, etj. Asokohe, burrat shkonin në xhami dhe gra e fëmijë në kisha katolike.

 5.

Festa e Shën Pjetrit dhe e Shën Palit, sikurse për rreth dy mijë vjet në Hotin e Vendit skej liqenit të Plavës, kremtohet edhe në treva të banuara nga Hoti i Rrafshit si në komunën e Bajzës, në Hajmel, në Shën Pjetër, në bashkësinë katolike të qytetit të Gjakovës, etj.

Në komunën e Bajzës është një kishë e moçme, kisha-famulli e “Shën Pjetrit e Shën Palit” për bajrakun e Hotit, të Kastratit, etj. Komuniteti i Hotjanëve të Rrafshit, i dy bajrakëve të Rrapshës e të Traboinit (Hoti në Diasporë) në Detroit në bashkrendim me universitetet e Shkodrës, Tiranës, Prishtinës, etj. organizuan më 23-24 nëntor 2013 në Qëndrën Shpirtërore e Kulturore të Shën Palit në Rochester Hills–Michigan, një simpozium shkencor: : “Hoti ndër rrjedhat e shekujve”.

Këto përkime nuk janë të rastësishme po dhunti të Zotit, gjurmë të një tradite të lashtë sa vet feja katolike në Shqipëri, sa vet jeta e shembulli i dy Apostujve të Krishtërimit, Shën Pjetrit e Shën Palit.

Shën Pjetri thirrej nga Jezu Krishti me emrin “Kefa”, nga Shën Pali “Kefas”, etj. që gjuhën Aramike mjaft të lidhur me Hebraishten, gjuhë në kultin fetar, e folmja e Jezu Krishtit, etj, ka kuptimin “Shkamb”. Në faqe të Fondacionit Plavë-Guci e gjeta këtë emër. Ishte kompania “Shkambi” e vllaznëve Mehaj, katër djemëve të Xhemë Sadrisë të Hotit, Shabanit, Sadrisë, Naserit e Nezirit, të cilët ia dhanë një zyrë në përdorim për pesë vjet këtij fondacioni të vendlindjes. Emri “Shkambi” nuk është rastësi, po ka të bajnë me gene-traditën, me thirrjen e të parëve të fisit, me shenjtërinë e tyre.

Benedikti XVI, Papa i sotëm i Vatikanit, i ka vlerësuar lart këto dy figura të mëdha të krishtërimit: “Shenjtorët Pjetër e Pal shkëlqejnë jo vetëm në qiellin e Romës, por edhe në zemrën e të gjithë besimtarëve, që, të shndritur nga mësimet e nga shembulli i tyre, ecin në udhën e fesë, të shpresës e të dashurisë në çdo anë të botës”.

 

6.

Në Qafë të Hotit të Vendit në qershorin e çdo viti kremtohej Festa e Shën Pjetrit dhe e Shën Palit, përndryshe ma shkurtas në të folmen e kësaj treve: “Dita e Shpjetrit”.

Kjo festë në bjeshkë të Hotit ishte mjaft festive, kombëtare e fetare, e kulturuar, pa i cënue komunitetet etnike ardhacake në troje të hotjanëve e plavë-guciasve. Kishte lojra gjithfarësh: gjuaj me gurë, lodrime me kali shale, gjuaj bajrak, etj. Burrat vetëm. Gratë vetëm. Drekonin sipas vllaznive. Kuvendi merrte udhë…

Tek “Epopeja e Luftës së Nokshiqit” të studiuesit Zenel R. Haxhaj (SHBA, 1998) pohon një nga rastet kur graniçarët dhe xhandarrët malazezë e serbë provokonin hotjanët si në vitin 1939 kur: “Popullsia vendase ishte tubuar si vazhdimisht për ta festuar këtë festë fetare të Shën Pjetrit, si dhe 12 qershorin si ditë çlirimtare të këtyre krahinave” (fq. 94) Kësaj here ndodhën incidente provokative, keqpërdorim i forcës ndaj të moshuarëve, arrestime të padrejta të shqiptarëve, kalimi për gjykim në Gjyqin Suprem Ushatark të Beogradit, etj.

Në shekullin e kaluar, edhe pse hotjanët i kremtonin dy festa njëherash: Ditën e Shën Pjetrit e Shën Palit si dhe “Ditën e Çlirimit”, prapë shteti shoven malazez i “Masakrës të Previsë”, prapë Kisha Ortodokse Serbe dhe Malazeze luftuan me të gjitha format, mjetet e mënyrat për shuarjen e kësaj tradite të lashtë shqiptare.

Në kishën e lashtë katolike shqiptare të Jasenicës thonë se ende ndihen kumonët e saj të fshehura në thellësi të tokës etnike shqiptare. Ato i jehojnë historisë së sotme e të nesërme me mesazhin historik, biblik, etnik: Hotjanët e Alpeve skej liqenit të Plavës janë në këto troje etnike para Jezu Krishtit, festojnë Ditën e Apostujve Shën Pjetri e  Shën Pali tash dymijë vjet, do të jetojnë e luftojnë për të ardhmen e vet kombëtare e euro-atlantike.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Shën Pali, Shen Pjetri

AZEM HAJDARI E ADEM JASHARI, BINJAKË TË LIRISË

March 8, 2014 by dgreca

Shkruan:Azgan HAKLAJ/
Antar i Këshillit Kombëtar të PDSH/
  Nuk kam ndërmend me këtë shkrim simbolik të heq paralele komperative kohore dhe as kronologjike historike mes dy personaliteteve të shndërruar  në idhuj dhe heronj të të njëjtit gjak, të së njëjtes tokë dhe epokë: Azem Hajdari dhe Adem Jashari. Do të ndihesha prapë i vogël po të komplementoja mbi veprën e tyre. Sepse ata janë dhe do të ngelen të dalluar në vet memorien e kombit. Dhe kjo memorie është e shenjtë, është perëndia i të ardhmes sonë.
            Azemi dhe Ademi, dy emra të thjeshtë linguistikisht që rimojnë në çdo aspekt.
            Ashtu siç ndodh rrallë me njerëzit ndonëse fizikisht nuk jetojnë i përkasin të ardhmes sonë. Ata ranë jo si okazion ngjarjesh dhe luftërash të mëdha. Ata nuk janë produkt rastësish në situata të turbullta.
            Të dy ju simbole: Azem dhe Adem dhatë jetën me ndërgjegje. Ju kishit njëmijë mënyra t’i dredhonit vdekjes. Po zgjodhët sublimën në vend të rehatisë, si një parajasë që kombit tonë i garantonte dritën nga lart.
            Nëse ju nuk do të zgjidhnit këtë udhë të shenjtë hyjnish, ura e çartur kahmot që lidhte brigjet e dheut dhe kombit nuk do të rindërtohej kaq shpejt.
            Ju edhe të vdekur arritët të vendosni urën e re në vend të urës së shkatërruar, që ruhej nga të dy anët me roja të zeza të fashizmit modern.
            10 vjet kombi i bën sot pa burrat e mëdhenj fizikisht, janë 10 vite të zhytura me nostalgji e kujtime, me lot njerëzor të legjitimuar, por edhe 10 vite krenarie për ta dhe për ne të gjithë, vite fuqie dhe entuziazmi që ne si komb të kapim avenirin. Dhe pa Azemin, Ademin, Agim Ramadanin, Fehmi Lladrovcin, Tahir Sinanin, Bilbil Breçanin, Fatmir Doçin, Bekim Berishën, Bedri Shalën, Indrit Carën, Ahmet Krasniqin, Luan dhe Shkëlzen Haradinajn, etj.  ne mund të ishim ndryshe në kohë dhe fat. Ata nuk janë sot, që në vend të tyre të vinte pavarësia e Kosovës.
            E ardhmja jonë e hapërdarë pa gjakun e tyre zor të mblidhej e të materializohej. Ndryshe prapë do ishte ideale, e etërshme, e paarritshme, e mistershme.
            Është ky moment i sotëm, ky realitet me ngjyrë kuqezi dhe gjaku na e fokuson kujtimin te baca Adem e baca Azem. E këtu mes dy burrave të mëdhenj ka vetëm një paralele krahasuese për t’u hequr: ajo e idealizmit shqiptar.
            Kosova qe ideali i madh, i padytë i Azemit dhe Ademit.
            Kosova nuk qe për ta interesi i ditës dhe politikës.
            Qe vërtet një ideal i ngulur gjenetikisht.
            Prandah hasmit e dheut të kombit tonë jo më kot morën vendimin fatal: ti eleminonin. K urdhër “fashsit”, jo pa kolaboratorë, i eleminoi ata fizikisht. Por e sotmja tregoi se prapë gabuan shekullorët  hasëm, sepse nuk llogaritën  se edhe lapidarët dhe monumentet e Azemit dhe Ademit do të ishin afruesit e Ditëve të Mëdha.
            Azemi dhe Ademi ikën për ti përzënë ditët e këqija dhe për t’u shfaqur shenjtërisht si heronj të Festës së Madhe, ndaj dhe në ditëlindjen dhe përvjetorët e tyre nuk ka lot dhe mallëngjim, por entuziazëm, krenari dhe reflektim. Pikërisht këtë na ka mësuar edhe poeti i kombit, Ali Podrimja: Mos qajmë / na duhen lotët / për ditë gëzimi /.
            E pra, le të mos qajmë e përlotemi, se sublimën e zgjodhën vetë burrat e mëdhenj. Edhe miku i tyre, vllai i idealeve komandanti trim Agim Ramadani e kishtë parashikuar këtë që më 1996, prandaj dhe shkroi fjalët poetike lapidar: Nëse nuk shihemi / dhe na ndan vdekja / jetoje jetën. Nënë / patjetër do të vij / dhe do të bëhem gjumi yt/.
            Ja pra, si parashikojnë ata që sublimën zgjedhin si fat fatal të tyre, që fati ynë të marrë udhë të mbarë.
            Lum ata që jo vetëm në përkujtimore e përvjetorë kanë kurajën të ndeshin shikimin me Azemin dhe Ademi!

Filed Under: Featured

NËNA IME…

March 8, 2014 by dgreca

Nga Evisa CINA* / Hartford/Të nderuar miq, poetë, shkrimtarë, gazetarë dhe dashamirës të krijimtarisë letraro-artistike, në Diasporë, Kosovë e Camëri, në tërë Botën shqiptare;

Shumicën nga Ju unë nuk i kam takuar kurrë, por ju njoh po kaq mirë, sa ju njeh nëna ime,e  cila më  tregon për ju dhe lexoj shkrime e poezi, nga ju.Unë jam bija  e Mondës, por jam edhe njëri nga miqtë e saj më të afërt  dhe, nga kjo arsye, prej kohësh kam nisur dhe jetoj edhe unë me shqetësimet letrare të nënës sime, përfshirë në këtë fokus, jetën dhe veprimtarinë letrare dhe publicistike.

Shkrimtarët dhe poetët, këta njerëz që kanë superfuqinë shpirtëore të popullit të tyre që i ka rritur dhe mëkuar,  kanë nevojë nganjëherë për përkujdesje sa ka edhe një fëmijë. Sigurisht në raste të veçanta. Dhe misioni i veçantë për kësi përkudjesjeje i takon njerëzve të shtëpisë, njerëzve më të afërt të tyre, siç jam në rastin konkret unë me vëllezërit e mi, por, sigurisht që jeni edhe ju për njëri – tjetrin.E kam vënë re se sa bukur ndrijnë sytë e nënës sime, sapo dikush i ka telefonuar apo ka shkruar diçka për krijimtarinë e saj në fushat që mami im ka më për zemër.Ashtu si cdo fëmijë si cdo vajze që e do jo vetëm si Nënë por edhe si një shoqe, si një bashkëudhëtare në jetë, në sfidat e të papriturat e jetës,-dhe- shpresoj dhe besoj se Ju e dini se sa shumë iu duam ne fëmijët Tuaj, – vecanarisht vajzat. Jo vetëm për atë se cfarë ajo ka bërë për mua, por edhe se kush ajo është për mua- një mike e vecantë dhe një nënë e mrekulleshme. Të jetosh me Nënën time – Raimonda Moisiun – si Nënë por edhe si poete, shkrimtare  do të thotë : Dashuria dhe Mirësia e fatit që më solli në jetë! Sepse është shumë e lehtë të vështrosh sa shumë ajo ka bërë për mua, për vëllezërit e mij, që nga gjërat e thjeshta e deri më të vështirat. E përkushtuar ndaj nesh edhe kur ajo nuk ka kohë për veten e vet, ajo na dëgjon me vëmëndje e kujdes për cdo problem, edhe më të thjeshtin, biles  edhe tani që ne jemi rritur. E përkushtuar jashtëzakonisht në rritjen dhe edukimin e fëmijëve tanë nipërit e mbesat e   saj.Punon shumë, kujdeset që familja jonë të jetë e gëzuar, e sigurtë dhe shtëpia e mbushur plot me dashuri. Na fal cdo gjë nga shpirti e zemra e saj, sa të mundet.

Por unë e kam vënë re këtë shkëlqim të veçantë të syve të nënës sime  edhe kur ajo është duke shkruar në vetminë e saj. Sikur jeton në një botë tjetër, sikur fluturon përmbi retë e botës sonë të përditëshme, e cila, sigurisht që ka dozën e  vet të rëndesës nga fakti se jemi, që të gjithë, njerëz që rrojmë larg e larg mëmëdheut tonë. Në kësi rastesh, kur kundroj mamin tim ndërsa shkruan, apo kur më lexon se çfarë ka shkruar, kur shikoj mënyrën  se si ajo buzëqesh me vete, tret vështrimin, nevrikoset e mbërthen vetullat dhe zbutet sërish, them me vete diçka. Them : lavdi letërsisë dhe publicistikës, që duke i marrë mamait tim nga orët e saja të gjumit, i marrin gjithashtu shumë e shumë nga barra e rëndë e jetës sonë të përditëshme.

Këtë lloj mrekullie jam e sigurtë që e provoni  secili nga Ju, të dashur miq e mikesha shkrimtarë, poetë dhe publicistë kudo jeni,  që lexoni prozën, poezinë dhe publicistikën e nënës sime të shtrenjtë. Që unë e dua diçka më shumë se sa e don secila bijë nënën e saj, por edhe si një menaxhere e botimeve të saj. E dua se unë, në figurën e nënës sime shikoj edhe diçka tjetër. Shikoj një copë të madhe nga Korça. Mami im është një korçare dhe vetë Korca ia mban të mbërthyer me të dyja duart zemrën e saj të bukur.

Pafundësisht të bukur. Gëzuar Festën e Nënave dhe Motrave Shqiptare kudo, në Botë!

*Esse-kushtuar nënës sime-Raimonda MOISIU

(Ne Foto: Kater breza)

Filed Under: ESSE Tagged With: Evisa Cina, Nena ime, Raimonda Moisiu

400 vjet pas vdekjes, Spanja kërkon eshtrat e Servantesit

March 7, 2014 by dgreca

Nga Ilda Prifti/MADRID- Rreth 400 vjet pas vdekjes, nis një projekt për kërkimin e eshtrave të Migel de Servantes Savedra (1547-1616), autori i ”Don Kishotit të Mançës”, që në jetën e tij aventureske kaloi edhe pesë vite në Itali, më saktë në Dukatin e Acquaviva të Atrit dhe në Napoli.Në këtë mision shkencor, që ka pasur një kohëzgjatje përgatitore prej rreth katër vitesh, pjesëmarrës janë Bashkia e Madridit dhe Akademia Mbretërore Spanjolle.

Synimi i misionit është gjetja e varrit me rastin e 400-vjetorit të vdekjes së babait të gjuhës spanjolle, më 23 prill, ditë që UNESCO-ja ia ka dedikuar librit dhe të drejtës së autorit.
Kërkimet do të përqëndrohen në manastirin Trinitari Scalzi, vend në të cilin Servantes kishte thënë se donte të varrosej.
Gjatë shekujve të kaluar u humbën gjurmët e varrit, ndoshta i murosur gjatë ristrukturimit ose i zhvendosur diku tjetër.
”Nuk përjashtohet as fakti që eshtrat e tij të jenë së bashku me ato të disa personave të tjerë dhe, përmes tenknologjive inovative, të jetë i mundur identifikimi”, theksuan promotorët e projektit.
”Kjo do të jetë e mundur të realizohet për shkak të një të dhëne shumë specifike. Servantesi humbi funksionet e dorës së majtë si pasojë e disa plagëve të marra”, theksuan po të njëjtat burime

Filed Under: Featured Tagged With: 400 vjet pas vdekjes, eshtrat e Servantesit, Spanja kërkon

Ekon-Biznesi kërkon heqjen e barrierave për shkëmbimet me Kosovën

March 7, 2014 by dgreca

Biznesi shqiptar shprehet i shqetësuar lidhur me shfaqjen sërisht të problematikës së bllokimit të eksporteve drejt Kosovës nga vendimarrja e Autoriteteve Doganore kosovare për të ndryshuar proçedurat e zhdoganimit te mallit nga vendi jonë. Nëpërmjet një deklarate për mediat Drejtori Ekzekutiv i (QKB) Gjergj Prebibaj thotë se, është një bllokim që po i bëhet eksporteve drejt Kosovës, konkretisht të materialeve të ndërtimit si Tulla dhe Tjegulla. Në këtë mënyrë shtohen procedurat, burokracite dhe kostot. Jemi në kushtet e shkeljes së marrëveshjes së CEFTA dhe marrëveshjeve dypalëshe për lehtesimin e procedurave dhe barrierave për shkëmbimet tregtare. Kemi të bëjme me artifica te cilat praktikisht e bëjnë të pamundur eksportimin e materialeve të ndërtimit drejt Kosovës si Tulla dhe Tjegulla. Qendra e Klasterave të Biznesit sqaron se bëhet fjalë për një kosto shtesë totale prej 240 Euro që është vendosur për kamion, malli i te cilit ka vlerë përafersisht 800 Euro ( kostoja shkon mbi 30% e vlerës totale të mallit) që ka sjellë bllokimin e tregtisë. Kjo praktike përbën një problem mjaft shqetësues edhe për industritë e tjera eksportuese (çimento etj) duke i bërë më pak konkurues në treg por në rastin e tullave dhe tjegullave duke qenë se vlera totale e mallit është e vogël, kjo procedure e bllokon totalisht.

Nga Shqipëria në drejtim të Kosovës shkojnë rreth 1050 kamiona me vlerë të përafërt
850 000 Euro ne muaj, ose 10 Milion Euro ne Vit. Qendra e Klasterave të Biznesit bën të ditur se këto vlera janë vetëm për produktet Tulla dhe Tjegulla dhe po të merret në konsideratë e gjithë gama e produkteve, humbja është shumë herë më e madhe.Lidhur me këtë shqetësim Qendra e Klasterave te Biznesit ka informuar menjeherë Ministrine e Ekonomisë dhe Drejtorine e Pergjithshme të Doganave të Shqipërise duke ju kërkuar ndërhyrjen institucionale për zgjidhjen e problemit.
Kjo situatë vazhdon prej 4 ditësh dhe sipas informacioneve më te fundit nga bashkëpuntorët tonë në Kosovë të cilët kanë qenë në bisedime të vazhdueshme me Autoritete Doganore Kosovare ka sinjale pozitive për zgjidhjen e problemit gjatë dites së sotme. QKB shpreson në arritjen e një zgjidhjeje përfundimtare për këtë problem dhe jo të përkohshme si marrëveshja e Gushtit 2013

Filed Under: Ekonomi Tagged With: heqja e barrierave, shkembimet me Kosoven

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4795
  • 4796
  • 4797
  • 4798
  • 4799
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT