• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Agim Gërguri dhe jeta e tij me “Fisnikët”

February 25, 2014 by dgreca

Ne Foto: Fisniket 1982/*

Nga Klajdi Musabelliu/ Fisnikët,  janë një ndër të vetmet grupe të suksesshme, qe përveç se i kanë rezistuar kohës, vazhdojnë të pëlqehen nga çdo brez. Këngët e tyre janë hite, thua sikur të kenë dale vetëm para 10 ditësh në treg, e prezantuar në publik.  Do të mësoni sekretin e suksesit të grupit, e do të njihni liderin e tijë edhe më shumë…

Z..Gërguri, faleminderit që pranuat të tregoni për lexuesit e ATSH-së

Si lindi ideja “Fisnikët”? Cila ka qënë dalja juaj  e parë në publik ?

Grupin e kam formuar në vitin 1980 diku në fillim të Janarit.  Ideja ka qenë qysh në vitin 1978- 79 mirëpo kushtet u poqen  në vitin 1980. Në fillim grupi nuk e kishte emrin Fisnikët siç e ka sot, quhej “ Havaja e vrant” për shkak të këngëve parodike. Kur u krijua kënga e parë serioze u quajtëm “ Fati” dhe më në fund në vitin 1982 u kurorëzua me emrin “ Fisnikët”.

Cili ka qënë suksesi juaj i parë, dhe a mund të flisni pak për fillimet tuaja?

Ndër sukseset e para ka qënë pjesmarrja e këngës sonë “ Teuta” në hitin e javës në radion e atëhershme RTP ( Radio Prishtina) Më vone  pjesmarrja ne Rock-Festivalin e parë shqiptar i quajtur “ BOOM” dhe i mbajtur në Tetor të vitit 1982 ku edhe u shpallëm si grupi më i mirë nder grupet e reja. Pastaj sukseset vazhduan te rënditen vit pas viti e hit pas hiti.

Kush e shkruan muzikën tuaj,  kompozimet, tekstet ?  Ku e merrnni frymëzimin për realizimin e saj ?

Thuajse të gjitha këngët i shkruaj unë  po ashtu edhe kompozimet, pastaj keshillohem me anëtarët e grupit dhe ua tregoj melodinë. Diskutojme, flasim rreth ideve te tyre, harmonisë së mëlodisë. Ka këngë që i ka kompozuar edhe Besim Gashi kitaristi dhe back vocal i grupit.

Përse nuk keni realizuar asnjë bashkepunim me artiste nga Shqipëria (Tirana)?

Kam një këngë që e kam në duet me Lorin. Nuk i përjashtoj bashkëpunimet por jam shumë përzgjedhës në tekst dhe melodi , dhe e kam te veshtirë të pranoj kur kënga është e dikujt tjetër, pasi jam dhe kantautor. Shijet e mija janë të ndryshme, gjë kjo që ështe shumë gjë normale.

Si është e mundur që nuk ju kemi pare si konkurent në asnjë festival përveç një festilvali Rrocku ?

Në festivale nuk marrim pjesë për arsye se ne jemi grup jashte  festivaleve. Me punën tonë shumë vjeçare edhe me hite e kemi treguar veten , Ndaj them  që në festivale të marrrin pjesë grupe dhe këngëtar të rinj që ju nevoitet afirmimi. Kemi qenë në Top Fest para disa viteve me këngën “ Vdeksha un për ty”

Thujase çdo këngë e juaja, jo vetëm që njihet, por kur performohet edhe nga çdo grup në live, pritet si herën e pare. Ku  qëndron magjia e muzikës suaj, sekreti?

Sekreti është i thjeshtë , kompozimi është origjinal, eshte bere me kujdes të madh dhe i eshte përshtatur  teksti. Kjo ka rëndësi të madhe ,  teksti te pershtatet  me melodinë, në njëfar mënyrë te mishërohen. Për fat të mirë unë e kam atë intuitën e lindur dhe mund ta ndjej tekstin  melodinë kur ato e flenë bashkë, apo e thënë më ndryshe përshtaten më së miri. Dhe më kryesorja është , të jetë një melodi e kompozuar origjinale, veçmas për atë tekst e jo e huazuar.

Ju personalisht cilën nga këngët tuaja pëlqeni më shumë ?

Ka shumë prej tyre që i dua shumë, por tash nuk mund ti ndaj ato, sepse kur filloj ti këndoj i dua secilën për vete e njësoj, pra secila e ka domethënien e vet.

Me pjestarët e grupit, takoheni veç për live, apo jeni edhe miq në jetën e përditshme?

Po, takohemi shpesh, rrimë së bashku bisedojmë, shkojmë te njëri tjetri, kemi marredhënie shumë të mira. Pra jemi mjaft miq edhe në ditën e përditshme.

Duke qënë se jeni  edhe familjar, si eshtë Agimi si bashkeshort apo edhe si baba?

Për këtë duhet pyetur gruaja dhe fëmijët e mi. Nuk jam vetëm baba por që prej dy vite jam edhe gjysh. Mundohem që përpos punëve që kam ti kushtoj kohë edhe familjes. Punoj çdo ditë nga ora 7 e mëngjesit kur zgjohem deri në 6 apo deri në 7 të mbrëmjes dhe pastaj në shtëpi. Rrallë dal edhe kur dal, zakonisht  dal me gruan në mbrëmje. Si duket interpretimet më kanë lodhur në njëfare mënyre, ndaj edhe kur pushoj , kam dëshirë  të shetise me qetësi. Me zhurma ka  33 vite qe merrem  (qesh)

Si është një ditë e Agimit ?

Zgjohem çdo ditë në orën 7, te mengjesit dhe  gjithnjë zgjohem me dëshirë.  Dita ime nis  me ushtrime , kafe, pastaj punoj deri në orën 4. Mbas dite  vazhdoj  të punoj edhe 2 orë të tjera në qetësi kur kryej disa punë  ndoshta nje vizatim , pikturë, apo shkruaj diçka. Dhe prej orës 6 apo 7 jam në shtëpi me familje ku ha darkë dhe pi çaj ose kafe duke shikuar TV.

Ju jeni zgjedhur drejtor i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës…

Unë jam drejtor i Institutit , pasi në këtë Institut jam  punonjës nga  viti 2001, kur u shpall konkursi dhe jam  drejtor qe në vitin 2010. Me profesion jam Piktor Konservator-Restaurues, ndaj dhe punoj në sektorin e Trashëgimisë Kulturore. Këtë profesion e ka pasur  edhe babai im i ndjerë  dhe  kam vazhduar traditën familjare. Muzikën e kam hobi qe prej 33 vjetesh, por pikturen kam  profesion.  Filozofia ime është , “të kem sa për të fjetur e për të ngrënë, se nuk do të jetoj gjithmonë”.

Cili është mendimi juaj në lidhje me rrymat më të fundit që janë futur në tregun tonë, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri?

Më vjen keq por ato çka po dëgjoj këto kohë, nuk kanë lidhje me muzikën e vërtetë. Sot ajo që  dëgjohet është muzikë e imponuar nga DJ . Kompozitorët nuk po kompozojnë më.  Tani dixhejt po e sjellin muzikën në botë,  muzikë që sipas mendimit tim është pa harmoni, një kaos i vërtetë i ndikuar nga droga dhe alkooli. Kjo çka ndodh sot me muzikën,  nuk ka të bëj me identitetin tonë aspak, andaj edhe nuk është jetegjatë, por harrohet për më pak se një muaj, dhe as që përmëndet nga askush.

Ndonjë projekt i afërt ?

Kam ne plan të realizoj një album LIVE,  me këngët më të bukura që kane mbetur hite deri më sot.(*Intervistë e ATSH-së, me liderin e grupit “Fisnikët” Agim Gërguri.)

 

 

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Agim Gerguri, Fisniket, Interviste

MINISTRAT SHKOJNË E VIJNË, NGA TIRANA NË ATHINË…

February 25, 2014 by dgreca

Shënime  të një mërgimtari/

Nga Abdurahim Ashiku/

Ministrat e jashtëm të dy vendeve ballkanike, dy vendeve fqinj, si në atë lojën “Noni m’i çoni”, në një hapësirë kohore shkurt ‘14, fluturuan nga Tirana në Athinë dhe nga Athina në Tiranë. Kaq afër në kohë nuk është parë asnjëherë midis dy vendeve një lëvizje e tillë.
Kjo ngjarje seç ma hodhi kujtesën larg e larg në kohë e hapësirë ngjizur në një këngë…
Telegramet shkojnë e vijnë,
Nga Londoni në Athinë…

Për të ardhë në ditët tona…

Ministrat shkojnë e vijnë,
Nga Tirana në Athinë,
Për…toponiminë…
Nuk e di pse gjithë këto fluturime, pse gjithë kjo agjendë takimesh kryeministrash, kryekuvendarësh, kryepolitikanësh, kryeshtetarësh…kaq shpenzimesh në kohë ngërçi e krize të dy vendeve.
Dy rreshta të një refreni kaq të kënduar nga kori shtetror i dy vendeve  janë bërë tash prej vitesh kaq të lëçitur në medien elektronike dhe të shkruar sa edhe fëmijët e presin me gojë hapur e trup të drithëruar.
Për rreshtin e parë, për detin, historia e së cilës shkoi deri në Gjykatën Kushtetuese… nuk po zmerrem, thjesht sepse historia e tij është zgjatur e bërë tërkuzë leshdhie. Për të edhe këtë rradhë u tha si gjithnjë…do të zgjidhet sipas rregullave ndërkombëtare !
Pë rreshtin e dytë, toponimet, nuk do të desha të them më shumë se kam thënë në një letër drejtuar Avokatit të Popullit dhe në një dyzinë shkrimesh në faqe gazetash të shkruara e gazetash iterneti.
“Do punojmë shumë shpejt e në mënyrë produktive, deklaroi Venizelosi, Ministër i Punëve të Jashtme dhe zevendëskryeministër i Republikës së Greqisë, që t’iu japim zgjidhje problemeve që kanë lidhje me njerëzit dhe me lëvizjen e tyre të lirë. Me kënaqësi vura re deklaratën e z.Bushati, se në cështje të tilla si ajo e Toponimeve, nuk ka dimension politik dhe asnjë paragjykim, por ka një respekt të plotë, sa i përket sovranitetit territorial dhe marrëdhënieve dypalëshe. Pra kemi një bazë të shëndoshë politike, mbi të cilën mund të zgjidhim këtë problem teknik, sipas praktikave ndërkombëtare”,
Ndërsa Bushati, Ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë tha:  “Kemi gjetur rrugën e përbashkët në parim për të konsoliduar çështjen e toponimeve si një çështje të karakterit të qartë teknik dhe si një çështje që sa na takon, do të adresohet në përputhje me standardet ndërkombëtare të aplikueshme në këtë fushë.”
Në zgjidhjen e problemit të toponimeve që ka dënuar me qëndrime në dëborë dhe akull në Kakavi e Kapshticë, fëmijë e prindër, të dy politikanët pranojnë se …“Nuk ka dimension politik dhe asnjë paragjykim…dhe se… kemi një bazë të shëndoshë politike, mbi të cilën mund të zgjidhim këtë problem teknik, sipas praktikave ndërkombëtare”  (Venizelos)
“Kemi gjetur rrugën e përbashkët në parim për të konsoliduar çështjen e toponimeve si një çështje të karakterit të qartë teknik dhe si një çështje që sa na takon, do të adresohet në përputhje me standardet ndërkombëtare të aplikueshme në këtë fushë” (Bushati)
E thënë në shqipen e thjeshtë të një fëmije e gjithë drama e vogëlueshve tanë në kalimet kufitare na qenka “problem teknik”.
Pak kohë më parë Avokati i Popullit Shqiptar Totozani, në një debat televiziv i ka rekomanduar Ministrisë së Jashtme të ndërhryjë nëpërmjet një marrëveshje për të konsideruar të vlefshme pasaportat, deri sa atyre t’u mbarojë afati i perdorimit ose në të kundërt nëse do të duhet të bëhen pasaporta të reja shteti shqiptar të paguajë koston.
“Çfarë janë pasaporta të bëra deri më sot me këto probleme dhe defekte, ne i kemi propozuar shtetit shqiptar, thekson z. Totozani, që të gjendet gjuha e përbashkët me republikën greke, që të vazhdojnë të jenë të vlefshme deri në ditën e mbarimit të afatit të tyre. Në rast të kundërt kostot për pasaportat e reja duhet t’i mbajë shteti shqiptar”
Avokati i Popullit në debatin televiziv thekson se pasaporta shqiptare përmban edhe gabime të tjera përveç toponimeve, pasi nuk janë të plotësuara në anglisht të gjitha rubrikat e saj, ndërkohë që mungojnë germat ë dhe ç.
Lidhur me pretendimin e Qeverise greke, Totozani shpjegon se në qershor 2011 i është dërguar një notë verbale Ministrisë së Jashtme shqiptare nga pala greke, me propozimin për emërtimet gjeografike, për të cilën nuk i është kthyer përgjigje.
Më tej Avokati i Popullit vazhdon: “Ekziston një strukturë në Kombet e Bashkuara që quhet Grupi i Ekspertëve Ndërkombëtarë për Toponimet, tek të cilët çdo shtet dërgon toponimet e tij në gjuhën ndërkombëtare. Eshtë një e drejtë që parashikohet në aktet ndërkombëtare. Ata kanë dorëzuar në qershor 2011 një notë verbale, që kanë vendosur propozimet e tyre për të gjitha emërtesat gjeografike greke, ndaj të cilës duhet të ishte mbajtur një qëndrim nga Ministria e Jashtme. Nga sa kam informacion ato ishin emërtesa në gjuhë ndërkombëtare, në anglisht”
Ajo që ministrat Venizelos dhe Bushati zbuluan javën e shkuar në deklaratat e tyre publike  “si një çështje të karakterit të qartë teknik” është e lidhur me përgjegjësinë e qeverisjes Berisha dje dhe të qeverisjes Rama sot, me analfabetizmin e administratës shqiptare që nuk din të shkruaj shqip:
1. Pasaportat shqiptare sipas kërkesave të saj në dy gjuhë, në shqip dhe anglisht, vendlindja/place of  birth  Athinë/Athens…
2. Pasaporta shqiptre me të 36 germat e Kongresit të Manastirit edhe me Ë dhe Ç. Në pasaportë shkruhet KOCOVE në vend të KUÇOVË. KORCE në vend të KORÇË…
3. Janë me mijëra raste që shqiptarët mërgimtarë u janë drejtuar gjendjeve civile të vendit, me para në dorë, për të ndryshuar germa të emrit dhe mbiemrit të tyre që në përbërje kanë germat e gjuhës shqipe me Ç dhe Ë…
4. Ministri ynë Bushati duhet të deklaronte (dhe të deklarojë pa vonesë)  që të tërhiqen pasaportat e fëmijëve që kanë lindur në Greqi dhe të ribëhen “në përputhje me standardet ndërkombëtare të aplikueshme në këtë fushë”  dhe “kostot për pasaportat e reja… t’i mbajë shteti shqiptar”
 Kjo është rruga e nderit e një shteti dhe vendi që nderon e respekton vetveten.

Abdurahim Ashiku

Athinë, 25 shkurt 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: Abdurrahim Ashiku, Ministrat, Ministrat vejne e viine, nga Tirana ne Athine, vejne e vijne

ALI ASLLANI, PASQYRA E NJË KOHE TË TRAZUAR

February 25, 2014 by dgreca

nga Albert HABAZAJ /studiues*/

Politikani. Ali Asllani u shkollua në Vlorë, Janinë dhe Stamboll. Pas studimeve të larta në Stamboll, u dërgua të kryente stazhin në prefekturën e Janinës. Më 1908 zëvendësoi për tre muaj nënprefektin e Delvinës. Mori pjesë në Kuvendin e Dibrës si përfaqësues i klubit “Bashkimi” të Janinës. Më 1910, pas internimit, u kthye në Stamboll. Nga fundi i vitit 1912, u emërua nënprefekt në Akseqi, Ellgen dhe Boskër të vilajetit të Konjës. Pasi mori lajmin e ngritjes së flamurit në Vlorë, u kthye në vendlindje. Ismail Qemali i besoi detyrën e sekretarit të përgjithshëm të Presidencës e të Këshillit të Ministrave, si dhe të këshilltarit të kryeministrit.  Gjatë kësaj kohe, kryen edhe detyrën e kryetarit të bashkisë së Vlorës. Shoqëria “Përlindja kombëtare”, gjatë Luftës së 1920 – ës, e ngarkoi me detyrën e hartimit të programit, kurse Komiteti “Mbrojtja Kombëtare”  e zgjodhi kryetar të “Katundarisë së Vlorës”. Në vitet tridhjetë Ali Asllani përfaqësoi Shqipërinë në misionet diplomatike jashtë vendit si konsull në Trieste dhe ambasador në Sofie e në Athinë.

Mund të pohohet, se periudha e Rilindjes është dhe djepi ku u përkund Ali Asllani. Qëllimi politik i lëvizjes kombëtare – pavarësia, ishte arritur dhe shqipja qe bërë gjuhë zyrtare. Intelektualët shqiptarë filluan, ndoshta për herë të parë, të shohin se mundësitë e zhvillimit letrar e kulturor ishin të pakufizuara. Këtë e dëshmon krijimtaria e tre poetëve: Çajupi në Egjipt, Mjeda në Shkodër dhe Asdreni në Rumani.

Portreti poetik i Ali Asllanit nuk u mjaftua vetëm me mallin romantik të poetëve të mëparshëm. Në poezitë patriotike, si “Ç’do të thotë patriot?”, “Gjoni”, “Dëshpërim dhe shpresë”, “Buza ime kur do qeshë?”, “Do na bënet Shqipëria?”, “Sazani”, “Ismail Qemali”, “Unë dhe bota”, e sidomos vjersha e famshme “Vlora, Vlora!”, “Ah ky vend …” etj., të realizuara gjatë viteve 1916 – 1924, tok me idealizmin romantik kombëtar, dallohen  dhe ngjyrat shqetësuese qytetare të krijuesit. Poezia “Vlora – Vlora” u bë himn e kushtrim në luftën për dëbimin e pushtuesit. Kur preken interesat e Atdheut, ai del në skalionin e parë të protestës dhe shkruan: “Shtatë prill / kopilove, o kopil / e u lute, u këpute / njëqind pashë në dhé u fute!”.

Poeti patriot. Tema atdhetare në poezinë e Ali Asllanit pati dy kulme: Ciklin për Luftën e Vlorës dhe poemën “Hakërrimi”. Në ciklin kushtuar Luftës së Vlorës, sundon dufi dhe sulmi ndaj armikut, lufta e përgjakshme e mbarë popullit, entusiazmi dhe heroizmi i luftëtarëve shqiptarë. Te “Hakërrimi” kanë ndryshuar situatat; s’ka më entusiazëm e dufe fitoresh mbi armikun. Poeti u vërsulet shërbëtorëve të fashizmit, “çakenjëve” që presin errësirën për të pasur “gostitë e veta”: “Hani pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepa, mbushni arka / të pa bukë ju gjeti dreka, milioner’ ju zuri darka …” Ky teh i stigmatizimit të shërbëtorëve të fashizmit, futja në përmasa të mëdha e personazhit negativ të botës shqiptare, i jep dimensione të reja jo vetëm poezisë së tij, por gjithë poezisë shqiptare të kohës.

Poeti lirik.  Ky poet është zëri më i bukur lirik i kohës që jetoi, një mjeshtër i fjalës në poezitë e dashurisë. Është ky poet qejfli që i këndon aq bukur vashës, guguftusë me atë ngjyrë të llahtarshme të  dashurisë. Është ky Ali Asllan që këndon me po atë bukuri vendlindjes, fshatit Vajzë, Vlorës së mrekullive që, siç thotë autori, ka shkuar gjer në fund të botës, por “si Vlorën time s’pashë!” Dashuria për vendlindjen është sa e thjeshtë në të shprehur, aq e madhërishme në të ndjerë: “Vlorën, vetëm Vlorën/ Thelb e kam në zemër./ Ditën e kam dritë,/  Natën e kam ëndërr”.

Ndonëse, Ali Asllani ka shkruar lirika dashurie të ndjera – nënvizon prof. Aurel Plasari – ai përmendet veçanërisht për “Hanko Hallën” me ritmin e gjallë njëmbëdhjetërrokësh e me fjalorin e pasur popullor.  “Hanko Halla” është një rrëfim plot humor në vargje, që pasqyron mundimet dhe frikën e një zonje energjike nga derë e madhe, që është vazhdimisht në mospajtim me modat e mënyrat që sjell në jetë rinia e që, njëherazi, vë në lojë konservatorizmin e vet. Robert Elsie, në veprën “Histori e Letërsisë Shqiptare”, shkruan: ““Hanko Halla” hyn në radhën e poezisë më të mirë të këtij zhanri në letërsinë shqiptare”.  Poema rrëfimtare “Hanko Halla” shquhet për satirën e hollë dhe frymën e ngrohtë popullore: “Hedhur si lastare, hedhur si billonja; / Zonjat mu si çupa, çupat mu si zonja;/ Palët mu si valët, shkon e vjen një tjetër,/ Duket thanë e kuqe edhe femr’e vjetër!/ Dhe ajo që duket, ëngjëlleshë e butë,/ Në një shishe brenda dy shejtanër futë!/ Llëra lakuriq, këmba lakuriq,/ Demek, sa për mua… edhe burri vdiq!”.  Me këtë poezi kaq lirike, në kohën kur Shqipëria qe katandisur “flamur zhele –  zhele” i skamjes, varfërisë dhe injorancës, kur për shqiptarin drita e begatia e jetës qe “mollë e ndalueme”, siç thotë “uragani i ndërprerë”, Migjeni, ai duket sikur jeton në një vend dhe në një kohë tjetër nga ajo që gjejmë në veprën e Migjenit dhe të shkrimtarëve të tjerë realistë të mesit të viteve ’30.

Kjo vepër humoristike me Hankon krijoi tipin e gjyshes sonë dhe përmes kësaj poeti mishëroi kompleksin e ndjenjës e të mendimit me një gjuhë të thjeshtë e të bukur, plot fytyra plastike dhe krahasime poetike. Në të gjithë poemën përshkohet një frymë stërgjyshore shqiptare, që thithet me buzën në gaz e pa keqdashje nga çdo zemër vajzërore e djaloshare.

Ali Asllani hyri në historinë e letërsisë shqiptare me një tufë poezish. Poeti nuk kërkon brumë për poezinë e tij më larg nga zemra e vet, e cila nuk rreh për askënd dhe asgjë tjetër pos për një vashë guguftu. Nuk është e papritur që lumturinë jetësore e barazon me vashën dhe para vetes nuk shtron ideal më të lartë se këtë. Pra, ai këndon për veten, për lumturinë e tij dhe vetëm ta dojë guguftuja e çdo gjë vete si mos më mirë.

Figuracioni i pasur, rimat e zgjedhura dhe organizimi i përsosur akustik i vargut të poezisë dashurore i sigurojnë asaj një vlerë të pamohueshme artistike. Natyrshmëria dhe qartësia e shprehjes, pasuria, pastërtia dhe afërsia me gjuhën e unifikuar letrare pa dyshim i mundësuan një jetë të gjatë veprës së tij. Poezia dashurore e Ali Asllanit, edhe ajo liriko – epike në përgjithësi, është si një vajzë e bukur në kohë të lulëzimit e pjekurisë së saj femërore, që s’ia shohim dot veset, sepse na verbon bukuria. Ali Asllani kuptohet dhe vlerësohet i plotë si njeri, si poet, si shtetar e diplomat, për synimet e shumanshme që i vuri vetes dhe i realizoi mjeshtrisht në kohën, në të cilën jetoi, punoi dhe shkroi, ku gjurmët  e tij të dukshme vazhdojnë të na lënë një frymë të ngrohtë.

*) Master Shkencor për Etnologji dhe Folklor, Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë. 

Drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”,

Universiteti i “Ismail Qemali”, Vlorë, Albania.

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Habazaj, Ali Asllani, pasqyra e nje kohe te trazuar

Shëmbulli i mirë i familjes Jashari

February 25, 2014 by dgreca

Shëmbulli i mirë i familjes Jashari që jeton e punon në Horby të  Suedisë se si duhet Atdheu e si duhet të ndihmohen njerëzit me halle të mëdha/

Nga Xhavit Çitaku/

Ka sponsorizuar edhe botimin e librit të dytë të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” të Suedisë me titull “Thesari Kombëtar 2” për Pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe shumë aktivitete të tjera kulturore e sportive që organizohen në këtë vend nordik. Do përmendur se Alberti është anëtar i Kryesisë së SHSHASHS-së “Papa Klementi i XI Albani” dhe i Kryesisë së Lidhjes së  Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë.

Amaneti i babait  të ndjer po përmbushet në plotni

*Dhjet familje në fshatin Dobërllukë të Vushtrrisë me mjetet e Albert Jasharit furnizohen me artikuj ushqimor për çdo muaj.- Kjo familje dha kontribut të madh material edhe në çlirimin e Kosovës, në Fondin e Trepërqindshit dhe tani në Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve  Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi e kudo tjetër që e kërkon nevojaMërgata shqiptare, që fatkeqësisht po rritet e zhvillohet në dhe të huaj, diti për të rrezatuar po ato ideale që ushqyen më pastaj edhe të gjeneratat që po lindin me ndjenjen e të dashurit të atdheut. Është kjo një vepër e pandalur e prindërve atdhetar që kanë për dheun e bukurit e rralla që ka vendlindja. Në fakt, është dëshmuar sa e sa herë se vetëm ai që jeton në mërgim di ta dojë aq shumë atdheun, di të shkruaj aq bukur për atdheun, di të luftojë për atdheun, di të sakrifikojë për atdheun, di të ndihmojë në të gjitha format kur populli është me halle të mëdha. Për fat të mirë kjo atdhedashuri po përcjellet e po vjen në shprehje edhe tek gjeneratat e reja, të cilat edhe pse të lindur dhe të ardhur të vegjël në një shtet tjetër me kulturë e traditë krejt tjetërfare, iu nda zemra në dysh për gjithë atë tmerr që kishte ndodh në Kosovën e dashur. Këta të rinjë, patriot të vërtetë, nuk e tjerrën mendjen aq shumë për pasojat që do të mund të kishin por me një krenari shqiptare u mobilizuan në radhët e UÇK-së dhe ia kthyen pushkën armikut. Morën pjesë në shumë beteja dhe lufta e tyre heroike bëri që në shumë sosh të dalin fitimtar. Luftuan deri në çlirimin e vendit. Shumë prej tyre u vranë në altarin e lirisë e qindra të tjerë u plagosën. Të tjerët ia kishin mësyer rrugës tjetër për të ndihmuar popullin. Pa kursyer asgjë ndanë mjete të konsiderueshme materiale për shumë familje gjatë e pas luftës që edhe njëherë e vërteton konstatimin se sa shumë mërgata e donë atdheun e mendon aq shumë për një pjesë të popullit që vështirë e kanë të mbajnë ekonomikisht familjet e tyre.

Një shembull i mirë që duhet të shërbej edhe për të tjerët është ai i Albert Jasharit nga Vidishiqi i Mitrovicës, i cili në këtë vend skandinav kishte ardhur në vitin 1994 së bashku me familje kur i kishte vetëm 12 vjet. Vazhdoi shkollën fillore, kreu shkollën e mesme si dhe përfundoi me sukes kursin për biznes në Fakultetin Ekonomik të Lundit. Punoj në disa firma të ndryshme derisa i shkoi përdoresh që të hap edhe sallonin e veturave dhe dy restauronte që me sukses i udhëheq tash e tetë vite. Këtij të riu nuk i lë përshtypje ky biznes që ka aq më shumë kur populli ka aq probleme të mëdha ekzistenciale në Kosovë. Alberti e përmend në fillim amanetin që është duke ia përmbush në plotni babait të ndjer Enver Jasharit, një veprimtarë i madh këtu në Suedi, që kishte ndërruar jetë në vitin 2012. Në të vërtetë, tash e shumë vite më parë babai i tij kishte hapur një fond në një shitore në fshatin Dobërllukë të Vushtrisë, në të cilën dhjetë familje për çdo muaj furnizohen me ushqime dhe artikuj të tjerë të domosdoshëm jetësor. Kjo ndihmë vazhdon t’iu ndahet këtyre familjeve edhe më tej derisa ato të kenë nevojë. Dhe jo vetëm kaq. I lidhur shumë me vendlindjen Alberti udhëton katër pesë herë për në Kosovë në vit dhe për çdo vizitë ndihmon edhe shumë familje të tjera dhe merr pjesë në shumë aksione humanitare që organizohen. Ka sponsorizuar edhe botimin e librit të dytë të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” të Suedisë me titull “Thesari Kombëtar 2” për Pavarësinë e Republikës së Kosovës , me mjetet e tij ka blerë tërë inventarin e nevojshëm për zyrën e kësaj shoqate si dhe ka ndihmuar shumë aktivitete të tjera kulturore e sportive që organizohen në këtë vend nordik. Po ashtu, ka hequr të gjitha shpenzimet e delegacionit të kësaj shoqate për të marrë pjesë në formimin e Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, në Kuvendin zgjedhor mbajtur më 23 Nëntor 2013 në Koblzen të Gjermanisë. Ky i ri dorëshlirë ka plane mjaft ambicioze që edhe në të ardhmen të shtrijë ndihmën në formë edhe më të ndjeshme për shumë segmente të nevojshme hëpërhë në Kosovë. Do përmendur se Alberti është anëtar i Kryesisë së SHSHASHS-së “ Papa Klementi i XI Albani” dhe i Kryesisë së Lidhjes së  Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë.

Do t’i kishim mbet borxh kësaj familje po të  mos i kishim thënë edhe dy- tre fjalë edhe për babain e Albertit, Enver Jasharin, që la një bagazh të pasur të veprimtarisë atdhetare në Suedi. Punoj natë e ditë në sensibilizimin e situatës së rëndë në Kosovë, mori pjesë e organizoj dhjetra protesta kundër okupimit serb, dha kontribut të çmuar në Fondin e Trepërqindshit, ndërsa luftën çlirimtare e ndihmoi me qindra mijëra korona si dhe shumë aktivitete tjera të organizuara. Pos atyre dhjetë familjeve që i zumë në gojë më lartë, Enveri ka ndihmuar edhe “ Hendikosin” në Mitrovicë, arsimin në Kosovë dhe shkollën fillore në vendlindje. Ishte njëri ndër themeluesit e formimit të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi dhe ishte zgjedhur anëtar i Kryesisë. Vdiq në fund të shtatorit të vitit 2012 në Kosovë nga një sulm në zemër. Vdiq aty ku deshi, aty ku kishte gjithnjë mendjen, aty ku kaloi pjesën më të bukur të rinisë, duke ua lënë amanet fëmijëve që ta vazhdojnë rrugën e mbarë për të kontribuar në interesin e çështjes kombëtare dhe humanitare.

 

Filed Under: Featured Tagged With: i familjes Jashari, shembulli i mire, Xhavit Citaku

Për një Tour D’Horizon Shqiptar dhe Evropian (II)

February 24, 2014 by dgreca

NGA GENTI MIHO*/

Në ditët e sotme gjeopolitika dhe zhvillimet botërore ushtrojnë më shumë ndikim në rajonin tonë nëpërmjet diskursit shoqëror, politik, diplomatik e fetar sesa nëpërmjet sektorit privat, ndryshe nga ç’ndodh në Islandë. Disa nga këto ndikime, së bashku me praktika monopoliste në vend, pavarësisht doktrinës ekonomike të majtë apo të djathtë që përfaqësojnë, pengojnë mirëqenien e njeriut të zakonshëm dhe zhvillimin e vendit. Mendimet në këtë shkrim të dytë janë një tour d’horizon, sic kanë parë marinarët me shekuj horizontin për të drejtuar anijen larg rrezikut dhe drejt erërave të mbara.

Bllokimi i pjesshëm i tregut dhe shkëmbimit të lirë në rajon është një nga arsyet kryesore të mungesës së mirëqenies ekonomike ku gjenden sot shqiptarët, si rrallëkush në kontinentin evropian.Një zonë e lirë është lehtësisht e realizueshme, jo vetëm në letër, por si praktika të njësuara që prekin cdo aktivitet të sektorit privat. Do të krijonte një hapësirë me burime më të shumta njerëzore, toke dhe kapitali vendas mes të paktën tre shteteve me shqiptarë dhe do të përfaqësonte më shumë fitim për firma investitore. Më rëndësishëm, është ekosistem për të vendosur kapacitete të mëdha prodhuese për shitje gjetkë, nga rrjedh një treg më i fuqishëm për produkte të tjera nga jashtë. Ky do të ishte ambient më i përshtatshëm për investime gjermane dhe amerikane. Po të kishte treg të lirë, kompanitë gjermane dhe amerikane do ta shikonin më pozitivisht edhe rrezikun politik, situatën e sundimit të ligjit dhe nivelit arsimor në rajon.

Bllokimi i pjesshëm por dominues i këtij tregu të lirë dhe shkëmbimi të lirë është simptomë e një krize të thellë shumëvjecare: shkërmoqjes së ekonomisë në themelet e saj. Një stimul ekonomik i ngjashëm me Planin Marshall, si politikë ndërshtetërore evropiane “Rindërtim, jo Meremetim!” duhet të kishte filluar sa më shpejt që të ishte e mundur, për shembull në Shqipëri menjëherë pas rënies së komunizmit. Sipas rëndësisë, në radhë të parë mungesa e vullnetit në Evropë, së dyti udhëheqjet e ndryshme brenda shteteve me shqiptarë dhe së treti politika e jashtme amerikane në mbështetje të integrimit evropian janë tre faktorët që nuk kanë dhënë rezultat për stabilitet dhe zhvillim mes shqiptarëve.

Pa këtë stimul ekonomik nuk ka pasur asnjë shans për të sjellë ndryshime rrënjësore pozitive dhe zhvillim të qëndrueshëm, sidomos në Shqipëri e Kosovë. Mungesa e stimulit përbën edhe bazën e vërtetë të një destabilizimi të vazhdueshëm shoqëror, politik, fetar apo kriminal në rajon, por edhe të dëshpërimit dhe varfërisë në masë të shqiptarëve. Mungesa e këtij stimuli ekonomik, që shfaqet edhe si vonesë, për cfarëdolloj arsyesh, e hyrjes në Bashkimin Evropian është kërcënim për sigurinë jetike kombëtare të shqiptarëve në të paktën një nga disa skenarët e mundshëm në të ardhmen.

Pasojat janë të njohura dhe në shumë raste të provuara: largon njerëzit nga mirëqenia individuale drejt nacionalizmave boshe. Krijon ambient për kaos, i cili mund të përhapet lehtë për qëllime politike, fetare apo interesa personale, si nga brenda edhe nga jashtë vendit. E bën të lehtë edhe kontrollin e institucioneve nga një individ ose grup me interesa të ngushta. Përfaqëson “brishtësi” për demokracinë si mosaftësi për të detyruar pushtetin të përmirësohet ndjeshëm nga një cikël zgjedhjesh në tjetrin. Si rrjedhojë, nxjerr jashtë loje konkurencën ekonomike si motor për të krijuar pasuri, në pamundësi të së cilës diskutimet dhe energjitë e shqiptarëve kanalizohen vetvetiu drejt shpërndarjes së pasurisë ose fjalosjes.  Pasoja më e rëndë është se tkurr hapësirën për përdorimin e dijeve dhe praktikave të mira të punës qe shpie në degradimin e pashmangshëm të tyre dhe realizimin e hapësirës shqiptare si hambar aftësish të pakualifikuara për tjetërkund.

Pamundësia për sundimin e ligjit krijon njëkohësisht mundësi për kontroll të lehtë mbi shoqërinë si shprehje e progresit të vetëm një segmenti të vogël të shoqërisë. Nga ana tjetër, legjitimimi i strukturave kriminale, brenda ose jashtë shtetit, ndodh jo vetëm si pazotësi apo mungesë vullneti nga shteti për t’i eliminuar, por edhe si alternativë e vetme për njeriun e ndershëm të ndjekë rrugë të paligjshme në kërkim të mirëqenies legjitime personale.

Ky fenomen mund të barazohet, pa frikë se mund të gaboj, me totalitarizëm të pranuar si e keqja më e vogël nga të gjithë – zaptim të shtetit nga pamundësia për zhvillim – dhe zhvlerësim të shoqërisë dhe të njeriut, karakterit kombëtar dhe vullnetit të tij të lirë. Si situatë është e përafërt me një gjendje pas lufte apo fatkeqësie natyrore të përmasave kombëtare të cilat autori i këtyre radhëve i ka parë nga afër në disa shtete. Një situatë e ngjashme ndodhi në Gjermani pas Luftës së Parë Botërore që solli në pushtet Hitlerin.

Në këtë rast udhëheqja evropiane, megjithëse me eksperiencë të gjatë në situata të ngjashme, e anashkalon realitetin. Retorika evropiane nuk duhet parë vetëm si dështim për të ndihmuar siç duhet, por edhe si fshehje e realitetit dhe me përgjegjësi të parë. Udhëheqësit vendas kanë kontribuar dhe e kanë pranuar këtë realitet si fait accompli, pjesërisht si vendosje e interesave të tyre personale para interesave të popullit të vet apo për të mos turbulluar ujërat. Po ashtu kanë përgjegjësi të parë.

Pamundësia për zhvillim prek interesat e te gjithëve, por sidomos ato të njerëzve të thjeshtë, të cilët s’kanë faj dhe asnjë gjë në dorë në këtë rast. Si kaos ky manifestohet shpesh si i organizuar në zanafillë, fillon me skript dhe vazhdon i çrregullt dhe shpesh i pakontrollueshëm në nivel institucional, në dukje i padeshifrueshëm, por gjithnjë me logjikën e vet. Prandaj mund të gjykojmë se krizat politike dhe ekonomike mund të ndryshojnë pak nga njëra-tjetra, por të ngjashme priten edhe në të ardhmen.  

Të mos bëhet pre dhe pjesë e këtij rreziku si kaos është motiv kryesor i autorit të këtyre radhëve, pasi i ka menduar me vite para se të arrijë me siguri të lartë në këto përfundime. Ndarjet politike apo të cfarëdolloji, jo vetëm si pasione të natyrës njerëzore, por edhe si kaos deri diku i qëllimshëm për interesa të ndryshme së bashku me fshehjen e së vërtetës edhe si frikë e trashëguar nga totalitarizmi duhen larguar që të mund të kuptojmë së bashku më mirë çështjet me rëndësi jetike. Vetëm pas kësaj mund të ketë përmirësim të ndjeshëm dhe të shihet sa janë shanset reale për shqiptarët për t’u vetzhvilluar si popujt e tjerë evropianë dhe sa mund të japin kontribut me ide dhe prodhimet e tyre në tregun e lirë evropian dhe botëror.

Këto fakte ekzistojnë jo si teori konspiracioni, por si skenar i njohur shtetndërtimi në nivel doktrine, që rezulton me lënien në mjerim e varfëri të shqiptarëve si evropianë në nevojë nga evropianët e pasur. Kjo duhet të shihet edhe si krizë identiteti evropiane dhe e popujve përbërës të Evropës që duhet të na bëjë më të vetëdijshëm për rëndësinë e veçantisë shqiptare dhe karakterit kombëtar shqiptar që shfaqet edhe me mbrojtjen e më të dobëtit. Po të fliste Evropa shqip si shqiptarët folën si shtet dhe si popull në Luftën e Dytë Botërore duke rrezikuar veten dhe familjet e tyre për të shpëtuar hebrejtë, por edhe ish-pushtuesit italianë, shqiptarët do të ishin shumë më të zhvilluar ekonomikisht.

Rreziku për destabilizim dhe përhapje kaosi nuk është kërcënim vetëm për shqiptarët, por edhe për interesat e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajon, sidomos ato evropiane, përderisa shqiptarët jetojnë në Evropë.

Mungesa e angazhimit evropian për zgjidhje afatgjatë, jo vetëm të kurimit të simptomave të sëmundjes, ishte një nga arsyet kryesore që Shqipëria përfundoi si Koreja e Veriut, kur mund të ishte si Koreja e Jugut.  Kaosi që pasoi, sidomos nga varfërimi në 1991 dhe në 1997 preku edhe shtete të tjera në Evropë. Fatkeqësisht për ta ky problem ka rëndësi të dorës së dytë dhe konsiderohet si i pranueshëm dhe i menaxhueshëm përderisa nuk i prek direkt dhe po aq fort sa shqiptarët. Megjithatë, në një situatë të ngjashme në Evropë do të kishte shqetësime serioze në rrugët e Parisit apo Berlinit, gjë që do të pasonte me veprime konkrete stimuli ekonomik atje. Ky përfundim i autorit të këtyre radhëve vjen nga studimi, por edhe nga eksperienca në shtetndërtim për periudha të gjata në katër kontinente.

Kjo situatë, në dukje “pa shpresë”, por e ndryshueshme në nivel politikash shtetërore dhe ndërshtetërore, duhet ngritur si çështje alarmante me shkrim e me gojë. Autori vetë e ka ngritur në publik të gjerë me zotin Romano Prodi, ish-President i Komisionit Evropian, në vitin 2011 në Boston, me zotin Peter Feith, ish-Përfaqësues i BE në Kosovë, në Universitetin John Hopkins SAIS në 2012 dhe me zyrtarë të tjerë evropianë nëpërmjet pyetjeve në forume të ndryshme në Washington D.C. Duhet ngritur jo vetëm si çështje e Kosovës dhe e Shqipërisë por evropiane në radhë të parë, si barazi e shqiptarëve apo banorëve të tjerë evropianë njësoj si evropianët në Francë, Greqi apo Gjermani.

Kjo është njësoj çështje e SHBA, pavarësisht se Bashkimi Evropian de facto ka rol parësor në krahasim me SHBA.

Vet Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë themeluar “nga njerëz që qeverisin veten” dhe qëndrojnë pas atyre që kërkojnë të drejtat e tyre dhe sjellin paqe, stabilitet dhe drejtësi në botë. Duke pasur parasysh argumentet më sipër por edhe detyrimin moral të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, para disa ditësh autori, si përfaqësues i organizatës “Vizion 21” të shoqërisë civile në Washington D.C., i bëri një pyetje në publik Zotit Jonathan Moore, Drejtor i Zyrës së Punëve në Evropën Jugqendrore në Departament të Shteti: i përmenda “situatën e nderë” mes Kosovës dhe Shqipërisë si një nga rastet e mungesës së tregut dhe shkëmbimit të lirë në Ballkanin Perëndimor. Siç e pata parë vetë në terren para disa ditësh, kur pyeta njerëz të zakonshëm kudo në Kukës, në Morinë e Prizren, realiteti ishte se 25 vjet pas rënies së komunizmit ishte e vështirë të kalosh pa pengesa serioze edhe “dy kilogramë” suxhuk mes shumë rastesh të tjera, pa pasur rëndësi nëse ishte për arsye administrative apo në nivel politikash shtetërore.

Politikat e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës mund të shkojnë përtej kontrollimit të problemeve njëdimensionale, drejt parandalimit strukturor të destabilizmit në Ballkanin Perëndimor, me rezultate afatgjata për begatinë e të gjithë evropianëve. Kjo mund të realizohet nëpërmjet një stimuli ekonomik me kosto të ulëta për Bashkimin Evropian, si në rastin e Spanjës.

Kështu iu përgjigj Zonja Madeleine Albright pyetjes sime në public, se pse ndihmoi shqiptarët në Kosovë: “Rugova kërkoi respekt për njerëzit e tij dhe ne ia dhamë atë”.

Në këtë përvjetor të papërfunduar të Pavarësisë së Kosovës, mendimet e shprehura për këtë tour d’horizon përfundojnë me respektin që duhet të fitojnë në radhë të parë udhëheqësit shqiptarë si dhe udhëheqësit evropianë nga populli shqiptar evropian. Shumë shqiptarë pa faj janë të ngujuar nga gjakmarrja, nga më të varfërit në Evropë, lindin në familje ku nuk ka asnjë libër dhe janë pre e krimit edhe pse janë popull po aq heroik dhe i veçantë, sa francezët dhe amerikanët.

Konvergjenca e ngadaltë ekonomike dhe ndihma e deritanishme kanë rezultuar në varfëri në masë mes shqiptarëve evropianë midis shkëlqimit dhe bollëkut evropian. Udhëheqësit evropianë duhet ta kërkojnë respektin siç duhet nga shqiptarët përtej retorikës politike, fajësimit të faktorit vendas dhe politikave ndërshtetërore të pjesshme. Trajtimi njësoj i çdo evropiani është bazë për identitetin evropian dhe për të ardhmen në kontinentin tonë.

*Genti Miho është bashkëthemelues i “Vizion 21”, organizatë në Washington D.C., që punon edhe për ndriçimin dhe vetrealizimin e shqiptarëve. gentimiho@gmail.com

Filed Under: Featured Tagged With: D'Horizon shqiptar, Evropian, Genti Miho, per nje tour

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4830
  • 4831
  • 4832
  • 4833
  • 4834
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT