• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Akuzë e re kundër Fatmir Limajt

February 19, 2014 by dgreca

Për të dytën herë me radhë zoti Limaj, ish ministër i transporteve dhe telekomunikacionit akuzohet nën dyshimet për korrupsion/

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, ngriti edhe një akuzë kundër deputetit Fatmir Limaj, lidhur me veprimtarinë e tij në kohën kur ishte ministër i transporteve dhe telekomunikacionit në qeverinë e Kosovës.
Në një njoftim të këtij misioni thuhet se “një prokuror ndërkombëtar nga Prokuroria e Posaçme e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër ish-Ministrit të Transportit dhe të Postë-Telekomunikacionit dhe katër personave të tjerë të bashkë-akuzuar për vepra të ndryshme penale përfshirë – krim të organizuar, përvetësim, lidhje të kontratave të dëmshme, keqpërdorim të detyrës zyrtare ose të autoritetit, marrje e mitës dhe vepra të tjera të lidhura me korrupsionin”.
Sipas prokurorit, “këto vepra janë kryer në ndodhën më 2008 kur njëri prej të pandehurve punonte si Ministër i Transportit. Prokurori pretendon se buxheti i kësaj ministrie është dëmtuar për së paku 890 mijë euro”, thuhet mes tjerash në njoftim.
Kjo është akuza e dytë e ngritur ndaj zotit Liamj nën dyshimet për korrupsion. Vitin e kaluar atij i qe konfirmuar një akuzë për shpërdorim të pozitës ose autoritetit zyrtar dhe marrjes së ryshfeteve si dhe për mosdeklarimin e parave në kohën që konkurronte për zgjedhjet komunale të Prishtinës në vitin 2007.
Akuzat ndaj zotit Limaj pasuan një periudhë të gjatë hetimesh që filluan në prill të vitit 2010, nën dyshimet për korrupsion në Ministrinë e Transporteve dhe Telekomunikacionit, ministri që ishte përgjegjëse për ndërtimin e rrugëve, përfshirë edhe autostradën që lidhë Kosovën me Shqipërinë.
Në shtator të vitit të kaluar, zoti Limaj që shpallur i pafajshëm për të dytën herë nga akuzat për krime lufte. Ndërsa në vitin 2005 ai qe shpallur i pafajshëm edhe nga Gjykata Ndërkombëtare për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë.
Fatmir Limaj, aktualisht deputet në Parlamentin e Kosovës, ishte një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të kryeministrit aktual Hashim Thaçi dhe nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës. Pak ditë më parë ai shpalli largimin e tij nga kjo parti dhe paralajmëroi krijimin e një force të re politike bashkë me kryetarin aktual të Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi.(VOA)

Filed Under: Featured Tagged With: Akuze e re, Fatmir Lamaj

“Edi Rama hiq duart nga xhepat e mi”!

February 19, 2014 by dgreca

Berisha: 20 Shkurt, protesta më e madhe e historisë!/

Ish-kryeministri Sali Berisha me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka bërë përsëri thirrje për pjesëmarrje nën protestën e ditën së nesërme, që siç e ka quajtur ai vetë do të jetë protesta më e madhe e historisë!Berisha shprehet se të gjithë duhet të dalin nesër dhe të protestojnë në Tiranë nën moton “Edi Rama hiq duart nga xhepat e mi”!

“Protestojmë për dinjitetin tonë dhe kundër mashtrimeve të Edvin Kristaq Ramës. Për rritjen e rrogave, pensioneve dhe kundër ngrirjes së tyre trevjeçare, kundër rritjes së taksave dhe heqjes së shpërblimit të fundvitit nga Edi Rama.Protestojmë për punësimin, për legalizimet dhe shëndetësinë falas dhe kundër shkatërrimit të vendeve të punës dhe kundër tritolit në shtëpitë tuaja nga qeveria Rama – Meta. Për uljen me 20% të çmimit të ushqimeve dhe energjise elektrike dhe kunder fatures afrofe. Për lëvizjen e lirë të furgonave dhe kundër monopoleve të qeveritarëve në transportin e pasagjerëve. Për ligjin, transprencën dhe kundër qeveritarëve kleptokrat. Për rendin, qetësinë, sigurinë tonë, kundër tritolit, maskave dhe kundër gjobave dhe trafiqeve të qeverisë”, shkruan Berisha.

Në fund ish-kryeministri e cilëson protestën e ditës së nesërme si protestën e djemve, vajzave, burrave dhe grave që do shkruajnë nesër me guximin e tyre një faqe të re në historinë e demokracisë sonë!

Postimi i plotë

Nesër nën moton “Edi Rama hiq duart nga xhepat e mi” protesta më e madhe e historisë!Të dashur miq, nesër të gjithë protestojmë në Tiranë nën moton “Edi Rama hiq duart nga xhepat e mi”!

Protestojmë për dinjitetin tonë dhe kundër mashtrimeve të Edvin Kristaq Ramës.

Për rritjen e rrogave, pensioneve dhe kundër ngrirjes së tyre trevjeçare, kundër rritjes së taksave dhe heqjes së shpërblimit të fundvitit nga Edi Rama.

Protestojmë për punësimin, për legalizimet dhe shëndetësinë falas dhe kundër shkatërrimit të vendeve të punës dhe kundër tritolit në shtëpitë tuaja nga qeveria Rama – Meta.

Për uljen me 20% të çmimit të ushqimeve dhe energjise elektrike dhe kunder fatures afrofe.

Për lëvizjen e lirë të furgonave dhe kundër monopoleve të qeveritarëve në transportin e pasagjerëve.

Për ligjin, transprencën dhe kundër qeveritarëve kleptokrat.Për rendin, qetësinë, sigurinë tonë, kundër tritolit, maskave dhe kundër gjobave dhe trafiqeve të qeverisë.

Protesta e 20 shkurtit është protesta e djemve, vajzave, burrave dhe grave që do shkruajnë nesër me guximin e tyre një faqe të re në historinë e demokracisë sonë! Sb

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Berisha, Edi Rama, hiq duart, nga xhepat e mi

Diplomacia e “bukur” e Alma Ajazit

February 19, 2014 by dgreca

Nga Flora Nikolla/- Dashuria për televizionin lindi tek Alma Ajazi kur ishte  8 vjeç, por karrierën si modele e nisi në moshën 15 vjeçare. Fotografi i njohur në Amerikë, Emin Kadi, me origjinë shqiptare ishte i pari që fiksoi imazhin e saj. Çmimi Miss Albania ‘99 USA dhe çmimi “shoqëruesja e parë në Miss Shqipëria 2000”, organizuar nga Petri Bozo, shërbyen si dritare për t’u angazhuar më shumë në botën e modës, por në të njëjtën kohë edhe për të formuar imazhin e saj tek publiku. Pjesëmarrëse në sfilatën Paris Fashion Week në vitin 2011, në sfilatën në Champs Elysée për stilisten Tiffany McCall Couture, Alma Ajazi ka qënë edhe imazhi i markës së flokëve Aveda në Miçigan, modele për markën Tiffany McCall apo për markën e bizhuterisë Siidilabor në Francë… Ka pasur fatin të bashkëpunojë me njerëz të talentuar si me piktoren Adriana Puleshi në Tiranë, me stilisten Ana Gross në Paris, me stilisten Anila Zajmi, fotografët e njohur në Francë si Jean Marc Benzaquen, Flavia Raddavero, Jean Paul Lubliner, Gauthier Joseph, etj.

Kanë kaluar 15 vite kur ajo hyri në botën e modës dhe të gjithë këtë angazhim synon të promovojë në një formë tjetër këtë vit kur ajo mbush 30 vjeç. Tregon se së bashku me kompaninë “Rezart Jasa event” në Paris, do të organizojë në kryeqytetin e Francës, në fund të muajit maj, një ekspozitë me rreth 30 fotografi nga disa prej momenteve më të spikatura të angazhimit të saj si modele dhe të gjitha të ardhurat nga ky aktivitet do të dhurohen për bamirësi në ndonjë shoqatë në Shqipëri.

Përveçse një modele e njohur,  Alma Ajazi ka përfunduar studimet për Shkenca Politike, Marrëdhënie Ndërkombëtare në Amerikë dhe është e para studente shqiptare e diplomuar në shkollën American Graduate School of International Relations and Diplomacy në Paris, me rezultate të shkëlqyera. Shpreson që këtë vit të realizojë ëndrrën për të kontribuar në dilplomacinë shqiptare në Paris, ku jeton prej vitesh, pasi sikurse shprehet sakrificat dhe shkollimin ia ka dedikuar pikërisht kësaj fushe. “Diplomacia shqiptare ka nevojë për një rilindje”, shprehet Alma Ajazi për ATSH-në.

Jeni larguar nga Shqipëria në Amerikë kur ishit fëmijë. Si e kujtoni ditën kur u ndatë me të afërmit, shokët dhe shoqet e fëmijërisë?

Sado që jam larguar e vogël nga Shqipëria, 14 shkurti i vitit 1995 është një ditë që nuk mund të harrohet lehtë. Kam derdhur shumë lotë…! Ishte emocionuese kur u rrethuam nga të afërm dhe komshinj, të cilët u mblodhën në shtëpinë tonë për të na përcjellë, duke na dhuruar plot dashuri. Pjesëmarrja e madhe e njerëzve të krijonte përshtypjen se ishte një dasmë…!

Po nga fëmijëria cilat janë ato kujtime që nuk mund t’i harroni?

Kjo pyetje më sjell ndërmend librin “Më kujtohet”, i autorit Ylli Demneri. Kur lexova këtë libër ndjeva një ngrohtësi shpirtërore pasi munda të gjeja veten në faqet e tij. Kam shumë kujtime…! Më kujtohet qiriri i ndezur dhe duart e mamasë sime që punonte grep, një punë e dytë për të siguruar disa para për mua dhe motrën time, Sonila. Unë e kuptoja shumë mirë lodhjen e saj, por ajo nuk e shprehte. Më kujtohen kodrat e Kombinatit, ku shkoja me shoqet e pallatit me kova uji në duar, pasi ai mungonte në shtëpitë tona. Më kujtohet kur të njohur më pyesnin se ku ishte im atë dhe unë u përgjigjesha me shërbim, pasi familja ime nuk tregonte se ai kishte hyrë në ambasadë. Më kujtohet apartamenti im në katin e tretë, përballë shkollës “Myslim Keta”, ku lozja litar dhe peta me shoqet. Më kujtohet dita e parë e shkollës, xhamat e thyer të dritareve në klasë dhe plasmasi qe vendosnim për t’u mbrojtur nga era e ftohtë që pushtonte klasën, por që nuk e mposhte kuriozitetin tim për të mësuar. Më kujtohet kur së bashku me shokët dhe shoqet e klasës mblidhnim lekë për t’i blerë mësueses kujdestare, Ernës, dhuratë për 7 Marsin. Më kujtohet kur drejtoresha e shkollës më gjuajti me një shpullë të fortë, sepse përdora tualetin e mësueseve, dhe jo atë të nxënësve! Më kujtohet kur babai u kthye në Shqipëri me dhurata dhe sa e lumtur isha. Më kujtohet një kukull barbi me një fustan blu që e mbaja në kuti nga frika se e prishja. Me kujtohen pushimet në Sarandë, dallgët që më mësuan notin, shtëpia e gjyshes sime e rrethuar me vreshtë, fiq dhe frangofiq. Më kujtohet kur mbërrija në lagjen amerikane në Sarandë dhe sa zbrisja nga autobuzi vrapoja duke bërtitur nga gëzimi:  Nënaaaa erdhaaaa… Si përfundim kam pasur një fëmijëri e prekur nga forca e vështirësisë, por edhe nga aroma e dashurisë. Mendoj se vështirësitë ndikojnë pozitivisht në formimin e karakterit. Ato vite i kujtoj me plot nostalgji dhe mall.

Pas mbrëmjes Gala që Albanian Excellence organizoi në TKOB me shqiptarët e suksesshëm në botë, në 100 vjetorin e Pavarësisë

Jeni një modele e njohur, gjë për të cilën flet dhe pjesëmarrja juaj në një sërë sfilatash. Si nisi karriera juaj si modele?

Dashuria për televizionin lindi tek unë kur isha 8 vjeç, por karriera si modele filloi në moshën 15 vjeçare. Fotografi i njohur në Amerikë, Emin Kadi, me origjinë shqiptare, ishte i pari që fiksoi imazhin tim. Çmimi Miss Albania ‘99 USA dhe shoqëruesja e parë në Miss Shqipëria 2000, organizuar nga Petri Bozo, shërbyen si dritare për t’u angazhuar edhe më shumë në botën e artit, por në të njëjtën kohë edhe për të formuar imazhin tim për publikun. Kam pasur fatin të bashkëpunoj me njerëz të talentuar dhe dinjitoz në këtë fushë. Mund të përmend këtu prezantimin si modele për piktoren Adriana Puleshi në Tiranë, në sfilatën për markën e flokëve Aveda në Miçigan, Paris Fashion Week në vitin 2011, në sfilatën në Champs Elysée për stilisten Tiffany McCall Couture, modele për markën Tiffany McCall, kam qënë modelja e parë për stilisten Ana Gross në Paris, modele për markën e rrobave Babelle në Paris, për markën e bizhuterisë Siidilabor në Francë, për stlisten shqiptare Anila Zajmi Katanolli në Paris viti 2012, për reklamën e Chicbook Paris, etj. Kam bashkëpunuar me fotografë të njohur në Paris si Jean Marc Benzaquen, Flavia Raddavero, Jean Paul Lubliner, Gauthier Joseph si dhe fotografin Emin Kadi në Amerikë. Mund të përmend dhe pjesëmarrjen në jurinë Miss Albania në Kanada në vitin 2003, rolin e prezantueses në koncertet e shqiptarëve në Amerikë, ndër të cilët veçoj koncertin e këngëtares Irma Libohova në Miçigan.

Përveçse një modele e njohur ju keni përfunduar studimet për Shkenca Politike, Marrëdhënie Ndërkombëtare në Amerikë dhe jeni e para studente shqiptare që jeni diplomuar në shkollën American Graduate School of International Relations and Diplomacy në Paris, me rezultate të shkëlqyera. Pse zgjodhët këto degë?

Vendimi për të zgjedhur këtë degë ka disa arsye. Gjithmonë më ka tërhequr historia dhe drejtësia, por momenti kur vendosa të studioja shkenca politike lidhet me ngjarjet në Kosovë. Isha 15 vjeç dhe ndiqja lajmet në CNN për luftën në Kosovë. Imazhet që përcilleshin, shtëpi të djegura dhe vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës, më emocionuan dhe kuptova se duhej t’i dedikohesha të drejtave të njeriut. Ishte ky moment kur i shkruajta një letër Presidentit amerikan, Bill Clinton, dhe ku i lutesha qeverisë amerikane që të ndërhynte në mënyrë diplomatike për të zgjidhur çështjen e Kosovës. Megjithëse nuk mora përgjigje u ndjeva mirë sepse si një qytetare e thjeshtë mora një iniciativë. Një arsye që ka ndikuar në vendimin për të studiuar shkenca politike është edhe origjina nga Çamëria e nënës sime. Historia e Çamërisë është e deformuar dhe mendoj një nga padrejtësitë më të mëdha që i është bërë kombit tonë. Më kujtohen historitë e dhimbshme që më tregonte gjyshja ime, plot vuajtje dhe plagë, që patën ndikim tim tek mua. Së fundi nuk mund të lë pa përmendur dhe sakrificat e babait tim i cili, në qershor të vitit 1990, braktisi Shqipërinë dhe hyri në ambasadën egjiptiane për t’u vendosur më pas me vështirësi në Miçigan. Duke u rritur në Miçigan dhe duke u arsimuar në shkollat amerikane, kuptova qartë esencën e demokracisë, lirisë, drejtësisë, rregullit, ligjit, që të gjitha së bashku më shtynë që t’i përkushtohesha shkencave politike dhe diplomacisë.

Aktualisht jetoni në Paris… A keni arritur të angazhoheni me diplomacinë në kryeqytetin francez dhe si ndihet Alma në jetën pariziene?

Pas diplomimit në fakultetin Oakland University, në degën shkenca politike, dhe një viti punë në zyrën e imigracionit Pastor and Associates në Miçigan vendosa të kthehesha sërish në universitet për një diplomë të dytë. Ishte këshilla e profesorit tim të politikës që të zgjidhja shkollën American Graduate School of International Relations and Diplomacy në Paris, pasi kryeqytetit francez konsiderohet si zemra e diplomacisë. Kur përfundova studimet në Paris vendosa të qëndroj këtu. Përsa i përket angazhimit mund të përmend praktikën 3 mujore në ambasadën shqiptare në Paris, pranë ambasadorit Ylljet Aliçka. Ishte një praktikë intensive, ku kuptova sesa e rëndësishme dhe delikate është puna në një seli diplomatike. E konsideroj veten me fat pasi mora pjesë në shumë konferenca  politike. Do të veçoja edhe rolin tim si përkthyese në konferencën e parë për raportin e Dick Marty që u mbajt në Paris, në dhjetor të vitit 2010. Isha përkthyese për grupin përfaqësues diplomatik nga Kosova. Përfundimi i studimeve ishte hapi i parë, tani jam duke ecur në dallgët e realitetit. Aktualisht punoj në kompaninë franceze Lenovo dhe gjithashtu jap mësim privatisht në gjuhën angleze. Përherë më ka tërhequr Franca, gjithsesi mendoj se çdo shtet ka kulturën dhe traditat e tij. Gjithmonë jam ambientuar dhe jam angazhuar si një qytetare në këto tradita, pa harruar rrënjët e mia. Emigrimi ka qënë një rrugë mësimi, e ndërthurrur me gëzime, mërzitje dhe sfida. Zemra më e lënduar në këtë botë është zemra e një emigranti!

Ju gjithashtu jeni fituese e çmimeve Who is Who Americas Top Highschool Students National Deans List, Optimist International Award, çmimit “Arshi Pipa” për literaturë në Miçigan, për të drejtat e njeriut të Morris Dees, Southern Poverty Law Center në Amerikë. Çdo të thonë këto çmime për ju dhe cilin prej tyre do të veçonit?

Mes këtyre çmimeve do të veçoja Who is Who Americas Top Highschool Students, një çmim që e fitojnë 15 përqind e studentëve më të mirë të Amerikës. Sigurisht që jam prekur nga këto çmime që në një farë mënyrë janë edhe vlerësim për dedikimin tim ndaj shkollës. Kur shokët dhe shoqet e mia dilnin në fundjavë, unë mbyllesha në shtëpi dhe mësoja për të arritur rezultatet më të mira. Gjithsesi, mendoj se njeriu nuk gjykohet nga sa çmime ka fituar, sa diploma ka marrë, por sa i ka shërbyer njerëzimit dhe si është sjell me të tjerët. Kultura, komunikimi, edukata, dashuria, humanizmi e zbukuron njeriun.

Jeni autore e disa shkrimeve dhe poezive për çështjen çame, të publikuara në mediume të ndryshme dhe në faqen www.lajmishqip.com, ndër të cilat “Përdhunimi i Filatit”, “Puthja vallëzim”, “Lulja e thyer e një kombi”. Cili ka qënë motivi që ju ka frymëzuar për të prekur një temë delikate siç është çështja çame?

Gjyshja ime që jeton në Sarandë ka lindur në Filat. Kur isha e vogël më tregonte shumë histori për genocidin në Çamëri ndaj dhe ndiej se kam një detyrim për të gjitha gjyshet çame. Përmes këtyre shkrimeve kërkoj të bëj të njohur genocidin, përdhunimet, krimet brutale, padrejtësitë që u orkestruan ndaj popullsisë çame në Filat, Gumenicë, Paramethi, Parga, Margellicë. Asnjë komb dhe asnjë shoqëri nuk meriton këto akte brutale.

Çfarë e lidh bukurinë me diplomacinë?

Nëse diplomacia do të udhëhiqej nga njerëz kompetentë, të drejtë, dinjitozë, të ndërgjegjshëm, humanë, punëtorë që zotërojnë vizion për të ardhmen, atëherë do të lulëzonte bukuria në diplomaci. Për mua këtu qëndron bukuria në diplomaci!

Si e kaloni kohën e lirë në Paris?

Parisi është një qytet i mrekullueshëm që të jep frymëzim, ngrohtësi shpirtërore dhe mundësitë për të kaluar kohën e lirë janë të shumta. Atë pak kohë të lirë që më mbetet pas punës në firmën ku punoj, angazhimit tim si mësuese anglishte, apo ndonjë projekti artistik që mund të më ofrohet, personalisht preferoj ta kaloj me një shëtitje në mbrëmje anës Lumit Seine, me ndonjë piknik me shoqërinë poshtë një statuje në Jardin dhe Luksemburg, apo me vizita në muzeumet pafund. Sigurisht, një pjesë të kohës së lirë ia kushtoj dhe komunikimit përmes skype me familjen në Amerikë dhe Shqipëri. Kam mall!

Çfarë do të donit të ndryshonit nga jeta sociale, ekonomike e politike në Shqipëri?

Shqipëria është përballur me shumë fenomene që kanë njollosur historinë e saj si gjatë periudhës së komunizmit dhe pas tij. Ka ardhur koha që Shqipëria të ecë në rrugën e drejtë, sado që vendi ka hedhur hapa përpara drejt demokracisë. Duhet të jemi realistë dhe të kuptojmë se Shqipëria duhet të punojë shumë për një të ardhme të shëndoshë dhe një demokraci të fortë. Shqipëria i ka të gjitha potencialet për t’u zhvilluar, por që kërkon shumë punë, dëshirë, kompromis dhe humanizëm nga partitë politike.

Ç’mendoni për iniciativën e Albanian Excellence?

Një iniciativë dinjitoze që merr përsipër të rrëfejë sakrificat dhe sukseset e shqiptarëve në emigrim. Në këtë rrugë, ku mbizotërojnë stuhitë dhe sfidat, shqiptarët kanë luftuar me dinjitet dhe ambicie. Në media dhe filmat e huaj nuk mungojnë rastet ku shqiptarët diskutohen për një imazh negativ. Është pikërisht  iniciativa e Albanian Excellence që merr përsipër të paqyrojë  imazhin e shqiptarëve dinjitozë dhe plot suksese në vendet ku jetojnë, historitë e të cilëve jam e sigurt se do të admirohen nga cilido që do të lexoj faqet e këtij libri, madje edhe do të frymëzohet.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: diplomacia e Alma Ajazit, Flora Nikolla

Akinxhinjtë modern!

February 19, 2014 by dgreca

Nga Fahri  XHARRA/

Për akinxhinjtë ne flet Kadareja. Për akinxhinjtë do te flas edhe unë , por për akinxhinjtë modern , të kohës  të cilët e kanë një ndryshim të madh me ata te sulltanëve turq. Ata mbjellnin terror  në vendet që sulltanët donin t´i pushtonin . Kurse akinxhinjtë e sotëm që janë shqiptarë ,dhe flasin shqip po e përdorin një taktikë tjetër të përgatitjes së terrenit për… Por , nuk po e di se çka po duan të përgatisin.Sot ,koha e akinxhinjëve të vërtetë ka kaluar dhe në modë është akinxhiu me shkrime ;mbjellja e frigës dhe tmerrit në masën e lexuesve për të t ´íu friguar historisë sonë dhe me qëllim të krijimit të një bindjeje dhe indentiteti tjetër shqiptar dhe falënderues vetëm për atë qe jemi gjallë.

Deri te koha e Sulltan Orhanit (1326- 1362) , akinxhinjtë ishin ushtri jo e rregullt kalorësish. Pra , në epkspansionin osman në  anët tona  ishin ata që s’ pari ia mësuenin një vendi për të plaçkitur , shkretuar, djegur dhe pushtuar, zënjen rob të vendasve dhe dobësimin e fuqisë mbrojtëse të vendit të cilin me më shumë lehtësi e pushtonin pastaj ushtria e rregullt osmane. Ata udhëhiqeshin nga urdhëruesi i tyre. Ata sulmonin befas dhe ashpër , mbillnin tmerr. Taktika e tyre ushtarake ishte : e kryenin ”detyrën” dhe pastaj shpërndaheshin në drejtme të ndryshme . Shpërblimi i tyre ishte vetëm preja e tmerrit.Luftonin gjatë gjithë vitit .Prenë e luftës nuk e ndanin me askend. Koha më e ”lulëzuar” e akonxhinjëve ishte  prej Sulltan Muratit I deri te Sulltan Murati II , si Sulltan Bajazidit  të parë.Me kalimin e kohës, nga fundi i shek.të 15-të filloi të zbehet roli i tyre. Në rradhët e akinxhinjëve kishte edhe shqiptarë.

Si veprojnë akinxhinjtë modern ? “Antiturqizmi sado të mbështetet me propagandë nuk maskon dot armiqësinë serbo-ruse ndaj shqiptarëve, as e përligj rusofilinë e serbofilinë midis shqiptarëve. Cilatdo të kenë qenë marrëdhëniet shqiptaro-osmane në kohën e Perandorisë 600-vjeçare të Sulltanëve, Turqia e re, që nisi jetën si shtet kombëtar në vitet 1920, doli si mike e madhe e shqiptarëve dhe e Shqipërisë. Duan apo nuk duan disa shqiptarë të trullosur nga antiosmanizmi e antimyslimanizmi, Turqia e re dhe kombi i sotëm turk e kanë dëshmuar veten si miqtë më të sinqertë të shqiptarëve gjatë gjithë kohës. Edhe sot Turqia është i vetmi vend që dyert i saj i mban të hapura me dashamiërsi për shqiptarët, i vetmi vend ku po të thuash se je shqiptar (arnaut) rrethohesh menjëherë me kujdes e dashuri, i vetmi shtet që nuk mendon si të izolojë shqiptarët e zakonshëm në botë. Dhe pikërisht me këtë vend duan t’i armiqësojnë shqiptarët njerëzit që u japin “këshilla Djalli” në shkrime si ai mbi “borxhet historike të Turqisë ndaj Kosovës”. Pikërisht këtij shteti e kombi i dërgojnë herë pas here mesazhe provokuese disa shqiptarë që duan të njollosin në sytë e turqëve gjithë shqiptarët e tjerë si “mosmirënjohës” ndaj mikut, që të kënaqen hasmit e shqiptarëve./Veriu.info Abdi Baleta)/”

Heshtas , pa luftë pa gjak dhe vetëm me shpërlarje truri.

Deri sa Faik Konica thoshte : “Levizja jone eshte e mbeshtetur ne parim te kombesise dhe jo ne parim te fese (1907).”, Baleta  dhe Krasniqi na thonë : “Islami është faktor vendimtar për shpëtimin e kombit.”

Për të parë se çfarë tezash mbrojnë këta horra- akinxhinjë  modern, kerkoni të gjeni dhe shkrimet e Hysamedin Ferajt. Ndërmjet shumë marrinave , ky i fundit shkruan:

” Deri ne shekullin e 18, osmanet ishin fuqia me e perparuar, me humane dhe me demokratike e kohes…. ishin osmanet qe e bene Shqiperine te ishte nje nder vendet me te perparuara te europes, ku kulmin e zhvillimit e ka pasur Kosova, te cilen mjerisht e shkateruan luftrat e Austrise, Serbise dhe forcave shqiptare katolike te udhehequra nga P.Bogdani kunder Perandorise Osmane”  Milazim Krasniqi  përmes  një videoje  pozicionohet hapur në anën e ish pushtuesve osman nga e cila poezitë e Çajupit të madh i quan idiotiste dhe e përsërit disa herë se Anton Zako Çajupi është “idiot” që përmes poezisë së tij e luftoj pushtuesin pesë shekullor. Ky njeri me deklaratat e veta po shihet se është i shtyre nga pikëpamja ideologjike e tij të hapë plagë të reja mbi vlerat tona duke i minimizuar dhe duke e çmuar atë të pushtuesve , nga e cila vetvetiu rrjedh pyetja se ku janë ata student? . Ku janë ata profesor ?. Ku janë ata intelektual dhe ky brez qe lejon një bir otomani , një vehabist, një ekstremist fetar me apetite islamike ta terrorizoj epokën e Rilindjes sonë kombëtare të letërsisë, që pjesë e saj është edhe i madhoi Anton Zako Çajupi. Akinxhi , e jo mahi!

“Derisa perëndimorët na ndihmuan pa kursim, na ndihmojnë edhe sot e kësaj dite më shumë se sa që bëjmë ne për vete, çuditërisht fryma e importuar nga kaosi arab, ka nis të depërtoj  edhe në Kuvend, (deputetët “tonë” votojnë kundër shtetit laik si të ishin deputetë të Homenit, ndërsa beduinët e Arabisë Saudite dolën më të qytetëruar se sa grumbulli i deputetëve të Kuvendit të Kosovës ).Fryma shkretinore po përhapet edhe në disa qarqe kuazi intelektuale, nëpër disa gazeta, nëpër çajtore periferie, meqë para e madhe e shoqatave “bamirëse” është shpërndarë gjithandej.( .(Gani Mehmetaj)

Fryma e mos durimit po depërton si murtaja nëpër qytete e katunde ,  e kjo pjellë e akinxhinjëve  modern.

“Të kërkosh Islamin si normë shoqërore, juridike dhe politike do të thotë të kërkosh ndërtimin e shtetit fundamentalist islamik, siç qe shteti i talebanëve në Afganistan, ku femrat janë të mbuluara me ferexhe dhe ku burrat rrijnë me mjekrra dhe fustane, ku xhamia është vetë shteti dhe ku Ligji Kuranik, Sheriati është Kushtetutë, Kod Penal dhe Kod Civil dhe baza e krejt legjislacionit në përgjithësi. Ky është vizioni i Baletës për shtetin shqiptar. Baleta kërkon t’ i ktheje shqiptarët, në të dy anët e kufirit në kohën e Mesjetës islamike ku na futi pushtimi turk.(Kastriot Myftaraj)

Baleta  Krasniqi feraj etj, etje e shohin vetëdijen nacionale dhe kulturore shqiptare si një vetëdije islamike. Shqiptarët kanë vetëdije nacionale për aq sa janë muslimanë. Në rast se nuk do të jenë më muslimanë, atëhere nuk do të jenë më as shqiptarë. Pra, me zhdukjen e Islamit tek shqiptarët do të zhduken edhe vetë shqiptarët. Pra, sipas Baletës dhe të akanxhinjëve tjerë, në fundament të qenies nacionale shqiptare qendron feja islame. Ja pra, se ku është fundamentalizmi islamik! Ai nuk ka brirë. Kjo lidhje organike mes Islamit dhe qenies nacionale shqiptare është pjesa më diabolike e doktrinës «Akinxhi» të fundametalizmit islamik shqiptar. “Nuk do dhe madje nuk arrin të kuptojë ky i fandaksur me urrejtje antiislamike se qënien kombëtare të shqiptarëve nuk mund ta konceptosh e ta perceptosh pa elementin e besimit mysliman, duke lënë mënjanë faktin që shqiptarët u formuan si komb modern nga popull mesjetar në procesin e islamizimit, pa elementin e tiparin karakteristik të fizionomisë së tyre të sotme kombëtare, përkatësinë e shumicës dërrmuese të njerëzve në besimin islam” , i drejtohet Abdi Baleta , Ismail Kadaresë
19.02.14, Gjakovë

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Akinxhinjtë modern, Fahri Xharra

MILLO GJUKANOVIQ,SYNON T’I MBAJË SHQIPTARËT NËN KONTROLL

February 19, 2014 by dgreca

Nga Xheladin ZENELI/
Lidhur me formimin e kualicionit paszgjedhor në Komunën e Ulqinit,këto ditë u prononcua edhe kryetari i PDS-së dhe kryeministri  i Malit të Zi, z.Millo Gjukanoviq i cili tha se “qeveria e re e përbërë nga Forca, Koalicioni “Bashkë për të Ardhmen e Ulqinit”dhe Mali i Zi Pozitiv,  do të jetë jetëshkurtër”. Gjithashtu ai tha se “PDS, prej tani, do ti trajtojë ndryshe partitë shqiptare,dhe do sillet ndaj tyre sipas meritave”.
Gjuha tipike e z. Gjukanoviq është karakteristikë e gjuhës së diktatorëve të cilët pretendojnë që me çdo kusht të kenë nën kontroll çdo gjë dhe kur diçka iu del jashtë kontrollit dhe diktatit të tyre ata,(pra diktatorët), bëhen të patolerueshëm,agresiv dhe kërcnues. Kështu ndodhi edhe me rastin e kryeministrit malazez Gjukanoviq të cilit iu prishen planet e ardhjes në pushtet të partisë së tij në Komunën me shumicë shqiptare të Ulqinit.PDS fitoi betejën në Ulqin por humbi luftën dhe kjo iritoi pa masë z. Gjukanoviq i cili u shpreh ashpër kundër kualicionit aktual të forcave politike në Ulqin.
Vertetë që PDS, si subjekt i vetëm muar vota më shumë në krahasim me subjektet e tjera që garuan në zgjedhjet e 26 Janarit, mirpo z. Gjukanoviq harron se subjektet politike shqiptare,me votat e tyre të kombinuara,fituan më shumë se PDS dhe më shumë se partitë e tjera sllavo-malazeze. Kryeministri malazez që njëherit është edhe kryetar i PDS- së angazhoi makinerinë e tij partiake dhe shfrytëzoi resurset financiare shtetërore në fushatën parazgjedhore dhe gara zgjedhore ishte një garë e pabarabartë duke pasur parasysh mjetet e kufizuara financiare të partive shqiptare të dedikuara për këtë qëllim.
Megjithate, subjektet politike shqiptare fituan rreth 54% të votave të përgjithëshme dhe si rrjedhim i kësai formimi i pushtetit paszgjedhor reflektoi rezulltatin e zgjedhjeve. Kështu që dy subjektet poltike shqiptare që fituan më shumë vota , Forca e Re Demokratike dhe Kualicioni ” Për të ardhmen e Ulqinit”,të cilat fillimisht negocuan edhe me UDSH- në,për formimin e shumicës parlamentare,por pas tërheqjes së kësai të fundit,kualicionit të bashkëqeverisjes në mandatin e ardhshëm të Komunës së Ulqinit,iu bashkangjit partia opozitare  “Mali i Zi Pozitiv”.
Pra, formimi i kualicionit paszgjedhor është ligjor, demokratik dhe në përputhje me normat e marrjes së vendimeve në mënyrë të lirë dhe të pavarur  nga ana e palëve garuese të dala nga zgjedhjet e 26 Janarit.Është e pakuptueshme që kreu i një partie e cila e quan vetëvehten Partia ” Demokratike” e Socialistëve , përmes deklaratave tendencioze mundohet të pengojë proceset demokratike në një komunë me popullsi shumicë shqiptare. Dhe jo vetëm kaq.Kryeministri i një shteti, nga qendra e Podgoricës tenton të përzihet dhe t’ju impunohet proceseve zgjedhore të administrimit lokal të një komune,pra të Komunës së Ulqinit dhe vullnetit të tyre të lirë në formimin e shumicës qeveritare.
Për të gjithë ata që e njohin mirë z. Gjukanoviq nuk janë të befasuar me deklaratën e tij të fundit dhe gjuhën e tij urryese e cila  dëshmon edhe një herë fëtyrën e vërtetë të Gjukanoviqit dhe është dëshmi se Ai nuk i dëshiron shqiptarët të bashkuar,por të përçarë. Gjithashtu edhe një herë u dëshmua se z. Gjukanoviq ka pasur dhe gjthënjë vazhdon të ketë një synim: të kontrollojë me udhëheqjen politike e administarative të Komunës së Ulqinit ,por edhe me udhëheqjet administrative të vendbanimeve të tjera  shqiptare me qëllim që të dominojë me resurset dhe pasuritë e tyre natyrore dhe t’i mbajë ata nën kontroll.
Sa i përket asaj se a do të ” ndëshkohen”, apo a do të ketë ndonjë hakmarrje eventuale politike ndaj partive shqiptare në të ardhmen, për mos bashkëpunim me PDS- në ,çka z. Gjukanoviq aludon në deklaratën e tij, kjo nuk do të jetë diçka e re sepse Komuna e Ulqinit është e ndëshkuar tash 24 vite nga ana e pushtetit qendror të Podgoricës me të cilën udhëheq PDS. Rikujtojmë lexuesit se në vitin 1990 kur pushtetin për herë të parë në Ulqin e fitoi një parti shqiptare dhe atëherë ishte Komuna e vetme opozitare në Mal të Zi, ku jo rastësisht shumë shpejt pasoi ligji i parë diskriminues i të Mirave Detare përmes të cilit 57% e bregdetit të këtij qyteti,me dallim prej komunave të tjera në Mal të ZI, u shëndrrua në pronë shtetërore të qeverisë së kësai republike.
Vlen të përmendet se Komuna e Ulqinit është ndëshkuar edhe atëherë kur partitë shqiptare kanë bashkëpunuar me PDS ,si në nivel qendror ashtu edhe në nivel lokal.
Gjatë tërë kësai kohe sa është në pushtet qendror PDS me në kry z.Millo Gjukanoviq, Ulqini ka pësuar rënien më të madhe ekonomike ,në rend të parë ka pësuar shkatërrimi i resurseve turistike dhe objekteve të tjera industriale me rëndësi jetike për banorët e kësai Komune.
Sjellja e fundit e z. Gjukanoviq dhe  tentimi i tij i shtypjes së vlerave demokratike të popullit autokton shqiptar do të duhet të jetë alarm për qendrat e vendosjes së Bashkimit Europian ,pjesë e të cilit Mali i ZI aspiron që të bëhet, kurse për Tiranën dhe Prishtinën zyrtare do të duheshin të konsideronin rishqyrtimin e marrëdhënieve me një “lider” të Ballkanit me mentalitet mesjetar i cili n’a përkujton kohën e kaluar të Millosheviqit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Gjukanovic Millo, shqiptaret i mban ne kontroll, xheladin Zeneli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4846
  • 4847
  • 4848
  • 4849
  • 4850
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT