• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Basha: Të bashkuar në 20 shkurt

February 16, 2014 by dgreca

Partia Demokratike mblodhi të dielën aktivin e Tiranës, gjatë të cilit kryedemokrati Lulzim Basha bëri thirrje për pjesëmarrje masive në protestën parlajmëruar, në 20 shkurt në Tiranë. “Në 20 shkurt, në 23 vjetorin e rrëzimit të monumentit të dikatorit Enver Hoxha, nga sheshi kryesor i Tiranës, nisim marshimin e protestës së madhe popullore kundër mashtrimeve të maxhorancës Rama-Meta”, tha kryetari Basha në fjalën e tij.

Sipas tij, 20 shkurti është gdhendur në histori si dita e madhe e Tiranës demokratike, që 23 vite më parë bëri e para hapin për një Shqipëri pa diktaturë. “Ftoj të gjithë në sheshin historik,  23 vjeçaret e sotëm që lindën në liri. Të gjithë në shesh për t’i përcjellë zërin e fuqishëm të bashkimit qeverisë Rama- Meta”, tha më tej kryedemokrati.

Gjatë aktivit të Tiranës, Basha bëri të ditur anëtarësimin e një numri të rinjsh në Partinë Demokratike, që sipas tij bashkohen me të djathtën si reagim përballë një qeveri që po shkel me këmbë aspiratat e tyre.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Lulzim Basha, me 20 shkurt, te bashkuar

MARSH I LIRISË

February 16, 2014 by dgreca

P o e m ë nga Rustem GECI/

( E kuqja nuk vjetërohet/
e kuqja nuk harxhohet/
është lëng i përditshëm/
është gjak i përjetshëm! )/

Tek po pija kafenë e mëngjesit /
një zë shumëzohej nga qyteti/
lashë kafenë, dhe dola në rrugë/
në Prishtinë kudo kryengritje/

Ajo këngë e zëshme e Kosovës/
ai zemërim gjigand i studentëve/
bekimin e kishte nga populli/
që të ndjek udhën e histories/

O sa më gëzoi ai himn i rinisë
O sa më gëzoi mua Prishtina
në tëra ato duar të bëra grusht
unë pashë urtësinë e një vullkani

Enkeleda, unë më i vogli poet
një qytetar i thjeshtë dhe pa tituj
i mblodha vet këto pika të gjakut
që ky marsh i lirisë të shkruhet!..

2
————————————
Studentët, loçkat e shpirtit
më të mirët e kombit, më të
dashurit; më të patremburit
më të zgjedhurit, faqekuqët
thyen xhama, pasqyra, orendi
goditën figurën e pushtuesit
për ta nxjerrë në shesh të
vërtetën, dhe atë ferr të bërë
Në kryengritjet 1968 – 2000
mbi rininë trime të Kosovës
u sul e gjithë ushtria e serbit
individ të muzgut, karkalecë
polic me medaljone krimesh
njerëz me urejtje të pëtejme
specialistë të ndëshkimeve
titistë me babë dhe me bir
Udbëistë të çajtoreve, berberë
miq të armiqve të sofistikuar
drejtorë bankash, sindikalistë
gjykatës me pozita në shtet
iu sulën rinisë së Kosovës
moshës sonë më trimërore

3
———————————–

Në ato vite të kryengritjeve
dhe të urtësisë së vullkanit
Një natë në Prishtinë ; në
Tavnik e në Ferizaj; në Pejë
e Prizren ; në Gjilan dhe në
Gjakovë; në Tetovë e Ulqin;
në Prizren e Skënderaj, në
Preshevë e Kumanovë; në
Mitrovicë dhe në Medvegje
edhe ëndërrat kullonin gjak

Prej se njihen të mbjellat
dhe prej se njihen të korrat
Kosova të bukurën e ka
në gjuhë, në armë, në luftë
flisnin gjyshet dhe gjyshërit
Në traktet e viteve 1981
të çdoditshme ishin thirrjet;
vullneti popullit nuk shkilet
vullneti i popullit nuk jepet
vullneti popullit nuk shuhet
as me tanke, e as me burgje

4
————————————-

Në ato vite të pushtimit serb
shqiptarët ishim të kërcënuar
natën, ditën, në rrugë, në punë
sulmoheshin shkollat shqipe
sulmohej mielli dhe buka, uji
dhe pemët, mësuesi dhe libri
emri dhe mbiemri, prejardhja
sulmoheshin veshjet, dasmat
kostumi dhe veturat, punët e
ditës, ndenjat e vona, njerëzit
e zakonshëm, të mbjellat dhe
bujku, të drejtat e festave, dhe
fëmijët tanë arrestoheshin, sa
herë festonin festat e betejave
Në ato vite të pushtimit serb
serbët pakicë na gjenociduan
të përkrahur nga Beogradi
shtienin në çdo gjë shqiptare
vrisnin që të shpërnguleshim
nga tokat tona stërgjyshore
Në ato vite të gjenocidit serb
në sofër të familjes shqiptare
mungonin fëmijët, shija dhe
ngjyra, e një Kosove të lirë!

5
————————————-

Në Kosovën e atyre viteve
Prishtina, kryengritësja jonë
u ngrit lotët t´i kthejë në gurë
në grushte, në armë, në beteja

Zullumi këputet prej s´trashi
shkruan në librin e urtësisë
Prishtina , trimja e Kosovës
pështynë ekranin e televizorit
natën e zezë pis, dhe ngritet
shtypjen me grusht ta mbys!..

Vlimeve e mëdha të Kosovës
militantë të luftës thërrisnin
të bëhemi me më shumë veta
të bëhemi më shumë grushta
që lirinë ta ngrejmë me duar

Preshevë, Shkup dhe Tetovë
të mblidhemi në sheshet tona
që Kosovën ta bëjmë të lirë
të bukur dhe të përbashkuar

6
———————————-

Kosovë, bëje dorën grusht
është çasti i sprovës sonë
mbaje sqimën, mos u tremb
Prishtina sonte s´ ka gjumë
ajo do që të jetë në betejë
kudo që ka një prangë
kudo që shkilet një varg

Unë, më i vogli poet , më i
vockli, një banor i Kosovës
i mblodha këto pika gjaku
ky marsh i lirisë të mos humbet

Kosovë, sonte s´ jam poet
sonte jam i njëjtë s´ i ju
dhe kam aq gjak në trup
të jemi së bashku për liri

Prishtinë,e bukura Kosovës
këngën mos e le të të ikë
mbaje fort, dhe shtrëngoje
është gjakja jote e shpirtit!

7
——————————–

Algjebra, Zjarri, dhe Shkëlqimi
Kosovën e thërrisnin me zë
bjerni daulleve kundër armikut
zgjoni ata që nuk janë zgjuar
trokitni në shtëpi të gjithsecilit
në të gjitha shkollat dhe qytetet
mbushni rrugët me veten tuaj
të dëgjoj toka, ajri, dhe qielli
se këtë jemi! Dhe gjallë jemi!..

Liri, unë e ti jemi Kosovë
liri, unë e ti jemi Shqipëri
liri, unë e ti jemi Iliridë
liri, unë e ti jemi Preshevë
liri, unë e ti jemi Ulqin
liri, unë e ti jemi Çamëri
liri, né jemi më shumë se kaq
liri, të gjithë jemi shqiptarë!..

Prishtina të rënët i këndon
dhe e ruan kujtimin për ta
në himnin kuqezi të këngës
në himnin kuqezi të fitores

8
—————————————–

O i plagosur që qan me shiun

Të gjitha kohërave gjak u dhamë
në beteja të luftës e burg të rëndë
gjak dhamë për tokë e për qiell
gjak dhamë që të rrojmë më mirë

Të gjitha kohërave gjak u dhamë
që atdheut t´i japim veten tonë
që diellit t´i themi mirëmëngjes
që lirisë t´i themi këtu të kem

Të gjitha kohërave gjak u dhamë
në Trojën e parë Trojën e ndanë
në Trojën e dytë Trojën e vranë
në Trojën e tretë turqit na ranë

Të gjitha kohërave gjak u dhamë
të lirë të rrojmë në vendin tonë
gjak dhamë për tokë e për qiell
gjak dhamë që të rrojmë më mirë

Poezi nga libri “Kanuni poetik”

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: P o e m ë nga Rustem GECI/, Rustem Geci

Rusofilia e serbofilia s’duhet të zëvendësohen me turkofili

February 16, 2014 by dgreca

Është qesharake të shtrojmë pyetjen a ishin më pak mizor serbët, turqit apo grekët? Është më e arsyeshme të përqendrohemi në aleancat properëndimore më ata që s’na përgjakën asnjëherë gjatë historisë. /

Nga Gani MEHMETAJ /

“Në përputhje me traditën që ekzistonte më parë… të gjithë djemtë e vashat e tyre u kapën dhe u bënë robër, ndërsa meshkujt e rritur u mblodhën dhe u lidhën me zinxhirë…”. “Arsyeja e kësaj në Shqipëri ishte se raca shqiptare është bërë e tillë që në karakterin e saj kanë hedhur rrënjë mosbindja, këmbëngulja, rebelimi e arroganca. …Ata derra qenë nënshtruar dhe kishin pranuar zinxhirin vetëm nga tmerri prej kordhës gjakderdhëse të Sovranit… Atëherë u dha urdhri të shtroheshin në bindje ata harbutë të pafe. Për këtë arsye, në çdo vendqëndrim sillnin para Sovranit fitimtar meshkujt e lidhur me zinxhirë që luftëtarët guximtarë e të shkathët të islamit me një të rënë të shpatës, – fap fap – i ekzekutonin…. Pati ndalesa ku u shkuan në shpatë deri në tre mijë, katër mijë, shtatë mijë të pafe”.

“Prej kufomave të shumta, lugina të thella tanimë ngjasonin si të ishin kodra… Të gjithë djemtë e vashat e tyre u kapën dhe u bënë robër, ndërsa meshkujt e rritur u mblodhën dhe u lidhën me zinxhirë. …Të shtyrë nga kjo frikë, të pafetë që kishin mbijetuar pranuan të bëheshin shtetas të shtruar osmanë dhe të paguanin xhizjen e përcaktuar nga Sheriati, si dhe taksat e zakonshme”, shkruan në kronikën e tij Tursun Beu. .
Ka ndonjë shqiptar me mend në kokë, pasi ta ketë mësuar edhe këtë fakt që do të thoshte  se turqit ishin më të mirë se serbët, grekët e rusët?  Ka fytyrë dikush të shpif kinse u islamizuam me dëshirë? Njeh dikush shqiptar që i di 36 shkronjat, që do të vazhdoj të mbroj diçka që s’mund të mbrohet? Në mbrojtje të turqizmit e islamizmit nëpër faqe elektronike kryekëput janë gjysmë analfabetët e ndonjë mercenar shqipfolës, të cilët e flasin dhe e shkruajnë për faqe të zezë gjuhën tonë.

Me kot përpiqet edhe Abdi Baleta t’i veçoj turqit, të cilët sipas tij duhet t’i duam, ndërsa t’u ruhemi Serbisë, Greqisë e Rusisë. Ku dallonin Turqia, Serbia e Greqia në mizoritë ndaj shqiptarëve? Askund. Por koha e mizorive ishte e ndryshme. Kujtesa historike nuk mund të shlyhet me një të rënë lapsi as me ca lira turke që janë shpërndarë gjithandej. Turqia duhet ta dëshmojë miqësinë, por jo me nxitje të përçarjes fetare përmes mercenarëve të vet.  Një mike me tregoi në FB se vetëm Arabia Saudite ka dhënë 70 milion dollarë për përhapjen e vehabizmit. Po Turqia e Irani për përhapjen e islamizmit agresiv, sa kanë dhënë në Kosovë e në Shqipëri? Vëllazëria myslimane e Egjiptit më rrëmujë brenda shtetit të vet, sa para u jep ithtarëve në Kosovë? A janë futur këto fonde edhe në xhepat e 30 deputetëve të LDK-së në Kuvendin e Kosovës? Nëpër kuluare dyshohet më të madhe.  “Deputetë-talibanë”, kanë nis t’i quajnë nëpër kafenetë e Prishtinës.
Pra nuk duhet t’u ruhemi vetëm Serbisë, Greqisë e Rusisë, por edhe Turqisë, Iranit, Arabisë Saudite e Egjiptit. Të gjitha këto shtete janë rrezik real me talibanizmin e tribalizmin.

Baleta në një thirrje publike na këshillon t’i hidhemi në përqafim Turqisë!? Pse? Sepse sipas tij është i vetmi shtet që po na i hap dyert. Me çka po na i hap dyert: me korruptimin e bizneseve, e të politikanëve tonë, me rekrutimin e shqiptarëve për luftë kundër sirianëve, me blerjen e hoxhallarëve që flasin pastaj kundër personaliteteve shqiptare.

Sa për freskim kujtese: Çekia e vogël e Vacllav Havelit dha më shumë ndihma materiale e mbështetje morale se sa Turqia e madhe. Mos ti përmendim SHBA-n që na shpëtoi, Britaninë e Madhe që i futi e para trupat tokësore në Kosovë e na çliroi, pastaj Gjermania, Italia. Madje edhe Franca bëri më shumë se sa Turqia sot e dje.

Ti quash të gjithë ata që s’ta pranojnë këshillën për dashurinë ndaj turqve, filoserb e filorus, është diskualifikim tipik stalinist.

Nuk mendoj se duhet ta kemi aleat strategjikë Turqinë, por SHBA-n, Gjermaninë e Britaninë e Madhe. Nuk duhet të ndryshojmë kursin properëndimor me asnjë çmim. Është gabim fatal po e bëmë një gjë të tillë.

Si do t’i dukej A. Baletës po e tha sipas simpatisë fetare shqiptari ortodoks se Greqia është shpëtimtari ynë? Vetëm shpirti i shitur apo mendja e skllavëruar do ta thoshte një gjë të tillë për Greqinë e për Turqinë.

Ndërkaq, rusofilia të cilën e dramatizon aq shumë Baleta është një episod enverist, mbetjet e të cilit besoj janë fare të pakta në Shqipëri, nga ndonjë plak i rrjedhur, që e kujton me nostalgji rininë e humbur, ndërsa serbofilia (apo jugosllavofilia) ka shkulm nostalgjie në Kosovë e Maqedoni, por jo sa të krijojë rreziqe. Duhet të ndryshojmë mendësi e jo të bëjmë turrë e vrap të hidhemi në përqafim të atyre që na vranë e na përvëluan.

Kemi aleatë që bënë shumë për neve. Ata nuk do të na braktisin, na e përsëriti zyrtari i lartë amerikan në Bruksel.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Gani mehmetaj, Rusofilia, serbofilia, turkofili

Gibbon dhe roli i dyfishtë i Skenderbeut

February 16, 2014 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Në Londër më 17 shkurt 1776 botohet vëllimi i parë i librit “Tkurrja dhe rënia e Perandorisë Romake” nga Edward Gibbon (1737 – 1794). Gibbon ishte historian anglez dhe anëtar parlamenti.Puna e tij më e rëndësishme, “Historia e tkurrjes dhe rënie së Perandorisë Romake”, në gjashtë vëllime u botua mes viteve 1776 -1788. Libri është i njohur për prozën ironike dhe cilësore, përdorimin e burimeve primare, dhe kritikat e hapura ndaj fesë së institucionalizuar. Gibbon ishte ai që krijoi shprehjen mb Shqipërinë si “një tokë që shihet nga brigjet e Italisë, dhe njihet më pak sesa brendësitë e Amerikës”.

Në vëllimin VI të librit te tij, Gibbon i kushton rreth 10 faqe Gjergj Kastriotit – Skenderbeu. Gibbon përgëzon Marin Barletin për hollësitë nga jeta e Skënderbeut, por edhe kritikon autorin herë-herë për pasaktësi, për shembull, kur Barleti thotë se Gjergj Kastrioti u muar peng  në moshën 9 vjecare nga Sulltan Muradi, ndërsa këtij i duheshin edhe 9 vjet të bëhej sulltan.

Gibbon gjithashtu shprehet i zhgënjyer sesi Barleti nuk sjell thuajse asnjë hollësi rreth Gjon Kastriotit, atit të Skënderbeut. Por edhe Gibbon gabon kur thotë se Skënderbeu vdiq me 1466; viti 1468, i përcaktuar nga Fan Noli, tashmë është pranuar si viti i saktë i vdekjes së heroit.

Gibboni i bën gjithashtu një përshkrim karakterit të Skënderbeut: “Sjelljet e tij ishin popullore, por disiplina e tij ishte e rreptë, dhe çdo ves sado i vogël nuk kishte vend në ushtrinë e tij: me shembullin e vet forcoi komandën, dhe nën sjelljen e tij, shqiptarët ishin të pamposhtur sipas medimit të tyre dhe atë të armiqve të tyre”.

Edward Gibbon kritikon edhe kultin e individit; kur fati i një populli lidhet ngushtë me atë të një personi të vetëm, dhe e argumenton këtë me ngjarjet që pasuan pas vdekjes së Skënderbeut; “Shkatërrim i menjëhershëm i vendit të tij mund të kontribuojë për lavdinë e heroit, por, sikur ai t’i kishte peshuar pasojat e dorëzimit dhe të qendresës, një atdhetar ndoshta nuk do ta kishte pranuar garën e pabarabartë e cila do të varej nga jeta dhe gjenialiteti i një njeriu të vetëm” (shqiptarët nuk do të kishin ikur masivisht, dhe vendit nuk do t’i ishin dashur 500 vjet për t’u rimëkëmbur nga goditja hakmarrëse e osmanëve).

 

Filed Under: Featured Tagged With: Astrit Lulushi, Gibbon dhe roli i dyfishtë, i Skenderbeut

VATRA FESTOI ME MADHËSHTI 6 VJETORIN E PAVARËSISË SË KOSOVËS

February 16, 2014 by dgreca

 Nga Dalip Greca/

 Të dielën në mesditë Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” dhe bashkësia Shqiptare nisën festimet e 6 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Ishte një festë  madhështore e mbushur me emocione, ku kishin ardhur jo vetëm nga Nju Jorku dhe Nju Xhersi dhe Kënektikat fqinjë, por edhe nga Uashingtoni, Virxhinia, Portland (Oregon), Çikago, madje edhe nga Kosova e Tirana. Salla e dekoruar me flamuj amerikanë, shqiptarë dhe atë të Republikës së Kosovës, hijeshohej dhe me dy figurat Simbol të Kosovës, portertet e dr. Ibrahim Rugovës dhe e heroit kombëtar Adem Jashari. Festa përcillej tek moshat përmes pjesmarrjes masive të fëmijëve dhe të rinjëve. Ishte një festim familjar përmes një familjeje të madhe siç është Vatra 102 vjeçare.

Në festimin e Vatrës ishin të pranishëm edhe shumë mysafirë si: Z. Gilbert Galanxhi, Ambasador i Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë i R.Sh. në Sh.B.A me bashkëshorten, zv/ Shefi i Misionit Shqiptar në Kombet e Bashkuara z. Petrika Jorgji me zonjën,Konsulli i Kosovës Korab Mushkola, Minister Keshilltar ne Ambasaden e Republikes se Kosoves ne Uashington, zoti Sami Kastrati,Konsullja e Republikes se Shqiperise ne Nju Jork, zonja Irena Dai. Mysafire nderi: Prof. Jusuf Buxhovi, Profesor Muharrem Digzhiu me bashkeshorten, Pinjolli i familjes se Hasan Prishtines, Ferki Veliu me bashkeshorten Patricia. Po ashtu kishte ardhë edhe kryetarja e degës së Vatrës në Washington znj. Mertia B McCormack me bashkëshortin John e fëmijët.

Takimin e ka hapur zëvendës /kryetari i Vatrës, z. Agim Rexhaj, i cili u uroi mirëseardhjen të pranishmëve, duke uruar: Ta Gëzojmë së bashku Pavarësinë e Kosovës! Duke iu drejtuar personaliteteve diplomatike dhe përfaqësuese, dhe të gjithë pjesmarrësve, z. Rexhaj tha: Në emër të Kryetarit të Vatrës Dr. Gjon Buçaj,në emër të Kryesisë dhe të  këshillit të përgjithshëm , në emër të gjitha degëve të Vatrës në ShBA dhe Kanada Ju përshëndes dhe ju uroj Gëzuar Gjashtë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Në këtë përvjetor por edhe përvjetorë të tjerë do të kujtojmë me nderim të madh burrin mendjendritur të idealit shqiptar Presidentin historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, arkitektin e lirisë, demokracisë dhe të pavarësisë së Kosovës, njeriun e vizionit historik për Kosovën e popullin Shqiptar, njeriun dhe heroin e paqes, simbolin e pavarësisë së Kosovës.

Në këtë përvjetor të pavarësisë, tha Rexhaj, i kujtojmë me nderim të rënët e të gjithë brezave, që u sakrifikuan për Kosovën. Sot përkulemi para kujtimit të lavdishëm të flijimit sublim të komandantit legjendar, Adem Jashari dhe familjes së tij, duke kujtuar edhe komandantët legjendar Sali Çekaj, Agim Ramadani, Zahir Pajaziti, e të tjerët.

Mirënjohje dhe falenderim të gjithë Shqiptarëve kudo që janë që e ndihmuan Kosovën në ditët më të vështira, Shqiptarët në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë, Çamëri dhe diasporë.

Mirënjohjen e thellë dhe falenderimin e madh edhe botës demokratike, mikut tonë të madh dhe të përjetëshëm SHBA, NATO-s dhe gjithë miqve tanë të shtrenjtë anekënd botës që ndihmuan Kosovën në proceset e vështira e historike të çlirimit, të vendosjes së paqes dhe të ndërtimit të demokracisë e të rimëkëmbjes pas luftës shkatërruese.

Të falenderojmë dhe të përulemi me respekt para rolit dhe kontributit të madh të shqiptarëve të Amerikës.

Fjalimin përshëndetës, zv/kryetari i Vatrës e mbylli me urimin: Uroj që të kalojmë një pasdite të gëzueshme dhe me hare; edhe me më shumë vite të tjera së bashku, në harmoni, paqe e liri me shpresën se në një të ardhme jo të largët, degët e Shqipes do të bashkohen rreth trungut Kombëtar, dhe në vitet në vijim ta festojmë, së bashku me pavarësinë e Kosovës edhe bashkimin e kombit shqiptar !Më pas ai ka prezantuar moderatoren e veprimtarisë festive, zonjën Rafaela Prifti.

Festa ka vazhduar me përcjelljen e Himneve Kombëtare të SHBA-së, Himnit Shqiptar dhe të Kosovës, që u intepretuan nga këngëtarja e re Dea Elezaj e shoqëruar nga orkestra “Alba” nën drejtimin e mjeshtrit Edmond Xhani.

Lutjen fetare e ka bërë Imam Edin Gjoni, i Qendrës Islame Shqiptare në Quins. Lutja e Imam Edin Gjoni nisi urimin:Paqa dhe Bekimi i Zotit Qoftë me Ju!Ai uroi pjesmarrësit, përfaqësuesit e diplomacisë shqiptare, kryetarin e Vatrës dhe të gjithë vatranët.

Sot, tha Imam Edin Gjoni, është dita kur kujtojmë rezistencën e parreshtur, pothuajse një shekullore të popullit kosovar, popullit dardan, kundër regjimit zullumqar të Serbisë. Në kvtë ditë tha ai, kujtojmë guximin e atij grupi të rinjësh të cilët do ta themelonin Ushtrinë Çlirimtare të Kosoëvs, për të dalë vendosmërisht përpara atij pushtuesi gjakpirës dhe përballë me të, ndonëse më të dobët me qindra herë ushtarakisht, por me mijëra herë më të fortë moralisht, të gatshëm për të dhënë edhe jetëne vet, për atë copë të shtrenjtë dhe’u, që ishte dhe është i tyre, për të ruajtur dhe për të mbrojtur nderin dhe dinjitetin njerëzor dhe Kombëtar Shqiptar, për të folur lirshëm gjuhën e vet shqipe. Për të ecur vendit të vet pa u fyer, ofenduar, rrahur, madje vrarë: Për ta besuar dhe ndjekur lirshëm fenë e vet, pa u përqeshur me të, për ta mësuar pa çensurë Letërsinë dhe Historinë e vet dhe më në fund për të vendosur vetë për fatin e vet. Mbi të gjitha, tha Imam Gjoni, kjo është edhe dita ku pikërisht para gjashtë vitesh ëndrra shekullore realizohet në një ditë të ftohtë të shkurtit, në pergamentin 700 vjeçar, u vendosen firmat për të nënshkruar njëherë e përgjithmonë, ajo që quhet ”Deklarata e Pavarësisë së Kosovës’.

Imam Edin Gjoni do ta mbyllte lutjen e tij: Ja rris Lavdinë Zotit për këtë mirësi të paskajshme që na e dha Shqipërinë dhe Kosovën!

Lavdi dëshmorëve tanë me në krye Heroin Adem Jasharin! Qofshit nën prehjen e Zotit të mëshirshëm! Ia rris nderin të gjithë shteteve mike dhe aleatëve tanë, e sidomos një miku tonë të pahile, që na përkrahu në ditët më të vështira, kur ishte çështja”Të jeshë apo të mos jeshë”!, dhe akoma vazhdon që të na ndihmojë, atë me të cilët Zoti i madhërishëm, e lidhi fatin e të qenurit tonë dhe suksesit tonë, si Komb dhe si shtet, Kosovë e Shqipëri, e kam fjalën për këtë tokë të bekuar ku jetojmë, SHBA.

Zoti e bekoftë Kosovën dhe Shqipërinë! Zoti e bekoftë popullin shqiptar kudo ku jeton, Zoti I bekoftë ët gjitëh miqtë dhe aleatët tanë!

Zoti e bekoftë SHBA!

Urime Pavarësia e Kosovës!-përfundoi Imam Edin Gjoni, i përcjellë me duartrokitje.

z. Gilbert Galanxhi, Ambasador i Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë i R.Sh. në Sh.B.A, përshëndetjen e tij e nisi me urimin: Kosovës sonë heroike ju bëftë dita njëmijë! Gëzuar ditëlindjen Kosovë! Bekuar qoftë liria e pavarësia! Bekuar qofshin shqiptarët kudo që jetojnë e punojnë!

Për mua, tha ambasador Galanxhi, ashtu si edhe për të gjithë ju, është emocionues fakti që sot festojmë përvjetorin e pavarësisë së Kosovës këtu tek “Vatra” e shqiptarëve, tek foleja e dallëndyshes së parë shqiptare që paralajmëroi ardhjen e pranverës së lirisë e të bashkimit të kombit, tek “Vatra” e Fan Nolit dhe Faik Konicës, e Kristo Floqit dhe Llambi Chikozit, e Elia Tromarës dhe Naum Çeres, e Kosta Kottës dhe e shumë e shumë patriotëve të tjerë, që të vendosur për bashkim e veprim kombëtar, për shpëtimin e Atdheut, themeluan në 28 prill 1912 këtë fole patriotike që ka mbajtur, mban e do të mbajë gjallë shpirtin patriotik kombëtar shqiptar.

Gjashtë vjet më parë, tah ambasador Galanxhi, dëshira shekullore e pothuajse gjysmës së kombit shqiptar u bë realitet falë heroizmit të luftëtarëve të lirisë, që shtuan në Flamurin tonë kombëtar edhe gjakun e tyre, për ta bërë këtë flamur akoma më të bukur, akoma më krenar, akoma më të pavdekshëm. Përjetë i nderuar dhe i paharruar qoftë kujtimi i martirëve të Kosovës heroike!

Gjashtë vjet më parë, shteti më i ri i Europës nisi rrugëtimin e tij demokratik plot energji e besim, pasi këtë herë në timon kishin Prishtinën që i drejtoi drejt Brukselit, drejt Washingtonit, drejt botës së lirë dhe demokratike. Dhe sot, vetëm gjashtë vjet më vonë, shtetin e ri të Kosovës e kanë njohur më shumë se gjysma e shteteve të botës; dhe ajo që është më e rëndësishme është se e kanë njohur dhe mbështesin miqtë më të mirë të Kombit Shqiptar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës – Thank You U.S.A.! e kanë njohur dhe mbështesin shtetet demokratike më të rëndësishme të globit e të Bashkimit Europian, që dita-ditës po i hapin portat e mirëseardhjes e bashkëpunimit – Faleminderit të gjitha demokracive perëndimore dhe shteteve mike të Kosovës!

Embëlsira gjithmonë lihet për në fund – dhe ajo i takon Diasporës së kombit shqiptar këtu në Amerikë, që me përkushtim e patriotizëm të pashoq ka punuar e luftuar çdo minutë e çdo ditë, çdo çast e çdo vit për të ardhur kjo ditë e bekuar – dita e lirisë – që sot po festojmë. Bekuar qofshi Ju dhe para-ardhësit Tuaj fisnikë, trima e të mençur, që bënë dhe vazhdoni të bëni mrekullinë, bënë dhe bëni që Amerika da dojë Shqiptarinë.

Le ta gëzojmë këtë ditë, por të mos harrojmë se kemi akoma punë për të bërë në dobi të Kombit e Mëmëdheut.

Por, për një gjë jemi të bindur: “Ditë të mira paskëtaj vijnë; Lum kush të rrojë, ta shohë Zonjë!”

Edhe një herë: Gëzuar Pavarësinë Kosovë! , përfundoi përshëndetjen e vet ambasador Galanxhi.

Mysafiri nga Kosova Prof. Jusuf Buxhovi, autor i librit enciklopedik ”Kosova, nga Konferenca e Londrës deri tek Protektorati Ndërkombëtar” i sapo botuar ehde në gjuhën angleze, u prit me duartrokitje. Ai përcolli mesazhin e shqetësimit intelektual për gjendjen reale të Kosovës dhe rrezikun që vjen nga shmangia e intelektualëve. Ai kujtoi se ishin intelektualët ata që në hyrje të vitit ’90 me në krye presidentin historik dr. Ibrahim Rugova erdhën në Uashington dhe paraqitën kauzën e lirisë të Kosovës së robëruar. Po ku janë sot intelektualët? Ç’po ndodh sot me Kosovën, ku ushtrusja e genocidit ndaj saj, po anëtarësohet në BE? A mund të ngrihet ndonjë kurth në udhëtimin e vështirë të Kosovës, ku pavarësia të vihet në rrezik? Ai kërkoi kontributin e Shqiptarëve të Amerikës, për t’i bërë apel Amerikës, aletatit tonë besnik, që të mos rrezikohet projekti i Kosvës së lirë, që ka për arkitekt SHBA.
Nga fundi i viteve të tetëdhjeta, tha Prof. Buxhovi, kur lëvizja jonë kombëtare e drejtuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, nën moton për liri, demokraci dhe barazi nisi procesin e pandalshëm historik të shkëputjes nga pushtimi serb dhe të rrënimit të ideologjisë komuniste, ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat jo vetëm që inspiruan këtë proces historik, por u vunë në mbrojtje të tij, duke garantuar edhe sukesin e tij, po qe se shqiptarët do të silleshin në përputhje me parimet e qytetërimit perëndimor dhe të përkatësisë ndaj tij. Koha tregoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbajtën premtimin, gjë që për ta nxjerrur Kosovën nga pushtimi i gjatë serb, krahas diplomacisë, e cila nganjëherë dukej se lëshonte pe ndaj Beogradit, përdorën edhe ultima ration, siç ndodhi gjatë fushatës ajrore të mars-qershorit të vitit 1999. Shtet e Bashkuara të Amerikës, po ashtu, ishin ato që i dhanë fund gjendjes së protektoratit ndërkombëtar, duke u vu në anën e pavarësisë së Kosovës, e cila do të shpallet më 17 shkurt të viti 2008.
Por, siç po shihet, në përvjetorin e gjashtë të pavarësisë, Kosova më shumë se kurrë ka nevojë për ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të aleatit të madh, për të parandaluar procesin e degradimit të sovraniteti të saj shtetëror, që ka filluar nën trysninë e vendeve evropiane, të cilat, në emër të gjoja parimeve europiane të mbrojtjes së të drejtave të pakicave, në Kosovë,, gjithnjë e më shumë po e involvojnë interesin e Serbisë! Ky zhvillim i dëmshëm, që si po shihet, mund të prodhojë realitete të tilla politike, që mund të çojnë te ndarja e Kosovës sipas kutit serb, jo vetëm që nuk do të jetë në përputhje me të ashtuquajturën politikë të integrimeve evropiane, por për të kundërtën, ngaqë degradimi i mëtutjeshëm i sovranitetit shtetëror të Kosovës, do të çojë te kthimi i Serbisë në një faktor rajonal, pa marrë parasysh se ajo, deri më dje prodhoi luftra dhe gjenocide. Po ashtu, degradimi i sovranitet shtetëror të Kosovës në dobi të Serbisë, nuk mund të jetë as në interesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës,të cilat, janë angzhuar aq shumë për lirine dhe pavarësinë e Kosovës.
Andaj, është koha e fundit që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të ndërhyjnë që të mos lejojnë të persëritet historia tragjike, të cilës shqiptarët u kanë paguar çmim të madh.

Kanë përcjellë përshëndetjet e tyre Konsulli i Kosovës Korab Mushkola, zv/ Shefi i Misionit Shqiptar në Kombet e Bashkuara Petrika Jorgji dhe ansambelisti i shtetit të Nju Jorkut, Mark Gjonaj.

Të pranishmit u argëtuan nga Gëzim Nika, Mithat Saliu(Kino), Kleopatra Skarço- Dokle dhe orkestra “Alba” nën drejtimin e mjeshtrit Edmon Xhani. Poeti Ilir Spata recioti një  poezi të  tij kushtuar dëshmorëve të Kombit.

 

 

 

 

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: dalip greca, festuan 6 vjetorin e pavaresise, vatar dhe bashkesia shqiptare

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4856
  • 4857
  • 4858
  • 4859
  • 4860
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT