• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Protestat janë gur prove për shoqërinë demokratike!

February 13, 2014 by dgreca

Nga Faik KRASNIQI/

Në një shoqëri demokratike qytetarët kanë të drejtë të grumbullohen në mënyrë paqësore dhe të protestojnë kundër politikës së qeverisë apo kundër veprimeve të grupeve të tjera me demonstrata, marshime, peticione, bojkotime, greva dhe forma të tjera të veprimit të drejtpërdrejtë të shtetasve.
Veprimet e drejtpërdrejta janë të mundshme për të gjithë në një shoqëri demokratike, por zakonisht janë përdorur nga grupet e shtypura, të papërkrahura apo grupet e pakicave, të cilët kanë qenë të përjashtuar nga çdo mundësi tjetër për të ndikuar në politikën qeveritare. Protesta të tilla kanë qenë gjithmonë pjesë e shoqërisë demokratike. Në ditët tona, protestat paqësore, që shpesh synojnë të tërheqin vëmendjen e mjeteve të informacionit, përfshijnë një varg të gjatë problemesh, duke filluar nga ndotja e mjedisit deri te armët bërthamore, çështje të politikës ndërkombëtare dhe diskriminimi racial dhe etnik. Formë e veçantë e veprimeve të drejtpërdrejta është e drejta e sindikatave për të organizuar greva kundër punëdhënësve, me të cilët ato kanë mosmarrëveshje që nuk janë zgjidhur me anë të bisedimeve.
Protestat janë gur prove për çdo shoqëri demokratike. Idealet e shprehjes së lirë dhe të pjesëmarrjes së shtetasve në jetën e shoqërisë mbrohen lehtë kur të gjithë tregohen të sjellshëm dhe pajtohen për çështje kryesore. Por kur protestuesit dhe objektet e protestës së tyre nuk pajtohen për çështjet kryesore, mosmarrëveshje të tilla mund të jenë të zjarrta dhe të acaruara. Në të tilla raste mbetet vetëm një mundësi, ajo e ruajtjes së ekuilibrit, e mbrojtjes së të drejtës për lirinë e fjalës dhe të grumbullimit, gjithmonë duke mbrojtur rendin publik dhe duke kundërshtuar çdo orvatje për kërcënim ose përdorim dhune. Të shtypësh një protestë paqësore në emër të ruajtjes së rendit, do të thotë t’i hapësh rrugën shtypjes; të lejosh protesta të shfrenuara e të dhunshme, do të thotë t’i hapësh rrugën anarkisë.
Për arritjen e një ekuilibri të tillë nuk mund të jepen formula magjike. Në fund të fundit, një gjë e tillë varet nga përkushtimi i shumicës për të mbrojtur institucionet e demokracisë dhe parimet e të drejtave të individit. Shoqëritë demokratike janë në gjendje të përballojnë edhe mosmarrëveshjet më të hidhura midis shtetasve, me përjashtim të atyre mosmarrëveshjeve që kanë të bëjnë me përligjjen e vetë demokracisë.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: demokracine, faik Krasniqi, gure prove, Protesta

40 VJET QË E SHKYEN PER GJYMTYRËSH…

February 12, 2014 by dgreca

CILIT  SHEKULL  I  PERKET  KJO  MASAKËR?…/

Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë…/

Ne Foto: Don Mikel Beltoja (17 Prill 1935 – 10 Shkurt 1974)/

Nga Fritz RADOVANI/

Edhe kjo veper kriminale ka ngja në burgjet e Enver Hoxhës në Shkoder! Me kenë se Don Mikel Beltoja ishte Klerik Katolik Shqiptar, Kuvendi Popullor i Shqipnisë nuk e sheh t’ arsyeshme me diskutue dekoratat e diktatorëve terrorist. Krimet e komunizmit,… mund të diskutohen kur “Shqipnia të hyjë në Europë”, po Gjenocidi që asht ushtrue kunder Klerit Katolik Shqiptar jo! Né pikrisht per ato tmerre jemi pranue edhe në “Konferencen Islamike” me 2 Dhjetor 1992. Me çka mburrej Ramiz Alia?

Don Mikel Beltoja ka lé në fshatin Beltojë të Shkodres, me daten 17 Prill 1935, nga Prindët Gjergj e Prenda Beltoja. Nen kujdesin e Imz. Ernesto Çobës u pergatitë per me u ba meshtar në filozofi dhe teologji. U shugurue me daten 8 dhjetor 1961 në Shkoder.  Ishte famullitar në Dajç të Bregut të Bunës, e ma vonë në Barbullush.

U arrestue me daten 19 Prill 1973, pranë familjes së vet në Beltojë. U dënue 7 vjet në gjykaten e Shkodres me 6 Gusht 1973, dhe u ridenue “me vdekje” me 4 Shtator 1973. Vëprimi i tij fetar mbas mbylljes së Kishave, trimnia në predikimin e Ungjillit, forca e fjalës së Tij në edukimin e brezit të rinj, gjithmonë në ballin e luftës kundër ateizmit dhe komunizmit enverian, e rreshtojnë në vargun e Martirëve t Atdheut.

***

Për kohën që ishte i dënuem me vdekje, flet kjo letër e bashkvujtëses zonja Laura Keçi:“Isha 16 vjeç kur u arrëstova dhe shprehja e parë që ndigjova porsa më futën në hetuesi ishte: Ç’ti bësh, po të ishte pak më e madhe në moshë do ta pushkatoja pamëshirë me priftin që sonte… dhe, më futën në një birucë aty afër tij.

Dua të tregoj si e torturonin njeriun e Zotit: Komandanti Basri Temja nga Lushnja i sillte gjellën Don Mikelit, që ishte i lidhun kambësh e duersh me sigjir në birucën e tij, ku prist vëndimin e Tiranës për pushkatim. Gjella si dukët ishte shumë e ngrohët mbasi nga djegëja e sajë ndigjohej virrma e Priftit që nuk mund të kapërdihej. Kur mbyllte gojën dëgjohej krizma e tasit të aluminit që rrokullisej nëpër çimento mbasi ia hidhte fëtyrës “supën” përvluese. Kjo ishte një torturë që përsëritej gati çdo ditë ose edhe dy herë në ditë. Një polic i birucave me emnin Shefik, vinte me çizmët e tija të randa, hapte birucën e Don Mikelit, veç, kur ndigjohej krizma e kockave të kupave të gjunjëve nga shqelmat që i binte të shkretit Prift. Goditjet ishin aq të forta sa që, betohëm, se kam ndigjue me veshët e mij kockat e Don Mikelit tue u thye…

Njëditë, përsonaliteti dhe vëndosmënia e Tij e friksoi antikatolikun Shyqyri Qoku, i cili shfreu dufin e tij patologjik prej sadisti tue e torturue aq shumë fizikisht Don Mikelin, sa, kur më mori mue fillë mbas tij në zyrën e hetuesisë, u tmerova dhe gati nxora zorrë e mushkni nga goja, kur pashë një bluzë të bardhë me të cilën na mbështillnin gjatë torturës, të lame me gjakun e pastër të Martirit dhe me njolla ngjyrë jeshile të bame nga vjelljet, prej shqelmave të tyne…

E mbajta vedin, u kapërdiva dy-tre herë për mos me kënaqë xhelatin e përbashkët të tonin e komandantin që ishte me te. Kur i pashë fëtyrat e tyne të zverdhuna si fëtyra të vdekuni që zbulonte ndërgjegjën e tyne të randueme me krime e, që shpesh edhe i kalonte në bisha të pavetëdijshme, m’u duk sikur po analizonin pafajsinë e Don Mikelit dhe peshën e randë të “fajeve” të mija, që nuk isha aspak ma shumë se 16 vjeçe… mora zemër nga qëndrimi i mpimë i këtyne dy kafshëve të tërbueme e, u thashë: Shihni vehtën në pasqyrë!… Shihni si jeni ba!… Moralisht jeni të dy të mposhtun nga Don Mikeli, ju jeni si të vdekun para Tij, Ai ka fitue mbi ju edhe pse fizikisht ndoshta, Ai asht i shkatrruem, ju jeni të shpartalluem në ndërgjegjën tuej mbasi nuk dini se për çka e torturoni. Kjo asht dëshmia ma e kjartë e fitorës së Jezu Krishtit përmes dyshepullit të Tij Don Mikelit, i cili, ju ban ju, me pa me sy praninë e Jezusit në tokë, kenjën e fuqisë së Zotit këtu, që na jep né forcë për me përballue torturat tueja…

Përgjegja e tyne kje vetëm kjo: Prandej asht tue ju ndihmue…

Kur pashë gjunjëzimin e tyne mora edhe njëherë zemër dhe ju thashë: Pse, ndihmë e vogël ju dukët ju lutja e Tij, ju e torturoni dhe Ai lutët për shpirtin tuej të kacafytun me djallin…Pse, a ndihmë e vogël ju duket ju që unë një vajzë e re nuk frigohëm aspak para jush?… Hë… pse nuk keni forcë me na mposhtë? Ku asht forca e atij kryexhelatit tuej? Veç, një virrëm qeni ndigjova: Dil jashtë… jashtë!… Aq shumë ishte torollosë sa kishte harrue se unë nuk kisha si me lëvizë, se isha e lidhun për karrigë. Kur u kujtue komandanti më zgjidhi, urdhnoi policin që ishte mbas dere me më çue në birucë. U shtrina përtokë si zakonisht por e kënaqun… fjeta pak…

Mbas pak kohe më doli gjumi nga zani i fuqishëm i Predikonjësit të Ungjillit. Don Mikeli ishte zgjue para meje dhe po bante lutjen e përditëshme për shpëtimin e shpirtit të torturuesve të Tij: Mos torturoni vëllaun tuej… Jam tue u lutë për shpëtimin tuej edhe pse ju më torturoni mue, kërkoni falje Jezusit, se Ai asht aq i mëshirëshëm sa ka me i falë gjynahet tueja… Mos kini turp me ju drejtue Nanës së Tij, Virgjinës Mari, Ajo asht Nana e gjithë njerëzimit, asht edhe Nana e juej… Pendohuni!..Tregoni edhe Hoxhës e Shehut, se edhe ata që nuk kanë lanë gja pa ba mbi kristjanët dhe besimtarët e Zotit, edhe ata kanë dyert e hapuna tek Zemra e Nanës Mari, tregoni se ndëshkimi i Zotit asht aq i madh për krimet që kanë ba sa fundi i shekujve nuk ka me i shpëtue… Tregoni atyne që me krimet që kanë ba kanë shkretnue familjet Shqiptare dhe kanë vorfnue edhe kombin tonë… Hiqni dorë nga vrasjet e djelmëve, vëllazënve tuej, mos veshni  zi nanat, motrat e gratë Shqiptare që tash sa vjet nuk i kanë hjekë rrobat e zisë… I thoni damave të tyne mos u kënaqni me vrasjët  e gjakun e bijve e bijave të Shqipnisë! Keni harrue se jeni tue vra Shqiptarë! Shkatrruet Atdheun!

Ndigjova se u hap biruca numur 3, ku ishin dy përsona për çështje ordinere dhe u futën në birucën ku ishte tue predikue Don Mikeli. Filluan me i ra me shqelma mbasi torturat që i banin ata Priftit, ishin mjet lehtësues për vuejtjen e tyne. Shpesh ata i çonin në dhomën e Tij për me e zgjue nga dremitja e agonia e vuejtjes së vazhdueshme.

Erdhi një kohë që zani i Tij ndigjohej ma rrallë, filluen me i ba gjylpana për me e vue në gjum. Tashti e kuptoj se i banin gjylpana se, kur fillonte me i ikë efekti, ndigjohëshin gjamët e dhimbjeve e si nëpër gjum fliste: Ah, moj nanë… nuk kam kockë të pathyeme…Ah, sa janë kah më dhambin eshtnat!..

Ai vuante pandërpremje e bashkë me Té edhe unë, që ndigjojshe me veshë dhe, shpesh, nga një vrimë e vogël e derës e shihja tue e marrë rrëshqanë për me e çue në tortura, ose tue e këthye nga zyrat e tmerëshme të hetuesisë ku, vuejtjet ishin ma të mëdha se ata të fundit të ferrit. Asnjëherë nuk e pashë atë njeri tue u këthye me kambët e veta në birucë…por gjithmonë zharg…

Mbas pak ditësh, nuk mora vesh sësi isha zhytë në një gjum deke. Po shihja andrra të llahtarëshme, vuejtje, tortura, gjak, një tmerr i vërtetë më kishte pushtue, u dridhësha si thupra në ujë nga frika, një frikë që nuk e kuptoja nga vjen.

Isha mbushë me vajë, vajë frike apo dëshprimi nuk e kuptoja, një tmerr i vërtetë….isha e lame në djersë… Disi u skapullova kur pashë se jam në birucë por, sidukët, ndër andrra kisha lëshue ndonjë thirrje, veç kur pashë sportelin e hapun të derës prej ku shihej fëtyra e kriminelit Alush Bakalli, që me gisht vërtikal para gojës lëshoi një sh sh sh…t!!, shenjë me të cilin urdhnonte heshtje… Një lëvizje rojesh jo e zakonëshme në atë orë. Nuk dija çka ka ndodhë… Edhe zhurma që më zgjoj ndryshonte, mujta me dallue zanin e katilit Shyqyri Qoku, që i vërriste Don Mikelit: Pusho… pusho, po të tham… Këtë herë dallohej se nuk ishte vetëm. Në atë lamsh mendimësh përzi me zhurmën e vargojve ndigjova zanin e Don Mikelit, e zemra m’u mbush me vajë.

Ishte mjedis kafshëve të egra që donin ta shkynin, e thërriste: “O Jezu Krisht! Zoti em, më jep forcën e fundit, o Shenjtja Mari, Nana e eme e përjetëshme për të fundit herë po të kërkoj, fali vëllaznit e mijë, kij mëshirë për ta se nuk dinë shka bajnë! Fali o Krisht! O Zot ndihmoje Shqipninë me shpëtue nga këta kriminelë komunistë. Zoja e Bekueme, Nana e Krishtit dhe e gjithë Botës, lutju Birit tand Zotit tonë Jezu Krishtit, që të më pranojnë në Mbretninë Qiellore, në duert Tueja të Bekueme ardhët Shpirti em!…Rrnoftë Shqipnia, Rrnoftë Krishti!”

Zani i Tij sa vinte e fikej derisa nuk u ndigjue ma… U mbyllën edhe shulat e dyerve…edhe dryjtë. Isha me sy nga dritaria tue vështrue nëse ndigjohet prap zani i Tij por, kuptova ma vonë se isha ngritë kot për një kohë të gjatë, derisa, u kujtova se iku!

Ai iku në Mbretni të Qiellës…

Jam kenë interesue se çka u ba me Don Mikelin, mbasi e morën atë natë, nga një roje që ndryshonte pak nga të tjerët me emnin N. Ai më pat tregue se janë nisë për Tiranë dhe rrugës i kanë ba një ingjeksion dhe ka vdekë. E kanë çue të vdekun në Ministrinë e Mbrendshme dhe prej aty e kanë futë në një kasetë frigoriferike me nr. 7 (shtatë). Mendonte se Ai asht coptue nga mjekët e besueshëm qeveritarë për studim, nga studentët e fakultetit të mjeksisë së Universitetit të Tiranës.

Atëherë, dhe sot, që ka kalue një çerek shekulli nga kjo ngjarje, i drejtoja dy pyetje vehtës për këtë njeri që torturohej aq mizorisht nga kriminelët komunistë: 1. Pse e torturonin ndryshej nga të tjerët dhe, 2. Ku i merrte forcat Don Mikeli për me përballue ato tmerre vuejtjesh?- Gjithmonë e njajta përgjegje: E para, vetëm pse ishte Prift Katolik dhe e dyta, Ai fliste me Jezu Krishtin çdo çast që goditej nga kriminelët… Vetëm Ai e forconte Até dhe mue…Gjithmonë kam besue se Don Mikeli asht Shenjt i pashpallun në Mbretninë e Qiellit! Ai asht i përjetëshëm në kujtimet dhe lutjet  e mija!

Shkodër, 15 shtator 2000        Bashkëvuejtësja e Tij,  Laura  Keçi  d.v.”

Nga shkrimi i z. Gjergj Kola, në librin “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare”, kam shkëputë pak rreshta për me plotësue portretin e Martirit Don Mikel Beltoja, i cili asht arrestue pse ka thanë: “Dashnia e Zotit asht e përjetëshme, drejtësia e njerëzve asht e përkohëshme… Bashkë me bukën e përditëshme duhet t’i jepni fëmijëve edhe virtytin. Atdheu forcohet nga virtyti i bijve tuej. Dëvotshmënia ndaj Zotit asht dëvotshmëni ndaj Kombit.” Kjo ishte “agjitacioni e propaganda”, për të cilat dënohej Don Mikeli…”

Nga një deshmi e një personi që asht kenë i pranishem kur asht nxjerrë nga dega e mbrendshme e Shkodres kam veçue këte thanje: “Don Mikel Beltojen kur ka shkue terroristi Shyqyri Qoku me e marrë per me e pushkatue, e ka gjetë tue ba lutjen e fundit nder gjunjë…Bashkë me kriminelët tjerë e kanë kapë dhe e kanë shkye per gjymtyrësh, ashtu të vdekun e kanë nisë per Tiranë. Ai ka dalë i shkymë nga Dega e Shkodres… Atë ditë asht kenë data 10 Shkurt 1974.” (Dëshmi gojore nga NP, 1992)

Shpesh, pyes veten: “Cilit shekull i perkasin terroristët Enver Hoxha e pasuesit e tij barbarë, që vazhdojnë me kenë ‘heronjë’, vetem, pse vrisnin e shkynin Klerikë Katolik Shqiptar e Atdhetarë të nderuem? Si mundet me u heshtë perballë këtij Gjenocidi?!”…

Melbourne, Shkurt 2014.

Filed Under: Histori Tagged With: Don Mikel Beltoja, Fritz radovani

KOSOVA – NJË SHTËPI MIKPRITËSE PËR AMERIKANËT

February 12, 2014 by dgreca

  Nga ROZI THEOHARI, Boston/

E takova në Boston mikeshen time, mjeken amerikane Xhenifer Keller, në nëntor 2001, disa javë pasi ekipi i saj ishte kthyer nga Kosova. Ajo më fali një kopje të revistës mjekësore “Dartmouth Medicine” në faqet e së cilës përshkruheshin përshtypjet dhe kujtimet e saj gjatë qëndrimit në Prishtinë. Revista kishte në ballinë fotografinë e zmadhuar të një nëne kosovare që ushqente për herë të parë fëmijën e saj me gji. Universiteti Mjekësor i Dartmouth-it në shtetin Nju Hampshire, USA, bashkëpunoi me Universitetin e Prishtinës,për të rindërtuar sistemin mjekësor universitar, pitalor dhe atë kërkues mjekësor në Kosovë. Ndër të parët që shkoi në Kosovë për hetimin e gjendjes, ishte John Balëin. M.D, dekani i Universitetit të Dartmouth-it, në verën e vitit 1999. Pasuan më tej profesorë e doktorë të specialiteteve të ndryshme mjekësore gjatë viteve 2000 e 2001. Duhen përmendur edhe të drejtat e studimit për të rinjtë kosovarë që studiuan së bashku me ata amerikanë në Universitetin Mjekësor të Dartmouth-it. Personeli mjekësor amerikan në Prishtinë u përball me shumë të papritura, probleme dhe situata të vështira në mjekimin e pacientëve. Paslufta e gjeti vendin me një system spitalor të mjeruar, i gjeti pacientët të sëmurë si shpirtërisht ashtu edhe fizikisht, pa ilaçe e mjete të tjera shërimi. Për shqiptarët nuk ekzistonte sistemi i kujdesit primar shëndetësor në dhjetëvjeçarin e fundit, kur ishin në fuqi serbët. Shume të sëmurë kronikë kishin mbetur pa mjekimet e nevojshme për vite e vite të tëra. Mjekët amerikanë u befasuan nga sëmundjesurpriza si tuberkulozi, ekinokokoza, parazitë të ndryshëm, infeksione të avancuara, kancere etj. Në bibliotekën e Universitetit të Prishtinës librat ishin vetëm në gjuhën serbe, ndërsa librat në gjuhën shqip e anglisht ishin shkatërruar. Pra, çdo gjë u nis nga e para duke u mobilizuar së bashku, miqtë amerikanë dhe mikpritësit kosovarë. Personeli mjekësor I Universitetit të Prishtinës dhe i spitalit, krijuan një atmosferë të ngrohtë bashkëpunimi e përfitimi me kolegët e tyre amerikanë.

NË KOSOVË AJO E NDJEU VETEN DY HERË NËNË

 Ndodhet një kishë e vjetër në ishullin e Nahantit, Mass, diku në një shkëmb pranë bregut, e zhytur gjithmonë në mjegullën blu të oqeanit, ku, dikur, Presidenti amerikan Rusvelt mori pjesë në ceremoninë e martesës së djalit të vet. Në këtë kishë – muze shkoj çdo të diel jo vetëm për t’u falur, por edhe për të takuar miqtë e mirë nahantas, që ruajnë me nderim traditat e paraardhësve të tyre anglezë, në këtë ishull.

Në një nga të dielat e prillit 2001, pas shërbesës fetare, po pinim kafen në kafeterinë e kishës. Vura re se çifti Keller, burrë e grua, të moshuar, po afroheshin te tryeza jonë. Gruaja flokëbardhë, Martha Keller më foli me një zë të butë, tërë

mirësjellje : – “Dikush na tha se ju jeni nga Shqipëria. Ju lutemi, mund t’ju pyesim diçka rreth Kosovës?”

“Sigurisht,” – thashë unë, u ngrita në këmbë dhe tokëm duart të tre.

“Është një surprisë…, vajza jonë Xhenifer, që është doktoreshë, na njoftoi se së shpejti do të niset për në spitalin e Prishtinës,”- foli ajo me një zë që mundohej t’ia ulte dridhjen.

Në sytë e saj unë pikasa merakun e nënës. “Mos u shqetësoni,” – buzëqesha unë. “Kosova tani është vend i lirë.”

Në një copë letër vizatova shpejt e shpejt hartën e Ballkanit dhe shkrova emrat e shteteve. “Ja ku është Prishtina,”- u thashë. Patëm një bisedë të gjatë, të cilën e dëgjuan edhe nahantas të tjerë kuriozë. Çifti Keller donte më shumë informacion rreth këtij rajoni. Së fundi, Martha dukej pak më e qetë, ndërsa burrit të saj, mjekut Keller, gjatë gjithë kohës I ndehej në fytyrë një buzëqeshje miratimi.

Por Martha Kelleri u befasua për herë të dytë, ditën që vajza e saj Xheni mori aeroplanin për në Evropë.

Xhenifer Kelleri është një vajzë e mirë amerikane, me një fytyrë të fisme e të zgjuar. Ajo është një grua e mrekullueshme amerikane, e cila, disa orë para se të niste fluturimin për në Kosovë me bashkëshortin, u lajmërua me telefon nga mjeku I saj se ajo ishte shtatzënë. Ai e këshilloi rreptë që të mos e merrte këtë udhëtim të gjatë, mbasi ekzistonte mundësia e dështimit të fëmijës.

Mbas pesë vitesh martese, të gjitha çiftet janë disi të shtangura e të lumtura kur mësojnë se së shpejti do të presin fëmijën e tyre të parë. Ata dëshirojnë ta ndajnë këtë gëzim me familjaret e miqtë e ngushtë…Por Xheni dhe burri i saj vendosën

të mos i ndryshojnë planet e tyre. Ata e ndien dhe e ndanë së bashku gëzimin dhe të papriturën e këtij lajmi vetëm kur u ndodhën në aeroplan, ulur pranë njëri-tjetrit si dhe gjatë ditëve që qëndruan në Kosovë.

E pyeta Xheniferin për përshtypjet e saj nga Prishtina.” E para, dhe e paharrueshmja, ishte mikpritja e njerëzve të këtij qyteti”, – tha ajo. “Kosova është një vend i lirë e paqësor që po përballet me vështirësitë për të normalizuar gjendjen e pasluftes. Populli i Kosoves është i gëzuar dhe krenar, i ndërgjegjshëm për lirinë që fitoi vendi i tij. Atë natë që mbërrita në Prishtinë, – vazhdoi ajo, – isha mike e mjekes Natyra Karahoda, profesoreshë e fiziologjisë në Universitetin e Prishtinës. Vajzat e saj, Era dhe Jehona, më shëtitën e më treguan qytetin. Unë ndala hapat para një shtëpie ku ishte shkruar me shkronja të mëdha e të kuqe “Shtëpia e dëshmorit.”

Vajzat më sqaruan se kishte shumë shtëpi të tjera e apartamente të shkruara kështu, në shenjë nderimi për të rënët në luftë.”

Duke e parë Kosovën me “sytë e mjekësisë” mjekja Keller kishte mendime pozitive rreth shumë ndryshimeve pas luftës.

Personeli mjekësor ushtarak tani ishte kthyer në personel civil profesionist. Përsa i përket edukimit në shkolla mjekësore, ajo pohoi se serbët gjithmonë pengonin studentët shqiptarë të vazhdonin fakultetin e mjekësise. “Një nga studentët e mi”, –

tha Kelleri, kishte shumë kocka të trupit të thyera nga policët serbë, për të vetmin shkak sepse ai donte të studionte në fakultetin e mjekësisë.”

Jo vetëm si mjeke, por edhe si profesoreshë, Kelleri dha mësim në fakultetin e mjekësise, në Prishtinë. Ajo më tregoi se midis studentëve kosovarë vazhdonte studimet edhe Iliri, një i ri nga Maqedonia. Gjate prillit Iliri qëndroi në shtëpinë e tij në Tetovë duke studiuar për provimin e tij në lëndën e patologjisë pulmonare. Por ai e humbi provimin mbasi nuk erdhi në Prishtinë për shkak të luftës që zhvillohej në vendin e tij.

Kelleri u përball me shumë probleme e situata mjekësore në Kosovë, në një vend ku tensioni i “pastrimit etnik” kishte shkaktuar trauma të fuqishme e tmerre në banorët vendës.”Të sëmurët me tuberkuloz, – vazhdoi ajo,” – ishin të shumtë e shtoheshin gjithnjë, sidomos ndër radhët e ish- të burgosurve, për arsye të kushteve të këqia të jetesës në burgjet serbe.” Kelleri takoi shumë raste sëmundjesh në Kosovë që ishin të ndryshme nga ato që kishte studiuar ajo në Universitetin e Dartmouth-it.

Megjithëse shtatzënë, ajo punoi disa muaj me të sëmurët tuberkulozë dhe me të sëmurët me infeksione të zgjatura. Në një e-mail që Xhenifer Kelleri u dërgoi kolegëve të saj në Amerikë, shkruante:

“Ne duhet t’i pyesim kosovarët për çfarë kanë nevojë…e të na tregojnë se si mund t’i ndihmojmë…Ata nuk dëshirojnë pajisje e makineri mjekësore luksoze…Ata kanë nevojë për pajisje mjekësore të forta, që të mos prishen lehtë…dhe të mos kushtojnë shumë…”

Mjekët amerikanë, duke punuar edhe jashtë orarit, kanë dhënë një kontribut të madh për riorganizimin e spitaleve, për kompletimin e tyre me aparaturat e nevojshme, si dhe për mjekimin e shërimin e një numri të madh të sëmurësh. Në një e-mail tjetër Kelleri shkruante: “Nuk ka ditë që ndonjë pacient shqiptar, pa të parë në sy, të mos të të shtrëngojë dorën dhe të mos të të falenderojë me entuziazëm dhe dashuri për atë ç’ka bëre ti për atë. Sepse një pacient kosovar, i shëruar nga një mjek amerikan, e quan veten dy herë të shpëtuar nga Amerika e largët.”

Xheniferi më tregoi disa fotografi të marra gjatë aktivitetit të saj në spitalin e Prishtinës, në mësimdhënien në Universitet, si dhe gjatë vizitës nëpër fshatra.

“Më të shumtat e fotografive,”- i thashë, i keni midis fëmijëve e studentëve. Mos ka ndonjë lidhje kjo me gëzimin për bebin që ju ende mbani në trupin tuaj?”

Ajo qeshi e më tha se në Kosovë tashmë kishte një lindshmëri të madhe fëmijësh.Kolegët amerikane që punonin në repartin e obstetrikegjinekologjisë të spitalit, u ndodhën para të papriturash për shkak të numrit të madh të lindjeve brenda njëzet e katër orëve.

Kelleri pohoi se foshnjat lindnin pa arritur t’i pritnin mamitë, ndërsa krevatet e nënave vendoseshin edhe nëpër korridore.

Duke krahasuar nënat e reja kosovare me ato amerikane, mjekja amerikane arrin në përfundimin se nënat kosovare dine të kujdesen më mirë dhe janë më të afta e më me përvojë, për të rritur bebet e tyre të vogla.

“Natën e parë, si mjekë roje në repartin e lindjeve,”- tha Kelleri, -” m’u desh të përballoj 64 lindje.” Ajo përshkroi emocionet dhe ndjenjat e saj gjatë kohës që vizitonte grate shtatzëna.” Në Kosovë unë e ndjeva veten dy herë nënë,”- tha

ajo e mori frymë thellë,- “së pari, për fëmijen tim dhe, së dyti, për bebet e tjera. Unë ndiqja rrahjet e zemrës së fëmijës Brenda barkut të pacientes dhe më dukej sikur ato rrahje sinkronizoheshin me pulsin e zemrës së bebit tim.”

Unë vështrova fytyrën e saj. Shkëlqimi i syve gri të thellë rrezatonte mëmësinë.

“Unë e pëlqej punën time si mjeke, – tha ajo, – por edhe si nënë, të rris e të edukoj fëmijën tim. Kam menduar për një kohë të gjatë dhe i di vështirësitë dhe punën e lodhshme që kërkon rritja e një fëmije.”

Në Prishtinë Xheni ndiente vazhdimisht nevojën e të qenit pranë prindërve e shoqeve, për shkak të shtatzënisë. Ajo komunikonte përditë me e-mail me të shoqin, i cili, megjithëse ishte në Kosovë, nuk ndodhej në Prishtinë. Në mëngjes ajo ndiente vështirësitë e zakonshme të barrës, në spital punonte me të sëmurët tuberkulozë dhe maska që vinte në fytyrë për t’u mbrojtur, i shkaktonte të vjella e dhembje në stomak. Por ajo i kalonte në heshtje të gjitha këto, pa harruar qëndrimin për një kohë të gjatë në sallën e mjekut ku tymosnin duhan pa pushim. Ajo duronte e nuk largohej nga dhoma e mjekut, për të mos u dukur e pasjellshme, megjithëse e dinte se duhani dëmtonte fëmijën e saj. Prandaj asaj i pëlqente të rrinte disa orë të ditës jashtë, në ajrin e pastër. Por edhe këto orë ajo nuk i kalonte pa punë. Në krye të një grupi fëmijësh, të cilët ajo I pajiste me dorashka plastike, kryenin së toku pastrimin e territoreve të caktuara të qytetit dhe ky aktivitet quhej “Dita e pastrimit të Dardanisë.” Në shoqërinë me fëmijët ajo shkrihej njësh me gëzimin dhe sinqeritetin e tyre.

Xhenifer Kelleri dhe mjekët e tjerë amerikanë të ekipit të saj që vizituan Kosovën, përjetuan kënaqësi të veçantë jo vetëm se dhanë ndihmesën e tyre të specializuar, por sepse, në të njëjtën kohë, u miqësuan me kolegë dhe njerëz të thjeshtë dhe e ndien mikpritjen kosovare si një të papritur interesante e të paharrueshme në jetën e tyre. Ata ftoheshin e merrnin pjese e në festa të ndryshme kombëtare e familjare, duke mësuar shumë nga kultura, përvoja e jetës dhe traditat e mikpritjes. Ishte mjaft prekëse për mjeken Keller dhe mjekun Sahr pjesëmarrja në një ecje përkujtimore në këmbë, për nder të një studenti kosovar të mjekësisë, vrarë nga snaiperet serbë në vitin 1996.

Xhenifer Kelleri u bë “shoqe e pandarë” me mjeken kosovare Natyra Karahoda, duke e vizituar disa herë në shtëpi e duke kaluar çaste të bukura me dy vajzat e saj. Dhe miqësia shkon…e vjen. Fiziologjistja Karahoda, si dhe shumë mjekë të tjerë, u ftuan nga Universiteti i Dartmouth-it në pranverën e vitit 2001 në Amerikë për specializim.

U ndava me mjeken Keller duke u interesuar edhe një here për bebin e saj që do t’i lindte së shpejti. “Unë jam e lumturuar që po bëhem nënë. Një ditë, do t’i tregoj vajzës sime se ajo i kaloi muajt e parë të zanafillës së jetës së saj në Kosovë,”- tha ajo.

Unë nuk i bëra më pyetje; e kuptova dhe e ndjeva se bota e kësaj gruaje të re ishte e ngarkuar me kujtime miqsh, surpriza të bukura, gëzime, gjallëri, punë krijuese dhe bekime për të gjithë fëmijët.

Filed Under: ESSE Tagged With: kosova, nje shtepi mikpritese, per amerikanet, Rozi Theohari

PERCJELLJA E MJESHTRIT TE HUMORIT, SKENDER SALLAKU

February 12, 2014 by dgreca

Skënder Sallaku, personazhi spontan i roleve të mëdha/

Nga Edmond Prifti/.Ishin të shumtë miqtë dhe artdashësit që u “përshëndetën” për herë të fundit me mjeshtrin e humorit shqiptar, Skënder Sallaku, i cili ndërroi jetë një ditë më parë në moshën 79 vjeçare.Homazhet në nderim të “Artistit të Popullit” u mbajtën të mërkurën për dy orë në Teatrin Kombëtar në Tiranë, ku kolegët e tij ndanë me ATSH-në disa nga kujtimet dhe vlerësimet për karrierën artistike 50 vjeçare të Skënder Sallakut.

Aktori dhe ish-drejtori i Estradës së Tiranës, Sulejman Dibra vlerëson se “Skënder Sallaku ishte i lindur për të qënë artist. Nuk kishte përfunduar asnjë shkollë për aktrim, por Skënderi ishte tip kërkues ndaj vetes. Për të nuk kishte rol të keq. Edhe sikur roli të ishte i dobët, ai do ta sillte atë në formë të mrekullueshme”.

Dibra thotë se “Skënderi diti të gjente detajin dhe spontanitetin artistik e kjo e mbajti ngaherë të freskët. Ishte aktori i barsoletave deri në ditët e fundit të jetës. Ndër aktorët më të mirë shqiptarë”.

Për Bujar Kapexhiun, Skënder Sallaku ishte si puna e atyre njerëzve që dhurojnë gjak,..! “Pra Skënderi dhuronte buzëqeshje, e në këtë lumturi që u dha njerëzve, e kujtojmë ne sot”, thotë Kapexhiu.

“Me batutat e tij u dha gëzim, e ashtu si humori që është privilegj i të mençurve edhe Skënderi ishte një nga të mençurit që kishte një zemër të madhe”, shton për ATSH-në Bujar Kapexhiu. Për të “janë të rrallë ata njerëz që do t’i ngjajnë Skënderit, si për kapacitetin artistik, ashtu dhe për forcën e tij.

Merita Dabulla, ish-balerinë, e më pas akrobatja, prezantuesja dhe aktorja e Cirkut dhe Estradës së Tiranës, e vlerëson Artistin e Popullit si aktorin e dimensioneve të mëdha.

“Ashtu siç tha Dritëroi (Agolli) ai është një Çarli Çaplin shqiptar…”, citon ajo, ndërsa kujton se ka interpretuar disa role me mjeshtrin e humorit.

“Ka qenë aktor i spontanitetit dhe e ndjente publikun si reagonte. E merrte, e rrëmbente rolin dhe e bluante atë…”, thotë Dabulla, për të cilën mimika e tij ishte e jashtëzakonshme, sidomos si kloun.

Me Skënderin ka shumë kujtime…veçanërisht, në dhënien e diplomës kur interpretoi përkrah tij. “Isha shumë e emocionuar…Ishte Skënderi ai që më qetësoi”, thotë ajo.

Aktorja Marjana Kondi e kujton Skënder Sallakun si një aktor liberal dhe si një njeri që s’dinte të mbante mëri kurrë…

“Ai vërtet ka vdekur, por ne jemi duke buzëqeshur me të, e kjo ka një kuptim mjaft të madh. Ai ishte si Çarli Çaplin…”, shprehet Kondi, ndërsa shton se lindja dhe vdekja, është hyjnore…e Zoti bëri më të mirën për Skënder Sallakun”.

Aktori dhe prezantuesi Veli Rada ka punuar për dekada me radhë me Skënder Sallakun… “Ishte modeli i artistit. Ne, kishim orarin e punës në orën 9.00, por Skënderi vinte ngahera në nëntë pa dhjetë. Në krahun e djathtë qëndronte gjithmonë i ndjeri Vasillaq Vangjeli e në të majtë, i qëndroja unë. Isha 22-vjeç asokohe, ndërsa Skënderi kënaqej që ne po ecnim si aktorë të rinj, si fëmijë që po hidhnim hapa të sigurt”. “Kemi udhëtuar një herë nga Zyrihu në Gjenevë. Në ato 2 orë e gjysmë rrugë, na dhembnin brinjët nga batutat e Skënder Sallakut”, kujton Veli Rada. Nuk lë pa përmendur dhe një batutë të Skënderit në kohën e komunizmit. “Në krizën e ’89, e pyetën si është gjendja! E ai u përgjigj: Vallaji, andej nga lagja ime është një dyqan ku shkruan sipër mish, e aty gjejmë veçse kasapin. Ky ishte Skënder Sallaku!”, tha pë ATSH-në Rada.

Aktori i komedisë Fadil Hasa, kujton jo vetëm rolet, por edhe shfaqjet e 10 sportistëve më të mirë të vitit me Skëndër Sallakun. “Ato kanë mbetur shfaqje te papërsëritshme. Skënderi ishte ylli i atyre shfaqjeve”, shprehet Fadil Hasa. Për të Skënder Sallaku ishte një shkollë e madhe . “Sot është shkëputur një yll i madh. Humorit shqiptar i ka ikur një personalitet i jashtëzakonshëm. Drithërohem, pasi e kam pasur një nga miqtë e mi më të shtrenjtë”, shton ai.

Thanë politikanët

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta: Është e dhimbshme të ndahesh nga një artist i madh, aq më tëpër nga një artist i humorit si Skënder Sallaku. Artistë të tillë kanë lënë vlera që i bëjnë të përjetshëm dhe na bëjnë të gjithëve t’u jemi mirënjohës. Skënder Sallakut do të ndihmojë brezat më të rinj për të ecur në traditën e shkëlqyer që ai la pas.

Kryeministri Edi Rama në një vlerësim të tij në rrjetin social “Facebook”shkruan: “Lajm i trishtueshëm vdekja e Skënder Sallakut, humoristit popullor që në kohë të zymta bëri të qeshin pleq e fëmijë. Ngushëllime familjes”.

Sali Berisha: “Po i themi lamtumirë një prej personaliteteve si Skënder Sallaku, një prej personaliteteve më popullorë të kohës së tij. Korifeut të pavdekshëm të humorit e satirës shqiptare, artistit të shquar Skënder Sallaku. Me rolet, interpretimet dhe humorin e tij, Skënder Sallaku në kohën e territ të vërtetë e ngricës, sillte gëzim dhe shpresë në zemrat dhe vatrat e shqiptarëve. Një humbje e madhe për artin tonë”.

Kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha: Skënder Sallaku ia doli mbanë gjatë viteve më të vështira të ekzistencës së shqiptarëve, duke i falur atyre buzëqeshjen dhe humorin, e duke i bërë të harronin qoftë edhe për momentin çastet e vështira që po kalonim…Ikonë e humorit, një artist me talent të jashtëzakonshëm, frymëzimi i të cilit buronte nga të qenit qytetar dhe familjar shembullor. Do na mungojë shumë”.

Zemra e “Artistit të Popullit” ndaloi së rrahuri në mëngjesin e ditës së djeshme, në moshën 79-vjeçare. Një nga aktorët më popullor të humorit,  Skëndër Sollaku u lind në Tiranë më 25 janar 1935. Në vitet e rinisë ishte kampion kombëtar në mundjen klasike, ndërsa karrierën si artist e nisi me lëvizjet amatorë të cirkut, pranë Pallatit të Kulturës “Ali Kelmendi”. Në grupin akrobatik punoi deri në vitin 1972, kur Cirku I Tiranës u shkëput nga Estrada e Shtetit. I konsideruar si klouni i parë në Shqipëri, Skënder Sollaku është aktivizuar në pjesë të ndryshme akrobatike, në numra zhonglimi, ku shpalosi aftësitë e tij të mrekullueshme. Si pantomimist ka interpretuar në pjesët “Karrigia”, “I vdekuri”, “Busti”, Boksi”, “Kuzhinieri”, “Pjatat”, “Bojaxhiu”, etj. Më pas Skëndër Sallaku shkëlqeu në Estradën e Shtetit, ndërsa gjatë karrierës së tij mbi 50 vjeçare si artist, ka intepretuar edhe në disa filma, mes të cilëve përmenden “Estrada në ekran”, “Kur hiqen maskat”, “Cirku në fshat”, “Gjuetia e fundit” etj.  Pengu i i tij më i madh në këto vite demokraci ishte mbyllja e Estradës. “Tani që në demokraci jemi shkëputur nga ideologjizmat, ku partia nuk ndërhynë në krijimtari, Estrada e Tiranës nuk funksionon”, ka thënë “Artist i Popullit” në një nga intervista e tij të fundit. /k.sh/

 

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: percjellja e Skender Sollakut

Veprat e dhuruara nga miqtë italianë të Ibrahim Kodrës, në një ekspozitë

February 12, 2014 by dgreca

Nga Gëzim Kabashi/- Veprat e artistëve italianë që iu dhuruan bashkisë së Durrësit në nderim të piktorit Ibrahim Kodra do të ekspozohen për herë të parë në Durrës, në 8 vjetorin e ndarjes nga jeta të mjeshtrit të pictures shqiptare./

Burime nga drejtoria muzeale e qytetit bënë të ditur për ATSH-në se në galerinë e arteve “Nikolet Vasia” do të ekspozohen një pjesë nga 119 veprat në pikturë dhe skulpturë që mbërritën në Durrës në fundin e vitit 2005 me ndërmjetësinë e Fondacionit kulturor “Kodra” me qendër në Milano. Tablotë e miqve dhe kolegëve të artistit shqiptar po ekspozohen për herë të parë në një numër të konsiderueshëm-thanë burimet.

“Projekti i vitit 2005 për ngritjen e një galerie me vepra të autorit të madh shqiptar dhe kolegëve të tij italianë nuk është realizuar ende për mungesë fondesh”, shtuan burimet nga drejtoria e muzeve.

Në vitin 2005, kur Kodra ishte ende gjallë, një grup artistësh italianë bashkëkohës nga qytete të ndryshëm të Italisë  dhuruan secili nga një vepër në shenjë respekti për kontributin e mjeshtrit shqiptar me përmasa evropiane. Marrëveshja mes bashkisë së Durrësit dhe fondacionit “Kodra” parashikonte edhe hartimin e një katalogu me të dhëna për krijuesit dhe punimet përkatëse. “Tablotë me përmasa mesatare dhe të mëdha aktualisht ruhen në mjediset e shtëpisë muze “Aleksandër Moisiu” dhe vetëm 20 prej tyre janë ekspozuar në veprimtarinë kombëtare “Poeteka 2009”, shtuan burimet, sipas të cilave deri më tani katalogu nuk është hartuar .

Ibrahim Kodra, i cili mban titullin e lartë “Nderi i Kombit”, mbylli sytë më 7 shkurt të vitit 2006 dhe nuk arriti të shohë të realizuar projektin e kolegëve të tij nga Italia, vendi në të cilin ai punoi dhe ku u bë mjaft i njohur si piktor krejtësisht i veçantë. Ibrahim Kodra është një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të pikturës shqiptare të shekullit të kaluar.

Mjeshtri Kodra, i cili u largua nga Shqipëria në moshën 18-vjeçare për të studiuar në Akademinë e Arteve Figurative në Breras, pranë Milanos ku dhe ndërroi jetë në moshën 88 vjeçare. Trupi i tij tashmë prehet në kodrën e Ishmit, vetëm disa qindra larg fshatit Likmetaj ku u lind në 18 prill të vitit 1918(Kortezi ATA)

 

Filed Under: Kulture Tagged With: ekspozite, Ibrahim Kodra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4871
  • 4872
  • 4873
  • 4874
  • 4875
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT