• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUSH I SHKRIN PËRGJITHMONË AKUJT NË JANAR? FLAKA E JANARIT…!

January 17, 2014 by dgreca

NGA Azgan HAKLAJ/

Janari është muaji i rëndë prej peshës së acarit e akullit, prej cikloneve dhe të ftohtit. Ndoshta jemi kombi i vetëm në kontinent që nuk e veçojmë për keq këtë muaj të zorshëm. Kjo, jo për mospërfillje, por me faktin se ngjarjet që dominojnë janarin, janë të shenjta për kombin shqiptar . E pikërisht kjo koiçidencë herë e mirëpritur e herë fatale ka bërë që janarin ta konsiderojmë e ta nderojmë. E nderimi i shqiptarit për më tepër kur bëhet fjalë për prijësit e tij, nuk pyet për akuj. I shkrin akujt me ngrohetësinë e shpirtit, me duhinë e zemrës.Pikërisht kjo parantezë më ka ardhë në mendje gjashtë vite radhazi tek kam qënë i ftuar në aktivitetin që organizon çdo vit komuna e Gjilanit me mbështetjen e Qeverisë së Kosovës. Titullohet “Flaka e Janarit” dhe është kulturoro-politik mbarëshqiptar. E pikërisht aty në Gjilan, ku me ditë të tëra rri i ndezur flakadani që skuq qilimin e bardhë të dëborës e shkrin akujt e ftohtësinë e janarit, mora shkas e frymëzim të hedh disa rreshta përkujtimi e homazhi.

Janë rreshta për ata burra atdhetarë e prijës legjendarë apo heronj e martir, që fizikisht u shuan në janar. Janë fjalë nderimi për ato kuvende burrash të kombit që përkundër akujve të janarit, u mblodhën, kuvenduan e u besatuan për Atdhe dhe ngrohën jo vetëm zemrat por dhe vet motin si dragojtë në shkrimet mistike.

Akujt e janarit do të shkrihen nga oshëtima e lajmit tragjik për vdekjen e Gjergj Kastriotit. Ofshama e vajit të burrave dhe grave shqiptare, jehoi ndër hone duke rrëzuar ortiqet. Por ajo që shkriu akujt e janarit të zi ishte mesazhi i bashkimit.

Kalandarët do të përcillnin sëbashku me janarët, ngjarje të tjera në histori, për të ardhur tek janari 1920. Akujt që kishte krijuar Konferenca e Ambasadorëve në Londër e prononcimi tragjik për shqiptarët i Bis Markut në Berlin, do të treteshin nga fjala e besatimi i burrave të mëdhenj të kombit tonë të tubuar në Kongresin e Lushnjës. Sulejman Bej Delvina, ky patriot e vizionar i shquar kishte lëshuar kushtrimin për të ndalur coptimin. E ajo ditë e 94 viteve më parë do të ishte jo vetëm barrikada e moscoptimit por dhe fati i themelimit të kryeqytetit të kombit tonë, Tiranës . Kjo pasi burri i shquar i Matit, Ahmet Zogu, në krye të trupave të qeverisë së Lushnjës, do të çlironte Tiranën, e kancelarive të Europës do ju tregonte se për fatet tona do të ishim vet zot.

E kështu, historia e janarëve s’do të kish mbarim.

Më 17 janar 1982 i ftohti e akulli do të ngroheshin nga lotët e nënave kosovare, pasi në Shtutgard të Gjermanisë u vranë tragjikisht nga U.D.B-ja jugosllave, pionierët e lirisë, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe nipi i tyre, Kadri Zeka.

Dy vite më pas, më 11 janar 1984, në lagjen e Vranjeve të Prishtinës, gjaku i martirëve të kombit, Rexhep Mala e Nuhi Berisha, skuqi kodrën dhe shkrin akullin e status-quosë së rreme të vendosur me dhunë nga Serbia. Jeta fizike e heronjve mbaroi, por mesazhi i atij janari mbijetoi duke u shndërruar më 1998 në simbol të U.Ç.K-së.

Heronjtë e janarit në Kosovë mbetën simbole të lirisë, sepse me jetën e tyre u sakrifikuan që të jetësonin vendimet e Konferencës së Bujanit, për të drejtën e Bashkimit Kombëtar e mbajtur më 1-2 janar 1944.

Por në memorien e janarit mbetet loti i madh i kombit tonë për prijësin e vizionarin, politikanin e misionarin e lirisë e pavarësisë së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

Ngjarje si këto, pak nga të shumtat që përmenda në këto rreshta, e bëjnë janarin të nderohet për jetë e të kthehet në muaj pelegrinazhi, respekti e homazhi, duke e vënë në muzeumin e memories të vlerave tona nacionale.

Filed Under: Featured Tagged With: akujt e Janarit, Azgan haklaj, kush i shkrin

KRYETARI I STRUGES U TAKUA ME ODEN EKONOMIKE IZRAELITE- AMERIKANE NE CIKAGO

January 17, 2014 by dgreca

*Skoki do të binjakëzohet me Strugën….

*Takimi i kryetarit të komunës së Srugës dr.Zijadin Sela me përfaqësuesit e odës ekonomike Izraelite-Amerikane,kryeatrin Dan Shure dhe drejtorin ekzekutiv Majkel Shmit
 Nga Skënder Karaçica/
Të gjitha asociaccionet politike,ekonomike,kulturore,shkenore dhe publicistike hebreike në Çikago dhe në Amerikë tashti e kanë të njohur shpirtin liridashës e humanitar të popullit shqiptar në Ballkan,që ishin të vetmit që i dolin në mbrojtje dhe i shpetuan nga asgjësimi vrastar i fashizimit gjatë Luftës së Dytë Botërore.Me këto konstatime filloi takimi i kryetarit të komunës së Srugës dr.Zijadin Sela me përfaqësuesit e odës ekonomike Izraelite-Amerikane,kryeatrin Dan Shure dhe drejtorin ekzekutiv Majkel Shmit dhe të shoqëruar nga udhëheqja e SHSHA-së Sekretari Mahmut Skenderi dhe drejtori ekzekutiv Skënder Karaçica.

Dan Shure është një nga përfaqësuesit hebreik në Amerikë dhe mik i respektuar i popullit shqiptar që ka marrë disa nisma nga fusha ekonomike dhe të përafrimit në mes të dy popujve miq shqiptaro-hebreik.Para do kohe,përfaqësuesit e asociacioneve kombëtare shqiptare në Tiranë e nominuan Dan Shure ,,Konsul Nderi,,në Çikago.Në vazhdën e aktiviteteve të SHSHA-së me asociacionet herbreike tashmë kanë filluar të gjitha përgatitjet që kanë të bëjnë me binjakëzimin e Çikagos me Tiranën si dhe organizimi i konferencës ekonomike nga fusha e investimeve Shqipëri-Kosovë dhe në pjesët etnike shqiptare në Maqedoni.

Dr.Zijadin Sela,kryetar i komunës së Strugës,shpalosi para përfaqësuesve të odës ekonomike resurset e pasura natyrore tursitike të qytetit të Strugës me rrethinë dhe i ftoi pushuesit dhe investitorët ameriknë që të vijnë në qytetin parajsë e dhuruar nga Zoti për të pushuar dhe për të investuar.Struga me tërë këto resurse,u tha miqëve hebreik dr.Zijadin Sela,me programet zhvillimore dhe të politikave të investimeve ekonomike do të bëhet,,Kolorado,,për pushuesit amerikanë në të gjitha stinët e vitit.Bukuritë e florës dhe faunës në liqenin e Strugës dhe peshku,,Pastermka,,për tryezën e bëjnë mrekullinë turistike shqiptare.Duhet theksuar,u tha në këtë takim,se qyteti i Strugës është në vargun e qyeteteve më bukuri të rralla dhe inikale të etnisë shqiptare  si Prizreni,Ulqini,Berati,Shkodra  që në një të ardhme duhet të vijnë karvanët turistike nga Evropa dhe SHBA-ja.

Përfaqësuesit e odës ekonomike Izraelite-Amerikane në Çikago e pritën me interesim shpalimet e resursve të pasura turistike të Strugës dhe shprhen gadishmërinë që kompanive tursitike në Amerikë dhe në Izrael të afrojnë projektin për pushues dhe për politikat ekonomike për të afruar investimet e tyre.Me këtë rast Dan Shure theksoi se shpejti një delegacion Izraelito-Amerikan do të vizitojë Shqipërinë,Kosovën dhe pjesët tjera etnike shqiptare në Ballkan.Në takimin që pati dr.Zijadin Sela në Çikago me miqtë hereikë doli nisma që qyteti Skokie(bashkësia e qyeteteve në Çikago)ku jetojnë 250 mijë hebreikë të binjakëzohet më Strugën.


Filed Under: Komunitet Tagged With: Cikago, dr. Zijadin Sela, izraelite-amerikane, oda ekonomike, Skender Karacica

ISHTE 15 JANAR

January 17, 2014 by dgreca

Nga Matilda Mirakaj/*

Ishte  ditë dimri dhe frynte një erë e akullt.  15 Janar, 1980.  Motra, unē dhe shoket e shoqet ktheheshim nga shkolla.Me çanta të shpuara në qoshe. Ecnim ngadalë për në shtëpi dhe ndonjeherë këndonim. Pa nxitim. Gjithë dita ishte e jona. Oh sa qejf, të jesh e mos të kesh asnjë përgjegjësi. Asnjë problem.Fushat e djerra, zgjateshin në horizont të kurorzuara nga kodrat e Gradishtës. Ne ecnim në shtegun e ngushte në buzë të kanalit. Nuk binte shi dhe ecja ishte më e kollajtë. Kur binte shi, çizmet e shpuara ngjiteshin në llucë shpesh here duke e tërhequr baltën me vete.Bëheshin aq të rënda sa bëhej e pamundur ti shqisje nga balta.Të rënda nja 4-5 kile.  Ndonjëhere ngecnin dhe këmba dilte nga çizmja.Lopët e fshatarëve e punonin baltën dhe ujin në nje llaç ngjitës. Atherë duart hynin në punë për të ndihmuar këmbët. Ime motër, Manjola, ishte e holle dhe e gjatë si shkop. Dukej sikur ishte gati në çdo moment për tu thyer.  Unë si motra e madhe qę isha, i shkulja çizmet nga balta dhe e ndihmoja ti vishte këmbęt të skuqura nga të ftohtit. Manjola ishte         3 vjet më e vogël dhe ate vit kishte filluar të pestën në Këmishtaj. Fillorja bëhej në kamp, 5 minuta larg shtëpie. Duke qënë me e madhe e kisha marr përsipër ta ndihmoja, dhe i mbaja çanten me libra çdo ditë. Më vonë kur të rritura zëmroheshim me njëra tjetren, ndonjë here ia përmëndja për ti kujtuar se sa shumē kisha bëre për të kur ishim të vogla, aq sa ia kisha mërzitur kokën.

Atë dit Janari ishte ditë e zakonshme dimri, të paktën pa shi. Ne, grupi i vogël i fëmijëve kaluam gërmadhat e kishës së Shen’Premtes. Partia komuniste e kishte djegur deri në dhe’. Dy qeparisa dhe gërmadhat ishte çka kishte ngelur.Varrezat pranë kishës ishin punuar me traktor shumē e shumë here dhe mbjellur me grurë për të bërë buke për popullin. Në atë muaj gruri i brishte krijonte një li ash te gjelbërt per rreth. Shpesh here duke kaluar pranë asaj që akoma quhej kisha, shikonim nëpër tokë dhëmbë ose fragmente kockash, që në një distancë jo shumë të largët kishin qënë buzqeshja e dikujt, ose duart e një nëne që kishte përkëdhelur fëmijët saj.

Ashtu ishte për aq kohë sa unë mund ta kujtoj nga fëmirija ime, dhe në atë kohë nuk më dukej diçka aq e tmerrshme dhe shtazarake sa sot që po shkruaj këto rreshta. Ata të vdekur ishin për ne fëmijët aq prehistorik dhe abstrakt sa dinosaurët.  Në të vërtetë varrezat nuk duhet të kishin qënë shumē të vjetra. Mizerja që na rrethonte për së gjalli na pengonte të mendonim per dinjitetin dhe respektin e të vdekurit. Mbas kishës duhet të kapërcenim një kanal nja 2 metra të gjerë. Shoqja ime, Beta, ishte më atlete se unë, dhe e kapërcente pa vështirësi.  Mbas nja dy provash më së fundi edhe unë u gjenda në krahun tjetër të kanalit. I dhashë kurajo edhe sime motre për të kercyer, dhe i shtriva krahun ta tërhiqja. Mbasi kalonim fushen ku luanim gjatë verës, të parat ndertesa që takonim ishin ato që ne  quanim banjo. Ishin të ndërtuara në fund të rrugicës, por në këtë rast në fillim. Mvaret se nga ç’drejtim vije. Barakat tona ishin ndërtuar të gjata me dy krahë. Në çdo krah pothuajse jetonin nga 6 familje, pak a shumë. Akoma edhe sot më kujtohet me hollësi, ku jetonte çdo familje.Ah, memoria e fëmisë. Gjithsej ishin 4 barraka të tilla të ndërtuara paralel. Muret e holla ishin ndërtuar me baltë e me kallama, kurse çatia ish e mbuluar me katrama  që me kohë ishte shpuar e shqyer dhe arnuar me copa plasmasi po të mund të gjenim. Dhomat ishin të vogla, nja 9 m2.  Disa kishin vetëm një dhomë e disa dy. Çdo familje kishte ndërtuar nga nje kasolle të vogël me tulla balte, ne i quanim qerpiç këto tulla, ose me baltë e kallama, për ta përdorur si guzhinë. Kallamat rriteshin me shumicë. Fshati ku në jetonim kishte qënë kënetë dhe partia ishte shumē krenare për kryeveprën që kishte realizuar. Gjyshi im,babai i mamit, perpara se të përfundonte në burg kishte qënë drejtori i këtij projekti.Më parë ai kishte qënë gjeneral major, me yje e spaleta, me makinë e shofer e me të gjitha priviligjet që gëzonin pjestarët e rangut të lartë të partisë. Por ky është një tregim tjetër, për një ditë tjetër.
…Pra, kallama kishim me bollëk, faleminderit kënetës dhe ne i fusnim në punë kudo.Shyqyr zoti, ishin pa pare. Dhomat i kishim rrethuar me kallama perjashta, duke krijuar në atë mënyrë oborre të vogla që krijonin nje farë privatesije.Midis barrakave ishte nje rrugice nja 1 metër e gjëre.Kur binte shi ato gure të vendosur një këtu e një atje mbuloheshin me baltë.Të bëje ujin, nuk ishte shumē kollaj. Për të pirë kishim vetëm një çezëm në kamp.Oh, kamp përqëndrimi e kam fjalën, jo kamp vere. Tani e tutje fjalën barraka do ta zëvëndësoj me fjalën shtëpi, sepse ashtu ishin për ne. Aty kisha lindur unë dhe shokët e mij.Aty jetonim.Nuk ishte rrethuar me tela me gjëmba, por guxo ta kaloje kufirin e padukshëm dhe e shikoje se çfarë të gjente.Dënimi nuk ishte një shqelm në prapanicë, me tepër diçka si nja një jave në birucë të sigurimit me të rahurra si gomarit. Hajde ta kaloje po deshe.  E spiuna kishte plot. Ne e kishim banjon të përbashkët me Zenelin.Ai kishte 4 kalamaj me sa e kujtoj, ne ishim 3 fëmije dhe mami e babi, pastaj ishte xhaxhai me gruan dhe nanën dhe djalin e madh. Djali i vogël ishte vetëm një vjeç dhe nuk kishte patur nderin  ta përdorte akoma. Gjithsej 16 vete. Edhe familjet e tjera i kishin banjot me të njëjtën ndarje  pak a shumë. Ok, mjaft me banjot se i kisha harruar dhe më vjen për të vjell kur i kujtoj.  Edhe uji Ishte problem. Kishim vetëm një çezëm per të pirë e për tu larë.  Shpesh, rradha bëhej e gjatë me kova e kazana sa duhej të prisnje 3-4 ore per të mbushur ujë. Ne prap, ishim më mirë se kushurinjt e mi që jetonin në kampin e Gjazës. Atyre i shkonte uji me kamion.  Bëhej një betejë me zorra e bidona, kush ishte i zoti mbushte ujë, pleqtë në mëshirën e të tjerëve.Duke qënë se uji ishte problem, mund të imagjinohet kondicioni i banjove.
Atherë, të kthehemi tek ajo ditë. 15 Janari.  Mbasi kaluam banjot në fund të rrugicës pamë Dhorën, që kishte nje pamje tragjike në fytyrë. Çfarë ka ndodhur e pyeta.

– Kanë arrestuar Mehdiun,- tha ajo. Ai ishte babai i Dianës, shoqes time.

– Oh jo-, thashë unë e tmerruar. Një vit më parë në Janar ata kishin arrestuar Naimin, baban e Gerit, Jimit dhe Dorianës. Oh jo. Mbas disa sekondash që u dukën shumë të gjatë, duke pëshpëritur me zërin që i dridhej, ajo shtoj. Kanë marrë edhe babin tënd…

Ishte 15 Janar…

* Ne Foto, e ndjera Manjola Mirakaj, qe nderroi jete ne New York…

 

Filed Under: ESSE Tagged With: ishte 15 janar, Matilda Mirakaj

Kumt nga përtej varrit i Patër Gjergj Fishtës

January 17, 2014 by dgreca

nga Mërgim Korça/

I gjithë shekulli i kaluar ish i ngarkuar me halle, telashe, si edhe probleme për kombin tonë. Natyrshëm lind pyetja: A mos vetëm shekulli i XX-të? Për të qenë të saktë, jo. Ia shkarkoi telashet edhe hallet i XIX-ti pasuesit të tij e ky i fundit, pa i zgjidhur dot, ia transferoi ato edhe mijëvjeçarit të tretë !   

Patër Gjergji u lind e jetoi në kapërxyellin e dy shekujve të shkuar. Megjithatë ai vazhdon e jeton me hallet e kombit të Tij. Edhe në kët mijëvjeçar të tretë, 61 vite pas vdekjes, Ai vazhdon e dërgon kumte për ne. Por e keqja është se ne ose nuk dijmë t’i lexojmë, i lexojmë e nuk i kuptojmë, i lexojmë e nuk duam t’i kuptojmë dhe, akoma më keq, as i lexojmë fare por njëkohësisht dërguesin e tyre vazhdojmë dhe e anatemojmë gjithnjë duke ecur në hullínë e taktikës diktatoriale!   

Ata që as dinin ta lexonin, më shumë s’kishin se ç’të bënin: e morën urdhrin nga ai që nuk donte ta kuptonte dhe…ia dhunuan varrin e kockat ia hodhën në lumin Dri.    Ky mëkat u qëndron atyre mbi kokë, dhe aq. Të shkolluarit e diktaturës, që u bënë kalemxhinj të saj, dinin ta lexonin Fishtën, madje edhe ta kuptonin, por u vinte për mbarë ta kishin mirë me regjimin dhe fashist e quajtën Mjeshtrin, gjithashtu shovinist e pse jo edhe antikombëtar. Dhe Fishta nuk mbrohej, se nuk ish më në mes të gjallëve, por kumti i Tij në secilën faqe të veprës Tij lexohej, po ta donin. Ai, si largpamës i madh që ish, e kuptonte dhe prandaj edhe i mëshonte fort vënies në dukje të faktit se karakteristika të shqiptarit kanë qenë besa si edhe burrëria. Ai u këndoi këtyre virtyteve të madhërishme pikërisht që të mos zinin vënd në shpirtin e shqiptarit pabesía, imoraliteti si edhe korrupsioni. Por përgjatë pesëdhjetë viteve pikërisht këto virtyte u përdhosën. U kultivuan servilizmi si edhe korrupsioni shpirtëror duke e dyzuar shpirtin e njeriut. E ç’lindi si pasojë? Lindi njeriu i ri socialist me ndërgjegje amorfe që s’njeh as ç’është etika e aq më pak morali, pa le flijimi ndaj Atdheut! Të qe kultivuar edukata moralo – kombëtare, së cilës i këndonte At Gjergji, jo veç njëra pjesë e vajzave shqiptare do t’ishin kryelarta si stërmbesat e suljoteve, (pa dashur të hyjmë në hollësira lidhur me pjesën tjetër). Edhe një pjesë e djemve shqiptarë nuk do t’ishin ata që janë sot, por të gjithë do t’ishin pinjojt e Marash Ucit edhe Çun Mulës. Kurse politikanët tanë do t’ishin ata që veten e flijojshin për Atdhé, ashtu siç bënte thirrje vetë Poeti duke u shprehur :

                 Qe mue  tek  m’keni, merrni e m’bâni flí,

Për shqyptarí, me shue çdo mní njerzore.

Oh !  Edhe pa mue Shqypnija kjoft’e rrnoftë,

E nami i sajë për jetë u trashigoftë !                                                                

e një pjesë e tyre nuk do t’ishin të korruptuarit në palcë, që japin shfaqje komedish televizive me shumë  akte, me akuza të ndërsjella korrupsioni moral, dhe populli i mjerë me batanije krahëve, qesh. E me kë gajaset së qeshuri? Me tragjedinë e tij ! E ka trajtuar mirë Mjeshtri problemin, veç do marrë e lexuar se vlera të paçmuara ka kumti i Tij :   

Tue pasë nji palë gjyqtarë e advoketën,

E kaq n’kod civil ushtrue e kanë veten,

E janë të zott, qi t’shtrêm’ten t’a drejtojn,

E t’bardhën t’zezë e t’zezën t’bardhë t’gjykojn.

Dhe më e rëndësishmja është se Patër Gjergji jo që nuk pajtohet me situatën që jetonte, por e kritikonte ashpër, sepse dashuria e Tij për ta parë Atdheun si edhe popullin e tij të përkryer, qe e pakufí. Por nga ana tjetër, ai kumt që na dërgon Ai nga shekulli i kaluar, duket sikur të formuluar e ka At Gjergji për rrethanat që po kalon populli ynë sot! Ai buçet kur thotë se Atdheut nuk i duhen njerëz që për poste dhe interesa vetjake e shesin vendin dhe i trajton me përçmim kur thotë :

Do njerz karabullakë e kryematare …

Si kurmagjakë të bâm me mish gomari,

Të cillt, tue u poshtnue, porsi bubrreca t’ndyta

E’iqind herë n’ditë tue shitë Atdhén’e fisin, …

E me lurtime e poshtërsí të flligta

Kqyrshin me u njitë m’ndo’i shkallë t’naltë, për t’cillën,

Zoti as natyra ata s’i kishte pré.

Shtrohet pyetja: Për kë flet ky pohim’i Fishtës sot? Këtë kumt vetëm ata që nuk duan ta lexojnë, nuk e kuptojnë! Se kush e lexon, nuk ka mundësi të mos e kuptojë sepse Patër Gjergji shqip u flet e krejtë shkoqur gjithë trafikantëve politikë e bashkë me ta edhe gjithë popullit shqiptar, tek vazhdon:  

Edhe kombi shqyptar s’dy sysh verbue –

  N’vend qi me i kapun kta kopukë për krahi

  E m’ shtjelm tu’ i rrahë e mirë kta tu’i shilue

  Me ndo’i kërbaç trefish ase m’drû ahi

  Edhe jashtë Shtetit m’hûndë e m’buzë m’i lshue

  Kqyrë m’ta harû, si n’sy t’ndo’i Padishahi,

  E âsht gati, po, n’dorë t’tyne me lshue ve’ten

  Tu’i zgjedhun për Ministra e Deputetën.

E për t’i dhënë edhe penelatën e fundit kuadrit tragjik, enkas vijnë nga përtej varrit sot vargjet e mëposhtme:

    Sod n’Shqypni, more lum miku,

    Histori âsht meteliku,

Ky kumt që na dërgon patrioti i madh të cilit i digjej shpirti për vënd të Tij, veç një të metë ka: i mungojnë emrat. Po, i mungojnë emrat e atyre qeveritarëve si dhe deputetëve të sotëm të cilëve duket sikur Ai vetë ua ve gishtin!  

Bashkë me satirizimin e paaftësisë së drejtuesve të vendit, kumti që na vjen për korrupsionin është thirrje për të marrë masa. E lexojmë ne Fishtën, kundrojmë zhvillimet shqiptare, dhe mendja na shkon menjëherë tek përvoja që Ai do të na kalojë: Lufta që i bëri Roma e lashtë korrupsjonit u mbështet tek ligji Claudian i vitit 218 para e.r. që senatorëve romakë ua ndalonte çdo aktivitet tregëtar. U thotë gjë ky kumt i lashtë  atyreve që fatet e kombit kanë sot në dorë? Apo atyre nuk u bëjnë as ftohtë e as nxehtë kumtet që vijnë dhe pa parë se ku shkelin, veç interesin e tyre shikojnë? Kjo ësht’edhe tragjedia e sotme e vëndit tonë.   

Në vitet njëzet të shekullit kaluar, vizionari At Fishta parashikonte në mënyrë profetike jo vetëm se si do t’i cungonin trojet Arbnore fqinjët tanë, por edhe parashihte djegien e vendit nga llava e kuqe përvëluese që do të vinte nga lindja :

Shka t’lâjnë kta katër ujq / Që i kërcnohen shoqishojt,

Thonë do t’dalë nji djall i kuq / Që fort rreptë do t’ja njisë thojt.

Ky parashikim i a djeg zemrën Mjeshtrit dhe prandaj Ai i drejtohet Zânës, pas shpalljes së pavarësisë, dhe i thotë : Oj Zânë, t’këndojm … t’vajtojm, deshta me t’thânun  E këtë varg, të shkëputur nga konteksti, kritikët e Tij e përdornin si armë kundër Mjeshtrit që me çdo kusht rrekeshin ta nxirrnin tradhtar. Por e fshihnin ata dëshprimin e skajshëm të Poetit që në vazhdim shprehej :

Shqyptarë a ndiet ?   Europa, mrrutë e ndytë,

Shkërdhye me Evrej t’Parisit e t’Londonit,

( Së cilës dreqi ia plasi të dy sytë

E marren mâ s’e sheh, njitas n’e s’vonit )

E bâni gjyq, qi t’nipat e Kastriotit

Shkjeve t’Ballkanit urë t’u rrijnë mbas sodit !

Patër Gjergji kërkon t’i zgjojë të gjallët e ti ngrejë mundësisht edhe të vdekurit, (me Surgite mortui ), me kushtrimin e Tij të dëshpëruar:

“Ah vaj, ah kob”, “Shka bâjnë shqyptarët?”, “Mbaroi Kosova”

“Humbi Janina”, “Shkoi Manastiri, Dibra e Gjakova …”

“Kushtrim, kushtrim !”

E mbas kushtrimit e thirrjes tronditëse u jep porosí të gjallëve me fjalë të një peshe të pashoqe :

T’u bjerë ndërmênd se mâ e rândë âsht thêmra e shkjaut kokëtrashë, se guri i vorrit n’krye !

Veprën e Patër Gjergjit ishte e qartë se diktatura komuniste, me ta marrë pushtetin në dorë, do ta nxirrte “jashtë ligjit” si pasojë e trysnisë së mikes së shtrenjtë dhe besnike, Jugosllavisë titiste. Ajo nuk kishte se si të pranonte që rinia shkollore të edukohej me vargjet “shoviniste fishtjane” :

Kjoftë mallkue, po, a plak a i ri,…

Qi s’lidhet sod me besë arbnore,

Për me dhânë mâ para jetën,

Se me ra fisi i Shqyptarit

N’thoj t’pangíshëm t’Gospodarit.

Po si e lexojnë sot këtë kumt drejtuesit e fateve të Kosovës që u erdhi mu në shteg, mbas vuejtjesh të mëdha e sakrificash sublime, pavarësia e Kosovës dhe nuk po e gjejnë dot fjalën me njeri-tjetrin që në mbledhjen e parë të parlamentit? Ç’janë ato interesa e “ poshtërsí të flligta “, (sipas At Gjergjit), që nuk i lenë t’ia japin “besën arbnore” njeri-tjetrit deputetët kosovarë e të tregojnë pjekuri politike se ata dijnë “me dhânë mâ para jetën” se sa ta humbin shansin e pavarësisë nga serbët? A ka më tragjedi për Kosovën dhe kosovarët se sa të mos e bëjnë të tyrin këtë kumt madhor që u vjen nga thellësia e viteve nga Patër Gjergji ?   

Konstatimet e Poetit janë të dhimbshme se Ai e vë gishtin mu mbi plagë kur Ora e Atdheut i thotë Ali Pashë Gucisë :

Se ngusht janë punët e Shqypnís,

Se mrendë besa âsht krejt harrue !   

Edhe dhimbja e Fishtës merr nota tejet dramatike kur shprehet :

Mori e mjera Shqyptarí,

Si t’shkoi moti gjithmonë n’zí,

Si t’shkoi moti tue kjá !

Vjetë për vjetë e muej për muej,

Herë n’gjak t’ând, herë n’gjak t’huej !

Po t’i bëjmë një analizë tashti se ç’kumt na dërgon Poeti lidhur me themelin e gjithë të këqijave që e kanë përfshirë si në një rrjetë merimange kombin tonë dhe cila është zgjidhja që të dalim nga kjo vorbullë që rrezikon të na gëlltisë, mjafton të analizojmë amanetin që u lë plaku Marash Uci dy blegtorëve të rinj, t’bijve t’Calit, para se të largohet për në luftë, që bukur fort mund të quhet edhe testamenti i tij. Më e para porosí e tij është t’a ruejnë familjen edhe gjân.  Vazhdon e u thotë mos ta çarsin nderën edhe besën e dhânun e ta duen vêndin e Atdhén.  U thekson të ruhen prej pandershmënís e sidomos prej grues së lëshueme.  Ngul këmbë e u thotë të shkojnë mirë me shokë e të afërm, të cilt, sido qenë, janë gjithmonë vllazën.  I këshillon që kurrë mos të poshtënojnë kurrkend e të jenë mikpritsa me të njoftun e të panjoftun e sidomos me të huej, por pa ua lëshue këtyne të fundit kurr zêmrën në dorë.   

Sa më shumë të lexohet dhe të rilexohet ky kumt lidhur me normat e moralit që na dërgon Poeti nga thellësia e kohëve, aq më shumë rritet trishtimi tek hedh sytë prapa. Këto norma diktonte Kanuni i Lekë Dukagjinit që ushtrohej në Dukagjin edhe Mirditë. Moral dhe vetëm moral sheh në Kanunin e Maleve të Malësisë së Madhe. E asgjë tjetër veç moral diktonin Kanuni i Skënderbeut për Malësitë e Krujës, Dibrës edhe Matit, e gjithashtu edhe Kanuni i Papa Zhulit për Himarën e Kurveleshin. E pikërisht me që këto norma binin ndesh me internacionalizmin proletar, me pronën e përbashkët, me dredhitë mashtruese, me prerjen në besë, me konfiskimin e pronës vetjake, me depersonalizimin e njeriut, etj.etj., diktatura komuniste i dogji në turrën e druve Kanunet e bashkë me ta edhe veprën e At Fishtës.  

Revolta e Patër Gjergjit është e ashpër, tejet’e tillë kur shprehet :

Uh !  Europë ti kurva e motit,

Qi i rae mohit besës e Zotit,

Po a ky â shêji i gjytetnís :

Me dá tokën e Shqypnis

Për me mbajtë klysht’e Rusis ?

Por ajo merr tone tragjike të pashëmbëllta kur një prift të devotshëm, revolta ndaj padrejtësive që i bëhen Atdheut të tij, e detyron të shpërthejë e t’i heqë vërejtjen edhe Zotit vetë kur i drejtohet e i thotë :   

O Perendi a ndjeve, / tradhtarët na lane pa Atdhé,

E Ti rrin e gjuen me rrfé, / lisat n’për male kot !

E kuptojnë këtë kumt gega edhe toska. Nuk ka nevojë “përkthimi” me normat e drejtshkrimit të kuptuarit e kësaj revolte të patriotit me bindje të thella atdhetare.  Madhështinë e personit që e formulon këtë mesazh nuk e shohin ata që nuk e dijnë ekzistencën e vetë mesazhit dhe mundohen ta përbaltin autorin, sepse thellësisht injorantë e hiqen nga hunda nga keqdashësit e ndërgjegjshëm që tremben nga hija që u bën Poeti atdhetar! Këta të fundit, me nënshtresë osmano-bizantine, të suvatuar në B.Sovjetik me marxizëm-leninizëm, dhe të dyzuar nga ana karakteriale vite me radhë, rreken ta paraqesin të madhin Fishtë si armik të përparimit dhe të arsimit kombëtar e si pasojë kjo është sipas tyre pjesa e djallit tek Fishta. E unë them: u dëgjon vallë veshi atyre se ç’u nxjerr goja ?   Internacionalizmit komunist i shërbyen ata verbtas, ndërsa Fishta flí u bë veç për Atdhé. Mos e donin ata shqipen të shkruar me “kirilica” përkundër asaj të Mjeshtrit që gjuhën tonë e çoi drejt Europës? Ata e harrojnë kumtin madhërisht të fuqishëm që na vjen nga Fishta me një lirizëm të pashoq : 

          Prá, mallkue njaj bir shqyptari, / Qi kët gjûhë të Perendis

          Trashigim qi na la i Pari, / Trashigim s’ia lên ai fmis;

          Edhe atij iu thaftë, po, goja, /  Që përbuzë kët gjûhë hyjnore;

          Qi n’gjûhë t’huej, kur s’âsht nevoja, /  Flet e t’vetën lên mbas dore.

Disa konsiderata:

E gjej me vend të rikujtoj një bisedë tejet kuptimplote të zhvilluar rreth viteve 80-të. Bisedoja një ditë me të nderuarin, tashmë të ndjerë, advokat Ferid Çabej. Gjithashtu e ndjej për detyrë morale të shtoj se ai ishte një burrë i mënçur dhe me karakter, bash si personazhet e Lahutës e për më tepër edhe shumë i kulturuar. Biseda mori drejtimin rreth të vërtetës, të drejtës, (absolute apo jo), si edhe vendimeve që merrnin gjyqtarët. Mbasi më foli me shumë dhimbje se si drejtësia në Shqipëri kishte marrë fund që me politizimin e saj kur pushtetin e morën në dorë komunistët, ku veç drejtësí ajo nuk mund të quhej, më  thotë:  “ … duhet ta kesh mirë parasysh se në aparatin e drejtësisë së dikurëshme, ndër njëqind juristë, ne i numronim me gishta të pandershmit … dhe pushtetarët kësisoj, në përgjithësi, nuk ndërhynin dot që nëpërmjet organit të drejtësisë të bëheshin  padrejtësíra…”.  

Duke rikujtuar këtë pohim mendoj se hidhet dritë mjaft bindëse përse dhe ç’e shtynte Patër Gjergjin të sulej aq ashpër ndaj dukurive negative sporadike në të gjitha fushat e jetës së shoqërisë së atëhershme dhe t’i përgjithësonte. E bënte ai këtë se donte që shqiptari të ish i përkryer dhe donte gjithashtu që: Shqypnisë t’mos i rândojë asnji qyme përmbi tê.  

E kanë akuzuar Lahutën e Malcísë si vepër kronologjikisht të jashtëkohshme.   Dakord, e pranojmë për një çast, po kur vetë Autori pohon se veprën e Tij e shkroi: Për me kndue m’Lahutë t’Malcis,/ Se si u ênd fati i Shqypnis, dhe nga ana tjetër flet për personazhe konkrete si edhe trajton bëmat e tyre, mendoj se Ai vetë e hedh poshtë anakronizmin si akuzë ndaj veprës së Tij. Kënga popullore i ruajti gjallë në kujtesën e popullit bëmat e heronjve të ndryshëm. E pikërisht ky folklor popullor bëhet gurra që ushqen veprën e Patër Gjergjit. Fishta në esencë është poet i qënësisë gojore popullore.   Mirëpo Ai nuk është kopjues i këngës popullore epike, por një krijues mbi bazën e saj.   Për një ilustrim i referohem studjuesit dhe njohësit të thellë të veprës së Fishtës si edhe stilistit nga më të përkryerit të gjuhës shqipe, prof. Ernest Koliqit, i cili thekson: “Nuk dihet a qe Fishta qi gjet frymzimin e vet në burime të letërsís gojore apo letërsia gojore qi fatlumsisht gjet në Fishtën vleftësuesin e vet mâ të përshtatun. Mysteri i fateve të kombit. E vërteta âsht qi zâni i Poetit u përzí e u shkri në nji mënyrë të tillë me zânin e mbarë popullit sa mos me dijtë ku fillon njani e ku mbaron tjetri.”

Nuk mund të kalohet pa prekur edhe një problem mjaft shqetësues siç është mohimi i trashëgimisë. Trashëgimia, si teori, e ka treguar veten se sa e themeltë që është, në kundërshtim flagrant me teoritë komuniste që nuk e pranonin genotypin dhe insistonin në ndikimin e patjetërsueshëm të mjedisit rrethues. E si pasojë, tek ne për gjysëm shekulli pikërisht iu vu flaka trashëgimisë, qoftë ajo zakonore, intelektuale, e pronës e kështu me radhë. Kjo solli atë zbrazëtí që përjeton sot vëndi ynë dhe nuk e plotëson dot.   Konkretisht shëmbull nga At Gjergji, tek i këndon Ai luftës me Malin e Zi, vargëzon:

N’zâ Kelmendt për begatí : / U ka pri, krejtë n’ari ngrí,

Vetë Çun Mula, bajraktari,/ Qi mâ i mirë s’bâhet Shqyptari

E regjimi diktatorial jo që nuk e desh trashëgiminë e vyer të zakoneve atdhetare edhe burrnore që mbarte Çun Mula t’ua transmetonte brezave pasardhës por, edhe pse gjermanët pikërisht të nipin Mul Delinë e internuan në kampet e çfarosjes, gjithë pinjojt’e tij i kalbi internimeve për 46 vite me radhë. E ky është vetëm një shembull, por të tillë janë të pafund sa në qytete e mbase më shumë në fshatra anë e kënd vëndit tonë! Duke e cunguar pra trashëgiminë e mirëfilltë të normave të etikës dhe moralit brez pas brezi, që aq të rrënjosura i kishte shqiptari, erdhëm në ditë të sotme ku po të shikojmë mbrapa, veç boshllëk dallojmë, e duke shkuar përpara, po shkojmë si anija pa busullë në mëshirën e “këshillave të të huajve”. Dhe e keqja është se komunizmi trashëgiminë e dhunoi, e mohoi e me çdo kusht desh të krijonte njerinë e ri pa të kaluar e vetëm me të ardhme. E nga kjo ç’rrodhi? Ai difekt i pariparueshëm i cili fatkeqësisht shumë gjatë do të ndikojë në t’ardhmen e vëndit tonë.  

Tanimë i erdhi radha të kujtojmë edhe një thirrje që i bën shqiptarit Patër Danjel Gjeçaj, ai erudit i skajshëm dhe njohës tejet i thellë i veprës si edhe i shpirtit të Patër Gjergj Fishtës. Ai i drejtohet bashkatdhetarit dhe i thotë: “ Ndigjoje me vemêndje Fishtën e fletët e Lahutës le të jenë si thërmijat e dheut qi Hungarezët, jashta atmes së vet, ruejnë me kujdes ndër shishe për t’i pasë gadi të desin me to nen krye, të lumë se mbyllin sytë tuj pushue për të mbrâmën herë mbi tokën e të Parvet, si mjeshtërisht i msoi poeti i madh Petëf !”  (Dielli-arkiv)

Filed Under: ESSE Tagged With: i Peter Gjergj Fishtes, Kumti, Mergim Korca, pertej varrit

Mishërimi i të vërtetave tek Mark Twain….

January 17, 2014 by dgreca

Esse nga  Raimonda Moisiu/

Hartfordi është Kryeqyteti I shtetit amerikan, Connecticut (Kënektikat apo Kenerike sipas “slang”-ut të vjetër) I shtrirë në distriktin e Hartford -it. Emri indian I qytetit ka qënë Suckiaug  dhe në vitin 1637 mori emrin Hartford sipas një qyteti anglez. Lundërtari  hollandes Ardien Block, ishte I pari europian që eksploroi duke lundruar në lumin Kenerike në  anijen me vela.  Në vitin 1633-e  kolonistët e parë hollandezë   ndërtuan  fortesën e  quajtur  “Shtëpia e Shpresës së mirë”, e cila humbi shpejt kontrollin nga puritanët  anglezë dhe një qëndër tregëtare që ekziston edhe në ditët e sotme pranë  Hartford-it. Ndërsa në vitin 1636  hollandezi, I përndershmi Thomas Hooker arriti me rrugë tokësore nga Newtown (Canmbridge), Massachusetts, së bashku me kongregacionin e tij  dhe fillimisht e quajti Newtown. Në vitin 1639 me miratimin dhe nënshkrimin e “Parimeve themelore”,  që konsiderohet si Kushtetuta e Parë  moderne,  solli  krijimin e qeverisë së parë. Që prej atij viti  shteti amerikan Connecticut, do të quhet “Shteti I Kushtetutës”. Hartford shërbeu si Kryeqyteti I kolonisë hollandeze deri në vitin 1701, duke përfshirë edhe  distriktin e Neë Haven në koloninë e tyre. Vecojmë se në  atë kohë, do të ishin dy kryeqytete; Hartford & Neë Haven.  Përfundmisht në vitin 1875 Harftordi do të bëhej kryeqyteti I vetëm I shtetit të Kenerikes. Sot për sot rradhitet si një nga qytetet e treta të mëdha në këtë shtet, pas qyteteve Bridgeport dhe Neë Haven. “Greater Hartford është  metroja më e madhe në tërë shtetin kenerian dhe I 45-i në të gjithë Amerikën, me një popullsi metropolitane prej 1,188,841. Distrikti I Hartford-it ka një peisazh të bukur e mahnitës natyror me shtrirjen e tij përgjatë Lumit Kënektikat, urën gjigande mbi këtë lumë, dhe lartësohen hotelet me pesë hyje,  gratacela,  institucione financiare dhe tregëtare, ndërtesat antike dhe  parqet  e bukura kombëtare të përhapura në të gjithë distriktin. Fillimisht zona e njohur sot si Parku Elisabeth ka qënë në pronësi të industrialistit, burrë shteti dhe Guvernator I Thesarit të Shtetit të Kënektikat-Charles M.Pond. Kur Mr. Pond vdiq tokën ia  la trashëgimi, Qytetit të Hartfordit me kusht që të shëndrrohej në park të hortikulturës dhe të mbante emrin e gruas së tij Elisabet, vdekur disa vite më parë se ai. Bashkia  e Hartford-it punësoi mjeshtrin hortokulturist (kopështar) Theodor Wirth I cili në vitin 1904  krijoi  një kopësht të bukur, kryesisht me  trëndafila, gjelbërim, lule të varieteve të ndryshme dhe ndërtoi pranë rrjedhjës së lumit një kafene me emrin e industrialistit Mr.Pond! Sot Parku Elisabeth është një nga Parqet kombëtare më të bukur  të  hortikulturës, jo vetëm në Amerikë, por në tërësinë e kontinentit amerikan. Por ajo c’ka e bën të dallueshme civilizimin e shoqërisë është kujtesa, identiteti individual, zhvillimi, ruajtja e trashëgimisë kombëtare në kontekstet shoqërore, kulturore, historike, gjeografike, infrastrukturë, mjetet për ta materializuar e pasuruar atë, nëpërmjet librave, restaurimit të tyre, kronikave, muzeumeve, identifikimin e  individëve të shquar, lidhjet e tyre personale me komunitetin, kombin dhe  botën. Këto lidhje artikulojnë  dhe paraqesin kohën, vendet dhe sistemet  social –kulturore dhe  shprehin vlerësimin për ndikimet  e kulturave të ndryshme historike e bashkëkohore. Është interesante për të theksuar se sa shumë artistë, shkrimtarë, aktorë, regjizorë, politikanë, muzikantë dhe producentë kanë lindur e  rritur në Hartford, apo studiuar dhe  shkolluar në Universitetet famose të Kënektikatit, si YALE apo UCONN. Në Hartford   është varrosur themeluesi I Kënektikatit, Thomas Hooker, ka lindur dhe është varrosur gjithashtu,  aktorja e famëshme e Hollyvood-it, Katharine Hepburn, Linda Evans, aktorja e Dynasty Fame, nga Hartfordi është aktorja simpatike dhe shumë e kërkuar amerikane, Meg Rajan,  kongresisti amerikan I viteve  1776-1832 Parmenio Adams , George Ë.Bush etj, etj. Por në Hartford është shtëpija ku u shkruajt “Ditari I Ana Frank” apo “Kasollja e Xha Tomës”. Në Hartford jetoi dhe zhvilloi veprimtarinë e tij, një nga autorët më të njohur në botë, Samuel L.Clemens, I njohur më mirë si Mark Tëain, me më shumë se 30 libra, qindra tregime dhe esse, leksione e studime shkencore. Në Hartford jam edhe unë banore e tij prej më shumë se një dekadë. Sa më shumë kalojnë vitet aq më shumë rritet interesimi im për të mësuar, zbuluar dhe njohur më nga afër historikun e jetës të këtij qyteti. Kur u vendosa fillimisht këtu teksa vozitja rrugëve të tij, më ranë në sy ndërtesat karakteristike si ato të qytetit tim, apo ndërtesa në formë “vapori”, si ajo që ka qënë dikur në qëndër të Korcës, -(ish-Farmaci) ndërsa sot Prefektura e qytetit). Parkun Elisabeth e shëmbëllej me parkun Rinia. Forcën e dijes, kulturës, inteligjencës e qytetarisë korcare, themelimin  dhe muzeumet  për identetin individual dhe zhvillim të Korcës, i lidh me  historikun hartfordian. Gjatë qëndrimit të tij në Hartford Mark Tëain është I njohur edhe për shtëpinë e tij me shumë dhoma dhe ambiente, që nga dhomat e gjumit, kuzhinën, banjot e shumta,  të clodhjes, bibliotekat, dhomat e studimit, muze, teatro, kinema,  të gjitha të përfshira me sistemin rrjedhës ngrohës, oborr të madh, lulishte me gjithfarë lulesh, gjelbërim, , belvederen, shatërvanet,  dhe statuja të ndryshme, që shprehnin forcën e dijes e të kulturës të jetës e veprës së tij.  Sot kjo shtëpi luan një rol të dyfishtë, jo vetëm si shtëpija e Mark Tëain, por edhe Muze kombëtar, për të nxitur ndërgjegjësimin dhe vlerësimin e jetës e veprës së Mark Tëain, për të treguar rëndësinë e krijimtarisë së tij letrare, shkencore, në fusha të tjera dhe për të shprehur  idetë, mendimet dhe opinionet e qytetarëve të botës.  Teksa vizitoja këtë shtëpi muze, më përqasej   Shtëpija Muze e Shkollës së Parë Shqipe, në Korcë, me shumë dhoma, (klasa) që përhapnin dije, shkrim e kulturë,  oborri me shtaërvanin dhe monumentin më gërmat simbolike dhe korespondimi kohor.  Por edhe për një arësye tjetër, sepse në ballafaqimet me botën perëndimore unë kurrë nuk do të lodhem se transmetuari këto vlera, vetveten, ndikimin që kanë këto vlera, në këtë vend multikultural me qëllimin e mirë  vetëm e vetëm për t’I bërë të njohur dhe integruar,  shpirtin intelektual, identitetin dhe krenarinë kombëtare shqiptare krahas kulturës hartfordiane dhe kulturave të tjera. Në këtë tentativën time kësaj here do t’u rrëfej  historinë, që është sa intriguese, interesante, origjinale, informuese, historike, – pra do t’u rrëfej,  mishërimin e këtyre të  vërtetave tek Mark Tëain,  jo vetëm si një vizitore e Shtëpisë së tij muze, por edhe si dy bashkëqytetarë të Harford-it, në kohë të ndryshme.

 

Jeta dhe veprimtaria e Mark Twain, në Hartford.

 

Për disa vite rradhazi, para viteve 1880-t, Mark Twain ka jetuar në Harford, të shtetit të Kënektikat-it (Kenerike), -në një shtëpi të ndërtuar përgjatë lumit Connecticut. Në shtëpinë ku ai shkroi  “Qyteti I të vdekurve”, “Aventurat e Tom Saëyer”-it,  “Monologu I Mbretit Leopold”, “Aventurat e Huckelberry Finn”-it, “Princi dhe I varfëri”, dhjetra libra, qindra tregime, esse, studime shkencore dhe publicistike në mbështetje të shpirtit zezak dhe luftës kundër racizmit, për të rikuperuar  atë gabim që kishin  bërë të bardhët ndaj popullsisë me ngjyrë. E gjithë kjo veprimtari letrare dhe sociale e bënë atë të njohur botërisht ende pa I mbushur të 45-t. Shprehja :”Sic thotë Mark Tëain”, u bë një frazë universale. Në Ëashington, ku ai pat kaluar disa muaj, pasi shkroi  “The Innocents Abroad”, libër I cili u lexua nga të gjithë anëtarët e administratës amerikane të kohës, dhe intrigoi dy senatorë t’I propozonin Mark Tëain dy poste të rëndësishme si:ministër apo këshilltar! Shkrimtari I ri kishte goditur në shënjë të epokës që po jetonte, pat fituar ngrohtësinë,  mbështetjen, vetbesimin e kombit triumfues, I bashkuar e I vetdijshëm  tashmë pas Luftës Civile.  Ai qëndroi në qendër të ndërgjegjes e ndjenjave kombëtare, ai shprehu homogjenitetin e pazakontë e të cuditshëm që Feminore Cooper dhe Ëilliam Dean Hoëells zbuluan në një vend që ishte ndryshe, I paqëndrueshëm dhe kaotik, një vend ku të gjithë e kishin një farë mënyre; “është atje”, – që e patën ndjerë dhe kishin përvojën  e përbashkët, megjithëse kjo  ishte krejt e pavërtetë për brezin e ardhshëm. Në madhështinë e tij, I lirshëm e I ciltër, ai foli për pionierin perëndimor,  atë c’ka ai gjeti, zërin e hershëm të Linkoln, dhe dramatizoi pikëvështrimin e tij, si aktor dhe prezantues, me një zell e dëshirë, që të sillte ndërmend Tom Saëyer-in. Gjithmonë në qendër të vëmendjes, Mark Tëain ishte një simbol I Amerikës së re, plot gjallëri, tërheqës dhe mahnitës, si ai ishte për botën e jashtëme, I pakrahasueshëm e me plot shije, ndjenjat dhe interesat e veta nuk I ndante nga ato të kombit. Humanitarizmi I tij impulsiv ishte tipik amerikan, ashtu sic ishte respekti për Gjermaninë dhe mospërfillja për Francën, në kohën kur Gjermania ishte “qendra” e Europës,  edhe pse në librat e parë të tij, ai pat gjetur te Napoloni I Tretë, “ shpirtin, dhuntinë, forcën, inisiativën, këmbënguljen tipike amerikane”. Po aq mirë edhe në aspektet e tjera, personaliteti I Mark Tëain, ishte mbi gjithcka, një emblemë e pashëmbullt e vendit dhe  kohës, në atë shkallë sa emri I tij evokohej nga  bashkëkohasit një përshkrim I gjallë i Amerikës të post – luftës. Ai ishte  demokrat, I thjeshtë e I ciltër, kur shkroi “Princi dhe I varfëri”, për të treguar se ishin identikë kur ata ndërruan rrobat; I cili ishte më I interesuar se si të fitonte lekët, shpikjet dhe makineritë në një moment kur sistemi kapitalist po cfaqte zenithin e tij. Me instiktin e një nismëtari dhe investitori  të  lindur, I cili pat përfituar nga “kohët e nxehta” të Nevadës dhe minierat e Sierra-s, e shtynë të investonte në dhjetra projekte për të fituar lekë më shpejt dhe patentën e shpikjes së sistemit ngrohës, (kaloriferëve)  të vendosur pas muri. Herë duke humbur dhe herë duke fituar, herë duke negociuar me shpikës të tjerë, përpiqej të shlyente edhe detyrimet, borxhet dhe shpresonte  të kontrollonte luhatjet e “qilimit të industrisë botërore”. Ai ishte autori I parë që përdori makinën e shkrimit, dhe lidhi telefonin  në shtëpi. Këto vecori të personalitetit të Mark Tëain, lindën karakterin letrar të tij, duke e shëndruar atë në shkrimtarin më të madh, të admiruar  e popullor të kohës. Ai ishte edhe një nga gazetarët e parë të kohës, si redaktor I një gazete që nuk u tërhoq nga botimi I saj edhe kur u gjend në borxhe. Komercialiteti dhe motivet e tij letrare ishin të ndërlikuara me njëra tjetrën. Ai kishte pak krenari në veten e tij si shkrimtar. Në “In life on Mississippi”, ai shprehet se e pëlqente profesionin e tij të pilotit,- sepse pilotët ishin ‘të pakontrollueshëm” dhe “indipendentë”, ndërsa shkimtarët “ shërbëtorët bësnikë të popullit”dhe kurrë nuk mund të jenë “trima e të ciltër”si pilotët. Nuk tregonte respekt për shkrimet e tij në fakt: ai e quante veten e tij “ sakat”  kundrejt “një prozatori të lindur e të sprovuar” dhe atij “njëfarësoji”. Mark Tëain kurrë nuk e dinte se kur shkruante mirë,- dhe shpesh metodika e tij e  të shprehurit dhe ndërtimit të kompozicionit të një tregimi, resultonte e dështuar. Ai ishte indiferent ndërsa shkruante një nga librat e tij më të mirë, “Aventurat e Huckelberry Finn”-it, sepse pjesërisht në të njëjtën kohë ai po shkruante edhe “ Simon Ëheeler, Dedective Amateur”. Ai shkriu tërë energjitë e tij, në “verbërinë e romanit të shkurtër”, -pati shumë pak kontroll prej artsiti, – përzierjen e absurdes me shënjtërinë, të tragjedisë me farsën. Mark Tëin ishte pikërisht ajo c’ka ka thënë Arnold Bennett për të:”Ai ishte një “piktor shpirtëror”, dy nga veprat  e tij janë kryevepra, “episodikisht  madhështore” dhe “inferiore” si “vepra të plota arti”. Po cfarë ishte Mark Tëain atëhere??!!

Mark Twain është  shkrimtari që bëri revolucion në prozën moderne realiste amerikane, shkrimtari që trashëgoi artin folkorik, edhe më pas te autorë të ndryshëm. Me sa shihet, në veprat e Mark Tëain vërehet  personaliteti dualist, një nga temat më të preferuara të Mark  Tëain,  të cilin e rishfaqi në shumë anekdoda  dhe tregime të tij, – personalitet që e vendosi atë pak a shumë në krahun popullor. Të gjitha këto reflektojnë mendjen e një shkrimtari I cili jo vetëm ishte dhe jetoi si një artist, mendja e të cilit ishte “e lirë”, por edhe shkrimtari që mbeti më I njohuri, vecanërisht  më  popullori si Benjamin Franklin Rusvelt, Lincoln dhe David Crocket.Është mëse e sigurtë që disa  nga veprat e  Mark Tëain ishin të destinuara  të jetonin me Amerikën, dhe ky njeriu që do të kujtohet gjithashtu si simbol I epokës së tij, humoristi dhe investitori inteligjent, dramatik, mëndjemprehtë, mirësinë e shpirtit,  djaloshi impulsiv,-“burri  nga Missouri”,  që e filloi jetën si Samuel L.Clemens, – u njoh e vdiq  si  Mark Tëain. Ai ishte filozofi dhe njeriu I shquar I letrave amerikane, klasiku    – që  u shëndrrua në legjendën e Amerikës.

Raimonda Moisiu

Hartford CT USA 

Filed Under: Featured Tagged With: esse, Mark Twain, Raimonda Moisiu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4936
  • 4937
  • 4938
  • 4939
  • 4940
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT