• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Paqja pa anti-fashizëm?

December 7, 2013 by dgreca

Nga Albin KURTI/

Gabimi i pacifizmit evropian kundrejt fashizmit ndërmjet dy luftërave botërore po përsëritet në Ballkan, në vigjile të 100 vjetorit të Luftës së Parë Botërore. Paqja nuk është qasja e drejtë dhe as e dobishme karshi fashizmit. Nuk kemi nevojë për përvoja të hidhura të na përsëriten për të mësuar atë që tashmë e dimë. Pacifizmi nuk e pacifikon fashizmin (të cilin kështu vetëm sa e inkurajon), por pikërisht pacifikuesin. Paqja ndaj fashistëve është marrëdhënie e njëanshme: mund të japësh paqe por s’merr dot paqe mbrapsht.   Fashizmi serb aktualisht përfaqësohet nga treshja Nikoliq-Vuçiq-Daçiq. Origjina e tij është Nikola Pashiqi kurse prindërit e drejtpërdrejtë të këtyre bijve të fashizmit serb janë Milosheviqi e Shesheli. Si asnjëherë më parë ky fashizëm po shpërblehet jo vetëm duke u toleruar si nga Brukseli zyrtar po ashtu edhe nga Prishtina zyrtare. Dialogu politik në Bruksel shënohet nga kërkesat e Daçiqit, koncesionet e Thaçit dhe ndërmjetësimi i Baroneshës Ashton. Vëllimi ishte anormal: për vetëm një vit, që prej tetorit të vitit të kaluar, Thaçi është takuar plot 18 herë me Daçiqin. Ajo që po normalizohet është gjithsesi anormale.        

Dikur Serbia e konsideronte Kosovën çështje të brendshme të saj. Sot, Serbia është bërë çështje e brendshme e Kosovës. Thaçi dikur s’e pranonte tezën që Kosova është çështje e brendshme e Serbisë, mirëpo vetëm 15 vjet më vonë ai edhe e pranon edhe e zbaton tezën që Serbia të jetë çështje e brendshme e Kosovës. Dalja e Kosovës nga Serbia po zëvendësohet me hyrjen e Serbisë në Kosovë.

Me dialogun në Bruksel po normalizohet Serbia brenda Kosovës. Ky normalizim është gjithsesi forcim i Serbisë jo vetëm brenda Kosovës: ajo po forcohet edhe në kontekstin rajonal edhe në raport me BE-në. Dikur, në kohën e Milosheviqit e të Koshtunicës, Serbia mbante qëndrim kundër BE-së dhe NATO-s dhe i dirigjonte serbët e Kosovës përkundër perëndimit. Tash, nëpërmjet dialogut politik me Thaçin, ajo po e vazhdon dhe shton kontrollin mbi serbët pa pasur nevojë të jetë kundër perëndimit.   

Baronesha Ashton në Bruksel (me EULEX-in në Kosovë) dhe Daçiqi në Beograd (me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë) janë shndërruar në pronarët e vërtetë të Kosovës. Qeveritarët e Kosovës janë menaxherët, kryeministri Thaçi është CEO (Chief Executive Officer), ndërkaq ambasadorët e Quintit në Prishtinë paraqesin Bordin e Drejtorëve. CEO-së, apo ‘shefit’, i japin bonuse, teksa pronarët menaxhojnë gjithë menaxherët (me në krye shefin). Ishte simptomatike ajo shprehja e famshme ‘shefi i shefave’ te afera Pronto, apo jo?        

Në raport me Serbinë, Kosova nuk i ka problem vetëm krimet e luftës, por edhe qëllimet kriminale të saj që vazhdojnë të gjallojnë. Thaçi nuk do t’ia dijë për asnjërën prej këtyre. Thjesht, shumë më tepër Daçiqi beson në Serbinë si shtet sesa që Thaçi beson në shtetin dhe Republikën e Kosovës. Thaçi beson në para e në pushtet dhe që të dyja i do për vete. Paratë i ka për pushtet; pushtetin e ka për para.

“Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të dominohet nga veriu, pavarësisht numrit dhe popullsisë më të madhe në komunat me shumicë serbe në jug. Një aksion i mundshëm që do të dëshmohej posaçërisht problematik do të ishte bartja e kërkesave të gjera dhe të pazgjidhura pronësore të Serbisë anekënd Kosovës (p.sh. përtej 10 komunave anëtare) te Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Për më tepër, disa frikësohen që dykuptimësitë do të shfrytëzohen nga Asociacioni që të grabis pushtet në Kosovë. Siç tha një diplomat evropian i intervistuar, ‘Beogradi do të përgatisë serbët lokalë të thonë që gjithçka që nuk është eksplicite është kompetencë e Asociacionit’. Nëse njëra apo dy nga këto mundësi do të realizohen, kjo do të përmbushte druajtjen e errët që Asociacioni do të bëhet një ‘entitet’, sikurse Republika Serbe në Bosnje e Hercegovinë”. Kështu thuhet në një raport të botuar këto ditë nga Këshilli i Politikës për Demokratizim (DPC) e që mban titullin “Ujdi ende e papërfunduar: Kosova dhe marrëveshja Prishtinë-Beograd”. Fundja, Lista Serbe e Daçiqit njëherë u quajt Lista Serbia, ashtu qysh edhe Bosnja quhej Serbi për t’u kurorëzuar me Republikën Serbe atje që paraqet vetë arkivolin e shtetit të Bosnjes.

9 maji, Dita e Evropës, lidhet me deklaratën e burrështetasit francez, Robert Schuman, nga viti 1950. Mirëpo, nuk duhet harruar që, para kësaj, saktësisht pesë vjet më herët, u shënua ngadhënjimi mbi fashizmin në Evropë, më 9 maj 1945. Themeli i Bashkimit të sotëm Evropian nuk është thjesht paqja, por (edhe) anti-fashizmi. Fitorja mbi fashizmin e solli paqen kurse paqja ndaj fashizmit e solli Luftën e Dytë Botërore.     

Me qasjen e saj në Ballkan, Baronesha Ashton po e shpërfill anti-fashizmin nga parimet themeltare të BE-së duke e lënë aty të vetmuar paqen. Paqja pa anti-fashizëm është spostim i luftës për ‘ditë më të mira’. E, kushedi, Baronesha Ashton mund të jetë vetëm një gur në mozaikun e madh evropian ku tolerimi i partive të djathta ekstreme i kombinuar me fjalën magjike ‘austerity’ (shkurtesat) vetëm sa e ka forcuar fashizmin prej Greqisë e deri në Holandë, prej Francës e deri në Finlandë…    

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Albin Kurti, Paqja pa antifashizem

PRESIDENTI NISHANI E DEKRETOI TE BIRIN E XHELIL GJONIT

December 7, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Autorja e këtyre rradhëve i dërgoi më 3 dhjetor 2013 një Letër të Hapur Presidentit të Republikës së Shqipërisë, ku i kërkonte të mos dekretonte Ambasador në Zvicër të birin e Xhelil Gjonit, ish-eksponent i nomenklaturës komuniste. Kjo letër iu ridërgua Bujar Nishanit po përmes dy këshilltarëve të tij për diasporën në rrugë elektronike më 4 dhjetor, shoqëruar me Apelin “Bashkohuni me ne – Jo në Ambasada e Konsullata njerëz me lidhje me diktaturën“, i cili u mbështet përmes Facebook-ut dhe portalëve online nga shqiptarë të ndryshëm, në mesin e tyre edhe figura publike. 
Por Bujar Nishani nënshkroi dekretin më 5 dhjetor 2013 sa hap e mbyll sytë. Askush nuk dyshonte se do të vepronte ndryshe. Sepse Bujar Nishani njihet si një yesman i bindur. Kësisoj i ka ngjitur shkallët më të larta të pushtetit. I binduri i Berishës. 
Bujar Nishani nuk përfaqëson unitetin e kombit. Ai është shprehja më brilante e klientelizmit të pushtetit. Atë e zgjodhi në postin e kryetarit të shtetit një maxhorancë me një shumicë minimale,  produkt i trafikimit të deputetëve. Kjo maxhorancë pastaj do të humbiste katastrofikisht më 23 qershor 2013.
Bujar Nishani mund të mos e kishte nënshkruar me kaq ngut dekretin. Gjatë nëntorit ai u përfol në shtypin e Tiranës se kishte refuzuar, nën presionin e Berishës, të firmoste largimin e Neritan Cekës nga posti i Ambasadorit në Romë. Ndërsa nuk e mori absolutisht parasysh Letrën e Hapur të një gazetareje dhe as Apelin për të mos e hedhur firmën për një emër që lidhet në mënyrë shumë të qartë me nomenklaturën e lartë të shtetit diktatorial. 
Midis emrave që iu bashkuan Apelit përmes Facebook-ut, i cili u botua tek Zëri i Shqiptarëve www.voal-online, tek gazeta Dielli e Vatrës në SHBA si dhe në disa platforma albanofone në Perëndim – dhe vetëm tek gazeta e Durrësit në Shqipëri, – ka përfaqësues nga bota akademike, ish-të burgosur politikë, është bashkëshortja e Mandelës shqiptar, Pjetër Arbnori, është Kryetari i Vatrës Z. Gjon Buçaj, ka artistë, veprimtarë, humanistë, mjekë, gazetarë, botues, juristë, mësues, njerëz të thjeshtë, pa asnjë dallim politik dhe kufizim kufijsh. Por Bujar Nishani nuk bëri as mundimin më të vogël për të vendosur asnjë lloj komunikimi as përmes këshilltarëve të tij për diasporën, të cilët nuk u lodhën të kthenin asnjë gjysmë fjale përgjigje, ndërsa linqet që i vendosa në faqen zyrtare të Nishanit në facebook u hoqën menjëherë. 
Ishte pikërisht po ky Bujar Nishani që nuk pranoi të ushtronte rolin që i jep Kushtetuta e Shqipërisë kur ish- të përndjekurit e regjimit komunist u futën në grevë urie në vjeshtën e vitit 2012. Ai as komunikoi dhe as pranoi të takohej me grevistët, megjithë lutjet e atyre njerëzve të përvuajtur dhe apelit të faktorit ndërkombëtar.
Në Letrën e Hapur i kërkova Nishanit që të kontaktonte me këshilltarin e tij të kulturës, Amik Kasoruho, një ish i burgosur i ndërgjegjes dhe vuajtës i Gulagëve shqiptarë, të jatin e të cilit diktatura e kishte pushkatuar pa gjyq, por Bujar Nishani e bëri veshin shurdh e syrin qorr. Sepse është një president kukull.
Bujar Nishani mund të kontaktonte edhe me figurat që i bënin Apel. Disa prej tyre, përfaqësues të nderuar të diasporës shqiptaro-amerikane, e kanë pritur me nderime në SHBA, si përfaqësues i unitetit kombëtar, por Bujar Nishani nuk ka si të jetë simbol i këtij unitetit, kur nuk i përfaqëson viktimat e dala nga regjimi totalitarist. Prandaj ai është një president kukull. 
I tillë është sistemi zgjedhor në Shqipëri, që prodhon deputetë kukulla, institucione kukulla të cilat varen nga njëshi, që futen në lista nga njëshi, që dalin prej listave po nga njëshi. Produkt i të cilit është edhe presidenti kukull i Shqipërisë.
Sepse, nëse do të përfaqësonte unitetin kombëtar, ai do të duhej të merrte parasysh historinë bashkëkohore të shqiptarëve, përshkuar nga një diktaturë mizore; ai duhej të merrte parasysh vuajtjet e viktimave të pafajshme; ai do të duhej të merrte parasysh iniciativat e Vaclav Havelit dhe Presidentit të Gjermanisë Joachim Gauck që janë „Deklarata e Pragës për Ndërgjegjen e Europës dhe Komunizmin“, 2008 dhe “Deklarata mbi krimet e komunizmit”, 2010, ku bëhet thirrje për “dënimin e krimeve të diktaturave komuniste, të cilat duhet të vlerësohen si krime kundër njerëzimit, në të njëjtën mënyrë si krimet e Nazizmit që u dënuan nga Tribunali Nurembergut”.
Haveli dhe Gauck, ndërgjegja humaniste e Europës, kanë njohur tragjedinë e shkaktuar nga sistemi totalitarist, prandaj kanë kërkuar drejtësi, e cila nuk lejon që në administratën e lartë të shtetit, të një vendi që thuhet se ka përmbysur diktaturën më 22 mars 1992, të punësohen ose ish-zyrtarë të lartë sistemit totalitarist ose njerëz me lidhje gjaku me nomenklaturën më të lartë. 
Por Bujar Nishani nuk i kupton iniciativat e Vaclav Havelit dhe Joachim Gauck. Sepse ai është një president kukull.

Filed Under: Analiza Tagged With: dekretoi te birin, e Xhelil Gjonit, Elida Buçpapaj, Nishani

BUTRINTI

December 7, 2013 by dgreca

Nga NELSON CABEJ/

 Qytet iliro-epirot në jug të Shqipërisë. (në greqishten e vjetër Butroton (Βουθρωτόν) and latinisht Buthrotum). Të dhënat arkeologjike tregojnë se në Butrintin e sotëm ekzistonte një vëndbanim prehistorik1 iliro-epirot që nga shekulli XII p.e.s. Ky vëndbanim ishte në tërritorin e fisit të madh të kaonëve. Pesë shekuj më vonë, nga fillimi i shekullit VII p.e.s. aty u ngulën aty edhe kolonë nga kolonia greke e Kerkirës dhe formuan një koloni greke. Pas pushtimit romak Butrinti u bë një protektorat romak qysh në vitin 228 p.e.s. e më vonë Jul Cezari e shpalli atë koloni romake dhe rreth vitit 30 p.e.s. shumë  kolonë romakë u vendosën në këtë qytet.

Sipas mitologjisë romake, Butrinti u themelua nga trojanët pas shkatërrimit të Trojës nga grekët. Themeluesi mitologjik i qytetit është Helenusi, biri i Priamit, mbretit të Trojës. Sipas Virgjilit, qyteti u ndërtua për t’i ngjasuar Trojës nga Enea pasi shpëtoi “nga grekët fitimtarë’. Poeti romak Publius Ovidius Naso (43 p.e.s-17/18), i njohur përgjithsisht si Ovidi, shkruan: “Pastaj ata shkuan drejt vëndit të pheakasve, të pasur me fruta të shijshme, dhe arritën pastaj Butrintin në Epir, që i ngjante Trojës.”2. Sipas legjendës romake Butrintin e vizitoi edhe Enea, para se të shkonte me ushtrinë e tij në Dodonë për të marrë këshillat e orakullit3.

Në Tabula Peuttingeriana (shekulli IV) qyteti del me emrin Butharoto dhe në shekullin IX flitet për një peshkopatë të Bothrotos të varur nga arkipeshkopata e Naupaktit4. Në shekullin VI, në Hieroclis Synecdemus qyteti del me emrin Βουτρυτός (Butrytos)5.

Në mesjetën e vonë qyteti del në dokumente venedikase me emrin Butrinto. Që këtë emër ata e kanë marrë nga banorët shqipfolës të rajonit kuptohet jo vetëm sepse ata ranë në kontakt të drejtpërdrejtë me të vetëm në shekullin XV, kur morën në zotërim Butrintin, por edhe nga fakti se evolucioni i vëndemërit Buthrotum në Butrint ka ndodhur në përputhje me ligjet fonetike të shqipes e as të italishtes as të greqishtes. Nga e para do pritej që normalisht të binte prapashtesa –um dhe të dilte forma Butroto, e cila ka dalë në fakt dhe është përdorur e vazhdon të përdoret edhe sot në italisht. Forma shqip Butrint u italainizua në Butrinto duke marrë prapashtesën karakteristike italiane -o. Forma italisht u përhap edhe në  gjuhë të tjera të Europës perëndimore.

Për greqishten, duhet mbajtur parasysh edhe vwrejtja e  Kretschmer-it se  prapashtesa -ot- wshtw e huaj pwr greqishten6. Duke qënë një gjuhë conservative, ajo do të ruante formën e lashtë, me të vetmin ndryshim të pritshëm,  shndërimin e b-së nistore në v-. Në vënd të kësaj në të folurën e popullit greqisht, siç e ka marrë nga goja e greqishtfolësve dhe e ka hedhur në hartë në shekullin XIX gjeografi gjerman i lashtësisë Heinrich Kiepert (1818 – 1899), ajo ka evoluar në Vutzindro7. Forma Vutzindro, që del dhe në hartën e Turqisë europiane të Kiepertit8, duket qartë se ka kaluar në greqisht përmes shqipes.

Forma Butrint shihet qartë se ka dalë nga evolucioni normal i Buthrotum në bazë të regullave fonetike të shqipes, duke humbur prapashtesën -um dhe duke pësuar shndërrimin e -t- në -nt-, që, sipas Pokorny-t, është karakteristik për shqipen dhe ilirishten9.

 Referimet

1. Ceka, N. (2005). Butrint: A guide to the city and its monuments. Tiranë, 1919.

2. P. Ovidius Naso, Metamorphoses,  Libri XIII, 719-21: “.Proxima Phaeacum felicibus obsita pomis rura petunt, Epiros ab his regnataque vati Buthrotos Phrygio simulataque Troia tenetur”.

3. The Roman Antiquities of Dionysius of Halicarnassus Libri I, 51, 1.

4. Prinzing, G. (2012). The AutocephalousByzantineEcclesiasticalProvince of Bulgaria: How independent were its archbishops? Bulgaria Mediaevalis, III, 355-383 (376).

5. Hieroclis Synecdemvs: accedvnt fragmenta apvd Constantinvm Porphyrogennetvm servata et nomina vrbivm mvtat. Red. B. G. Teubner, Leipzig, 1893, f. 13.

6. Kretschmer, P. (1896). Einleitung in die Geschichte der griechischen Sprache. Vandenhoeck und Ruprecht, Göttingen, f. 257.

7. Kiepert, H. (1878). Lehrbuch der alten Geographie. D. Reimer, f. 301.

8. Kiepert H. General-Karte von der europäischen Türkei : nach allen vorhandenen Originalkarten und itinerarischen Hülfsmitteln / bearbeitet und gezeichnet von Heinrich Kiepert; Schrift gestochen von W.u.C. Kratz in Weimar ; Terrain radirt von C. Ohmann in Berlin. Në internet:

http://www.lib.uchicago.edu/e/collections/maps/kiepert/

9. Pokorny J. (1959). Indogermanisches etymologisches Wörterbuch. Francke, Bern, 1959-1969. Internet: http://dnghu.org/indoeuropean.html

 

Filed Under: Featured Tagged With: Butrinti, Nelson Cabej

LIDERËT SHQIPTARË:HISTORI ME DINAMIT

December 7, 2013 by dgreca

Shkruan: Valdet  ERMALI/

Ditën e përurimit të fillimit të punimeve në rrugën (ndër)kombëtare Milot-Rrëshen, loti i parë i saj, kryeministri socialist Fatos Nano pultoi e zona përrreth u mjergullue nga shpërthimi i dinamitit dhe, ashtu, tue qesh para televizioneve, deklaroi plot cinizëm ballkanik: “E hodhëm në erë Ilir Metën”. Asnjë kryeministër në kohën e sotme nuk mund të vepronte kësisoj si ky i yni, ndaj paraardhësit të vet me dy mandate kryeministrore, biles as ndaj një qytetari të lirë të botës. I çuditshëm është ky dinamiti. E mban një fitil të pandezun. Iu shkreh Nanos nëpër duar. Ia spirravi karriken. E gropoj. Thonë se Nano iku në Vjenë të Austrisë në ekzil turistik. Ilir Meta u rikthye si fitore e të majtës në elektoriadën e fundit, si kryetar i Parlamentit të Shqipërisë, si bashkëkryetar i mazhorancës së sotme qeverisëse.

Me të ardhun triumfator i pasluftës në Tiranë, kryetari i Qeverisë Enver Hoxha, nga punët e para të tij, do të shkatërronte me dinamit në dhjetor 1944 Mauzoleumin e Nanës Mbretneshë Sadije (nana e mbretit Zog) përndryshe edhe Mauzoleumin e Familjes Mbretërore Shqiptare. Kohët ecën tue orakullue: Enveri në Varrezat Publike të Sharrës dhe Mbreti Zog e Mbretëresha Geraldina, Mbreti Leka I e Mbretëresha Suzan, rikthen tek Mouzoleumi Mbretëror, tek Nana Mbretëreshë Sadije, në nëntor 2012, në 100 vjetorin e Pavarësisë Kombetëre Shqiptare.

Më ka rastis të jem në Tiranë atë mbasdite vere të vitit 1980 kur kryeministri Mehmet Shehu me trupa xheniere kreu shembjen me 90 kg dinamit të godinës së Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit të Tiranës e, njëherash, edhe të një banjoje turke në rrethatinë. Më 17 dhjetor 1981 kryeministri Shehu do të (vet)vritej në vilën e tij… Tjetra: Në këtë hapësirë përqakore u ngrit Memoriali i liderit komunist të luftës e punës, Enver Hoxha, që u rrëzue nga populli më 20 shkurt 1991 tue u tërhjek zhag deri në Qytetin Studenti, në Sheshin “Demokracia”.

Këso sjelljeje me dinamit po praktikojnë edhe vazhdimtarët e tyre, të njoftun në politikë si socialistë të brezit të dytë e të tretë të tyre. Këta po eksplozivin gjithandej pallate, etj., si në Tiranë, Vlorë, etj.  Mirëpo këto nuk të sjellin një fund të mirë e as nuk të përcjellin një emër të mirë. Vet shpikësi i dinamitit, Alfred Nobel, ende thirret “tregtar i vdekjes”, ndonëse njerëz nga ma të shquarit e botës e në gjithato fusha të jetës e mbajnë emrin e tij fisnik: Çmimi Nobel.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Histori me dinamit, Lideret shqiptare, Valdet Ermali

Piratësia ilire, një shpifje historike

December 6, 2013 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/

Ende ka zëra, jo vetëm nga të huajt por edhe nga të tanët që ilirët ishin piratë. Sa është kjo e vërtetë ? Ishin ilirët piratë apo kjo ishte një shpifje e madhe historike ,dhe që kjo shpifje , ky sajim qëllimkeq  “ lundron” endje në mendjet tona ?

“ Nga fundi i shek. të tretë prK në bregun e detit të Ilirisë së lashtë arrijtën Romakët, me qëllimet e tyre ekspansioniste . Ata shkelën për herë të parë ashtu me një  qellim  të caktuar në bregun e detit Ilirik. Duhej pushtuar , duhej vrarë duhej gabitur . Arsyetimi : “Duhet mbrojtur kolonët grek dhe duhet shpëtuar tregtija detare ne “piratsia” Ilire !” Qëndrimi i gjatë  luftarak ilir nuk mund të zgjatëte krejt jetën ..dhe filloi pushtimi. Masakrat barbare mbi meshkujt e Ilirisë , dhunimet dhe shitja e grave dhe vajzave ilire nuk ndalej, e fëmijtë e pambrojtur përfundonin duku largë që as sot nuk dihet se ku.Por më e keqja mbeti me shekuj  (23 shekuj)  , një e keqe që edhe ne i zurëm besë : Ilirët ishin piratë !

“Që nga kohërat shumë të herëshme , shumë të lashta , pirateria e luante një rol të madh në këto ujëra (Adriatik fxh), dhe si “mjeshtëri “ fitimprurëse ruhej brez pas brezi  nga banorët e bregut lindorë “ (historiani  francez Maurice Holleaux )

Ky qëndrim i historianit francez me ndikim M. Holleaux , është pjesë e teorisë së tij për piraterinë Ilire  gjëja se ishte problem me shekuj në Adriatikun e vjetër. Ai qëndron fortë në teorinë e tij që kjo ishte arsyeja kryesore  se pse Romakët më këtë “argument”  e kaluan Adriatikun  dhe ku u zhvilluan dy luftërat Ilire , ajo e vitit 229,8 dhe tjetra e vitit 219 paraK.

Shkollarët tjerë , më vonë i vuan në pikëpyetje pikëpamjet e Holleaux-it e sidomes në mbështetje të Polybusit. Si e shihte Roma Adriatikun ? Njeriu që mundohet të sqaron faktorët që e prodhuan shpifjen e piraterisë Ilire,hulumtimin e piraterisë së lashtë dhe portretësimin e Ilirëve  është Edward Bragg Ph.D. Oxford 2005ai Ai në punimin e tij . “ Pirateria Ilire (Illyrian piracy – Ancient endemic or historical construct )  e spjegon që kjo shpifje ishte e Romakëve e motivuar në mbrendinë e tyre për qëllime ushtarake, politike dhe ekonomike e cila është edhe kundër argument i spjegimeve të historianit Holleaux, dhe dhe shumë holleauxave të tjeë gjatë historisë 2200 vjeqare.

“Në mesin e të parëve të Adriatikut  që nga kohët më të hershme , (ilirët fxh)  e kishin një  zë të keq  (që nga shek. i pestë prK)  :se  të lundrosh nëper Adriatik ishte një rrezik përrallor dhe një ndërmarrje e  rrezikshme “ (Holleaux 1928) . Sa qendronte kjo?

Vetëm ta lidhim me propagandën serbe dhe do ta kemi të qartë : “Qëllimi i hulumtimit të prejardhjës së Shqiptarëve, qëndron në atë që përfundimisht të hidhet poshtë një falsifikim historik, një mit ideologjik, me të cilin ishte arsyetuar dhe legjitimuar rrëmbimi i tokave të huaja , e në këtë rast tokave tona( serbe f.xh.) , toka të cilat e kanë  një vlerë që nuk maten me asgjë  për historinë kulturën dhe gjeostrategjinë e popullit serb ; toka nga të cilat populli serb, kurr  nuk do të hjek dorë .”( Akademik Mihajlo Markoviq).

Dr. Adrian Anastasi (Shqipëri), i cili edhe më parë ka mbrojtur me ngulm idenë e prezencës konstante të flotës tregtare ilire në ujrat e Mesdheut, shprehet se zbulimet e kohëve të fundit, në të gjithe bregdetin shqiptar, por veçanërisht këto të Durrësit hedhin poshtë tezat e “piraterisë ilire”, me të cilat mvishej padrejtësisht lundrimi i anijeve ilire gati 2 mijë vjet më parë.  “Në respekt të këtij realiteti që sjellin zbulimet e fundit, rezulton se teza e “piraterisë ilire” është bllof dhe ka patur një synim politik të dominimit-vlerëson arkeologu nënujor. Siç e dimë, qytet-shtetet e Greqisë së lashtë, por edhe senati romak kërkonin shpesh herë “casus belli”, pra shkase ( pretekste) për ndërhyrje ushtarake.

Ilirët “historikisht ishin  “ analfabet pa shkrim lexim , pa kulturë , barbar  dhe piratë.!?

Kurse për shqiptarët vazhdon i njejta melodi :”Gjurmët e tyre duhet kërkuar nëpër varrezat e tyre nëpër bjeshkë e vështirë që gjindet diçka e mirëfilltë” (Vesna Peshiq : Shqiptarët Ilir të rrejshëm)” “Kurse shtypi i Beogradit ,kabinetet e Beogradit dhe zotërinj ministrat e punëve të jashtme i konsideronin shqiptarët raje të paemër, që banonin në vend të paemër, pa histori, pa letërsi dhe gjuhë letrare, pa tradita, pa poezi, pa të gjitha ato atributet, pra, që njeriun dhe fisin e bëjnë fis njerëzor. “(shtypi serb, Jovan Deretiç)  “

Burimet e shkruara antike, të cilat nuk japin të dhëna mbi veprimtarinë tregtare të lundrimit në Ilirinë e jugut, vijnë kryesisht nga autorë të lashtësisë me përkatësi greke dhe romake, por gjetjet e relikteve të anijeve me mallra, që dilnin nga porti i Durrësit, apo shkonin drejt tij janë vërtetimi konkret i shkëmbimeve ekonomike intensive mesdhetare mes porteve të Ilirisë dhe vëndeve të tjera të pellgut mesdhetar, përfshi edhe Afrikën e veriut.

Gjërat duhet shikuar ndryshe nga ne dhe nga miqt tanë:”Veprimtaria e pandërprerë dhe intensive tregtare në të gjithë periudhën tashmë vërtetohet nga gjetjet e fundit, në të cilat nuk ka asnjë shenjë ndërhyrjeje piratësh, me djegëje, apo me armë në bord”-sqaron arkeologu me përvojë Dr. Anastasi

Harry Dell  në vitin 1967 (The Origin and Nature of Illyrian Piracy ;Harry J. Dell)  i ka kritikuar ashpër  bindjet gjerësisht të pranuara për piratësinë Ilire duke i ndriquar me fakte shumë të meta të shpifjes së Holleaux-t (historian ,etnolog dhe gjeograf francez 1861-1932) . Holleaux-i thirrej në shkrimet e Lysias-it  (445 prK—380 prK) për rreziqet e Adriatikut  e i cili nuk e përmendë piraterinë si rrezik  , por Lysias-i e ka cekur vetëm frigën e tregtarëve athenas në lundrimin e tyre nëpër detëra të hapur.  Pra Holleaux- sajonte gënjeshtra. Harry Dell me kundërargumente të forta e mohon piratësinë ilire , duke e spjeguar frigën e athenasve vetëm nga kushtet gjeografike dhe meteorologjike  e jo nga piratëria. H.Dell mendonte që për anijet e vjetra ishte më e lehtë të lundronin nëpër detërat lindor të Adriatikut (Iliria) , ku kishte porte  të shumta se sa në ato anët perëndimora të cilat nuk e kishin asnjë port detar. Por lundrimi në anën lindore rrezikohej nga frymat e egra  lindore të quajtura ”bora” , të cilat paprimtmas i rrezikonin anijet e dobëta athenase.Dhe friga spjegohej dhe arsyetohej me rrezikun nga piratësia. Adriatiku ishte plotë befasira.

Shpifje për Mbretëreshën Teuta, shpifje për piratërinë Ilire  , por çelësi ishte të fakti se Roma e dëshironte ndikimin lundrues  mbi Adriatik si dhe rëndësia e ngushticës së Otrantit, e shtrirë në mes Puljas dhe Epirit. Këtu ishte çelsi i lundrimit të suksesëshëm me një vlerë të mashe ekonomike,diplomatike dhe ushtarake. , e të cilin çelës e mbanin Ilirët. Nuk ishte në pyetje vetëm kalimi i udhëtarëve në mes lindjes e perëndimin via Brindizi dhe Apollonia por edhe tregëtia në mes të detërave Jon dhe atij Adriatik. Edhe vetë sulmi romak i vitit 229 dhe 219 ishte për zaptimin e  grykës së Korfuzit dhe Apollonisë,  Pastaj në fundin e dy luftërave u pa se këto vende strategjike si dhe Otranto u futën nën administrimin romak . Për Romën ishte e rëndësishme mundja e ilirëve dhe marrja nën kontrollë e kësaj zoneje  të begat.  “ Casus Belli”

“Populli ka dashur demokraci, por kurrë nuk e kishte shijuar, dhe e kuptoj si anarki. Fajin e kanë intelektualët që shumë pak i kemi, ndersa kemi shumë pseudointelektualë që janë bërë pseudopolitikanë. Kombin e kemi të mrekullueshëm, vetem për faktin që nuk është shuar, por me gjithë okupimet mijëravjeçare ka mbijetuar! Kemi mjaft edhe shqipfolës i kemi edhe vjedullat e kombit që me erën e tyre të keqe   i lënë gjurmët në vetëdijësimin e gabuar të brezave të rinj.

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Fahri Xharra, Piratesia Ilire, shpifje historike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5028
  • 5029
  • 5030
  • 5031
  • 5032
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT