Shkruan: Valdet ERMALI/
Ditën e përurimit të fillimit të punimeve në rrugën (ndër)kombëtare Milot-Rrëshen, loti i parë i saj, kryeministri socialist Fatos Nano pultoi e zona përrreth u mjergullue nga shpërthimi i dinamitit dhe, ashtu, tue qesh para televizioneve, deklaroi plot cinizëm ballkanik: “E hodhëm në erë Ilir Metën”. Asnjë kryeministër në kohën e sotme nuk mund të vepronte kësisoj si ky i yni, ndaj paraardhësit të vet me dy mandate kryeministrore, biles as ndaj një qytetari të lirë të botës. I çuditshëm është ky dinamiti. E mban një fitil të pandezun. Iu shkreh Nanos nëpër duar. Ia spirravi karriken. E gropoj. Thonë se Nano iku në Vjenë të Austrisë në ekzil turistik. Ilir Meta u rikthye si fitore e të majtës në elektoriadën e fundit, si kryetar i Parlamentit të Shqipërisë, si bashkëkryetar i mazhorancës së sotme qeverisëse.
Me të ardhun triumfator i pasluftës në Tiranë, kryetari i Qeverisë Enver Hoxha, nga punët e para të tij, do të shkatërronte me dinamit në dhjetor 1944 Mauzoleumin e Nanës Mbretneshë Sadije (nana e mbretit Zog) përndryshe edhe Mauzoleumin e Familjes Mbretërore Shqiptare. Kohët ecën tue orakullue: Enveri në Varrezat Publike të Sharrës dhe Mbreti Zog e Mbretëresha Geraldina, Mbreti Leka I e Mbretëresha Suzan, rikthen tek Mouzoleumi Mbretëror, tek Nana Mbretëreshë Sadije, në nëntor 2012, në 100 vjetorin e Pavarësisë Kombetëre Shqiptare.
Më ka rastis të jem në Tiranë atë mbasdite vere të vitit 1980 kur kryeministri Mehmet Shehu me trupa xheniere kreu shembjen me 90 kg dinamit të godinës së Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit të Tiranës e, njëherash, edhe të një banjoje turke në rrethatinë. Më 17 dhjetor 1981 kryeministri Shehu do të (vet)vritej në vilën e tij… Tjetra: Në këtë hapësirë përqakore u ngrit Memoriali i liderit komunist të luftës e punës, Enver Hoxha, që u rrëzue nga populli më 20 shkurt 1991 tue u tërhjek zhag deri në Qytetin Studenti, në Sheshin “Demokracia”.
Këso sjelljeje me dinamit po praktikojnë edhe vazhdimtarët e tyre, të njoftun në politikë si socialistë të brezit të dytë e të tretë të tyre. Këta po eksplozivin gjithandej pallate, etj., si në Tiranë, Vlorë, etj. Mirëpo këto nuk të sjellin një fund të mirë e as nuk të përcjellin një emër të mirë. Vet shpikësi i dinamitit, Alfred Nobel, ende thirret “tregtar i vdekjes”, ndonëse njerëz nga ma të shquarit e botës e në gjithato fusha të jetës e mbajnë emrin e tij fisnik: Çmimi Nobel.