• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lamtumirë Sokol Olldashi!

November 21, 2013 by dgreca

Shqipëria në zi kombëtare në nderim të deputetit/

Në Kuvendin e Shqipërisë janë zhvilluar homazhet për nder të deputetit të Partisë Demokratike Sokol Olldashi, i cili ndërroi jetë në mënyrë tragjike në një aksident rrugor.

Arkivoli me trupin e pajetë të Sokol Olldashit doli nga shtëpia e tij për t`u zhvendosur në hollin e Kuvendit të Shqipërisë.  Familjarë, të afërm, miq, kolegë, përfaqësues të lartë të Partisë Demokratike dhe qytetarë të shumtë kanë zhvilluar homazhe deri në orën 14:00 kur trupi i Sokol Olldashit është përcjellë për në banesën e fundit.

Kreu i PD-se, Lulzim Basha ne mesazhin e tij të lamtumires, deklaroi se zoti Olldashi do të mbetet një impuls force për PD dhe gjithë të dashurit e tij.

“Nuk na besohet të mos e shohim Sokolin në këmbë. Të dashur familjarë, miq e kolegë, si bashkëpunëtor, kryetari i PD-së e kam unë këtë barrë të rëndë të përcjell bashkë me ju, me lot e dhimbje. Do donim që kjo e sotmja të mos ishte e vërtetë. Të mblidheshim sot për të festuar ditëlindjen e tij apo një festim familjar. Vetëm të mos themi që Sokoli nuk është më mes nesh. Ishte i paepur. Shkëlqeu si gazetar politik dhe opozitar i paepur. Çmontonte dhe denonconte intrigat politike dhe na jepte kurajo ishim pakicë dhe kur forcat e errëta përpiqeshin të na zhbënin. Sokoli nuk u nda kurrë nga ky rrugëtim i PD-së, me profilin kurajon e vizionin e tij. Na krijove dhimbje. Por je dhe do të jesh impuls dhe forcë. Një zë i dashur dhe mik i përjetshëm, djalë e baba i pazëvendësueshëm. Lamturimë i dashur mik e vëlla, u prefsh në paqe” tha Basha, gjate fjales se tij.

I pari që kanë zhvilluar homazhe kanë qënë kryetari i PD-së Lulzim Basha i cili është përlotur përpara arkivolit me trupin e pajetë të Sokol Olldashit.

Më pas ka qënë ish-kryeministri Sali Berisha duke u ndjekur më pas edhe nga i gjithë grupi parlamentar demokrat..

“Shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe dua të them që Sokol Olldashi jeton dhe do jetojë midis nesh me veprën e tij, me veprimtarinë e tij për gjithçka që ka bërë për Partinë Demokratike dhe për të gjithë kombin” është shprehur Berisha  në një prononcim të shkurtër për mediat.

Homazhe ka zhvilluar edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i cili më pas ka lënë edhe një shënim në librin e ngushëllim

Gjithashtu homazhe ka kryer edhe i gjithë grupi parlamentar i Partisë Socialiste i kryesuar nga kreu i grupit Gramoz Ruçi.

Është një humbje tragjike për familjen, bashkëshorten, fëmijë, politikën shqiptare, për opozitën, për politikanët shqiptarë. Pavarësisht se jemi kundërshtarë politikë, ne me dhimbje jemi të gjithë këtu si grup parlamentar, për të nderuar e respektuar si njeri, si politikan dhe si kundërshtar, vëllain, mikun, Sokol Olldashi”, është shprehur Ruçi.

Homazhe kanë zhvilluar gjithashtu edhe kryetari i Kuvendit Ilir Meta si dhe deputetë dhe përfaqësues të lartë të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Nano:  Sokol Olldashi iku para kohe, nuk ishte radha e tij

Gjithashtu homazhe ka zhvilluar edhe ish-kryeministri Fatos Nano i cili ka theksuar se Sokol Olldashi do t`i mungojë jo vetëm familjes por edhe politikës.

“Sokol Olldashi ishte njëri nga ne, politikanë të trazicionit me sakrificat, me kontributet dhe debatet që i shoqërojnë të gjithë.  Fatkeqësia është se iku pa radhë, nuk ishte radhë e tij. Sigurisht që do ti mungojë jo vetëm familjes por edhe politikës por edhe të ardhmes. Respekte” shtë shprehur Fatos Nano.

Edhe kreu i shtetit Bujar Nishani i shoqëruar nga zonja e parë e vendit Odeta Nishani u janë bashkuar homazheve për deputetin Olldashi.

Homazhe kanë zhvilluar edhe përfaqësues nga qeveria e Kosovës. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi i shoqëruar nga Ministri i Kulturës Memli Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të kabinetit u kanë shprehur ngushëllime familjarëve.

Kreu i LDK, Isa Mustafa, në homazhet ka shprehur ngushëllimet për familjen, miqte, PD dhe politikën shqiptare.

“Të gjithe ne e kemi përjetuar shumë rëndë këtë vdekje tragjike të Sokol Olldashit. Kemi ardhur t’i shprehim ngushëllime familjes, PD, popullit shqiptar, politikës shqiptare. Një shqiptar që është munduar të rezatojë pozitivitet në zhvillimet e përgjithshme. Lus familjen dhe të gjithë të bëhemi të fortë të përjetojmë këtë rast të rëndë tragjik. Por kemi parasysh veprën e tij, personalitetin e tij, dhe të përpiqemi ta kalojmë dhimbjen për këtë humbje”, u shpreh Mustafa.

Edhe kryediplomati amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ka ngushëlluar familjen dhe miqte e të ndjerit Sokol Olldashi.

Parlamenti shtyn punimet

Ndërkohë për shkak të humbjes së jetës së deputetit Sokol Olldashi, Kuvendi i Shqipërisë njofton se seanca plenare e parashikuar për sot shtyhet për javën e ardhshme.

Bashkia: Flamujt në Tiranë në gjysmështizë

Bashkia e Tiranës ka njoftuar se gjatë homazheve për nder të deputetit demokrat Sokol Olldashi flamujt në të gjithë kryeqytetin do të ulen në gjysmështizë.

Vdekja e Sokol Olldashit, qeveria shpall ditë zie kombëtare

Qeveria ka shpallur sot  ditë zie kombëtare në nderim të të ndjerit, Sokol Olldashi, deputet dhe politikan i shquar.

Vendimi

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 4, të ligjit nr.8926, datë 22.7.2002, “Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës të Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre”, dhe të  pikë s 8, të kreut VII, të ceremonialit zyrtar të Republikës së Shqipërisë, të miratuar me vendimin nr.229, datë 23.4.2004, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.    Shpalljen ditë zie kombëtare, ditën e enjte, datë 21.11.2013, në nderim të të ndjerit, Sokol Olldashi, deputet dhe politikan i shquar.

2.    Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të ulet flamuri kombëtar në gjysmë shtize.

3.     Ceremonia e homazheve organizohet ditën e enjte, datë 21.11.2013, nga ora 11.00 deri në orën 14.00, në mjediset e sallës së seancave plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

4.    Shpenzimet e varrimit dhe të ceremonialit të përballohen nga institucioni organizator i ceremonialit.

 

 

Mesazhe të shumta janë drejtuar familjes Olldashi, pas humbjes tragjike të deputetit demokrat, Sokol Olldashi. Mijëra qytetarë kanë ngushëlluar familjen nëpër rrjetet sociale dhe mes tyre nuk kanë munguar as miqtë dhe kolegët ish-ministrit si dhe personalitete të larta në Kosovë dhe Maqedoni.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka publikuar një foto të deputetit Sokol Olldashi në të cilën shkruhet “Koli, do të mbetet përjetë mes nesh”.

Mesazh i Ambasadorit Ettore Sequi

Do doja t’i shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera, në emrin tim dhe në emër të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë familjes së deputetit Sokol Olldashi pas humbjes së tij tragjike natën që shkoi. Mendimet e kolegëve tanë janë me familjen e tij, miqtë e tij dhe kolegët e tij parlamentarë në këtë moment të trishtuar.

Mesazh Ngushëllimi nga Ambasadori i SHBA-së Aleksander Arvizu

U trishtova shumë kur mora vesh se Sokoli ndërroi jetë. Kam qenë me fat që pata mundësinë ta njihja gjatë kohës sime në Shqipëri, dhe do ta kujtoj gjithnjë si dikë që e donte shumë Shqipërinë dhe dëshironte që ta bënte vendin e tij një vend më të mirë, për të gjithë.

Kur e takova për drekë disa javë më parë, më tregoi sa shumë e shijonte mundësinë për të kaluar më shumë kohë me familjen e tij. Më tregoi për planet që kishte për të vizituar Shtetet e Bashkuara në pranverë dhe unë i thashë se do e prisja me kënaqësi takimin me të në anën tjetër të Atlantikut.

Mendimet dhe lutjet e mia më të ndjera dhe të kolegëve të mi të Ambasadës Amerikane janë me familjen, miqtë dhe mbështetësit e tij në këtë kohë të vështirë.

Mesila Doda dhe Erjon Braçe

“Lamtumirë miku im! Ishe më i mirë se ç’duhej për këtë botë! Zoti të dhëntë paqen e tij!” është shprehur në Facebook deputetja demokrate Mesila Doda.

“U prehtë në paqe Sokol Olldashi” është shprehur deputeti socialist Erjon Braçe.

Eduard Selami

“Një lajm i tmerrshëm dhe fatkeq, qe sikurse shkreptima e natës kur vjen, prishi qetesinë e familjes, miqve, atyre qe e kanë njohur apo jo!!! Një humbje jashtëzakonisht e rëndë për familjen, miqtë, shoqërine dhe politikën shqiptare!!! Lutjet e shkojne për shpirtin e tij që të prehet në paqe dhe për familjen që Zoti t’i japi forcë në momentin më të vështirë të jetës së tyre!!!”

Behgjet Pacolli

“Ngushëllime të sinqerta familjes Olldashi. Vlerësoj lartë kontrubutin e deputetit Olldashi. Ndarja e parakohshme nga jeta e Olldashit është e dhimbshme”.

Ahmeti ngushëllon familjen e Olldashit

Kryetari i BDI-së në Maqedoni, Ali Ahmeti, ka ngushëlluar familjarët e deputetit, Sokol Olldashi.

“Lajmin e kobshëm për humbjen e parakohshme të mikut tim dhe deputetit të kuvendit të Shqipërisë Sokol Olldashi e pranova me hidhërim të thellë, prandaj në emër të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe në emrin tim personal, ju shpreh ngushëllimet e mija më të sinqerta për këtë humbje të madhe për të gjithë ne. Kontributi i Sokolit në të gjitha zhvillimet demokratike në Shqipëri është i lartë dhe vepra e tij do të kujtohet me shumë respekt dhe mirënjohje nga të gjithë shqiptarët në Tiranë, Prishtinë, Shkup dhe në çdo vend tjetër ku ata jetojnë. Të gjithë ne bashkëndjejme me dhimbjen e familjes suaj dhe ju mbajmë në lutjet tona gjatë këtyre ditëve të vështira për ju dhe të gjithë ne”, shkruan Ahmeti.

Oerd Bylykbashi

Koli, Do të të kujtoj ashtu si në ditën e parë kur u njohëm në gjimnaz në 1988.

Do të të kujtoj si nxënës i shkëlqyer, inteligjent, i shkathët, poet i talentuar dhe me kitarën tënde në dorë. Të mbaj mend në qindra momente të tjera në këto 25 vite miqësi e punë. Mbi të gjitha, do të të kujtoj atë ditë të ftohtë të shkurtit 1991, në palestrën e gjimnazit Naim Frashëri, kur mes nxënësve që protestonim dhe solidarizoheshim me grevën e urisë së studenteve, ti u ngjite mbi kokat tona mbi një shkallë druri të mbështetur në mur. Në atë moment ti u bëre lider i të gjithë neve. Ai do jetë imazhi që do ruaj përgjithmonë për ty, mik i vjetër! U prehsh në paqe Koli!

Fatos Nano

Me hidhërim të thellë morra vesh lajmin tronditës të ndarjes nga jeta të deputetit të Partisë Demokratike, Sokol Olldashi. Ngushëllimet më të sinqerta për familjen e të afërmit, miqtë, dhe kolegët. U prehsh në paqe !

Edmond Panariti

Shpreh keqardhjen e thellë për ndarjen nga jeta të kolegut, mikut Sokol Olldashi. I shpreh ngushëllimet e mia të perzemërta familjes së tij dhe ndaj dhimbjen me ta në këtë ditë zie. Kam patur rastin ta njoh personalisht z. Olldashi gjatë kohës kur kam shërbyer në qeverinë e mëparshme. Vlerësoj shumë karakterin e tij bashkepunues, të ngrohtë e të komunikueshëm. U prehtë në paqe shpirti i tij!

Thaçi ngushëllon familjen Olldashi

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ngushëlloi familjen Olldashi dhe kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, me rastin e vdekjes së deputetit Sokol Olldashi.

Në telegramin e ngushëllimit thuhet “Me dhembje të thellë morëm lajmin për humbjen e jetës në një aksident, të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Sokol Olldashi. Vdekja e deputetit Olldashi, është humbje jo vetëm për familjen, por edhe për institucionet e Shqipërisë, ku ai si deputet dhe si ministër dha kontribut në të gjitha proceset demokratike në Shqipëri”.

“Olldashi do të mbetet përherë në kujtesën e qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, si njeri dhe politikan i çmuar, që kontribuoi në thellimin e bashkëpunimit institucional mes Shqipërisë dhe Kosovës. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim ju lutem pranoni ngushëllimet e thella”, thuhet më tej në telegramin e ngushëllimit të kryeministrit Thaçi.

Isa Mustafa

Nga ana tjetër edhe kreu i LDK-së në Kosovë, Isa Mustafa ka dërguar një mesazh ngushëllimi. Ai shprehet se, Partia Demokratike e Shqipërisë humbi një veprimtar të madh të demokracisë së re shqiptare, kurse shteti shqiptar një anëtar të spikatur të legjislacionit.

“Vdekja tragjike e Sokol Olldashit është një humbje e cila kapërcen kufijtë e shtetit shqiptar. Ishte njeri me dije dhe kulturë evropiane, njeri që komunikonte me gjuhën dhe logjikën evropiane, prandaj të gjithë ne do ta ndjejmë mungesën e njeriut tonë. I shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjes Olldashi për humbjen e më të dashurit të saj, kryetarit të PD-së, z. Lulzim Basha dhe Parlamentit shqiptar për humbjen e një figure të madhe të demokracisë” thekson  Mustafa.

Jakup Krasniqi

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka ngushëlluar sot kryetarin e  Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, me rastin e vdekjes së deputetit, Sokol Olldashi.

Në telegramin e ngushëllimit të Krasniqi thuhet:“Me dhembje  të thellë mësuam lajmin që deputeti i Kuvendit të Shqipërisë Sokol Olldashi  ka humbur jetën në aksident të rëndë trafiku. Vdekja e Sokol Olldashit është humbje e madhe, jo vetëm për familjen e tij, por dhe për Kuvendin e Shqipërisë. Familja Olldashi ka humbur njeriun më të dashur, ndërsa Kuvendi i Shqipërisë humbi deputetin e palodhshëm dhe të përkushtuar në detyrat e tij si i zgjedhur i qytetarëve shqiptarë. Duke ndarë dhembjen bashkë me familjarët e deputetit Sokol Olldashi, në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, ju përcjell ngushëllimet më të sinqerta Juve dhe familjes Olldashi.

Ramush Haradinaj

Ndërsa, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një telegrami adresuar kreut të PD-së, Lulzim Basha, e ka ngushëlluar sot familjen Olldashi, Partinë Demokratike të Shqipërisë, ish-kryeministrin Berisha, deputetët e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe mbarë vendin, me rastin e ndarjes tragjike nga jeta të deputetit dhe ish-ministrit, Sokol Olldashi.

Në telegramin e kryetarit Haradinaj, thuhet: “Me keqardhje të thellë mora lajmin për ndarjen tragjike nga jeta të deputetit, ish-ministrit, kolegut dhe personalitetit të shquar të PD-së dhe të politikës shqiptare të dekadës së fundit, z. Sokol Olldashi. Në këto momente të rënda të dhimbjes e të pikëllimit, ua përcjellë ngushëllimet më të thella juve personalisht, ish-kryeministrit Berisha dhe të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”.

Mesazh Ngushëllimi nga kreu i gjykatës së lartë, Xhezair Zaganjori

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, dhe Trupa Gjyqësore e kësaj gjykate, i shprehin ngushëllimet më të thella e më të sinqerta familjes dhe të afërmve të të ndjerit Sokol Olldashi. Ndarja tragjike dhe e parakohshme e tij nga jeta, është një humbje e pazëvendësueshme edhe për miqtë, kolegët dhe deputët e Kuvendit të Shqipërisë.

“Me këtë rast, shprehim vlerësimin më të lartë për figurën , punën dhe kontributin e. Sokol Olldashi, në jetën politike dhe shoqërore të vendit”.

 

KUSH ISHTE SOKOL OLLDASHI

Sokol Olldash ishte një nga figurat më të spikatura politike të Partise Demokratike.
Ka lindur më 17 dhjetor 1972 në Durrës.  Shkollën e mesme e kreu në vendlindje ndërsa studimet e larta për drejtësi i kreu më 1995

Ndërsa në 2004- kreu Kolegjin e Mbrojtjes pranë Komandës së Doktrinave (Politikat e Sigurimit Kombëtar), ku u Diplomua me “Medalje të Artë”.

Sokol Olldashi ka qenë një ndër studentët e ngjarjeve të Dhjetorit ’90 dhe katër herë deputet në Kuvendin e Shqipërisë.

Bashkë me idelaet e tij politike Sokol Olldashi e nisi në po këtë periudhë karrierën e tij si gazetar. Pas disa vitesh gazetar dhe kreyeredaktor i gazetës “Albania”, në vitin 2001 zgjidhet për herë të parë deputet në Kuvendin e Shqipërisë.

Në vitin 2005, ai rizgjidhet në Kuvend, me fitoren në Shijak. Pasi fitoi mandatin e dytë të deputetit Sokol Olldashi u emërua në krye të Ministrisë së Brendshme, post të cilin e mbajti nga viti 2005 deri në fillim të vitit 2007. Në këtë kohë kandidoi për kryetar të Bashkisë së Tiranës, garë që ai e humbi përballë Edi Ramës.

Më pas, Sokol  Olldashi merr postin e ministrit të Transporteve dhe Punëve Publike, post që e mbajti deri në shtator të 2013.

Pas humbjes së Partise Demokratike më 23 qershor dhe dorëheqjes së Sali Berishës, zoti Olldashi kandidoi për postin e kryetarit të PD, përballë Lulzim Bashës.

Olldashi ka drejtuar Forumin Rinor të Partisë Demokratike,  PD-të Tiranës, ndërsa ka qënë anëtar i forumeve më të larta të kësaj partie  kryesisë dhe Këshillit Kombëtar. 41-vjeçari ishte i martuar dhe baba i dy fëmijëve.

 

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Lamtumire Sokol Olldashi

50-VJETORI I VRASJES SË PRESIDENTIT XHON F. KENEDI

November 20, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

50-vjetë më parë, më 22 Nëntor,1963 presidenti amerikan Xhon F. Kenedi u vra në Dallas të shtetit Teksas.  Ishte ditë e Premte, ora 12:30 pas dreke kur pëlumbat qëlluan në qafë presidentin e ri amerikan Xhon Kenedi.  Kombi amerikan po shënon 50-vjetorin e vrasjes së tij me evenimente dhe shërbime të ndryshme anë e mbanë vendit. Televizonet kanë parlajmëruar programe të posaçme dokumentarë, ndërsa media në përgjithësi është plotë e përplotë me shkrime e komente mbi jetën dhe veprimtarinë e tij në kujtim të vdekjes së tij tragjike.  Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama bëri sot nderimet e tija duke vendosur një kurorë me lule tek varri i Presidentit Xhon Kenedi së bashku me ish-presidentin Bill Klinton në varrezat kombëtare në Uashington.  Pak më heret, Presidenti  Obama,  duke hapur një koncert në këtë përvjetor, foli për “Jetën e pambaruar” të Presidentit Kenedi  dhe shtoi se fjalët e tija me rastin e inaugurimit president, përfshirë thirrjen e tij drejtuar amerikanëve për t’i shërbyer atdheut, “na frymëzon dhe na ndriçon gjithnjë  në udhën tonë.”

Xhon Kenedi qe zgjedhur president në një periudhë, plotë turbullira të mbrendshme dhe të jashtëme, të historisë së Shteteve të Bashkuara.  Në politikën e jashtëme ai përballua me luftën e ftohët që po bëhej gjithnjë e më e ashpër midis vendeve demokratike perëndnimore dhe komunizmit ndërkombëtar.  Mbrenda vendit, tensionet raciale kishin përfshirë shumë qytete dhe shtete anë e mbanë Amerikës, ku një numër gjithnjë më i madh zezakësh kërkonin, me anë të protestave, trajtim të barbartë me të bardhët.

Në këtë atmosferë pasigurie ndërkombëtare dhe tensionesh të mbrendshme, që karakterizonte Amerikën dhe botën në fillim të 1960-ave, Presidenti më i ri i Amerikës për nga mosha dhe i pari president katolik i këtij vendi me një shumicë protestane,  ringjalli një frymë idealizmi dhe aktivizmi e angazhimi për bashkombasit e tij duke i frymëzuar ata që t’i shërbejnë, jo vetëm kombit të vet, por edhe botës.   Thirrja e tij me rastin e inaugurimit si president i 35-të I Shteteve të Bashkuara, në Janar të vitit 1961, ”Mos pyet se çka mund të bëjë vendi ytë për ty, por pyet veten se çfarë mund të bëjshë ti për vendin tëndë”, janë fjalë që kanë marrë tanimë përmasa biblike, dhe jo vetëm në Amerikë.  Në atë fjalim, që konsiderohet një ndër 3 ose 4 fjalimet më të rëndësishme të inaugurimit, presidenti i ri Amerikës Xhon Kenedi angazhohet për një politikë të jashtëme në mbështetje të lirisë dhe demokracisë anë e mbanë botës. Në fjalimin drejtuar vendit dhe botës, ai theksoi rëndësinë që ai i jepte “mbrojtjes së lirisë kudo dhe në momentin kur asaj i kanoset rreziku më i madh.”  Me atë rast, ai njëkohësisht u kërkoi vendeve të botës që së bashku të luftojnë ato që ai i quajti, “armiqët e përbashkët të njerëzimit: tiraninë, varfërinë, sëmundjet dhe luftën”, i vetdijshëm se këto ishin objektiva, që sipas tij, nuk mund të realizoheshin mbrenda një kohe të shkurtër, dhe “as në mandatin e administratës së tij dhe ndofta as në jetën e këtij planeti, por të pakën le të fillojmë”, tha ai.  Gjithnjë, duke iu drejtuar  amerikanëve dhe popujve të botës, Presidenti i ri, Xhon Kenedi, tha se, qofshi ju qytetarë të Amerikës apo qytetarë të botës, ”Kërkoni prej nesh të njëjtat standarde të larta angazhimi dhe sakrificash, që ne kërkojmë prej jush.”   Politika e jashtëme e administratës së Xhon Kenediut ç’prej fillimit u karakterizua nga ballafaqimet me Bashkimin Sovjetik në fushën ndërkombëtare.  Si një paralajmërim mbi faktin se në cilën anë të luftës së ftohtë do të ishte  Amerika, dhe si një angazhim i Shteteve të Bashkuara për të mbështetur vendet që dëshirojnë liri e pavarësi, ai qe shprehur se “ne i përkrahim ato sepse edhe ne kemi themeluar një komb të ri lindur nga revolta kundër kolonializmit.”

Kriza e raketave sovjetike në Kubë e pat sjellur  botën në prak të luftës bërthamore, por më në fund arsyeja fitoi mbi arrogancën dhe si rrjedhim,  Presidenti Kenedi fitoi kredibilitet dhe njëkohësisht edhe imazhi amerikan u përmirësua në botë.  Historianët thonë se Xhon Kenedi mësoi shumë mbi luftën dhe paqën gjatë krizës së raketave në Kubë.  Këjo vihet re edhe në njërin prej fjalimeve më me rëndësi të tij si president, fjalimi që ai mbajti në Universitetin Amerikan në Uashington, ku ai tha se dëshironte të fliste për paqën në botë, duke thënë se, “në një periudhë kur helmet vdekjeprurëse nga një shkëmbim bërthamor do të përhapeshin anë e mbanë botës nga era, toka dhe farërat dhe të afektonin gjenerata të tëra… unë dua të flasë për paqën së një qëllim i nevojshëm dhe racional i njerzëve të arsyeshëm”. Ai shtoi se “paqa në botë, si dhe paqa në një komunitet, nuk nevojitë që çdo njëri të dojë të afërmin e vet, por vetëm nevojitë që ata të jetojnë së bashku duke toleruar njëri tjetrin.” Probleme tona, shtoi ai “janë krijuar nga njerëzit dhe si të tilla mund të zgjidhen nga vetë njerëzit.”

Në fillim të luftës së ftohët kur komunizmi kishte robëruar Europën, Presidenti Kenedi me 26 Qershor, 1963, si udhëheqës i botës së lirë, shkoi në Berlinin Përendimor për të mbështetur Gjermaninë nga kërcënimet komuniste dhe nga agresioni sovjetik në lindje.   Ai u prit nga më shumë se një milion banorë të Berlinit dhe gjatë fjalimit anti-komunist të rastit, që tani njihet si fjalimi, i titulluar “Edhe unë jam berlinas”, ai kritikoi ndërtimin e Murit të Berlinit nga komunistët sovjetikë, duke e karakterizuar atë mur si asgjë tjetër veçse një shembull të dështimit të sistemit komunist.   “Liria”, tha ai me atë rast në Berlin, “ka shumë probleme dhe demokracia nuk është një sistem i përfeksionuar.  Por ne nuk  detyrohemi të ndërtojmë një mur si ky për të mbajtur popullin tonë të rrethuar ose për të ndaluar njerëzit tonë të largohen nga vendi ynë nëqoftse dëshirojnë një gjë të tillë.”   Me fjalimin e tij në Berlin, presidenti Kenedi vuri në dukje për të gjithë botën  absuditetin e Murit të Berlinit dhe njëherazi theksoi shpresën se ai mur eventualisht do të zhdukej dhe se Europa nuk do të qëndronte e ndarë për gjithëmonë.

Arritjet e Presidentit Xhon Kenedi në politikën  e mbrendshme dhe në arenën ndërkombëtare, duke marrë parasyshë mandatin e shkurtër të administratës së tij, janë të shumëta, por krijimi i Korpusit të Paqës dhe angazhimi i tij ndaj programit të hapësirës së lartë Apollo, për të dërguar njeriun në Hënë, mbeten si kryesore ndër trashëgimitë e përjetësuara të tij.   Në fillim të administratës së tij, ai i kërkoi Kongresit  miratimin për themelimin e Korpusit të Paqës, që sot njihet si një program i cili rekruton amerikanë të profesioneve të ndryshme që dërgohen për të ndidhmuar vendet në zhvillim e sipër në fusha të ndryshme, përfshirë bujqësinë, arsimin, përkujdesjen shëndetsore, ndërtimtarinë e të tjera.  Mbi 250.000 amerikanë, anëtarë të Korpusit të paqës kanë shërbyer dhe shërbejnë në rreth 140 vende anë e mbanë botës.

Një ndër aktet e para të presidentit Xhon Kenedi ishte angazhimi i tij largpamës dhe i vendosur për të dërguar një amerikan në Hënë, fundin e dekadës së 1960-ave.  Ai i tha Kongresit se ky program do të jetë shumë i rendësishëm për njerëzimin dhe për eksplorimin afatgjatë të hapësirës, duke shtuar se “Ne kemi vendosur për të shkuar në Hënë mbrenda kësaj dekade dhe për të ndërmarrë shumë gjëra të tjera, jo sepse ato janë të lehta, por përkundrazi, për arsye se ato janë ndërmarrje të vështira.   Sepse një ndërmarrje e tillë do të shërbejë si një qëllim për të organizuar dhe për të venë në dukje energjitë dhe aftësitë tona më të mira.  E kemi ndërmarrë këtë sfidë pasi jemi të gatëshëm të përballemi me të, një sfidë të cilën e pranojmë dhe të cilën do e fitojmë.”

Ëndërra e Presidientit Kenedi u realizua ashtu si parashikonte ai.  Brenda një dekade, Shtetet e Bashkuara, pothuaj gjashtë vjetë pas vrasjes së presidentit Kenedi dërguan me sukses në Henë anijën Apollo11 me astronautë dhe i këthyen ata në tokë shëndosh e mirë.

Fjalimet e presidentit Xhon Kenedi konsiderohen si ikonike, ndër më të mirat ndër fjalimet më të dalluara të udhëheqësve të të gjitha kohërve të këtij vendi, ndërkohë që amerikanët edhe sot e kësaj dite e konsiderojnë presidentin Xhon Kenedi si njërin prej presidentëve më të admiruar të këtij vendi, duke e krahasuar atë me Xhorxh Uashingtonin, Abraham Linkolnin dhe Franklin Ruzveltin.

Vrasja e Presidentit Kenedi më 22 Nëntor, 1963 në qytetin Dallas të shtetit Teksas 50-vjetë më parë, fiku realizimin e një ëndërre, shënoi mbarimin parakohëshëm të jetës së një princi të politikës amerikane dhe njëherazi edhe përfundimin e përgjakshëm të mandatit të tij plot premtime për Amerikën dhe botën, si president i Shteteve të Bashkuara.  Por trashëgimia dhe idealizmi me të cilin ai qeverisi dhe frymëzoi miliona amerikanë dhe popuj anë e mbanë botës,  nuk ka  vdekur me të.  Siç ka thënë edhe ish-presidenti Ronald Reagan duke folur për presidentin Kenedi, se historia ka “Shumë burra të mëdhënj, por shumë pak prej tyre magjepsin imagjinatën dhe frymën e kohës.   Ata që bëjnë një gjë të tillë, nuk harrohen kurrë.”   I tillë,tha ai, ishte edhe Xhon Kenedi.

 

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: 50 Vjetori i kenedit, Frank shkreli

Humb jetën deputeti Olldashi

November 20, 2013 by dgreca

Politikani i djathtë mbeti mbrëmjen e se merkures viktimë në një aksident automobolistik në të dalë të Tiranës, në rrugën drejt Elbasanit. Në Shqipëri humbi jetën mbrëmë në një aksident të rëndë automobilistik deputeti i partisë demokratike Sokol Olldashi. Automjeti me të cilin ai udhëtonte ka dalë nga rruga në pjesën Tiranë-Elbasan, në një kthesë të fortë. Duket se shkak mund të ketë qenë shpejtësia si dhe moti i keq e me shi. Makina e zotit Olldashi ka rënë duke u rrokullisur për disa metra në një greminë. Mjeteve të policisë dhe të zjarrëfikësve u është dashur një kohë e gjatë për të nxjerrë trupin, i mbetur i bllokuar nga makina gjatë rënies.

Zoti Olldashi, 41 vjecar, ishte një ndër politikanët në zë të së djathtës. Ai pati një ngjitje të shpejtë në politikë, pas fillimit të viteve 2000, ndërkohë që më parë kishte ushtruar profesionin e gazetarit. Në të dy qeveritë e ish kryeministrit Sali Berisha, ai ka qenë ministër i Brendshëm dhe i Punëve publike e Transportit. Këtë verë, pas dorëheqjes së zotit Berisha nga drejtimi i partisë demokratike ai u përfshi në garë direkte me  zotin Lulzim Basha, për kreun e forcës kreysore të opozitës.

Filed Under: Kronike Tagged With: humb jeten, sokol Olldashi

Presidenti Obama nderoi me Medaljen Presidenciale të Lirisë Bill Clintonin

November 20, 2013 by dgreca

Presidenti Barak Obama nderoi sot në Shtëpinë e Bardhë Medaljen Presidenciale të Lirisë një numër të personaliteteve amerikanë të shquar në 50 vjetorin e vdekjes së themeluesit të Çmimit Medaljen Presidenciale të Lirisë  prej Presidentit John F. Kennedy . Me këtë medalje janë nderuar edhe: Pope John Paul II, si edhe fituesja e çmimit Nobel, Nënë Tereza e shqiptarëve(ish Presidenti amerikan Ronald Reagan më 21 qershor 1985 , shpërbleu me çmimin Medalja e Lirisë, Nobeliste e madhe shqiptare Nënë Terezen/

Nga BEQIR SINA, New York/

WASHINGTON : Presidenti Barack Obama nderoi sot me medaljen e Lirisë, medalja më e lartë për civilët në Shtetet e Bashkuara, 16 amerikanë, gjatë një ceremonie të zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë. Medalja e Lirisë është krijuar nga presidenti John Kennedy para 50 vjetësh për të nderuar shtetasit që kanë dhënë kontribut të shquar për interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara, për paqen në botë, ose që kanë shënuarr arritje të tjera të rëndësishme si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat.  Mes të nderuarve të sotëm janë ish presidenti Bill Klinton, legjenda e muzikës kantri Lorreta Lynn, aktivistja e shquar e grave Gloria Steinem dhe ikona e televizionit Oprah Winfrey. Zoti Obama tha se personat e nderuar me Medaljen e Lirisë janë të bekuar me një talent të jashtëzakonshëm dhe i cilësoi ata “burra dhe gra, vlerat e të cilëve na përcaktojnë ne si amerikanë dhe potenciali i të cilëve jeton brenda ne të gjithëve”.

Tre nga 16 personat që u nderuan me Medaljen e Lirisë e morën atë pas vdekjes.

Presidenti i 44të, i SHBA, Barack Obama, e hapi ceremoninë në nderim ndaj ish-presidentit John F. Kennedy të mërkurën , duke i dhënë Medaljen Presidenciale të Lirisë, disa nga personaliteteve më të shquar amerikanë në 50 vjet, pasi këto ditë kombi amerikan, po kujtonë vrasjen e Presidentit të 35të, të Sheteteve të Bashkuara, John Fitzgerald Kennedy, i njohur zakonisht si “Jack” ose ngainicialet e tij JFK, i cili ka qenë duke shërbyer në Shtëpinë e Bardhë nga janari 1961 – deri sa ai u vra në 22 nëntor 1963, në Dallas Teksas

Presidenti Kennedy, u vra, pikërishtë, atë javë që pritej organizimi i ceremonisë të parë, prej tij për ndarjen e Medaljes Presidenciale të Lirisë.   Obama prezantoi sot medaljen – me çmimin më të lartë që japin SHBA  një civili – edhe për Oprah Winfrey , ish- presidenti Bill Klinton , dhe liderë nga lëmi të tjera si bota e lajmeve sportive, argëtuese , shkencës dhe të shërbimit publik . Hillary Rodham Clinton dhe Steven Spielberg ishin në mesin e atyre që u mblodhën në Dhomën Lindore të Shtëpisë së Bardhë, për të parë ceremoninë.    ” Sot ne përshëndesim ,”konkurrentët e ashpër” që u bënë kampionët e vërtetë,” tha Obama , duke bërë pak humor, për të folur në terma personale rreth secilit prej marrësve të këtyre medaljeve dhe duke treguar për çdo njerin prej tyre kontributet e tyre në shoqëri dhe kudo.    Ceremonia shënon fillimin e një dite nderi e cila është quajtur në Shtetet e Bashkuara “Dita e Trashëgimisë Kenedi”,pikërishtë dy ditë para se kombi amerikan, pra më 22 Nëntor ditën e premte me një ditë pushimi, populli amerikan ka për të kujtuar 50-vjetorin e vrasjes së  Presidentit të 35të, të Sheteteve të Bashkuara, John Fitzgerald Kennedy .    Sot në ceremoni, Presidenti Obama, i shoqëruar nga Presidenti Clinton dhe personalitete të tjera i bëri një nderim duke vizituar “Pishtarin e Flakës së Përjetshme”, në Varrezat Kombëtare Arlington, memorialit që  kujton varrin e John F. Kennedy, i shoqëruar nga Zonja e Parë Michelle Obama dhe ish Zonja e Parë Hillary Clinton.     Duke u kthyer tek ish- banori i Shtëpisë së Bardhë , paradhësi i tij, zoti Obama tha se presidenca e Bill Klintonit kishte qenë vetëm fillimi i punës së tij – për të përmirësuar botën , kreditimit për veprat humanitare  në post- presidencën, tëcilat treguan si ai po ndihmon për të ruajtur apo përmirësuar jetët e qindra miliona njerëzve në mbarë botën .

“Unë i jam mirënjohës, Bill Clintonit, si për këshilla dhe “ndihmën” që ai më ka ofruar mua , në Shtëpinë e Bardhë dhe jashtë saj deri në fushën e golfit , ” tha Obama me një nënqeshje karakteristike, kur bëjnë humor presidentët amerikan .

” Dhe më e rëndësishmja , për punën e Clintonit nëpër botë, është se ai ka përmirësuar jetët e qindra miliona njerëzve në mbarë botën, i cili në këtë mision përfaqëson atë që është shumë e mirë edhe për Amerikë. ” tha Presidenti Obama
Në mesin e atyre që u nderuan me Medaljen Presidenciale të Lirisë, sot ishte edhe Sally Kristen Ride një fizikane e njohur amerikan dhe astronaute. Ride iu bashkua NASA-së në vitin 1978 dhe, në moshën 32 vjeç, ajo u bë gruaja e parë amerikaneqë fluturoi në hapësirë.

Presidenti Obama tha se : “Sot bijat tona , duke përfshirë edhe vajzat e mija Malia dhe Sasha, mund të kenë vendosur në mëndjet e tyre, një ëndërr që shikon pak më e lartë dhe më larg, për shkak të Sally Ride, e cila ua tregoi rrugën e së ardhmes shumë amerikanëve të tjerë “.

Shtëpia e Bardhë, në një deklartë për shtyp konfirmoi se sot në mbrëmje , Presidenti Obama planifikon një fjalim mbi trashëgiminë Kennedy dhe një darkë në Muzeun Kombëtar të Historisë Amerikane Smithsonian. Darkë, e cila ka për t’u ndjekur nga një ceremoni tjetër, ku kan për të marrë medaljet aktuale, duke përfshirë bejsballistin Hank Aaron, astronautin Edwin “Buzz” Aldrin, këngëtaren Aretha Franklin, ish  Federal Reserve Chairman Alan Greenspan, activistin e të drejtave të njeriut Jesse Jackson dhe ish  Secretarin e Shtetit Henry Kissinger.

Nipi i Kennedyt , Jack Schlossberg , është për të futur në darkën e Presidentit Obama si dhe të afërmit e tjerë, të familjes Kennedy, gjithashtu pritet të marrin pjesë , duke përfshirë edhe vajzën e Kathleen Kennedy Townsend Robert Kennedy dhe ish- diplomaten Jean Kennedy Smith,

“Medalja e Lirisë”, njihet si shpërblimi më i lartë civil në SHBA.

Medalja presidenciale “Medalja e Lirisë”, filloi të jepet për her të parë nga Presidenti Harry Truman në vitet ’50-ta, për të nderuar civilët që kan dhën kontribut të madh për interesat amerikane, paqen në botë, ose përpjekjet në fushën e kulturës, shkencë, artit, sportit dhe mjeksisë. Ndër personat që janë nderuar më parë me këtë medalje janë: Pope John Paul II, fituesja e çmimit Nobel, Nënë Tereza e shqiptarëve(e cila u nderua nga ish Presidenti amerikan Ronald Reagan më 21 qershor 1985 , duke e shpërbleyer atë me çmimin Medalja e Lirisë, John Kenndy, Nelson Mandela, Simon Wiesenthal, Colin Powell, Ronald dhe Nancy Reagan, Gerald dhe Betty Ford, Billy Graham, Jesse Owens,Wesely Clark, Irving Berlin, Walt Disney dhe John Wayne .

Si edhe  ish Kryeministresha e Britanisë s Madhe Margaret Thatcher, ish Kryeministri i Anglisë Tony Blair , ish Kryeministri i Australisë John Howard, Gordon B. Hinckley, Chita Rivera, Stephen Hawking

E Premtja 22 Nëntor, shënon 50 vjetorin ditën që Kennedy u vra duke hipur në një makinë të hapur në një autokolonë gjatë një vizite në Dallas.

Presidentit të 35të, të Sheteteve të Bashkuara, John Fitzgerald Kennedy,  u vra nga Lee Harvey Oswald në Dallas më 22 nëntor 1963, dy javë para se ai kishte planifikuar për të nderuar grupin përuruese të marrësve të Çmimit të Medaljes Presidenciale të Lirisë .

Obama planifikon të takohet privatisht në Shtëpinë e Bardhë të premten me udhëheqësit dhe vullnetarët nga programi i Korpusit të Paqes , të themeluar edhe ata nga nga Kennedy. Prania Klintonëve në “Memorialin Flakë e Përjetshme” ku Kennedy është varrosur, është e sigurt thotë shtypi amerikan për të “nxitur” spekulimet në lidhje me atë se Obama ka një të preferuar në garën 2016 për të pasuar Hillary Rodham Clinton .
Për të Hillary Rodham Clinton , ish- sekretar i tij i shtetit , çdo veprim i saj është shqyrtuar por ende nuk janë dhënë shenjat e nëse ajo do të kandidojë.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: nderoi Bill Klinton, Presidenti Obama

Të hiqet imuniteti ligjor për njerëzit e zgjedhur në pushtet!

November 20, 2013 by dgreca

Opinion nga Faik KRASNIQI/

Imuniteti i shërben një deputeti vetëm për t’i dhënë më shumë liri atij, për të zgjidhur probleme të zgjedhësve të vet. Në asnjë mënyrë një deputet nuk mund të ketë imunitet kur kryen krim. Ligji është i barabartë për të gjithë shtetasit, thotë Kushtetuta e çdo vendi demokratik në botë. Për të gjykuar një deputet ai – pavarësisht statusit që ka – duhet t’i dorëzohet ligjit.

Dikush do të thotë se mundet që pushteti gjyqësor të jetë në duart e një partie të caktuar dhe mundet që ky të kthehet në vegël e saj, për të shtypur kundërshtarët politikë? Nëse është e tillë, atëherë ajo sillet me të njëjtin standard dhe me popullin e thjeshtë, atëherë kush do të jetë instrumenti që do ta rregullojë këtë sistem, nëse deputetët nuk kanë vetë probleme me të?

Të katër pushtetet reformohen vetëm kur kanë përplasje mes tyre. Por, një pyetje këtu mund të jetë p.sh.: “A është i njëjtë statusi i deputetit në çdo Kushtetutë demokratike”? Në vendet e zhvilluara nuk i kushtojnë shumë rëndësi këtij fakti ordiner, ku deputeti të jetë i imunizuar për krimin, pasi niveli edukativ i kandidatit nuk përkon me të tilla dyshime. Dhe, nëse ndodh që një deputet të kryej krim, ky mund të jetë një rast shumë i veçantë dhe kurrë nuk mund të ngrihet kush, që ta mbrojë në grupin e tij politik.

Nëse në një Parlament njëra gjysmë ngrihet për të mbrojtur deputetin e tyre, nga dyshimet e ngritura nga pala kundërshtare, atëherë ky nuk është një Parlament në shërbim të popullit, por të mafiozëve politik. Këtu bie morali: ai nuk mundet të vazhdojë. Secili deputet ka të drejtën, që nëse dyshon për qëndrimin e gjyqësorit, ta çojë çështjen në gjykatën ndërkombëtare, e kështu ai, jo vetëm fiton të drejtën, por dhe dëmshpërblimin.

Sot të gjithë ne e dimë që shumë nga deputetët e secilit grup parlamentarë pasurohen nga motive të dobëta, dhe përsëri i votojmë. Përse ndodh kjo? E pra, kjo ndodh sepse ne jemi një popull jo cilësor. Askush nuk mund të rizgjidhet nëse vet populli është i ndërgjegjshëm dhe i moralshëm. Unë nuk di ndonjë deputet që ka krijuar pasuri nëpërmjet korrupsionit dhe të mos ketë fituar besimin e zgjedhësve për të paktën tre legjislatura.

Një tjetër fatkeqësi për cilësinë e deputetit, është se kemi një vend shumë të vogël e kështu konkurrenca intelektuale apo e njerëzve me vlera superiore është shumë e vogël, pra janë si ato qershitë e pshurrëta.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: faik Krasniqi, te hiqet imuniteti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5062
  • 5063
  • 5064
  • 5065
  • 5066
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT