• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

100-vjet më parë:TOPOJANI, “BALLI I PËRGJAKUR I LUMËS”, NË LUFTË DHE QËNDRESË, KUNDËR MASAKRAVE SERBE

November 4, 2013 by dgreca

Nga: Isa Halilaj-   studiues,“Mësues i merituar”/

1.

Në dhjetëvjeçarin e dytë, të shekullit XX, ndodhën ndryshime të mëdha në hartën e Ballkanit, kur Lufta e Parë Ballkanike (1912), ndonëse Shqipëria ishte shpallur e pavarur, coptoi me miratim të Fuqive të Mëdha, trojet shqiptare. Serbisë iu dhanë 19.000 km2, Malit të Zi një territor aq sa ishte vetë shteti malazez. Por edhe Bullgarisë e Greqisë iu dhanë pjesë nga trojet shqiptare, me  Çamërinë në krye.

Kjo ndarje grabitqare pushtuese e trojeve shqiptare, pushtimi ushtarak serb deri në Adriatik e Vjosë dhe mbajtja, pas vendimeve të Londrës, të rajonit  strategjik prej serbëve, ku përfshihej Luma, Dibra, Malësi e Gjakovës (Tropoja) dhe deri në thellësi, si dhe masakrimet e vuajtjet,  që u shkaktuan banorëve të këtyre anëve, ishin të papranueshme. Pikërisht për këtë, plasi kryengritja e përgjithshme shqiptare e shtatorit 1913. Në  të u përfshinë gjerësisht: Dibra, Tetova, Kumanova, Luma, Opoja dhe Malësia e Gjakovës, që i sollën humbje të mëdha ushtrisë serbe, në të vrarë e territor.1)

Në këto luftime u përfshinë edhe Luma, veçanërisht Kalaja e Dodës, Topojani, Gora dhe Opoja, të ndihmuar edhe nga Rrafsha e Lumës, Tërthorja dhe Përdrinja e Hasi me Malësi  të Gjakovës. Atyre u prinin trimat e njohur: Qazim Lika, Ahmet Iljazi, Nail Dani, Ramadan Zaskoci, Miftar Sul Kurpali e Bajram Daklani, gjithnjë sipas drejtimit nga Isa Boletini e Hasan Prishtina, me Bajram Currin.

Kjo kryengritje tronditi rëndë Serbinë e Nikolla Pashiqit, e cila e nxitur dhe e ndihmuar nga Rusia, që akuzonte direkt  Austro-Hungarinë dhe Bullgarinë, u përgatit seriozisht për ta shtypur me hekur dhe zjarr qëndresën shqiptare. Pasi mobilizoi 110.000 trupa, në një vijë frontale prej 100 km, sulmoi rrufeshëm në drejtimin: Kumanovë- Strugë- Pogradec; Dibër- Peshkopi- Lumë dhe Gjakovë-Has, me armatimin modern të kohës si dhe me artileri e armë mitralimi, kundër një popullsie të pa armatosur dhe që ende lëngonte nga masakrimet e 1912-tës. Një armatë e tërë 2) ushtroi dhunë e terror të paparë në territorin shqiptar, Strugë- Tetovë  (Maqedoninë Perëndimore), ku u shkatërruan tërësisht 180 fshatra dhe me këto përmasa u goditën edhe Luma, Opoja e Vrrini dhe Malësia e Gjakovës.

2.

Në këtë shkrim do përqëndrohemi, këtë radhë, vetëm në përshkrimin e masakrave serbe, në zonën e Topojanit të Lumës. Ajo është një krahinë e njohur, si një nga shtatë bajrakët e saj, me vitalitetin e një populli të vyrtytshëm, punëtor e liridashës, besnik  i idealeve kombëtare. Shtrihet nga Gryka e Vanave e në Kallabak, nga Teja e Bicaj, te mali i Borjes dhe ka fshatrat: Topojan, Brekij, Xhaferaj, Turaj, Shtrezë, Novosej, Kollovoz, Nimçe, Lojme e Bele. Qendra është Topojani.

Banorët e kësaj krahine, të njohur si “balli i përgjakur i Lumës”, për heroizmin dhe sakrificat e mëdha për liri e pavarësi, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme me gjakun e derdhur për trojet shqiptare, nga Prekupia e deri në Nish, Kacanik e Duhle, në Pikllimë e Glloboçicë. Për këtë gjë,  flet vetë historia, flasin pirgjet e varret e të rënëve, jehojnë këngët e trimave të rënë në beteja3).

Topojanësit, ndonëse nga gjiri i tyre nxorrën figura të shquara, si Sinan Pashën, disa herë sadriazem i Perandorisë Osamne e pashallarët e tjerë, iu përgjigjën Rilindjes dhe Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, për në luftën kundër sundimit otoman. U përfshinë besnikërisht në kryëngritjet shqiptare në periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe deri në shpalljen e Pavarësisë, më 28 nëntor 1912. E njohur është pjesëmarria e tyre në betejat kundër osmanëve në Kaçanik e Shtimje, në Duhle e Qaf-Zhuri, në Vrri e Lumë, me prijës Ahmet Iljaz Qehajën, Abdyl Myrtën, Jemin Alinë, Bilal e Islam Bashën e tjerë.

Por trimëria, heroizmi dhe sakrifica sublime e topojanasve ,në luftën për trojet dhe lirinë e pavarësinë e popullit shqiptar, kundër shovinizmit pushtues barbar serbo-sllav, ka njohur permasat e nje atdhetarizmi të pa shoq.  Ata u treguan atdhetarë, që u dhimbsej çdo pëllëmbë e tokës amtare. Ndaj ata, kur e panë se Porta e Lartë Osmane i bëri plaçkë tregu trojet shqiptare, me dobësimin e saj dhe ngjalljen e shtetit serb, u ngritën si trup i vetëm në luftë kundër  sulmit të ri pushtues dhe barbar sallavo-serb, që solli Lufta Ballkanike e viteve 1912 e 1913.

Në përbërje të 3000 lumjanëve dhe kosovarëve, gjatë viteve 1912-1913, topojanasit  luftuan me vetëmohim kundër ushtrisë serbe, në Shtimje – Caralevë dhe Duhle, të prirë nga trimat Ahmet Iljaz Qehja, Zaim Hamza dhe Abdyl  Mirtja. Në fushën e betejës mbetën të vrarë 9 dëshmorë: Zaim Hamza, Mustaf Bilali, Hamdi Aqifi, Halil Xhezahiri, Muharrem Allaraj, Dilë kamberi, Feriz Ahmeti, Mustaf Tahiri, Sadik Dautllari. Aty mbetën edhe katër dëshmorë nga Novosej: Xhelil Xheza , Kurtish Parllaku, Sulejman Beqa e Mehdi Noka.4)

Para kryengritjes së shtatorit  1913, topojanasit u pozicionuan në Lak të Gllopoçicës, duke u shkaktuar  serbëve shume të vrarë e të plagosur.  Po aty, duke luftuar deri trup me trup kundër mitralierëve serbë, ranë dëshmorë edhe 9 djem të tjerë nga Topojani e Brekija dhe aty i kanë varret: Arif Muharremi, Baftjar Tahiraj, Esat Allaraj, Farruk Islamaj, Shaqir Islamaj, Ibrahim Allaraj, Miftar Tahiraj, Qazim Allaraj e Bajram Hafuzi.

Në vazhdim të qëndresës burrërore, gjatë shtatorit e në fillim të tetorit 1913, pak para masakrës së Topojanit, kryengritësit e Topojanit, Opojës dhe Gorës, luftuan kundër reparteve serbe në Vranisht e Rapçe, rreth Pikllimës, të drejtuar nga Kadri Shahini, Qazim Lika e Nail Hysen Dani.5)  Në këto luftime janë vrarë 20 djem nga Topoja: Kadri Shahini, Mustaf Çuni, Bajram Maliqi, Hafuz Allaraj, Mehmet Shpata, Ramadan Allaraj, Sali  Karanxha,  si dhe nga Gora : Qerim Krasniqi, Murat Murati, Daljan Basha e Vehib Beqiri. Pati dhe shumë të plagosur e nga serbët mbetën mbi 30 të vrarë e të plagosur.6)

Forcat e mëdha e të freskëta të ushtrisë sërbe, duke përdorur zjarr e mitralime, armë që shqiptarët nuk i kishin, më në fund, bënë të mundur që ta thyenin kryengritjen e shtatorit 1913. Ushtria e ardhur nga Dragashi, pasi dogji e shkatërroi veçanërisht Opojën, mbuloi fshatrat e Topojanit me një terror e masakrim të padëgjuar. Në Novosej therën dhe hodhën në zjarr nënën e Islam Bashës, me femijët dhe një kunatë të saj.7) Pra, u  zhvillua një luftë hakmarrëse e pashembullt. Ekspeditat ndëshkimore armike mbuluan si korbat e zinj gjithë territorin, pa lënë asnjë mundësi organizimi dhe qëndrese popullore. Në befasi, dogjën shtëpitë e lidhën të gjithë burrat e djemtë dhe pushkatuan mbi 620 veta. Nga ata, në Topojan, në vendin e quajtur Rajme, u vrane njëherësh 400 veta, të gjithë burrat e fshatit, në 2 deri 8 frymë për familje, në mes të të cilëve 38 familje u shuan plotësisht. Në Brekij, aty në Huca, ku janë varret, po edhe te Proska e Lecës, te arat e Xhelilit në Lama e në Kingel të Dinës, janë vrarë e therur gjithësej mbi 120 veta. Ndërsa në Xhaferaj u vranë 40 burra dhe të gjitha shtëpitë u dogjën. Novosejasit ndihmuan në varrimin e të vrarëve dhe morën jetimët në familjet e tyre.

Masakrime barbare u bënë edhe në Nimçë. Aty, te Shpella e Ibrës, janë varrosur mbi 50 veta nimçianë, të fiseve  Hoda, Koboçi e me pak Toshi. Në Lojme, te vendi, që mori emrin Shtegu i Shehitëve, afer hidrocentraleve të rinj, janë masakruar 95 veta, pa kursyer gratë e fëmijët, të fisit Krasniqi, Meqi e Veizi. U eliminuan familjarisht Mahmut Selmani e Rushit Rexhepi.  Nazif Manit ia vunë kokën e prerë mbi një hu, në mes të fshatit; masakruan Hate Shaqirin, familjarisht; ndërsa Zyme Bislimin e therën, duke i nxjerrë fëmijën e palindur. Uvranë, në përleshje me serbët, Miftar Qerimi, Hashim Veizi dhe Istref Saiti, në Lojme e Ramadan Alija, në Brekijë.

E njëjta situatë, para dhe pas kryengritjes së shtatorit 1913, ndodhi në Opojë dhe Gorë. Në Restelicë u masakruan 9 krerë popullorë, në Brod 5 krerë popullorë, ndërsa në Gllopoçice myftiu i Gores dhe Opojës, kurse në Brrut të Opojës u pushkatuan 42 burra dhe u varrosën te Lugu i Brijës; 22 në Bresanë dhe 20 në Bellograd. Djegie e masakra u bënë edhe në Bresnë, Pllavë e Zgatar.

3.

Për Fshatrat e Topojanit, studiuesi Naim Manaj, në kontakt me dëshmitarë  okularë  të ngjarjeve, ka arritur të  evidentojë  një  pjesë të të masakruarëve me emra, në librin e tij, “Jehona e Topojanit”8).   Aty jep listën jo të plotë të personave e familjeve te masakruara të kësaj zone dhe konkretisht: Në Topojan 38 familje, në Brekijë, 72 veta , në Xhaferraj 33, në Lojme 50 familje me 91 veta, në Nimçë 29 të pushkatuar dhe hulumtimi i emrave vazhdon. Veç këtyre, autori jep edhe listën emërore të dëshmoreve të Topojanit, me 30 veta të shpallur, po mund të ketë dhe të tjerë.

Gjithë ky gjak i derdhur pa kursim, për “hatër te vatanit”, dokumentohet me varret, kujtimet e pasardhësve dhe këngët e trimave. Është i dokumentuar e argumentuar në kancelaritë dhe shtypin e kohës, në Ballkan, Europë dhe Amerikë. Revista “Spektër”( nr.89/2000)  citon gazetën gjermane “Frankfurt Zeitung”,  për masakrën në Lumë.9)  E njëjta revistë citon librin “Akuzë, që Ulërin”, të shkrimtarit hebre, Leon Freundlih. Ai ka protestuar për zhdukjen masive të shqiptarëve nga serbët, në ato vite. 10)   Jehona e e këtyre ngjarjeve ka gjetur pasqyrim te gazetat “Përlindja e Shqipërisë” (janar, 1914), “Liri e Shqipnisë” e “Corriera  Dela Sera”, me shkrimet e Sotir Kolesë. Ai jep maskarat e 27 fshatrave të Lumës, ku peshën më të madhe e mbajnë Topojani dhe Përbregu. Po këto masakra çnjerëzore përshkruhen, me mënyrën e tyre, edhe te gazetat “Radniqke Novine” dhe “Politika”  të Beogradit (1913), “Obzor” e Zagrebit, “Rruga Jonë” e Francës, “Sharri” i Opojës etj.

Kjo jehonë, për masakrat serbe në Topojan, ka gjetur pasqyrim me argumente në veprat e studiueseve tanë të mirëfilltë, si: Thoma Murzaku, Xheladin Shala, Shefqet Hoxha , Shaban Braha, Tahir Kolgjini, Qemal Mataj, Xhafer Kovaci, Naim Manaj, Vangje Kasapi, Akif Bajrami, Ramiz Fiqori, Muhamet Pirraku etj.

Për jehonën e këtyre ngajrjeve historike edhe vetë topojanasit e zona në fjalë kanë punuar e mund të kishin punuar më shumë, për ruajtjen e këtyre vlerave e transmetimikn e tyre te brezi i ri. Por rastet pozitive të kësaj përkujdesjeje, nuk kanë munguar, si nga veteranët Xhemali Izet Miftaraj e Hazir Sinan Aliaj, për varrezat dhe Naim Manaj, Agim Dafku, Avdi Noka etj., me shkrimet e tyre.

Domethënëse është se, në Lapidarin- Flamur, në qendër te Topojanit, shkruhet: “Me 15-20 tetor 1913, u masakruan barbarisht 620 djem të fshatrave Topojan, Brekijë e Xhaferaj, të cilët luftuan për mbrojtjen e Atdheut, kundër shovinistëve serbë”.  Pra, këto burime e monumente duhen ruajtur si vetë historia dhe jeta e popullit tonë, pa të cilën nuk mund të sigurohet  ardhja e brezave të rinj.

Literatura:

“The Voice of truth” June/Deci 2005. Shpalime historike: Kryengritja Shqiptare e vjeshtës së vitit 1913, nga Sheradin Berisha.

D.Tucoviq, te “Serbia dhe Shqipëria”, thekson: Kryengritja shqiptare e shtatorit, për shkak të së cilës Serbia u shtërngua të mobilizojëj përsëri afër tre divizione, është një shembull klasik, që tregon se si shkaktohen luftërat koloniale.

Sh. Braha: “Beteja e Drinit kundër agresionit serb”, Prizren, 2000.

N. Manaj: “Jehona e Topojanit”, 2003,  fq. 46-52.

Sh. Hoxha: “Luma në luftë për Liri”, Tiranë,2000, fq.16, 171.

N. Manaj: Vepra e cituar, fq.80.

Po aty, fq. 91.

N. Manaj: Vepra e cituar,  fq. 95-112.

Revista “Spekter” Nr.85 (2000), fq. 13, citon gazetën gjermane “Frankfurt Zeitung” për masakrënnë Lumë:”….fëmijët u dogjën në kashtë, në sy të prindërve dhe më pas u masakruan prindërit me batare pushkësh e me bajoneta”.

Sipas “Spektër”(fq.11), citohet libri “Akuzë, që ulërin” i Leon Freudlih, hebre, i cili shkruan: “Ushtria dhe bandat çernike serbe bënë barbarizma, që nuk kanë të përshkruar. Me qindra e mijëra burra të paarmatosur, të therur… Me qindra fshatra dhe qytete, të djegurae të rrafshuara për tokë!”

Tiranë, tetor 2013

Filed Under: Featured, Histori Tagged With: 100 vjet me pare, Isa Halili, Lufta e Topojanit

Përfunduan zgjedhjet komunale në Kosovë

November 3, 2013 by dgreca

Mbi 45 për qind e votuesve kanë marrë pjesë në zgjedhjet për pushtetin komunal, të parat ku ishin përfshirë edhe komunat veriore më shumice serbe/

Në orën 19 janë mbyllur rreth 800 qendrat e votimit në 38 komuna të Kosovës, ku sot është votuar për pushtetin komunal.Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, tha se sipas të dhënave paraprake, diç më shumë se 45 për qind e mbi  një milion e 700 mijë votuesve të regjistruar kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre që të zgjedhin kandidatët e mbi 100 subjekteve politike për të drejtuar 38 komuna të vendit.

Në këto të dhëna nuk është përfshirë pjesëmarrja e votuesve në katër komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe, ku votimet u përmbyllen më incidente dhe paqartësi.
Zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thanë se kryesisht nuk ka pasur vështirësi në rrjedhën e procesit përveç në veriun e Kosovës.
Mbi 100 subjekte politike morën pjesë në këto zgjedhje dhe prej tyre 33 nga radhët e komunitetit serb.
Autoritetet vendase thonë se këto zgjedhje janë të rëndësishme për qytetarët Kosovës, për tërësinë e saj tokësore, ndërsa besojnë se rrjedha e tyre do të ketë ndikim edhe në çuarjen përpara të aspiratave të Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian.
Gjithsej 224 veta konkurruan për kryetarë komunash dhe sipas sistemit zgjedhor këtë post në rrethin e parë e fiton ai që siguron 50 për qind plus një votë, ndërsa nëse kjo nuk arrihet organizohet raundi i dytë ndërmjet dy kandidatëve që kanë fituar më së shumti vota.
Mbi 30 mijë vëzhgues të vendit por edhe nga bota po vëzhgojnë procesin. Vëzhguesit e koalicionit të organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim, thanë se janë shënuar disa parregullsi dhe probleme të natyrës teknike në votimet e deritashme, por të cilat nuk ushtrojnë ndikim thelbësorë mbi  procesin.
Vëzhguesit ndërkombëtarë pritet që nga e marta të shpalosin vlerësimet e tyre të para për këto zgjedhje të cilat sipas Shefit të Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve, Roberto Gualtieri janë me rëndësi për të ardhmen e Kosovës.
Kjo ishte hera e parë që Bashkimi Evropian kishte angazhuar mision të posacëm vëzhgues në Kosovë dhe zyrtarët e këtij misioni thanë se është shumë e pazakonshme që BE-ja të vëzhgojë zgjedhje lokale.
Zoti Gualtieri tha se “kjo është një ditë shumë e rëndësishme për demokracinë, për qytetarët në tërë Kosovën, forcimin e demokracisë së saj por edhe për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Edhe ambasadorë të vendeve perëndimore ishin përfshirë në vëzhgimin e zgjedhjeve mbarë vajtja e të cilave vlerësohet me rëndësi për aspiratat e Kosovës për integrime evropiane.
Mbi 5 mijë e 500 pjesëtarë të policisë së Kosovë janë qenë të angazhuar për ruajtjen e një mjedisi të qetë e të sigurt për votimet e sotme dhe deri në orët e mbrëmjes ata kanë shoqëruar mbi 20 persona në lidhje me parregullsitë dhe incidentet e shfaqura gjatë procesit të votimeve.

Filed Under: Politike Tagged With: ne Kosove, U mbyllen zgjedhjet

KAS lançon klipin e ri “Piano”

November 3, 2013 by dgreca

Nga: Ermira Babamusta/

 Artisti i sukseshëm Kastriot Preteni, që njihet me pseudonimin KAS ka publikuar videoklipin e tij të ri me titull “Piano”, dedikuar Kosovës dhe popullit të saj. Kënga bën fjalë për luftën e Kosovës, vuajtjet e popullit shqiptar dhe historinë e familjes së Kastriotit gjatë luftës.

“Mua nuk më kujtohet shumë prej vitit 1997, sepse kam qenë shumë i vogël kur filloi lufta dhe kam jetuar në Norvegji në atë kohë. Më kujtohen shumë mirë ngjarjet që më ka rrëfyer familja ime dhe si e kanë plagosur gjyshin tim, Mursel Preteni,” tha Kastriot Preteni.

Artisti zgjodhi titullin e këngës “Piano” si një metaforë për paqe ose qetësi. Kënga “Piano” me lirikë shkruar nga vetë KAS, mban një minutë heshtje për viktimat e luftës. Videoklipi u xhirua në verë 2013 në Mitrovicë dhe Shalë. Piano është një homazh kushtuar të gjithë viktimave të pafajshme shqiptare të Kosovës, që dëshmuan krimet e luftës. Videoklipi u lançua online me 2 nëntor 2013 dhe mund të shikohet në këtë link: http://www.youtube.com/watch?v=nbhbx9-v_sY. Singli është në dispozicion në iTunes, Spotify dhe Amazon.

“Nuk duhet harruar historia dhe e kaluara e popullit tonë. Kam xhiruar pesë videoklipe deri tani dhe Piano është i pari xhiruar në vendin tim, Kosovë, dhe nuk do kisha zgjedhur temë më të përshtatshme se historia e këngës. Dua t’i tregoj botës për identitetin tim shqiptar, me të cilin krenohem,” u shpreh KAS.

“Xhirimi i spotit është bërë në Kosovë për së pari herë me një kompani daneze udhëhequr nga një artist kosovar mjaft i talentuar Dardan Jashari”, shtoi KAS.

Kastriot Preteni ka lindur në Suedi në 1992 dhe me muzikën hip hop merret që në moshën 11-vjeçare. Ka performuar koncerte në Norvegji, Kosovë, Shqipëri, Suedi, Danimarkë dhe Gjermani. Në festivalin e famshëm “Top Fest” u prezantua me këngën  “Ndjehem Mirë”, vlerësuar si një nga performancat më të mira dhe fuqishme të festivalit. Me mbi 100,000 klikime në youtube, superhitet e tij janë: “Imma Get My Piece”, “Till Death Do Us Part” dhe “Product of Society”. Për më shumë rreth artistit vizitoni www.facebook.com/KASMUSIC1.

Filed Under: Featured Tagged With: Ermira Babamusta, KAS lancon, Klipine ri"Piano"

ZGJEDHJET NE KOSOVE: Isa Mustafa ka shpalle fitoren e LDK-së në nivel vendi

November 3, 2013 by dgreca

Sipas mostrave të Demokracisë në Veprim, Isa Mustafa 43.6%, Shpend Ahmeti, 31.0, Agim Çeku 11%, Korab Sejdiu, 5.7%, Tahiri 4.5%., Visar Arifaj 1.4 %, Valon Murati 1.9 %.Në Gjilan 43 Lutfi Haziri, Qemajl Mustafa 27%; Pejë, Gazmend Muhaxheri, 41.1% Muhaxheri, AAK-ja 35.3 %; në Gjakovë Kusari 39 %, 38.3 % Pal Lekaj, në Prizren Muja 33.7%, 24.9 Kryeziu, BD-ja 14.7%. 

Sipas rezultatit online të KQZ-së janë këto të dhëna: Në Prishtinë Isa Mustafa udhëheq me 49.17 %, Vetëvendosje Shpend Ahmeti me 21.25%; Agim Çeku 1067%; AKR-ja 8.87 %; Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 5.46%; LB 2.78%, Visar Arifaj i Partisë së Fortë 0.78 %, i pavaruri Sali Salihu 0.68 %. Në Podujevë Agim Veliu prin me 49.35% ndaj kandidatit të PDK-së Naim Fetahut 31.45%; Në Fushë Kosovë Burim Berisha i LDK-së prin me 56 %, PDK-ja me Naser Graj[evci 23.7%; Në Pejë Gazmend Muhaxheri prin me 46.68%, Ali Berisha i AAK-së 34.3%; Në Gjilan Lutfi Haziri 37.14, PDK me Qemajl Mustafa 33.08 %; Në Gjakovë AAK Pal Lekaj 45.52 %, ndersa AKR me Mimoza Kusari Lilajn 35.98 %, Në Prizren Muja 33.7%, 24.9 Kryeziu, BD-ja 14.7%. Në Obiliq prin LDK 32.9 %, nga AAK-LDD Xhafer Gashi i dyti me 24.25 %, ndersa në garë për balotazh vahdon të jetë edhe Vehbi Sadiku i PDK-së me 22.6%; Në Suharekë prin Sali Asllani i LDK-së me 36.9%, ndërsa pasohet nga gara për balotazh ndërmjet AAK-së me Bali Muharremin me 29.68 % dhe Ramë Vatës së PDK-së me 29.1%: Në Ferizaj PDK me Agim Aliun prin me 41.14%, ndaj LDK-së me Muharrem Sfarqës me 32.31%; NË Malishevë prin Iniciativa e Fatmir Limajt me 40%; i dyti është Isni KIlaj i PDK-së, 27.79 %, i trei Sali Morina i LDK-së me 26.42 për qind; NË Prizren Ramadan Muja i PDK-së prin me 40.01%, ndërsa LDK me Eqrem Kryeziun 23.81% Në Kamenicë LDK -Shaip Surdulli prin me 34 %, Begzad Sinani me 31 %, AKR me Fatmir Matoshin 19 %; Në Dragash prin Salim Jenuzi i PDK-së me 38.57 % ndaj Fatmir Mehmetit të LDK-së me 32.57 %; Në Deçan Rasim Selmanaj prin me 59.7 %, LDK me 27 %;

(I plotësuar) – LDK ka fituar besimin më të madh në nivel vendi. Ai iu shprehu mirënjohjen më të thellë në nivel vendi, dhe ka falënderuar edhe komisionerët, edhe organizatat ndërkombëtare edhe mediat.
Ai e shprehu keqardhjen për incidentet në e rënda në veri.
Ai tregoi që partia e tij ka fituar pa balotazh në komunën e Podujevës, Istogut, Fushë Kosovës, por që pritet edhe Gjilani dhe Peja.
“Si parti e parë në balotazh edhe pse nuk kemi të dhëna të sakta jemi në komunat: Prishtinë, Kamenicë, Lipjan,Viti si dhe Suharekë”, tha Mustafa.
Kurse sa i përket Prishtinës, i pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës u shpreh se edhe për kryeqytetin po pritet të sigurohen të dhënat.
Si parti e dytë sipas LDK-së, kjo parti shkon në komunën e Ferizajt, Dragashit, Junikut, Vushtrrisë si dhe Novobërda, ndërsa pritet edhe në Malishevë e Mitrovicë

LDK deklaron rikthimin si parti e parë në Kosovë

Në konferencën me gazetarët para pak çastesh, zëdhënësja e Shtabit Zgjedhor të LDK-së, Vjosa Osmani deklaroi se sipas përqindjes së deritashme të votave të numëruara del se LDK po rikthehet si partia e parë në Kosovë. Ajo tha se në 3 deri 5 komuna pritet që kryetarët nga radhët e kësaj partie të dalin fitues pa balotazh, në tetë të tjera kandidatë e saj momentalisht prijnë bindshëm, kurse në shtatë janë në garë afër fare ose të barabartë me kundërkandidatët e partive të tjera.

Rezultatet preliminare: Përmbysje në Gjilan, Pejë dhe Gjakovë

Sipas Demokracisë në Veprim, në bazë të votave të numëruara në rreth 50 për qind të vendvotimeve, në Prishtinë prin Isa Mustafa i LDK-së me 43.6 për qind të votave. Ai do të ballafaqohet në balotazh me Shpend Ahmetin e Vetëvendosjes, i cili deri tash ka fituar 30.8 për qind të votave. Për kandidatin e PDK-së, Agim Çeku, sipas të gjitha gjasave nuk ka shanse të hyjë na balotazh, pasi për të votuar kanë votuar vetëm rreth 10 për qind të qytetarëve të komunës së Prishtinës.
Në Prizren janë Ramadan Muja i PDK-së me 33.7 për qind të votave, para Eqrem Kryeziut të LDK-së, me 26.0 për qind.
Në Pejë ka befasi. Aty kandidati i LDK-së, Gazmend Muhaxhiri ka fituar 41.4 për qind, kurse Ali Berisha i koalicionit AAK-LDD ka marrë votën e 36.4 për qind të zgjedhësve të dalë në votime.
Duket sikur AAK-ja nuk e ka të sigurt fitoren as në Gjakovë, ku prin Mimoza Kusari-Lila me 41.4 për qind, e pasuar nga Pal Lekaj i AAK, me 36.5 për qind dhe është e sigurt se në balotazh për kryetar të ardhshëm të Gjakovës do të jenë këta dy kandidatë.
Në Gjilan po ndodh një përmbysje. Kryetari i kësaj komune në dy mandate, Qemajl Mustafa i PDK-së ka fituar vetëm 25.7 për qind të votave, kurse kundëkandidati i tij, Lutfi Haziri i LDK-së prin me 40.9 për qind të votave të fituara.
Në Ferisaj Agim Aliu i PDK-së prin me 40.1 për qind, kurse kandidati i LDK-së, Muharrem Svarça i LDK-së ka fituar 34 për qind të votave. Edhe këtu mbase këta dy kandidatë do të shkojnë në balotazh.
DnV: Në Prishtinë prin Mustafa, Ahmeti e Çeku e ndjekin
Prishtinë, 3 nëntor – Demokracia në Veprim bëri të ditur se nesër do të dalë me rezultatet preliminare të votimit të sotshëm, ndërkaq procesin zgjedhor e ka vlerësuar të rregullt, të qetë dhe demokratik. Sipas DnV-së incidentet që kanë ndodhur i ka cilësuar të vogla dhe që nuk i qesin hije vlerësimit të mirë të zgjedhjeve të sotshme.

Ndërkohë procesi i numërimit të votave ka filluar dhe sipas rezultateve të deritashme (nuk ka të dhëna sa për qind e tyre është numëruar), në Prishtinë aktualisht po udhëheq Isa Mustafa me 43.6 për qind, ndërkaq pasohet nga Shpend Ahmeti me 31 % dhe Agim Çeku me 11.4 % të vota. Në Prizren ndërkaq po udhëheq Ramadan Muja me 33.7%, kurse kandidati i LDK-së, Eqrem Kryeziu e ndjek me 24.9%, në Gjakovë Mimoza Kusari-Lila e AKR-së po udhëheq me 39.4% të votave, ndërsa pasohet nga Pal Lekaj i AAK-së me 38.3%. Në Pejë, sipas votave deri tash të numëruara po udhëheq Gazmend Muhaxheri i LDK-së me 41.1 % dhe pasohet nga ai i AAK-së, Ali Berisha me 35.5 %, në Gjilan ndërkaq tash për tash po udhëheq Lutfi Haziri i LDK-së me 43 për qind të vota, kurse Qemajl Mustafa i PDK-së ka 27% të votave.

Përfundon votimi, pa veriun, votuan 45% e qytetarëve
“Kosova përmbylli një proces jo edhe aq të lehtë. Duke pas parasysh se u votua në gjithë Kosovën”.
Kështu u shpreh në konferencë për media, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.
“Është me rëndësi të theksohet se komisioni ka pranuar vetëm disa vërejtje të cilat nuk mund të ndikojnë në rregullsinë e procesit zgjedhor” tha Daka.
Ajo foli edhe për incidentet në veri duke thënë se personat që ndërprenë votimet atje “kanë rrezikuar stafin vendor dhe ndërkombëtar”
“Ne kërkojmë nga përgjegjësit e sigurisë vendore që të mudnësojnë sjelljen kutive nga komunat e veriut, pasi vetëm atëherë mund ta dimë se si u votua atje” tha Daka.
“Materiali është duke u kthyer me përcjelljen e Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe OSBE-së” shtoi Daka.
“Dalja e votuesve deri ne ora 19:00, duke mos e përfshi veriun është 45.79%” tha

* * * *
Përfundon votimi, mbyllen qendrat Procesi zgjedhor i cili duke përjashtuar veriun e vendit, duket të ketë kaluar pa probleme të mëdha, ka hyrë në një fazë të re.

Të gjitha qendrat e votimit duke filluar nga ora 19:00, janë mbyllur, dhe tani po shkohet djretë procesit të numërimit të votave. Shtabet e partive politike, pritet që shumë shpejtë të fillojnë të dalin me rezultate preliminare, ndërsa të tillat pak më vonë pritet të dalin edhe nga ana e KQZ-së.

Ndërsa në veri, situata ka qenë krejt ndryshe. Atje grupet ekstremiste kanë penguar gjatë tërë ditës pjesëmarrjen e bashkëqytetarëve të tyre në zgjedhje.

E në mbrëmje situata ka eskaluar edhe më tutje, ku persona të maskuar kanë futur në një qendër votimi në veri, duke demoluar tërë materialin zgjedhor.

Pas kësaj, si transmeton reporteri, përfaqësuesit e OSBE-së janë tërhjekur nga këto qendra votimi, dhe kanë kërkuar nga KQZ që ta ndërpresë procesin e votimit atje.

Pritet që zgjedhjet në veri të shpallen të pavlefshme, për shkak të pa mundësisë së organizimit të lirë të tyre.

Pjesëmarrja në zgjedhje deri në orën 15:00, mbi 33 për qind

Pjesëmarrja në zgjedhjet lokale në gjithë territorin e Kosovës, deri në orën 15:00, ka arritur në mbi 33 për qind, bëhet e ditur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Një vëmendje e posaçme po i kushtohet situatës në veri, prej nga raportohet për disa pengesa.

Deri në orën 15:00, votuan mbi 33 për qind e qytetarëve

Pjesëmarrja në zgjedhjet lokale në gjithë territorin e Kosovës, deri në orën 15:00, ka arritur në mbi 33 për qind, bëhet e ditur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Një vëmendje e posaçme po i kushtohet situatës në veri, prej nga raportohet për disa pengesa.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka tha se disa grupe të caktuara në veri, “nuk janë duke lejuar qytetarët që lirshëm të shprehin vullnetin e tyre qytetar për të votuar”.

Daka tha se “para dhe gjatë fillimit të hapjes së vendvotimeve komisionarë janë penguar në punën e tyre”.

“Për këtë gjendje janë informuar edhe Policia e Kosovës edhe institucionet e tjera relevante. Mirëpo, do ta njoftojmë edhe Bashkimin Evropian, edhe misionin e OSBE-së, edhe pse OSBE-ja është e informuar, sepse është në pjesën veriore”, u shpreh ajo.

Daka tha se me gjithë ato reagime nga grupe të caktuara, komisionarët janë duke qënderuar në vendvotime.

“Ata janë aty në këshillat e vendvotimeve, janë brenda, janë duke punuar dhe do ta shohim më tutje situatën”, deklaroi Daka.

DnV: Deri në ora 12 pjesmarrja në votime 14% ,po rritet numri i parregullsive

Sipas Koalicionit të OJQ-ve, Demokracia në Veprim, deri në ora 12:00 kanë votuar mbi 14 për qind e qytetarëve të Kosovës. Ndërkohë, sipas tyre, vazhdon të rritet numri i parregullsive nëpër qendrat e votimit në nivel vendi. Përfaqësuesi Driton Selmanaj, tha se nga terreni janë raportuar më shumë se 100 raste të votimeve familjare.

Vëzhguesit kanë informuar se ka pasur edhe fotografim të votës, ka pasur prezencë të personave të paautorizuar, duke bërë presion mbi votuesit në disa qendra, ndërsa disa persona kanë tentuar të votojnë më shumë se një herë.

KQZ: Pjesëmarrja deri në orën 11, është mbi 12 %
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zbuluar përqindjen e qytetarëve të cilët kanë votuar deri në orën 11:00.
Është mësuar se votimi ka qenë me përqindje më të ulët se në peridhen kohore të zgjedhjeve të fundit (2009). Deri në ora 11 kanë votuar 12.03% apo 214.129 votues.

Thaçi: këto zgjedhje janë test për Republikën e Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka votuar në qendrën e votimit në shkollën fillore Faik Konica në Prishtinë.

Me këtë rast ai ka thënë se këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme pasi po mbahen një vit pas përmbylljes së mbikëqyrjes së Pavarësisë së Kosovës.

“Këto janë zgjedhjet e para të lira që organizohen në gjithë territorin e Kosovës dhe historike për shtetin tonë të ri që kaluam një vit të mbikëqyrjes së pavarësisë me sukses të plotë , që kemi hapu tani rrugën e sigurt për Integrime Evropiane dhe procesit të stabilizim-asociimit , procesin e liberalizmit të vizave”, tha ai.

Thaçi tha se këto zgjedhje janë një test për Kosovën drejt integrimeve evropiane , ndërsa falënderoj qytetarët dhe partitë politike për një fushatë të qetë korrekte.
“Këto zgjedhje janë test evropian për Republikën e Kosovës . Unë edhe njëherë sot dëshiroj t`i falënderoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për pjesëmarrjen e tyre në fushatë , falënderoj gjithë spektrin politik për një fushatë korrekte të qetë të konkurrencës së lirë, edhe sot kam besim të plotë se shteti ynë Kosova dhe qytetarët e Kosovës do t`a kalojnë testin evropian për të ardhmen e tyre, pra për të dëshmuar rendin demokratik, për të dëshmuar zhvillim aktiv të demokracisë dhe perspektivë të sigurt evropiane , pra sot do të jemi të gjithë të angazhuar për Kosovën Evropiane”, theksoi kryeministri Thaçi.

Mustafa u bën thirrje të gjithë qytetarëve të dalin në votime

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherit edhe kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa ka votuar sot gjatë orës 10.00, në shkollën fillore Emin Duraku.

Mustafa në një deklaratë për media, tha se ky proces zgjedhor deri më tani është i rregullt, dhe që i bën thirrje të gjithë qytetarëve të dalin në votime.

“Mendoj që është një proces shumë i mirë, deri më tani shumë i rregullt, na gëzon fakti që qytetarët po dalin në votime dhe ajo që unë kërkoj nga qytetarët dhe i ftoj është që ata të gjithë të votojnë, të votojnë të gjithë sipas vullnetit të tyre , të votojnë për Kosovën, të votojnë për integrimet tona evropiane dhe të tregojnë se ne jemi një shtet demokratik”, tha kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Mustafa tha po ashtu se rezultatet e votimeve janë ato që legjitimojnë votën e lirë të qytetarëve.

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, po rikandidon për postin e kryetarit të Komunës së Prishtinës.

​Voton Haradinaj, fton qytetarët për dalje në zgjedhje

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka votuar në shkollën e mjekësisë në kryeqytet.

Haradinaj, u ka bërë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.

“E shfrytëzova të drejtën e qytetarit. Votova. I ftoi qytetarët e Prishtinës, qytetarët e Kosovës që të votojnë”, pohoi Haradinaj.

Sot, në ora 9:00, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, votoi në Qendrën e Votimit 1913E, në Fakultetin Juridik në Prishtinë. Me këtë rast Albin Kurti tha se sot jo vetëm që është ditë e rëndësishme për qytetarët dhe komunat e Kosovës, jo vetëm për lirinë e demokracinë, por edhe për shtetndërtimin në Kosovë. Ai uroi që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme, që në mandatin e ardhshëm të qeverisemi nga njerëz të lire dhe të ndershëm, që kanë legjitimitet demokratik.

Nënkryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Kandidati për Kryetar të Prishtinës, Shpend Ahmeti, votoi në ora 10:00, në Qendrën e Votimit 1903E, në Shkollën Fillore, “Faik Konica” në Prishtinë. Në prononcimin e tij para medieve, Shpend Ahmeti tha se kjo ditë është një ndër ditët e pakta, kur të gjithë në shtetin tone janë të barabartë, andaj ai ftoi qytetarët ta shfrytëzojnë ketë barazi për të mirën e tyre, duke qenë i sigurt se po vjen era ndryshim në Prishtinë.

Ka votuar Presidenti i AKR-së, z.Behgjet Pacolli

Sot rreth ores 10:00, në shkollën fillore të Hajvalisë, ka votuar i pari i AKR-së, zotëri Behgjet Pacolli.

Ai ju ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në zgjedhje, duke shpresuar që këto zgjedhje të kalojnë pa probleme.

“Shpresoj shumë që këto zgjedhje do të kalojnë në frymën demokratike, të jenë fer dhe qytetari do të ketë privilegjin që votën e tij ta hedh aty ku mendon ai dhe që mendon që është më i miri.

Shpresoj që këto zgjedhje të kalojnë pa as një incident dhe në mënyrën më demokratike. Gjithashtu shpresoj që në çdo cep të Kosovës të votohet në mënyrën më të rregullt dhe më demokratike”, ka thënë Pacolli në mesazhin e tij.

​Voton Presidentja. Apel për pjesëmarrje masive

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka votuar në sallën ‘1 tetori’. Ajo bëri thirrje për dalje sa më masive të votuesve në këto zgjedhje, duke i quajtur këto zgjedhje si test të pjekurisë politike dhe të demokracisë së brendshme.

“Kryeva obligimin tim si qytetare e Kosovës. Bëj apel te qytetarët të zgjedhin përfaqësuesit e tyre duke dalur masovisht. Këto zgjedhje janë test i pjekurisë sonë politike, test i demokracisë, dhe dëshmia e një shteti gjithëpoërfshirës që po e krijojmë. Është përkujtimi për sakrificën nëpër të cilën ka kaluar shoqëria jonë”, tha Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.

DV: Disa paregullsi të vogla në votime

Koalicioni i Organizatave Joqeveritare “Demokracia në Veprim”, që monitoron procesin zgjedhor me rreth 1, 600 vëzhgues në të gjithë territorin e Kosovës, deri më tash ka vërejtur disa parregullsi të vogla.

“Hapja e vendvotimeve kryesisht ka ndodhur me kohë; ka pasur probleme të vogla teknike. Në disa raste mungojnë disa nga komisionet; ka raste ku shiriti i sigurisë nuk është lidhur siç duhet. Ka raste ku në disa vendvotime ka më pak fletëvotime sesa numri i regjistruar i votuesve. Pastaj, një rast apo dy të tilla që është fotografuar vota”, ka thënë koordinatorja e “Demokracia në Veprim” për Prishtinën, Shqipe Pantina.

Policia: Në veri ka thirrje për bojkot

Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës në veri, Besim Hoti, tha se gjendja e sigurisë në veri është kryesisht e qetë. Megjithatë, ai bëri të ditur se në tri lokacione në afërsi të qendrave të votimit, disa qytetarë janë duke bërë thirrje për të bojkotuar procesin e votimit.

“Së paku në tri lokacione të ndryshme të qendrave të votimit kemi grupe të qytetarëve, të cilët thërrasin për bojkotim të këtyre zgjedhjeve. Këta persona po qëndrojnë në një distancë më të largët nga qendrat e votimit dhe nuk kemi të bëjmë me bllokim të hyrjeve drejtpërdrejt me qendrat e votimit, por vetëm me shprehje të pakënaqësisë së tyre me këtë aspekt të votimit. Thjesht, ata thërrasin njerëzit për bojkotim të këtyre zgjedhjeve”, tha Hoti.

KQZ: Janë hapur të gjitha qendrat e votimit, përveq një vendvotimi në veri

Komisioni Zgjedhor ka mbajtur konferencë për shtyp në të cilën Kryetarja Valdete Daka deklaroi se të gjitha qendrat e votimeve janë hapur përveç një vendvotimi në veri të Mitrovicës.
“Të gjitha qendrat e votimit janë hapur, vetëm një vendvotim në pjesën veriore nuk është hapur për shkaqe teknike”, tha Daka.
Sipas Dakes në atë vendvotim nuk është shpërndarë materiali për këtë arsye nuk ka arritur të hapet. Ajo tha se nuk ka nuk ka raportim për ndonjë incident ose parregullsi.

Voton Valdete Daka: Le të fitojë Kosova

Megjithëse kishte arritur 20 minuta më herët, Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Valdete Daka, ka pritur orën 7:00, për të hapur edhe zyrtarisht qendrën e votimit në Fakultetin Teknik në Prishtinë.

Daka, e cila ishte votuesja e parë, në këtë qendër të votimit tha se shpreson që qytetarët do të dalin për të votuar dhe për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre.

“Sot besoj se është një ditë e mbarë për Kosovën. Ju e patë se qendra e votimit është hapur dhe unë votova. Shpresoj se me këtë votën time do të fitoi më i miri. Natyrisht shpresoj se të gjithë qytetarët e Kosovës do të dalin në votim dhe me votën e tyre, do ti zgjedhin përfaqësuesit e tyre, për të cilët mendojnë se janë më të mirët. I uroj sukses të gjithë qytetarëve të Kosovës, iu dëshiroj një ditë të mbarë dhe le të fitoi Kosova”, tha ajo.

Ndërsa e pyetur se kur priten rezultatet preliminare, ajo tha se KQZ është e përgatitur dhe se shpreson ato të do të bëhen të ditura, së paku dy tri orë pas mbylljes së vendvotimeve. Në zgjedhjet për Kuvende Komunale, votuesi voton për një subjekt politik të certifikuar dhe mund të votojë për një kandidat nga lista e kandidatëve të këtij subjekti politik.
Sot, votohet për zgjedhjet lokale
Rreth 1.8 milionë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote, sot do të kenë mundësi që të zgjedhin përfaqësuesit e tyre për një mandat katërvjeçar, në tridhjetë e tetë komuna të Kosovës . Për të votuar janë 2366 qendra të vendvotimit.

Numri i qytetarëve të Kosovës, që tashmë kanë shprehur dëshirën për të votuar e që gjenden jashtë vendit është 8383, e të cilët mund të votojnë përmes postës.

Në garë për kryetar komune e asambleistë janë 103 subjekte politike, me gjithsej 7.932 kandidatë.

Në bazë të Ligjit për Zgjedhje Lokale, elektorati do të zgjedhë anëtarët e kuvendeve komunale dhe kryetarët e komunave në tërë komunat e Kosovës.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet, Kreu II, neni 7, pika 7.1, secila komunë do të jetë zonë zgjedhore e veçantë.

Njëkohësisht, do të mbahet kuota gjinore prej 30% për deputetët e kuvendeve komunale.

Sivjet, për herë të parë pas luftës, në zgjedhje marrin pjesë edhe serbët e veriut, të cilët janë përkrahur edhe nga Beogradi zyrtar.

Për zgjedhjet e së dielës do të përdoren Listat e Hapura. Në zgjedhjet për Kuvende Komunale, votuesi voton për një subjekt politik të certifikuar dhe mund të votojë për një kandidat nga lista e kandidatëve të këtij subjekti politik.

Nëse në fletëvotim janë shënuar më shumë se një (1) kandidat, vetëm vota për subjektin politik llogaritet.

Për zgjedhjet e 3 nëntorit, lider vendorë e ndërkombëtarë kanë bërë thirrje që procesi zgjedhor të jetë transparent duke sqaruar që secili që manipulon me votat ose keqpërdor ato do të ndëshkohet rreptë sipas ligjeve në fuqi në Kosovë.(Kortezi: BOTA SOT)

 

Filed Under: Politike Tagged With: fitoren e LDK-se, Isa mustafa ka shpalle, zgjedhjet ne Kosove

Të kthehemi në gjenezën tonë përmes Rrugës së Arbërit

November 3, 2013 by dgreca

Nga Dionis Xhafa/

Gjeneza e popullit shqiptar është shënuar në Shqipërinë e mesme dhe  veçanërisht në trekëndësihin e krahinave të Dibrës, Matit, Ishmit dhe të Krujës, ku shtrihej Arbëria. Pikërisht në gjenezën e ngjizjes së një populli të tërë, nga ku kemi trashëgëmi një shtet krenar për veten, nuk ka as edhe një rrugë kryesore të parametrave moderne. Që të mund të jemi edhe më krenarë për gjenezën tonë, duhet modoemos të kthehemi në origjinë, e që të jemi dhe më krenarë për të. Që mund ta ndërtojmë të ardhmen tonë, duke nisur që nga ndërlidhja jonë shoqërore, gjë e cila do të na lidhte edhe emocionalisht, edhe do të zhvillonte vendin tonë ekonomikisht, por para së gjithash ekonominë e qytetarëve dibranë dhe më gjerë. Që qytetarët e të gjithë krahinës së Dibrës të mund të kenë një rrugë që i lidh me kryeqytetin shqiptar, Tiranën, duhet një investim nga ana e qeverisë së re. Për të rritur ekonominë e një vendi historik si Dibra, një zonë me një shkëlqim historik të kaluar të katandisur në zonën më të varfër në vend, duhet ndërtuar një rrugë e gjatë vetëm 72 kilometra, që lidh Dibrën me Tiranën. Qeveritë në krye të vendit kanë ikur dhe kanë ardhur dhe nuk janë kujtuar për këtë rrugë, arterie kryesore në Arbërinë e mesjetës. Gëzim Alpion, profesor dibran në Universitetin e Birninghamit, ndërmori peticionin mjaft me rëndësi të hedhur në “Change.org” për ti dhënë firmat e nevojshme qeverisë së dalë nga zgjedhjet e qershorit për nevojën imediate të Rrugës së Arbërit. Firmos edhe ti për këtë peticion, të cilin profesori Alpion “e dërgoi” deri në Indi, por edhe C.M Paul, një ekspert që merret me figurën e Nënë Terezës në Britaninë e Madhe, që shprehet ndër të tjera se kjo rrugë është lidhëse me Tiranën e Shkupit, qytetit ku lindi Nënë Tereza, pikërisht në Indinë, ku si për koecidencë ndodhet edhe një vend me emrin Albania. Qytetarë shqiptarë kudo që të ndodheni, pavarësisht origjinës, dhe një thirrje të veçantë për qytetarët e Dibrës, të firmosin peticionin, aq me rëndësi për qytetin dhe për ju vetë. Firmosni të ardhmen dhe presporitetin tuaj përmes peticionit të Rrugës së Arbërit, rilindjes së vërtetë të Dibrës, e lënë në një mëshirë të fatit, edhe pse një trevë e bëshme me histori. Rizgjoni traditën, historinë, lëvizjen, kulturën dhe tregtinë me firmën tuaj. Vulosni sot një rrugë nesër, vulosni sot të ardhmen e Dibrës dhe të gjithë zonës që përfshin kjo rrugë, Matit, e Gostivarit, deri në Tetovë. Të jemi sot bashkë për një erë të re, atë të shtrimit të një afrie në mes vetes, shtrimit të një rruge që e bën më të lehtë zhvillimin e zonës. Të “kthehemi” në gjenezën tonë, por me një infrastrukturë të re, si pjesë vitale e rilindjes ekonomike të shqiptarëve…

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Dionis Xhafa, gjeneza arberore, Rruga e Arberit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5100
  • 5101
  • 5102
  • 5103
  • 5104
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT