• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

E MAJTA SHQIPTARE KONSOLIDON LULIN

November 1, 2013 by dgreca

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/

Jemi dëshmitarë të gjithë se qysh e majta shqiptare ka vënë në veprim ekstremin e saj më agresiv për të ndërmarrë një fushatë demonizuese ndaj Lulit, siç po e quaj edhe unë kryetarin e ri të Partisë Demokratike të Shqipërisë, liderin e ri të opozitës së re të Tiranës.

Janë të shumta rastet kur faktorët e jashtëm, qoftë si faktorë objektivë apo subjektivë, respektivisht, pra, joqëllimorë apo qëllimorë kanë ndikim më të madh se faktorët e brendshëm ndaj një dukurie apo ndaj një realiteti të caktuar. Aq më tepër, duke qenë tek rasti konkret, dihet se Partia Socialiste e Shqipërisë është njëherësh faktor i jashtëm dhe faktor i brendshëm për Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe anasjelltas. Kjo shpjegohet me rrjedha historike të realitetit të shqiptar, të kristalizuara që nga 8 nëntori 1941.

Faktorët mirëfilli të brendshëm në partinë tashmë opozitare nuk janë dhe nuk kanë për të qenë të aftë që të ndikojnë në konsolidimin ose moskonsolidimin e Lulzim Bashës në krye të saj. Në këto kushte, rolin vendimtar e merr partia pozitare, e cila, për këtë, përdor ekstremin e majtë shqiptar. Në stilin katovicar, folklori denigrues kundër Lulzim Bashës nga kjo guzhinë e propagandës, vetëm sa ndikon për ta bërë sa më interesant në sytë e atyre faktorëve jo të majtë shqiptarë, të cilët ende e shikojnë Partinë Demokratike të Shqipërisë si mishërim të idealeve të djathta shqiptare, pra si alternativë ndaj socialistëve.

Së majtës shqiptare, mbisunduese absolute në jetën e kombit tonë prej më se shtatë dekadash, i intereson që Partia Demokratike e Shqipërisë të vazhdojë të mishërojë iluzionin e një të djathte. Duke qenë njohëse e psikologjisë së të sunduarve të saj, e majta, pasi e ka krijuar iluzionin, vazhdon ta zhvillojë atë në skenën shqiptare, duke bërë mrekullira të rreme, ashtu si iluzionistët bëjnë në skenat e shfaqjeve të tyre.

Mungesa e një kryetari të konsoliduar të partisë kryesore opozitare, mungesa e një lideri të konsoliduar të opozitës, do të vinte në pikëpyetje nëse ekziston apo jo Partia Demokratike, nëse ekziston apo jo opozita në Tiranë, çka do të bënte urgjente gjithnjë e më shumë lindjen dhe rritjen e një partie të vërtetë opozitare, të një lëvizjeje vërtetë opozitare, rrjedhimisht të një djathte të vërtetë e të mirëfilltë në politikën shqiptare.

E majta jonë është në dijeni të plotë se në realitetin shqiptar ekziston faktori i djathtë. Mirëpo ajo është e interesuar që ky faktor të mos jetë i organizuar në një parti të tijën, por të jetë i përfaqësuar edhe më tej nga një parti tjetër, e përbërë edhe ajo nga klane të majta, si gjatë këtyre viteve të derisotme të të ashtuquajturit tranzicion shqiptar.

Prandaj propaganda e majtë e paraqet tashmë Lulzim Bashën jo vetëm si kopje të Sali Berishës, por edhe si një rimishërim të tij për së gjalli, sikur kemi të bëjmë me të njëjtin embrion, por me dy trajta të tij, të zhvilluara ato në dy epruveta të ndryshme, njëra sosh me faza më të përshpejtuara, ndërsa tjetra sosh me faza më të përngadalësuara, derisa të japin gjendjen e sotme, frytin e sotëm, sado të dyzuar në dukje, gjoja të njëjtë në thelb.

Synimi tjetër po aq kryesor i fushatës që e majta shqiptare ka ndërmarrë me anë të krahut të saj më ekstrem është që t’i shmangë sa më shumë ngjashmëritë në figurën, stilin dhe veprimet e paraardhësit dhe pasardhësit në kreun e qeverisë. Me çdo kusht, ngjasimet, pra të jenë sa më të mëdha, sa më ekskluzive dhe sa më të imponuara mes paraardhësit dhe pasardhësit në kreun e Partisë Demokratike, Sali Berishës dhe Lulzim Bashës. Dhe sa më pak ose mundësisht fare të mos vihen re këto ngjashmëri midis Sali Berishës dhe Edi Ramës.

Shkalla e suksesit të fushatës aktuale demonizuese të së majtës shqiptare ndaj Lulzim Bashës do të varet jo aq shumë nga zelli i fushatbërësve dhe nga sofistikimi i makinerisë së saj. Ajo do të varet kryesisht nga mënyra se qysh Lulzim Basha do të bëhet vetë pjesë e lojës. Pra, sa dhe si ai, si pasardhës, do të ketë mësuar në këtë drejtim nga paraardhësi i tij në krye të Partisë Demokratike, sa dhe si ai, do të dëshmojë talentin për të hyrë dhe për të qenë në këtë lojë.

Filed Under: Analiza Tagged With: e majta shqiptare, Lul Basha, Skender Bucpapaj

KUR BIE DITA E “TË SHUEMËVE” ?..

October 31, 2013 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

 Nga viti në vit po ndryshohen kalendarët dhe me ta edhe datat…e festave, perkujtimore, dhe të tjera shenja të veçanta që ishin të shenueme aty. Nuk asht problemi tek festat fetare, se ato merren vesh dhe pa kalendar, u mësuem mbas 1967, kur nuk kishim ku me i gjetë të shenueme.

Bashkë me datlindje festohej edhe dita e emnit… Festat fetare ishin të mëshefta!

Kujtoj, shumë vite perpara kur pata lexue një prozë të shkurtë të At Gjergj Fishtës, per Ditën e të Shuemëve, në Rrëmaj të Shkodres. Një kryeveper, si shumë shkrime të tjera të Tij!

Ajo ishte një ditë krejt e veçantë në Shkoder. Edhe pergatitjet në Rrëmaji fillonin disa ditë perpara, ku sejcili, mendonte per një tubë lule apo per pastrimin e vorreve të familjes së vet.

Me datës 2 Nandor, ku shenohej në kalendarin fetar katolik “Dita e të vdekunëve”, ishte fillimi i perkujtimoreve, që vazhdonin deri tek e diela që mbyllej edhe java e atyne kujtimeve…

Disa i thonin “Java e Purgatorëve”, mbasi edhe lidhej me “jeten e lumtur” të Shkodres!

Në Shkoder nuk perdorej fjala e “të shuemëve”, na dukej se tingllon keq, mbasi fjala “me u shue”…sikur, merrte kuptimin e vrashtë të “shfarosjes”…dhe, perdorej per fise që komunistët i kishin “shue”, “qitë fare”, “zhdukë” pra, “pa trashigimtarë”…E këta fise nuk ishin pak! Nuk do ti rreshtoj këtu ata fatzezë që kam mërrijtë me njoh unë, mbasi qellimi i këtij shkrimi nuk asht ai.

Kjo foto që shihni këtu, na kujton një prej ngjarjeve ma të mëdha të Historisë sonë!

Plot 135 vjetë maparë, në vitin 1878, në Prizrenin Shqiptar u krijue “Lidhja e Prizrenit”…

As Kryetari i Delegacionit Shkodres tek ajo Lidhje, Daut Efendi Boriçi, endè sot nuk e ka një bust në qendren e qytetit të Shkodres, edhe pse përfaqsia e Tij atje ishte një nderim per ne!

 

Prizreni i 1878…

At Gjergj Fishta i këndoi:

Shkrepi dielli buzës s’Cukalit,

Eja e t’kndojm, oj Zana e malit,

Eja e t’kndojm më Lahutë t’ Malcis,

Si ata Krenët e Shqyptaris

Në Prizren na janë bashkue

Për me folë me bisedue,

Shqyptarinë se si m’e pshtue

***

Sa per Mbretin e Stambollit,

***

Mund t’i thoni, se Shqypnija

Nji shportë fiqash nuk ka qillue,

Per m’u a da miqve peshqesh.

Por asht toka e t’ Parvet tonë,

Asht Atdheu, po i Skanderbegut,

Asht Atdheu, po, i Mojs Golemit

E i atij Lekë Dukagjinit,

Edhe i Kukës edhe i Muzakut

Edhe i Strezës e i Aranitit,

Qi e kan la t’ tanë me gjak t’Turkut.

Prandaj s’ka as Krajl as Mbret,

Qi ket tokë e falë a e shet,…

 

Dhe pikrisht, në këte 135 vjetor, mendoni Ata Shqiptarë të Prizrenit t’ atëhershëm… me 23 Tetor 2013, të mbledhun me ndigjue nga këta tre “kryeministra” hyqimetesh, një tjeter “vaki”: “Kosova është Turqi e Turqia është Kosovë”…

 

 

Nuk deshta me u besue syve… Po, kur lexova deklatën e Imz. Dodë Gjergjit, ku tregon:

“…sikur në fund të çdo dite bie muzgu dhe errësira i vë nën pushtetin e vetë të gjitha gjërat, ashtu ndodhi dje pasdite në Prizren, ku doli në pah ligështia nostalgjike e disa shqiptarëve, ambiciet neotomane të miqëve (“vëllezërve të disave”) dhe dëshira e kryeministrit turk Erdogan, që të jetë padroni i shqiptarëve. Kjo e la një hije të keqe mbi bukurinë e ditës së djeshme…”

Ajo deklaratë ishte: Një qendrim i duhun, në kohë dhe burrnor!

Sa mirë do t’ ishte që politikanët mos të ndotin pusat ku ka pij ujë Nanë Tereza, dhe as rrugët e Dardanisë, ku kanë shkelë të zbathun Atdhetarët tanë! E nuk janë aq pak sa me u harrue!

***

Erdogan kerkon me ngulm nga “vllezërit e vet”: Edhe “Historia e Shqipnisë”…duhet “ndryshuar”, pra, “ngjarjet e ditëve xhuma, duhen vue me datat e kalendarit turk”… Jo, me ate “arnaut”! Një monument i Haxhi Qamilit do të duhej tek Akademia e Shkencave të R.Sh., pranë “pasuesit të vet”, Sabri Godo…që vërtetë me veprat e veta i paraprinte “vllezërve të gjakut”..!

 

■Mos ndoshta, “Dita e të SHUEMËVE”, me kalendarin turk, bie me 23 Tetor 2013…

KUR “KËTA”… MENDOJNË E VEPROJNË, “ME SHUE” TROJET SHQIPTARE ?

 Melbourne, Nandor 2013

Filed Under: Komente Tagged With: Fritz Radovanai, kur bie Dita e te shuemeve, Lidhja e Prizrenit

Të gjitha gra – Tanagra

October 31, 2013 by dgreca

Nga Fahri Xharra/

Duke shkuar prej Tebës në Argos,thot Straboni, në krahun e majtë ështëTanagra dhe pranë rrugës ,në të djathtë është Hyria.(Tanagra, Naim Laçej,Historia e genit dhe e gjuhës) . Çka  është dhe ku është Tanagra ? Tanagra , është komunë në veri të Athinës , në Beotia. Qendra e e komunës është qyteti Skimatari , jo fort largë Tebes  dhe i njohur në lashtësi për prodhimin e madh të figurinave të njohura si figurinaTanagra. Figurinat nga llaqi i pjekur ,bronzi dhe druri të prodhuara në sasi të madhe që nga shekulli i katërt  para Krishtit.

Në   “Grekët nuk e kanë origjinën nga grekët”, (Frankfurter Algemanje Caitung” 2010 Andreas Kilb ) Andreas Kilb sqaron se popull grek që  e njohim  sot, nuk është gjë tjetër veç asaj që lanë pas sllavët, frëngët kryqëzues, bullgarët, serbët, katalanasit, osmanët dhe shqiptarët. Madje Klibi tenton të hetojë edhe psikologjikisht popullin grek, duke përfunduar se ndryshimi nga origjina zëvendësohet me solidarazimin e vazhdueshëm për t’u përballur me një armik të përbashkët. Ai thekson se një në çdo katër grekë, një është refugjat, kaq të tjerë kanë origjinë sllave, por të gjithë janë të bashkuar kundrejt armikut të përbashkët. Greqia ka qenë e pushtuar nga sllavët të cilët u ndalën dhe u tërhoqën pasi ndeshën në rezistencën e fortë të shqiptarëve në Athinë që udhëhiqeshin nga Gjin Bue Shpata. Ajo ka qenë e pushtuar edhe nga bullgarët, kryqëzata frënge, katalanasit dhe në përfundim më 1450 nga Perandoria Osmane. Por gjithnjë këta pushtues së Greqisë janë ndeshur me fiset shqiptare të cilët jetonin që në lashtësi në Thesalisë,  në Boeotia, Peloponez dhe ishujt e shumtë. Kjo vërtetohet edhe se shumica e kapedanëve të Kryengritjes së 1821 ishin të gjithë shqiptar(arvanitasit) dhe për disa vite shqiptarët drejtuan Greqinë e Re në të gjitha fushat, Kryetar shteti, Kryeministra, Akademikë etj. (prof.Arben Llalla)

Tanagra  u quajt vendi në Beotia ku u gjetën me mijëra figurina të ngjajshme me ato të vitëve 1870. Figurina të burrave, të  fëmijve , të artistëve por pjesa më e madhe ishin” të tana gra “. Figurinat e Tanagrave  shquhen me qëndrimin e tyre,  të pushuara , të shlodhura   dhe të mveshura me rrobat e tyre që në përgjithësi janë nënrrobat e holla  të cilat mvishen me mantila më të trashë të quajtura Himation. (.britishmuseum.org). Në kohën e punimit të figurinave ato ishin me ngjyra të gjalla dhe pëlhura  e veshjeve ishte  e përdredhur dhe e ngrehur, dhe i bënte ato të këndshme dhe iu ipte theksin e posaçëm në formën e tyre.

A ishin mbretëresha apo gra të zakonshme? Për kë u bën ato? Duket se çdo figurinë e paraqet një domethënjë në vete. Shumica e figurinave Tanagra që u gjetën nëpër varre ’ mendohettë ishin ose dhuratë ndaj perëndive apo  një rehati apo komfor për të vdekurit. Por edhe në varrezat e shenjta , figurina te gjetura duhej të ishin një adhurim për ata që ishin varrosur aty.

Siç e deklaron shkrimtari Niko Dhimu, grekët e sotëm nuk janë ata grekët e lashtë që pretendonte historiani gjerman në shekullin 18 Johann Winckelmann. I cili krijoji vizionin se Greqia e lashtë është populluar nga njerëz të bukur, me flokë të verdhë e të gjatë, njerëz të zgjuar. Ky përfytyrim i Johann Winckelman në të vërtetë ka lidhje me ilirët të cilët kishin këto karakteristika, pra, ata, grekët e lashtë kanë qenë ilirët dhe jo grekët e sotëm. Popullsitë e Greqisë së shekullit 19 si shqiptarët, sllavët, turqit, hebrejt, arabët, vllehët ju imponua që të krijonin identitetin modern grek. Por karakteristikat e këtyre racave nuk përputheshin me karakteristikat e grekëve të lashtë, përveç shqiptarëve sepse është vërtetuar shkencërisht që ne rrjedhim nga ilirët. (A.Llalla)

Vendi i Hyrieve  në Tanagra është i lidhur ngusht nga mitologjia me vendlidjen e e njërit prej personazheve më interesante të saj.Por çka përfaqësojnë këto gra në Tanagra? Autori Naim Laçej thot se  se ato gra ishin ajka e Tanagra´s për nga pashia dhe bukuria dhe se në kushtet e një sistemi matriarkal  ato i takojnë një “bërthame racore”.

Tanagra , veç në kohën e luftërave Medike ishte   një qytet shumë i rëndësishëm dhe rreth vitit 800 prK quhej qytet. Ishte qendër themeluese e Ligës së Beotisë .Deri në shek e 5 -të prK Tangra bëhet një fuqi beotiane.Është e njohur Korina  ,poetesha më e madhe e kohës së përmendur. Beotianët ishin të njohur edhe si muzikant të shkëlqyeshëm. Tanagra ishte e njohur edhe për luftën e gjelave.Tanagra ishte një udhëkryq tregtar gjatë periudhës klasike , në mes të Athinës dhe Thebes.

“ Në shumë rast thoshte M.Rayet , Shqiptarët nga fshatrat e varfëra të Skimatarit , Bracit , Litiadit dhe Staniatesi , fshatra këto të shtrira në një rreth 5 a 6 km rreth Tanagras , duke e punuar tokën e tyre dhe duke i punuar cungat e hardhive të rrushit rastësisht  kishin gjetur varrezat që aq shumë kishin në vete ,vaza dhe  figurina nga llaqi i pjekur, dhe vetëm rreth vitit 1872 filluan kërkimet pak a shumë të organizuara

Një gropues professional i qujtur Jorgis Anifantis(?) që e kishte zbrazur nekropolen e Thespit erdh dhe e filloi eksplorimin e nekropolit të Tanagras , aty ai gjeti që varret ishin të dy llojeve : disa zgavra të thjeshta aty- këtu nëpër fusha të një epoke shumë arkaike dhe kishin vetëm vazo të ngjyrosura; dhe të tjerat  varreza të rregulluara dhe në vijë të drejt që kishin nga 3-4  e më shumë figurina në çdo varr .Kështuqë së pari Skimatariotet e pastaj edhe të tjerët nga fshatrat tjera iu vërsulën kërkimeve shumë fitimprurëse. Muzu i Luvrit (Paris ) ka më së shumti nga të gjithë muzetë e botës…….Vendasit kishin numruar që ishin hapur mbi tetë mijë varre plotë me figurina. (ephodia.eu/ceramique_les_terres_cuites)

Po pse Tangra është ende një mësheftësi? Pse Tangra mbetet ende një histori jo krejtësisht e zbuluar ? ( ”Tangras : a mistery unveiled ” ,Kya Verhagen ,University of Heigen  2012) .

Gjakovë, 29.10.13

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Fahri Xharra, Tanagra

LLAZAR SILJANI- REKANASI ATDHETAR I HARRUAR

October 30, 2013 by dgreca

Shkruan: Avzi  MUSTAFA/ Shkup/

Ne mes të maleve të larta të Velivarit, Korabit  dhe Kërçinit, në dy anët e lumit Radika gjendet bukuria natyrore, ashtu siç e dinë ta fal vetëm  Zoti, që quhet Reka e Epërme. Bukuritë e saja janë ma të mahnitshmet  në të gjitha stinët e vitit. Dimri  është me borë të ashpër, ku gjatë stinës arrin sa një bojë njeriu dhe qëndron deri në pranverën e vonshme, kurse vera dhe vjeshta këtë vend e pikturojnë si një artist i vërtetë me  ngjyrat e ylberit. Ajri i pastër dhe  pllajat malore, që i dhurojnë “Erën e  Bardhë”  siç quhet nga vendasit,, e bëjnë   Rekën e Epërme  një  banjë natyrore që ndikon edhe në rritjen e banorëve me trup të lart e  të shëndosh  me karakteristika  somatike që dallojnë nga të tjerët.

Kjo krahinë, me ujin e pastër dhe kullosat shumta, mundëson që ky vend të merret vetëm  me blegtori. Për të gjithë banorët e kësaj treve rruga  dhe fushëpamja e tyre është rrjedha e lumenjve dhe përroskave  që derdhen në lumin  Radika  dhe janë të vetmet rrugë që çojnë në dalje për në qytet.

Aty ku lumi Radika e pranon lumin e Bogdit në anën e djathtë të  bregut të lumit   Gjollet e Krekarnicës që buron nga themelet e  Kishës së Edingosit  dhe në lindje të fshatit Vau gjendet fshati Krakornica.

Krakonirca  e rrethuar me malet apo siç i quajnë banorët “bgjeshka”  atë të Reçit dhe atë të Strazimirit, dhe ne lindje  të këtyre maleve, përveç Krakornices  gjendeshen  edhe  dy fshatra  të kësaj zone, si: Vaiu (Brodecë), Bogdi.  Të rrethuara me male,  këto fshatra të vetmen  dalje në një botë tjetër përveç rrjedhës së lumit të Gjolleve të Krakornices  si dhe të lumit të Bogdit. Këta dy lumenj   diku afër Niçpurit  bashkohen dhe dredhen në Radikë. Vetëm kjo është dalja, që për banorët e këtyre viseve,  që  përshkohej me një  udhë dhiare  që të  çonte  në Dibër dhe atë vetëm me kafshë samari. Prandaj,  këto tre fshatra nuk kishin mundësi tjetër, përveç Dibrës, për të siguruar nevojat e jetesës.

Një vit para se të lind Llazar Siljani,  i ati Ilija posedonte një shtëpi në Dibër, sepse merrej me tregti  dhe në atë shtëpi kishte ndërtuar një fllanik (katua), ku ruante dhe shiste bulmetin.   Meqë se pritej lindja e foshnjës e ëma qëndroi në Dibër. Para se lindte foshnja i tyre, ndodhi edhe një dimër i madh që ishte e pamundshme që nëna të kthehet në fshatin  Krakornicë.

Në kollozhek të vitit 1878 lindi një djalë, por pas tri ditëve u dëgjua nga shtëpia e Ilijës në Krakornicë  një pushkë,  që lajmëroi se në  familjen e Siljanëve ka lindur një djalë. Sipas traditës kishtare fëmijët që lindnin pagëzoheshin me emrat e gjyshërve për të ruajt traditën dhe djalin e vogël e pagëzuan Llazar.

Llazari  që në fëmijëri dëshmonte se posedon një inteligjencë, por edhe me trup po rritej shpejt dhe fuqishëm. Pasi u mëkëmbë, Llazari në stinën e verës shkonte në Krakornicë  dhe rritej bashkë me cingërimat e deleve, duke ecur bashkë me to nëpër rudina, luante me këlyshët e qeneve të racës Ilire dhe mblidhte siç i thonë banoret e kësaj ane, aushka (repa).

Në kohën e  vjeshtës së vonshme dhe të dimrit qëndronte në Dibër. Ai kishte dëshirë që të qëndrojë  pranë të atit .Aty ulej mbi shegat ( tinarët) e bulmetit. Kur ai mungonte,  mungesa e tij ndihej dhe  njerëzit kur vinin në shtëpinë e Siljaneve në Dibër pyesnin për djalin, ndërsa babai  u thoshte se është Rekë. Familja krenohej, që  kishte dëshirë që të shkojë e rrijë gjatë deri në vjeshtën e vonshme në Krakornicë. Të  afërtit  e  thirrshin rekanas, që më vonë ky djalosh ta  përvetëson  këtë nofkë dhe ashtu do njihet nga qarqet intelektuale e patriotike- Llazar Siljani-Rekanasi.

Në shtëpinë e Sijanit vinin e shkonin njerëz , dikush blinte, dikush vetëm pyeste e dikush ndalej e bisedonin për vuajtjet e shqiptarëve .Në dyqanin e babait, Llazari ndonjëherë shiste e ndonjëherë dëgjonte, ndonjëherë pyeste për gjera që babain e shtinte në mendime për ti dhëne përgjigje. Në kohën kur Siljani kishte filluar që të kuptoj nga pak dhe te ai të ngjallen ndenja patriotike. Në atë kohë me të madhe  në Dibër flitej për ardhjen e Abdyl Frashërit si dhe atentati mbi të. Ka mendime të tilla se pas largimit të Abdylit nga Dibra për disa javë të ketë kaluar në zonat e thella malore pikërisht në Rekën e Eperme , për të pasur kontakte të fshehura me patriotët e Prizrenit e të Gjakovës[1].

Kjo krahinë e bukur që shquhej si vend blegtoral, por edhe si vend i thyer ku behet shumë acar e  bie borë e qëndron gjatë, që nuk mundej të sigurohej as buka e gojës. Andaj banorët e këtyre fshatrave malor migronin në viset më të mira  brenda Rekës , por edhe nëpër qytetet e afërta si ne Dibër, Gostivar, Kërçove e gjetiu e më vonë edhe në vendet e largëta  ku mund të gjendej punë si në: Stamboll, Bukuresht, Sofje, Pllovdiv, Stamboll, Misir e gjetiu.

Llazar Siljani e sidomos babai kishte dëshirë që ai të mësojë shkollë. Në atë kohë në qytetin e Dibrës  funksiononte një shkollë bullgare me katër klasë dhe me  dy  mësues. Numri i nxënësve sipas të dhënave arrite 90 nxënës.[2] Edhe Llazari i mori mësimet e para në këtë shkollë.

Pas ndoqi katër klasë në këtë shkollë, por e kishte shumë vështirë për të vazhduar me tej shkollimin në Dibër.  Si shumë të tjerë edhe Llazari në moshën 15- vjeçare , pas dy viteve pauzë u nisë që të mësojë në ndonjë shkollë të mesme në  Bullgari. Meqenëse  e kishte mësuar gjuhen bullare në shkollë , kurse në shtëpi fliste gjuhën amtare shqipe, interferenca gjuhësore e tij u binte në sy  mësuesve bullgar në Sofje dhe atij i sugjeruan se me këtë të folme mund të regjistrohej ndonjë  shkollë  në Pllovdiv. Kështu veproi dhe regjistrohet në një gjimnaz real në Pollovdiv.

Pikërisht në vitin  kur kishte lindur Llazar Siljani, Bullgaria kishte fituar autonominë dhe shumë shqiptarë kishën marrë rrugën që të gjejnë punë nëpër shumë qytete të Bullgarisë. Në Sofje shumë patriotë shqiptarë të Rilindjes kombëtare zhvillonin aktivitet politik dhe kultural. Në Sofje u  themeluan shoqëritë e para patriotike, filluan të dalin edhe gazetat e para në gjuhën shqipe, filluan të përkthehen libra ne gjuhë te ndryshme për të afirmuar kulturën dhe historinë e shqiptarëve . Në kohën kur Llazari ndodhej në Bullgari një pjesë e intelektualëve shqiptar që kishin mbaruar shkollën e mësuesisë të Nikolla Naços , kishin ardhur në Bullgari siç ishin: Krist Luarasi, Kostë Trebicka me të vëllaun, Dhimtar Nikolla Mole, Mil Sotir Gurra  e shumë të tjerë. Njeriu që ishte më ma i merituari që i tubonte të gjithë shqiptarët dhe përhapte ndjenjat e shqiptarizmit ishte Dhimitar Mole.  Ai mbante një hanë në rrugën “Serdika” të Sofjes  si dhe  kafenenë me emrin “Albanija”, ku shumë shqiptarë   i brumosi dhe i vetëdijesoi jo vetëm me  ndenja patriotike, por edhe i angazhoi për veprime konkrete në dobi të kombit shqiptarët. Kafeneja“Albanija” u bë  një  fole patriotësh ku mblidheshin dhe bisedonin për çështjen e kombit. Masa që frekuentonte ishte  ishin analfabet e gjysmanalfabet , punëtorë krahu duke punuar çdo lloj punësh. Takimet  e ndryshme dhe malli  për vendlindjen e familjet,  mërgimtarët gjenin ngushëllim  në fotografinë e Skënderbeut që e kishin vendosur në ballë të kafenesë. Portreti i Skënderbeut ishte ikona e frymëzimit patriotik .Me te fillonin dhe mbaronin bisedat. Kafeneja dhe hani  ishte mbushur plot me libra  ne gjuhën shqipe. Nga patriotët u ndërmor aksion që të hapen kurset për shkrim lexim shqip, ku një numër shumë i madh filluan të shkruajnë e të lexojnë ku njeri ndër të parët ishte Josif Bageri nga Nistorova e Rekës së Epërme.

Llazari, si  ri përmallohej për Dibrën, Krakornicën , por prehje shpirtërore gjente kur takohej me bashkëvendësit. Mirëpo, në të njëjtën kohë filloi që të vë kontakte edhe me shumë intelektual e patriot të kohës . Miqësi te madhe lidhi me Nikola Ivanaj, Adham Shkabën, Dhimtar Mole, Said Najdenin, Josif Bagerin, Kristo Luarasin, por edhe me  disa intelektualë bullgarë. Sipas disa shënimeve thuhet se Llazër Siljani  ishte një udhëtar i përhershëm i trenit që  lëvizte në drejtim  Pllovdiv – Sofje-Sofje-Pllovdiv.

Në vitin 1900 patrioti shqiptar Kristo Luarasi do të sigurojë një shtypshkronjë për botime të librave në gjuhën shqipe. Sipas gazetës “Kalendari kombiar”, ai do të njoftojë shqiptarët se ne vitin 1899 është botuar në Sofje Abateraja e Stambollit, por përveç dokumentacionit  ekzemplarë  të saj nuk  janë gjetur. Në vitin 1902 do të dal botimi i dytë i “Abetares Toskrisht” të Sami Frashërit botuar nga shtypshkronja “Mbrothësija” , që e posedonte Luarasi.

Meqenëse në Bullgari kishte shumë punëtorë nga krahinat e ndryshme të Shqipërisë  dhe dialekti toskë u paraqiste ca  vështirësi, patriotët shqiptarë ndërmerren iniciativë që  Abetaraja e Sami Frashërit të botohet edhe në dialektin gegë. Për këtë punë u angazhua që ta bejë Said Najdeni nga Dibra. Patrioti Said Njadeni  ishte   një ndër ato që kërkonte dhe punonte për  hapjen e shkollave  me mësim në gjuhën shqipe. Ai shumë shpejt e kreu dhe më vitin 1900 u  botua Abatarja e adaptuar në dialektin gegë.

Ndërkaq Llazar Siljani ndërmori iniciativë si shqiptar dhe bashkëqytetar  që të angazhohet  që të  botojë veprën në dorëshkrim të Said Najdenit “Ferrefenjën myslimane” në folur të Dibrës[3]  .Vepra është shkruar me alfabetin e Stambollit  Gjithë punën për daljen në dritë të këtij botimi u angazhua Llazar Siljani që te sigurojë edhe para për botim nëpërmjet të donatorëve , ku ai vet po ashtu dha një shumë të parave[4] . Kështu në vitin 1900 “Ferrefenjën myslimane”  në folur të Dibrës e Said Najdenit  (Hoxhë Voka) u botua në Sofje.

Vë vitin 1875 për herë të parë në gjuhën turke u botua drama “BESA” e Sami Frashërit, ndërsa më vitin  1902 ajo u përkthye në gjuhën frëngjishte nga Abdyl Ypi Kolonja .Kur u lexua vepra e Samiut dhe kur dilnin në pah virtytet e larta shqiptare si komb më vete, zemra i tha Llazarit që kjo vepër gjithsesi duhet që të përkthehet edhe në gjuhën bullgare . Prandaj iu përvesh punës, konsultoi shumë fjalorë, dhe në vitin 1902 vepra e Samiut “Besa” u përkthye në bullgarisht nga Llazar Siljani, dhe u botua në  shtypshkronjën e bullgarit D. V. Mançov në Pllovdiv[5].

Meqenëse ishte e pamundur që shqiptarët të punojnë individualisht, andaj u paraqit nevoja që  të gjithë shqiptarët e Sofjes të organizohen në një shoqatë, që u emërtua më pas “Dëshira”. Për formimin e shoqatës u angazhuan: Mole, Adham Shkaba, Josif Bageri, Sipro Garo, Llazër Siljani, Ligor Prifti

Në fillim në të u anëtarësuam vetëm 30 vetë, por  dita- ditës  shtohej.   Qëllimi parësor  i shoqërisë ishte të përhapë dituri dhe mësim të gjuhë shqipe,pra ajo kishte karakter kulturor e arsimor. Programi realizohej mbi parimet demokratike dhe dallohej se  nga shoqëritë tjera, sepse në këtë shoqëri mund të anëtarësoheshin vetëm ato që e “flasin gjuhën shqipe” e jo të huaj ( neni nr. 4 i statutit)  

Anëtarët e shoqërisë “Dëshira” dita-ditës po shtoheshin, ndërsa, patriotët shqiptarë ndërmerrnin iniciativa të ndryshme.  Mbi të gjitha ishte ruajtja e gjuhës shqipe , bashkimi i shqiptarëve  hapja e shkollave shqipe dhe afirmimin e kombit shqiptar në sy të botës, prezantimi i kulturës shqiptare nëpërmjet përkthimeve etj.

Meqenëse se shqiptarët sipas ndasive  fetare i identifikonin si grekër, bullgar, turq e serb,  ajo që i bashkonte të gjithë shqiptarët ishte gjuha shqipe,  që  me një fanatizëm të paparë i ruante  shenjat dalluese të kombit.  Ata e quanin gjuhen shqipe “tapia e vendit”.

Mospranimin e shqiptarëve si komb e shqetësonte shumë Llazar Siljanin . Prandaj në vitin 1907 botoi librin :“BESA / A / FEA / E / SHQIPËTARËVET TË VJETËR” .Libri ka 78 faqe dhe prej faqes 3-7  ka një parathenie, ku aty I shpalon të gjitha mendimet si dhe rëndësinë historike të besës shqiptare si një prej virtyteve më të shenjta të popullit tonë[6], por gjithashtu edhe fenë e sheh si një ndër tiparet e rëndesishëm në shërbim të ruatjes së  kombit. Prandaj Llazari do të shkruaj kështu: “Besa, feja e kombit janë si fletët e drurit të cilat pot të ndryshojnë nga koha, bien dhe në pranverë dalin të tjera. Gjaku (shpirti) I kombit është si palca e drunit, të cilën po e nxorre, nuk mbetet as fletë, as pemë dhe druni thahet për jetë”[7]

Llazar Siljani bashkë me Josif Bagerin, që ishin dy nga Reka e Epërme dhe të dy nga pesë anatarët për ngritjen e iniciativës për ndërtimin e një kishe ortodokëse në Sofje. Më vonë kësaj inciative iu bashkangjitën72 anëtarë  të tjerë. Kështu më 25 shkurt 1910 dërguan kërkesën në organet gjegjese kishtare  për themelimin e  kishe ortodokse shqiptare në Sofje,

Themelimi I kishës kishte për qellim jo përçarje, por  të zgjonte ndërgjegjen kombëtare bashkëatdhetarëve, si dhe mbajtjen gjallë  frymën e patriotizmit dhe të urretjes ndaj pushtuesit si dhe qarqeve shoveniste të shteteve fqinje.

Por Sinodi I kishës bullgare e refuzoj sepse në kërkesën e shqiptarëve ortodoks se në kërkesën e tyre potecohej qartë se mesha e  prifti duhet të jetë shqiptar.

Llazari I kishte venë vetes që të punojë për popullin shqiptar pa humbur asnjehere shpresen se një ditë shqiptarët do të mëvetësohen.Shqiptarët janë popull I vjetër .Ky popull ka gjuhën, historinë e bujshme luftarake. Duke iu referuar  kryengritjeve ndyshme  që kishte berë populli shqiptar si dhe të kuptuarit të rritjes së madhe të popullit  shqiptar për liri sidomos nga ana oroganizative e politike dita ditës gjente shprehjen e vet në formimin dhe rritjen e ndergjegjes kombëtare. Si problem më I madh  që e bregoste llazarin ishte  indetifikimi I kombit  me  fenë, jo vetëm nga sunduesët osman, por edhe nga qarqet shoveniste greke e sllave, por edhe nga  disa autorë të huaj, që I mohonin  shqiptarët si komb.

Llazar Siljani iu kundërvua tezave të huaja dhe përpjekjeve të pushtuesve të huja për të përçarë shqiptarët sipas feve duke ngritur besimin fetar në parim kombësie. Nëpërmjet të një libri të veçantë me titull “Cilët janë shqiptarët e sotëm dhe gjuha e tyre?” [8], ku shtroi çështjen  e trajtimit të posaçëm të Shqiptarëve si kombë më vehte me gjuhë e tradita , duke e mbeshtur tezën e Hasan Tahsinit . “Ne jemi një kombë I veçantë, kemi gjuhën tone të veçantë, anadaj duhet të jetojmë më vete si dhe të tjerit”.[9]

Llazar Siljani ishte në rrjedhat e kohës. Ai si një intelektual kuqej edhe në problemet që nxitnin debate të ndryshme.  Një kohë të gjatë në qarqet bullgare po diskutohej me të madhe se cilin shkrim do të marrin për bazë atë të lindjes apo të perëndimit. Intelektualet dhe shkencëtarët i kishin ndarë mendimet dhe në të njëjtën kohë ishin formuar dy shkolla  që njëra ishte shkolla e Sofjes që përkrahte shkrimit dhe dialektit e lindjes dhe e dyta ishte shkolla e Pllovdivit.  Sipas studimeve të Olivera Jashar –Nastevës  një shkencëtare e madhe e studimeve gjuhësore në studimet e saja  shkollën  gjuhësore të Pllovdivit  e karakterizon si më të mirën në zbatimit praktik gjuhësor e drejtshkrimor që përvetësohej nga përkthyesit dhe nga gjuhët tjera sllave të Ballkanit. Meqenëse se Llazari kishte mësuar në shkollë gjuhën bullgare dhe në Dibër të folmen maqedonase, dhe duke u mbështetur  në fushën e leksikut si sistem i hapur dhe në sistemin gramatikor të gjuhës shqipe dhe të bullgarishtes ku ai kishte vërejtur shumë afërsi ndërmjet këtyre gjuhëve. Ai ndërmori një provë që të bëjë një studim në një libër me titull  “Afrimi i bullgarishtes së sotme me gjuhën shqipe”[10]. Libri ka 66 faqe dhe shoqërohet me një pasthënie nga autori.

Si të gjithë patriotët shqiptar të krahinave të ndryshme shqiptare edhe intelektualet e krahinës së Rekës së Epërme u vënë plotësisht në shërbim të çështjes kombtare qoftë me pushkë apo me penë. Edhe Reka e Epërme nëpërmjet të përfaqësuesve të vet jep kontributin e çmueshëm për çlirim e pavarësi, për kulture, për gjuhë, kishë e shkollë  në gjuhën amtare. Pa dyshim edhe Llazar Siljani I dha vulë kohës së vet, ambientit të vet dhe popullit të vet përmes punës dhe veprave të tij, të cilat i sigurojnë krahas Josif  Bagerit një vend të denjë si illuminist I shquar nga treva e Rekës së Epërme.


[1] Kristo Frashëri, Abdyl Frashëri, ( 1839-1892), f. 299

[2] Shkolla ishte hapur 1883/84 sipas Ali Vishkos, Rrethanat arsimore ne Dibër e rrethinë ne gjysmen e dytë të shekullit XIX, Dibra dhe etnokultura e saj ,II, Diber, 1995, f. 79

[3] . Avzi Mustafa, Figura mësuesish shqiptar 1., BKSH, Tetovë, 1995, f. 42

[4][4] Said Najdeni , “Ferrefenjza myslimane, , Mrothësia”, Sofje,1900 ( shih listen e dona ku ai shenohet si nje i krishter e jo me emr dhe mbiemër.Për kete libër fal Llazarit botimin e ndihmuna shume patriotë nga gjithë viset si muslijman ashtu edhe te krishter.)

[5] S. Frashëeri, Besa çesna duma. Drama vo sestdeistvija, iz albanskija zivot. Prepelot albanski. L.I. Siljanov, Plovdiv, D.V.Mançov, 1902

[6] , Bibliotekës Kombëtare, Ramazan  Vozga, LIBRI SHQIP 1555-1912, në fondet e Bibliotekës Kombëtare BIBLIOGRAFI, Tirane, 2010

[7] Llazar Siljani, Besa a fea e Shqiptarëve të vjetër “Mbrothesia”, Sofje,1907, f.5

[8] Лазар Силјанов, Кои се денешните албанци и технија език?, Софија, 1911

[9] Hasan Tahsini, Delvinë, 1874(cit. sipas Nuri Abdiut Kontribute themelore ne historinë e mendimit psikologjik shqiptar, Tiranë, 2003)

[10] Llazar Siljani Afrimi i Bullgarishtes së sotme me gjuhën shqipe,,”Mbrothësia”, Sofje, 1911

Filed Under: Histori Tagged With: Avzi Mustafa, Llazar Siljani, Rekasi atdhetar

Me fytyrë nga Lindja

October 30, 2013 by dgreca

Nga Dionis Xhafa/
Shoqëritë e Lindjes po vënë bazat e atyre shoqërive, ku marrëdhëniet konfliktuale rregullohen përmes tre konceptesh kryesore. Kështu, Bulaç tregon tre konfliktet që ka sot njeriu i parimeve të Lindjes. Njeriu ka tre konflikte bazë, të cilat janë: (1) Konflikti i njeriut me natyrën. (2) Konflikti me vetveten. (3) Konflikte morale, politike ose juridike. Laicizmi i shteteve lidnore shprehet për zgjidhje konkrete dhe për zgjidhje të plotë të proceseve historike që kalon një shoqëri. Shoqëria shqiptare, si një shoqëri e ndikuar ndjeshëm nga historia e Lindjes në disa etapa historike evolutive të saj është e aftë dhe madje disa nga këta parime ka arritur ti instalojë si norma morale dhe si rregullatore të shoqërisë. Gjithashtu lartpërmendëm si element me rëndësi të jashtëzakonshëm laicizmin e shtetit dhe në një shoqëri si ajo shqiptare, me një popullësi dërrmuese të besimit islam, por shtet laik, një përzierje “e frikshme” për ti dhënë një hov cilësor lëvizjeve të gjëra civile. Si një demosdoshmëri e gjallimit të demokracisë në zhvillim. Mendimtarë të Lindjes mendojnë se sqarimet e Perëndimit mbi demokracinë kanë humbur fuqinë e përmirësimit. Francis Fukyama, mjeshtër i shkencave të politikës dhe një autor mjaft i njohur, në kryeveprën e tij, “Fundi i Historisë..” thotë se Perëndimi po shkon drejt fundit të qytetërimit të vet dhe fundi i qytetërimit vlen vetëm për Perëndimin dhe jo pjesën tjetër të botës. Në demokracitë e vendeve Lindore, ku hyn edhe demokracia shqiptare, vërtetë nuk kemi demokraci të përsosor, por ama nuk është një demokraci e ngrirë siç ndodh në Perëndim, ku ka arritur perfesioni dhe gjithçka është stopuar. Hipoteza e autorit është se në kohëzgjatje, ky lloj modernizimi që ka Perëndimi do të vijë një kohë që do të thyhet, ashtu sikundër u thye njëherë e një kohë Perandoria Osmane, fuqia më e madhe për shekuj me rradhë dhe fundi i saj erdhi pikërisht kur ajo arriti në perfeksion dhe në kulmin e fuqisë. Shoqëria shqiptare, ndryshe nga panoramat e “fotove të ngrira” të vendeve perëndimore, ku sistemet janë të palëvizshme, sistemi demokratik është në lëvizje, është dinamik, ka progres, jetë, gjallëri. Si përfundim, mund të thuhet se hipoteza e famshme lindore është se ndërsa Perëndimi është në fillimit e fundit të përsosmërisë, Lindja është në fundin e fillimit të saj.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dionis Xhafa, me fytyre nga Lindja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5107
  • 5108
  • 5109
  • 5110
  • 5111
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT