• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DIELLI: KANDILI KOMBËTAR

October 8, 2013 by dgreca

Nga:Refat Xh. Gurrazezi/

    Janë shkruar shumë artikuj në fletore dhe të përkohëshme shqiptare mbi historin’ e DIELLIT prej njerësve të ndryshmë se si dhe qysh u-themelua ky kandil kombëtar, dhe pa dyshim njerës të tjerë do t’shkruajnë në t’arthmen mbi këtë pikë.  Me mbylljen e gazetës “Kombi” në Boston dhe të revistës “Albania” në London, qe nevojë e domosdoshme për botimin e një gazete kombëtare jashtë Shqipërisë që të lëftonte për të drejtat e popullit shqiptar. Dhe kjo nevojë u duk më tepër kur Xhon-Turqit burgosnë Dervish Himen sepse i gjetnë Flamurin e Shqipërisë me vete, dhe asnjë gazet’ e brendëshme nuk guxoj dot të fliste për mbrojtjen e tij nga frika e Xhon-Turqve.

            Ahere Faik Konitza në London dhe Fan Noli në Boston u-muarnë vesh për botimin e një gazete shqip n’Amerikë.Ata nukë njiheshin personalisht, njohja e tyre qe me anë të shkrimeve në shtyp dhe të letre-këmbimit, dhe ashtu u-lith miqësia në mes të dyve. Natyrisht patnë dhe shokë të tjerë që e biseduan çështjen e gazetës, po fakti është se ata të dy qenë shkaktarët kryesorë për botimin e DIELLIT. Me përpjekjet e tyre u-ndes ky Kandil Kombëtar më 15 shkurt 1909, dhe është mbajtur ndezur gjer sot nga Vatranët e dedikuar dhe patriotë të vërtetë që s’janë larguar kurrë nga VATRA.

            Kush e pagëzoj DIELLIN me këtë emër, nuk e di dot, kjo gjë munt të jetë shënuar në rekordin e shoqërisë “Besa-Besën” kur u vendos botimi i tij, po ku munt t’a gjejmë atë rekord? Kurse për themelimin e VATRES gjenden plot dokumenta historikë, ndonëse shumë herë janë shtrëmbëruar nga njerës të pakujdesur, besoj kjo është fjala më e urtë që munt të përdorim. Për shembëll, kur u-festua Dekata e Parë e Federatës Vatra, dolli një numër i posaçmë i DIELLIT me 16 faqe, dhe atje është botuar një artikull i gjatë prej Faik Konitzës mi historin’ e VATRES, i cili në paragrafin e fundit thotë këto: “Për emërin, formën federale, kanunorën, regulloren, dhe shpiritën e parë të VATRES, jam responsible (përgjegjës) unë. Po e drejta është që VATRA, të cilën un’ e lashë çilimi shtatë muajsh, u-rit, u-madhua, u-bë një forcë nga Fan Noli dhe Vatranët e Amerikës, më 1915-1919, dhe n’atë shvillim unë s’kam patur as një pjesë. (DIELLI: 31 Mars 1922).

8Pjesë e nxjerrë nga “Historia e Federatës VATRA” e Refat Xh. Gurrazezit

Filed Under: Editorial Tagged With: dielli, kandili kombetar, Refat Xh Gurrazezi

Qytetërimi i lashtë shqiptar

October 8, 2013 by dgreca

Nga Anton ÇEFA/

  Është spekuluar dhe spekulohet edhe sot e kësaj dite me nocionin qytetërim, hapësira e gjerë e të cilit, duke u shtrirë në sfera nga më të ndryshmet të jetës lëndore e shpirtërore të njeriut, i ka krijuar mundësitë për një gjë të tillë.Siç dihet, ka një qytetërim teknologjik, me funksione praktike utilitare, që ka arritur në kulmet më të pamenduara të realizimeve të njerëzimit dhe që ecën përpara me një shpejtësi marramendëse, dhe një qytetërim tjetër-më të lartë, më të vyer, më njerëzor. Është ky qytetërimi shpirtëror, me funksione humane-artistike, i krijuar prej shumë popujve që në kohërat më të larta. Qytetërimi teknologjik ka siguruar një nivel të lartë jetese-në mënyrë të padiskutueshme-, por ai shpesh e ka dëmtuar njerëzimin, duke u përdorur në dëm të tij.

Kjo është arsyeja që e ka shtyrë George Bernard Shaw-n të shprehet (në esenë “Dreqi flet”): “Në artet e jetës, njeriu nuk ka shpikur asgjë, ndërsa në artet e vdekjes, ai e ka tejkaluar”.

Janë të një rëndësie të dorës së parë elementet përbërës të qytetërimit shpirtëror, që krijoi populli ynë që në shekujt e hershëm të brumosjes së vet etnike, si fisnikëria e ndjenjave, urtia e mendimit, bukuria e sjelljes, vlerësimi i së bukurës, çmimi i së drejtës, maturia e burrërisë, masa e fjalës, toleranca në marrëdhënie me të tjerët dhe një virtytësi e lartë e konkretizuar tek nderi, elementi më spikatës e më themelor i siluetës shpirtërore të popullit tonë, besa, mikpritja dhe përbërës të tjerë rrallë të arritur në historinë shpirtërore të popujve dhe shumë më rrallë të tejkaluar.

            Duke vlerësuar këto cilësi të karakterit dhe virtytet e larta morale të shqiptarit, Thomas Smart Hughes, ka shkruar: “ato cilësi i bëjnë nder natyrës njerëzore” (Travels in Sicily, Greece and Albania”, London 1820, v. 2, p. 344), dhe F. S. Douglas: “Shqiptarët i kanë të gjitha cilësitë që përgjithësisht përbëjnë embrionin e një kombi të madh” (An Essay on Certain Points of Resemblance between the Ancient and Modern Greeks”, London, 1813, p. 190).

            Këtë botë të pasur shpirtërore, që përbën tharmin e shpirtit shqiptar, populli ynë e krijoi si një kanunësi të jetës, e zbatoi me një përkushtim të lartë dhe e ruajti si thesar për t’ua lënë trashëgim breznive.

            Elemente të kësaj kanunësie, ai i veshi me rrobe juridike, duke i bërë impulsin organizativ themelor të jetës. Kështu ai krijoi të drejtën zakonore, nën emrin e princit Lekë Dukagjini, aq bukur të përmbledhur nga Gjeçovi.

            Pikërisht ky kod ligjor, pasqyrë autentike e qytetërimit tonë të lashtë-që na rreshton në një vend të nderuar, krahas popujve që krijuan kodet e veta të jetës, u sulmua me qëllime denigruese në shërbim të synimeve të tyre shoviniste për të gllabëruar trojet tona, nga një zhgan “akademikësh” sllavë, të cilët shpejtuan t’i vënë etiketën e egërsisë e të barbarizmit, duke e quajtur primitiv e të përgjakshëm. Si kryeargument për këtë u suall ligjësia kanunore e gjakmarrjes, që ka qenë një përpjekje e hekurt për të vënë rregull e drejtësi në një shoqëri ku mungonte shteti dhe institucionet shtetërore të së drejtës dhe aspak një veçori e shpirtit tonë etnik.

            Kanuni shqiptar i maleve, që është kanuni i jetës shpirtërore mbarëshqiptare, i ndërtuar mbi themele të drejta e të qëndrueshme dhe, para së gjithash, mbi barazinë dhe i përshkuar katërcipërisht nga një virtytësi e lartë tejet humane është një kundërdëftesë e egërsisë shpirtërore; përkundrazi ai dëshmon një fisnikëri të pashembullt, që rrallë e gjen në kanunet dokësore të popujve të tjerë.

            Në Kodin ligjor të Stefan Dushanit, që është një kombinim i së drejtës zakonore serbe me ligjët bizantine, shkëlqen përgjakshëm, si në dritë të diellit, egërsia shpirtërore. Pikërisht, mbi bazën e këtij kodi, gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1949, iu nxorën sytë viktimave, kufomave iu prenë gjymtyrët dhe iu thyen kokat me çekiçë, u prenë me thika barqet e nënave për të nxjerrë ferishtet e palindura, u dogjën njerëz për së gjalli, u karbonizuan trupa njerëzish.

            Ndërsa princi ynë Lekë, në kanunin e tij, ku zdrit tejdukshëm fisnikëria shpirtërore, jo vetëm që nuk i ka lejuar këto krime të përçudura, por përkundrazi ka ligjësuar nderimin ndaj kufomës, ndaj familjes dhe fisit të të vrarit; ai i ka vënë detyrë vrasësit të sjellë mbarë kufomën dhe t’i mbështesë armën tek koka për ta nderuar dhe për ta paraqitur më së bukuri, si dhe detyrime të tjera të kësaj natyre.

            Studiuesi dhe përkthyesi në anglisht i Kanunit, shkencëtari i nderuar Leonard Fox, ka shkruar: “Kanuni është shprehja dhe pasqyrimi i karakterit shqiptar, i cili mishëron një moralitet të pakompromis, të bazuar tek drejtësia, nderi dhe respekti për vetveten dhe për të tjerët”.

            Shpirti artistik i popullit tone i derdhur ndër vargje, ka krijuar kryevepra letrare që zënë vende të merituara krahas krijimeve-në këto fusha- të popujve të tjerë. Mjafton të përmendim baladat e këngët legjendare, sidomos Eposin e Kreshnikëve, ku ndriçojnë si lapidar mbi ballin e kombit virtitësia e jetës shqiptare, dëshira për liri dhe vullneti për të mos iu nënshtruar të huajit. Eposi ynë renditet krahas Edave e Sagave të popujve skandinavë, Nibelungen të gjermanëve, Këngës së Rolandit të francezëve dhe Cidit spanjol.

            Me të njëjtën bukuri shkëlqimore rrezaton proza popullore, në mënyrë të veçantë përralla- një dëshmi tjetër po aq e fuqishme e vlerave morale e estetike, që gjithashtu i siguron të drejtën popullit tonë për t’u rreshtuar me popullit indian, arab e kelt, popuj që kanë krijuar përrallat më të vjetra të njerëzimit.

            E gjithë kjo pasuri shpirtërore është skalitur në gjuhën tonë, e cila na lartëson dhe na bën të krenohemi për lashtësinë, vendin e veçantë që zë në pemën indoevropiane, pasurinë, bukurinë dhe origjinalitetin e saj.

            Qytetërimi i lashtë dëshmohet kudo në kulturën tonë shpirtërore. Nuk po flas për vallet, një manifestim dhe përqendrim (koncentrat) i bukurisë fizike dhe shpirtërore së bashku, i shkathtësisë dhe i krenarisë; nuk po flas për kostumet, fryt krijimtarie jo vetëm i dorës dhe i mendjes, por edhe i një shijeje aq të hollë estetike; nuk po flas për meloditë e bukura të fyellit e zumareve, lahutës e çiftelisë, etj. ; por po më vjen mbarë të bie si shembull këtu lojërat popullore, në dukje fare të papërfillshme. Ndërsa pushtuesit dhe fqinjët tonë romakë, që realizuan një kulturë të kultivuar të një niveli aq të lartë, dëfreheshin në arena gladiatorësh, duke parë njerëzit e kafshët të copëtonin njëri-tjetrin, populli ynë krijoi një ansambël të mahnitshëm lojërash, që mund të përcaktohen me një epitet fare të thjeshtë: njerëzore; por që dëshmon me një vërtetësi të padiskutueshme shpirtin artist e dinjitoz të popullit tonë, për të cilin egërsia është e huaj, e panjohur.

Sado që kohëra të disfavorshme pushtimesh të huaja, duke përfshirë këtu edhe kohën e diktaturës komuniste, u përpoqën ta gërryejnë qytetërimin e lashtë shpirtëror të popullit tonë dhe e dëmtuan, ai nuk është shuar. Përkundrazi, në kohëra më të qeta, mbasi të futet Shqipëria në rrugën e një demokracie të shëndoshë dhe të kapërcejë maskaradat e politikës së ndytë katovice, që po luhet në vkurriz të popullit tonë, shpirti shqiptar do t’i kthehet vetvetes. Këtu qëndron shpresa, ndërsa siguria qëndron tek vitaliteti ynë etnik.(Arkiv, Editorial i Diellit, Tetor 2002)

Filed Under: Editorial Tagged With: Anton Cefa, Qyteterimi i lashte, shqiptar

BASHKIMI

October 8, 2013 by dgreca

– Përsiatje nga Pëllumb Kulla/

Fjalën “bashkim” ne e përdorim shumë. Një ditë më lindi dyshimi se unë e përdor atë pa ia ditur kuptimin.  Befas u kujtova se  këtë fjalë e kisha përdorur gjithë jetën. Dhe po gjithë jetën, nuk ia kisha ditur kuptimin e plotë. Në disa raste e kisha përdorur në shkrimet që botoja dhe në shumicën e herëve në kuvende, ku isha duartrokitur si njeri i gjerë, burrë i urtë e patriot i klasit të parë! Ditën që fillova të dyshoj se, megjithqë ishte fjalë shqipe, unë si shqiptar i thekur, i njohur me letrat e me gjuhën, prapëseprapë nuk ia dija kuptimin, vendosa të përpiqem që t’ia shkoqis domethënien e gjerë “bashkimit” dhe mendova se çfarë duhet bërë që të vihet në jetë ai.

     Pas një periudhe të gjatë përpjekjesh e një vargu meditimesh, vura re se “bashkimi” nuk ishte fare gjë e lehtë. Është, dakord, një fjalë e bukur, festive, e ngrohtë, plot emocion, por gati e parealizueshme.

     Bashkim – do të thotë të jetosh afër, të vëllazërohesh me një njeri a një grup njerëzish,  me të cilët deri tani nuk ke qënë bashkë, nuk i ke dashur fare dhe, në të shumtat e rasteve, i ke urryer. Nuk është e lehtë.

     Bashkim – na i thënkëshin pranimit të gabimeve, fajeve, mëkateve që ke bërë ndaj një tjetri. Nuk qënka kollaj.

     Bashkim – do të thotë të falësh. Të falësh në thellësi të shpirtit dëmin që të kanë shkaktuar, gjakun që të kanë derdhur, shnderimet, vjedhjen që të kanë bërë. Të falësh mëkatarët që, të penduar thellësisht, të dalin përpara me kokë ulur e me lotë në sy. Nuk është fare e lehtë  të falësh dhe zor të gjesh mëkatarë e sidomos të penduar! E sidomos në Shqipëri!

     Bashkim, – do të thotë të shikosh prapa dhe përpara, të ndahesh nga ca grupime e të bësh një afrim tjetër të arsyeshëm, të urtë dhe më afër llojit tënd.

     Bashkimi – është rasti, kur pas faljes së sinqertë je i zoti edhe të kapërdish.

     Bashkim, – është një mënyrë të jetuari në harmoni me një njeri a me një grup njerëzish, që shndërrohet në një nevojë të jetuari, kundër një grupi tjetër, kundër shtetesh të tjera e kundër aleancash armiqësore, që nuk të duan as ty dhe as ata, me të cilët u bashkove dhe sidomos nuk duan t’ju shohin bashkë. E vështirë kjo gjë sidomos aty ku duhet më shumë, në viset shqiptare.

     Bashkim, – do të thotë që, pas kësaj, të punosh ca më shumë se ai tjetri, njeriu me të cilin u  bashkove. Do të thotë të luftosh ca më shumë se ai, të shpenzosh më shumë se ai dhe, në rast nevoje, të japësh jetën para se ta japë ai. A jemi ne të tillë?

     Një njeri fal hasmin për gjakun e vëllait, babait a djalit të vetëm, paraqitet në kuvend, i shtrëngon dorën atij që i ka përvëluar shpirtin, përqafet me të dhe, në prani të njëqind burrave të përlotur që duartrokasin, zotohet që të ndërpresë urrejtjet dhe pusitë. Keni takuar njerëz të tillë? Shumë pak. Ju janë dukur të bukur? Të mahnitshëm, pasi kanë ngritur peshë një mal të tërë dhe ne s’kemi qënë veç soditës të mrekullisë.

     Pra “bashkimi”, vëllezër, është një punë e vështirë. Gazetat e shkruajnë, se nuk dijnë ç’të thonë tjetër, politikanët e thonë për t’u dukur, shkrimtarët e shkruajnë për abetaret e librat e këndimit dhe palët kundërshtare në gjirin e një kombi e tellallosin për t’ua lënë kundërshtarëve doçin në derë, me demek “ne kemi bërë thirrje më shumë se ju”.

     Dhe jo njëherë janë parë shqiptarë, që bashkim i thonë gabimisht ujdive për të përfituar, njerëz që urrejnë bashkatdhetarët më shumë se të huajt, njerëz që pasi janë prishur  nisin ta urrejnë shokun e bashkëpuntorin më shumë se atë, që dikur e luftonin së bashku. Ka shqiptarë që në furrën e urrejtjes gatuajnë më shumë mëri të helmët për shqiptarë të tjerë se sa për pushtuesin, qoftë ky italian, grek, gjerman apo serb. Mjaft që të pranohet kjo e nuk është zor të rreshtohen këtu emra ballistësh, komunistësh, legalistësh, socialistësh, demokratësh, disidentësh, reformatorësh, kolaboracionistësh. Nuk është zor të gjesh emra brenda kufijve të Shqipërisë dhe viseve të saj përtej.

      I zorshëm mbetet vetëm ai, BASHKIMI, që ne e përmendim, e shkruajmë dhe e lexojmë çdo ditë. Më kot…      

    Ju lutem e ju përgjërohem, miqtë e mi, mos e përdorni, mos e lodhni, a ndofta mos e ndotni më këtë element vendimtar për jetën e një kombi. Të punojmë që të piqet, ta shohim të mundur, ta shohim të afërt, që të vërsulemi për realizimin e tij.(Dielli-Arkiv-Tetor 2004)

 

                                                             o    o    o

 

Filed Under: Editorial Tagged With: bashkimi, pellumb Kulla, persiatje

Edhe një “takim konstruktiv”

October 8, 2013 by dgreca

Ka përfunduar në Bruksel takimi i radhës ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, i cili nga të dyja palët është cilësuar si konstruktiv dhe i suksesshëm.

Nga Valona Tela/
Duke folur para gazetarëve në Bruksel, Thaçi është zotuar se institucionet e Kosovës do të respektojnë marrëveshjen për lëvizje të lirë me Serbinë, pa qasje diskriminuese ndaj askujt.
Vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë, gjatë kohës kur në vend zhvillohet fushata për zgjedhjet e 3 nëntorit, kanë qenë temë e deklaratave kontradiktore të zyrtarëve kosovarë, ditëve të fundit.
Disa ministra të Qeverisë Thaçi kanë thënë se asnjë zyrtari serb nuk do t’i lejohet hyrja në Kosovë përgjatë 30 ditëve fushatë; të tjerë kanë thënë se ndalesa vlen vetëm për kryetarin e Qeverise serbe, Daçiq.
Këto paqartësi, të cilat në Beograd janë komentuar në forma të ndryshme, kanë bërë që  Daçiq të kërcënojë me heqjen dorë nga dialogu me Prishtinën.
Por, e gjithë situata është shtensionuar të hënën mbrëma në Bruksel me deklaratën e kryeministrit Thaçi, i cili ka thënë se “në rast të ndonjë kërkese për të vizituar Kosovën, institucionet do të marrin vendimin meritor në përputhshmëri me kushtet, rrethanat që mund të krijohen”.
“Lufta e ftohtë ka mbaruar; ne jemi për bashkëpunim, për fqinjësi, komunikim, lëvizje të lirë dhe pa qasje diskriminuese”, ka thënë Thaçi.
Ai po ashtu ka theksuar se zgjedhjet lokale të 3 nëntorit janë test i rëndësishëm evropian për Kosovën. Thaçi ka thënë se pret që të gjithë të marrin pjesë në këtë proces, përfshirë edhe serbët e pjesës veriore, ku për herë të parë do të mbahen votimet që organizon Republika e Kosovës.
I kënaqur me takimin e së hënës është shprehur edhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili nuk ka hezituar të thotë se kjo “ka qenë një nga ditët më të suksesshme të dialogut”.
“Kemi diskutuar për çështje që për kohë të gjatë kanë qenë aktuale dhe kanë paraqitur pengesë në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, përkatësisht në organizimin e zgjedhjeve lokale në Kosovë. Shpresoj që ajo për të cilën jemi pajtuar, të realizohet deri në fund të javës dhe me këtë të krijohen kushte për zgjedhje të ndershme lokale”, ka thënë Daçiq, për të shpjeguar se çështja kryesore në këtë rrafsh është ajo e regjistrimit të votuesve.
“Regjistrimi i atyre votues që kanë dallime në listat tona dhe të Prishtinës. Bëhet fjalë për më shumë se 10-12 mijë njerëz, të cilëve do t’iu njihet e drejta të regjistrohen në listat zgjedhore në katër komunat në veri. Kur bëhet fjalë për zgjedhësit jashtë Kosovës, jemi marrë vesh që përmes mekanizmave specifikë të krijojmë kushtet që sa më shumë njerëz të kenë të drejtë vote”, ka thënë Daçiq.

Takimi Thaçi-Daçiq është zhvilluar si rëndom me ndërmjetësimin e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton. Zëdhënësja e ndërmjetësueses, Maja Kocijançiq, ka thënë se takimi ka qenë i dobishëm dhe i rëndësishëm.

Filed Under: Featured Tagged With: Edhe një “takim konstruktiv”alona Tela, Takimi, Thaci-dacic

Dashuritë e pavenitura alla-turke

October 8, 2013 by dgreca

Kryeministri dhe burrështetasi më i njohur anglez i shekullit 20, udhëheqës i Britanisë së Madhe në kohë lufte dhe paqe,autor i veprave të njohura politike dhe historike i cili në vitin 1953,do të dekorohej edhe çmimin Nobel për letërsi, Winston Churchill, gjatë jetës do të kalonte sprova nga më të ndryshmet. Ai megjithë autoritetin e lartë që gëzonte në kohën e tij,do të përjetonte edhe dështime,duke humbur  zgjedhjet, fill pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore,përkundër arritjeve në udhëheqje të vendit dhe shkëlqimit në luftën kundër trupave gjermane.

Aftësitë e tij, si njërin ndër politikanët më të sprovuar dhe më të zot ndërkombëtar,e mbuluan Churchill-in  me lavdi dhe bënë personalitet të pazëvendësueshëm për ngjarjet më të mëdha,si në luftë ashtu edhe në tryezat ndërkombëtare të bisedimeve nga fuqitë vendimmarrëse, për zhvillimet në fronte dhe të ardhmen e Botës,në paqe,pas Luftës së Dytë Botërore.

Megjithatë, njeriut të cilit kurrë nuk i mungoi shkëlqimi,fama dhe sukseset për çuarjen e Atdheut të tij- Britanisë së madhe përpara, në luftë dhe në paqe, ai i shtrirë në shtratin e vdekjes,kur të afërmit që i rrinin mbi kokë, qanin për shuarjen që po i afrohej, Churchill i mundur nga lodhja,u tha: “mjaftë ishte, se më ka ardhur në majë të hundës me të gjitha”.

 Për fat të keq,të shumtën e rasteve vetëm kombet e mëdha sikur nxjerrin njerëz të mëdhenj,kurse kombet e vogla shumë sish,vuajnë gjatë për personalitete të tilla,në mesin e të cilëve dallohen shqiptarët,si populli më i varfër dhe me deficitin më të madh në rajon e më gjerë për mungesë udhëheqësish të zot e me renome ndërkombëtare,dhe me dinjitet të pa lëkundshëm kombëtar, jo vetëm tani.

Ndoshta si pasojë e këtij fenomeni, ata thuaja se çdo herë mbetën të prirur që të dashurohen, symbyllas, shpejt dhe në gjithkënd,të cilët pa studiuar shumë pranojnë dashurin e cilitdo, qoftë ajo edhe- jo plotësisht e kthjellët, e dyshimtë dhe jo sa duhet e sinqertë.

Kështu ndodhë sot,edhe në raport me Turqinë,e cila përkundër “dashurisë” së pafund që tregon “për ne”, ajo rreshtohet ndër dëmtuesit më të mëdhenj të shqiptarëve, në të gjitha kohët.

Për aq më keq,Turqia,ishte dhe mbeti bashkëpunëtorja dhe aleatja kryesore e armiqve më të mëdhenj për zhdukjen dhe asgjësimin e përgjithshëm të kombit shqiptar, nga trojet e tyre etnike në Ballkan dhe Evropë,bashkë me Greqinë dhe Serbinë.

Siç mësojmë nga historia e kombit, pas pazareve të fshehta turke dhe shitjes lirë të shumë tokave shqiptare,Serbia hegjemoniste,që nga vitet 1877,do të zbrazëte krahina të tëra,si Nishi dhe krahina e Toplicës, sipas planit të ministrit të jashtëm serb Ilia Garashanin, të njohur me emrin, “naqertania” e projektuar që më 1844, për shpërnguljen masive të shqiptarëve.(A.Ajvazi, “Muhaxhirët e Llapit”)

 

Ajo,atëbotë përmes gjenocidit të ushtruar,spastroi mëse 700 fshatra dhe dëboi mbi 30.0000 banorë autokton shqiptar, pra një territor përafërsisht me madhësi sa Kosovës së sotme.

(Bota Sot/ 16.01 2013″ Serbia theri 70.000 shqiptar dhe dogji 600 fshatra shqiptare”)

Zanati i tregtimit të trojeve tona nga Perandoria Turke, nuk pushoi asnjë herë, deri në shkatërrimin e plotë të saj,ajo për faljen e Plavës dhe Gucisë,nga Stambolli do ta dërgonte vet mareshalin turk,Magjar Pasha, i cili më 7 shtator të vitit  1878,për këtë shkak edhe do të vritej nga kryengritësit e Lidhjes, nën udhëheqjen e Sylejman Vokshit, Ali Ibrës, Mic Sokolit etj, në kullat e Abdullah Drenit në Gjakovë.

Kjo Perandori bëri dorëzimin e Tivarit,Ulqinit, Hotit Grudës,Malit të Zi, e deri në dorëzimin e Kosovën së sotme,Serbisë. Ndaj këto dhe shumë “gjynahe” tjera, e bëjnë Turqinë tejet të dyshimtë,në “dashuritë” e saj platonike ndaj shqiptarëve.

Jo vetëm Perandoria Turke do të falte tokat shqiptare,sipas vendimeve ndërkombëtare që nga paqja e “Shën-Stefanit” (e 3,marsit të vitit 1878 ),dhe “Kongresi i Berlinit”,(13 qershor-13 korrik 1878 etj),por edhe vet Turqia “moderne”do të tregonte kujdes të veçantë për shpërnguljen e organizuar të shqiptarëve,me marrëveshje dypalëshe,si me Greqinë ashtu edhe me Serbinë,për deportime të pareshtura, të bashkëkombësve tanë nga trojet e tyre evropiane, në shkretëtirat e Anadollit dhe të Azisë.

 

Për këtë qëllim, që në vitin 1923, në Lozanë të Zvicrës,ajo do të nënshkruante një marrëveshje me Greqinë për shpërnguljen masive të  shqiptarëve nga Çamëria dhe më gjerë,kurse në vitin1938,po kjo Turqi do të nënshkruante një marrëveshje të ngjashme  me Serbinë,për dëbimin e shqiptarëve edhe nga trojet e tyre etnike,nën pushtimin sllav. 

Pra,”mikja e jonë  e madhe”- Turqia,përkundër “dashurisë” së pakufi që kurdoherë shprehu ndaj nesh,për mbi një shekull, ajo ishte dhe mbeti jo vetëm aleatja kryesore e Greqisë dhe Serbisë për zhbërjen e kombit tonë, por edhe importuesja më e madhe e të gjitha kohëve dhe më e pamëshirshme e miliona shqiptarëve, nga trojet e tyre etnike.

Greqia as Serbia,përkundër përpjekjeve të tyre të pareshtura,pa ndihmën turke,kurrë nuk do të kishin forcë as mundësi për deportime të tilla masive dhe zbrazje me kaq shumë sukses, të trojeve tona etnike nga shqiptarët,sikur Turqia të mos shndërrohej në Deponi deportimi dhe Lokomotivë tërheqëse e pothuaj të gjithë vagonëve grek dhe serb,për bartjen e qindra mijëra dhe miliona shqiptarëve nga Evropa në Azi.

Ndaj,që nga fillimi,qeveritë turke, mblodhën rreth 5-6 milion bashkëkombës tanë, të cilët për nga numri, bëjnë më shumë se sa vet banorët e Shqipërisë dhe Kosovës- bashkë, për ti shpërndarë dhe përhumbur ata si skllavët gjithandej Turqisë. 

Për fat të keq, përveç deportimit me dhunë, atyre asnjëherë për shekuj me radhë,nuk u është njohur asnjë e drejtë elementare, gjuhësore apo kombëtare, duke i asimiluar dhunshëm pothuajse gati të gjithë, pa lejuar kurrë, as në ditët e sotme të zhvillimit dhe trajtimit bashkëkohor,kur Evropa dhe SHBA,tregojnë respekt dhe lejojnë  gjuhët e kombeve tjera,edhe kur ato janë pakicë, asnjë qeveri turke,kurrë nuk lejoi,qoftë edhe një shkollë të vetme në gjuhën shqipe, për gjithë këta miliona shqiptar që pa fajin e tyre,u detyruan të jetonin në Turqi.

Në anën tjetër,po ky shtet aziatik,tregoi aq shumë etje dhe pangopshmëri për importimin e shqiptarëve, sa që përveç marrëveshjes së Lozanës me grekët në vitin 1923,Turqia do të nënshkruante një traktat të ngjashëm edhe me mbretërinë Jugosllave,në vitin 1938,gjithnjë për deportimin me dhunë të shqiptarëve edhe nga trojet tona etnike nën pushtimin sllav.

Marrëveshja Turko-Jugosllave, e vitit 1938,do të shoqërohej edhe me një planë të detajuar pesëvjeçar,i cili parashihte që vetëm nga,viti 1939 deri në vitin 1944,nga Kosova dhe viset tjera, të transferoheshin mbi 25.000 familje shqiptare në Turqi.

Ndaj,bashkëkombës të dashur,paramendojeni tani, sikur të mos kishte shpërthyer Lufta e Dytë Botërore, më 1939, çka do të përjetonin shqiptarët nga “dashuritë” e tilla turke,të cilët ndoshta njëjtë sikurse në Greqi,sot do të numëroheshin në gishta apo nuk do të ekzistonin më fare në trojet e tyre etnike nën Jugosllavi.

I njëjti shtet,gjithnjë nga “dashuria” e madhe që ndjente për shqiptarët ,edhe pas Luftës së Dytë Botërore, pra më 28 shkurt të vitit 1953,në Ankara do të ripërtërinte edhe një herë konventën Turko-Jugosllave të vitit 1938, për dëbimin e shqiptarëve në masë, nga trojet e tyre nën pushtimin sllav,e cila do të miratohej me të ashtuquajturën marrëveshje “Xhentëlmene” ndërmjet Titos dhe ministrit të jashtëm turk të asaj kohe, Fuad Kyperli, në qershorin e vitit 1953, në Split.

 

Pra Turqit edhe pas LDB, vazhduan me “dashuri” të njëjtë, deportimin e organizuar,jo vetëm të shqiptarëve Çam të dëbuar nga Greqia,por edhe të atyre nën pushtimin jugosllav, për të cilët si vendtubim, sipas marrëveshjes,Tito-Kyperli, do të  caktohej Shkupi,prej nga organizohej nisja e tyre e detyruar për në Turqi. 

Për këtë qëllim,shteti jugosllav që në vitet e 50-ta do ti shpallte shqiptarët pakicë në trojet e veta etnike,të pa dëshiruar dhe si rrezik për sigurinë e shtetit, të cilët do ti vente në kushte të rënda represioni përmes UDB-së së udhëhequr nga antishqiptari më i madh i kohës, Aleksandër Rankoviq.

Madje, përmes një aksioni shtetëror, të ashtuquajtur “Grumbullimi i tepricave” për “nevojat e shtetit”, atyre jo vetëm se do tu merrej edhe buka në shtëpi,por në dimrin e ashpër të viteve 1955-56,do të kryhej edhe aksioni i mbledhjes së armëve,kur qindra bashkatdhetar do të gjenin vdekjen,kurse mijëra të tjerë do të sakatoheshin për gjithmonë.

Me qëllim të shpërnguljes së shqiptarëve me çdo mënyrë,Serbia që në vitin 1951, kishte shpikur metodën e deklarimit të tyre si turq,( Hajredin Hoxha, Afirmimi I kombësisë shqiptare në Jugosllavi,Prishtinë 1983), si masë më e butë për deportim,kurse për shqiptarët që do të pranonin largimin nga trojet e veta,ajo kishte urdhëruar nëpunësit e saj kudo,që tu krijonin lehtësi për shpërnguljen sa më shpejtë të tyre, për në Turqi.

 Megjithatë, përkundër vuajtjeve,keqtrajtimit dhe represionit shtetëror nga sistemi i ashpër policor i UDB-së së Rankoviqit,Serbia nuk kishte arrit, ti konvertonte më shumë se 60 mijë shqiptar si turq,ndaj e pakënaqur për mossuksesin,ajo përdori dhunën dhe terrorin për dëbime masive, sipas planeve të njohura të Çubrilloviqit, për shfarosjen e shqiptarëve,i cili do të nominohej edhe për shpërblim me çmimin e “AVNOJ-it”,nga Serbia,gjë që sipas historianëve shqiptar,atëbotë,kishte pasur guximin vetëm Fehmi Agani ta kundërshtonte.

Historiani i njohur Hakif Bajrami,në librin e tij historik (“Politika e shfarosjes së shqiptarëve dhe kolonizimi serb i Kosovës 1844-1995” Prishtinë 1995),thotë se qeveria jugosllave për dëbimin e shqiptarëve në Turqi, kishte formuar edhe një komision të veçantë shtetërorë, të përbërë nga Aleksandër Rankoviqi, Krste Cërvenkovski, Svetisllav Stefanoviq, Vojkan Llukiq, Marko Vuqkoviq etj,falë ndihmës së të cilëve, Serbia në marrëveshje me Turqinë,arriti që ti dëbonte mbi 18 % të shqiptarëve nga trojet e veta.

Ndaj,shpërnguljet e detyruara atëbotë,do të merrnin përmasa të tilla saqë,sipas statistikave të kohës, vetëm ndërmjet viteve 1951-1968 nga trojet tona etnike nën pushtimin sllav,do të dëboheshin ,jo më pak se 414.500 deri në 452.370, shqiptarë,për në Turqi.

Vendet e zbrazura të tyre, vetëm në Kosovën e sotme do të zaptoheshin nga 63000,kolon sllav,të sjellë nën kujdesin e UDB-s, dhe Aleksandër Rankoviqit, i cili për fatin e mirë të shqiptarëve,në plenumin e Brioneve më 1966,nën akuzat për tradhti ndaj Titos dhe udhëheqjes jugosllave, do të shkarkohej nga të gjitha postet,si spiun dhe bashkëpunëtor i shërbimeve shtetërore ruse.

 

Shënime të ngjashme për dëbimin me dhunë të shqiptarëve, epen edhe nga historianë tjerë të njohur, si; Jusuf Osmani në veprën “Vendbanimet e Kosovës”,Prishtinë 2004.  F.Rexhepi, “Historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve”,Prizren 2001.  Hajredin Hoxha, Afirmimi i kombësisë shqiptare në Jugosllavi”, Prishtinë 1983),e të tjerë.

Por, “dashuria” turke ende nuk ka përfunduar, ajo edhe tani vazhdon të jetë gati po-aq, e “madhe” sa dikur, për ne. Madje siç na bën me dije,kryeministri turk- Erdogan,këtë e ditka edhe Beogradi,me të cilin ai thotë se kanë edhe marrëveshje të vjetra.

Për shqiptarët edhe pa e thënë ai, është e ditur se Turqia dhe Serbia, edhe sot mbajnë të pa shfuqizuara ende, Konventat e dikurshme,për shpërnguljen në masë të shqiptarëve dhe përhumbjen e tyre në shkretëtirat e Anadollit,siç ka ndodhë në mbi njëqind vitet e fundit.

Edhe faktet e një historie më e vjetër,dëshmojnë “dashurinë” e flakët turke,kur të gjithë popujt tjerë ballkanik nën pushtimin osman,kishin shkollat,gjuhën dhe kulturën e tyre kombëtare,por shqiptarët jo. Të vetmit ata edhe atëherë i kishin të ndaluara të gjitha këto, sigurisht nga “dashuria” e madhe që ndjenin turqit për popullin “arnaut”. 

Madje, megjithëse shqiptari i madh- Sami Frashëri, u pati krijuar turqve alfabetin dhe i mësoi ta shkruanin gjuhën me shkronjat e tyre,ata deri në vitin 1908,nuk i lejuan bashkëkombësit e tij, të formonin alfabetin shqip, as të kishin mësim në gjuhën amtare.

Edhe pse shqiptarët ishin të fundit dhe vetëm nga mbarimi i vitit-1908,për herë të parë, guxuan ti hapnin shkollat e para në gjuhën e vet dhe me alfabet kombëtar,kjo ndodhi për kohë të shkurtër,ngase pas forcimit të pushtetit, nga të ashtuquajturit “turqit e rinj”, ato të gjitha do të mbylleshin me forcën e armëve,kudo në trojet tona etnike.

Për fat të keq, ajo që sot brengos më shumë se çdo gjë tjetër, kombin tonë në përgjithësi,nuk është më vetëm e kaluara e hidhur me pushtuesit osman dikur,por edhe qëndrimet e tanishme tendencioze të qeverive turke sot.

Sepse, turqit nuk u treguan alergjik ndaj popullit shqiptar, gjuhës dhe kulturës së tyre kombëtare vetëm gjatë kohës sa  perandoria e tyre,mbante vendet tona nën pushtim, por edhe sot e kësaj dite,të gjitha qeveritë turke,përfshi edhe qeverinë aktuale,mbajnë të njëjtin qëndrim, duke mohuar me këmbëngulje përkatësinë kombëtare dhe të drejtën për gjuhë e kulturë të miliona shqiptarëve brenda shtetit turk.

Kështu që përveç  marrëveshjeve të pa shfuqizuara me Greqinë dhe Serbinë për shpërnguljen e shqiptarëve, edhe përdorimi i gjuhës e kulturës së tyre kombëtare atje,vazhdon të mbahet në fuqi nga Turqia. Madje,sot e atëherë,për qindra vjet rresht,kurrë nuk u lejua hapja e asnjë shkollë të vetme në gjuhën shqipe, për rreth 5-6 milion shqiptar sa jetojnë pa asnjë të drejtë gjuhësore as kombëtare, në Turqi.

A donë të thotë kjo se masa e “Dashurisë”së pa venitur “vëllazërore” turke, varion në varshmëri me shkallën e asimilimit dhe përqafimit të idesë së turqizimit nga ana e shqiptarëve, apo nënkupton shkakun e ruajtjes me shumë kujdes,për qindra vjet me radhë,të së njëjtës “dashuri”platonike nga cilido pushtet turk, për ne. TURP!

Kur do të mësohet populli ynë që më në fund qeverive antishqiptare, tu thotë “mjaftë ishte”! Mos na “dashuroni” më kështu, se na keni ardhur në majë të hundës me të gjitha,dhe pikë.

 Gani Qarri      Cyrih, Tetor 2013

 

Filed Under: Komente Tagged With: dahsuri allaturke, Gani Qarri, Winston Churchill

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5147
  • 5148
  • 5149
  • 5150
  • 5151
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT