• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ç’punë ka Athina me një kishë pa leje në Përmet?

August 17, 2013 by dgreca

Shkruan: Mentor Kikia/

Në një akt të paprecedent, Ministria e Jashtme e Greqisë shpërndau një notë proteste pasditen e së premtes, pak orë pasi policia shqiptare kishte mbështetur zyrën e Përmbarimit në Përmet, për të zbatuar një vendim të formës së prerë të gjyqësorit shqiptar, për të larguar një kishë pa leje nga mjediset e një ndërtese, për të cilën gjykata kishte vendosur se i takon bashkisë së qytetit, pasi kishte qenë Pallat Kulture. Ishte një konflikt i vjetër mes kishës dhe bashkisë, një konflikt që përfundoi në gjykatë dhe gjykata i dha të drejtë njërës palë. Ani se disa mendojnë se e drejta ishte në anën tjetër. Kjo është një çështje që ha debat, sa publik aq edhe ligjor. Por qeveria greke, ku hyn në këtë valle, ose më saktë, ç’ndreqin do që hyn?
Fabula është shumë e thjeshtë. Kisha ortodokse dhe bashkia e qytetit ishin në konflikt për ndërtesën e Pallatit të Kulturës. Kisha pretendonte se ndërtesa kishte qenë kishë para se të bëhej Pallat Kulture nga komunistët. Por, edhe pse kishte humbur gjyqin ajo ndërtonte natën, duke korruptuar organet e bashkisë që duhej të zbatonin ligjin, dhe brenda Pallatit të Kulturës u ngrit një kishë. Pra një kishë pa leje. Konflikti zgjati vite, derisa zyra e Përmbarimit – “më në fund” thanë shumë njerëz – zbatoi vendimin e gjykatës. Dhe pikërisht në ditën e zbatimit të vendimit të gjykatës, qeveria greke reagon përmes një note proteste për “mbylljen e ambienteve dhe heqjen me dhunë të simboleve fetare, ikonave dhe sendeve të shenjta nga ky ambient”. Ne nuk dimë ndonjë rast kur një ndërtim pa leje të prishet duke hequr tullat një nga një dhe të paketohen. “Ato nuk kanë asnjë bazë ligjore. Respektimi i të drejtës së besimit, liria e besimit, ndërtimi i vendeve të faljes, janë në themel të një shteti dhe qëndrojnë si bazë e integrimit të tij europian. Ne shpresojnë se këto veprime janë kryer pa dijeninë e qeverisë shqiptare”. Ministria e Jashtme greke deklaroi se po ndjek nga afër situatën dhe ka porositur ambasadën në Tiranë të jetë e vëmendshme.
Ta zëmë se të gjitha veprimet e drejtësisë shqiptare janë të pabaza. Por, kush është ai politikan apo anëtar qeverie në Athinë që i atribuuaka të drejta vetes të mbajë qëndrime e të bëjë vlerësime mbi vendimet e Gjykatës së Lartë shqiptare? E në qofshin këto veprime të institucioneve shqiptare të padrejta, përse u merakoska qeveria greke kur në Përmet u prish një kishë pa leje? Përse u merakoska qeveria greke se u penguan disa besimtarë shqiptarë të futen në kishë për t’u lutur, pikërisht kur ajo po çmontohej? Apo, se u dhunuan disa besimtarë shqiptarë të fesë ortodokse, që tentuan të pengojnë zbatimin e një vendimi gjykate? Përse u merakoska qeveria greke se një prift shqiptar ortodoks u pengua të futet në kishën që po prishej dhe që shtynte me duar policët e shtetit? Deklarata e Ministrisë së Jashtme greke ishte këmbë e kokë sikur gjykata shqiptare të kishte marrë një vendim kundër kishës greke dhe sikur policia shqiptare të prekte interesat e shtetasve grekë. Por, a e di qeveria greke se Përmeti është territor shqiptar dhe aty jetojnë njerëz me shtetësi dhe kombësi shqiptare dhe që janë nën juridiksionin e shtetit shqiptar? A e di qeveria greke se ortodoksët shqiptarë nuk janë grekë? A mos vallë duhet të reagojë me notë proteste Athina edhe për prishjen e ndërtimeve pa leje në Himarë, Palasë, Ksamil, apo kudo tjetër që “Agimi i Artë” mendon se janë zona greke? Padyshim që Athina e di se prishja e një kishe pa leje nuk e cenon fare besimin fetar në Shqipëri. Ndërkohë që nuk e di, dhe as nuk duhet ta dijë fare, nëse shumicës së njerëzve në atë qytet u shërben më shumë një kishë apo një qendër kulture.
Reagimi i Athinës dhe premtimi i saj se do të ndjekë situatën nga afër, është një ndërhyrje flagrante në punët e brendshme që, në rast se do të implikonte ndonjë shtet tjetër dhe jo Shqipërinë me politikën e saj vasale, do të merrte tjetër vëmendje. Athina na shfaqet si një mbrojtëse e ortodoksisë edhe në Shqipëri. Sikur të mos mjaftojë që kishën ortodokse shqiptare e ka pronësuar një prift grek, tashmë është politika e Athinës që heq maskën fare dhe tregon se është ajo inspiruesja e politikës se kishës greke në Shqipëri. Politika zyrtare greke tregon qartë se është ajo që ka frymëzuar tërë palaçot me veladon të zi që rrëmojnë nëpër varre e mbledhin kocka të vdekurish në fshatrat e Juglindjes, për t’i shitur në pazarin e nacionalizmës së sëmurë të Athinës si heronj të helenizmit. Politika e Athinës tregon qartë se ka qenë ajo që ka frymëzuar edhe konfliktin e acaruar e të gjatë mes bashkisë së Përmetit dhe kishës, që ndërtonte natën, brenda mureve të një ndërtese që i shërben qytetit si mjedis kulture dhe argëtimi.
Politika shqiptare ka heshtur deri tani, sepse përulësinë ndaj Athinës e maskon me faktin se feja është e ndarë nga shteti. Por kur nga Athina vijnë reagime të tillë, atëherë si politika zyrtare ashtu edhe ajo jo zyrtare, duhet të ngrenë zërin për të hedhur poshtë me neveri çdo ndërhyrje të tillë. Pasi këtu nuk flitet më për diplomaci, por për përdorim të fesë në shërbim të ca politikave të errëta nacionaliste, të lëna me kohë në sepeten e Mesjetës nga qytetërimi perëndimor, por të mbajtura gjallë në trurin e disa politikanëve në Athinë. Tru që për fat të keq nuk janë vetëm brenda kokave të rruara, vendosur mbi supe psikopatësh me kryqe naziste, por edhe tek ata baballarë të kombit që po përpiqen ta shpëtojnë Greqinë nga gremina ku ka rënë.
Pasi ndau së gjalli nënat shqiptare nga foshnjat vetëm se kërkoi të imponojë deri edhe gjuhën në pasaportat zyrtare shqiptare, tashmë emisarët diplomatikë të Athinës kanë veshur të gjithë veladonin e zi dhe po vajtojnë ortodoksinë shqiptare. Sot në Përmet do të shkojë konsulli grek i Gjirokastrës për të mbledhur tullat e kishës pa leje, për t’i çuar në Athinë, si të ishin gurët e çmuar të Kishës së Varrit të Shenjtë ku është varrosur Jezusi në Jerusalem.

LAJMI

Përplasja me komunitetin ortodoks, Athina zyrtare: Veprime të dënueshme

Përplasja mes zyrës së Përmbarimit dhe komunitetit ortodoks në Përmet ka pasuar me reagimin e Ministrisë së Jashtme greke. Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësi i kësaj ministrie, Kostandinos Kutras shprehu shqetësimin e Athinës zyrtare, për aktet e dhunës ndaj priftërinjve dhe besimtarëve në Përmet. “Jemi të shqetësuar mbas marrjes së informacioneve se priftërinj dhe besimtarë ortodoksë u dhunuan në Përmet. Kjo ngjarje ka ndodhur pikërisht një ditë mbas festimeve për ditën e Shën Marisë”, – shkruhej në deklaratën e Athinës zyrtare. “Largimi i dhunshëm i besimtarëve dhe klerikëve, mbyllja e ambienteve dhe heqja me dhunë e simboleve fetare, ikonave dhe sendeve të shenjta nga ky ambient janë veprime të papranueshme dhe të dënuesh-me. Ato nuk kanë asnjë bazë ligjore. Respektimi i së drejtës së besimit, liria e besimit, ndërtimi i vendeve të faljes, janë në themel të një shteti dhe qëndrojnë si bazë të integrimit të tij europian”, – shkruhej më tej. “Ne shpre-sojmë se këto veprime janë kryer pa dijeninë e qeverisë shqiptare”, – përfundoi Ministria e Jashtme greke, e cila theksoi se po ndjek nga afër situatën.(Kortezi:Gazeta Shqiptare)

Filed Under: Analiza Tagged With: c'ka Greqia, me nej Kishe pa leje, mentor Kikia, ne Permet

Ja bre, kjo është Amerika!

August 17, 2013 by dgreca

Nga Pellumb Kulla/

-Tëmën bre, prefesor, – nis ligjëratën e përditshme shoferi, – sa llafe të ndyra 
kishmë dëgjuarë për Amerikën! Po na kishnë thënë-o, se këtu n’Amerikë njeriu shfrytëzohet pe njeriut. çne bre! Mbroçkulla! Këtu, or byrazer, ndodh e kundërta! 
Radha e veturave në portat me pagesë të Trajboro Brixhit është e gjatë.
Megjithatë unë kam kohë deri në fillimin e punës. Tej mbi Menhetten, që e kemi në krahun e djathtë, kanë rënë rrezet e para të diellit dhe kjo kartolinë e rrallë e shtyn mikun tim Peçon, ashtu me duar mbi timon, të më bëjë një raport përmbledhës me përshtypjet e tij nga Amerika. Ai e ndjen që unë i dua rrëfenjat e tija në atë gjuhën dialektale korçare, rrëfenja që më zbavisin pa masë dhe nuk shterrin kurrë. 
-Ikë sa të duash larg, ore, – vazhdon Peçoja, – mendjen në Shqipëri do ta kesh! Një sy këtu e dy atje. Unë atje kam pleqtë, siç i ke dhe zotrote. Edhe shokët e kushurinjtë e mij, pleqtë i kanë në Shqipëri… Mendjen atje e kemi të tërë. Sa bie telefoni, i pyesim: Keni korent-o? Po ujë? Si jeni me drita mo?
Kemi qëndruar tek njëra nga kabinëzat mbi urën e Trajboros dhe Peçoja më zgjat dorën. I jap paratë për kalimin e urës, ai paguan, hapet trari dhe makina vazhdon rrugën për Kuins. 
   -Ja kështuuuu, prefesor! Jetojmë kohëra të mrekullueshme, kur ne shqiptarët e ardhur këtej, shumica mosha të reja, kemi lënë atje prindërit, pleq e plaka, që të na e bëjnë edhe njëherë elektrifikimnë e përgjithshmë! 
Me Peçon, vendet e punës i kemi pranë e pranë. Vetura është e tija, kurse pagën e urës e bëj unë. E ai më shpie në punë çdo ditë. Ai më shpie edhe tani që puna e tij ka një rënie. Punon në një kompani taksish dhe limuzinash, por kur shterrin pasagjerët Peçon e kanë nga të parët që pushojnë. Po ai nuk e prish terezinë. Paraqitet në mëngjes e pastaj kur i thonë që nuk ka punë për të, futet në një kafe në Kuins e pret t’u bëjë ndonjë shërbim me pagesë shqiptarëve me makinën e vet. 
Unë punoj në një Strehë, ku rehabilitohen fëmijë me të meta, kryesisht jetimë. Streha është e mbajtur mirë e financuar pjesërisht nga shteti i Nju Jorkut dhe më së shumti nga dhurues kristianë. Po Motër Gjenovefa është aq e zonja, sa shpesh arrin të marrë financime edhe nga qeveria federale. Ajo e ka themeluar vetë Strehën e tani fluturon nga krenaria që Streha e saj është bërë model. Unë aty organizoj argëtimet e fëmijëve dhe mbaj gjallë grupin e theatrit. Motër Gjenovefa që ka sjellë për vete një krevat të thjeshtë e fle aty në Strehë, rri orë të tëra duke parë inskenimet e mia mbi fëmijërinë e Linkolnit, Presidentit të lavdishëm të Shteteve të Bashkuara. 
Puna më ecën edhe më vjen keq që shokut tim Peços nuk i vete mbarë sikurse mua. Nganjëherë më duket se ai e di që atë ditë nuk do të ketë punë as me taksi as me limuzinë, por vjen, ja thjesht që të më bëjë lehtësi mua. E gjatë gjithë rrugës së gjatë nuk lodhet duke folur. Shpesh them që do t’ia mbledh këto rrëfenja. Jam i bindur që do t’i kujtoj të gjitha një e nga një ato që më ka treguar deri më sot. Janë tregime të jetuar nga ai vetë, por ka plot nga të shqiptarëve të tjerë, pasagjerë, që ia rrëfejnë rrugës dhe ai m’i sjell mua taze, të ngrohta. Jam kureshtar të di, se çfarë u rrëfen ai të tjerëve për mua. Se nuk mund të rrëfesh asgjë për një njeri si unë, që rri gojë kyçur e vetëm qesh hera -herës duke dëgjuar shoferin gojë kripur, që nuk lodhet kurrë së rrëfyeri. E flet e flet… Ja si tani: 
– Rrimë këtu në Amerikë e ndjekëm me drithërimë të tëra kacafytjet dashamirëse 
të politikanëve atje, të cilave y thonë “kacafytje për të gjetur unitetnë”, unitet që nuku vjen, ce është nisur ters… Po është nisur ters bre, që në përçapjen e parë të Skënderbeut. Se ay e bëri me ugur të keq, o prefesor, qëkur për t’i bashkuarë shqiptarët, zgjodhi për kuvënd Lezhën, që atëherë quhej Lesh!..
Shoferi u jep një të fshirë xhamave, megjithëse ata mua më duken më të tejpashëm se kurrë.
– Ka shumë vjedhje në Shqipëri, thonë, korrupsion. Qeveritarët e politikanët e kanë mendjen te paraja. Si e si, të bëhen milionerë! Prandaj është më mirë bre, kur shtetin e drejtojnë të ngopurit, pasanikët. Këtë po përpiqen të realizojnë partitë në Shqipëri. Që shtetin ta drejtojnë të pasurit, ka dy rrugë, prefesor: ose të pasurit të bëhen ministra, ose ministrat të bëhen të pasur! Në mëmëdhe po ndodh kjo e dyta; ministrat po bëhen të pasur!… Prandajza sa herë vete andej-këtej y them shqiptarëve, kudo që janë: vëllezër Filadelfiotë, Vaterburas, Njuxhersjotë, Bostonianë, Detroitjotë, çikagas, të ini krenarë për mëmëdhenë e dashur ore! Atje në mëmëdhe, vjedhjet kanë qëllime të pastra, fisnike. Atje vjedhin për pikësynime të nderçme… Njëherë vaftit, shteti i rripte lëkurën individit për të mirë të përgjithshme, sot për të mirë të tij, individi i rrjep lëkurën e përgjithshme shtetit.
Peçoja vështron ca vrapues shalëjashtë, që ndjekin paralel veturën në të dy anët e rrugës. Një burrë i ngjallmë mezi i lëviz kilet e tij e duket aq i rraskapitur, sa të bësh be se ky është vrapimi i tij i fundit para se ta varrosin. 
– Sa e kishmë ëndërruarë Amerikën, o prefesor, ëh?… Këtu shëndoshesh, fryhesh pa dashur, o në p.. të sëmës! Ma shëkon ti prefesor, barkun, mullën time? Asnjë thërrimë dhjamë, as një çiçkë bark nuk kam patur në Shqipëri! Xhan o ushqim i Shqipërisë! Bëj unë tashi vrap, që të ul barkun, por varet e nga puna, bre. Se nuk është fizkultura kryesorja. Më parë, këtu, bënja gjashtë ditë punë, po ama, një ditë ia linja të tërën, vrapit. Nuk do linja punën për të vrapuar de! Pastaj ra puna. Fillova të bëj pesë ditë punë e dy ditë vrap… Pastaj .. m’u shkurtua akoma puna e fillova të bëj tri ditë punë e katër ditë vrap. Tani ka një muaj, bëj vetëm … vrap!
Dhe miku im nuk ka të rreshtur:
– Po sikur është vetëm ky hall këtu! Mua nuk më janë ndarë hallet, qëkur vura këmbën. Pa gjuhë, bre, pa gjë… Dy vitet e para punova pa letra, fshehur. Punonja në kat të gjashtë po së prapthi, gjashtë kate dënë dhe! As e pashë diellin as më pa! Nuku se amerikanët janë të rreptë, po kisha akoma në palcë të dredhurat e Selanikut. Këtu, shokët e mij… ezmerë, – se mo na e marrin amerikanët për racizmë! – ata ezmerët dilnin e më blinin për të ngrënë, ata më mësonin zanatnë, gjuhën. Ja atje thellë, ku isha, e mësova gjuhën e vëndit, gurgull! Pas dy vjetësh, kur dolla mbi trotuaret lart, e mora vesh e xheç më ra dambllaja: gjuha që paskësha mësuar bilbil, nuk paskej qënë anglisht, o prefesor, po… spanjollçe oreee!!! Kur mos kem mamanë! Po si ore asnjëri nuk më tha, se ata hushkulurit ezmerë, kishin qënë nga Porto Rikua! Më shkuanë dy vjet. Fillova anglishten nga e para. Zhytem po s’mbytem unë!. Ama, thuaj hë, gjuhë më të zorçme, nuk bën nëna! Për të folur, hajde de, pa për të shkrojtur, po nuk vajte në shkollë, aha, harro mushkë…! Amerikanët, or byrazer, e shkruajnë “mace” dhe e lexojnë “qen”! Fëmijët venë në shkollë dhe e mësojnë, ne të rriturit, hiç-o, ç’të na vijë nga veshi. E kështu shtyhemi. Papo, është e bukur bre, kur e dëgjon tjetrin ta bëjë mishmashnë në mes të supermarketit, t’i thotë së bijës: “Na moj ti dhi e Ziçishtit! Mo më thuaj aj dont kerë, po mbylle grykën, ce të futa një pëllëmbë të mirë, sa të harrosh pasuordin e internetit dhe gjer bë dhjetë numëra celularësh!”…
Peçoja e le tregimin dhe drejton gishtin nga një veturë që po na le pas. 
– Shëko, shëko!.. E pe atë Mercedesnë? Ia pe flamurë tonë mbi targët? 
-Ia pashë.- i them unë. 
  -Gjen këtu dhe shqiptarë që të marrin gjak në vetull. Fitojnë dhe e derdhën paranë lumë.-vazhdon Peçoja.

“ Njëdizaj, një i njohuri im- njëherë vaftit bëmim zborë bashkë me të, – blevi një shtëpi një milion dollarë. Kur mos kem babanë! Saktësisht: një milion dollarë e 99 cent! Gjen bre këtu shqiptarë që hapin biznese, si ata devollinjtë që kishnë hapur një servis veturash dhe kishnë marrë me mëditje vetë amerikanët! Amerikanë bre, orgjinalë, kur mos i kem tërë! Dhe bile y mësojnë atyre korçarçen tonë. Ja, u ngëtheva nga një vizitë në Shqipëri unë, e vajta e po y rrëfenja devollinjve ç’kisha parë në mëmëdhe. Por më shumë u trondit pe atyre që rrëfenja unë, ay amerikani zezak, që punonte për ta. Me gojë hapur kamare pe habisë, dolli që poshtë maqinkës që po riparonte e më tha: “Me gjith mënt¬ o? Ik or t’u mbylltë e mëndjes”, – ia bëri zezaku, -” ce nuku t’i ha njeri këto!?!”- ” Kur mos kem babanë!” ¬“ i thashë. “Kur mos kem babanë, edhe unë s’t’i besoj!” – ma previ zezaku dyke zënë be për babanë zezak!
Në një udhëkryq të Kuinsit, dy policë amerikanë me fytyra kinezësh, po i jepnin radhë trafikut. Unë vura bast me veten se Peçoja tani do të hapte bisedë mbi kinezët. Dhe e fitova bastin: 
-Nganjëherë nuk e merr vesh je në Amerikë apo gjëkundi tjatër!.. ¬“hap temën tjetër Peçoja. – Dhuratat që shqiptarët, blenë për të dërguar në Shqipëri, të gjitha mbajnë etiketën e prodhimit Made in China! Po sikur na kanë mallkuarë, që të mos na ndahet Kina kudo që të vemë, or tëmën e sëmës!… Ore, amerikanët si sistem, fituanë mbi komunizmën, po si shpërblim e panë ç’y erdhi: iu mbush vendi me.. me… rusë-do ti a, polakë-do ti a, shqiptarë- do ti! Edhe një fitore kështu mbi Kinën y duhet këtyre e pastaj, që të shohç një amerikan, do të duhet të shkosh në rezervuaret e indjanëve! Edhe atje edhe jalla, kur ta gjesh! Ja kur mos kem mamanë në e tepëroj! Do të ma shohç pastaj Amerikën! Hë-hë-hë!… Po amerikanët janë të mençëm, ore, dhe tashi kanë filluarë ta kuptojnë mirë, se të drejtat e njeriut në Kinë, nuku janë edhe aq keq or jo!…
Arritëm përpara Strehës. Peçoja nuk kish më kohë të përfundonte të tërë temën e kinezëve, të filipinëve, rusëve… Por, ja, kemi ditët e tjera që vijnë. Dhe unë mahnitem sa mirë i zbërthen Peçoja vuajtjet, lumturitë e peripecitë e shqiptarëve të mërguar në këtë tokë të Amerikës, në mes të këtij oqeani mërgimtarësh nga e gjithë bota…(Marre nga libri”Rrefenjat e Amerikes’ me autor shkrimtarin Pellumb Kulla)

Filed Under: Kulture Tagged With: Ja bre, kjo eshte Amerika, pellumb Kulla

Duras: një jetë e shkruar si roman

August 17, 2013 by dgreca

Nga Luan RAMA /

– Ti asgjë nuk ke parë nga Hiroshima! Asgjë!…

Ndërsa ajo i përgjigjej:

– Unë kam parë gjithçka. Dhe spitalin e pashë. Si mund të mos e shikoja atë?… – Në çfarë filmi interpretoni?

– Në një film për Paqen. Ç’mund të xhirohet tjetër në Hiroshima veçse një film për Paqen?… Ne fillim ne takoheshim në hambaret dhe rrënojat, më pas nëpër dhoma e kudo. Pastaj ai u vra. Dashuria ime që u vra, ishte një armik i Francës…”

Ishte një film që hapej me këpurdhën e bombës atomike të hedhur në Hiroshima, mbi të cilin fillonte dialogu i një gruaje franceze dhe i një burri japonez, shtrirë në krevatin e një hoteli. Ishte piktakimi im i parë me letërsinë e Margarite Duras, (Dyras), përmes skenarit të filmit të njohur Hiroshima dashuria ime.

Atëherë, ky film ishte ndaluar të shfaqej në Shqipëri, por një numër i revistës L’Avant scène du cinema, që vinte atë kohë në Kinostudio bashkë me Cahiers du Cinéma dhe Anthologie du cinéma, e kishte botuar atë të ilustruar me një mori skenash nga filmi dhe aktorët e tij. Një histori pacifiste dhe kundër luftës, por që bashkonte fatet njerëzore në pika të ndryshme të globit. Një grua franceze që vinte të luante një film në Hiroshima dhe që në rininë e saj kishte dashuruar një ushtar gjerman në qytetin e saj të lindjes. Në të njëjtën kohë vendosej paralelizmi me tragjedinë e madhe të luftës që kishte ndodhur në Hiroshima.

Edhe pse me një frëngjishte të varfër unë e përktheva atë skenar në ca faqe të holla rozë, skenar që do të shëtiste në duart e kineastëve të rinj, të etur për të njohur filmat modernë e pacifistë dhe kundër luftës.

– «Atë ditë, – shkruante Dyras në skenarin e saj, – ne do të takoheshim në breg të lumit të Loire-s. Do të ikja me të. Kur mbërrita në mesditë, ai ishte atje. S’kishte vdekur akoma. Dikush e kishte qëlluar nga një kopësht. Gjithë ditën qëndrova mbi trupin e tij. Po kështu dhe natën. Të nesërmen erdhën dhe e morën me një kamion. Atë natë Nevers u çlirua… Ishte dashuria ime e parë… Pastaj një tjetër ditë klitha. Më futën në një bodrum…»

Ky skenar, për ne të rinjtë atë kohë ishte vërtet tronditës dhe krejt i kundërt nga ato që shikonim në kinematografinë e Lindjes. Madje bashkê me mikun tim skenarist Nexhati Tafa dukej se ajo mênyrê shkrimi influencoi drejtpërdrejt në shkrimet tona duke përdorur retiçencë, vazhdimisht tri pika, në fraza të shkurtra, apo thjesht “përplasje” imazhesh por në fjalë. Më pas, një tjetër libër i ardhur nga një studente shqiptare në Francë më hapi një dritare të dytë mbi këtë shkrimtare: ishte romani Moderato cantabile, i cili dhe ai do të gjente ekranin e kinemasë. E megjithatë, Dyras ishte ende një enigmë për mua? Cila ishte kjo shkrimtare kaq e ndjeshme, e dhimbshme, lakonike, me një gjuhë që depërtonte thellë në humnerën e shpirtit njerëzor dhe shpesh të trondiste? Nga vinte dhe cila ishte bota e saj?…

Atë do ta piktakoja dhjetë vjet më vonë, pikërisht ditën e vdekjes së saj, kur një ceremoni funebre zhvillohej në kishën e Saint-German-dès-Près, pranë rrugës Saint-Benoit, apartamentit ku ajo banonte. Pikërisht në atë lagje të vjetër pariziane të Saint-Germain-dès-Près, pak hapa nga «Café de Flore» apo kafeneja e njohur letrare «Les Deux Magots», vëndi historik i letërsinë franceze, ku atë ditë lexoheshin tekste poetike të saj nën një muzikë të Bach… Ishte “Pluie d’été… Ashtu si historia, edhe letërsia kishte lënë gjurmët e saj në jetën njerëzore. Në numrin 6 të asaj rruge, për një gjysmë shekulli kishte jetuar Margërit Dyras, një nga shkrimtaret më në zë të letërsisë moderne.

Jeta e shkruar si roman

 Jetën e saj, Margarit Dyras e ka treguar tërësisht në romanet dhe novelat që ka shkruar. Jeta e saj si të thuash ka qënë një roman i gjatë. E gjitha është shpalosur aty: fëmijëria, (ajo lindi në 4 prill 1914), rinia, dashuritë, dhimbjet e mëdha familjare, dashuritë e vjetra e të reja, seksualiteti, dëshira për të lindur dhe gjer dashuria e saj e fundit para se të vdiste. Ajo e tregonte jetën e saj duke shkruar letërsi, ashtu siç tregonte adoleshencën e saj dhe eksperiencën e parë seksuale në librin Dashnori, (L’Amant), i cili u vlerësua me çmimin «Goncourt», një rrëfim nëpërmjet penës, shkrimit, siç është dhe historia e dashurisë kur ajo ishte 14-15 vjeçare, në një kolezh vajzash të Indokinës, kur bënte dashuri me një kinez të sapo ardhur nga Franca, nga një familje e pasur. Nëna e Dyrasit e nxiste atë që të shkonte me kinezin Léo sepse ai i ndihmonte me para. Këto skena të jetës së saj janë dhënë në një mënyrë poetike dhe emocionante në filmin Dashnori, kur kinezi vinte dhe e priste pas shkollës dhe i mësonte kënaqësitë e para seksuale të adoleshencës. Një ditë ai e kishte pyetur:

– A e njeh Parisin?

– Jo, – i ishte përgjigjur ajo, duke u skuqur nga turpi.

«Kisha fatin të kisha një nënë të dëshpëruar», – tregonte Dyras kur fliste për jetën e saj. Margarit Dyras kishte lindur në Indokinë, diku pranë Saigonit, ku i ati kishte zbarkuar nga Franca për të dhënë si mësues lëndën e matematikës. Ajo jetoi në Pnom-Phen të Kamboxhias, në Saigon të Vietnamit dhe vënde të ndryshme të Indokinës, siç quhej atë kohë dhe jetoi atje gjer në moshën 18 vjeçare, kur pas vdekjes të të atit dhe një jete të mundimshme, e ëma e saj u kthye më së fundi me të tre fëmijët e saj.

Pas vdekjes së babait, ajo flinte me të ëmën dhe njëri nga vëllezërit i vidhte nënës paratë që të mund të pinte opium. Nëna e saj ishte një aventuriere e vërtetë, një nënë e ashpër që shpesh e rrihte, një grua e fortë, por që jo rrallë shpaloste një dhimbje dhe dashuri të madhe. «Nëna më rrihte shpesh dhe në përgjithësi kur shkatërrohej nga nervat. Meqë isha më e vogla dhe më lehtë për tu rrahur, ajo më rrihte mua më shumë.»

Ajo jepte mësime në frëngjisht, i binte pianos dhe ndërkohë bënte punë të tjera që të mbante gjallë familjen. Madje për disa vite u muar me disa toka, në brigjet e oqeanit Paqësor, siç tregohet dhe në romanin e saj Një barrazh kundër Paqësor.

Me kthimin në Francë, Margarite Donnadieu, siç ishte emri i saj i vërtetë, filloi një jetë të re, dhe fillimthi me studimet për Drejtësi në Quartier Latin. «Atëherë bëja shumë dashuri, – kujtonte Duras. – Ajo që më ka shpëtuar ishte se unë i tradhëtoja djemtë me të cilët jetoja. Nuk isha besnike.» Pikërisht kur dashurohej me shkrimtarin e ri Jean Lagrolet, i cili i zbuloi asaj botën e teatrit, ajo u njoh me dy shokët e tij dhe shumë shpejt ra në krahët e njërit prej tyre, Robert Antelme, i cili do ta vuante shumë tradhëtinë ndaj shokut, aq sa donte të vriste veten. Por kjo s’do të ndodhte. Ajo u martua me Robert Antelme në vitin 1938 dhe në vitin 1943 lindi një djalë, por që i vdiq menjëherë.

Atëherë në Francë, fëmijët që vdisnin pas lindjes i digjnin dhe kjo ngjarje do ta trondiste gjithë jetën shpirtin dhe kujtesën e saj. Në kohën e pushtimit nazist që të dy u futën në një organizatë klandestine anti-naziste që udhëhiqej nga Fransua Miteran (François Mitterand), apo siç kishte pseudonimin në atë kohë, Fransua Morland. Madje në shtëpinë e tyre, bazë ilegale, shumë herë ishte fshehur Miterani, i cili ndiqej nga Gestapo, apo filozofi i ardhshëm Edgar Morin, gjersa një ditë të prillit të vitit 1944, të denoncuar, u arrestuan Robert Antelme dhe motra e tij, të cilët u çuan në kampet e përqëndrimit. Muaj të tëra Dyras u përpoq të shpëtonte burrin e saj, por gjithçka ishte e kotë.

Gjatë luftës, Dyras vazhdoi të botonte romanet e para të saj si, romanin Les impudents, (Të pacipët), me iluzionet e një vajze që besonte tek dashuria, të cilin, siç do të thotë më vonë ajo «e shkroi për tu çliruar nga adoleshenca e saj». Këtë libër ajo e nënshkroi Dyras, siç quhej vëndlindja e nënës së saj Marie, dhe ky mbiemër fiktiv do t’i mbetej gjithë jetën. Në vitin 1943, ajo botoi romanin tjetër, Jeta e qetë.

Me mbarimin e luftës, Dyras filloi të kërkonte nëpër kampet e përqëndrimit që të dinte për fatin e Robertit. Vallë ishte gjallë? Motra e tij ishte djegur në krematoret naziste. Tregimin e dhimbshëm të asaj kohe, Dyras na e jep në librin e saj La Douleur, (Dhimbja), një nga librat më interesant mbi jetën e saj. Ishte Miteran ai që organizoi një operacion të vështirë për kërkimin e Robertit, gjersa më së fundi atë e kishin gjetur në kampin e Dachau-t. «Ata ishin futur në pjesën e ndaluar të kampit, aty ku vendoseshin të vdekurit apo ata që ishin në prag të vdekjes. Dhe pikërisht atje, njëri prej tyre kishte pëshpëritur emrin Fransua dhe pastaj kishte mbyllur sytë. Atyre iu desh mëse një orë deri sa ta kuptonin që ishte vërtetë Roberti. E kishin njohur vetëm nga goja dhe dhëmbët e tij. Ata e pështollën me çarçaf, siç bëhet me të vdekurit dhe e nxorrën nga pjesa e ndaluar e kampit, për shkak të tifos që bënte kërdinë ngado.»

Kështu nisi aventura e kthimit të Robertit gjysmë të vdekur drejt Parisit. Ai mezi mbahej. Madje kur e nxorrën nga kampi, e kishin veshur me një uniformë dhe ai hiqej si një ushtar i dehur. Pas disa ditësh, kur erdhi në Paris dhe ai ngjiti shkallët e shtëpisë, Duras që e priste lart nuk arriti ta besonte. “Vallë ishte ai?” – do të shkruante ajo në librin e saj: “Dëgjova thirrje që vinin nga shkallët, këmbë që ngjiteshin, kërkëllitja e portave. Ishin ata që vinin nga Gjermania… E mbanin nga krahët. U ndalën në katin e parë. Ai kishte ngritur sytë… Nuk di se ç’ndodhi. Duhet të më ketë njohur dhe të më ketë buzëqeshur. Klitha se nuk mund ta shihja ashtu. Gjithë vitet e luftës më shfaqeshin përmes atyre klithjeve të mia. Gjashtë vjet pa klithur. U gjeta tek fqinjët. Ata më detyronin të pija rum, ma derdhnin në gojë. Përmes thirrjeve. Nuk e di se kur u gjeta përpara tij…”    

Pas kthimit të Robertit, një jetë tjetër filloi për Dyrasin. Ajo ndërkohë ishte dashuruar me shokun e Robertit, Dionys Mascolo, shkrimtar edhe ky dhe miku më i ngushtë i Robertit. Ata jetonin të tre. Ishte një lidhje e çuditëshme. Zyrtarisht, ajo mbetej gruaja e Robertit, por ndërkohë dashurohej me Dionisin, dhe Roberti këtë e kishte pranuar. Shtëpia në Rue Saint Benoit tashmë priste shumë më tepër intelektualë dhe artistë të asaj kohe. Filozofi Edgar Morin, miku i tyre i ngushtë i kujtonte me mall ato ditë: ”Ne jetonim në një komunitet të mrekullueshëm. Margarita ishte si një bletë e kosheres. Ajo bënte kuzhinën, përgatiste kafenë, bënte gjellët vietnameze dhe për më tepër gjente kohën dhe të shkruante. Isha i magjepsur nga fytyra e saj, nga sytë e saj të mëdhenj dhe goja e bukur. Natyra e saj lëkundej nga poetikja në komiken. Ajo kishte qef të qeshte dhe të këndonte, të bënte shaka. Ftonte për drekë apo darkë shkrimtarët Bataille, Queneau, Camus, Claude Roy. Disa prej tyre i joshte».

Atë kohë Dyras po bëhej e njohur me romanet e saj që botoheshin nga shtëpia më e madhe botuese, «Gallimard». Në vitet e pas luftës, ajo botoi një sërë romanesh të tjera. Shkruante në shtëpinë e saj, apo në kafenetë rrotull shtëpisë dhe pinte shumë alkool. Pija e çonte në një gjëndje tjetër. Ndërsa në mbrëmje mblidhej me miqtë e saj në rrugën Saint Benoit. “Treshja Margarite-Robert-Dionis, – kujtonte Edgar Morin, – nuk ishte një marrëdhënie treshe. Margarita, që e mbështillte Robertin me një dashuri oqeanike, nuk shkonte në shtrat me të. I dashuri i saj ishte Dionisi. Por e jashtëzakonshme ishte miqësia vëllazërore mes dy burrave. Roberti e adhuronte Dionisin dhe tek Dionisi kishte një ndjenjë vëllazërore për Robertin. Rreth kësaj treshe unë isha elektroni më i afërt. Ndjeja një lloj dëshire për Margaritën dhe kur të dehur ne kërcenim bashkë, duart tona plekseshin. Por njëkohësisht kisha ndjenjën se kështu mund të ndahesha përfundimisht me Violetën dhe të plagosja mikun tim më të shtrenjtë. Shumë kohë më vonë Margarita më qortoi për këtë: ”Ne duhej të kishim patur një histori dashurie”, – më tha ajo».

Të gjithë kishin kujtime të bukura nga Margarit. Atje vinin Italo Kalvino, Dos Pasos, Elio Vittorini, Bataille, Leiris, Lacan. .. «Që nga çlirimi, – kujtonte Claude Roy, – rruga Saint-Benoit u bë për në një nga ato shtëpi si ato të romaneve ruse në kohën e inteligjencës, ku hyhej e dilej në çdo çast: tri ide, pesë miq, njëzet gazeta, tre që indinjoheshin, dy që bënin shaka, dhjetë libra dhe një samovar me ujin që ziente. Ne nuk pinim çaj por kafe. Ne nuk diskutonim për numrin e fundit të gazetës Iskra, por për atë të La Nouvelle critique… ne nuk donim të shkonim te populli por të ishim me të…» Pikërisht në një intervistë, kur gazetari e pyeste për militantizmin e saj dhe angazhimin politik nëse kjo ishte më e rëndësishmja në jetën e saj, ajo i përgjigjej: «Po, është vetë eksperienca e dashurisë. Të besosh që kjo dashuri mund të jepet përmes komunizmit…»

Vetëm kur mbeti shtatzënë me Dionisin, Dyrasi u largua nga Roberti, i cili dhe ai kishte filluar një aventurë të re.

Disidentja e Partisë Komuniste

Margarit Dyras ishte një grua me karakter të fortë dhe që e çmonte shumë pavarësinë e saj. Edhe pse anëtare e Partisë Komuniste, kur metodat staliniste të Zhdanovit filluan të propagandoheshin me zell nga Partia Komuniste Franceze, ajo doli hapur kundër tyre, duke mbështetur njëkohësisht dhe pikëpamjet e shkrimtarit italian Elio Vitorini, i cili atë kohë gjëndej në Paris. Madje edhe pse ishte një aktiviste e partisë dhe shiste gazetën Humanité nëpër rrugë, ajo i kritikoi hapur metodat dogmatike të Zhdanovit në letërsi dhe arte, e mbështetur nga Edgar Morin dhe shumë intelektualë të tjerë të majtë. Edhe me luftën e Algjerisë, ajo doli hapur kundër politikës franceze dhe u bashkua me Sartrin, Bovuar, Kamy, Moriak, Kokto, Breton dhe shumë të tjerë. Atë e gjeje në manifestimet e mëdha krah Sartrit, duke kërkuar pavarësinë e Algjerisë. Në këtë periudhë ajo shkroi Marinari i Gjibraltarit, (Le Marin de Gibraltar), ku flet për dramën e saj. Ishte koha kur ajo vendosi të largohej nga Dionisi, pasi ai tashmë kishte një të dashur tjetër dhe bënte një jetë të dyfishtë. Këtë jetë të dyfishtë ajo nuk mund ta pranonte. “Jam e lodhur nga jeta që po bëj që prej pesë vjetësh me ty… Nuk kam më frikë nga vetmia!”

Kështu ajo i dha fund lidhjes së dikurshme, edhe pse Dionisi ishte babai i fëmijës së saj dhe do të mbetej një mik gjatë gjithë jetës, ashtu si dhe Roberti. Por Dyras nuk ishte nga ato gra që jetonte vetëm. Ajo e kishte të pamundur të jetonte pa një burrë në shpirt dhe në shtrat.

Edhe pse e përjashtuar nga Partia Komuniste, ashtu si dhe disa intelektualë të tjerë, mes të cilëve dhe Edgar Morin, ajo do të mbetej gjithnjë e majtë dhe këtë e deklaronte hapur, çka u duk edhe në ngjarjet revolucionare të vitit 1968, kur Dyras, ashtu si dhe Sartri e Bovuar u bashkuan me studentët dhe puntorët. Ato ditë, atë e gjeje në manifestimet e mëdha në krah të Robertit dhe Dionisit dhe shpesh brënda Sorbonës, duke shkruar traktet dhe tekste politike. Dyras bënte thirrje për mos t’iu bindur qeverisë. Por me mbarimin e lëvizjes, ajo u zhgënjye shumë dhe për një moment mendoi ta linte Francën dhe të jetonte diku gjetkë. “Jam në mërzi dhe në ankth, – shkruante ato ditë ajo. – Tragjedia e Pragës më ka vrarë. Nuk shkruaj më veçse tekste politike. Si shumë evropianë të tjerë jam në fund të dallgëve.”

E dëshpëruar, e vrarë, gjithnjë me gotën e alkoolit, Dyras filloi një dashuri të re. Dhe përsëri një shkrimtar: Gerard Jarlot, (Zherar Zharlo). Ajo iu dha e tëra dhe të dy kaluan një aventurë të bukur disa vjeçare. Por Jarlot ishte një lloj “donzhuani” edhe pse ajo përgjërohej për të. Më së fundi edhe ajo e njohu këtë natyrë të tij. E kuptoi që ishte një mitoman dhe madje më vonë deshi të shkruante një roman me titull Burri që gënjen. Ata gjithnjë ziheshin, pajtoheshin, piheshin në pijetoret pranë shtëpisë dhe përsëri ziheshin, gjersa një ditë do të ndaheshin, sepse në jetën e Margaritës do të hynte një tjetër burrë, një dashuri e re.

Sigurisht, Dyras krijoi një profil të veçantë në letërsinë franceze, një profil tepër modern, origjinal, të ndjerë, poetik dhe herë-herë midis ëndrrës dhe realitetit, ndërgjegjes dhe subkoshiencës. “Shkruajmë gjithnjë. Kemi një lloj dhome për veten tonë, një skutë në hije, ku gjithçka që kemi përjetuar apo përjetojmë grumbullohet aty. Ato përbëjnë lëndën e parë të shkrimit tonë, minierën e çdo vepre të ardhëshme”.

Gjithnjë bota e kujtimeve, fraza të shkurtra, jo përshkrime të gjata, nganjëherë telegrafike, pak fjalë që portretizojnë një figurë: ky është stili e kësaj shkrimtareje. “Kur njerëzit që shkruajnë ju thonë se kur shkruajmë jemi në një gjëndje përqëndrimi, unë u them jo, dhe kjo sepse kur shkruaj, unë ndjej se jam në një moment ekstrem shpërqëndrimi, pasi shkruaj jo gjëra që nuk i njoh, por që më vijnë nga gjetiu. Dhe unë nuk jam e vetmja që e them këtë.”

Shkrimtarja e kinemasë

Margarit Dyras ishte padyshim shkrimtarja që i dha më shumë kinematografisë nga autorët e tjerë francezë. Edhe Sartri u angazhua me kinematografinë dhe shkroi disa skenarë, edhe Koletë para tij, por Dyrasi i kushtoi një mori veprash kinematografisë dhe shumë nga romanet e saj u bënë filma, apo shumë skenarë të saj u kthyen pastaj në vepra letrare. Hiroshima dashuria ime ishte një nga ato, por kjo aventurë kinematografike vazhdoi. Ky film u realizua nga regjisori i njohur Alain Resnais, me aktorët Emmanuel Riva dhe Bernard Fresson që interpretonte ushtarin gjerman. Një nga skenat më emocionante ishte momenti kur këtë vajzë, që guxoi të dashuronte një armik e qethin forcërisht. Atë ditë Dyras asistonte në sheshin e xhirimit dhe pikërisht në momentin kur aktoren e qethën (siç u qethën në kohën e ditëve të para të pas luftës, e quajtur koha e “epuration”-it, (spastrimit), shumë gra franceze që kishin bërë dashuri me gjermanët), asaj i ra të fikët. Çfarë ju kujtua vallë?…

Një nga filmat që kemi parë në vitet 80’ në Kinostudion Shqipëria e Re, por që nuk shfaqej në publik, ishte filmi Një mungesë kaq e gjatë, (Une aussi long absence), i cilësuar si film pesimist për luftën, me aktorët e njohur Alida Vali dhe George Wilson. Për ne skenaristët e rinj, ishte një nga gjetjet më të bukura kinematografike: një grua që pikas tek një lypës buzë Senës, dikë që i ngjasonte ish burrit të saj që pas lufte nuk ishte kthyer nga kampi i përqëndrimit. Të gjithë e kujtonin të vdekur. Por ai kishte humbur kujtesën…

Dyras u lidh shumë me kinematografinë. Kështu sipas romaneve të saj u realizuan filmat Moderato Cantabile, (një nga romanet më të suksesshme të shkollës letrare “Le nouveau Roman”, (“Romani i Ri”), apo Le Barrage contre le Pacifique, (Barriera ndaj Paqësorit), nga regjisori i njohur René Clement. Madje dhe me të dashurin e saj Jarlot, ata shkruan skenarin e filmit Sans merveille, (Pa mrekulli), me historinë e një çifti modern që duhen mes tyre por që të dy e tradhëtojnë njëri tjetrin, siç bënin në fakt dhe vetë ata të dy. Skenari Ora dhjetë e gjymsë e natës në verë, që Dyrasi shkroi më pas, ishte një rast për tu njohur nga afër me aktoren Melina Mërkuri si dhe Romy Schneider, dy aktore që ishin në kulmet e tyre kinematografike. Një film mbi xhelozinë e një çifti dhe krimin. Por Dyras nuk e gjente plotësisht veprën e saj kur ajo adoptohej, edhe kur kjo bëhej nga regjisorë të mëdhenj si Alain Resnais, René Clement, Henri Colpi apo Moderato Cantabile nga Peter Brook. Ja pse ajo vendosi të qëndrojë vetë pas kameras dhe të drejtonte aktorët, ashtu siç i kishte përfytyruar ajo, pra të ishte në rolin e regjisores. Kështu, për një periudhë të gjatë, ajo u angazhua si regjisore e skenarëve të vet si në filmin e njohur India Songs, me një histori dashurie në brigjet e Gandit, në kohën e korrjeve, apo skenarët La Musica, Navire Night, Des journées entières dans les arbres, (Shumë ditë mes pemëve), etj. Filmi e tërhiqte me magjinë e vet, edhe pse në kinematografi nuk pati një kryevepër të saj, siç do të ndodhte në letërsi. Megjithatë letërsia dhe filmi ishin shumë afër brënda saj, pasi shumë afër ishin imazhi dhe fjala.

Një ditë prej ditësh, Jarlot do të gjëndej i vdekur në një dhomë hoteli dhe Dyras e kuptoi se ai kishte vdekur gjatë një histori dashurie me ndonjë nga dashnoret e tij. Madje kishte qënë një vajzë anonime, e cila kishte njoftuar nga një kabinë telefonike se Jarlot gjëndej i vdekur në hotel. Sigurisht, asaj i erdhi keq që kishte vdekur si një «Don Zhuan», sepse në fund të vetvetes ajo e donte atë gjithnjë.

Gjithçka kishte ndodhur si në një film…

Pastaj, një ditë, duhej të shkonte të takonte nënën e saj që ishte në prag të vdekjes. E kishte të vështirë të shkonte, siç do e përshkruante këtë ndjesi në librin e saj Ditë të tëra tek pemët (Des journées entières dans les arbres), për “atë dashuri të jashtëzakonshme si një lëvizje oqeanike që gëlltit gjithçka në thellësi të saj”. Nëna atëherë banonte me vëllain e saj. Gjithnjë e kishte vuajtur ndjenjën se ajo gjithnjë nuk e kishte dashur. Në një tekst të botuar pas vdekjes të titulluar Mother, Margarit shkruante: «Kur botova librin Ditë të tera tek pemët, shkova të takoja nënën time në shtëpinë që kishin blerë buzë lumit Loire. Ajo më priti vetëm, e shtrirë, veshur me të zeza, si në një zi të re, duke refuzuar të më flasë, të më përqafojë. Më tha vetëm se nuk e kuptonte përse e kisha shpikur një histori të tillë si ajo e të birit të saj. Dhe shtoi se ishte e sigurt se kishte qënë e drejtë me fëmijët e saj dhe se ishte sakrifikuar njëlloj për të tre… Ajo vdiq e vetme, në moshën 80 vjeçare. Në fjalët e fundit të saj ajo kërkoi birin e saj të madh. Vetëm atë. Isha në dhomë. I pashë të përqafoheshin duke qarë, të dëshpëruar që po ndaheshin. Ata nuk më panë...»

Dashuri gjer në frymën e fundit

Pas Jarlot ishte Yann Andrea (Jan Andrea), ai që do të hynte në botën e Dyrasit dhe do ta shoqëronte gjer në ditët e fundit të jetës së saj. Edhe Yann ishte shkrimtar. Dhe ai shkruante si gazetar në France-Soir. Një ditë, ai i kishte telefonuar se donte ta takonte. Por ajo ia kishte mbyllur telefonin. Yann e adhuronte si shkrimtare dhe kishte këmbëngulur në telefonatat e tij.

– Përse doni të më takoni? – e kishte pyetur ajo e bezdisur?

– Për dramën Teodora!…

– Ejani nesër! – ia kishte prerë ajo…

Të nesërmen, kur ai ishte shfaqur në rrugë, ajo e kishte parë nga ballkoni. I ishte dukur një djalosh simpatik. Pas bisedës, ai i kishte thënë se kishte kërkuar një hotel aty afër, por kudo ishin të zëna nga sezoni turistik.

– Matanë është dhoma e tim bir, – i kishte thënë ajo. – Këto ditë është bosh!

Ajo natë kishte qënë fatale. Ajo ishte hedhur menjëherë në krahët e tij. Ajo do ta donte atë si e çmëndur. «Vetëm të dëgjoja zërin e tij dhe kjo ishte një gëzim i jashtëzakonshëm. I thashë të vinte te unë dhe ai braktisi familjen, punën, shtëpinë dhe erdhi të rrinte me mua».

Të nesërmen e asaj dite, ajo i shkruante një mikeje aktore: «Sapo jam njohur me një ëngjëll!» Shpesh ata largoheshin nga Parisi, në Neauphle apo në brigjet e Normandisë në Trouville, ku mbylleshin për kohë të gjata. Shkruanin dhe mbyteshin në avujt e alkoolit. Arrinte që të pinin së bashku 6-7 litra verë në ditë. Atëherë Dyrasi shkruante romanin Emily L. Pastaj u xhirua filmi Njeriu i Atlantikut, ku aktor i vetëm ishte ai, i dashuri i saj, Yann. Më 1984, romani Dashnori u vlerësua e çmimin “Goncourt” dhe pati një jehonë të madhe internacionale. Një vit më vonë botoi librin Dhimbja, në një kohë që Roberti ishte në spital. Ajo e dinte se Roberti mund të tronditej që jeta e tij ishte bërë publike, por ajo vendosi ta botonte, e bindur se ai libër ishte një libër-kujtesë. Në moshën 70 vjeçare ajo pohonte nê intervistat e saj se artin e të shkruarit e kishte gjetur tani… «letërsinë e shpenguar që nxiton t’i thotë gjërat» ashtu siç vijnë…  «Flas për kreshtat e fjalëve, shkrimin që përparon, shpejt, ashtu mbi kreshta, për të shkuar sa më shpejt». Më vonë ajo do të shkruante se «do të duhej një shkrim «non-écrit» (jo i shkruar). «Dhe kjo një ditë do të vijë, një shkrim i shkurtër, pa gramatikë, vetëm një shkrim fjalësh. Fjalë që s’kanë nevojë për gramatikën, të hedhura ashtu…»

Edhe pse Dyras e la pijen një kohë, ajo e rinisi sërrish. E ndjente veten të plakur, me rrudha dhe pinte e bindur se Zoti nuk mund ta shpëtonte nga një vdekje e parakohshme. Kur shkruante Savannah Bay, duart i dridheshin dhe ishte Yann që shtypte tekstin, të cilin ajo ia diktonte me zë. Ndërkohë botoi një sërë novelash dhe me Yann shkruajtën një bashkëbisedim të gjatë mbi jetën e saj, mbi dashuritë, letërsinë, krijimin, kinematografinë. Por Yann ndërkohë ishte dhe homoseksual. Ja pse herë-herë ai largohej të shijonte dashuritë e vogla të tij. Megjithatë ai nuk u largua nga ajo, edhe kur nga pija e shumtë dhe sëmundja e rëndë ajo e humbi zërin e saj. Në shtëpi, ishte gjithnjë ai që përgjigjej në telefon dhe që merrej me gjithë korrespondencën dhe takimet e saj. Por ndërkohë dhe ai shkruan librin Kjo dashuri, (Cet amour-là) në të cilin, duke iu referuar jetës me Dyras dhe gjëndjes së saj, ai shkruante: «Ja se çfarë shoh në muajt e fundit të jetës tënde. Je gjithnjë e lodhur, me një lodhje të jashtëzakonshme, një lodhje fizike e mendore, një lodhje që e pushton gjithë qenien tënde gjersa tu vërë poshtë dhe t’ju zhdukë plotësisht… Në fakt ti nuk je e sëmurë. Ti po vdes nga cfilitja e madhe, ngaqë ke shikuar shumë botën. Fytyra e Baltazarit, ti e vdekur sepse ke pirë shumë: whisky, verë të kuqe, të bardhë, të gjitha llojet e alkooleve, e vdekur se ke pirë shumë cigare, shumë paketa «Gitanes» pa filtër, e vdekur se ke dashur shumë, të dashurit, lloj-lloj të dashurish, shumë tentativa dashurie, nga gjithë dashuria, e vdekur nga zemërimi i madh kundër padrejtësive sociale, nga varfëria e padurueshme, nga leprozët e Kalkutës… e vdekur sepse ke shkruar shumë. Shumë libra, ku libri çdo herë ju linte të vdekur, të asgjësuar, dhe dorën, dhe shpirtin tënd…»

Dyras takonte gjithnjë e më pak njerëz dhe shpesh e mbyste një dëshpërim i madh, edhe pse librat e saj gjenin një jehonë gjithnjë e më të madhe. Në vitet 70’- 80’ ajo ishte shkrimtarja moderne më e preferuar e francezëve, por e botuar dhe në shumë gjuhë të botës. Madje shumë pjesë të saj gjetën një jehonë të veçantë dhe në teatër. Romani Sytë blu dhe flokë të zeza, rikujtonte pikërisht atë marrëdhënie të çuditshme të Dyrasit me të dashurin e saj. Përsëri jeta e saj e shkruar në një roman. E sëmurë rëndë, me duart që i dridheshin, ajo filloi t’i diktonte atij përsëri. Kështu u shkrua dhe një nga librat e saj të fundit, Sëmundja e vdekjes.

Në momentet e fundit të jetës së saj, Dyras shkroi librin e saj të fundit Kjo ishte e gjitha, (C’est tout), një lloj ditari intim, ku ajo flet vetëm për ekzistencën, vdekjen, për vdekjen që afrohet, ndaj së cilës ajo nuk kishte frikë… Janë gjithashtu imazhet e fëmijërisë, të vëndlindjes, ndërkohë që ajo i drejtohej të dashurit të fundit të saj: «Yann, unë jam akoma këtu. Tani duhet të nisem. Nuk di se ku ta vendos veten time»… Fraza e fundit e shkruar nga dora e saj ishte: «Je vous aime! Au revoir!… (Ju dua, Mirupafshim!)».

Vite më pas, kur Dyras nuk ishte më, u botuan dhe fletoret e saj të rinisë, të titulluara Fletore Lufte, (Cahiers de guerre), si dhe tekste të tjera me subjekte romanesh që ajo i kishte shkruar apo që nuk i përfundoi kurrë.

Ajo vdiq më 3 mars të vitit 1996 dhe trupi i saj u vendos në kishën e Saint-Germain-dès-Près, dy hapa nga rruga saj Saint-Benoit, rruga ku kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës së saj dhe aventurën e bukur letrare. Në varrin e saj në Montparnasse, janë shkruar vetëm dy data si dhe inicialet e të gjitha romaneve të saj: M.D. Dhe një ditë, duke kaluar pranë varrit të saj, jo larg shtëpisë time, m’u kujtua një thënie e saj: «Asgjë nuk e zëvëndëson idenë e Zotit. Eshtë një ide absolute, e pazëvëndësueshme, e mrekullueshme dhe thelbësore, pra një ide gjeniale. Por kur ai nuk ekziston, le të jetojmë në gëzimin e dëshpërimit.»

Po, Margarit Dyras kishte jetuar dhe gëzuar gjithnjë në këtë gjëndje dëshpërimi…(Botoi: “Parisi letrar”. L. Rama)

 

Filed Under: Featured Tagged With: duras, Luan Rama, nje jete e shkruar, si ne roman

Politika shqiptare dhe emigrantët nëpër botë

August 17, 2013 by dgreca

Nga Lek Gjoka /Jacksonville Florida/

Sigurisht nga ana shpirtërore Shqipërinë e duan më shumë emigrantët sepse vendlindja është mungesë, por vallë sa është lidhja e politikes shqiptare me qytetarët e vet që nuk jetojnë në Shqipëri ? Çfarë do të bëjë qeveria e re sociaste për to ? A do të mund të mendojmë që një ditë të kthehemi andej nga erdhëm? Sa është lidhja e saj kulturore, letrare artistike ? A do të asimilohen brezi i ri , fëmijet e emigrantëve ? Çfarë roli kanë mërgimtarët shqiptarë në politikën, kulturën, historinë, letërsinë e kombit shqiptar?

Po kaloj pak nga pak në autostradën jetësore të jetës larg mëmëdheut.

Politika shqiptare jo vetëm nuk i respekton qytetarët e vet që nuk jetojnë në Shqipëri por ju mohon edhe gjërat më elementare si p.sh., vota , e drejta për të zgjedhur ato që do drejtojnë qeverinë e Tiranës.Kush është fajtori ?  Shqiptarët që emigruan dhe dërgojnë miliona dollarë e euro në Shqipëri dhe nuk kanë mundësi të kthehen për të votuar apo politika shqiptare që nuk ka gjetur gjuhën e përbashkët për një zgjidhje të përhershme? Sigurisht që politika sepse si qeveria demokrate ashtu edhe ajo socialiste nuk mban lidhje direkte me emigrantët? Si ka mundësi që mbi 35 % e qytetarëve shqiptare jetojnë në emigracion dhe nuk ka asnjë ministri emigracioni thjeshtë një drejtori që nuk besoj se shkojnë më larg se deri në Rinas dhe jo në vendet europiane apo në Sh.B.A.Përse? Qeveria socialiste duhet ti japë përgjigje sepse sovrani ta jep kusurin në dore sikur iu dha demokratëve që harruan përse ishin zgjedhur , harruan realitetin jashtë pushtetit që kishin, harruan se sikur jeta që është e përkohshme ashtu edhe qeverisja është e tillë ndryshë quhet diktaturë.

Po lidhja e qeverisë më emigrantet në çfare niveli është.Sigurisht duke mos mohuar asnjëherë punën e madhe të konsullatave shqiptare nëpër botë edhe jashtë mundësive (Sidomos në Washington, New York, Athinë,Romë,Londër,Berlin etj..) për qytetaret e saj lidhjet e tjera janë si kapilare të bllokuar ku nuk kalon asnjë pikë gjak.Sa do të punoje qeveria e re socialiste apo si para ardhersit do të udhëtojë në një planet tjeter jashte realitetit? Sigurisht pa shtimin e një ministrie emigracionin as kjo qeveri nuk do të ndertoje dot autostraten e lidhjes më qytetaret e vet te merguar.

Po lidhja e qeverise me artin,kulturen, letersine e shqiptareve sa është? Pothuajse zero.Asnjë lidhje direkte e qeverise më shoqatat shqiptare si Vatra në Amerike etj. qe mund të sherbejne neser si ura lidhje me diasporen .Letersia e diaspores është lenë në heshtje nga ministria e kultures, kujtohen vetem në rastet kur një shqiptar fiton emer e famë në Amerike , Itali etj.

Po brezi i ri i emigrantave po shkon drejt asimilimit total? Fatmirsisht femijët e emigrantave megjithese nuk kane lindur në Shqipëri kanë një lidhje të admirueshme me te.Janë krenare qe janë shqiptare dhe ju flasin bashkëmoshatareve te tyre më plot krenari për historinë mijera vjeçare të kombit shqiptar. Por më kalimin e viteve do harrojnë gjuhën shqipe dhe kur harron gjuhen shpejt mund të asimilohesh.Ndoshta mund te pyesni valle çfarë do presin mergimtatet nga qeveri? Si gjithë kombet e tjera bashkëpunim më shtetet ku jetojnë mërgimtaret në hapjen e disa shkollave thjesht për të mësuar gjuhen shqipe .

Cili është roli i emigranteve shqiptare në historine,letersinë, kulturen e kombit shqiptar në vendet ku jetojnë ? Është shumë i.madh dhe në disa raste vendimtar.Diaspora shqiptare është pasqyra e kombit shqiptar në bote ndaj kur këtë pasqyrë  po nuk e mbajtë afer dhe ta pastrosh një ditë nuk ke për të njohur vetveten në zë, ndaj e dashur politike ktheje koken nga diaspora, ndërtoi lidhjet më to sepse një lidhje e forte më diasporen nuk është vetem në interes të emigrantave shqiptarë por në interes te zhvillimin të kombit shqiptar, në inteteres te një qeverisje me te mirë larg korrupsionit qe është një kancer i zhvillimit të një shteti .

Gusht 2013..

Filed Under: Featured Tagged With: dhe emigrantet, Lek Gjika, politika shqiptare

ATHINA ZYRTARE DHE SEGMENTE TË POLITIKËS DHE SHTETIT SHQIPTAR MBAJNË TË NGRIRA MARËDHËNIET SHQIPTARO-GREKE

August 17, 2013 by dgreca

Nga ARTUR VREKAJ, WORCESTER,MA, SHBA/

Politika shoviniste Greke nuk ka të ndaluar. Edhe në ditët e sotme. Një orkestrim i shkëlqyer si nga Athina, ashtu edhe nga segmente politike shqiptare që u ka mbetur qejfi se nuk janë pjesë e qeverisë së re Shqiptare. Më 16 Gusht 2013 në Përmet të Shqipërisë pas një maratone 16 vjeçare të gjyqeve dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ekzekutimin e vendimit për lirimin e objektit të Pallatit të Kulturës Naim Frashëri  që mbahej me forcë prej Kishës Ortodokse të qytetit u bë e mundur në përputhje me rregullsinë ligjore të zbatohej vendimi i formës së prerë. U rihap Pallati i Kulturës. Kuptohet, organet shtetërore shqiptare kanë bërë qorrin dhe shurdhin për kaq vjet edhe për një arsye tjetër, sepse në krye të Kishës Autoqefale Shqiptare është Anastas Janullatos me kombësi Greke i kurorëzuar si kreu i Ortodoksisë jo në kishë, sepse thirrjet  “Noli!, Noli!” , apo Anaksos dhe kënga patriotike “Për mëmëdhenë!” bënë që shpura e Ortodoksisë ta kurorëzonte në hotel Tirana edhe me pëlqimin e Athinës e të Patriarkanës Ekumenike të Stambollit si për fillim përkohësisht, por, ja që na mbeti peshqesh i vërtetë!

Presidenti i atëhershëm Sali Berisha nuk dha ndonjë mesazh pëlqimi.Pra, karrikja e Ortodoksisë u uzurpua prej 21 vjet e ca ditë sot nga Janullatos, një prift me kombësi Greke duke shkelur me të dy këmbët statutin e Kishës Ortodokse Shqiptare  të cilën Fan Noli e bëri realitet themelimin e Kishës Autoqefale Shqiptare dhe ndarjen përfundimisht nga ndikimi i Athinës fetare dhe zyrtare.

Përse Athina zgjodhi Janullatos  më 1991? I vinte keq për shqiptarët e besimit ortodoks? Po ç’ndodhi më pas? Në në të njëjtën kohë, më 1992 Konstantin Micotaqis, Kryeministër i Greqisë i parashtron Tiranës zyrtare (pozitës së djathtë plebishitare më shumë) si kusht ngritjen e varrezave Greke  në Këlcyrë të Përmetit, Ersekë, Korçë dhe Bularat, Gjirokastër me eshtrat e ushtarëve Grekë që ranë në përpjekje me Italianët në Luftën Italo-Greke.

Shqipëria, ndërkohë aspironte të fillonte negociatat me BE. Dhe Tirana zyrtare u nënshtrua para Greqisë dhe firmosi kushtin e Varrezave Greke në Shqipëri për të filluar implementimin e Marrëveshjes së Asocim-Stabilizimit. Marrëveshja në fjalë u nënshkrua nga qeveritë e të dy  vendeve në vitin 2008, kur u vendos që të ngriheshin dy varreza, një në Bularat të Gjirokastrës dhe një në Këlcyrë të Përmetit. Kisha Ortodokse (Janullatosi) do të administronte anën humanitare të varrezave në këto dy vende?!

Bamir Topi, President i atëhershëm firmosi dekretin: “Dekretoj shpalljen e ligjit nr. 10 256, datë 25.03.2010 “Për ratifikimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës Greko – Italiane të viteve 1940 – 1941 dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta brenda territorit të Republikës së Shqipërisë”.

Deputeti Tritan Shehu, i cili, duke ftuar deputetët ta votojnë atë, ka theksuar se me këtë hap shteti shqiptar respekton të rënët në luftë. “Ne nuk duhet të ngatërrojmë gjërat, ndaj duhet të miratojmë marrëveshjen si shenjë respekti ndaj të vrarëve në luftë”, – tha në Kuvendin Popullor, Shehu. Shihni sa bukur!

Marrëveshja kaloi në Kuvendin e Shqipërisë me vetëm 5 vota kundër të deputetëve të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, të cilët e cilësuan të papranueshme “legalizimin” e disa varrezave inekzistuese të një ushtrie pushtuese.” sipas  shkrimit “Skandali i varreve, Greqia pranon ekzistencën e varreve pa identitet”, tek gazeta Kombëtare e datës 25 Janar 2013.

Pra, Kosina e Përmetit dhe konflikti që ajo shkaktoi, kur në maj 2006 u zhvarrosën eshtrat e fëmijëve dhe grave të zonës me pretekstin e gjetjes së varreve të ushtarëve grekë, nuk e ndalën projektin e Athinës për të krijuar varreza ushtarësh në disa vise autoktone shqiptare të Jugut.

Në varrezat e manastirit të Grykës së Këlcyrës, bashkë me eshtrat e ushtarëve Grekë ishte planifikuar edhe vendosja e eshtrave të zhvarrosura në fshatrat e Përmetit. Atje, para se të cilësoheshin zyrtarisht si Varreza Greke me marrëveshje shtetërore, kanë qenë vetëm 36 varre të ushtarëve grekë të vrarë në betejën e malit të Golikut nga trupat e batalionit Italian, “Ujqit e Toskanës”.  Ndërsa sot janë varrosur në manastirin e Këlcyrës  edhe eshtrat e fëmijëve dhe grave shqiptare të Kosinës!! Ndërkaq në marrëveshjen shtetërore shqiptaro-greke u përfshi të varrosej në Shqipëri edhe personeli teknik apo klerikët që shoqëronin ushtrinë Greke gjatë asaj luftës Italo-Greke në tokën shqiptare.

Pas hapjes së pikës kufitare të Kakavijës, kur Karolos Papulias, ishte ministër i Punëve të Jashtme (me origjinë shqiptare nga Voshtina e Çamërisë), sot President i Greqisë e ndali vrapin në vizitën e parë zyrtare  në tokën arbërore tek varret e ushtarëve Grekë në Qafën e Kiçokut në Veri të malit të Trebeshinës. Pra, këtij Papulias i është shpëlarë gjaku i paraardhësve. Edhe Theodhor Pangallos po me origjinë shqiptare po njëlloj të shpëlarë e kishte gjakun përsa i përket Çështje Shqiptare kur kreu detyrën e ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë. Dhe ligji i luftës që është ende në fuqi as që i shqetëson!

Pra, ne Shqiptarët e Shqipërisë të keqen e kemi edhe nga këta funksionarë të lartë Grekë me origjinë shqiptare që kanë patur e kanë jo pak rol në ngrirjen e marëdhënieve shqiptaro-greke edhe sot.

Problemi nuk është kaq i thjeshtë sa duket. Filloi një sulm total i Athinës zyrtare pas 1991. Në vitin 1992 filloi zbatimi në praktikë i MegaEladhës. U krye incidenti i Peshkëpisë dhe filloi një luftë e pamëshirshme diplomatike Greke për lirimin e anëtarëve të OMONIA. Ndërkohë, vërshuan bankat Greke të instalohen në Shqipëri  për të thithur edhe ato pak remitanca që sillnin shqiptarët emigrantë dhe u bënë investime për të marrë lëndë të para nga toka shqiptare. U joshën edhe shqiptarë me pensione Greke nëse deklaroheshin me dokumenta se kishin kombësi Greke.  Filloi kumbarizimi i Shqiptarëve të Greqisë që me dashje  dhe me detyrim i bënë që të ndërronin emrat shqiptarë në Grekë. U hapën shkolla Greke në Korçë dhe në Himarë. U ndihmua e u ngjall OMONIA. Zëvëndësministrat e Jashtëm Grekë apo edhe deputetë nuk janë kursyer të vrapojnë në Himarë sa herë atje kishte zgjedhje vendore a qëndrore apo dhe artificialisht sikundër e ndihu qeveria e djathtë shqiptare njohjen e minoritetit Grek në Himarë. Së fundi, në Gusht 2013, Berisha në Facebook, shkroi për herë të parë se nuk ka patur ndonjëherë minoritet Grek në Himarë.

Klasa politike e Tiranës në këto 23 vjet me firma shtetërore dhe mbështetje totale e ka çuar ujin në mullirin Grek të ringjalljes së fantazmës Vorio-Epirit. Ja praktika e Greqizimit të Shqipërisë së Jugut: Me Varrezat Greke në Këlcyrë dhe Bularat,me Agimin e Artë që erdhi në varrezat e Këlcyrës e provokoi si dhe bëri thirrje për luftë çlirimtare në Himarë , me mitingjet proGreke të  Korçës, me Kryqin e varrezave të Boboshticës, me Himarën artificialisht të incidentuar sa herë edhe me ndihmën e OMONIA, me traktet në Jug të Shqipërisë kur kryeministër ishte Aleksandër Meksi, me ndalimin e shtetasve shqiptarë të lindur në Çamëri për moshyrje në Greqi , me racizmin më të egër të këtij mijëvjeçari në Europë pas Serbit, me nota verbale diplomatike karshi shtetit shqiptar, me vrasje e torturim të shqiptarëve të pafajshëm të Greqisë që u mbahet peng statusi i nënshtetësisë Greke, sepse janë kombësia e Dytë dhe në total me Arvanitët arrijnë deri edhe katër milionë banorë dhe përbëjnë rrezik për prishjen e ekuilibrit artificial nacionalist Grek, me oreksin e aneksimit të Shkëmbit Barketa në detin Jon pa e respektuar kufirin detar sipas shelfit kontinental për interesa gjeoekonomike e politike, etj si këto.

Por ç’është më e keqja qeveria e Berishës u përfshi edhe në skandalin e firmosjes së një marrëveshje për ujrat detare midis Greqisë dhe Shqipërisë. Edhe më herët  në deklaratat publike për mediat, zyrtarë të lartë të shtetit Grek kanë përsëritur apelin drejtuar Shqipërisë për të zbatuar marrëveshjen shqiptaro-greke të 27 prillit 2009 për delimitimin e zonave të firmosur nga ministrat e Jashtëm të atëhershëm, Lulzim Basha dhe Dora Bakojanis. Por me kërkesën e Partisë Socialiste, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e quajti të pavlefshme.

Muajin e kaluar, në korrik 2013, zëvendëskryeministri dhe ministri i jashtëm grek, Evangelos Venizelos ka theksuar, se ratifikimi i marrëveshjes për kufirin detar me Shqipërinë do të jetë një nga prioritetet e ngutshme të diplomacisë Greke. Ja si nënvizon shtetari Grek:

“Me Shqipërinë, prioriteti ynë bazë është të rikthehemi në procesin e ratifikimit dhe sanksionimit të marrëveshjes për zonat detare, pas bllokimit nga gjykata kushtetuese e Shqipërisë, deklaroi  Venizelos para komisionit të politikës së jashtme dhe mbrojtjes së parlamentit Grek.”

Pra, Greqia po i sheh interesat e saj me strategji të largët asimilimi e nënshtrimi të shqiptarëve si komb dhe si truall. Edhe pse i sorollat si Shqiptarët e Greqisë dhe shtetin shqiptar deri sa të realizojë me çdo lloj mënyre qëllimet ekspansioniste dhe shoviniste, edhe hapur, edhe para Brukselit, edhe para Amerikës!

Në të njëjtën kohë  Çështja Çamëria u la pasdore nga klasa politike e Tiranës, që ishte e kapur edhe nga Athina zyrtare për interesa finaciare të oligarkëve të rinj shqiptarë që kanë lidhje tregtare me Greqinë. Turpi më i madh kur udhëhiqnin socialistët , më 2004-ën dhe vitin që shkoi është sjellja antikombëtare e deputetëve shqiptarë për Rezolutën Çame e cila, nuk u botua as në Fletoren Zyrtare dhe as që u diskutua për funksionimin e saj. Pra, me një telefonatë të Athinës, Kuvendi Popullor bashkë me Kryesinë që pretendon se e bënë votimin e Rezolutës Çame nuk bënë zyrtarisht botimin?! Pra, të shitur kokë e këmbë para interesave Greke si të Djathtët dhe të Majtët e politikës shqiptare.

Kështu do edhe Athina, t’ja shtrëngojnë edhe dorën Janullatosit, siç ja shtrënguan për 100-vjetorin e Pavarësisë.Bile, edhe ta dekorojnë siç bëri Bamir Topi me Urdhrin e Flamurit! Sa bukur! Lum shqiptaria për këtë klasë politike që ka sot Shqipëria që është shfaqur më së shumti si shërbëtore e Athinës.

Të vimë tek zbatimi i ligjit për lirimin e objektit të Pallatit të Kulturës Naim Frashëri në Përmet më 16 Gusht 2013. Si ka mundësi që Janullatosi heshti? Pse? Nuk është aq budalla Janullatos! Bile, Greqia zyrtare thotë se u bë pa miratimin e qeverisë shqiptare! Po a nuk është kjo ndërhyrje  e pastër e Greqisë në punët e brendshme të një shteti sovran si Shqipëria? Si nuk u ndje Ministria e Jashtme Greke dhe Presidenti Grek Papulias me origjinë shqiptare kur bashkëkombasi i tij, anëtar i Agimit të Artë bëri thirrje për luftë çlirimtare në Himarë? Si ka mundësi? Po Brukseli a trupi diplomatik a ka dijeni për këtë ngjarje?

Pra, pse ka kaq shqetësim Athina? Kur nuk lejohen fëmijët shqiptarë të kalojnë në Greqi edhe pse kanë lindur në Greqi?

Përkujdesja e qeverisë Greke dhe heshtja e Janullatos janë kalkuluar mirë, që Janullatos të mos njolloset se e kemi dekoruar me Urdhrin e Flamurit Kombëtar, të atij flamuri gjigant që u shpalos në Këlcyrë më 27 Tetor 2012 para Agimit të Artë si dhe flamurit që u rivendos tek Pallati i Kulturës Naim Frashëri në Përmet.

Është kaq delikate marrëdhënia Greko-Shqiptare sepse më shumë zjarrin e shtyjnë Grekët e Athinës, por edhe shërbëtori i tyre Janullatos që josh segemente të politikës shqiptare me kryqin e legjionarëve të shenjtë që erdhën nga burgjet e Kretës dhe dogjën e plaçkitën 300 fshatra shqiptare e therrën shqiptarët e pafaj në Grabockë të Korçës, në Peshtan dhe Hormovë  të Tepelenës, në Kuqar dhe Kosinë të Përmetit, në Delvinë etj njëqind vjet më parë në Shqipërinë e Jugut me masakrat Greke në emër të fantazmës Vorio-Epir.

Ka një heshtje varri nga Tirana zyrtare sa herë që në truallin tonë shqiptar ç’varrosen eshtra shqiptare si në Kosinë apo përdhosen varre si në Boboshticë, ka shkelje të hapura të sovranitetit me thirrje në tokën shqiptare apo dhe në mes të Athinës me këngë antishqiptare!

Pra, kjo është Greqia e përkëdhelura e Europës që na keqtrajton si më 1913-1914? Pse çdoni ju shtetarë shqiptarë të bëjnë më shumë se kaq? Ëndrrën e tyre? Me tjetërsim harte në favor të tyre?

A nuk e shikoni se ujrat edhe ngrohen e zbuten nga Janullatos apo nga interesat e ndyra financiare të shtetarëve Grekë që rropën tokën shqiptare, pasurinë tonë kombëtare e deri sovranitetin me varreza Greke në kufijtë e Epirit të Vjetër që është tokë shqiptarësh si dhe Çamëria e përdjegur dhe e përndjekur!

Prandaj, zotërinj shtetarë  Grekë nuk mban më kurrizi i Shqiptarëve të Greqisë, i tokës shqiptare nën sovranitetin e Republikës së Shqipërisë  që varret sipas oreksit Tuaj dhe merr po bekimin Tuaj me Janullatosin e kompani.

Qeveria e re socialiste shqiptare, e cila është pasardhëse e problemeve që krijoi Berisha dhe Nano apo edhe shtetarëve të tjerë të të dy palëve  Greke e Shqiptare duhet së pari të jetë me vetëdije kombëtare për të ngritur me forcë problemin e Çamërisë, të statusit të Shqiptarëve të Greqisë si dhe të shkuljes  dhe shpënguljes së Varrezave Greke në BE dhe OKB duke i kërkuar falje edhe popullit shqiptar për këto pamendësi kombëtare.

Të shpresojmë që deputetët shqiptarë të rinj dhe të ricikluar ish-komunistë dhe pak demokratë do shfaqen si kombëtarë të vërtetë! Se Greqia nuk ka turp edhe pse e dimë ç’lojë shovinizmi bën edhe kur na buzëqesh në Athinë apo në Bruksel.

Filed Under: Analiza, Sociale Tagged With: dhe shtetit shqiptar, greko-shqiptare, ngrijne marrdheniet, Segmente te politikes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5259
  • 5260
  • 5261
  • 5262
  • 5263
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT