• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova në Kanë me filmin Luaneshat e Kodrës

June 9, 2021 by dgreca

Diku në një fshat të vogël në Kosovë, tri të reja shohin se si ëndrrat dhe ambiciet e tyre po u mbyten. Kërkimin e tyre për pavarësi asgjë nuk mund ndalojë: ka ardhur koha për luaneshat të ulërojnë. Ky është rrugëtimi që na e sjellë Luàna Bajrami përmes filmit të parë të saj. ‘Luaneshat e Kodrës’, do të jetë filmi i parë i gjatë kosovar që do ta shfaqë premierën në festivalin më të rëndësishëm të filmit në botë, atë të Kanës. 

“Unë jam rritur me kombësi të dyfishtë franceze-kosovare, kështu që është një nder për mua ta sjell këtë film kosovar në Festivalin e Kanës në Francë.

Jam shumë e gëzuar për njohjen dhe entuziazmin që veç i është dhënë filmit. Sidomos pasi që është filmi im i parë me metrazh të gjatë që merret me tema që janë shumë të rëndësishme për mua: rinia dhe dëshira e rinisë për liri.” u shpreh Luana, regjisorja e filmit.

‘Luaneshat e Kodrës’ është bashkëprodhim i Kosovës me Francën, me producente Valbona Rrahmanin, dhe bashkëproducent Pascal Judelewicz. 

Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe prodhuar nga OrëZanë Films (Kosovë), Vents Contraires (Francë), dhe Acajou Productions (Francë).

Në rrolet kryesore luajnë Flaka Latifi, Uratë Shabani, Era Balaj, Andi Bajgora, dhe Luàna Bajrami. Premiera do të shfaqet në kuadër të programit Director’s Fortnight të Festivalit të Kanës.

Filed Under: Featured Tagged With: Filmi "Luaneshat", ne KANE

DREJTËSIA, GUR I VARUR NË QAFËN E KRYEMINISTRIT

June 9, 2021 by dgreca

Nga PIRRO LOLI/Edi Ramës i është prishur qetësia. Në fillim nga dehja e fitores pastaj nga frika; Ka filluar të trembet nga  fitorja e zgjedhjeve. Dhe sikur i ka ikur zëri; nuk  flet më duke u çjerrë, e bërtitur me duar e këmbë e me ato gjeste aktoreske provuar në pasqyrë. Edhe ata të dashurit e tij, banditë, ishër, drogaxhinj, oligartësh e simpatizatësh që i serviloseshin më parë po i duken të frikshëm, “harroje Skëndërbeun e asaj zonjëzës, që i falej me temena; (Dikush i tha, laj gojën, “Skendërbeu nuk ishte hajdut); frikë i vjen dhe nga Lali Eri dhe nga Tao Tao-ja që imitojnë atë  dhe në lëvizjet dhe në tonet e fjalorit të tij. Nuk e donte me kaq muzikë këtë fitore që akoma pa dhënë rezultatet e mori vesh bota mbarë si masakër zgjedhore. Propaganda mashtruese i ka këputur frenat dhe nuk ngjit më. Ajo drejtësia e tij po katandiset si thes i shpuar e sherri kërkon sherr

***

Pika më strategjike e programit të tij (pa program) është reforma në drejtësi. Dhe, ua tha shqip me sinqeritet, “ Doni drejtësi të pavarur, votoni mua, votoni numurin 12., 12 , mos harroni”. Doni të shpëtoni nga virusi pandemik, votoni mua, numurin 12, mos harroni…Ja, ata votuan e ne fituam, po tani? Me sa duket drejtësia është thembra e Akilit për qeverisjen oligarkike të  Rilindjes  dhe nuk e kupton  i ngrati se “sukseset” e qeverisjes së tij tetë vjeçare, varur në qafë si varëse zbukurimesh, po bëhet gjithnjë e më tepër gur i rëndë…Ndryshimet me pikatore , në drejtësi, një sot e një mot,  më përziejnë zorrët..

***

Nuk harrohet. Sapo mori pushtetin, që në vjeshtën e vitit 2013, Edi Rama nisi sulmet ndaj pushtetit gjyqësor dhe sidomos ndaj Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që , për hir të së vërtetës. ishte i tej mbushur me  gjykatës e prokurorë të korruptuar. Duhet të pranojmë që drejtësia drejtohej nga politika dhe se politikanët ( peshqit e mëdhenj)mbeteshin gjithmonë të pa prekur. Të gjitha rotacionet, hiq e mos këput, synonin ta kishin drejtësinë me vete, ose nën vete. Kjo bënte që sistemi demokratik të mbetej i plagosur, i pa balancuar mbërthyer në një tranzicion të gjatë. Degradimi i drejtësisë kishte ardhur galopant në të gjithë strukturën sidomos pas vitit 1997, ku rrugaçëria e shoqërisë shqiptare me shumicë majtist-o-komuniste, nën stimulimin serbo grek, dhunshëm diktonte ligjin dhe veprimin. Rrëmbehej kirurgu nga operacioni, mësuesja nga klasa, kasaforta nga banka; kujtojmë shembullin më ekstrem e aq të  rrezikshëm kur, kryetari i gjykatës kushtetuese R. Gjata u nxorr forcërisht nga zyra dhe në vend të tij u emërua Fehmi Abdiu, xhelati i fundit i komunizmit që dënoi me varje poetin Havzi Nela.. 

Rama na dolli “më i suksesshmi”. Ky synonte që të bënte gjithçka me drejtësinë por, rreptësisht, djallëzisht e kategorikisht të mos prekej ai dhe rrethi tij i ngushtë, rilindasit, soristët, ministrat  dhe oligartët e zgjedhur të tij, që arritën deri në Parlament, e me luftën e ashpër të opozitës dhe të opinionit ndërkombëtar, u arrit të aprovohej ligji anti korrupsion, që rrëzoi rreth 20 deputetë të tij hajdutë.  Nën sqetullat e forumeve të drejtësisë ai arriti të aprovonte disa ligje sipas qejfit dhe interesit gjoja në emër të reformës dhe arriti ta lërë Republikën  pa drejtësi funksionale. Djalli i dinte të tëra djallëzitë. Por koha po bënte të vetën. Dhe djalli nuk qëndronte dot u pazbuluar.  Pas gërr-gameve të  vazhdueshme të një propagande mashtruese, ai shkarkoi dy anëtarë të Këshillit të Lartë, (L. Lelczajn Dhe të riun E . Çefa) dhe i zëvendësoi me dy dy socialistë ( V. Kosta dhe S. Çomo).  Me këtë zëvendësim që duket kaq i thjeshtë,  E. Rama mori ( votën pro tij), kontrollin mbi KLD-në. Kjo manovër do të bënte të pa mundur akuzat ndaj oligartëve dhe të gjitha akteve korruptive të Rilindjes me në krye kryerilindasin ose kryeministrin sorist. KLD-a e korruptuar do  emëronte  dhe do shkarkonte  çdo gjyqtar që mund të rrezikojë dikë nga administrata e lartë shtetërore. Milionerët punonin të qetë për të ngritur kulla dhe paraja pastrohet lirisht. Akti arbitrar “ala Ramë”, goditi thelbin e çdo vendimi të gjykatave me anë të votës,  akt që flet  qartë për një uzurpim pushteti me diktat shtetëror. Ky kurth që iu  ngrit drejtësisë,  tërhoqi mendimin  Gjykatës Kushtetuese, që e quajti vendim anti kushtetues, megjithatë ndryshimi i anëtarëve nuk u bë. Pikësynimi i Ramës në drejtësi synonte dhe synon djallëzisht të bëhej diçka, sa me i dëgjue paksa ndërkombëtarët, aqë, ashtu sa me ly buzët me buzkuq por,  në asnjë mënyrë kjo drejtësi të mos i drejtonte sytë lart nga oligarkia qeveritare. Pas këtij akti u kuptua manovra trashanike e kryeministrit; u fol hapur për dështim të tij por  ai po përgatiste një kurth tjetër më djallëzor. ( Edhe nën hijen e ndihmës vllazërore të ndërkombëtarëve). Diçka të bëhet, mishi të piqet e helli të mos digjet; le të kapej ndonjë cironkë, t’u zihej ndonjë sy të huajve dhe ndonjë fakiri më tej, që nuk mbrohej dot e me këtë funksiononte  dhe propaganda e, do s’do,  të kënaqte dhe aleatët e jashtëm sidomos ata amerikanë me promotor Ambasadën Amerikane. Duke pasur një shumicë votash në Kuvend, mendja  e tij fabrikoi një ligj ku do ngrihej një Byro Kombëtare (një farë “FBI” shqiptare) me kompetenca hetimore  mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin që po bëheshin dukuri të frikshme. Djalli po vepronte hapur. Në sy të të gjithë të huajve.  Çudia do vazhdonte më tej. E pabesueshme: Kjo farë FBI-je “made in Ramë”, do drejtohej nga Ministria e Brendshme,  nga ministri i brendshëm Sajmir Tahiri, më i suksesshmi i të gjitha pushtetarëve që s’mbahen mend,  Kjo, jo vetëm që ngjante më tepër si gestapo ligjore ku, më i suksesshmi i qeverisë sipas Ramës,  Sajmir Tahiri, me dhjetëra e qindra oficerë policie në shërbim të tij dhe të korrupsionit  e mbushën dhe e mbrojtën Shqipërinë me drogë. (Dhe çudia nuk përmendet më, emri i tij i bllokon fytin kryeministrit. Në sukseset e Ramës, S. Tahiri, që në atë kohë kishte marrë superxhiro, gjoja në ballë të luftës së qeverisë kundër krimit dhe korrupsionit, aktualisht po gjykohet nga  gjykatësit dhe policisë së tij të dashur. FB-në shqiptare  e zuri covidi 19, që ka një të keqe që nuk e njeh atë që sulmon.) Ligji u miratua nga kufomat e PS-së, nën duartrokitjet e “Rilindjes” – ala tao-la-ntësh  e  spiro-palësh- Por dhe ky “sukses” kaq flagrant,  nuk u pranua nga Gjykata Kushtetuese. Dështimi i dytë me emra të mëdhenj si në Amerikë e bëri Ramën të hidhte sytë më lart…Pse jo, ai kishte arrën dhe gurin, dhe paranë dhe kartonët e Kuvendit dhe deputetët e ardhur nga ferrat, ata që kishin mbetur nga mbetjet e mbetjeve, por vlera e kartonëve ishte e njëjtë. Sipas tij “duhej bërë” Reforma në Drejtësi, që kish kohë që kërkohej edhe nga faktori ndërkombëtar. Dhe menjëherë do ngrihej një grup me emrin “ekspertë të nivelit të lartë” U emëruan në të elementë , që kishin qenë hetues, gjyqtarë apo prokurorë, që vinin nga regjimi komunist dhe nga Sigurimi i Shtetit. Këta “ekspertë” do të hartonin një projekt për të reformuar  tërë sistemin shqiptar të drejtësisë. Nuk u mor vesh pse u quajtën ekspertë, por të gjithë u zgjodhën nga  fidanishtja e plakur e PS-së. Kokërr më kokërr.   Për çudi, ndoshta dhe nga mos njohja, kjo reformë mori mbështetjen morale  edhe financiare me fonde të mëdha nga SHBA. Faktori ndërkombëtar kish kohë që kish kërkuar të merrte fund krimi, korrupsioni sidomos pa ndëshkueshmëria ndaj administratës së  lartë shtetërore, në veçanti  për peshqit e mëdhenj. Por peshqit e mëdhenj notojnë në ujra të thella dhe nuk bien në rjeta. Krijohej përshtypja se Edi Rama ishte aktori dhe autori që po realizonte reformën në drejtësi.  Dhe medaljet i vareshin atij në qafë. Atij vetë i dukej se çdo hap ( lexo çdo kurth) drejt reformës ishte si një meritë personale.  Për këtë flisnin veçanërisht televizorët e uzurpuar nga ai. Siç dihet , propaganda artificiale tek ne është ushqim i përditshëm sepse të gjitha valët televizive kryeministri ia ka dhënë bandave që lëvizin paranë e madhe. ( Ai reciton vazhdimisht nga TV e tij personale (ER-TV) Dhe iso i mbajnë gazetat e analistët servilë e pseudo intelektualë interesaxhinj duke krijuar një  situatë kundërshtish thelbësore midis opozitës dhe pushtetit. Domosdoshmërinë për një reformë të vërtetë në drejtësi e shfrytëzoi edhe fondacioni Soros, duke hedhur gurë e duke fshehur dorën. Sorosi e kish gjetur drejtësinë shqiptare  në krizë  dhe kish kohë që kish rrëmbyer të gjithë mbeturinat e sistemit komunist, ish oficerë të sigurimit,  intelektualë të ndryshëm të çdo sektori me prirje të majta  dhe me ndërhyrje në organika të shumta kuadri, një për një, me premtime e me para, pro komunistë e enveristë, duke u  ofruar punë e roga qyli  kudo në shoqërinë tonë që, gjithsesi influenconte në një njëanshmëri aspak demokratike. Të gjitha mund të ndryshojnë  Shqipërinë mono partiake tani, por çdo veprim në drejtësi do bëhej nën ndikimin e mikut të Sorosit, E. Ramës,  për ta ruajtur atë dhe oligartët rreth tij, brenda dhe jashtë vendit.  Dua të besoj se ndërhyrjet tinëzare të fondacionit Soros, nuk janë të njëjta me ato të SHBA. Po kështu duket se këto ndërhyrje nga jashtë janë të ndryshme nga dëshirat dhe ndërhyrjet e  kryeministrit  Rama për  reformën në drejtësi. Opinioni shqiptar ka besim të patundur në mbështetjen amerikane e financiare pavarësisht se, aty këtu, ka mos përkime e qëndrime të ndryshme aspak në përputhje me mendimet parimore të opozitës, që u detyrua të braktiste Kuvendin më mirë, se sa të katandisej në bishtin e të ashtuquajturës Rilindje.  Kujtojmë rastin e emërimit të kryeprokurores A. Marku në kundërshtim flagrant me kushtetutën dhe, jo vetëm që nuk lëvizi kundër krimit dhe korrupsionit,  por u bë mburojë për mos dënimin e krimeve qeveritare. Askush nga miqtë ndërkombëtarë nuk nxorri zë; po kështu absurde tingëlloi së fundi dekorimi i   A. Dovranit nga departamenti i shtetit – që ishte pushuar me motivacione bindëse nga organet e drejtësisë, mbeten të pa shpjegueshme as nga ambasada amerikane.(!) Në sy të opinionit vendas , por dhe të huaj, kur direkt e kur indirekt, po përkëdhelej Edi Rama që , siç thamë më lart, po siguronte kontrollin  mbi sistemin e drejtësisë dhe arriti gati për tre vjet, ta zeroi e ta nxjerrë plotësisht jashtë sistemit krejt Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, akt ky i pa precedentë në çdo shtet dhe në organet e drejtësisë. Ritmet e reformës në drejtësi po ecin me hapat e breshkës dhe sigurisht që nuk mund të jetë nën  kontroll të plotë të Ramës; me ne po eksperimentohet një drejtësi e  njollosur që nuk mund të luftojë krimin dhe korrupsionin me oligartë e drogaxhinj që kanë  uzurpuar krejt rrethin e Kryeministrit. Por, nuk mban më ujë pilafi.  Edi Rama, sidoqë të vërtitet nuk i shmanget dot përgjegjësisë së tij në çdo pseudo reformë që ka ndërmarrë në këto tetë vjet të drejtimit të tij. Vetingu , vërtet selektiv e tmerrësisht i zvarritur nuk godet  kokat e korruptuara të politikës dhe të korrupsionit galopant. Reformat ala Ramë, mbulohen me mjegull, kot kërkohet transparencë , gjarpri nuk i tregon këmbët…por thuhet se shpresa vdes e fundit…  Skenat nuk mund t’i mbulojë gjithmonë mjegulla… Dikush , brenda apo jashtë vendit, që dëshiron të bëjë dhe rolin e guvernatorit në Tiranë  edhe mund të krekoset se diçka po lëviz, por me sa duket dilemat nuk do na ndahen;  e pranuam nusen e virgjër në dasmë, ngritëm dhe dolli,  edhe pse e dimë se, e mirë dhe e virgjër është nusja, por është pak shtatzënë. Reformat në Vendin tonë janë përmbytur nga oligarkët Rilindjes. Shqipëria po lëngon pa Gjykatë Kushtetuese e Gjykatë të Lartë funksionale. Kemi arritur në këtë pikë,  kur kryeministri ynë,  edhe po të dojë të dorëhiqet, nuk e lënë milionerët e kriminelët. Se vjen një kohë që mafja ha vetveten, e ata zinxhirrët “e meritave”  të varura në qafën e Ramës po kthehen në gurë të rëndë. 

***

Zgjedhjet mbaruan u manipuluan dhe u fituan nga Rama,  por masakra zgjedhore nuk mund të fshihet. Sherri vërtitet në të gjitha instancat e (pa)drejtësisë dhe tani radhën e ka opozita idealiste që, keq t’i njohë e keq të mos i njohë zgjedhjet pa zgjidhje. Drejtësia dhe ligjshmëria e zgjedhjeve mbetet përgjegjëse e  masakrës zgjedhore e demokracia jonë përsëri po zhytet në një tranzicion më problematik. Dielli nuk mbulohet me shoshë. I gjithë sistemi i drejtësisë është mbuluar me një propagandë të dendur mashtruese.  Faktet janë kokëforta e flasin vetë. Shqipëria ka pesë vjet që në të gjitha nivelet  sistemi i drejtësisë nuk funksionon. Unë po shpreh mendimin tim se faktori ndërkombëtar ose nuk e njeh gjendjen, ose bën sikur, a më keq akoma, i mban iso një kryeministri që ju duhet atyre dhe që rrënjët i ka te istikamet e Sorosit. Shembujt janë alarmante: Gjykata e Posaçme Apelit Kundër Krimit Korrupsionit dhe Krimit te Organizuar aktualisht ka 4 anëtarë nga 11, Gjykata e Posaçme e Shkallës se Parë Kundër Krimit, Korrupsionit dhe Krimit te Organizuar, aktualisht ka 6 anëtar nga 16, Gjykata Kushtetuese ka vetëm 6 anëtarë të zgjedhur nga 9 që duhet te kishte. Gjykata e Lartë sot ka 7 gjyqtarë nga 19 që duhet të kishte. Në këtë gjykatë çështjet e mbartura vijojnë të jenë mbi 30 000 mijë dhe që datojnë prej vitit 2016.. Gjykata e Apelit Administrativ sot ka 8 gjyqtarë, nga 13 që duhet të kishte sipas organikës. Sipas ligjit, shqyrtimi në Gjykatën Administrative duhet të përfundojë 30 ditë pas administrimit të ankimit.. Gjykata e Apelit Tiranë sot ka vetëm 9 gjyqtarë, nga 31 që duhet të kishte. Edhe në këtë Gjykatë shqyrtohen çështje me vite vonesë (2016) dhe ka shumë probleme me formimin e trupave gjyqësore. Ka 14 000 dosje që presin gjykimin. Gjykatat e Apeleve në Rrethe funksionojnë me numër gjyqtarësh më shumë se të përgjysmuar. Ka Gjykata që nuk formojnë as një trup gjyqësore me 3 anëtarë, ndërkohë që në Gjykatat e Rretheve përditë reduktohet numri i gjyqtarëve për shkak të procesit veting. Edhe në Gjykatat e rretheve ka vonesa masive, me vite, në shqyrtimin e çështjeve. E kur kryeministri duhet të vinte kujën për këtë gjendje, guxon e thotë …”Reforma në drejtësi në Shqipëri është e pashembullt…” Kjo gjendje të kujton atë djalin nga fshati gjysmë budalla që nuk e pranonin në fshat dhe ai kërkonte vajzën e priftit për nuse…

 Asnjë analize objektive nuk ka për këtë situate kritike. Asnjë kritikë brenda sistemit. Parlamenti hesht i kënaqur. Ndërkohë, deformimi është shumë i rëndë vonesat janë skandaloze dhe askush nuk mban përgjegjësi. Këto mangësi strukturore dhe funksionale askush nuk mund t’i mohojë. As shqip. As anglisht…

Filed Under: Opinion Tagged With: Dguri ne qafen e Rames, Drejtesia, Pirro Loli

PRESIDENTI META DEKORON ANSAMBLIN”DIBRA”, PARLAMENTI I RAMES E SHKARKON…

June 9, 2021 by dgreca

Presidenti Meta dekoron Ansamblin Folklorik të Dibrës “Hazis Ndreu” me Titullin “Naim Frashëri”: Rol të pazëvendësueshëm për transmetimin e vlerave dhe traditave kulturore kombëtare tek brezat e rinj/

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vlerësoi me Titullin “Naim Frashëri” Ansamblin Folklorik të Dibrës “Hazis Ndreu”, me motivacionin: “Për veprimtarinë e shquar në mbartjen, ruajtjen dhe përsosjen e traditave, folklorit dhe trashëgimisë së çmuar etnokulturore të trevës së Dibrës. Me mirënjohje për përkushtimin, shpirtin artistik dhe talentin që ka shpalosur në skenat shqiptare dhe të huaja këngët dhe vallet tradicionale, veshjet koreografike si dhe meloditë e pasura burimore të shumë brezave dibranë.”.

Po ashtu, Kreu i Shtetit dekoroi presidentin e Ansamblit dibran me Titullin “Mjeshtër i Madh”, zotin Muharrem Gjoka, me motivacionin: “Në vlerësim të veprimtarisë dhe mbështetjes së shumanshme në lartësimin kulturës kombëtare, vlerave atdhetare, folklorit dhe muzikës popullore shqiptare, veçanërisht asaj dibrane, si dhe të kontributit të veçantë në zhvillimin dhe përparimin e vendit.”;

si dhe koreografin e shquar Avni Ndreu “Me mirënjohje për kontributin e spikatur në krijimin dhe drejtimin artistik të ansamblit ‘Hazis Ndreu’. Në vlerësim të talentit krijues e interpretues si dhe veprimtarisë së shumanshme organizative, me të cilat i ka shërbyer lartësimit të folklorit, etnografisë, valleve dhe kulturës popullore shqiptare dhe veçanërisht, asaj dibrane.”

Në fjalën e Tij përshëndetëse Presidenti Meta u shpreh:

“Po bëhet gati një vit, që nga festa e bukur e Kuvendit në Zall-Dardhë të Dibrës, në atë atmosferë të jashtëzakonshme që përjetuam, ku pata kënaqësinë të shikoja më nga afër, talentin e jashtëzakonshëm, por edhe masivitetin e pabesueshëm të gjithë atyre vajzave dhe djemve, burrave dhe grave të talentuar, në atë amfiteatër natyror, buzë lumit Drin.

Edhe pse vlerësuam shumë figura dhe personalitete të shquara të artit dibran, ende i mbetemi shumë borxh kësaj treve që prodhon art të jashtëzakonshëm dhe e promovon atë me shumë pasion kudo, në skenat lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare.

Të nderosh artin dhe njerëzit, që e krijojnë atë, që kontribuojnë kaq shumë, është jo vetëm një detyrë, por edhe një kënaqësi e veçantë. Folklorin, këngën dhe vallen, Dibra i ka në genet e saj, siç ka patriotizmin dhe besnikërinë ndaj Atdheut.

I ka ato si një pasuri të patundshme, ku dallon tradita e një vendi, djep të artit, siç është Zall-Dardha, që ka nxjerrë plejada të shumta artistësh.

Në Dardhë dhe në Dibër, mbetet i papërsëritshmi ‘Nderi i Kombit’, Hazis Ndreu, emri i të cilit është gdhendur edhe sot, jo vetëm në kujtesën e secilit prej nesh, por edhe në ansamblin artistik që mban emrin e tij të madh dhe që drejtohet nga i biri, një krijues shumë i talentuar dhe koreograf i përmasave kombëtare, si Avni Ndreu.

Avni Ndreu është nderi i kulturës dibrane dhe qytetar nderi i Dibrës prej shumë dekadash në krye të këtij ansambli, duke mbajtur gjallë dhe duke transmetuar sidomos tek brezat më të rinj, cilësi dhe vlera artistike të shumta.

Talenti i tij si koreograf, valltar e poet si dhe aftësitë e tij artistike organizuese i kanë dhënë ansamblit ‘Hazis Ndreu’ një emër të madh në botën e kulturës shqiptare dhe përtej saj, duke përfaqësuar denjësisht vendin tonë.

Të nderuar miq, prej vitesh pranë këtij grupimi artistik, si një dorë e ngrohtë, inkurajuese dhe mbështetëse, është një tjetër emër, i cili e nisi jetën e tij artistike si një talent i skenës dhe i valles dibrane dhe sot është president i këtij ansambli, ish-valltari virtuoz, një burrë Dardhe dhe Dibre, i vlerësuar edhe me Titullin ‘Nderi i Qarkut Dibër’, zoti Muharrem Gjoka.

Roli i tij është i padiskutueshëm si artist dhe si njeri me zemër të madhe, me një kontribut më shumë se 50-vjeçar, duke gëzuar respektin e merituar në shoqëri, edhe si një humanist.

Sot ne dekorojmë edhe vetë ansamblin me emrin e pavdekshëm ‘Hazis Ndreu’, këtë grupim artistësh të talentuar, që ka lënë kaq shumë gjurmë dhe ka fituar kaq shumë çmime brenda dhe jashtë vendit.

Më lejoni t’ju uroj për këtë ditë të veçantë në jetën tuaj, por edhe t’ju përgëzoj për atë rol të pazëvendësueshëm që keni luajtur dhe vazhdoni ta bëni, si përçues dhe frymëzues për brezat e sotëm dhe për ata që do të vijnë!

Arti mbi të gjitha është pasion dhe mision, të cilin ju e keni kryer me shumë përkushtim dhe me shumë atdhedashuri!

Ju uroj krijimtari të pafundme dhe përfaqësim sa më dinjitoz, kudo si gjithmonë!”

***

Dekorimi ndodhi sot, e Merkure 9 qershor 2021, kur Parlamenti me opozite te emeruar nga mazhoranca e shkarkoi Presidentin me 104 vota pro, 7 kunder, 3 abstenime.

Reagimi I Presidentit ishte me nje vidio ironizuese, ku deputeti i pensionisteve.

Teksti shoqerues per vidion nga presidenti ishte i shkurter :Të dashur miq, ju uroj një pasdite të qetë, relaksuese dhe të qeshur duke ju përshëndetur të gjithëve me këtë thënie frymëzuese!

VIDEO/ U shpreh pro shkarkimit të Presidentit, gafa e deputetit të opozitës, Jenishehri: Do i dalim zot nipërve dhe mbesave tonë pensionistëShpesh herë deputeti i opozitës, Selami Jenishehri është komentuar për deklaratat e tij, të cilat kanë bërë xhiro në rrjetin social. I tillë është dhe fjalimi i sotëm që deputeti ka bërë në foltoren e Kuvendit, ku po votohet për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Jenishehri teksa…

Filed Under: Featured Tagged With: ansambli Dibra, dekorimi, Presidenti Meta

RËNIA E LIDHJES SË PRIZRENIT, BETEJA E SHTIMLJES DHE E SLILOVËS

June 9, 2021 by dgreca

Nga Gezim ZILJA/

Kush të ket’ nji fyshek’ me m’dhanë

I ap tokën anembanë!

I ap tok’ i ap shpi

I fal bjeshk’ i fal vërri!

RËNIA E LIDHJES SË PRIZRENIT

BETEJA E SHTIMLJES DHE E SLILOVËS

Dimër 1880 – Vjeshtë 1881

Menjëherë pas dorëzimit të Ulqinit më 26 dhjetor 1880, Dervish Pasha iu turr egërsisht degës së “Lidhjes” në Shkodër, duke arritur ta shpërndante dhe të vendoste administratën turke kudo. Arrestohen pabesisht dhe internohen ne Anadoll, Hodo Sokoli e Preng Bib Doda. Daut Boriçi internohet në Stamboll. Në fund të dhjetorit Dervish Pasha, i kërkon Portës së Lartë 40 batalione për shtypjen përfundimtare të “Lidhjes Shqiptare” në të gjitha trojet shqiptare veçanërisht në Veriun e Shqipërisë. Gjysmën e këtyre batalioneve do ta mbante në Shkodër dhe gjysmën në Shkup. Të ndodhur në këtë situatë në Kosovë filluan veprimet e armatosura fillimisht nga banorët e Prizrenit, të cilët dëbuan administratën turke. Njëkohësisht ajo u dëbua nga, Gjakova, Luma, Gucia, Kumanova e Tetova.  Në fund të dhjetorit u riorganizua “Komiteti Kombëtar i Lidhjes” ku mbeti shumica e anëtarëve të mëparshëm, që ishin dhe themeluesit e “Lidhjes”si Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, Shuaip Spahiu, Ali Ibra, etj. 

Dhjetë ditshin e dytë të janarit 1881, u mblodh “Kuvendi i Jashtëzakonshëm i Lidhjes” ku kërkohej një shtet autonom shqiptar. Nëse nuk do të njihej nga Stambolli, do të vazhdonte kryengritjen e armatosur. Komiteti Kombëtar shpalli Qeverinë e Përkohëshme me kryetar Ymer Prizrenin e nënkryetar Shuaip Spahiun me dhjetë anëtarë, midis të cilëve Abdyl Frashëri i ngarkuar me punët e jashtme dhe Sylejman Vokshi i ngarkuar me punët ushtarake. Në  janar 1881 kryengritësit e “Lidhjes” shtinë në dorë Shkupin, e më vonë Prishtinën e Mitrovicën. Në fund të shkurtit Qeveria e Përkohëshme u shtri në Pejë, Tetovë, Vuçiternë, Tetovë, Gostivar e Dibër dhe vendosi pushtetin e saj në pesë sanxhakët e Kosovës, Prizrenit, Pejës, Shkupit e Prishtinës. Ajo synonte ta shtrinte kryengritjen në vilajetin e Shkodrës, të Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut. Në një letër që Sami Frashëri i dërgonte më 20 shkurt 1881 Jeronim De Radës midis të tjerash theksonte: “Lidhja shqiptare e Prizrenit mori emrin e Kuvernës së Përdorme (Qeverisë së Përkohshme) dhe përzuri kuvernatorët turq nga gjithë vilajeti i Kosovës edhe nga Prizreni, nga Gjakova, Dibra, Tetova e 10.000 shqiptarë të armatosur kanë zënë Shkupnë dhe udhën e hekurt. 10.000 të tjerë po bëhen gati për t’u unjur në Toskëri. Për pak kohë do të dëgjoni një ngritje (kryengritje) të madhe në Shqipëri… Në u bëftë Shqipëria më vete nuk do të kemi nevojë për princër, as të krishterë e as muhamendanë, që të na rrjepnë e të na pijnë gjaknë. …” 

Konsulli austro-hungarez nga Shkodra shkruante: “Edhe nëpunësit më të vegjël janë caktuar nga “Lidhja.” Gjyqtar është një qytetar i Prizrenit. Taksat që nxirren nga popullsia derdhen në llogari të “Lidhjes”; nëpunësit i marrin rrogat rregullisht. “Lidhja” ka kujdes mbajtjen e rendit në qytet dhe në fshat. Sigurimi publik tani është shumë më në rregull seç ishte në kohën e administartës turke…”

Shtatë gjeneralë nën komandën e Dervish Pashës me 15 batalione, me 15.000 ushtarë të armatosur rëndë dhe të paisur me artileri të fuqishme (veç 15.000 që ndodheshin në Shqipëri) u ngarkuan të shtypnin autonomistët shqiptarë. 

Dervish Pasha i’ faqezi,

Kenka nis për Rumeli,

Prej Stambollit me vaporre,

Me ushtri, me shtatë taborre. 

Ushtria e Dervish pashës, zbarkoi në Selanik dhe prej këndej u nis për në Shkodër e Kosovë. Tre vargjet e mëposhtëme japin zbarkimin e ushtarëve turq dhe paralajmërojnë mënxyrën, që ata do të sillnin:

Shumë asqer po qet’  pamporri

Tan po i qet’ ma zi se korbi,

Si me qen asqer moskovit.

Menjëherë Dervish Pasha drejtohet kundër krerëve të kryengritjes, duke shprehur qartë porosinë e Portës së Lartë:

Dervish Pasha prej Stamolli:

Ku i ka çadrat Mic Sokoli?

Ku i ka çadrat, ku i ka t’part?

M’ka çu mreti me ia çart…

Dhe më tej sqaron arsyet e shtypjes së kryengritjes:

Shah’ ndër veti do me kanë ,

kurrgja mretit mos me i dhanë,

As redif’ e as nizamë.

Tashmë shqiptarët kanë tre vjet, që bëjnë luftë, në Gjakovë, Tivar, Ulqin, Plavë e Guci, Hotë e Grudë, duke kundërshtuar vendimet e Fuqive të Mëdha dhe të Turqisë për copëtimin e trojeve të tyre. Këtë herë lufa do të jetë edhe më e përgjakshme. Një grusht njerëzish janë ngritur në luftë kundër shtatë Fuqive të Mëdha dhe vetë Perandorisë. Në “Historinë e Ballkanit” me autor Misha Glenny, botim i vitit 2.000 thuhet: “… Kështu shqiptarët qenë të vetmit që arritën të revizionojnë Traktatin e Berlinit me forcën e armëve…” (faqe 154) 

Nuk është tashmë vetëm Mali i Zi, armiku i shqiptarëve, por vetë Perandoria. Përfundimisht shqiptarët nuk kanë mëdyshjen më të vogël se varri i tyre do të jetë Turqia, nëse nuk shpëtojnë nga zgjedha e saj:

Mic Sokoli po bërtet,

Ali Ibrën po thërret:

Merr bajraqet hajde shpejt,

Na rrethoi asqeri mret (sulltani)!

E. F. Knigh do të shkruante gjatë udhëtimit për në Malësi: “ …Në Koplik e lamë pas rrugën anës liqenit dhe u kthyem djathtas, drejt vargmalit të zhveshur e kryelartë. Pikërisht këto ishin malet që turqit në Helm, ua kishin shumë frikën, sepse thoshnin, që këtej banonin fiset më të çartura e më krenare të arnautëve, që u binin pa dallim si turqve ashtu edhe malazezëve… (Faqe 173)  

Dervish Pasha, arrestoi pabesisht (i thirri për bisedime) 11 anëtarë të “Lidhjes” për Shkupin, me në krye Jashar bej Shkupin dhe pasi i shëtitën në qytet të lidhur me pranga, i dërguan në burgun e Selanikut. Shkupi ra pa rezistencë edhe për arsyen se “Lidhja” nuk bëri zëvendësimin e administratës turke me shqiptarë. Dervish Pasha, vendosi përkohësisht shtabin në Shkup. Lidhja shqiptare lëshoi kushtrimin në mbarë Kosovën për të rrëmbyer armët. U formua Shtabi i Mbrojtjes me Sulejman Vokshin komandant e anëtarë: Ali Ibrën, Mic Sokolin, Binak Alinë, Sef Kosharen, Halim Efendiun, Zeqirja Agën, Mullah Hysenin, Mustafa Agën, Halil Efendiun. Fillimisht u mblodhën 5 mijë luftëtarë tashmë të rregjur në luftime me malazestë dhe turqit. Këtë herë lufta do të ketë qëllim shkëputjen nga Turqia dhe do të jetë pa kthim prapa. Në ballë janë prijësit e “Lidhjes”. Ja si vijnë vargjet e Mic Sokolit dhe betimi solemn para nënës së vet:

Mic Sokoli nji fjal po flet,

Po i thotë nanës: tu mir’ meç’,

Pa u farue Malsia krejt,

Ktu nuk hyn as kral as mbret!

Më tej përshkruhet organizimi i shqiptarëve nën udhëheqjen e prijësve të tyre:

Ymer Prizreni trim shqiptar,

Sylejmani ni komandar,

I tubuen tre mi luftarë, 

Tan’ malsorë në plisa t’bardhë.

Sylejmani matke fjalë:

Ngoni vllazën shqiptarë, 

Do t’i dalim turkut përballë!

Është interesante biseda e një vullnetari, që pyet plot sinqeritet “Efendiun”se çfarë do të bëhet, a do të luftojnë me pushkë kundër turkut e mretit (Sulltanit)?

Efeni na ç’ka me ba?

A ban turkut n’pushk me i ra?

Përgjigjen ia jep vetë hoxha, që ndodhet aty e që përfaqëson sigurisht një nga njerëzit me autoritet të krahinës. Del edhe një herë në dritë thënia monumentale e Pashko Vasës: “ Feja e shqiptarit është shqiptarija” në  një motërzim pak të ndryshuar, por në thelb i njëjti. Hoxha i përgjigjet, se kush vret jo vetëm një ushtar turk por vetë Sulltanin  (mretin) shkon në parajsë  (Xhenet). 

Myderrizi kish pas thanë:

Kur është fjala për vatanë,

Jo veç turkut e ati tjetrit, 

Po ni plum’ kush ia nep mretit, 

ka me shku n’lula t’xhenetit!

S’njohim pash-o, kral as mret,

Venin ton’ e sunojmë vet! 

Më 15 prill 1881 “Lidhja” i dërgoi një memorandum ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Stamboll, ku shprehte vendimin për të mbrojtur me armë të drejtat kombëtare. Më 20 prill ushtritë turke të ndara në dy kolona filluan sulmin mbi forcat kryengritëse në Slilovë dhe Shtimlje. 

Forcat kryesore ushtarake vullnetare të shqiptarëve nën komandën e Mic Sokolit nga Krasniqja dhe Ali Ibrës nga Gashi, u mblodhën në afërsi të qytetit Shtimlje, ndërsa pjesa tjetër nën komandën e Sulejman Vokshit u grumbulluan në grykën e Cernalevës, pranë fshatit Slilovë. Qëllimi ishte të mos lejohej Dervish pasha të marshonte për në Prizren. Më 21 prill 1881 u bë beteja midis të dy ushtrive në Shtimlje midis Ferizajt dhe Prizrenit. Rreth 3.000 shqiptarë të armatosur me pushkë me çark u matën me disa batalione turke, trefish më të mëdha në numër, të armatosura mirë dhe të pajisura me dy bateri malore Beteja zgjati mbi pesë orë. Fatin e betejes e vendosi artileria. U vranë 1800 ushtarë turq dhe 800 vullnetarë shqiptarë. 

Pas betejës në Shtimlje shqiptarët zunë vend në fshatin Slilovë, të vendosur që Dervish Pashës t’i jepnin një betejë të dytë. Në krye të forcave shqiptare ishin Mic Sokoli, Binak Alija dhe Sulejman Vokshi. Më 22 prill u bë beteja e dytë vendimtare më e rreptë se e para. Pati përleshje trup me trup ku shqiptarët treguan heroizëm të rrallë. Duke parë vendosjen e një baterie armike, që po u shkaktonte dëme të mëdha kryengritësve, komandanti i atij sektori, Mic Sokoli, me disa luftëtarë mori përsipër asgjësimin e saj. Të gjithë u vranë në këtë sulm:

Mic Sokoli ban me dorë:

Bini shok se s’muj me fol!

Se m’ka ra do gjak në gojë,

Se m’ka ra do gjak në bark,

Shtatë martina i kam në shtat.

Është një figurë madhështore ajo e Mic Sokolit! Në vargjet dhe gojëdhënat thuhet se ashtu “me shtatë martina në trup” iu hodh topit në grykë, veprim që u përsërit tridhjetë vjet më vonë nga Selam Musai, në Luftën e Vlorës.

Mic Sokoli si po lufton,

Drejt kah topi ai po shkon.

Grykn’ e topit ai e mësyni,

T’tanë asqerët i mloi timi.

Vargjet e tjera përcjellin kobin:

Mic Sokolin e vrau reja,

E vrau reja e vrau moti,

E vrau Dervishi me gjyle topi!

 Heroizmi i shqiptarëve edhe këtë herë i kapërxeu kufijtë e Shqipërisë. Ndrin figura madhështore e Sulejman Vokshit jo vetëm si luftëtar por edhe si prijës i rrallë. Ai fton në luftë shqiptarët, duke përmendur krahinat nga ata vinë dhe cilësitë e tyre të veçanta:

Sulejmani ka hip n’thep,

Bash si zana po pisket:

Ju Kabash bini he burra,

Qitni n’thika n’kacaturra!

Suharekë trima ozgana,

Bini n’pritë merrni n’nishana!

O Pojan o djem çobana, 

preni turqit n’jatagana!

Ju hasjanë prej Malsie,

Mësyni hasmin si u ka hije!

Podrimçakë he inatçi,

Mos ta lam pashën me hi!

Ja si bien dëshmorët në fushën e betejës për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë: 

Ba(j)ram Rama i Malsisë,

Ia jep dorën Isuf Alisë,

Isuf Alija dvetke fisin: 

A m’i patë Zmajlin (Hyseni) e Micin?

Fejt(fyt) më fejt tha, me Dervishin.

Më tej vjen amaneti i luftëtarit, që bie në fushën e betejës: 

Zmajl Hyseni ish kan drague:

Nan’ e bab’ ju met pa mue,

Nan” e bab’ ju met pa djalë,

N’fush të Shtimjes sot jam nalë

Mos ma leni gjakin pa marrë!…

Por ndodh edhe kështu me trimat, që derdhin gjakun për atdheun:

Zmajl Hyseni hup’ e tretë,

Kurrkush vorrin s’ia ka gjetë. 

Beteja vazhdon e ashpër trup me trup me betimin solemn: 

Pa u farue malësia krejt

Ktu nuk hyn as krajl as mbret!

Ashtu si në këngët e Jugut, rapsodi popullor kujdeset që në vargjet e tij të gdhenden të gjithë emrat e luftëtarëve si: Ali Ibra, Ismail Hyseni, Niman Sula, etj., secili duke rënë për atdhe, e ka një fjalë, një amnet, një porosi të fundit: 

Ali Ibra n’vraç të zi,

Po i shkon gjaku për zinxhi.

Bini djem t’desim me ner,

Se shqiptari dy h(g)zime ka,

Ni kur le dhe n’luft me ra!

Niman Sula trim dragua,

Nisi luftën me liftue,

Pushka kamën ia ka coptue,

T’madhe shokëve iu ka gërmue:

Bini shok mos pritni mue!

Në një luftë të tillë ku të gjithë hidhen në sulm pa kthim prapa, madje edhe mbi grykën e topit pa llogaritur jetën, vështirë të bësh dallime. Po vargjet për Sef Kosharen kalojnë përtej imagjinatës njerëzore. Ato janë njëherësh lejtmotiv, thirrje, krenari, vajtim e britmë pavdekësie për luftëtarin e rënë në fushëbetejë. Sef Kosharja kapet i plagosur rëndë dhe turqit bënë atë që kishin bërë nëpër shekuj kundër kryengritësve shqiptarë. Pa gjyq, menjëherë, pa mëshirë, i vrisnin ose i varnin në degën e parë të lisit (në Veri) ose të rrapit (në Jug) luftëtarët shqiptarë. 

I varur në degën e lisit bashkëluftëtarët e nderojnë, duke u përkulur para trupit të tij, që tashmë është kthyer në flamur qëndrese: 

Sef Kosharja i pari i fisit

Hije t’paska maja e lisit!

Sef Kosharja përgjigjet, duke pohuar  përjetësisht : 

Hije m’paska o djelmt e mi,

Kam dhanë shpirtin për Shqipni!

Midis të vrarëve në luftimet që u bënë në Shtimlje e Slilovë qenë: Mic Sokoli, Rustem Sadria, Seit Suhareka, Memet Smaili, Ali Brahimi, Ali Nimani, etj. 

Në vjeshtën e vitit 1881 “Lidhja Shqiptare e Prizrenit” u shpërnda. Vendosja e administratës turke u shoqërua me një terror të pashëmbullt. Dervish Pasha arrestoi dhe dënoi pa gjyqe rreth 7 mijë udhëheqës, veprimtarë e luftëtarë të “Lidhjes”, tre mijë në Kosovë e 4 mijë në vilajetet e Shkodrës, të Manastirit e të Janinës. Të gjitha figurat kryesore të Lidhjes, u dënuan pa gjyq, u internuan  ose u  burgosën nga marshalli turk, Dervish Pasha si: Ymer Prizreni, Sulejman Vokshi, Abdyl Frashëri, Shuaip Spahiu, Zija Prishtina, Omer efendi Narta, Jusuf  Dohoshishti, etj. 

Edhe në Jug ndodhi e njëjta gjë. Krerë të “Lidhjes së Jugut” si Mustafa Nuri Vlora, Omer Pashë Vrioni, Memet Ali Vrioni, Dalip bej Përmeti, Seit bej Gjirokastra, Sulejman bej Dino, Qazim bej Preveza, etj., u arrestuan dhe u internuan në Çanakala. 

“Lidhja e Prizrenit” pati rëndësi të jashtëzakonshme sepse për herë të parë qysh nga vdekja e Skënderbeut, shqiptarët u bashkuan për të mbrojtur tokat amtare me armë, duke tërhequr vëmendjen e Fuqive të Mëdha. Çështja shqiptare tashmë u bë e njohur ndërkombëtarisht. Lidhja Shqiptare e Prizrenit u krijua nga patriotët shqiptarë që zotëronin fuqi ekonomike dhe pushtet politik dhe u përkrah nga gjithë shqiptarët.

Megjithatë do të derdhej ende gjak edhe për tridhjetë vjet të tjera, deri më 28 nëntor 1912, dita e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Qëndrimi i Portës së Lartë ndaj shqipatrëve deri atë ditë, do të qe i pandryshueshëm dhe është shprehur nga poeti popullor në dy vargje monumentalë: 

Kudo vu njaj turk’ kamë

Gjak e vorre e ka bamë.

Filed Under: Histori Tagged With: Gezim Zilja, Renia e Lidhjes se Prizrenit

Trashëgimia kulturore, identiteti i kombit, xhubleta së shpejti në UNESCO

June 9, 2021 by dgreca

Ilirjana Kaceli: Populli, promovuesi më i madh i vlerave kulturore, traditat të përcillen në breza/

Përgatiti: Eneida Jaçaj/

         Trashëgimia kulturore përbën identitetin e një shoqërie, është pasuri shpirtërore dhe materiale e një kombi të caktuar. Trashëgimia kulturore është hipoteka e shpirtit që karakterizon një popull, është vlerë historiko-kulturore, që mban gjallë ndër shekuj një komb të caktuar. 

Një komb pa histori, pa kulturë, pa tradita dhe zakone, nuk do të ekzistonte! Ne si popull duhet të ndihemi krenarë për historinë dhe vlerat kulturore artistike, që përcjellim ndër vite brez pas brezi.                    

Trashëgimia kulturore përbën panteonin e identitetit tonë kombëtar, dhe ne kemi për detyrë të promovojmë vlerat kulturore shpirtërore dhe materiale te të rinjtë, në mënyrë që kjo pasuri e kombit të mos vdesë në harresë të plotë. 

        Trashëgimia kulturore përfshin pronën kulturore e njohur edhe si kultura materiale, si ndërtesat, monumentet, peizazhet, librat, veprat e artit dhe objektet e ndryshme, kulturën shpirtërore, si folklori, traditat, gjuha dhe njohurit tradicionale, si dhe trashëgiminë natyrore duke përfshirë peisazhet e rëndësishme kulturore. Shqipëria është një vend i pasur sa i takon trashëgimisë kulturore në monumente, objekte të kultit, muze, dhe njihen nga UNESCO si trashëgimi kulturore botërore. Madje, UNESCO ka bërë një listë duke identifikuar 7 pasuritë kulturore të Shqipërisë që tashmë janë pjesë e kulturës botërore. 

 Folklori, traditat dhe zakonet

Folklori kulturor ka një ndikim shumë të madh në jetën tonë kulturore. Pjesë e folklorit janë këngët, vallet, dasmat, veshjet, legjendat, përrallat etj. Në letërsi do të përmendim Ciklin e Kreshnikëve, Muji dhe Halili, apo kënga e Gjergj Elez Alisë, e Ibrahim Ketës, Ago Ymerit etj. Në qendër të këtij cikli qëndrojnë bëmat e çetës së kreshnikëve, si edhe kundërshtarët e tyre, “kralë” e “kapedanë” “ bajlozë”, veçanërisht armiq të cilët vinin nga viset bregdetare.

Lufta e kreshnikëve është vendosur në një kohë e në një ambient që s’njeh ende armët e zjarrit.

        Epopetë letrare tregojnë se ndjenja për të mbrojtur atdheun, ndjenja e atdhetarisë për të ruajtur nacionalitetin territorial dhe identitetin kombëtar ka qenë e ngërthyer në ndërgjegjen e shqiptarit. Nga brendia e tyre dhe botëkuptimi shoqëror, nga elementët artistikë që përmbajnë, këngët e kreshnikëve të çojnë në një periudhë më të hershme se shekujt e pushtimit osman.Bashkë me eposin, shqiptarët kishin krijuar gjithashtu fondin e baladave, të cilat vinin si kujtime tronditëse të epokave të shkuara. Njëra prej tyre është ajo që njihet në jug me emrin e Konstandinit dhe Doruntinës, te arbëreshët e Kostandinit dhe Dhoqinës, ndërsa në veri është e njohur “Kënga e Halil Garrisë”. Gjithashtu, folklori muzikor është i pasur dhe ka karakter epik dhe lirik. Një vend të veçantë zë repertori i këngëve elegjiake, të kënduara me lahutë, ku dallohet Eposi i Kreshnikëve. 

         Ndërsa te këngët lirike vendin kryesor e zënë ‘”Këngët e Dasmës’’, “Kënga e Unazës’’, “Këngët e Punës’’ etj. Dasmat shqiptare janë shumë unike sipas zonave. Këtu futen këngët dhe vallet që paraqesin vlera të pashtershme kulutore. Llojet e valleve rituale janë: (“Lule manushaqe”, Kolonje etj); vallet e dasmës (“Nusja jone arbërore”, Lunxheri – Gjirokastër etj); vallet erotike (“Kërcimet e Logut”, Malësia e Madhe – Shkodër etj); vallet humoristike (“Vallja e nuses së Fajës” nga Shqipëria e Mesme), vallet pantomime (“Ojna e lepuri”, Hotolisht- Librazhd etj).

Veshjet

Këtu veçojmë edhe veshjet tradicionale sipas krahinave. Xhubleta që vishet nga gratë e Malësisë së Mbishkodrës shquhet për karakterin e saj të veçantë dhe për historikun e lashtë. Apo veshja e burrave me tirq dhe qeleshe apo plis të bardhë në veri, veshja e grave me elina, dimi, këmishë, jelek, mitani, pështjellak, çorape, mokasina, shami koke dhe pajisje të tilla si vathë, rrathë, unaza, necklaces dhe clasps.etj. Ministria e Kulturës po përpiqet që xhublet të futet në listën e UNESCO si trashëgimi e rëndësishme kulturore dhe të ruhet me fanatizëm. Jo vetëm xhubleta, por po bëhen përpjekje që shumë vlera të tjera kulturore të njihen nga UNESCO.

Flet Ilirjana Kaceli

Duhet të theksojmë dhe vlerësojmë se është rritur ndjeshëm ndërgjegjësimi i shtetit shqiptar për të ruajtur dhe promovuar vlerat kulturore. Ilirjana Kaceli, studiuese e periudhës së osmanëve, historisë së Ballkanit, historisë së Shqipërisë, njohëse e etnografisë, folklorit shqiptar, në një bashkëbisedim, vlerëson se populli shqiptar është ai që ka bërë pjesën më të madhe të punës për promovimin e vlerave kulturore. 

           “Në periudha të ndryshme historike është bërë shumë nga vetë populli për ruajtjen e trashëgimsë kulturore qoftë asaj shpirtërore, por edhe materiale. Populli i ka përcjellë mesazhet e tij duke ruajtur traditat në dasma, veshjet, këngët dhe vallet e kënduara. Në shtëpitë tona sot është bërë traditë që të gjenden vegla të ndryshme muzikore të trashëguara si fyelli, çiftelia, daireja, violina, mandolina, piano apo edhe daullja (tupani).Sot ka filluar si traditë që në disa familje tradicionale përveç veshjes në dasëm të dhëndërrit dhe nuses apo edhe një grupi të rinjsh me veshje kombëtare, nusja duhet të ketë një palë veshje popullore të krahinës nga vjen në pajën e saj. Kjo traditë ruhet në Dibër, Mat, Kukës, Tropojë, Tiranë, Kavajë, në Kosovë dhe në zonat shqiptare të Maqedonisë së Veriut. Në ditët e sotme kur ne i kemi kaluar 30 vjet demokraci mund të themi që është rrritur kujdesi nga shteti për trashëgiminë kulturore nëpërmjet promovimit të saj nëpër shkolla dhe në ditët e ndryshme të trashëgimisë që zhvillohen çdo vit, apo edhe në organizimin e eventeve të ndryshme foklorike kulturore, si Festivali foklorik i Gjirokastrës, Oda Dibrane, Fesivali i orkestrinave popullore në Lezhë etj”, thotë Kaceli. 

           Gjithashtu, Kaceli thekson se edhe shkollat me programet e tyre po promovojnë trashëgiminë kulturore të popullit. “Si pjesë e kurrrikulave të reja të arsimit, në shkolla është vendosur dhe zhvillohen në lëndë të ndryshme tematika të caktuara që kanë lidhje me trashëgiminë kulturore. Në lëndët: letërsi, histori, gjeografi apo edhe në lëndët me zgjedhje si trashëgimia kulturore dhe guidat turistike, janë vendosur aktivitete dhe projekte të ndryshme, të cilat kanë tematika të caktuara lidhur me trashëgiminë kulturore. Letërsia ka tematika në lidhje me foklorin, këngët të vjetra epike apo në gjeografi, projekte me tematikë veshjet popullore të zonave të caktuara, në lëndën e trashëgimisë pjesët kryesore të kulturës shqiptare, turizmi dhe kulinaria apo në lëndën e historisë, trashëgimia kulturore e krahinave të ndryshme të vendit tonë”, u shpreh Kaceli.

Filed Under: Kulture Tagged With: Eneida Jaçaj, Ilirjana Kaceli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 51
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT