• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kur nisesh për udhë

July 4, 2013 by dgreca

Reportazh Arjan Th. Kallço/

Kur mendon Vlorën, qyteti që është simboli i stinës së verës, ashtu si dhe disa qytete të tjera detare, mendja të shkon tek e kaluara jo fort e largët, kur për 15 ditë endeshim në krahët e detit, rërës dhe bukurive natyrore të rivierës sonë. Pas disa dekadash në të njëjtën stinë, por në rrugëtim krejt ndryshe, përtej brigjeve shqiptare, në Itali. Rruga për në Vlorë nisi mëngjesin herët të datës 27 qershor nga Korça, në një klimë më shumë vjeshte sesa vere dhe shiu që nga qafa e Pllocës deri në të dalë të Pogradecit, që kishte rënë, ta shtonte bindjen se po na ngatërrohen stinët. Si kudo në orët e para të mëngjesit heshtja është bashkëudhëtarja jote më e mirë. Ngadalë rruga kombëtare po gjallohej dhe deri në Elbasan dita merrte një ngjyrë krejt të dallueshme: nga shiu tek ajo me diell. Tek rrethrrotullimi në afërsi të rrugës për në metalurgjik, fillon pjesa e dytë e rrugës me një pjesë që ende nuk i gëzohet tërësisht kushteve të infrastrukturës sonë. Për çudi është lënë pasdore një aks që është plot trafik në drejtim të jug-perëndimit të vendit. Rruga zgjatet përmes qyteteve, shumë e ngushtë, saqë nëse dikush hap derën për të dalë nga shtëpia, ka rrezik të përplaset me makinat që kalojnë aty. Për të mos folur për kushtet e higjenës, pluhuri është zot i aksit, që me të drejtë lënë për të dëshiruar, për më tepër kur në këtë stinë kërkohet sa më shumë kujdes për ajër të pastër. Pasi kaluam edhe Rrogozhinën rruga kalon në autostradën qëndrore që lidhet me Vlorën. 85 km e fundit dhe udhëtimit po i vinte fundi. Kudo në qytete ndihej ende jehona e zgjedhjeve, pasi reklamat e pafund ende qëndronin në këmbë si për të na thënë se do të duhej edhe pak kohë që vendi të pastrohej prej tyre. Diku pranë portit u ndalëm dhe tashmë Vlora ishte një realitet i prekshëm. Pasi mbarova disa porosi të vogla aty përreth, iu drejtova biletarisë së trageteve që ta merrja në dorë dhe t’i drejtohesha doganës. Agjensitë janë të shumta dhe secila të ofron një çmim të ndryshëm nga konkurrenca. Në hyrje të portit pasi bisedova me disa punonjës, mora rrugën drejt doganës. Përballë anija e ankoruar të jepte përshtypjen se, nga çasti në çast do të nisej. Në terminalin e kalimit kufitar pas ndonjë paqartësie të vogël dhe disa pyetjeve disi të çuditëshme, sapo isha kthyer nga një konferencë në Banja Lukë ku ndodhi të tilla nuk ndodhën, iu drejtova anijes Shuttle që po mbushej me njerëz dhe mjete. Kaluan disa orë të mira në pritje të nisjes dhe rreth orës 16.00 anija u nis nga porti i Vlorës me destinacion Brindizin. Rruga e gjatë pa biseda me njerëzit që ulen rrotull sikur nuk shkon. Pranë kishte pasagjerë të shumtë që po shkonin në Itali për punë dhe halle të ndryshme. Biseda e parë nisi tek dritaret e tragetit me disa vlonjatë ndonjë me origjinë çame, që tek fliste me pasion për detin, të kujtonte peshkatarët e filmave apo këngëve të shumta. Njerëzit e detit – ishte e para këngë që m’u kujtua në atë fill të shkurtër kohe. Bisedat rrodhën me tej tek njerëzit e afërm, tek qytetet nga vinim dhe tek e pashmangshmja, ëmbëlsira e përditëshme, politika. Rezultati i zgjedhjeve duket se kishte marrë konsensusin e të gjithëve të cilët shpreheshin se pas 8 vjetësh, duhej një ndryshim, ndryshe demokracia do të bukosej fare, nuk do të merrte frymë lirisht dhe për të gjithë. Më tej zinxhirri i njohjeve u shtri më tej, me njerëz të pjekur dhe me plot halle që, pavarësisht jetës, u pëlqente ta ruanin atë pakëz humor të përditshëm. Një i ri më tej po shkonte me pushime tek familja e tij diku afër Leçes, por meraku e hante tek dogana italiane, se mos i nxirrnin problem dhe e kthenin prapa. I premtova se në doganë do ta ndihmoja që t’ia përktheja bisedat, pasi nuk e njihte gjuhën. Më tej ndonjë dorë me domino, sikur e shtyu edhe disa kohë udhëtimin. Shprehja thotë se gjuha vete ku dhëmb dhëmbi dhe për disa çamë aty, nuk mund të mos hapej biseda e një pjesë të popullsisë shqiptare që u detyrua të shpërngulej me forcë drejt Shqipërisë. Por pas viteve ’90 përsëri shumë familje morrën rrugën e dhimbshme të kurbetit me shqetësimin e madh se a do të gjente zgjidhje problem i tyre. Mbetëm nga një shtet tek tjetri dhe asgjë nuk e kemi të sigurtë – thoshin ata. Nëse punët nuk do të shkojnë mirë edhe në Itali, kriza po i vinte në vështirësi edhe emigrantët, do të ktheheshin përsëri në Shqipëri, por përsëri do të mbetetn të ardhurit e përjetshëm. Një plagë që rrezikon të mbetet gjithmonë e hapur për një komb që gjatë gjithë historisë së vet nuk iu ndanë padrejtësitë. E natyrisht problemi ekonomik i bën edhe ata që dikur e kishin një shtëpi apo një copë tokë, të mos rrëeshtinin së medituari për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve. Ndonjëherë mundohesh ta kapërcesh situatën edhe me ndonjë batutë që sikur ta lehtëson përsëri dhimbjen, por ajo ka zënë vend thellë në shpirtin e përdhosur të një kombi dhe rrënjët e shtrira larg vendlindjes, nuk do të jenë kurrë të fuqishme që t’i mbajnë të lidhur fort me origjinën. M’u kujtua një fabul e përkthyer disa vite më parë, tek e cila do të gjesh filozofinë e një populli : pse po ikin të gjithë nga ky vend? – ishte pyetja më tragjike e saj. Përgjigjia kishte të sintetizuar mençurinë e kohës : sepse nuk hodhën dot rrënjë. Por historia dihet tashmë dhe në atdheun mëmë, ata e gjetën mikpritjen dhe bashkëjetesën, por në mendjen e tyre është vendlindja e të parëve dhe e pasardhësve. Ballkani është vendi i paradokseve të mëdha të historisë që kurrë nuk morën përgjigjen e duhur dhe të drejtë. Të dorëzuar dukeshin edhe vetë ata që ndoshta nuk do të mund të jetojnë dot më në tokën e të parëve. Gabime fatale, kaos i pandreqshëm ballkanik, dihet se si u gatua në shekuj, që mbajnë vulën e marrëzisë së fuqive të mëdha të kohës së djeshme dhe të sotme.

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Arjan Kallco, kur nisesh per udhee, reportazh

Midis Shqipërisë, Kanadasë dhe Amerikës

July 4, 2013 by dgreca

Nga Ajet Nuro/Montreal, Kanada/

Në ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës/Gëzuar festën Amerikë, gëzuar Pavarësinë!/

Unë e dua Shqipërinë, thotë nëna ime, tek e ka lënë mbrapa para rreth 9 muajsh. Pasi ka vizituar Kanadanë, i gjen fjalët më të bukura për t’i bërë elozhe këtij vendi që e ka vizituar të paktën 4 herë. Dhe kuptohet, çfarë mund të thotë për Amerikën?   Nëna ime, dy nga katër djemtë, i ka përtej Atlantikut. Por historia e kalimit të oqeanit Atlantik prej familjarëve të saj fillon një shekull më parë, kur babai i saj me dy vëllezër do të kalonin Oqeanin për shkuar në Amerikën e ëndrrave ku do punonin për vete por sidomos për Shqipërinë. I vendosur në Boston, babai i nënës sime do të bëhej anëtar i VATRËS dhe flamurtar i saj. Madje para disa ditësh, më kontaktoi një i ri tepelenas në facebook dhe ngaqë ishte nga Salaria, i thash se dhe unë jam nip në Dukaj, jam nipi i Jaho Sinanit. –Oh, më tha, – ti qenke nipi i flamurtarit…Ndoshta, paratë që bëri për vete, u harruan, por ajo që gjyshi im bëri për Shqipërinë (ndonëse komunizmi bëri të pamundurën për t’ia mohuar…) nuk u harrua dhe nuk do të harrohet

Nëna ime, shembulli tipik i dashamirësve të Amerikës   Në nëntor me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, nëna ime u ndodh këtu në Montreal dhe e festuam së bashku festën e madhe. Dhe, kuptohet, atdheu duket ndryshe kur je larg, u dashka edhe më shumë. Ose, largësia dhe malli përzihen në mënyrë të tillë që edhe deklaratat e dashurisë ndaj dheut të mëmës tingëllojnë edhe më të ëmbla se deklaratat e bëra pikërisht në Shqipëri. Nga ky ritual nuk bënë përjashtim as nëna ime.

Por, në datën një korrik është festa e Kanadasë dhe tre ditë më vonë festa e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe, puna e do të urojmë njëri-tjetrin ne të Amerikës së Veriut. Por nëna ime, si nënë që është, nuk do që t’na e prish qejfin ne të Kanadasë dhe,  pasi na uron për festën, nuk harron të lëvdoj vendin që na është bërë atdhe  i dytë.

Po, Amerikën nuk e do, – e ngacmojmë ne?

-Po si nuk e dua Amerikën, fillon mamaja ime. Po Amerika na ka mbrojtur në ditë të vështira, po në Amerikë po jetojnë e përparojnë kaq e kaq shqiptarë, po nga Amerika merr shembull gjithë bota, po Amerika është vendi i demokracisë. Babai im më tregonte qysh atehere (fillim-shekulli i kaluar…) se sa e zhvilluar ishte Amerika… Dhe tregimet e legjendat për Amerikën dhe ëndrrat që ka ushqyer ky vend emigrantësh nuk mbarojnë. Sepse i madh është ndikimi i Amerikës dhe amerikanëve në jetën e shqiptarëve. Prandaj edhe ata e duan aq shumë sa që një fakt i tillë  cudit edhe tek vet amerikanët.

Pas disa ditësh, nëna ime do të largohet nga Amerika për në Shqipëri. Në ditën e lindjes së Amerikës ajo ndihet e emocionuar që do lëri vendin e  ëndrrave dhe realiteteve të mëdha që për të kanë nisur një shekull më parë dhe që vazhdojnë edhe sot … e që do të vazhdojnë edhe nesër …

Gëzuar festën Amerikë, gëzuar Pavarësinë!(Kortezi:Tribuna)

Filed Under: Reportazh Tagged With: Ajet Nuro, Gezuar festen Amerike

ZËRI I SHQIPTARIZMËS

July 4, 2013 by dgreca

Shkruan:Eugen Shehu/ Bern -Zvicër/

Shqiptarizma s’ka nevojë për Partitë,ndërsa një Parti e mirëfilltë shqiptare nuk ndërtohet dot pa Shqiptarizëm,asnjë Parti nuk mund të ndërtojë dot një program më të bukur se IDEALI që ngërthen shqiptarizma !Në emër të saj Skenderbeu tentoi të bashkonte princat arbërorë,në emër të këtij Ideali Abdyl Frashëri ballë ndritur mbushi malet me dasmorë lirie për ringjalljen e Shqipërisë,sa gjqe u pajtuan,sa interesa vetjake u hedhën poshtë,sa krenari të kota u braktisën,sa marrira u shuan,sa sedra u gjaskosën se ishte aty Zëri i Shqiptarizmës që gjëmonte në zemrat e rebeluara dhe mblidhte atje shpirtin e dashurisë midis Racës Arbërore ! Ishte ajo fryma e shenjtë e nevojës së bashkimit,drita e qiellit,bekimi i Zotit,që këndohej në djepat e drujtë të përkundura nga Zanat ! Bijtë e Shqipes krijuan Kanune me të cilën mbrojtën jetën dhe nderin,pa haruar të shtrejtëin ATDHE ! Ata respektuan personalitetin e individit deri në imazhet e kohrave moderne dhe u treguan të ashpër vetëm ndaj sakrilegjit të Shqiptarizmës ! Kush shkeli mbi këte besim,nuk vuri në kokën e tij veçse kurororën e turpit

Hapeni dyert e Shqiptarizmës dhe do të shihni se atje ka vetëm burra që i dhuruan kësaj toke jo vetëm hovet fisnike të zemrave të tyre bujare,jo vetëm pasionet e shpirtërave të tyre të etur për liri e prosperim,por dhe jetën dhe dinjitetin e tyre !Po,PO ! dhe dinjitetin e tyre kur ka ndëgjuar lëngimet nga zëri i dheut të Atdheut ! Historiografia komuniste e jonë nuk është mësuar të vlersojë ende ato figura që i kanë falur Atdheut personalitetin e tyre,sepse përpara Shqiptarizmës të gjithë ambiciozët dhe egoistët e mëdhenj e krenarë në vetvehten e kanë provuar mbi  vehte funin e maskaradës së tyre.

Mjerë ai që kërkon lavdi duke mos iu ulur në gjujnë Shqiptarizmës ! Mjerë ajo Parti që mohon Shqiptarizmën ! Mjerë ai udhëheqë politik që kërkon ti shkojë përmbrapa Shqiptarizma ! Pa këtë Ideal në kombin shqiptar nuk ka mirëkuptim,s’ka progres,s’ka dritë lirije,ndaj as në thellësitë e shekujve nuk ka patur turma që të vraponin pürapa egoistëve,mendjemëdhenjë dhe shpritprishurve,prapa atyre që nuk i përuleshin shpresës së shpëtimit kombëtar.

Ky Ideal që aspironte vetëm vlerat e identitetit të vet nacional,që aspironte vetëm Lirinë e prosperimin që mbi gjithshka vënte Kombin dhe Atdheun,bëri që shqiptarët të uronin njëri tjetrin“Paç vdekjen nga plumbi“! Dhe në legjendat epike heronjtë e Shqiptarizmës u soditën me lakmi edhe prej atyre që ishin zhytur në luks e mirëqenie e s’kishin çtë kërkonin më prej jetës.Asnjëri prej këtyre heronjëve legjendarë s’ju imponua të tjerëve,meqë madhështia e secilit u ngrit mbi piedestalin e thjeshtë dhe fisnikërisë me  të cilin iu përkushtua çështjes kombëtare dhe të tjerët iu nënshtruan vullneteve të hekurta,vetëm kur u bindën se ishin pjesë e Idealit të tyre dhe kishin mohuar vehten,meqë vullnetet e hekurta nuk iu imponohen të tjerëve,ata të rrëmbejnë vetëm me magjinë e përkushtimit të Idealit të përbashkët,ata fitojnë lavdinë jo nga forca e tyre,por nga ndikimi që ushtrojnë për të çliruar vullnetet e tjerë të ndrydhura ! Mjerë ai që Shqiptarizmën e bën Flamur të egoizmit dhe amoralitetit personal,të mjerë ata që nuk e fitojnë ate me dashurinë e saj !

Ato janër lulëzim i mediokritetit që tenton ti imponohet aristokracisë s¨üe mendimit,ata janë baticat e të pa zotëve që synojnë pasurinë prej të tjerëvë që zgjojnë ambicien e befasishme për tu hakmarë ndaj krenarisë.Synimi i tyre asht përdhunimi i Atdheut dhe shuarja e personalitetit të njeriut.

Nacionalistët e betuar janë mishërim i Shqiptarizmës,ata i thurin Hymnin Atdheut dhe garantojnë lirinë e individit,ata janë përfaqsues të fisnikërisë shpirtërore të Kombit,nacionalistët kur bashkohen,nuk njohin kufitë e vetë sakrifikimit të tyre për hirë të çështjes kombëtare,lumturia bie mbi ta që i gëzohen këtij deti të madh me plot Ideal Patriotik.

Kombi ynë asht fatlum që ka Nacionalistë,sepse ata janë krenaria e saj,vetëm ata janë shpresa për shpëtim të Kombit dhe Atdheut,ata janë në harmoni të plotë me gjithçka që ka të bëjë me Shqiptarizmën,ata përpiqen ti veshin Shqiptarizmës fustanin e pajës së tyre të flijimit,ata do të dinë ti përulen gjithmonë me veneracion para vetë Shqiptarizmës,sepse atëherë vjen harmonia dhe mirëkuptimi i vërtetë dhe ato kthehen në një „fllad“ përsëritës për Kombin dhe Atdheun.Atëherë ai „Fllad“ kombëtar i thëret emrit dhe vë në krye të Kuvendit.A sishte i tillë Mid‘hat Frashëri .

 

MID’HAT FRASHËRI – BALLI I KOMBIT

 

Apostul i vëllezërimit kombëtar.i urriturm për dije nga dashuria për Atdhenë.Fisniku që të mposhte me anë të së mires.Shqiptari që të bënte ta çuaje vëlla.Mësues i madh me sjellje nxënësi.Baba i fukarenjëve dhe mik i djalërisë. Mishërim i tolerances dhe kalorës krenar I Shqiptarizmës.ishte armik i egoizmit dhe i mendjemadhësisë.I lavdëruar me hak nga Shqiptarizmi i urryer pa shka nga Komuizmi,”armik” pse mbolli  patriotizmin,”tradhëtar” pse deshi fort Atdhenë.I lig pse sdinte të urrente,”tiran” pse donte intelegjencën

Përçarës pse kërkonte  Shqipërinë me kosovë e çamërinë.Kain pse predikoi vëllezërimin, sektar pse çmonte shumë dhe Fetë,I pasuri që blente vetëm libra,I dituri që kërkonte vetëm diturinë,I lodhuri që su lodh kurrë,I vujaturi që se pa njëri të qahej,I heshturi që fliste vetëm me pendëndën Shqiptari që vuri kurorë me Shqipërinë.Predikatori i mirë,studjues i  thellë i mendimit ndryshe .Mid’hat Frashëri u bë “pasqyra” ku komunizmi pa ligësinë e vet.

Kush e lavdëroi e nuk i mbeti borxh ? Kush e qortoi e nuk u turpërua ? Kush e deshi e nuk u lartësua ? Kush e mohoi e nuk mbeti jetim ? Kush e vlersoi e nuk ndjeu gëzimin ?

Gurthemeli i Shqiptarizmës,ushtar i thjeshtë i Nacionalizmit,u bë udhëheqës shpirtëror I Kombit Shqiptar.Nuk lypi lavdi por mbeti i lavdishëm.Nuk doli në krye por mbeti në Ballë,nuk briti tribunave,ndaj zëri I tij sot buçet,nuk synoi të bënte historinë,ndaj historia sot kërkon veprën e tij.Kush nuk u magjeps nga thjeshtësia e tij ? Kujt nuk iu mor zëri,kur fliste para tij ? Kush qëndroi pranë e nuk iu bë mik ? Kush mendonte ti bëje keq e nuk u pendua? Nuk ka shqiptar që të kishte dialoguer me të e most ë bëhej dhe ma shqiptar ?

Përveç komunistëve fanatik,për të cilët edhe Krishti nuk do të kishte pranuar të kryqëzohej! Si kriminelë ordinerë,ata e urryen Mid?hatin për butësinë e tij.Si të pa Atdhe e përbuzën për Atdhedashurinë.Si arrogant e fodullë e shanë për modestinë tij.Këta shërbetorë të serbosllavëve e akuzuan pse i mallkoi për tradhëtinë.E dënuan me vdekje ( në mungesë) pse shpëtoi nderin dhe jetën Shqipërisë. Nacionalizmi ka të drejtë të krenohet me Mid’hat Frashërin . Ai mbeti gjysmëshekulli ëndër e gjallë e martirëve që rranë nga plumbat e pabesisë e tradhëtisë komunistePërmbi mallet me baltë që u hodh mbi Ballin Kombëtar “komunistët shqiptar të sllavizuar”,mbi kodrat e të vrarëvfe  pa faj,mbi lumenjtë e lotëvfe dhe pellgjet e gjakut,përmbi rrë4nkimet e heshtura dhe privacionet e njohura dhe të panjohura nende,mbi martirizimin e Shqipërisë Etnike,do të ngihet si një Diell qe¨ngroh zemrat e shqiptarëve,përsëri figura madhore e Mid’hat Abdyl Frashëriot më 1939,me themelimin e  Ballit Kombëtar, e cila do të të vërbojë të gjithä ata që,duke dashur të ruanin kultin e urrejtjes,tentojnë që të fusin përsër iregjimin e diktaturës hakmarëse jo vetëm ndaj sistemit dem9okratik por rrezikohet të rivendoset dhe mekanizmi qeveritar hakmarës që mund popullin ta rivendosë në pozicione vëllavrasjeje të radhës pas asaj të 1943-shit.Ndaj dhe Nacionalizmi shqiptar në nderim të figures madhore ngriti një martir të kombit shqiptar,ate të;

 

BALLIT T KOMBËTAR

Që ishte një martir i komplotit të koministëve shqiptaro-sllav.

 

Balli Kombëtar,është indinjata e pare antikomunite,I pari që dha kushtrimin e Lirisë kur Atdheun e mbuloi zija e rrobërisë.I pari që ngriti pushkën e Lirisë.I pari që kërkoi bashkimin e trojeve etnike shqiptare.I pari që doli maleve për larine e Atdheut.I pari që e kuptoi rrezikun e fashizmit dhe i dha të kuptojë Viktor Emanuelit se Shqipëria as ishte,as mund të ishte pjesë e Italisë.I pari që hodhi parrullën “Shqipëria e Shqiptarëve” dhe sanksionoi këtë thirrje me pjesën e dyte “Vdekje e Tradhëtarëve”.

Në Ballin Kombëtar hyri fshatri që gëzohej kasollës prej kashte e ndërtuar me duart e tija por krenohej me nderin e familjes së tij dhe që ruante Flamurin në sepetet e nusërisë. Hyri bujku që e kishte një cope toke për të ushqyer fëmijët,por mbante dyert hapur për mikun,hyri ai që kish besë nderë,fisnikëri e patriotizëm.Hyri tregëtari që shiste sheqerin dhe fitonte vetëm thasët,Hyri fukarai që mbronte moralin dhe nderin e shtëpisë.Hyri I pasuri që I vinte mturp që ishte I pasur kur tjerët skishin kafshatë buke.Hynë tërë shqiptarët që u dhimbsej Atdheu më shumë se jeta dhe ngritnin lartë flamurin madje duke e vendosur shqiponjë4n dykrenore dhe në plis të bardhë.Hynë pjesa më fisnike e Kombit Shqiptar,më patriotja më e ndershmja më e përkushtuesmja e kombit shqiptar,hynë ata që krenoheshin me emrin SHQIPTAR.

Balli Kombëtar u bë apostul I vëllezërimit ! Për Flamur kishte ate ntë Skenderbeut për Atdhe ILIRINË,për ideologji basshkimin,për synim çlirimin,për udhëheqës shqiptarizmin,për Parti Shqipërinë.! Nzhodhi rrugën e drejtë e të ndershme të luftës pa kompromis ndaj pushtimi  fashist,kërkoi me gjdo kusht shuarjen e vëllavrasjes an ipse vritej pas shpine,kërkoi bashkimin e gjitha energjive të Kombit për ta bërë edhe një here Shqipërinë si ajo e para 1913-ës,kërkoi shkëputjen nga alenca skomuniste llavoortodokse, dhe I qëndroi besnik këtij IDEALi deri në vetësakrifikimin sublime. Ai ra dhe viktimë e tradhëtisë komuniste,por nuk tradhëtoi kënd,u vra nga pabesia e tyre,por vetë nuk u tregua I pabesë,u poshtrua nga komunistët,por ai kurrë si poshtroi kënd dhe këtë e bëri vetëm se edhe ata ishin shqiptarë port ë shiotur tek moska e beogradi,se Balli Kombëtar luftonte me parrullën “Shqipëria e Shqiptarëve”.

Por ç’far shqiptarësh ishin komunistët ? Shqiptarë që shisnin Atdheun,që mohonin Zotin,që tradhëtonin mikun ? Që shanin të Jatin dhe vrisnin të Vëllaun për Lavdin e Beogradit e Moskës ? çfar shqiptarësh ishin ata që e zhveshën shqiptarin nga të gjitha virtytet për të cilat e ka pas çmuar dhe bota ? Që s’lanë mjet për ta bërë shqiptarin të pabesë,mosmirënjohes  spiun e hajdut ? Që e lane pa Fe,pa dashuri ndaj vendlindjes,pa respect ndaj të diturve dhe moshatarve,jo mbrojtës i moralit familjar? Që e bënë shqiptarin Hipokrit e servile,spiun e dembel pa shpirtë e dallkauk,aq sat ë humbi dhe kuptimin e jetës ? çfar shqiptarësh ishin komunistët që e vrisnin nacionalistin e ndershëm dhe i zhduknin dhe varrin,më pas duke mos lënë gjë pa shpifur ? O Zot…

Balli Kombëtar nuk ishte aq naiv që të mos e kuptonte se kush ishin komunistët,por ideja për vëllezërim dhe bashkim për çështjen Kombëtare ishte imperative I kohës në ato moment të histories shqiptare,prandaj ai e zgjodhi dhe rrugën  e martirizimiz.

Ne brezat që nuk e përjetuam dramën e Ballit Kombëtar të asaj periudhe,por që koha na dha mundësinë të gjykojmë veprën e tij nga një lartësi plot dritë e shohim se ai asht sakrifikuar për çështjen Kombëtare,andaj e kuptojmë sot se sa elumtur e ndershmërisht kanë vdekur Nacionalistët Shqiptarë,që Kominizmi I vrau në pabesi vetëm e vetëm pse  edeshën Shqipërinë Etnike,tani më mire se kurrë e kuptojmë soleminitetin e tyre para pushkës sllavokomuniste

Balli Kombëtar i cili edhe sot pas gjithë atyre tmereve që I përjetoi gjatë diktaturës komuniste,po tregon tolerance demokratike megfjithë format e frenimit dhe izolimit të saj ajo padyshim se do ngadhnjejë.Ai me vetëdije të plotë ka larguar çdo kompleks hakmarrjeje dhe ia ka dhuruar Kombi dhe Atdheut vetëflijimin e tij. Pas asj “balte historike” nga historishkruesit komunist,të hedhur mbi Naciionalizmin Shqiptar,vetëm tek ndjenja e thellë e vëllezëruese dhe shqiptarizmit të kulluar,tek ideja e bashkimit kombëtar që ruan egzistencën  në jetëgjatsi të Kombit Shqiptar më shumë se kurrë gjendet sot arsyeja e respektit ndaj Ballit Kombëtar.

Filed Under: Komente Tagged With: Eugen Shehu, zeri i shqiptarizmes

Dhënia e shtetësisë sa e këndshme edhe e frikshme

July 4, 2013 by dgreca

Shkruan: Arben Llalla*/

 Kryeministri Sali Berisha firmosi vendimin për dhënien e shtetësisë shqiptare për disa kategori njerëzish që kanë origjinë shqiptare. Ky vendim qeveritar edhe pse duket pozitiv në të ardhmen mund ti nxjerri probleme Republikës së Shqipërisë nëse vërtetë vendimi në fjalë do të aprovohet nga Kuvendi dhe do të zbatohet me ritme të shpejta.

Ideja për tu dhënë shtetësi shqiptare, shqiptarëve dhe qytetarëve të disa vendeve të ndryshme që kanë origjinë shqiptare është e mirë, e vlerësoj edhe pse është e vonuar, por duhet të bëhet projekt seriozë sepse çështja mund të dali jashtë kontrollit duke rritur numrin e minoriteteve që jetojnë në Shqipëri. Pra, duhet të jepet shtetësia me kategori të ndryshme, faza-faza, duke mos e dëmtuar demografinë e popullsisë dhe prishjen e disa raporteve të politikave së fqinjësisë së mirë me disa shtete. Në fillim duhet të ngrihet një Komision i posaçëm me njerëz që kanë njohje të thella rreth fenomenit në fjalë sepse mundet të fitojnë shtetësi shqiptare në masë të madhe grekët, turqit, serbët, boshnjakët, italianët etj., dhe vjen një ditë, brenda 10 viteve të ardhshme që shqiptarët e Republikës së Shqipërisë të ndihen minoritet në shtetin e tyre.

Nga shkrimet të botuara në disa gazeta kemi mësuar se janë rreth 5.000 vajza shqiptare që janë martuar me serb dhe sllavomaqedonas dhe të imagjinoni sikur fëmijët e tyre dhe bashkëshortët të fitojnë brenda natës shtetësinë shqiptare me të drejtën e votës. Në këtë rast do kemi një rritje të minoritetit sllav në Shqipëri sepse nga ana e logjikës fëmijët e lindur dhe të rritur në Serbi dhe në Maqedoni(fjala është për vajzat shqiptare të martuar me sllav dhe jo shqiptar në të dy këto rastet) kanë kulturë sllave dhe jo shqiptare, pra ndihen serb dhe sllavomaqedonas.

I njëjti problem do na lindi edhe me vajzat apo djem shqiptar që janë martuar me grek, italian, boshnjak, turq etj.

Një frik tjetër është se shumë shqiptar që jetojnë në vendet fqinje si Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Serbia, duke përfituar shtetësinë Shqipërisë mund të braktisin trojet e tyre përgjithmonë duke u vendosur në Shqipëri. Paramendoni sikur rreth 200 mijë shqiptar nga Maqedoni dhe Serbia të zhvendosen në Shqipëri çfarë humbje kombëtare do kemi. Pra, duhet shumë kujdes edhe në këto raste. Tek e fundit territori i Republikës së Shqipërisë është i vogël, më shumë malor-kodrinor se sa fushor. Shqiptarët duhet te zgjerohen në Kosovë dhe Maqedoni për jetuar më mirë sepse këto dy vende kanë fusha të pafundme dhe jo të ngushtohen brenda Republikës së Shqipërisë.

Mundet që tu jepet pasaporta Shqipërisë në aspektin e mirënjohjes kombëtare shqiptarëve në Bullgari, Rumani, Ukrainë dhe Hundëzakëve (kalashët) që jetojnë në Nuristan midis Afganistanit dhe Pakistanit. Shqiptarët në këto vende njihen si minoritet kulturor dhe histori sepse shumë pak e kanë ruajtur identitetin kombëtar, pra atë gjuhësor.

Sa për deklaratën që Kryeministri tha se 10% e popullsisë në Greqi është shqiptare mendoj se ka gabuar qoftë në aspektin politik ashtu edhe historik. Në aspektin historik rreth 40% e popullsisë së Greqisë së sotme kanë origjinë shqiptare dhe nga mosha 50 vjeç e lart e flasin gjuhën shqipe arkaike në ato zona ku janë shumicë grekët me origjinë shqiptare. Por lind pyetja Sa ndihen ata shqiptar ose sa është numri i arvanitasve që ndihen më parë shqiptar se grek?

Mendoj se Shqipëria është e vonuar për ti vlerësuar arvanitasit për kontributin e tyre në drejtim të ruajtjes së identitetit dhe kulturës sonë kombëtare. Në 23 vite demokraci asnjë grup arvanitas nuk është ftuar zyrtarisht për të dhënë koncert apo për të vizituar qytetet tona historike. Për të njohur më mirë njeri-tjetrin. Kontributi për të njohur më thellë arvanitasit dhe jetën e tyre u takon studiuesve të pavarur dhe emigrantëve se sa shtetit shqiptar i cili është treguar indiferentë ndaj tyre.

Do të ishte më mirë në vitet që jetojmë që qeveria shqiptare të ngrejë çështje më serioze për tu kujdesur më shumë për shqiptarët që jetojnë historikisht në Greqi dhe Turqi duke kërkuar të drejtat e tyre. Duke i kërkuar këtyre dy vende që të njohë minoritetin shqiptar në bazë të Marrëveshjes së Lozanës dhe të Konventave Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.

Shteti shqiptar do bënte mirë që të ushtronte presion ndaj Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë që të ndalin dhunën shtetërore nga shqiptarëve etnik që jetojnë në këto vende. Qeveria shqiptare do bënte mirë që të ngrejë çështjen e mohimit të shtetësisë së Maqedonisë së rreth 30 mijë shqiptarëve etnik të cilët edhe pse kanë lindur dhe jetojnë në Maqedoni u mohohet shtetësia dhe janë njerëz pa adresë në këtë republikë të brisht. Do të ishte punë më kombëtare nëse Shqipëria do të tregonte kujdes për ortodoksit dhe katolikët shqiptar të Maqedonisë duke ju dërguar edhe ndonjë prift që mesha të mbahet në gjuhën amtare shqipe. Do të ishte më kombëtare nëse Shqipëria do të kërkonte zyrtarizimin e librit të Abetares në Maqedoni për fëmijët shqiptarët të cilët që nga viti 2007 nuk e dinë çfarë është libri i Abetares sepse ky libër është i ndaluar me ligj që të mësojnë fëmijët me kombësi shqiptare.

Këto janë vetëm disa probleme që mund të zgjidhen të atyre shqiptarëve që qeveria jonë dëshiron tu japi shtetësi shqiptare me fjalë shpejt e shpejtë.

Gjërat duhen të shikohen me ftohtësi sepse shpesh herë nga emocionet e forta që përjetojmë mund të marrim vendime të gabuara që do na kushtojnë shtrenjtë në të ardhmen. Në çastet emocionale të forta njeriu nuk duhet të marrë vendime serioze dhe afatgjate.

Në përfundim dua të denoncoj me këtë rast publikisht institucionet e gjendjes civile në Shqipëri të cilat nuk regjistrojnë në certifikatat e familjes anëtarët e familjes të cilët nuk kanë shtetësi shqiptare. P.sh në rastin tim prej 10 vitesh gjendja civile në Elbasan nuk ma jep certifikatën e familjes së plotë e thënë shqip figuroj i martuar por s’ka emrin e bashkëshortes, pra familja ime shënohet vetëm im bir duke shkelur rëndë ligjet vetë punonjësit e administratës shtetërore. Për gruan më thonë se nuk është shtetase e Shqipërisë dhe nuk mund ta regjistrojmë. Ky është një veprim primitiv i gjendjes civile në Elbasan. Në të njëjtën kohë në Maqedoni, Greqi apo gjetkë edhe nëse s’je shtetas i këtyre vendeve përbërja e familjes figuron e plot e plotë.

*Arben Llalla, Historian dhe publicist

Filed Under: Komente Tagged With: arben llalla, dhenia e shtetesise, e kendshme, por e frikshme

FEDERATA VATRA DHE DR. SALI BERISHA, PARA DHE PAS DORËHEQJES

July 4, 2013 by dgreca

NGA DALIP GRECA/

Pjesa më e madhe e vatranëve e kanë adhurur dhe vazhdojnë ta adhurojnë dr. Sali Berishën, ndërsa Vatra si institucion, i ka dhënë atij dhe Partisë Demokratike përherë përkrahje maksimale, duke besuar fort  se ai ishte udhëheqësi reformator i Shqipërisë Demokratike.     Që në vizitën e parë të tij në SHBA, Vatra i dha besim dr. Berishës dhe e mbështeti atë gjatë të gjithë kohës,ndërsa  dorëheqja e tij i ka shtangur vatranët ashtu si të gjithë ata që e kanë adhuruar liderin demokrat, ndërkohë që akti i dorëheqjes në vetëvete, sërish e ka lartësuar staturën e tij prej demokrati.Vatra  dhe vatranët kanë parë tek dr. Berisha performancën e një udhëheqësi  demokrat reformator, të vendosur, energjik, atdhetar, dhe kanë shpresuar shumë në rolin e tij si inspirues të  zhvillimeve demokratike. Bash për këtë besim dhe përkrahje të pakufishme, Vatra është “mallkuar” nga e majta dhe media e saj, është sulmuar nga gazetarë të opozitës, është sharë dhe fyer, është thashethemuar, por vatranët ishin të ndërgjegjshëm në përkrahjen ndaj Partisë Demokratike dhe udhëheqësit të saj dhe nuk ndjeheshin të ofenduar as nga togfjalshi tashmë i konsumuar”pleqtë e Vatrës”! Ky togfjalësh vazhdon të përdoret edhe pse këto tre vitet e fundit në Vatër 80 përqind e të anëtarësuarëve janë mosha të reja dhe mesatare, por kritizerëve nuk u duhet realiteti, ata kanë mendjen dhe fantazinë e tyre dhe vazhdojnë të urrejnë pleqtë. A do të plaken vetë një ditë edhe ata!     Grupi i parë i vatranëve, që patën shkuar në Shqipëri që në zgjedhjet e para pluraliste kudo ku shkuan nëpër Shqipëri potencuan Partinë Demokratike, ashtu siç bëri edhe i pari ambasador amerikan në Shqipëri pas rivendosjes së marrdhënieve diplomatike me Amerikën. Në fakt në atë vizitë të parë, vatranët nuk u identifikuan me federatën, por u paraqitën si shqiptaro-amerikanë. Ata bënë thirrje që të përkraheshin forcat e reja demokratike dhe jo trashëgimtarët direkt të Partisë së Punës, që jo vetëm trashëguan iventarin dhe pasuritë e PPSH-së, por që edhe nuk pranuan të ndryshonin, qoftë edhe numrin e botimit të gazetës së tyre Zëri i Popullit, që ruante në progresion numrin e botimit, që nga 25 gushti i vitit 1942, numër që kishte dalë nën drejtimin e Enver Hoxhës.      Në vizitën e tij të parë në Amerikë si president i Republikës në vitin 1993, dr. Sali Berisha u prit nga vatranët dhe shqiptarët e Amerikës si hero. Pas kësaj, në çdo vizitë të tij, ai nuk harronte që të takonte vatranët. Darkat e punës me Vatrën u kthyen në traditë, aq sa kritizerët filluan ta sulmonin Vatrën për këto dreka, edhe pse kjo ishte në traditën shekullore të Vatrës dhe në bujarinë tradicionale shqiptare. Kështu i kishte pritur Vatra të gjithë personalitetet që vinin nga Atdheu i largët, përjashto udhëheqësit dhe diplomatët komunistë. Kështu kishte pritur  Vatra, At Gjergj Fishtën, kështu kishte pritë Mithat Frashërin, dhe të tjerë burra të nderuar të Kombit.       Përse Vatra nuk u ka ofruar mikpritje komunistëve? Së pari Vatra është antikomuniste. Së dyti, sepse vatranët që dhanë gjithçka për Kombin, u ndëshkuan nga komunistët sikur të ishin armiq. Kështu u pushkatua ish kryetari i Vatrës Kolë Tromara, kështu u pushkatua ish editori i Diellit, Bahri Omari, u çua në plumb ai që stërviti vullnetarët e Vatrës dhe i udhëhoqi në Luftën e Vlorës dhe në mbrojtjen e kufijëve jugorë më Greqinë okupuese, Aqif  Përmeti, kështu u dënua pa varr bashkëthemeluesi i Vatrës, ish kryetari i Besa-Besën, deputeti i Parlamentit Shqiptar, Konsulli, nënprefekti i Himarës dhe Bilishtit, kryetari i bashkisë së Korçës, Kristo Kirka, dora e djathtë e Nolit,u kalbën burgjeve ish kryetari Vatrës dhe editori i Diellit Aqile Tasi, Kolë Rodhja e të tjerë, ndërkohë që Ali Kuçi, kryetari i Pleqësisë së Vatrës në Pensilvania, që i priu fushatës “për shpëtimin e Shqipërisë’, vdiq nën torturat e hetuesëve në Berat. Po kështu u dënuan me moskthim në Shqipëri eshtrat e Faik Konicës, që do të prisnin për 53 vite që të riktheheshin në Shqipërinë që ai i pat kushtuar jetën, mendjen, penën, oratorinë dhe gjithëçka tjetër. Ky është muri që i ndanë vatranët dhe vatrën e tyre të dashur nga komunistët. Ata që thonë se Vatra nuk është marrë në të shkuarën me politikë, gabojnë, nuk njohin historinë e Vatrës. Federata Panshqiptare  e Amerikës Vatra është marrë me politikë, edhe pse neni i pestë i kanunores ia ndalon formalisht.      Po le të kthehemi tek marrdhëniet e Vatrës me Partinë Demokratike dhe liderin e saj dr. Sali Berisha. Vatra i ka dhënë mbështetje Sali Berishës jo vetëm kur ka qenë në majë të pushtetit, por edhe kur ishte në opozitë. Edhe në vitet e vështira ’97-’98 vatranët ishin pranë Berishës duke i dhënë atij mbështetje nga rrëzimi i dhunshëm, nga grushti i shtetit, prej atij që ata e quajtën “ rebelim, revolucion i komunistëve”. Vatranët nuk e njohën qeverinë e kallashnikovëve, siç e pagëzuan ata qeverinë e dalë pas dhunës. Madje në qershor të vitit 1998 ekipi i Vatrës shkoi në Shqipëri për dy qëllime; që të ndihmonte luftën në Kosovë, udhëtoi deri në Tropojë, vizitoi të plagosurit e luftës, dha kontribute financiare për luftën dhe shfrytëzoi rastin përmes bisedash e intervistash në radio dhe televizone , ku përcollën mesazhe që suportonin ringritjen e dr. Berishës dhe të Partisë Demokratike. Vatranët e shoqëruan lëvizjen e ringritjes së Berishës dhe Partisë Demokratike përmes protestave “Nano ik”. Jo vetëm se ishin organizatorë të protestave në Nju Jork me moton” Nano ik!”, por  me 20 mars 2004, shkuan edhe në Tiranë dhe morën pjesë në një protestë të madhe në Sheshin Skënderbej, ku kryetari i Vatrës, z. Agim Karagjozi u brohorit nga mesazhi që përcolli.    Nga ana e tij dr. Berisha e respektoi Vatrën si institucion historik. Ai në të gjitha vizitat e tij përcolli në komunitetin shqiptar në Amerikë mesazhe vlerësimi të rolit historik të Vatrës. Kulmin e vlerësimit ai e bëri në 100 vjetorin e Vatrës, ku mori pjesë në konferencën shkencorë”Vatra, 100 vjet në shërbim të Kombit”. Në këtë përvjetor gazetat në shërbim të opozitës u morën gjatë me faktin pse qeveria e Berishës planifikoi 33 mijë dollarë, duke e trajtuar 100 vjetorin e Vatrës si prologun e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Kjo shifër është përfolur, është zmadhuar, është thashethemuar, pa u interesuar përfolësve se përse u dhanë dhe përse u përdor ajo shumë. Madje edhe ata që kritikojnë nga Amerika, nuk kanë pasur kohë që të vijnë në Shtëpinë e Vatrës dhe të shohin se si u ringjall historia e Vatrës përmes ekspozitës fotografike”100 vitetet e Vatrës”.     Në të vërtetë Vatra ka përkrahur Berishën dhe Qeverinë Demokratike, por nuk ka nguruar që t’i bëjë asaj oponencë për shqetësime që burojnë nga progarmi Kombëtar i Vatrës dhe Kanunorja e saj. Kështu psh Vatra ka mbajtur qëndrim publik kritik për ngritjen e varrezave greke në territorin shqiptar, ku të vrarët e ushtrisë pushtuse greke trajtohen si heronj dhe përjetësohen në mauzole në trojet shqiptare, ka mbajtur qëndrim kritik për çështjen e kufijëve detarë, ka denoncuar korrupsionin zyrtar, i ka bërë thirrje qeverisë që të respektojë kthimin e pronës tek pronarët e vërtetë,  ka dalë në mbrojtje të shtresës të të përndjekurëve politikë, kur ata janë lënë në harresë, madje kryetari i Vatrës vitin e shkuar i vizitoi grevistët”antiqeveritar”  duke e trajtuar vizitën e tij si humane për shëndetin e njërëzve që kishin vuajtur në diktaturë. Askush nuk mund t’ia mohojë Vatrës këtë oponencë ndaj Qeverisë Berisha.   Tash që rotacioni ndodhi, dhe që Berisha jo vetëm pranoi rezultatin, por uroi dhe kundërshtarin fitues, realiteti në Shqipëri duket se ndryshoi dhe Partia Demokratike duhet të reflektojë mbi shkaqet e humbjes duke kërkuar ringritjën perms reformimit, por tani pa kultin e Berishës. Në këto kushte Vatra duhet të pajtohet me realitetin e ri shqiptar, dhe të njohë atë që vetë Berisha e quajti: “Vendim të Sovranit”, pra të popullit votues, por pa hequr dorë nga oponenca e fortë ndaj qeverisë socialiste, që erdhi në pushtet me premtime të bujshme.     Pas dorëheqjes, Berisha mbetet mik i Vatrës dhe një udhëheqës i përmasave europiane, për të cilin historia do të flasë, duke i dhënë vendin e merituar në historinë e Shqipërisë moderne.

 

Filed Under: Editorial Tagged With: dalip greca, para dhe pas doreheqjes, Vatra dhe dr. Berisha

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5366
  • 5367
  • 5368
  • 5369
  • 5370
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT