• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dija, në humbje

June 9, 2020 by dgreca

Astrit Lulushi

Shkruan: Astrit Lulushi/

Arsya dhe fuqia, gjithmonë në luftë të përherëshme që nga zanafilla, herë bëhet e ashpër, rrallë herë e pajtueshme. Arsyeja vazhdon udhën e vet pa fund përballë fuqisë. Edhe fuqia bën të njëjtën gjë, megjithë pengesat që lehtësisht i rrëzon. Aftësitë e njeriut janë të endura në mbijetesë. I dituri mënjanohet nga pushteti; i fuqishmi mbetet pa dije. Fuqia ofron lajka, dhurata e pozita dhe tërheq vetëm mediokritet, mbyllet, por ajo ka forcën dhe e përballon këtë humbje. Dija këto nuk i ka; ajo hap mendje, kthjellon, ndriçon udhët, përhapet dhe ofron gjithnjë zgjidhje të reja. Kombin, që Aleksandri i Madh e preu me një të rënë shpate – Nyjen Gordiane – Filozofi do ta kishte zgjidhur me durim; dhe anasjelltas, rrezet e diellit që për Diogjenin ishin jetike, Aleksandri i mbuloi me trupin e tij. Bazuar në këto ide të asaj kohe, Platoni doli me mendimin se qeverisja e mirë vjen vetëm me njerëz të ditur në pushtet, dhe dhuna mund të shmanget.

Shkolla sot mëson aftësi që siguron shpërblim, karrierë, kënaqësi dhe përmbushje. Ky interes i përtërirë për të mësuar “praktikë” të kujton shprehjen “Ai mësoi aq shumë sa që mund të emëronte një kalë në nëntë gjuhë; dhe prap mbeti aq injorant sa bleu një lopë për të hipur.”

Interneti i jep përparësi studimit “praktik”, që mbështetjen e dijes e bën shqetësim sekondar. Kjo ka një logjikë të caktuar. Fuqia është në pushtet – duke parë bishtin vlerëson qenin. Përqëndrimi në aftësitë për të njohur thelbin mbetet në hije. Duke pasur parasysh shpërthimin e teknologjisë dhe aksesin në informacion, mund të thuhet se studentët e sotëm mësojnë si të mësojnë të mendojnë në vend që të zotërojnë dije. Kështu, të mësuarit social dhe emocional është po aq i rëndësishëm sa edhe rezultatet e vlerësimeve akademike, një lloj praktike pa teori dhe teorie pa praktikë.

Disa prej kohësh kanë paralajmëruar se kjo është marrëzi. Edhe pse studentët mësojnë të lexojnë, gjë që domosdoshmërisht përfshin aftësi të tilla si të kuptuarit, nevoja e tyre më e madhe është njohuria për përmbajtjen. Boshllëqet nuk shkaktohen nga mungesat e aftësive, por nga boshllëqet e dijeve. Kur lexuesit i jepet një histori për një temë që ata e njohin, gjetja e idesë kryesore është punë e lehtë. Në të kundërt, jepuni lexuesve një pasazh për diçka për të cilën nuk dinë asgjë, dhe ata do të kishin pak shanse për të gjetur idenë e saj. Studiuesit kanë vënë re se kur në vendet ku leximi i pasur me përmbajtje lihet pas dore, performanca e njerëzve zvogëlohet; sa më pak lexim aq më e madhe është humbja dhe njeriu i bashkohet turmës me ‘like’ e ‘comment’ bajate, apo vazhdon të adhurojë e të jetë nostalgjik për shkrime që ndoshta as i ka lexuar deri në fund për të kuptuar idenë e tyre nga epoka e socializmit. Këta lexues mahniten me bukurinë e të shprehurit dhe mbeten aty, humbasin, pa mundur të mbërrijnë tek thelbi.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Dija, ne Humbje

Z.FRANK SHKRELI- GËZUAR 70 VJETORIN E LINDJES DHE 50 VJETORIN E ARDHJES NE SHBA

June 9, 2020 by dgreca

VATRA & DIELLI: Z.FRANK SHKRELI- GËZUAR 70 VJETORIN E LINDJES DHE 50 VJETORIN E ARDHJES NE SHBA!/

Federata Pan Shqiptare e Amerikës “VATRA” i uron gazetarit Frank Shkreli 70 vjetorin e Lindjes dhe 50 vjetorin e Ardhjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shëndet, Lumturi në Familje!

Me këtë rast po sjellim shkrimin e tij, publikuar mbrëmë në faqen e Gazetës Dielli në Facebook”- THANK YOU, AMERICA!

***

THANK YOU, AMERICA!

-GJYSËM SHEKULLI NË AMERIKË- NJË FALËNDERIM

Nga një fshat i humbur i Ulqinit, në Ëndërrën Amerikane

Nga Frank Shkreli

“Lindur në vende të tjera, por duke besuar se mund të jeni të lumtur në këtë vend, ligjet tona e pranojnë të drejtën tuaj për t’u bashkuar me ne në shoqërinë tonë, të bindur se do të respektoni rregullat dhe ligjet tona”.

–Komunikim i Thomas Xhefersonit me bashkohasin e tij dhe politikanin, Hugh White, 1801, mbi politikën amerikane të imigracionit-

Këtë shkrim modest po e shkruaj si një reagim ndaj një interesimi të një miku, i cili, si të gjithë ne është i shqetësuar nga ngjarjet e fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas vrasjes brutale të një afrikano-amerikani nga një polic i bardhë në Miniapolis të shtetit Minesota dhe protestave të mëdha që vazhdojnë ende – disa madje mjaft të dhunëshme — anë e mbanë vendit — më pyeti nëse e dua gjithnjë Amerikën, si përpara. Duke qenë se ky vit shënon 50-vjetorin e arritjes time në këtë vend dhe me 9 Qershor festoj 70-vjetorin e lindjes, m’u duk si një rast i përshtatëshëm që t’i përgjigjëm mikut tim, me këtë rast.

Viti 2020 është një vit shumë i rëndësishëm për mua dhe për familjen time. Ky vit shënon dy ngjarje të rëndësishme në jetën time. Është një vit jubilar, mund të them, pasi shënon 70-vjetorin e lindjes dhe njëkohësisht edhe 50-vjetorin e ardhjes time dhe të familjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kërkim të lirisë dhe dinjitetit njerëzor, i bindur se do i gjëja këtu dhe se do të isha i lumtur në këtë vend. Gjatë dekadave të kaluara, në një mënyrë ose në një tjetër, jam munduar të shënoj çdo përvjetor të ardhjes në Amerikë, herë në heshtje, herë me ndonjë të veçantë të rastit — dhe nga koha në kohë — kam kujtuar me ndonjë shkrim modest edhe individë ose organizata në këtë vend që kanë lehtësuar ardhjen time këtu ose që kanë luajtur një rol të rëndësishëm në jetën dhe karrieren time. Por në këtë 50-vjetor të ardhjes time në Amerikë, e shoh të arsyeshme, pikë së pari, të falënderoj të Madhin Zot për të gjitha të mirat dhe bekimet që më ka dhënë mua dhe familjes time në këtë vend të adaptuar dhe, njëkohësisht, të ndajë me miqtë, dashamirët dhe shokët e mi, një mirënjohje të thellë personale dhe të veçantë ndaj Amerikës — një falënderim pra nga zemra ndaj këtij vendi që më ka pranuar me krahë hapur, duke më ofruar të gjitha mundësitë për të qenë i suksesshëm dhe i lumtur në këtë vend, siç ishte shprehur Xhefersoni. Këtë falënderim, këtë mirënjohje të thellë, e konsideroj si një obligim timin moral, personal dhe familjar, që madje edhe gjysëm shekulli pas arritjes time në këtë kontinent, mund t’i them këtij vendi me gojë plot: THANK YOU AMERICA! Faleminderit Amerikë! Jo se ky vend nuk i ka problemet e veta politiko-shoqërore, siç jemi dëshmitarë të protestave masive aktualisht, disa prej tyre edhe të dhunëshme për vrasjen brutale të një afrikano-amerikani nga një polic i bardhë. Dhe jo se jeta ime në këtë vend ka qenë pa sfida dhe pa vështirësi të llojlojshme, por jam mirënjohës për mundësitë që ky vend të ofron për një jetë më të mirë –që me punë të rëndë dhe disiplinë – mund t’i përballosh me sukses sfidat dhe problemet dhe të shkosh përpara në jetë. Është e vërtetë se askush në këtë vend nuk të jep asgjë falas, por duhet ta fitosh me mund e djersë. Atëherë dhe sot, imigrantëve si unë — Amerika u ofron lirinë dhe mundësitë për të qenë i suksesshëm — çdo gjë tjetër është në dorë tënde.

Në shkrimet e tija mbi imigracionin, Thomas Xhefersoni, krye-autori i Shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, e ka cilësuar shpërnguljen nga një vend në tjetrin, si një e “drejtë natyrale” të njeriut. Ai ka shkruar se në Amerikë –“Ne dëshirojmë të sigurojmë një vend-strehim të shenjtë për të gjithë ata që keq-qeverisja në Evropë mund t’i detyrojë të kërkojnë liri dhe lumturi në vende të tjera…”, ka shkruar Xhefersoni në kohën e tij. Ky premtim, në thelb, vazhdon edhe sot, megjithëse situatat gjatë historisë amerikane kanë ndryshuar, ashtu siç po ndryshojnë edhe sot.

Për fat të mirë timin, dhe për “arsye të keq-qeverisjes në Evropë” shekullin e kaluar, siç është shprehur Thomas Xhefersoni — duke justifikuar pranimin legal të imigrantëve në Amerikë në zanafillat e këtij shteti – pikërisht 50-vjetë më parë (1970), Amerika më ofroi mua dhe familjes time, ashtu si shumë të tjerëve, një “vend-strehim të shenjtë”, siç e kishte cilësuar Xhefersoni strehimin politik të imigrantëve të ardhur në atë kohë në atdheun e tij të ri, kryesisht nga Evropa.

Fillimisht, me të ardhur në Amerikë 50-vjetë më parë, un u vendosa në Nju Jork ku jetova për 3 vjet e gjysëm — me prindërit të cilët kishin ardhur këtu nja 6 muaj para meje –edhe ata, si shumë familje të tjera shqiptare, emigruan me qëllim për të filluar një jetë të re në Amerikë, ashtu siç bënin shumica e bashkatdhetarëve tanë në atë kohë azil-kërkues politikë, kryesisht, kundërshtarë të komunizmit, të ardhur nga të gjitha trojet shqiptare në Amerikë, aty nga fundi i 1960-ave dhe fillimi i 70-ave, kryesisht nga trojet shqiptare nën ish-Jugosllavi.

I ri nga mosha, isha plot shpresë dhe entuziazëm për të ardhmen time në botën e re, për një jetë më të mirë në Shtetet e Bashkuara, megjithëse xhepat i kisha bosh. Është përfolur dhe flitet shumë për “ëndrrën amerikane”, në kuptimin se mundësitë e barabarta këtu shërbejnë si një fyrmëzim për sukses dhe arritje të mëdha, sidomos në pikëpamje materiale. Por, 50-vjetë më parë, si refugjat politik në Amerikë, unë kisha vetëm një ëndërr, si shumë të ri të arratisur nga komunizmi në atë periudhë: për të jetuar i lirë, duke nënkuptuar se në liri do ia dilnim, megjithë vështirsitë në të cilat mund të hasnim. Kur kam zbritur në Nju Jork në vitin 1970, as nuk dija, as nuk kisha dëgjuar se cila është kjo “ëndërrë”, por për të cilën dëgjova më vonë, dhe natyrisht si e tillë, as nuk e prisja realizimin e kësaj ëndërre, pasi ishim të kënaqur me një “kafshatë bukë, në liri”. Thuhet se liria nuk është asgjë tjetër, veçse një ëndërrë: liria e mohuar për tu fituar, liria e vërtetë për t’u gëzuar dhe për t’u jetuar – me të drejta dhe me përgjegjësi indivduale, në përputhje me “ligjet tona”, sipas Xhefesonit. Por, në të vërtetë, gjatë viteve, më në fund, unë e zbulova këtë ëndërrë duke përjetuar “ëndërrën” time amerikane.

Nuk do ta harroj kurrë vitin 1976 – jo vetëm se shënon vitin që kemi lidhur martesën me bashkshorten time Vitoren – por që ka shënuar edhe 200-vjetorin e themelimit të Shteteve të Bashkuara – viti i këtij përvjetori historik të këtij vendi — kur në një gjykatë të Washingtonit ngrita dorën për të bërë betimin si shtetas i ri i Shteteve të Bashkuara, me të gjitha të drejtat, privilegjet dhe përgjegjësitë e një qytetari të lirë amerikan. Në vetevete, kjo ishte një ëndërrë që e kisha të vështirë ta besoja. Pesë vjetë e gjysëm pasi kisha zbritur në aeroportin Kennedy të Nju Jorkut, tani, zyrtarisht, kisha të njëjtat të drejta dhe përgjegjësi si çdo amerikan tjetër që jetonte këtu gjysh pas gjyshi.

Pjesën më të madhe të jetës time prej gjysëm shekulli në Shtetet e Bashkuara e kam kaluar në Washington, ku kam punuar për 30-vjet për Zërin e Amerikës dhe ku, me bashkshorten time Vitoren — kemi rritur e shkolluar djalin e dy vajzat. Ishte kjo periudha e jetës time në kryqytetin e Shteteve të Bashkuara që, në të vërtetë, ka përmbledhur pikat më kulminante të jetës dhe të karrjerës time dhe deri diku mund të them se ajo përvojë ka ndikuar, së bashku me traditën time familjare, edhe në formimin e identitetit tim, sot e kësaj dite.

Po flasë për përvojën time në përgjithësi, duke qenë i vetdijshëm se pse jo të gjithë ata që kanë ardhur para dhe pas meje në këtë vend – përfshir shumë bashkatdhetarë shqiptarë – të kenë pasur të njëjtin fat. Por si rrjedhim, modestësisht, më duhet të them — në këtë 50-vjetor të ardhjes time në Amerikë — se për çdo gjë që mund të kem arrijtur në jetë, në karrierë dhe në familje, ia kam borxh Amerikës: Për mundësitë që më ka ofruar dhe për të drejtat dhe liritë që më ka garantuar, siç çdo qytetari tjetër. Këtij vendi, i cili nuk pyet se nga vjen, çfarë feje ke, çfarë gjuhe flet ose kush janë prindërit tu. Amerika më dha lirinë dhe mundësitë dhe me punën time, shpesh jo të lehtë — i ardhur nga një fshat i humbur në rrethin e Ulqinit — kam jetuar ëndërrën amerikane, me të mirat dhe me sfidat, si shumë bashkatdhetarë të mi nga të gjitha trojet shqiptare. Jo, jo nuk isha unë i vetmi, kishte dhe ka shumë si unë, madje edhe shumë më të suksesshëm se unë, të cilëve Amerika ua ka dhënë mudësinë për të zhvilluar talentet e tyre në fusha të ndryshme. Në këtë fakt, qendron ai misteri tërheqës i Amerikës, se të drejtat dhe mundësitë janë të barabarta për të gjithë, nëqoftse i përveshesh punës, seriozisht.

Por unë dhe shumë bashkatdhetarë të mi shqiptarë që kanë gjetur strehim në këtë vend, nuk e duam Amerikën, vetëm e vetëm, për arsye dhe interesa vehtjake, materiale e tjera. Jo! Ne shqiptaro-amerikanët, dhe veçanërisht unë, në këtë 50-vjetor të ardhjes time këtu, e dua Amerikën edhe për rolin e veçant që Shtetet e Bashkuara kanë luajtur gjatë historisë, në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve dhe të identitetit Kombëtar të tyre, anë e mbanë trojeve të veta. Fan Noli ka thenë se i kemi shumë borxhe Amerikës. Dihet tanimë roli i Amerikës në mbrojtje të Shqipërisë nga përpjekjet grabitqare tokësore të fqinjëve të saj në fillim të shekullit të kaluar, që kishin për qëllim të venin në dyshim edhe vet ekzistencën e Shqipërisë si shtet i pavarur në veçanti dhe identitetin e shqiptarëve si komb, në përgjithësi. Unë si shqiptaro-amerikan jam i bindur se Kombi shqiptar – megjith baticat dhe zbaticat gjatë historisë — nuk do ta harrojë kurrë ndihmën e Kombit amerikan për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës në fillim të këtij shekulli dhe mbrojtjen e pavarësisë së Shqipërisë ç’prej fillimit të shekullit të kaluar. E dua pra Amerikën sepse nuk besoj të ketë ndonjë tjetër komb në botë, që ndihma dhe roli i Amerikës të ketë qenë aq i pazevëndsueshëm, siç ishte për ekzistencën e dy shteteve shqiptare — Shqipërisë dhe Kosovës. Se çfarë bëjnë sot Shqipëria dhe Kosova me këtë histori mbështetje të Amerikës ndaj Kombit shqiptar, është krejtësisht në dorë të tyre. Kjo është një pyetje tjetër dhe një shqetësim serioz për të gjithë ata që ia duan të mirën Shqipërisë dhe Kosovës. Kam drojë se “Pro-amerikanizmin” e pushtetarëve shqiptare, vetëm me fjalë, nuk e beson kushë më, pasi gjithkush shikon veprat tuaja! Pro-amerikanizëm do të thotë, mbi të gjitha, ndarje vlerash, përfshir, vlerat e lirisë, barazisë, drejtësisë, të drejtat e njeriut dhe zgjedhje të lira, ndër të tjera vlera njerëzore.

Pothuaj 50-vjet më parë kisha shkruar një artikull modest në anglisht, për gazetën e kolegjit Lehman në Nju Jork, me të cilin isha përpjekur të shprehja ndjenja e para dhe falënderimet e mia ndaj Amerikës që më kishte pranuar si refugjat, duke më ofruar mua dhe familjes strehim dhe liri. Megjithëse i ardhur rishtas si refugjat në këtë vend të madh, në shkrimin e gazetës së kolegjit Lehman si student kisha theksuar disa prej arsyeve se pse e doja Amerikën, bazuar në përvojën e shkurtër vetëm prej 2-3 vitesh në këtë vend. 50-vjet më vonë, arsyet dhe ndjenjat se pse e dua Amerikën për mua sot, në moshën 70-vjeçare, nuk kanë ndryshuar shumë ç’prej asaj kohe. Në thelb, arsyet mbeten të njëjta, Nuk ishte as ana materiale për një jetë më të mirë as edhe karriera për të cilën jam krenar, por ishte Liria! Liria për të ndjekur lumturinë.

Jo se Amerika ishte, atëherë ashtu si edhe sot, një vend i përsosur dhe që nuk kishte problemet e veta 50-vjetë më parë, ashtu siç i ka edhe sot sfidat dhe problemet e mëdha me të cilat përballet si shoqëri, siç po përjetojmë sot protestat massive, disa edhe me dhunë, anë e mbanë Amerikës. Vrasja e një afrikano-amerikani nga policia ishte një akt vrasës dhe kriminal. Si të tillë e konsideron shumica e amerikanëve, prandaj ndodhin protesta, madje edhe me dhunë, me shkatërrime pronash — si një mjet për të tërhequr vëmendjen ndaj një situate që nuk mund të tolerohet më. Unë jam i bidnur se pasi të jenë ftohur gjakrat, edhe ky incident i tmershëm do të shërbejë për diçka më mirë. Shoqëria amerikane, ashtu si edhe në të kaluarën në raste të tilla protestash të mëdha shoqërore, do nxjerr mësime serioze nga kjo vrasje si dhe nga reagimet e popullit amerikan ndaj këtyre ngjarjeve. Ku tjetër kemi parë që policët, madje edhe shefat e policisë, anë e mbanë Shteteve të Bashkuara tu bashkohen protestuesve për të dënuar vrasjen e një njeriu të pafajshëm nga një polic i radhëve të tyre? Edhe kjo është një arsye se pse e dua Amerikën –për të drejtën që të ofron që të kritikohet çdo gjë dhe gjithmonë, duke filluar nga presidenti e deri tek polici i nivelit më të ultë, me qëllim përmirësimi të gjëndjes.

Por, si atëherë ashtu edhe sot, për një refugjat që arrinë në këtë vend, me gjithë të metat e saja, Amerika mbetet, prapseprap, një vend që gjithnjë inkurajon realizimin e ëndërrave tua. Mbetet si një vend ku me punë të rëndë dhe duke respektuar rregullat dhe ligjet, jo vetëm që mund të përparosh, por madje nëqoftse i përveshesh punës me disiplinë, mund të realizosh enëdrrat tua sado ambicioze qofshin ato. 50-vjetë më vonë, Amerikën e dua edhe sot sepse mbetet gjithnjë një vend që frymëzon, një vend që beson në aftësitë tua dhe mundëson një të ardhme më të mirë për ty dhe familjen, nëqoftse vet je serioz për të ardhmen tënde e të familjes. Është, pikërisht, ky besim në mundësitë që të ofron Amerika, ai që bindë çdo vit, miliona njerëz nga e mbarë bota, të largohen nga vendlindja, ashtu siç jam larguar edhe unë 50-vjetë më parë –për arsye të ndryshme — por kryesisht, për të gjetur lirinë në këtë vend dhe “për të qenë të lumtur”, siç është shprehur Thomas Xhefersoni në agimin e këtij shteti planet.

50-vjet më parë, për mua ishte – pikërisht, ky besim, i këthyer në premtim, në mundësitë dhe në garancinë që ofronte ky vend për të gëzuar të drejtat dhe liritë si një refugjat politik si unë — i pa dëshiruar në vendlindje, i nepërkëmbur, pa të drejta dhe pa liri – një njeri i pa shtet dhe i pa atdhe – zyrtarisht i klasifikuar si refugjat,“stateless”, nga autoritetet ndërkombëtare të imigracionit në Itali.

Ishte kjo ndjenjë se nuk i përkisje askujt dhe se askush nuk interesohej as nuk kujdesej për ty, por ishte gjithashtu ajo forca dhe vendosmëria që i kishin rrënjët në këtë besim dhe premtim që më ka shtyrë mua dhe shumë të tjerë si unë, në atë kohë, që të rrezikonim edhe jetën duke kapërcyer ilegalisht kufijtë shtetrorë, për një jetë më të mirë dhe të lirë në Perëndim.

Mikut tim i cili donte të dinte nëse e dua gjithnjë Amerikën megjithë problemet e mëdha që ka ndeshur gjatë historisë, përfshirë edhe protestat masive të ditëve të fundit, është realizimi i këtij premtimi, si atëherë ashtu edhe sot – që mbetet një besim i patundur i imi në fjalët e Thomas Xhefersonit se,“Duke besuar se mund të jeni të lumtur në këtë vend” dhe në besimin se ligjet e këtij vendi garantojnë të drejtën time, sipas Xhefersonit, “për t’u bashkuar me ne në shoqërinë tonë, i bindur, se do të respektoni rregullat dhe ligjet tona” — mbetet, mik I dashur, ajo FORCA e mbrendshme që më detyron të jem mirënjohës ndaj këtij vendi edhe në këtë 50-vjetor të strehimit tim në Amerikë.

Është pra, ky detyrim moral personal, që në këtë 50-vjetor të arritjes time dhe të familjes në këtë vend, të them: Faleminderit, Amerikë, përgjithmonë, si në kohë të mira ashtu dhe në kohë të vështira. Thank You! Ashtu si edhe 50-vjetë më parë edhe sot: I love America! Një shprehje kjo po aq e bindshme, domethënse dhe moralisht e detyrueshme për mua — në këtë 50-vjetor dhe në 70-vjetorin e lindjes — ashtu siç ishte për mua edhe para 50 vitësh kur kam zbritur në Nju Jork, për herë të parë. Si atëherë kur kam shprehur të njëjtat ndjenja mirënjohjeje dhe falënderimi ndaj këtij vendi, ashtu po bejë edhe sot me këtë shkrim modest për informacion për familjen time të ngushtë dhe më të gjërë, si dhe për miqtë, kolegët dhe dashamirësit e mi të shumtë — të cilët i falënderoj gjithashtu nga zemra për miqësinë, mbështetjen dhe respektin e vazhdueshëm në këtë 50-vjetor të strehimit tim në Amerikë dhe në 70-vjetorin e lindjes –kudo qofshi në Amerikë,Shqipëri, Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare.
****
NE VEND TE EMERTIMIT TE FOTOGRAFIVE-

1- Megjithë problemet që mund të ketë pasur dhe ka edhe sot Amerika dhe megjithë sfidat që kam hasur në jetë dhe karrierë gjatë 50-viteve të fundit–ashtu si gjysëm shekulli më parë kur kam filluar këtë rrugëtim të gjatë — gjithnjë dhe pa hezitim falënderoj dhe i jam mirënjohës këtij vendi që më ka pranuar dhe për mundësitë që më ka dhënë mua dhe familjes time gjatë dekadave. Ashtu, si 50-vjet më parë, i ardhur rishtas në këtë vend, kisha shprehur ndjenjat e mia për Amerikën në një shkrim modest si student në Kolegjin Lehman në Nju Jork, edhe sot e kësaj dite jam krenar të them gjithnjë me zemër dhe bindje: I love America! Të Dua Amerikë!

NGA MALËSIA NË AMERIKË

Kujtime me fotografi për familjen dhe kolegët—vetëm disa kujtime nga origjina, jeta dhe veprimtaria ime – Kurrë mos i harro rrënjët e origjinës, nëqoftse do të jesh i suksesshëm në jetë, sipas një shprehjeje të vjetër.

2- Lugina e Shkrelit, Malësi e Madhe


3-Trojet stërgjyshore të autorit në katundin Amull afër Ulqinit (lartë) ku kam lindur 70-vjetë më parë,me 9 Qershor, 1950

4- Gjyshi im Luk Toma i Shkrelit (krenaria e familjes dhe shtylla e fisit tonë të madh) para shtëpisë ku kam lindur, Amull – Ulqin, 1950.

5 Kisha e Shkrelit, Malësi e Madhe, afër të cilës i kemi trojet origjinale stërgjyshore të familjes tonë. Mbiemrin Shkreli e kemi ruajtur në familje, si trashëgimi e të parëve tanë nga kjo krahinë e Shqipërisë. Me ketë emër do u njohin se kush jeni!

6 Prindërit e mi të paharrueshëm, Nana Mrika dhe Baba Gjeto Shkreli –me shumë vuajtje e mundime na kanë rritë ne 4 fëmijtë e tyre: Dranja, Toma, Frani e Terezja

7 Gjimnazi klasik (shkolla e Mesme) në Rijeka të Kroacisë, 1965-1969, para se të arratisesha për në Itali. Si seminarist, aty mora bazat e shëndosha të një edukate klasike.


8 Autori – refugjat politik në Romë,1969 – SHBA -2015

9 Viti 1970 – 50-vjetë më parë –“Mirësevjen në Shtetet e Bashkuara –Në emër të Presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe të popullit Amerikan, ne të urojmë mirëseardhjen në të ketë vend të madhërishëm”

10- Statuja e Lirisë në Nju Jork –ikonë e lirisë dhe e Shteteve të Bashkuara: shenjë mikpritëse për emigrantët që vijnë nga larg, me mbishkrimin: “Më jepni të lodhurit, të varfërit, turmat e kruspulluara, ata që dëshirojnë të marrin frymë lirisht”.

11 Washington: Kryeqendra e Zërit të Amerikës, në afërsi të Kongresit Amerikan, ku kam kaluar 30-vjetët më të bukura dhe më të frutshme të jetës time 1974-2003

12 Në hyrje të ndërtesës së Zërit të Amerikës, “Zërit të së Vërtetës”, siç njihet nga shumë shqiptarët –si vizitor – 2020. “Zëri i Amerikës ka mbi supe një përgjegjësi të madhe si mbartës i së vërtetës. Barra për të thënë të vërtetën nuk është e lehtë të mbartet…”, ka thënë ndër të tjera Presidenti Xhon Kenedi në fjalimin me rastin e 20-vjetorit të Zërit të Amerikës, në vizitën e tij në kryeqëndrën e VOA-s, 26 Shkurt, 1962. Për 30-vjetë jam munduar ta mbroj të vërtetën, si një përgjegjësi morale dhe si një barrë shoqërore.

13 Bashkia e qytetit Nju Jork, New York, Nëntor, 2019

14- Zyra e vogël ku e kaloj të shumtën e kohës tani, në pension

15- Autori ka qenë anëtar i delegacionit të parë të Departamentit Amerikan të Shtetit në Shqipëri dhe monitorues i zgjedhjeve të para pluraliste në atë vend, Mars/Prill 1991. Rrugët ishin bosh si sot në kohën e koronavirusit.

16- Dita e pensionimit nga Zëri i Amerikës, 2003

17- Me botuesin e gazetës Telegraf, Z. Agim Çiraku dhe me dhe Kryeredaktorin e kësaj gazete, Z.Engjëll Musai, në promovimin e tre vëllimeve të,”Demokracia Nuk Pret” — një përmbledhje e nja 25-30% e shkrimeve që tani kanë arritur në rreth 1000-artikuj, e që botohen rregullisht në gazetën Telegraf të Tiranës, Shtator, 2018

18- Nga promovimi i tre vëllimeve “Demokracia nuk pret” në Tiranë, Shtator, 2018

19- Bashkshortja ime Vitorja, gjithmonë pranë meje

20 Në fund të fundit, asgjë nuk ka më të shënjtë se familja. Krenar për secilin prej tyre!

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, Gezuar ditelindjen, Vatra -Dielli

PLAGËT E SHQIPËRISË POLITIKE

June 9, 2020 by dgreca

…Pushteti absolut i kryetarëve të partive i ka shëndërruar në pushtetar përbindësha politik që pushtojnë, dhunojnë, shantazhojnë e kontrollojnë të gjitha institucionet e varura, të pavaruara, kushtetuese dhe ligjzbatuese në Shqipëri. /

Shkruan: Sokol PAJA / DIELLI/

Marrëveshja zgjedhore mazhorancë-opozitë në Këshillin Politik ishte një tjetër dështim për progresin elektoral demokratik në Shqipëri. Palët u morën vesh për të mos u marrë vesh. Palët politike jo vetëm që nuk zgjidhën asnjë çështje bazike që ka minuar procesin politik dhe demokratik të zgjedhjeve në të kaluarën, por shtuan edhe më shumë rrugë qorre, në një rrugë pafund e pa krye. Palët ranë dakord që do bëjmë përsëri sherrnajë në zgjedhjet e ardhshme. Problem në Shqipërinë politike është pushteti i jashtëzakonshëm i kryetarëve. Fryma totalitariste e drejtimin të partisë, funksionimit të strukturave, asgjësimi i mendimit ndryshe, mungesa e garës reale në zgjedhje brënda partisë, paracaktimi i fituesit në çdo betejë, katapultimi i individëve pa kontribute, pa histori, pa identitet politik në kapilarët e pushtetit dhe të fuqisë politike. Dalja nga boshti ideologjik dhe programor i partive: Të majtët në Shqipëri kanë program të djathtë, të djathtët kanë program të majtë, konservatorët janë liberalë dhe liberalët janë kryekëput konservatorë. Administrimi i zgjedhjeve nga njerëz me pushtet politik do të sjellë gjithmonë sherrnajë të tejzgjatur duke e bërë Shqipërinë si vendin më të fundit në Evropë për administrimin e zgjedhjeve dhe shpalljen e fituesit. Panorama zgjedhore në Shqipëri paraqet gjithmonë përplasje, sherr, dhunë, tymnajë e pakuptimtë, manipulim, trafik i votave nga të vegjlit te të mëdhenjtë: Deformim i pastër në tavolinë. Krim i shumëfishtë zgjedhor i kryer në bashkëpunim dhe në marrëveshje të plotë nga partitë e mëdha.

Probleme të skenës politike

Problemet më të rënda të jetës politike në dëm të interesit publik janë: trafiku i deputetëve, deformimi kriminal i vullnetit të zgjedhësve: një përfaques i vullnetit të popullit qëllon të ndërrojë 3 herë përfaqësimin politik sipas interesave personale. Mosmbajtja e premtimeve ekskluzive më të cilat erdhi në pushtet një forcë politike e caktuar. Morali i munguar i partive të cilat edhe kur nuk mbajnë premtimet dhe kur bëjnë operacione plastike të disa projekteve të zhvillimit, shfajësohen duke thënë se i penguan ata që ikën. Si mundet të të pengojë dikush që nuk është më? Si mund të të pengojë ajo që nuk ekziston? Zgjedhësit nuk reagojnë, veprojnë në tym, të shushatur e tolatur, votojnë qorrazi. Elektorati harron shpejt. Miratimi i një reformë më disa pika në ajër është shmangie nga thelbi real i problemit të zgjedhjeve në Shqipëri. Aq kohë sa nuk ndalohet dhe ndëshkohet shitblerja e votës, presioni mbi zgjedhësit, shantazhi ndaj votuesve, kërcënimi i administratës për të mbështetur qeverinë, largimi i çunave problematikë nga qëndrat e votimit, dekrimanilizimi i garuesve në zgjedhje, financimi i partive dhe fushatave elektorale, largimi i partive nga të fortët, parelinjtë dhe njerëzit me rekorde dhe afrimi i partive me profesoriatin e botës akademike shqiptare, specialistët e tregut, dhe njerëz të spikatur dhe veprimtarë me ndikim në shoqëri, kurrë nuk mund të themi se kemi riparuar diçka. Marrëveshje me detyrim nga ndërkombëtarët jo vetëm që nuk zgjidh asnjë problem, por thjeshtë i sposton ato në shtegun e zgjedhjeve të ardhshme. Sa herë që në Shqipëri nuk do bëhet garë reale vlerash në zgjedhje, kurrë sdo kemi zgjedhje model por kinezërira të turpshme alla shqiptare që do minojnë procesin demokratik dhe të lirë të zgjedhjeve në Shqipëri.

Shqipëria ka nevojë që në parlament të ketë profesionistë të shkëlqyer, specialistë të aftë, veprimtarë patriotë, përfaqësues me dinjitet dhe integritet moral dhe profesional që debatojnë për pë çështjet më të rëndësishme dhe projektet zhvillimore të shtetit, jo manekinë që ngrejnë apo ulin kartonët sipas rastit. Shqipëria ka nevojë për një garë reale vlerash, individësh të spikatur, projektesh për shvillimin e vëndit, jo për retorika boshe, fjalor banal rrugësh e akuza të ndërsjellta politike të rëndomta.

Listat e mbyllura që dërgohen në mesnatë në KQZ kanë prodhuar individë qesharakë me pushtet dhe institucione qesharake. Papërgjegjshmëria politike dhe listat klienteliste kanë bërë që të kemi parlamentin më të rëndomtë në planet. Parlamenti sot rrezaton injorancë dhe mediokritet ulëritës. Duke parë deputetët e sotëm në Parlament, a e imagjinoni si do njehej sot Ismail Qemali, At Gjergj Fisha, Luigj Gurakuqi, Dom Nikoll Kaçorri, Dom Ndre Mjeda, Eqerem Bej Vlora, Ahmet Zogu, Lef Nosi, Hasan Prishtina, At Anton Harapi etj? një turp kombëtar. Nëse ky pseudo Parlament do ekzistonte në Evropën perëndimore, qytetarët do i vinin flakën. 

Pushteti absolut i kryetarëve të partive i ka shëndërruar në pushtetar përbindësha politik që pushtojnë, dhunojnë, shantazhojnë e kontrollojnë të gjitha institucionet e varura, të pavaruara, kushtetuese dhe ligjzbatuese në Shqipëri. 

Filed Under: Politike Tagged With: Plaget e Shqiperise Politike, Sokol Paja

NË MBLEDHJEN E KRYESISË SË VATRËS U NDERUA KUJTIMI I VATRANIT VETERAN JONUZ NDREU

June 8, 2020 by dgreca

Shtunë, 6 Qershor, duke filluar nga ora 10 e 30, Kryesia e Vatrës, zhvilloi takimin e saj të parë zyrtar në Kohën e Pandemisë përmes vidio konferencës, që u mundësua nga nënkryetari Ervin Dine, ashtu si edhe takimi i përkujtimit të përvjetorëve të Revoltave të Spacit dhe të Qafë Barit, të zhvilluara gjatë muajit Maj.


Që në fillim të mbledhjes zyrtare të Kryesisë, Kryetari i Vatrës, nën dejtimin e të cilit u zhvillua mbledhja e kryesisë z. Elmi Berisha, u kërkoi anëtarëve të kryesisë të ngriheshin në këmbë dhe me një minut heshtje u përkujtua vatrani veteran, Jonuz Ndreu, i cili për më shumë se 50 vjet ishte pjesë e rëndësishme e bordit të Vatrës dhe një kontributor bujar.
Z. Jonuz Ndreu, ndërroi jetë me 3 prill 2020 dhe u varros më 7 prill, në shtetin e Nju Xhersit.


I përjetshëm Kujtimi i Tij!
Kryesia e Vatrës diskutoi dhe mori Vendime të rëndësishme gjat mbledhjes së sotme. Rreth punimeve të saj do t’ju njohim sapo Sekretarja e Vatrës zonja Nazo Veliu, të dorëzoi Proces-Verbalin dhe te zbardhim rekordin qe na ka derguar nenkryetari i vatres, z. Ervin Dine..(Dielli)

Filed Under: Featured Tagged With: Elmi Berisha, Jonuz Ndreu, kryesia e Vatres

MERKEL- KRYEMINISTRIT HOTI: MEZI PRES TE PUNOJU ME JU!

June 8, 2020 by dgreca

Kancelarja Merkel uron Avdullah Hotin: Dialogu me Serbinë është sfidë e madhe, i ndërmjetësuar nga BE

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka uruar homologun e saj kosovar, Avdullah Hotin për detyrën e re. Merkel thotë se Hoti ka sfida të mëdha si pandemia, ndryshimet kushtetuese apo edhe dialogu me Serbinë.

Po ashtu, Merkel shton se dialogu me Serbinë ndërmjetësohet nga BE, duke mos përmendur SHBA-në.

Kancelarja gjermane i ofron mbështetje dhe ndihmë Kosovës në rrugën e saj europiane.

LETRA NGA ANGELA MERKELI nderuari Kryeministër,

Ju përgëzoj për zgjedhjen tuaj.

Keni sfida të mëdha para jush dhe Qeverisë suaj, vecenarisht përballja me pandeminë Covid 19, ndryshimet kushtetuese dhe dialogu me Serbinë për normalizim, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Qeveria federative mbetet e gatshme për ta ndihmuar Kosovën në rrugën e saj dhe të punojë për të kuptuar vendet e Ballkanit Perëndimor.

Mezi pres të punoj me ju.

Filed Under: Komente Tagged With: Angela Merker, Kryeminstri Hoti, leter

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 538
  • 539
  • 540
  • 541
  • 542
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”
  • Festat e fundvitit u mbyllën me këngë e valle shqiptare nga Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit, New York
  • Pjeter Logoreci: “Jeta dhe vepra e Aleksandër Moisiut asht nji shëmbëlltyrë pune, kulture, vullneti e karakteri”
  • “Metamorfoza”
  • Trifon Xhagjika (20 prill 1932 – 23 dhjetor 1963)
  • POETIKA E MUNGESËS DHE KUJTESËS APO ËNDRRA SI METAFORË E IDENTITETIT LIRIK
  • Umberto Eco për librin si nevojë, jo si konsum, për bibliotekën si kabinet i mjekësisë së shpirtit
  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT