• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Marrëveshja Kosovë-Serbi e Brukselit si model unik në mbrojtjen e pakicave

April 22, 2013 by dgreca

Nga Dr. Enver Bytyçi-Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Europës Juglindore – Tiranë/

Ka kaluar më shumë se një vit, kur udhëheqësi i koalicionit serb “Ndryshimi”, shkrimtari Vuk Drashkoviç, kërkonte me ngulm që Serbia të çlirohej prej Kosovës. Në një intervistë të tij për radion Europa e Lirë të datës 25 mars 2012, ai thoshte se “koalicioni parazgjedhor “Ndryshimi,” kërkon të ndalohet vrasja e Serbisë për hir të ruajtjes së asaj që është vetëm mirazh”, duke shtuar gjithashtu të vërtetën tjetër se “nuk mund të ndërtohet një Serbi evropiane mbi themelet e Serbisë së Millosheviçit”. E thoshte këtë të vërtetë të pamohueshme një prej ish-anëtarëve të kabinetit të diktatorit Milosheviç.

Vetëm dy muaj më vonë, shkrimtari i shquar shqiptar, Ismail Kadare, në një intervistë për revistën beogradase “NIN” thoshte në substancë të njëjtën gjë: “Më parë në një pjesë të Ballkanit përdorej shprehja çlirimi i Kosovës nga Serbia. S’është ndonjë çudi që tani të thuhet çlirimi i Serbisë prej Kosovës”. Dhe deri në në këto momente mendjet ballkanike qenë kapur fort pas idesë fikse se “E mira e jote është e keqja ime” e për pasojë palët qenë të ndara në qëndrimet e tyre për ta zgjidhur njëherë e përgjithmonë konfliktin shqiptro-serb.

Një vit më parë Beogradi organizoi zgjedhjet e veta edhe në veri të Kosovës, ndërsa serbët lokalë vijonin që prej 13 vitesh të refuzonin me dhunë integrimin në shtetin e Kosovës. Aq e tensionuar ishte situata në komunat me shumicë serbe, sa më 1 qershor të vitit 2012 ato demonstruan me dhunë kundër trupave të KFOR-it, duke plagosur dy prej tyre. Barrikadat ishin aty mbi urën e Ibrit e në afërsi të pikave kufitare, kontrabanda lulëzonte dhe serbët lokalë bënë përpjekje të panumërta që të sfidonin jo vetëm qeverinë dhe institutcionet e Kosovës, por edhe praninë ndërkombëtare në zonë. Madje u desh që një kontigjent prej 700 ushtarësh nga Gjermania dhe Austria të vinte në ndihmë të forcave aktuale të vendosura në veri të Mitrovicës.

Kjo situatë e trishtë u duk se do të përkeqësohej, kur në Beograd u kurorëzuan në krye të pushtetit radikalët e ish-Partisë së Sheshelit dhe idhtarët e anëtarët e Partisë së Milosheviçit. Dy figurat kryesore, Tomislav Nikoliç, si president i vendit dhe Ivica Daçiç, ish-zëdhënës i Milosheviçit, si kryeministër dhe ministër i Brendshëm, u panë me skepticizëm të madh e mosbesim. Pakush besonte në atë se ata do të sillnin ndonjë situatë ndryshe në marrëdhëniet rajonale dhe në raportet midis Prishtinës dhe Beogradit. Ishte krejt e arsyeshme të mendohej se Europa Juglindore me këto “hije” të së kaluarës së hidhur e kriminale do të përjetonte përsëri kriza të pamenduara. Frika se gjakderdhja do të rikthehej në Ballkan e shoqëroi pjesën e parë të qeverisjes së radikalëve serbë të ardhur në pushtet.

Por të premten e kaluar, më 19 prill 2013, në raundin e dhjetë tnë bisedimeve, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, nënshkruan në Bruksel atë që unë do ta quaja “Marrëveshja e Pajtimit për Veriun e Kosovës”. Marrëveshja e datës 19 prill është dhe do të mbetet e tillë, sepse i jep fund një situate dhune e konflikti të pandërprerë midis shqiptarëve dhe serbëve në këtë pjesë të territorit të vendit. Jo në kuptimin që e përmend kryeministri Thaçi, sipas të cilit marrëveshja e Brukselit vjen për herë të parë pas një shekulli konflikt midis të dy popujve tanë. Konfliktin shqiptaro-serb e ka zgjidhur përfundimisht ndërhyrja e NATO-s më 24 mars të vitit 1999, në të cilin ka ndihëmuar Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe rezistenca paqësore e Ibrahim Rugovës. Prandaj dhe mund të thuhet se konfliktin shqiptaro-serb nuk e zgjidhi as Thaçi e as Daçiç. Ata thjesht formalizuan vullnetin e ndërkombëtarëve dhe i dhanë zgjidhje teorike krizës në veri të Kosovës. Çdo interpretim tjetër është i pasaktë, jashtëkohor, jashtë kontekstit historik të zhvillimit të ngjarjeve, së paku prej fundit të viteve 1980 e këtej.

Por le të kthehemi te përmbajtja e marrëveshjes së Brukselit. Ideja e bisedimeve në nivel politik përfaqësuar nga të dy kryeministrat erdhi mediatikisht nga drejtorja për Europën në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, Sabine Frizer, në radion Europa e Lirë. Ajo u shpreh në maj të vitit të kaluar se rekomandonte që “dialogu (i deritashëm) të zgjerohet dhe të shndërrohet në dialog vërtet politik ku Beogradi, Kosova dhe serbët e veriut, do të bisedonin për mënyrat se si mund të sigurohet që veriu të integrohet më me efikasitet në Kosovë dhe eventualisht të bisedohet edhe për rrugën e njohjes së Kosovës nga Serbia.

Më pas erdhën një e nga një dhjetë raunde bisedimesh midis Kosovës dhe Serbisë. Këto bisedime i udhëhoqi e ndërmjetësoi Bashkimi Europian, përmes shefes së Diplomacisë e të Sigurisë, baroneshës britanike Katrine Ashton. Të dy palët patën vështirësi në bisedime e sidomos në arritjen e marrëveshjeve. Serbia për shkak të mentalitetit të ngrirë rreth mitit për Kosovën, ndërsa Kosova për shkak të papërgjegjshmërisë së udhëheqësve shtetërorë, të cilët pa nevojë u kishin premtuar shqiptarëve se “kurrë nuk do të bisedonin me Serbinë për çeshtje politike”. Kështu në Prishtinë ishte krijuar edhe një pengesë tjetër, artificiale, veç pengesave objektive, të cilat ndanin të dy vendet në konflikt. U bënë nëntë raunde bisedimesh. Në raundet e para u nënshkruan disa marrëveshje të ndërmjetme, siç ishte ajo për implementimin e marrëveshjes së kufijve e të doganave. Nënshkruesit, përkatësisht krzeministrat Thaçi dhe Daçiç, u përballën me kritika të shumta në vendet që përfaqësuan.

Më pas i erdhi radha bisedimeve për normalizimin e gjendjes në Veri, shkurt, për integrimin e kësaj pjese të vendit në institucionet e Kosovës. Kjo përpjekje filloi në raundin e shtatë dhe përfundoi me një marrëveshje në raundin e dhjetë, gati në zgrip, kur bisedimet do të deklaroheshin si të dështuara.

Pa u zgjatur në histori të tilla, ne shohim tashmë të jetë arritur dhe nënshkruar një marrëveshje, të cilën e kanë miratuar me shumicë votash të dy parlamentet. Sipas kësaj marrëveshjeje është krijuar Asosacioni/Bashkësia me shumicë serbe në Kosovë, në të cilën bëjnë pjesë katër komunat e Veriut të Mitrovicës, përkatësisht vetë komuna e re e Mitrovicës së Veriut si dhe komunat e Zveçanit, Leposaviçit dhe Zubin Potokut. Eshtë lënë hapësirë juridike që në këtë bashkësi të bashkohen gjithashtu komunat e tjera me shumicë serbe në jug të Ibrit. Sipas Marrëveshjes, strukturat e Asociacionit/Bashkësisë do të ndërtohen në bazën që e parasheh statuti aktual i Asociacionit të Komunave Serbe. Presidenti, zv/presidenti, Kuvendi dhe Këshilli do të kenë në mbikëqyrje zhvillimin ekonomik, të arsimit, të shëndetësisë dhe të planifikimit urban e rural. Këto janë kompetencat eksplicite të kësaj Bashkësie. Por duhet shtuar se edhe po mos krijohej ky asosacion, komunat vetë do t´i mbartnin kompetenca të tilla, çka do të thotë se marrëveshja në fjalë është refleksion i vetë ligjeve dhe kushtetutës së Kosovës. Thjesht të tilla atribute kalojnë nga komuna te bashkësia.

Megjithatë parashihet që Bashkësia e Komunave të Serbëve në Veri të ketë njëkohësisht kompetenca të caktuara në fushën e rendit e të ligjit. Pika gjashtë e marrëveshjes shprehet se “Duhet të ketë një forcë policore të quajtur Policia e Kosovës. Të gjithë policët në veri të Kosovës duhet të integrohen në strukturën e Policisë së Kosovës. Pagat do t’i marrin vetëm nga Policia e Kosovës”. Në pikën tetë shtohet se “Do të ketë një Komandant Rajonal të Policisë për katër komunat me shumicë serbe” dhe se “Komandanti i këtij rajoni duhet të jetë serb shtetas i Kosovës i nominuar nga Ministria e Brendshme nga një listë e dhënë nga 4 kryetarët e këtyre komunave në emër të Asociacionit”. Në pikën nëntë thuhet se “Përbërja e Policisë në veri duhet të reflektojë përbërjen etnike të popullatës në 4 komunat”. Nëse lexojmë me vëmendje edhe këto dy pika të marrëveshjes, atëherë kuptojmë se asgjë përtej Planit të Ahtisaarit nuk është dhënë për serbët në veri të Mitrovicës. Projekti i Pavarësisë së Kosovës, i cili ka marrë emrin e hartuesit të tij, presidentit Ahtisaari, parashikon të njëjtat kompetenca sa i përket policisë dhe strukturave të saj në komunat me shumicë serbe. Policia në veri, ashtu si në të gjithë territorin e Kosovës, do të veprojë në respektim të kushtetutës e ligjeve të Kosovës si dhe të hierarkisë shtetërore.

Ndërkaq pika dhjetë dhe njëmbëdhjetë i kushtohet sistemit të drejtësisë në komunat e veriut me shumicë serbe. Edhe në këtë rast garantohet një sistem drejtësie i integruar në kornizën ligjore të shtetit të Kosovës, ndërkohë që kërkohet nga Gjykata e Apelit e Prishtinës që ajo të ngrejë nën drejtimin e kontrollin e saj një panel me shumicë të gjyqtarëve serbë për t´u marrë me çeshtjet juridike të veriut. Ky panel do të ketë një staf administrativ si dhe gjyqtarë, të cilët do të vendosen në Mitrovicën Veriore.

Në Marrëveshje nuk flitet për forcat e sigurisë, gjë për të cilën janë shprehur garantë forcat e KFOR-it përmes një deklarate të Sektetarit të Përgjithshëm të NATO-s, Rasmussen. Në pikën shtatë përcaktohet thjesht përbërja etnike e strukturave të sigurisë së vendit, duke rekomanduar ruajtjen e këtyre raporteve. Por pas tërheqjes së KFOR-it është e sigurt se përgjegjës për sigurinë e të gjithë territorit të Kosovës do të jenë Forcat e Sigurisë të këtij vendi.

Pra marrëveshja e Brukselit është një hap i madh në drejtimin e duhur, zgjidh shumicën dërmuese të problemeve dhe çeshtjeve shtetërore, duke konfirmuar sovranitetin dhe integritetin shtetëror të Prishtinës dhe institucioneve të saj në të gjithë territorin. Veriu i Mitrovicës i ka të gjitha shanset, nëse marrëveshja zbatohet mirë, që të integrohet në sistemin politik e juridik të shtetit të Kosovës. Marrëveshja e19 prillit në Bruksel duket se është orientuar drejt zgjidhjes së konfliktit të brendshëm, duke përcaktuar rregullat e lojës në politikat e brendshme, me qëllim integrimin e serbëve të veriut në strukturat shtetërore të vendit. Ajo nuk flet për ndonjë lidhje të veçantë me Beogradin, edhe pse në dokumentin e Ahtisaarit kjo është e parashikuar. Në Marrëveshjen e Brukselit nuk jepen të drejta si ato që ka Republika Srpska, e cila ndikon dhe bllokon vendimmarrjen e qeverisë federale të Bosnjë-Hercegovinës. Por serbët e veriut kanë protestuar një ditë më pas, duke kundërshtuar kategorikisht autoritetin e Prishtinës në këtë pjesë të vendit. Kanë protestuar gjithashtu një grup të rinjsh në Beograd si dhe nuk janë pajtuar më firmat e dy kryeministrave disa udhëheqës të opozitës në Beograd e në Prishtinë. Ish-kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica ka kritikuar ashpër këtë marrëveshje, e po ashtu lideri i Vetëvendosjes në Kosovë, Albin Kurti, e ka quajtur Marrëveshjen si shërbim të pushtetit të Thaçit e në kundërshtim me interesat e shqiptarëve në Kosovë e në Luginën e Preshevës. Sipas Kurtit “Dialogu politik i Thaçit i sakrifikoi edhe shqiptarët në veri të Ibrit edhe ata në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc për hir të pushtetit të këtij në Prishtinë”. Por lideri i VV nuk ndalet vfetëm në këtë konstatim. Ai thotë se “Marrëdhënia ndërmjet shtetit të Kosovës dhe këtij Asociacioni serb që u formua nga Thaçi e Daçiç është e ngjashme me marrëdhënien ndërmjet shtetit të Bosnjës dhe Republika Srpska-s atje”.

Në të vërtetë Marrëveshja e Brukselit eviton krijimin e një autonomie të tillë, e cila të mund të bllokojë Kosovën në vendimmarrjen e saj. Pikërisht kjo e bën atë të shihet si një sukses, së pari të Bashkësisë Ndërkombëtare, para së gjithash të SHBA-së e Gjermanisë, si promotorë të saj, por edhe të qeverisë dhe institucioneve të Prishinës. Megjithatë duhet thënë se marrëveshja le hapur mundësinë e intepretimeve e keqinterpretimeve dhe kjo do ta vështirsojë ndoshta zbatimin e saj në terrenin konkret.

Pala e Kosovës kishte rastin të bënte më shumë presion për të përfituar atë që quhet “vendin e saj në OKB”. Unë besoj se është e pmjaftueshme ajo që parashihet në pikën 14 të Marrëveshjes, ku thuhet se “që asnjëra palë nuk do të bllokojë ose inkurajojë të tjerët të bllokojnë palën tjetër në rrugën drejtë BE-së”. Kjo do të thotë se Serbia nuk ka obligime që t’i hapë rrugë peanimit të shtetit të Kosovës në OKB. Kjo do të thotë se Beogradi e ka një mundësi më shumë për ta penguar Prishtinën në arritjen e plotë të subjektivitetit të saj ndërkombëtar.

Sido që të jetë, klauzola e pikës 14 i rrit shanset për shtimin e njohjeve. Më së pari do të duhet të reflektojnë pesë vendet e Bashkimit Europian. Tri prej tyre, përkatësisht Sllovakia, Rumania dhe Greqia kanë dhënë sinjale të qarta se ato mund ta rikonsiderojnë njohjen e shtetit të Kosovës pas marrëveshjes pajtuese midis Prishtinës dhe Beogradit. Por asnjë sinjal nuk kanë dhënë Qipro dhe Spanja. Njohja prej këtyre vendeve është kusht i domozdoshëm për të ndërtuar marrëdhënie subjektiviteti ndërkombëtar midis BE-së dhe Kosovës. Nëse këto vende e njohin Kosovën, atëhere asaj i hapet rruga për t’u pranuar gjithashtu në NATO, pasi katër prej tyre, përjashtuar Qipros, janë njëkohësisht anëtare të Aleancës së Atlantikut. Pranimi në NATO i jep fund presionit të Beogradit, sipas të cilit forcat e sigurisë së Kosovës nuk do të duhej të vepronin në veri të Mitrovicës. Ndërkaq efekti i njohjes së subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës u rrit kur Parlamenti Europian vendosi që prej këtij momenti të mos përdorej më fussnota referuese për Rezolutën 1244 dhe GND.

Sa i përket disa pikave të tjera të marrëveshjes, ato kanë të bëjnë me detyrime të ndërsjellta, të cilat vijnë si obligim i ndryshimeve politike, ekonomike e sociale në favor të integrimit në shtetin e Kosovës. Eshtë për t’u parë sesi do të shkojë procesi i zgjedhjeve lokale, i parashikuar këtë vit. Ndërkaq do të duhet provuar nëse Beogradi do të përpiqet në të ardhmen të organizojë zgjedhje parlamentare e presidenciale në Kosovë. Evitimi i këtyre proceseve është i domozdoshëm për realizimin e plotë të objektivave të Marrëveshjes së Brukselit. Kurse tërheqja e forcave serbe të sigurisë është një çeshtje tjetër, e cila kërkon një monitorim të plotë, sepse Beogradi ende nuk është civilizuar aq shumë politikisht, sa të përpiqet të ndërtojë marrëdhënie korrekte me fqinjët e tij. Ka shumë mundësi që edhe më tej këto forca të jenë prezent në një mënyrë tjetër në territorin e Kosovës dhe të përpiqen të destabilizojnë vendin. Nëse ndodh kjo, atëherë forcat radikale serbe do të motivohen më shumë për një qëndrim destruktiv në këtë vend e në rajon. Për këtë arësye është e domozdoshme që presioni ndërkombëtar dhe monitorimi të arrijnë që asnjë individ i pjestarëve të ministrisë serbe të Punëve të Brendshme dhe të segmenteve të tjera të Serbisë të mos jetë më i pranishëm në territorin e Kosovës.

Sa i përket banorëve në veri, të cilët kanë udhëhequr institucionet paralele, kanë ndërmarrë akte dhune ose kanë shkelur ligjet e shtetit, është obligim i EULEX-it të hetojë veprimtarinë e tyre dhe të bëjnë që ligji të zbatohet me korrektësi, për të dhënë kështu sinjalin e qartë se kjo do të duhet të ndodhë me domozdo dhe në Prishtinë e në qytetet e tjera në Jug të Ibrit. Ndërtimi i një Kosove demokratike, ku sundon ligji nuk mund të ketë sukses pa ndëshkimin e krimit në veri e në jug të vendit. Të painkriminuarit do të integrohen në pushtetin e ri, i cili do të dalë përmes zgjedhjeve të reja lokale. Kjo do të duhet konsideruar si një proces normal, pa paragjykime dhe pa nxitur pakënaqësi e urrejtje.

Megjithatë duhet marrë në konsideratë fakti se serbët e veriut të Mitrovicës do të vijojnë ta kundërshtojnë për një kohë Marrëveshjen e Brukselit. Por zgjidhja tashmë është më e lehtë, nëse Beogradi i bashkohet përpjekjeve të Prishtinës dhe Bashkësisë Ndërkombëtare për integrimin e tyre në shtetin e Kosovës. Aq serbë sa jetojnë në veri të vendit e kanë vështirë të kundërshtojnë për një kohë të gjatë, nëse atyre u ndërpritet çdo ndihmë nga qeveria e Serbisë. Ndërkohë nuk mund të besohet se një pjesë e udhëheqësve lokalë, sidomos të atyre që janë mësuar të jetojnë përmes kontrabandës dhe shpërblimeve të majme, mund ta ketë mbështetjen e opozitës radikale të Vojisllav Koshtunicës e për pasojë edhe të rtezistojnë në përpjekjet për ta kundërshtuar sovranitetin e Prishtinës në këtë pjesë të vendit.

Kështu që nuk bëhet fjalë për një pajtim final midis shqiptarëve në Kosovë dhe serbëve. Problematikat do të jenë të natyrave të ndryshme. Pajtimi në fund të fundit nuk është e nuk mund të jetë një akt, ai është një process relativisht i gjatë. Më së fundi pajtimi do të arrihet kur qeveria e Serbisë të hedhë hapa të tjerë në këtë drejtim. Para së gjithash ajo duhet të kërkojë ndjesë për krimet dhe masakrat që janë bërë në Kosovë dhe duhet të angazhohet për të ndihmuar ndriçimin e të vërtetës, sado e hidhur të jetë ajo për palën serbe. Vetëm dënimi publik i këtyre krimeve mund të rikthejë frymën e besimit midis të dy palëve. Ndërkohë riformulimi i Kushtetutës së Serbisë dhe heqja nga preambula e saj e definicionit se “Kosova është Serbi” do të ishte hapi i parë praktik për njohjen e shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Njohja reciproke është dhe mbetet akti final i normalizimit të marrëdhënieve midis të dy vendeve në konflikt.

Shumë personalitete ndërkombëtare, ”, midis tyre edhe ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Guido Ëesterëelle si dhe Presidenti i Komisionit Europian, Barrosso, e kanë konsideruar nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit të nënshkruar nga kryeministrat, Thaçi dhe Daçiç, si një “ngjarje historike”. Ndoshta kjo është e tillë sa i përket kthesës që do të marrë qëndrimi politik dhe orientimi europian i Serbisë. Përfundimisht ajo do të kyçet në integrimet europiane e më pas edhe ato atlantike. Por veç këtij efekti tejet pozitiv për Europën, asgjë nuk mund të konsiderohet si historike. Me mbështetjen e SHBA-së dhe vendeve kryesore të BE-së Kosova kishte mundësi të shumta që ta rivendoste sovranitetin e saj në veri të Mitrovicës. Dhe Serbia nuk do të kishte asnjë mundësi të reagonte. Por kostoja do të ishte e lartë për të dy palët, ndoshta më e  lartë për Beogradin sesa Prishtinën. Kështu që Marrëveshja thjesht e ka lehtësuar këtë proces jo vetëm në dobi të shqiptaëve, por edhe në dobi të serbëve, të cilët marrëveshja i bën autonomë në ndërtimin dhe zgjidhjen e problemeve të përditshme. Autonomia e serbëve në veri të Mitrovicës është e një modeli të ri, specific dhe unik, sepse bëhet fjalë për një numër shumë të vogël të minoritetit serb në Kosovë.

Prandaj Prishtina dhe Tirana do të duhet tani të fillojnë të bëjnë presion mbi qeverinë e Beogradit e në Bashkësinë Ndërkombëtare, që të drejtat, të cilat i kanë fituar 40 mijë serbët e veriut të Kosovës, të mbarten te 70 mijë shqiptarët e Luginës së Preshevës. Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve kudo në rajon u lind e drejta që të këmbngulin të realizojnë pa kushte së paku aq të drejta sa kanë serbët në veri të. Para së gjithash të gjitha komunat shqiptare në Maqedoni ka nevojë të rivlerësojnë dhe ridimensionojnë marrëdhëniet me shtetin maqedon dhe të kërkojnë kompetenca lokale të nivelit të Marrëveshjes së Brukselit. Ndërkaq këto klauzola shkojnë edhe në favor të muslimanëve të sanxhakut, të hungarezëve të Vojvodinës dhe pakicave të tjera në Serbi e në Ballkan.

Në këtë kuptim, Marrëveshja e Brukselit mund dhe duhet konsideruar si një marrëveshje historike, sepse krijon modelin dhe precedentin e parë të ndërtimit të marrëdhënieve të shteteve ballkanike e më gjerë me minoritetet, sado pak të jenë ato në numër. Përtej Serbisë, këtë Marrëveshje mund ta përdorin shqiptarët e Malit të Zi, ata të Çamërisë, si dhe minoriteti maqedon e turk në vendin më jugor të rajonit, anëtaren e BE-së, Greqinë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Editorial Tagged With: Enver Bytyci, Kosove-Serbi, marreveshja

TIRANIA E TRANZICIONIT

April 22, 2013 by dgreca

LIBRI IM MORI SHKAS E FORMË SI REAGIM NDAJ CENSURËS SË TIRANËS/
Nga ELIDA BUÇPAPAJ*/

Libri im me publicistikë „Tirania e Tranzicionit“ që përmbledh disa nga shkrimet dhe essetë e shkruara dy vitet e fundit mori shkas e formë si reagim ndaj censurës së Tiranës. Të njëjtin format ka edhe « Ditari i një gazetareje në tranzicion » që është gati e pret dritën e botimit.

Sado absurde të duket, është e vërtetë. Shtypi dhe TV e shumta në Shqipëri janë nën kontroll të politikës dhe oligarkëve që prodhoi ky tranzicion gati çerekshekullor.

Kolegët e mi në Tiranë e dinë se kjo që pohoj nuk është fiksion. Një koleg i mirënjohur lajmëronte në Facebook se shtypi i lirë ka vdekur. Por nuk mjafton lamenti.

Në 1997 Pjetër Arbnori hyri në grevë urie për të kundërshtuar një ligj të miratuar nga Kuvendi i atëhershëm për mediat vizive. Asokohe u ndryshua ligji dhe u aprovua “Amendamenti Arbnori”. Ndërsa sot gazetarët në Shqipëri shohin me indiferencë të plotë përçudnimin e fjalës së lirë, kulturës, monumenteve të saj të cilat po shfarosen për çdo ditë përpara syve tanë dhe shqiptarët rrezikojnë të mbeten pa identitet kulturor.

Shikoni se si kujdeset shteti austriak apo Vatikani për relikat e historisë e kulturës shqiptare. Shpata dhe përkrenarja e Skënderbeut do të kishte patur fund tragjik po të kish mbetur në mëshirën e tranzicionit shqiptar. Edhe Mesharin e Gjon Buzukut do ta përpinte fataliteti i tranzicionit me pjellën e saj makabre, indiferencën, ndërsa po humbasim për çdo ditë një e nga një shenjat identifikuese të qënies sonë kombëtare. Ne qëndrojmë indiferentë kur rrënohet shtëpia e Fishtës. Ne kthejmë kokën në anën tjetër për të mos parë gërmadhat e shtëpisë së Mjedës. Ne mbyllim sytë kur poetëve të Rilindjes ua shkallmojnë varret. Ne mbyllim sytë e veshët kur Onufrin e rrjepin barbarët, ndërsa në Shqipëri lulëzon kultura tallava. Ne heshtim kur fjalën e lirë e bunkerizojnë dallkaukët dhe sharllatanët që barkëthatë i gjeti tranzicioni dhe barkthatë po i le, paçka se si profiterë kanë përfituar miliona. Por nuk ngopen kurrë.

Konformizmi dhe frika nën pushtim apo nën diktaturë ishte i justifikuar. Në demokraci jo. Pjetër Arbnori pas 30 vitesh burgosje, në vitin e mbrapshtë 1997rrezikoi jetën për një ideal të madh, ndërsa sot, kur Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, gazetaria konformuese dhe dezinformuese ka marrë mision trushplarës dhe friksues përmes presionit psikologjik që ushtron pasqyrimi i krimit në kronikat e zeza. Duke ofruar atë që duan ata, si ta duan dhe çfarë të duan. Politika dhe oligarkët. Violinë të parë kanë gazetarët, që i përdorin si çinovnikë të tyre. Viktima është opinioni publik.

Merreni me mend, botuesit e Tiranës ia venë në dispozicion faqet e gazetave të tyre Nexhmije Hoxhës dhe ish-eksponentëve të diktaturës, ndërsa përdorin gërshërët dhe e gijotinojnë lirinë e shprehjes.

Opinionet dhe essetë e këtij libri janë të shkruara me nxitim, në përgjigje të ngjarjeve të ditës dhe të botuara në shtypin shqiptar në Perëndim, disa syresh edhe në Tiranë deri sa e mori fjalën censura.

Kam menduar gjithnjë se kapitalizmi në Shqipëri do të kujtohej për shtypin e lirë, por kapitalizmi në Shqipëri vazhdon të mbetet parak larg konkurencës së lirë dhe Shqipëria i ngjan një realiteti orwellian, ku Vëllai i Madh është diktatura e krijuar prej nepotizmit, tarafit, klanit, korrupsionit, politikës pa integritet, të cilës i intereson që pushteti i katërt të jetë refleks i fytyrës së tyre të shëmtuar.
Ka ardhur koha e lëvizjes së elitave, sepse u bënë 22 vjet që Perëndimi është pjesë e jetës të shqiptarëve, me dashje apo pa dashje, me zor e me hatër. Shqiptarët nuk meritojnë që t’i lejfenizojë tranzicioni i politikave të korruptuara, në kohën kur revolucioni teknologjik i ka thyer të gjitha barrierat e kufijve.

Shqiptarëve u duhet shtypi i lirë, sot më tepër se kurrë. Shkrimet e këtij libri janë antikonformiste dhe respektojnë të vërtetën, jo të vërtetën absolute, sepse ajo është pronë e absolutizmit, por të vërtetën si e mendoj unë.

Që demokracia dhe shteti ligjor të mos mbetet një iluzion në Shqipëri, të mos përçundohet e kthehet në një minierë ari për një grusht njerëzish dhe një realitet i frikshëm për shumicën. Shumica e shqiptarëve e duan Shqipërinë si Europa, jo si slogan por realitet. Andaj të gjithë duhet t’i shërbejmë kësaj ëndrre të bukur.

Jam për dialogun, për konstruktivitetin, për tolerancën, për bashkëpunimin, për heqjen dorë nga lufta e shqiptarëve kundër shqiptarëve, një reminishencë e luftës së klasave. Dua që shqiptarët të dalin nga ky mediokritet kolkozesh, ku populli është i detyruar që të duartrokasë liderin. Sepse në demokraci populli zgjedh dhe vendos vetë fatin e tij. Boll kemi duartrokitur e brohoritur në diktaturë. Dhe prandaj na duhet që të kemi në krah në jetën tonë të përditëshme një shtyp të lirë e demokratik.

Me shkrimet e këtij libri nuk e di sa ia kam arritur qëllimit, por të paktën, jam e sinqertë, pa maska dhe larg hipokrizisë puthadore të opinionistëve të Tiranës.

Me këtë rast, falenderoj redaktorin e librit Akademik Mark Krasniqi, për nderin që më bëri, i cili na ka mbështetur pa ngurrimin më të vogël gjatë dhjetë viteve kur kontribuonim tek „Bota Sot“. Shpreh mirënjohjen time të thellë për Jusuf Buxhovin, autorin e veprës monumentale « Kosova » si dhe dijetarin Dr.Përparim Kabon që, gjetën kohë dhe shkruan parathëniet e këtij libri, çka e vlerësoj si një përkrahje shumë të madhe e të rëndësishme. Një falënderim të veçantë shkon për botuesin e Onufrit, Bujar Hudhrin, që e bëri këtë libër të shohë dritën e botimit.
1 Mars 2013

* PASTHËNIA E LIBRIT ‘TIRANIA E TRANZICIONIT’

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Elida Buçpapaj, tirania e tranzicionit

Kadare dhe çmimi britanik i “Pavarësisë”

April 21, 2013 by dgreca

Nga Gani QARRI/  Zvicer/

Pa dyshim se ky autor i çmuar, mbetet njëri nga shkrimtarët më të mëdhenj kombëtar ,veprat e mirënjohura të të cilit jo vetëm se janë shumë të kërkuara kudo flitet shqip,por edhe janë përkthyer në mbi 40 gjuhë të ndryshme të botës.

Kadare,si krijuesi më i adhuruar tek lexuesit vendor dhe njëri nga më të adhuruarit në gjuhët e huaja,si në atë frënge,spanjolle, italiane e për më tepër në gjuhën angleze,i cili u nderua edhe me çmime ndërkombëtare, është dhe mbetet shkrimtar i madh!

Ndaj nisur nga ky fakt,shumë nga shqiptarët pyesin me të drejtë, se si asnjëherë deri më tani,këtij personaliteti kaq të spikatur kombëtar e ndërkombëtar, nuk i`u ofrua, asnjë nga postet ministrore,të paktën-bile ai i kulturës, pasi që Kadare edhe në ditët tona mbetet ambasadori më i mirë i njohjes së botës me kulturën dhe gjuhën shqiptare,për të cilin jo rrallë shkruhet në shtypin e huaj.

Pa dashur ta hiperbolizoj atë si personalitet,vet arritjet e admirueshme që ai me punë i ka siguruar, botimi dhe ribotimi i disahershëm i veprave të tij si dhe përkthimi i tyre në shumë gjuhë dhe vende të botës,vërtetojnë respektin ndërkombëtar dhe vlerësimin që atij i bëhet nga të tjerët. Kështu që ai për shumë vite me radhë,qëndron i sigurt jo vetëm në kulmin e arritjes së letërsisë sonë por që moti është bërë simbol i krijuesit edhe më gjerë në botë

Kjo u vërtetua edhe një herë më tepër, me vendosjen e emrit të tij të nderuar në listën e ngushtë të 6-t, kandidatëve kryesor për çmimet më prestigjioze evropiane dhe botërore si çmimi“The Indenpendent”, fakte këto të cilat flasin mjaft për arritjet e çmuara dhe kualitetet e ndritshme që ai si krijues i posedon.

Kur flitet për Kadarenë, nuk mund të kalohet pa u përmendur raporti i tij me kombin dhe historinë e popullit shqiptar si dhe shpjegimet me besnikëri që ai në librat e tij u bën traditave,dokeve, miteve dhe luftërave reale për mbijetesë të popullit tonë të vogël,rrethuar nga shtete fqinje hegjemoniste të cilat në momente vendimtare,neve si popull, ditën të na shkaktonin edhe vuajtje të mëdha.

Megjithatë, ai me intuitën e një shkrimtari të lartësive kulmore intelektuale,përpiqet që edhe atyre t`ua shtrij dorën e afrimit, paqes dhe miqësisë, për të mos i lënë armiq të përhershëm,me gjithë barrën e madhe të fajit dhe padrejtësive që ato mbajnë, duke ua kujtuar se në kohë dhe rrethana të vështira, popujt tanë kanë ditë ti bashkojnë forcat,përfshi edhe shqiptarët, për të luftuar kundër armiqve të përbashkët.

Veprat e tij, janë të përkthyera dhe vlerësuar lart kudo, ndaj sipas gazetës së njohur angleze “The Guardian në mesin e 6 shkrimtarëve botërorë,për çmimin, prestigjioz “The Independent Foreign Fiction Prize 2013″me të drejtë është përzgjedhur edhe Emri i nderuar i shkrimtarit tonë të madh.

Kjo duhet të na bashkoj si shqiptar dhe bëj krenar të gjithëve si popull, sepse vlerësimi i tillë i Kadaresë, në përmasa ndërkombëtare, na bën të kuptojmë se krijimtaria e tij ka lënë gjurmë të pashlyeshme jo vetëm në gjuhën,kulturën dhe historinë e vendit që i takon por edhe në vende e kontinente tjera, kulturë dhe gjuhë të ndryshme të botës, që nga ajo angleze, franceze, italiane, spanjolle e dhjetëra gjuhë tjera kudo në botë.

Ai gjatë gjithë karrierës së tij të bujshme, qëndroi përherë i pa lëkundur në vijën kombëtare, i shkroi historisë sonë dhe besoi gjithmonë në forcën e popullit shqiptar, i cili sado i vogël,e i pa-krah që ishte,edhe në rastet më të vështira arriti të mbijetonte.

Kadare edhe tani del me vendosmëri në mbrojtjen e historisë sonë kombëtare nga mësymjet më të reja të sulltanëve bashkëkohor,për ndryshimin e saj, të cilës më së miri ai diti ti shkruaj dhe përjetësoj në veprat e mëdha që krijoi.

Emri i tij, gjen vlerësim të lartë kudo e sidomos në Angli, ku sivjet për herë të dytë është njëri nga kandidatët kryesor për çmimin “The Indenpendent”, me veprën “Darka e Gabuar”,përkthyer nga John Hodgson.Herën e parë Kadare pati konkurruar në vitin 2007, për këtë çmim, me veprën “Pasardhësi”,me ç`rast kryesoi listën e kandidatëve gati deri në fund.

“The Independent Foreign Fiction Prize”, është i vetmi çmim i madh britanik, themeluar në vitin 1990, nga gazeta“The Independent”,me të cilin nderohet vepra më e mirë letrare e një autori të huaj, përkthyer në anglisht,çmim ky për të cilin u përzgjodh edhe shkrimtari ynë,dhe fituesi i çmimit të parë “Man Booker International më 2005”, Ismail Kadare..

Ismail Kadare,me veprën“Gjenerali i ushtrisë së vdekur” në konkurrencë me 31 shkrimtarët më të njohur të 25 vendeve të botës,në mesin e të cilëve edhe shkrimtarë të përmasave botërore si Milan Kundera,më 24 qershor të vitit 2009,në Ovideo të Spanjës, pati fituar çmimin “Princi i Asturias” për Letërsi .

Ndaj,këtij shkrimtar të mirënjohur shqiptar me famë botërore, i cili kohë më parë ishte kandidat edhe për çmimin Nobël në letërsi,pas nderimit me çmimin prestigjioz “Man Booker International Prize”-më 2005,dhe “Princi i Asturias”- më 2009 në Ovideo të Spanjës,i urojmë me gjithë zemër që më 20 maj të vitit 2013, edhe pranë “Royal Institute of British Architects”, në Londër, të kurorëzohet me çmimin prestigjioz Britanik, “The Independent”.

Për shumicën e pjesëtarëve të kombit tonë të vogël, Ismail Kadare mbetet një simbol i madh frymëzimi letrar, por edhe një emër i nderuar i atdheut, i cili përmes përshkrimit besnik të këngëve, miteve legjendave,ngjarjeve dhe historisë reale, të rëndë por edhe të lavdishme të popullit që i takon, u bë një personalitet me shumë vlera,që për shumë kohë diti të rris ndjenjat patriotike tek të gjithë shqiptarët dhe prodhojë atdhedashuri me përmasa historike për kombin kudo,pa dallim ndarjesh e kufijsh të imponuar, në të gjitha hapësirat e shtrirjes sonë gjeografike.

Ndaj,duke u nisur nga këto dhe fakte tjera të cilat flasin në favor të shkrimtarit tonë,Ismail Kadare meriton përkrahjen e të gjithë bashkëkombësve kudo.Ai si simbol i letrave shqipe, gëzon më shumë popullaritet se cilido shkrimtar tjetër në vend dhe në botë,kështu që përkrahja jonë për Kadarenë, nuk duhet të mungoj as kësaj radhe,për të dëshmuar edhe një herë nderimin e merituar që atij i takon si personalitet i dalluar letrar e kombëtar tek të gjithë shqiptarët pa dallim.

 

Filed Under: Featured Tagged With: cmimi britanik, Gani Qarri, Ismail Kadare, pavaresia

Humbi apo fitojë në ringun e famshëm amerikan – Sevdail Sherifi ?

April 21, 2013 by dgreca

Sevdail Sherifi, boksieri shqiptar nga Presheva, me pashaportën e Zvicrës, humbi në raundin e 5-të me pikë, në dyluftim me me bokserin amerikan , nga qyteti Youngstown, Ohio – Joshua Harris/

Nga Beqir SINA/

MADISON SQUARE GARDEN – NEW YORK CITY : Për aq kohë sa vetë boksierët dhe referi kanë shmangur më të “keqen” – atë shtrirjen në tapet nga grushtat në ring, “Knockdown”, natyrisht në një boksim kaq të rëndësishëm, për të kapur “ëndrrën amerikane, do të thoja qysh në fillim: se “dorzimi” i bokserit shqiptarë në raundin e pestë me 19 pikë diferencë, ishte më e mira e kësaj ngjarje emociunuese, në pallatin e sportit Madasin Square Graden në New York.
Perspektivat, tash duhet thënë se kanë marrë rrugën e lehtë e të mundshme, për një titull kampion nga Bokseri nga Presheva, Sevdail Sherifi, i cili ka 9 fitore (KO 8) + 2 humbje 2 (KO 0) por edhe për bokserin amerikan, nga qyteti Youngstown, Ohio – Joshua Harris, i cili ka tani 9 fitore (KO 6) dhe 6 humbje (KO 3) .
Në boks ndodh që kampionët gjithmonë “nënshkruajnë më të mirën”, për t’u përballur në të ardhemen me kundërshtarët që paraqesin “kërcënim” shumë më pak për ta. Në, Madison Square Garden,”Teatrin e Madh” humbja dinjtoze në Raundin e 5-të me pikë, e bokserit nga Presheva, Sevdail Sherifi me pashaportë zvicerane të shtunën, në një meç shumë të rëndësishëm, për bokserin tonë, ndoshta do të “ndikojë” në karierën e tij, për të promovuar veten dhe boksin shqiptarë në ringun e madh botërorë Madison Square Garden. Sherifi megjithse humbi u duartrokit gjatë dhe u shoqërua me thirrjet e fuqishme “Presheva- Presheva”, prej tifozëve të zjarrtë shqiptarë të cilët valivitën flamurin kuq e zi.

Por: A humbi apo fitojë në ringun e famshëm amerikan – Sevdail Sherifi ? dhe pse është humbja e Sherifit, “një humbe e mirë”! Sepse, mendojë se kërkon një analizë të thellë, për atë, që mbi të gjitha lufton të arrijë “ëndrrën amerikane”. Kur lufton e tjera? dihet se je përpara:”Rrezikut dhe të Konkurrencës”, së fort. Kjo është një humbje:”Që nuk është një rast kur del një boksier që ka një talent të madh mbi tjetrin”. Mbasi, asnjë dyluftim në ringun e Boksit, nuk është me të vërtetë ashtu si dëshiron, por kjo është aq afër sa ajo bëhet e tillë, kur e shikon nga afër ballafaqimin e grushtave të tyre në rigun e boksit.
Në Madison Sqaure Garden në dyluftimin mes Bokserit nga Presheva, Sevdail Sherifi,( 9 fitore (KO 8) + 2 humbje (KO 0) me bokserin amerikan , nga qyteti Youngstown, Ohio – Joshua Harris, i cili ka tash 9 fitore (KO 6) + 6 humbje (KO 3) , ka qenë një konkurrencë e mirëfilltë, e dy boksierve të talentuar, ku në pesë raundet, pamë që të dy boksierët në ring, te kenë qenë të rrezikuar shumë, për të humbur.
Në fillim janë zhvilluar matjet zyrtare në Teatrin e Madh, para ndeshjes së parë së boksierit tonë Sevdail Sherifi, në ringun e famshëm amerikan, i cili debutojë në ringun amerikan mjaft mirë.Në matjet zyrtare Sherifi doli të jetë 196 pound 88.9 kg, ndërsa amerikani Harris 199 pound 90.2 kg.
Bokseri nga Presheva, Sevdail Sherifi, e nisi mjaft mirë meçin teksa grushtoi furishëm disa herë mjatas e djathtas bokserin amerikan, nga qyteti Youngstown, Ohio – Joshua Harris, i cili kishte një kondicion fizik dhe një trup shumë më të mirë se bokseri ynë. Tre raundet e para ishin të Sherifit, i cili shfrytëzoi mirë goditjet ndaj kundërshtarit duke grushtuar me krahët e “zgjatur”.
Bokseri me ngjyrë, nga Ohaio, Joshua Harris “i rezistoi” mjaft mirë meçit me 6-të raunde. Aq sa në raundin e 4-të dhe të 5-të, Harris u bë prtogonisti i duelit, i “papërmbajtshëm”, aq sa e ka shtangur për momentin bokserin tonë Sevdail Sherifi, por edhe trainerin e tij amerikan Fernely Feliz, si dhe një ndër kompanitë e ralla shqiptare të boxit në Amerikë, “DOVOLANIBOXING” që menaxhohet nga unë Ajet Dovolani, Tony Dovolani, Rizvan Dovolani dhe Louis LaRose, dhe qindra tifozët e mrekullueshëm shqiptarë , të cilët sollën një atmosferë të zjarrtë në Tetarin e Madh të arenës së famshme të boksit Madison Sqaure Garden në New York.
E ashtuquajtura “Nata e Boksit” sipas programit të meçeve vijojë për disa orë me dyluftimet Tyson Fury vs Steve Cunningham, me 12 raunde, të peshave të rënda, Curtis Stevens vs Derrick Findley, me 8 raunde, në peshën gjysmë të rëndë, Karl Dargan vs Sergi Ganjelashvili, me 6 raunde, pesha e gjysmë e rëndë, ashtu si ishte edhe dyluftimi; Sevdail Sherifi vs Josh Harris, me 6 raunde, dhe peshat e lehta Hughie Fury vs Alex Rozman, dhe Adam Kownacki vs Calbert Lewis, me nga 4 raunde.
Meçi i bukur Sevdail “The Illyrian” Sherifi kundra Joshua “The Juice” Harris, tregoi se :” Kampionët luftojnë shumë, por jo të gjithë boksierët është e thënë se do të fitojnë. Megjithatë, ata e dinë atë, që edhe me “humbjen”, kështu mund të bëjnë sa më shumë tifozë, dhe, sidomos kur ke mbas vetes një publik kaq fantastik, sa janë shqiptarët – tifozët e zjarrtë, që e mbulojnë arenën kudo vetëm kuqezi.
Sevdail Sherifi mori dhe mbështetjen e Presidentit te lobit të parë dhe të vetëm shqiptarë në SHBA, Joseph DioGuardi, ish kongresmeni republikan i New Yorkut, dhe të ish bokserit të njohur Elvir “Kosova Kid” Muriqi, bokseri shqiptar, nga Kosova ne SHBA, i cili pati kapur ëndrrën amerikane.

Tifozët shqiptarë duhen falenderuar se e kanë përkrahur furishëm në të pesë raundet, bokserin shqiptarë nga Presheva Sevdail Sherifi, me dëshirën e madhe që ai të ishte kampioni i 20 prillit në një dyluftim me të vërtet të rëndësishëm, e cila ishte një sfidë për bokserin tonë për titullin, dhe një promovim para publikut fantastik shqiptar në New York, ku Sherifi boksoi për herë të parë në Madison Square Garden, dhe në SHBA !

Filed Under: Kronike Tagged With: humbi, ne Madison Square Garden, Sevdail Kastrati

KUJTESE- HEROI SHKELZEN HARADINAJ

April 20, 2013 by dgreca

Në përkujtim të viganit orakull të UÇK-së, heroit të kombit Shkëlzen Haradinaj, lavdia e të cilit nuk shuhet kurrë/

 Shkruan: Faton Mehmetaj/

Katërmbëdhjetë vjet më parë, pikërisht më 16 prill, tamam si në legjenda ra heroikisht komandanti i shquar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjenerali Shkëlzen Haradinaj, Komandant për Operacione Luftarake i Zonës Operative të Dukagjinit dhe tre eprorët e lartë të Brigadës heroike 131 ”Jusuf Gërvalla”: Hasim Halilaj, Fatmir Nimanaj dhe Luan Nimanaj, të gjithë nga Gllogjani. Ata ranë dëshmorë në njërën ndër betejat më të rrepta e më heroike në malet e Maznikut, kur u luftua për jetë a vdekje në mbrojtje të mijëra civilëve shqiptarë, të strehuar në malet e Duboçakës.Komandanti Shkëlzen Haradinaj, është njëra ndër figurat më emblematike të UÇK-së. Ishte bir i vërtetë i polenit shqiptar, i cili u shqua për trimëri të ashpër, burrëri luftarake, drejtësi të pashembullt e krenari raciale, për qëndresë titanike dhe për rënien më të lavdishme për Atdhe, që e ka ruajtur me fanatizëm gjer më sot jeta shqiptare. Është njëri nga burrat më të çmuar të kombit tonë, i cili e zuri këtë vend me madhështinë që kishte, me vetëmohimin dhe me përkushtimin e pafund ndaj çështjes kombëtare. Edhe pse i plagosur rëndë disa herë radhazi në luftimet e zhvilluara kundër forcave pushtuese serbe, Shkëlzeni asnjëherë nuk u largua nga lufta. Dhimbjen e ktheu në forcë e forcën në veprim deri në fund. Ishte dhe mbeti njëri ndër komandantët më të suksesshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ishte figurë shumëplanëshe, me potencial të fuqishëm shpirtëror, filozofik e kulturor. Ishte një drejtues i përgatitur, i aftë në organizim e në veprime luftarake.

Shkëlzeni e ndërlidhi me sukses periudhën e gjatë të ilegalitetit në radhët e UÇK-së me periudhën e veprimit frontal, duke korrur suksese në të gjitha betejat. Që nga Beteja e parë frontale më 24 Mars 1998 në Gllogjan e deri në rënien e lavdishme, pothuajse të gjitha betejat që u zhvilluan në Zonën Operative të Dukagjinit, mbajnë emrin e Shkëlzenit, i cili ishte nderi dhe krenaria e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai është heroi tipik i Lahutës së Malcisë, protagonist i denjë i shumë veprave letrare e historike, që bashkë me shokë e ndryshuan historinë.

Shkëlzen Haradinaj u lind më 25 mars të vitit 1970, në fshatin Gllogjan të komunës së Deçanit. Rrjedh nga një familje me tradita të larta atdhetare e dalluar brez pas brezi në luftë për liri, sidomos që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878) e këndej, duke marrë pjesë aktive në të gjitha ngjarjet dhe kryengritjet për liri e çlirim kombëtar.

Shkëlzeni është fëmija i dytë i prindërve Hilmi Haradinaj e Ruke Brahimaj-Haradinaj, të cilët kushtrimit të luftës iu përgjigjën familjarisht. Shtëpia e tyre në Gllogjan ishte njëra ndër bazat më të hershme e më të fuqishme të UÇK-së në mbarë Kosovën. Si rrallëherë në histori kjo familje luftës për liri ia dha katër gjeneralë dhe dy heronj të kombit: Luanin dhe Shkëlzenin. Djali i pestë i familjes, Enveri, njëri ndër luftëtarët e radhëve të para të UÇK-së, i dalluar në shumë fronte në luftës, i plagosur rëndë në betejën e 9 gushtit 1998 në luftimet e zhvilluara në Gramaçel, u vra pas luftës, më 15 prill 2005.

Dëshmori i kombit Shkëlzen Haradinaj shkollën fillore dhe atë të mesme i kreu në Irzniq me sukses të shkëlqyeshëm. Gjatë gjithë jetës u shqua për edukatë të shëndoshë dhe sjellje shembullore në familje e në shoqëri. Është njëri ndër luftëtarët më të hershëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe njëherësh njëra ndër figurat qendrore të kësaj lufte, si gjatë veprimtarisë ilegale si pas shpërthimit të luftës frontale. Si njëri ndër komandantët më të shquar luftarakë të UÇK-së gjatë gjithë kohës u shqua për virtytet më të larta njerëzore që e karakterizojnë kombin shqiptar, për trimëri, urtësi e burrëri luftarake, drejtësi të pashembullt, krenari raciale e qëndresë titanike.

Në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u angazhua aktivisht që në fillim të vitit 1993, krahas të vëllait Luanit, i cili ishte njëra ndër shtyllat kulminante të UÇK-së në Kosovë. Gjatë veprimtarisë ilegale në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka vepruar me emrat e luftës “Skifteri” dhe “Xeni”. Këso kohe kishte lidhshmëri të punës profesionale me vëllezërit e tij Luan e Ramush Haradinaj, dajën e tij Lahi Brahimaj, Zahir Pajazitin, Adrian Krasniqin, Rexhep Selimin, Mujë Krasniqin, Sylejman Selimin, Hashim Thaçin, Naser Brahimajn, Kadri Veselin e shokë të tjerë, duke patur një bashkëveprim të fuqishëm me nënzonën e Drenicës, të Llapit, të Pashtrikut etj., ku shpeshherë ka qëndruar e vepruar me detyra lufte, sidomos në Nënzonën e Drenicës.

Në kuadër të Njësitit të UÇK-së së Dukagjinit ka bashkëvepruar ngushtë me të vëllanë Dautin, djalin e axhës Bujarin, Gazmend Mehmetajn (Rrudhanin), tani dëshmor i kombit, të vëllanë më të madh Ramushin, Muhamet Avdijajn etj., duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm si në furnizimin me armë, në zgjerimin e radhëve të UÇK-së dhe në kryerjen e aksioneve të shumta guerile. Është karakteristike se Shkëlzeni gjithë veprimtarinë e tij luftarake për më së gjashtë vjet radhazi pandërprerë e zhvilloi në Kosovë dhe për lirinë e saj. Edhe pse i plagosur rëndë disa herë radhazi në luftimet e zhvilluara kundër forcave pushtuese serbe, asnjëherë nuk pranoi të largohej nga Kosova. Me plagë të pashëruara kthehej në krye të detyrës, madje edhe në vijat e para të frontit.

Një kohë të gjatë Shkëlzeni ka bashkëvepruar ngushtë edhe me Mujë Krasniqin – Kapuçin, të cilin e donte dhe e çmonte sikur ta kishte vëlla. Muja gjatë periudhës së ilegalitetit shpesh herë rrinte me javë të tëra në familjen e Shkëlzenit, veçanërisht pas rënies së Luanit. Bashkë luftonin e bashkë këndonin. Shkëlzenit e Mujës bashkë u jehonte pushka e kënga kushtrim.

Shkëlzeni me bashkëluftëtarët e vet gjatë periudhës së ilegalitetit kreu një varg aksionesh kundër patrullave të ushtrisë jugosllave përgjatë brezit kufitar Kosovë – Shqipëri nga drejtimi i Hulajve etj., në periudhën 1995-1998; mori pjesë në sulmet e ndërmarra kundër bazës së policisë serbe në Baballoç dhe në sulmet e ndërmarra disa herë radhazi kundër stacionit famëkeq të policisë serbe në Irzniq të Deçanit, ku duhet veçuar sulmin e datës 29 gusht 1995, kur u vranë dy policë serbë dhe u plagosën 4 të tjerë, pastaj atë të datës 24 gusht 1997, të datës 12 shtator 1997 dhe 27 nëntor 1997, me ç’rast vriten disa policë serbë.

Rënia heroike e të vëllait Luanit, në krye të detyrës në kufirin shqiptaro-shqiptar, më 6 maj 1997, nuk e ligështoi, përkundrazi bëri që të luftojë edhe më me vendosmëri. I bindur se liria nuk fitohet pa gjak, Shkëlzeni e shtoi dukshëm aktivitetin e vet në luftë për liri.

Në këtë periudhë, Shkëlzeni pati një rol të veçantë në bartjen dhe në furnizimin me teknikë luftarake të njësiteve të UÇK-së në gjithë Kosovën, dhe në përcjelljen e ushtarëve të furnizimit për në Shqipëri dhe anasjelltas.

Shkëlzeni gjithnjë u ka prirë shokëve, duke zhvilluar një veprimtari të gjithanshme. Janë të rralla aksionet guerile, patrullimet në rajonin e Dukagjinit, por më vonë edhe betejat frontale, në të cilat nuk ka marrë pjesë. Me të marrë vesh për sulmin e forcave serbe të ndërmarrë kundër komandant Adem Jasharit dhe familjes së tij në Prekaz të Drenicës, në mars të vitit 1998, Shkëlzen Haradinaj me shokë që vepronin në Nënzonën e Dukagjinit, vetëm brenda një nate kanë kryer mbi 22 aksione të armatosura kundër bazave ushtarake, policore e paramilitare serbe në rajonin e Dukagjinit.

Shkëlzeni ishte një luftëtar i devotshëm, që aktivisht veproi në të gjitha etapat e zhvillimit të UÇK-së, duke qëndruar gjatë gjithë kohës në ballë të luftës. Ai u kalit në luftë, duke i arritur majat më të larta të organizimit luftarak të Zonës Operative të Dukagjinit, që shkëlqeu në të gjitha përballjet me forcat pushtuese serbe.

Dëshmori Shkëlzen Haradinaj në Betejën Heroike të 24 marsit 1998, në Gllogjan, u dallua si organizator e luftëtar i shkëlqyer përkrah vëllezërve Ramushit, Dautit, Enverit, djalit të axhës Bujarit e luftëtarëve të tjerë si dëshmorëve Gazmend Mehmetaj, Agron Mehmetaj dhe Himë Haradinaj, të cilët patën fatin e madh të jenë dëshmorët e parë të lirisë, të rënë në luftë frontale në Zonën e Dukagjinit. Në këtë betejë të lavdishme në të cilën morën pjesë edhe anëtarët e tjerë të familjes së ngushtë të Shkëlzenit, babai Hilmiu, vëllai Frashëri, motra Mejremja e bashkëluftëtarë të tjerë, forcave serbe iu shkaktuan dëme të mëdha në njerëz e në teknikë lufte, duke i detyruar të tërhiqen me turp pa i realizuar synimet e tyre shfarosëse. Vetëm Shkëlzeni atë ditë kishte shkatërruar dy blinda të forcave serbe, njërën afër shtëpisë së tij e tjetrën tek Ura e Zallit që gjendet në mes të fshatit.

Pasi që komandanti Ramush Haradinaj, ishte plagosur rëndë në Betejën e 24 marsit, për një kohë Shkëlzeni drejtoi organizimin e mëtutjeshëm të luftës, duke bërë zgjerimin e vijave frontale fillimisht në fshatrat përreth Gllogjanit, për të përfshirë brenda një kohe të shkurtër pothuajse gjithë Rrafshin e Dukagjinit, duke bërë rekrutimin e ushtarëve të rinj dhe duke i përmbushur kërkesat për armatimin e domosdoshëm.

Pas Betejës së 24 marsit, së pari u sulmua vija e frontit në Baballoç e në Gramaçel, më 21 prill, sulm ky që paraqet fillimin e operacioneve të pandërprera frontale të ushtrisë dhe të policisë serbe në Dukagjin. Në Baballoç  Shkëlzen Haradinaj organizoi një qëndresë të pashembullt bashkë me bashkëluftëtarët Maliq Ndrecaj, Ilir Faniqi, Naser Morina, Lulzim Morina, Ajet Potera, Fazliun nga Podujeva, Bekim Birinxhikun, Ramiz Batushën (dëshmor), Zenun Matajn (dëshmor), etj. Në luftimet e zhvilluara në Baballoç, më 28 prill 1998, Shkëlzeni u plagos rëndë në nofullën e majtë dhe në kraharor, për çka i duhet një kohë bukur e gjatë për t’u shëruar pjesërisht. Por edhe në këtë gjendje, Shkëlzeni ishte në krye të detyrës, duke u përkujdesur për mbarëvajtjen e punëve në Shtabin Operativ të Rrafshit të Dukagjinit (SHORRD) me qendër në Gllogjan.

Pas luftimeve të rrepta gjatë ofensivës serbe të ndërmarrë në fund të muajit korrik dhe në fillimin e muajit gusht 1998, kundër pozicioneve të luftës në gjithë rajonin e Dukagjinit, në kohën kur bijtë më të mirë po luftonin që nga Smolica në Junik, në Gllogjan e Shqiponjë, më 9 gusht 1998, pas plagosjes së vëllezërve Enverit tepër rëndë dhe Dautit më lehtë në frontin e Gramaçelit, kur forcat serbe po i afroheshin Shtabit në Gllogjan, Shkëlzeni, si heronjtë e legjendave shtrëngon plagët dhe gjendet në ballë të frontit.

Se Shkëlzen Haradinaj, ishte i pathyeshëm para pengesave e vështirësive të çfarëdo natyre dhe se ishte përcaktuar me njëmendësi për të luftuar e për ta fituar lirinë e popullit të vet me çdo kusht, tregon edhe fakti se Shkëlzeni ishte faktori vendimtar për përballimin e pasojave të ofensivës së shtatorit 1998. Ai ishte këmbëngulës për të qëndruar e luftuar në Kosovë, edhe pas kësaj goditje të rëndë se përndryshe “edhe po të kthehemi me njëqind mijë djem dhe ta çlirojmë Kosovën, ikja nga Kosova do të na shënohet tradhti për tërë jetën”, do të shprehej ai para bashkëluftëtarëve në Broliq.

Me t’u bërë riorganizimi i Komandës së Zonës, në muajin shtator, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së Shkëlzen Haradinajn e emëroi Ndihmëskomandant për Mbrojtjen Territoriale të ZOD-it, i cili i kreu me sukses të lartë të gjitha detyrat e ngarkuara si inspektimin e pozicioneve luftarake, rregullimin e tyre, përgatitjen e zjarrit dhe planit luftarak. Për riorganizimin e radhëve të UÇK-së, zgjerimin e territoreve të kontrolluara nga UÇK-ja dhe organizimin e qëndresës së pathyeshme në të gjitha vijat e frontit, padyshim se meritat më të mëdha i  ka Shkëlzeni.

Ndërkaq, në fillim të muajit nëntor, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Shkëlzen Haradinajn e emëron Ndihmëskomandant për Operacione Luftarake të UÇK-së në Zonën Operative të Dukagjinit, detyrë kjo që e kreu me nder e përgjegjësi të lartë deri në rënien heroike.

Komandant Shkëlzeni ishte njeri i veprimit e jo i fjalëve të mëdha. Ishte njeri i organizimit, por edhe i aksioneve konkrete, duke marrë pjesë personalisht edhe në aksionet e kryera në prapavijë të armikut. Në njërën nga këto aksione të kryera në prapavijë të armikut, më 18 nëntor 1998, në magjistralen Deçan-Gjakovë, në rrugën e Dujakës, ku u vranë gjashtë policë serbë, Shkëlzeni u plagos sërish.

Komandant Shkëlzeni u shqua në betejën e zhvilluar në Gllogjan, më 17 dhjetor 1998, ku falë gjeturisë së tij, luftëtarët e Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” me luftë të armatosur arritën të çajnë rrethimin dhe të ripozicionohen në Ratish.

Vijat e frontit në Ratish të Epërm e në Dashinoc, nën drejtimin e komandant Shkëlzenit me bashkëluftëtarët e tij të Brigadave 131 “Jusuf Gërvalla” dhe 134 “Bedri Shala” etj., do të bëhen digë e pakalueshme dhe varr për forcat pushtuese serbe, që tani e tutje deri në përfundim të luftës kurrë nuk do të thyhen nga armiku. Për nëntë ditë me radhë, në acarin e janarit, prej datës 9 deri më 18 janar 1999, luftëtarët e lirisë qëndruan stoikisht, duke i thyer keq forcat serbe, dhe duke i detyruar të kthehen prapa. Në këtë betejë, Shkëlzeni sërish mori plagë të reja.

U shqua edhe në Betejën e Pozharit, të zhvilluar prej datës 27 mars deri më 2 prill 1999, me ç’rast forcat serbe që deri atëherë gjendeshin të stacionuara në Lumbardh e në Pozhar i detyruan të tërhiqen në drejtim të Deçanit. Në këtë përballje të lavdishme forcat serbe patën dhjetëra të vrarë, në mesin e tyre edhe disa oficerë të lartë si dhe dëme të konsiderueshme në teknikë lufte.

Shkëlzen Haradinaj gjatë ditëve të prillit qëndroi në ballë të frontit edhe në Gërgoc e Kralan. Më 5 prill, drejtoi operacionin për tërheqjen e më se dyzet luftëtarëve të plagosur në drejtim të Istogut. Edhe pse kolona dy herë ndeshet me forcat armike (në afërsi të Kotradiqit dhe në magjistralen Pejë – Mitrovicë), pararoja e drejtuar nga Shkëlzeni me bashkëluftëtarët Dautin, Bujarin, Fatmirin, Agimin, Burimin, Luanin, Shpendin, Selmon Lajçin etj., arrijnë që t’i eliminojnë ato dhe të vazhdojnë rrugën, duke e kryer me sukses këtë operacion. Edhe në komunën e Istogut, në Vrellë, Ruhot, Saradran etj., Shkëlzeni ndihmoi organizimin dhe përforcimin e vijave të frontit.

Më 15 prill, luftëtarët e Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” me të cilët zakonisht ka qëndruar e luftuar Shkëlzen Haradinaj, për shkak të përgjegjësisë që e ka pasur brigada, kthehen dhe vendosen në rrethinat e Maznikut. Rrethimi i hekurt vazhdonte në të katër anët. Vetëm një ditë më vonë, në Malet e Maznikut, në një betejë të ashpër, të zhvilluan gjoks për gjoks e dhëmbë për dhëmbë me forcat serbe, në mbrojtje të popullatës civile, që ishte e strehuar në grykën e Duboçakës, në malet ndërmjet Zhebelit dhe Maznikut, komandanti Shkëlzen Haradinaj bie heroikisht në Altarin e Atdheut bashkë me bashkëluftëtarët Hasim Halilaj, Fatmir Nimanaj dhe Luan Nimanaj. Luftimet ishin tepër të rrepta dhe zhvilloheshin në afërsi dy-tri metra. Forcat serbe edhe kësaj radhe patën dhjetëra të vrarë. Disa herë radhazi Shkëlzeni me shokë edhe bombat arrin t’ua kthejë prapa. Deri në kupë të qiellit jehonte kënga dhe kushtrimi i këtyre trimave të lirisë. Shkëlzenin me fortësinë e shkëmbit, me madhështinë e bjeshkës e qëndresën vigane, nuk e rrëzoi plumbi që e mori në gjoks. Ai ashtu i plagosur e likuidon edhe një armik dhe dikur një plumb e merr në ballë. Shkëlzeni me shokë dha jetën e tij, por shpëtoi mijëra jetë të fëmijëve, grave e pleqve, jetë njerëzve të popullit të vet, të cilët falë tyre i shpëtuan masakrës.

Rënia e Shkëlzen Haradinajt, që kishte bërë gjashtë vjet luftë të pakompromis, që kishte kaluar dhjetëra beteja të njëpasnjëshme, ishte humbje e tepër e madhe për UÇK-në, familjen dhe mbarë popullin shqiptar. Bashkëluftëtarët nuk e kishin besuar kurrë se mund të vritej Shkëlzeni. Rënia e tij ishte kushtrim për ta çuar luftën deri në fund, gjë që vëllezërit, shokët dhe bashkëluftëtarët e bënë realitet. Më shumë se katërqind mërgimtarë që deri atëherë gjendeshin në mërgim, me të dëgjuar për rënien e komandant Shkëlzenit, u nisën drejt luftës në Kosovë, shumica prej tyre luftuan e vepruan në frontin e Koshares.

Shkëlzeni bashkë me Fatmirin fillimisht u varrosën me nderime ushtarake në Malet e Maznikut. Të nesërmen atyre iu bashkua edhe Hasimi, ndërkaq trupi i Luanit të plagosur, pushoi te Stanet e Gllogjanit në Bjeshkë të Strellcit, deri më 24 gusht 1999, kur këta dëshmorë, bashkë me shumë dëshmorë të tjerë në ditë lirie u rivarrosën në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit në Gllogjan.

Batalioni Gardist i Zonës Operative të Dukagjinit të UÇK-së, që u formua pas rënies së Shkëlzenit, me nder e krenari e mbajti emrin e Shkëlzen Haradinajt. Edhe Batakioni Gardist i Zonës së Tretë të Mbrojtjes së TMK-së me nder e mbajti emrin e tij. Emrin e heroit Shkëlzen Haradinaj, sot e mbajnë sheshet e rrugët anekënd Kosovës e Shqipërisë. Në qendër të Pejës, qëndron krenar busti i heroit, bashkë me lapidarin me emrat e të gjithë dëshmorëve të komunës së Pejës, aty në Sheshin “Shkëlzen Haradinaj”.

Pas rënies, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, për merita të veçanta të treguara në luftë ia ndau gradën gjeneral kolonel i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Është dekoruar me urdhrin e Hero i Kombit.

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: Faton Mehmetaj, heroi- Shkelzen Haradinaj, Kujtese

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5480
  • 5481
  • 5482
  • 5483
  • 5484
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT