• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FJALË TË PATHËNA, PËR PILOTIN DËSHMOR, AZBI SERANAJ…

April 3, 2013 by dgreca

Nga: Prof. Murat Gecaj/

 1.

Jeta është shumë e çuditëshme! Po të më kishte thënë dikush, këtu e mbi 60 vjet më parë, se tani do të ulesha e të shkruaja për një bashkëmoshatar timin, me emrin e nderuar dhe titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut”, Azbi Ramadan Seranaj, sigurisht që do të më dukej e pabesueshme. Por ja, që jeta është e tillë, me shumë të paparitura, me dhimbje e brenga, por dhe me fatkeqësi.

Në këto mendime të trishtuara më futi këto ditë kolegu e miku shkrimtar, sidomos për aviacionin shqiptar, Riza Lahi. Ishim takuar bashkë që të pinim kafe dhe të shkëmbenim dy libra me njëri-tjetrin. Sigurisht, tema e bisedës sonë ishte edhe për jetën e pilotëve tanë. Mirëpo, miku im nuk e dinte, se diçka e shkuar nga jeta ime më lidhte me këtë armë të Ushtrisë Shqiptare. Ndër të tjera, i tregova atij se kisha qenë skenderbegas që në moshën 12-vjeçare, pra në klasën e 7-të. Pasi mbaruam klasën e tretë gjimnaz, maturën na dërguan ta kryenim në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve. Në verën e vitit 1957, ndodhi e paparitura për disa nga ne kursantët. Na përzgjodhën për të na dërguar të studionim për aviatorë, në ish-Bashkimin Sovjetik. Kishte nga ne, që ishim kursantë në degën e artilerisë së rëndë kundërajrore. Pra, nga planifikimi që të përgatiteshim për të gjuajtur avionët “armiq” nga toka, ishte menduar që të aftësoheshim për të dyluftuar në ajër me ata.

Që mos ta lodhi lexuesin, po citoj pak radhë nga libri i autorit aviator, Qirjako Dhima:

“Oficeri i rojës, pasi mori forcën nga kujdestarët dhe oficerët e ditës të nënreparteve, komunikoi:

-Vini re! Kursantët, që do të dëgjojnë emrat, mbas ngrënies së drekës, do të paraqiten në komandën e shkollës! Dhe filloi të lexonte: Servet Dani, Petrit Nuraj, Qirjako Dhima, Azbi Seranaj, Murat Gecaj, Meko Elmazi…Lista ishte me 14-15 veta…”.

Siç tregon autori i librit në fjalë, ne na njoftuan se, me urdhër të ministrit të Mbrojtjes Popullore, ishim caktuar për t’u dërguar në Shkollën e Aviacionit, jashtë shtetit, pra në ish-Bashkimin Sovjetik, për t’u bërë pilotë gjuajtës reaktivë. Ndërsa  nuk ishte e thënë që unë të shkoja për studime jashtë vendit për aviator. Nga një ftohje e fortë dhe e paparitur, u shtrova në Spitalin Ushtarak të Tiranës dhe në vijim më liruan me paaftësi për shërbimin ushtarak. Kështu, mora udhë të tjera, në jetën civile. Ndërsa shumica e atyre  bashkëmoshatarëve të mi, me përjashtim të Servet Danit, me probleme nga sytë e ndonjë tjetër, ata studiuan dhe u bënë pilotë të zotë, në Aviacionin Luftarak Shqiptar. Ndër ta, ishte edhe shoku im i dashur dhe i paharruar, Azbi Seranaj.

2.

E kishte nisur jetën ushtarake në vitin 1950, pra në moshën 10-vjeçare, ndërsa unë dy vite më vonë. Vërtet ishim nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, unë nga Tropoja e ai nga Mallakastra, por megjithatë jeta jonë ushtarake, që në atë moshë të vogël, na afroi e na bëri si vëllezër. Kjo vinte  edhe sepse Azbiu ishte djalosh i urtë, i qetë e i afrueshëm dhe i respektueshmë me të gjithë ne. Gjithashtu, me mësime ishte ndër më të dalluarit e klasës dhe tërë shkollës sonë. Sigurisht, këto cilësi ai i ruajti të pandryshuara, deri në fundin e jetës së tij.

Siç tregova më lart, Azbiu shërbeu në armën e aviacionit dhe bëri emër me profesionalizmin e tij të spikatur. Ndërsa unë, pas studimeve të larta, në Tiranë e në ish-Leningrad (sot Petërburg), shërbeva pothuajse gjithnjë në shtyp. Por në vitet 1966-1973, më dërguan të punoja me rininë e kulturën në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), pra në rrethin e vendlindjes. Në ato vite bëheshin shumë stërvitje ushtarake, jo vetëm me oficërë e ushtarë efektivë, por dhe me rezervistë. Mbaj mend se një lajm shumë i hidhur u përhap përmes medias, pra se aviatori i guximshëm dhe trim, Azbi Seranaj, në moshën 32-vjeçare, gjatë një fluturimi me avionin e tij gjuajtës-bombardues, kishte humbur jetën tragjikisht dhe kishte mbetur përgjithnjë i paharruar, në kaltërsitë e Atdheut tonë!

Shumë vite më pas, pikërisht në vitin 2005, e takova pranë Komitetit Kombëtar të Veteranëve, në Tiranë, bashkëmoshtarin tonë, oficerin e njohur të aviacionit shqiptar, Qirjako Dhimën. Ai më tregoi se kishte përfunduar një libër, kushtuar pikërisht jetës dhe aktit heroik të pilotit Azbi Seranaj. Shkëmbyem mendime, se edhe unë mund të shkruaja diçka, në nderim të kujtimit të tij. Mirëpo, siç doli më pas, isha i vonuar dhe libri ishte dërguar në shtyp. Pra, nuk u realizua dëshira që aty të botoja pak radhë!

3.

Duke u kthyer te takimi me Riza  Lahin, që përmenda në fillim të këtij shkrimi, shënoj këtu se ai, kur u njoh me lidhjet e kahershme të mijat me Azbiun, e hapi celularin dhe formoi një numër. Sakaq, më tha t’i flisja vëllait të tij, pra Kujtim Seranajt, i cili jeton dhe punon në Tiranë. Sigurisht, përjetova emocionet e rastit dhe e lamë që të takoheshim bashkë, në ditët vijuese. Kështu ndodhi që të nesërmen dhe ai më tha se kopjet e librit, kushtuar Azbiut, ishin mbaruar me kohë. Ndërsa unë gjeta një rrugëzgjidhje tjetër, pra e mora atë në fondin e Bibliotekës Kombëtare.

Nuk do të ndalem këtu, që të bëj recensionin e këtij libri, në 175 faqe, shoqëruar me mjaft fotografi shprehëse. Por theksoj se autori, që nga fillimi e deri në  fund, ka dëshmuar jetën e thjeshtë, por heroike të në djaloshi nga një familje atdhetare mallkastriote. Kështu, pas kaq e kaq vitesh, e solla në vëmendje me dashuri, nderim dhe respekt të veçantë, shokun tim të rinisë, Azbi Seranaj, kujtimi i të cilit do të ruhet gjatë nga brezat.

Me këto radhë të thjeshta, sadopak, tani ndjehem  “i çliruar” nga një detyrim moral, që pak vite më parë, nuk munda të isha edhe unë pjesë e librit jetëshkrimor të Qirjako Dhimës, kushtuar këtij “Dëshmori të Atdheut”, me titullin: “Azbi Seranaj, përjetësisht në kaltërsi-Monografi” (Tiranë, 2005).

…Janë thurur këngë e vjersha dhe janë publikuar kujtime e shkrime për pilotin Azbi Seranaj, disa nga të cilët janë edhe në këtë libër. Përmbledhurazi, mund të shpreheshim, me fjalët e autorit të  tij: “502-shi”, ashtu mbeti përjetë në sulm, në pikjatë!” Ndërsa unë po shkëpus vetëm pak vargje, prekës e domethenës, hartur nga shokët, që në ato ditë të rënjes së tij heroike , në tetor 1972:

Për ty nëna nuk derdhë lotë,

Bijtë e saj janë gjithë pilotë;

Vijnë nga Jugu e nga Veriu,

Nëna thotë: Po më vjen Azbiu!

Në aerodrome shokët kur zbresin,

Me parashutë e përshëndesin,

Që s’pranoi kurrë për ta hapë,

Kur avioni i tij mori flakë!…

Tiranë, 3 prill 2013

Filed Under: Kulture Tagged With: Azbi Seranaj, Murat Gecak, Piloti deshmor, shkruan

Kryeparlamentarja Topalli nderon katër dëshmorët e demokracisë

April 2, 2013 by dgreca

Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, ishte me 2 prill në qytetin e Shkodrës, ku e shoqëruar me drejtuesit më të lartë të qeverisjes vendore, deputetët e qarkut, të shoqatës antikomuniste, etj., nderoi aktin heroik të katër dëshmorëve të demokracisë, Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka, të cilët më 2 prill 1991, humbën jetën gjatë demontratës së zhvilluar në sheshin përpara ish-Komitetit të Partisë së Punës.
Në shenjë respekti për veprën e tyre, në prani edhe të familjarëve të katër dëshmorëve, si dhe të shumë qytetarëve shkodranë, pranë memorialit kushtuar katër dëshmorëve të demokracisë u bënë homazhe dhe u vendosen kurora me lule. “Në Shkodër, të gjithë bashkë, siç e shikoni, unë jam e rrethuar nga familjarët e katër dëshmorëve të 2 prillit. Ne kujtojmë atë ditë të veçantë, kur Shkodra u ngrit dhe me një besim dhe shpresë të pabesueshme, duke menduar dhe realizuar hapjen e një epoke të re, një epoke të lirë dhe të një epoke ku secili mund të bënte atë që do të dëshironte”, tha zonja Topalli në prononcim për mediat. “Me nderimin më të madh për katër djem të rinj, për katër shkodranë të dashur e të nderuar që sakrifikuan jetën e tyre, ne jemi sot këtu, jemi një vend anëtar i NATO-s, ku të rinjtë lëvizin të lirë pa viza. Vendi ynë është një ndër vendet me rritjen ekonomike më të madhe në rajon, ne kemi kapërcyer krizën, ndryshe nga të gjitha vendet e tjera që na rrethojnë dhe do të ecim, përpara me besim të plotë. Unë jam shumë optimiste që edhe më 23 qershor, shkodranët dhe jo vetëm shkodranët, shqiptarët, do të dijnë të zgjedhin atë që është më e mira për vendin e tyre. Sot, Shqipëria është më e mirë, ne e dimë që ka shumë probleme të tjera për të zgjidhur, kemi bërë shumë punë, por shumë të tjera na presin përpara”, tha Topalli.

Filed Under: Kronike Tagged With: e 2 prillit, Jozefina Topalli, kater deshmoret, nderon

TRAGJEDIA E 2 PRILLIT

April 2, 2013 by dgreca

22 vjet nga vrasja e Arben Brocit dhe tre studentëve nga Sigurimi i Shtetit gjatë mitingut antikomunist/

Skenari i Gramoz Ruçit në masakrën e 2 prillit/

Nga Alfons GRISHAJ/

Më 1 prill 1991, demokratët e Shkodrës vërshuan para selisë së PD-së, me lot në sy pyesnin për rezultatet. Dikush ishte dhe i acaruar. “Prapë këta kriminelë!”. U munduam t’i qetësonim. Folën para selisë Kolec Ndoja, Viktor Martini, Azem Hajdari. Azemi ishte shumë i qartë në fjalën e tij… Më kërkuan disa herë që të flisja. Isha shumë i lodhur, kisha netë pa gjumë. Ngarkesa dhe barra më e madhe binte mbi mua, jo vetëm për njohjen e madhe me të rinjtë e Shkodrës, por dhe si një demokrat që nuk njihja kompromise me ish-kastën e kuqe.
Është e vërtetë që Dilaveri dhe Gjeka erdhën e kërkuan “bashkëpunim”, për të qetësuar situatën. Por, cila ishte arsyeja e vërtetë? Vetë prania e tyre ngjallte neveri tek demonstruesit. Ata nuk shihnin tek Dilaveri dhe Gjeka figurat e rendit kushtetues, por kukullat e metalta të një rendi antikushtetues dhe ilegjitim, të cilët me serumet e trurëve të tyre të lara i shërbenin një kaste gjakpirëse e delirante që, për 47 vjet kishte burgosur, torturuar e vrarë.
Pse duheshin shqetësuar aq shumë këta policë, kur demonstruesit po demonstronin si qytetarë të një bote të lirë? Ata po protestonin për manipulimin e votës së vjedhur dhe ata nuk protestonin për veten e tyre, por për Shqipërinë se, Shkodra nuk ishte Republikë më vete, ashtu siç kërkonin bashibozukët e Sigurimit, që hidhnin parulla serbe: “Shkodra Republikë!”, etj… Pse nuk u shqetësuan këta zotërinj, kur makinat e tyre të policisë dhe të ushtrisë shkonin për të votuar, sa në një zonë në tjetrën për të manipuluar?
Në lagjen “Xhabije”, populli gati sa nuk u konfrontua me këta mjeranë, që për të dytën herë donin të votonin. Vetë Sokol Shazi, përfaqësues i Frontit Demokratik, ky një njeri kurajoz dhe i ndershëm, i tha oficerit mustaqemi: “Ju keni votuar dhe njëherë, çfarë doni këtu!?”.
Devocioni i tepruar i këtyre zanatlive të pafe, që për ta nëna dhe babai ishte PP-ja, ky devocion katetonik do ta çonte në kolaps shtetin komunist.
Gjeka duhet ta dinte se, Shkodra ka qenë fuçi baruti për antikomunizëm.
Atje janë zhvilluar dy lëvizje të mëdha antikomuniste ’45-’46. Si i kishte harruar Gjeka të gjithë ata priftërinj e hoxhallarë shkodranë, që ishin burgosur e martirizuar?
Pra, as Dilaveri dhe as Gjeka, nuk e njihnin historinë antikomuniste të Shkodrës. Ata vinin si diletantë për të nakatosur dhe jo për të qetësuar.
Për t’i kujtuar Gjekës, se Dilaveri u plagos më 13 dhjetor, pikërisht se ai nuk e njihte situatën dhe ajo ishte një shenjë e mirë për t’i treguar atij se Shkodra nuk ishte Puka.
Më 1 prill kemi ndenjur deri në 10:30 të natës, duke qetësuar demonstruesit para KPP. Kemi qenë disa përfaqësues të PD-së: Unë, Arben Broci, Eduard Perjaku, Kolec Ndoja, Nikolin Thana, Pjetër Arbnori, Artan Broci dhe Eduard Grishaj. Me ne ishte dhe Dilaver Papare. Dilaveri tha: “Se, nëqoftëse nesër mblidhen demonstrues para KPP-së, ne do të veprojmë ndryshe”. “Cila ishte arsyeja që ky njeri që i dridheshin duart duke dredhur cigaren të ishte në atë ankth? Kush e kishte urdhëruar dhe përse!?”. Dy prilli do të ishte përgjigjja më e mirë. Pas shpërndarjes së demonstruesve, shkuam tek selia jonë. Për të nesërmen u caktuan të hapnin zyrën Arben Broci dhe Eduard Grishaj, me ta u bashkuan dhe Frano Gjergji dhe Fatmir Bërdica, përkatësisht anëtarë të Këshillit të PD-së.
Përpjekjet e zëvendësministrit Hajredin Shyti, për t’u kapur si i mbyturi pas fijes së kashtës, siç tha në gjyq, që gjoja PD e ka çuar Arben Brocin tek KPP-së Shkodër, i duhet një përgjigje e saktë këtij rrufjani. Tek KPP, nuk ka qenë vetëm Arben Broci, por ka qenë dhe Frano Gjergji, Fatmir Bërdica, Eduard Grishaj, Eduard Përjaku, unë dhe më vonë Ali Spahia dhe Pjetër Arbnori. Jam i bindur se Arben Broci, ishte piketuar që në takimin me Ramiz Alinë. Mbase, ishte i vetmi, në atë takim që e injoroi Presidentin komunist.
Shumica e të pranishmëve në atë takim ia dhanë dorën Ramizit, kurse Arben Broci jo.
Si mund të harrohej ky injorim që i bëri Arbeni të paprekshmit Ramiz Alia? Shpeshherë Arbeni shprehej: “Këta kriminelë kanë me u vra!”. Meqë rrinim dhe në një lagje ishim më afër njëri-tjetrit. Unë, Arbeni dhe Kujtim Asllani, bisedonim dhe jashtë mbledhjes për problemet e PD-së.
Të njëjtën shprehje do ta dëgjoja më vonë prej mikut tim, të paharrueshmit Hajdari, i cili një ditë më tha: “Alfons, kriminelët e Nanos janë duke u përpjekë me më vra dhe kan me e ba. Nëse gjaku im ka me i shërby demokracisë dhe Shqipërisë, ja kisha ba hallall, por nëse jo, do më vinte keq!”.

Si nisi

2 prilli filloi me një protestë model të shkollave të mesme “Jordan Misja”, “Oso Kuka” dhe “29 Nëntori”. Kjo protestë mund të krahasohej vetëm me protestat e vendeve të civilizuara botërore. E ardhmja e Shqipërisë kishte zgjedhur një model civilizues për të protestuar. Ishte një krenari dhe habi për këtë organizim ideal. Siç duket këto nxënës kishin menduar ta zbusnin klimën e protestuesve dhe komunistëve. Mbase dora e Zotit po mundohej të çlironte atë atmosferë (megjithëse komunistët nuk besojnë në Zot), të rëndë.
Çdo qytetar shkodran që e ka parë këtë skenë është mallëngjyer.
Por, jo! Engjëjt e lirisë nuk i njihnin mirë skeletonët e komunizmit. Si bisha të tërbuara u hodhën bashibozukët mbi nxënësit e pambrojtur… Pse e gjithë kjo egërsi mbi fëmijët që ishin të ulur mbi çantat e tyre!? Bashibozukët laramanë, shumica ishin pa uniformë policie, praktikë kjo e vendeve diktatoriale. Vetë kjo përzierje tregon për një taktikë dinake të përpunuar mirë nga Çapajev Thaçi dhe vartësit e tij…, shkodranët duke parë këtë skenë, u hodhën për të mbrojtur fëmijët e tyre. Babai për fëmijën, komshiu për komshiun, shoku për shokun dhe kështu reaksion zinxhir si bomba me hidrogjen plasi kjo demonstratë. Demonstrata e 2 prillit ishte e katërta brenda një viti. Nga përmasat ishte demonstrata më e përgjakshme në historinë e pluralizmit politik shqiptar. Hebrejtë kanë një shprehje, “Helkath-Hazurim”, që do të thotë, “fushëbetejë”. U vranë pesë anëtarë të PD-së dhe jo katër. Këtë e kam thënë dhe e kam shkruar në shkrimet e tjera për 2 prillin: Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Besnik Ceka, Bujar Bishanaku dhe vdiq më vonë prej plagëve Artur Gila. U plagosën mbi 100 demonstrues, shumica me armë zjarri dhe pjesa tjetër me mjete të forta. Nuk mund të lë pa përmendur Harris Moranën, që mori plumbin në gjoks para Komitetit të PP-së, Shkëlqim Lisin, që nuk ishte më shumë se 12 vjeç, mori plumbin në bark dhe ashtu i plagosur ngrinte dy gishtat lart. Çlirim Bajri, mbeti i paralizuar, nga dy plagë zjarri etj. Mirë se këto ishin trima, po me vajzat çfarë patën ata të panderë e të pafe? Po përmend disa vajza që shkuan deri në humbje ndjenjash: Marsida Bruceti, Suela Basha, Blerina Tuzi, Elida Nika, Sidola Vata, Aida Krroqi, Flora Kurbini. Këto vajza nuk e kalonin moshën 17-vjeçare. Pra, siç shikojmë ishte një verbim total i Sigurimsave me dhe pa uniformë… Pse e gjithë kjo verbëri?!

Ballë për ballë me Çapajev Taçin

Gjatë ngjarjes së 2 prillit Blerim Çela, Kolec Ndoja, Agustin Shqalsi dhe unë, shkuam dy herë për t’i kërkuar Çapajev Taçit, që policia mos të qëllonte më me armë, as në ajër dhe as mbi popull. Kërkuam që forcat e policisë të tërhiqeshin brenda objekteve të tyre. Mbi tavolinën e tij kishte një kallashnikov dhe pesë karikatorë me fishekë. Kolec Ndoja e pyeti në mënyrë të ashpër: “Pse e mban këtë automatik dhe këto krëhëra me fishekë mbi tavolinë, për të vrarë!?”. Hyri menjëherë Agustini, që me qetësi shmangu një debat të pangeshëm. Çapajevit i shpjegova situatën, duke i kërkuar maturi dhe mençuri për kërkesën tonë, se për çdo rëndim të situatës, përgjegjësia do të binte mbi të. Ai me një triumfalizëm tha: “Forca të reja po vijnë nga Tirana, për të marrë situatën në dorë!”. U larguam për të vazhduar detyrën tonë…

Martirët e 2 prillit

Arben Broci
Mosha: 21 vjeç
Profesioni: Student
Vrarë: 2 prill 1991
Vendi: Shkodër
Motivi: Politik
Bujar Bishanaku
Mosha: 22 vjeç
Profesioni: Student
Vrarë: 2 prill 1991
Vendi: Shkodër
Motivi: Politik
Nazmi Kryeziu
Mosha: 22 vjeç
Profesioni: Student
Vrarë: 2 prill 1991
Vendi: Shkodër
Motivi: Politik
Besnik Ceka
Mosha: 21 vjeç
Profesioni: Student
Vrarë: 2 prill 1991
Vendi: Shkodër
Motivi: Politik

Filed Under: Kronike Tagged With: alfons Grishaj, i Gramoz Rucit, skenari, Tragjedia e 2 prillit

S’ka marrëveshje

April 2, 2013 by dgreca

Prishtina dhe Beogradi kanë përfunduar pa marrëveshje edhe rrethin e tetë të bisedimeve, që kanë për qëllim normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Lajmin e ka konfirmuar vetë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po ashtu ka thënë se nuk ka datë për takim të ardhshëm me homologun serb, Ivica Daçiq.
Sipas disa raporteve, kompetencat që do t’i kishte asociacioni i komunave serbe në Kosovë kanë qenë pengesa më e madhe për palët që të arrijnë pajtim.
Kujtojmë se Prishtina kundërshton fuqishëm çdo përgjegjësi ekzekutive për këtë mekanizëm, ndërsa Beogradi do që ai të ketë kontroll në gjyqësi, polici dhe planifikim hapësinor.(V Tela)
***

Takim pas takimi…

Në Bruksel është duke u zhvilluar rrethi i tetë i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Pas orës 21:00, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton, ka nisur edhe një takim të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe homologun e tij serb, Ivica Daçiq, pas disa takimeve të ndara që ka zhvilluar me të dyja delegacionet.
Takimi i parë i përbashkët i kryeministrave ka nisur rreth orës 14:00, për të vazhduar me disa ndërprerje.
Në një adresim për gazetarët në Bruksel, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, i cili është pjesë e ekipit negociator të Beogradit, ka thënë se ka ardhur deri te ngritja e zërit në mes të palëve, çfarë ka bërë që baronesha Ashton të ndërpresë takimin trepalësh dhe të bisedojë ndaras me delegacionet.
Duke folur për tensionet gjatë bisedimeve, ai ka thënë se “incidente nuk ka pasur, por zëra të ngritur”.
”Nënkryetari i parë i Qeverisë serbe, Aleksandar Vuçiq, di se si të luftojë për atë në të cilën beson, prandaj mendoj se zëri i tij mund të ketë qenë i ngritur edhe mirë”.
Vulin nuk ka pranuar të thotë se cila temë ka ngritur tensionet, por ka thënë se bisedimet trepalëshe do të vazhdojnë nëse ka hapësirë për një gjë të tillë.
Zyrtari serb ka bërë të ditur se në takimin e sotëm të dyja palët kanë paraqitur argumentet, ndërsa në lidhje me marrëveshjen eventuale është shprehur:
“Mos prisni marrëveshje përfundimitare! Është fjalë e vështirë marrëveshja përfundimtare”.
Takimit Thaçi-Daçiq i kanë paraprirë bisedimet dypalëshe të baroneshës Ashton me delegacionet e të dyja vendeve.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur edhe një herë optimizmin për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Në një prononcim në gjuhën angleze, Thaçi ka thënë se “sot është ditë historike dhe çast vendimtar për Kosovën dhe rajonin”.
“Jam udhëheqës i vendimeve dhe jam këtu për të marrë vendimin për të ardhmen e vendit tim dhe perspektivën evropiane të rajonit”, ka thënë Thaçi para takimit me baroneshën Ashton.
Një ditë më parë, kryediplomatja evropiane i është drejtuar opinionit me një deklaratë për media, ku ka shfaqur bindjen se palët janë shumë pranë marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve.
Zëdhënësja e saj, Maja Kocijançiq, ka përsëritur sot qëndrimin e baroneshës.
“Ajo beson se marrëveshja është shumë pranë, edhe pse nuk do të jetë e lehtë. Po ashtu ka thënë se, kur kemi nisur, të gjithë e kemi ditur se do të jetë e vështirë dhe do të kërkojë udhëheqje të fuqishme politike. Zonja Ashton beson se delegacionet që janë sot në Bruksel, do të sillen në frymën e gjetjes së një zgjidhjeje për interesat e popullit që përfaqësojnë dhe për një të ardhme më të mirë për të”, ka cituar Kocijançiq deklaratën e zonjës Ashton.
Ndryshe nga herat e tjera, në tryezën e sotme të diskutimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është i pranishëm edhe zëvendëskryeministri serb, Aleksandar Vuçiq.
Vuçiq shihet si politikani më me ndikim në skenën politike të Serbisë.
“Marrëveshja duhet të arrihet. Serbia nuk ka kohë që të presë edhe një vit, apo edhe pesë vjet, në konflikt të ngrirë. Kush do të presë? Njerëzit nuk kanë durim”, ka thënë Vuçiq, para takimit të sotëm.
Rëndësinë e arritjes së marrëveshjes e kanë ritheksuar po ashtu edhe Shtetet e Bashkuara.
“Shpresoj që të përparojnë. Do të doja të arrihej marrëveshja midis Beogradit dhe Prishtinës, sepse mendoj se ajo do të ishte mirë për paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe për përparimin e Serbisë drejt Bashkimit Evropian”, ka deklaruar sot ambasadori amerikan në Beograd, Michael Kirby.
Në mesin e çështjeve të hapura në bisedimet Kosovë-Serbi, aktualisht janë kompetencat që do t’i kishte asociacioni i komunave serbe në Kosovë, që në Beograd njihet me emrin “bashkësi”.
Me këtë mekanizëm është paraparë të vihet normaliteti në pjesën veriore, ku banorët lokalë serbë kundërshtojnë autoritetin e Prishtinës zyrtare, ndërsa Beogradi, që nga paslufta, financon strukturat e veta paralele.
Palët kanë mospajtime rreth përgjegjësive të këtij asociacioni, pasi Beogradi do kontrollin e gjyqësisë, policisë dhe planifikimit hapësinor, por Prishtina kundërshton çdo kompetencë ekzekutive për të.
Rezultatet nga dialogu Kosovë-Serbi shihen si esenciale për përparimin e dy vendeve në procesin e integrimit evropian.

Filed Under: Kronike Tagged With: Kosove, nuk ka marreveshje, Serbi

MALI I ZI: ASNJËRI KANDIDAT, NUK MERITON VOTËN E SHQIPTARËVE

April 2, 2013 by dgreca

Vështrim lidhur me zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi /

Nga Xheladin Zeneli/

Të Dielën e ardhshme, me 7 Prill 2013 do të mbahen zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi. Dy kandidatët kryesorë në këtë garë janë, kandidati i partisë në pushtet (PDS),Filip Vujanoviq i cili konsiderohet  dora e djathtë e kryeministrit të Malit të Zi,Millo Gjukanoviq dhe kandidati i dytë është  Miodrag Lekiq i cili në  zgjedhjet e kaluara ishte kandidat i Frontit Demokratik dhe që kësaj rradhe do të paraqitet si kandidat i pavarur,por që njëkohësisht ka përkrahjen e partisë më të madhe opozitare, të Partisë Popullore Socialiste  (SNP).
Derisa në njërën anë z. Lekiq shihet si kandidat me orientime  pro serbe dhe si i tillë vështirë se do të mbledh votat e shqiptarëve,në anën tjetër  z. Vujanoviq (me ndihmën e partisë  në pushtet) shpenzoi shuma të mëdha financiare në fushatën parazgjedhore ,duke përfshirë fushatën edhe në  trevat shqiptare.Gjatë kësaj fushate ai u mundua që të portretizojë  vetëvehten si “pro europian” , apo si “mbrojtës” i të drejtave të popujve pakicë dhe sa i përket kësaj,z.Vujanoviq ka arritur të  bind një  pjesë të elektoratit shqiptar,falë ndihmës dhe përkrahjes që  i kanë dhënë,edhe disa subjekte politike shqiptare,qofshin ata pjesë e koalicionit qeveritar apo të opozitës. Kjo u vërejt haptas  posaçërisht gjatë tubimeve promovuese që u mbajtën muajin e kaluar në Ulqin, Katërkollë(Anë të Malit) dhe Ostros ( Krajë).
Por,cili është angazhimi i z.Vujanoviq  për të drejtat e shqiptarëve ,nëse mund të flitet për angazhim?Filip Vujanoviq,i cili tashmë një kohë të gjatë gjindet në skenën politike malazeze,herë si kryetar dhe herë si kryeministër i Malit të Zi,ka pasur mundësi dhe kapacitet që në cilësin e pozitave të tija të larta , të bëj më shumë për avancimin e të drejtave të shqiptarëve,por përkundrazi,gjatë gjithë kësaj kohe ka  demonstruar mosgatishmëri dhe vullnet jo të mirë për zgjidhjen e çështjeve kontestuese të  shqiptarëve në republikë.Z.Vujanoviq, gjatë fushatave të ndryshme zgjedhore,veçanërisht kur viziton trevat shqiptare ,trumbeton me një retorikë të ngjajshme  për realizimin dhe arritjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve.Por,veprimet dhe sjelljet e tia, flasin të kundërtën.
Gjatë mandatit të tij presidencial u aprovuan disa ligje tepër diskriminuese ndaj shqipatrëve, u shëmb ekonomia e vendbanimeve shqiptare e cila si pasojë e kësaj, erdhi deri te   papunësia e lartë dhe paperspektiva e banorëve të këtyre vendbanimeve. Gjithashtu, gjatë gjithë mandatit të tij presidencial, vazhdoi dhe gjitnjë deri më sot vazhdon të zvarritet realizimi i komunës me të drejta të plota të Tuzit.Kurse,në raport me Kosovën, Vujanoviq vazhdimisht ka  kushtëzuar vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën, me zgjidhjen e statusit kushtetues të pakicës malazeze në këtë shtet. A do të  ishte e drejtë dhe e logjikshme,që përpara  se të kërkohet zgjidhja e statusit të pakicës malazeze në Kosovë, më parë të zgjidhet statusi i shqiptarëve në Mal të zi,megjithëse krahasimi i dy entiteteve është i pavend.
Poashtu, gjatë kohës së tij si president,në Mal të Zi vazhdoi të lulëzoi korrupcioni politik dhe ai ekonomik, dhe sot Mal i ZI njihet si ndër shtetet më të korruptuara të Europës.
Shqiptarët në këto zgjedhje nuk  kanë opcione të arsyeshme apo ndonjë opcion që do të favorizonte çështjen e tyre,kështu që nga ky vështrim, ata mund ushtrojnë  të drejtën e tyre qytetare të apstenimit apo mosvotimit për asnjërin kandidat.Nëse ,votuesit shqiptar zgjedhin që të mosvotojnë  në zgjedhjet presidenciale të 7 Prillit,atëherë kjo do të ishte  një mesazh i fuqishëm ndaj politikës qendrore në Mal të Zi në aspektin e shprehjes së pakënaqësisë së tyre lidhur me trajtimin inferior nga ana pushtetit malazez karshi kërkesave të tyre të vazhdueshme  për përmirësimin e statusit të tyre politik dhe shoqëror.
Ndërsa, ata që kanë vendosur që të  votojnë në këto zgjedhje presidenciale,pa marrë parasysh se për të cilin kandidat do të votojnë, një  gjë është më së e qartë,se vota e tyre do të jetë votë për status quo-n  e shqiptarëve në Mal të Zi, do të jetë votë ndaj mandatit të vazhdimësisë së kurrupcionit politik shtetëror dhe si e tillë do të jetë votë kundër dinjitetit të tyre qytetar dhe kombëtar.

New York, 2 Prill  2013

Filed Under: Opinion Tagged With: ne Mal te zi, per zgjedhjet, presidenciale, shqiptaret, veshtrim, xheladin Zeneli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5513
  • 5514
  • 5515
  • 5516
  • 5517
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT