• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Crown Princ Leka II i Shqipërisë, mbushi 31 vjeç!

March 27, 2013 by dgreca

Ditëlindja e princit të shqiptarëve Leka II, fëmija e vetme e të ndjerit Mbretit Leka i Parë, i lindur në Klinikën Sandton në Johanesburg, Afrika e Jugut më 26 mars 1982, ditë krenarie kombëtare/

Nga BEQIR SINA, New York/

NEW YORK : Mbretëria shqiptare është një pasuri e vyer kombëtare, e themeluar nga Mbreti i të gjithë Shqiptarëve Zogu i Parë, si shenjë e dashurisë dhe krenarisë së lart tonë kombëtare. Ashtu si Britania e Madhe, Hollanda, Japonia, Monako, Suedia, Danimarka, Norvegjia, Luksenburgu, Austria, dhe shumë shtete, të tjera kryq e tërthor globit, edhe ne shqiptarët e Bardhylit dhe të Teutës, kemi një mbretëri, që të krenohemi me historinë dhe kulturën e tonë kombëtare. Duke i dhënë asaj vendin që i takon gjatë periudhës së Monarkisë Shqiptare, e cila është një pjesë shumë e rëndësishme e historisë dhe kulturës së kombëtare, jo vetem në Shqipëri, Kosovë e trojet shqiptare, por edhe për të na prezantuar edhe jashtë.
Mbasi, familja mbretërore shqiptare, sot meriton më shumë se çdo politikan në Shqipëri të nderohet me të gjitha atributet që i takojnë, prej kombit shqiptar. E jo të flitet ende si gjysmë shekulli më parë gjatë sundimit komunistë – kur foli propaganda komuniste e Enver Hoxhës, dhe baballarët e tyre. Dhe, më keq, është se kur një njeri që i ka mbushur mendja “top” që ai(Edi Rama) të bëhet Kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë, flet akoma ashtu si ja ka konfigurar Enveri atë pak tru që ka, flet me të njëjtën “urrejtje” ndaj figurës së Mbretit Zogu i Parë.

Madje edhe shtypi dhe propaganda majtiste, e cila ka pothuajse nën kontrollin e saj më se 90 përqind të medias shqiptare, teksa merret për ditë me një lajmë ordinere, “injoron” totalisht ditëlindjen e Lartësisë së Tij Mbretërore Princi Leka, jo pa qëllim. Ndërsa, kujtohet ditëlindja e diktatorit me lajme të ndryshme, dhe “bëmat” e tij – jo pa qëllim harrohet Mbretëria shqiptare, madje ajo me të njëjtën propogandë si në kohën e komunizimit sulmohet edhe sot.

Dje më 26 shkurt, mbushi 31 vjeç Crown Prince Leka II i Shqipërisë ! Ku, vetëm në Shqipëri mund të ndodhi kjo që 90 përqind e shtypit të mos e permend fare ditëlindjen e Princit Leka, pinjollit të vetëm të familjes mbretërore shqiptare. Në një kohë që disa nga vendet më të zhvilluara dhe të qytetruara të botës, si : Britania e Madhe, Hollanda, Japonia, Monako, Suedia, Danimarka, Norvegjia, Luksenburgu, Austria, e tjera, e kan ditëlindjen e Mbretit të tyre festën më të madhe kombëtare, dhe e kan kujtuar edhe ditëlindjen e Crown Prince Leka II i Shqipërisë .

Dhe, kjo është fatëkeqsia më e madhe për ne shqiptarët, ngaqë se për Mbretin dhe mbretërinë shqiptare, më shumë flasin dhe e nderojnë të huajt, se sa ne vetë shqiptarët. Kështu, ndodhi edhe në maj(19 Maj, 2012) të vititi të kaluar, kur LTM Princi Leka II u dekorua me kordonin e madh të Urdhërit Santi Maurizio e Lazzaro, i cili është një nga urdhrat kalorsiakë më prestigjozë të Europës, shtypi i majtë u ngërthye si në kohën e Enver Hoxhës.

Dje, Kalendari Mbretëror Botëror, kujtoi 26 Marsin 2013, me Ditëlindjen e 64-të, të Princeshës së Kurorës Margarita e Rumanisë, e cila ka lindur më 26 Mars 1949. Ditëlindjen e 31-të, Crown Prince Leka II i Shqipërisë i lindur më 26 Mars 1982.  26 Marsin kur Hollanda festoi Ditëlindjen e 8-të, të konteshës, Emma Luana e Orange-Nassau, Jonkvrouwe van Amsberg e lindur më 26 Mars 2005. Më 26 Mars Luksemburgu  dhe Austria, kremtuan Ditëlindjen e 19-të, të Archduchess Gabriella së Austrisë, Princesësh Imperiale e Austrisë, Princess Royal së Hungarisë,

/ Crown Prince Leka II i Shqipërisë/

Leka II ka lindur më 26 Mars 1982, në orën 13:43, në Johanesburg, Afrika e Jugut në “Sandton Clinic”. Klinika në të cilën ka lindur NTM është shpallur nga qeveria e Afrikës së Jugut si tokë shqiptare për 24 orë, me kërkesë nga NMT Leka I, Mbret i Shqiptarëve. Princi Leka II është i fejuar me aktoren Elia Zaharia. LTM Leka II, Princ i Shqiptarëve u shpall Trashëgimtar i fronit në vitin 2000, mbas një betimi që Ai bëri përpara arkivolit me trupin e NMT Leka I, Mbret i Shqiptarëve. Nga ajo ditë, Ai zgjodhi të ishte LTM Leka II, Princ i Shqiptarëve.
Në vitin 2004 deri në vitin 2005 , Ai vijoi studimet në akademinë me famë botërore”Royal Military Academy of Sandhurst” në Mbretërinë e Bashkuar. Gjatë këtyre studimeve mori edhe disa çmime si psh: “The King Hussein Price” dhe Toga e LTM Leka II, Princ i Shqiptarëve është shpallur si “The Sovereign’s Platoon”në Universitetin Mbreteror Iliria dega Marrdhenie Nderkombetare dhe Diplomaci.

 Dekoratat :

Oficer i Urdherit te Skenderbeut.
The Irish Nobility “ The Nobiliary Fraternity of the Nia Naisc”.
President Nderi Presidenti i Federates Shqiptare te Golfit.
President i Shoqates “Mati”.
President Nderi i Shoqatës Italiane për Jetimet “Fiaba”.
Pratrone: “The International Comission and Association on Royalty and Nobility”
Antari i Nderit te: SOS Orphans of Albania (SOS Avenir Orphelins d’Albanie – France)
Antari i Nderit te: Albanian Olympic committee 2011.

LTM Princi Leka II është dekoruar me kordonin e madh të Urdhërit Santi Maurizio e Lazzaro, i cili është një nga urdhrat kalorsiakë më prestigjozë të Europës.
Gjuhët: Shqip dhe Anglisht

Shpallja e Titullit Princ Trashëgimtar është bër në bazë Statutit të Vitit 1928, të Mbretërisë Shqiptare, Princi Trashëgimtar i fronit mbretëror është djali më i madh i Familjes Mbretërore. Kështu që Ai shpallet trashëgimtar i Fronit Mbretëror mbasi të ketë mbushur moshën 18 vjeçare, nga NMT Mbreti. NTM Leka II, Princ i Shqiptarëve u shpall Trashëgimtar i fronit në vitin 2000, mbas një betimi që Ai bëri përpara NMT Leka I, Mbret i Shqiptarëve, në Johanesbug. Nga ajo ditë, Ai u zgjodh të ishte NTM Leka II, Princ i Shqiptarëve.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: 31 vjec, Beqir Sina, ditelindja, Princ Leka

Një thirrje Kryetares së Kuvendit:Kemi mbetur fare pak te gjalle!

March 27, 2013 by dgreca

Nga RESHAT KRIPA/

(Ne Foto, e ndjera Bardha Gjonmarkaj)

Para disa ditësh ishim në Shkodër. Përcollëm për në banesën e fundit zonjën e nderuar Bardha Gjonmarkaj, vajzën e kapedanit të Mirditës,  dy herë e dënuar politike dhe pjesën tjetër të periudhës totalitare e internuar nëpër kampet e errëta të komunizmit.

Të nesërmen një tjetër mik i shquar, i paharruari Abdyl Kërluku, u nda nga jeta. I dënuar për qëndrimin e tij antikomunist nga regjimi totalitar. I ridënuar përsëri për tentativë arratisje nga kampi i punës së detyruar nëpërmjet një tuneli që kishin gërmuar fshehurazi.

Pas dy ditësh të tjera  mësova edhe për një rast tjetër të një martiri që ishte ndarë nga jeta. Ishte fjala për qëndrestarin e orëve të para të rezistencës antikomuniste, nismëtarin e shoqatës tonë dhe burrin e urtë e të shquar, Faik Selenica, mbyllur sytë larg atdheut, në Itali.

Ndjeva një dhimbje për humbjen e këtyre figurave të shquara të luftës kundër komunizmit. Të tre ishin të moshës mbi 85 vjeç. Nisur nga tre humbjet e miqve të mij të çmuar, hedh vështrimin rreth vetes dhe shoh se kemi mbetur fare pak që jemi ende gjallë. Shoh edhe të tjerë që janë në rrugën e ikjes, madje një pjesë e tyre kanë zënë edhe shtratin. Sipas statistikave të fundit të Ministrisë së Financave në vitin 2009 jetonin ende 3200 ish të dënuar politikë, numër që në fund të vitit 2011 zbriti në 2400. Të tjerët ishin shuar. Nga këta, gjithmonë sipas këtyre të dhënave, 400 ishin të moshës mbi 85 vjeç.

Ka më tëpër se një vit që Qeveria Demokratike përpiloi një projekt-ligj që parashikonte këto pika:

  1. Shpërblimin financiar  me  një  këst të vetëm  të  atyre që kanë mbushur moshën 85 vjeç.
  2. Shpërblimin  financiar   të   atyre   që   në  dëshminë  e dënimit politik kanë edhe  nenin  që  i

konsideronte veprimet e tyre terroriste.

  1. Ndryshimin  e  afatit  të  periudhës së vrasjes  pa   gjyq   nga   30  nëntori  1944,  në  25  tetor

1944 deri më 31 tetor 1991.

  1. Zgjatjen   e   afatit    të    dorëzimit    të    kërkesave    që   kishte  përfunduar  më  30  qershor

2009.

Të përndjekurit politikë e përshëndetën këtë projekt-ligj të qeverisë duke e konsideruar si një zbatim të detyrimit që Shqipëria i ka këtyre korifejve të luftës për liri dhe demokraci. Projekt-ligji kaloi edhe në Komisionet e Ekonomisë dhe të Ligjeve. Por,  në  diskutimet  e  bëra atje, doli në skenë demagogjia e socialistëve që, duke derdhur lot krokodili, filluan t’u qajnë hallin ish të përndjekurve, madje të propozojnë ndryshime të tilla si shlyerja e dëmshpërblimit financiar për një periudhë prej katër vitesh, në një kohë kur vetëm para pak vitesh nuk kishin pranuar të merrnin pjesë në miratimin e këtij ligji. Në këtë kuadër ata propozuan që mosha e atyre që do dëmshpërbleheshin me një këst të vetëm të zbriste në 75 vjeç. Megjithatë, pas diskutimesh të gjata, shumica e pranoi propozimin e pakicës dhe komisionet e miratuan. Projekt- ligji kaloi në seancë plenare.

Qysh prej asaj kohe ka kaluar më shumë se një vit dhe projekt-ligjit nuk po i hapet ende drita jeshile e miratimit. Përse? Asnjë përgjigje. Sipas shtypit, herë pas here, kemi mësuar se do të miratohej në Shtator, dhjetor 2012 apo janar 2013. Por të gjitha kanë qenë supozime të shtypit. Asgjë më tepër.

Në fillim të këtij shkrimi përmenda tre raste të martirëve mbi 85 vjeç që janë shuar. Kam rreth vetes disa të tjerë si këta që presin miratimin e ligjit për marrjen e dëmshpërblimit. Nuk po i përmend emrat e tyre sepse më duket sikur i fyej, pasi ata nuk u burgosën me shpresën për të marrë një ditë prej ditësh një grusht të hollash si dëmshpërblim. Ata u sakrifikuan për idealet e tyre, për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi. Natyrisht ata sot nuk janë në gjendjen që ishin në kohën e diktaturës. Jo vetëm moralisht por edhe financiarisht ata janë sot shumë herë më mirë se më parë. Por, midis tyre për një arsye apo një tjetër, ka edhe nga ata që janë mjaft nevojtarë për këtë dëmshpërblim. Është detyrë e shtetit shqiptar të shlyejë detyrimet që ka ndaj kësaj shtrese. Ka zëra që thonë se pengesë për këtë është mundësia financiare e shtetit shqiptar. Atëherë dua të pyes:

– Si ka mundësi që gati për çdo ditë lexojmë në shtypin e përditshëm për pensionet e posaçme që u akordohen ish ushtarakëve dhe për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë nuk paska mundësi? Përse ky diferencim ndërmjet këtyre  dy  shtresave  të  popullsisë  shqiptare? Cila  prej  tyre  e  pësoi  më

shumë nga periudha totalitare?

Të  gjitha    këto    pyetje    kanë     nevojë     për    përgjigje.  Personalisht  mendoj  se  mundësitë

financiare për dëmshpërblimin, të paktën të atyre që janë mbi 85 vjeç, ekziston. Madje do të shtoja se ekziston mundësia financiare për dëmshpërblimin e të gjithë atyre të përndjekurve politikë që jetojnë ende. Për këtë le të bëjmë arsyetimin e mëposhtëm.

Sipas të dhënave  zyrtare  numri  i  të  përndjekurve  politikë  që jetojnë ende, sikurse thamë edhe më lart, është 2400 persona (në fakt shifra është më e vogël pasi, qysh prej deklarimit të saj, një pjesë e tyre kanë ndërruar jetë), ndërsa periudha mesatare e kohës së vuajtjes së dënimit  është tetë vjet. Një gjë e tillë është pranuar qysh në vitin 1993 kur dikutohej ligji i atëhershëm për dëmshpërblimin dhe kur periudha e dëshmpërblimit të të pushkatuarve u konsiderua e barabartë me tetë vjet, domethënë me mesataren e kryerjes së dënimit të të burgosurve politikë. Një gjë e tillë u la edhe në ligjin e vitit 2008 pikërisht në bazë të këtij fakti. Deri më sot janë marrë dy këste dhe mbeten edhe gjashtë të tjerë. Le të bëjmë llogaritjet:

Persona 2400 X 6 vjet X 365 ditë X 2000 lekë/dita = 10.512.000.000 lekë. Të kthyera në dollarë këto lekë janë të barabartë me:  10.512.000.000 : 105 = 100.114.286 dollar ose në Euro: 10.512.000.000 : 140 = 75.085.714 Euro.

Sikurse shihet nuk është një shumë e papërballueshme. Nëqoftëse do të marrim parasysh se jetojmë në një vit zgjedhjesh, kur sapo është dhënë, madje vazhdon të jepet ende kësti i dytë, dhe duke marrë parasysh gjëndjen financiare të shtetit sikur kjo shumë të ndahet në dy këste do të rezultonte:

75.085.714 Euro : 2 = 37.542.857 Euro për një këst.

Mendoj se vetëm me 1/3 e fondeve të fituara nga privatizimi i katër hidrocentraleve (atyre të Ulzës, Shkopetit dhe Bistricës), ku kanë dhënë kontributin e tyre edhe ish të burgosurit politikë, mund të shlyheshin të gjithë të përndjekurit që jetojnë për dy vite.

Përveç problemit të dëmshpërblimit një rëndësi po kaq të madhe kanë edhe tre pikat e tjera të projekt-ligjit në fjalë. Le t’i analizojmë njera pas tjetrës.

Çështja e nenit mbi terrorizmin. Është i njohur fakti që regjimi komunist për t’i dënuar më shumë të burgosurit politikë, u shtonte edhe këtë nen. Çfarë terrorizmi kanë zhvilluar ata? Kë kanë vrarë? Kë kanë masakruar apo terrorizuar? Asnjë. Për më tepër, në këtë kategori kanë futur edhe ata që tentonin për t’u arratisur si për shembull ata të burgut të Burrelit, revoltës së Spaçit apo asaj të Qafës së Barit. Edhe  në  vende   të   tjera   të   botës   të   burgosurit   tentojnë   të   arratisen   por,  ata   që   kapen,  nuk

ridënohen.

Ndryshimi i periudhës së vrasjes pa gjyq. Projekt-ligji parashikon 25 tetorin, ditën e fillimit të luftës së Tiranës. Ne kemi qenë dakord dhe kemi propozuar që kjo datë të jetë 1 gushti i vitit 1943, viti i Konferencës së Mukjes, pasojë e së cilës ishte hapja e luftës vëllavrasëse. Për këtë kemi bërë edhe propozimet përkatëse. Deri më sot nuk janë miratuar. Sidoqoftë propozimi për të caktuar si datë fillestare 25 tetorin 1944 duhet miratuar sa më parë.

Edhe zgjatja afatit të dorëzimit të dokumentave duhet të miratohet. Në Ministrinë e Drejtësisë janë grumbulluar një sasi e madhe të tilla kërkesash që janë në pritje. Ne jemi të mendimit që për këtë çështje të mos ketë fare afat. Një personi që përfiton dëmshpërblimin nuk ka pse t’i vihet afat për të bërë kërkesën.

Këto ishin çështjet për të cilat doja të diskutoja, Ky është një fakt i hidhur që duhet të shqetësojë këdo në Shqipëri, aq më tepër ata politikanë që i kanë hequr mbi shpatullat e tyre pasojat e regjimit totalitar. U bëj thirrje Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë dhe deputetëve të përndjekur politikë: Lexojeni këtë shkrim, shikoni bashkëvuajtësit tuaj që po shuhen dita-ditës, ktheni vështrimin prapa, te paraardhësit tuaj që e kanë provuar këtë diskriminim dhe miratoni projekt-ligjin në fjalë i cili, megjithëse nuk është i plotë, bënë një hap para drejt rehabilitimit të kësaj shtrese. Në rast se miratimi i tre ligjeve që opozita në mënyrë absurde,  kundërshton t’i miratojë, është vendimtar për të ardhmen e gjithë popullit shqiptar, miratimi i këtij projekt-ligji është vendimtar për të gjithë shtresën e të përndjekurve politikë. Atëherë miratoheni.

 

Kete shkrim qe po i dergojme Diellit, e botoi gazeta “Metropol” Nr. 2931 datë 26 mars 2013. Dërguar edhe gazetave “Mapo” dhe “Panorama” që nuk e botuan, madje nuk morën as mundimin për të njoftuar shkakun e mosbotimit. Kjo nuk është hera e parë që ndodh me këto gazeta. Përse? Këtë e dinë më mirë drejtuesit e tyre. Dëshiroj t’i pyes: A  është kjo etika e një medie të lirë dhe të pavarur? 

Filed Under: Opinion Tagged With: reshat kripa, se Kuvendit, thirrje kryetares

Tragjedia e quajtur Krushë

March 27, 2013 by dgreca

Nga Gani QARRI/

Për të satën herë u përkujtuan ata që për shumë vite të gjithë neve na mungojnë. Të pagjeturit mbeten përherë të pa harruar në kujtesën e popullit tonë,për të cilët kërkesat e vendosura për gjetjen e tyre,me të drejtë edhe më tej vazhdojnë. Familjet krushjane , ashtu si të gjitha familjet e të kidnapuarve dhe bashkëfamiljarëve të humbur anë e kënd Kosovës,nuk pushuan kurrë së kërkuari nga faktorët relevant -kombëtar dhe ndërkombëtar, një informatë apo shenjë ekzistence,për fatin e më të dashurve që nga paslufta e këndej.

Ndaj, gjendja e tyre e rënduar, duhet kuptuar drejtë dhe ndihmuar nga secili me mundësitë që ka,sepse dhembja e ngrirë dhe e mbetur pezull për kaq vite pritjeje, jo vetëm për ata,por për të gjithë ne, e bënë këtë ngjarje tejet të padurueshme. Për fat të keq,kjo tragjedi e rëndë, gjatë gjithë jetës do ti lëndoj plagët e pa shëruara të të mbijetuarve, që nga humbja e dhembshme e bashkëfamiljarëve të tyre në masakrën e 26 Marsit të vitit 1999, kur me fatin e banorëve shqiptar të Krushës luhej drama shekspiriane, për jetë a vdekje. Atëbotë, pjesa më e madhe e grave dhe fëmijëve të mbijetuar dhe ndonjë mashkulli, nga të rrallët të shpëtuar nga Krusha, do të gjenin strehim të përkohshëm në Has. Ata jo vetëm se njiheshin në mes vete, por ishte forcuar edhe shpirti human si dhe dinjiteti njerëzor e kombëtar,i cili në ato çaste të vështira që kalonte vendi, mbante gjallë popullin e rrezikuar shqiptar në këto troje.

Tanimë për të gjithë do të vinin kohë të vështira, më të vështira se kurrë më parë, kur lufta po trokiste pa paralajmërim në çdo derë dhe familje shqiptare, ndërsa fushata e forcave okupuese serbe për spastrimin etnik dhe shfarosjen e etnisë sonë nga trojet stërgjyshore, po zhvillohej gjithnjë e më e ashpër, duke mbjellë vdekjen në shumë vendbanime shqiptare, gjithandej Kosovës. Ndaj, fytyra e vërtetë e krimit sllav,do të shihej edhe një herë më tepër me 26 Mars të vitit 1999,në masakrën e Krushës së vogël, njëjtë siç kishte ndodhur para dhe pas kësaj date edhe në shumë fshatra dhe familje tjera shqiptare, anembanë vendit tonë të okupuar.

Ekspedita e soldateskës kriminale serbe,nuk njihte pardon! Ajo do të kidnaponte dhe masakronte edhe fëmijë të moshës 12 e 13 vjeçare,duke i ndarë ata me forcën e plumbit nga nënat dhe më të dashurit e tyre, për të mos i parë më kurrë.

Meshkujt e Krushës së vogël,nga 12 deri në 70 e më tepër-vjeç, do të mbylleshin në një shtëpi një katëshe të fshatit për tu vrarë ,djegë e shkrumbuar,ku pas tragjedisë do gërryhej thellë dhe hiqej edhe dheu i shkrumbuar e gjakosur nga aty, në mënyrë që të fshiheshin gjurmët e krimit dhe zhdukeshin trupat e të masakruarve për të mos u gjetur më asnjëherë deri më sot.

Kurse,gratë dhe fëmijët e frikësuar, të shastisur nga trishtimi i krimeve serbe në Krushë të Vogël,pasi që nuk kishin mundur ta kalonin ujin e rrëmbyeshëm të Drinit,të vuajtur e dëshpëruar do të uleshin pranë valëve të turbullta për të vajtuar me sa zë kishin, tragjedinë e ndodhur atë ditë në vendlindjen e mbetur shkret.Ushtima e vajit të tyre do të dëgjohej deri në fshatrat e Hasit,përtej Drinit të bardhë, banorët e të cilit me të kuptuar se ç`po ndodhte,do të vraponin për tu dalë në ndihmë me gjithçka kishin dhe shpëtuar ata që ishte e mundur, duke bartur gratë dhe fëmijët e mbetur buzë ujit turfullues,për ti sjell dhe strehuar në shtëpitë dhe vatrat e tyre.

Por para se të hynin brenda, nga andej do të vinin edhe një herë krismat e kobshme të vdekjes të cilat paralajmëronin se ç’po ndodhte në ato momente të rënda me djemtë dhe burrat e kidnapuar të Krushës së vogël.Ndaj vaji dhe britmat në ato çaste nga më të vështirat që përjetonin gratë dhe fëmijët e dëbuar të këtij fshati ,do të vazhdonin pareshtur,ndër këta dëshmitarë të gjallë të vuajtjes e dhembjes dhe tragjedive të paharruara në atdheun e tyre.

Ditët e strehimit ishin të numëruara edhe këtu, ngase për shqiptarët e pambrojtur nuk kishte më siguri askund. Kështu që banorët e Hasit bashkë me gratë dhe fëmijët e strehuar nga Krusha,do të detyroheshin me forcë nga okupuesi sllav,që ta braktisnin vendin e tyre dhe Kosovën e robëruar për të kërkuar shpëtim në Shqipëri.

Ndërsa pas lufte,ndër të parët që do të ktheheshin në vendlindjet e djegura dhe tërësisht të shkatërruara ishin familjet e të zhdukurve, të cilat do të nxitonin që ti kontaktonin sa më parë organizatat e vendit dhe ato ndërkombëtare, shtetërore dhe humanitare,me shpresë për zbulimin e fatit të më të dashurve të tyre dhe lehtësimin e traumave të pësuara nga masakrat dhe gjenocidi serb, gjatë luftës në Kosovë.Edhe pas kthimit,tronditjet më të rënda i pësuan gratë dhe fëmijët e Krushës të cilët me të arritur në vendlindjen e tyre,përveç zhdukjes së më të dashurve, nuk do ti gjenin më as shtëpitë dhe gjërat që kishin dikur,përveç vendit të djegur dhe mbetur shkret, i cili medoemos duhej ringjallur sërish,me mundësit e tyre të pakta.

Këto familje mbetur plotësisht të vetme dhe në gjendje fare të pa shpresë, pa asnjë pasuri dhe mbështetje, para atij trishtimi të pashembullt njerëzor dhe mjerimi aq të madh ekonomik, edhe ashtu,duhej të fillonin një jetë të “re” të pa provuar asnjëherë më parë.

Nëna dhe gra të veja, duhej rimëkëmbur atë që ishte e mundur dhe rritur fëmijët e tyre jetimë përkundër një mbijetese aq të mundimshme,pas gjithë atij tmerri dhe përjetimeve që nuk mund të përshkruhen nga goja e njeriut. Ndaj, përballimi i orëve të para pas kthimit- ishin momentet më prekëse,tejet të rënda dhe shumë të vështira për të gjithë të mbijetuarit.

Megjithëse,pas përjetimit të një realiteti si ky dhe gjendje të tillë kaq të pa shpresë,njeriu humbet çdo forcë dhe besim në vetvete, gratë e veja krushjane, të cilat për jetimët u shndërruan në Nën dhe Baba, fakti i mbijetesës së fëmijëve dhe shpresa për rritjen e tyre,do ti bënte ato edhe më të forta se guri.

Ndaj,falë sakrificave të panumërta të këtyre nënave, një pjesë e ish jetimëve të luftës të pjekur para kohe nga kushtet e rënda dhe mbijetesa e zorshme,tanimë janë bërë burra dhe kryefamiljarë të denjë, të cilët kanë ringjallur shpresën, gati të shuar në këtë fshat, nga tragjedia kriminale serbe, dhe ripërtërirë jetën e cila me gjithë vështirësitë edhe këtu, sot vazhdon e re dhe e sigurt, si kudo tjetër në Kosovën tonë të lirë. Gani Qarri Cyrih, 26 Mars 2013

 

Filed Under: Histori Tagged With: Gani Qarri, Tragjedia e Krushes

Një copë nga Muri i Berlinit, memorial lirie për Tiranën

March 26, 2013 by dgreca

“Një copë nga Muri i Berlinit si memorial lirie për Tiranën”. Me këtë titull gazeta “Berlin online” njofton përurimin e tij sot në kryeqytet. “Mbetjet e Murit të Berlinit janë bërë një simbol botëror i ndarjes së botës gjatë Luftës së Ftohtë”, është shprehur drejtoresha e Fondacionit Federal për Trajtimin e Diktaturës, Anna Kaminsky, në këtë artikull. Memoriali për izolimin komunist “Post Bllok” është tashmë gati. Pranë bunkerit që ndodhet në hyrjen kryesore të Bllokut janë vendosur dhe shtylla betoni nga galeritë e minierave të kampit famëkeq të Spaçit. Copa e murit me peshë 2.6 tonë, dhuratë e Berlinit për qytetarët e Shqipërisë, e cila u soll në Tiranë me iniciativën e Fondacionit Federal për Trajtimin e Diktaturës së SED, janë tashmë pjesë e “Post Bllokut”. Me segmentin e murit të vendosur në Tiranë, Shqipëria merr një pjesë të Murit të Berlinit, si një simbol të lirisë. Dokumentimi “Muri i Berlinit në Botë” i Fondacionit Federal për Trajtimin e Diktaturës, regjistron më shumë se 120 segmente të murit, të cilat janë ekspozuar në të gjitha kontinentet e banuara. Në përurim do të marrë pjesë Kryeministri Sali Berisha, ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë Carola Muller-Holtkemper, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha etj. (Ndodhet pranë këndit, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, rruga “Ismail Qemali”). Me këtë pjesë nga Muri i Berlinit, Shqipëri është një tjetër shtet që i shtohet listës së vendeve që e kanë përdorur si simbol të lirisë. Në dokumentarin “Muri i Berlinit në Botë”, Fondacioni Federal për Trajtimin e Diktaturës së SED ka regjistruar më shumë se 120 segmente muri, të cilat janë vendosur anë e mbanë botës.
Memoriali
Një bunker, një pjesë e Murit të Berlinit dhe shtyllat e Spaçit janë vendosur në hyrje të ish-Bllokut. Ato i takojnë një memoriali të veçantë të persekutimit komunist që po zë vend në të hyrë të “zonës së ndaluar” nën komunizëm. Ideatorë e realizues të këtij projekti janë Fatos Lubonja e Ardian Isufi. Ata kanë bashkuar në një instalacion tri objekte të ngarkuara me simbolika lokale dhe universale. Projekti është iniciuar nga Bashkia e Tiranës dhe karakteristikë e veçantë e këtij kompleksi është se të tria objektet janë autentike dhe vijnë në formë “artefakt”, çka do të thotë që bartin në vetë trupin e tyre gjurmët e asaj kohe. Muri i Berlinit, i njohur në të gjithë botën, është i mbushur me histori, që na kujtojnë ndarjen e botës komuniste nga pjesa tjetër e botës, Luftën e Ftohtë, izolimin si mjet sundimi, mungesën e komunikimit, tentativat për ta kaluar atë në kërkim të lirisë, vrasjet rrëzë tij, shembjen më në fund të tij. Ndërsa bunkeri vjen me një simbolikë veçanërisht shqiptare, që evokon izolimin e Shqipërisë, paranojat e diktaturës, mundin e njerëzve për t’i ndërtuar ato nëpër të gjithë territorin e Shqipërisë, si fragmente të një piramide gjigante absurde. Objekti i tretë është një organizim shtyllash betoni, i një fragmenti galerie miniere si ato ku kanë punuar ish-të burgosurit. Këto shtylla synojnë të evokojnë mundimin e gulakëve komunistë, punën e papaguar prej skllavi, por edhe skllavërimin e pjesës më të madhe të popullsisë në burgun e madh, pasi pamje të tilla rrënojash të asaj kohe janë pjesë e peizazhit shqiptar anekënd. Vizitori i memorialit ftohet jo vetëm ta vështrojë nga jashtë – rruga apo trotuari – instalacionin, por edhe të futet brenda tij, të ecë nëpër rruginat që lidhin tri objektet.(Panorama)

Filed Under: Opinion Tagged With: i berlinit, Nje cope nga muri

KUR NË KOSOVË NDËRROI EPOKA

March 26, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Katërmbëdhjetë vjetë më parë, me 24 Mars të vitit 1999, Presidenti i  atëhershëm i Shteteve të Bashkuara, Bill Klinton në një fjalim drejtuar kombit dhe botës, njoftoi se forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara dhe të aleatëve të tyre në NATO kishin filluar sulmet ajrore kundër forcave serbe, përgjegjëse për krimet njerëzore dhe për brutalitetin e një fushate ushtrake të ushtruar kundër popullsisë civile shqiptare, e cila përbënte më shumë se 90- për qind të popullësisë së Kosovës.

“Ne e ndërmorën këtë vendim”, tha presidenti Klinton, “për të mbrojtur mijëra njerëz të pafajshmëm në Kosovë nga një ofensivë ushtarake serbe në rritje e sipër…..Ne po veprojmë tani, në mbrojtje të vlerave dhe të interesave tona dhe në mbështetje të kauzës së paqës”, shtoi ish-Presidenti Klinton, duke i njoftuar botës fillimin e sulmeve ajërore kundër Serbisë për gjenocidin e ushtruar ndaj popullësisë shqiptare në Kosovë.

Operacioni ajror ushtarak i NATO-s– me pjesëmarrjen e 400- aeroplanëve luftarakë dhe disa anijeve ushtarake kundër Serbisë, ishte i pari i këtij lloji që aleanca atlantike kishte ndërmarrë ndonjëherë –kësaj rradhe në përgjigje të keqësimit të tragjedisë humanitare në Kosovë, e shkaktuar nga sulmet e forcave ushtarake dhe policore serbe kundër popullësisë shqiptare të pa mbrojtur.Zyrtarë të lartë perëndimorë e kanë cilësua situatën e atëhershme në Kosovë si sfidën më të madhe ndaj paqës dhe sigurisë në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore.

Një ditë më vonë në Bruksel, më 25 Mars, Komandanti i Forcave Aleate të NATO-s, Gjenerali amerikan Uesli Klark e përcaktoi misionin dhe objektivat e sulmit të njoftuar një natë më parë nga Presdenti Klinton, duke thënë se qëllimi, “I operacionit  ushtarak të NATO-s është për të  sulmuar forcat ushtarake dhe ato të policisë jugosllave si dhe objekteve të tyre, me një forcë të mjaftueshme për të degraduar kapacitetin e tyre….Qëllimi ynë është të rrezikojmë forcat ushtarake dhe policore serbe     t’i  shpartallojmë ato dhe më në fund t’i asgjësojmë, për derisa presidenti Millosheviç nuk zbaton kërkesat e komunitetit ndërkombëtar.   Nga këjo pikëpmaje, operacioni ushtrarak i NATO-s do të jetë aqë i gjatë dhe aq i vështirë për Serbinë, për derisa ta ketë për qejf vetë Millosheviçi”, ka thënë 14 vjetë më parë ish-komandanti i NATO-s, Uesli Klark.

Më 3 Qershor, 1999, Millosheviçi u detyrua të pranonte kushtet e një plani ndërkombëtar për paqë duke u dhënë fund luftimeve, dhe aleanca e NATO-s ratifikoi marrveshjen me 10 Qershor të njëjtit vit duke pezulluar, si rrejdhim, operacionet sulmuese ajërore kundër Serbisë.   “The rest is history”, siç thotë fraza anglisht, ose pjesa tjetër është histori.

Më 17 Shkurt, 2008, Kosova shpalli pavarësinë e saj.   Shtetet e Bashkuara dhe një numër i madh vendesh perëndimore njohën menjëherë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.   Duke shpallur pavarësinë e saj, Kosova u angazhua për zbatimin e parimeve demokratike, përfshirë lirinë, demokracinë, tolerancën dhe drejtësinë për të gjithë.   Në atë kohë, ish-presidenti amerikan Xhorxh Bush, tha se “Këto janë parime që nderojnë dinjitetin njerëzor, janë vlera që Amerika pret nga një mik i saj”.

Gjatë këtyre 14 vjetëve të kaluar, zyrtarët më të lartë amerikanë, duke filluar nga presidentët dhe sekretarët amerikanë të shtetit, kanë deklaruar vazhdimisht se Shtetet e Bashkuara kanë qenë dhe do të jenë afër Kosovës dhe popullit të saj, ndërkohë që ajo ndërton institucionet e saj qeveritare dhe shtetërore dhe ndërsa përpiqet të zhvillojë ekonominë e saj nga e cila të përfitojnë të gjithë qytetarët e saj, dhe ndërkohë që ajo ndërton një shoqëri dhe qeveri të vendosur për zbatimin e ligjeve, pa të cilin një shoqëri si ajo e Kosovës, nuk mund të përparojë.

Është kritike që në këtë përvjetor, Kosova dhe autoritetet e saj qeveritare dhe shtetërore të reflektojnë ashtuqë të shënohen përparime të dukshme drejtë forcimit të shtetit ligjor, duke i shpallur luftë krimit dhe korrupsionit në vend, me qëllim që të bindet pikëspari populli i Kosovës, por edhe miqët e saj të rëndësishëm se Prishtina zyrtare është serioze — që me ndihmën e miqëve të Kosovës — është e vendosur të thellojë demokracinë në vend dhe se është e bindur të shkojë përpara, drejtë integrimit të vendit në organizmat euro-atlantike,  në Bashkimin Evropian dhe NATON.

Me të drejtë është thënë se pavarësia e Kosovës – pas ndërhyrjes së NATO-s 14 vjetë më parë si dhe e luftërave dhe sakrificave të shqiptarëve gjatë dekadave e shekujve, përfshirë edhe luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimatre të Kosovës — ishte ngjarja më e rëndësishme në historinë e kombit shqiptar.   Pavarësia e Kosovës ishte, pa dyshim, një triumf i përmasave historike për kombin shqiptar.   Por, Kosova, si çdo vend tjetër  pëballet me sfida e probleme të mbrendshme dhe të jashtme.   Në arenën ndërkombëtare, aleatët e Serbisë,  Rusia dhe Kina do të vazhdojnë të kundërshtojnë njohjen e shtetit të Kosovës dhe antarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare, siç është OKB-ja, ku ato ushtrojnë veton në Këshillin e Sigurimit.   Por, mbrenda vendit, shteti dhe qeveria e Kosovës, por edhe e gjithë shoqëria e kanë, kryesisht, në dorë të vet fatin e tyre.   Sfidat janë të mëdha por edhe mundësitë janë po ashtu të mëdha.Historia e shqiptaraëve është e mbushur me sfida, por gjithmonë në kohë të vështira, shqiptarët janë nda me nder.

Ndërhyrja ushtarake e aleancës perëndimore të NATO-s 14 vjetë më parë në mbrojtje të popullësisë shqiptare në Kosovë, ndërroi epokën për Shqiptarët.   Tashti është në dorë të Shqiptarëve që të sigurojnë bashkpunimin dhe të fitojnë paqën me njëri tjetrin, me qëllim që të bëjnë historinë e kombit.

 

Filed Under: Editorial Tagged With: Frank shkreli, Kur ne Kosove, ndryshoi Epoka

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5528
  • 5529
  • 5530
  • 5531
  • 5532
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT