• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

JEHONA AMERIKANE ME RASTIN E 5-VJETORIT TË PAVARËSISË SË KOSOVËS

February 16, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Të Dielën me 17 Shkurt  Kosova dhe mbarë kombi shqiptar festoi 5-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë nga Serbia.   Ekspertë të ndryshëm kanë pohuar se mos të ishte për përkrahjen e madhe diplomatike dhe ushtarake të Shteteve të Bashkuara për shqiptarët e Kosovës, Kosova nuk do e kishte fituar kurrë pavarësinë e shpallur më 17 Shkurt, 2008.    Duke u bazuar në deklaratat që udhëheqësit e saj më të lartë bënë me rastin e 5-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës,  Shtetet e Bashkuara  të Amerikës vazhdojnë të jenë të angazhuara, me sinqeritetin më të madh të tyre, për të  vazhduar mbështetjen ndaj Kosovës duke punuar së bashku me institucionet e Republikës së Kosovës dhe me ortakët ndërkombëtarë, për një Kosovë ku mbizotëron rendi e ligji, për një Kosovë të begatë me një ekonomi të fortë dhe me një shoqëri demokratike e tolerante me një qeveri dhe shoqëri civile të fortë dhe të qëndrueshme.   Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se ato vazhdojnë së punuari me aleatët e tyre evropianë për realizimin e aspiratave të popullit të Kosovës për integrimin e shtetit më të ri në Evropë në organizmat euro-atlantike.Ashtu si edhe në të kaluarën, këto ndjenja miqësie dhe mbështetjeje për Kosovën u ritheksuan edhe në mesazhet që udhëheqsit më të lartë amerikanë i drejtuan popullit të Kosovës  me rastin e 5-Vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.Listën e urimeve të udhëheqësve amerikanë e kryesoi Presidenti Barak Obama, i cili në mesazhin e tij, drejtuar Presidentes Atifete Jahjaga, i përcolli asaj dhe popullit të Kosovës, “urimet më të përzemërta me rastin e 5-vjetorit të Pavarësisë së shtetit tuaj.”    Presidenti Obama uron Kosovën për, ”hapat historike në realizimin e përfundimit të mbikqyrjes së pavarësisë”,  duke shtuar se, “Ndonëse mbetet ende punë për t’u bërë,  Kosova ka ecur përpara në konsolidimin e institucioneve demokratike,  në forcimin e sundimit të ligjit, në ekonomi dhe në zhvillimin e një shteti tolerant, gjithpëfshirës dhe shumë kombësh.”    Presidenti amerikan nënvijon gjtihashtu përparimet e bëra në, ”dialogun me Serbinë, që ka çuar përpara mundësitë drejtë normalizimit të marrëdhënjeve, nga të cilat do të përfitojnë qytetarët e Kosovës, fqinjtë dhe i githë rajoni.”    Në mesazhin e tij, Presidenti Obama, në emër të vendit që ai përfaqëson,  shprehet  se, “Shtetet e Bashkuara janë krenare që janë miqët tuaj të ngushtë dhe  si partnerë  mbesim të përkushtuar në qëllimin tonë të përbashkët që Kosova të sigurojë vendin e saj të merituar me një të ardhme evropiane të integruar, demokratike dhe të përparuar. “Admirojmë përparimin që Kosova ka bërë në këto pesë vite të pavarësisë dhe mirëpresim që të punojmë së bashku me ju për arritje të tjera në vitet në vijim”,  tha udhëheqsi amerikan në mesazhin e tij, drejtuar presidents Jahjaga dhe nepërmjet saj popullit të Kosovës.

Edhe Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry në një mesazh me të njëjtën frymë miqësie karshi Kosovës shprehet se, ”Shtetet e Bashkuara mbeten vendosmërisht të angazhuara për një Kosovë të pavarur, sovrane dhe shumë  etnike”,  duke thënë se, ”uron udhëheqsit e Kosovës për dedikimin e tyre ndaj ndërtimit të institucioneve demokratike, avancimit të mundësive të reja ekonomike,  promovimit të zbatimit të ligjit dhe përpjekjeve drejtë integrimit evropian.”   Sekretari amerikan i Shtetit këshillon udhëheqsit e Kosovës se, ”vazhdimi i punës në këto fushë, shërben për sigurimin e stabilitetit rajonal si dhe të prosperitetit për vendin tuaj”,  duke përfunduar se “ndërsa ju festoni këtë ditë të veçantë, duhet ta dini se Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndrojnë pranë Kosovës si partnere dhe mike.”

Nuk munguan as urimet e miqëve të shqiptarëve në Kongresin amerikan, të prirë nga Kongresmeni Eliot Engel i shtetit New York, nën-Kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtëme të Dhomës së Deputetëve dhe njëherazi edhe kryetar i grupit të ligjvensëve që mirren me çështjet shqiptare në Kongresin amerikan.   Në mesazhin e tij, Zoti Engel tha se,  ”Ka qënë një nder dhe kënaqësi të qëndrosh përkrah popullit të Kosovës ndërsa ata kaluan nga tragjedia në triumf gjatë 20 vjetëve të fundit.    Por beteja nuk ka mbaruar.  Kosova ende pengohet nga mungesa e vullnetit të disa vendeve për ta njohur atë, ndërsa vende të tjera ende e bllokojnë Kosovën të bëhet anëtare e OKB-së dhe të përparojë normalisht drejt një të ardhme euro-atlantike”.   Ai u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre evropianë që siç tha ai,  ”Përparimi i Kosovës drejtë strukturave euro-atlantike, Bashkimit Evropian dhe  NATO-s  të jetë një prioritet”,  duke shtuar se,  ”Kosova duhet të përfshihet në Evropë së bashku me fqinjët e saj, pasi në të kundërtën do të krijonim një gropë të zezë në Ballkan,  ku shqetsimet më të këqia për krimin dhe korrupsionin mund të bëhen realitet.”   Rruga e Kosovës drejtë NATO-s, sipas Kongresmenit Engel,  kërkon zhvillimin e një ushtrie, hapat e parë drejtë së cilës janë hedhur tanimë”, dhe u shpreh se ”pret me padurim ditën kur trupat e Kosovës do të qendrojnë krah për krah me ushtarët amerikanë në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.”    Si mik i sinqertë i shqiptarëve,  Zoti Engel ve në dukje sfidat serioze me të cilat përballet Kosova, prëfshirë papunësinë dhe korrupsionin si pengesa kryesore për zhvillimin e ekonomisë, por edhe marrëdhënjet ndër-etnike. Miku i vjetër i shqiptarëve në mesazhin e tij siguron Kosovën se, ”Shtetet e Bashkuara kanë qënë dhe do të vazhdojnë të jenë miqtë më të mirë të Republikës së Kosovës.    Ne do të vazhdojmë të nxisim zhvillimin e Kosovës, respektin për sovranitetin e saj dhe zgjërimin e numrit të vendeve që e njohin atë.    Me miqësinë në rritje mes dy vendeve dhe popujve tanë, kam shpresë se pesë vjetët e ardhshme do të jenë edhe më të mira sesa këto pesë vjet të para të pavarësisë”,  përfundoi  mesazhin e tij Kongresmeni Eliot Engel.

 

Një tjetër ligjvenës amerikan, Kongresmeni Gary Peters  nga shteti Michigan,  gjithashtu anëtar i grupit  që merrret me çështjet shqiptare në Kongres, dhe njohës I mirë  dhe mbështetës i çështjeve shqiptare në  Kongresin amerikan,  në urimin e tij thotë se, “Jam  krenar që jam mik i shqiptarëve”, dhe  shton se do të festojë  këtë përvjetor me shqiptarët  në shtetin Michigan.   Kongresmeni Peters thotë se gjatë vizitës së tij të fundit në Shqipëri dhe  në Kosovë kishte parë aq shumë shtëpi dhe objekte ku flamuri amerikan valvitej krahas atij shqiptar – dhe shprehet se ai do,”të mbështesë lidhjet e pandërprera midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe do të punojë për të forcuar sovranitetin e Republikës së Kosovës”.

Edhe komuniteti  shqiptaro-amerikan, roli i të cilit është i njohur mirë në forcimin e marrëdhënjeve të ngushta që ekzistojnë midis Kosovës, Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara – por edhe për përpjekjet e tija për të sensibilizuar opinion amerikan mbi fatin e shqiptarëve në Ballkan — e ka shënuar këtë përvjetor — duke zhvilluar aktivitete të ndryshme festive.   Madje edhe gazeta e dytë  më e madhe  në  New York, The Daily News,  pasqyroi aktivitetet e shumëta të shqiptarëve të New Yorkut.   Gazeta  thotë se megjithse kanë kaluar 5-vjetë nga Shpallja e Pavarësisë së Kosovës,  entuziazmi i tyre për Kosovën nuk është pakësuar aspak, ndërsa ata festojnë në lagjën Bronks dhe anë e mbanë qytetit new York.   Daily News citon asamblistin  e parë shqiptaro-amerikan Mark Gjonaj, i cili disa ditë më parë paraqiti në Asamblenë e New Yorkut një rezolutë me rastin e këtij përvjetori se, “këjo është një ditë krenarie për popullin e Kosovës, për shqiptaro-amerikanët dhe  për shqiptarët anë e mbanë  botës.”

Konsulli i Përgjithëshëm i Republikës së Kosovës  në  New York, Ambasadori Bekim Sejdiu, në mirënjohje ndaj rolit të Shteteve të Bashkuara, i tha me ketë rast gazetës së New Yorkut, Daily News se, “Mbështetja e fortë e Shteteve të Bashkuara për Kosovën ka qenë dhe është një faktor jetik për përparimin e gjithanshëm të Kosovës,  dhe ne do të jemi gjithmonë shumë mirënjohës për këtë”, dhe shtoi se diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara  “ka qenë aktive dhe e pazëvendsueshme”,  në zhvillimet  pozitive në atdheun e tyre.   “Në këtë 5-vjetor”, i tha ai gazetës Daily News të New Yorkut, se  “të gjithë ne kemi shumë arsye të festojmë, pasi  shqiptarët nga Kosova që jetojnë këtu janë krenarë për kontributin e tyre ndaj lirisë, demokracisë dhe begatisë së Kosovës.  Ata janë krenarë  si qytetarë të mire të Shteteve të Bashkuara dhe në të njëjtën kohë gëzohen dhe festojnë arritjet e mëdha të Republikës së Kosovës”, përfundoi përfaqsuesi  i Kosovës në New York.Komuniteti shqiptaro-amerikan në New York, por edhe anë e mbanë Shteteve të Bashkuara ku ka përqendrime të konsiderueshme shqiptarësh festoi këtë përvjetor, përfshirë  drekën që shtroi organizata pan-Shqiptare Vatra dhe  gazeta Illyria organizoi një darkë të madhe, për të nderuar personalitete amerikane dhe shqiptare  që ndihmuan në realizimin e Pavarësisë së Kosovës.

Këto janë urimet dhe dëshirat e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe të autoriteteve  më të larta të  Shteteve të Bashkuara,  të  një vendi dhe të një populli mik që ia ka dashur dhe ia do të mirën Shqipërisë,  Kosovës dhe kombit shqiptar në përgjithësi. Këto janë fjalët dhe këshillat e sinqerta të udhëheqësve të një vendi,  miku të madh për një kauzë të drejtë dhe të nevojshme që është integrimi i plotë i shqiptarëve në organizmat  Euro-Atlantike.    Nëse Shqipëria dhe Kosova dëshirojnë të bëhen pjesë e kësaj bote euro-atlantike për të cilën bëjnë thirrje udhëheqsit amerikanë dhe për të cilën udhëheqsit shqiptarë në të dy anët e kufirit kanë shprehur gatishmërinë e tyre, të pakën me fjalë — atëherë  udhëheqsit e sotëm të kombit shqiptar nuk mund të mos përfillin këtë zë të fuqishëm miqësor që i bën thirrje të drejtë për drejtë ndërgjegjes kombëtare dhe patriotizmit më të shëndosh shqiptar.

Filed Under: Opinion Tagged With: 5 vjetorit, Frank shkreli, jehona amerikane, pavresia e Kosoves

Nga dita e shpalljes se pavaresise se Kosoves në Prishtinë

February 16, 2013 by dgreca

Reportazh nga Kozeta Zavalani/

Mëngjesi i shkurtit ishte i ftohtë, me qiell të pastër, si mendimet dhe shpirti i cdo shqiptari, që priste shpalljen e pavarësisë së Kosovës. E kishim pritur aq shumë sa na dukej si ëndërr. Ishim një grup grash intelektuale e artiste, perfaqësuese të Fondacionit Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaski”që udhëtuam drejt Kosovës. Furgonin na e solli nga Vlora kryetare e Fondacionit, gazetarja Zenepe Luka, sikur të donte që të kishte vazhdimësinë e 1912 edhe pavarësia e Kosovës. Ishte shofer Nesti, me të cilin kishim udhëtuar në Ulqin, ku zhvilluam Kuvendin e V-të Mbarëkombëtar të Gruas se Shquar Shqiptare. Në krye u vendosën Artistet e Merituara kryesuar nga më e moshuara Besa Imami dhe më pas Esma Agolli e Roza Anagnosti, që vijuan me Artistet e Popullit Tinka Kurti e Margatita Xhepa, pasuar nga ish zëvëndës kyetare e Kuvendit Makbule Ceco, Doktore e Shkencave Afërdita Stefani, Mjeshtre e Madhe Edit Mihali dhe në fund unë, që vëzhgoja gjithcka. Gëzimi ndriste në fytyrat tona pasuar me vargjet nga kënga që dilte nga kasetofoni i makines:”Vallja kosovare më morri me vete/ Si një fluturim mbi fusha male e dete/ Shaminë e qëndisim me ëndërra të bardha/ Të lodrojë Prishtina, Vlora e Tirana…”Jane pikërisht këto qytete ku më tepër se kudo ndihej festimi i Pavarësisë, që simbolizon fundin e një torture të gjatë e të përgjakshme për Kosovën.

 

                     Rruga e gjatë drejt mbrritjes

 

Rruga është e gjatë dhe e vështirë, por ne jemi optimiste se së shpejti do të përfundojë rruga e re dhe më shpësh do ta bëjmë këtë rrugë. Ndërsa lemë në të djathtë malin e Gjallicës të mbuluar nga bora hyjmë në Kukës dhe ndalojmë në Restorantin me të njëjtin emër të malit“Gjallica” me pronar Avni e Milka Palushi, ku takojmë gazetarin e vjetër Zylfi Tola. Ai ka qënë shefi i Zenepes, kur filloji detyrën e parë si gazetare në këtë zonë, 35 vjet përpara, ndaj edhe nuk e refuzuam të trokisnim gotat me të, duke u ngrohur me rakinë e kumbullës, që zona e quan “shlivovicë”

-Zenepja ishte e re dhe e bukur, por shpatën e kritikës e kishte të fortë, nuk pyeste për askënd, së bashku më sekretaren e komitetit Nazmije Pogën, duke shkuar në Shishtavec, Golaj e në të gjithë zonën…..Po provoni pak rraki nga e jona- thotë ai, duke treguar historinë e një miku nga Kosova, që kur mbërriti në Kukës i tmerruar nga përndjekja e Serbeve, pasi piu një gotë nga kjo rraki tha:”Tani nuk ia kam me friken shkjaut sërb”…..Ne i dhamë të drejtë sepse në vazhdim rruga nuk na u duk aq e vështirë dhe e ftohtë sa në fillim, ndoshta edhe sepse ishim drejt mbrritjes…

Në“Kodrën e Diellit” në shtëpinë e deputetes Flora Brovina

Në mbrëmje mbrritëm në Prishtinë e cila na priti me fjolla bore. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe sepse Kosova ka dasmën e saj, ndaj duhej të vishtë fustanin e bardhë nusëror të borës. Kudo ndihej atmosfera festive; të gjitha lokalet e banesat janë stolisur me flamuj e simbole kombëtare, po kështu edhe veturat, që shëtisin nëpër rrugët e ngarkuara më brohoritje e muzikë. Vecanërisht kjo atmosferë festive ndihej në shtëpinë e heroines Flora Brovina, simbolit të qëndresës së gruas shqiptare.Ajo banon tek“Kodra e Diellit”ndaj edhe vetë rrëzaton si diëll, fjalëmbël e fytyrë qeshur, rrezaton mirësi, ndihmë e dashuri.

-Mirëse erdhët!Do të qëndroni këtu tek unë, të gjitha, sepse dua t’ju kem sa më pranë në këtë festë të madhe. Festa është kur e ndjen vetë dhe unë sot e ndjeva këtë, qysh me ardhjen tuaj.- thotë Flora, qe kishte dale të na priste buzëgaz së toku me bashkëshortin Hajri Begu, një burrë fisnik, që ka kontribuar për këtë ditë. Pasi na gostiti Flora u ul përballë nesh dhe filloi të na pyeste e të na tregonte për momente të vështira e të gëzushme të jetës së saj. Kujtoi ditën kur e arestuan pa asnjë arsye, qëndresën në burgjet e Sërbisë, deri në momentin kur u takuam së bashku, pasi doli nga burgu. Edhe atë natë e kemi gdhirë në shtëpinë e saj duke biseduar, derisa zbardhi mëngjesi. Takohemi edhe me djemtë; Uranikun dhe Yllin, madje edhe me vogëlushin Orik, që e ka bërë Florën gjyshe të lumtur. Pastaj me buzëqeshjen karakteristike qëndrim serioz e të lumtur, ajo flet si deputete e Kuvendit të Kosovës:

-Pavarësia na gjen në një moment të mirë të pajtimit kombëtar dhe partive me njëra tjetrën, gjë që ndikon mjaft mirë tek masat e gjera të popullit, që me padurim e kanë pritur këtë ditë. Mbi të gjitha ne gratë që përfaqesohemi prej 36 vetash në Kuvend, kemi relacione mjaft të mira me njëra tjetrën, pavarësisht nga spektri i partive që përfaqësojmë. Shpallja e pavarësisë shënon fundin e shpërbërjes së ish jugosllavisë dhe ne na duhet shumë punë për hartimin e kushtetutës së qeverisë se rë të Kosovës. Për këtë dua të bashkëpunojmë edhe me gratë e Shqipërisë, për ruajtjen e gjuhes së pastër shqipe dhe vlerave të traditës shqiptare. Më pëlqen shumë etnografia, ndaj duhet të ripërtërijmë vlerat e veshjeve popullore, p.sh.Kosova ka 22 lloje veshjesh të grave që u përkasin krahinave të ndryshme, për të cilat duhet punuar bashkarisht, sepse përbejnë artin popullor, që ka vlera të pavdekshme…Pastaj diskutuam deri vonë për mundësitë konkrete të ndihmës ndaj qendres së fëmijve që ajo drejton, grave të traumatizuara nga lufta, atyra të papuna, etj…Ndërkohë në cel ular i vinin urime të shumta nga gratë në vende të ndryshme të botës, madje e dhe nga Sërbia.

Me miq muslimanë nga Mitrovica që kanë miqësi me priftin e Belgjikës

Në mëngjes kishin ardhur për të festuar me ne në Prishtinë edhe miqtë nga Mitrovica; Esmaja e Fatmiri, të cilët janë strehuar në shtëpinë e Zenepes në Vlorë. Dhe jo pak por plot 21 vetë, që nga babai i Fatmirit, që është nipi i Isa Boletinit, vëllezërve e motrës së bashku me fëmijët e tyre deri tek Arberesha e porsalindur. Unë kisha dëshirë që të shkonim edhe në Mitrovicë, por nuk shkuam për shkak të protestave të sebëve që jetojnë aty, ndaj dëgjoja me vëmendje gjithcka prej gojës së tyre.

-Jetojmë matanë urës Ibër, në kufi me sërbët, ndaj edhe nuk festuam sic duhej, për të mos provokuar sërbët, por ata gjithsesi nuk mbetën pa bërë protesta. Le të bëjnë por pavarësisë nuk kanë cfarë ti bëjnë. Ajo u kye tani. – thonë ata me një krenari të ligjshme që u ndit në fytyra.-Të shpresojmë që qeveria e re do të punojë më tepër për të ndihmuar banorët në nevojë, sepse qeveria sërbe investon shumë për të blerë shtëpitë e djegura të shqiptarëve me cmime shumë të shtrenjta, me qëllim që të kenë zotërim sa më të madh të trojeve në Mitrovice. E kjo nuk është e mira dhe ka përmbysur gjendjen e banorëve tanë. Ka familje që para lufte bukë nuk kanë pasur e tani kanë vila me gjithë të mirat deri edhe pishina në katin e peste dhe shumë të tjerë që kanë pasur gjithcka, sot nuk kanë as bukë të hanë, ndaj duhen ndihmuar…

Me sjellejen e tyre ata kanë bërë miq të shumtë nëpër botë si priftin Herman De Wulf në Lokerer të Belgjikës, që i ka ndihmuar shumë gjatë emigrimit 15 mujor. Madje ai dhe familja e tij i ka uruar edhe per festen e pavarësisë së Kosovës.Ndaaj të gjitha së bashku ia marrim këngës:” Erdhi dita e pavarësisë”.-O tokë e mbjellë me plumba, o burra shekujve rënë për liri, zgjohuni e gëzoni bashke me ne, Atdheu i shqipeve gëzon… Sot ka festë Kosova, gëzim i madh në zemrat tona-

 

 Në Prishtina Media Center

 

Hoteli “Grand” në zemër të Prishtinës ishte kthyer në qendrën ndërkombëtarë të medias, ku ishin akomoduar qindra gazetarë nga vendi dhe bota. Me vështirësi, duke carë turmën e njerëzve u ngjita në katin e dytë, bëra akreditimin me median e ndoqa konferencat e shtypit. Zëdhënësi Veton Elshani njoftoi se nuk ka pasur asnjë incident nga festimet e banorëve të ardhur nga vise të ndryshme të Kosovës në Prishtinë…Një polifoni labe ndihet jashtë nga një grup, që kanë ardhur enkas për të përshëndetur, të ndjekur nga turma njerëzish, që brohorasin pa pyetur për acarin e ftohtë…

Në sallën e medias u njohëm me vizionin e ri të flamurit të shtetit të ri të Kosovës, dhe firmosjen e dekraratës së pavarësisë, ndoqem edhe konferencën për shtyp të presidentit Fatmir Sejdiu, Kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi e kryeministrit Hashim Thaci, i cili theksoi:”Është një përgjegjësi, e cila iu është garantuar qeverive që nga momenti kur njerzit filluan të marrin frymë lirshëm. Është përgjegjësia jonë që pas pavarësisë ta bëjmë jetën ë qytetarëve tanë shumë më të mirë se më parë.”

U takova me mjaft kolegë të mediave shqiptare, thuajse të gjithë janë këtu në qendren e medias në Prishtinë. Rudina Xhunga, gazetarja që perfaqëson femrën model në median profesioniste, ka ardhur shumë herë në Kosovë, por si ndihet në këtë ditë të vecantë? – e pyes dhe ajo më përgjigjet:.

-Eshtë një ditë dhe një gëzim i vecantë, sa nuk po arrij ta besoj akoma. Jam si e tulatur dhe të gjithë festojnë. E kam dashur pa e njohur Kosovën, pastaj e njoha dhe kam qënë pjesë modeste për të ardhur tëk kjo ëndërr. Tani që erdhi e kjo ëndërr u bë realitet nuk po mendoj më, mos bashkohem me grupin e cinikëve skeptikë, por te gëzoj me gjithë të gëzuarit dhe kaq mjafton.

 

Emocione nga grate artiste e intelektuale

 

Persëri me gratë e shquara nga Shqipëria për të marrë përshtypjet e tyre nga ky moment i vecantë. Ato ishin vërtet të emocionuara. Disa prej tyre kishin provuar edhe tortën e pavarësisë me shijen më të ëmbël në botë.

Roza Anagnosti-Artiste e merituar-Porsa shijova tortën madhështore dhe jam jashtëzakonisht e emocionuar dhe e gëzuar që jam në Prishtinë në këtë ditë të madhërishme.Kujtoj sot ato gra të mrekullushme që krijuan shkollën e parë shqipe dhe unë jam e lumtur qe kam marrë pjesë në filmin “Mësonjtorja” ku kam interpretuar rolin e mësuese Dafinës. Vetëm gëzim kam sot e urime të gjithëve.

Margarita Xhepa-Artiste e Popullit-Fjalët e mia janë shumë pak për të treguar gëzimin e madh të mirëpritur, që vjen nga thellësia e viteve dhe e zemrës sime.Një ëndër e bukur që i ka udhëhequr vazhdimisht shqiptarët, që i kanë dhënë shumë botës dhe ajo na ka shumë borxhe ne dhe ky është një borxh i vogël që po u japin shqiptarëve. Jam shumë e lumtur që këtë gëzim po e mar këtu në Prishtinë mes shqiptarëve të një gjuhe të një gjaku e të një flamuri e të një bese.

Tinka Kurti-Artiste e Popullit, mbështjellë më një flamur-Është kënaqësi e jashtëzakonshme dhe unë nuk e kam menduar, se do të jetoj për të parë këtë ditë të mbarë e të mrekullueshme. Dua të përshëndes shqiptarët kudo ku janë ne të gjithë botën,në këtë ditë me borë të bardhë, që është simbol i bardhësisë e mirësisë.

-Esma Agolli- Artiste e Merituar-Jam jashtëzakonisht e lumtur që kam ardhur sot në Prishtinë për të festuar pavarësinë ë shumëpritur të Kosovës. Kemi derdhur shumë gjak për këtë ditë dhe shumë trimëri e lotë për këtë tokë martire.Sot është vërtet një mot i ftohtë, por dielli i lirisë e pavarësisë që ka shperthyer në zemrat e gjithë shqiptarëve, do të shkrijnë njëherë e përgjithmonë dimrin e gjatë.

Besa Imami-Artiste e Merituar- Unë jam nga Gjakova, dhe kam gëzim të dyfishtë. Me thënë të drejtën po më mbysim lotët nga gezimi që kam në zemër, sepse kur u nisa nga Tirana për të ardhur këtu, të afërmit e mi më thanë:”Shko tek vorret e prindërve dhe u thuaj-Cohuni o të dashur, që keni vdekur prej dorës gjakatare të Sërbit, të shihni shpalljen e pavarësisë së Kosovës së bukur.” Megjithëse e sëmurë u cova dhe erdha ngritur prej zërit të brendshmëm të shpirtit tim dhe prej varreve të të parëve të mi në Gjakovë e në Shqipëri. Dhe jam e lumtur qe këtu është me punë si gazetar edhe djali im, Artur Zheji, që shpalos mendimet, idetë e zërin e tij, sepse janë qindra vite luftë e përpjekje për këtë ditë dhe bota duhet ta mësojë. E gëzofshim të gjithë.

Për Prof. Dr. Afërdita Stefani është hera e parë që ka shkelur në Prishtinë dhe ka ardhur me këmbë të mbarë, si ndiheni?

-Ashtu si çdo shqiptar që jeton momentin historic të pavarësisë. Një epokë e re për Kosovën dhe për të gjithë shqiptarët, kudo që janë, që do të sjellë mbarësi. Jam me fat sepse po e shijoj me gjithë shpirt pavarësinë e Kosovës, e cila do të lerë mbrapa historinë e përgjakur dhe do të sjellë mbarësi.

Mjeshtre e madhe Edit Mihali-Dua të them se unë në Kosovë kam qënë për herë të parë menjëherë pas clirimit të saj, me një koncert në kinoteatrin e Prishtinës. Me që vija për herë të parë emocionet kanë qenë të jashtëzakonshme, sepse për herë të parë vija përballë një spektatori artdashës dhe të dëshiruar, për të dëgjuar atmosfërën që vinte nga Shqipëria. Sot kam fatin të jem në ditën e pavarësisë dhe më mungon aftësia e të shprehurit të asaj që unë ndjej në këtë ditë të madhe. Akoma më duket si ëndër. Ajo sakrificë e familjes Jashari apo Haradinaj nuk shkoi kot, sepse ishte shpresa për gëzimin që provojmë sot.

Makbule Ceco-ish deputete – Ishte një ëndërr e kahershme, pasi unë në Kosovë kam ardhur që në 1999-tën dhe kemi bërë takimin e parë me autoritet shqiptare të ngritura pas clirimit të Kosovës. Situata e sotme është pak e ngjajshme me përjashtim të vecorisë që ëndrra e 1912-tës u realizua më 2008. Ky eveniment është pika kulminante e realizimit të ëmdrrës së popullit shqiptar dhe të nënave e gruas shqiptare, që në parlamentin kosovar përfaqësohet me 36 gra intelektuale qe do ti japin zhvillim Kosovës, prej të cilave dihet të marrim shëmbull edhe ne. Jemi krenare që ne kemi bujtur në shtëpinë e simbolit të gruas shqiptare Flora Brovina, që tashmë edhe me të tjera politikane, pas pavarësisë do të rezatojnë edhe më tepër, për të mirën e kombit.

 

Intervista të ndryshme

 

Pranë meje afrohen edhe plot të tjerë, që i bashkohen gëzimit të madh si Isa Koka nga Istogu i Pejës, që është mbështjellë me flamurin kombëtar. Teksa më vendos shallin e kuq me shqiponjën dykrenore me mbishkrimin Kosova, thotë:

–Jam ish i burgosur politik, sot qytetar i lirë me bashkëshorten nga mbishkodra, nga Kemlendi. i kam kaluar të gjithë kalvarin e vuajtjeve në burgje e internime, por sot jam i lirë e i fal të gjithë, sepse kështu më ka mësuar At Zef Pëllumbi, që e kam pas bashkëvuajtës. Jam shumë i emocionuar sepse këtu sot është Vlora e 1912 dhe unë e dua Shqipërinë e dua Kosovën. Kisha frikë se ndoshta nuk e mbrrija këtë ditë, por ja ku jam sot e flas edhe në emër të familjes sime, bashkëshortes Katerina, vajzave Merita, Helena e Blerina, e djalit të vetëm, që Zoti ma dhuroi pas burgut, Fatriun. Populli thotë:”Kush është i zoti e vret frikën me pushkën e vet!” E une e vrava frikën me ndihmën e shokut të gjimnazit Ibrahim Rugova, që me luftën paqësore sensibilizoi gjithë opinionin botëror për njohjen e Kosovës, ashtu si edhe Sali Berisha kur ishte president, që i dha e po i jep shumë Kosovës. Sepse pushteti lind nga vota e lirë dhe mbrohet me votën e lirë…Ta gëzojmë të gjithe këtë ditë.

-Unë jam Sadri Hadërgjonaj gazetar e themelues i emosioneve të RT Sarajeve. Kam filmuar e kam shkruar për ata që kanë manifestuar në këtë shesh, për të sjellë këtë ditë dhe ua kam përcjellë botës, për ta mësuar se kush jemi ne. Jemi mirënjohës për të gjithë ata që na mbështetën nëpër botë dhe dashtë Zoti të hyjmë edhe në familjen e madhe evropiane se e meritojmë.

Prof.Dr. Skënder Kodra, kryetar i Akademisë shqiptaro-amerikane, i ardhur nga New Jorku thotë: -Jam i sigurt në përkrahjen botërore, ndaj më vjen keq për Koshtunicën e popullin e mencur sërb, që nuk e kuptojnë politikën homogjene sërbe. Duhej që ata të na uronin për shtetin e ri të Kosovës. Jam i gëzuar për urimet e kryeministrit të Shqipërisë, sepse e kam mik personal, që kur kam punuar në spitalet e Tiranës dhe e përshëndës. Dua të theksoj se bota nuk duhet të ketë frikë nga shqiptarët, por ti përkrahë ata.

Në Prizren me një prej firmëtarëve të pergamenit të Pavarësisë

Një flamur kombëtar i përmasave të mëdha, i quajtur “Flamuri i Pavarësisë”, në gjatësi prej 3 kilometrash shpalosej me rastin e festës së madhe në Prizren. që është simbolikë e luftës heroike të trimit legjendar Adem Jashari.Ky flamur mbahej nga 1878 marshues, që simbolizojnë vitin e mbajtjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në Kompleksin Monumental të Lidhjes së Prizrenit ku na priti përgjegjësi Parim Kosova, u takuam me njerin prej firmëtarëve të Dokumentit të Pavarësisë, deputetin e Kuvendit te Kosovës Zafir Berisha, që thotë:-Jam i gëzuar që përfaqësoj njërin prej nënëshkruesve të deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. Sipas alfabetit jam nga fundi në renditje dhe me qe nuk kishte vend ne fletë kam firmosur në një vend të vecantë në krye.Kam qenë me zemër në Prizren, pasi i përkas gjeneratës që u sakrifikua për Kosovën e lirë e të pavarur.I përkas familjes me tre vëllezër në burg e unë i përjashtuar nga shkolla e Kosova. Jam kthyer nga Frankfurti me thirrjen e Adem JasharitIdhe jam mobilizuar me forcat e UCK-së, duke kontribuar për shpëtimin e Prizrenit.Si kryengritës rebel tre vjet ka vzhduar protestat për vendosjen e bustit të komandantit Xhevat Berisha në qendër të Prizrenit, i cili u realizua vetëm me ndërhyrjen e UNMIK-ut. Edhe ne vendosëm lule para bustit të tij madje dikush na fotografoi…Aty erdhi e me takoi edhe miku nga Krusha Sahit Osmani, i cili donte që të qëndronim atë natë mysafirë tek ai, por ne këmbëngulëm për tu kthyer.Pastaj Kryetari Berisha na shoqëroi 5 km në dalje të Prizrenit, deri në Vlashnjë, që është toponimi i tretë më i vjetër në botë. Ai na gostiti me specialitete të zonës në lokalin“Kështjella”pronë e tij.Megjithëse nuk është arkitekt gjithcka e ka projektuar vetë. –Nga shpirti jam tradicional- thotë ai- dhe mendova se para se të bësh politikë duhet të kesh garanci ekonomike, ndaj fillimisht iu fura biznesit privat e pastaj politikës. Mendoj se me djem të tillë energjikë të guximshëm dhe të pasur financiarisht e shpirtërisht, do të ecë përpara Kosova, jo si disa nga deputetet tanë që i hyjne politikes për tu pasuruar…

Kalimi i kufirit pa viza dhe kthimi në Tiranë

Moti ishte i ngrohtë, ashtu si zemrat e bizëqeshjet tona.Me pikën kufitare të Morinës, na pritën dy policë që shtrënguan duart me ne duke na uruar. Nuk kishte asnje kerkesë për vizë në pasaportë. Për herë të parë kaluam kufirin pa asnjë vonesë. Rrugës nuk kemi parë kurë kaq shume flamuj të kuq, që valaviteshin krenarë nga ndertesa e rruge te ndryshme. Ne po ktheheshim fitimtare, pasi Kosova ishte shpallur shteti me i ri në botë i pavarur dhe demokratik dhe ishte njohur nga mjaft shtete ne botë, kryesuar nga miku më i madh SHBA. Të Tiranë ndahemi me njera tjetren, duke përsëritur parrullat që ishin vendosur gjithandej në Prishtinë:”Bacë, U kry!”Na takojne dhe na urojnë, shumë na kanë zili, pasi jo kushdo ishte prezent me ne aty në Prishtinë, në ato ditë historike, që nuk do te harrohen kurrë, sepse u bë realitet ëndërra 100 vjeçare e shqiptarëve që sakrifikuan shumë për të, ndaj këto momentë le të mbeten të gdhëndura edhe në shkrimin tim.

Filed Under: Reportazh

BASHKIA E WORCESTER,MA (SHBA) NGRITI FLAMURIN E KOSOVES

February 16, 2013 by dgreca

NGA ARTUR VREKAJ,WORCESTER,MA (SHBA)/

Flamuri i Kosovës u ngrit në shtizën e flamurit të qytetit Worcester, Massachusetts për nder të 5-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dhe do të valëvitet për  pesë ditë.

Ky flamur u dorëzua në bashki në emër të shoqatës KOMBI nga shqiptari nga Kosova, Ramadan Nuhaj.

Tradita e kësaj ceremonie e ka bërë edhe më domethënëse veprimtarinë atdhetare të shoqatës KOMBI që përfaqëson  komunitetin shqiptar.

Gjithashtu, Bashkia jonë  këtë  ceremoni e ka pjesë të programit për respektimin e kombësive sipas grupeve etnike që banojnë në Worcester, MA.

Worcester, MA më 16 shkurt 2013

Filed Under: Featured Tagged With: artur vrekaj, Flamuri i Kosoves, ne Bashki, Worcester

ALBANIAN LEADERS AND ALBANIAN AMERICAN HOSPITALITY

February 16, 2013 by dgreca

Last Friday, before leaving to go back to Albania, the four mayors:Mr. Qazim Sejdini, Elbasan; Mr. Stefan Çipa, Sarandë;Mr. Fadil Jusufi,  Berat and Mr. Bardhyl Gjyzeli, Kuçovë; Besnik Fucia, mayor of Kashar, stopped in New York on the way from an official visit to USAID and the State Department in Washington D.C. Joined Honorable Dritan Mishto, Consul General of Albania, they dined at Macelleria Restaurant in Manhattan. The restaurant is owned and operated by the Bitici family, long time restaurateurs in New York City and New Jersey.

Brothers Sergio and John Bitici offered their esteemed guests a most warm welcome, serving the best wine and cuisine available from New York’s local markets. Luckily a local farm reported that baby goats are running much earlier this year, therefore the brothers were able to serve their guests the very first baby roast goat of the season. There was an abundance of Albanian style meze, Raki Rrushi of Rahovec, produced by the Geci family, and robust red wines from the Ceretto vineyards in Piedmont. The meal ended with Macelleria’s desserts such as famous, homemade, New York style cheesecake, aged cognac and fine cigars provide by John Bitici.

The Albanian leaders were impressed with the kind reception that was shown to them in the U.S. and look forward to returning to New York soon.

S.B.

Filed Under: Kronike Tagged With: Albanian Leaders, and Albanian American, Hospitality

Shaqir Gashi shtroi një darkë festive per Pavaresine e Kosoves ne Manhattan

February 16, 2013 by dgreca

Shaqir Gashi, u shpreh se :” Sivjet po kremtojmë pesë vjetorin e pavarësisë së Kosovës, vetëm pak muaj pas kremtimit të 100 vjetorit të krijimit të shtetit shqiptarë, dhe, me këtë rast dua të them se shqiptarët kudo asnjëherë në historinë e tyre nuk kan qenë më të fortë dhe më të bashkuar për të ecuar drejt një të ardhme të tyre të sigurt, një të ardhme Europiane”./

Nga BEQIR SINA, New York/

MIDTOWN NEW YORK CITY : Jehona festive e 5 – Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës ka filluar të ndjehet kudo në bashkësinë shqiptare në Amerikë. Përgatitjet, për t’a festuar me madhështi këtë festë i sheh kudo në qendrat më të banuara, aty ku ka më shumë shqiptaro -amerikanë, pra në shumicën e qyteteve dhe shteteve të ndryshme të Amerikës
Ashtu si dhe vitin e kaluar kur me një madhështi të paparë ndonjëher u festua 28 Nëntori, 100 Vejtori i Pavarësisë së Shqipërisë, edhe festimi i Pavarësisë së Kosovës, po shoqërohet me aktivitete dhe veprimtari të vecanta. Një veprimtari në kuadrin e 5 – vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, u mbajtë mbrëmë nën kujdesin e pronarëve të lokalit “Zana” në qendër të New Yorkut, zotërinjëve Shaqir Gashi dhe Azem Hasangjekaj.
Ne përkujtim të pesë vjetorit të pavarësisë së Kosovës ishin ftuar disa miq të ngushtë, të veprimtarit Shaqir Gashi, shok të tij, bashkëpuntor dhe veprimtarë të dalluar të komunitetit, si dhe mysafirët nga Shqipëria Kryetari i bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, Kryetar i Komunes – Kashar, z.Besnik Fuçia, Kryetari i bashkisë Beratit, Fadil Nasufi, Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Stefan Çipa.
Në këtë darkë festive morën pjesë edhe përfaqësues të shtetit shqiptar dhe të Kosovës,, Konsulli i Përgjithëshëm i Kosovës, Ambasadori Bekim Sejdiu, konsulli Fatmir Zajmi, Ambasadori Ferit Hoxha, Përfaqësues i Përherëshëm i Republikës së Shqipërisë në OKB, Konsulli i Pergjithshme i Shqipërisë ne New York Dritan Mishto, anëtari i Kuvendit të New Yorkut zoti Mark Gjonaj, ish i dërguari i posaçëm SHBA-ve, për çështjen e Kosovës në bisedimet e udhëhequra nga “Treshja” ambasadori Frank G.Wisner, Jr. shkrimtarja dhe studiuesia amerikane Ana di Lelio

Me këtë rast ata kishin ftuar dhe disa ish luftëtar të Batalionit Atlantiku nga Amerika, të cilët iu bashkuan radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe luftuan për ndalimin e spastrimit etnik dhe çlirimin e Kosovës me 1999 së bashku me forcat e SHBA-ve dhe NATO-s kundër forcave serbe, në Kosovë.

           Darkën në kuadrin e pesë vjetorit të pavarësisë së Kosovës, e drejtojë gazetari i njohur nga Kosova, Sulejman Gashi korrespondenti i RTK në SHBA. Folësit, sollën pjesëza jete nga veprimtaria dhe aktiviteti i shqiptarëve të Amerikës, duke folur më shumë për rolin dhe kontributin e tyre, sidomos atë që lidhej me dy dekadat e fundit në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Për më tepër, me këtë rast u vleresua në shumë këndëvështrime kontributii dhe veprimtaria e Shaqir Gashit, i cili, sipas tyre, së bashku e disa miq të tij, të ftuar në këtë darkë, u tha se kan bërë shumë për Kosovën, me demostrata dhe duke lobuar në SHBA, gjithashtu përkrahur luftën çlirimtare dhe, më pas edhe zhvillimin ekonomik në periudhën e pasluftës – shtet ndërtimin e Kosovës.

Sulejman Gashi ndër të tjera tha se :” Ne shënojmë sot përvjetorin e pavarësisë, sepse ishit ju që kontribuat shumë, ishit ju që besuat në lirinë dhe në realizimin e pavarësisë së Kosovës ishit ju – që secili mbi bazë të shembullit të sakrificës, ashtu si bën breza e breza para nesh nuk kursyet kohën, paratë mundin, zërin, por edhe gjakun duke marrë pushkën në dorë, pikërishtë atëhere kur më së shumti kishte nevojë Kosova”.
Mikëpritësi i kësaj darke festive zoti Shaqir Gashi, gjatë fjalës së tij përshëndetëse u shpreh se :” Sivjet po kremtojmë pesë vjetorin e pavarësisë së Kosovës, vetëm pak muaj pas kremtimit të 100 vjetorit të krijimit të shtetit shqiptarë, dhe, me këtë rast dua të them tha zoti Gashi se asnjëherë në historinë e tyre shqiptarët nuk kan qenë më të fortë dhe më të bashkuar për të ecuar drejt një të ardhme të tyre të sigurt, një të ardhme Europiane”.
Darka u shoqerua me fjalime të tjera dhe më pasë edhe me këngë dhe muzikë të të gjitha trevave, me një repertor shumë të pasur nën interpretimin e këngëtares së mirënjohur Shqipe Kastrati, Arben Krasniqi, dhe Haxhi Zeneli

Filed Under: Kronike Tagged With: Beqir Sina, pavaresia e Kosoves, Shaqir Gashi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5563
  • 5564
  • 5565
  • 5566
  • 5567
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT