• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Midis dy Shqipërive: Bashkimi Kombëtar dhe Interesat Kombëtare

February 9, 2013 by dgreca

Nga Zeno Jahaj /

Më 28 Nëntor 2012, Kombi, për herë të parë i lirë dhe natyrshëm i bashkuar, përkujtoi madhërisht 100 vjetorin e pavarësimit të Shqipërisë. Kjo ishte Shqipëria e parë, Shqipëria etnike. Këtë vendosën të njohin etërit e Kombit.Pas 8 muajsh, më 29 Korrik 2013, do të jetë Europa së cilës, ndoshta mund t’i bjerë ndër mend se, 100 vjet më parë, etërit e Kontinentit plak vendosën të njohin një Shqipëri tjetër, Shqipërinë e dytë, atë shtetërore.

Shqipëria e parë, ajo etnike u krye me ndjenja dhe konsensus kombëtar, me vizionin e interesave kombëtare. Etërit e Kombit që e themeluan atë, e dinin fare mirë se askush nuk mund të ndalohet pse ka apo shpreh interesa. Prandaj ata e shpallën Shqipërinë ashtu siç kish pas qenë fati i natyrshëm i saj.

Përkundër, Shqipëria e dytë, ajo shtetërore u bë me konsensus ndërkombëtar dhe do të kishte në themel interesat ndërkombëtare – përndryshe, të shteteve të tjera. Askush nga ndërkombëtarët e kohës nuk do t’a përjetonte më dhimbshëm këtë akt, sesa Konti Leopold von Berchtold, burrë shteti i përmasave Europiane, Ministër i Jashtëm i Perandorisë Dualiste Austro-Hungarze, dashamirës dhe mbështetës i madh i Shqipërisë,  i cili, plot 100 vjet më parë do të shkruante: “Austro-Hungaria respekton dëshirën e Serbisë për t’a mbrojtur mëvetësinë e vet nga çdo pikëpamje dhe për të siguruar për këtë një rrugë të sigurtë për në det. Por kjo gjë nuk do të thotë se Serbia duhet të shtrihet medoemos deri në Adriatik, se atëherë do të bëhej i pamundur krijimi i një Shqipërie autonome që do të jetë e zonja të rrojë. Serbia mund t’ia arrijë qëllimit për lidhjen e vet me detin edhe në mënyra të tjera. Nëse beson se ka interesa vitale (nënvizimi im, Z.J.) për të pasur një liman të vetin, atëherë mund të marrë një port në Detin e Egjeut.”

Natyrisht, Konti realist Austriak, kishte edhe ai ndjenjat e veta, por edhe gjeopolitika kishte ligjet  e veta. Të gjitha kombet dhe shtetet e tjerë pohonin, përpiqeshin dhe luftonin për t’i kënaqur interesat kombëtare me programe, me platforma ideologjike apo force, me strategji të hapëta apo të fshehta, me mënyra të ndershme apo të pandershme. “Çobani” Rus i grigjës ortodokse nuk mund t’a pranonte sugjerimin e Berchtold që Serbisë t’i ofrohej një port në Detin e Egjeut. Dalja e Serbisë në Selanik do të shkaktonte përplasje e grindje brenda llojit dhe do t’i ndërlikonte zhvillimet në hapësirën Ballkanike e të Mesdheut Lindor, për pushtimin e së cilës Cari Pjetër i Madh i Rusisë kishte lënë një testament të posaçëm. Prandaj të gjithë i përmbaheshin formulës “raison’d’etat” – përndryshe “arësye shtetërore”, të cilën çuditërisht e pati shpikur Richelieu – shërbëtor i Zotit për nga zanati, Kardinal i Kishës Katolike, burrë shteti i përmasave Europiane, Kryeministër i parë i Francës.

Prandaj, për shumë e shumë arësye, ne kemi sot vetëm një Shqipëri, atë shtetërore që njeh bota.

Natyrisht çdo komb do mund të dëshironte t’i bashkonte trojet që i konsideron apo i percepton si të veta. Madje, etërit e kombeve, prandaj janë quajtur të tillë, sepse kanë bashkuar familjen e madhe që quhet komb. Por merita më e madhe e tyre është se, në këtë mision, ata kanë vepruar në përshtatje me prirjet e proceseve historike dhe jo jashtë tyre. Si Bismarku, ashtu edhe Hitleri, për shembull, ideuan, udhëhoqën e luftuan për bashkimin dhe lavdinë e Gjermanisë. Por, ndërsa i pari arriti mjeshtërisht synimin (për të cilin kishin dështuar tre breza gjermanësh!), pikërisht sepse veproi brenda procesit historik, përkundër, i dyti, duke vepruar jashtë tij, i shkaktoi Gjermanisë plagën e rëndë, për shërimin e së cilës u desh një gjysmëshekulli. Pak më afër nesh, si Konti Kavour, ashtu edhe Musolini luftuan për bashkimin dhe lavdinë e Italisë. Por i pari veproi dhe pati sukses brenda procesit historik, ndërsa i dyti doli jashtë tij, duke i shkaktuar Italisë humbje të turpëshme dhe dëme afatgjata.

Të ecësh kundër procesit është humbje dhe humbja iu kushton shumë, veçanërisht kombeve të vegjël. Shqiptarët nuk u përshtatën në kohën e duhur me procesin e nacionalizmit shtebërës ku u përfshi e gjithë Europa e shekullit të 19-të. Dy fqinjët tokësorë të Shqiptarëve qenë nga të parët e atij fillimshekulli që e kurorëzuan me sukses këtë proces. Shqiptarët u vonuan plot një shekull për të “kapur fillin”. Ndërkohë, Europianët, midis tyre edhe fqinjët tanë që i kishin “blinduar” tanimë shtetin, organizimin, forcën dhe ushtritë, iu vunë proceseve të tjera për të vënë në jetë objektivat e tyre nacionaliste, përkatësisht konsolidimin dhe zgjerimin kombëtar.

Proceset nacionale që e mbyllën një cikël në gjysmën e parë të shekullit të 20-të, ia lanë vendin një procesi tjetër në gjysmën e dytë të tij: garës midis rrugës demokratike dhe rrugës komuniste të zhvillimit. Shtetet e hapësirës Euro-Atlantike që e kuptuan “krahun” e këtij procesi dhe u rreshtuan në kohën e rrjedhën e duhur të tij, sot gjenden një epokë të tërë përpara në zhvillim, mirëqënie dhe siguri në krahasim me shtetet e tjera të botës. Ata sot drejtojnë e do të drejtojnë fatet e botës në një të ardhme ndoshta afatgjatë, edhe pse janë pakicë në krahasim me pjesën tjetër dërmuese. Në të kundërt, të tjerët që nuk u orientuan dot, apo që përzgjodhën të rreshtoheshin kundër prirjes së procesit, duke thirrur për ndihmë armën e nacionalizmit të sëmurë (Gjermania naziste dhe Italia fashiste) apo duke aplikuar ideologji politike shterpë sikurse ishte komunizmi (Rusia, Europa Lindore përgjithësisht), iu shkaktuan popujve të tyre humbje dhe dëme të mëdha, ndër të cilat, humbja e hapit të kohës, dalja nga procesi, ishin më të rëndat.

Shqipëria, në paraluftën e Dytë Botërore e gjeti veten të lidhur ekonomikisht e ushtarakisht pothuajse vetëm me Italinë. Fatura tanimë dihet: aventura ushtarake Italiane për pushtimin e Greqisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, rezultoi në një disfatë dhe tërheqje të turpëshme strategjike, që faktorizoi në Shqipëri pan-sllavizmin, ortodoksinë politike dhe komunizmin. Politika Shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore, përgjithësisht e orientoi popullin Shqiptar për nga qëndresa antifashiste, gjë që shkonte në pajtim me rrjedhën e procesit mbarëbotëror. Por kjo arritje u degjenerua menjëherë pas Luftës, kur Shqipëria u rreshtua në ideologjinë dhe praktikën politike të komunizmit, gjë që i kushtoi Shqipërisë dy breza njerëzorë kohë të humbur.

Paslufta e Ftohtë e futi botën në një proces tjetër: shpërbërjen e krijesave artificiale, sikurse ishin Bashkimi Sovjetik, Çekosllovakia apo Jugosllavia, etj. Në vend të tyre, me ose pa dhunë, u ringritën entitete që e kishin gëzuar në kohëra statusin shtetëror apo autonom. Si e tillë, ringritja e Kosovës, shënon përfundimin e këtij procesi historik, për t’i lënë vendin një procesi të ri që përshtatet natyrshëm me prirjen globale: Integrimi mbarë-Europian dhe Euro-Atlantik.

Pikërisht këtu është edhe udhëkryqi: Do të ecim në përshtatje me këtë prirje të lidhjes, harmonizimit dhe integrimit në njeri tjetrin të të gjithë faktorëve Shqiptarë dhe integrimit kombëtar në idenë e madhe dhe praktikën e bashkimit në dhe përmes strukturave Europiane e Euro-Atlantike, apo do të mënjanohemi nga kjo prirje e procesve rajonale e globale për t’u marrë veçmas me procese të bashkimit kombëtar?

Tehu ku ndahen të dy proceset është: A do të mbijetojnë në kufijtë e sotëm entitetet që e kanë gëzuar dikur dhe iu është njohur edhe sot statusi shtetformues, përkatësisht Maqedonia, Bosnjë-Herzegovina dhe Kosova? Nëse këto entitete do të mbijetojnë, atëhrë problemi përfundon këtu. Nëse këto entitete nuk do të mbijetojnë, domethënë nëqoftëse këto nuk do ecin në përshtatje me prirjen e procesit – përkatësisht me integrimin brendapërbrenda dhe integrimin në Europë, por, përkundrazi, do të shkojnë për nga shpërbërja, atëherë, në këtë rast, do të kemi një reaksion tjetër zinxhir ku secili shtet-komb do të kërkojë bashkim me komunitetet kombëtare që ka apo percepton se ka jashtë kufijve të sotëm. Atëherë, do të krijohen drejtëpeshime të reja dhe, sikurse ka ndodhur rëndom, veçanërisht në Ballkan, prishja e drejtëpeshimeve, zakonisht është shoqëruar me dhunë e luftë. Kësisoj, Ballkani do të futet përsëri në rrethin vicioz të konfliktit.

Shqipëria dhe Shqipëtarët sot, për herë të parë në historinë e tyre, janë përcaktuar e renditur në rrjedhën e proceseve mbarërajonale e më gjerë. Nuk duhet t’a humbim këtë çast gjeopolitik.  Komuniteti demokratik ndërkombëtar lejoi apo, më saktë nxiti, një proces shpërbërjeje të një krijese artificiale sikurse ishte Jugosllavia. Prandaj u lejua Maqdonia, prandaj u lejua edhe Bosnja. Më vonë, komuniteti demokratik ndërkombëtar nxiti edhe shpërbërjen e Serbisë, sepse edhe ajo ishte një krijesë artificiale. Por u përcaktua një kufizim i qartë: ky proces do përfshinte vetëm shpërbërjen e krijesave artificiale të formuara nga dy e më shumë  entitete, të cilat, veç e veç, e kishin gëzuar në kohëra statusin si entitete shtetërore apo autonome, sikurse ishte Serbia dhe Kosova. Ky ishte kufiri i fundit. Në fund të fundit, procesi i shpërbërjes merr vlerë, si për kombet, ashtu edhe për paqen e sigurinë kombëtare e ndërkombëtare, kur ndikon krijesat artificiale dhe kur rikrijon, në vend të tyre, entitete me qëndrueshmëri natyrale. Procesi i shpërbërjes nuk parakupton një reaksion zinxhir shpërbërjesh të tjera, të cilat, të paktën në kushtet e sistemit të sotëm të sigurisë, por edhe të prirjeve rajonale e globale, normalisht, nuk shkon krahas rrjedhës së proceseve.

Sigurisht, askush nuk i fut të gjitha vezët në një shportë. Mundësia e shpërbërjes së mëtejshme të entiteteve të rajonit ka gjasat e veta. Por askush nuk mund të parashikojë me saktësi se nga do të anojë në këtë rast drejtëpeshimi kosto-fitim. Prandaj çështja shtrohet: do të vijojmë të rrojmë vetëm me ndjenjat për Shqipërinë etnike, apo, krahas, do të shprehim e sigurojmë interesa të arritëshme kombëtare të Shqipërisë shtetërore?

Të kënaqësh interesat kombëtare do të thotë të premtosh transformim kombëtar. Ky është pra, “Rubikoni” ynë: transformim i ndjenjave kombëtare në interesa të arritëshme kombëtare. Prandaj ne, së pari, duhet t’i shprehim qartë, pastër e lidhëshëm këto interesa. Pastaj, të kemi guximin për t’i paraqitur këto interesa sipas shkallës së rrezikut për mbijetesën, mirëqënien, lirinë apo sigurinë e Kombit Shqiptar. Në vijim, që të mos dështojmë siç kemi dështuar, ne duhet të përcaktojmë bartësit kombëtarë që do të duhet të zhvillojnë këto interesa apo t’i shpëtojnë nëqoftëse rrezikohen. Më në fund, a kemi llogari kombëtare për t’i mbështetur këto interesa?

Në këtë këndvështrim, do mendoja që përmbajtja e interesave kombëtare të Shqiptarëve, mund të formulohej më e plotë si më poshtë:

Për Kosovën. Kosova – një nga kryeqendrat e etnisë Shqiptare dhe, njëherësh një nga entitetet e federatës së kundërnatyrshme Jugosllave, plotësonte të gjitha atributet juridike dhe i kishte të gjitha fuqitë e aftësitë për të jetuar si shtet më vete. Por trashëgimia historike Serbe e mbijetesës përmes pushtimeve dhe nacionalizmi genocidist nuk i emancipoi dot politikanët Serbë për t’a pranuar këtë realitet, prandaj botës së qytetëruar dhe vetë Shqiptarëve të Kosovës iu deshën t’ia detyrojnë atë me forcë.

Kosova është tanimë një shtet i shpallur kombëtarisht dhe në proces për njohjen e plotë ndërkombëtare. Këtu e tutje lojën duhet t’a luajnë vetë Shqiptarët e Kosovës, me qëllim që realitetet potenciale, fuqitë e aftësitë t’i kthejnë në realitete institucionale, ekonomike, arsimimi, sigurie, etj. Zgjidhja më e mirë e provuar nga e gjithë historia për t’iu dhënë frymëmarrje këtyre realiteteve është qarkullimi i lirë dhe intensiv i vlerave, ideve, mallrave dhe njerzve me shtetet fqinjë e më gjerë. Në këtë kuadër, Shqipëria bashkëkombëse është shteti natyral për t’u integruar jo vetëm në ekonomi, arësim, siguri, etj, por edhe midis institucioneve homologe. Prandaj, plotësimi i kudrit politik për njohjen dhe sigurinë e shtetit të Kosovës, forcimi i identitetit kombëtar Shqiptar, hapësira e lirë tregëtare, sociale, arsimore e kulturore me trojet e tjera Shqiptare dhe integrimi i plotë Shqipëri – Kosovë, janë interesa kombëtare jetësore të Shqipërisë. Nëse Shqipëria do të arrijë integrimin e plotë me Kosovën, atëherë me siguri do të garantojnë edhe bashkimin. Por, nëse flasin për bashkimin pa bërë integrimin e plotë, atëherë do të kompromentohen të dyja proceset, si bashkimi, edhe integrimi.

 

Për Maqedoninë. Maqedonia – një nga entitetet e federatës së kundërnatyrshme Jugosllave, plotësonte drejtëpërdrejtë atributet juridike dhe i kishte të gjitha fuqitë e aftësitë për të jetuar si shtet më vete. Gjithsesi, mbijetesa e Maqedonisë së pavarur kushtëzohej nga katër shtete: Bullgaria që e pretendonte jo thjeshtë minoritetin Bullgar; Greqia që fsheh shumë më shumë sesa “çështja” e emrit “Maqedoni”; Serbia që kërkon t’a mbajë lidhur Maqedoninë për “shkak” të vijimësisë së trashëgimisë politike, ekonomike e fetare si qendra e pushtetit të Ish Jugosllavisë; Shqipëria që ka legjitimitetin e interesit jetësor kombëtar për shkak të faktit se trojet Shqiptare në Maqedoni përbëjnë një nga kryeqendrat e etnisë Shqiptare dhe se popullsia Shqiptare atje përbën një entitet shtetformues e  jo thjeshtë një pakicë kombëtare.

Por frymëzimet nacionaliste i verbuan politikanët Maqedonas për të kuptuar e pranuar këtë realitet Shqiptar. Prandaj botës së qytetëruar dhe vetë Shqiptarëve të Maqedonisë iu deshën t’ia imponojë Maqedonisë këtë realitet. Nëqoftëse politikanët Maqedonas do të zgjidhnin vetizolimin për t’i shpëtuar këtij realiteti, atëherë fatura do t’iu shkonte të gjitha grupimeve të popullsive të ndryshme etnike që e mbajnë në këmbë këtë shtet. Por vetëizolimi e ka provuar veten se ku të çon. Në këto kushte, zgjidhja më e mirë dhe e provuar nga e gjithë historia edhe për Maqedoninë ishte dhe është pranimi dhe nxitja e qarkullimit të lirë dhe intensiv të vlerave, ideve, mallrave dhe njerzve me shtetet fqinjë e më gjerë. Në këtë kuadër, Shqipëria, që e lidh me Maqedoninë jo vetëm kufri shtetëror, por edhe një popullsi bashkëkombëse në nivel konstitucional, ka interes jetësor për këtë qarkullim midis dy vendeve. Prandaj, siguria e njësuar e të drejtave politike e vetadministrative të bashkëatdhetarëve në trojet Shqiptare në Maqedoni, ruajtja dhe forcimi i identitetit kombëtar Shqiptar dhe hapësira e lirë tregëtare, sociale, arsimore e kulturore me trojet e tjera Shqiptare, janë interesa kombëtare jetësore të Shqipërisë. Nëse i ndërtojmë dhe i fuqizojmë si duhet e sa duhet këto interesa, atëherë jemi në gjëndje të mbajmë gjallë idenë e bashkimit në kohën e duhur.

 

Për Malin e Zi. Mali i Zi – një nga entitetet e federatës së kundërnatyrshme Jugosllave, plotësonte drejtëpërdrejtë atributet juridike dhe i kishte të gjitha fuqitë e aftësitë për të jetuar si shtet më vehte. Bashkatdhetarët Shqiptarë në Malin e Zi përbëjnë një faktor të rëndësishëm ekonomik, administrativ e, madje, edhe politik. Duket se politikanët Malazesë e kanë kuptuar dhe e kanë vlerësuar këtë faktor. Nëqoftëse do të përcaktonin tjetër zgjidhje, atëherë fatura do të ishte e rëndë, jo vetëm për Shqiptarët. Në këto kushte, rruga më e mirë dhe e provuar nga e gjithë historia, edhe ajo e Malit të Zi, ishte dhe është qarkullimi i lirë dhe intensiv i vlerave, ideve, mallrave dhe njerzve me shtetet fqinjë e më gjerë. Në këtë kuadër, Shqipëria, që e lidh me Malin e Zi jo vetëm kufri shtetëror, por edhe një popullsi bashkëkombëse në nivel faktori të rëndësishëm ekonomik, administrativ e politik, ka interes jetësor për këtë qarkullim midis dy vendeve. Prandaj, siguria e të drejtave politike e vetadministrative të bashkëatdhetarëve në trojet Shqiptare në Mal të Zi, ruajtja dhe forcimi i identitetit kombëtar Shqiptar dhe hapësira e lirë tregëtare, sociale, arsimore e kulturore me trojet e tjera Shqiptare, janë interesa jashtëzakonisht të rëndëishme kombëtare të Shqipërisë. Nëse i ndërtojmë dhe i fuqizojmë si duhet e sa duhet këto interesa, atëherë jemi në gjëndje të mbajmë gjallë lidhjet e duhura.

 

Për Luginën e Preshevës. Lugina e Preshevës – përndryshe, krahinë e pastër etnike Shqiptare, e shkëputur nga Shqipëria Veri-Lindore për të kënaqur kalkulimet e interesave Ballkanike e Europiane, në vlerësim të rëndësisë së jashtëzakonshme gjeostrategjike në qendër të korridorit përgjatë Lumit Moravë dhe Vardar, mbeti nën Serbinë. Gjithsesi, popullsia Shqiptare e kësaj Lugine plotëson të gjitha atributet, si dhe i ka të gjitha fuqitë e aftësitë për t’u vetëadministruar. Por trashëgimia historike Serbe e mbijetesës përmes pushtimeve dhe nacionalizmi genocidist iu rëndojnë dhe do t’iu rëndojnë akoma politikanëve Serbë për t’a pranuar plotësisht këtë realitet.

 

Prandaj, duhet të zhvillohen të gjitha inisiativat për sigurimin e të drejtave politike, administrative e njerzore të popullsisë së Luginës, duke mbajtur hapur të gjitha urat lidhëse me bashkëkombasit në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri për lirshmëri lëvizjeje vlerash, idesh, mallrash dhe njerzish. Shqiptarëve në Luginën e Preshevës iu duhet të mbajnë gjallë përpjekjet për të fituar plotësisht statusin e vetëadministrimit, me qëllim që fuqitë t’i kthejnë në aftësi të pjellshme administrative. Kosova do të jetë shteti fqinjë i drejtëprdrejtë që do të duhet të ndikojë mbi Serbinë për të respektuar të drejtat politike, administrative e njerzore të popullsisë së Luginës. Në këtë kuadër, Shqipëria, në bashkërendim me Kosovën, duhet të sensibilizojnë institucionet e të drejtës ndërkombëtare, si dhe të vënë në lëvizje institucionet kombëtare për të arritur që të sigurohen këto të drejta për bashkatdhetarët e Luginës dhe për të nxitur qarkullimin e lëvizjes, vlerave, ideve, mallrave dhe njerzve me bashkatdhetarët në trojet e tjera Shqiptare. Prandaj, siguria e të drejtave politike e vetadministrative të bashkëatdhetarëve në trojet Shqiptare në Luginën e Preshevës, ruajtja dhe forcimi i identitetit kombëtar dhe hapësira e lirë tregëtare, sociale, arsimore e kulturore e tyre me trojet e tjera Shqiptare, janë interesa jashtëzakonisht të rëndësishme kombëtare të Shqipërisë. Nëse i ndërtojmë dhe i fuqizojmë si duhet e sa duhet këto interesa, atëherë do jemi në gjëndje të mbajmë gjallë idenë e bashkimit në kohën e duhur.

 

Për emigracionin dhe diasporën Shqiptare. Një mendje fatale i shtyn Shqiptarët t’a kërkojnë lumturinë jashtë vendit të vet. Kombi Shqiptar, edhe sikur të kishte bërë një dyzinë luftrash pushtuese, nuk do të kishte humbur aq shumë resurse njerëzore sa ka humbur nga emigrimi. Më shumë sesa një e treta e popullsisë Shqiptare nuk jeton më në troje Shqiptare, por është (ose po bëhet) pjesë e kombeve të tjera – përndryshe, një humbje e dyfishtë: humbasim Shqiptarë dhe fuqizojmë kombe të tjera. Kombet e tjerë, sado të qytetëruar e shumë të qytetëruar, nuk janë kaq bujarë për të dhënë kaq shumë gjak falas. Përkundrazi, kombet e tjerë janë aq zgjuar, sa për të fituar dyfish luftëra të pakryera. Kombi nuk mund t’a ketë ndërgjegjen të qetë kur një të tretën e vet, madje pjesën më rinore të tij, ua “dhuron” kombeve të tjerë. Kjo vetëm bujari nuk është. Më e pakta, është paaftësi kombëtare, ndërsa mungesa e mbështetjes dhe interesimit për të ardhmen e emigracionit dhe diasporës Shqiptare, mund të jetë krim kombëtar.

Gjithsesi, kjo aortë ende e hapur gjaku Shqiptar është një fakt i pakthyeshëm, ose vështirë i kthyeshëm. Ajo që i mbetet Shqipërisë është të përpiqet që të mos humbasë identiteti kombëtar i këtij emigracioni dhe i kësaj diaspore. Vetëm kështu emigracioni dhe diaspora do mund t’i mbajnë sytë nga Shqipëria. Prandaj, ruajtja e identitetit kombëtar të emigracionit dhe diasporës Shqiptare është interes jashtëzakonisht i rëndësishëm kombëtar i Shqipërisë.

 

Shqipëria dhe te Shqiptarët përgjithësisht identifikojnë te Shtetet e Bashkuara të Amerikës interesa komplementare të partneritetit strategjik, veçanërisht në fushën e sigurisë në dhe për rajonet e Ballkanit e Mesdheut. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës – përçues dhe mbrojtës të vlerave të lirisë, prosperitetit, demokracisë dhe qytetërimit, qenë mbështetësit e pazëvendësueshëm për t’i integruar Shqipërinë dhe Shqiptarët në këto vlera. Në sajë të kësaj mbështetjeje, Shqipëria dhe Shqiptarët në fundshekullin e 20-të dhe fillimshekullin e 21-të kanë bërë transformimin e madh, duke kaluar nga statusi i kombit të nëpërkëmbur, në statusin e kombit të barabartë dhe të pyetur në rajon e më gjerë. Nga ana e tyre, kombi Shqiptar dhe institucionet e tij, i janë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke i siguruar njëherësh asaj mbështetjen proporcionalisht të barabartë në misionet me interes të përbashkët, të sigurisë e paqes në botë. Prandaj, aleanca strategjike me SHBA është interes kombëtar jetësor i Shqipërisë.

 

Identiteti dhe interesat kombëtare të Shqipërisë dhe Shqipëtarëve nuk janë përqasur kurrë në historinë e vet me asnjë familje tjetër kombesh të imponuara nga koha apo rrethanat, përveçse me familjen Europiane, e mishëruar sot me NATO dhe BE. Prandaj, aleanca strategjike me NATO-n dhe antarësimi në BE, përbëjnë interesa kombëtare jetësore të Shqipërisë.

 

Italia ka qenë mbështetësja e përhershme e mbijetesës kombëtare të Shqiptarëve në trojet e tyre. Rrugëkalimi më i rëndësishëm strategjik drejt Lindjes i Perandorisë paraardhëse Romake të Italisë, kalonte pikërisht mespërmes trojeve Shqiptare. Por edhe sot e në të ardhmen, përmes trojeve Shqiptare, Italia ka e do të ketë mundësitë më të mëdha për një rigjallërim të bujshëm të ekonomisë kombëtare të saj. Ekonomia Italiane, në krahasim me vendet e tjera, ka patur në të gjitha kohërat përparësinë në ekonominë Shqiptare. Por zhvillimet e pritëshme që lidhen me korridoret e naftës e të gazit, si dhe dinamikat e tjera të zhvillimit që bart Europa Jugëlindore, do të bëjnë që Shqipëria të përjetojë një shkëmbim të pashoq strategjik me Italinë në fushën ekonomike. Rivitalizimi në trajta moderne i Rrugës Egnatia apo i çdo korridori që lidh Europën Jugëlindore me Italinë përmes Shqipërisë, do të jetë një transformim rrënjësor për ekonominë Shqiptare dhe përgjithësisht për mirëqënien e sigurinë e Shqiptarëve në të gjitha trojet e tyre. Infrastrukturat që lidhen me këto dinamika do të faktorizojnë Durrësin e Shkupin në rajon, duke ndikuar kësisoj edhe në rritjen e përmasës së thellësinë horizontale të hartës politike të trojeve Shqiptare, e lënë enkas e ngushtë nga kalkulimet e vitit 1912, me qëllim që Shqipëria në çdo kohë të këputej lehtëisht në mes. Prandaj, aleanca strategjike me Italinë është interes kombëtar jetësor i Shqipërisë.

 

Çdo fuqi tjetër Lindore, përveç Turqisë, ka synuar dhe është përpjekur t’a tretë kombin Shqiptar. Në këtë kuptim, prirja Shqiptare për nga Perandoria Otomane, ka pjesën e vet në shpëtimin e identitetit kombëtar të Shqiptarëve. Kundërqëndresa Shqiptare ndaj Perandorisë Otomane shërbeu për njohjen e forcës së identitetit Shqiptar, të cilin Perandoria gjithsesi e respektoi. Shqiptarët i dhanë jo pak Perandorisë. Historikisht midis dy kombeve është krijuar një lidhje e natyrshme. Sot, rrethanat gjeopolitike e kanë prurë që Turqia të riciklohet në thellësinë e dikurshme strategjike, natyrisht në përmasa, forma e mjete moderne. Përveç rrugëkalimit klasik të Ngushticave, Turqia do të kontrollojë korridoret kryesore të gazit e të naftës që adresohen për në Europë. Regjimi politik moderator që gëzon Turqia, e bën atë të afërt si me Perëndimin, edhe me Lindjen. Në këto kushte, Turqia i ka të gjitha mundësitë gjeostrategjike që, në një të ardhme afatmesme, të shndërrohet në një fuqi të madhe me ndikim të gjerë politik, sigurie, ushtarak dhe ekonomik në zemër të dy kontinenteve. Shqipëria dhe Shqiptarët janë të privilegjuar të kenë përfshirjen miqësore brenda kësaj thellësie strategjike të Turqisë. Prandaj, aleanca strategjike me Turqinë përbën interes kombëtar jetësor të Shqipërisë. Krijimi i një korridori të gjerë tregëtar që kalon nëpër Shqipëri dhe që lidh Turqinë me Italinë, ashtu sikurse e pati këshilluar edhe Ismail Bej Vlora – themelues i Shtetit Shqiptar, do të kryejë një transformim rrënjësor për ekonominë Shqiptare dhe përgjithësisht për mirëqënien dhe sigurinë e Shqiptarëve në të gjitha trojet e tyre.

 

Shqipërinë e deshi Austro-Hungaria – Fuqi nga më të mëdhatë e kohës që mbështeti kombin më të vjetër të Ballkanit për të ruajtur identitetin Europian në Gadishull. Me shpërbërjen e Austro-Hungarisë – natyrshëm zona nevralgjike e interesit të saj, përkatësisht Europa Jugëlindore, u shndërrua në zonë interesi të Gjermanisë. Është fat që Shqipëria dhe Shqiptarët përfshihen në këtë zonë interesi të Gjermanisë, madje që janë një komb i respektuar prej gjermanëve. Gjermania, ashtu sikurse është gjeografikisht në zemër të Europës, ashtu do të jetë edhe në zemër të zhvillimeve të ardhëshme Europiane përmes fuqisë së saj ekonomike, mendjes dhe shpirtit karakteristik Gjerman. Për këto e të tjera arësye, aleanca strategjike me Gjermaninë është interes kombëtar jetësor i Shqipërisë.

 

Shqipëria zotëron një nga katër kalimet kyçe detare për në Detin Mesdhe, ku historikisht dhe aktualisht Mbretëria e Madhe ka patur dhe ka interesa strategjike, të cilat kanë qenë të përputhëshme me interesat e kombit Shqiptar. Mbretëria e Madhe, përkrah SHBA, zhvilloi një kontribut të padiskutueshëm që Shqipëria dhe Shqiptarët në fundshekullin e 20-të dhe fillimshekullin e 21-të të bënin transformimin e madh, duke kaluar nga statusi i kombit të nëpërkëmbur, në statusin e kombit të barabartë dhe të pyetur në rajon e më gjerë. Me Mbretërinë e Madhe bashkëplotësojmë interesa dhe aleanca. Prandaj, aleanca strategjike me Mbretërinë e Madhe përbën interes kombëtar jetësor të Shqipërisë.

 

Franca, me impulset që iu ka dhënë kombeve Europiane, mdis tyre edhe kombit Shqiptar, për afirmimin e identitetit kombëtar, si dhe me kulturën që i ka dhënë njerëzimit, përbën një pikë referimi vlerash universale. Franca ka qenë veçanërisht e interesuar për të krijuar një zinxhir partneriteti me kombet e vegjël, ndër ta edhe me kombin Shqiptar. Prandaj partneriteti strategjik me Francën përbën interes jashtëzakonisht të rëndësishëm kombëtar të Shqipërisë.

 

Bullgaria. Nisur nga zhvillimet e pritëshme në fushën e sigurisë ekonomike të Europës përgjithësisht dhe të Ballkanit e trojeve Shqipëtare veçanërisht, nga nevoja për dinamizimin e infrastrukturave horizontale në Ballkan, si dhe nga interesi i përbashkët për qëndrueshmërinë e Maqedonisë, mund të nxjerrim përfundimin se me Bullgarinë kemi mjaft interesa bashkëplotësuese të nivelit strategjik. Një korridor i zhvilluar infrastrukturor Itali-Bullgari do mund të sillte për Europën Jugëlindore ato rrjedhime që pati sjellë hapja e Kanalit të Suezit për Mesdheun. Me korridorin Itali-Bullgari, balanca klasike e porteve detare kalon në anën e porteve Shqiptare e Bullgare. Prandaj, një partneritet perspektiv strategjik me Bullgarinë përbën interes të rëndësishëm kombëtar të Shqipërisë.

 

Greqia. Me Greqinë na ka lidhur një fat i përbashkët historik, por jo gjithnjë kahje të përbashkëta sjelljeje. Shqipëria ka zbatuar me korrrektesë, madje me lëshime të pashoqe, të drejtat e minoritetit Grek në Shqipëri. Greqia, normalisht ka interes të ligjshëm kombëtar për minoritetin e vet që jeton në Shqipëri, por ky interesim nuk mund të justifikojë Planin e Bashkërenduar të Zbatimit të Idesë së Greqisë së Madhe, që është në proces e në perspektivë prej mbi një shekull dhe që përfshin greqizimin e Shqipërisë Jugore. Prandaj, për aq sa nuk ndryshon kjo sjellje, interesi kombëtar i Shqipërisë mund të jetë vetëm partneriteti i kufizuar dhe i kushtëzuar me Greqinë. Shqipëria, ashtu si çdo shtet tjetër serioz, ka një sovranitet shtetëror, ekonomik, kulturor, fetar e arsimor dhe nuk mund të lejojë që ai të shkelet.

 

Prestigji kombëtar. Shumë qarqe në Ballkan e më gjerë kanë qenë e vijojnë të jenë të interesuar t’i paraqesin Shqipërinë e Shqipëtarët me ngjyrat më të errëta, duke përgjithësuar dukuritë negative kalimtare që, normalisht, i ka përjetuar çdo komb e çdo popull. Synimi i këtyre qarqeve është të mbahen gjallë rrënjët e terrorit të kahershëm psikologjik për të mos lënë hapësirë për Shqiptarët “e egër” të integrohen me njeri tjetrin, sepse bëhen “të rrezikshëm”.

Por Shqipërinë e turpërojnë jo rrallë vetë Shqiptarët, me çka flasim apo nuk flasin, me çka bëjnë apo nuk bëjnë, si shtetarë apo si qytetarë. Ne na duhet me çdo kusht të krijojmë një sjellje apo një pakt kombëtar, të paktën për çështje kombëtare. Prestigji kombëtar lidhet me disa ligje – do thoja, të shenjta. A nuk është i shenjtë, për shembull, ligji i reciprocitetit? Si është e mundur të lejojmë që shtete të tjera të thonë ç’të duan për Shqiptarët e Shqipërinë, të bëjnë ç’të duan në tokën apo ujrat tona apo të sillen si të duan me qytetarët tanë dhe ne të tregohemi kaq të “sjellshëm” sa për të mos mbajtur qëndrime a për të kryer kundërveprime? Moszbatimi i ligjit të reciprocitetit mund të jetë krimi më i rëndë ndaj interesave kombëtare. Prandaj, prestigji kombëtar i Shqipërisë dhe i Shqiptarëve, është interes jashtëzakonisht i rëndësishëm kombëtar. Ne nuk mund të ndryshojmë paragjykimet apo keqdashjen ndaj Shqiptarëve, por kemi shumë në dorë të ndryshojmë prestigjin tonë kombëtar.

 

Status kombëtar për institucionet fetare. Ne Shqiptarët nuk kemi fe të përbashkët kombëtare dhe, për këtë arësye, kemi një identitet më pak sesa kombe të tjerë. Kombe dhe shtete të tjerë identifikohen me fenë. Madje, ndonjë nga fetë e mëdha ka lindur si nevojë për të mbështetur strukturat politike. Për këtë arësye, institucionet e tyre fetare, kudo ku shtrihen, kryejnë misione të politikave shtetërore në vend të funksioneve apostolike.  Në jo pak raste, ato kanë qenë partnere në genocidin shpirtëror e fizik të ushtruar ndaj Shqiptarëve. Prandaj statusi kombëtar i institucioneve fetare në Shqipëri, brenda kuadrit teologjik, është shpëtimtar për ruajtjen dhe forcimin e identitetit kombëtar dhe, për këtë arësye, është interes jetësor kombëtar.

 

Në kushtet kur nuk kemi fe kombëtare, kemi, besoj, një instrument tjetër për t’a zëvendësuar atë: shenjtërimin e historisë kombëtare dhe të trojeve Shqiptare. Të gjithë popujt e kombet i adresohen këtij instrumenti. Njeri prej tyre, shkruan mbi mauzoleun e vet kombëtar: “O të mëdhenj. Kombi Ju është mirënjohës.” Etërit e kombit nuk mund të parcelizohen sipas bindjeve politike, apo për besueshmëri politike, por sipas kontributeve për kombet e tyre. Kombin e sjell më afër një monument lavdie kombëtare, sesa qindra kisha apo xhami. Monumenti i Pavarësisë në Vlorë është një i tillë që, thuajse me fuqi hyjnore, “urdhëroi” një komb të tërë të bëhej bashkë më 28 Nëntor 2012. A nuk duhet të të monumentalizojmë – për interesa kombëtare e humane, me të drejtën e Zotit, të rënët apo të vrarët e kombit Shqiptar në masakrat dhe genocidin masiv që kanë ushtruar fqinjët tanë tokësorë në të gjitha trojet Shqiptare dhe në të gjitha kohërat? Ne duhet të japim mesazhin e një kombi të qytetëruar për të shpallur Vend të Shenjtë të Kombit Shqiptar Shtëpinë ku u mblodh Kongresi i Manastirit për Gjuhën Shqipe, nga ku u shpëtua identiteti Europian i Shqipëtarëve. A nuk mund të zëvendësohen me emra shqip emra të huaj vendesh, siç nuk kanë patur turp t’a bëjnë e s’kanë qenë pak të qytetëruar kombe të tjerë që e kanë bërë një gjë të tillë? Ndoshta edhe vetë bullgarët, për shembull, çuditen që emrat e fushimeve të tyre ushtarake ruhen akoma edhe sot pas dhjetë shekujsh në emra vendesh, fshatrash, fushash e malesh Shqiptare. Prandaj, shenjtërimi i historisë kombëtare dhe i trojeve Shqiptare është interes jetësor kombëtar.

 

Gjuha Shqipe është burimi i parë i identitetit kombëtar të Shqiptarëve. Ne duhet t’a zhvillojmë Gjuhën Shqipe me të gjithë larminë e natyrshme që ka çdo gjuhë. Gjuha Shqipe, për fatin tonë, e ka së brendëshmi forcën dhe qëndrueshmërinë e saj natyrale dhe nuk ka nevojë për t’a ringritur. Po të mos ishte e tillë, nuk do t’a kishte ruajtur identitetin përballë dy gjuhëve nga më kultivuarat e njerëzimit. Ka patur madje edhe fuqinë për t’i ushqyer ato. Gjuha Shqipe i ka vetë energjitë e brendëshme për t’u formësuar edhe më mirë. Ajo e di vetë këtë detyrë. Shqiptarëve iu duhet vetëm t’a ndihmojmë, t’a zhvillojmë, t’a pasurojmë e jo t’a diskutojmë apo, më keq, t’a dyshojmë. Prandaj, zhvillimi e pasurimi i Gjuhës Shqipe është interes jetësor kombëtar.

 

Mirëqënia kombëtare. Mirëqënia kombëtare besohet se është interesi më madhor kombëtar i Shqipërisë. Shqiptarët kanë humbur më shumë resurse njerëzore nga emigrimi jashtë trojeve Shqiptare, sesa nga genocidet e ushtruara kundër tyre apo pushtimet e huaja ushtarake. Jemi kombi që zemë vendin e parë për përqindjen e popullsisë së emigruar, madje të pjesës më aktive e më të arsimuar të kësaj popullsie, e cila përzgjedh të jetojë jashtë Shqipërisë, edhe duke mos ushtruar profesionin e vet, edhe në kushte skllavërie apo persekutimi psikologjik. Një lloj vetëvrasjeje e një populli të tërë.

 

Shqipëria i ka të gjitha: vendvendosje të rëndësishme gjeostrategjike; hapësira të privilegjuara për të gëzuar Mesdheun – detin e bekuar të botës; tokën e nëntokën e begatë; gjeografinë veçanërisht të larmishme. Studimet serioze thonë se trojet Shqiptare i kanë të gjitha mundësitë të mbajnë në standarde të përparuara jetese edhe dyfishin e popullsisë së sotme Shqiptare. Atëherë, përse nuk i mban Shqipëria Shqiptarët? Si spjegohet që Shqiptarët gëzojnë e trashëgohen aq shumë në vende e popuj të tjerë? Si spjegohet që Shqiptarë të mëdhenj bënë shtete të tjera, por nuk bënë Shqipërinë? Çfarë nuk ofron Shqipëria? Pse i largon Shqipëria për njerzit e vet?

Duket se ka një shkak themelor: Pasiguria për mirëqënie kombëtare, e cila, nga ana e saj, çon në humbjen e shpresës kombëtare. Të gjitha interesat kombëtare kompromentohen e rrezikohen pa ofertën e mirëqënies, e cila, nga ana e vet, kushtëzohet nga kultura politike e drejtimit të shtetit dhe niveli i qytetërimit. Prandaj rritja e mirëqënies kombëtare është interesi më i madh kombëtar i Shqipërisë dhe i Shqiptarëve. Çdo interes tjetër mbahet gjallë e përparon në atë shkallë sa mbahet gjallë e përparon mirëqënia kombëtare. Jo aq për fatkeqësinë tonë, sesa për fajin tonë, Shqipëria e Shqiptarët, historikisht janë goditur pikërisht në këtë interes themelor. Varfërimi në mirëqënie ka sjellë varfërim në institucione, në sjellje, në qytetërim, në kulturë, në arësim, shkurt, në ndjeshmëritë kombëtare.

Atëherë, cila do të mund të ishte strategjia kombëtare për realizimin e interesave kombëtare?

 

Hapi i parë, do të ishte forcimi i lidhjeve të gjithanëshme midis të gjitha entiteteve Shqiptare, pavarësisht nga shtetet ku janë përfshirë brenda kufijsh. Thelbi i kësaj strategjie është vendosja e lidhjeve të detyrueshme e me frymëmarrje të gjerë midis të gjitha metropoleve Shqiptare, zhvillimi i mundësive të gjithfarëllojta të qarkullimit përmes investimeve në infrastrukturë, arsimim kombëtar, etj. Neve historikisht na kanë lënë pas mungesa e rrugëve dhe urave të komunikimit.  Lidhjet varen nga ne. Por nuk dëmtojmë as tjetrin. Prej autostradave të mëdha do të vijnë edhe efeketet e lidhjeve të tjera sociale, ekonomike, kulturore e sportive brendakombëtare, të cilat do të nxisin më shumë prirjet për integrim të ndërsjelltë midis Shqiptarëve, familjeve dhe institucioneve të tyre në të gjitha trojet . Rruga e Kombit, për shembull, është një arritje me spektër kombëtar, sepse lidh metropolet Shqiptare në boshtin Jug-Veri. Por përparësia duhet të shkojë në investimet infrastrukturore që lidhin metrolpolet e mëdha Shqiptare në boshtin Perëndim-Lindje, përkatësisht Durrësin e Tiranën me Shkupin, me qëllim që të vitalizohen korridoret që lidhin Italinë me Turqinë – aktorë me peshë të ndjeshme në gjeopolitikën e ardhëshme botërore. Investimi i fuqishëm në këtë bosht ndikon po aq fuqishëm thuajse të gjithë interesat kombëtare të Shqipërisë dhe të Shqiptarëve përgjithësisht.

Hapi i dytë, do të ishte zhvillimi, qysh sot atje ku është e mundur, i integrimit social, ekonomik, kulturor e institucional me vendet ku Shqiptarët janë faktorë politikë e administrativë.

Nëse do të hedhim siç duhet, kur dhe sa duhet, dy hapat e parë, atëherë do mund të krijojmë të gjitha potencialet edhe për të ardhmen e Bashkimit Kombëtar, varësisht nga prirjet e proceseve rajonale e globale, situatave gjeopolitike dhe interesave kombëtare.

Shprehja qartë, pastër e lidhshëm e interesave kombëtare është, natyrisht, hapi i parë i domosdoshëm, por jo kryesori. Ajo çka është më e rëndësishme, interesat kombëtare duhen siguruar. Përndryshe mbetemi vetëm në ndjenja. Por vetëm ndjenjat nuk mund t’i sigurojnë interesat kombëtare. Prandaj çdo interes kombëtar duhet mbështetur me programe e projekte kombëtare. Për shembull, nëqoftëse pranojmë se ruajtja e identitetit kombëtar të emigracionit dhe diasporës Shqiptare, është interes kombëtar i Shqipërisë, atëherë Shtëti Shqiptar duhet të hartojë e të sigurojë një status për emigracionin dhe diasporën Shqiptare.  

Për më tej, me qëllim që programet dhe projektet kombëtare të mos kthehen në fjalime moralizuese, duhet të caktohen edhe bartësit kombëtarë. Ne nuk mund të ecim përpara pa krijuar instrumente të përbashkëta për të mirën kombëtare. Për shembull, nëse pranojmë se ruajtja e identitetit kombëtar të emigracionit dhe diasporës Shqiptare është interes kombëtar dhe përcaktojmë edhe një status për këtë qëllim, atëherë, normalisht, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës do mund të emërtohej: “Ministria e Arësimit Kombëtar dhe e Shkencës”.

Por interesat kombëtare pa institucione kombëtare, nëmos kompromentohen krejtësisht, në rastin më të mirë, mbeten vetëm në nivelin e ndjenjave kombëtare. Në fund të fundit, kombin e lidh shteti, institucionet kombëtare. Aftësia dhe fuqia për të siguruar e mbrojtur interesat kombëtare përcaktojnë vetë shtetin. Në këtë kënd, duhet të ketë, për shembull, institucion kombëtar që lidh ekonominë kombëtare, institucion kombëtar që lidh kulturën kombëtare, etj, etj. Për më tej: Cili është institucioni që lidh sigurinë kombëtare nëqoftëse këtë term e përdorim aq rëndom? Si mund të transformohet Shqipëria Shtetërore për t’u lidhur me Shqipërinë kombëtare?

Kemi ardhur kështu te thelbi i çështjes: Një komb serioz nuk mund t’i arrijë këto synime e t’i kënaqë këto interesa pa një planifikim kombëtar afatgjatë. Në fund të fundit, planifikimi kombëtar afatgjatë është treguesi themelor që e dallon një komb të qytetëruar nga një komb i paqytetëruar. Ne nuk mund të zhvillojmë interesat kombëtare pa krijuar aftësi e kapacitete kombëtare për të parashikuar dhe drejtuar ngjarjet në mënyrë sistematike, pa vizion përtej të nesërmes. Kombi Shqiptar është mjaftueshmërisht në proces për të mos mbetur në vend, për t’u transformuar, domethënë për t’u renditur ndër kombet e qytetëruar.

Interesat kombëtare nuk mund të zhvillohen pa projekte e programe kombëtare e aq më pak vetëm me ndjenja kombëtare. Një komb serioz çmohet për të gjithë procesin e realpolitikës dhe jo vetëm për procesin e moralpolitikës. Asnjë komb serioz nuk braktis interesat kombëtare – prej këtej sigurinë kombëtare, për hatër të virtuteve dhe moralit universal. Vetëm kombet me identitete dhe interesa të respektuara kombëtare kanë ç’ti ofrojnë jo vetëm vetes, por edhe njerëzimit.

Filed Under: Featured Tagged With: Bashkimit Kombetar, Interesave Kombetare, midis dy Shqiperive, Zaho Jahaj

Bashkebisedim vatranesh ne Florida

February 9, 2013 by dgreca

Nga Lek Gjoka/

Ne nje te diele pasdreke ku i gjithe Amerika ishte mberthyer me ethet e finales se madhe te Super Bowl  dega e shoqates “Vatra” ne Jacksonville Florida zhvilloi nje takim bashkbisedimi miqesor me antaret e saj ne nje nga sallat e hotelit”Fairfield Inn & Suites”Jacksonville Butler Boulevard .U mblodhen nje e nga nje antaret e kesaj dege.Megjithese pjesmarrja le per te deshiruar dhe cdo antar duhet te bisedoje disi me vete kur ka vendosur ti sherbeje Atdheut se sherbimi ndaj memedheut do korretese, kohe, shpenzime si dhe lodhje ngarkuar me stres .Sigurisht qe gjithkush e merr shperbilim ndaj ketij sherbimi te shenjte ndaj asnjere nuk duhet te mendojme se cfare na jep neve Shqiperia por cfare i japim ne asaj sepse ajo na ka dhuruar gjakun e shqiptarit qe nuk e blen dot me asnje lloj pasurie.

Takimin e hapi kryetari i deges zoti Adriatik Spahiu ku beri nje pershkrim te shkurt te jetes foshnjore te kesaj dege qe nga 18 Nentori 2012 dita e themelimit e deri ne sot.Foli per arritjet dhe veshtiresite qe kane kaluar ne pak muaj jete. Pastaj beri edhe prezantimin e dy antareve te rinje mesuesen e talentuar nga Pogradeci Lavdie Mato dhe pronarin e firmes “Martini Furniture” nga Lezha Sander Martini.Pasi i falenderoi per deshiren e mire per tu bere pjese e Vatres kesaj familje te madhe te mergates shqiptare te Amerikes iu uroi suksese qe te gjithe bashku te punojme edhe me shume ne bashkimin e shqiptareve jo vetem te Jacksonvilles por te gjithe Florides.

Me pas antari i bordit drejtues Bukurosh Curri foli me gjeresisht per aktivitetet e shoqates si festimin e 100 vjetorit te Pavarsise,vitin e ri 2013 si dhe per koncertin organizuar me aktoret e humorit shqiptar Behar Mera ,Rita Lati dhe kengetaren  Valbona Halili.Gjithashtu ai iu kerkoje antareve te jene disi me aktvive sepse edhe eksperianca ne organizime te tille eshte e paket nga ana e tyre ndaj pa mbeshtjen e te gjitheve suksesi do te jete minimal.

Pas nje heshtje te shkurter nisen diskutimet e antareve ku Doktori i Shkencave Mjeksore zoti Ali Lushnja falenderoi bordin drejtues te shoqates per punen e kryer ne kete pak kohe dhe perkushtimin e madh ndaj diaspores shqiptare te Jacksonvilles sepse dihet qe koha ne Amerike eshte mjaft e shtrenjte dhe e kufizuar Diskutimet nga antaret nisen aq lirshem saqe dukej si nje familje e madhe qe bisedon per hallet,gezimet ,problemet e te gjithe familjes dhe rruget per zgjidhjen e tyre.

Mesuesja Lavdie Mato duke marre fjalen i falenderoi per ftesen dhe e quajti aktin e themelimit te deges se Vatres ne Jacksonville si nje akt te per t’u pershendetur sepse eshte shume e veshtire t’i bashkosh shqiptaret e Jacksonvilles(si kudo ne Amerike) sebashku per arsy nga me te ndryshme.Gjithashtu ajo ftoi bordin drejtues per bashkpunim te me tejshem me shqiptaret e tjere qe po mundohen te krijojne shoqata te tjera por qe ne te shumten e rasteve shuhen ne heshtje ndaj te gjithe te bashkuar do te jemi te gjithe fitimtare dhe jo te deshtuar.

Me pas bordi drejtues foli per planin e shoqates deri ne mbledhjen e rradhes.Gjithashtu bordi  do te mblidhet serisht per te bisedur me tej per organizimin e feste se 8 Marsit festen se Nenave dhe motrave shqiptare ne cdo cep te rruzillit tokesor.

Ne fund si tradite e zakonshme qe jeton gjithmone ne ndienjat e shqiptareve edhe ne mergim si mikpritja, bujaria,etj, kryetari i deges se Vatres  Z. Adriatik Spahiu shtroi nje kontej me ushqime tradicionale shqiptare per nder te dy antareve te rinje qe ju bashkuan kesaj Vatre te madhe me deshiren e mire per te ecur me tej  dhe qe do te mundohen dhe do te punojne me perkushtim me te gjithe antaret e Vatres jo vetem per bashkimin e shqiptareve te Jacksonvilles por edhe te Orlandos dhe Daytona Beach qytete te Florides afer njera-tjetres .Si kujtim eshte edhe nje shkrepje e aparatit fotografikt nga Doktori i Shkencave Mjeksore doktor Ali Lushnja ,  qe tani per tani eshte thjeshte nje fotografi e zakonshme por qe brezat e ardhshem do te ndihen krenare me ne sikur jemi ne krenare per Nolin,Konicen dhe te gjithe vatranet e Amerikes tash nje shekull qe punuan per te miren e shqiptareve dhe te  kombit tone Shqiperise.

Jacksonville Florida

Shkurt 2013

Filed Under: Featured Tagged With: bashkebisedim vatranesh, Lek Gjoka, ne Florida

Botohet Fjalori i parë Shqip-Suedisht me rreth 35.000 fjalë

February 9, 2013 by dgreca

Botohet Fjalori i parë Shqip-Suedisht me rreth 35.000 fjalë

–  Unionit të Shoqatave Shqiptare në Suedi

–  Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Suedi

–  Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë në Suedi

–  Lidhjes së Studentëve Shqiptarë në Suedi

–  Rejeti i Femrës Shqiptare krijuesë në Suedi

–  Qendrës kulturore Shqiptare “Migjeni” në Borås

–  Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Stockholm

–  Ambasadës së Republikës së Kosovës në Stockholm

–  Ambasadës së Republikës së Maqedonisë në Stockholm

–  Personaliteteve dhe bashkatdhetarëve tanë në Suedi, Danimarkë, Norvegji dhe Finlandë

 

Të nderuar bashkatdhetarë!/

Në janar të vitit 2013 iu dërgua për botim Shtëpisë Botuese Toena në Tiranë, Fjalori i parë Shqip-Suedisht me rreth 35.000 fjalë./

 Njoftim i shkurtë/

 Fjalori i parë Suedisht-Shqip me 17.000 fjalë të përdorimit të zakonshëm, të zgjedhura e të përpunuara nga një fond prej 27.000 fjalësh, u botua për herë të parë më 1994, nga Agjencia Kombëtare Suedeze për Arsim (Enti për zhvillim i Suedisë). Autor i përkthimit dhe inkodimit është Mr.fil. Sadulla Zendeli Daja, Suedi, me redaktor Ullmar Qvick, Suedi, dhe Svijetllana Mihali, Shqipëri. Fjalori ka ndihmuar shqiptarët ta ruajnë me dashuri gjuhën amtare shqipe dhe të pengojë tjetërsimin e tyre gjuhësor. Fjalori ka patur për mision të bëhet edhe mjet plotësues arsimimi për një shtresë të gjerë përdoruesish.

Fjalori i dytë Suedisht-Shqip me 28.500 fjalë të përdorimit të zakonshëm, të zgjedhura e të përpunuara nga një fond prej 54.000 fjalësh, u botua më 2004 nga Agjencia Kombëtare Suedeze për Arsim (Enti për Zhvillim i Suedisë). Autor i përkthimit dhe inkodimit është Mr.fil. Sadulla Zendeli Daja, me redaktor Svijetllana Mihali, Shqipëri, dhe Dr.prof. Shefkije Islamaj, Këshilltare Shkencore dhe përgjegjëse e sektorit të Leksikografisë në Institutin Albanolgjik të Prishtinës. Fjalori është bërë edhe mjet plotësues arsimi për një shtresë të gjerë përdoruesish, duke qenë present edhe në Internet në adresën “ Svensk-albansk lexicon ligger nu på webben tillsammans med de adra lexikcon online lexicon på adressen: http://www-lexin.nada.kth.se/skolverket/lexi.shtml

Fjalori përmban numër të madh kuptimesh e ngjyrimesh kuptimore, sinonime, thënie e idioma. Ai përmban edhe 66 faqe fotografi tematike me ngjyra.

 

Fjalori i tretë për fëmijë me titull Fjalori im i parë 4 gjuhësh: Shqip-Anglisht-Italisht, nga autorja Meri Toçi. Versionin Shqip-Suedisht e ka përkthyer Mr.fil. Sadulla Zendeli Daja. Botoi Toena, Tiranë, 2011.

Fjalorin e katërt Shqip-Suedisht, me rreth 35.000 fjalë, e boton Shtëpia Botuese Toena në Tiranë më 2013. Fjalori pasuron dhe barazon leksikografitë e të dy gjuhësve, suedeze dhe shqiptare, dhe plotëson zbrazti të ndjeshme për fjalorë të këtij lloji, në të dy leksikografitë. Ka karakter shkencor e normativ, dy kritere me vlerë për leksikografinë e mirëfilltë bashkohore, teorike e praktike. Ky projekt përmbush të gjitha kriteret mbi të cilat ndërtohen fjalorët dygjuhësorë bashkohorë. Është punuar me kujdes të veçantë sa i përket makrostrukturës së tij dhe përmban informacione shtesë për jetën, kulturën e psikologjinë e popullit shqiptar dhe suedez, me çka paraqet pasurim lëndor e me vlerë për përdoruesit. Fjalori ka anën e tij praktike të përdorimit, dhe këtë anë e siguron përzgjidhja e duhur teknike e trajtimit të lëndës gjuhësore. Në fjalor janë trajtuar me kujdes njësitë leksiko-semantike, fusha e informacionit të çdo zëri leksikografik, përkufizimet e shpjegimet, sinonimet e antonimet. Një punë jo e vogël është bërë në plotësimin e strukturës semantike brenda fjalës. Rruga që është ndjekur në hartimin e këtij fjalori, shkurtazi është kjo: për njësitë leksikore të shqipes është bërë përpjekje të gjenden njësitë gjegjëse të suedishtes;

–     Në pjesën suedishte është përfshirë leksiku aktiv, jo rrallë leksiku pasiv dhe ai potencial, për t´i dalë ballë fjalësit të shqipes;

–     Në fjalor janë përfshirë edhe një numër fjalësh të reja, fjalësh pak të njohura, fjalësh të huaj me karakter ndërkombëtar, një numër  dialektizmash në mbështetje të vlerës së tyre objektive brenda strukturës leksikore, dhe një numër termash më të përhapura profesionale.

–    Është bërë përpjekje që të jepet gjithnjë kuptimi më i përgjithshëm e më i saktë, ngjyrimet kuptimore, kuptimi figurativ dhe përdorimet e tjera funksionale të fjalës;

–   Për shumicën e fjalëve leksikore është dhënë përdorimi i tyre në frazeologji dhe shembuj të shumtë ilustrues.

–   Një vëmedje e veçantë i është kushtuar anës normative të fjalorit, e cila ka përfshirë të gjitha rrafshet e gjuhës: Fonetikë, morfologji, sintaksë, fjalëformim, për çka mendoj se do të ketë një rol të caktuar edhe në përvetësimin e normës së gjuhës letrare.

–    Shpresoj që edhe ana e përzgjedhjes teknike, organizimi i artikujve të fjalorit, topografia, paraqitja e informacioneve gramatikore dhe të tjera, do të jenë në funksion të anës praktike të fjalorit dhe do ta rradhisin atë ndër fjalorët bashkohorë.

Autori i kësaj vepre leksikologjike shumë të kërkuar është Mr. fil Sadulla Zendeli Daja, Suedi. Redaktorët e këtij fjalori janë: Dr.prof. Xhevat Lloshi, Tiranë, Dr, prof. Shefkije Islamaj, këshilltare shkencore dhe përgjegjëse e sektorit të leksikografisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës, Mr. Dalina Gurra, Suedi, dhe Mr. Suzanna Holm, Suedi. Me këtë rast dëshiroj  t’iu shpreh mirënjohjen time të sinqertë për ndihmën e vlefshme që dhanë, që ky fjalor shumë i pritur ta shohë dritën e botimit në Shqipëri. Për konsultime profesionale një ndihmë të pakursyer kanë dhënë: Albanologu Ullmar Qvick, Norrköping, Drejtoresha e Përgjithshme e Shtëpisë Botuese Toena, Znj. Irena Toçi, Fatmir Toçi dhe Lavdie Cenmurati. Dua të falëndeeroj Zt. Tomas Eriksson dhe Kenny Lindberg për ndihmën teknike në punën time me kompiuter. Botues i Fjalorit Shqip-Suedisht është Shtëpia Botuese Toena në Tiranë.

 

Mr.fil. Sadulla Zendeli Daja

 

Adresa:

BOKIMPORT EXPORT DAJA

C/O S. Zendeli Daja

Storgatan 13

386 31 Färjestaden, Sverige

Tel 0046 (0)485 34779 b.

Tel. 0739 133 755 c.

E:post; szdaja@netatonce.net

Sadulla.zendeli@hotmail.com

 Me autorizimin e autorit shkrimine e dërgoi për botim Sokol Demaku

Filed Under: Kulture Tagged With: Fjalori shqip-suedisht

LAMTUMIRE ALFRED ZIJAJI!

February 9, 2013 by dgreca

KOHA I KISHTE REZERVUAR BREZIT TONË NJË VEPËR TË MADHE ATDHETARE/

 Nga Enver MEMISHAJ/

 Kryeministri i Shqipërisë z. Sali Berisha në telegramin e ngushëllimit që i dërgoi familjes së të ndierit Alfred Zijai, theksoi atë meritë që të tjerët e “harruan” apo nënvleftësuam se njeriu të cilit po i shtinin një dorë dhe për në banesën e fundit kishte qenë një nga themeluesit e Partisë Demokratike.

Alfred Ziaji la pas gjurmë të pa shlyera jo vetëm në historinë e futbollit shqiptar, por edhe në historinë e lavdishme të qytetit të tij, Vlorës, prandaj është më mirë të pyesim se si rrojti ky bir i shquar i Vlorës dhe jo si vdiq në një moshë fare të re, 52 vjeçare.

Për jetën e tij heroike po flas me lot në sy në këtë shkrim.

*     *     *

Viti 1990, ishte viti që bëri epokë në historinë e shqiptarëve. Shqiptarët, u ngritën për lirinë e tyre dhe i dhanë fund sundimit të komunistëve gjakatarë. Ata hynë në udhën drejt një shteti demoktarik dhe ligjor si e gjithë Europa.

Në dhjetor të këtij viti në Tiranë u themelua Parta Demokratike. Vlonjatët, me ndjenjën e atdhetarizmit dhe intuitën e lirisë, si gjithmonë në historinë e Shqipërisë vrapuan në Tiranë.

E ndjenin se po afronte ndryshimi i madh. Alfred Ziaji, duke përfituar nga miqësia me profesor Gramoz Pashkon luajti një rol aktiv në përhapjen e ideve demokratike dhe themelimin e Partisë Demokratike, në Vlorë.

Në këto rrethana vrulli më 29 dhjetor 1990 në Vlorë ishin strukturuar dy grupe demokratike:

Grupi Afrim Jupit, siç u quajt më vonë nga populli, që përbëhej nga: Afrim Jupi, Manol Bono, Maksim Hitaj, Irma Halili.

Grupi Roland Tafilit, sipas emërtimit që atij i vuri populli, që përbëhëj nga: Roland Tafili, Ventigjar Hamzaraj, Hasko Hoxha, Bujar Borshi.

Ndërmjet këtyre grupeve qëndronte Alfred Ziaji, me njohje dhe shoqëri me grupin e Roland Tafilit, i cili me aftës, me autoritet dhe meritat e ti, me porosi nga Gramoz Pashko i bashkoi të dy grupet.

Këta nuk kishin dijeni të qarta se si do arrihej përmbysja dhe ndryshimi epokal, por ata adhuronin lirinë, kishin intuitën, dëshirën, vendosmërinë, guximin dhe trimërinë. Në kushtet e terrorit komunist, veprimtaria pothuajse zhvillohej ilegalisht.

Ata nuk e kishin zgjeruar mbledhjen për të ruajtur konspiracionin dhe pra për të mbrojtur veten. Megjithatë këta bij të denjë të Vlorës e vranë frikën, prandaj kur unë përdor fjalën guxim dhe trimëri nuk bëj asnjë hiperbol por vetëm pohoj një realitet. Të gjithë ata që e jetuan atë kohë mizore, e dinë fort mirë se për çdo fjalë të lëshuar pa dashje apo me shaka kundër regjimit, nuk i zinte gjumi me netë të tëra, se mos shoku apo miku i spiunonte, se mos vëllait apo motrës i shkiste goja dhe përfundoje në burg.

Kordinatori i dy grupeve, Alfred Ziaji, pasi kishte biseduar me profesorin e ekonomisë, Gramos Pashko dhe kishte marrë prej tij miratimin që të vinin të deleguar nga Tirana, për formimin e Komisionit Nismëtar për Themelimin e Partisë Demokratike, caktoi ditën e shtunë më 29 dhjetor 1990 të takoheshin në shtëpinë e tij.

Autoi i këtij shkrimi, e njihte mirë çiftin e bukur Ziaji, Kujtimin dhe Irfanen, Çifti ishte prerë për njeri tjetrin, të bukur të dy, por bukurinë më të madhe e kishin në shpirt dhe në sjelljen e tyre. Kujtimi kishte humbur dy vëllezër, në kushte që nuk u sqaruan asnjëherë dhe për këtë ai shikohej si “armik populli”.

Karakteri dhe shpirti tij demokratik, intuita dhe guximi e futën në udhën e luftës për përmbysjen e dikaturës komuniste, prandaj ai hapi dyert e shtëpisë së tij, pa mendur për pasojat që mund t`i vinin.

 

Në këto rrethana vrulli më 29 dhjetor 1990 u formua Komisioni Nismëtar për themelimin e Partisë Demokratike Vlorë nga disa intelektualë trima e të mençur si: Afrim Jupi, Roland Tafili,

Ventigjar Hamzaraj, Hasko Hoxha, Alfred Zijai, Bilal Çela, Manol Bono, Aleks Tahiri, Bujar Borshi, etj, të cilët treguan në atë moment madhor historik se ishin trashëgimtarë të denjë të

të parëve të tyre, mishërim i atij shpirti të lirë vlonjat që ka bërë emër e ka zënë vend nderi në historinë tonë.

Pasi diskutuan si të deleguarit edhe të pranishmit edhe pse kishte mendime të kundërta si për kthimin e pronave mbrojtur nga Bujar Borshi dhe Ventigjar Hamzaraj, pavarësisht nga

rezervat që patën grupet ndaj njeri tjetrit, pranuan dhe vendosën të gjithë njëzëri, formimin e Komisionit Nismëtar për themelimin e Partisë Demokratike të Vlorës dhe firmosën proçesverbalin përkatës.

Kryetar i partisë u zgjodh Afrim Jupi, dhe sekretar Roland Tafili.

Fillimisht mbledhjet e PD-së janë zhvilluar pothuajse ilegalisht në shtëpinë e Kujtim Zijait dhe më pas në shtëpinë e Ventigjar Hamzarajt. Mbledhje janë zhvilluar edhe në shtëpinë e Afrim Jupit, atje janë bërë edhe takime të Sali Berishës me drejtuesit e PD-së së Vlorës.

Alfred Ziaji, Kreshnik Çipi dhe Rrapo Taho si aktivist të shquar e kthyen të gjith skuadrën e futbollit “Flamurtari” me PD-në, duke ushtruar një ndikim të madh tek të gjithë qytetarët.

*     *     *

Po kush ishte në atë kohë Alred Ziaji ?

Ai  kishte lindur në Vlorë në vitin 1961. Përfaqësuesi tipik i mënçurisë dhe guximit të rinisë vlonjate. Ishte diplomuar në Akademinë e Sporteve, dhe në fakultetin e Drejtësisë. Futbollist i shquar i “Flamurtarit” të Vlorës dhe i kombtares së Shqipërisë. Pedagogia e tij, në Akademinë e Sporteve, Mimoza Pashko, në vitin 1986 e kishte njohur me bashkëshortin e saj, pedagogun e ekonomisë në Universitetin e Tiranës Gramos Pashko, me të cilin lidhi miqësi. Bindjet e tij dhe kjo lidhje miqësore e shpunë atë në vijën e parë të Lëvizjes Demokratike. Një mik i tij, Mihal Çela, e kishte prezantuar me Ventigjar Hamzarajn, i burgosur politik, dhe ky e prezantoi me vëllezërit Shaska, Farinë dhe Bedrinë dhe së bashku diskutonin dhe propogandonin kundër diktaturës komuniste. Më pas u bashkuan edhe me Roland Tafilin dhe Hasko Hoxhën dhe u përgatitën për themelimin e Partisë Demokratike. Ai thotë se: “Radjon, “Zërin e Amerikës” e dëgjonim tek shtëpia e Ventigjar Hamzarajt, dhe më pas propagandonin idetë që dëgjonim atje”.

 

*    *     *

Për të propaganduar idetë demokratike që përfaqësonte Partia Demokratike, për bërë të ditur themelimin e Partisë Demokratike në Vlorë,  Komisioni Nismëtar thirri në një miting.

Nuk është gabim që dita e themelimit të Partisë Demokratike të Vlorës të quhet data 6 janar 1991, sepse këtë ditë populli i Vlorës duke iu përgjigjur thirrjes së Partisë Demokratike doli në

shesh, konfirmoi dhe miratoi Partinë Demokratike. Komisioni Nismëtar i Partisë Demokratike të Vlorës, tashmë ishte plotësisht i ligjshëm, i zgjedhur dhe miratuar nga populli.

Ishte një miting historik, madhështor dhe që do të mbahet mënd gjatë nga vlonjatët. Ne që morëm pjesë në atë miting dhe që më vonë u bëmë pishtarë të udhës demokratike të vlonjatëve

e kuptuam se historia e qytetit tonë po hynte në një epokë të re fatlume për Shqipërinë, duke lënë pas një epokë vuajtje, mjerimi dhe lotësh.  Fati i kishte rezervuar brezit tonë këtë vepër të madhe atdhetare

Alfred Ziaji kujton se: “Më 6 janar ishte ndeshja e futbollit ndërmjet “Flamurtarit dhe “Elbasanit”. Nga mitingu ne shkuam në ndeshje të cilën e fitoi Elbasani 2 me 1. Por kur ne bëmë golin i gjithë stadiumi shpërtheu në entuziazëm u ngrit në këmbë me dy gishtat lart, gjë që tregonte se qytetarët vlonjatë e kishin aprovuar themelimin e Partisë Demokratike dhe se ishin me të”. Policia kishte bllokuar rrugët gjoja që të mos kishte ngjarje të pa parashikuara, po në fakt ajo synonte të ndalonte popullin që të merrte pjesë në miting, dhe kështu të ulte autoritetin e Partisë Demokratike në popull. Rrapo Taho ka udhëhequr Lagjen e Re, dhe në krye të demonstruesve ka çarë rrethimin e policisë që të mbeteshin rrugët e lira për të shkuar populli në miting. Po kështu policia refuzoi mbajtjen e mitingut, me pretekstin absurd se gjoja ajo ishte e angazhuar me ndeshjen e futbollit “Flamurtai” -“Elbasani”, dhe se kërkesa për mitingun duhej

firmosur dhe vulosur nga qëndra në Tiranë .

Më 13 mars 1991, u bë Kuvendi i Parë i Partisë Demokratike të Vlorës, ku ndërmjet 20 anëtarëve të Kryesisë së kësaj partie figuronte edhe emri plot dritë i Alfred Ziajit, siç mbeti I tillë gjatë gjithë jetës tij.

Në intervistën e parë, më 23. 6. 1991, që ka dhënë si kryetar i Partisë Demokratikë z. Afrim Jupi ka deklaruar ndërmjet të tjerave: “Detyra ndaj popullit dhe atdheut na futi në këtë udhë…

*    *     *

Vlera e xhestit epokal të 9 burrave që formuan Komisionin Nismëtar për Themelimin e Partisë Demokratike, ose më saktë, Partinë Demokratike qëndron në atë, se ata filluan dhe çelën një

epokë të re për historinë e Vlorës, prandaj vitet kalojnë dhe ata  rrisin përmasat e tyre.

Ishte koha kur kishte mbaruar rezistenca e individit dhe tashmë kushtet kishin thirrur në skenën shoqërore, rezistencën e partive politike. Këta ishin të parët që vranë frikën dhe u rritën në sytë e

vlonjatëve dhe gjithë Shqipërisë. Askujt nuk i shkonte në mëndje se si do të shkonin më tej zhvillimet politike dhe shoqërore, aq më tepër për mungesën e informacionit, prandaj të gjitha ata që, që në ditën e parë që u sanksionua rezistenca meritojnë të vlerësohen dhe të dallohen nga pjesa tjetër e shoqërisë. Ata u bënë aktorët e jetës politike e shoqërore. Ata  burra u ngritën mbi dhunën që brente vëndin.

Vështirë të gjesh njësi matëse për të vlerësuar veprën e këtyre burrave që themeluan Partinë Demokratike dhe të atyre vlonjatëve që, që të nesërmen u bashkuan me Partinë Demokratike dhe nuk u ndanë prej saj edhe në ditët e terrorit komunist të viteve 1997 – 1998, ata bënë epokë.

Një qytet njihet dhe identifikohet prej emrave të mëdhenj që ai nxierr e rrit dhe këta burra që, që nga 6 janari i vitit 1991, ecën pa u ndarë nga Partia Demokratike, janë prej këtyre emrave të

mëdhej të qytetit të tyre. Nderim të veçantë meritojnë një shumicë e qytetarëve vlonjatë, të cilët mbasi mbaruan misionin e tyre historik u kthyen në shtëpitë dhe hallet e tyre, ose vazhdojnë të japin kontribute pa këruar asnjëherë grada dhe ofiqe, këta dhe vëtm këta, këta “njerzit e pa

njohur”, përbëjnë vlerat e vërteta të shoqërisë shqiptare.

Të nënët qytetarët e shquar vlonjat ndërmjet të cilëve edhe emri plot dritë e lavdi i Alfred Ziajit, gdhëndën një datë historike, 29 dhjetor 1990 dhe 6 janar 1991, ndërsa Vlora ende nuk u ka kthyer borxhin këtyre burrave t`i bëjë qytetar nderi të sajë. I kam pyetur edhe për pasurinë, nismëtarët e parë të Partisë Demokratike dhe ata të gjithë më janë përgjigjur me një fjali të

vetme:

– Pasuria jonë janë idetë tona që triumfuan mbi diktaturën.

Ja pra pse duhej përmëndur dhe përse duhej vlerësuar i paharruarai Alfred Ziaji, Vlora duhet të jetë krenare për këta bij të denjë të sajë.

Në vitin 1990, ata qenë të bukur dhe me flokë të zes, sot atyre u janë thinjur flokët por zëmrën e kanë të re, si në vitin e lavdishëm 1990.

 

*   *   *

S h ë n i m:

Për më shumë shih: Enver Memishaj “Lëvizja demokratike në Vlorë 1990 – 1991”, Tiranë 2011

Filed Under: Kronike Tagged With: Alfred Zijaji, Enver Memisha, Lamtumire, Lepenica

Rrugëtimi filozofik i Prof.Dr.Isuf Luzaj, “Mjeshtër i Madh”

February 9, 2013 by dgreca

Studim/ Dy fjalë përkujtimore në 100 vjetorin e lindjes së Prof.Dr. Isuf Luzaj-21 shkurt 1913- 2 dhjetor 2000/   

Nga Vilhelme Vranari Haxhiraj/

Ishin vitet e para pas rënies së diktaturës komuniste. Ende nuk kisha nisur të vija në jetë ëndrrën time, ato pak prirje të spikatura dikur nga mësuesët e mi dhe më pas nga ish nxënësit e mij. Ishte koha e një presioni psikologjik që më bëhej prej bashkëshortit tim Fitim Haxhiraj, i cili ngulte këmbë që idetë e mija t’i hidhja në letër. Qysh nga viti 1991 nisa të merresha me publicistikë, lëvrimi i së cilës ringjalli besimin e humbur, shpresat e vrara dhe ëndrrat e shuara qysh herët tek unë. Gjithsesi më dukej se isha shumë vonë për të dhënë vlera. Gruas së viteve të shkuara, në moshën 50 vjeçare, i dukej vetja plakë. Ndaj nuk ma merrte mendja që të shpalosja dhuntitë e mija aq vonë dhe që mund të realizoja diçka me vlerë për vete dhe të tjerët. Teksa punoja për hedhjen e themeleve të demokracisë si dhe me problemet e gruas: të drejtat dhe liritë e saj, me barazinë gjinore, që gjithmonë kanë qenë e janë edhe sot prezente dhe tejet shqetësuese, më dukej sikur gjeja veten duke u marrë si shumica e shqiptarëve, me demoktacinë tonë të brishtë dhe emancipimin e gruas, e këtij segmenti të rëndësishëm. Sesionet shkencore organizuar me gratë, sidomos me nënat dhe vajzat e reja për problemet sociale, referuar nga intelektuale të fushave përkatëse, kundër dukurive negative si: krimi, droga, abortet e adoleshenteve, alkoolizmi, trafiku i qenieve njerëzore, korrupsionin dhe pasojat negative të tyre, edhe pse kishin vlerën e tyre zbutëse të këtyre fenomeneve, se me kohë nuk ishin më dukuri por u shndërruan në probleme të rënda, madje të organizuara. Këto më dukeshin një vlerë e mjaftueshme krahasuar me “Asgjënë” që më kishin shndërruar deri në vitin 1990. Pas zhvillimit të një sesioni shkencor të LDG zhvilluar në Himarë, nën drejtimin tim, ku u përfshinë gra Demokrate të Vlorës dhe Himarës dhe u referuan temat:”Himara autoktone shqiptare” dhe “Shkolla e parë shqipe në Himarë“, ndodhesha në Tiranë pasi kisha takim me Ambasadorin italian T. Kardili, në lidhje me kërkesën time për legalizimin e emigrantëve shqiptarë dhe bashkimin me familjet, pasi Vlora mbante vendin e parë në këtë arratisje masive. Të gjitha këto përpjekje, si dhe përballja me problematikën sociale shqetësuese të tranzicionit, e cila kishte pritur vetëm kohën e duhur që të bëhej faktor shqetësues për familjen dhe shoqërinë shqiptare, më bënë të vrasë frikën.

Kishte pak kohë që poeti brilant, Akademiku Xhevahir Spahiu ishte kthyer nga ShBA-të i ftuar nga Prof.Dr.Isuf Luzaj. Ndërsa dola nga Ambasada italiane u përballa me shokun e shkollës Pedagogjikes, poetin Xh. Spahiu. Një takim i tillë pas shumë vitesh mes shokësh ka shumë për të thënë. Kurse ne vetëm sa mësuam diçka për njëri-tjetrin dhe familjet tona, ai e kalonte bisedën në ShBA, mbi përshtypjet, ndryshimet mes vendit të demokracisë dhe vendeve socialiste, sidomos vendit tonë. Por ajo që i kishte lënë mbresë dhe i ishte ngulitur në ndërgjegje ishte personaliteti i të zotit të shtëpisë, një njeri i mençur, erudit me shumë kulturë dhe jashtëzakonisht i thjesht, Prof.Dr. Isuf Luzaj. “Çdo fjalë, çdo shprehje e tij ishte një filozofi më vete…Ishte kënaqësi të bisedoje me të! Kam ngelur i mrekulluar dhe tejet i kënaqur që m’u dha mundësia ta njohë atë personalitet botëror, gjë që po më jep kënaqësinë që të kujdesem për të realizuar botimin e një vepre filozofike të tij,me titull “Ekzistenca dhe Boshësia”– shprehu admirimin Xhevahiri për të.

Që Isuf Luzaj ishte njeri i madh, një personalitet, e kisha mësuar qysh në fëmijëri nga im Atë, por për fat të keq nuk kisha asnjë vepër të tij.

Vetëm më 1 nëntor të vitit 2000, rastësisht mes librave që shiten në rrugë, në Sheshin e Flamurit gjeta “Gloria e Çmendjes”, ku në faqen e parë të tij vendosa mbishkrimin: “Më fal Profesor, më fal! Më vjen shumë keq që s’të njoha dot më parë!” Ishte si një ndjesë kohore, e vonuar dhe jo për faj të tij dhe as timin. Ishte fatkeqësi që koha e egër ua mohoi këtë të drejtë legjitime shqiptarëve, njohjen e njërit prej 7 filozofëve më të mëdhenj të botës në shek e XX. I vlerësuar me sa e sa çmime ndërkombëtare, ky shef Katedre që për 35 vite ka dhënë dilploma sa e sa studentëve që kanë drejtuar apo drejtojnë politikën botërore, zhvillimin e demokracive perëndimore, i nderuar me titullin “Profesor i Amerikës”me Medalje Ari, dhënë me dorë nga Presidenti i Sh.B.A-ve, antikomunisti Ronald Regan, kurse ne si bashkëkombas nuk e njihnim.

Ndërsa bota i korrte vlerat, ndërseavendi i tij nuk dinte se ekzistonte një personalitet i tillë deri më 1995, kur doli nga botimi “Gloria e Çmendjes” dhe më 1996 u botua “Ekzistenca dhe Boshësia”. Atëherë u shkrua për të. Fare pak i njohur, ose aspak për shumicën e shqiptarëve, Prof.Dr. Isuf Luzaj ky kolos i mendimit intelektual botëror, ky ambasador shqiptar pjesë e kulturës botrore, meriton të studiohet në katedrat e filozofisë, sociologjisë dhe drejtësisë. Jam e lumtur, natyrisht jo vetëm, por me përkrahjen e dhjetëra e qindra vlonjatëve, me mbështetjen e intelektualëve shqiptarë në atdhe dhe në Botë, u arrit që ai të marrë titullin “Nder i Klubit ‘Petro Marko“ dhe Urdhrin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës, Prof.Dr.Bamir Topi.

I përjetshëm qoftë emri dhe vepra e tij! Uroj që të kujtohet me nderim në shekuj nga brezat që do të vijnë, jeta dhe vepra e Prof.Dr. Isuf Luzit, pasi emri i tij nderon Kombin!

I mbijetuari Prof. Dr. Isuf Luzaj i dënuari nga Mbreti Zog, Fashizmi, Stalini, dhe Enveri, ky filozof me përmasa botërore, vlerësuar e respektuar nga bota, e meriton pa hezitim të vlerësohet nga vendi i tij me Urdhrin “Nder i Kombit”

 

Rruga e filozofisë Luziane (I. Luzit) në “Ekzistenca dhe Boshësia”

Analizë e veprës(studim)

 

“Prof.D.Luzaj me përmasat që mori si filozof,

            u vetënxorr nga harrimi dhe u vetëshndërrua në kujtesë,

            e cila pasuron kulturën dhe ripërtërin historinë e vërtetë.”         

 

 

  Të analizosh një nga veprat e Prof.Dr. Isuf Luzit, si “Ekzistenca dhe Boshësia” duhet jo vetëm të kesh lexuar, por studiuar së paku disa libra, si: “Filozofia e Bukurisë”, “Rindërtim i Fuqive Shpirtërore”, “Përtej së Mirës dhe së Ligës“, si dhe “Gloria e Çmendjes“, ku përmes dhjetëra sinonimeve ai spjegon dhe ta ngulit mirë në memorie një koncept në lidhje me ekzistencën dhe inekzistencën e njeriut, të Zotit, dogmave fetare, euforisë komuniste apo ideve sociologjike dhe filozofike të kohërave. Kurse ky libër” Ekzistenca dhe Boshësia” të tregon më së miri zhvillimin e mendimit filozofik në shekuj, ku përmes një qëndrimi analitik nga ana e tij, Prof Luzi, një intelektual i formuar, e quan veten të paditur në fillimet e punës pas laurimit në Sorbonë. Edhe pse me tituj shkencor, rrugën e zhvillimit, horizontin drejt dijes Dr.Luzit ia hapi studimi i sociologjisë dhe filozofisë botërore, veçanërisht i filozofisë e Evropës Perëndimore, ku përballë njëra -tjetrës vuri idetë dhe teoritë e secilit dijetar. Pa nënvleftësuar asnjerin, por me një qëndrim kritik, ai jo vetëm evoloi, por u formua si personalitet filozofik, duke e rrjeshtuar veten me më të mëdhenjtë filozof të shekullit. Me përmasat që ai mori, u vetënxorr nga harrimi dhe u vetëshndërrua në kujtesë, që pasuron kulturën dhe ripërtërin historinë e vërtetë. Për këtë personalitet poliedrik, njohës i mëse tetë gjuhëve, flet jeta e tij, ku përmes një rrëfimi të thjesht dhe bindës, ai tregon se në moshën 3-4 vjeç i ati i mësoi abetaren arabe. Në moshën 6-7 vjeç lexonte kuranin arabisht(fq.9).Përmes gojës së Afëz Ali Korçës (nxënës i të atit në Medresenë e Stambollit) dëgjoi për herë të parë citime nga libri “Gjylistani e Bostani“(Kopshti i trëndafilave oseTrëndafilishtja e Saadiut), vargje që e magjepsën fëmijën 7 vjeçar. Veç babait në formimin e tij, ndikuan miqtë e të atit, Sali Myfti Shkodra, i cili më1965 e priti në shtëpinë e vetë në NewYork. Kurse mësimi i persishtes është meritë e Shuaip efendi Borshit, mësime që i vazhdoi me Sulo Çerçiz Velaj nga Kanina (fq.10). Si rezultat i studimit të avancuar, në moshën 8 vjeç ai zotëronte dy gjuhë arabe dhe perse, që i mundësuan njohjen e letërsisë së këtyre vendeve. Prej tyre pati disa pasoja: 1-Besimi te Zoti si krijues i gjithësisë sipas fesë islame e çoi në fanatizëm absolut; 2- Njohja e letërsisë arabe-perse, e bindi të studionte letërsi; 3- deri më 1927, kur shkoi në Gjimnazin e Shkodrës, gjuhët arabe dhe perse i kishin mbyllur horizontin për gjuhët dhe letërsinë evropiane. 4-Ishin këto gjuhë që i mundësuan punësimin në Universitetet amerikane, ku janë të rrallë njohësit e këtyre gjuhëve. Në Amerikë sot studiohet filozofia arabe, persiane dhe indu. Atëherë me këto gjuhë të përfeksionuara, në 51 vjeç, ishte i privilegjuari Kandidat Titullar Filozofie në Amerikë. Zhvillimin e ndërgjegjes së tij që niste nga fanatizmi islam në ekstazat kristiane, e arriti pasi studioi teologji në Vatikan 1945-47 dhe më pas, gjë që e rrëfen në 7 vëllime tek “Ditari i Mësonjësit”(f.11)

I rritur me edukim islam përmes të të Atit, që i thosh: “Fakti që Zoti të jep atë që kërkon, provon dialogimin me një qenie të mbinatyrshme, fuqiplote, menduese dhe krijuese e Universit“, u kthye në shqetësim shpirtëror për të . Besimi i tij në Zot bëri që gjatë internimit në Ventotene(1940-42) përktheu nga frëngjisht në shqip Kuranin.

Qëndrimi në Vatikan (1945-48) ku katalogoi Bibliotekën madhështore, i dha mundësi të studionte ankthin e tij nga Shën Thomai i Acquinasit e deri në shek. XX, ku deri diku njohu një kulturë fetare spekulative. Veçse i turpëruar ai pohon se nuk arriti 100% besimin te ekzistenca e Zotit (krijues,mendonjës e mbrojtës i njerëzimit). Kjo për një arsye madhore:”Nuk pajtohesha me ndërgjegjen dhe të pranoja një Zot, atë të njerëzimit, kaq cinik, mizor dhe të pakujdesshëm ndaj barbarisë së furrave krematore hitleriane dhe të 219 kampeve të Stalinit ku nga (1922-1965) vdiqën në moshë (40-55 vjeç) 50 milion rusë të pafajshëm. Pse Zoti, krijues e drejtues i njerëzimit i lejoi këto? Këto zhvillime analizuar te “Ditari i Mësonjsit” kanë qenë feja dhe besa ime”– thotë autori në librin “Ekzistenca dhe Boshësia, f.13)

Prej (1965-90) Isuf Luzaj ka qenë Titullar i Katederës së Filozifisë në Universitetin e Indianës. Ka dhënë leksione metafizike me tendencë katolike në Universitetin “Saint Joseph”.

Feja dhe Ateizmi sipas idevee filozofike të Prof.Dr.Luzaj

                         “Qielli qe krijuar për përdorimin prej njeriut,                                                                                                                                                                                                                        për të cilin toka nuk premton asgjë!”

Hajnrih Hajne

Qysh fëmijë Isuf Luzaj u njoh edhe përqafoi besimi fetar islam dhe në gjithë rrugën e vështirë gjatë 83 viteve dije pa ndalesë, ai kërkoi të njohë dhe zbërthejë mendimin e Besës, apo të Besës pa mendim. Së fundmi i formuar ndërgjegjësisht, në këtë libër ai ka sqaruar Ekzistencën dhe Mosekzistencën e Zotit, që e ka quajtur “Ekzistenca dhe Boshësia”. Ai e nis studimin nga shek XX dhe shkon pas në kohë te Buda, Konfuci, Mosiu, Sokrati, Krishti, Muhameti, ku vë përballë teistët me ateistët në mënyrë analitike. Idetë e tij Luzi i mbështet në Ekzistencializmin,filozofi që lindi e ndikuar nga kriza apo paaftësia e Kristianizmit, i cili braktisi Metafizikën kristiane(njohjen e botës ose Zotin, jashtë përvojës jetike, por që nga ana tjetër ky besim mbajti Metapsikologjinë Kristiane(që mbikqyr ,analizon dhe drejton ndërgjegjen humane). Me këtë Prof.Luzi tregon se kristianizmi shekullor ka si bazë Subjektivitetin. Sipas tij ideologët e kristianizmit pranojnë zhvillimet e botës sipas vullnetit të Zotit e jo sipas ligjeve objektive që sjellin zhvillim. Ata dorëzohen para humbjes përfundimtare tëBoshësisë, e cila shërben si emblemë, a stemë e përcaktimit të vlerës së Ekzistencializmit. Tmerri si pasojë e frikës së kristianizmit, evidenton mundësinë e përzgjedhjes mes mohimit që autori e quan“Nihilizëm Heroik” dhe pozitivizmit, ku njohja njerëzore, shkencat si tërësi ndijimesh, përfytyrimesh të fituara përmes vlerave konkrete, bazuar në faktet reale.

Nga kjo del :Jo gjithmonë Subjektivizmi është ateist.Pionierët e kësaj rryme filozofike, qenë kristianë mistikë si: Agostini, Bonaventura, Kierkegardi.Pas Hajdeggerit, mjaft mendimtarë ateistë pranuan Ekzistencialzmin. Duke parë se shumë besimtarë katolikë, ortodoks, hebrejë, protestan, e mbështetën Ekzistencializmin po aq sa dhe ateistët, Luzaj thotë se nuk ka vetëm një filozofi ekzistencialiste, por edhe një teologji ekzistencialiste (e përqfuar nga të dy doktrinat).

Përfaqësuesi ateist autentik i ekzistencializmit është Zhan Pol Sartri. Nëse Hajdeggeri është absrakt dhe transformues i ekzistencializmit, Sartri ateist ka ndikim më të madh te rinia studentore, madje veprat e tij janë më të lexuarat nga veprat e gjithë ideatorëve të shek XX. Vrojtuar nga Prof.Luzi gjatë 45 viteve akademike, ai thotë se Sartri, është bindës dhe i vendosur si ateist, aq sa nuk pranoi dekorimin nga Bashkimi Sovjetik. Kjo i rriti personalitetin si filozof dhe e tregoi si një intelektual të moralshëm. Sartri mbron me forcë tezën e mosekzistencës së Zotit. Gjatë vizitave të Sartrit në ShBA, Luzaj e quan fat njohjen dhe letërkëmbimin me të, pasi ishte përkthyes në 18 konferenca e tij në Universitetet e Indianës, Kolumbias dhe Harvardit,gjë që i dha fuqi të punonte (f.15).Për përsosjen e punës së tij në katedër, i duhej njohja e Laibnic, Niçe, Spinoza, Hajdegger, Sartri, Kroçe…studimi i të cilëve i solli një krizë në kriteret e mendimit. Kurse goditjen e fundit të besimit të tij islam, ia dha Frojdi, i cili bëri që I.Luzi t’i spostojë idetë metafizike 180 gradë. Në kërkim të zgjidhjes së idesë së Froidit se:“Besimi është iluzion”kërkoi në idetë e Teologjisë së Thoma Akuinit, por abstrakcioni i saj e zhyti më në errësirë. Ai nuk e gjeti dot përgjigjen e tezës së Froidit, i cili besimin te Zoti e quan iluzion foshnjarak.Duke parë bindjen te roli i Zotit mbi njerëzimin, i ngritur aq lart sa ai vendos edhe të ardhmen e botës, edhe Luzaj ,si mendimtari katolik Zhak Mariten,pranon se moraliteti i lumturisë kristiane merr karakteristikat e Iluzionit Frojdist(f.16) dhe sqaron:

A-Doktrina e Thomait, e ndërtuar mbi parimet helenike të Besës, thotë: “lumturia si përsosje e njeriut, s’ është gjë tjetër veç arritja e qëllimit.”

B-Neotomistët thonë:”Morali është shkenca që e udhëheq njeriun drejt lumturisë” . c)Filozofia katolike :”Lumturia është Besa që vjen prej Besës”.

d) I.Luzaj:“Logjika sqaron se besimi apo mosbesimi dhe arritja e lumturisë, nuk spjegohen përmes besës”. Autori ka të drejtë, pasi vetëm besimtari sqaron sipas përvojës fetare. Po kështu bënë edhe ateisti që di pse ateizmi është kundërshtar i besimit. Për ide të të tilla u dënuan me vdekje gjenitë e mendimit botëror:Faraoni Akhenaten, Sokrati, Krishti, Muhameti, Gandi…Sot bota ka evoluar dhe quhet Ateizëm Qmodern, që ka përfshirë popuj, filozofë dhe ka shkuar deri te fshatari analfabet, i cili nuk beson te ekzistenca e Zotit. Luzaj thotë:“Besimi është armik i natyrës që shihet preket, zhvillohet dhe ndryshon. Ndaj për ateizmin modern është e huaj çdo filozofi fetare. I arsyeshmi pranon se Ateizmi është antikristian, pasi besimi kristian pengon arritjen e lumturisë“. E më tej Luzi vazhdon: “Frojdi dhe Marksi, të dy hebre, luftonin më shumë krishtërimin se sa Judaizmin, për t’i zgjuar popujt drejt një Mosbesimi fetar. Shumë filozofë si Zvingli, Kalvini e Luteri,të zhgënjyer nga kisha, u munduan të koregjojnë ateistët modern, por arritën të humbasin Besën, saqë pasardhësit e tyre  përqafuan Ateizmin. As Ateizmi nuk e çoi njerëzimin drejt gjetjes së lumturisë.” Ndaj duhet të sundojë ateizmi filozofik i bazuar në arsye si Marksizmi, Racionalizmi përballë Ekzistencializmit,me idetë e Niçes, Malro dhe Kamys.Të dy grupet, edhe pse nuk e besojnë Zotin, secili ka idetë e veta, që Prof. Luzi i ballafaqon me idetë e Sartrit, Hajdeggerit. Luzaj pohon se Ateizmi është sëmundje nervore, të cilin e quan Ateizëm Neurotik.     

Pas krimeve të Hitlerit e Stalinit, çmendjes së popujve nga ideologjia utopike komuniste, indiferencës së klerit mysliman e krishter dhe qëndrimit asnjanës të intelektualëve shqiptarë që prisnin se nga do të frynte era, pa kuptuar se po e humbisnin kauzën e lirisë për të cilën luftuan, bënë që Luzaj kaloi një krizë shpirtërore. Isufi luftëtar i lirisë kundër okupatorit nazi/fashist, që luftoi dhe komunistët, thotë se nuk ishin të huaj por vegla të Moskës e Beogradit, I lëkundur nga thënia e Engels -Lenin:”Besa dhe feja janë opium për popullin”, u luhat që nuk luftoi përkrahë komunistëve,pasi prej viteve 1925-55 u duk sikur Komunizmi ishte një e ardhme e ndritur, besa e të cilit ishte ateizmi.

Pas largimit nga atdheu më 1945, frekuentoi kongreset e partive komuniste italiane e franceze, që për të përligjur ateizmin referonin edhe idetë e Niçes, Fojerbahut, B.Kroçes. Duke qenë në listën e 10 shqiptarëve të kërkuar nga Stalini, dhe pse s’kishte marrë pjesë në luftën vëllavrasëse, Isufi hyri në Vatikan. Atë kohë dha filozofi frënge të shek 16-17 në Universitetin Gregorian -Romë.Studimi i “Kritika e Arsyes” e Kantit dhe “Monadat” e Lajbnicit, e nxorën nga kriza shpirtërore e mendore që e mundonte. Këto i mundësuan përvetësimin e Filozofisë me baza shkencore dhe arriti t’i futet me zell kritikës subjektive dhe objektive. Mesjeta e errët e kristianizmit që përfundoi me revolucionin frëng 1789, e çoi njerëzimin në krizë mendimi, siç ishte dhe I. Luzi, herë majtas e herë djathtas. Në bisedat me profesorë të Universitetit Gregorian, më të hapur e më liberal në idetë Ateiste, ai tregon paaftësinë e ndërgjegjes së tij fetare, që përmes pyetjesh metafizike, nuk e sqaron dot Ateizmin. Kjo bëri që Luzaj të ndajë idenë e mendjes nga ajo e shpirtit. Luzaj pyet:* “Amund të shihet shpirti si substancë dhe ku? Këtë e gjen në mekanizmat e trurit.” Pasi studioi natyralistët dhe filozofinë e historisë së njerëzimit, Shpirt  ai quajti cilësitë shpirtërore (psikike) që s’ ndryshojnë nga efektet bio- fizike, por janë një shkallë më e lartë se evolucioni i materies. Më pas idenë se Zoti i fal pavdeksinë njeriut, e zëvendësoi me Panteizmin natyralist,(teori e Hajdeggerit që njeh ekzistencën e një Zoti jashtë natyrës, por në brendësi të botës natyrore. Vënia në të njëjtin rrafsh të natyrës dhe shpirtit hyjnor, u quajti Panteizëm . shën.Vivra)Kurse Isufi e quan Pancozmism (pasi idenë e Hajdeggerit e shtrinë në plan më të gjerë, në Kozmos). Niçe e të tjerë filozofë ishin kundër përjetësisë, pra jetës Eterne. Luzaj thotë: “Nuk di si do të kish reaguar ndërgjegja ime, po të kisha njohur që në të ri intelektualët kristianë si:Movnier, Mariten, Zhilson, Guardin, që i njoha vonë në karrierën time akademike.(f.20)” Synimi i Profesorit me këtë libër është të sqarojë funksionin psikologjik Kristian, Mysliman të Besimit dhe Mosbesimit,çfarë e dallon njeriun thellësisht fetar(besimtar) nga njeriu ateist. Duke u takuar me njerëz të besimit dhe Hindu; ndërsa viziton qytete të Hindisë, Delhi, Agra, Bombay, Suraganapur, i vetëm, ose me Nënën Tereza, apo me Kuelarin(funksionar i Uniçefit,Uneskos), duke biseduar me profesorë Universiteti, gjeti fanatizmin e errët të mesjetës së kristianëve evropianë, madje jo vetëm ndër Teologët e Budës, por edhe në Artet, Shkencat Ekzakte, ku gjeti Besën-Buda dhe Zotin. Luzaj mbajti kumtesë;tezën e Darvinit mbi evolucionin e njeriut, ndërsa Shefi i katedrës së Teologjisë tha: “Meqë ju jeni krenar për origjinën e njeriut nga majmuni, atëherë raca juaj mund të ket ardhur nga majmuni, jo raca ime –f.22“. Ndërsa ai, pa fyer asnjë fe dhe besim nëpër katedra të ndryshme, u është përgjigjur shkencërisht studentëve për origjinën e njeriut, edhe për Mrekullitë e Lourdes (Francë f.23), rreth rikthimit në jetë nga gjumi letargjik, koma apo sëmundje të rënda. Gjithashtu sqaron se socializmi utopik i Furie, Sen Simon deri te Prudoni ose Shtirneri, quhet mistik, por s’mund t’i aplikohet socializmit shkencor të Marksit. Pas vëzhgimesh e studimesh ai nxori se komunizmi trashendent*1 (ndoqi rrugën e të qenit ideologji superiore hyjnore, që është tej përvojës dhe përceptimit të njeriut, si në besën e Zotit për teistët).

1*Transcendentalizëm quhet: Besimi në një nivel më të lartë të realitetit se ajo ekzistues dhe të kuptuarit e një lloj diturie më të lartë se ajo e arritur nga arsyeja njerëzore. Filozofia Transhendente origjinën e ka te Metafizika e Platonit, që pranon ekzistencën e intuitës absolute me anë të njohjes së thellë. Filozofë dhe teologë të antikitetit të vonë, ndikuar nga doktrinat e Platonit, dhanë konceptin e transcendencës, se Zoti është transcendent, me kuptim” jashtë ekzistencës së natyrës”.Në Mesjetën e vonët termat transhendente dhe i jashtëzakonshëm janë përdorur në një kuptim të ngushtë nga shkolla për të treguar specifikat e realitetit që përfaqësojnë universalitetin për çdo lloj të qeni., që janë gjashtë nocione të Jashtëzakonshmes: ENS (esenca) unum (njësi), Bonum (mirësi), verum (E vërteta), res (sinonim i Zotit) dhe aliquid (lidhja me të tjerët).Filozofi gjerman Imanuel Kant ishte i pari që bëri dallimin mes të termave teknike “transcendent” dhe “i jashtëzakonshëm”. Kanti e përdor termin “transcendent” në lidhje me subjektet (Zot dhe shpirt) që konsiderohen se ekzistojnë përtej kufijve të përvojës njerëzore, pra, si “gjëra më vete”. Kurse termi “I Panjohshëm”, përdoret “i jashtëzakonshëm” që tregon format prioriteteve të masës së intelektit, mes të cilit kuptohet përvoja. Kanti e quajti atë “Filozofia transcendentale” studimin e burimeve dhe kufijtë e njohurive të përfituara nëpërmjet veprimtarisë së kuptimit të pastër dhe format e saj si një prioritet.Më vonë, e përqafuan filozofët gjermanë idealistë të ndikuar nga Kanti.

……………….

Ideologjia komuniste beson se jeta nuk ka tjetër veç vetes, pra jetën materiale. Pas spastrimeve të Stalinit, paktit sovjeto – gjerman-1939, revoluc ionit hungarez- 1956, mendimtarë ateistë u ndanë nga kjo ideologji false, kurse Luzaj vazhdoi teorinë e Paskalit por pa rezultat. Duke parë botën që ziente në favor të marksizmit, në konflikt me ndërgjegjen e tij që nuk gjente dot spjegimin e Besës, apo pse humbi filozofia dhe Kauza e tij, tok me zhgënjimin e popullit të tij, mendoi t’i jepte fund jetës. Ishte jashtë logjikës që një njeri i shkencës dhe dijes, që e donte zhvillimin e jetës,të arrinte të bëhej prh e një universi absurd, ku mbretëronte asgjëja, në të cilin s’kish gjë për të menduar, për të dashuruar dhe shpresuar. Ky arsyetim psikologjik i ndriçoi arsyen, për të parë mesazhin kristian dhe të feve të tjera si shpresë për të sqaruar Misterin. Logjika e çoi Luzin në zbërthimin e ekuacionit: Ateizmi, sëmuendje neurotike e individit, që i tmerruar nga padrejtësitë, ngrihet kundër Zotit. Sjelljet neurotike janë pasojë e ligjeve që zbatojnë qeveritë, si dhe nga prapambetja foshnjore e besimtarëve apo ateistëve. Racionalistët si mendimtarë të lirë, e trajtojnë besimin si çështje private dhe janë kundër ndikimit shoqëror të tij. Kurse komunizmi kërkon të ndryshojë edhe njeriun , të cilën e kemi vënë re në ndikimin që pati në vendin tonë, duke na dhuruar një mendje shterp të indib vidit dhe shoqrisë. Marksi kritikoi Gasendin që donte të ripajtonte ateizmin e Epikurit me Kristianizmin, duke thënë se i vetmi hyjnor(Divinitet) që duhej sakrifikuar, ishte mendja njerëzore. Dalja e filozofisë së Hegelit (Ati i Dialektikës moderne), provon se dogmat e besimit janë koncepte racionale dhe jo fakte objektive. Sa për Hegelin, të tjerë filozofë dhe Luzaj, dyshojnë nëse ky ishte teist apo ateist, edhe pse filozofia e tij qe e pasur në analiza bindëse ateiste. Hegeliani Shtraus e quan Kristianizmin një Mit, ku imagjinata e besimtarëve sajoi Njeriun Zot, si simbol humanizmi dhe të kënaq nevojën e një Zoti të Mishëruar. Kurse Baueri tjetër hegelian mendon se njeriu duhet të jetë tolerant ndaj kristianizmit si Mit. Me qëndrimin e tij radikal mes njeriut dhe fesë, kristianizmin e quan Inhumanitet(antinjerëzor) apo fatkeqësi të njerëzimit. Ai që mundi të ndërtojë një filozofi njerëzore ishte përsëri hegelian, Fojerbahu, i cili tha: “Njeriu është i vetmi objekt që meriton filozofinë. S’ka asgjë tjetër me më rëndësi që të studiohet jashtë njeriut.-f.27” ,i cili studioi njeriun si qenie individuale dhe vazhdues i jetës. Luzi sqaron:Nëse Fojerbahu do rrëzonte Zotin Kristian, krijuar nga njerëz të sëmurë, do të rrëzonte të tëra Perënditë. Si pasojë e qytetërimeve mesjetare njeriu krijoi disa Zota (këta sipas Tribuve). Zoti si pika më e lartë e sëmundjes mendore të njeriut, i cili e vetkrijoi me fantazinë e tij të sëmurë, kurse njeriu është hyjnia e njëri-tjetrit (unë dhe ti), që Luzaj e quan “Njeri i njeriut Zot” -(Homo Homini Deus). Më tej, thekson se Ateizmi i Marksit, që e heq veten njeri shkence, nuk është shkencor, sepse ateizmi duhet spjeguar jo nga ekonomia politike e tij false, por përmes psikologjisë shkencore. E më tej konkludon… Intelektualët marksist, ndryshe nga proletariati,edhe pse ateistë, kanë një lloj bese që është përzierje e sociologjisë së Durkhaim me pozitivizmin e Ogyst Kontit dhe materializmin marksist me evangjelizmin romantik të Renanit, sipas tyre jeta sociale është e pavarur nga liria shpirtërore e individit. Marksitstët me Ekzistencialistët si Niçe thonë se ateizmi i tyre bazuar në arsye, por i mohuar nga Feja, po që nuk kanë po ato vlera sa racionalistët, që me një psikologji intelektuale tregojnë falsitetin e kristianizmit dhe besimeve të tjera. Luzaj thotë: “Kozmologjia, Metafizika dhe Teologjia janë tri shkallët e dijes njerëzore. f.28″ Sipas tij Revolucioni social ka pas më pak ndikim se Fizika e Aristotelit dhehistorio-grafija e Mesjetës, që solli luftën mes Kristianizmit dhe shkencës. Teologët e rinj u ndanë nga racinalizmi fetar, pas zbulimit të teorisë së energjisë atomike të Ainshtajnit (Enstejn)dhe Opeenhejmerit. Si përfaqësuesin  e Ateizmit Racionalist, Luzaj zgjodhi Doktrinën e biologut Zhan Rostand me librin”Çfarë besoj unë”, i cili më mirë se Alen shfaq mosbesim te Zoti. Rostand s’e bazon Ateizmin në logjikë, as në Agnostikë,si ideologji të pamjaftueshme për sqarim. Në kurset e Metafizikës Luzaj sqaron: “Rostand ndërgjegjen e lidh materialisht me strukturën fizike, ndaj nuk arrin të shohë se çdo gjë mbi një personalitet shpirtëror mund të mbijetojë pas zhdukjes fizike. Arsye kjo se besimet janë false dhe se agnostiku racionalist nuk ka evidenca shkencore. Ideologjia Egocentrike me atë Antropomorfike të ateistëve modern, që e mbajnë njeriun të burgosur në besim dhe pikërisht ata, nëse e shkëpusim kristianizmin nga këto teori, asnjë njeri nuk do të ngelet në besën Kristiane” Agnosticizmi shkencor mohon qenien e një Zoti personal  të jetës, si dhe mohon çdo Panteist (panteizmi është doktrinë, sipas së cilës Zoti është krijuesi i parë i botës, por që pranon se ajo më pas zhvillohet sipas ligjeve të natyrës”. Luzaj kritikon mendimtarët kristianë që nga antikiteti e deri në kohët moderne që janë më pak dualist nga Rostandi, si filozofi katolik Moris Blondel, jezuiti Teilhard de Sharden, që mendojnë se ndërgjegja shoqërore jeton në të gjitha manifestimet.

Edhe pse sot qytetërimi orientohet nga arsyeja, asnjë shkencëtar katolik nuk e ka humbur besimin nga teoritë transformuese të shkencës. Dhe racionalistët ateistë, më shumë udhëhiqen nga emocionet se sa nga arsyeja. Besa fetare kundërshton dritën e arsyes së njeriut, pasi dimë se edhe arsyeja nuk është drita absolute e zgjidhjes së këtij problemi të ndërlikuar. Ndaj emocionet e drejtojnë njeriun dhe arsyen e tij drejt Agnosticizmit .f30 (teori sipërfaqësore ku njohja e botës bëhet pa hyrë në brendësi të sendeve, pa kërkuar shkakun e ndryshimeve”, gjë që Luzaj e kundërshton.

……..

 2* “I pari që shpiku termin agnosticizëm f.30 ka qenë britaniku Thomas Henry Huxley më1869, që vjen nga greqishtja e lashtë( kurrë nuk mund të ketë njohuri të mjaftueshme.) Në kuptimin e ngushtë është abstenimi në çështjen e hyjnores.
Agnostiku i antikitetit thotë se ai nuk e di përgjigjen, me pretendimin se njohja e realitetit të plotë është çështje e brendshme e njeriut. Për të dalluar jo-besimtarët në çdo fe, duhet përfshirë dhe ateizmi agnostik. Dallimi është se, ndërsa agnostiku thjesht deklaron pamundësinë për të ditur të vërtetën rreth ekzistencës së Zotit apo forcave të tjera të mbinatyrshme, ateisti nuk beson në ekzistencën e çfarëdo perëndie ose ndonjë lloj tjetër njësie ekonomike ose një forcë më të lartë. Pozita e “agnosticistit” vjen nga Protagoras dhe skepticizëm, që

 thonë se njohja vjen përmes një gjykimi më radikal, duke pasur parasysh se të gjitha njohuritë njerëzore gjithmonë janë të dyshimta dhe të papërsosura.
Agnosticizmin e spjegon Immanuel Kanti, te dialektika e jashtëzakonshme “Kritika e Arsyes së Pastër,arsye që pretendon për të folur e pakushtëzuar, që bie në kundërshtim veç për të provuar ekzistencën e saj si dhe për ta mohuar atë.
(Enciklopedia )

……..

Duhet të kemi parasysh sa thamë më sipër, se si shkak i ankthit dhe frikës së Kristianizmit dhe ishin ideologët teist që ideuan Ekzistencializmin, që pas Hajdeggerit, ateistët e kishin si autoritetin më të lartë të mosbesimit fetar. Më pas Sartri, që në qendër të teorisë së tij kishte Mohimin e Zotit ,f31, ishte në konflikt si me kristianët dhe me marksistët. Në librin e tij” Qenia dhe Asgjësia“, ai thotë:”universi është krijuar prej vetes së tij dhe është i përjetshëm, pa kuptim e as justifikim. Qenia në vetvete nuk është krijuar nga Zoti. “E duke folur me gjuhën e mistikëve thotë se “njeriu nuk është asgjë“, është i pari filozof që asgjësoi njeriun. Sipas Sartrit, Luzaj thotë se Filozofia duhet të sqarojë që Zoti është projeksion i psikikës njerëzore (teori e Sartrit huajtur nga Fojerbahu). Kjo e bënë besimin te ai të panevojshëm për të aprovuar ekzistencën njerëzore si individ apo si kolektiv. Ndaj njeriu duhet të heq dorë nga Zoti në emër të lirisë,veçse ai s’do të ishte i lirë nëse ekzistonte një urdhër absolut dhe universal i vlerave. Po të ekzistonte “Ne Vetja”,thekson Luzi, s’do të kishim probleme, as pyetje se e dinim se cilët ishim. Por duke mos ditur, përse dhe kur hyri njeriu në botën e errët të Ne Vetes, Sartri quan realitet njerëzor “Për Veten” që do të thotë liri absolute, e kundërta e Ne Vetes. Meqënë se Ne Vetja është Qenie, realiteti njerëzor është Non-Ekzistencë (Jo Qenie), të cilën po ta quajmë Asgjësi, atëherë dhe realiteti njerëzor është asgjësi. Me thënien se njeriu është i lirë, por asnjë liri nuk është fitore dhe as dhuratë e Zotit, atëherë Luzaj tregon se liria është robëria e njeriut, ndaj ndërgjegja e tij është e palumtur. Njeriu për arsye të asgjësisë dhe Fakticitetit, një ditë do të zhduket pa gjurmë. Ekzistencializmi nuk premton lumturi as në këtë botë dhe as në botën tjetër. Njeriu e ka të qartë fundin e tij, që gjendet te çdo njëri, është në marrëdhënie me të për të qenë Ne Vete, e cila është e ngurtë dhe e përjetshme dhe ka një emër Asgjësi ose Boshësi. Nuk është nevoja të themi se Njeriu është projekt i tij (i vetes) ose projekt i Zotit. Ndaj sipas tij, te” Qenia dhe Asgjësia “është qenia e njeriut, kurse asgjësi kuptojmë boshësinë e qenies. Kur Luzaj përkthente leksionet e Sartrit nga frëngjisht në Anglisht në Univ. Indianës, i bindur në Kozmogoninë,në strukturën dhe ligjet e Universit, mikrokozmosin dhe Makrokozmosin,e pyeti:”A keni menduar për ekzistencën e një Zoti sundonjës? F.34“

“Nuk ekziston një Zot sundonjës. -Sartri i papenduar, i bindur në Ateizëm deklaroi se, filozofia e tij do të studiohej në shekullin e ardhshëm, kur krishtërimi do të rrëzojë idhujt falsë. Qielli banohet nga një Zot fantazmë, iluzion i mendjecektëve, ndaj duhet hequr dorë nga ambicioni i përejetësisë, pasi Qenia është vdekësore. Njeriu është Asgjësi, ç’mund të bëjë ai për ta nxjerrë veten nga asgjësia? Pse s’e ndihmon Zoti që e krijoi?!– u përgjigj ai.

………………

Sot njeriut i ka lindur nevoja të gjejë përgjigjen e pyetje si :”Kush e bëri botën?” apo “nga dhe ku kemi ardhur?” Si përgjigje, dija njerëzore nxori Kozmogoninë. Termi kozmogoni do të thotë lindja e kozmosit, apo origjina e universit. Ky term në filozofi haset për herë të parë në shekullin e pestë nga Leucippus.Disa besojnë se krijimi i botës është meritë e Mitit-Zot, ndikon në sjelljet e njerëzve, që u dha jetën, edhe pse ata nuk besojnë. Në kohët moderne,Kozmogonia është filozofia e studimit shkencor të origjinës dhe evolucionit të universit. Për studimin e sistemit diellor, për evoluimin e Diellit dhe yjeve, formimin e galaktikave dhe evolucionin e gjithësisë në tërësi, lindi shkenca e Astronomisë që quhet shkenca e dytë (shkenca e Krijimit).Zhvillimi i shkencës arriti të spjegojë jehonën e Big Bengut. Hulumtimi i vazhdueshëm shkencor cosmogonic është pasuruar, që nga shkurti i vitit 2009. Një instrument i rëndësishëm shkencor është vendosur në Alpet zvicerane, në kufi me Francën, që vepron me shpejtësi të jashtëzakonshme dhe ka si detyrë kryesore, të hetojë ekzistencën e boson Higgs, ose e ashtuquajtur “grimcë Perëndi” për shpjegimin kuantik të origjinës së universit.

Wikipedia, Enciklopedia e Lirë.

…………………..

Niçe fajëson krishtërimin që premton lumturi dhe ngushëllim qiellor si përgjigje të mosplotësimit të kënaqësive të jetës mbi tokë. Ai idenë e një Zoti në mendjen e njeriut, e quan si një mik të padëshirueshëm. Ateistët besojnë në vlerat morale duke mohuar Kristianizmin. Kurse Malro i bënë homazhe kristianizmit, dhe reklamon vdekjen e Zotit, duke i kundërvënë mitin me shkencën dhe zhvillimin. Rinia pasi ka njohur luftën bërthamore si fatalitet i njerëzimit, genocidin e Hitlerit, krimet e Stalinit, shfarosjen e shqiptarëve Çamë, krimet e Enverit, krimet e Milosheviçit në Kosovë, masakrat e komunizmit në Budapest, Varshavë, apo Algjeri etje, sot askush nuk e lexon nihilizmin e Malros dhe kanë një urrejtje për të shkuarën e jetës gjakatare.

Luzaj thotë: “Njeriu e dënon veten rëndë pasi vë shenjën e barazimit mes vetes dhe botës. Fatkeqësitë e njeriut janë:serioziteti, besa, shpresa, dogma, besimi dhe morali fetar, koncepte që e mbajnë ndërgjegjen njerëzore robe të Boshësisë.

 

Si përfundim:

Rinia e kohëve moderne që pranon ekzistencializmin, ndjen respekt dhe shije dinjiteti te Kamy, të cilit bota i duket pa ligje, pa parime, nuk qeveriset nga ligjet, gjë që shkakton një problem serioz, Vetvrasjen, që i duhet thënë JO këtij akti vandal.

Lind pyetja: Si mund ta besojë Zotin një besimtar fanatik, kur në jetën e përditshme, për të siguruar fitime të majme si politikan, qeveritar, tregtar apo biznesmen që gënjen ose mashtron nga mëngjesi deri në darkë?

Qysh në shekullin që lamë pas, ideja e Zotit dhe e Besimit mes njerëzve të çdo shkalle kulture apo shoqërore ka ardhur duke u pastruar. Sot Elitat kristiane duan të kenë një Besë pa bestytni. Natyrisht nuk duan një Besë të re, as të krijojnë FE TË RE, por të kenë një besë të pranueshme që arrihet me dialog mes besimtarëve dhe jobesimtarëve. Prof. Dr. Isuf Luzaj që përmes një studimi rigoroz, njohu, analizoi filozofinë e të gjitha kohërave në Evropën Perëndimore, është kundër Ateizmit të bazuar në Ekzistencializëm (Sartri e Hejdegger) që e paraqesin botën dhe njeriun Boshësi ose një Hiç. Filozofi Luzaj në këtë libër kërkon të zhbirojë botën në bazë të zhvillimit dhe mendimit organik, mbështetur në Teozofi (Filozofi deiste që qëndron përtej Teizmit dhe Ateizmit si doktrina.)

Vazhdon…

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: i Prof. Isuf Luzi, udhetim filozofik, Vilhelme Vranari

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5574
  • 5575
  • 5576
  • 5577
  • 5578
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT