• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Hane Sina (1928-2012) – Ikonë e kalvarit të vuajtjes të familjes Sina

December 27, 2012 by dgreca

Klajd Kapinova/
 
Vuajtja, ka mbetur pa shërim. Ajo ishte pjesë e jetës në familjen Sina, gjatë 5 dekadave të sistemit komunist.
Refreni i zakonshëm dhe monoton ishte: dhimbje pakufi, keqtrajtime shtazarake, përbuzje e fyerje ekstreme, varfëri me bukë mjerimi, nënçmime sistematike, dhunë psiqike e fizike të vijueshme, internime dhe mallkime proletare, privim nga çdo e drejtë elementare njerëzore, nëpërkëmbje deri në disa breza,…
Këto dhe shumë të tjera, kanë qenë emëruesi i përbashkët, që e ka shoqëruar kalvarin e vuajtjeve dhe stërmundimeve, familjen e moçme etnike shqiptare Sina, e shquar historikisht gjithnjë, për ruajtjen dhe respektimin e traditave me vlera tipike autoktone dibrane.
Këto ditë të ftohta dhjetori, në qytetin Brooklyn, në shtetin e New York-ut, mbylli sytë, një prej grave më stoike të kampeve të komunizmit, një nga nënat më fjalë ëmbël, më e thjeshta, modestja deri në përvuajturi shembullore, mbas gjithë historisë plot dhimbje dhe plagë të thella, që e ka shoqëruar pambarim ndër dekada, të pavdekshmen dhe të paharruaren, për të gjithë në vendlindje dhe Amerikë, nënën e vuajtjeve Hane Sina!
Por historia e familjes së njohur të Dibrës së Madhe, zë fill tek drama, që përfshiu nënë Hanën, kur ajo ishte ende fëmijë i brishtë.
Kështu nga burimet historike dhe dokumentet e familjes Sina, mësojmë se në moshën 11-vjecare u vra Haxhi Dishi, babai i vogëlushes (sikurse thuhet në Dibër për një “vijë uji”) nga njeriu më i afërm i familjes (djali i axhës) babai i të cilit asokohe, punonte si qarkkomandant xhandarmarie në Dibër të Madhe…
Vrasjen e babait të Hanës, Beqir Sina e përjetoj rëndë, nga që e donte aq shumë, sa nuk ia falte kërkujt gjakun e Haxhi Dishit. Por dhimbja e madhe kthehet në forcë, për burrat shqiptarë të vërtetë, që dijnë të falin gjakun, mbi dhimbjen e thellë. Si besnik që e kishte, më vonë e bëri mik shtëpie. Ky është një rast i rrallë, që ka ndodhur deri më sot në krahinën e Dibrës së Madhe dhe botën shqiptare.
Një jetë mes vuajtjes dhe mjerimit komunist
Hana, lindi më 18 maj të vitit 1928, në katundin Rreth Kale-Muhurr Peshkopi.
Sikurse kujton sot i biri, gazetari pasionant e i palodhur i komunitetit shqiptaro-amerikanë Beqir Sina (nënën Hana), në moshën 12-vjecare propoganda fashiste e dërgoi sëbashku me një grup fëmijësh nga Dibra në Itali. Atyre, iu bashkuan edhe disa fëmijë të tjerë, të familjeve të mëdha nga e gjithë Shqipëria. Këtë mirësi asokohe fëmijës së zgjuar, ia bëri qarkkomandanti Beqir Sina, për të harruar ndoshta edhe vrasjen e babait të saj…
Ngjarjet në vendlindje precipitojnë me shpëjtësi. Atje, komunistët, përmes propagandës së gënjështrës, kishin arritur të trudhosin me bolshevizëm të rinjtë dhe njerëz naiv, që nuk e njihnin fytyrën e zezë të proletarëve, që ndryshe fliste dhe ndryshe vepronte.
Kjo u duk shumë qartë në Rusi, me triumfin e luftës civile ose sikurse njihet si “revolucioni bolshevik”, ku, pushtetin e mori ideologu marksist Lenini dhe siamezi diktatori famkeq gjeorgjian Stalinin. Ai sot për nga krimet në kohën e tij (sipas burimeve historike bashkëkohore), është i pari në botë dhe i dyti nazisti gjerman Hitleri.
Si shumë të rinj idealist, me ëndrra dhe qëllime përparimtare, mbushur plot ndjenja të ngrohta atdhedashurie, rikthimin në vendlindje e shihnin si shpresë, për një jetë dhe liri të vërtetë demokratike, sikurse ishte Italia dhe shumë shtete të tjera të Europës Perendimore.
Por shpejt, ëndërra e adolishentes errësohet dhe vendin e saj e zë mjerimi dhe vuajtjet e njëpasnjëshme, që nuk kanë të sosur në familjen Sina, për shumë dekada, gjatë kohës së sundimit të kuqalashëve me hu, litar dhe mashtrim propagandist të Tiranës së kuqe prej 1944-1990.
Në fakt, kthimi saj në Shqipëri, ishte një kthim në një udhëtim të ngadalshëm drejt varrezave, pa e kuptuar vdekjen e ngadalshme, që po u vinte të gjithë nacionalistëve dhe familjeve të tyre, të cilët e donin Atdheun si shtëpinë e tyre… Nisi kështu përjetimi i udhës së vështirë të kalvarit të vuajtjeve të njëpasnjëshme…
E reja fisnike dhe zemërbujare Hana, një ditë të bukur pranvere, në moshën 19-vjecare, martohet me djalin e Beqir Sinës, të riun Rasim Sina, që vinte nga një derë e fortë e nacionalizmit shqiptar.
Nga burimet historike mësojmë, burrat e dy kunatave të veja (Dijen e Biden), i kishte pushkatur regjimi sllavo-komunist në Maqedoni, ndërsa dy motrat: Mihanen e Remen dhe tre vëllëzërit e tij: Musën, Hashimin dhe Besimin dhe gruan fisnike Kafile Kaloshen, janë kthyer më 1949 nga Kampi i Uznovës, mbas një amnestie të përkohshme në katundin e tyre në Rreth Kale.
Kthim ishte pa shpresë dhe të ardhme. Ata e gjetën kullën e djegur nga komunistët. Jevxhitët e hoxhistit të Gjirokastrës më pare e kishin vjedhur gjithcka që ndodhej brenda,… e shkatërruan dhe më pas e kthyen në kazermë mallrash për ushtrinë e tyre.
Është me interest të thuhet, se shpesh bujaria e shqiptarit mes varfërisë, ka treguar vlera fisnikërie e mirësie, në momentet më dramatike të bashkëvendasve.
Kështu, mësohet se kur vendasit morën vesht, se kulla e famshme e familjes Sina ishte djegur, menjëherë shprehen humanizmin konkret, që buronte nga shpirti flori i tyre, duke e ndihmuar, që të ngrinte strehën e varfër për të hapur familjen e tij te re. Pa dallim, i gjithë katundi dhe nga trevat e tjera u ngritë në këmbë. Aty u mblodhën fshatarët dhe brenda natës i ngritën një kasolle familjes së Beqir Sinës.
Duke shfrytëzuar mjetet rrethanore dhe teknikën e ndërtimit asokohe, ata e  rrethuan me qepa (një lloj materiali i përdorur gjerësisht asokohe) e veshën me thupra dhe më pas e suvatuan me baltë e harasan.
Kjo ishte gjendja e mjeruar asokohe e Dibrës dhe në tërësi e Shqipërisë, që askohe po përpiqej të luftonte mjerimin dhe prapambetjen, që u thellua me ardhjen në pushtet të proletarëve pa fe, atdhe e ide. Tashmë varfëria ekstreme u ul këmbkryq ne familjet shqiptare në qytet e katund…
Por nga ana e tjetër, gjesti bujar, për t’iu gjendur në nevoj kësaj familje fisnike nuk mungoi, sepse të gjithë i donin dhe respektonin Sinajt…
Mjerimin si bashkëudhëtare, që pllakosi këtë familje, një mik me banim sot në New York, e rikujton kështu: “Sina, që dikur kishte qënë e para e këtij vëndi “Kulla e Sinëve”, i thoshin tani, ishte edhe pa bukë, pa drita, pa tasa e lug, pa tenexhere, pa jorgan e dyshek…”
Fshatarët e të afërmit e tyre, menjëherë filluan kush e kush të ofronte diçka nga bujaria mes varfërisë që si sëmundje ngjitëse i kishte prekur të gjithë. Ditët iknin me shpëjtësi dhe po afrohej koha, kur Rasimi do të martohej me Hanen, nga fjala e dhënë, sipas traditës dhe zakonit.
Ishte vërtetë një dasëm e thjeshtë shqiptare, pa zhurmë e krisma armësh, që ndodhnin shpesh në gëzimet shqiptare dje dhe sot…
“Dhe kështu u bë dasma. Në atë shtëpi, nuk u dëgjuan daullet e festës, por u bë një dasëm me ceremoni simbolike dhe gëzim të thjeshtë, pa mish,… dhe vetëm disa të afërm i ranë çiftelisë dhe kënduan pak atë natë…”, kujtonte shumë vite më parë nusja e re asokohe Hana 19-vjeçe dhe dhëndrri Rasimi 16-vjeç.
Në atë kasolle të thjeshtë, çiftit të ri, Zoti u dha tre fëmijë. Fëmija e parë ishte vajzë Zenepja, i dyti Dika dhe i treti gazetari i mirënjohur Beqir Sina, u nis në atë kasolle…dhe lindi në barakat e kampit të internimit famkeq të shfarosjes së ngadalshme në Savër të Lushnjës…
Me arratisjen e Rasimit, falë ndihmës bujare të një besniku të familjes Sina, nëna e tyre si i thërrisnin malësorët në kamp (oj) Sojnike ose sikurse e kishin zakon familjet e mëdha, për të respektuar njëra-tjetrën thirreshin vetëm në mbiemër.
Një ditë Kaloshia, i mblodhi të gjithë fëmijët saj rreth vetes, e i pyeti se kur do të arratiseshin?! Por aty ndodhej edhe nusja e re shtatëzanë shtatë muajsh me fëmijën Beqir në bark, që thoshte, se vetëm dëgjoja dhe sipas zakonit nuk mund t’a hapja gojën…
Sojnikja, u tha djemëve: “Djemtë e mi, Zoti ua bëftë dritë nga të shkoni, se nëna me tesha në krah e nisi dhe po e bitis po me tesha në krah, por shyqyr Zoti, kësaj rradhe kam edhe nusen e re dhe do t’a kalojmë me gjithë nanat e tjera, se jemi mësuar në kampet e internimit, mbasi na presin shoqet atje…”
Dhe kështu nusja e re Hana, me fëmijë në bark (sic e kishin zakon gratë e Dibrës), e lidhi shamin dhe me Kaloshën nga dera e madhe e Kaloshëve të Kandrit, (Musa, që vuante mjerimin në burg), morën rrugën drej kënetave të Myzeqesë.
Të gjithë ata që e kanë njohur në kohën e rregjimit komunist dhe më pas, kur e kanë takuar dhe folur shtruar me fisniken në shtëpinë e Beqir Sinës (sikurse autori i këtij shkrimi), në Brooklyn, New York, flasin me shumë respekt, për mbresat e mira, që u kanë lënë takimet më Sojniken dibrane, sikurse e thërrisnin të gjithë deri sa u nda nga kjo jetë…
Ajo ishte shumë e drejtë dhe ndershme, zemërbujare, trimëreshë, e zgjuar, me një humor të hollë dhe djegës (thumb), për komunistët (njësoj sikurse barcoletat shkodrane antikomuniste në kohën e rregjimit komunist).
Janë pikërisht këto cilësi, si: ndershmëria (i pakorruptueshëm), besnikëria deri në vdekje, burrëria dhe zgjuarësia, bujaria e mikpritja, përkushtimi për t’i cuar gjërat me vendosmëri deri në fund, mbajtja e fjalës,  positive, që i sheh dukshëm tek i biri gazetari Beqir Sina, të cilin, të gjithë e duan dhe e respektojnë në komunitetin tonë në Amerikë. Ai ishte i dashur edhe nga bashkëvuajtësit në Saver të Lushnjës…
Bujaria e shpirtit të saj, vinte nga geni i trashëguar i familjes, sepse ishte një Derë e madhe fisnike, përkrah dyerve të parisë së Shqipnisë asokohe, të cilët, për cudi të historisë të gjithë ishin surgjenosur në skëterrën vdekjeprurëse famkeqe të kampit në Savër të Lushnjës.
Me qindra dhe mijëra djem e vajza, burra dhe gra, vejusha e jetimë, që vinin nga familje intelektuale e patriotike, të shkolluar në Europën Perëndimore, kishin hyrë në dyer e ferrit të këtij kampi nazist (me emrin proletar) dhe dolën prej aty, të shkatërruar fizikisht, por të fortë mendërisht në vitin 1990, tek mbijetuan pragun e vdekjes, ku, shumë ndërruan jetë nga koleksioni i sëmundjeve dhe pakujdesi mjekësor, gjatë 5 dekadave të rregjimit komunist.
Kushdo, që ka qenë i interesuar dhe ka lexuar ose mësuar, për historinë kobndjellëse të Savrës, e di fare mire, se aty jetonin vitet e burgimit kolektiv paria e Shqipërisë, sikurse ishin familjet më të zëshme asokohe, si: Markagjonit, Mirakajt, Bajraktarit, Dinëve, Dugagjinit, Mulosmanëve, Hoxhës, Nezajve, Kolgjinit, Sinës etj.
Si shumë nuse të reja, që u vendosën rishtas me familje në kampin e internimit, u ndihmuan me bujari nga të gjithë banorët e hershëm aty të ardhur me kohë nga qytetet dhe zonat e ndryshme të Shqipërisë dhe Kosovës.
Një detaj interesant, ka mbetur i ngulitur thellë në kujtesën e familjes Sina dhe më shumë djalit (kolegut tim Beqir Sina), i cili, ndër të tjera tregon, për bujarinë e familjes Markagjoni, që i është gjendur qysh në ditët e para familjes së porsaardhur në kampin e internimit.
Kështu, vajzat zemërbujare tw Kapidanit të Mirditës Gjon Markagjonit, i blenë tesha të reja dhe e bënë Hanen ti vinte sado pak buzëqeshja, në një mjedis të ri, rrethuar nga njerëz të mirë dhe jo sikurse shkruante media komuniste, përmes propagandës së saj shpifëse…
Gratë, nënat, motrat, vëllezërit, fëmijët, të afërmit e atyre burrave patriot, baballarëve të mirë dhe përkushtuar, që nën breshërinë e plumbave të mitrolozave në kufi, ishin arratisur nga ferri komunist, për një jetë të lirë në demokraci, vuanin edhe më shumë, për shkak të aktivitetit të tyre kundërkomunist, në vendet e Europës Perendimore dhe ShBA.
Kështu sa më shumë, që ata ngrinin zërin para Departamentit të Shtetit, kongresistëve dhe senatorëve miq dhe dashamirë të shqiptarëve, aq më shumë mprehej shpata e luftës së klasave në Shqipëri, ndaj pjesëtarëve të familjes të tyre tashmë në burgje apo kampet e përqëndrimit ose shfarosjes.
Kështu fjala vjen Rasimi, burri i Hanës, fliste si spikër, për shumë vite me radhë në radion “Zani i Atdheut”, në New York, i cili, një herë në javë emetonte programe në gjuhën shqipe, kundër qeverisë komuniste në Tiranë, aq më shumë rritej zemërimi i partisë-shtet të diktaturës, kundër familjes Sina, që vuante kalvarin e gjatë të përsekutimit të përjetshëm, me të cilën ishte dënuar ajo…
Hena Sina, ishte një prej tre nuseve të Sinëve, që sëbashku me vjehrrën e tyre fisnike Kafile (Kaloshi) Sina, pësuan shkatërrime, rrënime dhe vuajtje nga ma të pabesueshmet.
Ajo, e nis jetën si gruaja e Rasim Sinës, po me arratisjen e tij, humb sa hap e mbyll sytë gjithçka! Për ate e shumë të tjerave si ajo nis ferri i tmerrshëm e i pafund i kampeve të diktaturës…
Vitet kalojnë dhe demokracia me mundime shkelmon gjumin letargjik të shqiptarëve, që me ose padëshirë kujtohen se janë pjesë e kësaj bote, se duhet të jëtojnë të lirë dhe në demokraci…
Mbas rënies së komunizmit në Shqipëri Hane Sina, u vendos në ShBA sëbashku me familjen e të birit, gazetarit të palëkundur kundërkomunist Beqir Sina.
Gjatë rinisë së saj, ajo kishte marrë shumë sëmundje, të cilat, i rënduan së tepërmi shëndetin dhe vitet e fundit të jetës i kaloi nën shërbimin e drejtpërdrejtë të gruas fisnike të Beqirit…
Në çastet e fundit, Hena Sina ndodhej në shtëpi e rrethuar ngrohtësisht nga të gjithë njërëzit e saj të dashur, sikurse edhe kunta e saj Myrvetja.
Me lot ndër sy dhe me një pikëllim të thellë, Henës sokolesh, ia mbylli sytë djali i saj Beqir Sina, që e deshti aq shumë dhe ndau gjithnjë vuajtjet me fisniken e pamposhtur dibrane.
Familja, thotë se dashuria dhe malli për nënën Hanën, do të jenë gjithmonë pjesë e pandashme e jetës sonë, sikurse të  gjitha nënat shqiptare, që na rritën dhe edukuan me sakrifica të mëdha…
Këtë fisnike tipike shqiptare, do t’a kujtojë komuniteti shqiptarë në ShBA, të gjithë ata miq e dashamirë, që patën rastin t’a njohin nga afër…
Pushoftë në paqe!

Filed Under: Kronike, Opinion Tagged With: Hane Sina, Ikone e Kalvarit, Klajd Kapinova

OLYMPIA GARGANO-IMAZHI I SHQIPËRISË NË LETËRSINË EVROPIANE PËR SHEKUJ XIX – XX

December 27, 2012 by dgreca

NGA GËZIM LLOJDIA/
Olympia Gargano ka  bërë dy vjet më parë pjesë të aspiraturës në Universitetin e Nice Sophia Antipolis – France studimin :Imazhi i Shqipërisë në letërsinë Evropiane për shekuj XIX – XX .Kryesisht Gargano është përqëndruar tek Edit Durham.Tek gazeta Vlora botova një shkrim për shoqëruesin e Edit Durhamit nga Tepelena në Vlorë.Të dhënat i morra rreth 20 vite më parë në vendlindjen e shoqëruesit të miss Durhamit,në  Mezhgoran të Tepelenës.Olimpia Gargano më dërgoi një mesazh për ta pasur këtë shkrim mbasi ajo punonte temën e saj në Universitetin e Nicës Sophia Antipolis – France .Olympias.G ja dërgova këtë matërial ndërkaq i kërkova që të më niste pjesë nga studimi i saj për shqiptarët,kryesisht:” Imazhi i Shqipërisë në letërsinë Evropiane për shekuj XIX – XX “,të cilën ajo ma dërgoi në gjuhën frënge ku ajo mbroi aspiraturën në universitetin e dëgjuar francez. Universiteti i Nicës Sophia Antipolis ku mbrojti temën për Shqipërinë O.Gargano,është një universitet francez multidisiplinare, i themeluar në vitin 1965, gjendet në Nice të Alpes Maritimes. Ka rreth 26.000 studentë, duke përfshirë 1.300 studentëve të diplomuar dhe gati 20% të huajt, është përhapur mbi disa kampuset dhe njësitë trajnimi dhe hulumtimi. Ka mbi 1300 mësues, lektorë dhe instruktorët. Universiteti i Nicës përbëhet nga tetë fakulteteve (UFR), një IUT, një PSI, një Universitetit Politeknik dhe një Hum.
Kush është Olympia Gargano
Lindur në Ravello në bregdetin Amalfi, me një diplomë në Classics, me specializim në gjuhësi dhe Master italiane në mësim të gjuhës italiane për të huajt.E përkthyese (nga anglisht,frëngjisht, gjermanisht),ka përkthyer vepra të reja nga udhëtarët e huaj në Italinë jugore . Profesorë e gjuhës italiane dhe latine në shkolla të larta,u angazhua  në një projekt kërkimor për imazhin e Shqipërisë të letërsisë moderne dhe bashkëkohore evropiane në  Universitetin Nice Sophia Antipolis – France.
Aktualisht Punon te Ministrisë e Shërbimeve Publike arsim. Njeh këto gjuhë të huaja:italisht, anglisht,gjermanisht ,greqishten e vjetër ,latinisht,frëngjisht. Ka studiuar Université de Nice Sophia Antipolis Doctorant · Littérature compare-Letteratura Comparatadottoranda. Università degli studi di Napoli L’Orientale
Ja disa pjesë të kësaj kumtese që Olimpia Gargano ja ka kushtuar letrave shqipe.Imazhi i Shqipërisë në letërsinë Evropiane për shekuj XIX – XX shkruan ajo. Tregimet e udhëtimit në Ballkan thotë O.Gargano,është një subjekt ende pak të hulumtuar mes provave letrare e udhëtime në Evropë, në mesin e tyre, shumë më pak të njohura janë librat e udhëtimit në Shqipëri, një vend të cilit njohurit dhe hapje me jashtë ishin bllokuar për gati 50 vjet të regjimit totalitar,deri në fillim të viteve 1990. Projektin tim hulumtimi ka për qëllim të hapë koordinatat e imazhit të Shqipërisë në kontekstin e kulturës evropiane, sidomos të literaturës në italisht, frëngjisht dhe anglisht. Në fillim të shekullit të njëzetë, Shqipëria mbetet një nga vendet më pak të njohura evropiane. Deri në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë, udhëtarët të cilët kishin kaluar ishin kryesisht tregtarët dhe diplomatët në rrugën e tyre në Konstandinopojë përgjatë rrugës Via Egnatia një, kanali i lashtë i komunikimit, i cili ishte ndërtuar nga romakët gjatë shekullit të II p.e.s si zgjerimi ideal të Ëay Appian, duke çuar nga Roma në Brindisi.
Via Egnatia që niset në Durrës, gjendet në bregdetin Adriatik të Shqipërisë, në Stamboll, duke kaluar nëpër Shqipëri , Maqedonia, Bullgari dhe Turqi. Ajo ishte vetëm në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë , si rezultat i popullaritetit të “Tour Grand”, që udhëtarët evropiane filluan të konsiderojnë Shqipërinë si një destinacion për të vizituar. Ndër udhëtarët e parë që i ka kushtuar atij veprat letrare, ishte François Pouqueville dhe Lord Bajroni. Në udhëtimin e tij për nga Morea në Kostandinopojë, në Shqipëri, dhe në shumë pjesë të tjera të Perandorisë Osmane, botuar në 1805, ishte Pouqueville që zbuloi thesaret arkeologjike ,që lidhen me traditën klasike. Në anën e anglezeve, “zbulimi” i Shqipërisë në letërsinë moderne është për shkak të Lord Bajroni, i cili bëri skenarin e aventurat e heroit të tij në shtegtimin e Çajld Haroldit.
“Sot, ka tanika një prodhim shumë të pasur letrare në letërsinë Evropiane për shekuj  XIX- XX  e cila është objekt i hulumtimit tim. Një prej autorëve që do të veproj në mënyrë specifike në projektin tim është angleze Edith Durham, e cili në fillim të shekullit ‘20 udhëtoi për në Shqipëri vetëm. Shtyrë për të udhëtuar nga mjeku isaj , i cili e këshilloi atë, që të lëvizë nga koha në kohë për të mbështetur më mirë detyrat e ndihmës për nënën e saj të sëmurë, znj Durham, artiste dhe shkrimtare, udhëtoi në Adriatik në vitin 1900. Gjatë turneut të saj të parë, ajo vizitoi Cetinje (Mal i Zi) dhe në Shqipëri: ajo ishte fillimi i një dashuri që zgjati gjatë gjithë jetës. Për 20 vjet, Edith Durham kaloi në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi, ka vizituar vende dhe njerëz me përvojë, dhe u bë një partizan më të pasionuar të pavarësisë së Shqipërisë. Kujtime udhëtimesh e e saj , në Shqipëri (1909), është ende një nga burimet e njohurive dhe frymëzim më të pasur letrare për të gjithë ata që janë përfshirë në kulturën dhe traditat shqiptare.

Filed Under: Kulture Tagged With: Gezim Llojdia, Olympia gargano

Nënlokja pushoftë në paqe!

December 26, 2012 by dgreca

Kjo ishte Nëna e vuajtjeve…/

Nga Tomë Mrijaj/

Krishtlindja, është festa tradicionale e lindjes së Jezusit fëmijë, i cili, me madhështi përkujtohet nga e gjithë bota.

Po këto ditë të mëdha të ardhjes në jetë të Krishtit, u nda nga jeta nëna e vuajtjes Hëna Sina, që kaloi vuajtje, sikurse Krishti, në kalvarin e diktaturës antifetare e antinjërëzore të shtetit komunist.

Përballë kësaj situate shokuese për mua, menjëherë mu kujtua filmi “Pasioni i Krishtit”, ku, jepen torturat që kaloi Ai.

Ne në Amerikë, kemi dëgjuar dhe lexuar shumë histori nga shqiptarë të arratisur, në lidhje me masakrat komuniste, mbi persekutimin dhe torturat çnjerëzore, që nuk mund t’i imagjinoi mendja e njeriut.

Babai i gazetarit të mirë njohur të komunitetit tonë Beqir Sina, fort i ndëruari e respektuari Rasim Sina (një vit më parë u nda nga jeta), ishte një intelektual i përgatitur dhe njohës shumë i mirë i historisë dhe traditës shqiptare.

Një ditë ai, me një guxim dhe trimëri shembullore, kishte kaluar perden e herkut me shumë shokë antikomunistë.

Mbas disa kohe, me të ardhur në Amerikë, integrohet si një aktivist i palodhur i çështjes atdhetare merr pjesë në grupet antikomuniste, që vepronin jashtë Atdheut.

Duke parë zgjuarësinë dhe talentin e tij, sëbashku me bashkë punëtorin e ngushtë Hysen Mulosmanin, u zgjodhën nga organzata e tyre antikomuniste si zë dhënës të radios shqiptare “Zani i Atdheut” në New York, ku, si drejtor përgjegjës kishin ushtarakun e karrierës Kolonel Xhemal Laçin.

Për këtë shkak të mirëfilltë politikë, jeta e familjes së tij në vendlindje, si gruaja Hëna Sina dhe tre fëmijët, u vunë në shenjestër, duke kaluar mbi shpinën e tyre kalvarin e pashëmbullt të persekutimit dhe syrgjenimit deri në vitin 1990, kur demokracia trokiti në Shqipëri…

Në jetën time, kam parë dhimbjen, që burojnë nga thellësia e shpirtit, për humbjen e njerëzve të dashur të familjeve.

Por, e veçanta e kalimit në amshim të Nënë Hënës, ishte se ajo ishte dhe mbeti vetë vuajtja ose sikurse e kam titulluar recensionin tim: “Vuajtja e vuajtjes tek femrat shqiptare”, mbi librin “Dhimbje” (Tiranë, 2008), ku, përshkruhet jeta mizerje në kampet e përqëdrimit dhe burgjet e shumta të nënave dhe motrave shqiptare, gjatë viteve 1944-1990, përshkruar me shumë nota origjinale dhimbjeje nga ish e persekutuarja shkodrane Fatbardha Saraci (e bija e Qazim Mulletit).

Kjo gjë më ndodhi edhe mbrëmë, tek lexova në fytyrën e mikut tim të dashur, gazetarit të palodhur të komunitetit tonë z. Beqir Sina, brengën, që e kishte pushtuar nga humbja e nënës së tij të dashur.

Dhimbja e tij, ishte dhimbja e madhe e të gjithë nënave dhe motrave shqiptare, që kanë vuajtur kalvarin e persekutimit në shtetin burg të Shqipërisë komuniste askohe.

Bashkëshortja e Beqirit, një grua fisnike, bëri shumë për nënën e burrit të saj. Ajo u tregua e gatshme si një nënë e mire, duke lënë punën në një kompani private për t’i shërbyer nënës së bashkëshortit, që e donte shumë.

Miku im i dashur Sina, tregonte shenjat e dhembjes së madhe për humbjen e nënlokes së shtrenjtë, ku, me buzë të thara nga forca e kujtimeve të hidhura të së kaluarës plot vuajtje, përshpëriti këto fjalë: “Kjo ishte Nena e vuajtjeve…”.

U trondita shumë, sepse menjëherë si në një sekuencë filmike mu shfaqen kujtimet e shumta mbi kalvarin e vuatjeve të përgjakshme, persekutimeve, braktisjes, anatemimit në mediat komuniste, shpërfilljes, përbuzjes dhe urretjes së madhe për këtë shtresë antikomuniste, internimeve pambarim, që kisha dëgjuar dhe lexuar shumë dekada më parë, kur jam takuar me njerëz, që ishin arratisur mes sakrificave të mëdha nga kampet e përqendrimit komunist, rrethuar me tela me gjemba dhe bunkere lufte, plot roje me mitraloza të rëndë, ndodheshin në disa burgjet të sketerrit komunist, në disa zona të humbura ose të pabanuara të Shqipërisë.

U emocionova shumë, mbasi njihja në detaje historinë plot dhimbje dhe brengë, që ka kaluar familja fisnike dribane Sina.

Në ato momente mu mbyll goja, nuk kisha zë t’i them diçka mikut tim të shtrenjtë, për atë dhëmbje… por i shtrëngova fort dorën me trup të rrënqethur, dhe me mend i thashe: “Qëndro mik i dashtun, se ti po e përcjell Nënën e dhimbjeve të mëdha të familjes tuaj, në këtë ditë të madhe, e ajo në parajsë do të lutet për djalin e saj, që e kishte si dritën e syve të ballit. Mos u merzit mik i dashtur Beqir, se nënën tuaj po e percjell si nje mbretereshe, me një pjesëmarrje shumë të madhe të miqve dhe dashamirëve tuaj nga gjithë trojet etnike shqiptare… Nënlokja pushoftë në paqe, e i lehtë i qoftë dheu i kë saj toke të bekuar, e ju familjarisht Zoti, ua priftë mbarë në çdo hap të jetës!”

 

Filed Under: Kronike Tagged With: ne paqe, nenlokja, pushofte, Tom Mrija

KOMUNITETI SHQIPTAR I DHA LAMTUMIREN E FUNDIT NENES HANE SINA

December 26, 2012 by dgreca

Sic kemi njoftuar edhe më parë në Dielli on line, me 22 dhjetor 2012, e shtunë, ora 10 e 40 minuta, në prani të familjarëve të saj të dashur, të djalit të saj Beqirit, mbylli sytë e shumëvuajtura, Hane Sina. Për katër ditë komuniteti shqiptar në Amerikë i shprehu ngushëllimet familjes Sina pranë Qendrës Muslimane Shqiptare në Brooklyn.Të mërkurën, me 26 dhjetor,  në orën 10 të mëngjesit, kortezhi i përmortshëm pas lutjeve fetare, u nis drejt varrezave publike në Nju Xhersi, ku morën pjesë qindra bashkadhetarë. Ndodhej edhe Konsulli i përgjithshëm i Kosovës, ambasador Bekim Sejdiu me konsullin Fatmir Zajmi, biznesmeni dhe veprimtari i njohur i komunitetit shqiptar, z. Hajdar Bajraktari dhe të tjerë. Pas lutjeve fetare u krye varrimi. Djali i së ndjerës, Beqir Sina, falenderoi bashkadhetarët që për të gjitha këto ditë u qëndruan pranë për të ndarë dhimbjen. Më pas në emër të familjes ai i ftoi të pranishmit që të shkonin për drekën e shpirtit të së ndjerës.

Po japim të plotë fjalën që mbajti poeti Ilir Spata në emër të familjes Sina.

***

Fjala e Fundit për Nanën Hane Sina
( Nekrologji )

Katër ditë më parë, mbylli një herë e përgjithmonë sytë, një prej grave më stoike të kampeve të komunizmit, një nga ma të thjeshtat, ma të përvuajturat, ma të pambështeturat, nji ikonë e njerzores: Hane Sina!Ose Nana e Vuajtjeve!

Jeta e kësaj gruaje fillon si për konçidencë me dhëmbjen , ashtu si dhe vazhdoi në një kalvar të pasosun dhimbjeje, ndaj nuk është aspak e tepruar të quhet dhe nëna e dhimbjes dhe e vuajtjeve. Në moshën 11 vjeçe u vra babai i saj, Haxhi Dishi, si i themi ne dibranët për një “vijë uji”. Më e rënda e asaj vrasjeje ishte se babai i saj u vra nga djali i vëllait Beqir Sinës, atëhere qarkkomandat xhandarmarie në Dibër të Madhe. Vrasjen e babait të Hanes Beqir Sina e përjetoj rëndë, nga që e donte aq shumë sa nuk ja falte kërkujt gjakun e Haxhi Dishit dhe si besnik që e kishte dhë më vonë e bëri edhe mik.
Hanja lindi më 18 Maj 1928 në katundin Rreth Kale – Muhurr Peshkopi.
Në moshën 12 vjeçare propoganda fashiste e dërgoi edhe Hanen me një grup fëmijësh nga Dibra me fëmijët e familjeve të mëdha nga e gjithë Shqipëria në Itali me “Balilat” quheshin ata atëhere. Këtë të mirë atëhere kësaj fëmije për të harruar ndoshta edhe vrasjen e babait të saj ia bëri Qark Komandt Beqir Sina.
Kthimi saj në Shqipëri ishte një kthim drejt kalvarit të vuajtjeve të njëpasnjëshme.
Në moshën 18 vejcare martohet me djalin e Beqir Sinës, Rasim Sina, i cili megjithë dy kunatat e veja (burrat ua kishte pushkatur sllavo komunizmi në Maqedoni)-(Dijen e Biden) dy motrat(Mihanën e Remen) dhe tre vëllëzërit e tij, Musën, Hashimin, Besimin, dhe gruan sojnike Kafile Kaloshen qenë kthyer, më 1949, nga Kampi i Uznovës mbas një amnistite provizore, në katundin e tyre në Rreth Kale. Aty kishin gjetur Kullën e djegur nga komunistët e gjithçka kishin lanë të vjedhur e shkatërruar në themel .
U mblodhën fshatarët dhe brenda natës i ngritën një kasolle familjes së Beqir Sinës. E rrethuan me qepra dhe e veshën me thupra pastaj e suvatuan me baltë e lyen harasan sa me e ba të mundëshme me ndenjun në të familja. Shtepia u bë gati nga fshtarët e familja Sina, që dikur kishte qënë e para e fshatit , me emër si Kulla e Sineve , tani ishte edhe pa bukë, pa drita, pa tasa e lugë, pa tenexhere, pa jorgan e dyshek.
Fshatarët e të afërmit e tyre filluan kush e kush tju falte dicka, sepse po afrohej edhe dita që Rasimi do të martohej me Hanen sipas fjalës që ishte dhënë sipas Zakonit. Dhe kështu u bë dasma por pa lodra, dasmë pa mish, vetëm disa të afërm i ranë çiftelisë e kënduan pak atë natë do të kujtone ma vonë nusja e re, Hanje Sina. Qen në moshën 19 vjeçe dhe dhëndërri, Rasimi, qe vetëm 16 vjeç.
Në atë kasolle çiftit të ri Zoti u dha tre fëmijë: Fëmija e parë ishte vajzë, Zenepja, i dyti Dika dhe i treti Beqiri u nis në atë kasolle dhe lindi në barangat e kampit të interrnimit në Savër të Lushnjës.
Para arratisjes, me ndihmën e një besniku të familjes Sina, të tre djemve të saj, nëna e tyre, Kafile Kaloshi a si i thërrisnin malësoret në kamp “Sojnike!” a “Kaloshja “ si e kishin zakon familjet e mëdha për të respektuar njëra tjetrën, i mblodhi të gjithë fëmijët saj rreth vetes, dhe i pyeti se kur do të arratiseshin. Aty ishte edhe nusja e re shtatëzanë shtatë muajshe me fëmijën në bark, që thoshte se vetëm dëgjoja se sipas zakonit nuk mund ta hapja gojën, si nuse e re që qeshë!
Sojnikja u tha djemëve: “Gjemtë e mi, Zoti ua bëftë udhën dritë nga të shkoni se Nana me tesha në krah e nisi dhe do ta bitisi me tesha në krah! Shyqyr Zotit kësaj rradhe kam edhe nusen e re dhe do ta kalojmë me gjithë nanat e tjera si jemi mësuar në kampet e interrnimit, se na presin shoqet atje ku i kemi lanë.
Kështu nusja e re, Haneja, me fëmijë në bark, ashtu si e kishin zakon gratë në anët tona e lidhi shaminë dhe bashkë me të vjehrrën, “Kaloshen” nga dera e madhe e Kaloshëve të Kandrit, morën rrugën drej Kënetave të Myzeqesë. Djali tjetër, Musa në atë kohë qe në burg.
Nga që ishte shumë e drejtë, e ndershme, dhe bujare, të gjithë njerëzit nga Krerët e Parisë së Shipnisë që qenë të internuar në Savër e deshën dhe respektuan Hanen si “ Nusen e Kampit”. Aty qenë familjet më me zë në mbarë vendin si të Mirakajve, Markagjonit, Bajraktarit, Dineve, Dukagjinit, Mulosmanëve, Hoxhës, Nezajve, Kolgjinit, e sa e sa të tjerë, sa do të duhej një listë e gjatë me i përmendë. Vajzat e Gjon Markagjonit i blen teshat të reja dhe e bënë Hanen, si qeshte ajo kur tregonte, “moderrne”. E gëzuan se e bënë si “nuse” në atë skamje që qe atje.
Kishte kohë që pati nisur ai kalvar i pafund për vajzat, gratë e nënat e atyne familjeve shqiptare që patën dhanë aq shumë për kombin. Haneja do të ishte nji prej tyre, që e kapërceu me dinjitet të naltë e qëndrueshmëri të papërshkrueshme atë tmerr të pafund prej një gjysmë shekulli ndëshkuar padrejtësisht nga fati e nga njerëzit; duke mbrritur deri te dita e ikjes së saj e plotë, e patjetërsuar në gjithë vlerat e veta si njeri, si grua e si nanë! Një shembull i përhershëm virtuti për të gjithë ata që e njohën në ditët e saja më të vështira e që fatëkeqësisht qenë shumë të gjata, ashtu dhe në ato të pakta çaste gëzimi kur ju ndodhën pranë. Qe një simbol i përballimit me dinjitet i shtypjes mizore të pushtetit të pa parimtë e të pa drejtë, sa kalonte çdo kufi njerezor kur merrej me familje të pa
mbrojtuna e të pa ndihmë si qe familja e saj në internim.
Hane Sina qe njana prej tri nuseve të Sinëve, që së bashku me vjehrrën e tyre fisnike, Kafile Kaloshin-Sina, pësuan shkatërrime, rrënime dhe vuajtje nga ma të pabesueshmet. Ajo, e nisi jetën si gruaja e Rasim Sinës, po me arratisjen e tij, ajo humbi sa hap e mbyll sytë gjithçka! Për të e shumë të tjera si ajo nis tmerri i pafund i kampeve të diktaturës! Me tre fëmijë njëri mbas tjetrit, e para sa kish nisur të ecte, i dyti në krahë dhe i treti në bark, ajo i dorëzohet fatit përbindësh, ku më shumë se rrugë, do të ishte skëterrë që zgjati nji jetë, e ku ajo me atë thjeshtësinë e saj prej malsoreje e përballoi jo veç me dinjitet, po edhe me at’ humorin e hollë e shpërfillës, që ishte në natyrën e saj, ndaj atyre që po i shkaktonin të keqen kësaj gruaje, kësaj nëne, kësaj gjysheje të dhimbsur, që përtypte në heshtje privimet nga çdo gëzim sado i vogël i jetës! Qysh herët ajo pëson humbjen djalit, Dikës trembëdhjetë vjeçar, që shpresonte t’i bëhesh krah e që nga thellsia e shpirtit e quajti gjithnji “lofka e nanës!”
Ajo përjetoi përbuzjen, varfërinë, urinë, dhimbjen, mungesat, humbjet, po qëndroi në këmbë si pak kush… Shpesh kujtoj se çdo fetë buke në mungesë të gjithçkaje, ajo i shtronte ca pika loti dhe i jepte shije bukës thatë me dashurinë prej nëne! Sepse shpirti i saj s’kishte asgjë veç dhimbjes po i shtonte asaj mirësinë dhe dinjitetin… Dhe ajo shija e bukës së duarve të saj s’ka për t’i ikur kurrë shpirtit tim, po edhe gjithë atyre që patën rast ta njohin këtë grua të thjeshtë, e stoike që s’u dorëzua kurrë…
Sot, në ikjen e saj në qiell, ajo ikën e qeshur dhe e gëzuar ashtu si ishte vetë ajo sepse la pas vetes vajzen Zenenpen, djalin Beqirin e plotë nipër e mbesa që ajo i deshte aq shumë.
Hane Sina i iku kësaj bote dhimbjesh në paqe… e rrethuar nga shumë njerëz dhe e respektuar prej të gjithëve, jo thjesht për vuajtjen e saj, por për at mirësi që shpirti i saj kishte të pashterrur, e që kurrë ajo s’e shfaqi të përgjysmët, po gjithnji të plotë…
Asaj ia mbylli i syt i pari djali i saj Beqir Sina në orën 10 e 40 minuta të mbrëmjes të së shtunës, pas ajo kaloi një sëmundje të rëndë. Kështu që në fundin e kësaj jete, Zoti e pa një ditë edhe këtë nënë pas ranijes së komunizmit. Ky njeri që kaloi një jetë të vështirë në kampet e internimit të diktaturës komuniste, Hane Sina, pas rënies së komunizmit në Shqipëri u vendos në SHBA së bashku me të birin. Në çastet e fundit e ndjera ndodhej në shtëpi e rrethuar nga të gjithë njërëzit më të dashur të saj si dhe nga e kunata e saj e shoqja e vuajtjeve edhe Myrvetja.
Familja thotë se Dashuria dhe malli për nënën tonë do të jenë gjithmonë pjesë e pandashme e jetës sonë. Atë do ta kujtojmë, gjithmonë si një ndër ato të gjitha nanat tona shqiptare, që na rritën dhe edukuan me sakrifica të mëdha, Atë do t’a duam dhe nuk do t’a harrojmë sa të jetë jeta.
Me dhembje e me shumë mall gjithmonë do të kujtojnë: vajza e saj Zenepia, djali i saj Beqiri si dhe të gjthë nipat e mbesat, kunati Hashimi me fëmijët , Tomorri me femijët, Myrvetja me fëmijët.. Mbarë farefisi Sina si në Shqipëri dhe ketu ne SHBA. Por edhe Bashkëvuajtësit tanë dhe të gjithë ata që e njohën, nga Savra e Lushnjes. Do t’a kujtojë dhe mbarë komuniteti shqiptar në SHBA, të gjithë ata që patën rastin t’a njohin atë sadopak e dëgjojnë fjalën e saj të urtë mbushun gjithëmonë me dashuni nane.
I ftojmë të afërmit, miqtë dhe të dashurit tanë që të marrën pjesë në këtë ceremoni dhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit nanës tonë Hane!
Në emrin e Familjes Sina gjejmë rastin t’ju faleminderojmë dhe për ndarjen e kësaj dhimbeje këto ditë së bashku me ne, duke na e bërë më të lehtë humbjen!
Lutemi Zotit që ju dhe të gjithë atyre që na kan ngushëlluar tua kthëjmë vetëm në të mira! Zoti u bekoftë të gjithëve! I lehtë i qoftë dheu i kësaj toke të bekuar që i dha atë që nuk ja dha toka ku lindi, kësaj Nane!

Filed Under: Kronike Tagged With: dalip greca, nena e Beqir Sina, varrimi i hane Sina

Dr. ISMET GEGA, PERSONALITET I SHQUAR I MJEKËSISË SHQIPTARE

December 26, 2012 by dgreca

Ne Foto Dr.Ismet Gega (1879-1952)/

SHKROI:  Prof. dr. Pajtim BEJTJA/

Këtë vit jubilar të 100-vjetorit të Pavarësisë, krahas personaliteteve politike, është mirë të kujtojmë edhe ato të fushave të tjera, që kanë dhënë ndihmesa të shquara, në  të mirë të vendit dhe të popullit tonë. Në fushën e mjekësisë, një personalitet i tillë ka qenë mjeku kirurg, Ismet Gega.

U lind në Gjirokastër, në vitin 1879, në një familje me tradita atdhetare e me veprimtari të drejtpërdrejtë politike. I jati, Veseli ka qenë deputet i Perandorisë Osmane.

Pas mbarimit të shkollës fillore dhe plotore në vendlindje, Ismeti kreu shkollën e mesme dhe Fakultetin Ushtarak të Mjekësisë në Kostandinopol (Stamboll). Studimet i përfundoi në vitin 1905 dhe, me gradën kapiten i klasës II, u caktua mjek karriere në ushtrinë turke, ku punoi deri në vitin 1912.

Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në vitin 1913, u kthye në atdhe dhe hyri në shërbimin ushtarak kombëtar, me gradën kapiten i klasës I. Në vitin 1914, u caktua drejtor i spitalit të Vlorës, të cilin e themeloi. Në prill të vitit 1921 u gradua major dhe u emërua shef i seksionit të shëndetësisë, pranë Ministrisë së Luftës. Në vitin 1922, dha dorëheqjen nga ushtria dhe punoi mësues shkencash, në Gjimnazin e Shtetit  dhe në Medresenë e Lartë të Tiranës. Në vitin 1923, u emërua drejtor i Spitalit të Shtetit në Gjirokastër, të cilin e themeloi. Në dhjetor të atij viti, u rimor në shërbim ushtarak, me vendim të Këshillit të Lartë të Shtetit Shqiptar dhe u emërua drejtor e mjek operator, me gradën major, në spitalin ushtarak të Shkodrës. Nisi punën në fillim të vitit 1924 dhe qëndroi në Shkodër deri në qershor të vitit 1925, kohë kur u nxor në lirim. Në nëntor të vitit 1925 u dërgua përsëri në Vlorë, si mjek i Bashkisë. Në vitin 1928 u emërua anëtar i Këshillit të Shëndetësisë, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shëndetësisë dhe u zgjodh anëtar i asamblesë bashkiake të Tiranës. Në prill të vitit 1932 u thirr përsëri në shërbim ushtarak, në spitalin e përgjithshëm ushtarak të Tiranës, ku punoi mjek kirurg, deri në vitin 1935, kur u gradua nënkolonel dhe, për merita të veçanta drejtuese, u emërua drejtor. Nuk u pajtua me pushtimin e spitalit ushtarak nga italianët dhe kjo qe një nga arsyet e largimit nga kjo detyrë, më 7 prill 1939. U emërua inspektor higjiene në ushtri, deri në vitin 1940, kur u përjashtua nga shërbimi, si dhe shumë oficerë të tjerë. Më pas u rithirr në shërbim ushtarak, por nuk pranoi. Me kërkesën e tij, doli përfundimisht në pension, më 20 mars 1944. Në prill të atij viti, duke qenë në pension, u gradua. Vdiq më 27 mars 1952, në Tiranë.

Doktor Ismeti ka qenë mjek me horizont shumë të gjerë. Si njohës i disa gjuhëve, ishte në dijeni të çdo gjëje të re, që ndodhte në botën mjekësore. Në vitet 1933 e 1935, botoi librin “Mjeku i Shtëpisë”, në dy vëllime, me rreth 700 faqe, duke derdhur në të dijet e shkencës mjekësore të kohës dhe përvojën e madhe vetjake. Në parathënien e librit, ai shkruan me modesti: “…i lutem gjithkujt, të mos ngutet nga nakari (smira-P.B.) të kritikojë poshtë e nalt të metat, që do t’i takojë aty këtu në këtë libërzë, por të ketë zili, të kapij pendën në dorë, të lodhë pak trutë e të pregatitë një libër ma të mirë e ma të dobishëm, sepse kështu mund t’i bajë shërbime atdhetarëve”. Libri u tërhoq gjerësisht nga familjet shqiptare të asaj kohe dhe  në shumë prej tyre ruhet ende. Në vitin 1937, ai u përfshi në librin biografik “Who’s Who” (“Kush është ky”) in Central and East Europe (published by the Central European Times Publishing Co Ltd., Zurich, 1937), bashkë me figura të tjera shqiptare të shquara të kohës.

Doktor Ismeti është dalluar jo vetëm për aftësitë e larta drejtuese dhe profesionale, por edhe për shpirtin njerëzor të tij, të shfaqur gjerësisht. Ishte një njeri i dashur, i zgjuar, hokatar, i mbrujtur me dhembshuri ndaj njerëzve, që vuanin dhe me respekt për kolegët. Vizitonte falas të sëmurët e skamur dhe u shpërndante ilaçe falas atyre; u jepte përvojë mjekëve të rinj dhe interesohej për t’i specializuar ata në Firence të Italisë.

Dr. I. Gega nuk pranoi ofiqe turke, por erdhi në atdhe, kur e thirri nevoja e shpëtimit kombëtar dhe qëndroi këtu, duke shkrirë dijet dhe energjitë e veta, në të mirë të mjekësisë shqiptare dhe të popullit të vet. Akordimi nga Mbreti Zogu I i dekoratës së lartë “Komandar i Urdhënit të Skënderbeut”, më 27 gusht 1938, tregon se dr. Ismet Gega ishte në ballin e mjekësisë shqiptare të asaj kohe. Do të ishte në nderin e spitalit të Vlorës, që të mbante emrin e themeluesit të tij të shquar, dr. Ismet Gega.

 

Tiranë, 18 dhjetor 2012

Filed Under: Histori, Kulture Tagged With: Dr. Ismet Gega, Pajtim Bejtja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5645
  • 5646
  • 5647
  • 5648
  • 5649
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT