Ne Foto Dr.Ismet Gega (1879-1952)/
SHKROI: Prof. dr. Pajtim BEJTJA/
Këtë vit jubilar të 100-vjetorit të Pavarësisë, krahas personaliteteve politike, është mirë të kujtojmë edhe ato të fushave të tjera, që kanë dhënë ndihmesa të shquara, në të mirë të vendit dhe të popullit tonë. Në fushën e mjekësisë, një personalitet i tillë ka qenë mjeku kirurg, Ismet Gega.
U lind në Gjirokastër, në vitin 1879, në një familje me tradita atdhetare e me veprimtari të drejtpërdrejtë politike. I jati, Veseli ka qenë deputet i Perandorisë Osmane.
Pas mbarimit të shkollës fillore dhe plotore në vendlindje, Ismeti kreu shkollën e mesme dhe Fakultetin Ushtarak të Mjekësisë në Kostandinopol (Stamboll). Studimet i përfundoi në vitin 1905 dhe, me gradën kapiten i klasës II, u caktua mjek karriere në ushtrinë turke, ku punoi deri në vitin 1912.
Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në vitin 1913, u kthye në atdhe dhe hyri në shërbimin ushtarak kombëtar, me gradën kapiten i klasës I. Në vitin 1914, u caktua drejtor i spitalit të Vlorës, të cilin e themeloi. Në prill të vitit 1921 u gradua major dhe u emërua shef i seksionit të shëndetësisë, pranë Ministrisë së Luftës. Në vitin 1922, dha dorëheqjen nga ushtria dhe punoi mësues shkencash, në Gjimnazin e Shtetit dhe në Medresenë e Lartë të Tiranës. Në vitin 1923, u emërua drejtor i Spitalit të Shtetit në Gjirokastër, të cilin e themeloi. Në dhjetor të atij viti, u rimor në shërbim ushtarak, me vendim të Këshillit të Lartë të Shtetit Shqiptar dhe u emërua drejtor e mjek operator, me gradën major, në spitalin ushtarak të Shkodrës. Nisi punën në fillim të vitit 1924 dhe qëndroi në Shkodër deri në qershor të vitit 1925, kohë kur u nxor në lirim. Në nëntor të vitit 1925 u dërgua përsëri në Vlorë, si mjek i Bashkisë. Në vitin 1928 u emërua anëtar i Këshillit të Shëndetësisë, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shëndetësisë dhe u zgjodh anëtar i asamblesë bashkiake të Tiranës. Në prill të vitit 1932 u thirr përsëri në shërbim ushtarak, në spitalin e përgjithshëm ushtarak të Tiranës, ku punoi mjek kirurg, deri në vitin 1935, kur u gradua nënkolonel dhe, për merita të veçanta drejtuese, u emërua drejtor. Nuk u pajtua me pushtimin e spitalit ushtarak nga italianët dhe kjo qe një nga arsyet e largimit nga kjo detyrë, më 7 prill 1939. U emërua inspektor higjiene në ushtri, deri në vitin 1940, kur u përjashtua nga shërbimi, si dhe shumë oficerë të tjerë. Më pas u rithirr në shërbim ushtarak, por nuk pranoi. Me kërkesën e tij, doli përfundimisht në pension, më 20 mars 1944. Në prill të atij viti, duke qenë në pension, u gradua. Vdiq më 27 mars 1952, në Tiranë.
Doktor Ismeti ka qenë mjek me horizont shumë të gjerë. Si njohës i disa gjuhëve, ishte në dijeni të çdo gjëje të re, që ndodhte në botën mjekësore. Në vitet 1933 e 1935, botoi librin “Mjeku i Shtëpisë”, në dy vëllime, me rreth 700 faqe, duke derdhur në të dijet e shkencës mjekësore të kohës dhe përvojën e madhe vetjake. Në parathënien e librit, ai shkruan me modesti: “…i lutem gjithkujt, të mos ngutet nga nakari (smira-P.B.) të kritikojë poshtë e nalt të metat, që do t’i takojë aty këtu në këtë libërzë, por të ketë zili, të kapij pendën në dorë, të lodhë pak trutë e të pregatitë një libër ma të mirë e ma të dobishëm, sepse kështu mund t’i bajë shërbime atdhetarëve”. Libri u tërhoq gjerësisht nga familjet shqiptare të asaj kohe dhe në shumë prej tyre ruhet ende. Në vitin 1937, ai u përfshi në librin biografik “Who’s Who” (“Kush është ky”) in Central and East Europe (published by the Central European Times Publishing Co Ltd., Zurich, 1937), bashkë me figura të tjera shqiptare të shquara të kohës.
Doktor Ismeti është dalluar jo vetëm për aftësitë e larta drejtuese dhe profesionale, por edhe për shpirtin njerëzor të tij, të shfaqur gjerësisht. Ishte një njeri i dashur, i zgjuar, hokatar, i mbrujtur me dhembshuri ndaj njerëzve, që vuanin dhe me respekt për kolegët. Vizitonte falas të sëmurët e skamur dhe u shpërndante ilaçe falas atyre; u jepte përvojë mjekëve të rinj dhe interesohej për t’i specializuar ata në Firence të Italisë.
Dr. I. Gega nuk pranoi ofiqe turke, por erdhi në atdhe, kur e thirri nevoja e shpëtimit kombëtar dhe qëndroi këtu, duke shkrirë dijet dhe energjitë e veta, në të mirë të mjekësisë shqiptare dhe të popullit të vet. Akordimi nga Mbreti Zogu I i dekoratës së lartë “Komandar i Urdhënit të Skënderbeut”, më 27 gusht 1938, tregon se dr. Ismet Gega ishte në ballin e mjekësisë shqiptare të asaj kohe. Do të ishte në nderin e spitalit të Vlorës, që të mbante emrin e themeluesit të tij të shquar, dr. Ismet Gega.
Tiranë, 18 dhjetor 2012