• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HASAN PRISHTINA, VIZIONAR I MADH-SHTATORJA NE TIRANE

November 23, 2012 by dgreca

Kryeministri Berisha ishte te premten e 23 nentorit, i pranishëm në ceremoninë e vendosjes së shtatores së patriotit të shquar Hasan Prishtina. Shtatorja, e realizuar nga skulptori Artan Peqini, u vendos në një nga sheshet kryesore në qendër të Tiranës.E pranishme në këtë ceremoni të organizuar nga ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ishte edhe Presidentja e Republikës së Kosovës znj. Atifete Jahjaga, Kryetarja e Kuvendit znj. Jozefina Topalli, kryetari i Bashkisë së Tiranës z. Lulzim Basha, si dhe të ftuar të tjerë.

Kryeministri Berisha, gjatë fjalës së tij përshëndetëse, vlerësoi lart figurën dhe kontributin e Hasan Prishtinës për pavarësinë e Shqipërisë. “Duke shprehur krenarinë tonë të madhe për këtë burrë të shquar të kombit, këtë arkitekt të pavarësisë së Shqipërisë, këtë arkitekt të bashkimit të shqiptarëve të të gjitha trojeve etnike, le të punojmë ne së bashku për të shndërruar në realitet ëndrrën e tij në një Evropë të Bashkuar”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

Sot për kryeqytetin e Shqipërisë është një ditë e shënuar, pasi vendoset këtu apo kthehet në kryeqendrën e Shqipërisë arkitekti i Shqipërisë etnike, arkitekti i pavarësisë së Shqipërisë, burri i madh që shkriu energjitë e tij për bashkimin e trojeve shqiptare, për pavarësinë e Shqipërisë, për dinjitetin e shqiptarëve. Hasan Prishtina me veprën e tij, me të gjithë përkushtimin e tij, u shndërrua në flakëmbajtësin e idealit të bashkimit kombëtar të Lidhjes së Prizrenit. Ky burrë trim, guximtar e i mençur i kombit udhëhoqi lëvizjet më të mëdha çlirimtare që shqiptarët kanë pasur në kohërat moderne. Përfaqësuesi i shqiptarëve në Parlamentin e Perandorisë Osmane do të zotohej solemnisht se “unë do të organizoj kryengritje të armatosura për çlirimin e shqiptarëve, do të bëj gjithçka për Shqipërinë etnike”. Pas takimit të njohur tashmë në histori me Ismail Qemalin dhe një grup burrash të mëdhenj të kombit shqiptar, në Taksim, ai mori përsipër organizimin e kryengritjeve çlirimtare të shqiptarëve për të themeluar Shqipërinë etnike. Hasan Prishtina u kthye në Kosovë, në Drenicë, në Prekaz, Krujën e dytë të shqiptarëve dhe nisi organizimin e asaj lëvizje të madhe çlirimtare që do të përmbyste qeverinë xhonturke, qeverinë që erdhi me parulla të Revolucionit Francez, të cilat Hasan Prishtina i kishte bërë të vetat, por që dëshmoi armiqësinë më të madhe të shqiptarëve. Ky vizionar i madh parashikoi se aleanca Ballkanike nuk ishte gjë tjetër, përveçse aleancë e shenjtë kundër shqiptarëve, aleancë për copëtimin e trojeve të tyre, aleancë për asgjësimin e shqiptarëve. Ai kuptoi se shqiptarët i pret një pushtim i dytë i tipit të Dushanit, pushtim që synonte ekstreminimin përfundimtar të tyre. I vetëm, me një mbështetje të gjerë popullore, u ngrit kundër kësaj aleance, u ngrit kundër Portës së Lartë dhe bëri që zëri i shqiptarëve të ushtojë fuqishëm në të gjitha kancelaritë e botës.

Kryengritja e vitit 1912 e udhëhequr nga ky vigan jehoi në mbarë botën e qytetëruar. Hasan Prishtina nuk mundi të ishte në Vlorë ditën e shpalljes së flamurit, sepse aleanca antishqiptare e barbarëve që sulmuan trojet shqiptare e arrestuan atë dhe e mbajtën peng për muaj të tërë në Beograd. Përsëri i lirë do t’i përkushtohej më shumë se kushdo tjetër, do të vendoste gjithçka dhe mbi çdo gjë Shqipërinë etnike, bashkimin e trojeve shqiptare. Më pas në qeverinë e Ismail Qemalit, në qeverinë e Princ Vidit, në Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare, përsëri ai u bë protagonisti kryesor i shqiptarëve, të trojeve të tjera të pushtuara nga armiqtë dhe fqinjët tanë.

Sot, Hasan Prishtina vjen këtu në gjirin e qytetarëve të kryeqytetit, në gjirin e qytetarëve shqiptarë. Ai qëndron madhërishëm në Prishtinë, qëndron në Shkup, ish kryeqyteti i lëvizjeve shqiptare nga i cili Hasan Prishtina do të trondiste në themele Portën e Lartë, do të shpaloste projektin e bashkimit të trojeve shqiptare. Ai vjen sot më krenar se kurrë, sepse shqiptarët janë të lirë në të gjitha trojet e tyre etnike, sepse shqiptarët janë sot me vetëdijen më të madhe se kurrë për të punuar me përkushtim për të shndërruar në realitet idealin e pavdekshëm të Lidhjes së Prizrenit, idealin e pavdekshëm të Hasan Prishtinës, idealin e bashkimit të shqiptarëve.

Duke shprehur krenarinë tonë të madhe për këtë burrë të shquar të kombit, këtë arkitekt të pavarësisë së Shqipërisë, këtë arkitekt të bashkimit të shqiptarëve të të gjitha trojeve etnike, le të punojmë ne së bashku për të shndërruar në realitet ëndrrën e tij në një Evropë të Bashkuar.

Nder kujtimit dhe veprës së Hasan Prishtinës!”

Filed Under: Kronike Tagged With: Hasan Prishtina, Shtatorja

PRESIDENTJA JAHJAGA EMERON BLERIM SHALEN KORDINATOR POLITIK PER DIALOG KOSOVE-SERBI

November 23, 2012 by dgreca

Blerim Shala – koordinator i dialogut/

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga emëroi Blerim Shalën koordinator politik për dialogun Kosovë-Serbi.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, nenin 83 dhe nenin 84, pika 2 dhe pika 4, dekretoi zotëri Blerim Shalën, koordinator politik në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga kabineti i presidentes Jahjaga.
Ndërkohë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka mirëpritur dekretimin nga Presidentja e Kosovës, të zotit Blerim Shala në pozitën e koordinatorit politik në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, thuhet në një deklaratë të kryeministrit kosovar.
Në bisedimet teknike të zhvilluara deri në fillim të këtij viti, Kosovën e ka udhëhequr në bisedime, zëvendëskryeministrja, Edita Tahiri.
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiq, kanë zhvilluar deri më tash dy takime në Bruksel, në atë që është vlerësuar si dialog i nivelit më të lartë.
Blerim Shala në negociatat e zhvilluara mes Kosovës e Serbisë në Vjenë, para shpalljes së pavarësisë, ka qenë koordinator i Ekipit të Unitetit.
Kabineti i presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, nuk ka dhënë detaje në lidhje me rolin që do ta ketë, nënkryetari i AAK-së, Blerim Shala në këtë proces të dialogut.
Gjithashtu nuk dihet nëse do të formohen grupe punuese, apo cilët do të jenë hapat e ardhshëm të palës kosovare në përballjen me delegacionin serb.(a.i.)

Filed Under: Kronike Tagged With: Atfete Jahjaga, Blerim Shala

KONSULLI I NDERIT NE MICHIGAN, EKREM BARDHA FALENDERON KRYEMINISTRIN BERISHA PER FTESEN

November 23, 2012 by dgreca

Konsulli i Nderit i Republikes se Shqipërisë në Michigan ftohet të marrë pjesë në Festimet e 100-Vjetorit të Pavarësisë në Vlorë e Tiranë.

Me ftesë të posaçme nga Kryeministrit Shqiptar, Prof. Dr. Sali Berisha, Konsulli i Nderit, aktivisti dhe biznesmeni i njohur shqiptar në Amerikë Ekrem Bardha, ndodhet në Tiranë për të kremtuar 100 Vjetorin e Pavarësisë në Atdhe.

“Ishte ky një detyrim moral, -thotë Bardha gjatë një telefonate me Komisionin e Festimit të këtij Jubileu në komunitetin shqiptar të Michiganit, dhe një vlerësim për mua, që gjithësesi duhej vlerësuar me pranimin e ftesës. Duke pasë parasysh se përgatitjet për këtë kremtim në komunitetin tonë ishin në fazen përfundimtare dhe çdo gjë po shkon sipas parashikimeve dhe programit të këtij komisioni, vendosa edhe me miratimin tuaj, të jemë pjesë e këtij manifestimi madhështor në vendin ku do të donte të ishte çdo shqiptar.

Bindem në punën e mirë që ka bërë ky Komision, i përbërë nga përsona të nderuar të tri qendrave fetare, të pothuajse të gjitha shoqatave që veprojnë në Michigan, se çdo gjë do të shkoj mirë.

Me këtë rast falenderoj, të gjhithë ata që punuan për këtë përgaditje, që vërtetë do të jetë madhështore në Qendren e Shën Palit, e cila është kthyer në një qendër kombëtare, në një Shqipëri të vogël jashtë atdheut, shumë të vlerësuar e të nderuar nga të gjithë ata që kanë pasë mundësinë ta vizitojnë. Një falenderim i veçantë për Kryeministrin Sali Berisha për ftesën time, si dhe diplomacinë shqiptare në Washington”

Pjesë nga ftesa që Ekrem Bardhës i ka ardhur nga Kryeministri shqiptar:

Duke vlerësuar kontributin tuaj përsonal në promovimin e identitetit dhe të vlerave të kombit, si edhe të imazhit të Shqipërisë e kombit shqiptar në SHBA e më gjërë, kam kënaqësinë e veçantë t’ju ftoj të festojmë së bashku me qytetarët e vendit tim, qeverinë shqiptare, si edhe miq të tjerë të nderuar nga kombe e vende mike, këtë jubilee historik të 100-Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Bashkangjitur me këtë ftesë do të gjeni edhe programin e festimit të datës 28 Nëntor 2012.

Me sigurimet e konsideratës dhe të respektit më të lartë.

Juaji

Sali Berisha

Korespodenti i Revistes ” Kuvendi”

MICHIGAN

SHENIM I DIELLIT:

Kane marre Ftese te drejteperdrejte nga Kryeministri Sali Berisha per te qene pjese e festimeve edhe disa veprimtare e biznesmene te tjere ne New York si:Kryetari I VATRES-Dr. Gjon Bucaj; zv/kryetari I Vatres-Agim Rexhaj, anetaret e Kesgillit vellezerit Bitici, Sejdi Hysenaj, Jonuz Ndreu etj.

Filed Under: Kronike Tagged With: agim Rexhaj, Ekrem bardha, Ftese nga Berisha, Gjon Bucaj, Sejdi Hysenaj, velelzerit Bitici, Zef Balaj

“KOMBI” NE WORCESTER, TELEGRAM URIMI DY PRESIDENTEVE

November 23, 2012 by dgreca

SHOQATA ATDHETARE KULTURORE KOMBI/

301 Pleasant St,Worcester,MA01609/

USA/

Worcester,MAmë, 23 Nëntor 2012

 

TELEGRAM URIMI

Shkëlqesisë së Tij, Z. Bujar Nishani
President i Republikës se Shqipërisë
Dhe

Shkëlqesisë së Saj, Zonja Atifete Jahjaga

Presidente e Republikës së Kosovës

 Të nderuar Zoti President Nishani dhe Zonja Presidente Jahjaga!

 Duke ju dërguar përshëndetjet më të mira për suksese në punët Tuaja në shërbim të kombit  shqiptar;

Shoqata KOMBI që përfaqëson me dinjitet shqiptarët eWorcester,MAka nderin t’ju urojë Ditën e 28 Nëntorit, si Dita e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe e Flamurit Kombëtar!

Shoqata KOMBI organizon më 28 Nëntor 2012 ngritjen e Flamurit Kombëtar në bashkinë e qytetit të Worcester, MA; veprimtari të cilën ne e kemi bërë traditë.

Puna jonë e vazhdueshme për të mbajtur gjallë Identitetin Kombëtar, për të ushqyer dashurinë për kombin shqiptar dhe kombin amerikan e ka bërë shoqatën tonë më aktive në komunitetin amerikan të qytetitWorcesterdhe bashkëkombasit më të respektuar.

Me urimin e Ditës së Flamurit për Shqipërinë dhe kombin shqiptar bashkojmë zërin tonë për një Shqipëri dhe Kosovë të mirëintegruar në familjen Europiane dhe Aleancën Euro-Atlantike!

Me konsideratën më të lartë,

Këshilli Drejtues

Artur Vrekaj , Kryetar

Ilir Maçi              Nënkryetar

GentMetaj                Sekretar

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: artur vrekaj, Jahjaga, presidenti Nishani

“PETRO NINI LUARASIN” E PRESIN ME FLAMUJ, NË PRISHTINË…

November 23, 2012 by dgreca

-Dhurohen mbi 200 libra, kushtuar Petro Nini Luarasit, për shkollat e Kosovës-/

Nga: MURAT  GECAJ/

1.

Nuk ishte hera e parë, që në ditën e djeshme e bëja udhën për në Kosovë e në Prishtinë. Kisha shkuar atje edhe pas mbarimit të luftës dhe çlirimit të saj, nga pushtuesit barbarë serbë. Atëherë, ajo ishte e shkatërruar, se kishte përjetuar humbje shumë të mëdha në njerëz, materiale etj. Por liria kërkonte sakrifica dhe ato ajo i përballoi me qendresë të pashoqe dhe fitoi. Për ato fakte tragjike, por dhe heroike, shkrova e publikova librin “Si e pashë unë Kosovën” (Tiranë, 2000). Ndërsa në udhëtimet e mëpastajme e kam parë me gëzim të natyrshëm atë vend të lirë, që ripërtërihej dhe përparonte pa ndërprerje. Pastaj, erdhi plotësimi i një ëndrre e shprese shumëvjeçare: Kosova u shpall  Republikë, e pavarur e demokratike. Dhe ja, vetëm pas një muaji, kur kaluam përmes Prizrenit e arritëm në Shkup, tani ndodhemi përsëri në këtë tokë të bekuar dhe të mbushur plot me flamuj, kombëtarë e shtetërorë, por dhe të BE-së e SHBA-ve. Se, ashtu si Shqipëria, trojet tjera amtare e diaspora, Kosova është në festë. Ajo po e pret me gëzim  të patreguar shpalljen e Pavarësisë dhe krijimin e shtetit të parë shqiptar. Kjo gjë na bie kudo në sy, kur kalojmë pranë maleve të Sharrit, në Carralevë, Shtimje, Malishevë ose Lipjan etj.

Në Prishtinë gjejmë po atë mjedis festiv, që e lamë para disa orëve në Tiranë e gjatë tërë udhës, në Kamzë, Fushë-Krujë, Milot, Mirditë e Kukës, duke përshkuar “Udhën e Kombit”. Për vizitën tonë këtu kanë dijeni në Bibliotekën Qendrore, ku na presin me përzemërsi kolegët, drejtorë të dy bibliotekave, Sali Bashota e Munish Hyseni. Pasi çlodhemi pak e pijmë nga një kafe, hyjmë në sallën e mbledhjeve. Aty takohemi me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Isa  Mustafën dhe drejtoreshën e kulturës, rinisë e sporteve, Vlora Dumoshin, e cila është koordinatore e kësaj veprimtarie. Pastaj përshëndetemi me mjaft kolegë e miq të njohur, si me Akademikët Pajazit Nushi e Ramiz Këlmendi, prof. Shefkije Islamaj, publicistin e poetin Vezir Ukaj, piktorin Agim Krasniqi, shkrimtarin Adem Zaplluzha, poetin Izet Abdyli e të tjerë. Në mes tyre, ka mjaft drejtues të shkollave e punonjës të arsimit, kulturës e shkencës, nga media e shkruar dhe ajo elektronike.

2.

Bashkë me prof. Alfred Uçi-Akademik, do të paraqesim para lexuesve dhe personaliteteve të arsimit, kulturës e shkencës librin e ri kushtuar martirit të shkollës shqipe, Petro Nini Luarasi (1865-1911), “Mësues i Popullit”. I pari e merr fjalën M.Hyseni, i cili, ndër të tjera, thotë se ky tubim përkujtimor e festiv organizohet për veprën  e re të Akademikut A.Uçi, të cilën ky ia ka kushtuar, me dashuri e profesionalizëm, atdhetarit e personalitetit të shquar të Rilindjes sonë Kombëtare, Petro N.Luarasit. Më tej shton se, “Thënia e tij lapidare: Edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi”, shërbeu si testament i qendresës, mbijetesës dhe pavarësimit e zhvillimit të shkollës e arsimit shqip, në të gjitha hapësirat shqiptare, të cilat përjetuan pushtime e luftëra, për liri e pavarësi”.

Prof. Alfred Uçi, duke treguar shkurt përmbajtjen e këtij libri, ndalet në përpjekjet e parreshtura të rilindësve tanë, ndër të cilët ishte i palodhuri e martiri i shkollë shqipe, Petro N.Luarasi, gjysh i tij. Përveç ndihmesës, që ai dha për hapjen e funksionimin e shkollave shqipe, në krahinën e tij të Kolonjës, u dallua edhe në drejtimin e shkollës së parë kombëtare të Korçës, ku drejtor i parë kishte qenë Pandeli Sotiri. Gjithshtu, folësi tregon se në këtë vepër janë publikuar disa shkrime të Petro Ninit, si dhe dëshmi e dokumente të tjerë arkivorë, kujtime të bashkëkohësve, nga shtypi i atyre viteve dhe i mëvonshëm etj. Në fund, ai u tregon të pranishmëve se kishim sjellë me vete mbi 200 libra kushtuar Petro N.Luarasit, dhuratë për shkollat shqipe të Kosovës. (Disa libra i lamë aty dhuratë edhe për shkollat e Kosovës Lindore-Preshava). Kjo është diçka simbolike, në këtë prag të festimeve për 100-vjetorin e krijimit të shtetit të parë shqiptar.Ndërsa prof. M.Gecaj flet për udhën e gjatë e të vështirë të krijimit dhe funksionimit të shkollave shqipe gjatë këtij 100-vjeçari, si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, Çamëri e diasporë. Që nga 7 marsi i vitit 1887, kur u hap shkolla e parë në Korçë, u deshën shumë mund, dituri e sakrifica të panumërta, që shkolla në gjuhën tonë amtare të mbijetonte e te zhvillohej. Më tej, pas, posaçërisht, ndalet në rrethanat e çeljes së shkollës së Prizrenit (më 1 maj 1889), e cila ishte dhe e para në Kosovë, me mësues Mati Logorecin e Lazër Lumezin. Një rëndësi të veçantë i kushton dhe tregon me fakte punën e Dikastërit të Arsimit, në Qeverinë e Vlorës, pas 28 Nëntorit 1912. Ai drejtohej nga Luigj Gurakuqi dhe pranë kishte delegatin e Koszovës në Kubend,  pejanin Sali Gjukë Dukagjni, tani “Mësues i Popullit”. Bashkë me mjaft kolegë të tjerë, ata iu përkushtuan hapjes dhe funksionimit të shkollave në gjuhën amtare në katër qarqet e Shqipërisë së asaj kohe. Në vazhdim, folësi nënvizon ndihmesën e mësuesve, të cilët shkuan nga Shqipëria, në Kosovë, në vitet 1041-1945. Po kështu, u ndal në përpjekjet e parreshtura për shkollën shqipe, nën regjimin serb dhe për zhvillimin e saj në udhën demokratrike, pas vitit 1999, kur vendi u çlirua një herë e përgjithmonë.

Kryetari i Komunës së Prishtinës,  Isa  Mustafa e uron prof. A.Uçi për veprën e re, kushtuar Petro Nini Luarasit dhe paraqitjen e përmbajtjes së saj para auditorit, si dhe prof. M.Gecajn për pasqyrimin, në fjalën e tij, të udhës nëpër të cilën ka kaluar shkolla shqipe, në të gjitha trojet tona amtare, deri në ditët e sotme.

Në vazhdim, Prof. A.Uçi e prof. M.Gecaj u dhurojnë libra të tyre, me nënshkrim, disa pjesëmarrësve në këtë veprimtari, mbresëlënëse e të paharruar.

3.

Në mbyllje të këtyre pak radhëve, kërkoj mirëkuptimin e lexuesve, se do të tregoj diçka, që më bëri përshtypje, por që nuk lidhet direkt me veprimtarinë e mësipërme. Kur po hanim drekë, në Prishtinë, aty pranë nesh ishin tre të moshuar. Njëri nga ata, që më pas më tregon se ishte nga Peja dhe quhet Mit’hat Begolli, ngrihet nga karrikja, më përshëndet dhe e vë gishtin e tij tregues në gjokshin tim. Aty e kisha vendosur simbolin e Flamurit tonë Kombëtar. “Qenka shumë i bukur!”,-u shpreh ai… E kuptoj se dëshiron që edhe ai ta ketë një të tillë, në këto ditë feste. Sakaq, e heq nga xhaketa dhe ia jap atij, duke i  thënë se një simbol të tillë, pra të Flamurit tonë, do ta marr përsëri në Tiranë. E kundershton pak veprimin tim miqësor dhe më përqafon me dashuri e më falenderon nga zemra. Kështu, ne ndahemi si dy miq të vjetër, të njohur kohë më parë.

…Largohemi nga Prishtina, të mbushur plot kënaqësi dhe me ndjenja të bukura, shkaktuar nga tërë mjedisi i mrekullueshëm festiv, në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë. Këtë gjë ne e pamë kudo, pra jo vetëm në kryeqytetin e Kosovës, por dhe në qytete e fshatra të saj.(Foto: Pamje nga salla, ku u zhvillua veprimtaria…)

Tiranë, 23 nëntor 2012

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: A;freed Uci, Murat Gecaj, petro Nini

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5689
  • 5690
  • 5691
  • 5692
  • 5693
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT