• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A PO E “VRASIN” KOSOVËN ME PATRIOTIZËM FOLKLORIK?

May 23, 2020 by dgreca

– Mora shkas për këtë shkrim nga një levizje apo manovër e disa grupimeve shqiptare në Amerikë nën emrin: ”Coalition of Albanian American Organizations”, të cilët po mundohen të influencojnë nëpërmjet një  peticoni drejtuar Pesidentit Trump, Kongresit dhe Senatit, duke protestuar sipas tyre, kundër një politike të gabuar apo të dështuar të SHBA-ve në Kosovë apo edhe për shkarkimin e të dërguarit special në Kosovë, Richard Grenell. Kjo lëter-protestë është pregatitur së fundmi dhe u është përcjellur për mbështetje, një spektri të gjerë të shoqatave dhe institucioneve fetre shqiptare në SHBA.  

NGA VALENTIN LUMAJ*/

Kosova, kjo gjysma e zemrës time dhe e shqiptarëve, vuan rrezikun e ndarjes dhe të copëtimit edhe sot që është e lirë dhe e pavarur. Ajo, falë Amerikës dhe gjakut të dëshmoreve të saj, fitoi pavarësinë nga Serbia dhe të gjithë armiqtë e huaj. Por Kosova ende nuk ka fituar lirinë nga bijtë e saj plangprishës. Kjo është beteja më e vështirë që e pret përpara. Shqiptarët janë armiqtë më të mëdhenj të Kosovës. Nuk e kam fjalën për shumicën e shqiptarëve, por për dy, tre ose me shumë tradhëtarë të idealeve, njerëz pa atdhedashuri, pa principe, pa dinjitet, të shitur dhe të blerë majtas e djadhtas, të cilët nëpërmjet mashtrimit dhe intrigave kanë mundur të zaptojnë majat kyçe të dretimit të shteteve dhe partive shqiptare. Falë këtyre politikanëve shqiptarë është krijuar një ngërç në hapat e Kosovës drejt shtetformimit modern dhe proceseve të saj integruese.

 Mora shkas për këtë shkrim nga një levizje apo manovër e disa grupimeve shqiptare në Amerikë nën emrin: ”Coalition of Albanian American Organizations”, të cilët po mundohen të influencojnë nëpërmjet një  peticoni drejtuar Pesidentit Trump, Kongresit dhe Senatit, duke protestuar sipas tyre, kundër një politike të gabuar apo të dështuar të SHBA-ve në Kosovë apo edhe për shkarkimin e të dërguarit special në Kosovë, Richard Grenell. Kjo lëter-protestë është pregatitur së fundmi dhe u është përcjellur për mbështetje, një spektri të gjerë të shoqatave dhe institucioneve fetre shqiptare në SHBA.  

  • Në shikim të parë, ky peticion duket shumë joshës dhe impresiv, por po të lexojmë me kujdes përmbajtjen e kësaj letre, dallojmë një dozë të fortë proteste, mosbesimi dhe pakënaqësie të dorëshkruesve të saj. Letrën në tërësi e percjellin akuza dhe paranoja se Amerika nuk është më aleati i besueshëm i Kosovës. 
  • Kjo letër fillon me spekulim, duke nënvizuar se drejtohet në emër të organizatave përfaqësuese të një milion shqiptarëve në Amerikë. Kush e bëri këtë census?  Nga erdhi kjo shifër? Aq më tepër, shumë nga këto shoqata të listuara kanë vetëm nga një anëtar. Por edhe të tjerat apo bashkësitë fetare nuk mund të shprehin mendimin politik të të gjithë anëtarëve. Janë me dhjetra e dhjetra organizata dhe shoqata të tjera atdhetare në Amerikë të cilat kanë refuzuar nënshkrimin e këtij peticioni, per mungese të sinqeritettit dhe të koherencës në këtë peticion.
  • Aty akuzohet Presidenti Trump dhe përfaqësuesi i tij Grenell, se po mundohen me çdo kusht, qoftë edhe copëtimin e Kosovës me qëllim që të arrijnë një paqe  në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ky është një spekulim i pastër dhe një akuzë e pabazuar në fakte. Grenell ka deklaruar se në asnjë rast nuk është biseduar për shkëmbim territoresh në mes Serbisë dhe Kosovës. 
  • Ndër të tjera në letër, akuzohet diplomacia e Presidentit Trump si dritë-shkurtër kur në të vërtetë janë autorët e këtij peticioni ata të cilët nuk shohin me larg se tek hunda e vet. Ata, me dashje apo naivitet, po dëmtojnë mardhëniet e shkëlqyera midis shqiptarëve dhe Amerikës.
  • Autorët e letrës akuzojnë politikën amerikane se po luan me gjakun dhe viktimat e luftës së Kosovës, dhe harrojnë se ishte Amerika e cila shfarosi makinën ushtarake serbe, i siguroi lirinë Kosovës dhe sot e kësaj dite garanton me prezencën e trupave amerikane atje, paqen dhe sigurinë e Kosovës.
  • Në letër theksohet se Amerika, me dashje ose jo, është në një linjë me Kinën dhe Rusinë në mbështetje të Serbisë për ridimensionimin e kufijve të Kosovës. Edhe kjo, pa asnjë bazë si të tjerat, një spekulim dhe akuzë e padrejtë dhe e paqenë ndaj ShBA-ve.
  • Në një paragraph nga ky peticion thuhet: ”…ne duhet të protestojmë në format më të fuqishme të mundshme, kundër akteve të fundit të përfaqësuesve të SHBA-ve dhe më konkretisht të akteve të Përfaqësuesit Special të SHBA-ve, Richard Grenell, të cilat i sigurojnë mbështetje Serbisë dhe krijojnë një krizë politike të panevojshme…”. Ky ton i ashpër komunikimi, krijon më së miri një tymnajë dhe opinion në popullatë se në mes komunitetit shqiptar dhe Shtëpisë së Bardhë egziston një konflikt dhe një aludim se ndoshta Presidenti Trump do ta shkarkojë ambasadorin Grenell. Grenell është një ndër figurat më të afërta, më të suksesshme dhe më të besuara të Presidentit. Presidenti Trump në asnjë rrethanë të gjendjes në Kosovë nuk do ta shkarkojë si humbës perfaqësuesin e zgjedhur të tij. Atëherë në qoftë se nuk e shkarkon, i bie që Presidenti do ta mbrojë Grenell. Po si do ta mbrojë? Përgjigja është e thjeshtë: Grenell ka vepruar dhe vepron në favor të interesave të Amerikes dhe sipas vullnetit të përfaqësuesve të shteteve të Kosovës dhe Serbisë. Presidenti Trump do t’i lajë duart si Pilati duke thëne: Unë nuk gjej faj tek ky njeri. 

Për këtë arsye dhe të tjera të përmendura më lart, do të krijohet një klimë e pakënaqëshme dyshimi në mes shqiptarëve në përgjithësi dhe Presidentit.  Në qoftë se ndodh kështu, do të thotë që këto grupime, po bëjnë veprime jo të matura mirë ose vetëvrasje politike në dëm të shqiptarëve.

Po a është çështja e Kosovës qëllimi i vërtetë i kësaj letre? 

Në fakt, po të thellohemi pak, më shumë se një lëvizje në favor te Kosoves, unë mendoj (qofsha i gabuar) se bëhet për dy qëllime të tjera:

1- për populizëm, nga ata, të cilët nuk e kuptojnë politikën, dhe 

2- është një lëvizje politike e disa individëve shqiptarë në SHBA, përkrahës apo anëtarë të Partisë Demokratike këtu dhe me lidhje të afërta me përfaqësues të kësaj Partie në Kongres. Ky manovrim, jo pa qëllim, bëhet  në prag të zgjedhjeve presidenciale, me të vetmin qëllim: dobësimin e figurës së Presidentit Trump përpara elektoratit shqiptaro-amerikan dhe më gjerë.

Kjo e dyta është shumë serioze dhe e shoh si të mirë-menduar dhe të mirë-pregatitur dhe një thikë mbas shpine me shumë presa, që do të thotë: 

-Në qoftë se Presidenti Trump e shkarkon ambasadorin Grenell, kjo do të  përkthehet dhe përdoret si dështim i Trump në Kosovë. 

-Në qoftë se nuk e shkarkon, atëherë do të akuzohet se po mbron një person që po vendos në tavolinë kufijtë e Kosovës për të arritur një paqe në mes Serbisë dhe Kosovës dhe në rastin më të mirë për t’a përdorur si sukses të jashtëzakonshëm në favor të ri-zgjedhjes së tij. 

-Po ashtu, po përdoret edhe si propagandë për të vënë në dyshim mbështetjen e Presidentit Trump ndaj Kosovës, duke lënë një shije të keqe dhe mosbesim ndër shqiptarët.  Pra, në të gjitha rastet e mundshme, në filozofine e tyre, Trump nuk është i dëshiruari shqiptarëve të Amerikës në zgjedhjet presidenciale, kështu që ata, do të votojnë Biden. 

Unë i siguroj se rizgjedhja e Trump-it nuk është as pyetje, as nuk është në diskutim; me dhe pa mbështetjen e shqiptaro-amerikanëve, Trump do të fitojë. Por sido që të jetë, këto grupime kurrë nuk duhet të kishin aktruar një sulm të tillë ndaj Presidentit.

Po si mundet që të sulmojnë Presidentin Amerikan apo perfaqësuesit e tij. Po kush? Ne shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës së gjorë, të dëbuar dhe të mbijetuar nga lufta, nga skamja, komunizmi, gjakmarrja e shumë e shumë arsye të tjera, që gjetëm strehë në këtë vend të bekuar, i cili na dha shpresë dhe liri, na dha krahë që nga hiçi filluam një jetë të re në paqe, siguri dhe me të gjitha të mirat e Zotit. Harrojmë se Shqipëria egziston falë Amerikës, Kosova egziston falë Amerikës, harrojmë se edhe ne shqiptaro-amerikanët, në periulla të shkurtra të kohës, përveçse kemi gjetur lirinë dhe prosperitetin tonë dhe të pasardhëseve tanë, kemi arritur shumë më shumë se gjenerata të tëra të paraardhëseve tanë në trojet amtare qysh me zgjedhën e turkut, serbit apo komunizmit. Harrojmë historinë, mikpritjen dhe mbështetjen për më 100 vite te Amerikës dhe sot bëhemi bukë-shkelës.

Në fakt, Grenell nuk është fajtor për qëndrimet dhe veprimet e tij. Ai është qytetar amerikan dhe vendos interesat e Amerikës në plan të parë. Por, ai kurrë nuk do te shkelë, anashkalojë apo injorojë vullnetin e përfaqësueseve të Kosovës. NUK ËSHTË GRENELL APO TRUMP TRADHTARI AS ARMIKU YNË.  TË DASHUR BASHKË-KOMBAS, TRADHËTARËT I KEMI MES NESH DHE PO I KËRKOJMË ATJE KU NUK JANË. KUJTOHUNI SE PROPOZIMI PËR SHKËMBIMIN E TERRITOREVE ËSHTË MË I HERSHËM SE PREZENCA E GRENELL NË KOSOVË. ISHTE THAÇI I PARI QË E PROPOZOI SHKËMBIMIN E TERRIROREVE, QË U PERKRAH NGA KRYEMINISTRI RAMA MË PAS. PËRSE HESHTËT DHE VAZHDONI TË HESHTNI KUR NDARJEN E TERRITOREVE TË KOSOVES E KERKOJNË VETË SHQIPTARËT?

Në gjykimin tim, ky peticion nuk duhet t’i dërgohet Presidentit Trump. Të gjitha shoqatat dhe institucionet fetare në listë, të cilat shohin Presidentin Trump si mik të shqiptarëve, dhe duan që t’a mbajne dhe jo t’a prishin këte miqësi edhe për katër vitet e ardhshme,  duhet të terhiqen nga ky peticion. Thirrja ime është krejt e sinqertë dhe me të vetmin qëllim: ruajtjen e klimës së partneritetit dhe të besimit reciprok midis shqiptarëve dhe Shtëpisë së Bardhë. Çështja e Kosovës apo çështjet kombëtare shqiptare nuk duhet të perzihen apo të përdoren për interesa politike në fushata zgjedhore në Amerikë apo me qëllim denigrimin e padrejtë te figurës së Presidentit të SHBA-ve, i cilësdo parti qoftë.

Diaspora e Amerikës po të ketë “guts”, (për etikë s’dua ta them në shqip), le të unifikojë mendimet dhe qëndrimet, të kërkojë publikisht dorëheqjen dhe perjashtimin nga jeta politike dhe vendim-marrëse të Thaçit dhe Ramës, eksuzuvisht me akuzë për tradhëti kombëtare. Ata janë e keqja që Kosova dhe Shqipëria po lëngojnë sot. Një bashkim i thirrjeve dhe mendjeve tona për dorëheqjen e tyre do te ishte një mesazh i fuqishëm edhe për administratën Trump, duke i shprehur atyre në këtë mënyrë qëndrimin e shqiptaro-amerikanëve në lidhje me Kosovën.  Ky është shërbimi më i mirë që do t’i bënit Kombt sot-për-sot. 

 “Shohim qimen para tjetrit, por nuk e shohim traun para vehtit”.

Nga cikli  “Persiatje mendimesh ne kohe krizash”.

Michigan, 22 Maj 2020

  • Valentin Lumaj,  eshte anetar i Keshillit te Vatres, ish kryetar i Kuvendit te Vatres, te 19 janarit 2020, ne Detroit.

Filed Under: Politike Tagged With: Valentin Lumaj

“SHTËPIA E GJETHEVE”, NJË VIZITË ME “CICERON” NË SHTËPINË E TMERRIT KOMUNIST

May 23, 2020 by dgreca

Etleva Demollari drejtuesja e Muzeut Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia e Gjetheve” rrëfen për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, diskursin aktual mbi të shkuarën dhe rivendosjen e dinjitetit të viktimave të regjimit komunist shqiptar, intervistë dhënë gazetarit Sokol PAJA.

        Në Tiranë shtëpia e Zotit dhe shtëpia e spiunëve qëndrojnë përballë njëra-tjetrës. Një histori persekutimi përplot 50 vjet ndaj klerit fetar, duket sikur dhe sot në heshtje e ndjek nga pas. Në të dy anët e rrugës “Dëshmorët e 4 Shkurtit” duket sikur qëndrojnë të heshtura ferri dhe parajsa. Për krimet monstruoze që regjimi komunist kreu ndaj shqiptarëve të pafajshëm nëpërmjet Sigurimit të Shtetit, qëndrimi afër një Kishe siç duket, xhelatëve u jep pak lehtësim për shpirtrat e vrarë e trupat e masakruar. Një koinçidencë e hidhur. “Shtëpia e Gjetheve” apo Muzeu Kombëtar i Përgjimeve është muzeu më intrigues në kryeqytet. Në vendet totalitare, Muze të tillë sot të tmerrojnë njësoj si diktatura dje. Aty ekspozohen viktima të pafajshëm, të përndjekur e dënuar mizorisht nga regjimi. Në këtë shtëpi tmerri jetojnë viktimat dhe persekutorët. Një bashkëjetesë e tmerrshme. “Shtëpia e gjetheve” u ndërtua në 1931. Muzeun Kombëtar i Përgjimeve përpiqet t’i rrëfejë gjithëkujt por të huajve kryesisht një nga periudhat më të errëta të historisë së Shqipërisë. Ky muze përmban: teknikë operative, metoda të ndryshme dhune, torture e përndjekje, përgjime, kontrolle, spiunime, dëshmitarë, persekutorë, prokurorë, gjykatës, ushtarakë, viktima, familjarë, priftërinj, hoxhallarë, anëtar të komitetit qëndror, armiq, revolucionarë, koperativistë, kolaboracionistë, shpaloset i gjithë tmerri që përjetoi krejt shoqëria shqiptare përgjatë komunizmit. Shtëpia me Gjethe përbëhet nga 31 dhoma dhe 9 seksione ku tregohet me detaje gjithçka kaluan shqiptarët për 50 vjet në diktaurën staliniste. 

EKSPOZIMI I KRIMEVE SI DËNIM MORAL NDAJ XHELATËVE

“Vetëm duke rrëfyer atë që ka ndodhur mund të “kapërcehet” me të vërtetë e kaluara”. Çështja ndryshon kur ky rrëfim bëhet në një muze apo në një sallë gjyqi nga pikëpamja e ndëshkimit. Por mendoj se edhe ekspozimi në muze i fakteve, i dhunës së ushtruar, i atyre që kanë qenë drejtues të Sigurimit të Shtetit është një lloj ndëshkimi moral i autorëve të krimeve. Edhe pse regjimi komunist u rrëzua në fillim të viteve 1990, njerëzit që punonin me Sigurimin mbetën në institucione shtetërore për një kohë të gjatë, duke penguar vendin që të ecë përpara me përpjekjet e tij për të siguruar dhënie llogarie për krimet e të kaluarës. Një numër i vogël njerëzish janë nxjerrë në gjyq për krimet e kohës së komunizmit, por shumica e tyre janë liruar nga akuzat ose janë liruar pasi kanë kryer një pjese të dënimit. Përballja me të kaluarën komuniste është një sfidë e vështirë në Shqipëri. Kjo për faktin se edhe pse sistemi komunist është rrëzuar, ende është gjallë ideologjia komuniste e cila shfaqet në minimizimin dhe përpjekjet për të fshehur e për të fshirë krimet e komunizmit. Drejtësia tranzicionale, pra, realizimi i drejtësisë në fazën e tranzicionit është ende në fillimet e veta në Shqipëri dhe mendojmë se Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” jep kontributin e vet së bashku me shumë institucione të tjera si Autoriteti për Informimin mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit, Instituti mbi Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, IDMC etj në përpjekjet që bëjnë të mundur tranzicionin drejt një shoqërie të qëndrueshme  në paqe dhe më demokratike.

PËSHTJELLIM EMOCIONAL DHE FRIKË NDAJ SIGURIMIT EDHE PAS 30 VITEVE

Fillimisht pas vizitës në Muze, të përndjekurit janë shprehur se ndjenin një pështjellim emocional për shkak të ndjenjës së frikës e të terrorit që Sigurimi i Shtetit, dhe vetë godina ngjallte tek ata. Duhet të them se ka pasur shumë prej tyre që e kanë paragjykuar dhe anatemuar muzeun për arsye politike apo për vetë faktin se godina ka qenë selia e një prej Drejtorive të Sigurimit. Por më pas kur kanë kuptuar se ky muze u kushtohet atyre vetë, personave që janë përgjuar, spiunuar, dënuar e persekutuar nga regjimi komunist, na kanë falenderuar dhe kanë shprehur simpatinë e tyre.

Nga ana tjetër, ne i konsiderojmë ata si partnerë të rëndësishëm të punës tonë. Shumëprej dëshmive të tyre janë pjesë e ekspozitës së përhershme të muzeut. Të gjithë ata individë që kanë statusin e të përndjekurit politik mund të hyjnë falas në muze. Gjithashtu programet edukative që organizon muzeu me nxënësit e shkollave dhe studentët, synojnë rehabilitimin e të dënuarve dhe të mbijetuarve pasi ata ftohen të flasin në mënyrë sistematike në muze jo vetëm për vuajtjet e tyre në burgje e kampe internimi, pse dhe si u dënuan duke u dhënë të rinjve shembuj të gjallë të shkeljes së të drejtave të njeriut dhe të dhunës së ushtruar në komunizëm por dhe për qëndresën, u japin mësime të rinjve si të kenë një qëndrim kritik në jetë. 

TURISTËT E HUAJ TË TMERRUAR NGA DIKTATURA NË SHQIPËRI

Muzeu ka ngjallur një interes të madh tek turistët e huaj të cilët për shkak të izolimit mbi 45 vjeçar nuk e kanë njohur Shqipërinë e asaj periudhe. Që nga hapja e muzut më 23 Maj 2017 ne kemi patur rreth 48 000 vizitorë dhe rreth 58 % e tyre janë të huaj. Ata shprehen të impresionuar mbi gjithçka që ka ndodhur, mbi mënyrën se si ka funksionuar regjimi, dhunën psikologjike dhe terrorin e vendosur në Shqipëri. Në komentet e tyre ata na inkurajojnë në punën tonë mbi informimin e publikut dhe shprehen se muze të tillë janë të nevojshëm që diktatura të mos përsëritet më në të ardhmen. Më 6 dhjetor 2019 Muzeu Kombëtar i Përgjimeve „Shtëpia me Gjethe“ u nderua me Çmimin e Këshillit të Europës  Muzeu i Vitit 2020“ (Council of Europe Museum Prize 2020) nga Forumi Europian i Muzeve dhe nga Ansambleja Parlamentare e Këshillit të Europës.

MUZETË MEMORIALË SI PËRPJEKJE PËR TË RIKTHYER DINJITETIN E VIKTIMAVE

Muzetë kanë potencialin të bëjnë bashkë në një vend pikëpamje të ndryshme duke i ballafaquar faktet përmes mjeteve muzeografike dhe duke e lënë vizitorin e thjeshtë të gjykojë e të dalë në përfundimet e veta. Muzeu Kombëtar i Përgjimeve: “Shtëpia me Gjethe” i ekpozon krimet dhe jep këndvështrime të ndryshme mbi ngjarjet e ndodhura. Në dosjet dhe dokumentet e tjera arkivore të kohës jepet pikëpamja e Sigurimit mbi bashkëpunëtorët apo viktimat e terrorit komunist. Përmes tyre, në mënyrë të tërthortë mund të kuptohen dhe metodat që përdorte Sigurimi për rekrutimin e bashkëpunëtorëve. Këndvështrimi i të dënuarve të regjimit komunist jepet përmes dëshmive gojore. Në muze janë përdorur dokumentarë e intervista të shumta të të persekutuarve politikë gjatë regjimit komunist dhe të familjarëve të tyre. Nëpërmjet paneleve, diçiturave, statistikave jepet pikëpamja e Muzeut. Përzgjedhja e citimeve në sektorin e fundit të ekspozitës në sektorin Panoptikon shpreh qartaz pikëpamjen e Muzeut mbi procesin e ballafaqimit me të kaluarën: “E kaluara nuk vdes kurrë. Ajo madje as ka kaluar “. William Faulkner. “Atëherë ndoshta nuk e kuptoja, por më vonë e kam menduar se paskan patur një kurajo të pacipë këta njerëz që nuk kanë kërkuar falje”-  Amik Kasoruho. Muzeu përcjell idenë se varrosja e së kaluarës komuniste nuk sjell as shërim e as drejtësi për ata që e pësuan sepse ne bartim kujtimin e saj. E kaluara është pjesë e pandarë e jona. Çdo çast i së kaluarës sonë ndërton atë që ne jemi. Kështu që e kaluara jeton brenda nesh. Historia përsëritet, ata që e harrojnë të shkuarën janë të destinuar ta përsërisin. Ndaj asgjë s’duhet të kalojë në heshtje. Asgjë s’duhet të mbetet e pandëshkuar. Kështu, muzeu përpiqet përmes mjeteve muzeografike ta drejtojë vizitorin në vlerësimin e gjykimin e tij pa iu imponuar. Muzetë memorialë e vendet e kujtesës e kanë potencialin për të përmirësuar proceset e drejtësisë tranzicionale, duke u mbështetur në të gjitha palët që punojnë së bashku drejt një dobie më të madhe: njëfarë drejtësie dhe parandalimi të përsëritjes së dhunës.  Muzeu duke shfrytëzur të gjitha mjetet muzeografike jep një kontribut të vyer në diskursin aktual mbi të shkuarën, në njohjen e fakteve, në rivendosjen e dinjitetit të viktimave; nxitjen e debateve të hapura midis padrejtësive të kaluara duke siguruar dhe një vend për reflektim. Mënyra më e mirë kundër abuzimit me të drejtat e njeriut është një qytetari aktive dhe e angazhuar me vetëdije, liri dhe frymëzim për ta ndaluar abuzimin para se të fillojë. Ky mund të jetë një drejtim shumë i rëndësishëm në një shoqëri në tranzicion. 

Filed Under: Featured Tagged With: Shtepia me Gjethe

ISMAILI DHE E DREJTA PËR TË HESHTUR

May 23, 2020 by dgreca

nga Shpend Sollaku Noè/

E kemi gjykuar sa herë flet. E gjykojmë edhe sa herë hesht. Pasi ai përbën lajm, edhe kur ecën, edhe kur tështin, edhe kur, i vetmuar, pi një freskuese.

Çakallët atë presin, t’i këpusin ndonjë të kafshuar, sidomos nga prapa shpine, sidomos kur gjindet i pavëmendshëm. 

Sidoqoftë, Kadare, veç faktit që llogaritet si një figurë e shquar, është edhe Ismail. Me të mirat dhe veset e tij. Me të drejtën për t’u lënë i qetë kur ka dëshirë të pushojë. Ai është i vitlindjes 1936; jo edhe aq i ri. Në atë moshë supreme gjithkujt i lejohet edhe të heshtë, por jo atij. Edhe pse ai nuk është vetëm Kadare por, dhe sidomos në këto 85 pranvera (me gjithë këtë të fundit), është edhe Ismail. 

Ndokush nga ata çakenjtë që e sulmoi ditët e fundit, pasi i kërkoi një opinion rreth prishjes së TK, nuk e vlerësoi të drejtë përgjigjen e tij. Hapu dhe të futem! Kadareja të  mos shprehet? 

Po sikur të ish shprehur “më vjen keq!” ç’do t’i kishin thënë?  Që po t’i kish ardhur keq duhej të kishte bërë këtë apo atë, duhej të kishte thënë kështu dhe jo ashtu…

Po sikur, larg qoftë, të kish thënë “bënë mirë që e shembën”? Prapë do t’i kishin treguar ferrin që meritonte. “Si more bënë mirë? Pse e thua këtë? Ke frikë se të ndëshkojnë ty? Asgjë nuk mund të të bëjnë. Kush, tjetër ka patur dy muzera me emrin e tij qysh për së gjalli? Një në kryeqytet e tjetrin në vendlindje. Atëherë i trëmbesh represioneve ndaj familjarëve të tu? Epo, edhe dikur, ke lënë të kuptosh, që ke qenë i detyruar t’i bësh elozhe dikujt, edhe pse kishe patur mundësi të arratiseshe shumë më parë se ajo që  kreve me shumë vonesë. Edhe atëherë, me ç’kemi lexuar prej teje, këtë frikë kishe pasur. Jo, mor, jo, t’i nuk ke të drejtë të kesh frikë. Ashtu si nuk ke të drejtë edhe të heshtësh, asnjëherë. Sepse ashtu na pëlqen më shumë ne çakenjve.”

Sipas kësaj logjike perverse Ti Ismail nuk ke të drejtë as për t’u plakur, as për t’u sëmurur, as për të thënë që nuk ndihesh mirë. Largqoftë sikur të të shpëtojë nga goja: “Mos më ngatërroni…”.

Ajo çfarë të ndodhi këto ditë më solli ndërmend një personazh të madh italian, bankierin Enrico Cuccia. Atij i qepeshin zagarët e shtypit sapo dilte nga shtëpia e deri atje ku duhej të shkonte. Shpesh ndodhej në këmbë. Ai kish një durim të mbinatyrshëm. Nuk i përgjigjej asnjërës prej pyetjeve të panumërta që i drejtonin, shpesh edhe provokime të hapura. Vazhdonte të ecte gojëqepur dhe me një fytyrë të padeshifrueshme. 

Ashtu si të provokojnë edhe ty. Për të të shkëputur edhe një fjalë të vetme. Ajo fjalë për çakenjtë do të thotë lavdi: arritën ta provokojnë atë, të llastuarin e pushteteve. 

Por edhe ti, mbaje të kyçur atë gojë, gjithmonë, sidomos rrugës, sidomos kur nuk je duke i dhënë intervistë një gazetari të verifikuar si të tillë. Sidomos kur të ngatërrojnë me politikën e sotme. Dikur u ngatërrove, me apo padashje, edhe ta kujtojnë e do të ta kujtojnë pareshtur. 

Por nuk është ky qëllimi i këtij shkrimi. 

Arësyeja që u shkruan këto rreshta është një e vetme: edhe ti ke të drejtë të heshtësh. Këtë ligji ta garanton edhe në gjyq, në rolin e të pandehurit. 

Ajo që më shumë duhet të dinë çakenjtë, injorantët dhe konkurenca e dështuar është e drejta e gjithkujt që të plaket në qetësi e kthjelltësi. Këtë ia uroj edhe armikut, e jo më ty, Ismail. Ata duhet të dijnë që ti, edhe dikur, ke ecur jashtë rreshtit, e jo më tani, që nuk ka bir nëne që të mësojë hapin rreshtor.

Me ty gjithkush duhet të mësojë të jetë i drejtë. Nëse vërtetë kërkon të jetë i marrë në konsideratë. Dhe jo vetëm me ty. Këtë duhet ta mësojnë edhe ata që përpiqen të të kafshojnë nga mbrapa, kur mendja kush e di ku të fluturon. Sepse kam përshtypjen që edhe ata që të shajnë, thellë-thellë të dashurojnë. Fshehurazi edhe vetes së tyre. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Shpend Sollaku Noe'

Antibody tests: some answers and more questions

May 23, 2020 by dgreca

BY PASHKO CAMAJ/

As we continue to look for glimpses of progress and good news in the fight against the coronavirus, aside from vaccine development and curative prophylaxis, one of the things that has been on the forefront of the activities is antibody testing.   This testing has been one of the factors in the decision-making process to open for business and get back some semblance of normalcy again.  Obviously, with anything ‘new’ questions are expected – what is an antibody test? How does it work? What does it mean if you test positive for antibodies to Covid-19?  In the following few paragraphs, I will provide some meaningful answers to these questions.

Simply said, an antibody test is a way of seeing if a person’s immune system has responded to an exposure to a virus, bacteria, or other pathogens.  In the case of Covid-19, it is a way of looking to see who’s been exposed and had the new coronavirus.  Antibody tests differ from viral tests, where the latter is used as a confirmatory diagnose of the illness. Though antibody tests for other pathogens can be used to diagnose diseases, they are not especially useful for diagnoses of Covid-19. That is because antibodies that fight off this virus are not made until at least one to two weeks after the first symptoms of the illness.  

What are antibodies and why are the antibody tests important?

Once a virus enters a body, most likely as the small droplets that contain viruses are inhaled, some very specialized immune cells attack the virus and shred it to small fragments. These fragments are then presented to other specialized cells, called ‘B’ cells.  When these fragments are introduced to B cells, they transform into an antibody factory that releases them into the bloodstream. So, the essence of the antibody test is to confirm the presence of these antibodies in the bloodstream – Enough immunology for this session!  The antibody test results will play a critical role in the fight against Covid-19, by helping healthcare professionals and public health authorities assess the immune response in populations and individuals, helping these authorities make decisions about people returning to work, and possibly easing social distancing measures. 

The known unknowns – Does a positive anybody test confirm immunity to Covid-19?

To paraphrase former US Secretary of State, Donald Rumsfeld, there are things “we know that we do not know.”  Being that this is a new virus, with much being learned every day, currently the antibody test is not a sure thing to confirming immunity to Covid-19.   If immunity and protection exist, it is also unknown how long this protection might last. Some studies with relatively small sample-sizes are showing “significantly improved” patients’ symptoms after being treated with serum from Covid-19 survivors. One other thing the antibody test may tell us is how far we are from so-called “herd” immunity, where enough people (60-80% of the entire population) have formed an immune response that the virus.  And we are far from it!  We can hope that once exposed to this virus, the body responds with antibodies that last a lifetime, like it does with measles and some other viral infections. For now, we will have to live through this period of uncertainty, while giving the scientists all the tools they need to come up with answers and solutions to the questions we all have. 

Ending on a positive vaccine progress note: Partnering with US National Institute of Health, Moderna, a Massachusetts based biotech group, reported that in its Phase I clinical trial in 40 people, their study participants developed virus-neutralizing antibodies without negative side effects. A first major step towards an effective and a safe vaccine that will stop the corona virus and end this global pandemic scourge.

Filed Under: Opinion Tagged With: dr. Pashko Camaj

MIKROBËT E GJUHËS SHQYPE

May 23, 2020 by dgreca

NGA AT GJERGJ FISHTA O.F.M.

Pernjimend se asht nji punë per t’u çuditë, që nji grusht njerëz në gji t’Europës, që jemi na shqyptarët, tue kenë ndoshta kombi ma i vjetri i të gjithë Europës e rrethue per gjith anesh prej kombeve të tjera, ka mujtë me ruejtë deri sod gjuhën e vet m’vedi e krejt të dame prej gjuhëve tjera europjane. E pra, kush nuk u pershkue neper ne! Mjaft me thanë romakët e turqit, dy pushtete të perfrigueshme: e me gjith kta, shqypja gjallë se gjallë, e, shka asht ma teper, perditë tue u zhdrivillue ma fort.

Asht lypë forca e konservatorizmi i nji kombi shqyptar, per me e ruejtë gjuhën e vet të gjallë e të kerthneztë ndermjet zhumhurit të gjuhëve të sllavëve, të grekve e nen imperjalizem të kulturës latine, pse dihet që ka kombe n’Europë, të cillat sod nuk flasin ma gjuhen origjinale të veten, por gjuhë të hueja. Por tue vu në oroe korespondencën e perditshme, që na vjen prej Shqypnijet, shkrimet që çohen me u botue në shtypshkrojë tonë, mundena me thanë, se çka nuk mërrijtjen me ba në gjuhë shqype grekët, romakët, gotët, sllavët etj., janë tue e ba sod shqyptarët vetë: janë tue e hupë gjuhën shqype! Nen shkak që gjuha shqype s’ka literaturë të veten, kanë nisë të shkruejnë shqyp secilli mbas atij qirificit të mendes së vet, pa e vû n’oroe aspak a natyrën e gjuhës, a shijen estetike e arsyetimin e ligjeratës njerëzore. Kanë kndue ndonji fletore të hershme, ase, neper tê, edhe ndonji liber shqyp, botue prej ndoj geget a tosket si neper kllapì a me pasë kenë tue qitë laknuer me nêne e qe se ato 10-15 kokrra fjalë ekzotike, që u kanë mbetë nder trû të shtypuna a librat shqyp, kanë per t’u mundue me e folë, kanë per t’i mbjellë aty-ktu neper shkrime të veta si me lëshue guraleca në brûm të bukës kallamoqe, në short me të thye dhambët e tmallët e shëndosha.

Tjerët kahë nuk i ka lanë shpija mbrendë, kanë kerkue dhenë si parja e kuqe, e kur kanë shtegtue neper Shqypnì, të ngushtuem me u marrë vesht a gega me toskë, a toska me gegë, kanë shkue tue shartue njanin djalekt me tjetrin, pa kurrfarë mjeshtrijet porsi me shartue shegat me fiq e të kanë perba nji gjuhë krejt në vedi, që s’di a asht kàl, a mushk, a gomar e që ma fort se gjuhë shqype, kishte me u dashë me e quejtë sallahane.

E, ka asish masandej, e janë sidomos do nëpunësa në Shqypnì e nxanësat tonë jashta Shqypnije, të cillët, ma fort se me studiue natyrën e gjuhës a librat shqyp kanë per t’u mundue me folë e me e shkrue shqypen mbas mëndyrës që ta flasë drejtori i zyres, per breshen fjalësh shumë të bukura e që me shmangien e formave dialektare, per me trajtue kështu gjuhën letrare shqype, si bje fjala njikto rreshta që po i nxjerrim prej nji lajmit botue tash së vonit: Gjithë pjestarvet i ngufoi zemra në gëzim tue ndigjue kto fjalë me randësi tue u qeshun fëtyra, u shperndanë kadalë. Të gjithë dija e gjuhës shqype ka mbetë, per në kjoftë gegë shkruesi me shkrue shumë ë nder fjalë, e per në kjoftë toskë, tue vu sheje hundakësh, punë e pa punë; e kështu, vjen e bahet letra me pikla, e thue se ke shprazë në tê nji kubure kaçalluke mbushë me shasme. E, shka të bindë e të neveritë ma fort asht kta që të gjithë po duen me u mbajtë filologë. Hin e fol me ta, paj, qe besa e besës, ta bajnë kryet per voe kahë vehen kinse me të spjegue, se kjo fjalë vjen prej sanskritishtes, se kjo tjetra asht indo-gjermane, se ajo e treta rrjedh drejtperdrejt prej persishtes: se Majeri i ka thanë kështu, se Pederseni ka shkrue ashtu e kështu Jockel e kështu Jagiç e kështu etj., etj., të tana fjalë si me u pasë ra lnjyra e me kenë tue folë këllapì. Per ta të gjithë literatyra s’asht tjetër veçse nji etimologjì fjalësh e kurrgja ma teper.
Kahë pritojnë me u vu e me zanë më libra shqyp, kta s’e zanë se ka shkrue kush shqyp kurr e pse gja të veten s’kanë të shkrueme, kështu gjithmonë kanë per t’u mbajtë per fjalë të shkrimtarëve të huej, si mbahet kungulli haes per gardh. E kështu, kahë rrijnë kta garguj tue britë permbi filologji e literatyrë, gjuha shqype ka ardhë e asht perzie si flokët e harapit sa me mbërrijtë njeriu me i thanë vedit, jarebi, a di unë shqyp, apo jo? Per në ngjatët puna kso doret, s’ka me shkue shum’ e na kemi me kenë të ngushtuem me folë e me shkrue në gjuhë të huej, pse gjuha shqype ka me vdekë, pa dyshim, mbasi i kanë hî sod mikrobët që janë shkrimtarët e padije e të pa zeje.

Thonë se gjuha shqype s’ka literatyrë e gjuhë letrare të veten. Asht rrenë! Gjuha shqype ka literatyrë, veçse s’ka letrarë, sa kishte me u dashtë. Padija në literatyrë e një shumicës së madhe të shqyptarëvet të sotshëm, ka ba që perparimi i literatyrës së gjuhës shqype sod ka kthye, pak me thanë, 50 vjet mbrapa. 

Prej zekthit të marrë që me u dukë letrarë pa kenë, sod asht pshtjellue gjuha shqype në mënyrë që mos me mujtë me këndue dy rreshta shqyp, perpa t’u çue vneri. Urojmë që shqyptarët e meçëm e sidomos Komisjoni Letrar kanë me u mundue me i shtypë me shkrime të veta kta mikrobë parazita të gjuhës shqype.
                                   (Botue:“Posta e Shqypnìs”, 1918, nr.30, F.4).

Shenim nga F.Radovani: Ky artikull i botuem në vitin 1918, asht kenë pa Autor. Autori i këtij artikullit At Gj. Fishta, u percaktue nga studjuesi z. Kolec Çefa.

            Melbourne 22 Maji 2020.

Filed Under: Analiza Tagged With: At Gjergj Fishta, Fritz RADOVAN, Mikrobet e gjuehs Shqipëria

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 569
  • 570
  • 571
  • 572
  • 573
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT