• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PARLAMENTI NE TRANZICION DO TE LEHTESONTE SHPIRTRAT E DEPUTETEVE ME NJE MINUTE HESHTJE PER LIRAK BEJKON

November 9, 2012 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Do të vijë dita kur gjesti vetëflijues i Lirak Bejkos do të kujtohet nga shqiptarët mbarë si sakrifica sublime e një njeriu për të zgjuar shoqërinë shqiptare nga gjumi i indiferencës ndaj një klase politike pa ndërgjegje politike dhe pa shpirt e zemër njerëzor.

Do të vijë dita, shumë shpejt, kur Lirak Bejko, të shpallet „dëshmor i demokracisë“ nga ai Parlament që heshti apo që akuzoi grevistët e urisë se ishin „dora e zgjatur e liderit të opozitës“.

Le të kujtojmë pompozitetin e grevës e urisë të organizuar nga PS në mes të bulevardit„Dëshmorët e Kombit“ përballë me dritaret e Kryeministrisë dhe çadrën e thjeshtë të 25 burrave, të gjithë vuajtës të burgjeve të diktaturës.

Kaq do të mjaftonte që deputetët e krahut politik, të votuar nga shtresa e të përndjekurve, të ishin në kontakt të vazhdueshëm me ata 25 burra të cfilitur nga jeta ferr gjatë diktaturës, që dalëngadalë nuk po i rezistonin pasojave të grevës dhe po mbeteshin gjithnjë e më pak, pasi kishin përjetuar të gjithë kalvarin e tmerrshëm të burgjeve e torturave mizore të regjimit kanibal totalitarist. Kaq. Ashtu si shkoi Ambasadori i SHBA, të cilit Lirak Bejko i tregonte protezën e dhëmbëve. Mjaftonte ajo skenë, që deputetët e PD të rendin menjëherë tek grevistët, të takoheshin me ta, të shkëmbenin me ta fjalë, vetëm fjalë të ngrohta, fjalë njerëzish. Jo më kot e para ishte fjala!

Por asgjë e tillë, asnjë reagim njerëzor, vetëm fyerje dhe akuza të stilit stalinist. Ndërkohë që vitet e burgjeve nuk ua hiqnin dot. Vitet e burgjeve staliniste mbeteshin të paluajtura, të patundura, dëshmia historike e atyre njerëzve, pjesa më e madhe e të cilëve tani nuk jeton më, por vuajtjet e tyre dhe të familjeve të tyre, të fëmijëve të tyre, nuk mund t’i çojë në harrim dot kurrë indiferenca e një klase politike të papërgjegjëshme, sjellja e së cilës është turp për ne të gjithë.

Gjestet e vetëflijimit të Ndrecës dhe Lirak Bejkos ishin të evitueshme. Humbja e jetës e Lirak Bejkos ishte e evitueshme. Mjafton që klasa politike që pretendon se përfaqëson edhe interesat e shtresës të të përndjekurve politikë t’u ishte afruar atyre njerëzve, t’u kishte dhënë dorën sepse ata njerëz ishin tmerrësisht të lodhur dhe të konsumuar fizikisht e psikologjikisht sa nga cfilitja e sa nga indiferenca e pashpirt gjatë atyre ditëve gjithë tension të grevës.

Po a mund ta kuptojë Ilir Rusmajli, deputeti i PD, i biri ish-Anëtarit të Komitetit Qendror të PPSH vuajtjet e Lirak Bejkos! Ju lutem, mos na bëni më moral, sepse PD e Shqipërisë ajo që pretendon se ka rrëzuar diktaturën, nuk mund të përfaqësohet në Parlamentin e Shqipërisë me të birin e një ish përfaqësuesi të nomenklaturës së kuqe! E përse akuzojnë deputetët e PD në Kuvend Edi Ramën se pranë tij ka ish të bijtë e nomanklaturës komuniste, e çfarë ndryshimi ka midis Ilir Rusmajlit të PD dhe Ilir Gjonit të PS-së! Të dy janë bij të ishzyrtarëve të lartë të nomenklaturës së kuqe!

Mos na shisni moral dhe mbani kokën ulur. Sepse e latë një njeri të vdesë dhe nuk shkuat që t’i jepni dorën sepse vetëm dorështrëngimi juaj, apo fjala juaj do ta shpëtonte jetën e Lirak Bejkos dhe Lirak Bejko sot do të ishte në mesin tonë!

Ditën e sotme gazeta Panorama kishte botuar lajmin se 202 ish-të përndjekur marrin këstin e dytë. Midis tyre ishin edhe emrat e shtatë ish-grevistëve. Midis tyre ishin emrat e Lirak Bejkos, Gjergj Ndrecës!

Po përse u botua kjo listë tani që Lirak Bejko nuk është më; po përse nuk iu tha atyre njerëzve se do të merrnin këstin e dytë që greva të merrte fund menjëherë, që të mos vetëflijohej as Ndreca dhe as Lirak Bejko ! Po përse nuk shkoi asnjë deputet i PD-së tek ish-grevistët që të shmangej tragjedia, që Lirak Bejko sot të ishte midis të gjallëve e ta gëzonte një pjesë të dëmshpërblimit bashkë me familjen e tij?

Po përse Parlamenti i Shqipërisë nuk mbajti asnjë minutë heshtje për të nderuar dëshmorin e tranzicionit Lirak Bejko!

Sepse të gjithë ata deputetë të atij parlamenti janë liliputë përpara Lirak Bejkos, pasi karriken e deputetit e kanë trafikuar me heshtjen dhe indiferencën e tyre ndaj këtij njeriu të dëshpëruar, shpresëhumbur, i cili për të zgjuar ndërgjegjen e ne të gjithëve i vuri flakën vetes dhe sot nuk është më, sepse ne të gjithë e lamë të vetëdigjej!

 

Filed Under: Featured Tagged With: 1 minute heshtje, Elida Buçpapaj

100 VJET INATE HOMERIKE

November 9, 2012 by dgreca

Nga Fadil Lushi/

I nderuar lexues, në eterin tonë politik, flitet, përflitet a lakohet një aforizëm që përafërsisht tingëllon kështu: “Inati i burrave dhe grave (shqiptare) është më i fortë se inati i urisë”! Vërtetësinë e këtij aforizmi do mëtoj ta gjej (nëse do ta gjej) në historinë e njëqindvjetorit të shtetit të cunguar shqiptar, e cila histori filloi të ndërtohet me inate. Kjo  do të karakterizohet me një sërë lëvdatash, harresash, shtrembërimesh, nihilizmash, bajraktarizmash, folklorizmash… Të gjitha këto së bashku të stisura nga akëcili kalorës i vonuar i kauzës shqiptare, nga akëcili politikan që shumë pak i dha Shqipërisë dhe më shumë mori (vodhi) nga ajo. Ndaj, jo rastësisht, kjo histori do të ngarkohet me një thes inatesh histerike dhe homerike. Nuk mund të thuash se “shpikësit e këtyre anakronizmave” ishin vërtet inatçinj homerikë, aq sa ishin shtirës a njerëz që kishin lindur në kohë dhe vend të gabuar. Kjo histori do të karakterizohet edhe me një sërë idealistësh, nacionalistësh, të cilët këmbëngulnin t’i shkonin pas virtytit duke dashur “të gatuajnë” një politikë tjetërfare…, si dhe me një varg neronësh…, me njerëz të fodullosur, kokëkrisur, kokëbosh, a edhe “biçim njerëz të minderit”, të cilët edhe sot do të mbajnë inat me të kaluarën. Në ndërtimin e kësaj historie 100-vjeçare, s’do mend se do kenë hise edhe gjithfarë akademikësh…, gjithfarë kronistësh, të cilët fatkeqësisht, lëre që nuk dhanë kontributin e tyre, po përkundrazi kësaj historie i ngjitën një mal të pavërtetash, i ngjitën shumëçka që “ndoshta” edhe nuk e meritonte. Disa këtë e bënë me urdhër të mbretit Ahmet Zogolli, ca të tjerë me diktat të diktatorit Enver Hoxha dhe, së fundi, nga politikanët e moderuar, të cilët, lëre që nuk e humanizuan a emancipuan këtë histori të lavdëruar, po përkundrazi duke shtrembëruar turinjtë e tyre, disa pjesë të kësaj historie i përudhën krejt tjetërfare dhe gjithsesi në drejtim të gabuar. “Ndofta” ata nuk kishin “takat” t’i kundërshtonin urdhrat e “Neronit shqiptar”! Ata që ishin të “padëgjueshëm”, o do përfundonin në kazamatet famëkeqe të Shqipërisë, në Burrel, Spaç e gjetiu, ose do t’u vihej litari në qafë, o do “iknin nga kjo dynja” me plumbin në kokë. Në përgjithësi, këta (hiq mënjanë idealistët dhe historianët pa taraf) në vend se ta frenonin fanatizmin e çmendur dhe të hanin bukën e tyre, hëngrën kokat e ndritura shqiptare, pa dallim në ishin ateistë të bindur, fetarë, shehërlinj, katundarë, toskë ose gegë. Nëse shqiptarët mendjendritur i dhanë kësaj Shqipërie frymën e kohës dhe atë kombëtare, ca të ashtuquajtur “historianë tarafxhinj e të imagjinuar”, me shëndet të brishtë mental si dhe do kalorës të vonuar të politikës ditore…, do të shkojnë deri aty sa që padrejtësisht të ndërtojnë lloj-lloj shpifjesh. Një e tillë shpifje (për inat) do t’i “faturohet” edhe Ismail Qemal bej Vlorës, kinse ai “…, paskësh lidhur krushqi me Perandorinë Osmane, në këmbim të një autonomie (turke) të cunguar, mandej do t’ia hedhin fajin (prapë për inat) se pse ky nuk paskësh marrë pjesë në punimet e Lidhjes së Prizrenit dhe të Kongresit të Manastirit!”…, e shumë sajime të tjera të ulëta. Çuditërisht, këto shpifje a trillime sot po”gëlltiten” nga injorantët si dhe nga ana e gjithfarë kontrabandistësh të historisë sonë kombëtare.

I nderuar lexues, se vështrimet e paraqitura në paragrafët e lartpërmendur janë të vërteta a jo, nuk ka nevojë për të shpjeguar etimologjinë e tyre, sepse ato flasin vetë. Sot, në vigjilje të 100-vjetorit të mëvetësimit të shtetit të Ismail Qemal Bej Vlores, neve na duhet ta diskutojmë kalendarin historik shqiptar, të cilin (prapë në emër të inatit) aq shumë  e kemi abuzuar, saqë nuk i gjendet fija, thjesht na është bërë si lesh arapi. Në do bësh përpjekje që ta zgjidhësh këtë pështjellim a këtë “nyjë gordiane”, nuk mjafton të kesh vetëm mendje femre, këllqe dhe…, por duhet të kesh guximin që t’i “sikterisësh” të gjithë ata, që nuk e njohin aq sa duhet këtë kalendar tonin kombëtar.

Parashtrohet pyetja se kush, në këtë vigjilje të 100-vjetorit, do të “pushtojë kalanë” e organizimit të manifestimit qendror (mbarë!?)kombëtar, që sot e gjithë ditën nuk dihet se a do të “mbahet në Tiranën e Partisë Demokratike a në Vlorën e Partisë Socialiste”!??…, nuk dihet se ky 100-vjetor a do të kremtohet më 28 nëntor në Tiranë, gjegjësisht në kryeqendrën administrative të shqiptarëve, apo në Vlorë më 27 nëntor, gjegjësisht në kalanë e historisë së Ismail Qemali Bej Vlorës…, apo edhe kush do të jetë ai “bir nëne që do ta uzurpojë të drejtën që t’i bëjë dinjitet flamurit kombëtar”!? Do t’i bëjnë të “kuqtë apo të kaltrit”, do t’i bëjnë politikanët aktualë, të cilët në vijimësi mëtojnë që me makiavelizmin e tyre të dominojnë mbi vullnetin e të tjerëve, apo ata që kundërsh-

tojnë regjimin e pushtetit aktual dhe filozofinë e politikëbërjes së tyre. Të parët do të gjejnë njëmijë e një arsye, karshi vazhdimësisë së sundimit të “demokracisë foshnjarake” dhe të zbehtë, ndërkaq sehirxhinjtë, hazërxhinjtë dhe sejmenët do të presin që një ditë ta zaptojnë kryeminderin e pushtetit.

Nëse kjo datë e shenjtë (jo e saktë!??) nuk do të përfillet dhe nuk do nderohet, atëherë kësaj i mbetet të qëndrojë në hava. Do të parashtrojmë pyetjen se kujt do t’i “takojë” e drejta ta shenjtërojë këtë datë a këtë ditë. Vallë do ta organizojë pushteti aktual, opozita shqiptare, apo politikanët (në hije) që ëndërrojnë autoritarizmin gjegjësisht pushtetin absolut…, a edhe ata politikanë të moderuar shqiptarë, që ende nuk e kanë kaluar moshën adoleshente. Nëse të gjithë politikanët e Shqipërisë politike nuk bien dakord me ditëlindjen dhe vendndodhjen e Flamurit, atëherë do të detyrohen “t’i bien dajres së evgjitit (çdo respekt për të) apo…, “ fyellit në një vrimë”, siç do të thotë një analist nga Shqipëria. Pse kjo çështje duhet të ngelë e pazgjidhur sot e mot, këtu në Shqipëri e gjetiu në hapësirat e Shqipërisë politike dhe asaj londineze!??? Pse kjo çështje nuk zgjidhet në qarqet akademike dhe në ato historike, por duheshka të “redaktohet, (ri) defininohet, rishkruhet dhe recensohet” në hapësirat e shtabeve partiake, diku në bllokun e Tiranës!?… Pse kjo datë e shenjtë na duheshka të përflitet e lakohet sipas qejfit të akëcilit shqiptar, qoftë ai të jetë politikan, diplomat, kronist, ose edhe të jetë kalorës i vonuar i çështjes kombëtare…, në veçanti nga ata të cilët kur nuk kanë për të bërë punë më të mençur, ashtu thjeshtë do të anashkalojnë edhe ato pak vlera historike, që i kanë mbetur njëqindvjetorit të shtetit të Ismail Qemal bej Vlorës. Nëse ne do të vazhdojmë të “frymojmë” me kësisoj inatesh histerike, po edhe homerike, atëherë një ditë do të “çmendemi vetvetiu dhe njëkohësisht do ta çmendim” gjithë atë histori, sa të lavdishme po aq edhe të ngatërruar keqas.

Sot, të “çirresh e të bësh shaka” me kryeministrin, kryeparlamentarin a edhe me presidentin e shtetit, besoj nuk “bëhet kiameti”, por ama të tallesh me këto data të shenjta madje edhe me flamurin e Vlorës dhe me vlonjatin mendjendritur, është përtej çdo idiotësie…, nuk mund të tallesh as me “historiografinë tonë qoftë të jetë i vonshme, e ideologjizuar, e sakatosur, po dhe e folklorizuar”! Askush nuk ka të drejtë ta pronësojë këtë manifestim, po qoftë të jetë edhe “pasuri e patundshme e gjyshërve të tyre me opinga”!?

Tekefundit, nëse këto data (tona) të shtrembëruara nuk do të përcaktohen saktë, sidomos tani në vigjilje të 100-vjetorit, akëcili prej nesh të mos shpresojë e ëndërrojë se ashtu “kollaj’ do të zdirgjet tatëpjetës së Qafë Thanës ose edhe të Morinës për të marrë atë udhën e Evropës e të Brukselit…, me një kusht “të mos i plasë goma furgonit të politikanëve tanë me inate homerike”!?

“… Kur Madona kishte shkuar në Moskë për të dhënë koncert, një zyrtar (fetar) rus i qe drejtuar me një kërkesë: … ose hiq kryqin ose vish brekët!” Mos vallë, ky zyrtari moskovit kishte kërkuar etikën e munguar të këngëtares me shtetësi amerikane. Unë, sinqerisht nuk e di. Unë mund të them se gjithsecili nga ne, o do të bëjë punën për çka është i ngarkuar e i paguar, o do të duhet ta braktisë atë…, o do duhet të mbyllë gojë. Ndryshe nuk bën.

Është një shprehje ballkanase ku, pos të tjerash, thuhet: “Njeriun prite (gostite) sipas veshjes dhe përcille sipas mendjes!”

 

Filed Under: Opinion Tagged With: 100 vjet, Fadil Lushi, inate homerike, inate shqiptare

A ËSHTË FTUAR LBANOLOGU M.A.GABINSKIJ, NË FESTIMET E 100-VJETORIT TË PAVARËSISË?

November 9, 2012 by dgreca

Mbi 50 vjet, merret me studime e botime për gjuhën tonë dhe kurrë nuk e ka vizituar Shqipërinë!?/

Nga Prof. Murat Gecaj/

NE FOTO: Në familjen Gabinskij, Kishinjev (nga e majta Marku, e bija Anushka dhe bashkëshortja, Larisa)/

 1.

Kur vendosa t’i shkruaja këto pak radhë e të bëja pyetjen “A është ftuar albanologu M.A.Gabinskij, në festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë?”, padyshim, pata parasysh disa gjëra. Së pari,  e di mirë që janë të panumërt njerëzit dhe personalitetet e ndryshme, nga vendet e tjerë, që e meritojnë ose janë planifikuar të ftohen në fesimet e 100-vjetorit të Pavarësisë sonë.

E dyta, jam i ndergjegjshëm se ka mjaft studiues, që ia kan kushtuar pothuajse gjithë jetën studimeve e botimeve për historinë, gjuhësinë, kulturën etj. të popullit shqiptar. Mirëpo, siç është e kuptueshme, disa nga ata nuk jetojnë më. Po kështu, ia vlen që të “peshohen” për t’i vlerësuar ata objektivisht. Padyshim, megjithëse nuk jam saktësisht i informuar, me raste, ka prej tyre që e kanë vizituar Atdheun tonë  Por dhe janë nderuar e vlerësuar me dekorata të ndryshme për ndihmësën, që ata kanë dhënë në fushën e studimeve e botimeve për Shqipërinë.

Së treti, nuk di ndonjë nga albanologët e shquar, siç ështrë rasti i Mark Aleksejeviç Gabinskij, i cili mos të ketë qenë kurrë në Shqipëri, por dhe mos ta ketë çmuar as vlerësuar ndihmesën e tij shumëvjeçare, asnjë institucion i shtetit shqiptar!?

 

2.

Sigurisht, për kërshëri e korrektësi ndaj lexuesve, më duhet që shkurtimisht t’u tregoj diçka më shumë për jetën dhe veprimtarinë e çmuar, me studime e botime, kushtuar gjuhës shqipe e problemeve të saj, nga M.A.Gabinskij. Në një jetëshkrim, ndër të tjera, pak vjet më parë, ai ka sjellë këto të dhëna:

“Linda në vitin 1932, në Odesë. Atje, në vitin 1948, mbarova shkollën e mesme. Në vitin 1953,  përfundova degën e rumanishtes, në Fakultetit Filologjik të Universitetit të Leningradit dhe u dërgova me punë në Moldavi, në Institutin e tanishëm Filologjik, të Akademisë së Shkencave, ku punova disa vjet radhazi, deri sa dola në pension. Jam specializuar në fushën e gjuhës rumune (moldave) dhe në gjuhë të tjera romane e ballkanike dhe në gjuhësinë e përgjithshme (problemet e infinitivit në gjuhët ballkanike dhe më gjerë, pjesët e fjalisë (ligjërimit), kategoritë morfologjike dhe, gjithashtu, për etimologjinë, leksikologjinë etj.). Kam publikuar më shumë se 220 punime shkencore dhe 10 libra në këto fusha. Një pjesë e tyre janë për gjuhën shqipe. Kam marrë pjesë në 20 kongrese e konferenca, me tematikë fushat e treguara më sipër”.

Prof.Dr. M.A.Gabinskij është me origjinë  izrealite dhe babai i tij ishte vendosur, në fillimin e shekullit të kaluar, në qytetin Odesë të Rusisë. Me detyrë ka qenë mjek dhe mjaft i aftë në profesion. Siç dihet, mjaft të rinj shqiptarë i kryen studimet e larta për mjekësi  në ish-Bashkimin Sovjetik. Ndër ta, ishin dhe disa që i mbaruan studimet për shkencën mjeksore në Odesë. Atyre u dha leksione pikërisht babai i Markut, Dr.Aleksejeviç Gabinskij. Më pas, ata u bënë mjekë mjaft të aftë e të dëgjuar në Atdheun tonë, si Alvarezi, Gusho, Karagjozi e të tjerë. Duke krijuar edhe lidhje familjare me pedagogun e tyre A.Gabinskij, Marku i vogël u njoh nga afër me ta dhe nisi t’i tërhiqte vëmendjen gjuha, që ata flisnin. Kështu, pak e ngapak, ai filloi të mësonte fjalë e shprehje shqipe. Pasi mori prej tyre libra në gjuhën tonë amtare, nisi të lexonte. Ishte një dëshirë dhe aftësi e  veçantë e vitetve të rinisë së Markut, që ai të mësonte disa gjuhë të huaja. Kështu, që në moshën 30-vjeçare fliste e shkuante deri në shtatë prej tyre, ndër to edhe në gjuhën tonë shqipe. Është interesante të thuhet këtu se edhe bashkeshortja, Larisa dhe bija e tyre e vetme, Anushka,u familjarizuan me gjuhen shqipe, per të cilën prof.Marku ka shumë vjet që është i përkushtuar.

Në vitet pasardhëse, familja e M.A.Gabinskij u vendos në qytetin Kishinjev të Moldavisë. Tashmë, pas mbarimit të studimeve të larta, ai  e nisi punën aty në një institucion të lartë shkencor. Pra, iu krijuan kushtet që jo vetem mos t’i humbiste, por iu shtua interesi për studimin e gjuhës shqipe. Në atë periudhë, në vitet ’60-të të shekullit të kaluar, me nismën e Akademikes së njohur ndërkombtarisht, Agnia Vasilievna Desnickaja, pranë Institutit të Gjuhësisë, në ish-Leningrad (sot Petërburg) ishte ngritur e funksionon deri sot, një sektor i rëndësishëm albanologjik. Ajo kishte tërhequr në këtë punë disa sudiues të kësaj sfere, si A.P. Sitov, A.V. Zhurga, L.A. Llapashov, L.V.Sharapova, I.I. Voronina, A.Y. Rusakov etj. Për arsyet, që përmenda më lart, Marku u paraqit aty dhe kërkoi që disertacionin, për titullin “Kandidat i Shkencave”, ta përgatiste dhe ta mbronte pikërisht me një studim në fushën e gjuhës shqipe.  Dhe  dëshirën ia plotësuan. Në atë periudhë, mëgjithëse larg vendbanimit, ai shkonte për konsultime në Institutin e Shkencave dhe në degën e gjuhës shqipe, të Universitetit “Zhdanov”.

 

Në vjeshtën e vitit 1960, bashkë me tre kolegë bashkëstudentë nga Shqipëria, krahas leksioneve, ne  ndiqnim atje dhe  kurse të veçanta, pranë A.V.Desnickaja. Unë  kualifikohesha për dialektologji, një  tjetër për fonetikë dhe dy për leksikologji. Në rrethanat, që tregova më lart, ne u njohëm edhe me studiuesin e ri të gjuhës shqipe, M.A.Gabinskij. Përveç aftësive profesionale, na bëri përshtypje se ishte njeri mjaf i dashur dhe i afruar me njërëzit. Këtë gjë e shprehte veçanërisht me ne, studentët shqiptarë që përmenda, por dhe me të tjerë, që njohu aty. Kjo, sigurisht, vinte se ai ishte njohur e kishte patur lidhje me bashkëvendës tanë, që në Odesë. Në biseda të lira me Markun, na e shprehte se i pëlqenin shumë shqiptarët dhe gjuha jonë. Ndër të tjera, ai kishte krijuar bindjen e palëkundur se gjuha shqipe ishte me shumë interes studimi, ndër më të vjetrat në Ballkan dhe në familjen indo-evropiane.

Pa u zgjatur, shënoj këtu se Marku e mbrojti me sukses disertacionin për gjuhën shqipe dhe, sigurisht, u kthye në vendbanimin e tij, Kishinjev. Por nuk I shkëputëm lidhjet tona miqësore, sigurisht me letra, deri sa u ndërprenë marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve e vendeve tona. Ndërsa këto lidhje i rivendosëm pas vitit 1990, me letra e shkëmbimn librash të ndryshëm. Kështu, tani pata rastin të njihem më nga afër edhe me studimet e shumta në revistat shkencore, por dhe me disa libra, që ai kishte botuar, posaçërisht edhe për gjuhën shqipe. Shumicën e tyre unë i ruaj në biblilotekën time. Në të gjitha ato, spikat intersioI tij i veçantë për të mësuar fjalë e shprehje në gjuhën shqipe, për të gjetur kuptimin e shprehjeve e të fjalëve të rralla shqipe, deri dialektore etj.

3.

Nëpërmes letrave të shumta (gjithnjë në gjuhën letrare shqipe), që kam shëmbyer me albanologun M.A. Gabinskij, meraku më i madh i jetës së tij është se nuk arriti që të vinte një herë për ta vizituar Shqipërinë, pra vendin e gjujës së popullit, të të cilit o kishte kushtuar dhjetëra studime e botime. Shkaku ishte se nuk e lejonin mundësitë financiare, që ta realizonte vetë këtë gjë. Për të qenë i sinqertë me lexuesit, unë jam pikëlluar për këtë gjë dhe jo në një rast, pas vitit 1990 e në vazhdim, kam kërkuar pranë Akademisë sonë të Shkencave për ta ftuar atë që të merrte pjesë në ndonjë  Konferencë shkencore, kushtuar gjuhësisë ose problemeve tjera abanologjike. Po kështu, jam intersuar që atij t’i dërgoheshin libra të ndryshëm studimorë, në gjuhën shqipe, pasi atij i mungonin dhe e kërkonte me dëshirë të madhe një gjë të tillë. Por, fatkeqësisht, përgjigja ka qenë e prerë, pra me ngritje supesh, se “nuk kemi mundësi financiare, që ta ftojmë atë, qoftë edhe për pak ditë, në Shqipëri”, “nuk o dërgojmë dot libra shqip” etj?!

Këto ditë, prof. Emil Lafe, gjuhëtar i njohur i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, më tregoi se kishte qenë bashkë më disa stidiues të tjerë shqiptarë në Pëtërburg. Ndër të tjerët, atje kishte takuar edhe albanologun, prof.dr. M.A.Gabinskij. Ai ishte gëzuar shujmë, që i takoi studiuesit tanë dhe interesuar për ecurinë e Shqipërisë në udhën demokratike, për studimet albanologjike te ne, por dhe për miq e të njohur të tij.

Në mbyllje të këtij shkrimi, duke u treguar plotësisht i panashëm (për shkak të njohjes dhe të lidhjeve të mia të mëvonshme miqësore me të), shtroj pyetjen: A është planifikuar të ftohet në Shqipëri, albanologu i shquar 80-vjeçar, M.A.Gabinskij, në festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë? Dhe më tej: A është parashikuar që, me këtë rast, t’i bëhet ndonjë vlerësim punës së tij të përkushtuar 50-vjeçare edhe në fushën e studimeve shqiptare? Ndërsa, më në fund: A do t’i lexojnë e t’i vlerësojnë këto radhë të mia dashamirëse, persona a zyrtarë përgjegjës dhe të ngarkuar për këto veprimtari, që nuk përsëriten shpesh?

Tiranë, 9 nëntor 2012

Filed Under: Featured Tagged With: 100 vjetori, a eshte ftuar, Albanologu Gabinskij, Mrat Gecaj

JAVA E FILMIT SHQIPTAR NE NEW YORK

November 8, 2012 by dgreca

Java e Filmit shqiptar ne New York po organizohet me rastin e 100 vjetorit te Pavaresise se SHQIPERISE/

NEW YORK CITY : Në kuadrin e aktiviteve kulturore artistike të 100 – vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, më datën 5 nentor 2012, ora 07.00, të mbrëmjes në kompleksin e njohur të kinemave Tribeca në qytetin e New Yorkut, u çelë “Java e Filmit Shqiptar”. Një aktivitet ky i organizuar prej komunitetit të arstistëve, producentëve, kienastëve dhe aktorve shqiptarë në SHBA, i cili i është dedikuar 28 nëntor 1912 – përvjetorit të 100- të, të Shqipërisë së Pavarur.
Në koordinim me Konsullatën e Përgjithëshme të Kosovës në New York, dy organizatorët kryesorë këtij evenimenti janë regjizoria nga Kosova Mrika Krasniqi, dhe aktori i njohur i komunitetit Ariot Myrtaj – me sponosrizimin(donatorë) e disa biznesmeneve dhe firmave shqiptare, të cilat kan bërë të mundur që për një javë rresht nga data 5 nëntorë deri në datën 11 nëntorë, të shfaqin 100 filma në tre kinemat e qytetit të New York-ut: Tribeca Cinemas, atë me pronar shqiptar Producers Club ( të Alfred dhe Ernest Tollja) dhe salla e Tetarit në Lehman College – Bronxnet .

Arena e këtyre shfaqjeve për herë të parë në historinë e shqiptarëve në këtë qytet është bërë edhe Kompleksi i kinemave nga më të njohurit në qytetin e New Yorkut – SHBA dhe në botë, i shquar për organizmin e festivaleve ndërkombëtare të filmit, Tribeca Cinemas, me festivalin i saj të filimit ndërkombëtar “Tribeca Film Festival in New York City”, i cili të hënën hapi dyert, jo për “Tribeca Film Festival in New York City”, por për shqiptarët dhe “foli shqip”, edhe Kinemja më prestigjoze në qytetin e New Yorkut, duke uruar mirëseardhjen edhe në shqip.

Tribeca Cinemas në tabelën elektronike në hyrje të kinemasë ku u zhvillua ceremonia e çeljes së Javës të Filimit Shqiptarë në New York – jo vetëm mysafrirëve e artëdashësve shqiptar por edhe atyre amerikan në anglisht dhe shqip ua urojë ditën e pavarësisë me një tabelë të madhe elektronike me shikim nga bulevardi ku shkruhej ” Happy 100th Birthday Albania – Urime- Urime – Urime”.
Kjo ngjarje, shkruan në Tweeter – aktori Ariot Myrtaj do të u japë kineastëve shqiptarë dhe artistëve të saj një shans i madh për të paraqitur punën e tyre në qytetin e Nju Jorkut, në një audiencë shumë të madhe dhe ndërkombëtare.
Java e Filmit Shqiptar në Nju Jork – “100 filma për 100 vjetor” në ceremoninë e hapjes është përshëndetur edhe nga Ambasadori Bekim Sejdiut , Konsull i Përgjithshëm i Kosovës në New York.

Ambasadori Sejdiu përveç tjerash theksoi se :” Kjo javë e filmit shqiptar organizohet në një vit të rëndesishëm për shqiptarët , përkatsisht muajin që shënon 100 vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar. Përmes promovimit të kulturës tonë, në këtë rast duke shfaq filma nga Kosova, Shqipëria dhe viset tjera ku jetojnë shqiptarët në Ballkan, duke shfaqë kështu para publikut këtu në Amerikë vlerat tona shoqërore dhe fuqinë shpirtëreore të kombit tonë.”

Më pasë Ambasdori Sjediu vuri në pah se megjithse ne jemi komb i vogël, por kemi dhënë artist të mëdhenj, që nga Aleksander Moisiu, Bekim Fehmiu, Sandër Prosi, e deri tek Bellushet , Liza Dushku, Blerim Destani, Stan Dragoti, Arta Dobroshi e shum të tjerë, kemi me se çfarë të mburremi dhe të krenohemi

Pra, tha ai ne kemi me çfar të prezentohemi dhe në këtë 100 vjetor këtu në SHBA, dhe duhet ta bëjmë sa me shum që të jetë e mundur këtë prezantim të filmatografisë shqiptare në SHBA dhe në botë, andaj edhe ne si Konsullatë e Republikës së Kosovës në qytetin e New Yorkut, kemi kontribuar në organizimin e këtij aktiviteti kulturorë dhe jemi të përkushtuar që edhe në të ardhmen t’i japim mbështetje maksimale jetës kulturore e artistike të këtij komuniteti të diasporës tonë në SHBA, si dhe në promovimin e kulturës tonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në këtë vend mik të madh të shqiptarëve dhe të Kosoves .

Në fund të përshëndetjes së tij në ceremoninë e hapjes së Javës e Filmit Shqiptar në Nju Jork – “100 filma për 100 vjetor”, Ambasadori Bekim Sejdiu – Konsull i Përgjithshëm i Kosovës në New York, ka theksuar se :” Këtë mund t’a bëjmë më mirë nëse e bëjmë së bashku dhe Java e Filmit që po e fillojmë sonte është dëshmia më mirë e kësaj në prag të kremtimit të 28 Nëntorit 1912 – 100 Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, dhe për këtë tha ai falenderoj oranizatorët për punën e bërë, si dhe falenderoj të gjithë ata(donatorët) që e kan mbeshtëtur këtë aktivitet.”(Kortezi Beqir Sina)

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Beqir Sina, java e filmit shqiptar, ne New York

VLORA HISTORIKE NË EKSPOZITËN ME 400 FOTOGRAFIT TE PIRO STEFËS

November 8, 2012 by dgreca

NGA GËZIM LLOJDIA/ Arkitekti i njohur nga Vlora Piro Stefa i quan 400 gjurmë historike 400 fotografit të vendosur në ekspozitën Vlora -100 vjet pavarësi”të ekspozuara në hollin e teatrit Petro Marko Vlorë. Kanë qenë punimet e mbledhur ndër vitet që ai ka kaluar në punën e arkitektit si dhe një rrugëtim disa vjeçar jashtë vendit në kërkim të thesareve historike shqiptare .Të gjitha gjurmët dhe dëshmitë që kja kanë ruajtur breznit dhe janë gjurmuar koleksionuar nga arkitekti Stefa tregojnë historinë e qytetit të flamurit në një rrugëtim të gjatë historik nga kohët me mjegull për tu finalizuar në ditët që përmbajnë 100 vite kohë nga pavarësia e vitit 1912. E veçantë e eksponateve të arkitektit Stefa është se ekspozita është ndarë veçanërisht sipa kohëve historike që ka përshkuar qyteti. “Lundërtarë e udhëtarë”, është një hartë e vitit 1521, ku shfaqet qyteti, Kanina si qendër e fortifikuar me kalanë e Vlorës ndërtuar në 1534 nga Sulltan Sulejmani i Madhërishëm. Fotografit e paraqitura në këtë ekspozitë në Portin e Vlorës, shkolla së parë shqipe në gra rruga Vlorë-Skelë. Atë që arkitektika sjell me imazhe të fikësuara në celluloid ne po mundohemi ta sjellim shkurtimisht:Historia moderne e bulevardit Vlorë-Skelë, nis në vitin 1906, kohë kur qyteti që shtrihej në pjesën e vjetër të saj, deri tek Xhamia e sotme e Muradies, lidhej me Skelën përmes një gjurme, që nuk kishte asgjë të përbashkët me një rrugë. Paria vlonjate e kohës vendosi që kjo rrugë të ndërtohej e shtruar me kalldrëm.Gjatë periudhës deri në fund të viteve 1940-të të shekullit të kaluar, rruga ishte e paasfaltuar dhe qarkullimi në të ishte jashtë standardeve. Pas vitit 1920, ajo përshkohej nga një linjë hekurudhore(dekovil), që ishte mjeti kryesor i transportit për qytetin e Vlorës, të atyre viteve. Rruga e ngushtë me kalldrëm përshkohej nga karrocat e pakta, si dhe nga linja e dekovilit që shkonte deri në Skelë dhe në port. Në të dy krahët e rrugës, ndërtimet pothuajse mungonin. Kjo situatë vazhdoi deri në fillim të viteve 1950-të, kur investimet për zgjerimin e qytetit, nisën të shtriheshin edhe në këtë pjesë, ku u ndërtua fabrika e Orizit dhe gradualisht, mjaft godina banimi 2-3-4 katërshe, që nisën të krijonin profilin e një rruge moderne. Shumë fotografi nga kohet e para të qytetit janë interesante.Duke qenë në zanatin e arkitektit Piro Stefa veçanërisht është ndalur tek arkitektura e qytetit ajo e hershme dhe sotmja. pamje e Vlorës e vitit 1916 marrë nga ajri mbetet impresionuese. Unë jam pjesë e asaj gjenerate, shprehet arkitekti Piro Stefa, që kam kontribuar në ndërtimin e qytetit të ri, për të rritur kualitetin e jetesës së komunitetit dhe në këtë pikë nuk duhen mohuar sukseset. Vlora sot tregon jo vetëm fuqinë ekonomike, fuqinë turistike, që respekton aq sa mundet këtë tranzicion të stërzgjatur, por nga ana tjetër, ka bërë pak për të respektuar traditën e vjetër historike, moshën e qytetit. E vërteta është se këtë dukuri, Vlora e ekspozon më pak se qytetet e tjera. Shkodra është një shembull, që ka bërë hapa pozitivë për të rivlerësuar të shkuarën. Duke folur për koleksionet pasura të këtij arkitekti pasionant ai është shprehur: Unë kam një koleksion të pasur me gravura të vjetra, harta të vjetra mesjetare, që në të shumtën e rasteve janë bërë nga gjeografë venecianë, por edhe të Perandorisë Osmane. Ka kronika të shumta për Vlorën e Kaninën, ku shkruhet gjerë e gjatë, studiues të jashtëzakonshëm me potencial ndërkombëtar, sikurse është Eqrem Bej Vlora, që ka shkruar jo vetëm me një saktësi shkencore, por edhe me një dashuri të madhe për këto treva. Harta më e vjetër që unë disponoj, është ajo e vitit 1521 e Reispirit. Që të gërmosh dhe arrish të gjesh diçka, kërkon impenjim dhe shumë kohë, sigurisht kërkohen edhe shpenzime. Pra nuk është e thjeshtë, por nëse dikush interesohet, materialet për Shqipërinë, për Vlorën, gjenden në arkivat e shteteve rrotull si në Itali, Greqi, ish-Jugosllavi, por edhe në vende të tjera. Është një koleksion i tërë i kartolinave të vjetra, që janë që nga viti 1900 deri më 1990, ku numërohen disa qindra kartolina. Në to konstaton të fiksuar realitetin vlonjat, mënyra se si kanë jetuar, traditat, zejet, qyteti. Si ka evoluar qyteti, zejtaria, jeta qytetare. Elementë shumë të rëndësishëm, që janë konsensualë për qytetin, janë rruga Vlorë-Skelë, Sheshi i Flamurit, bregu i detit etj. Nga ana tjetër, duhet të kuptojmë edhe një gjë, që gjatë shekullit 20-të, që shtrihet në kohë edhe ky koleksion, që është solid, nga më të pasurit, ku janë disa qindra, një pasuri shumë e madhe, që shtrihen në 100 vjet dhe aty konstaton me lehtë ndryshimet që janë bërë.

Filed Under: Kulture Tagged With: e Piro Stefes, ekspozite, Gezim Llojdia, Vlora historike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5709
  • 5710
  • 5711
  • 5712
  • 5713
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT