-Deshmia tronditese: Si na rrihte me kamxhik babai yne hetues ne komunizem | ABC News Albania/
DEGJOJENI DERI NE FUND DHE REFLEKTONI….30 VJET PAS SHEMBJES SE DIKTATURES….
Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909
by dgreca
-Deshmia tronditese: Si na rrihte me kamxhik babai yne hetues ne komunizem | ABC News Albania/
DEGJOJENI DERI NE FUND DHE REFLEKTONI….30 VJET PAS SHEMBJES SE DIKTATURES….
by dgreca

Nga Raimonda MOISIU*/

Të rrëfesh është ajo dëshira e fortë për të përmbushur përvojat shpirtërore, angazhimin dhe guximin qytetar që reciprokon ndjeshëm evoluimin jetësor, intelektual dhe artistik në artin e të shkruarit. Vetëm se krijuesi shpreh me fjalë mendimet dhe ndjenjat më të thella, u jep atyre dinjitet e madhështi, të cilat i realizon përmes letërsisë, meditimit e rrëfimit, tregimit e romanit, përmes vargjeve që shprehin pafundësinë e botës poetike, përmes esse-së, reportazhit dhe dramës, me c’rast krijimtaria, në një mënyrë ose në një tjetër ndjehet e angazhuar. Vetëm mjeti ndryshon, ai është arti! Pavarësisht gjinisë krijuese, shkrimtari posedon elementin më të qenësishëm të mendjes e shpirtit, rivlerëson dhe nxjerr në dritë përmes deklamimit të fjalës, vlerën e cdo vetie te Njeriu.

“Në sirtar” titullohet libri me rrëfime i Prozatorit dhe Diplomatit, Mustafa Xhepa alias me emrin letrar,- Muç Xhepa. Në të vërtetë, e lexova librin brenda natës, madje nuk mundesha ta lëshoja nga dora. Te përsiatjet e Muçit, “Në sirtar”-in rrëfyes, autori ka “paketuar” në dritën e gjërave të shkruara në heshtje, intensitetin e dhimbjes dhe simbolikën e një shpirti të lirë. Ai monologon, për të mos u ndjerë i vetmuar me; përjetimet shpirtërore dhe emocionale, dhembshurinë dhe pikëllimin, vetëdijen dhe mosvetëdijen, marrëdhëniet me njerëzit, të njohur e të panjohur, pranë e larg. Shkrimtari Muç Xhepa e di fare mirë se jeta është e bukur por është edhe ajo sfida e përditëshme që çmon lirinë, kujtesën përkundrejt mosharresës, për kohën e ikur dhe atë që vjen, me trishtimin e zgjënjimin, mallin e dhimbjen, absurden e dëshirën për ta mbajtur të gjallë e të paharrueshme. Kjo është metamorfoza e jetës!
“Tregimet në këtë libër nuk janë imagjinare. Njerëzit, vendet dhe ngjarjet janë reale, emrat janë përmendur ashtu siç janë përdorur në atë kohë” – shkruan autori Xhepa në “Parafjalë”-n e autorit, dhe nuk harron të vlerësojë mentorin e tij, – gjuhëtarin, kryemjeshtrin e përkthimit dhe antikomunistin Petro Zheji, i cili do të ishte ai që e inkurajoi të botonte kujtimet e tij. Kjo është mëse e vërtetë, autori paraqet “Në Sirtar”-in e rrëfimeve të mbushura me episode dramatike jetësore reale dhe individë realë që janë aq episodikë, për bindjet, kujtimet e brengat thellësisht origjinale të zhvillimeve shoqërore, të gjitha ngjarjet, aspektet dhe kompleksiteti i tyre ripërcaktojnë epokën e njohur të jetës e me jetën.
Muç Xhepa rrëfen këndshëm e çiltër, me mëndje të shëndoshë e të mprehtë, impulsiv i jashtëzakonshëm, herë zbavitës dhe herë interesant, melankolik e melodramatik në heshtje na jep kronikën e gjallë të ngjarjeve midis dy epokave; luftës për ekzistencë dhe stalagitet e shpërbërjes në hapësirën e boshtë të farsave sociale e politike, ç’ka prodhuan rregjimin komunist dhe hijenat që ai rregjim la pas. Pjesa më e madhe e rrëfenjave të Xhepës konsiston në marrëdhëniet mes njerëzve, lidhjen me miqtë e vjetër e të rinj, afër e larg në atdhe e mërgim, individë realë që morfermojnë nga një rrëfenjë te tjetra të cilët sikundër autorin dhe audiencën e lexuesve e bëjnë të qeshë e lotojë në këtë udhëtim të trishtë e të lumtur të jetës. Libri hapet me rrëfenjën e titulluar “Në Sirtar”, nga e ka marrë edhe vetë titullin libri.
Autori ndodhet në Washington dhe tashmë ai jeton midis dy kulturave, asaj amerikane dhe kulturës së vet autorit. Estetizmi dhe idealizmi mbërthejnë një sërë emocionesh të autorit, i cili me stilin e tij karakteristik, individualitetin e tij filozofik e artistik, i bën ato të vijnë në harmoni të plotë me stinën e pranverës, me lulet e qershisë dhe shpirtin e lirë të rilindur të autorit: “Pranverë në Washington. Magji lulesh qershie buzë Potomakut.” Autori Xhepa duke marrë në konsideratë figurat historike të njohura në të dyja kahjet e Atlantikut, shfaq dhe krijon harmoninë me vende dhe histori, karaktere e personazhe historike, ngjarje dhe pjesëza historike të stigmatizuara në skena reale mes hartash, që kanë përcaktuar fatin e Amerikës dhe fatin e Atdheut të autorit; “-rreth memorialeve të Ruzveltit, Xhefërsonit, Luther Kingut dhe Uashington Mollit, dhuratë japoneze kur u përcaktua, edhe Shqipëria londineze!
Autori Xhepa shkruan se “Poetët i këndojnë bukurisë së tyre”, – dhe ndërthurr mjeshtërisht sfondin e dhimbjes e harmonisë, evokon kujtesën, dhe poetët shqiptarë në atdhe dhe egzil, evokon historinë dhe skenën e plotë në atë realitetin gri, sepse askush nga ne nuk mund të shkëputet nga e kaluara; “I kanë kënduar edhe në Burgun e Burrelit luleve të qershizës, që nuk thahej,- e ushqente gjaku i heronjve antikomunistë. Lulet e saj metafora e jetës.” Kjo është dashuria e autorit për jetën dhe njerëzit!
Më pas autori Xhepa bën një ekspozim të përsosur të takimit me shkrimtarin e njohur antikomunist Prof. Arshi Pipa, sikundër e quan ai, miku i gjyshit të tij.
“Pa u sistemuar mirë në punën e re, telefonova mikun e gjyshit tim, profesorin Arshi Pipa.”
Xhepa kap dhe analizon detajin më të rëndësishëm dhe të dhimbshëm, fatin e dy personazheve; “gjyshit dhe profesorit”, me mjeshtëri e finesë ndërton situate paralele të marrëdhënive dhe raportet që personazhet kanë pasur brenda asaj drame tragjike, – mes jetës, vdekjes dhe mbijetesës e asaj ç’ka kishin përjetuar; “Kishin qenë bashkë në Kënetën e Vdekjes, në Maliq.” Xhepa përcjell energji emocionale të fuqishme dhe mbresëlënëse, të vuajtjes dhe dhimbjes, të guximit e të mbijetesës së dramave jetësore të Prof. Arshi Pipës dhe bashkëvuajtësit të tij, gjyshin e autorit.
“Foli gjatë për vuajtjet në Kënetën e Vdekjes dhe më dhuroi librin e tij, “Libri i Burgut”, Thesar vuajtjesh dhe heroizmi. Dhimbjen e kishte marrë me vete me shpresën e madhe se do të ndikonte te qeveria amerikane që të ndërhynte me trupa në Shqipëri.”
Të dy së bashku, autori Xhepa e Profesor Arshi Pipa, në këtë takim të parë përfshihen nga paqja e ngrohtësia njerëzore sikur njiheshin prej vitesh. Tema për fatin e Shqipërisë komuniste dhe fatin e bashkëvuajtësve mbizotëron bisedën e tyre, gjë që i ofronte edhe me tepër me realitetin.
“Kjo është Shqipëria; nuk i ka ardhur koha të hapet. Fillo të japësh mësim në universitete tona, mësoju studentëve ç’është komunizmi, ndaj me ta eksperiencën tënde të hidhur. -Humba në mendime -vazhdoi profesori- m’u shfaqën shokët që lashë në ferr, besimi që kishin se do të çliroheshin shpejt. Do të kalonin shumë vite – psherëtiu – që komunizmi të hante kokën e vet dhe ndryshoi bisedën.” Autori Xhepa synon të zbërthejë të vërtetën filozofike me mjeshtëri artistike, në të gjithë treguesit e saj. Ai i hedh një vështrim retrospektiv të kaluarës, evidenton shkaktarët e vërtetë dhe përgjegjësit kryesorë; regjimin komunist me psikologjinë kriminale në tërë sistemin qeverisës, që përcaktonin fatin e Shqipërisë dhe fatin, persekutimin e dinjitetit, mendimin dhe shpirtin e lirë të antikumunistëve e demokratëve të vërtetë. Mjeshtërisht, autori Xhepa shkrin shqetësimet e përbashkëta, shqetësime që kapërxejnë kufirin e ngushtë e shqetësimit individual. Në tregimin “Zhan Valzhani”, autori jep “kjoskat ambulatore” ku shkojnë të hanë kalimtarë e udhëtarë të ndryshëm, na jep metamorfozën e jetës që jetonin. Autori përpiqet të rrëfejë rolin e zymtë të jetës, jetën e vështirë, vuajtjet dhe moralin e shoqërisë; “Nuk kishim marrë ende pjatat, kur te dera u shfaqën tre fëmijë; dy vajza dhe një djalë. Ishin të lagur deri në palcë. Vajza që dukej rreth dhjetë vjeç, më e rritura e tyre, iu afrua gruas dhe i kërkoi për të ngrënë. Gruaja e urdhëroi të dilte jashtë. Çezari i dha pjatën e tij, ashtu bëra edhe unë dhe u larguam.” Vetëm nga veprimi virtuoz dhe dashamirës i Çezarit dhe autorit, Xhepa arrin të krijojë një klimë ndjeshmërie dhe vendos lidhjet mes vetes e tre fëmijëve brenda kornizës së rrëfimit, – përfaqësues episodikë të shtresës së varfër sociale në një shoqëri të përciptë, spekulative dhe patetike; “Unë e kisha lënë me një mik për të marrë prej tij fjalorin gjermanisht-anglisht dhe, meqë rruga kalonte pranë konviktit të vajzave të mjekësisë, i mora fëmijët me vete. Kur u afruam te dera e konviktit e këshillova vajzën e madhe t’i lutej dezhurnit të kalonin natën atje. Prita jashtë. Pas pak fëmijët dolën duke qarë.
-Na përzuri, – tha me dënesë vajza.
Autori shtjellon realitetin rrënqethës e dramatik, i cili shfaqet në forma nga më të rafinuarat, Xhepa shfaq mjerimin e trishtimin që sëbashku me varfërinë dhe trishtimin janë ulur këmbëkryq në “kjoskat ambulatore” të farsave sociale, ata qajnë e qeshin nga halli duke shfaqur forcën dhe shpresën e mbijetesës, që e bën rrëfimin mëse tronditës në kronikën e jetës së përditëshme.
“Zhan Valzhan”-i thirra, – Fantinës ia kanë flakur Kozetën në rrugë.”
Autori Xhepa manovron nëpërmjet personazheve të romanit “Të Mjerët”, një nga veprat më të lexuar të shkrimtarit frances Viktor Hygoi, i cili e ka himnizuar mjerimin bukur e thjeshtë; – Vodhi një copë bukë për të ushqyer fëmijët dhe doli nga burgu një kafshë! Me finesë krijon analogjinë e fëmijëve të mitur, lënë në mëshirën e fatit, me Kozetën e pafajshme të Hygoit, varfërinë dhe mjerimin e tejskajshëm në tërësinë e kompleksitetit të ndjenjave njerëzore, e cila na bën të kuptojmë qartë gjendjen shpirtërore e sociale të fëmijëve. Analogji, që i shërben si një sfond njerëzor i paqëndrueshmërisë së njeriut ndaj njeriut, ku dominon forca e arsyes, humanizmit dhe forca e fjalës ideoartistike e Xhepës.
“Qeshi me zë të brendshëm, të thellë. -Hajdeni zogj në çerdhen time, – tha pa pyetur se cilët ishin.”- si thirrje e ankthit
Në bisedë e sipër autori ndjente tensionin, nervozitetin, stresin dhe shpirtin human të mikut të tij; marrjen në mbrojtje dhe kujdesin të qënieve të mitura, të keq ushqyera e të nëpërkëmbura; “Qeshi me zë të brendshëm, të thellë. -Hajdeni zogj në çerdhen time, – tha pa pyetur se cilët ishin.”- si thirrje e ankthit të kohës mbarsur me kontrastet e mëdha, farsat sociale dhe bujarinë njerëzore.
“Sapo hymë në kuzhinë, dhoma e punës së tij, nxorri nga një dollap i vogël pesë qirinj, një për secilin nga ne, i vendosi në parvazin e dritares;”- Xhepa shpreh këndvështrimin e tij ideoartistik, shpengon dhe shpjegon dritën e thyer të pesë qirinjve ndaj errësirës në sytë e fëmijëve, mikut të tij dhe vetes, prirje këto për të menduar ndryshe. Drita e qirinjve në fund të tunelit monologon raportin e zemërgjerësisë së shpirtit intim e të lirë me optimizmin e shpresën e së ardhmes që i përket ardhmërisë dhe dashurisë njerëzore;
-Mirëseardhët engjëj të shenjtë! Vajza e vogël vrapoi drejt tij, iu hodh në qafë e me lotë gëzimi i tha: “Xhaxhi ti je si ne?”
Mbizotërimi i harmonisë dhe humanizmit evokon karakterin njerëzor, burrëror dhe të sakrificës të mikut të autorit, që është – “Petro Zheji, antikomunisti trim, pasi i ushqeu dhe u preu biletat fëmijëve “armiq”, me dashuri hyjnore i përcolli për Shkodër.”
Ky ishte i madhi Petro Zheji, që vinte në sprovë dhimbjen dhe nuk pranonte dëshpërimin, por i kthente vlerat njerëzore në grintën ngadhënjimtare të tyre, veçmas për njëriun e thjeshtë e të vërtetë.
Titulli i rrëfenjës “Hëna dhe Hekurat”, është unik dhe alegorik, me kuptimin dhe metaforën e dyfishtë të një shpirti të lirë dhe mosgjykimit të tij. Xhepa shpalos këndshëm emocione të forta e të fuqishme, bukurinë e intimitetit lirik e historisë prekëse dashurie me një të huaj, e cila robëroi zemrën e shokut të tij, Pëllumb Lloshit: “Pulum, do të të pres…dashuria ime… shqiptare…e parë! Më puthi në buzë, ndryshe, të lëngët. E putha edhe unë, fort, gjatë. Iku ngadalë. Largohej bashkë me zemrën, kishte shpërthyer kraharorin, e ndiqte si e marrë, ma kishte rrëmbyer… Buzët e saj prej zjarri e dogjën frikën. Hëna lëshoi vesë mbi trupt tanë. -Është mirë mos na shohin bashkë në mëngjes herët në Tiranë”. Por kthesa e papritur përkundrejt harmonisë së shpirtit të trazuar romantik, është një nga aspektet më intriguese të rrëfimit, që të fut drithërimën dhe sfidon Shekspirin, mjeshtrin e lotëve të trishtimit dhe lotëve të haresë.
“E merr me mend pse të kemi sjellë këtu? -Jo nuk e di! – Kemi gdhirë tërë natën kur ti… Oficeri i sigurimit që ishte ulur në vendin e parë, me trup të madh e duar si darë, me vuri hekurat forcërisht prapa. I shtrëngoi; ato filluan të dhëmbin…Më shtyu brenda. Hapi frëngjinë e saj, një birë në pjesën e sipërme. – Hekurat do të t’i heq kur të urdhërojë shefi. E mbylli me krismë therëse, bashkë me të edhe jetën time.”
I sinqertë dhe mendje hapur, Xhepa shtjellon qartë me ëndje, dhimbje dhe adhurim fatin e Pëllumbit pas takimit dhe mistifikimin e atij çasti romantik që nuk mund t’i largohet kurrë nga kujtesa. “Hëna dhe hekurat” është tronditës, jep realitetin e pushtetarëve mediokër, injorantë e besnikë të sistemit, shpesh herë brutalë, sinonim i “xhonglerëve” politikë e partiakë të moralit komunist. Në frëngjinë e përbindshave ku bashkëjetonin Hëna dhe Hekurat, metamorfoza e forcës së dashurisë dhe brenga e vetmisë në kohë e hapësirë, kundër represionit komunist e konceptit unik persekutues, përpjekjet e mikut të tij, që edhe ashtu me “hekura” ndër duar nën vështrimin e zbehtë e të trishtë të hënës, ruan me çdo kusht e në çdo rrethanë misterin eternal të dashurisë njerëzore.
Mes 30-ë rrëfenjave “Në Sirtar”-in e Xhepës, autori arrin të na befasojë nga njëra rrëfenjë te tjetra; “Doktor Nosi”, “I Treti”, “Mësuesi i Frëngjishtes”, (tronditës fati i mikut të viteve tona të shkollës Kastriot Balili, shën.im), “Zhan Matie”,”Në Bibliotekë”, “I dënuari me pushkatim”, “Kur Dita ishte Natë”, “Rrapini”, “Shigjeta e Kuqe”, “Prindi”, “Fotografia”,” A good man”, etj., deri te rrëfenja e fundit me titull “Hëna dhe Hekurat. Secila rrëfenjë alternative është historia e një beteje sublime njerëzore dhe shpirtërore midis të mundshmes e të paparishikueshmes nga ana e protagonistëve të saj, për të kuptuar të çuditshmen dhe misteriozen që fshihnin muret social-politikë në zymtësinë historike të botës reale dhe rendit të akullt shoqëror, në të cilën ai dhe protagonistët e tij kanë jetuar, atë botën e vështirë që të kuptohet, sepse kujtesa për atë ç’ka ndodhur nuk zhbëhet, por ajo rrëfehet! Autori rrëfen në mënyrë realiste, humane dhe filozofike përvojat jetësore, dramat e fatet njerëzore individuale, mënyrën e të konceptuarit të botës, shoqërisë e marrëdhënieve ndërnjerëzore. Përmes emocioneve dhe intensitetit të ngjarjeve, autori Xhepa absorbon të gjitha karakteret duke e bërë çdo gjë që ka ndodhur më të prekëshme, të sigurtë dhe të konunikueshëm, më të afërt e të besueshëm, mes vetes e lexuesit. E gjithë kjo mënyrë rrëfyese e Xhepës zhbiron radiografinë e kujtimeve të shkuara dhe sinoptikën ideoartistike dhe filozofike brenda mjedisit të realitetit shqiptar, dhe arrin t’u japë pjekurinë e duhur ndjenjave të dala spontanisht nga “sirtari”, që mbart drithërimën, dhimbjen, tronditjen e të prekëshmen, të bardhën e të zezën, ngushëlluese e të tmerrëshme, të egra e të mëshirëshme, vlera e antivlera, grotesken dhe dëshpërimin, pesimizmin dhe optimizmin, dhe u jep jetë personazheve të paharrueshme në jetën e tij. Autori përshkruan, histori e personazhe origjinalë e realë, të zakonshëm e modestë, intelektualë dhe elita e qytetarisë dhe inteligjencës shqiptarë brenda e jashtë Shqipërisë, miq të vjetër, të njohur e të panjohur, afër e larg të cilët guxonin e jetonin brenda realitetit të kufirit të ngushtë të thyerjes së brezave, kontrastit dhe përplasjes mes dy realiteve; realitetit të ashpër social-politik, i tejmbushur me kriza ekonomike sociale dhe ekzaltimit moral të shoqërisë. Karaktere të denjë e tronditës që dalin nga “muzeu historik “i kohës, personazhe të mirëvendosur me dramat e tyre jetësore e njerëzore, që konkurojnë në rrëfenjat alternative shkaqet e pasojat, karaktere të përkushtuar për të ndryshuar sistemin dhe konsolidimin e sistemit liri-demokraci.
Xhepa zhbiron anën psikollogjike dhe sociale të personazheve dhe shtresave shoqërore të kulturave të ndryshme që ai ka takuar e takon në jetën e përditëshme në Amerikë, duke përcjellë mesazhin e unitetit social e njerëzor e shpirtëror të kulturave, -se dashuria e dhimbja, paqja e ngrohtësia njerëzore nuk njeh ngjyrë e race, ajo ekziston kudo.
Vëzhgimin e ndërsjelltë e të përbashkët të tyre midis të mundshmes, të pamundshmes dhe të paparashikushmes në të kaluarën dhe shpresës drejt së ardhmes brenda atij realiteti të së përditshmes, që ndriçon realitetin e sotëm në kufijtë e atdhedashurisë dhe dashurisë njerëzore.
Postcsriptum
Takimi me Muç Xhepën ka ndodhur qysh në rininë tonë të hershme, dekada më parë, ekzaktësisht në shkollën e mesme të Gjuhëve të Huaja, shokë konvikti. Ne i përkasim një brezi të mrekullueshëm ndër ato vite me shokë e shoqe të fismë e të bukur në formë e funksion, i brezit të mësonjësve të mrekullueshëm, të mënçur dhe me kockë të fortë qytetare dhe intelektuale, vlerat humane e çdo vetie të secili prej tyre, u bënë pjesë e rëndësishme e jetës dhe e botës sonë, që na shndërruan Ne, nxënësit e tyre – në Humanë! Mustafa XHEPA ka mbaruar studimet universitare për Gjuhë Angleze. Përveç karrierës së mësuesisë, spikat edhe karriera diplomatike në Washington. “Në Sirtar” është libri i parë i Prozatorit dhe ish Diplomatit, -Mustafa XHEPA. Libri i dytë në proçes botimi del së shpejti e titullohet “Në anën tjetër, tregime Uberi”. Jeton, punon e krijon në Washington.
* Esse analizë “Në Sirtar”-in e Rrëfimeve të Muç Xhepës
Maj, 2020
Raimonda MOISIU
Author/Freelancer
Florida, USA
by dgreca

Doktor Ardian Mustafai së bashku me bashkëshorten e tij mjeke Margarita Dalipi-Mustafai rrëfejnë Berlinin ekskluzivisht për gazetën Dielli, New York, intervistë dhënë gazetarit Sokol Paja/

COVID-19 NË GJERMANI DHE PASOJAT

Gjermania në Eurozonë ishte shteti më i suksesshëm në luftën ndaj pandemisë që ka paralizuar globin. Edhe pse shteti gjerman shërben si model shumë efikas në luftimin e kësaj sëmundje, prapë se prapë pasojat janë ndjerë në të gjitha fushat e jetës. Pandeminë Globale të quajtur COVID-19 të shkaktuar nga SARS-CoV-2, pritet ta pasojnë një sërë ndikimesh dhe luhatjesh si shëndetësore, njerëzore, ekonomike, e shoqërore në përgjithësi. Asgjë sdo jetë si më parë. Dëmi në ekonomi, ngadalësimi në zhvillimin e sipërmarrjeve dhe kryesorja humbjet në jetët njerëzore kanë sjellë një shqetësim jo të vogël te popullsia vëndase. Për shkak të menaxhimit të shkëlqyer të krizës që shpërtheu nga pandemia globale, ndërhyrjes së shpejtë të institucioneve, efikasitetit të sistemit shëndetësor dhe planit të masave, bëri që Gjermania edhe pse me numrin më të madh të banorëve krahasuar me shtetet tjera të Bashkimit Evropian, e kaloi me suksese këtë sfidë, bazuar nga numri i të infektuarve si dhe numri i atyre që përfunduan letalisht. Ky sukses u garantua nga fakti se Qeveria gjermane, Ministria e Shëndetësisë së Gjermanisë në koordinim me Institutet e varësisë, filluan testimet masive të popullatës, për detektimin e hershëm të personave që mund të ishin prekur nga pandemia globale. Situata aktuale përsa i përket numrit të të shëruarve spontanisht është në rritje e sipër, duke marrë parasysh se ende nuk ka vaksinë për të kuruar Covid-19. Një tjetër tregues shpresëdhënës në lidhje me të ardhmen pozitive është fakti se numri i të infektuarve nuk ka shënuar rritje të madhe. Sipas rekomandimeve më tëfundit nga autoritet shëndetësore, prej muajit Maj 2020, kemi lehtësime në qarkullimin hekurudhor, atij të transportit publik, hapjen e shumë lokaleve dhe hotelerive të ndryshme, shkollave e çerdheve për fëmije, mbajtjen e manifestimeve të ndryshme, normal në numër të konsiderueshëm të njerëzve. Por ajo që duhet theksuar mbi të gjitha është detyrimi për mbajtjen e maskave në të gjithë Landet e Gjermanisë.

INSTITUCIONET SHTETËRORE NË LUFTË NDAJ COVID-19
Përsa i përket masave të marra nga shteti gjerman për luftimin e COVID 19, qeveria Gjermane në bashkëpunim me institutionet mjekësore të varësisë, që në fillim të janarit të vitit 2020 ka ndërmarrë aktivitete të ndryshme për parandalimin e përhapjes së SARS-CoV2. Institucionet sensibilizuan popullatën nëpërmjet rekomandimeve të dala nga Institutet Virologjike, si Robert-Koch – Institutit me seli në Berlin, po ashtu edhe të tjerëve në vend, duke mbajtur distancën prej 2 metra nga njëri-tjetri, mos dhënien e duarve gjatë përshëndetjeve, mos lejimin e mbajtjes të asnjë lloj manifestimi sportiv, kulturore, social, përdorimin e domosdoshëm të maskave në fytyrë, pastrimin e shpeshtë të duarve, testimi i numrit të madh të popullatës, etj.
SHQIPTARËT NË GJERMANI
Bashkatdhetarët shqiptarë në Gjermani kanë qenë shumë pak të prekur dhe fatmirësisht pa pasoja në jetë të humbura. Nga strategjia e suksesshme e qeverisë dhe nga ndërgjegjsimi i shpejtë bëri që shqiptarët të shpëtojnë paqë. Përsa i përket numrit të të infektuarve shqiptarë në Gjermani, në bazë të të dhënave nga ana e grupeve të punës të Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani në të gjitha Landet e Gjermanisë, rezulton të jetë shumë i vogël. Në lidhje me këtë, Shoqata e Mjekëve Shqiptarë në Gjermani u vu në dispozicion për çdo lloj informate apo njoftimi nga ana e mjekësve që t’i shërbejë popullatës shqiptare në Gjermani si udhërrëfyes, në rast infektimi, si ndihmesë se ku ata të orientohen dhe drejtohen për të ndjekur më pas hapat mjekësorë. Përsa sa i përket sferave të tjera, normal që shumë shqiptarë që shërbejnë në Gastronomi e Hotelieri janë të goditur nga kjo murtajë. Ne jemi shpresëplotë se me këto lehtësime të lëvizjeve të njerëzve e rikthimit në jetën normale në Gjermani, do fillojnë të frymojnë lirshëm edhe shqiptarët që jetojnë e punojnë në Gjermani. Hapja e shtetit do ndikojë pozitivisht si ekonomikisht dhe psikologjikisht për qytetarët e kyçyr nga pandemia globale.

TREGUESIT NË VAZHDIM TË COVID-19 NË GJERMANI
Shifrat që vijnë nga Gjermania janë gjithnjë e në përmirësim çka japin shumë shpresë në ecurinë pozitive të luftës së suksesshme ndaj pandemisë botërore Covid-19. Kurba e të infektuarve ka ndryshueshmëri në varësi të ditës dhe javës. Gjersa në fillim të vitit shkalla e infektueshmërisë rritej, ku një person i infektuar mund të infektonte 10 të shëndoshë, pra shkalla1, me kalimin e kohës, shënoi ulje nga 0.6 – 0.7. Parashikimet për shkallën e infektueshmërisë për momentin është vështirë të parashikojmë, pasi në dallim nga dita në ditë, por ajo që pritet të shihet në vazhdim është numri i të shëruarve spontan, gjë që ka shënuar rritje të lartë. Me shpresë që pas këtyre lehtësimeve të kohëve të fundit në lëvizje të njerëzve, dhe hapjen e lokaleve dhe lejimin e manifestimeve të ndryshme, nuk do kemi valë të dytë të infektimit, kjo do na pamundësonte të vlerësonim pasojat e mundshme. Në lidhje me jetët e humbura të qytetarëve gjermanë ndër shkaqet kryesore tëvdekjeve në moshat e thyera kanë qenë shkaqe duke filluar nga ato kardiovaskulare, pulmologjike, diabetike, kanceroze, immunitet të dobët, këta janë më të prekur, ku fatkeqësisht një pjesë pëfundon në ventilimn mekanik me Intubacion, dhe si rrjedhojë përfundojnë letalisht. Kujdesi duhet të jetë jashtëzakonisht i lartë perderisa nuk kemi ende vaksinën në disponim, nuk do mund të themi se kemi arritur sukses në parandalimin apo shërimin e COVID-19, sepse në çdo çast mundet që SARS-CoV2 të infektojë dhe të kthehet në ditët më të këqija të shpërthimit të pandemisë. Përfundimi i një epidemie nga çasti i infektimit çka do të thotë 28 ditë nga i infektuari i fundit si i testuar negativ. Deri tek ky moment magjik, besoj do na nevojitet një kohë e gjatë. Në këtë betejë sa institucionale sa shëndetësore sa njerëzore nevojitet bashkëpunim dhe kujdes i të gjitha hallkave pasi një zinxhir i vetëm nuk mund të bëjë asgjë në luftë me ketë virus agresiv.
MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË SHBA
Nëpërmjet kësaj interviste dua të përshëndes lexuesit e Diellit, komunitetin shqiptar në USA dhe veçanarisht federatën panshqiptare Vatra si një federatë mbarë shqiptare me një rol të jashtëzakonshëm në ruajtjen e identitetit kombëtar, gjuhës, traditës e kulturës dhe promovimin e çdo shqiptari të suksesshëm. Vatra është model i organizimit dhe funskionimit të diasporës shqiptare. Për të gjithë komunitetin shqiptar në USA unë do t’ju bëja thirrje qëtë kenë kujdes të shtuar në këtë betejë të egër me virusin vdekjeprurës. Lexuesve të gazetës Dielli do ju rekomandoja që ruajtja e distancës prej 2 metra të jetë e panegociueshme, të bëhet shpesh larja e duarve, të mos përshendesim me duar, mbajtja e maskave nëpër qytet dhe në hapsirat publike. Sipas të gjitha të dhënave të Instituteve Virologjike deri tek Vaksina do nevojitet të paktën edhe 1 vit kohë, deri atëherë infeksioni nëçdo kohëështë i mundshëm. Prandaj ti përmbahemi regullave të lartë përmendura. Virusin do ta mundim të gjithë bashkë me punë, kujdes mjekësor, distancim social dhe higjienë personale.
KUSH JANË MJEKËT BASHKËSHORTË ARDIAN MUSTAFAI DHE MARGARITA DALIPI-MUSTAFAI

Dr.med.Ardian Mustafai është nga Tetova e Republikës së Maqedonisë së Veriut, jeton dhe punon me vite në Gjermani si mjek Internist-Kardiologji si dhe në Mjekimin Intensiv me Reanimacion në Klinikën Universitare Ruppiner Kliniken në periferi të Berlinit, si dhe njëherësh është Nënkryetar i parë i Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani. Dr.med. Margarita Dalipi-Mustafai është nga Struga e Republikës së Maqedonisë së Veriut, jeton e punon me vite në Gjermani si mjeke Internist-Nefrologji, si dhe në mjekimin Intensiv me Reanimacion në Klinikën Universitare Ruppiner Kliniken në periferi të Berlinit. Puna e mjekut Ardian Mustafai në diagnostikën Klinike në Kardiologji konsiston në trajtimin e sëmundjeve Kardiovaskulare nëpërmjet Diagnostikës së Ultrazërit të Zemrës, Ultrazërit Transezofageal, Stress-Ultrazërit të Zemrës, Ultrazërit me mjetë Kontrast, Ergometrisë, Kontrollimin e Pacemaker, si dhe Kateterizimit të zemrës si Diagnostikë. Në mjekimin Intensiv kryesisht mjekët bashkëshortë merren me ventilimet mekanike, Intubimet endotraheale dhe Reanimacionet. Puna e doktor Ardianit në Klinikën e Nefrologjisë ka të bëjë kryesisht me Dializimin, Hemofiltracionet, Plazmaferezen, Immunofiltracionet, Biopsisë e Veshkave, si dhe Ultrazërin e Veshkave. Doktor Ardian Mustafai është anëtar i shoqatës së kardiologëve të Gjermanisë. Të dy bashkëshortët janë pjesëmarrës në shumë Konferenca e Kongrese të ndryshme vendore e ndërkombëtare në fushën e mjekësisë.
by dgreca

Nga Astrit Lulushi/ Arti të mahnit. Dhe fjala ‘art’, në çdo gjuhë është e njëjtë, ndoshta sepse vjen nga një “Aaa!’, që njeriu lëshon kur mahnitet sapo sheh një veprim ose shprehje ose lexon një shkrim që ‘e lënë gojë hapur’. Variantet e saj si ‘artem’ e ‘artistic’, mendohet se kanë ekzistuar që nga themelimi i Romës, rreth 800 vjet pes. Kjo nxit mendimin se ‘art’ nga përtej lashtësisë vashdon të jetojë e pandryshuar dhe në të gjitha gjuhët e botës. Fjala art rrjedh nga Latinishtja “ars”, e cila edhe pse përcaktohet si “aftësi”, përcjell edhe një kuptimin të bukurisë, e cila shprehet me ‘Aaa’.
‘Fjala’, nga një parashqipe ‘spala’, është prodhim i njerëzve të thjeshtë, por që prej 2-3 shekujve të fundit, studimi i saj është kthyer në profesion.
Kur fjala u krijua, duhej të ekzistonin edhe dy veshë për t’a dëgjuar – nga ‘vesh’ rrjedh edhe ‘veshje’ – sepse fjala kalon në filtrin e veshëve, që jo rrallë i japin asaj kuptim të dyfishtë dhe që njeriu e shpreh sipas dëshirës së vet. Pra, e para nuk ishte ‘fjala’, por veshët.
‘Fjala’, pastaj, u bë ‘morfë – morpheme’, që do të thotë ‘më fjalë’, a bashkim fjalësh, dhe prejardhja e saj u vendos t’i jepej arbitrarisht greqishtes së lashtë, duke ia mohuar shpjegimin shqipes së folur.
Por çdo fjalë meriton njē enciklopedi, sepse në formimin e saj përmblidhen jetë e kultura nga më të ndryshmet, si dhe gjurmët e të gjithëve që kanë pasur një kontakt me ‘të gjatë udhës së saj që nga koha-nuk-dihet-se-kur.
by dgreca

-45 ditë pas mbylljes dhe 75 ditë pas konstatimit të pacientit Zero në New York, do të rinisë fazë-fazë rihapja…
– Faza e parë lejon që rajonet në Upstate dhe pjesën qendrore të rifillojnë operacionet e prodhimit, ndërtimit, kopshtarisë, bujqësisë, si dhe shitjet me pakicë.
– Në urdhërin e rihapjes nuk përfshihet New York City, Long Island, pasi kanë përmbushur deri tani vetëm katër nga shtatë kriteret…
– Bizneset që do të rihapen do të duhet të zbatojnë masat paraprake të sigurisë të diktuara nga shteti, përfshirë praktikat e distancimit shoqëror për punonjësit dhe klientët, standarde të rrepta të pastrimit dhe kontroll të vazhdueshëm shëndetësor të punonjësve, ruajtjen e distancimit social.
Përgatiti: Dalip GRECA /
Pesë rajone në shtetin e Nju Jork-t do të lejohen të fillojnë një rihapje në faza të njëpasnjëshme të ekonomive të tyre duke filluar nga e Premtja, 15 Maj. Kryesisht do të lejohet ndërtimtaria, veprimtaritë e bujqësisë, kopshtaria, shitjet me pakicë etj. Këtë e deklaroi guvernatori Andrew Cuomogjatë konferencës të së Enjtes, 14 Maj 2020.
Guvernatori e kishte nënshkruar urdhërin e mbylljes qysh me 20 Mars, plot 45 ditë të shkuara, kohë kur me një urdhër ekzekutiv u urdhëruan bizneset jothelbsore të ulnin qepenat, dhe banorët u urdhëruan të mbylleshin në shtëpi dhe të respektonin distancimin social, ndryshe përballeshin me gjoba që varionin nga $500 deri në $1000. Ky urdhër skadon pikërisht nesër, e premte, me 15 maj 2020.
Kanë kaluar 75 ditë që nga momenti kur New Yorku zbuloi rastin e parë të qytetarit zero të infektuar dhe përgjatë kësaj kohe beteja ka qenë e vështirë, kanë humbur deri tani 27 mijë e 426 jetë njerëzoredhe janë infektuar 353 mijë e 96 pacientë, shifër kjo që i le pas të gjithë shtetet e Europës: Spanjën me 272 mijë e 646 të infektuar, Rusinë me 252 mijë e 245, Mbretërinë e Bashkuar me 233 mijë e 153, Italinë me 223 mijë e 96, Francën me 178 mijë e 870, Gjermaninë me 174 mijë e 945 apo dhe Brazilin me 202 mijë e 918 të infektuar.
Faza më e keqe ka kaluar, jetët e humbura nuk mund të rikthehen, dhimbja është e pranishme në mijëra familje njujorkeze, por jeta vazhdon. Tash fillon çmontimi i ngadalshëm i valvulës së sigurisë dhe hap pas hapi rajonet e shtetit do të rihapen, pa hequr dorë nga masat e sigurisë.
Në urdhërin e rihapjes nuk përfshihet New York City, pasi ka përmbushur deri tani vetëm katër nga shtatë kriteret e kërkuara për të filluar rihapjen e tij faze-fazë.
Pesë rajone të Nju Jork-ut në Upstate dhe pjesën qendrore të shtetit kanë përmbushur shtatë standartet e diktuara nga zyrtarët e shëndetësisë për të filluar një rihapje me faza të bizneseve lokale.
Faza e parë lejon që rajonet të rifillojnë operacionet e prodhimit, ndërtimit, bujqësisë si dhe shitësit me pakicë.
Guvernatori bëri apel për të qenë të kujdesshëm. Gjithçka do të varet nga ecuria, gjithçka bazohet në marrjen e masave dhe numrat e të prekurëve.
Ai porositi qeveritarët lokalë për të menaxhuar rihapjen e bizneseve; monitorimin e përditshëm të shifrave, vëzhgimin e pajtueshmërisë së bizneseve me ruajtjen e jetës së punonjësve, marrjen e masave mbrojtëse.
Problem mbetet ende New York City, që siç tha Guvernatori, ka përmbushur vetëm katër nga shtatë kriteret e kërkuara, prandaj nuk është gati për të filluar rihapjen. Më herët, në fillim të javës, kryetari i bashkisë Bill de Blasio tha se qyteti i tij “nuk është ende i gatshëm për rihapje”. Ai komentoi se: “nëse nuk ndodh diçka e mrekullueshme”, urdhrat e rreptë të qëndrimit në shtëpi në pesë bashkitë e NYC do të mbeten në fuqi deri në qershor”.
Për të filluar fazën e rihapjes, pesë bashkitë e NYC, që mbajnë peshën më të madhe të Pandemisë së COVD-19, si për numrin e të infektuarëve ashtu edhe për numrin e të vdekurëve, do t’u duhet që të raportojnë dy javë rënie në minimum të shtrimeve në spital, të ulin numrin e të infektuarëve, duhet të sigurojnë nën 15 spitalizime të reja me një mesatare tre-ditore, duhet të plotësojnë kapacitetet e shtretërve etj…
Një rajon, që të rihapet, gjithashtu duhet të ketë kapacitete të nevojshme në spitale, të jetë në gatshmëri kujdesi intensive, dhe të plotësojë prag-un e domosdoshëm për Testimet dhe gjurmimin e kontaktit.
Guvernatori tërhoqi vëmendjen për mosshkujdesje pasi rihapja në faza nuk do të thotë se gjithçka ka mbaruar. Do të thotë që ne kemi nën kontroll problemin për shkak të asaj që bëmë dhe për shkak të përgjegjësisë tonë individuale dhe veprimeve tona individuale, dhe kështu duhet të vazhdojmë edhe tash e tutje, komentoi guvernatori të enjten. Ai tha se 157 pacientë vdiqën për shkak të Covid-19 të Mërkurën, ndërsa të enjten numri i të vdekurëve ishte 136. Situata duhet mbajtur nën kontroll.
-Nëse shihni një ndryshim në shifra, reagoni menjëherë, pa lejuar që virusi të na verë përpara.
“Rihapja me faza nuk do të thotë se problemi është zhdukur,” tha Cuomo të enjten, duke shtuar se vendimet për rihapjen duhet të merren “në një mënyrë të kalibruar”.
Rajonet që rihapen pjesërisht të premten me 15 Maj janë: Central New York, North Country, Southern Tier, Mohaëk Valley si dhe Finger Lakes.
PO SI ISHTE SITUATA E COVID-19 SOT NË BOTË ?
Bota sërish regjistroi një shfër të lartë të infektuarëve duke raportuar për 24 orshin e fundit 92 mijë e 918 të infektuar të rinj, duke e çuar shifrën e përgjithshme në 4 milionë, 518 mijë 574 të infektuar, ndërkohë që u raportuan 5 mijë e 184 të vdekur gjatë 24 orëve, duke e çuar shifrën e përgjithshme të viktimave në 302 mijë e 949 të vdekur. Eshtë raportuar se numri i të shëruarëve në të gjithë botën ka shkuar në 1 milion 703 mijë e 758.
Spanja vazhdon të mbajë vendin e dytë në Botë pas SHBA-ve për numrin e të infektuarëve 272 mijë e 646, ndërsa numri i viktimave së bashku me 217 të vdekur në 24 orshin e fundit ka shkuar në total 27 mijë e 321. Rusia është ngjitur në vendin e tretë në botë për numrin e të infektuarëve me 252 mijë e 245, me një ritëm ditor prej 10 mijë të infektuarish. Mbretëria e Bashkuar mbanë vendin e katërt me 233 mijë e 151, ritmi ditor 3 mijë e 476, ndërsa numri i të vdekurëve ka shkuar në 33 mijë e 614, më e larta në Europë. Italia ka zbritë në vendin e pestë me 223 mijë 096 të infektuar, ndërsa numri i viktimave 31 mijë e 368. Brazili ka një ngjitje të frikshme të kurbës ditët e fundit. Sot atje u raportuan 13 mijë e 761 të infektuar duke e çuar numrin e përgjitshëm në 202 mijë e 918, ndërsa me 835 të vdekurit e sotëm numri i viktimave shkoi në 13 mijë e 761.
Franca ka zbritë në vendin e shtatë me 178 mijë e 870 të infektuar, ndërkohë që ka 27 mijë e 425 të vdekur. Gjermania është pozicinonua në vendin e tetë me 174 mijë e 975, ndërkohë që ka raportuar 7 mijë e 928 viktima.
SITUATA NË SHBA
Ndërkohë që ka filluar rihapja e ekonomisë në disa shtete, shifrat vazhdojnë ta mbajnë Amerikën në vendin e parë për numrin e vdekjeve, numrin e të infektuarëve, por edhe për numrin e të shëruarëve, udhëheq edhe me testimet e popullatës.
Gjatë ditës së sotme, 14 maj, u raportuan 26 mijë e 398 të infektuar të rinj, duke e çuar shifrën e përgjithshme në 1 milion 456 mijë e 745. SHBA regjistroi në 24 orët e fundit 1 mijë e 703 viktima, duke ngjitur shifrën e përgjithshme në 86 mijë e 900 të vdekur. Deri tani janë raportuar të shëruar rreth 318 mijë pacientë me COVID-19. Të gjithë shtetet po i kushtojnë rëndësi testimeve, duke regjsitruar deri tani në total 10 milion e 535 mijë e 538 të testuar.
New York-u vijon të mbetet shteti më i infektuar jo vetëm në SHBA, por edhe në Botë me 353 mijë e 96 të infektuar, sot raportoi 2 mijë e 248, ndërkohë që numri i viktimave ka shkuar në 27 mijë e 426, afërsisht aq sa kanë edhe Spanja dhe Franca. Shteti ka kryer deri tani 1 milion e 304 mijë testime dhe po organizon gjurmimin e kontaktit.
New Jersey raportoi sot shifrën më të lartë të viktimave 24 orshe, 219, duke e çuar numrin në total të jetëve të humbura në 9 mijë 946, ndërsa numri I të infektuarëve kap shifrën 143 mijë e 811.
Illinoisi raportoi 136 vdekje në 24 orët e fundit, Massachusetts 167, California 75, Pannsylvania 147, Michigani 73, Texasi 41, Florida 47, Maryland 57, Connecticut 94, Virginia 28, Ohio 52, Indiana 27, Colorado 29, Washingtoni 18, Minnesota 34, Arizona 30, Alabma 23 etj…