• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË KUJTESË TË LIRAK BEJKOS- PROTESTË PARA UNITED NATIONS

May 14, 2020 by dgreca

United Nations NY në përkrahje të grevës së urisë të burgosurve politik në Shqipëri ku nga zhgënjimi e dëshpërimi u vetëflijua martiri Lirak Bejko.

NGA PELLUMB LAMAJ

Të gjithë bashkëvuajtës, të gjithë bashkëfajtor – Ky do të ishte skenari Ramiz Alisë dhe Katovicës, që u zbatua në Shqipëri nga hibridët sllavokomunistë, që vazhdojnë t’i dorëzojnë stafetën e pushtetit njeri tjetrit…

Të fituarit,të fituar;
Të mundurit, të mundur në përjetësi;me përjashtim të disa puthadorëve, që për hir të interesave të tyre të ulta, shkelën mbi gjakun dhe vuajtjet e bashkëvuajtësve të tyre.

Asnjë artist, shkrimtar,intelektual, nuk iu bashkangjit apo solidarizua këtij ngujimi të një grushti spartanësh, që duhet të ishte shndëruar në një përkrahje e solidaritet mbarë kombëtar e pse jo dhe rebelim. Mediat e shkruara dhe vizive uturak i oborrit heshtën apo u munduan ta tjetërsojnë këtë dramë kombëtare.
Shoqëria shqiptare ka pothuajse një shekull që nuk e njeh kauzën kombëtare dhe fatkeqësisht, pa një kauzë të till, nuk do të ketë as shtet të së drejtës e as dinjitet kombëtar.

MARTIRIT LIRAK BEJKO

Ti ike,ike, fluturove lart
Atje ku vec engjëjt jetojnë
Ushtar i Zotit ishe përjetë
Tani e ke mburojë

Ti ike bashkëvuajtësi ynë,ike,u ngjite lart
Atje ku hijenat e kuqe dot s’të rrethojnë
I le këtu poshtë padrejtësitë e kësaj bote
Dramat shqiptare që kurrë s’mbarojnë!

GREVA E URISË

Në Grevën e urisë 
U ngujuan ata
Ata që nuk jetuan kurrë
Ndërgjegja e kombit
Simbol i lirisë
Atdheun deshën më shumë

Në Grevën e urisë 
U rebeluan ata
Ata që buza s’u qeshi kurrë
Sheshuan male,thanë këneta
Të vetmen pasuri
Kanë një flamur

Në Grevën e Urisë 
U vetëflijuan ata
Ata që hakmarrje s’kërkuan kurrë
Jeta dhe vdekja jo s’bashkëqëndrojnë
Të zhdukësh të keqen
Ka vetëm një rrugë….!

Filed Under: ESSE Tagged With: Kujtese, Lirak Bejko, Pellumb Lamaj

KUJTESE NE VITIN E AT GJERGJ FISHTES

May 14, 2020 by dgreca

Vllazen e Motra Shqiptarë!/

Me daten 22 Nandor asht Dita e Alfabetit Shqip, që u punue në Shoqninë “Bashkimi” të Shkodres në vitin 1908, nga Poeti Kombtar At Gjergj Fishta, dhe u aprovue në Kongresin e Manastirit.Ai Alfabet na mësoi me shkrue fjalët Nanë, Babë e Shqipni…Veprat tjera të Atdhetarit At Gjergj Fishta i sherbyen gjithmonë Bashkimit Shqiptarve nen tingujt e Hymnit Flamurit Kombtar, Flamurit të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut!Në këte 80 vjetor që i madhi At Fishta mbylli sytë pergjithmonë, mendoj se, Shqiptarët duhet të kujtojnë Veprat e Tij të Perjetëshme tue i kushtue:

Shoran FRITZ RADOVANI/

Kujtoj…Sot, mbas sa vjetësh: A ka Bota Kishë Katolike që ka kalue.., sa Kisha e Lezhës?

Kisha e Zojës Nunciatë e Kuvendi Françeskan Lezhë

1464 Ishte koha e lavdishme e Heroit kombtar Gjergj Kastrioti kur del në fletët e historisë Kuvendi Françeskan i Lezhës. 

500 vite ma vonë në një letër At Gjergj Fishta, kërkoi per me e restaurue ate.Letra asht te numri i fundit i “Hyllit të Dritës”.  At Gjergj Fishta jetonte në një dhomë në Kuvendin Françeskan të Lezhës, brij Kishës për të cilën kërkonte restaurimin.

At Fishta aty, ka pas shkrue një pjesë së “Lahutës së Malcis”. Aty asht edhe sot dhoma e Tij. Revista “Hylli i Dritës” ka kenë konceptue prej At Fishtës në vitin 1913 me mendimin: “Hylli qi, mbas nji robnije të gjatë, duhet me e drejtue popullin Shqiptar në qytetninë e ngritun mbi bazat e lirisë e të drejtave individuale e shoqnore”, ndonse, lufta kunder Revistës ishte e vazhdueshme. E kjo luftë vazhdoi ashtu si kunder Krijuesit saj.

Kisha Françeskane në Lezhë asht ndërtue në 1240, gja që shihet edhe nga mbishkrimi latin mbi derë, në ballë të saj.

Në Shqipni, simbas traditës mendohet se Shën Françesku i Asizit asht themeluesi i kësaj Kishe. Në Kishë, në mes të tjerave, ruhej nji kryq argjendi, vepër veneciane e shek. XV, kushtue nga Princi Pal Dukagjini. Për ma tepër, tek Elteri i madh  kryesor, ishte nji pikturë e madhe, e cila vlerësohej me shumën 100.000 lit. ar. Në atë Kuvend, gjatë Luftës së Parë Botnore, austro-hungarezët patën vendosë seksionin e Kryqit të Kuq Ushtarak. Në shtator 1918, ditën që ushtarët braktisën Kuvendin, Kisha dhe Kuvendi u shkatërruen prej zjarmit. Në 1928 Kuvendi u rindërtue, ndërsa Kisha vetëm sa u mbulue. Kjo Kishë konsiderohet si djep i Françeskanve në Shqipni e, Fretnit, kanë pasë dëshirë të flakët ta restaurojnë, për faktin se asht monument kombtar, falë lashtësisë së saj.

At Fishta, shkruen se themelimi i Kishës së Zojës Nunciatë dhe i Kuvendit Françeskan bashkangjitun me te, asht shënue nga disa tradita, që flasin për një kalim të Shën Françeskut gjatë kthimit prej Tokës së Shenjtë në vitin 1219-20, si thohet edhe nga Françeskanët tjerë t’asaj kohë. Me këte rast Ai, përdori një rrem pishe, që kishte skicue planimetrinë e Kishës direkt mbi terren në kodrën përballë Lezhës së atëhershme.

Ndërtimi i saj vazhdoi prej një meshtari lezhjan Don Lleshi, që shpjegon emnin popullor “Kisha e Dom Lleshit”. 

1240 asht datë e një pranie të Françeskanëve në Lezhë, që verteton edhe mbishkrimi i vonshëm i gdhenun mbi derën kryesore të Kishës. Mendohet se kjo datë i referohet një Kishe tjetër të shek.XII, e ndërtueme po në të njajtin vend. 

Në mungesë të dokumentave të sigurta, mund të mendojmë që Fretnit Françeskan të kenë themelue kuvendin e tyne mbas vitit 1393, pra, kur qyteti i Lezhës kaloi nga duert e Princave Dukagjini nën sundimin e Republikës së Venedikut. Edhe stili i arkitekturës së saj flet se Kisha ka kenë ndërtue në fund të shek.XIV ose në fillim të shek. XV. Sidokjoftë, vlera e madhe historike e Asaj Kishë në Lezhë asht e padiskutueshme…

Me 29 Nandor 1944, ashtu si gjithë Shqipnia edhe ajo Kishë do të zaptohej nga sllavokomunistët e drejtuem nga Enver Hoxha. Me 11 maj 1947, dora kriminale e atij regjimi prangoi edhe At Serafin Kodën famullitari i Lezhës, e masakrimi barbar mbas tetë muejsh tortura mizore e zhduku këso bote Martirin trim. 

Mbas vendosjes së ateizmit të shtetit më 6 shkurt 1967, e para ndër vendet e kultit katolik, Kisha e Zojës Nunciatë u vendos të jetë vend strehimi per kafshë dhe u ba stallë bagtishë… 

Ma vonë ofiçinë mekanike dhe kovaçeri. Kumbonaria shumë shpejt u rrëzua e hymja u ndryshue, për me kalue kamionat. Edhe varrezat e vjetra që rrethonin Kishën dhe që ruenin monumente të rëndësishme mesjetare u hoqën prej aty, per me i lirue vend ndërtesave të kooperativës komuniste.

Mbas vitit 1991 aty shkoi me sherbye At Konrrad Gjolaj, i cili jo vetem e rindertoi, por i dha pamjen e plotë të kohës, kur Ajo u kujtonte si Kishë, prakun e së ciles e ka puthë Gjergji i Madh i Popullit Shqiptar, dhe Gjergji dijetar i zhgunit Françeskan…

Ajo ishte dikur… Po, asht edhe sot, nder Kishat ma të njohuna të Françeskanve të Shqipnisë, që u salvue si Themeluesit e Saj per një gjysë shekulli, tue shkrue me Gjakun e Martirve të Saj, Historinë e lavdishme të Kishës Katolike Shqiptare… 

Mos harroni se edhe Ajo ishte një prej Kishave ku lutej Heroi Gjergj Kastrioti para çdo beteje kunder turqve!

         Melbourne, 14 Maji 2020.              

Filed Under: Politike Tagged With: Fritz radovani

GJENDET PROCES- VERBALI ORIGJINAL I PUSHKATIMIT TË DON SHTJEFËN KURTIT

May 14, 2020 by dgreca

Përmes një mesaszhi dërguar kryeredaktorit të Gazetës Dielli, z. Nikolin Kurti, nipi i martirit të Kishës, i lumi Don Shtjefën Kurti, informon se pas shumë kërkimesh nëpër arkiva, ka gjetë proces-verbalin origjinal të I Lumi Don Shtjefën Kurti. Ja letra-mesazh:

I dashur miku im, Dalip Greca,

Fillimisht Ju uroj gjithë të mirat dhe shëndet në këto kohë të vështira të COVID-19.

Ju njoftoj se pas shumë kërkimesh nëpër arkiva gjeta proces-verbalin original të pushkatimit të I LUMI DON SHTJEFËN KURTI, që po ua bashkëngjis si foto.

.. Duke kujtuar ato momente të tmerrshme, kur natën, me duar e këmbë lidhur, vritet me plumb pas koke një plak 74 vjecar…Përfytëroj gjendjen e tij mendore dhe shpirtërore para vdekjes, të cilën e pranoi pa kërkuar mëshirë, as falje!

Natyrisht nuk kishte bërë asnjë gabim, asnjë faj, që të kërkonte falje, thjesht kishte pagëzuar një fëmijë, ndërsa besimi në Krisht nuk iu lëkund as para skuadrës së pushkatimit.

Në proces-verbal shkruhen dhe fjalët e fundit të Tij para se t’i merrnin jetën- Tre fjalët e fundit: Rroftë Kisha Katolike!- i japin lavdi të përjetshme atij, dhe na bën të ndjehemi krenarë ne familjarët e Tij ,dhe nderojnë Kishën Katolike Shqiptare.

Procesverbali është hartuar nga hetusi i Ministrisë së Brendshme Vangjel Kote, i cili ka pasë pranë edhe zv/Prokurorin e rrethit të Krujës Piro Suli, zëvendës kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme të Krujës Ramiz Lalmi si dhe mjekun Asim Ylli.

Hetusi shkruan: në mbështetje të urdhërit të Ministrit të Brendshëm Nr. 3265/1 datë 25/9/1971, tërhoqa nga Reparti nr. 313, të dënuarin me vdekje Shtjefën Jak Kurti dhe e çuam në vendin e caktuar për ekzekutm.

  Atje zv/prokurori i rrethit të Krujës shoku Piro Suli i komunikoi të dënuarit me fjalë se Presidiumi i Kuvendit Popullor ia ka refuzuar faljen e jetës dhe se do të ekzekutohet vendimi i Gjyaktës, pra duhej të thoshte fjalën e fundit.

Pas fjalës së fundit u krye ekzekutimi me pushkatim dhe pasi u vërtetua nga mjeku se kishte vdekur, u veprua sipas autorizimit përkatës.

Procesverbali u hartua në katër kopje dhe u firmos nga të pranishmit: Hetusi Vangjel Kote, zv/Prokurori Piro Suli,zv/Kryetari i degës së Punëve të Brendshme –Krujë Ramiz Lalmi dhe Dr. Asim Ylli.

Prokurori që ishte ngarkuar me procesin gjyqsor të Don Shtjefën Kurtit, dhe kërkoi dënimin e tij me vdekje, si dhe gjykatësi Jani Vasili që dha dënimin me vdekje, të penduar u kërkuan ndjesë familjarëve të Don Shtjefnit me shkrim, pasi iu këkrua nga nipi Nikolin Kurti.

Me kërkesë e Nikolin Kurtit, nipit të Don Shtjefën Kurtit, ish-prokurori Hajredin Fuga dhe gjykatësi Jani Vasili kanë lënë një ndjesë të shkruar me dorën e tyre, me kërkesën e vetme që ato të publikoheshin pas vdekjes së tyre. “Prokurori Hajredin Fuga më kërkoi të mos e botoja letrën e tij sa të ishte gjallë: ‘Jam i moshuar, i lodhur e i sëmurë dhe nuk jam në gjendje të suportoj debatin që mund të bëhet në media për këtë gjë’. Po ashtu edhe gjyqtari Jani Vasili. Pas vdekjes së tyre, Nikolini i bëri publike letrat e shkruara prej të penduarëve, me shkrim dore. 

***

KUSH ISHTE DON SHTJEFËN KURTI?

Sjellim për lexuesin e Diellit një shkrim të shkruar nga Don Lush Gjergji,publikuar në të përmujshmen fetare, kulturore të Kishës Katolike – ”Drita”.

Don Shtjefën Kurti – dëshmor i fesë dhe lirisë 

Nga Don Lush GJERGJI

Lajmi i pushkatimit të Don Shtjefën Kurtit ishte alarmi i parë në Evropë dhe në botë për gjendjen e mjerueshme të popullit shqiptar, të klerit katolik, të çdo njeriu në Shqipërinë komuniste enveriste. Ja si shkruante Ettore Petta: “Gazeta zyrtare e sundimit komunist shqiptar “Zëri i Popullit” vërtetoi lajmin mbi pushkatimin e priftit katolik Shtjefën Kurti, që qysh më parë e shpalli shtypi ndërkombëtar… Gazeta e Tiranës në një komentim mbi këtë ngjarje tejet të vështirë pohon se ky prift qe dënuar me të drejtë si “spiun, bandit dhe avanturist”. Shtjefën Kurti do të ishte anëtar i “një bande revizioniste” e financuar nga Vatikani, që së bashku me amerikanët dhe anglezët do të kishte projektuar rrënimin e regjimit komunist. Zëri i Popullit ka shtuar lidhur me këtë që “agjentet e Kishës katolike kanë përgatitur në Shqipëri “magazine armësh” dhe kanë organizuar “qendra për spiuniume”. Po ashtu sipas Zërit të Popullit Don Shtjefën Kurti ‘ka merituar këtë denim” (“Corriere della sera”, 6 prill 1973).

Agjencia katolike austriake “Kathpress” shkruan se Don Shtjefën Kurti u dënua me vdekje sepse e pagëzoi një fëmijë në fushën e përqendrimit në Lushnje. Artikulli përfundon me këtë pohim: “Shqipëria është shpallur qysh në vitin 1967 shteti i parë ateist në botë”.

Kush ishte Don Shtjefën Kurti?

Ishte së pari dëshmor i fesë dhe lirisë, viktimë e ateizmit shtetëror, i cili u mundua ta vriste Zotin, por e vrau vetveten, popullin e pafajshëm, me përndjekje, mundime, gjykime, varfëri, ideologji, që do të mbesin në analet e turpit, padrejtësisë, urrejtjes, egërsisë, verbërimit dhe shkatërrimit, si edhe vetë komunizmi dhe ateizmi.

Don Shtjefën Kurti u lind në Ferizaj më 24 dhjetor 1897, në një familje të mirë dhe të njohur, e cila pati tetë fëmijë, nga prindërit Jak dhe Katarina lind. Tuna – Kurti. Qysh në fëmijëri pati një edukim të shëndoshë njerëzor, kombëtar dhe fetar. Shkollën fillore e kreu në gjuhën shqipe pranë famullisë katolike të “Engjëllit Rojës” në Ferizaj. Gjimnazin klasik në Shkodër, ndërsa studimet filozofiko-teologjike i filloi në Austri, por pas Luftës së Parë  Botërore, i vazhdoi dhe përfundoi në kolegjin dhe universitetin e famshëm “Propaganda Fide” në Romë. U shugurua meshtar në Romë dhe Meshën e Parë e kremtoi më 13 maj 1921. Së shpejti erdhi në vendlindje. Për një kohë punoi në zyre të ipeshkvisë në disa detyra të rëndësishme. Më vonë  vite me radhë ishte famullitar në Novosellë të Gjakovës (vendlindja e nënës së Nënës Tereze, Drane lind. Bernaj-Bojaxhiu). Përpos veprimtarisë së zellshme bariore, meshtarake, edukative, arsimore, ai së bashku me dy vëllezër meshtarë, Don Luigj Gashi (famullitar në Smaq) dhe Don Gjon Bisaku (famullitar në Bec), punoi ditë e natë, trimërisht dhe urtisht për ta mbrojtur popullin  shqiptar nga sulmet e gjithanshme diktatoriale serbe.

Kjo veprimtari iu ra në sy të gjithëve, popullit, por edhe sundimtarit, i cili në çdo mënyrë dhe mundësi ua kufizonte dhe pengonte çdo veprimtari kombëtare dhe fetare. Për ta ndriçuar deri diku kohën dhe rrethanat e veprimtarisë së tyre mjafton të përmendim vrasjen mizore të Atë Luigj Palaj (1913), Atë Shtjefën Gjeçovit (1929) dhe të tjerëve. Edhe këta tre klerikë ishin në shënjestër. Një herë haptazi një xhandar i ka thënë Don Shtjefën Kurtit kështu: edhe Ju do të përfundoni si Frati i Zymit!

 Kjo gjë jo vetëm se nuk i ka frikësuar, por u ka dhënë edhe më tepër vrull, zemër për ta mbrojtur popullin, e jo vetveten, si trima të vërtetë. Vite me radhë ata kanë mbledhur nëpër shumë vise dhe troje shqiptare shënime mbi maltretimet, keqpërdorimet, pësimet, dhuna ndaj popullit shqiptar. Këto materiale i kanë radhitur  në mënyrë sistematike në MEMORANDUM të njohur drejtuar Shoqatës apo Lidhjes së Kombeve, me seli në Gjenevë (1930) mbi këto tema të rëndësishme:mbrojtja e jetës, lirisë, të drejtës në pronë, përdorimit të gjuhës, shkollimit, fesë, kuptohet për të gjithë shqiptarët pa kurrfarë dallimi.

 Ky është dokumenti i parë, për fat të keq gjertani edhe i vetmi, mbi pozitën e shqiptarëve në ish-Jugosllavi.  Pas Luftës së Dytë Botërore, fati i Don Shtjefën Kurtit, si dhe i tërë popullit shqiptar, ishte mjaft i mjerë. Së shpejti qe burgosur dhe dënuar. Faji më i madh dhe i vetmi ishte ky: prift katolik shqiptar, atdhetar, dashamir i Zotit dhe i popullit. Mirëpo, si gjithmonë, edhe në këtë rast, Don Shtjefën Kurti nuk lëshoi pe:më mirë vdekja, martirizimi, se tradhtimi! Një herë jam përbetuar dhe gjithmonë jam i gatshëm këtë besë shenjte ta vulosi me gjakun tim! (Lexo: Drita, Ferizaj, nr. 3-4/1983, f. 8-9).

Burrëria, trimëria dhe besnikërisë e tij u pengonte edhe në burg, prandaj përgatiten kurthin: pagëzimin e një foshnje. Për ato  fjalë të shenjta fetare, të lashta dhe të shenjta edhe kulturore dhe kombëtare, si të parat të shkruara në gjuhën shqipe, prapë nga një prift shqiptar, qe dënuar me vdekje.  Populli thotë: trimëria dëshmohet në vështirësi. Don Shtjefën Kurti s’ kërkoi amnisti, falje, por me krenari e pranoi:e kam krye detyrën time meshtarake! Jam krenar dhe fatlum që po vdes martir!

Jeta dhe shërbimi i tij fetare dhe kombëtar u zbatua në Kosovë dhe në Shqipëri. Gjaku i tij i begatoi analet edhe me një emër të shenjtë dhe martir. Shembulli i tij për shumë njerëz ishte dëshmi e gjallë e dashurisë, besnikërisë dhe pavdekësisë.

Kleri katolik shqiptar në çdo kohë është mishëruar me popull. Këtë më së miri e dëshmon dhe vërteton historia jonë: gjatë sundimit otoman, gjatë diktaturës në Jugosllavinë e vjetër tek ne, si dhe gjatë sundimit komunist dhe ateist, si në Shqipëri, po ashtu edhe në Kosovë.

Në këtë varg historik Don Shtjefën Kurti ishte një dhanti e Zotit për popullin. Jetoi, veproi dhe vdiq për ideale të shenjta, të larta, për të cilat lypset jetuar dhe vepruar edhe ne, të gjithë vëllazërisht, së bashku. Martirët, dëshmorët, trimat lindin rrallë e nuk vdesin kurrë.

Papa Françesku e shpalli të lum në Shkodër, më 5 nëntor 2016, së bashku me Martirët Shqiptarë në krye me Imzot Vinçenc Prenushin

Filed Under: Emigracion Tagged With: Don Shtjefen Kurti, Leter Editorit, Nikolin Kurti

SI U GJUNJËZUA BELGJIKA NGA COVID-19

May 14, 2020 by dgreca

Intervistë ekskluzive për gazetën Dielli në New York e doktor Ramadan Jasharit, kardiokirurg në Bruksel, Belgjikë, dhënë gazetarit Sokol Paja./

Kardiokirurg Ramadan Jashari Drejtor i European Homogeraft Bank (EHB) në Bruksel ka skanuar situatën e pandemisë botërore Covid-19 në shtetin e Belgjikës. Megjithë faktin se Belgjika ka një sistem shëndetsor shumë të sofistikuar sipas doktor Jasharit, si numri i të prekurve, ashtu edhe numri i viktimave, janë shumë të larta. Belgjika radhitet ndër vendet me morbiditet dhe mortalitet më të lartë në Botë. Kategoritë më të ekspozuar ndaj sëmundjes sipas doktor Ramadan Jasharit ishin personat me: sëmundje pulmonare kronike (bronkit kronik, astme bronkiale), sëmundje kardio-vaskulare kronike dhe rastet me dëmtim të zemrës, pacientët me dëmtim të veshkave dhe mëlçisë, ata me diabete të rëndë dhe personat me kancer apo ata me imunitet të suprimuar.

BELGJIKA E PUSHTUAR NGA COVID-19

Pandemia COVID-19 ka prekur shumë rëndë vendin ku unë jetoj dhe punoj. Deri sot janë prekur nga COVID-19 më shumë se 52.011 persona, që është numër i madh për një popullatë prej 11.500.000 banorësh). 8.521 kanë humbuur jetën gjatë kësaj periudhe. Është interesant se mbi 50% e të prekurve si dhe të viktimave nga COVID-19 ishin persona që jetonin në senoiri (qëndra për banim dhe përkujdesje) dhe në moshë të thyer (mbi 70 vjeç). Megjithë faktin se Belgjika ka nje sistem shëndetsor shumë të sofistikuar (qëndra të mjaftueshme hospitalore me reparte intensive moderne dhe me mjaft aparatura dhe personel), si numri i të prekurve, ashtu edhe numri i viktimave, janë shumë të larta. Belgjika radhitet ndër vendet me morbiditet dhe mortalitet më të lartë në Botë (pas Italisë, Spanjës, Britanisë së Madhe, Francës). Të gjitha kategorite moshore ishin të prekura, me një dominim diku 50% të kategorive mbi moshën 70 vjeçare. Pastaj, kategoritë më fragjile ndaj sëmundjes ishin personat me morbiditet të njohur kronik si: sëmundje pulmonare kronike (bronkit kronik, astme bronkiale), sëmundje kardio-vaskulare kronike dhe rastet me dështim të zemrës, pacientët me dështim të veshkeve dhe mëlçisë, ata me diabete të rëndë dhe personat me kancer apo ata me imunitet të suprimuar.

MASAT QË MORI QEVERIA BELGE

Prej fillimit të pandemisë, Belgjika u organizua në atë mënyrë që ndau qarkullimin e pacientëve COVID-19 nga ata me sëmundje tjera. Pra, Klinikat kishin dy shsrbime urgjente dhe dy lloj shërbimesh të pacientëve të hospitalizuar. Numri më i madh i shtretërve u vu në dispozicion të pandemisë. Gjatë tërë periudhës së pandemisë (edhe në këtë moment) vetëm diku rreth 55-60% të kapaciteteve hospitalore u okupuan me pacientë COVID-19. Nuk pati mungesë të respiratoreve e as të stafit medikal. Megjithatë, një numër i madh i personelit medikal dhe paramedikal ishte i prekur nga virusi (gjatë përkujdesjes për pacientet). Në Belgjikë ekziston një numër i madh i seniorive (qëndra për banim dhe përkujdesje për persona të moshuar). Me gjithë faktin se masat restrictive për lëvizje u implementuan shpejt dhe në mënyrë strikte, virusi depërtoi edhe këtu. Me një shpejtësi marremendëse përfshiu një numër të madhe të këtyre personave, që rezultoi me një numër shumë të madh viktimash në këto seniori. Nga numri i përgjithshëm i viktimave në vend (8521), 4041 janë nga këto qëndra, të tjerët kan vdekur në Klinika dhe në shtëpitë e tyre. Mirëpo, nga të gjitha rastet e vdekjeve në senioritë, vetem 20% janë të konfirmuar me teste e 80% janë raste “të mundshme” COVID-19. Pra, shifrat duhen marrë jo si raste absolutisht COVID-19 të konfirmuara. Një ndër shkaqet e munshme për numrat kaq të lartë të prekurve në Belgjike është se numri i personave të testuar ka qenë relativisht i vogël gjatë disa javëve të para, derisa pandemia nuk peëfshiu senioritë. Prej datës 7 prill është krijuar “Platforma Nacionale” COVID-19, kur fillon të rritet numri i testeve (prej diku 5.000 testeve në ditë deri në fund të Marsit kalon 20.000 teste në ditën nga data 7 prill). Mbi dy të tretat e testeve bëhen në seniori, e 1/3 nëpër Klinika. Një numër i madh i pacientëve me siptoma të lehta (pa indikacion për hospitalizim) janë kthyer në shtëpi me kusht që të “vetizolohen” dhe të marrin antiinflamatorë. Shumë prej tyre janë shëruar pa ndonjë konsekuence të rëndë. Disa të tjerë kanë patur evolucion jo të favorshëm dhe janë kthyer në Klinika për hospitalizim.

SHQIPTARËT NË BELGJIKË

Komuniteti shqiptar në Belgjikë numëron diku rreth 85.000-90.000 banorë, të cilët janë të integruar në bashkëjetesën belge. Kjo do të thotë se ata kanë mbulesë për kujdesin shëndetësor, spitalet, trajtimin medikal etj. Në këtë mënyrë është e vështirë të dihet se sa persona nga komuniteti shqiptar kanë qenë të prekur dhe sa kanë qenë viktima  të COVID-19. Nga kontaktet e mia me komunitetin, kam kuptuar për 4 raste, nga të cilët me tragjikja ishte vdekja e një gruaje rreth 60 vjeçare, e cila kishte patur hemoragji cerebrale dhe ishte pranuar në Klinikë në gjendje komatoze. Ky ishte edhe shkaku i vdekjes së saj. Megjithatë, i kishin bërë testin dhe kishte rezultuar pozitiv. Pra, ky rast dëshmon se, po të kishte më shumë teste, ndoshta numrat e të prekurve do ishin më të lartë se sa duken në këtë moment. Duhet theksuar se edhe një numër i madh i personelit mjeksor ka qënë i prekur nga pandemia, që ka patur ndikim në vështirësitë rreth organizimit të punës nëpër repartet COVID-19 dhe ato të tjerat (jo-COVID-19). Në Kliniken tonë rreth 20 mjekë dhe mbi 35 persona të tjerë (infemirë, personel ndihmës) ishin të prekur dhe të detyruar të largohen (përkohesisht) nga detyra, megjithë të gjitha masat mbrojtëse gjatë punës. Në Belgjikë kanë qenë të hospitalizuar nëpër të gjitha Klinikat e vendit 16.061 pacientë me COVID-19 deri më sot. Mirepo, më shumë se 13.201 janë liruar nga Klinikat si të shëruar. Në këtë moment më shumë se 2.555 vende në Klinika janë të okupuara me pacientë COVID-19, nga të cilët më shumë se 508 gjenden në Kujdesin Intensiv.

PERSONAT E RREZIKUAR DHE TRAJTIMI I TYRE

Sa i përket trajtimit, varet nga gjëndja e pacientit, është dashur të adaptohet edhe trajtimi. Pacientët e rëndë me vështirësi serioze respiratore, u trajtuan me ventilim artficiac, që do të thotë se duhen intubuar dhe duhet të mbahen në respirator gjateë disa ditësh deri disa jave. Të tjerët, trajtohen me terapi jo-specifike, si antinflamatore dhe dilataore bronkial. Natyrisht, me suport vitaminiash dhe ushqim kalorik. Ndërsa, sa i përket trajtimit specifik antiviral, deri në këtë moment nuk ka medikament të konfirmluar kundër Coronavirusit. Janë dhënë antimalarikët (Hydroxyxchloroquin, Chloroquin sulphate) si dhe antiviralet, si Remdesivir, i cili është sjellë në treg në kohën e epidemisë së Ebola-s në Kongo në 2018 dhe i cili kishte dhënë rezultate kontradiktore. Megjithatë, në fillim të pandemisë, disa qendra në Vuhan kishin përdorur Remdesivirin. Ekzistojnë disa publikimie me rezultate kontradiktore nga ajo priudhë. Megjithatë, në Belgjike Remdesivir konsiderohet si medikamente më i pranueshem dhe më efikas. Në Belgjikë këto ishin medikamentet principale. Deri në këtë moment nuk ka vaksine të testuar, edhe pse në Univesitetin e Leuven-it thuhet se vaksina është e gatshme. Por, akoma duhet testuar, gjë që do nevojiten edhe disa muaje derisa ajo të jetë e aksesueshme për tërë popullatën belge.

KUSH ËSHTË DOKTOR RAMADAN JASHARI

Kardiokirurg Ramadan Jashari – MD, FETCS, është Drejtor i European Homogeraft Bank (EHB) nga viti 2007 e në vazhdim. Aktiviteti kryesor i kësaj qëndre është evaluimi dhe përgatitja e valvulave kardiale dhe i vazove të gjakut për ti transplantuar nga dhuruesit te pacientët. Në këtë pozicion doktor Jashari punon që prej vitit 1997 dhe prej 2007 e udhëheq këtë Institucion. Aktiviteti bëhet jo vetëm në Belgjikë, por në shumë vende të Europës. Doktor Jashari është anëtar nderi i Asociacionit Europian të Bankave të Indeve dhe qeliva me origjinë nga njeriu (EATCB), ku ka qenë anëtar i Bordit 2007-2012 dhe President nga 2012 deri më 2015. Doktor Jashari është anëtar i këshillit botues si dhe “peer revewer” i revistës ndërkombëtare shkencore «Cell and Tissue Banking». Doktor Ramadan Jashari ka një aktivitet të ngjeshur kerkimor- shkencor, të cilin e ka zhvilluar si kirurg në Belgjikë e pastaj si kërkues shkëncor në Bankën Europiane të Homograftit. Ka prezantuar mbi 120 komunikime shkencore dhe mbi 20 posterë dhe ka botuar 56 artikuj shkencore në revista ndërkombëtare.  

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

Vidio Conference në Karantinë me mësuesit dhe stafin e Shkollës Shqipe “Alba Life”, NY

May 13, 2020 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/

Duke biseduar brenda karantinave tona nga të gjitha lagjet e Nju Jorkut me mësuesit dhe stafin e Shkollës Shqipe “Alba Life”, Ambasador i Kombit padyshim e pakësojmë dhe më shumë stresin në këtë kohë krejtësisht të pazakontë.

Në këtë periudhë pandemike botërore të mbyllur brenda mureve të ngurta medoemos që vëmendja jonë krahas familjes së ngushtë shkon dhe tek familja e madhe “Alba Life”.  

Këto ditë Qemal Zylo themelues dhe Drejtues i Shkollës Shqipe organizoi disa vidio conference me të gjithë mësuesit dhe stafin e shkollës në të gjitha lagjet e Nju Jorkut. 

Urimet e ndërsjellta për Ditën e Nënave vinin natyrshëm dhe çuditshëm se si ne uronim nga ekrani njeri tjetrin, të mbyllur më shumë se 40 ditë.  Pasi u informuam për shëndetin e të gjithëve, të mësuesëve, prindërve, fëmijëve, brenda mundesive ai paraqiti programin e punës që po zhvillon me nxënësit, prindërit dhe mësuesit, ndërkohë i ftoi për një bashkëpunim të ngushtë sipas kohës së tyre.

Shumë prindër kanë sjellë vidio përshëndetjeje për emisionin që është hapur enkas në kohën e izolimit nën titullin: “Përshëndetje Shqip nga karantina.”  Po ashtu dhe në TV “Alba Life” çdo të shtunë transmetohet program i posaçëm shqip për të gjithë nxënësit në Diasporë. 

Telefonatat e shumta falënderuese nga prindër të shumtë ka bërë që t’i pasurojmë dhe më shumë programet tona.  

Mësuesit folën me nostalgji të madhe për Shkollën Shqipe “Alba Life”, dikush dhe me lot ne sy tha se ju mungon shumë mësimi shqip.  Disa prindër na përshëndetën nga ekrani dhe me fëmijët e tyre, përshëndetje që na sillte veç gëzim dhe dashuri. Emocionuese ishte të dëgjoje përshëndetje dhe nga ish nxënës të Shkollës Shqipe si Steven dhe Kevin të cilët se harrojnë kurrë programin shqip.  Të gjithë mësuesit folën me pozitivitet dhe shpresojnë se do të fillojnë normalitetin. 

Lutemi dhe le të shpresojme së shpejti!

(dita e 44-t e izoluar brenda mureve nga Lufta pandemike botërore)

Filed Under: Komunitet Tagged With: Keze Zylo

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 588
  • 589
  • 590
  • 591
  • 592
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT