• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PRESIDENTI HASHIM THAÇI E KEQJA ME E MADHE E KOSOVËS NË 20 VITET E FUNDIT

April 24, 2020 by dgreca

 -Rrënimi i demokracisë dhe përpjekja për instalim të diktaturës

 Opinion nga MA.Agim Aliçkaj*/

Asnjëherë, nuk kam menduar që me opinionet, analizat dhe intervistat e mija, në shtypin shqiptar, të bëhem një njeri që gjykon ose paragjykon dikë. Por, as nuk mund të qëndroj e të mos jap një opinion apo koment pikërisht, kur shoh që diçka simbas mendimit dhe bindjes time nuk ecën ashtu si duhet, ose nuk është ashtu si do të dëshironim të gjithë të ishte, në të mire të Kosovës.

Reagimi i ditëve të fundit të Kryeparlamentares së Kosovës znj. Vjosa Osmanit, përmes një shkrimi në Facebook, që ka thënë se “Si sot 7 vite më parë, Thaçi solli për votim në Kuvend marrëveshjen e tij me Dacic, të cilën e quajti njohje të Kosovës nga Serbia. Marrëveshja, në fakt, krijoi Asociacionin e Komunave Serbe, legalizoi strukturat kriminale të Veriut, i futi strukturat e sigurisë së Serbisë në institucionet tona, krijoi sistem jo unitar gjyqësor e ofroi amnisti për serbët që kishin kryer krime. Atëherë votova KUNDËR, e bindur që kjo nuk ishte as njohje e as marrëveshje finale dhe vetëm hapte rrugë për shkelje të tjera të rënda në dëm të shtetësisë e sovranitetit të vendit”.

Kjo ishte shumë e qëlluar dhe më nxiti që të bëj komentin tim si vijon:  “E nderuara Kryetare e Parlamentit te Republikës se Kosovës, znj. Vjosa Osmani, Hashim Thaçi është padyshim e keqja me e madhe qe i ka ndodhur Kosovës në 20 vitet e fundit, ndoshta edhe gjatë gjithë historisë. Ka shume shpjegime për këtë po si mërgimtar nuk dëshiroj të merrem me to. Një gjë është e qartë, Vucici është duke bërë lojë me te dhe nëpërmjet tij me fatin e Kosovës. Thaçi nuk e ka të qartë se Serbia nuk ndalet me asnji marrëveshje deri sa nuk e kupton me 100% se nuk ka shance për grabitje të metutjeshme të tokave shqiptare. Pas shfrytëzimit dhe shtrydhjes mirë e gjuajnë në plehra si një lecke atë dhe sipas nevojës edhe vet Vucicin. Dalin me kerkesa të reja me politikanë të rinj , plus referendumin e kanë mjetin e fundit për t’i shkelë marrëveshjet. Unë nuk e përkrah asnji parti por liderët e aftë dhe të fortë si Ju i çmoj, i admiroj dhe i përkrah pa rezervë. Ka shumë si unë dhe numri po shtohet dita-ditës. Prandaj, ju lutem qendroni deri në fitore sepse jeni në rrugë të drejtë dhe popullin me shumicë e keni pas jush. Politikanët e korruptuar dhe të deshtuar i kanë përpelitjet e fundit, kurdo herë duhet të ballafaqohen me votën e popullit dhe do të humbin me turp. Grenellat janë të përkohëshëm. Amerika do të kthehet prapë në anën tonë, në anën e së drejtës. Shendet, suksese dhe respekt te pafund”! 

Gabimet dhe keqbërjet e Presidentit Thaçi (not my president anymore) janë të shumta, mjafton të përmenden “fusnota” në Deklaratën e Pavarësisë, humbja e tokave me demarkacione, mosmarrja e liberalizimit të vizave, heqja dorë nga vëllazërit tanë të Kosovës Lindore, korrupsioni, varfëria e pafund dhe zbrazja e Kosovës. Më e keqja është se ai beson në vetvete se është “shpëtimtari” i Kosovës, se ai është më i mënçur se të gjithë dhe se populli i tij është naiv dhe nuk i kupton “të mirat e tij”. Dhe kështu nuk di të ndalet. Takimi i djeshëm me përfaqësuesit e partive politike të Kosovës për formim të një qeverie antidemokratike ishte tragji-komike. Po a ka kund logjikë të interpretohet Kushtetuta se kinse partia e dytë apo e dhjetë paska të drejtë të krijojë qeveri, vetëm nëse ia arrinë për t’i blerë numrat?!  Nëse lejohet kjo presidencë atëherë Kosova kurrë nuk do të ketë qeveri stabile. Sepse partitë e tjera do të jenë gjithmonë të interesuara për ta rrëzuar të parën dhe për ta marrë pushtetin. Kjo gjë do të përbënte shkelje të rëndë të demokracisë dhe vullnetit të popullit. Përpjekja e Thaçit për instalim të diktaturës në Kosovë është shumë e rrezikshme. Gjykatës Kushtetuese nuk mund t’i besohet sepse mund të jetë e influencuar dhe e friksuar se kinse “kështu po kërkon Amerika”.  Përdorja e kartës së Amerikës për të rrëmbyer pushtetin është levizja e fundit e Thaçit në politikë. Populli i Kosovës nuk do ta pranojë kurrë këtë sepse i ka kuptuar mashtrimet e tij. Kur ai ta kupton se vetëm populli i vendit të vet mund ta mbaj në pushtet dhe askush tjetër, përfshirë edhe Amerikën, për te do të jetë shumë vonë.  Ekziston rreziku që vendi të katandiset në kaos të paparë me trazira dhe destalizim të pafund. Vetëm zgjedhjet e lira demokratike mund ta qetësojnë popullin e trazuar dhe të nënçmuar në mënyrë drastike, asgjë tjetër.

Thaçi nuk është i vetëm në këto punë të liga. Bashkëfajtorë me të janë të gjithë ata politikanë, edhe të partive të tjera, që ia mundësuan të abuzojë me Kosovën pandalë, sidomos në 12 vitet e fundit të pavarësisë së kufizuar. Nga të gjithë këta befason më së shumti kryetari i LDK-së Isa Mustafa me garden e vjetër të kompromentuar deri në palcë. Me djallëzinë e tij, dhe akrobacitë që ka bërë dhe po bënë për interesa personale, po e çon Kosovën drejt shkatërrimit. Këtu dëshiroj të sqaroj se nuk e gjykoj njësoj anëtarësinë e gjërë të këtyre partive. Ka në mesin e tyre kuadro të aftë dhe patriotë, por fatkeqësisht të këqinjt jua kanë marrë anën. Duhet shpresuar se në vitet në vijim, ata do të forcohen dhe t’i largojnë politikanët e këqinj nga udhëheqja. Kështu do tu hapen rrugët për tu bërë opozitë e fortë dhe konstruktive, me mundësi që në të ardhmen, me programet dhe punët e veta në interes të shtetit, të konkurrojnë në mënyrë serioze për pushtet. Dëshiroj të shtoj, se kam qenë përkrahës i flakët i rezistencës paqësore të presidentit të urtë dhe trim Ibrahim Rugova dhe më vonë i luftës heroike të UÇK-së të komandatit legjendar Adem Jashari me luftëtarët dhe heronjt e tjerë të kombit, përfshirë edhe Batalionin a lavdishëm Atlantiku nga Amerika. Është zhgënjyese që pasardhësit e tyre të përfshirë në vende udhëheqëse të partive të ndryshme politike me një pjesë të vogël militantësh të zhurmëshme, e kanë devijuar rrugën e tyre. Këtë do ta paguajnë shtrenjtë me humbje të elektoratit në zgjedhjet e ardhshme. 

E çmoj shumë guximinë, mençurinë dhe patriotizmin pro-Amerikan dhe pro-Shqiptar të Bordit të Lobit Shqiptaro-Amerikan të prirë nga Joseph DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi, për dalje me Deklaratë Publike në këto ditë vendimtare për Kosovën, me të cilën, ndër të tjera kërkohet nga Presidenti Trump ta lirojë nga detyra e ndërmjetësuesit  të dialogut Kosovë-Serbi, Ambasadorin Richard Grenell. Natyrisht që as ai as Administrata e Presidentit Trump nuk janë fajtor për dështimet njëzet vjeçare në Kosovë. Pra, fajet i kemi vetë që nuk e ndërtuam dhe forcuam shtetin tonë. Ambasadori ka faj se e mori këtë punë me hile, me bisedime sekrete dhe duke anuar haptazi nga Serbia. Shihet se e ka pranuar pa kurrëfarë analize kritike dhe lexim të historisë, versionin e Serbisë se kinse “serbët janë viktimë, se ju ka bërë e padrejtë me bombardimet e NATO-s, se kjo e padrejtë duhet përmirësuar nga Amerika dhe se shqiptarët janë të paaftë për të ndërtuar shtet”. Gabim tjetër shumë i madh i tij është se, i ka marrë si të vërteta gënjeshtrat e Thaçit se ai ka mbështetje të mjaftuar në Kosovë për ta realizuar marrëveshjen me Vucicin. Kjo nuk është asgjë tjetër veçse ndarje e Kosovës me qëllim të krijimit të shteteve etnikisht të pastërta “pa probleme nacionale” duke e realizuar ëndrrën serbe për ”Serbi të madhe” dhe njëkohësisht ëndrrën e Thaçit për sundimtar të përjetshëm në nji shtet, i cili mjafton të ketë territor siç thuhet nga ana jonë “veç sa livadhet e Sadik Ramëve”. Gabimi më i rëndë i Ambasadorit Grenell është ndërhyrja flagrante në punët e brëndëshme të Republikës së Kosovës, me përkrahjen e klasës politike të korruptuar, të dështuar dhe të refuzuar nga populli i Kosovës për të rrëzuar qeverinë demokratike të shpresës dhe anti-korrupsionit, të liderëve më të votuar nga populli,  Kryeministrit Albin Kurti dhe Kryeparalamentares Vjosa Osmani, pa ju dhënë mundësi fare për ta treguar veten me punën e tyre. Por, të gjithë ata do ta kuptojnë shumë shpejt se populli i Kosovës dhe mbarë kombi shqiptar nuk pranon më kurrë t’i japë Serbisë asnjë pëllëmbë toke. Ka ardhë koha për një mobilizim të përgjithshëm kudo, në trojet tona etnike dhe diasporë, sidomos në Amerikë, për të ja ndalë turrin furtunës së rrezikëshme Vuçiç-Thaçi-Grenell. Ekziston mundësia që Presidenti Trump as që është i informuar drejt për pështjellimet e tyre në Ballkan, të cilat janë kundër interesave strategjike Amerikane.

Ambasadori Grenell, ushtrues detyre i Drejtorit të Inteligjences më të madhe në botë, ka informata dhe mund ta ketë kuptuar se veprimet e tij kanë dështuar për shkak se nuk e ka përkrahjen e popullit të Kosovës, por nuk dëshiron të tërhiqet për interesa personale dhe mundësisë së humbjes së prestigjit, ndoshta edhe të karrierës diplomatike. Mjafton të ndjekim faqen e tij të twiterit dhe komentet e shqiptarëve, të cilët me shumicë absolute i kritikojnë veprimet e fundit të tij në Kosovë. Me këtë rast dëshiroj t’i lus bashkëkombasit e mi të vetëpërmbahen nga ofendimet dhe sulmet personale ndaj tij. Kjo nuk na ndihmon aspak në çështjen tonë të drejtë.

Historia na mëson se populli shqiptar e ka filluar rezistencen dhe luftën për liri në momentin kur është okupuar nga forcat terroriste serbe dhe okupator të tjerë. Për liri e kan dhënë jetën bijtë dhe bijat më të mira të kombit. Asnjë individ dhe asnjë subjekt brenda dhe jashtë Kosovës nuk ka të drejtë të mendojë dhe të deklarojë se ai i vetëm e ka sjellë lirinë e Kosovës. Amerika na ka ndihmuar ta fitojmë lirinë por nuk ka të drejtë të na marr atë. Kombi shqiptar e don me të drejtë, me zemër dhe pa hile Amerikën, por e don lirinë më shumë se Amerikën dhe më shumë se jetën. Nuk ka forcë në botë që mund ta shtypë dëshirën e një populli për të jetuar i lirë.

*Anëtar i Bordit Ekzekutiv të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe i Këshillit të Vatrës

Filed Under: Analiza Tagged With: .Agim Aliçka, e keqja, Presidenti Thaçi

Dy dorëshkrime të çmuara të 1800-ës të Hafëz Xhelalit

April 24, 2020 by dgreca

– Një Kuran në gjuhën arabe/

– Një libër lutjesh në osmanisht/

– që të dy vlerësuar lart nga orientalistët si të përsosur gjuhësisht dhe të një kaligrafie model/

Nga Shpend Sollku Noé/

Kur hordhitë e rinisë së kuqe të shkurtit të 1967-ës rendën të përdhosnin, shktatërronin e digjnin instituzionet fetare, Hyrì Sollakut –  xhò Hyria e thirrur me shumë respekt nga beratasit –  nuk i kishte shkuar ndërmend që kishin për të mësyrë edhe shtëpinë e tyre në kodrën poshtë Bregut, përballë Biftës, në Berat. Ajo, e veja e Hafëz Xhelalit, nuk besonte që, pasi kishin mbyllur e plaçkitur xhami, kisha, teqe apo vakëfe, ata do të kishin vënë shënjestër edhe shtëpitë e shërbyesve të fesë.

Ishte akoma java kur Shqipëria ishte shpallur shteti i parë ateist në botë, teksa ajo bandë të rinjsh ia mbërriti përpara portës së Sollakëve. Ashtu si edhe tek insitucionet fetare, ata kërkuan të sekuestrojnë bilbiotekën e Hafëzit. Sikur ta kish nuhatur që më parë, xhò Hyria i kish fshehur më të çmuarit e librave poshtë sofasë ku, në vitet e pleqerisë së thellë (ajo jetoi pothuaj një shekull), rrinte dhe kundronte ecejaket e lagjes përballë, në të cilën kishte edhe shtëpinë e vajzës së vetme – Madè. Sofaja ishte e gjatë sa edhe faqja e murit të përbërë kryesisht prej pesë dritaresh të njëpasnjëshme. Ajo e kish parë atë grup të hakërryer të kalonte mbi urën e përroit, përtej të cilës niste ngjitja drejt shtëpisë së tyre. Por nuk ia donte mendja që do t’i binin me grushte edhe portës së saj.

Pa ndonjë urdhër nga prokuroria, ata u futën për kontroll në shtëpi, dhe dretpërdrejt tek biblioteka e Hafëzit. Ishte e pasur, me libra të rrallë, shumë të vjetër, një thesar i vërtetë, kryesisht në gjuhët që kish pasë njohur hafëz Xhelali: shqip, persisht, osmanisht, arabisht e turqisht. Pjesa dërmuese ishin blerë prej tij që kur kish qenë student në Izmir, por edhe më vonë, gjatë udhëtimeve për në Mekë. Në atë bibliotekë gjendeshin edhe shumë dorëshkrime të tij, punë e një jete, të filluar që në kohën kur vazhdonte medresenë. 

Gjithçka gjetën harbutërit e rinj e hodhën në oborr. Dikush prej tyre, djalë i lagjes, që u paraqit si sekretar i rinisë, kish marrë me vete edhe një shishe me benzinë. Spërkati nëpërmejt saj pirgun e librave dhe i vuri flakën. 

Ndërkaq Hyrì Sollaku, me lotë në sy, ish ngritur nga sofaja, dhe, pa e përmbajtur dot veten, u kish thënë: Ju deshët të shkelmonit zotin, por ato libra që po digjni nuk flisnin vetëm për të. Cili prej jush ia lejon padituria të kuptojë se ç’thuhet në ato fletë?

Kaq u desh që ata të riktheheshin edhe njëherë brenda shtëpisë. Më të egërsuar se herën e parë. Njëri prej tyre, nëpërmjet baxhasë, futi duart edhe mbi e nën çati. Një tjetër arriti të gjente edhe librat e çmuar poshtë sofasë. Edhe kjo plaçkitje përfundoi në zjarrin e madh që tashmë bubullinte e kërciste në oborr. Pasi u siguruan që librat nuk munt t’i shpëtonin më zjarrit, hordhia e të rinjve mori tëposhtë, për t’i vënë zjarrin ndonjë pasurie tjetër të paçmuar.

 E veja e Hafëzit nxitoi të shuante zjarrin me të vetmin mjet që mund të përdorte: ujin. Prej gjithë atij pirgu diturie arriti të shpëtojë, edhe pse të dëmtuar, vetëm dy prej dorëshkrimeve të të shoqit: Kuranin në arabisht dhe Librin e Lutjeve në osmanisht. 

Sapo gjeti rastin, që të dy këto libra i dërgoi me njeri të besuar tek e bija Madè, në lagjen përballë. Madeja i fsheu me xhelozi në tavanin e shtëpisë së saj. Herë pas here, nëpërmejt kapanxhës, ngjitej atje i vetmi njeri i shtëpisë të cilës e bija e hafëzit ia kishte besuar sekretin: mbesa Entela. 

Këto dy libra e panë dritën e diellit vetëm pas 1990-ës. Fatin e tyre Madé Braçe ia besoi Entelës, me prosinë që t’i ruante si sytë e ballit. Ajo i mori në Itali që ditën e emigrimit të saj për atje. Qoftë kuranin, qoftë Librin e Lutjeve, i kam ekzaminuar personalisht, i kemi digitalizuar në familjen time, dhe, në mirëkuptim me kushërirën Entela (Dedé ka qenë halla ime) po presim që të gjejmë ndonjë muze të përshtashëm për t’i ekspozuar përgjithmonë, sipas një protokolli serioz.  

Minivitae i Hafëz Xhelal Sollakut, me shpjegime të shkurtra rreth dorëshkrimeve të Kuranit dhe të librit të Lutjeve. 

Ky Kuran në arabisht, foton nga brendësia e të cilit po ju paraqes, është dorëshkrim nga gjyshi im i Beratit, Hafëz Xhelali, shkruar kur ai vazhdonte Medresenë në Izmir. Aty kish mbaruar studimet me rezultate të shkëlqyera, që i dhanë edhe titullin “Hafëz” menjëherë me diplomën. Ky titull u jepej vetëm atyre që e dinin Kuranin përmendsh. Specialistët, që më ndihmuan më këto hollësira, thonë që ky dorëskrim është i një kaligrafie tipike arabe dhe i një cilësie të mrekullueshme të të shkruarit. Lulet dhe pikat e verdha janë prej ari. Libri është shkruar diku para 1890-ës. 

Hafëz Xhelali ka qenë mëngjërash (sollaks), pra shkruante me dorën e majtë. Prej tij kemi trashëguar edhe mbiemrin Sollaku. 

Xhelal Xhelali – Sollaku, më mirë i njohur si Hafëz Xhelali, kish lindur në Berat, më 11 prill 1870. Ka qenë një orientalist i përmendur beratas i kohës së tij, kryesisht për fenë islame. Siç është përmendur më sipër, ai kish kryer medresenë sunite të Izmirit.  Deri vonë në shtëpinë e tij gjendeshin libra të shumtë, të vëllimshëm e me shumë vlerë, shumë syresh edhe antikë. Disa prej tyre i kish shkruar vetë. Ai shkruante shqip, persisht, arabisht e osmanisht e turqisht. Sot gjenden të shpëtuar vetëm dy prej tyre, Kurani dhe një Libër Lutjesh. Të dy të shkruar me dorën e tij. Sipas specialistë të Islamit, por edhe atyre laikë, që të dy këta libra janë të një vlere të pallogaritshme historike e kulturore, jo vetëm për fenë Islame, por për gjithë trashëgiminë e kulturës shqiptare. Libri i parë është një dorëshkrim i mirëfilltë, i shkruajtur në një arabishte të pastër, me një kaligrafi të mrekullueshme, perfekte, të gjuhës në fjalë. Ky libër ka tërhequr vëmendjen sidomos të studiuesve të rinj në Shqipëri. 

Hafëz Xhelali kish qenë mëngjërash edhe kur punonte, jo vetëm kur shkruante. Atij ia kishin harruar mbiemrin në Berat. Për të gjithë ia kish qenë gjithmonë i shumërespektuari Hafëz Xhelali. Aq e vërtetë është kjo, saqë, kur u bë regjistrimi i popullsisë, asnjërit nuk iu kujtua mbiemri i tij. Vetë hafëzi ishte në Mekë. Atëherë, siç ndodhte rëndom në ato kohëra, thërriteshin në ndihmë zanatet apo nofkat. Për Xhelalin të tërë u kujtuan që ishte sollaks, prandaj e regjistruan me mbiemrin Sollaku. Pas tij e gjithë familja dhe zhvillimi i saj trashëgoi këtë mbiemër. Shumë orientaliste të rinj të mëvonshëm janë orientuar apo kanë marrë mësime prej tij. Një emër mbi të gjithë, i riu Vexhi Buharaja, me të cilin e lidhte edhe një miqësi e hershme familjare.

Thesari i dytë i shpëtuar zjarrit të të kuqve është Libri i lutjeve – “Dua”. Edhe ky libër është dorëshkrim i shkruajtur në osmanisht, por, siç ma konfirmon edhe miku Genc Çurgu, ka në brendësi edhe disa faqe në arabisht, të evidencuara me korniza të kuqe, ashtu siç bën Hafëzi edhe tek libri tjetër i tij i sipërpërmendur. Ndryshe nga Kurani që është riprodhuar përmendsh, po pa asnjë grimcë të ndryshuar, libri i lutjeve është krijesë e vetë Hafëzit. Që të dy këta libra dëshmojnë saktë vlerën shumëpalëshe të autorit të tyre.

Hafëz Xhelali ka qenë nga kundërshtarët e parë të komunistizimit të Shqipërisë. Ai u nda nga kjo botë më 20 Shtator 1942, nga një vdekje e papritur në rrethana misterioze. Xhò Hyria e kujtonte gjithmonë vdekjen e tij si eventin më të beftë të botës: Një mollë ishte, e bukur dhe e fortë, që bie prej degës papritur. Asnjë krimb sëmundjeje nuk e kish brerë më parë. Erdhi në shtëpi si gjithmonë, me misterin e zoti në sy. E piva kavenë tek… më tha. Dhe u mbështet mbi sofà si për të pushuar pak, me vështrimin nga Meka. 

Filed Under: ESSE Tagged With: Hafez Xhelali, Shpend Sollaku Noe'

SHTATË VËNDET QË KANË QËNDRUAR MË MIRË QEVERISEN NGA GRA

April 24, 2020 by dgreca

Nga ANTONIO POLITO/ Perktheu per Diellin-Eugjen Merlika/

            Vëndet që i kanë qëndruar më mirë koronavirusit kanë një gjë të përbashkët: janë qeverisur nga gra. Shtatë të mrekullueshmet. Katër janë ato të zakonshmet veriore, që gjithshka e bëjnë gjithmonë mirë, Islanda, Finlanda, Norvegjia, Danimarka; pra aspak befasi.

TAIVANI DHE ZELANDA E RE

Dy janë të vegjël, Taivani dhe Zelanda e re, por të dy rrezikshmërisht pranë epiqendrës së pandemisë, dhe kanë habitur botën si i a kanë arritur. Në ishullin kinez të kryesuar nga Cai Ing-wen të vdekurit deri tani janë gjashtë, 124 masat e marra menjëherë kanë shmangur mbylljen e përgjithëshme e tani eksportojnë mbulesa të gojës në të gjithë botën. Në Shtetin oqeanik të Jacinda Ardern kufij të mbyllur e karantinë për këdo që kthehej që kur u shënuan vetëm gjashtë raste në gjithë Vendin: të vdekurit deri tani janë nëntë.

SERIOZITET E ORGANIZIM NË GJERMANI

Por Gjermania nuk është as e vogël dhe as ekzotike dhe arritja e saj e shkëlqyer është e vështirë të shpjegohet. Një përzjerje serioziteti, organizimi e rezervash të mëdha në zotërim, që sigurisht nuk i kushtohen vetëm Angela Merkelit, por që arrijnë deri tek sistemi i sigurimeve të detyrueshme kundër sëmundjeve, i themeluar më 1883 nga Bismarku e më vonë i reformuar  nga Shrëderi me planin 2020. Madje mund të thuhet se modeli tradicional i ndihmës së ndërsjelltë gjerman është më i mirë se sistemet universalë të financuara nga taksimi i përgjithshëm i tipit britanik (Nhs i lavdishëm) apo ai italian (Sh. Sh. K. i fundit) Krahas një mjaftueshmërie shtretërish të terapisë intensive të pashembullt n’Evropë, ka funksionuar një rrjet poliambulancash në territor, të quajtura Mvz, që në pak vite janë shtuar nga 1500 deri në 3173, ndoshta thembra e vërtetë e Akilit në shëndetësinë lombarde. Por Merkel ka bërë të sajën, me maturi e vendosmëri, nuk ka bërë si BoJo, ka ftuar njerëzit t’a marrin me seriozitet, duke kapërcyer kështu fazën e gjatë të mohueshmërisë e të pasigurisë që kanë qenë fatale gjetiu.

PËRJASHTIMI I BELGJIKËS

Sigurisht nuk mjafton vetëm të jetë një grua në drejtim për të bërë më mirë. Belgjika, për shembull, është një nga Vëndet e goditura më fuqishëm, me pothuaj 4500 të vdekur, edhe se kishte ftuar Sophie Wilmes për të drejtuar një qeveri urgjence kundër koronavirusit. Nuk mund të thuhet se Vëndet bëhen më të mirë nëse drejtohen nga gra. Por ndoshta mund të thuhet se drejtohen nga gra sepse janë Vënde më të mira, dhe kanë sisteme përzgjedhjesh më të hapura e më të barabarta. Nëse me te vërtetë do të shkojmë drejt një rënieje ekonomike të stilit të Viteve 30, do të ndihesha më I qetë me një drejtueshmëri femërore: në listën e tiranëve të Nëntëqindit nuk ka asnjë grua.

“Corriere della Sera”  Prill 2020    Përktheu Eugjen Merika 

Filed Under: Analiza Tagged With: drejtohen nga gra, Eugjen Merlika, Shtate vender

NACIONALIZMI, SHQIPËRIA ETNIKE DHE LËVIZJA N. – ÇL.(6)

April 24, 2020 by dgreca

Misionet aleate dhe Asamblea Kombëtare/

Nga Eugjen MERLIKA/

Këtu ngërçi bëhej edhe më i ngatërruar për nacionalizmin shqiptar. Aleatët ishin përkrahës tradicionalë të Jugosllavisë (Rusia) dhe të Greqisë (Anglia). Integriteti tokësor shqiptar ishte kërcënuar prej tyre, që kur lindi Shteti i parë më 1912. Pra gjëndja e Shqipërisë, në sytë e nacionalistëve ishte e pashpresë. Kësaj i shtohej edhe fakti ogurzi që formacioni politik referent i Aleatëve në Shqipëri, Lëvizja N-Çl., mbas Konferencës së Mukjes në gusht të 1943-it, kishte shpallur haptas, pa asnjë mëdyshje se problemi kombëtar për të nuk ekzistonte e se ajo pushtetin në Shqipërinë e mbas luftës nuk donte t’a ndante me askënd, madje mund të mendonte të zëvendësonte bashkimin me Italinë në atë me Jugosllavinë.

            Për të përballuar një mundësi të tillë, që do të ishte, shkatërrimtare e vdekjeprurëse, jo vetëm për projektin e sendërtuar të Shqipërisë së bashkuar, por edhe për fatin e vetë së ardhmes politike të shqiptarëve, duhej një ndërgjegjësim i shkallës eprore të gjithë përbërësve të jetës politike, administrative, fetare e kulturore të kombit. Duhej një bashkim i fuqishëm, ku secila përbërëse e fushës politike të hiqte dorë nga një pjesë e vetvetes, nga paragjykimet e çfarëdo lloji e t’i delegonte një autoriteti të pranuar prej të gjithëve si shpresa e shpëtimit të Atdheut. Ky autoritet duhej të përbëhej nga një skuadër njerëzish atdhetarë të aftë e të ndershëm, që duhet të kishin largpamjen për të hartuar një projekt që të funksiononte  duke u përqëndruar në dy objektiva kryesore : ruajtja e tërësisë tokësore shqiptare dhe sigurimi i një demokracie të vërtetë të modelit perëndimor mbas luftës. Ndërmarrja ishte shumë e vështirë, por jo e pamundur. 

            Duheshin bindur aleatët se në Shqipëri kishte një klasë drejtuese, që frymëzohej, sa i përkiste modelit të shtetit e të shoqërisë, nga parimet e demokracisë së tyre e, njëkohësisht, t’u provonin atyre se populli shqiptar ishte në krahun e saj. Kjo arrihej si rezultat i një ujdije mes të gjitha rrymave të nacionalizmit e duhej t’i nënshtrohej një parimi të njohur : çdo stinë politike duhej të kishte përfaqësuesit e vet, por që të gjithë t’i shërbenin një qëllimi. Popujt që kanë një ndërgjegje kombëtare të zhvilluar e venë në zbatim këtë parim dhe stafeta mes klasave drejtuese në faza të ndryshme, në marrëveshje të hapura e, më shumë të fshehta, nuk përbën një blasfemi. Edhe në Shqipëri, gjatë luftës, këto përpjekje marrëveshjesh janë bërë në nivele personale, por nuk kanë sjellë në një përfundim të kënaqshëm, sepse paragjykimet ishin shumë të forta. 

            Lidhjet me aleatët në Shqipëri mbaheshin prej misioneve angleze, që qëndronin pranë forcave të mikut të tyre, Abaz Kupit. Por kundrejt kërkesave të tij për sigurinë e Shqipërisë etnike dhe vendosjes së kontakteve me Mbretin Zog, megjithë miratimin në planin vetiak të oficerëve të misioneve, përgjigjet nga Forejn Ofis apo Ministria e Luftës ishin gjithmonë negative. Në sferat e larta të politikës britanike e amerikane ishte vendosur që Vendet e Lindjes i qenë caktuar ndikimit sovjetik, si shpërblim të peshës që atdheu i komunizmit po mbante në luftën e madhe. Si pasojë parapëlqimet e tyre shkonin drejt forcave që qëndronin në pozitat e afërta ideologjike e politike me B.S., në rastin tonë me Frontin N- Çl. që merrte të gjitha ndihmat materiale që caktoheshin për Shqipërinë. Në këtë gjëndje, kur ishte e qartë se çfarë drejtimi po merrnin ngjarjet, e vetmja mënyrë për të shpresuar ndryshimin e kursit të tyre, ishte një kundërfront i fuqishëm që do të kishte në shërbim të tij së paku 50 mijë ushtarë të armatosur mirë, të gatshëm për të ruajtur rendin, sigurinë dhe institucionet me ikjen e gjermanëve. 

            Në këtë mundësi teorike duheshin zgjidhur dy probleme : shtabi drejtues dhe armatimi. Faktori i parë, për mendimin tim, do të ishte i plotësuar nga kthimi i Mbretit, që mund të ishte personi më i përshtatëshëm për të siguruar një besëlidhje të krahinave e forcave politike të ndryshme, që vlerësonin rrezikun komunist. Por Mbreti mbahej i mbyllur në Angli, pa mundur të mbante lidhjet me bashkëqytetarët e tij. Anglia u kishte krijuar mundësi të gjitha Vendeve të pushtuara të mbanin në tokën e saj “Qeveritë në mërgim”. Këtu bënte përjashtim vetëm Shqipëria. Nuk kuptohej nëse ky qëndrim ishte një “dënim” i Mbretit shqiptar për politikën e tij të marrëveshjeve me Italinë, apo një projekt afatgjatë që e përjashtonte atë nga e ardhmja politike e Shqipërisë. Në rastin e parë mendoj se imazhi i Anglisë dhe i Qeverisë  së saj nuk është në përputhje me korrektësinë në marredhëniet mes shteteve, që do të thotë respektim i rregullave për të gjithë. Nëse kishte dyshime për mënyrën e shpalljes së Mbretërisë, Ahmet Zogu kishte deklaruar se nuk do të pranonte Fronin nëse nuk do të kishte ligjësimin popullor, nëpërmjet një referendumi. Por komunistët e kishin ndaluar kthimin e Mbretit me vendime të njëanëshme të drejtuesve të tyre dhe anglezët e amerikanët vinin në zbatim këta vendime. 

            “Kupi tha se do të sulmonte gjermanët vetëm kur të merrte urdhër nga mbreti Zog. Ne e kishim takuar mbretin Zog në Angli i cili na kish autorizuar zyrtarisht me shkrim por Ministria e Jashtme refuzoi të na lejonte që ta merrnim me vete. Menduam se ndodhi kështu meqënëse ata nuk donin ta njihnin Zogun si mbret sepse kjo mund të prishte marredhëniet tona me amerikanët të cilët ishin shumë antimonarkistë dhe kishin ngritur zërin kundër njohjes së mbretit të Greqisë nga ana e jonë”[1]  

            Kështu shkruan oficeri i misionit anglez pranë Abaz Kupit, David Smiley, në parathënien e librit të kolegut të tij Julian Amery “Bijtë e shqipes”. Ndoshta ishte më shumë vullneti i sovjetikëve se i amerikanëve që respektohej në këtë rast, sidoqoftë nuk ishte shprehje e vënies në jetë të parimeve demokratike që trumbetonin ata si luftëtarë kundër diktaturave, ishte një detyrim që i bëhej zgjedhjeve të një populli. E përjashtuar mundësia e pranisë së Mbretit në zhvillimin e ngjarjeve shqiptare, i takonte të tjerë prijësve, që jetonin në Shqipëri të gjenin zgjidhjen në një organizëm kolektiv, ku bindja e secilit duhet t’i nënshtrohej interesit madhor të shqiptarëve.  

             Problemi i dytë, ai i armatimit, kërkonte një përkrahje nga jashtë. Meqë kjo përkrahje nuk mund të vinte nga aleatët që ishin angazhuar me komunistët, nuk mbetej tjetër zgjidhje veçse nga gjermanët. Marredhëniet me këta të fundit ishin më pak problematike se me italianët. Gjermanët nuk merrnin pjesë në administrimin e Vendit, atyre u interesonin dy gjëra : të mos lejonin një zbarkim të anglo-amerikanëve në Ballkan e të kishin rrugët e lira për t’u larguar. Pushtimi i tyre ishte i përkohshëm dhe varej nga ecuria e luftës. Kështu më 1 tetor 1943 u bënë zgjedhjet për Kuvendin Kombëtar, ku për herë të parë e të fundit shqiptarët votuan në të gjitha trevat e tyre etnike, me përjashtim të Çamërisë e zonave të Jugut. Ishte ai Kuvendi më përfaqësues i Shtetit shqiptar gjatë gjithë jetës së tij deri më sot, ku binin në sy listat e deputetëve të Dibrës së Madhe, të Pejës, të Prizrenit, të Prishtinës.

            Kuvendi u mblodh më 16 tetor 1943 e zgjodhi kryetar të përkohshëm Lef Nosin e sekretar Xhelal Mitrovicën. 

            “Më 22 tetor 1943, Kuvendi Kombëtar miratoi dhe dekretoi 5 vendime të tij që bënë të mundur :

            1 – Shfuqizimin e vendimeve të asamblesë së 12 prillit 1939, e cila kishte “votuar” për “bashkimin personal” midis Shqipërisë dhe Italisë.

            2 – Abrogimin e të gjitha ligjeve që binin në kundërshtim me vendimin e 22 tetorit 1943.

            3 – Caktimin e institucionit të Këshillit të Naltë të Regjencës për aq kohë sa do të zgjaste lufta, si dhe ushtrimin prej tij të pushtetit ekzekutiv. Po ashtu Këshilli i Naltë ushtronte bashkarisht me Parlamentin pushtetin legjislativ.

            4 – Rifuqizimin e Statutit Themeltar të Mbretërisë Shqiptare të vitit 1928.

            Në pikën 5 thuhej:

            “Konsiderohet e paqenë dhe mbetet pa fuqi për çdo efekt, dekretligja me datë 9 qershor  1940, e botueme  në “Fletorja Zyrtare” nr. 93 datë 10 qershor 1940, kthyer në ligjin nr. 128, datë 19 gusht 1940, me të cilin Shqipnija njihej e hyeme në luftë me ato shtete me të cilat Mbretnia e Italisë ka pas qënë në luftë”, duke shpallur në këtë mënyrë asnjanësinë e Shqipërisë nga konflikti botëror.”[2]    

            Shpallja e asnjanësisë në konfliktin botëror ishte një masë e detyruar dhe e zgjuar njëkohësisht. Ishte e detyruar sepse ushtritë gjermane ndodheshin në territorin shqiptar dhe lufta kundër tyre vinte në pikëpyetje tërësinë tokësore të Shqipërisë të cilën ata po e respektonin. Ishte edhe një masë e zgjuar sepse i tregonte kundërshtarëve të gjermanëve  se Shqipëria nuk ishte në luftë me ta e se kishte një arkitekturë institucionale demokratike që e përfaqësonte.

            Organet administrative, të dala nga Kuvendi, i kishin të gjitha kompetencat ligjore për të sendërtuar atë bashkim, që duhej të vinte në zbatim projektin e shpëtimit të çështjes kombëtare e të demokracisë së ardhëshme. Ishte një projekt që duhej realizuar nëpërmjet përballimit ushtarak të përparimit të ushtrisë N.-Çl, që ishte kthyer në një organizatë terroriste në shërbim të misionarëve jugosllavë. Edhe pse qeveritë e R. Mitrovicës e të F. Dines ishin të ndërgjegjëshme për domosdoshmërinë e luftës kundër komunistëve, aritjet në këtë drejtim ishin të pakta. Arsyet ishin të ndryshme, por mendoj se e para, e më e rëdësishmja, ishte ajo kronikeja e historisë sonë, paaftësia për të qënë të një mëndje, edhe kur ishim në buzë të greminës e askush nuk do të mund t’i shpëtonte. Kështu forcat nacionaliste të Ballit Kombëtar e të Legalitetit, nuk merrnin vendim të luftonin komunistët edhe kur sulmoheshin prej tyre, sepse misionet angleze e ndalonin kategorikisht një gjë të tillë. Megjithë përpjekjet e eksponentëve të ndryshëm të nacionalizmit për të koordinuar forcat dhe veprimet rezultatet ishin pothuaj baraz me zero, aq sa që dita e ikjes së ushtarit të fundit gjerman nga Shqipëria, u bë edhe dita e  marrjes së pushtetit nga komunistët në Shqipëri. Bilanc më negativ as që mund të imagjinohej. Siç e kam pohuar dhe më sipër, vështirësitë ishin shumë të mëdhaja, sepse në anën e komunistëve ishin fuqitë fituese të luftës, por ato nuk ishin të pranishme ushtarakisht në Shqipëri e nuk m’a merr mëndja se për të vënë në pushtet Enver Hoxhën do të zbarkonin trupat e tyre në Shqipëri. Një shtet nacionalist me një fuqi të konsiderueshme, që do të  kishte mundur të detyronte lëvizjen komuniste të mos e quante veten fituesen e vetme të luftës, bëhej domosdoshmërisht bashkëbiseduesi i aleatëve dhe  garant i interesave kombëtare e demokratike të shqiptarëve. Ky shtet nuk u ndërtua, megjithë vullnetin e mirë të shumë prej aktorëve të jetës politike, ai nuk qe në gjendje të ndalojë ofensivën komuniste që pasonte ikjen e gjermanëve. Fitoi Shteti terrorist i përkrahur nga Vendet e mëdha demokratike, të cilët shpejt e kuptuan se çfarë çorbe të ndyrë kishin gatuar me duart e tyre.

            “Përse  SOE (Special Operations executive)(Njësitë e veprimeve të veçanta E. M. )  hodhi poshtë aleatët natyrorë të Britanisë së Madhe e mbështeti një lëvizje komuniste? A do të kishte ndryshuar gjë nëse do të mbështeste mbretërorët dhe Ballin në vend të tyre? A do t’a kishte ndryshuar përfundimin e luftës civile shqiptare? Meklin, Smajli dhe Emëri janë plotësisht të bindur për po, e që Britania e Madhe bëri gabimin të mos kuptojë shpejt se komunizmi do të ishte kundërshtari i s’ardhmes.. Simbas tyre, qëndresa kundër komuniste, nëse do të ishte mbështetur nga paisjet dhe prestigji britanik, do të kishte arsye të luftonte dhe do të kishte patur besimin e popullsisë….

            Në vjeshtën e 1944 trupat gjermane ishin në tërheqje e komunistët e kishin fituar luftën civile por, simbas Emërit, loja nuk ishte humbur akoma. “Un ndodhesha në Shqipëri n’atë çast kritik. Me një ndërhyrje shumë të vogël britanike ose amerikane mund t’a kishim mbajtur Shqipërinë nga ana e Perëndimit….

            Emëri nuk është i një mëndjeje me ata që, duke i bërë jehonë fjalëve të Çërçillit për Jugosllavinë , mendojnë se Perëndimi nuk kishte asnjë interes të pranueshëm në t’ardhmen e Shqipërisë, e aq më pak të drejtën për t’a ndikuar. Kishte, thotë, dy justifikime, njëri moral e tjetri praktik. I pari, ishte një gabim të braktiseshin shqiptarët në duart e regjimit mizor të Hoxhës dhe synimeve imperialiste të Stalinit. E dyta, Vlora dhe ishulli i Sazanit kontrollojnë kanalin e Otrantos, grykën e Adriatikut.

            Në Londër në Ministrinë e Luftës nuk e mendonin kështu”[3]

             Solla këtë pjesëz të shkëputur nga libri i prof. Betëllit “Misioni i tradhtuar” me nëntitullin “Si Kim Filbi sabotoi mësymjen e Shqipërisë”, që shpjegon shumë qartë, nëpërmjet opinionit të njërit prej më të njohurve antarë të misioneve britanike në Shqipëri, tragjedinë shqiptare dhe rolin e politikës angleze në të. Nuk e di nëse brejtja e ndërgjegjes së Emërit, Smajlit apo Maklinit për braktisjen e Shqipërisë ka gërvishtur sado pak ndërgjegjen atyre që ishin sipër tyre e vendosnin politikën e fuqisë koloniale më të madhe të kohës. Për klasën politike nacionaliste të asaj kohe është një ngushullim i varfër se përgjegjësia për mos shmangien e së keqes më të madhe të kombit nuk duhet të bjerë vetëm mbi të. Është e vërtetë se nuk patën miq fitimtarë, është e vërtetë se patën kundërshtarë që u treguan më të “aftë” për të gënjyer e për të vrarë, është e vërtetë se ishin më të dobët, se kishin më zemër, se nuk donin të vrisnin shqiptarë. Por besoj se skrupujt i kanë mbajtur mbi ndërgjegjet e tyre të vrara, sepse ata skrupuj, ajo pavendosmëri, ajo verbëri solli një tragjedi të pamasë, me pasoja të llahtarëshme për një popull që u mashtrua deri në palcë e u tradhëtua në aspiratat e tij më të shtrenjta si liria, jeta e pasuria, për një Vend që u zgjua nga një ëndërr shumë e bukur, ajo e kombit të bashkuar e ra pre përsëri e mizorisë së fituesve. Ëndrra u thye, por ashtu copë-copë u ngjit lart në zemrën e kujtesës historike të shqiptarëve, për t’u kujtuar atyre gjithmonë se ajo mbetet një synim, një shpresë, një frymëzim për t’ardhmen e një kombi edhe në një epokë kur shpirtërat e tyre priren drejt bashkësive.

(VIJON)


[1] Julian Amery  “Bijtë e Shqipes” Shtëpia botuese  “Lumo Skëndo”  Tiranë 2002  Faqe 10 – 11 

[2] Kastriot Dervishi “Historia e Shtetit Shqiptar 1912 – 2005” F. 502 – 503

[3] Nicholas Bethell  “La missione tradita” Arnoldo Mondadori editore  1986  F. 29 – 30

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, Nacionalizmi 7

KUFIZIM

April 24, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/
Gjatë këtyre 3 dekadave, shqiptari ka jetuar si i liruar me kusht pas qëndrimit në burg për 45 vjet. Si dëshmitar material i vjedhjes, krimit e korrupsionit, atij tani i mohohet e drejta për të udhëtuar dhe mbahet në izolim. Kjo është si kohë para-zgjedhjeve, kur njeriut i ofrohen premtime e dhurata, ose para-gjyqit, kur dëshmitari udhëzohet e përpunohet.
Pa lëvizje nuk ka gjallëri; të qenit gjallë është jetë; pa liri të lëvizjes nuk ka as të menduar, pasi duke mos qenë i lejuar për të dalë në rrugë, automatikisht eleminohet mendimi se “çfarë do të bësh kur të dalësh?”
Gjëja e parë që synon një qeveri tiranike – të cilën themi se e njohim, por duket se jo, por ekspertë të saj jemi – është kontrolli i lëvizjes së shtetasve, ashtu si me këmbën mbi pedal, shoferi kontrollon lëvizjen e makinës, duke e frenuar ose e lëshuar atë me vrull. Heqja e lirisë paralizon lëvizjet dhe njeriun. Keqbërësi dërgohet në burg për të mos patur kontakt me të tjerët jashtë pasi paraqet rrezikshmëri, ndërsa shtetasi nuk lejohet të dalë jashtë shtëpisë, pasi mund të sëmuret. Dhe kështu ndodh vetëm tek ne, ku qëndrimi në burg dhe jashtë tij, bëhen mënyra të ngjashme kufizimi jetese, ashtu si në luftë, ‘armiqtē’ e brendshēm bashkohen.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi-Liria

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 623
  • 624
  • 625
  • 626
  • 627
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT