• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË EMËR TË DASHURISË PËR NJERZIT

April 11, 2020 by dgreca

-Mbresa nga dokumentari i Mevlan Shanajt për mjekun e shquar Arkile Bote dhe një paralele me mjekët  shqiptarë që përballen me koronavirusin-/

                                                                                   Nga Fuat Memelli/

Këto ditë pashë një dokumentar për mjekun e shquar Arkile  Boti. Më emocionoi dhe nuk mund të rija pa shkruar. Rrallë ka shqiptar nga brezi im,  por edhe më të rinjtë, që mos kenë dëgjuar për “bëmat” e këtij mjeku. Autorë të filmit ishin: skenari e regjia nga Mevlani, operator Valter Qarri, operator zëri Kristaq Kristo dhe montazhi, Flora Kazaferi. Janë të gjithë emra të spikatur të Televizionit Publik Shqiptar, që me punën e tyre kanë lënë gjurmë të pashlyera. Ndër mbresat e para që  më bëri përshtypje, ishte koncepimi i veçantë i dokumentarit. Nuk kishte spiker që të fliste për jetën e doktorit. Kamera përcillte te shikuesit copëza nga jeta e përditëshme e tij. Ishte një udhëtim filmik aty ku ai ka punuar, duke filluar nga Qukësi i Librazhdit ku filloi punë për herë të parë (punën në Qukës Akileja e quante ”universiteti i tij i dytë”), duke vazhduar me “stacionet” e tjerë të punës si Baldushku, Poliklinika Qëndrore në Tiranë, fshati Sharrë e pastaj Petrela. Në vend të spikerit, flisnin me fjalë zemre, njerëz që ishin shëruar prej tij, ose të afërt të tyre, njerëz të moshave e krahinave të ndryshme. Në ekran kalojnë grupe të shumtë njezish që e presin mjekun, që e shohin atë si shpëtimtar. Ata nuk mërziten dhe presin me orë të tëra, mjafton që të vizitohen nga Dr. Arkileja. Dhe ai me përkushtimin të rrallë, i viziton duke qëndruar shpesh herë deri në mesantë, duke lënë familjen në pritje, kush e di sa herë. Zyra e tij ishte e mbushur me libra dhe bimë medicinale, pasi ai zbatonte të dyja metodat për mjekim: ilaçet kimike si dhe bimët. Ai shëronte jo vetëm me mjekim, por edhe me fjalë, pasi siç shprehej ”pacientit duhet t’i krijosh bindje dhe optimizëm”. Lexonte pa rreshtur literaturë të huaj në greqisht, anglisht e rusisht. Nga dokumetari, mësoj se ai ishte besimtar i madh te Zoti, shkonte në kishë e në xhami. I binte aq bukur edhe fizarmonikës, filmuar aty në vendlindje, në Bularat të Dropullit. Ishte kjo një gjetje e bukur e regjisorit, e cila mbyll dokumentarin e që tregon se doktori kishte edhe shpirt artisti.

E kam anjohur Dr.Arkilenë qysh kur punonte në Baldushk dhe mbetëm miq. I kam çuar njerëz që kishin hall dhe shumicën e tyre  i shëroi. I kam qënë edhe në shtëpi. Për atë kanë folur  e shkruar shumë vetë si kolegu i tij, Dr. Flamur Topi, gazetari i njohur Andon Dede, Fatmir Luarasi , etj. Një kurorë e bukur dedikimi dhe mirënjohje, ishte dokumentari i realizuar nga Mevlan Shanaj dhe grupi i tij. Megjithatë siç është shprehur mjeku Flamur Topi, “Dr. Arkileja i dha shumë këtij vendi e këtij populli, por nuk u vlerësua sa duhet kur ishte gjallë”. Presidenti Bujar Nishani e dekoroi ( pas vdekjes) me Urdhërin “Nënë Tereza”. Jo rrallë ka ndodhur tek ne, që njerzit vlerësohen pasi vdesin. S’ka ka gjë për Arkilenë, që nuk e vlerësuan pushtetarët sa ishte gjallë. Vlerësimin më të lartë  ia dha populli, me mirënjohjen e tij të madhe. 

 Për t’i mbyllur mbresat për dokumentarin, po citoj dy krijues me emër. Poeti Rudolf Marku ,  ndër të tjera, thekson: ” dokumentari ka dinjitet, profesionalizëm dhe  art” ndërsa regjisori Muharrem Fejzo, është shprehur: “ dokumentar plot ndjenjë, profesionalizëm dhe emocionues”.

Tek shkruaj këto rradhë për dokumentarin e Mevlanit dhe për doktor Akilenë, më dalin para syve sakrificat e mjekëve dhe infermierëve shqiptarë (dhe jo vetëm) në luftën e tyre me koronavirusin. Janë fronte të ndryshme me ato që përballej Arkileja kryesisht nëpër fshatra , ku ai kaloi shumicën e viteve të punës, ku kishte mungesa të shumta, me  vështirësitë dhe sakrificat që bëjnë  sot bluzat e bardha në betejën me virusin e rezikshëm. Ata kanë përpara një armik të padukshëm dhe luftojnë për ta mposhtur, duke rezikuar edhe jetën e tyre . Mjekë e infermirë janë infektuar edhe në Shqipëri, por fatmirësisht deri tani pa humbje jete, siç ka ndodhur në Itali e vende të tjera të botës. Unë nuk i njoh ata dhe nuk i kam takuar asnjëherë, por m’i sjellin para syve çdo ditë këtu në Boston, ekranet e televizioneve shqiptare. Më duket sikur jam takuar me Dr. Pëllumb Piperon që këto ditë ka fituar zemrat e shqiptarëve;  sikur jam takuar me mjeket e mjekët e shquar: Silva Bino, Najada Çomo, Tritan Kalo, Arian Harxhi, etj. Nuk duhet harruar edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, të cilës i ra bara të drejtojë dikasterin në këtë situatë. Më duket sikur kam takuar mjekët e infermierët që shkuan para disa ditësh në ndihmë të kolegëve të tyre italianë, si dhe mjekë e infermierë të tjerë shqiptarë, që punojnë me përkushtim në këtë front, në vende të ndryshme të botës. Mirënjohja e popullit, është motivi kryesor në këtë betejë të tyre për të shpëtuar jetë njerzish . Megjithatë, krahas vlerësimit me shpërblim në të holla që u është premtuar nga qeveria, këta mjekë e infermierë duhen vlerësuar edhe nga presidenti i republikës. Mirënjohja është një fjalë e vetme, por vlen aq shumë. Për t’i mbyllur këto rradhë, dua të them se ashtu si Dr. Akileja sakrifikonte në emër të dashurisë për njerzit duke bërë edhe eksperimente te vetja , ashtu dhe për këta mjekë e infermierë, dashuria për njerzit, është motivi kryesor që i jep forcë e kurajo. Si Arkileja, edhe këta mjekë, krijuan modele përkushtimi për mjekësinë shqiptare,  që nuk do t’i fshijë koha.

Boston, 11 prill, 2020 

Filed Under: Opinion Tagged With: Fuat Memelli

HENA

April 11, 2020 by dgreca

Hëna/

MARGARITA MITLLARI NE SOFREN E DIELLIT/

Ti ,o Diell ,që ngroh botën/
a thua erdhe pranë për mua,/
të më ngrohësh/
të mos kem ftohtë /
me të fortat rrezet e tua…?/
Thuamë !,-në isha unë /
Hëna që doje ti /
Hëna që soditi botën./
kur binte në qetësi…
Hëna që të vinte në gjumë,
Hëna që shoqëron natën
dhe jep dritë në gjithësi.
Hëna që hyn nëpër dritare
ndriçon mirë në çdo shtëpi.?

Hëna ngrohtësinë donte,
netëve të ftohta shumë.
Dielli ngrohte diku tjetër…
ngrohtësi Hënës 
s’i dha kurrë . 
Hëna zonjë kryelartë
vazhdoi udhën si më parë.
Dielli qënka i tërbuar 
paska rreze për të përvëluar!!!
Diellin ,
Hëna s’e bëri dot shok
vetë shetit edhe sot….

10.04 2020 (ora 15 .43′ )
*M.(Vera)Mitllari

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Hena, Vera(Margarita) Mitllari

SONATA E HËNËS-SHLYERJE E NJË DETYRIMI MORAL E SHOQËROR

April 11, 2020 by dgreca

  

Thanas L. Gjika/

SHLYERJE E NJË DETYRIMI MORAL E SHOQËROR/

(Vlerësime për librin “Sonata e hënës…” të Eglantina Mandisë)/

         Musine Kokalari ka qenë e para femër shqiptare shumë dimensionale që u shqua si mbledhëse folklori, shkrimtare, gazetare, studiuese dhe politikane. Për fatin e saj të keq, dhe tonin gjithashtu, ajo vuajti burgime, internime dhe përçmime që në vitin 1946 deri sa u shua më 1983. Duke kaluar nëpër këtë kalvar, ajo nuk u la të arrinte pjekurinë e saj si intelektuale dhe krijuese. Dënimi dhe vuajtjet e saj ishin dënim dhe vuajtje të një njeriu të pafajshëm. Them se ishin dënim dhe vuajtje të një njeriu të pafajshëm, sepse, si do ta shohim më poshtë, ajo u dënua prej gjyqit ushtarak më 2 korrik 1946 me 20 vjet burg, për gjëra që nuk i dënonte kushtetuta e asaj kohe, si krijimi i Partisë Socialdemokrate Shqiptare, botimi i organit të kësaj partie gazetës “Zëri i Lirisë” dhe kërkimi i shtyrjes së zgjedhjeve të dhjetorit 1945.

         Ky dënim i pafajshëm dhe pasojat që përjetoi Musine Kokalari, kërkonin që shokët e shoqet e saj komunistë ose jo t’i delnin në mbrojtje. Disa prej tyre e pësuan si ajo në po atë kohë e të tjerët e mbyllën gojën nga frika deri në vitin 1991. Kurse të rinjtë që po shkolloheshin në shkollat e socializmit, ishin të indoktrinuar dhe të trembur. Këta vuanin nga indiferentizmi dhe nuk tregonin interes për të njohur vlerat e intelektualëve të dënuar prej partisë shtet. Shikonin si t’i shërbenin “Nënës parti” për të përfituar prej saj. Emri i Musinesë, pas dënimit të saj, nuk u zu më në gojë, vepra e saj nuk u përmend në asnjë shkrim sado të thjeshtë.

         Njohja, studimi dhe vlerësimi i jetës dhe veprës së kësaj figure të shquar mbeti si detyrë morale qytetare e pakryer prej inteligjencës shqiptare deri në korrik-gusht të vitit 1992, kur Eglantina Mandia dha një intervistë vlerësuese për të në Radio Tirana. Mirëpo komunistët donin edhe pas dështimit të sistemit të tyre t’i linin në harresë gjithë të dënuarit politikë të diktaturës. Dikush i/e fshehur pas pseudonimit “Olimbi Zalli” e sulmoi Eglantinën te gazeta “Jehona e Tiranës”, organ i Partisë Komuniste të Rrethit të Tiranës. Atëhere shpirti i Eglantinës, që, kishte vluar përbrenda nga mosshlyerja e detyrës morale, iu fut punës për të njohur dhe vlerësuar në mënyrë të plotë jetën dhe veprën e heroinës që kishte adhuruar heshtur.

         Ajo i kushtoi vite pune intensive vajtjeve në Arkivin Qendror të Shtetit, leximit dhe kopjimit me dorë të dorëshkrime nga dosjet e mbushura me kujtime, ditarë, studime, vepra letrare të daktilografuara të Musinesë. Vrapoi për të takuar ish-kolegë të saj, të përndjekur që kishin vuajtur bashkë me të, për t’u marrë kujtime dhe vlerësime për këtë heroinë. Shkoi dhe në Romë për të njohur nga afër miq të saj dhe ambjentet ku kishte jetuar studentja Musine. Pas kësaj pune cfilitëse për grumbullimin e materialit, u ul e shkroi librin më të mirë të jetës së saj, librin të cilin e shkroi me shpirt si bijë shpirtërore e Musine Kokalarit. Dhe ia dha përgjigjen “Olimbi Zajmit” me botimin e veprës “Sonata e Hënës – Rrëfim për një jetë” GLOBUS Tiranë 1995, 240 faqe. Përgjigje jo me një artikull, që mund të ngjallte kundërshtime me sharje e fyerje, por përgjigje me një vepër të plotë letrare shkencore për t’ua mbyllur gojën një herë e mirë delirantëve dhe nostalgjikëve të ish-partisë shtet.

         Kështu dijnë ta kryejnë detyrën qytetare demokratët e vërtetë, të cilët u rrijnë larg grindjeve dhe punojnë me përkushtim për të ndihmuar opinionin shoqëror e atë shkencor për njohjen e së vërtetës së mohuar.

         Duke parë pritjen e ngrohtë që iu bë veprës, autorja e ribotoi te shtëpia botuese NGJYRAT E KOHËS, Tiranë 2016, 341 faqe, me synimin që ta shpinte dhe më tej rolin e dyfishtë të kësaj vepre: nxjerrjen në shesh të shumë krimeve të PKSh/ PPSh-së dhe vlerësimin e jetës dhe veprës së heroinës Kokalari, “nuses së panusëruar”. Të dy botimet janë promovuar në Tiranë dhe jashtë Shqipërisë. Për hartimin e këtij shkrimi kam pasur në dorë botimin e dytë.

* * *

         E quajta Eglantina Mandinë “bijë shpirtërore të Musine Kokalarit” sepse midis shkrimtareve shqiptare të kohës së diktaturës e deri më sot ajo i është përkushtuar letërsisë dhe publicistikës duke ndjekur e zbuluar të vërtetën. Kjo krijuese punoi e krijoi si qytetare e thjeshtë, larg servilosjeve ndaj partisë shtet për të përfituar ndonjë bursë për studime e kualifikime jashtë shtetit, ndonjë vend më të mirë pune, ose lavde e tituj.

         Shkrimtarja Mandia është bijë e një famijeje me tradita atdhetare në disa breza, e cila ka qenë mëkuar me amanetin: “Punoni mirë, Rroftë Shqipëria!” që u la pasardhësve gjyshi i saj Kamber Myrteza Bënja (1873-1916). Pikërisht ky gjysh i Eglantinës kishte shërbyer te Qeveria e Vlorës si themelues i Xhandarmërisë së parë shqiptare. Mirëpo në vitin 1916, kur ishte me detyrën e rojes së objekteve arkeologjike që zbulonin arkeologët austriakë, ai u pushkatua pas një gjyqi që u kurdis prej komandës ushtarake austro-hungarezë më 4 gusht 1916 në Apolloni të Fierit…

         Eglantina mbaroi Fakultetin Histori Filologji të UT dega Gjuhë Histori në vitin 1959. Në të tre aspektet e jetës së saj si mësuese, familjare dhe krijuese ajo u shqua për përkushtim profesional, rregull dhe pastërti morale. Pas skicave e tregimeve të para ajo kaloi në hartim veprash të mëdha si novela, drama dhe biografi të letrarizuara. Seria e botimeve të saj ka arritur në 11 libra, dy prej të cilave janë botuar dy herë.

         Për krijimtarinë e Eglantinës gjatë diktaturës shkroi vetëm kritiku objektiv Dalan Shapllo, kurse pas ndërrimit të regjimit folën e shkruan studiuesja e mirënjohur Floresha Dado, shkrimtari Mëhill Velaj, studiuesi Murat Gecaj, albanologu Ullmar Qvik, etj.

         Që nga viti 1997 ajo jeton në Kanada në qytetin Windsor ON.

         Vepër e jetës

         Librin “Sonata e Hënës…” e quaj vepër e jetës së krijuses dhe studiueses Mandia, sepse motivet e saj buluan shumë vjet në mendjen dhe zemrën e saj. Ngacmimet e para për t’u njohur me jetën dhe veprën e martires Kokarari, Eglantinës i lindën në vitet studentore, por ato fjetën në ndërgjegjen e saj deri në vitin shkollor 1959-1960 kur ishte mësuese në gjimnazin “Sami Frashëri” të Tiranës. Atë vit e tërhoqi emri e mbiemri i nxënëses Arta Kokalari. E afroi dhe mësoi se ajo ishte jetimja e vëllait të Musinesë, e Muntaz Kokalarit, njërit nga dy vëllezërit e shkrimtares që partizanët i rrëmbyen nga shtëpia pa asnjë motivacion një mbrëmje të dhjetorit 1944 dhe i pushkatuan pa gjyq.

         Nga ky informacion në mendjen e Eglantinës u krijua një vatër e fshehtë, ku ajo filloi të mbidhte e të ruante të dhëna për jetën e Musinesë. Mbështetur në disa prej tyre ajo dha intervistën e fillimvitit 1992. Këtyre 30 vjet buisjesh të heshtura deri në vitin 1991 iu shtuan dhe vitet e punës këmbëngulëse deri më 1995, kur autorja botoi veprën e plotë. Për kohështrirjen që ka zënë në laboratorin krijues të Eglantinës libri “Sonata e Hënës…” e quaj “vepra e jetës” së saj.

         Jeta e heroinës ndërtohet duke e ndjekur ecurinë e asj që nga lindja në Adana të Turqisë më 1917, te fëmijëria në Gjirokastër, shkollimi në Tiranë e Romë, puna në Tiranë, burgimi në Burrel, internimi në Rrëshen, ku kaloi dhe vitet e jetës së lirë si punëtore krahu e pensioniste deri sa u shua prej sëmundjes së pashërueshme. Që në jetën famijare gjatë fëmijërisë e më tej në marrëdhëniet e Musinesë me shoqet e shokët e shkollës e të punës, autorja qëmton e vë në dukje karakterin kërkues e vëzhgues të saj. Mjeshtërisht e ka krijuar Mandia atmosferën familjare të Musinesë së vogël, kur kjo dëgjon me vëmendje përrallat e gjyshes dhe bën pyetje kureshtare, atmosferë që ia nguliti pasionin për krijimtarinë popullore. Këta pasion ajo e vijoi dhe kur u rrit. Vijoi të mbledhë me kujdes prej nënëmadhes, prej hanesë dhe shoqeve të saj përralla, këngë, fjalë të urta, gjë e gjëza, pa lënë t’i shpëtojë asgjë e vlefshme nga ky thesar. Edhe kur shkoi me pushime në Korçë në vjeshtën e vitit 1939 ajo mblodhi këngë prej grave të atij qyteti dhe nuk la t’i shpëtojë kënga e re që improvizoi një komshie. Ishte e sapokrijuar, nuk ishte këngë e vjetër, por Musineja i dha rëndësinë e duhur dhe e hodhi në letër. Ishte  një lutje-klithmë, një ankesë drejtuar Perëndisë. për pushtimin italian. Po sjell për ilustrim vargjet e fundit:

“Në një baltë edhe ne

nuk na gatove ti?

Pse të jemi të shkreta ne

të mos kemi liri?” (f. 132)

         Për nga lloji “Sonata e Hënës…” është një vepër letrare dhe shkencore, e ngjashme me veprën “Kur qeshnim në diktaturë” të Pëllumb Kullës, kushtuar mjeshtrit të humorit Skënder Sallaku. Karakterin letrar të veprës, Eglantina e ka ndërthurrur dhe me kërkesat e një studimi nonografik mbi jetën e veprën e heroinës që merret në shqyrim.

         Njihemi me shkrime të ndryshme të Musinesë, herë pjesë nga veprat e saj, herë copa ditari e copa kujtimesh, që janë riprodhuar si kronika, herë meditime, përshkrime të natyrës ose të njerëzve të cilët Musineja i kishte njohur gjatë jetës shkollore dhe veprimtarisë politike me të cilët ajo bashkëpunoi. Vende vende ka dhe krijim përshkrimesh e dialogjesh të Eglantisës për të realizuar zbërthimin e karakterit të Musinesë dhe të dy djemve që e dashuruan. I pari ishte një djalosh italian në vitet e studimit në Romë, prej të cilit heroina u zhgënjye kur mori vesh se ishte një aventurier e mashtrues që mbante lidhje dhe me dy shoqe të saj, për fat të keq shqiptare, të cilat Musineja i kishte ndihmuar e trajtuar si motra. Djaloshi i dytë është veprimtari politik A. XH., një intelektual, njohës i disa gjuhëve, bashkëpunëtor i saj për përgatitjen e materialeve të gazetës “Zëri i Lirisë”, i dënuar dhe ai në vitin 1946, shok i mirë që e deshi me shpirt, por që të dy nuk kërkuan t’i shtynin lidhjet e tyre përtej marrëdhënieve shoqërore në ato vite plot rreziqe. Personi historik A.XH. është një person historik, por që autorja ka ditur ta ngrerë me fantazinë e saj në nivelin e një personazhi letrar me botë të pasur e të denjë për miqësi me Musinenë. Lidhjet e tij me këtë vajzë që e dahuron fort jepen me emocionalitet të ngritur. Takimet e tij me Musinenë janë shumë prekëse që nga takimet e para e deri tek i fundit te Spitali Onkologjik Nr. 2, ku A. Xh. i shpie amanetin e studiuesit të mirënjohur R. S. (Ramadan Sokoli), një manjetofon ku ky kishte incizuar këngët gjirokastrite të kënduara, tekstin e të cilave Musineja i kishte mbledhur në rininë e vet dhe i kishte botuar në librat e saj në vitet 1941, 1944.

         Ka raste ku vepra merr karakterin e  një antologjie, sepse studiuesja duke i sjellë për herë të parë i riprodhon të plota vlerësimet kritike dhe letra të miqve të Musinesë si poeti Lasgush Poradeci, kolegia Selfixhe Ciu Broja, Drita Kosturi, Ganimet Gilani, Ministri Ernest Koliqi, shkrimtari Andrea Varfi, të bashkëvuajtseve si Ildishane Kalo, Nafije Kupi, etj.

         Mandia krijon momente prekëse kur tregon se si kur Musineja shkonte në kinema, njerezit e rreshtit ku ishte ulur ajo, largoheshin dhe i linin vendet bosh. Po kështu tregohet si pleqtë që ajo i takonte te parku i qytetit të Rrëshenit dhe u mblidhte këngët popullore, kur ajo shkonte për t’i takuar për të dytën herë si e kishin lënë me fjalë, këta burra malësorë ia bënin me shënja se nuk mund të vinin në takim, sepse i kishin thirrur në Degën e Punëve të Brendshme, ku i kishin kërcënuar. Ky zhburrnim i malësorit shqiptar e tejkalonte zhburrnimin e kohës së Migjenit. Por ka dhe më. Tronditja e lexuesit nga një dukuri e tillë arrin kulmin kur jepet fundi i jetës së Musinesë.

         Kësaj të sëmure me kancer i vonoheshin vizitat dhe seancat e kimoterapisë edhe pse ajo i kishte shkruar letra drejtorisë së Spitalit Onkologjik Nr. 2 në Tiranë, kurse kur vdiq Musineja nuk u njoftua askush për varrimin e saj, nuk u porosit as zyra e varrimeve. Vetëm komshia e Musinesë, bija e vogël e Ajet Osmanit (tjetër tragjedi jeta e dy vajzave të këtij dëshmori që e shpalli partia tradhëtar e agjent më 1961 shumë vjet pas vdekjes së tij, sepse kishte qenë shok me Teme Sejkon. E zhvarrosën dhe ia flakën vajzat nga studente të Universitetit të Tiranës në Rrëshen të internuara). Kjo komshie pas shumë të luturave mezi e bindi një shofer kamioni për ta ngarkuar në buzëmbrëmje sipër kamjonit mbi zhavor për ta shpënë kufomën deri te vorrezat.

         Figura e Musinesë ndërtohet e kompletuar si njeri me ndjenja humane, që di të mbajë ekuilibrin dhe të sillet me zotnillëk në të gjitha momentet e jetës që nga fëmijëria deri në largimin nga jeta, krenare dhe e pamposhtur ndaj mundimeve dhe së keqes, dhuruese ndaj njerëzve në nevojë. Ajo ndjen gëzim jo vetëm kur ndihmon Hamitin, vëllain e sëmurë rëndë, ose kur ndihmon shoqet studente për të kaluar vështirësitë e para, por edhe kur është vetë në varfëri ekstreme si e internuar në Rrëshen. Që ditët e para në këtë qytet, kur pa se fëmijët që jetonin për karshi ishin të zbathur e të veshur me nga një këmishë të grisur, u thurri triko dhe ua shpuri pa i njoftuar natën e Vitit të ri si dhurata të Babagjyshit.

         Ajo e ka shpirtin hambar. U tërhoq pa u grindur nga shoqëria e dy shoqeve që e kishin tërhequr në tradhëti të dashurin e saj P. P. Sa nuk iu ça zemra kur pa me sytë e saj se si ishin manipuluar prej propagandës së partisë vogëlushet e varfra, të cilat në pashkët e vitit 1967 patën shkuar plot gëzim në kishë për krezmimin e tyre të parë, por kur u rritën, njëra prej tyre, Liza, këndonte në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës këngë për partinë, kurse të rinjtë e tjerë brohorisnin me histerizëm këngët e saj edhe pse vijonin të vuanin për bukë.

         Musineja, një vajzë e brishtë e delikate në fëmijërinë e vet, gjatë pjekurisë bëhet një burrneshë e vërtetë. Inteligjenca e saj i kalonte përmasat e kohës. Vetëm me ato që kishte lexuar për gjyqet e Stalinit të vitit 1938 dhe djegiet e librave shkencorë në sheshet e Berlinit prej nazizmit, Musineja i thotë së ëmës se nuk mund të heshtëte ndaj atyre që po kryenin partizanët që morën pushtetin pas mbarimit të Luftës Antifashiste. Eglantina jep në mënyrë të përmbledhur nga ato që shkroi analistja dhe sociologia Musine në ditarin e saj më 23 janar 1946. Përmend se Musineja mendonte se nuk mjaftonte vetëm lutja ndaj Zotit që të ndalej dora e kriminelëve dhe sadistëve që po i varrosnin njerëzit së gjalli si vëllezërit e saj, që po i detyronin njerëzit të vrisnin veten, që po e drogonin popullin dhe po e kthenin në një turmë amorfe që bërtet e ulërin duke nxitur instiktet më të egra të kafshërimit. Ajo i lutet Hanushes të mos e gjykojë që po bën fli jetën, rininë e saj, sepse po të humbej edhe kjo luftë në Shqipëri do të hapeshin edhe shumë varre të tjerë (f. 258-259)

         Ajo e di, se po të gjendeshin e të lexoheshin shënimet e ditarit të saj ku përshkruante me ironi persona të pushtetit, mund të ridënohej me 7-10 vjet të tjera burg, por ndërgjegja e saj si krijuese nuk e linte që të mos e përshkruante me shpoti e tallje drejtorin e burgut të Burrelit dhe fëmijët e tij të shumtë që ishin majmur sa u ishin mbyllur sytë nga të ngrënët e tepërt të racioneve të vjedhur nga ushqimi i të bugosurve

         Karakterizimi i regjimit komunist, parashikimi i fundit të tij

         Zgjuarësia natyrale, talenti i lindur dhe përvoja e fituar nga jeta plot vuajtje e ndihmuan Musinenë të jepte analiza sociale politike për realitetin e jetës shqiptare nën diktaturë në një nivel që nuk i ariti askush deri më 1992.

         Mandia ka meritën se ka kapur dhe ka nxjerrë në dukje në të gjitha fazat e jetës së heroinës së vet momente pune cfilitëse, vuajtje të rënda, durim e qëndresë shoqëruar me reagime të guximshme ndaj së keqes. Përmes kësaj pune autorja ka shpalosur karakterin trimëror, vullnetin e pamposhtshëm të Musinesë ndaj vështirësive të njëpasnjëshme, mprehtësinë e logjikës, frymën e saj kritike ndaj së keqes.

         Në fëmijëri ndalet te këmbëngulja e vajzës për të dëgjuar përralla e këngë nga gjyshja, në vitet studentore pasqyrohen përpjekjet e saj për të kapërcyer vështirësitë që i dolën nga vajtja me vonesë dhe moszotërimi sa duhej i gjuhës italiane. Situatës së rëndë dhe nënvlerësuese për popullin tonë, që krijoi pushtimi italian, studentja i përgjigjet me botimin e librit të saj të parë më 1941 dhe me hartimin e temës së diplomës për jetën e poetit kombëtar Naim Frashërit. Studim të cilin e përdori dhe për mbrojtjen e diseracionit në universitetin “La Sapienca”.

         Që para rrëmbimit e vrasjes pa gjyq të dy vëllezërve, Enver Hoxha i vuri nga pas Musinesë për ta përgjuar e kërcënuar agjentin Enver Behuri, një informator i Sigurimit të sapokrijuar. Musineja e përshkruan në shënimet e saj me pamje të pështirë, me sy pa qerpikë si të peshkut, etj. Një ditë para se ta arrestonin, ky agjent i hyri në librari kapardisur me një palë çizme të lustruar dhe pasi pa mbi tryezë krahas librave për shitje dhe dy fotot e vëllezërve të saj mbështjellë anash me një sharp të zi respekti, ai ulëriu: “Hiqe atë sharp të zi, që e mban për dy kriminelë lufte!” Ulërimë së cilës Musineja, duke e përmbajtur veten, iu përgjigj me kurajo: “KOHA DO TA TREGOJË SE CILËT JANË KRIMINELËT E VERTETË” (f. 292-293).

         Po ky sigurims i ngritur në pozitë dhe i emëruar shef i Degës së Punëve të Brendëshme të Rrethit të Mirditës në Rrëshen, i del përpara Musinesë kur e liruan nga burgu i Burrelit dhe e dërguan në Rrëshen për të kryer dënimin e internimit. Ky emërim i Enver Behurit pikërisht në Rrëshen si shef dege nuk besoj se ka qenë i rastit. Madhështorja Musine, shton Eglantina, mendoi me përbuzje: “ kjo kafkë e zbrazët, ky i vdekur për së gjalli, do të vigjilonte mbi shpirtin e saj. Ai as që kish mundësi të kuptonte sa i lirë mund të qe një shpirt në burg, apo në internim dhe sa i burgosur ishte ai vetë, shtaza, egërsira, që s’ do të krijonte dot kurrë ekuilibrin e vetvetes” (f. 293).

         Për t’i treguar këtij shërbëtori qorr të persekutorit të madh se Musineja nuk u trembej vuajtjeve dhe nuk u nënshtrohej presioneve të tij, pasi mbaroi vitet e internimit dhe ishte e lirë të kthehej në Tiranë pranë njerëzve të familjes, ajo ndënji po në Rrëshen. Vijoi të punonte po në Ndërmarrjen e Ndërtimit ku punoi si e internuar dhe më tej akoma jetoi po aty edhe pasi doli në pension duke mbijetuar me pensionin prej 1750 lekësh të asaj kohe, deri sa u shua, pa u nënshtruar dhe përbuzëse e regjimit vrastar.

         Kulminacioni i burrnisë që u shpalos në fillimet e kalvarit me deklaratën e Musinesë gjatë vetëmbrojtjes në gjyq, ngrihet në një shkallë edhe më të lartë në shënimet e ditarit që ajo pati hedhur më 31 dhjetor 1972, në një kohë kur po frynte një frymë gjoja liberalizmi. Analistja Musine i bën autopsinë sistemit shoqëror duke treguar se dhe një brigadier degjeneron nga ai pak pushtet që ka. Brigadieri i vjedh punëtorët dhe për të mbyllur gojët e atyre që mund ta kritikojnë, u krijon privilegje për t’i kthyer në servilë.

         “Në socializëm, thonë se klasa punëtore është në fuqi”, shkruan Musineja dhe vijon, “por punëtori mbetet gjithnjë në fund , si në dituri, ashtu dhe në pagesë… Kultura, shtypi punëtor, nuk është një armë që të udhëheqë punëtorët, t’i frymëzojë ata të shprehin mendimet jashtë mureve të ndërmarrjes”.

         Si intelektuale krijuese, ajo nuk ua fal artistëve dhe shkrimtarëve hartimin e veprave në shërbim të politikës së partisë shtet: “Nuk do ta harroj kurrë sa padrejtësi bëhen në shpinë të punëtorit, sa i pakulturuar mbetet ai dhe sa pak interesim ka inteligjencia e cila shkruan reportazhe, shkruan romane, por asgjë nuk ndihmon në zgjidhjen e problemit jetik të tij” (f. 309).

         Kjo akuzë e guximshme haveliane e Musine Kokalarit u ka djegur shrimtarëve dhe artistëve të privilegjuar të pushtetit komunist, prandaj ata nuk treguan asnjë interes për ta përmendur, pa lere për ta trajtuar Musinenë si heroinë në veprat e tyre të pas vitit 1991. Këtij fakti, mendoj se studiuesja duhej t’i kishte kushtuar disa paragrafë për të ndihmuan në procesin e katarsës.

         Si përfundim theksoj se Eglantina Mandia e kreu me sukses detyrën qytetare që mori përsipër. Askush, pasi të lexojë këtë vepër nuk mund të përulet dhe vlerësojë jetën dhe veprën e Musine Kokalarit.

         Me këtë vepër Eglantina u jep mundësi talenteve të tjerë që ta trajtojnë figurën e Musine Kokalrait në vepra të reja artistike dhe shkencore, sepse ajo përbën një pasuri që frymëzon e do të frymëzojë gjithnjë krijuesit e moralshëm.       

Filed Under: ESSE, Politike Tagged With: Eglantina Mandia

PAK VIRUS

April 11, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/
Shqipëria po kalon kohë të vështirë mbushur me paragjykime, parashikime e profeci që thuhet se një ditë do të përmbushen. Disa bëhen mbizellshēm, se pandemia e tanishme mund të sjellë fundin e civilizimit. Masat ekstreme rreth koronavirusit po çojnë drejt një autoritarizmi qeverisës, në një shoqëri pa para, ku, sipas tyre, të gjithë do të gjurmohen dhe kontrollohen. Por qeveria, e paaftë, vetë përhap panik dhe pastaj gjoja e lufton atë. Revolucioni, nëse dikur do të vinte, duhet të përmbysë edhe tokën ku ata sot shkelin. Nga një vilë del njeriu gjysmë përgjumësh, si Qiklop i lënduar, dhe llomotit çdo ditë në Ekranin e tij vendime e masa të reja bllokuese për popullin që e mendon se është tufë me dele e manarë, e u cakton orarin e kullotjes.Dhe Populli përulet dhe njëkohësisht kapelja i bie nga koka, si të thotë se nuk e meriton një udhëheqës të tillë mikro-manexhues, i cili tallet me çdo vlerë morale, etike e tradite; sakrifikon të gjitha, që nga mjekët të cilën në këtë kohë i nis jashtë; ata në tokën asnjanëse, që nuk i lejon të hyjnë në atdheun e tyre; dhe të tjerët brenda, të cilët nuk dalin nga frika e ndëshkimit me burg, rrahje e gjoba. Komunizmi e bëri këtë gjë, e izoloi vendin, por prej tij nuk pritej asgjë e mirë, populli e di këtë; ashtu si tani në shekullin XXI, pjellat e tij, me mjekra të bardha si maska, pas të cilave fshihet përçmimi, kujdesen për gjithëçka që i ndihmon ata, po jo për popullin të cilin e kanë gënjyer.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Pak Virus

ZADE BAJRAKTARI-KAMBERAJ NDËRROI JETË NË PRISHTINË

April 11, 2020 by dgreca

NËNA E GAZETARIT SINAN KAMBERAJ NDËRROI JETË NË PRISHTINË, KRYETARI I VATRËS NGUSHËLLON FAMILJEN ./

Të Premten, 10 Prill 2020, ndërroi jetë në Prishtinë ZADE BAJRAKTARI-KAMBERAJ, nëna e gazetarit Sinan Kamberaj.

Njoftimin e përcolli sot në faqen e tij të fb Sinan Kamberaj.

       Në Njoftim shkruhej: Sot, në moshën 98 vjeçare, ndërroi jetë NANA, gjyshja dhe stërgjyshja jonë e dashtun- ZADE BAJRAKTRI- KAMBERAJ(1922 – 2020).

          Trupi i saj u varros sot në varrezat e qytetit në Prishtinë, në prani të rrethit të ngushtë familiar.
Pushoftë në Paqe shpirti i saj!

         Kryetari i Federatës VATRA, z. Elmi Berisha, në emër Kryesisë, Këshillit, degëve të saj si dhe në emër të gjithë vatranëve, i përcjell ngushëllimet më të thella për nënën z.Sinan Kamberaj si dhe familjeve Sinani dhe Bajraktari.

      Gazeta”Dielli” ngushëllon bashkëpunëtorin dhe kolegun Sinan Kamberaj për humbjen e  nënës së Dashur!

Pushofët në Paqë shpirti i Nëns Tuaj  Zade Bajraktari-Kamberaj!

Filed Under: Komunitet Tagged With: nderroi jete

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 645
  • 646
  • 647
  • 648
  • 649
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT