• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

48 VITE NGA REVOLTA E SPAÇIT

May 20, 2021 by dgreca

48 VITE NGA REVOLTA E SPAÇIT

Demir Pojani, i përndjekur, i persekutuar, i torturuar dhe i burgosur prej regjimit komunist shqiptar për 21 vite me radhë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli – Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, shpërthimin e revoltës së Spaçit në 48 vjetorin e saj. Qëndrestari antikomunist Demir Pojani zbulon me detaje përplasjen me policinë kriminale e gjakatare të burgut të Spaçit dhe hetuesit kriminelë të komunizmit si: Floran Kolaneci, Idriz Seiti, Elhan Gjika, Llami Gegeni, Llambi Bako, Mehdi Bushati e të tjerë monstra të frikshme që ushtruan dhunë, terror e turtura çnjerëzore mbi të burgosurit e pafajshëm.

SPAÇI OSE FERRI KOMUNIST

Rregullorja e burgut ishte shumë e tmerrshme, sfilitëse dhe denigruese për të burgosurit. Jetesa në burg ishte në kushte skandaloze, trajtimi ishte ç’njerëzor. Të dënuarit vuanin mungesën e bukës dhe mungesën e ujit që kishte 30 përqind acid sulfurik për shkak se Spaçi ishte zonë minerare. Policët në burg ishin provokatorë të ndyrë dhe të tmerrshëm, njerëz shumë të trashë. Rinia dhe të burgosurit në Spaç u lodhën nga persekucioni dhe burgosja si me aksion prej pushtetit brutal komunist. Spaçi ishte kthyer në një ferr të vërtetë për të gjithë ne. Kushtet e fjetjes skandaloze, ushqimi skandaloz, puna e rëndë, provokime, spiunlliqe, gjithçka ishte e tmerrshme për të burgosurit. Rinia e burgosur padrejtësisht në burgje nuk e duronte dot kasaphanën dhe dhunën mbi të burgosurit, aq më tepër ndaj të vjetërve që ose vdisnin në burg ose liroheshin në gjendje të mjeruar fizike dhe shpirtërore. 

SI FILLOI REVOLTA E SPAÇIT

Përplasja që filloi revoltën e Spaçit nisi në këtë mënyrë: Ishte ditë Pashkësh dhe katolikët e burgosur dhe myslimanët vendosën të mos dalin në punë. Pati përleshje me policinë gjakatare të burgut. Dervish Bejko u përplas fizikisht me policinë kriminale dhe shtazarake të burgut të Spaçit. U kthye mbrapsht bashkë me vëllezërit Gjokë e Pal Zefi dhe filloi revolta. Njerëzit në burg ishin të revoltuar në masë, u kishte ardhur shpirti në majë të hundës prej trajtimit të keq, padrejtësive për burgosje të padrejta, shtypjes e dhunës. Në mëngjesin e ditës së nesërme të revoltës në burg vjen operativi Fejzi Liçka, një shpirt katil, një prototip komunist shumë i poshtër dhe fillon të arrestojë e dhunojë personat që nuk kishin dalë në punë. Përpara mencës filloi sherri mes të burgosurve dhe policisë. Policia tentoi të fuste në izolim Gjokë Zefin. Ne të gjithë dolëm në mbrojtje të shokut tonë që po e merrnin ta zhduknin dhe u përplasëm të gjithë bashkë me operativin dhe policinë e burgut. Policët e burgut ishin idjotë dhe kriminelë të mirëfilltë. 

AHMET HOXHA, TRURI I REVOLTËS SË SPAÇIT

Ideatori dhe organizatori kryesor i revoltës së Spaçit, truri ka qenë Ahmet Hoxha që ishte zemra e shpirti shpërthyes i frymës kundër së keqes. Ahmet Hoxha, një djalë trim dhe kurajoz, deklaroi para të gjithëve: Ose ta ndezim ose do vdesim. Nëse populli do jetë i revoltuar si ne, ata do të na përkrahin nga jashtë, ne do të fitojmë dhe do ta shembim diktaturën, sikur një pushkë tu marrim këtyre do ngrihet dhe populli dhe këta do i mundim përgjithmonë. Në këtë moment të revoltës ne zgjodhëm dhe thirrëm përfaqësitë e krahinave prej të burgosurve në burg, vumë rregull ku të kursenim ujin dhe të mbronim dyqanet që revolta jonë të mos dilte ordinere por kombëtare. Vendosëm të shpërndajmë trakte që shkruheshin nga Ahmet Hoxha, truri i revoltës. Me marmalaten që na jepte burgu ku nuk e hanin as qentë, ngjitëm në muret e burgut traktet e revoltës. Në trakte ne kërkonim që: qeveria të pranonte Konferencën e Helsinkit. Poshtë komunizmi. Duam të na hapen dosjet. Jemi të pafajshëm. Na tregoni çfarë kemi bërë. Duam të shkojmë drejtë Evropës etj etj. Administrata e policia e burgut u çmënd nga revolta jonë dhe masiviteti i saj. Komunistët kriminelë të alarmuar, brënda katër orësh u rrethua burgu i Spaçit nga korpusi i Burrelit, rreth 5 mijë forca ushtarake. Nga Tirana erdhi reparti i ndërhyrjes së shpejtë, 800 vetë të armatosur. Bllokuan rrugët nga frika se ne mund të rrëmbenim mjete lëvizëse të policisë apo ushtrisë dhe dhanë urdhër që për çdo lëvizje brenda zonës së ndaluar të hapej zjarr. 

DERVISH BEJKO DHE SKËNDER DAJA HERONJTË E REVOLTËS SË SPAÇIT

Tre ditët e kësaj revolte ishin ditë të tmerrshme dhe nga më të nxehtat në jetën time. Rezistuam fort dhe me dinjitet. Na mbaroi uji. Kishim dhe spiunë brenda revoltës dhe kur e pamë që nga jashtë nuk na ndihmoi aksush me mbështetje dhe përforcime, e pamë më të arsyeshme që të dorëzohemi. Dorëzimi qe një akt i tmerrshëm. Me vullnet të lirë u caktuan dy shokë që nuk do të dorëzoheshin: Dervish Bejko, Skënder Daja. Dervish Bejko luftoi me një levë derisa iu thye shpatulla dhe e pushkatuan me shpatull të thyer. Daja u hodh nga kati pestë dhe gjysmë të gjallë e masakruan dhe e pushkatuan. Në hetuesi ishte një torturë e tmerrshme për secilin prej nesh. Ne e ruajtëm dhe nuk e nxorrëm Ahmet Hoxhën, por ata e kuptuan që ai ishte protagonisti kryesor. Ai u arratis, theu burgun, pas 3 ditësh e kapën dhe pasi e torturuan, e pushkatuan dhe atë. 

KUSH ISHIN HETUESIT KRIMINELË TË SPAÇIT

Simboli i qëndresës antikomuniste në burgjet shqiptare Sami Dangëllia na deklaroi se kishte kaluar të gjitha hetuesitë e komunizmit dhe hetuesi e hetues më të tmerrshëm kishin qenë në Spaç. Hetuesit ishin bisha të etur për mish e gjak shqiptari. Hetuesit ishin kanibalë, mizorë, ç’njerëzorë. Hetuesi Elhan Gjika na fikte cigaret në gjoks, na shkulte thonjtë, ne ishim të mpirë nga ideja sesi kishte mundësi të ishte njeriu kaq kriminel dhe i pashpirt. Ata që na torturuan dhe masakruan ishin hetuesit: Floran Kolaneci, Idriz Seiti, Elhan Gjika, Llami Gegeni, Llambi Bako, Mehdi Bushati, Kasimati e të tjerë kriminelë gjakatarë. Këta kriminelë ishin njerëz të frikshëm. Aq të ndyrë, aq maskarenj sa nga këta monstra të vinte turp që të thoje se je shqiptar. 

MARTIRËT E REVOLTËS SË SPAÇIT

Revolta e Spaçit pati dhe heronjtë e saj të cilët u dënuan që nga pushkatimi te 25 vite burgim. Pushteti kriminal diktatorial i motivoi kështu dënimet e tyre: për “djegien e tabelave të emulacionit socialist, ngritje të flamurit me zhgabë pa yll, shkruarjen e parullave armiqësore dhe afishimin e tyre, si edhe parrulla të hedhura me gojë më mënyrë demonstrative me përmbajtje thellësisht armiqësore”. Heronjtë e revoltës së Spaçit janë: Dervish Bejko, Ahmet Hoxha, Skënder Daja, Pal Zefi, Gjokë Zefi, Muharrem Isufi, Shuaip Brahimi, Qemal Demiri, Syrja Lame, Jorgo Papa, Dashnor Kazazi, Hasan Iba, Pandi Sterjo, Muharrem Dyli, Rexhep Lazeri, Fadil Dushku, Sulë Veshi, Agron Xhelili, Bedri Çoku, Demush Muçaj, Elez Hoxha, Tefik Dedi dhe Pavllo Pope, Gëzim Medolli, Haxhi Bena, Irakli Sirso, Muho Curri, Nikolla Qafke, Refik Beqo, Skënder Thaçi, Sherif Allamani, Tom Uli, Xhevat Lokja, Fatmir Llagani, Mirash Gjoka, Mersin Vlashi, Abedin Vrioni, Bebi Konomi, Dervish Sula, Gëzim Çela, Hysen Vuçe, Kostandin Papa, Ndrec Çuku, Njazi Bylikbashi, Selman Çuni, Shefqet Xhena, Uliai Pashallari, Zef Ashta, Jonuz Morja, Naim Fashaj, Mureat Marte, Bashkim Fishta, Çaush Çoku, Demir Pojani, Gramoz Spahia, Naim Uka, Hasan Iba, Merkur babageta, Pal Marku, Stefan Kola, Spiro Nasho, Tomorr Allajbej, Xhaferr Dema, Nuri Stepa, Vladimir Prifti, Tefik Kunsnaku e shumë të tjerë.

KUSH ËSHTË DEMIR POJANI

Demir Pojani ishte ndër të burgosurit më aktiv të revoltës së Spaçit. Ai lindi më 12 gusht 1948, në Korçë. Me vendim nr. 2, datë 7 janar 1972, Gjykata e Elbasanit e deklaroi fajtor për «agjitacion e propagandë», dhe e dënoi me 4 vjet burg dhe për «kundërshtim të përfaqësuesit të pushtetit», me 4 vjet burg. Më 21 korrik 1973, Gjykata e Mirditës e deklaroi fajtor se «ka kryer fajin e sabotimit, duke qenë pjesëmarrës në organizatën kundër pushtetit» dhe për «agjitacion e propagandë», dhe e dënoi me 25 vjet burg, si dhe humbjen e të drejtave elektorale për 5 vjet kohë. Më 1979, Gjykata e Matit e dënoi me 25 vjet burg. 

Filed Under: Opinion Tagged With: 48 Vjet, Demir Pojani, Revolta e Spacit, Sokol Paja

NJU JORKU lehtëson vendimin për maskat

May 20, 2021 by dgreca

Qyteti i Nju Jorkut u është bashkuar qyteteve tjera të mëdha që u mundësojnë personave të vaksinuar plotësisht, të heqin maskat në shumicën e rasteve.

Pas më shumë se një viti prej kur janë mbyllur shumë biznese, Nju Jorku ka marrë një vendim të madh më 19 maj, drejt kthimit në jetën para pandemisë.

Restorantet, dyqanet, palestrat dhe shumë biznese tjera tani do të mund të punojnë me kapacitet të plotë nëse kontrollojnë dokumentet e vaksinimit apo aplikacionet që vërtetojnë se të gjithë klientët janë imunizuar.

Ndalesa për mbyllje të restoranteve në mesnatë do të hiqet në fund të muajit.

Kryetari Bill de Blasio ka shpallur nisjen e “verës së qytetit të Nju Jorkut”, pasi zyrtarët kanë thënë se është koha që të tejkalohet pamja krejtësisht e thatë e këtij qyteti në valën e parë të pandemisë, në pranverë të vitit 2020.

Deri më tani rreth 48 për qind e banorëve të këtiij qyteti kanë marrë një dozë të vaksinës kundër koronavirusit.

Vdekjet kanë rënë në rreth 24 gjatë ditës, derisa është raportuar edhe për rënie të numrit të të infektuarve.

Edhe qytetet tjera amerikane kanë thënë se personat e vaksinuar plotësisht, mund të dalin pa maska.(RFL)

Filed Under: Featured Tagged With: lehteson masat, Nju Jorku

RILINDASIT E RINJ, VARRMIHES TE HISTORISE KOMBETARE

May 20, 2021 by dgreca

Mjaft me beton! Rindërtoni Ansamblin Muzeal të Pavarësisë në Vlorë! 

Shkruan GEZIM ZILJA/

 Patrioti vlonjat, Tol Arapi, ndihmëskomisar në qeverinë e Ismail Qemalit ka shkruar në librin me kujtime, “ Që të bëhej Shqipëria”: Ismail Qemali kishte një dashuri të atillë, sa populli e mbante si një perëndi. Ismaili qëndronte në “Reiz Liman”. Ajo ishte dhe kryeministria e atëhershme. Atje flinte edhe vet Ismail Qemali…Ishte shumë popullor, shpesh shkonte nëpër kafene dhe takohesh e bisedonte me njerëzit. Në fytyrë ishte i mvrejtur por njeri shumë i matur dhe i butë.”  

Diku aty nga Skela është arratisur, Fan Noli me 86 qeveritarë në dhjetor 1924, pasi  Ahmet Zogu rrëzoi qeverinë e tij. Kojdhel Luari, (Zilja) bashkëkohës i Ismail Qemalit tregon në kujtimet e tij: “ Noli ishte një burrë i shkurtër, me mjekër të zezë, energjik dhe nuk e zinte vendi. Pasi zbriti nga arabaja ecte me hapa të shpejta drejt molit dhe kthente hera-herës kokën prapa. – Mos ki frikë hirësi,- i tha dikush nga shoqëruesit. – Vlonjatët nuk të tradhëtojnë kurrë. Ec pa merak. Noli buzëqeshi, eci drejt varkës së vogël, që e priste në breg dhe nuk e ktheu më kokën prapa. 

Më 28.02.1991, nga Moli i Skelës, kalata lindore, rrëmbehet anija 500 tonëshe “Kanina:” dhe niset drejt Italisë. Me urdhër të Ministrit të Mbrojtje, Kiço Mustaqi anija plot me civilë ( 109, sipas TV italian”) u qëllua me mitraloz nga kateri i rojës bregdetare, duke vrarë timonierin dhe plagosur tre të tjetrë. Më 28.03.1997, u nis nga Porti i Vlorës, kalata perëndimore, Kateri i Radës me rreth 120 vetë në bord. Anija luftarake italjane “Sibila” në një manovër për të ndaluar “Katerin e Radës” shkakton fundosjen e saj, në 800 metra thellësi, dhe varrosjen së gjalli të 84 klandestinëve, kryesisht gra e fëmijë.

Të katër ngjarjet që përmenda ( ka dhe shumë të ngjashme) kanë të bëjnë me atë që quhet kujtesë historike e një kombi dhe si të tilla nuk duhen të harrohen. E para ka të bëjë me vendin ku punoi qeveria shqiptare dhe themeluesi i shtetit shqiptar Ismail Qemali, e dyta me përpjekjet e shqiptarëve për të vendosur një shtet perëndimor, dy të fundit me kaosin, që mbuloi Shqipërinë pas përmbysjes së diktaturës dhe shkaktoi jo vetëm shkatërrime por edhe vdekjen e mijëra njerëzve të pafajshëm që mëtuan të kalonin kufirin nga deti…

Njëzet vjet pas shpalljes së pavarësisë, Bashkia e Vlorës, shembi godinën e Vlorajve ku u ngrit flamuri me 28.11.1912 dhe aty ndërtoi një lulishte. Diktatura më vonë shembi godinën e Sharrajve edhe kjo pjesë e historisë, ku u pritën e bujtën shumë delegatë dhe luftëtarë më 1912 dhe nisi të ndërtonte një godinë  shumëkatëshe,   sot e kthyer në një monstër betoni që ka zaptuar 75%  të sheshit Historik të Flamurit. Tridhjetë vjet demokraci gjithë ata që qeverisën e po qeverisin Vlorën e kafshuan ku mundën Sheshin e Flamurit, duke hedhur pambarim beton e tjetërsuar këtë shesh plot histori… Po le të shkojmë në Skelën tonë të vogël e të dashur, që qeveritë e tranzicionit e mbushën me ndërtesa të larta pa kurrfarë rregulli urbanistik, duke zhdukur çdo gjurmë të historisë, kulturës e traditës.  Aty ndodhet një shtëpizë varfanjake, dy katëshe, si  jetime e braktisur midis (sanduiç) luksit të restoranteve, kafeneve e ndërtesave shumëkatëshe plot drita dhe gardhit me hekura që e ndan nga Porti Detar. Tridhjetë milonë euro u hodhën për rikonstruksionin e Portit Detar, rreth shtatëdhjetë milionë ( vazhdojnë ende) për shëtitoren në gjashtë vitet e fundit. Porti Detar  prej 10ha, 5ha akuarium dhe 5ha tokë, iu dhe me qera për 35 vjet privatit me kërkesë të këtij të fundit. Brenda sipërfaqes prej 5ha do të fillojë ndërtimi i pallateve e shatërvaneve të stilit Rilindja dhe shtëpia muze e pavarësisë humbet plotësisht. Plot 100 milionë (shifra e saktë nuk dihet ende) janë harxhuar për beton e asfalt për tekat e hajdutëve dhe babëzine e rilindasve. ZERO EURO për shtëpinë dykatëshe, ku punoi qeveria e parë shqiptare, e vetmja shenjë e mbetur nga ngritja e flamurit dhe themelimit të shtetit  shqiptar. Për çdo njeri të zakonshëm, Projekti i Rindërtimit të Skelës, përfshi dhe fillimin e shëtitores ( lungomare) duhet të ishte bërë në funksion të kësaj ndërtese, ku mori udhë, u formëzua dhe dolën dekretet e para të shtetit shqiptar me firmën e Ismail Qemalit, pas 500 vjet robërie turke. Duhet të ndërtohet një ansambël muzeal me ndërtesa një e dy katëshe, me pavijone të shumta në të gjithë sipërfaqen nga vija e ujit, ku shëtiste Ismail beu ato ditë të paharruara, deri te Universiteti, ku të pasqyrohen luftërat shekullore të popullit shqiptar, ato lumenjë gjaku e sakrificat e panumërta të brezave, që sollën 28 Nëntorin. Madje dhe kafeneja ku Plaku i Vlorës dhe firmëtarët e pavarësisë bisedonin e takoheshin me vlonjatët duhen rindërtuar siç kanë qenë. Në pavijonet të pasqyrohet vepra për çdo firmëtar të pavarësisë sepse jeta e secilit prej tyre është një histori më vete kushtuar atdheut. Kryezonja e gjithë atij ansambli muzeal të jetë kjo Hirushe e braktisur dykatëshe, ku është hedhur firma e kryeministrit të qeverisë së parë shqiptare. Sot qendrës në Skelë po ia nxjerrin brinjët e po e mbushin me beton e marrëzira të tjera, duke tjetërsuar gjithçka, duke zhdukur çdo gjurmë të historisë të vjetër e të re. Edhe ato 200 metra rrugë e trotuar, që po rindërtohen sot, nga Rrethrrotullim i Skelës te Porti (mbi 5 milionë euro) janë  në funksion të koncesionarit jo të muzeut ekzistues. Sipas Ramës: “…  Ky është një projekt i Parkut “Shtëpia e Pavarësisë” konceptuar nga arkitekti belg Xaveer De Geyter dhe parashikon shtim të ndjeshëm të gjelbërimit dhe zonave rekreative…”  Zot i madh! Po ku e di belgu historinë e atij sheshi që dashka të bëjë një “pyll” me zogj e kanarina! Pse nuk konsultohen rilindasit të paktën me historianët, arkitektët, e urbanistët e mrekullueshëm vlonjatë ,po shkojnë deri në Belgjikë e Danimarkë?   

Pyes: Pse nuk ndërtojnë një ansambël muzeal me ndërtesa një e dy katëshe, për historikun e Vlorës e Shqipërisë, që solli 28 Nëntorin e vitit 1912, sa ka ende sipërfaqe bosh, duke e shtrirë deri në vijën e ujit? Pse nuk rindërtohet shtëpia e Vlorajve, ku u ngrit flamuri me të gjitha anekset, në Skelë ose atje ku ka qenë, në Vlorë nëse është e mundur? Nuk dinë, nuk duan, kanë harruar, janë të babëzitur për para!? Mendojnë se rilindja e vërtetë është ajo e betonit të Ramës, Spiropalit, Ballës dhe Veliajt?  Për mua kjo është tradhëti kombëtare ( Qendrat historike të Tiranës, Durrësit, Beratit etj. kanë kohë që e kanë  humbur identitetin…)  dhe përbën vepër penale. Ata që po e shkatërrojnë qendrën historike të Skelës e të Vlorës dhe ata që varrosën muret rrethuese të Aulonës Antike, me ndërtime absurde, duke zhdukur çdo gjurmë të historisë, kulturës e traditës kombëtare  janë tradhëtarë dhe të gjykohen si të tillë. Vlonjatët të dalluar për nervin e tyre patriotik, nuk duhet ta lejojnë më tej tjetërsimin e historisë së qytetit. Përndryshe një popull që harron, falsifikon e varros të shkuarën, që lejon të zhdukin e nëpërkëmbin historinë e tij, një popull që nuk di rrugën nga ka ardhur, që largohet nga e keqja dhe nuk e dënon atë, që nuk do të njoh vetveten,  është i detyruar  të vuajë, të mbetet i varfër dhe i përçarë. 

PS: Mirë bëjnë rilindasit që po restaurojnë shtëpitë dhe rrugicën e hebrenjve në Vlorë. Por më parë duhet të restaurojnë e të nxjerrin në dritë shtëpitë e tyre, ku është ngritur flamuri dhe ka lindur e punuar qeveria shqiptare, ndryshe çdo gjë tjetër është servilizëm i pështirë dhe pa vlerë.  

Filed Under: Analiza Tagged With: Gezim Zilja, Rilindasit e Rinj, varrmihes te Historise Kombetare

MËSUESI YNË I LETËRSISË, JONUZ BLAKÇORI

May 20, 2021 by dgreca

 Nga Agim Xh. Dëshnica-/

Jonuz Blakçori 15 maj 1895- 6 prill 1975/ Kur shtrohej çështja e njësimit të gjuhës letrare dhe ortografisë shqipe, më ka qëlluar të lexoja diskutimet në Sesionin Shkencor të Gjuhës e Letërsisë Shqipe, të Institutit të Shkencave të botura  në Buletinin e Shkencave Shoqërore n. 4 – 1952. Referuesi kryesor, Dh. S. Shuteriqi, me anën e të dhënave statistikore, nxirrte përfundime kundërshkencore rreth dy dialekteve kryesore, ku dialekti tosk dilte mbizotërues. Kam dëgjuar shpesh edhe një mendim tepër të gabuar, se jugorët tanë janë shquar më shumë për penë dhe veriorët për armë. Por,  emra të tillë, që përmend  edhe kritika e huaj, si At Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjeda, At Vinçenc Prennushi, At Shtjefën Gjeçovi, Luigj Gurakuqi, Hil Mosi, At Bernardin Palaj, At Donat Kurti, At Justin Rrota, Ernest Koliqi, Migjeni, Arshi Pipa, Martin Camaj dhe shumë të tjerë në Kosovë, kanë një peshë të rëndë kundër atij mendimi. Megjithëse u këndërshtua nga Aleksandër Xhuvani, ky parashtrim shifrash ndikoi më vonë në gjykimin e intelektualëve shqiptarë, me rrjedhoja të dëmshme, kur u desh të pranonin në Kongresin e Drejtshkrimit – 1972, si themel të gjuhës së njësuar shqipe toskërishten, me paksim të dukshëm të fjalëve, zanoreve, paskajores dhe ndërtimeve të mirëfillta shqipe nga veriu. Argumentat qenë të shumta, gjoja patriotike, por siç merrej vesh, vendimi ishte marrë qysh më përpara nga diktatori Hoxha.

Duke dëgjuar në vitin 1946 Prof. Jonuz Blakçori nga Peja, mësuesin tim të gjuhës e të letërsisë në klasën e parë të Gjimnazit të Tiranës, mjeshtër në përdorimin e dialekteve, shpjegues i shkëlqyer dhe kërkues, apo mësuesin e gjeografisë Ahmet Gashin, mahnitesha nga pasuria e gjuhës dhe bukuria e ndërtimit të shprehjeve, si dhe dijeve të tyre, që shtriheshin dhe në zona historie. Në bisedë për tema të ndryshme me Prof. Blakçorin për gjuhën, letërsinë e historinë në studion e tij  me një bibliotekë të  pasur në shtëpinë e vet në rrugën Fortuzi në Tiranë, m’u përforcua bindja, se armën dhe penën e zotëronin njësoj të gjithë, vetëm me një dallim, te ndjenjat atdhetare më të ndezura në veri, që vazhdon dhe sot në Kosovë. Tek shikon fotografinë me fytyrën fisnike, sytë rrezatuese të Prof. Jonuz Blakçorit, shoqërues i Bajram Currit në Europë, dallon paraqitja e shkollarit të mençur në Kolegjin e Shën Mitër Koronës dhe laureatit të Universitetit të Romës. Po ashtu fotografitë me Fan Nolin, apo në krah të djathtë të Avni Rustemit në kryesinë e Shoqërisë Bashkimi në Tiranë dhe në ditët e dhimbjes pas vrasjes me atentat të Avniut, në ballë të rreshtit të vullnetarëve të kësaj shoqërie, shquhej shtati i tij, tip Kosove. Si për shumë vetë, këto fotografi historike, kur botoheshin në kohën e dikaturës komuniste, ose retushoheshin, ose fshiheshin emrat. 

Jonuz Blakçori lindi në fshatin Brojë të Drenicës së poshtëme më 15 maj 1895. Mësimet e para i mori në Pejë. Vijoi gjimnazin në Shkup e më pas shkollën Normale në Elbasan. Pas kësaj, kaloi në shkollën arbëreshe të Shën Mitër Koronës, së bashku me Avni Rustemin. 

Në moshë të re, kur Blakçori jetonte  në Kosovë, mori pjesë në lëvizjen kombëtare duke shpërndarë trakte e gazeta në përkrahje të  kryengritjeve shqiptare në Kosovës. Disa herë atij iu desh të ndërpriste mësimet për të marrë pjesë në veprime për mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë së cunguar padrejtësisht më 1913 nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër. Në përkrahje të Kongresit të Lushnjës dhe Qeverisë së saj, ai merr pjesë në Luftën e Koplikut të vitit 1920, kundër agresionit jugosllav. Në Koplik Blakçori dhe patriotët e tjerë mblodhën dhe dërguan vullnetarë  edhe në  Luftën e Vlorës. 

Në vitin 1923 Jonuz Blakçori mbaron studimet për pedagogji, gjuhë dhe letërsi në Universitetin e Romës. I pajisur me kulturë të gjerë, zotërues i italishtes, frëngjishtes, turqishtes e sërbokroatishtes, kthehet në Shqipëri. Në atë vit emërohet inspektor arsimi në Berat. Mandej dërgohet mësues në fshatrat e Kurveleshit dhe të Tepelenës i ngarkuar  me detyra për hapje shkollash të reja, i mirëpritur nga prindët, duke lënë kujtime të këndëshme te nxënësit e atyre viseve. Krahas përgatitjes së teksteve dhe mësimdhënies, ai u mor edhe me studimin e dialektit vendas dhe mbledhjen e folklorit të pasur lab si, këngë, fjalë të urta, përralla, gjëegjëza, etj. Në vitet 1923 – 1924, disa nga këto studime i botoi në të përkohëshmen “Revista Pedagogjike” në Tiranë.

I miqësuar me Avni Rustemin qysh në shkollën arbëreshe, Blakçori pati pranuar idetë e demokratëve për edukimin e popullit me kulturë europiane, për përmirësimin e jetës në fshat, etj. Siç dihet, këto ide të intelektualëve patën marrë udhë me krijimin më 25 prill të vitit 1921 të Federatës Atdheu, dhe më pas, më 13 tetor 1922, të shoqërisë Bashkimi. I zgjedhur në kryesinë saj në vitin 1924, ndodhet në Tiranë. Punon si redaktor i gazetës „Bashkimi“, me ide të larta, si atdheu, liria, uniteti, mbrojta e drejtësisë njerëzore, zhvillimi i ekonomik i vendit dhe i kulturës së popullit, sipas frymës europiane. Për këto ide Jonuz Blakçori qëndroi i patundur dhe besnik gjatë gjithë jetës. Gazeta e ndihmoi të shprehte përveç idealeve të shoqërisë Bashkimi dhe protestat kundër sjelljeve të egra të shteteve fqinj, në Kosovë e Çamëri, me kërkesa për bashkimin e tyre me Shqipërinë. Punon edhe në Ministrinë e Arsimit të Qeverisë së Fan Nolit, me detyrë sekretar i parë. Pas rënies së asaj qeverie demokratike, u internua në Gramsh. Me shpalljen  e amnistisë nga mbreti Zog, u kthye në Tiranë. Falë aftësive dhe kulturës së tij, nderuar nga njerëz të shquar të arsmit e kulturës, ndërmjet tyre nga Hil Mosi dhe Mirash Ivanaj, më 1928 punon redaktor i revistës „Mësuesi” dhe i gazetës „Telegraf“. Pastaj emërohet  drejtor i Bibliotekës Kombëtare dhe mësues në Gjimnazin e Tiranës. Gjatë këtyre viteve do të botonte një studim të hollësishëm për Makiavelin dhe shkrime të ndryshme albanologjike.

Pushtimin fashist të 7 prillit 1939, I pajisur me ndjenja të zjarrta atdhetare, veti e njohur e shqiptarëve, e priti me përbuzje. Duke përfituar, si shumë të tjerë, nga një farë lëshimi i pushtuesve me krijimin e një qeverie shqiptare, të përfolur nga historianët komunistë, vijoi punën e profesorit të gjuhës e të letërsisë shqipe në Shkollën e punës. Më 23 qershor 1941, sipas një dokumenti zyrtar, ministri i arsimit Ernest Koliqi,  ngarkoi një mision për studimin e gjendjes në Kosovë  të arsimit fillor  e të mesëm si dhe rregullimin e kurseve verore të gjuhës shqipe për të mëdhej e të vegjël. Misioni përbehej nga  Ali Hashorva, Jonuz Blakçori, Abdurrahim Buza nga Tirana,  Flora Pali e  Zef Pali nga Shkodra,  Shaban Arra,  Xhavid Nimani e Fadil Haxhihoxha nga Kosova. Aso kohe, ai dha ndihmën e vet për shkollat shqipe në Kosovë dhe shkroi artikuj optimistë, sidomos për rininë e Kosovës kundër dëshpërimit. Mbajti qëndrim të ftohtë ndaj njerëzve, që ishin përfshirë në një politikë të paqartë dhe pa rrugëdalje. Qe i bindur se luftën do ta fitonin aleatët me SHBA në krye. 

Paslufta – më dëshpëruese se lufta

Paslufta, si për mijëra të tjerë, qe më dëshpëruese se lufta. Regjimi komunist i vendosur me armë dhe me ndihmën e dushanëve, zhgënjeu shumë njerëz, që shpresonin për një të ardhme më të mirë. Pas votimeve farsë të vitit 1945, u shpall një republikë, e cila ia mbylli popullit portat rreth e qark, sidomos ato perëndimore. Kjo mbyllje u shoqërua me arrestime e pushkatime figurash të shquara të kombit.

Në bisedë në studio me profesorin, mund të mësoje hollësisht tiparet e shkrimtarëve tanë, duke filluar nga Naimi, Çajupi, Mjeda, Noli, Fishta, Koliqi, Poradeci etj. Fliste me komptencë dhe për poezinë italiane, për Danten, Petrarkën, Foskolon e Manzonin. Pëlqente veçanërisht poezitë e përflakura për atdhe të Xhakomo Leopardit. Pëlqente prozatorët francezë, ndër ta Molierin, Hygon, Gi De Mopsanin, etj. Vlerësonte lart letërsinë turke, sidomos poetët e shekujve 19 – 20, romantikun Abdulla Hamit Torbin dhe kundërshtarin e sulltanit, Tefik Fikret.

Kur niste bisedën për Isa Boletinin, Bajram Currin dhe Hasan Prishtinën, rrëfimi i tij rridhte. Fytyra i gjallëronte nga një shkëlqim i kuqëremtë. Shpesh u tregonte nxënësve episode nga jeta, si dhe portretet e tyre të hijshme. 

Në biseda me miqtë e vet, nëse binte fjala për Avni Rustemin dhe fundin e tij, sytë ia përshkonte një hije trishtimi, që nuk ishte në natyrën e tij. Kur bisedohej për fatin e Kosovës, ai ngrysej dhe merrte pamjen e një luftëtari të armatosur. „Për Kosovën, – më thoshte në intimitet, – asht derdhun gjak, vite me radhë. Ajo asht Shqipni dhe nuk mund të mbetet nën Jugosllavi. Autonomia nuk asht zgjidhje. Kosovës i duhet pavarësia. Unë kam besim, se ajo ditë e bekueme ka me ardhë, sepse Europa dhe Amerika po rishikojnë qendrimet e tyne. Mukja dhe paslufta dëshmuen se nga kjo qeveri dhe nga Rusia nuk duhet me shpresue. Kosova, me hir a me pahir, ka me u çlirue.” 

Herë pas here profesori kujtonte disi me lodhje dramën e jetës së vet aty nga fundi i luftës, kur brigatat partizane ishin afruar në pjesën veriore të Tiranës dhe hynin shpesh edhe në rrugën e Fortuzit. Një brëmje sapo kishte rënë muzgu, pesë partizanë të armatosur u dukën në oborr. Kërkuan profesorin dhe e shoqëruan për te një  vend grumbullimi njerëzish, diku në Tiranë. Ai kishte marrë me vehte, për çdo rast, ushqim dhe një triko. Kur hyri në sallë, pa mjaft vetë të ulur ndër stola. Shumë vetë i njihte, ishin mësues, shkrimtarë, avoketë, tregtarë, etj. Zuri vend aty nga fundi. Midis njerëzve të shqetësuar, vuri re  publicistin e njohur Nebil Çika. Herë pas here shfaqej një ushtarak dhe thërriste një emër. I thirruri dilte dhe nuk kthehej më. Salla herë, mbushej me njerëz të hutuar, e herë dukej sikur zbrazej. Disa çanta, me plaçka e ushqime mbeteshin atje si të harruara. Befas Blakçorit iu afrua një partizan, e pa me vëmendje dhe e pyeti:

– Edhe ju, profesor, këtu!? A po më njihni?

– Jo! – iu përgjegj ai.

– Jam nxënës i juaj, “Çakmaku”! – shtoi tjetri dhe hoqi kapelen.

– Ashtu!? Tash po më kujtoheni. Gëzohem!

– Do prisni pak! – i tha ish nxënësi dhe u largua. 

Profesori pati parandjenjën se fati po e ndihmonte. Gjithë natën e kaloi zgjuar, i lodhur nga mendimet, se për çfarë shkaqesh ndodhej në atë sallë të ftohtë. Në kohën, tek po zbardhte dita e re, atë e kaploi dremitja me ëndrra pa kuptim. U zgjua i shqetësuar dhe priti gjithë ditën. Aty afër mbrëmjes dëgjoi t’i thirrej emri.  

-Je i lirë, mund të kthehesh në shtëpi! – e njoftoi një partizan tjetër.

Ky rrëfim përkon edhe me ato që shkruhen në librin „Antologjia e Krimit Komunist“, botim i vitit 2006: “Diktatori Enver Hoxha, nga Berati udhëzonte: Asgjësoni të gjithë ata që nuk janë me ne, që janë pengesë për të vënë në jetë vendimet e partisë sonë heroike! Veproni pa mëshirë!“. Më tej: “ Sapo binte nata dhe derisa zbardhte dita, skuadrat e vdekjes me lista në duar, vërtiteshin tutje – tëhu, në rrugicat e kyeqytetit, hynin me dhunë në shtëpitë e të shënuarëve, lidheshin me hekura e litarë dhe çoheshin para shtabit partizan, tek i plotfuqishmi Kristo Themelko ( Shuli.)“ 

Në vitin 1945 Jonuz Blakçori u thirr të jepte mësim në gjimnazin e Tiranës, për gjuhën e letërsinë shqipe dhe italishten. Zakonisht mësimin e jepte në toskërisht. E mbaj mend, kur profesori shpjegonte mësimin. Të gjithë e dëgjonim me vëmendje të thellë, sa nuk merrej vesh se si kalonte aq shpejt ora, apo kur na jepte tema të këndëshme për hartim. Më vonë, në pleqëri, do të tregonte, sesi aty nga mbarimi i vitit shkollor 1945 – 1946, u shfaq në gjimnaz një kuadër i luftës, një burrë i shkurtër e vetullzi. U pëshpërit nga dikush se qe inspektor i Ministrisë së Arsimit. Një tjetër tha, se ishte drejtori i ri. Mësuesit u lajmëruan të mblidheshin në sallën e tyre. Profesorin e pushtoi një parandjenjë e keqe. Zëvendësdrejtori, pasi e shoqëroi të sapoardhurin nëpër klasa, e çoi në sallën e mësuesve, dhe ua tregoi me dorë. “Ky është shoku K. Baboçi, drejtori ynë i ri!” – tha. Ai foli shkurt, pa u ulur. Në fund lexoi emrat e profesorëve që mbeteshin andej e tutje në gjimnaz. “Të tjerët, – shtoi me seriozitet, – nuk  do të punojnë më këtu. Sqarimet do të bëhen më vonë. “ Profesor Blakçori nuk e dëgjoi emrin e tij. Kështu, patriotin, luftëtarin e lirisë, demokratin, mësuesin, gazetarin, studjuesin, profesorin me zë, e lanë pa punë, pa i dhënë asnjë shpjegim. Në ato kohëra të turbullta, Ministria e Arsimit, sipas mësimeve jugosllave, bëri shthurrjen e madhe, prishi gjimnazet me tetë vjet, me programe klasike e reale. Pas shkollës fillore me pesë klasë, vijonin uniket trevjeçare dhe më tej shkollat e mesme katërvjeçare e teknikumet trevjeçare. 

Mësuesi i papunë professor Blakçori, me ndihmën e miqve, përpiqej të gjente punë. Herë I jepnin orë si zevendësues ndër unike, herë në ndërmarrjen e ndërtimit “Muhamet Gjollesha”, apo në ato të grumbullimit, si nëpunës i thjeshtë, herë kujdestar konvikti i përkohëshëm në shkollën bujqësore në Kamëz, duke iu hequr çdo mundësi të jepte mësime as në shkollat fillore. Pra, në atë gjendje e katandisën profesorin e aftë, që mund të shkëlqente me leksione  për gjuhën e letërsinë  shqipe e italiane në çdo universitet, qoftë dhe jashtë vendit tonë. Në kulmin e pjekurisë ai u largua me një pension të ulët. Bija e vetme, Elizama, së bashku me të shoqin, mjekun e mirënjohur Thoma Nano, vinin shpesh e kujdeseshin për të. Ndërkaq dhe miqtë nuk e harronin.               

Studioja që bënte dritë në rrugën “Fortuzi”                                                                                                                                    

Aty nga vitet gjashtëdhjetë, pas një tërheqje të lehtë të diktaturës në arsim e kulturë, Blakçori hapi në studio një kurs me pak studentë dhe qytetarë të rinj, të cilët dëshironin të mësonin gjuhët italisht e frëngjisht, që ishin fshirë tashmë nga programet shkollore. Dhe kështu, merr veten pak prej vështirësive ekonomike. Në ato vite përfundon dy libra, njëra për jetën e Isa Buletinit e tjetra për Bajram Currin. Redakton përkthime të shkrimtarëve të rinj, etj. Shton përkthimet e veta nga poetët e mëdhenj, si Petrarka, Leopardi dhe D’ Anuncio dhe ua lexon miqve. Shkon për vizitë a pret në studio shokët e vjetër, si Ahmet Gashin, mësues e patriot i dëgjuar nga Kosova, Xhevdet Dëshnicën, mësues dhe ish kryetar i shoqërisë Bashkimi për qarkun e Beratit, shokë shkolle dhe përpjekjesh për arsimin dhe demokracinë. Bisedojnë shtruar për problemet e kohës, për letërsinë dhe autorët e saj; kujtojnë së bashku përpjekjet e tyre për atdheun, jetën e shoqërinë, etj. Ndërkohë, vendos lidhje me Institutin e Kulturës Popullore. Dorëzon dosje me studime, krijimet e dikurshme të miqve të vet nga arkivat e tyre dhe fjalë të urta nga gurra popullore, të mbledhura kur punonte në arsim. Duhej të vinte viti 1983, kur profesori nuk jetonte më, që disa nga ato fjalë të urta filozofike të përfshiheshin në një nga botimet e Akademisë së Shkencave, përgatitur nga Instituti i Kulturës Popullore. Japim disa prej tyre:

– Kali i arapit dhe inati i shqiptarit. – Jug

– Me gjumë e me zhele ngopesh kurdoherë. –Jug

– Ia hoqa gojës dhe ia dhashë nevojës. –Jug

– Kush ka pak, të prishi ma pak. –Veri

– Hiqja gojës e venia ftyrës. – Shkodër

 -Miku i mirë të neron shpinë. -Veri

– Kur të thërret armiku për darkë, duket se i ka hyrë lepuri në bark.- 

– Në do të prishesh me mikun, epi punën që s’mund ta bajë.-Elbasan

– Kush për këshillë e kush për mill. –Veri

– Kur s’dëgjohet i pari, nuk shkon puna për së mbari. -Tiranë

– Nuk du mish e kabuni, po du ner e sajdi. –Kavajë

– Ku qe? – Në Domën – Ç’ka prune? – Kromën. –Shkodër

– Kush knaqet, e i urti fiton. –Shkodër. 

– Kush nxitet, mbitet – Himarë- Vlorë.

– Ma mirë tre mësime, se tri qese. –Kosovë

– Jetë – kuletë! Fukarallëk- maskarallëk! –Çamëri

– Nevojtarit deri mini i breu pallën.- Veri

– S’e don kush atë qi s’ka ç’i ha mica pas darke. –Veri

Ata që kalonin në orët e vona, nëpër trotuarin e rrugës Fortuzi, vinin re, se drita e studios, në katin e poshtëm, rrinte ndezur deri vonë. Profesori punonte. Një ditë tek mendohej rreth evolimit të gjuhëve në botë, pa dashur bën një gabim, i shkruan një letër Shtëpisë Botuese të dëgjuar Zanichelli në Itali, me kërkesa për fjalorë e metoda moderne të italishtes e frëngjishtes.

 Me Shtëpinë Botuese Italiane

Ishte viti 1971. Profesor Jonuz Blakçori ashtu i gjatë, me beretë në krye dhe me hapin e sigurt, po shkonte, sipas një njoftimi zyrtar, për në hotel Dajti, drejt një takimi fatal, me një nga editorët e Shtëpisë Botuese Italiane, që kishte ardhur me shërbim, sigurisht, për ndonjë kontratë me institucionet shtetërore. Para se të shkonte atje, kërkoi mendimin e Degës së Brendshme.

– Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Shko takoje! – i thanë.

Nëpunësi italian, pas një bisede të thjeshtë e të përzemërt, i dorëzoi librat e kërkuara, me të cilat pas takimit, profesori shkoi përsëri në Degën e Brendëshme.

– Në rregull. Pa merak, i gëzofsh! – i tha shefi, pasi u hodhi librave një sy të ftohtë. 

Ardhja e tyre, nga njëra anë, e ngriti më lart cilësinë e mësimdhënies, dhe, nga ana tjetër, sigurimi i shtetit e shtoi vigjilencën, me gjurmim e përgjim. Dërgoi natyrisht njeriun e vet për të mësuar italisht e të dëgjonte se çfarë thoshte plaku prej Peje për Kosovën, çfarë thoshte për kulturën europiane, çfarë librash fshiheshin të radhitura në rafte pas perdeve vishnje. Pra gracka u ngreh brenda në studio.

Në korrik të vitit 1972 Jonuz Blakçori do të zbriste me lot ndër sy shkallët e banesës së mikut të vet besnik, Xhevdet Dëshnicës, pasi e pa për herë të fundit, tek po shuhej, pas një jete të mundimshme patriotike.

Së fundi, mbërriti viti 1975, viti i zi i “vigjilencës revolucionare”, kundër “agjenturave“, “agjentëve“, “poliagjentëve“, “puçistëve“,  koha kur për shkak të paudhësive pa mbarim, E. Hoxha do të pësonte goditje në zemër. Në natën e ftohtë të 8 janarit, trokitën te shtëpia e profesorit, i cili pas katër muajsh do të mbushte moshën 80 vjeçare. I thanë të vishej e të merrte me vete sende vetiake. Ia lidhën duart dhe e nisën. Pas një udhëtimi të tmerrshëm, mori vesh se ndodhej në kampin e Çermës, në Lushnje. Nga të folmet e djemëve, që iu ndodhën pranë, kuptoi se kishte të bënte me djem shqiptarë nga Kosova, të internuar aty vite më parë. Pra, bijve shqiptarë të Kosovës tragjedia nuk po u ndahej, me ndjekje këmba – këmbës, jo vetëm në vendlindje, por as në tokën amë. Përveç vuajtjes fizike, kjo që po ndodhte, qe një poshtërim i rëndë, që godiste si varé në krye e në shpirtin e sfilitur të kombit shqiptar.

I fyer dhe i tronditur, në muajin prill të vitit 1975, ndërroi jetë në spitalin e Lushnjës, Jonuz Blakçori, luftëtari i lirisë, bashkimtari, profesori dhe publicisti nga Peja, me gjithë kujdesin e djemve bashkatdhetarë, të cilët i qëndruan mbi krye, si bijtë e vet, të zhgënjyer në barakat e kampit të çfarosjes, turpit, që do ta ndiqte pas regjimin komunist, me shembje idhujsh e muresh argjili. Lajmi kaloi kufirin dhe dëshpëroi Pejën dhe qytetet e Kosovës.

Kalimtarët, tek ecnin nëpër trotuarin e rrugës Fortuzi, në Tiranë, vërenin se pas bredhave, dritarja e studios nuk lëshonte më dritë. Një hije e trishtë mbulonte shtëpinë dhe ata vetë.

Ky, përkujtim nderon gjithë shqiptarët e Kosovës martire, me fshatrat e djegura, me të vrarë dhe me dëshmorët që falën jetën për lirinë e Kosovës e të Shqipërisë. Njëkohësisht, këto shënime janë edhe rrëfime për rininë Të mësojë ajo se nga ka ardhur e vjen e keqja, sidomos tani që shtrohet çështja për njohjen përfundimtare  të Kosovës.

Filed Under: ESSE Tagged With: Jonuz Blakçori, Jonuz Blakçorri, Mesuesi yne, Nga Agim Xh. Dëshnica.Mesuesi yen i Letersise

NDERRIMI I AMBASADOREVE

May 20, 2021 by dgreca

Ndërrimi i ambasadorve i qëlluar- por a do të kemi serish familjar të politikanëve dhe militantë partiak ne diplomaci mbetët të shohim

Shkruan:Nue OROSHI-Gjermani/

Ka vite që diplomacia e Kosovës ka qenë e përgjumur dhe me një nivel shumë të ultë të përfaqësimit.Kjo ka ndodhur për faktin se 90 përqind e ambasadorave të Kosovës në botë kanë qenë përsona që nuk kanë pasur personalitet.Këtë e kam theksuar edhe në dy-tre shkrimet e mehershme kur jam marrur me analizën e emrimit të ambasadorve të Kosovës.Kjo ka ndodhur për faktin se deri më tani kemi pasur ambasador që nuk i ka njohur as qyteti i tyre ku janë lindur e rritur e lëre më ti njoh Kosova, e mos te flasim ti njeh politika ndërkombëtare.Të tillët përveç fatit që kanë qenë familjar të ish politikanëve apo militant të partive të ndryshme politike në Kosovë nuk kanë pasur krediciale tjera intelektuale,shkencore e diplomatike.

Shtetet e zhvilluara në diplomaci dërgojnë personalitete të afta të cilët janë në gjendje me u përballu me sfidat politike në atë shtet që e përfaqësojnë, të cilët janë në gjendje të përballohen edhe me kundershtarët e atij shteti.Kurse në Kosovë tash e shumë vite diplomatët tanë nuk kanë qenë në gjendje që ta mbrojnë Kosovën në aspektin diplomatik përveç ndonjë rasti të rrallë.Shumica e ambasadorve të Kosovës takimet e para me politikan dhe diplomat i kanë pasur në momentin që janë dekretuar.Dhe një pjesë e mirë përveç ndonjë cermonie qe ka organizuar shteti ku kanë punuar me mision diplomatik ju ka shkuar mandati pa takuar politikan të atij shteti ose kanë takuar politikan të niveleve të ulta politike.

Këtë e kanë bërë edhe nga mosaftësia e tyre për të përgatitur elaborime diplomatike e politike se si duhet mbrojtur çështja e Kosovës.Gjysma e kohës iu ka shkuar duke dhënë njoftime tek shefat e tyre për kundershtarët politik në mërgatë që po e kundërshtojnë qeverinë dhe institucionet e kaluara se sa të jenë koncentruar të punojnë punën që kanë qenë te emruar.Këtu po e jap vetëm një rast të një  ambasadori të Kosovës në Gjermani i cili ishte takuar me një mik timin deputet në Bundestagun Gjerman duke përdorur emrin tim pa me njoftuar fare.

Ishte deputeti i Bundestagut qe ishte mik i mirë i imi dhe qe ishte përkrahes i çështjes se Kosovës  e kishte pranuar ambasadorin në takim por paralelisht me kishte njoftuar për takimin e kryer.Me një fjalë diplomacia e Kosovës në botë me ndonjë përjashtim të vogël ka deshtuar.Kështu që deri me tani vendimi i Ministres se Punëve të Jashtme dhe Diaspores i Republikës se Kosovës Donika Gërvalla si dhe aprovimi i Presidentes së Kosovës dr.Vjosa Osmani është krejt në rregull,për zëvendësimin e ambasadorve politik.

Por tash shtrohet pyetja se si do të veprohet me tutje?A do të shkohet prap me sistemin e njëjt të dekretimit të ambasadorve të rinj të Kosovës që patjetër do të jenë militant të partive në pushtet apo shokët, miqtë e familjarët e politikanëve në pushtet kjo do te shihet porsa të kemi emërimet e njohura.Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kësaj radhe duhet menduar mirë se çfarë përsonash do të dërgoj në Diplomacinë e Kosovës.A do të dërgoj përsona me integritet politik,intelektual,akademik dhe shkencor që e njohin politikën,diplomacin, argumentimin historik për Kosovën me fakte shkencore, apo sërish do të dërgojnë persona pa personalitet që do ti raportojnë shefave të rinj gjatë tërë ditës se kush po i kundërshton dhe nga kush nuk perkrahën.

Nëse ndodhë e para diplomacia e Kosovës do te fillonë që ti merrë kembet dhe dalngadalë te ngritet megjithse duhet një punë dhe nje sakrificë shumë e madhe pasë gjithë kësaj propagande që ka bër dhe po banë serbia me rusin, dhe miqte e tyre, kundër Kosovës.Ta perfaqësosh Kosovën në diplomaci sotë nukë ësht e leht për faktin se perveqë dituris, dhe njohjes se diplomacisë duhet pasurë edhe pervojën se si duhet derguar gjerat perpara.

Dhe krejt në fundë uroji që kësaji radhe te kemi ne diplomaci diplomat e jo militant partiakë, te kemi intelektual e jo familjarë, shok miqë e dashamir te politikanëve.Demtimi i Kosovës në prezentimin e jashtem behet i madhë kurë aji perfaqësohet nga persona pa personalitet që nukë i njeh mirë asë qyteti i vetë.

*Autori esht aktiv ne politiken gjermane ku esht pjes e CDU per dy dekada dhe Asambleist i CDU ne qytetin Kiel te Gjermanis qe ka 250.000 banor, per dy mandate.

Filed Under: Analiza Tagged With: Nderrimi I ambasadoreve, Nue Oroshi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 73
  • 74
  • 75
  • 76
  • 77
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT