• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Poezia “Siria për mua” e Maram al-Masri përkthyer në shqip nga;Raimonda MOISIU

December 5, 2019 by dgreca

Poeteshën e Shquar franko-siriane Maram al-Masri e kam takuar  herën e parë në Eventin Ndërkombëtar “Netët Poetike të Strugës”, 2009-ë. Në atë edicion pjesëmarrës të përzgjedhur në Netët Poetike të Strugës, 2009-ë ishin poetët Preç Zogaj, Raimionda Moisiu, Fatime Kulli, dhe Mëhill Velaj, si pjesë e identitetit të artit poetik botëror. Poezia e poetëve të lartpërmendur hyri në antologjinë botërore “Poetry from five continents”,  tregues i vlerësimit të  artit poetik bashkëkohor shqiptar. Në këtë event ndërkombëtar lindi edhe miqësia jonë me poeteshën e shquar franko-siriane, Maram al –Masri, miqësi që u forcua më pas edhe nëpërmjet komunikimit në rrjetin social Facebook. E apasionuar pas poezisë së Maram al-Masri, poezia e sapo krijuar prej saj, për “nei progetti di Casa della poesia dal 25 al 29 novembre”, në Itali, e titulluar “Siria per me”, më intrigoi për ta sjellë në gjuhën shqipe. Bëra më të mirën në përkthim për të sjellë zërin e fortë krijues intelektual e femëror të një poeteje në egzil (Paris, Francë) që mban peshën e historisë të  mbushur me dhimbje, sakrifica, vuajtje, dëshpërim dhe të  pashpresë për vendlindjen e saj, Sirinë, aty ku janë edhe rrënjët e saj. Poezia “Siria për mua” është një poezi lirike psikollogjike, e dhimbjes e dashurisë,  ku   Maram al-Masri mban një qëndrim të fortë kundër regjimit të Asadit në Siri. Dhe vërtet poetja nuk gabon aspak kur shprehet përmes dhimbjes, dashurisë, jetës  e mbijetesës, ajo c’ka po luhet e gatuhet, gjakderdhja në Sirinë e saj, në ditët e sotme. Maram al-Masri me fisnikërinë  e zërit të saj poetik  mbetet e  pazvëndësueshme, ajo na përcjell mesazhin hyjnor të atdhe-dashurisë dhe njerëzores: 

Shpëtoni Sirinë! 

Sepse poetë si Maram al Masri ekzistojnë si një jetë konstante, dialog, me të shkuarën e të tashmen, të pasigurtë dhe shpresë-dhënës me shpirtin e tyre të ndjeshëm, plot dhimbje e  dashuri, ajo gjithmonë cfaqet me botën dhe fisnikërinë e saj shpirtërore. Lexoni Poezinë Perlë të Maram al-Masri të shqipëruar prej meje;

Siria për Mua…. 

Siria për mua

është plaga që rrjedh vetëm gjak, 

është atdhedashuria ime që lëngon, 

në shtratin e vdekjes,

është fëmijëria ime e masakruar,

pamëshirë,

është makthi dhe shpresa ime,

është dhimbja, pranga dhe vetëdija ime! 


Siria për mua,

Është jetimja i braktisur,

Është ajo gruaja që dhunohet 

çdo natë nga përbindëshi i mplakur, 

E burgosur  dhe e përdhunuar, 

E  detyruar  të  mbarset…

Siria për mua,

Është dhimbja njerëzore,

është ajo gruaja e bukur 

që këndon himnin e Lirisë,

me fytin e prerë e të  gjakosur!


Është dritë-shpresa e njerëzimit, 

Që cfaqet pas rrufeve  dhe stuhisë…

Përktheu nga gjuha italiane në gjuhën shqipe; 

Raimonda MOISIU 

La Siria per me

Maram al-Masri

((traduzione di Bianca Carlino)

La Siria per me

è una ferita sanguinante

è mia madre sul letto di morte

è la mia infanzia sgozzata

è incubo e speranza

è inquietudine e presa di coscienza.

La Siria per me

è un’orfana abbandonata.

È una donna violentata tutte le notti da un vecchio mostro

violata,

imprigionata,

costretta

a sposarsi.

La Siria per me

è l’umanità afflitta

è una bella donna che canta l’inno della Libertà

ma le tagliano la gola.

È l’arcobaleno del popolo

che si staglierà dopo i fulmini

e le tempeste.

Maram al-Masri

((traduzione di Bianca Carlino)

Maram al-Masri nei progetti di Casa della poesia dal 25 al 29 novembre

Postscriptum

Maram al-Masri është shkrimtarja dhe poetja franko-siriane e cila jeton në Paris. Ajo konsiderohet një nga zërat poetike arabisht më të njohur dhe magjepsës femëror të brezit të saj. Poezia e saj është lirike, poezi e dhimbjes dhe e dashurisë,  dhe “tepër erotike” e vlerësuar nga botuesit sirianë.  E lindur  në vitin 1962 në një familje të njohur myslimane suni në Siri, me baba palestinez e nënën siriane, Maram al Masri ka studiuar dhe është diplomuar për Letërsi angleze në Damask. Maram al-Masri boton rregullisht në tregun francez dhe gjithashtu shkruan poezi në frëngjisht, ndërsa pjesa më e madhe e krijimtarisë së saj është shkruar ende në arabisht standarde.

Përveç botimit rregullisht në tregun e librave Spanjoll, disa nga veprat e saj janë përkthyer edhe në italisht, katalonisht dhe korsisht, me disa mostra në gjermanisht, dhe ajo është një e ftuar special  në Evente Ndërkombëtare të Poezisë në disa vende evropiane, në Irlandë, në Maqedoninë e Veriut (Netët Poetike të Strugës), në Itali e gjetiu. Është vlerësuar me Cmime Ndërkombëtare 

Ajo ka marrë disa çmime, si “Admimi Adonis” i Forumit Kulturor Libanez, “Premio Citta di Calopezzati” dhe “Prix d’Automne 2007” të Societe des gens de letra. 

Jeton, punon e krijon në Paris. 

Nga Raimonda MOISIU  

Filed Under: ESSE Tagged With: Raimonda Moisiu- Siria per mua- Maram-al-Masri

Çerçiz Loloçi: Për Shaban Muratin dhe librin e tij ‘Bosnja, një pikëpamje nga Tirana’

December 5, 2019 by dgreca

Ismail Kadare dhe Shaban Murati, vjeshte 2019/

Të dymbëdhjetë botimet e publicistit dhe diplomatit të njohur Shaban Murati janë një ngjarje më vete në hapësirën shqiptare dhe kjo ndodhi edhe me librin më të fundit të tij ‘Bosnja, një pikëpamje nga Tirana’, në shqip dhe në gjuhën boshnjake, mbështetur nga fondacioni kulturor ‘Alsar’.

Autori që është marrë gjerësisht në vepra të veçanta me serbët, maqedonët, shqiptarët e Kosovës, me profile të ndryshme nga diplomacia europiane, me rajonin e Ballkanit apo me Rusinë Ballkanike, me librin e tij të radhës pati disa promovime, mes të cilave në Tiranë dhe në Sarajevë dhe u përcoll më një varg artikujsh e analizash, vendase dhe të huaja, përfshi opinionin e deputetes me origjinë boshnjake në Kuvendin e Kosovës Duda Balje, analizën e Sanadin Voloder në multimedian botërore ‘Al Jazeera’, studiuesin Admiri Lisica e Qendrës së Studimeve Ballkanike dhe shumë të tjerë.

Në panoramën e sotme politike në Shqipëri dhe jo vetëm ka një ndarje të ashpër të palëve kundërshtarë e megjithatë librat e Shaban Muratit, (duke mos qenë populiste që tërheqin verbërisht turmat, por të klasit elitar, pra të profilizuara për një kontigjent të caktuar njerëzish e personalitetesh), përcillen nga të gjitha kahet dhe bëhen njëkohësisht të njohura në Tiranë, Prishtinë, Shkup, në kryeqendra të tjera ballkanike dhe më gjerë.

Në morinë e diplomatëve të vjetër dhe të rinj, të skotës së ministrave të Jashtëm, Shaban Murati ka gjetur këndin e vet për të mos qenë i ngjashëm dhe pikërisht për këtë arsye ai është i lexuar dhe i replikuar nga homologë dhe intelektualë të klasit të vet, jashtë vendit, madje edhe nga vende që janë me peshë planetare për fatet e popujve e të kombeve.

Autori ka një bagazh të gjerë diplomatik, është hulumtues serioz që ndjek përditshmërisht zhvillimet e ndryshme brenda vendit, në rajon, Europë e më gjerë dhe që çdoherë artikulon qëndrimin e vet përtej palëve.

Siç është vënë re edhe nga studiues të tjerë, libri është një përbledhje e analizave të botuara në shtypin e përditshëm në periudha të ndryshme kohore duke marrë shkas nga zhvillime politike që kanë të bëjnë me Bosnje-Hercegovinën, raportet e saj me të tjerët dhe veçanërisht me shqiptarët, qëndrimi i qeverisë dhe administratës europiane ndaj Sarajevës, etj.

Është domethënës fakti se pas një libri kushtuar boshnjakëve, botuar shumë kohë më parë në periudhën e Rilindjes nga Vaso Pasha, ky është libri i dytë që i shikon në një dritë tjetër raportet mes shqiptarëve e boshnjakëve duke nënvizuar nevojën e bashkëpunimeve më të mëdha mes njeri-tjetrit, si dy popuj të lidhur mes shekujsh, me fate të ngjashme e të përbashkëta, madje edhe me popullsi respektive në terriroret e tyre.

Libri hapet me analizën ‘Rruga për në Bruksel kalon nga Sarajeva’, e cila është marrë një një libër i mëparshëm i tij ‘Serbia kundër Serbisë’, ku autori flet si se është punuar ndër vite për ndarjen e Bosnjes, duke risjellë denoncimin e ish-presidentit kroat Stipe Mesiç në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës për marrëveshjen Millosheviç-Tuxhman si dhe deklarimet e ish-presidenti të Maqedonisë së Veriut, Kiro Gligorov. Autori me të drejtë është kundër dyzimit të disa politikanëve europianë, madje edhe kundër qëndrimeve lëshuese që janë bërë ndaj Beogradit zyrtar, që si atëhere edhe në ditën e sotme mbetet strumbullari i paqëndrueshmërisë së rajonit.

Analiza e dytë e autorit “Provim i dytë boshnjak i BE’ flet për iniciativën europiane në vitin 2003 që ndërmerrte hapin për një mision sigurie në republikën më të goditur nga regjimi i Beogradit. Në këtë mënyrë Europa merrte më shumë përgjegjësi për sigurinë në vend, pas dështimit të misionit të parë diplomatik në periudhën 1992-1995 ku, nën preteksin e ruajtjes së ish-Jugosllavisë, u shkaktuan katër luftra ndërshtetërore dhe që Bosnja e pagoi më shtrenjtë nga të gjithë me mijëra të vrarë dhe me miliona refugjatë.

Analiza e tretë ka në fokus një qëndrim dhe deklaratë të presidencës holandeze të BE, më 22 nëntor 2004 që kërkonte mbështetje dhe bashkëpunim edhe të Shqipërisë me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës. Presidenca holandeze e di fort mirë se luftën në ish-Jugosllavi e shkaktoi regjimi i Millosheviçit dhe kriminelët e luftës mbrohen nga udhëheqësit e rinj të Beogradit që duan ta sfidojnë komunitetin ndërkombëtar dhe gjykatën e Hagës.

Analiza e katërt merret me gjyqin absurd të Serbisë kundër NATO-s kur siç dihet Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, si trupi më i lartë legjislativ i OKB-së, e hodhi poshtë këtë padi në dhjetor 2004.

Në analizën ‘Kush dëshiron ta rindezë Bosnjen’ autori flet për përpjekjet e drejtuesit të “Republika Srpska’ Dragan Çaciç që i nxiste serbët e kësaj republike artificiale për të kërkuar pavarësi dhe si qëllim përfundimtar për t’u bashkuar me Serbinë.

Në analizën e gjashtë flitet për qëndrimin e padrejtë të Europës ndaj Turqisë në samitin e Kopenhagenit të 12-13 dhjetorit 2004 duke e lënë sërish jashtë saj me disa pretendime që nuk janë fort të besueshme. Turqia, si vend anëtar i NATO-s dhe me një peshë të konsiderueshme në këtë aleancë, me parametra të tjerë demokratikë si edhe vendet e tjera të perëndimit, edhe në këtë samit mbetet jashtë familjes europiane.

Shkrimi vijues ‘Integrim rajonal apo jugosllavizëm rajonal’ analizon propozimin që bëri në 3 maj 2005 ish-administratori i BE-së për Mostarin në periudhën 1994-1996 dhe i dërguari i qeverisë gjermane për Bosnjë-Hercegovinën, Haans Koshnik. Ky propozim sipas autorit që Ballkani të integrohet fillimisht brenda vetes e pastaj në BE, nuk është gjë tjetër veçse një arenë e re ‘përplasjesh mes interesave strategjike të kundërta të shteteve europiane’.

‘Mohimi i holokaustit boshnjak’ flet për qëndrimin e qeverisë serbe në 8 mars 2006 që kundërshtoi zyrtarisht padinë për genocid të bërë nga pala boshnjake në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës. Përfaqësuesit e kryeqendrës serbe, Stojanoviç, ish-kryeministri Koshtunica, ish-zëvendëskryeministri Labush e mbështesnin kundërshtinë e tyre me moskopetencës së gjykatës së Hagës dhe akoma më keq duke mohuar tërësisht genocidin në Bosnjë.

Sipas autorit holokausti boshnjak i kryer nga forcat ushtarake dhe paramilitare është ‘I mirënjohur, i mirëdokumentuar dhe i dënuar nga bashkësia ndërkombëtare’, përfshi OKB, OSBE, Këshilli i Europës, ‘Amnesty International’. Është një holokaust ku u vranë dhe u masakruan mbi 200 mijë boshnjakë, ga, pleq, fëmijë, me masakrat horror si ato të Srebrenicës më 1995 ku serbët vranë gjakftohtësisht mbi 8 mijë vetë, me kampe përqëndrimi të shfarosjes si ai i Omarskas, me gjymtime e përdhunime masive, me 2 milionë refugjatë, etj. Holokaustit boshnjak autori i rikthehet dhe në shkrimin ‘Pendesa europiane’ ku vlerëson vendimin e marrë më 15 janar 2009 për të shpallur në të gjitha vendet anëtare të BE, një datë të caktuar përkujtimi, pra 11 korrikun si ditë e përkujtimit të maskarës së Srebrenicës.

Të tjera problematika bartin analizat e tjera si ‘Bomba e Sanxhakut’, ‘Pamje e re me fytyrë të vjetër’, ‘Pse jam me Karla del Ponten’, ‘Dekorata shtetërore e turpit’, ‘Një tumor ballkanik’, ‘Kriza bosnjake dhe tolerance europiane’, etj.

Të gjitha artikujt e këtij libri kanë interes të veçantë pasi dokumentojnë qëndrime të liderëve ballkanikë dhe europianë, në periudha të ndryshme kohore dhe akoma më tepër fshikullojnë tentativat e disa protagonistëve të mëhershëm e e të sotëm, që vijojnë ta mbajnë Ballkanin ende të izoluar dhe larg integrimeve euro-atlantike.

Filed Under: Analiza Tagged With: Çerçiz Loloçi-Shaban Murati-LIBRI-Bosnja-Nje pikpepamje nga Tirana

SAMANTHA SHKRELI, MISS TEEN 2019 NE CONNECTICUT

December 4, 2019 by dgreca

Samantha Shkreli, vajza shqiptare nga Malësia e Shkodrës fiton Kurorën e Bukurisë, “Miss Teen, 2019”, në shtetin e Connecticut, në SHBA-ës./

Nga Mëhill Velaj*/ DIELLI

Në jetën e përditëshme të gjithësecilit nga ne, arti, kultura, bukuria fizike dhe njerëzore jacë mënyra dhe mjetet e  shprehjes së komunikimit ndërnjerëzor, ato që universalizojnë harmoninë, interesat  shpirtërore dhe dimensionin  e emocioneve të fuqishme të bukura dhe mbresëlënëse midis dy gjeneratave- të atyre  që kanë  emigruar herët dhe vazhdojnë të emigrojnë nga përtej Atlantikut, dhe të atyre që kanë lindur në Amerikë, por që ndër dejet e tyre vlon gjaku i identitetit shqiptar. Gjatë këtyre ditëve u zhvillua në mbarë shtetin e Connecticut, -Konkursi i Bukurisë “MISS TEEN, 2019”, dhe ajo që shkëlqeu dhe rrëmbeu trofeun e bukurisë mbas një kompeticioni jashtëzakonisht të fortë, ishte vajza shqiptare e lindur në Amerikë, Samantha Shkreli (Sarelli) me origjinë nga Malësia e Shkodrës.

Kush është vajza e bukur shqiptare Samantha Shkreli që fitoi kurorën e bukurisë të  “MISS TEEN, 2019”, CT, USA.

Megjithësë e re në moshë, Samantha vlerësohet si mishërimi i personalitetit të vërtetë që shkëlqen po aq bukur dhe po aq ndritshëm sa buzëqeshja dhe bukuria e saj. Pasioni tërheqës në sfilatat e bukurisë rrjedh prej gjakut dhe ambientit familjar, atje ku mori  mbështetjen dhe bekimet  për të përfaqësuar me dinjitet dhe krenari, identitetin dhe origjinën shqiptare në të gjitha aspektet e jetës dhe të kompetecionit të bukurisë. Bija e dy prindërve të devotshëm, Nikoll dhe Alma Shkreli, nga Malësia dhe Shkodra, ata kanë qenë mbështetësit e flaktë të pasionit dhe talentit të vajzës së tyre, e cila ka pasur sukses qysh në fillim duke u përzgjedhur konkurente në këtë event madhështor të bukurisë në shtetin e Connecticut, SHBA.

      Babai i Samanthës, Nikolla është me profesion teknolog, ndërsa nëna e saj, Alma ka mbaruar studimet në Bachelor Degree in Managment në New York, aktualisht punon në Production Company. Nga martesa e tyre kanë sjellë në jetë katër fëmijë.Ata janë prindër të përkushtuar dhe dashamirës që tregojnë dashuri e punë në të gjitha aspektet e jetës, veçmas në edukimin dhe arësimimin e fëmijëve, që në jetë të jenë  të mbarë e të suksesshëm. Nikoll dhe Alma Shkreli besojnë në individualitetin e fëmijëve të tyre dhe secili prej tyre ka të drejtën e mendimit dhe zgjedhjes së tyre në jetë, por gjithmonë pa harruar origjinën e tyre, vlerat dhe traditat e shqiptarit.Pikërisht kjo është gjëja më e bukur të jetosh në Amerikë, – në këtë vend të lirë dhe të madh, në tokën e mundësisë dhe promovimit të vlerave njerëzore, talentit dhe pasionit, paçka se cilës kulture i përket. 

Për ata që e kanë takuar fituesen e “MISS TEEN, 2019”, CT, USA, Samanth Shkrelin, e vlerësojnë atë si vajzën e zgjuar, e bukur, shtatlartë me buzëqeshje të ndritur dhe të ngrohtë, studentja me zemër të madhe në Trinity College, Hartford CT. Samantha dëshiron, që krahas studimeve në ekonomi, të vazhdojë edhe studimet në Shkencat Politike, me synimin që një ditë të ndihmojë në ndryshimet poltikave globale, e pse jo të kontribuojë edhe në atdheun e origjinës së saj, Shqipëri. 

Ëndrrat e Samanthës janë të shumta, por ato që ajo i ka në referencë për t’i realizuar janë respektivisht; të përkrahë dhe mbështetë në ndryshimin e të drejtave të njeriut, veçmas për të drejtat e të miturve. Dëshiron të specalizohet në drejtësi me ligjin e korporatave dhe të drejtave të njeriut, të impenjohet me organizatat ndërkombëtare kundër trafikimit të qënjeve njerëzore.Aktualisht është anëtare e Shoqatës “Para Ligjit”në Kolegjin e Trinity dhe Klubit të Investimeve.

Samantha mbaroi shkollën e mesme me një GPA 3.97, për një kohë ka qenë anëtare e Shoqatës “Honor of Math”, ku ajo tregonte kujdes të veçantë për  nxënësit e qytetit në  matematikë.

“MISS TEEN, 2019” e shtetit të Connecticut, SHBA-së, Samantha Shkreli (Sarelli) është brezi i parë i lindur në Amerikë,  e familjes Nikoll & Alma Shkreli.  Ka trashëguar nga prinderit gjuhën shqipe të cilën e flet mjaft rrjedhshëm, gjithashtu flet po rrjedhshëm anglisht dhe spanjisht, që e radhitin atë edhe si poligliote.

Samantha Shkreli është Ambasadore e “United Against Bullies” (Të bashkuar kundër “bully”-zmit), duke qenë krah fëmijëve dhe adoleshentëve që preken nga ky fenomen lëndues.Ajo shpesh ndan përvoja, fate dhe histori njerëzore individuale me studentët, duke u treguar dhe këshilluar atyre, mënyrat dhe rrugët e duhura, dhe  të drejta për të luftuar “bully”-zmin, të gjejnë besimin në veten e tyre dhe në shoqëri. Ajo gjithashtu është pjesë e lëvizjes sociale në Instagram, e  quajtur “Spread Kindness ëith Sam”, duke shfrytëzuar kështu rrjetet sociale pozitivisht dhe me inteligjencë, për të promovuar mesazhet anti-bully-zëm,  dhe për të treguar rëndësinë e kësaj lëvizje,  për të promuar vlerat më të mira njerëzore dhe rëndësinë e të qenurit njerëzor.  “Sam”, sikundër  e thërrasin shkurt më përkëdheli  familja dhe shoqëria,  është jashtëzakonisht e emocionuar si luftëtare e të drejtave të të miturve dhe adoleshentëve, kundër bully-zmit. 

Me trofeun e Kurorës së Bukurisë “MISS TEEEN, 2109”, bukuroshen shqiptare Samantha Shkreli, do e shohim së shpejti në intervista televizive dhe në radio, duke përcjellë mesazhet në mbështetje e ndihmë për fëmijët e sëmurë, të cilat do të pasqyrohen gjithashtu edhe në aktivitete të ndryshme që Samantha do të organizojë në shtetet e tjera të  Amerikës.

Ndërsa ne, bashkëkombasve të saj, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të gëzohemi e të ndjehemi krenarë për Samantha Shkrelin,  i urojmë asaj me shpirt e zemër:

Paç rrugën e paqtë dhe të ndritur drejt të bukurës e suksesit, Samantha, bijë e tokës arbërore!

Mëhill Velaj

Shkrimtar 

Stamford CT USA 

Dhjetor, 2019

Filed Under: Featured Tagged With: Mehill Velaj-Bukuroshja Shqiptare-Samantha Shkreli- Miss Teen 2019

NDËRROI JETË LUIGJ (Louis) ZANGA-NDERI I KOMBIT

December 4, 2019 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/

Njëra prej gazetave më të mëdha të Gjermanisë, Suddeutsche Zeiting, e cila botohet në Munich të Bavarisë, njoftoi lajmin për vdekjen e ish-gazetarit dhe analistit të njohur shqiptaro-amerikan, Luigj (Louis) Zanga — Nderi i Kombit — më 22 Nëntor, 2019.  Luigj Zangën, unë e kisha koleg dhe bashkpuntor, mik dhe shok të dashur, ashtu si shumë të tjerë, gjatë dekadave, me të cilët, për pothuaj një gjysëm shekulli kisha fatin të kem bërë udhë shpesh të vështira, por edhe ditë të mira me ta, gjatë kësaj historie rrugëtimi në mërgim.   Si i tillë, humbjen e Luigj Zangës e ndjejë prekëshëm, ashtu si edhe kolegë të tjerë që e kishin njohur gjatë viteve.

Disa vite më parë, me rastin e dekorimit për arritjet e tij njerëzore dhe profesionale të Luigj Zangës, me titullin “Nderi i Kombit” ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani në vitin 2015,tha se Luigj Zanga, “Na bën të gjithëve të ndihemi krenarë të jemi bashkatdhetarë të tij”.  Në një artikull që kisha shkruar për ish-kolegun dhe mikun tim, Luigj Zanga, (“Profili i një analisti të shquar shqiptaro-amerikan”), kisha shënuar se gjatë jetës dhe karrierës, njeriu takon ose për fat të mirë ndodh që punon me njerëz, të cilët me sjelljet  dhe cilësitë e tyre njerëzore dhe me aftësitë e tyre profesionale, lënë në ne mbresa të përjetshme dhe të paharrueshme.  Unë kam pas fatin dhe rastet e mira që të kem njohur dhe punuar me disa prej gazetarëve dhe analistëve më të shquar shqiptarë – ndoshta të gjitha kohërave — jo vetëm në mërgim, por edhe më gjerë.  Prej tyre kam mësuar vlera njerëzore, shoqërore dhe profesionale që ata posedonin, mbi të gjitha, ata ishin shembull i ushtrimit të profesionit të gazetarisë dhe të publicistikës. Njëri prej këtyre analistëve, të cilin kam pas fatin jo vetëm ta njihja gjatë pothuaj disa dekadave të fundit, por edhe të punoja me të në Zërin e Amerikës, në fillim të 1970-ave.  Ai ishte Louis (Luigj) Zanga, për të cilin morëm lajmin e hidhur se 10-ditë më parë ndërroi jetë në Munich të Gjermanisë.  Një profesionist tepër modest, njëri prej me të shquarve politologë, komentatorë dhe analistë i problemeve shqiptare, për pothuaj gjysëm shekulli në SHBA dhe në Europë, fillimisht siç thashë kam punuar me të në VOA-n shqip në Washington, ndonëse pjesën më të madhe të veprimtarisë së tij gjatë Luftës së Ftohtë, Zanga e ka zhvilluar pranë Institutit të Kërkimeve të Radios Europa e Lirë, në Munih të Gjermanisë.

Radio Europa e Lirë nuk kishte radio transmetime në gjuhën shqipe gjatë Luftës së Ftohtë, por Louis Zanga mbushte një boshllëk informacioni që ekzistonte në atë kohë në median perëndimore mbi gjendjen në Shqipërinë komuniste dhe në trojet shqiptare, përfshirë edhe gjendjen e vështirë të shqiptarëve të Kosovës që sa vinte e keqësohej gjatë dekadave të fundit të shekullit të kaluar.   Analizat dhe komentet Zanga i shkruante në anglisht ndërkohë që ato përktheheshin dhe përdoreshin edhe për radio-transmetim, por qëllimi kryesor ishte që me anë të tyre të njoftohej bota anglisht-folëse dhe më gjerë se çfarë po ndodhte me fatin e shqiptarëve në Ballkan gjatë sundimit komunist, një periudhe kur të drejtat e njeriut të shqiptarëve shkeleshin më keq se kudo tjetër në botë. 

Lou Zanga, me raportet dhe analizat e tija, ishte si një dritare e vogël informacioni, sidomos për botën amerikane dhe europiane, mbi ngjarjet në Shqipërinë e mbyllur dhe të vet-izoluar komuniste.  Analizat e tija përhapeshin dhe ishin si të thuash lexim i detyrueshëm për të gjithë ata që, në atë kohë, merreshin ose që ishin përgjegjës për çështjet shqiptare–jo vetëm ekspertët në qarqet më të larta të qeverisë amerikane në Washington, por edhe në universitetet dhe qendrat e ndryshme akademike të Amerikës që merreshin me studimin e çështjeve të Europës Lindore komuniste, gjatë Luftës së Ftohtë.  Luigj Zanga i përgatiste analizat e tij, bazuar në monitorimin e burimeve të brendshme të lajmeve dhe në informacionin dhe në materialet që mbledhnin agjencitë perëndimore të lajmeve por edhe nga përkthimet e Shërbimit Informativ të Transmetimeve të Huaja (FBIS). 

Louis Zanga ishte pjesë e një strukture administrative të Radios Europa e Lirë, përgjegjëse për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë, ndërkohë që mbulonte edhe subjekte të çështjeve ballkanike.   Zanga kishte filluar të punonte si analist kërkimesh të çështjeve shqiptare në Radion Europa e Lirë në vitin 1961 dhe më vonë ka qenë gjithashtu përgjegjës për mirëmbajtjen e arkivave për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë. Raportet dhe analizat e Luigj Zangës gëzonin një reputacion të lartë gazetaresk dhe akademik, për nga niveli i lartë informativ dhe i paanshëm i artikujve dhe analizave të tija, e që dalloheshin për nga   përpikmëria profetike e tyre, mbështetur në njohjen e thellë që ai kishte mbi Shqipërinë dhe rajonin.

Parashikime të sakta nga një analist i regjur mirë në çështjet shqiptare dhe të Ballkanit, kur njeriu u hedh një shikim pas, ngjarjeve të dekadës së 80-ve dhe më vonë.   Ashtu siç parashikonte Zanga në anlaizat e tija, Shqipëria qe vendi i fundit komunist që hoqi dorë nga qëndrimet e saja staliniste, jo për bindje se duhej të bëheshin ndryshime të sistemit, por vetëm e vetëm se pse komunizmi u shemb në pjesën tjetër të Europës dhe nuk mund të mbijetonte sistemi komunist në Shqipëri, i izoluar nga pjesa tjetër e Evropës.  Gjithashtu në Kosovë, ashtu siç komentonte analisti Zanga, problemi i shqiptarëve atje, jo vetëm që nuk u përmirësua por erdhi duke u keqësuar gjithnjë e më shumë.

Dekorimi i Luigj Zangës me çmimin e lartë të Atdheut, Nderi i Kombit, dëshmon nderimin jo vetëm të Presidencës, por të gjithë atyre që e kanë njohur Luigj Zangën.  Analistët shqiptaro-amerikanë në qeverinë amerikane dhe në botën akademike në SHBA në atë kohë, mund të numëroheshin me gishtat e një dore dhe Louis Zanga zë një vend të merituar ndër më të dalluarit, për analizat dhe komentet e tij mbi çështjet shqiptare dhe ballkanike.  Për arritjet jetësore dhe për punën e tij të gjatë në këtë fushë, Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani me plot të drejtë i akordoi Luigj Zangës dekoratën “Nderi i Kombit” me këtë motivacion:

 “Në vlerësim të veprimtarisë së vyer dhe kontributit të tij të çmuar atdhetar prej gati gjysmë-shekulli në shërbim të përhapjes dhe konsolidimit të vlerave të lirisë dhe demokracisë anembanë botës, veçanërisht në luftën e paepur dhe pa kompromis kundër diktaturës komuniste në Shqipëri”. 

zanga

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank Shkreli- Nderroi jete- Louis ZANGA

PRESIDENTI I SHQIPËRISË NDAU DEKORATA NË KOSOVË

December 4, 2019 by dgreca

-Presidenti i Shqipërisë Meta përcolli mirënjohjen e thellë dhe të përzemërt  të mbarë popullit shqiptar, e sidomos të komuniteteve më të goditura nga tërmetet/

-Kryeministri në detyrë i Kosovës Haradinaj: Ne jemi unikë si kurrë më parë, s’ka tërmet që na ligështon/

PRISHTINË, 4 Dhjetor 2019-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/

“Ne jemi unikë si kurrë më parë, Kosovë e Shqipëri, veri e jug, të majtë e të djathtë, pushtet e opozitë, që të ngritën mbi interesat parciale dhe t’u dalin në ndihmë të gjithë atyre njerëzve që kanë zi sot dhe frikë për të nesërmen”, kështu tha kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në ceremoninë e organizuar për ndarjen e dekoratave nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, për njësitet e kërkim- shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të Policisë së Kosovës dhe ekipet tjera të shpëtimit, që morën pjesë në aksionin e kërkim-shpëtimit, pas tërmetit në Republikën e Shqipërisë. 

Në fjalën e  tij, kryeministri në detyrë Haradinaj theksoi se të gjithë janë të nderuar sot nga Presidenti shqiptar Ilir Meta, e veçmas për këtë nder që na e krijoi Ushtria jonë, e cila, me profesionalizëm e në heshtje, pa mburrje e vet-reklamë kreu misionin e saj të shenjtë kushtetues dhe patriotik, që ia ka besuar populli i Kosovës!”,

Fillimisht, në nderim të viktimave që humbën jetën në tërmetin që goditi Shqipërinë më 26 nëntor të këtij viti, është mbajtur një minutë heshtje.

Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri në detyrë Haradinaj, vlerësoi lart kontributin e të gjitha njësiteve nga Kosova që i dolën në ndihmë bashkëkombësve të tyre në Shqipëri, duke theksuar se Kosova reagoi si shtet me të gjitha resurset humane, teknologjike e financiare, që në orët e para të mëngjesit të 26 nëntorit fatal, me ushtrinë dhe policinë e saj, me njësitet e kërkim-shpëtimit dhe emergjencave civile.

 “Në të njëjtën ditë në Shqipëri janë nisur ekipet e Çetave të Shpëtimit të Trepçës dhe Artanës; Njësia e zjarrfikësve nga Korporata Energjetike e Kosovës; nga Komuna e Suharekës, Kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve të kontraktuara nga Ministria e Transportit, që dua t’i falënderoj nga zemra, duke u thënë: Bravo u qoftë!”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, falënderoi të gjitha njësitet e kërkim-shpëtimit nga Kosova, që u paraqitën në orët e para, në vijën e parë të një beteje ndërmjet jetës dhe vdekjes. “Andaj nuk ka emër më të mirë dhe vlerësim më të mirë, sesa Shpëtimtarë, për të gjithë ju”, tha presidenti Meta.

Më tej Presidenti Meta tha se në këtë betejë të vërtet, me një bilanc të rëndë lufte, Shqipëria nuk mbeti e vetme. “Shumë vende mike dhe partnere bënë më të mirën e mundur për të na u gjendur pranë sa më shpejtë të ishte e mundur. Por, Kosova ishte e para që u ndodhë atje menjëherë në luftën për të shpëtuar jetën e çdo shqiptari nën rrënojat e katastrofës. Ekipet tuaja nuk ishin atje vetëm fizikisht e profesionalisht, por në radhë të parë njerëzisht, vëllazërisht e shqiptarisht, duke rrezikuar jetën e tyre për të shpëtuar shumë jetë të tjera”, tha presidenti Meta, duke potencuar se populli shqiptar do të jetë përgjithmonë mirënjohës solidaritetin, profesionalizmin dhe gatishmërinë e jashtëzakonshme.

Po ashtu, presidenti Meta përcolli mirënjohjen e thellë dhe të përzemërt  të mbarë popullit shqiptar, e sidomos të komuniteteve më të goditura, për këtë solidaritet shembullor dhe ndihmën vëllazërore, e po ashtu falënderoi popullin e Kosovës për ndihmën e pakursyer duke dëshmuar zemrën e madhe që e ka karakterizuar gjithmonë.

Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Rrahman Rama tha se është nder dhe kënaqësi marrja e këtyre dekoratave, pasi është vlerë për të gjithë, jo veç për FSK-në, por edhe nder dhe privilegj për Kosovën.

“Ne nuk kemi bërë asgjë më shumë se kemi kryer detyrën tonë, se çfarë bën vëllai për vëllanë, Kosova po e dëshmon çdo ditë se jemi të gatshëm t’i përkrahim të gjithë fqinjët tonë, në interes të sigurisë rajonale”, u shpreh gjenerallejtnant Rama.

Me motivacionin për forcimin e bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri, kryeministri në detyrë Haradinaj i ka ndarë presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, medaljen Gjergj Kastrioti Skënderbeu. 

Për gjithë këtë kontribut, Presidenti Meta, Taskë Forcës së Kombinuar të FSK-së, i ka ndarë dekoratën e Artë të Shqiponjës, Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës, i ndau titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”,  Njësitit të Çetës së Shpëtimit-Miniera e Trepçës, Çetës së Shpëtimit-Miniera e Artanës, ekipit të Zjarrfikësve –KEK, Njësisë së Zjarrfikësve të komunës së Suharekës dhe Njësitit K9 të FSK-së, u ndau titullin për merita të veçanta civile./b.j/

Filed Under: Fejton Tagged With: Behlul Jashari-Presideni Meta-Ndane Dekorata-Kosove

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 807
  • 808
  • 809
  • 810
  • 811
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT