• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ESHTË KOHA TË JEMI BASHKË SI KOMB

November 24, 2019 by dgreca

…..Ne na bashkojnë gjaku, gjuha dhe flamuri; na bashkon tryeza jone gjithëkombëtare, rreth të së cilës, përjetsisht do të jenë ulur kolosat tanë; Gjergji dhe Ismaili; Naimi dhe Fishta; Isa dhe Luigji, Ibrahimi e Terezja; Nora, Deda dhe Ademi… Kjo është harmonia jonë, formula qe siguron mbijetesën tonë,që siguron Përjetësinë e Shqipërisë si edhe të vetë Kombt shqiptar.

NGA DR. PASHKO CAMAJ/*

Të nderuar të pranishëm,

Të nderuar ambasadorë të Shqiprisë dhe Kosovës, Zonjat Kadare dhe Sahatcia;

I nderuar Mark Gjonaj, përfaqësuesi ynë në Këshillin e Bashkisë të Neë Yorkut,

I nderuar Nik Gjeloshaj, kryetar i Komunës më të re shqiptare, asaj të Tuzit,

I nderuari Sokol Lulgjuraj, nga Qendra e Bashkëpunit Ndërfetar në Elbasan

Të nderuar vëllezër e motra shqiptarë, ngado që vini:

             Më lejoni që në emër të Komisionit Organizativë të këtij manifestimi, si edhe në emër të kryesisë dhe krytarit të Federatës Pan-shqiptare të Amerikës “Vatra”, t’ju përshëndes dhe t’ju uroj mirëseardhje në këtë përvejtor të rëndësishëm për mbarë Kombin tonë.

Jemi tubuar sonte për të festuar 107-vjetorin e pavarsisë së Shtetit Shqiptar,dhe njëkohësisht të kujtojmë heronjt tanë dhe sakrificat e tyre për këtë ditë të madhe.

       Ky tubim sonte, bëhet në frymën e bashkëpunimit ndërshqiptarë, gjë kjo që është dëshmuar si i vetmi çelës për suksesin dhe të mirën tonë të përbashkët. Uniteti dhe fryma e bashkimit, ishin shtytësit kryesorë edhe për formimin e Fedratës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, këtu e 107 vite më parë, kur grupacione të ndryshme, nga anembanë SHBA-të, vendosën të bashkohën dhe, si të bashkuara, të japin konributin e vet, fillimisht për krijimin e shtetit shqiptar, por, po me aq rëndësi, edhe për vendosjen e shtetit në binarë, të cilët do ta çojnë përpara kombin tonë. 

E kaluara jonë, vërtet është e përmbushur me sakrifica, dhe vuajtje të shumta, për liri e për pavarsi, dhe  këto kurrë nuk duhen haruar. Nata si kjo sonte, i shërben rifreskimit të kujetsës sonë kolektive, kombëtare, dhe përcjelljes së saj te breznitë që vijnë. Por a ia vlen që vetëm të flasim për të kaluaren, për veprat e breznive të shkuara!? Mendoj se jo!

Bashkëveprimit për të mirën e përgjithshme duhet t’i kontribuojmë edhe ne, qoftë edhe përmes manifestimeve së bashku, pa ndarje krahinore, partiake, përkatësie fetare apo shoqatash. Këtë po e bëjmë ne sonte këtu. Shqiptaria së bashku po nderon të kaluarën e vet, dhe po flet dhe për të ardhmen! Ky është obligimi i kësaj gjenrate! Që të shërbejë si urë lidhëse, mes të së kaluarës dhe së ardhmes tonë, si amanet i atyre që shkuan, dhe borxh ndaj atyre që do të vijnë pas, duke u dëshmuar se shqiptarët e kanë mirë, vetëm kur janë së bashku, vetëm kur bashkëveprojnë. 

  Noshta këtu është momenti të veçoj një shembull konkret, për shumë nga ne, ende i freskët.

Në Mars të këtij viti, subjektet politike shqiptare në Tuz, si të bashkuara, dualën fitues, dhe ky bashkëveprim dhe kjo fitore, duhet të shërbej si model dhe për viset e tjera shqiptare. Unë, dua edhe nga kjo foltore, të falenderoj udhëheqësit poltikë në Malësi, ketë bashkëveprim, çka pata rast të shoh edhe personalisht gjatë fushatës, dhe edhe një herë t’i përgëzoj për këtë fitore të madhe, duke uruar që shqiptarët në kto troje përjetësisht të qendrojnë së bashku.

Dua te them se kjo fitore, sikur edhe asnjë fitore tjetër jona, në të kaluarën, apo edhe në të ardhmen, nuk janë të orientuara për të kërcënuar, apo rrezikuar dikë, as në veri, as në lindje apo jug, por vetëm pëë të raujtur atë që është e jona, ato çka na ka fal Zoti dhe Natyra, që të jemi zot në shtëpinë tonë me qëllim që ne shqiptarët, të jetojmë të lirë në tokën e shqipeve!

Sepse ne jemi NJË, dhe kjo është KOHA JONË!

Ne na bashkojnë gjaku, gjuha dhe flamuri; na bashkon tryeza jone gjithëkombëtare, rreth së cilës, përjetsisht do të jenë ulur kolosët tanë; Gjergji dhe Ismaili; Naimi dhe Fishta; Isa dhe Luigji, Ibrahimi e Terezja; Nora, Deda dhe Ademi…

Kjo është harmonia jonë, formula qe siguron mbijetesën tonë, që siguron që Shqipria të jetë e përjetshme,ashtu si edhe vet kombi shqiptar.

Zoti e bëkoft popullin tonë kudo nëpër botë, miqtë tonë, këtë vënd të bëkuar; Shqipërinë tonë!

Gëzuar Festën e Pavarësisë!

* Fjalimi përshëndetës i dr. Pashko Camaj, anëtar i Këshillit të Vatrës, Shef i Kabinetit të Kryetarit të Vatrës, gjatë mbrëmjes festive të 107 vjetorit të Pavarësisë organizuar nga Mark Gjonaj dhe Komuniteti Shqiptar me 23 Nëntor 2019, në Marina Del Ray.

Filed Under: Featured Tagged With: Dr. Pashko Camaj-Te Jemi bashke- Festa-107 vjet Pavaresi

Sot Peter Prifti do të ishte 95 vjet

November 24, 2019 by dgreca

Nga Julika Prifti/

Sot, më 24 nëntor 2019, mbushen  95 vjet nga lindja e Peter R. Priftit.

Ai do të jetonte në Shqipëri vetëm 14 vjet. Më shumë se shtatë dekada do t’i kalonte në Sh.B.A.  Për 50 vjet familja e Rafael Priftit jetoi e ndare, babai me dy djemtë e mëdhenj në Filadelfi ndërsa e shoqja dhe nëna e fëmijve me dy më të vegjëlit në Shqipëri.

Piteri la prapa shtëpinë dykatëshe me oborr në tri anë dhe me kopshtin prapa shtëpisë, me plevicën përgjatë gjithë gjatësisë së oborrit dhe kopshtit, mbrapa tyre shtrihej lëndina me bar.  Kaçka ose arra e madhe në hyrje në të majtë të portës të oborrit, druri i vishnjes poshtë dritares në anën e djathtë të ballkonit, vishnja tjetër prapa shtëpisë, kumbullën pranë fundit të plevicës, e shumë drurë molle në mes të oborrit.

Piteri nuk do të vraponte me qenin, nuk do te ndiqte pulat që hynin pa leje në kopsht, nuk do të priste ardhjen e lopës nga kullota, e të deleve për t’i futur në plevicë, nuk do të kulloste gomarin, nuk do të shkonte për të prerë dru në pyjet e Gramozit. Nuk do të kishte më vajtje në mulli ku uji rreth rrotës së madhe i rrezatuar nga dielli lëshonte stërkala shumëngjyrëshe.  Nuk do të kishte më vajtje në kishën e Shën Pjetrit me moshatarët e tij. Dielli nuk do ta përshëndeste sapo dilte nga maja e malit të Gramozit e gurgullima e vijës së ujit, disa hapa larg shtëpisë nuk do ta nanuriste natën e nuk do ta përmendte nga gjumi herët në mëngjes në ditët e qeta të verës. Për më tepër nëna nuk do ta ledhatonte më e nuk do ti afronte për të ngrënë kulaçet e furrës e lakrorë të pjekur në saç, apo mish të pjekur në hell. Gjyshja nuk do t’i afronte më arrat e ruajtura në sëndykun e saj. Shoket nuk do të vinin ta thërrisnin për tu dëfryer.

Jeta e tij do të ndryshonte plotësisht e përgjithmonë. Shumë dukuri të pranishme të jetës së tij do t’i mungonin me largimin nga Shqipëria por do fitonte plot të tjera, të panjohura deri në atë kohë për të në Amerikë.

Shpejt Amerika u bë atdheu i tij ku jetonte i ati me vëllanë e madh, ndërsa Shqipëria do të mbetej mëmëdheu i dashur, ku ishin mamaja, gjyshja, vëllai e motra.

Piterit i pëlqeu shkolla e kultura e re me të cilën po ambientohej nga dita në ditë. Gjuhët, historia e filozofia u bënë të dashura e mbetën të tilla gjatë gjithë jetës së tij. Artikujt e librat e shumtë të botuar në Amerikë e në Shqipëri janë dëshmitarë të pasionit e të punës së tij të madhe akademike në një lëmi të gjerë të shkencave shoqërore.

Peter Prifti ishte nga të paktët fëmijë emigrantësh që nuk ndoqi traditën e formuar. Atij nuk i pëlqeu as të punonte në restorant dhe as ta trashëgonte atë nga ana e të atit. Interesat e tij nuk ishin për përfitim monetar por për përfitim akademik e shkencor. Fati i mirë e ndoqi në këtë drejtim sepse i ati nuk e pengoi e për më tepër pagoi për shkollimin e tij. Kështu që sot puna e tij nderohet, çmohet, e studiohet nga shumë studiues amerikanë apo shqiptarë sepse për një kohë të gjatë, ai ishte nga të paktët shqiptarë të shkolluar e te përgatitur për mbrojtën e të vërtetës së popullit të tij, të mëmëdheut e të figurave të shquara. Ai mbrojti pa frikë mendimin e tij për zhvillimin e gjuhës shqipe, për të drejtat e popullit shqiptar në Kosovë, për çështje të kufirit shqiptar apo të pavarësisë së Kishës Ortodokse Autoqefale në Amerikë.

Një pjesë e madhe e veprës e tij i kushtohet përkthimit të veprave të dashura të shqiptareve dhe në një përvjetor madje shkroi edhe një skenar për Skënderbeun me kërkesën e Donika Bardhës.

Peter Prifti ia kushtoi gjithë jetën e tij kulturës e artit shqiptar. Ai nuk u pasurua monetarisht nga vepra e tij e madhe, puna e ndërgjegjshme dhe akademike por pasuria që ju la bashkëatdhëtarëve është një thesar i vërtetë. Asgjë më tepër nuk do donte vetë Peter Prifti. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Julika Prifti- Peter Prifti- 95 vjet nga Lindja

VILHELM TELI DHE MOLLA NE KOKEN E TE BIRIT…

November 24, 2019 by dgreca

Histori- Më 18 nëntor 1307 Vilhelm Teli, heroi kombëtar i Zvicrës, u dënua të qëllonte me shigjetë mollën mbi kokën e të birit/

Nga Elida Buçpapaj-VOAL/

Vilhelm Teli (Wilhelm Tell) ishte një hero legjendar Zviceran, i cili duhe të ketë jetuar nga fundi i shekullit trembëdhjetë e në shekullin e katërmbëdhjetë dhe ekzistenca e vërtetë historike e të cilit është ende çështje e papërcaktuar.

Vilhelm Teli është heroi kombëtar i Zvicrës. Miti ose realiteti i një qyteti të vogël në zemër të Evropës, Tel dhe legjenda e tij mesjetare janë të njohura në të gjithë botën.

Sipas legjendës, Vilhelm Teli lindi dhe jetoi në Bürglen në Kantonin e Urit, afër masivit Gotthard. Teli, babai i një familjeje, një gjahtar i aftë i harkut, shkoi në kryeqytetin rajonal Altdorf më 18 nëntor 1307. Ndërsa kaloi në sheshin publik, ai injoroi kapelën perandorake që Albrecht Gessler, administratori lokal i Habsburgëve, i kishte bashkangjitur shtëpisë së ankandit, disa muaj më parë. Kapela, simbol i autoritetit perandorak, duhej të respektohej absolutisht nga kushdo që kalonte. Ata që nuk u përkulën rrezikuan konfiskimin e pasurisë apo edhe vdekjen. Meqenëse Tel nuk e kishte nderuar kapelen e tij, e gjeti veten në telashe. Të nesërmen ai u suall në shesh; para të gjithëve ai duhej të justifikonte veprimin e tij.

Në këmbim të jetës së tij, përmbaruesi Gessler i imponoi atij provën e mollës, e cila, e vendosur mbi kokën e djalit të tij të vogël Gualtier, duhej të përshkohej nga shigjeta e harkut të tij. Prova kaloi me sukses, por në rast se diçka do të kishte shkuar keq, Vilhelmi kishte fshehur një shigjetë të dytë nën xhaketë, gati për tiranin. Kjo i kushtoi Vilhelm Telit lirinë e tij: ai u arrestua dhe u dërgua me varkë në burgun Küssnacht.

Papritur shpërtheu një stuhi në Liqenin e Lucernës dhe rojet e burgut e liruan Telin, një lundrues i shkathët, që mund t’i shpëtonte ata nga stuhia. Duke mbërritur në afërsi të bregut, në gjysmën e rrugës midis Altdorf dhe Brunnen, Tel u hodh nga anija në breg me një kërcim dhe, me një goditje të fuqishme, e dërgoi anijen përsëri në detin e hapur. Në ditën e tretë, afër Küssnachtit, i fshehur pas një peme në anët e “Via Cava” që të çon nga Gotthard në Zyrih, Teli u hakmuar duke vrarë Gesslerin.

Sipas traditës, më 1 gusht 1308 u bë çlirimi i Zvicrës së atëherëshme. Populli, pasi mësoi për veprat e Telit, u ngrit dhe rrethoi kështjellat dhe ndoqi sundimtarët nga tokat e tyre përgjithmonë. Për më tepër, shigjetari thuhet se ka marrë pjesë në betejën e Morgartenit përkrah kantoneve të themeluese të Konfederatës (Uri, Schwyz dhe Unterwalden), e cila përfundoi me fitoren kundër Habsburgëve më 1315. Vilhelm Teli jetoi me respekt dhe admirim të njerëzve deri në verë të vitit 1354, kur, për shkak të një stuhie, heroi zviceran sakrifikoi jetën e tij për të ndihmuar një fëmijë të rrëmbyer nga përroi i Schächen në përmbytje.

Referenca e parë për heroin legjendar shfaqet në një dorëshkrim të vitit 1470, Librin e Bardhë të Sarnenit, të përpiluar nga kalorësi i famshëm provincial Hans Schriber, i cili kishte mbledhur kronika dhe të dhëna historike në Konfederatën Zvicerane. Një burim tjetër për legjendën është Kënga e Themelimit të Konfederatës, e kompozuar nga një poet anonim dhe botuar për herë të parë më 1545, e cila rrëfen lindjen e Konfederatës Zvicerane dhe citon fatin e Vilhelm Telit, i cili, sipas këtij burimi, ishte mbytur në Liqenin e Lucernës nga Gessleri i lig. Por vepra më e plotë që paraqet historinë e Telit është Chronicon helveticum i vitit 1550, nga historiani Aegidius Tschudi. Historiani saktëson se Tel është mbytur në vitin 1354, jo sepse ai vrau sundimtarin, por për të shpëtuar një fëmijë që ra në ujërat e ftohta të lumit Schächen. Episodi është përshkruar gjithashtu në një afresk të vitit 1582 të ruajtur në kishën e Bürglenit, fshatit ku ai lindi.

Personalitete të rëndësishme artistike kanë kontribuar në bërjen e famshme të figurës së Vilhelm Telit. Midis tyre, i pari i të gjithëve, shkrimtari dhe poeti gjerman Friedrich Schiller i përshkroi veprat heroike në dramën homonime (Wilhelm Tell, 1804). Nga drama e Schiller-it, më 1829 Gioachino Rossini kompozoi operën Vilhelm Tel. Kjo operë ishte shumë e rëndësishme për Zvicrën dhe Zviceranët; prova e kësaj është fakti që klaksonët e autopostaleve të vjetra binin sipas melodisë me të cilën fillonte opera.

Një ri-interpretim i vetëm i mitit të Vilhelm Telit (Wilhelm Tell für die Schule) është shkruar më 1971 nga Max Frisch, një ese e shkurtër e ndërtuar mbi një përzierje interesante të filologjisë dhe ironisë, në të cilën rikrijohet historia e heroit kombëtar zviceran, por duke vënë në qendër të veprës sundimtarët Habsburgë dhe paaftësinë e tyre për të kuptuar botën e njerëzve malësorë, kokëfortë dhe të heshtur mes të cilëve ai ndodhet.

Filed Under: Histori Tagged With: Elida Bucpapaj Vilhelm teli- Molla-Koka e te birit

KOSOVË-“URDHRI I LIRISË” FAMILJEVE TË HERONJËVE

November 23, 2019 by dgreca

Akademi Përkujtimore për heronjtë Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani, me rastin e rivarrimit të tyre/

PRISHTINË, 23 Nëntor 2019-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/

PRESIDENTI THAÇI: SOT E PËRGJITHMONË, ESHTRAT E KATËR BIJVE TË KOSOVËS DO TË JENË PRANË NJËRI–TJETRIT

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka bërë homazhe dhe ka marrë pjesë në Akademinë Përkujtimore për heronjtë Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani, me rastin e rivarrimit të tyre.

Presidenti Thaçi ka thënë se sot në panteonin e lirisë po vendosen eshtrat e katër heronjve të Kosovës, Afrim Zhitisë, Fahri Fazliut, Agron Rrahmanit dhe Bahri Fazliut, me nderimet më të larta shtetërore dhe institucionale.

“Nga sot e përgjithmonë, eshtrat e katër bijve të Kosovës, që dhanë jetën për idealin jetësor, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, për bashkim kombëtar, do të jenë pranë njëri-tjetrit. Do të jenë, do të pushojnë pranë simbolit të kombit, babait të pavarësisë së Kosovës, Adem Demaçit”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka theksuar se secili prej tyre ra heroikisht në kulmin e moshës më të mirë, Afrimi e Fahriu këtu e tridhjetë vjet më parë, Bahriu e Agroni 21 vjet më parë.

Këta katër heronj, sipas kreut të shtetit, përfaqësojnë më së miri dy deceniet e fundit të shekullit njëzet të historisë së re të Kosovës.

“Të rritur me frymën liridashëse, me edukatë të lartë atdhetare, ata ishin pjesë udhëheqëse e organizimit të protestave dhe demonstratave për Republikën e Kosovës. Ata shkrinë gjithë energjitë fizike, mendore dhe intelektuale për çështjen kombëtare”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka shtuar se secili prej tyre, me gjithë vështirësitë, treguan vendosmëri dhe pathyeshmëri në rrugën drejt lirisë.

“Afrim Zhitia ishte ndër të burgosurit politikë shqiptarë më të rinj që doli nga burgu edhe më i vendosur, edhe më i formuar edhe më i përkushtuar për ta vazhduar rrugën e çlirimit të Kosovës. Ishte njëri ndër udhëheqësit që i dha frymë Lëvizjes politike kombëtare për Republikën e Kosovës, i dha drejtim”, ka thënë presidenti Thaçi.

I pari i vendit më tej ka thënë se Afrimi, së bashku me Fahriun, më 2 nëntor 1989 ranë trimërisht, duke dëshmuar se Kosova ka njerëz të vendosur dhe të patrembur, që nuk dorëzohen, por luftojnë me armë në dorë përballë shtetit të Serbisë.

“Bahriu dhe Agroni të kalitur në demonstrata dhe të formuar në organizimin e fshehtë politik, duke e parë të domosdoshme luftën e armatosur për çlirim, i dhanë fuqi dhe energji të re Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ranë heroikisht në krye të misionit të tyre, në pranverë të viti 1998. Bahriu në hapësirat shqiptare në Mal të Zi. Agroni në qendër të Prishtinës”, ka shtuar ai.

Presidenti Thaçi më tej ka shtuar se liria, pavarësia dhe themelet e shtetit të Kosovës kanë rrënjë të thella historike.

“Ne që patëm fatin të jetojmë lirinë  jemi krenarë që kemi njohur veprimtarë e punuar së bashku me Afrim Zhitinë, Fahri Fazliun, Agron Rrahmanin, Bahri Fazliun, Hasan Ramadanin e të tjerë”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se krisma e pushkëve të Afrimit dhe Fahriut, pas atyre të Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës, ishin krismat e para që paralajmëruan ardhjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kreu i vendit ka thënë se jemi krenarë me Zahirin, Hakifin, Edmondin, jemi krenarë me komandantin legjendar Adem Jashari dhe me 2 mijë dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse, sipas tij, është gjaku i këtyre dëshmorëve që dëshmojnë për Kosovën e lirë, të pavarur dhe demokratike.

Presidenti Thaçi shtoi se asnjë tendencë, as përpjekje ngado që vjen nuk do të arrijë ta njollosë dhe përbaltë luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Në radhët e saj luftuan dhe u sakrifikuan djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë më të mira të kombit. Sot, Kosova, të gjitha kategoritë e dala nga lufta i trajton dhe do t’i trajtojë edhe më me dinjitet. Familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës së UÇK-së, veteranët janë krenaria jonë”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se njëzet vjet pas luftës Kosova ka shënuar të arritura të mëdha, por ende ka sfida të mëdha të forcimit të shtetësisë së saj.

“Një gjë jam i sigurt: jemi në rrugë të drejtë dhe do të realizojmë objektivat tona, atë të forcimit të shtetit, në një të ardhme edhe të bashkimit kombëtar”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi në fund ka thënë se duke respektuar dhe vlerësuar lartë kontributin jo vetëm të heronjve që kanë ra me pushkë në dorë, por duke pasur parasysh edhe sakrificën e familjeve të tyre, si president i vendit, por edhe si bashkëluftëtar i heronjve të kombit, ndjen obligim kushtetues dhe ligjor, por edhe obligim moral, politik dhe kombëtar, që t’i ndajë “Urdhrin e Lirisë” familjes së Osman Zhitisë, familjes Fazliu dhe familjes Rrahmani.

KRYEMINISTRI NË DETYRË HARADINAJ: GJAKU I AFRIMIT, FAHRIUT, BAHRIUT E AGRONIT, ËSHTË PRAGU I SIPËRM I KRENARISË SONË KOMBËTARE

“Gjaku i Afrimit, Fahriut, Bahriut e Agronit është pragu i sipërm i krenarisë sonë kombëtare dhe i vlerave më të larta, i cili nuk shkelet, as sot as kurrë. Kosova për të cilën ata luftuan, përket në botën të cilës i prinë Amerika, kurse brezi i sotshëm, që ka aq vjet sa ata kur ranë, janë në rreshtin e paqes, përkrah ushtrive të NATO-s”, kështu tha kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në Akademinë Përkujtimore të Heronjve të Kombit Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani, organizuar nën patronatin e kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës.

Fillimisht kryeministri në detyrë Haradinaj, bëri homazhe  në e hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës për të vazhduar më pas në Akademinë Përkujtimore për heronjtë e kombit.

Në fjalën e tij para të pranishmëve të shumtë, kryeministri në detyrë Haradinaj tha se Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu janë dy figurat më emblematike të rezistencës së shqiptarëve të Kosovës, pas Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Nuhi Berishës e Rexhep Malës.

“Patriotë të frymëzuar nga epopetë shqiptare dhe guximtar të pashoq, pa të cilët historia e Kosovës do të merrte rrjedhë tjetër, thjeshtë, ata e mbajtën ndezur flakën e kryengritjes për liri, për të cilën Fazli Grajçevci ishte flijuar kurse Adem Demaçi vuante në qelitë e burgjeve ma të rënda duke e skalitur idenë e lirisë me butësi zemre e fuqi mendje”,  shtoi kryeministri në detyrë, Haradinaj, duke shtuar se të njëjtët u betuan kur shumë të tjerë shkelen betimin, u nisën rrugës së lirisë, kur tjerët u zmbrapsen, e mundën frikën, kur pothuajse kryengritja ishte shuar!

Ndër tjerash, kryeministri në detyrë, Haradinaj, theksoi se që nga viti 1988 duke qenë shtylla të organizimit të Lëvizjes Çlirimtare, ata po e strukturorin kryengritjen dhe më 1989 ishin ndër organizatorët kryesorë të grevave të minatorëve dhe demonstratave të 31 tetorit dhe 1 nëntorit 1989.

“Ata ranë më 2 nëntor 1989 në luftime, sepse lufta e armatosur ishte i vetmi mjet për ta fituar lirinë dhe, Afrimi e Fahriu, pas tyre Bahriu e Agroni, janë ndër ushtarët  e parë të përpjekjeve tona për liri, guerilët e parë urban të Prishtinës. Afrimi e Fahriu i prinë kolonës, të cilës do t’i bashkoheshin pastaj Bahriu, i vëllai dhe Agron Rrahmani, vëllai tjetër për nga armët si dhe rreshti i gjatë i UÇK-së”, shtoi tutje, kryeministri në detyrë Haradinaj.

Rivarrimi i eshtrave të katër heronjve këtu në Kryeqytet, në Varrezat e Dëshmorëve të kombit, siç tha kryeministri në detyrë Haradinaj, është ribashkim i tyre, në paqe, siç ishin në luftë, jo vetëm për nderim por edhe si dëshmi se Kosova, e drejta e saj, sovraniteti dhe paprekshmëria e territorit të saj, janë kauza që kanë pasur çmim të lartë, së këndejmi janë të panegociueshme.

“Luftëtarët e lirisë janë këtu, të bashkuar, qe mesazhi i tyre të jetë synimi ynë, që të na mbajnë zgjuar në mbrojtje të lirisë sonë, sot, kur në tavolinat anti Kosovë po vizatohen harta të reja, harta anti – shqiptare dhe rrënuese të paqes. Pushoni të qetë Heronj, ushtria e Kosovës është në rojë të pragut të lirisë! Lavdi”, përfundoi fjalën e tij kryeministri në detyrë Haradinaj.

Pas Akadamisë Përkujtimore, kryeministri në detyrë Haradinaj mori pjesë edhe në Ceremoninë  e Rivarrimit në Varrezat e Heronjve në Velani- Prishtinë.

KRYEPARLAMENTARI VESELI BËRI HOMAZHE PËR HERONJTË AFRIM ZHITIA, FAHRI FAZLIU, BAHRI FAZLIU DHE AGRON RRAHMANI

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, bëri homazhe dhe vendosi lule pranë arkivoleve të heronjve Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani.

“Pas më shumë se 30 vitesh bëhen bashkë në Prishtinë vëllezërit e luftës dhe idealit. Fat jo i lehtë i asaj gjenerate, asaj rinie. Por, ata ishin dhe mbesin shembull si duhet t’i shërbehet kombit. Krenar që i njoha dhe punova me ta. Nderim përjetë Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani!”, ka thënë me këtë rast Veseli.

Po ashtu, kryeparlamentari Veseli shkroi edhe në librin e përkujtimeve.Nga ora 10:00 në hollin e Kuvendit po bëhen homazhe për katër heronjtë, me rastin e rivarrimit të tyre. 

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari-Familjet e Heronjeve-Akademi

Shpërblimi 30 mijë lekësh për pensionistët

November 23, 2019 by dgreca

Nga Ilir LEVONJA/

Mbrëmë vonë dëgjova në një kanal televiziv për një shpërblim prej 3 mijë lekësh të rinj, kështu tha spikeri. Nuk e di se sa e ndihmon terminologjinë ky model po them kinezo’shqiptar me lekë të rinj a lekë të vjetër për më tepër pensionistët, megjithëse na çoroditë paksa të gjithëve, pasi shkurt e qartë është shkurt e qartë dhe kaq. Mbajta pak vesh dhe u kthjellova se bëhej fjalë për 30 mijë lekë, që domethënë afërsisht 25 euro apo 28 dollarë amerikan. Pra një pensionisti do i jepen 25 euro apo 28 dollarë për kokë si shpërblim për festat e fund vitit etj. Pra një njëzetshe dhe një dhjetëshe dhe aq, kalofshi mirë dhe të na rrojë partia. Mu duk lajmi më brutal, më i neveritshëm kur mendova shumën që do u jepej si shpërblim afro 650 mijë pensionistëve shqiptarë. Dhe që buxhetit të shtetit do i kushtonte 22 miliardë lekë etj. Megjithëse para pak ditëve mbaj mend që ministrja e financave gjoja debatonte në komisionin e ekonomisë në kuvend për zero investimet e vitit 2020, ku një kaush gjoja ngrinte zërin se si ka mundësi të ishin zero kur qeveria e ka prioritet rrugën Kardhiq-Delvinë etj. Dhe se kjo gjoja justifikohej se investitorët nuk janë në standartet e pritshmërisë, me një fjalë thithin lekë më shumë se sa ndërtojnë etj., kësisoj edhe shpërblimi në fund të vitit për pensionistët vihet në dyshim. Një farsë teatrale që edhe profesionistët e skenës e kanë zili pasi është loja e shushunjave, i mjeri buxhet nuk di ku të mbahet se shushunjat që të bluajnë nga të gjitha anët. Dhe sa herë që vjen fundi i çdo moti kjo puna e shpërblimit të pensionistëve është bërë një lloj loje jo më me bukën, por me dinjitetin, se 30 mijë lekë nuk vlejnë më për asgjë. Kur i jep tjetrit 30 mijë lekë të thotë kujdes se u këpute në bythë. Megjithëse shumë nga ata e quajnë si gjelin e detit, po na dha ndonjë gjë shteti të blejmë një gjel deti mirë, po nuk na dha prapë mirë etj. Tani nuk e di se a e blejnë dot këta me 30 mijë lekë gjelin, se nuk e kam idenë se sa vlen një gjel deti aty? Pra çdo fund moti ngrihet pyetja a do e marri pensionisti gjelin e detit apo? Një radhe mund të jetë pension i plotë, një radhe gjysmë pensioni a një radhe hiç fare. Nuk ka asnjë diskutim që pensionistët janë shtresa më e përbuzur, më e fyer, më e pambrojtur e për rrjedhojë më denigruar e shoqërisë shqiptare. Por çuditërisht edhe më e nënshtruara aq sa i ka mundur publikisht rimbursimi, politika me cilëndo qeveri po aq sa edhe ata vetveten. Them ata vetveten pasi janë lëshuar, janë hapur dhe janë dorëzuar totalisht edhe pse kanë punuar me tre turne. Kanë shpuar puse nafte, kanë shtruar rrugë të hekurta, kanë ndërtuar fortifikime, kanë bërë arsimin, mjeksinë etj. Problemi tek është kollajllisht i zgjidhur, mjaft të reduktohen shpenzimet qeveritare… dhe gjeli detit nuk do të jetë gjel deti në fund të vitit, por viç. Ministri holandez shkon në punë me biçikletë dhe pensionisti i vendit të tij vjen me pushime në tropik, kaq. Kurse makina e ministrit shqiptar është e blinduar, model i fundit, jo për nevoja personale por thjesht për pordhë dhe pensionisti i vendit të tij shikon sy njomur nga ekrani se sa do jetë shpërblimi i fund vitit një gjel apo një pulë? Ju jeni gati të paguani një derdimene, një analfabete me gel e gucci në kuvend dhe vet ankohuni se i keni pensionet e ulta. Kthjellohuni e pyesni se a është në raport normal paga e një deputeti me papion në raport me të ardhurat tuaja? Eshtë të vësh duart në kokë se vetëm pensione nuk mund të quhen ato tuajt, lëmosha po. Jemi shoqëria më bulliste sepse i mbushim faqet në internet me nënat a baballarët si bijtë më të devotshëm. Të shqyejmë me të puthur duart etj., por kur vjen puna për tu dhënë pensione bashkëkohore a një pagë plus, mblidhemi brenda vetes si kërmilli. Një administrator danez u jep pensionistëve mundësi implantesh dhëmbësh, kurse ai shqiptar edhe pse e di që ata nuk kanë dhëmbë në gojë, u jep gjel a gjysmë gjeli. Dhe ju e pranoni madje duke thënë pse luftë me qeverinë do bëjmë ne. Kaq mjafton dhe ka zënë rrënjë nënshtrimi, por edhe poshtërimi.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja-30 Mije lekshi-Pensionistet shqiptar

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 819
  • 820
  • 821
  • 822
  • 823
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT