• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

INSTITUTI I SHKUPIT MBYLLI NË VATËR JAVËN KULTURORE NË AMERIKË

September 16, 2019 by dgreca

Ashtu sic ishte njoftuar, të Dielën në mesditë, 15 Shtator 2019, në selinë e Vatrës, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve të Shkupit mbylli “Javën kulturore shqiptare në Amerikë”, e cila, sic tha drejtori i Institutit Prof. Dr. Skënder Asani, u organizua në kuadër të veprimtarive në përkujtimin e tragjedisë së 11 Shtatorit. 
Takimin promovues e ka hapur nënkryetari i Vatrës Agim Rexhaj, i cili u uroi mirëseardhjen në emër të kryetarit të Vatrës, kryesisë, Këshillit dhe degëve të saj, mysafirëve nga Instituti i Shkupit si dhe falenderoi pjesmarrësit.


Agim Rexhaj tha se për Vatrën është obligim kombëtar bashkëpunimi me institucione të trashëgimisë sonë kombëtare dhe institucionet e tjera nga trojet etnikë me të cilat mbanë lidhje të ngushta.Ai kujtoi veprimtaritë e vitit të shkuar të Vatrës me Institutin e Shkupit kushtuar Heroit Kombtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Më pas Rexhaj prezantoi drejtorin e Instituti të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup dhe e ftoi atë që të prezantonte librin me kumtesa kushtuar 100 vjetorit të atdhetarit Kolë Bojaxhiu, babai i shënjtëreshës Nënë Tereza, duke u ndalur në veprimtaritë patriotike të tij, vecanërisht në vitet 1909-1912.

Drejtori Asanaj theksoi se konferenca për 100 vjetorin e patriotit Kolë Bojaxhiu u organizua në frymën e studimeve të Institutit për njohjen e trashëgimisë së Nënës Terezë. Prof. Dr. Skënder Asanaj tha se: “Kolë Bojaxhiu ka qenë një figurë e rëndësishme e lëvizjes kombëtare shqiptare dhe kjo konferencë vetëm sa e ka vendosur atë në vargun e gjatë të veprimtarëve të tjerë shqiptarë, aty u e ka vendin”. Njohja e Kolë Bojaxhiut dhe e familjes së tij – theksoi Asanaj – është një mënyrë tjetër për ta njohur personalitetin e Gonxhe Bojaxhiut, Nënës Terezë dhe vatrën ku ajo u lind dhe u kalit për t’ia falë botës.


Gjatë promovimit foli edhe Sekretari Shkencor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve të Shkupit, Dr. Zeqiria Ibrahimi, i cili tha se “Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore Shqiptare dhe Shtëpia Përkujtimore e Nënës Terezë(që tash drejtohet nga një shqiptar) janë dy institucione që kujdesen në mënyrë të veçantë edhe për trashëgiminë e katolikëve shqiptarë, veçmas për Nënën Terezë,duke e bërë kështu Shkupin një epiqendër heterogjene të kulturës dhe historisë shqiptare, ashtu siç ka qenë edhe në të kaluarën”.


I pranishëm në takim ishte edhe studiuesi nga Tirana, Dr. Paulin Marku, nga Instituti i Historisë në Tiranë, i cili e përgëzoi Institutin e Shkupit për punën e bërë dhe shfaqi admirim edhe për kujdesin që ka ky institut tregon për historinë e katolikëve shqiptarë në Maqedoni.
Gjatë promovimit kanë diskutuar, kanë shtruar pyetje, kanë komentuar dhe kanë sygjeruar: Marjan Cubi, Asllan Bushati, Mhill Velaj, Prend Qetta,Tom mrijaj, e të tjerë.
Drejtori Asanaj ka dhurua për bibliotekën e Vatrës botime të institutit të Shkupit si: Kolë Bojaxhiu-atdhetari Shkupjan-Konferencë Shkencore me rastin e 100 vjetorit të vdekjes; Alfabet i dashur, Atdhe i dashur-Origjina e panjohur e Himnit të Alfabetit( David Hosaflook); Bllaca-Dhimbja e lirisë; Qendra Përkujtimore e Gjenocidit”Bllacë 1999″; Shkupi dhe Kumanova Nën Pushtimin Bullgar 1941-1944, Shqiptarësia e Luginës së Preshevës Ndër Shekuj,etj.etj.
Drejtori i Instituti ka dorëzuar në fund të takimit dy Mirënjohje, duke shpallë”Mik i Institutit” kryetarin e Vatrës Dritan Mishto dhe arkëtarin e saj, anëtar i Kryesisë Marjan Cubi.
Paraditen e së Dielës, drejtori i Instituti të Shkupit së bashku me shoqëruesit e tij ishin në Kishën Katolikë Shqiptare “Zoja e Shkodrës”, ku u organizua Mesha për 100-vjetorin e vdekjes së Kolë Bojaxhiut, ku famullitari i Kishës Zoja e Shkodrës, Dom Pjetër Popaj u lut për shpirtin e babait të Nënës Terezë, Kolë Bojaxhiu. (Korresp. i Diellit)

Filed Under: Featured Tagged With: Dalip Greca-Instituti I Shkupit-Kole Bojaxhiu

DEMOKRACIA NUK PRET-ROLI I SHOQËRISË CIVILE

September 16, 2019 by dgreca

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, 2019/

Nga Frank Shkreli/Ashtu si çdo vit edhe sivjet me 15 shtator, bota shënoi Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.  Dita Ndërkombëtare e Demokracisë, e përcaktuar si e tillë më 2007-n me një rezolutë nga Asamblea e Përgjithëshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, (OKB) me qëllim që të promovohen dhe të zbatohen parimet e demokracisë.  Njëherazi u kërkohet vendeve anëtare të OKB-së, që të kujtojnë këtë ditë në mënyrë të përshtatshme, nepërmjet veprimtarive të ndryshme për promovimin e vlerave dhe parimeve bazë të demokracisë, anë e mbanë botës

 “Pyetja sot është e njëjtë, ashtu siç ka qenë gjatë gjithë historisë: nëse njerëzit do të lejohen të qeverisin veten, apo do të qeverisen nga një elitë e vogël”, është shprehur para më shumë se 200-vjetësh, Tomas Xhefersoni, njëri prej themeluesve të Shteteve të Bashkuara.

Në mesazhin e tij në Ditën e Ndërkombëtare të Demokracisë, për vitin 2019, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres’, u shpreh se, “Demokracia ka të bëjë me njërzit.  Ajo ndërtohet duke përfshir të gjithë njerëzit të marrin pjesë lirisht në procesin politik, pa dallim, duke i trajtuar ata në mënyrë të barabartë…Demokracia” tha udhëheqësi botëror, “është një gur themel për paqën në botë dhe për zhvillimin e vazhdueshëm demokratik, për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut.”  Ai vazhdoi mesazhin e tij për Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, duke thënë se, “Këto vlera dhe frymëzime duhet të mbrohen jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra.  Këto vlera duhet të luajnë një rol të rëndësishëm në jetën e përditëshme të njerëzve”, ka thënë ai.   Z. Guterres theksoi se sivjet kjo ditë po shënohet në një kohë kur “besimi është i ulët dhe shqëtësimet janë shumë të mëdha.   Njerëzit, anë e mbanë botës, janë të shqetësuar nga pabarazitë në rritje e sipër dhe nga ndryshimet e mëdha që po sjell globalizimi dhe teknologjia.”   Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, shtoi se njerëzit anë e mbanë botës, janë dëshmitarë të konflikteve të pazgjidhura dhe ngushtimin e hapësirës së veprimit për organizatat e shoqërisë civile” kudo, një shqetësim ky, siç do të shohim pak më poshtë, edhe i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Z. Mike Pompeo, shprehur në mesazhin e tij mbi Ditën Ndërkombëtare të Demorkacisë. Ndërsa, Z. Guterres e përfundoi mesazhin e tij për vitin 2019 kushtuar Ditës Nëdrkombëtare të Demorkacisë, me një thirrje drejtuar të gjitha qeverive që, “Të respektojnë të drejtën e njerëzve për të marrë pjesë aktive, domethënse dhe substantive”, në zhvillimet demokratike, ndërsa përshëndeti të gjithë ata, të cilët punojnë pa u lodhur në këtë fushë, për realizimin e një demokracie të vërtetë.

Ndërkaq, Sekretari Amerikan i Shtetit, Z. Mike Pompeo, në mesazhin e tij të këtij viti, të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, shfaqi gjithashtu  shqetësimin e tij në lidhje me ngushtimin e hapësirës së veprimit të organizatave vërtetë të pavarura të shoqërisë civile.   “Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Demokracisë, ne pasqyrojmë angazhimin tonë të patundur ndaj të drejtave të patjetërsueshme të njeriut, të cilat përbëjnë bazën e demokracisë tonë.   Në Shtetet e Bashkuara”, shtoi kryediplomati amerikan, “Këto të drejta përcaktohen nga respekti për lirinë individuale dhe për dinjitetin njerëzor të çdo përsoni, pa dallim.”   Në mesazhin e tij me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë ai theksoi rolin e shoqërisë civile, tema krysore e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë këtë vit, duke thënë se, “Një shoqëri civile aktive, e pavarur dhe gjithë përfshirse është gur-themeli për të siguruar zbatimin dhe respektimin e këtyre lirive.”   Prandaj, shtoi Z. Pompeo,”Hapësira e veprimit të lirë për shoqëritë civile, në mbrojtje të drejtave të patjetërsueshme të njeriut, është tepër kritike për kontributin që organizata të tilla për të siguruar veprimtarinë e institucioneve të forta demokratike, mbështetjen e tyre ndaj të drejtave bazë të njeriut dhe lirive themelore, për luftën kundër korrupsionit dhe për forcimin e transparencës në jetën publike.”   Ndërkohë që disa qeveri kanë ndërmarrë bërjen e reformave për të lejuar veprimtarinë e lirë të shoqërive civile, “Ne mbetemi shumë të shqetësuar ndaj prirjeve botërore, në rritje e sipër, të cilat po ngushtojnë dukshëm hapësirat për veprimtarinë e grupeve të shoqërisë civile.”

Në lidhje me përfitimet që sjellë demokracia,  përfshir edhe lirinë e veprimtarisë së pavarur të shoqërisë civile — kryediplomati amerikan e përfundoi mesazhin e tij kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, duke thënë se, popullit amerikan dhe shumë prej aleatëve tanë, demokracia i ka sjellur shumë të mira.   “Ne përparojmë dhe jemi të suksesshëm sepse përdorim liritë tona themelore për të krijuar mundësi për përparime në fushën ekonomike, kulturore, arsimore dhe shoqërore. Kombet janë më të sigurta, më në paqë dhe më të begatëshme kur shoqëria civile angazhohet lirisht dhe kur merr pjesë në proceset demokratike, pa frikë dhe pa kërcënime.   Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë udhëheqse në mbrojtje të hapësirës së veprimtarisë së shoqërive civile, me qëllim për të forcuar themelet e demokracisë kudo”, u angazhua Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo në mesazhin e tij që Departamenti Amerikan i Shtetit përhapi me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë.

Ndonëse nuk permendin ndonjë vend me emër, nuk jam i sigurt nëse në mesazhet e tyre zotërinjtë Antonio Guterres dhe Mike Pompeo — kishin ndërmend veprimtarinë dhe rolin e kufizuar të shoqërisë civile — që normalisht duhej të ishin jo-qeveritare — edhe në botën shqiptare.   Por, dihet se qeveritë shqiptare nuk janë dhe nuk kanë qenë shumë miqësore ndaj organizatave të tilla, të pakën ndaj atyre që janë vërtetë të pavarura prej autoriteteve qeveritare, megjithëse të tilla mund të jenë të paka, ose jo ekzistuese.   Analistë dhe vërejtës të pavarur kanë qenë kritikë ndaj shoqërisë civile në botën shqiptare, në përgjithësi, duke i akuzuar ato si të varura nga qeveria dhe nga interesa të tjera vendore, të lidhura me qeverinë.

Liria e veprimit të pavarur e një shoqërie civile energjike me një veprimtari të shëndoshë dhe dinamike, është një prej vlerave dhe gurthemeleve më të rëndësishme të zhvillimeve të demokracisë në një shoqëri post-komuniste, siç është hapësira shqiptare në Ballkanin Perëndimor.  “Shpëtimi i vetëm për botën sot është përhapja e shpejtë e vlerave bazë perëndimore të Perendimit, e që janë idetë demokratike, të drejtat e njeriut, shoqëria civile dhe tregu i lirë”, ka thënë i ndjeri Vaclav Havel, një burrë shteti i kombit çek, shkrimtar dhe disident anti-komunist.   Ndërsa ish-Presidenti amerikan, Barack Obama ka vlerësuar lartë gjithashtu rolin e shoqërisë civile, si një prej vlerave kryesore për zhvillimin e demokracisë, për një të ardhme më të mirë.   “Vlerat që ne ndajmë, siç janë liria e fjalës, liria e praktimit të fesë, liria e veprimtarisë së pavraur e shoqërisë civile, zgjedhje të lira dhe të drejta, si dhe inovacionet që janë krijuar nga ekonomia e bazuar në tregun e lirë – të gjitha këto, më në fund, do të jenë rruga që na çon drejtë një të ardhme më të mirë…”, është shprehur ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, në lidhje me rolin e vlerave të demokracisë në përgjithësi në shoqëri dhe rolin e pavarur të shoqërisë civile në promovimin e demokracisë, në veçanti. 

Demokracia nuk pret!   Nuk ka demokraci pa përgjegjësi nga autoritetet qeveritare, por edhe nga organizata të shoqërisë civile që e quajnë veten vërtetë të pavarura nga autoritetet.  Liria, demokracia, respekti dhe zbatimi i të të drejtave bazë të njeriut –përfshir edhe rolin që duhet të luaj shoqëria civile — janë të lidhura ngusht edhe me angazhimet që kanë marrë përsipër shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare dhe rajonale, përfshir Bashkimin Evropian dhe vendet që synojnë të bëhen anëtare të këtij enti ndërkombëtar evropian, si Shqipëria dhe Kosova.   Kjo është arsyeja që Kombet e Bashkuara dhe vende të ndryshem anë e mbanë botës, kujtojnë çdo vit Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, përfshir rolin dhe pjesëmarrjen e shoqërisë civile në forcimin e zhvillimeve demokratike, që këtë vit është tema e përzgjedhur për të kujtuar Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, 2019.

Organizata për zhvillimin e shoqërisë civile në vendet e Ballkanit, “Balkan Civil Society Development Network” ka njoftuar vitin që kaloi se qeveritë anë e mbanë botës janë përgjigjur pozitivisht ndaj angazhimit politik, në rritje e sipër, të qytetarëve dhe enteve të shoqërisë civile.   Por, fatkeqësisht, shënon kjo organizatë, këto prirje pozitive kanë anashkaluar vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshir Shqipërinë dhe Kosovën.   Nuk ka demokraci pa përgjegjësi! Demokracia nuk pret!

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank Shkreli-Dita e Demokracise

KOHA E SHFAROSJES- PROMOVIMI NË VATËR, HOMAZH DHE NDERIM

September 16, 2019 by dgreca

Të Shtunën, 14 Shtator 2019, në Vatër u organizua promovimi i librit”KOHA E SHFAROSJES”, shkruar nga Dr. Sokol Paja, me parathënie nga Simon Mirakaj,recencë nga Dr. Paulin Marku, redaktim-korrekturë nga gazetarja:Albina Gjergji.

Veprimtaria promovuese e organizuar nga Vatra tërhoqi vëmendjen e studiuesëve, gazetarëve,që u bënë pjesë e saj.
Promovimin e ka hapë autori i librit, gazetari, studiuesi, ish pedagogu Sokol Paja, i cili ka falenderuar Vatrën dhe kryetarin e saj, për organizimin e promovimit si dhe të gjithë pjesmarërsit, që iu përgjigjën ftesës për t’u bërë pjesë e këtij promovimi.Autori tha se Libri: “Koha e shfarosjes” evidenton sagën horror dhe tregon sesi komunizmi shfarosi kundërshtarët. Libri përshkruan dhe analizon metodat gjakatare sesi komunizmi vrau, persekutoi, përndoqi dhe internoi familjet e mëdha, intelektualët, klerin dhe këdo që kishte pak shkëndija në errësirën komuniste.
Qëllimi i këtij libri, ishte që në fillesë jo vetëm përshkrimi i Sagës së familjes Paja, por mbi të gjitha synonte një skanim të diktaturës, si dhe analiza e detajuar e totalitarizmit shqiptar, tiparet e tij në vitet 1945-1990; ndalimi i veprimtarive fetare, dënimi absurd i klerit, lufta e klasave, makineria e Sigurimit të Shtetit, torturat cnjerëzore ndaj të burgosurëve, shkatërrimi i familjeve nacionaliste, shkelmimi i traditave, media totalitare, njeriu i ri komunist etj.
Kryetari i Vatrës Dritan Mishto, përgëzoi studiuesin Sokol Paja, për të cilin tha se është pjesë e Vatrës dhe evidentoi vlerat e librit “Koha e Shfarosjes”. Për Vatrën, tha z. Mishto, është thelbësore njohja e brezit të ri me krimet e komunizmit. Ai sygjeroi që libri të përkthehet në gjuhën angleze dhe të vihet në dispozicion të shkollave dhe institucioneve amerikane, por mbi të gjitha të shkojë tek brezi i ri.
Studiuesi i Institutit të Historisë Dr. Paulin Marku,recensent i librit, foli me detaje për librin duke e analizuar në të gjithë komponentët.(kumtesën e tij do ta publikojmë të plotë)
Gazetarja Albina Gjergji, korrektorja dhe redaktorja e librit, që e mori fjalën më pas, ndër të tjera tha: “Koha e shfarosjes” është një libër, që të gjithë ne këtu duhet ta lexojmë me vëmendje për arsye se krimet monstruoze komuniste që njohim deri tani nuk janë të vetmet. Shumë të tjera kanë qëndruar në heshtje. E, pikërisht njërën prej tyre na e sjell Sokoli nëpërmjet këtij botimi, ngjarjet e të cilit jam e sigurtë që do ju përfshijnë. Ne duhet të njihemi me çdo krim komunist, çdo ngjarje të parrëfyer deri tani, me persekutimet e padrejta, me dhunën fizike e psikologjike, si dhe me përndjekjen horror që sistemi i diktaturës u ka bërë për shumë vite me radhë njerëzve që mendonin ndryshe. Siç është edhe rasti i familjes PAJA në Malësinë e Madhe, e cila vetëm pse mendonte ndryshe, presioni komunist i dënoi me kalvar të gjatë vuajtjesh.
Në këndvështrimin tim, libri “Koha e shfarosjes” me autor, kolegun dhe mikun, Sokol Paja është padyshim një copëz historie nga e shkuara e shqiptarëve të ndershëm, si dhe një tribut në kujtim të atyre që s’janë më. Në rastin konkret të paraardhësve të autorit, i cili në shenjë mirënjohjeje e shpreh me zë të lartë vlerën e besës, sakrificën dhe rezistencën e gjyshit, kushërinjve, si dhe Prek Pajës, babait të tij.
Për të mos hyrë në detaje, sepse të gjithë ju besoj do ta lexoni librin, mund të them vetëm kaq, që: Prek PAJA, në jetën e tij për fatin e keq nuk jetoi vetëm dhimbjet e prindërve, xhaxhallarëve dhe miqve të tij të ndershëm që pa bërë kurrfarë të keqeje i vranë si të ishin kriminelë, por jetoi edhe persekutimin e pakuptimtë, që atij vetë i bënë ndër vite. Fatkeqësisht edhe në demokraci, kohë e cila duket se i dënoi me harresë.
Dhe, për fund, gjykoj se “Koha e shfarosjes” meriton të renditet në vitrinat e librarive dhe bibliotekave të vendit. Pse jo (në formë sugjerimi) edhe të shpëndahet nëpër gjimnazet shqiptare (apo edhe shkollat shqipe këtu në NY), në mënyrë që të rinjtë të njihen edhe më shumë me padrejtësitë që diktatori Enver Hoxha i bëri njeriut të tij.Suksese Sokol dhe botime të tjera presim nga ty. Pse jo në prozë a poezi, duke qenë se edhe shkruan mjaft bukur në këtë zhanër.
Editori i Diellit, Dalip Greca, në përshëndetjen e tij, uroi autorin e librit për nderimin që u bën paradhësve të vet, por jo vetëm. Libri, tha ai, vjen në kohën e duhur, dhe është detyra jonë për ta cuar tek lexuesit.Ai kërkoi më shumë reagim shoqëror ndaj së keqes që denoncon libri.
Ish kryetari i Malësisë së Malësisë së madhe, Luigj Rakaj, e përgëzoi autorin për librin dhe shprehu konsiderata të larta për familjen Paja si qëndrestare e diktaturës. Ai tha se si shumë shqiptarë të tjerë mbetet i zhgënjyer me demokracinë shqiptare. Ende sot pas 30 vitesh, shqiptarët kërkojnë Europën, duke braktisur vendin.
Pas promovimit në Vatër, autori i librit, Sokolo Paja, i ftoi pjesmarrësit për një koktejl të pasur me pije në “Parisien Cafe'”, lokalin e bashkatdhetarit tonë nga Gjakova, Dervish Jahjaga, ku përshëndeti Asllan Bushati.
Përmes një mesazhi në fb autori i librit Sokol Paja falenderoi Vatrën, Diellin, pjesmarërsit, që u bënë pjesë e këtij promovimi. Ai shkroi se “ky ky takim promovues ishte një përkujtim dhe homazh për të pushkatuarit në komunizëm të cilët ende nuk e kanë një varr, mes tyre dhe gjyshi im Pjetrush Paja i cili u pushkatua prej komunistëve duke humbur jetën dhe gjurmët e vdekjes 54 vite më parë.Lavdi përjetë këtyre njerëzve të jashtëzakonshëm që u sakrifikuan veçse donin një Shqipni të lirë, të bukur e të begatë.”(Korrespondenti i Diellit)

Filed Under: Featured Tagged With: Koha e Shfarosjes-Promovim- vater-Sokol Paja

Pandeli Majkos i bëj ftesë që mos të shkelë në Zvicër se është non grata!

September 15, 2019 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj/

Më datën 26 korrik një autor i respektuar në diasporë na dërgoi një ftesë ku lexohej se Shoqata Kulturore Bashkimi në Uster të Zvicrës lajmëronte mbajtjen e Panairit të Librit Diaspora 2019 dhe ftonte shtëpitë botuese dhe krijuesit nga Europa të bëheshin pjesë! Vura pikëçuditëse në fund të fjalisë pararendëse për të shprehur habi, sepse pronarët e Shtëpive Botuese e dinë shumë mirë se çfarë do të thotë të organizosh një panair libri! Por, megjithatë, kur është fjala për përhapjen e librit shqip në diasporë, hiperbolat janë të lejueshme.

Në pamjen e parë, ftesa ishte e thatë. Nuk orientohej askush, si, qysh e tek, vetëm thuhej se në datën aq e në orën kaq hapej Panairi i Librit Diaspora 2019.

Duke patur shumë respekt për kolegun, nuk paragjykova asgjë.

Diaspora shqiptare në Zvicer deri në vdekjen e Rugovës ka qenë shembull i shkëlqyer i organizimit të komunitetit. Megjithë traumën e vitit të mbrapshtë 1997 dhe konfliktit në Kosovë 1998/1999 që u reflektua në Zvicër me ringjalljen e celulave staliniste/enveriste/thaçiste, komuniteti ia kishte dalë të mbetej pothuaj solid.

Vdekja e Rugovës dhe kalimi i LDK në krah të Hashim Thaçit pëmbysi gjithçka për mbrapsht dhe sot diaspora shqiptare në Zvicër është shembulli më i shëmtuar i çorganizimit, nën drejtimin e politikave antikombëtare nga shteti amë dhe Kosova si dhe zëdhëndësave te tyre ambasadat, të cilat përfaqesohen përgjithësisht nga anonimë, të zgjedhur të politikës me skeletë në sirtarë dhe shërbëtorë të regjur të regjimeve të Edi Ramës, Hashim Thaçit & Co.

Nëse diaspora shqiptare në Zvicër do të qe open- minded dhe e organizuar në vetvete, komuniteti shqiptar në Konfederatën Helvetike do të duhej të protestonte përpara dyerve të ambasadave përkatëse, sepse në vendet e prejardhjes shqiptarët vuajnë mungesën e shtetit të së drejtës, varfërinë, padrejtësinë, papunësinë, korrupsionin dhe pasojat e një shteti që i ka lënë carta bianca mafies dhe botës së nëntokës.

Komuniteti shqiptar në diasporë sikur shqiptarët që jetojnë në shtetin amë e Kosovë kanë mbetur të paralizuar dhe mosveprues edhe kur janë dëshmitarë se ka stanjacion dhe asnjë vend nuk njeh prej vitesh shtetin e pavarur të Kosovës apo kur në Shqipëri është instaluar një narkoshtet! As amerikanët, as francezët, as italianët, as kroatët dhe asnjë komb në Perëndim nuk ka pritur që t’i çlirojnë të tjerët apo t’jua dhurojnë demokracinë në tabaka të tjerët!

Nëse diaspora shqiptare në Zvicër është për të qarë hallin, fajin e ka politika e Tiranës dhe Prishtinës me portavocet e tyre, por fajtor është edhe vetë komuniteti me indiferencën dhe papērgjegjshmerinë e vet.

Por le të kthehemi tek ftesa. Kolegu më 24 gusht komunikoi direkt dhe më dha disa sqarime. Nuk e paragjykova, dhe nga dëshira e mirë e prita me gëzim dhe naivitet.

Duke patur parasysh se të dy me Skënderin vitet e fundit kemi dhjetë botime plus librat e tim eti poetit Vehbi Skënderi, i qava hallin kolegut për transportin e tyre deri afër Zürichut ku do të mbahej aktiviteti dhe ai më premtoi se do të gjenin mjet për t’i çuar aty.

Të gjithë jemi dëshmitare të rrëmbimit pa pikë meritokracie të projekteve e fondeve publike nga gojët e pangopura klienteliste apo nepotike. Në këtë krizë identiteti, kur shqiptarët nuk kanë mecenatë që mbështesin zhvillimin e kulturës,  janë të mirëpritura iniciativat e shoqatave apo të individëve, që të japin kontribute në të mirë të interesit të përbashkët.

Si shembull të shkëlqyer në Zvicër po kujtoj periudhën e 3 % apo sot Shoqatën e Sali Çekajt që kontribuon në Kosovë, që i jep Kosovës pa e rrjepur, ndryshe nga të tjerët që zhvatin, sepse imitojnë politikën.

Zvicra ka qenë model brilant i aktiviteteve kulturore të komunitetit shqiptar edhe kur Kosova përjetonte pushtimin e egër. Shqiptarët e Kosovës e kanë patur të edukuar dashurinë për kulturën, për poezinë dhe poetët, ndryshe nga në Shqipëri, ku diktatura i persekutonte dhe vriste poetët.

Me këtë rast duhet të nënvizoj rolin e rëndësishëm që luajti LDK në Zvicër prej 1989 pasi Ibrahim Rugova dhe rrethi që krijoi këtë formacion politik si lëvizje kombetare për çlirim ishte vetë shkrimtar, dijetar dhe njeri i letrave. Edhe nën pushtim shkrimtarët dhe poetët e Kosovës ftoheshin në Zvicer nga komuniteti që organizonte mbrëmje dhe orë poetike ku lexohej poezi dhe bliheshin libra. Tek poezia e Mekulit, e Din Mehmetit e me rradhë shqiptarët e Kosoves zbulonin alfabetin e mbijetesës. Në mbrëmje të tilla në Zvicër kemi patur fatin të takoheshim me Ali Podrimjen, Azem Shkrelin etj.

Në Zvicër, Gjenevë e kishte selinë Ministria e Informimit që drejtohej nga ministri për Informim Xhafer Shatri një figurë e shkëlqyer e diasporës, ku mbulohej informimi dhe i tregohej Perëndimit për monstruozitetet e regjimit pushtues, që kishte mbyllur shkollat, Universitetin, që i kishte nxjerrë gjithë intelektualët në rrugë të madhe.

Në Zvicër gëlonin aktivitetet e komunitetit, këtu mikpritej Ibrahim Rugova dhe gjithë personalitetet që ishin pjesë e institucioneve të Kosovës. Këtu mikpriteshin figura të elitës dhe politikës nga të gjitha trevat shqiptare!

Këtu në Zvicër komuniteti ishte i gjallë, vital, sakrifikonte, kontribuonte, ishte solidar.

Këtu në Zvicër zjente dëshira dhe vullneti për të ndryshuar fatin e kombit për të mirë.

Këtu nga Zvicra u nis Agim Ramadani me shokë për të çliruar Kosovën.

Këtu në Zvicër, Zürich e kishte selinë qendrore gazeta më e madhe shqiptare e asaj kohe, Bota Sot, me një tirazh që botohej deri në 200 mijë kopje në ditë dhe shpërndahej në të gjithë Europën, SHBA, Kosovë, një kohë edhe Maqedoni,  një primat i paarritur kurrë nga ndonjë media në historinë mbi njëqindvjeçare të shtypit shqiptar.

Por prej vdekjes të Rugovës kjo kulturë e bukur u zhduk. Ambasadat filluan të promovonin nepër selitë e tyre antivlerat, antikulturën që t’i përdornin pastaj si detashmente të injorancës.

Në Zvicër u shua përkohësisht ajo frymë e bukur dhe e gjallë e komunitetit!

Politika defaktorizoi komunitetin që me remitancat mban gjall frymën e jetës në Kosovë!

Them përkohësisht sepse shqiptarët nuk mund t’i sundojë kurrë më e keqja shqiptare!

Aq më pak shqiptarët në Zvicër dhe në Perëndim, sepse ata tashmë janë vetë të identifikuar me Europën dhe Perëndimin!

Nga klima e keqe e Tiranës dhe Prishtinës nuk ka shpëtuar as vetë komuniteti i autoreve dhe artistëve shqiptarë në Zvicër, të cilët më së shumti të angazhuar me impenjimet e tyre profesionale kanë preferuar të qendrojnë larg moçalit që me kohë është kthyer në kënetë të instrumentalizuar nga mafia politike.

Pse e quaj mafie politike?

Disa kohë më parë në Zvicër erdhi Ilir Enver Hoxha që të promovonte librat e tij dhe te Nexhmije Hoxhës! I ftuar nga segmente të komunitetit shqiptar! Ilir Enver Hoxha nuk është distancuar nga vepra kriminale e prindërve dhe nuk u ka kërkuar ndjesë shqiptarëve.

Prandaj them mafie politike!

Për deri sa politika shqiptare me prejardhje komuniste përmes zëdhēnësve të saj këtu në Zvicër që janë ambasadat vijon e ndjek politika armiqësore kundër palës të cilën e kishte shpallur armik Enver Hoxha, ndërsa i biri i diktatorit ftohet dhe shet librat që i bëjnë jehonë regjimit kriminal!

Kjo është mafia politike e inkriminuar që shpërdor pushtetin politik dhe abuzon me taksat e qytetarëve për të arritur qëllimet që bien ndesh unitetit kombëtar të një vendi që si anëtar i NATO-s do të duhej të paktën të garantonte pluralizmin dhe shtetin demokratik.

I bëj këto paranteza si të nevojshme dhe rikthehem tek Panairi i Librit i Diasporës 2019.

Në vijim të bisedës i thashë kolegut të nderuar që të na jepte hollësi me qëllim pasqyrimin e aktivitetit. Hollësitë nisin zakonisht nga sponsorët. Këtu në Zvicër pēr të gjitha eventet paraprakisht publikohen sponsorët që i mbulojnë financiarisht, pra transparenca është alfa e demokracisë, që zakonisht në aktivitetet shqiptare mbulohen me terr.

Kolegu në vijim të komunikimit më tha se kish konfirmuar praninë e saj zonja Elena Kocaqi, një emër shumë i nderuar, që ai e merrte me mend se do ta prisja shumë mirë. Mrekulli ia ktheva. I kemi dërguar ftesa, shtoi, ministrive përkatëse të diasporës, ambasadorëve, Toenës… Po Onufrit e pyeta. I bëjmë më tha. Ok, i thashë, shumë mirë. Por ama sipas modelit zviceran që miku kur ftohet, do të thotë se i paguhet udhetimi dhe bujtja. Do ta bisedoj me z.Vaxhid Sejdiu, një nga organizatorët, më tha. Kush është e pyeta, se nuk e njoh. Magjistër dhe mësues i shkollës shqipe. Nuk vonoi ma dërgoi ftesën pēr Onufrin, duke premtuar pagesën pēr bujtjen por jo udhëtimin. Ishte një komunikim shumë korrekt deri në fund nga ana e bashkëbiseduesit. Deri këtu gjithçka në rregull.

Por kur më dërgoi programin, m’u hapēn sytë dhe pashë se Panairi i Librit Diaspora 2019 ishte vetēm një show në shërbim të politikave të pista zyrtare dhe në dëm të interesave të diasporës dhe autorëve të saj.

Pse do të thoni ju?

Sepse i gjithë programi ishte ndërtuar në funksion të atyre që ishin vendosur nga lart, jo nga Zoti, por nga mafia politike. Me stilin e njohur, shkrimtari i partisë, shtëpia botuese e partisë, panairi i librit i partisë…

Panairi i Librit Diaspora 2019 hapej me fjalimin e Pandeli Majkos, vijonte me fjalimin e ministrit të diasporës të Kosovës, pastaj e merrte fjalën Ilir Gjoni, pastaj ambasadorja e Kosoves, pastaj Toena ( e orientuar majtas) bënte prezantimin e bibliotekës të saj, pastaj, shoqata Mergimi do të përfaqësohej nje ore nga Bardhyl Mahmuti, pastaj prezantohej Qendra e Botimeve për Diasporën, një zyrë qeveritare që akaparonte fonde për t’i shpërndarë sipas shijes të Edi Ramës. Në panair nuk kishte asnjë hapësirë për autorët shqiptarë në Zvicër, as për shtëpitë e tjera botuese që mund të vinin, sepse panairi fillonte me ta dhe mbaronte me ta. Ndërsa prania e Prof.Elena Kocaqi, një emër shumë i nderuar, ishte “koka e turkut”.

Kur lexova programin, iu riktheva realitetit të egër që sundon në Shqipëri e Kosovë, të cilin politika e ndyrë shqiptare e ka mbjellë edhe në Zvicër.

Por ky bar i keq nuk ka shanse të mbijetojë në një tokë ku rritet bari i lirisë dhe shteti i së drejtës.

Duke hulumtuar pashë se organizatori i Panairit Diaspora 2019, si mësues i shkollës shqipe mbështetej nga Ambasda e Shqipërisë në Berne, ndërkohë që kishte mosaprovim nga LAPSH-I, një organizëm i krijuar në Zvicër prej 30 vitesh nga komuniteti! Do të më vinte shumë mirë nëse kjo Ambasadë do të përdorte autoritetin e shtetit në mënyrë të barabartë e të drejtë për të gjithë anëtarët e komunitetit dhe mos vijonte luftën e klasave.

Jemi tre krijues në familjen tonë, rast shumë i veçantë. Ambasada e Shqipërisë në Zvicër prej 1997 na ka trajtuar si armiq të klasës, sikur dikur baballarët e tyre. Jemi profesionistë të natyralizuar që kemi arritur të integrohemi në Konfederatën Helvetike në menyrë shumë dinjitoze me punë dhe integritet.

Si gazetarë dhe krijues, që prej gati një çerek shekulli nga Zvicra japim kontributin tonë në shtypin shqiptar të diasporës në të mirë të interesit kombëtar dhe integrimeve shqiptare euroatlantike, duke i denoncuar politikat antikombëtare që përçon politika dhe diplomacia shqiptare e unifikuar në të keqen e saj, si në shtetin amë ashtu edhe në Kosovë. Përfaqësuesit politikë të diplomacisë shqiptare në Zvicër kanë ndjekur kundër nesh politikën kriminale të injorimit. Me kallashnikovët e injorimit, kanë zëvendësuar luftën e klasave, burgjet dhe persekutimin.

Janë shkelës të ligjit. Si të tillë janë kriminelë!

Në Zvicër prehen eshtrat e tim eti, poetit Vehbi Skënderi, që ka vuajtur i gjallë dhe i vdekur mizoritë e diktaturës dhe të postdiktaturës, të etërve dhe bijve! Do të ishte normale që shoqatat kulturore të vendosnin një buqetë lule në varrin e tij në një ditë lindje apo përvjetor vdekje! Të njëjtën gjë do të duhej të bënin edhe diplomatët shqiptarë nëse do të kishin format Perëndimor, sepse kush do Perëndimin, do kombin e vet dhe poetët  !

E persekutojnë tim atë edhe në varr, por nga parajsa nuk e heqin dot, as ferrin e tyre nuk e shmangin dot!

Mizoria e tyre është e frikëshme, por nuk të frikëson, përkundrazi të mbush me dëshirën për drejtësi dhe sikur thotë Albert Camus vetë ekzistenca ime është një akt rebelimi kundër padrejtësisë!

Ata janë shpërdorues pushteti dhe shkelës të lirisë . Si të tillë i kap ligji. Sepse janë kundër civilizimit, kundër rilindjes së kombit, kundër iluminizmit, humanizmit, shtetit të së drejtës dhe të drejtave themelore të njeriut.

Ata e kanë çuar në gijotinë kriterin e meritokracisë, sepse duke qenë mediokër, e duan gjithçka për vete për gjithmonë dhe asgjë për të tjerë! Por këto privilegje ua jep vetëm shteti antiligjor!

Duke u kthyer tek Panairi i Librit i Diasporës 2019 natyrisht që nuk pranuam të ishim pjesë e skenarëve të pistë, të profiterëve të politikës që nuk i lejon shqiptarët të zgjedhin librat sipas shijes së tyre.

Gjithashtu i ftoj shqiptarët që ta bojkotojnë Panairin e Librit Diaspora 2019 sepse organizuesit kanë përdorur kriterin politik që është përçarës dhe bie ndesh me pluralizmin dhe multikulturalizmin që përfaqëson Zvicra dhe demokracia, ndërsa Pandeli Majkos, këtij politikani parazit që ka 27 vjet që riciklohet por nuk ka arritur kurrë të konvertohet, i bëj ftesë që mos të shkelë në Zvicër se është non grata!

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj-Pandeli Majko- Mos Shkel-ne Zvicer

NISI VITI I RI SHKOLLOR NE SHKOLLEN SHQIPE”ALBA LIFE”

September 15, 2019 by dgreca

NISI VITI I RI SHKOLLOR NE SHKOLLEN SHQIPE”ALBA LIFE”Shkolla Shqipe “Alba Life” “Ambasador i Kombit” në Staten Island filloi vitin shkollor akademik 2019-të–2020-të/

Nga Keze Kozeta Zylo/*

Në Staten Island Shkolla Shqipe “Alba Life” që ka shkolla shqipe pothuajse në të gjitha lagjet e Nju Jorkut, filloi mësimin e gjuhës shqipe për vitin shkollor akademik 2019-të – 2020-të.

Shkolla Shqipe “Alba Life” në Staten Island hyri në vitin e 12–të dhe ka një përvojë të jashtëzakonshme në këtë program të mësimit të gjuhes shqipe pas programit amerikan.  Në këtë ishull të mrekullueshëm me një larmi komunitetesh nga gjithë rruzulli është shumë i rëndësishëm dhe komuniteti shqiptaro amerikan të cilët kanë dekada që kanë emigruar dhe janë integruar plot dinjitet në botën amerikane.  

Ndonëse shumica e nxënësve në Shkollën Shqipe “Alba Life” janë lindur dhe rritur ne Amerike, prindërit e tyre kanë shumë interes që fëmijët, nipërit dhe mbesat mos ta harrojnë kurrë gjuhë shqipe.  Ata i sjellin me një dashuri të pakufishme pranë shkollës, sidomos nxënësit e mëparshëm vinë me shumë dëshirë dhe nuk mund të presin derisa ju vjen e shtuna e gjuhës shqipe.  

Ja më tha një prind, Albana Granica e cila vjen që nga Nju Xhersi, mamaja e Onidës, ajo s’mund të duronte derisa mbërritëm në shkollë.  Ndërkohë nxori nga xhepi i çantës celularin dhe më tregoi vidion rreth vajzës së saj simpatike Onidës se si ajo po qante me ngashërim që pse po vonoheshin për të shkuar në shkollë.  E pashë vidion dhe vërtetë u preka jashtë mase, pasi këta nxënës na japin durim dhe vullnet për ta vazhduar këtë mision pafundësisht. 

Ndërsa gjyshja e re e Ariel Hoxhës, Pranvera, në fillim të shtatorit na mori në telefon pasi mbesa e saj pesë vjeçe i kërkonte që të vinin në shkollën shqipe të shtunën, por faktikisht akoma nuk ishte hapur pasi leja për mjediset e shkollës publike ishte në proces. Familja ime jetoi gjithë ditën me telefonatën e Arielës sepse na dha shumë ngazëllim dhe dashuri për interesimin e saj për të mësuar gjuhën e gjyshëve të saj të mrekullueshëm.

Një gjyshe tjetër më tha se nuk mund ta shpreh dot mirënjohjen ndaj stafit të shkollës Shqipe “Alba Life” se jo vetem që ju mëson me dashuri dhe pasion gjuhën shqipe, por na shpëtuan fëmijët nga I-Pad të cilët ngelen me orë të tëra pa lëvizur duke luajtur lojëra koti… 

I dëgjoja me vëmendjen më të madhe dhe në kokë më endeshin vargjet si: 

Gjeje kohën sikur dhe një orë,

Dhe një  fjalë të vetme mësoi çdo ditë,

Brenda një muaji 30 fjalë do i përdor,

Nga gjuha më e vjetër që sjelle veç dritë…

I solla këto fakte pasi janë fakte reale dhe flasin qartë se sa ndihmuese dhe shërbyese është shkolla shqipe si i vetmi institucion ku mund të mësosh dhe të dëgjosh shqip.

Nxënësit dhe mësuesit takoheshin dhe përqafoheshin me mall me njeri tjetrin, pasi kishin gjithë stinën e Verës pa u takuar.  Nxënësit e rinj i afronin më të vjetrit dhe kështu krijohej një lidhje e florinjtë, një urë bashkuese midis brezave.  

Ceremoninë e fillimit të Shkolles Shqipe “Alba Life” e ka hapur themeluesi dhe drejtuesi i shkollës shqipe z.Qemal Zylo i cili i përshëndeti të gjithë prindërit, nxënësit dhe mësuesit e Shkollës Shqipe “Alba Life” në emër të Bordit të shkollës.  Z.Zylo iu ka uruar mirëseardhjen të gjithë të pranishmëve dhe iu uroi një vit të mbarë.  Ai tha me krenari se midis mësueseve në krahun e tij kishte ftuar dhe stafin e Shkolllës Shqipe në Bronx, që do të hapet nga Shkolla Shqipe “Alba Life”, më 21 shtator, 2019.  Lajmërimi për hapjen e kësaj shkolle u ndërpre nga duartrokitjet çka tregon se sa të etur janë shqiptarët për t’ju mësuar fëmijëve gjuhën shqipe.  Z.Zylo prezantoi koordinatoret e shkollës në Bronx dhe i falënderoi përzemërsisht si Arta Xhaferri, z.Blerim Gjocaj ish luftetar i UÇK-së, pedagogen Majlinda Tafaj si dhe mësuesen Mirvete Krasniqi Veselaj.

Dr.Valbona Zylo Watkins si drejtore e programit të Shkollës Shqipe “Alba Life” dha udhëzimet e nevojshme profesionalisht për prindërit dhe nxënesit ngase prindër, nxënës duhet të koordinojnë punët së bashku për mbarëvajtjen e mësimit të gjuhës shqipe.   

Pas ceremonisë mësueset morën nxenesit per në klasat e tyre dhe vazhduan mësimin normalisht.  

Dita e parë e shkollës Shqipe “Alba Life” ishte një ditë e dielltë si vetë natyra që derdhi tërë shkëlqimin e saj në këtë ditë të shtunë të gjuhës shqipe në ishullin e bukur të rrethuar nga uji blu i Oqeanit, në një lagje të Nju Jorkut në Staten Island.  

Punë të mbarë nxënës dhe mësuese të dashura, kolege të nderuara që ju mësoni nxënësve të Diasporës shqiptaro amerikane gjuhën tonë të shenjtë, Gjuhën Shqipe.

14 shtator, 2019

Staten Island, New York

Filed Under: Featured Tagged With: Keze Zylo-Shkolla Alba Life-Viti Shkollor

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 884
  • 885
  • 886
  • 887
  • 888
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT