Të Shtunën, 14 Shtator 2019, në Vatër u organizua promovimi i librit”KOHA E SHFAROSJES”, shkruar nga Dr. Sokol Paja, me parathënie nga Simon Mirakaj,recencë nga Dr. Paulin Marku, redaktim-korrekturë nga gazetarja:Albina Gjergji.
Veprimtaria promovuese e organizuar nga Vatra tërhoqi vëmendjen e studiuesëve, gazetarëve,që u bënë pjesë e saj.
Promovimin e ka hapë autori i librit, gazetari, studiuesi, ish pedagogu Sokol Paja, i cili ka falenderuar Vatrën dhe kryetarin e saj, për organizimin e promovimit si dhe të gjithë pjesmarërsit, që iu përgjigjën ftesës për t’u bërë pjesë e këtij promovimi.Autori tha se Libri: “Koha e shfarosjes” evidenton sagën horror dhe tregon sesi komunizmi shfarosi kundërshtarët. Libri përshkruan dhe analizon metodat gjakatare sesi komunizmi vrau, persekutoi, përndoqi dhe internoi familjet e mëdha, intelektualët, klerin dhe këdo që kishte pak shkëndija në errësirën komuniste.
Qëllimi i këtij libri, ishte që në fillesë jo vetëm përshkrimi i Sagës së familjes Paja, por mbi të gjitha synonte një skanim të diktaturës, si dhe analiza e detajuar e totalitarizmit shqiptar, tiparet e tij në vitet 1945-1990; ndalimi i veprimtarive fetare, dënimi absurd i klerit, lufta e klasave, makineria e Sigurimit të Shtetit, torturat cnjerëzore ndaj të burgosurëve, shkatërrimi i familjeve nacionaliste, shkelmimi i traditave, media totalitare, njeriu i ri komunist etj.
Kryetari i Vatrës Dritan Mishto, përgëzoi studiuesin Sokol Paja, për të cilin tha se është pjesë e Vatrës dhe evidentoi vlerat e librit “Koha e Shfarosjes”. Për Vatrën, tha z. Mishto, është thelbësore njohja e brezit të ri me krimet e komunizmit. Ai sygjeroi që libri të përkthehet në gjuhën angleze dhe të vihet në dispozicion të shkollave dhe institucioneve amerikane, por mbi të gjitha të shkojë tek brezi i ri.
Studiuesi i Institutit të Historisë Dr. Paulin Marku,recensent i librit, foli me detaje për librin duke e analizuar në të gjithë komponentët.(kumtesën e tij do ta publikojmë të plotë)
Gazetarja Albina Gjergji, korrektorja dhe redaktorja e librit, që e mori fjalën më pas, ndër të tjera tha: “Koha e shfarosjes” është një libër, që të gjithë ne këtu duhet ta lexojmë me vëmendje për arsye se krimet monstruoze komuniste që njohim deri tani nuk janë të vetmet. Shumë të tjera kanë qëndruar në heshtje. E, pikërisht njërën prej tyre na e sjell Sokoli nëpërmjet këtij botimi, ngjarjet e të cilit jam e sigurtë që do ju përfshijnë. Ne duhet të njihemi me çdo krim komunist, çdo ngjarje të parrëfyer deri tani, me persekutimet e padrejta, me dhunën fizike e psikologjike, si dhe me përndjekjen horror që sistemi i diktaturës u ka bërë për shumë vite me radhë njerëzve që mendonin ndryshe. Siç është edhe rasti i familjes PAJA në Malësinë e Madhe, e cila vetëm pse mendonte ndryshe, presioni komunist i dënoi me kalvar të gjatë vuajtjesh.
Në këndvështrimin tim, libri “Koha e shfarosjes” me autor, kolegun dhe mikun, Sokol Paja është padyshim një copëz historie nga e shkuara e shqiptarëve të ndershëm, si dhe një tribut në kujtim të atyre që s’janë më. Në rastin konkret të paraardhësve të autorit, i cili në shenjë mirënjohjeje e shpreh me zë të lartë vlerën e besës, sakrificën dhe rezistencën e gjyshit, kushërinjve, si dhe Prek Pajës, babait të tij.
Për të mos hyrë në detaje, sepse të gjithë ju besoj do ta lexoni librin, mund të them vetëm kaq, që: Prek PAJA, në jetën e tij për fatin e keq nuk jetoi vetëm dhimbjet e prindërve, xhaxhallarëve dhe miqve të tij të ndershëm që pa bërë kurrfarë të keqeje i vranë si të ishin kriminelë, por jetoi edhe persekutimin e pakuptimtë, që atij vetë i bënë ndër vite. Fatkeqësisht edhe në demokraci, kohë e cila duket se i dënoi me harresë.
Dhe, për fund, gjykoj se “Koha e shfarosjes” meriton të renditet në vitrinat e librarive dhe bibliotekave të vendit. Pse jo (në formë sugjerimi) edhe të shpëndahet nëpër gjimnazet shqiptare (apo edhe shkollat shqipe këtu në NY), në mënyrë që të rinjtë të njihen edhe më shumë me padrejtësitë që diktatori Enver Hoxha i bëri njeriut të tij.Suksese Sokol dhe botime të tjera presim nga ty. Pse jo në prozë a poezi, duke qenë se edhe shkruan mjaft bukur në këtë zhanër.
Editori i Diellit, Dalip Greca, në përshëndetjen e tij, uroi autorin e librit për nderimin që u bën paradhësve të vet, por jo vetëm. Libri, tha ai, vjen në kohën e duhur, dhe është detyra jonë për ta cuar tek lexuesit.Ai kërkoi më shumë reagim shoqëror ndaj së keqes që denoncon libri.
Ish kryetari i Malësisë së Malësisë së madhe, Luigj Rakaj, e përgëzoi autorin për librin dhe shprehu konsiderata të larta për familjen Paja si qëndrestare e diktaturës. Ai tha se si shumë shqiptarë të tjerë mbetet i zhgënjyer me demokracinë shqiptare. Ende sot pas 30 vitesh, shqiptarët kërkojnë Europën, duke braktisur vendin.
Pas promovimit në Vatër, autori i librit, Sokolo Paja, i ftoi pjesmarrësit për një koktejl të pasur me pije në “Parisien Cafe'”, lokalin e bashkatdhetarit tonë nga Gjakova, Dervish Jahjaga, ku përshëndeti Asllan Bushati.
Përmes një mesazhi në fb autori i librit Sokol Paja falenderoi Vatrën, Diellin, pjesmarërsit, që u bënë pjesë e këtij promovimi. Ai shkroi se “ky ky takim promovues ishte një përkujtim dhe homazh për të pushkatuarit në komunizëm të cilët ende nuk e kanë një varr, mes tyre dhe gjyshi im Pjetrush Paja i cili u pushkatua prej komunistëve duke humbur jetën dhe gjurmët e vdekjes 54 vite më parë.Lavdi përjetë këtyre njerëzve të jashtëzakonshëm që u sakrifikuan veçse donin një Shqipni të lirë, të bukur e të begatë.”(Korrespondenti i Diellit)