• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Infarkti akut i zemrës, (Acute Myocardial Infarction -AMI)

August 31, 2019 by dgreca

Rubrika e Diellit: Këshilla Mjeksore

Infarkti akut i zemrës, (Acute Myocardial Infarction -AMI)Shkruan: Dr. ZEKRI PALUSHI (MD)*/

Rast konkret:K.D, 59 vjeç, mashkull, vjen për një konsult, i shoqëruar nga gruja e tij. Që në pamje dukej se ishte në dhimbje të forta, prandaj menjëherë e shtrimë në krevatin e vizitës. Ai po ankonte për dhimbje të forta në pjesën e sipërme të barkut (epigastric), që po e shqetësonin gjatë 45 minutave të fundit, ato kishin fillue gjatë ngrënjes së mëngjezit dhe shpejt kishin progresu në një dhimbje të fortë e konstante por nuk ishte shpërndarë. Dhimbja ishte shoqëruar me ndjenja për të vjellur dhe bile njëherë kishte vjellur. Ai tregoj se kurrë më parë s’kishte pas dhimbje si kjo, por herë-pas-here vuante nga “indigestion” që qetsohej pas marrjes së një ilaçi anti-acid. Pacienti dhe gruja e tij shpjeguan që s’kishte pas ndonjë  problem të randësishëm mjeksorë në të shkuarën, dhe s’merrte ndonji mjekim. Kishte pi duhan më përpara por nuk pinte ma.

Gjatë ekzaminimit klinik, vura re se pacienti kishte një lëkurë të zbehtë, të  ftohtë e të djersitun në prekje dhe fliste duke ju marrë pak fryma. Pulsin e kishte të rregullt me 110 rrahje/minutë, dhe tensionin e kishte 125/80 mm Hg, zhurmat e zemrës qenë normale, po k’shtu the aparati i frymëmarrjes. Palpimi i barkut qe normal, pa shenja të një peritoniti, nuk pati ënjtje të kambëve, që flet për një lodhje të zemrës, megjithatë duke pas parasysh gjendjen e keqe të pacientit, dhe pasi klinikisht përjashtova një ulçer stomaku të plasun, apo një pankreatit acut, apo një kolike biliare,  instalova një linjë Intra-Venoze, ndërsa infermjerja po i bante një EKG.

 Duke u bazue në gjendjen aktuale, si dhe në interpertimin e EKG-s, pacienti kishte një bllokim akut të arteries coronare të djathtë, dhe si rezultat i këtij bllokimi,  kishte fillue një infarkti në murin e poshtëm (inferior) të myocardit, (muskuli i zemrës), në të gjithë trashsinë e tij,  (full-thickness).

Kështu pra i fillova një mjekim urgjent dhe thirra Ambulancën, duke e paralajmëruar për diagnozën e Infarktit Acute të Myocardit, po kështu telefonova Urgjencën e Spitalit për tu para-pregatitë për këtë gjendje serioze.

Në spital pacientit ju fillu urgjent THROMBOLITIC terapi  së bashku me mjekime të tjera, dhe një EKG e bame pas përfundimit të thrombolitikut, tregoj se gjakut  në zonën e infarktit kishte ri-fillue  qarkullimin, por mbas 10 minutash Alarmi i Monitorit Kardiak tregoj Tacicardi ventriculare ndërsa pacienti që pa koshiencë. Kështu pra u aplikue urgjent një Goditje Elektrike me 200-300 joules dhe ritmi I zemrës u normalizue.

Në mungesë të ndryshimeve të mëtejshme klinike e kardiografike, në ditën e 9të, pacientit ju ba një EXERCISE STRESS TEST, në kërkim të një evidence të mundëshme të një ishemie kardiake gjatë sforcimit fizik, që rrezultoj POZITIVE, si rrjedhojë, nevoja për një ANGIOGRAFI qe e domosdoshme, e cila në vetëvete tregoi një gradë të naltë stenoze të coronares së djathtë dhe bllokim të coronares së majtë në pjesën zbritëse, si dhe stenozë në coronaren circumflexe, pra ky pacient pati të sëmura 3 degë të coronareve (Triple Vessel Disease), për të cilën, ju desh t’i nënshtrohej një operacioni kirurgjikale, për Triple Coronary Artery Bypass Grafting.

Operacioni qe shumë i suksesshëm, dhe duke pasë parasysh se pacienti s’pati rrisk-faktors (me përjashtim që kishte pi duhan në t’kalumen), nuk qe hypertensive apo diabetic, ju këshillu që të mbante nën kontroll YNDYRNAT në gjak (HYPERLIPDAEMIA), të cilat shtojnë shumë rriskun e zhvillimit ATHEROMES (plaka ateromatoze) në grafte që mund edhe ta bllokojnë.

  ***

Si përfundim:

AMI asht një shkak i zakonshëm i vdekjeve dhe shumica e të cilave vijnë prej fibrilacionit ventricular që janë të shpeshta gjatë një procesi  ishemik. Prandaj asht shumë e randësishme që njerëzit të kenë njohuri rreth shenjave të INFARKTIT.  I sëmuri, sa ma shpejt që t’jetë e mundur, duhet të jetë afër një defibrilatory, për të parandalu vdekjet e papritura. Pas kësaj, jo pak i randësishme asht reduktimi/paksimi i sipërfaqes së myokardit të damtuar si pasoj e paksimit të furrnizimit me oksigjen që ndodh nga bllokimi i arteries koronare. Kjo arrihet në dy rrugë:

 1-Shkrirja e trombit që ri-kthen rrjedhjen e qarkullimit të gjakut në arterien coronare.

Kjo rrugë arrihet nëpërmjet një prej ilaçeve fibrinolitike (shkrirëse të trombit) siç janë Streptokinaza, Tissue Plasminogen Activator (tPA) etj, që në të vëretë asht edhe mjekimi KRYESOR, që bahet në SPITAL; antiplatelet agents si Aspirina, Clopidogrel etj, dhe anti—thrombins si heparina.

Ndërsa coronary angioplasty (PTCA) përdoret për të ri-kthy mekanikisht rrjedhjën e qarkullimit të gjakut. Asht shumë e randësishme me ditë se sa më shpejt të ri-kthehet qarkullimi i gjakut aq ma mirë asht. Për çdo orë vonesë, efekti i mjekimit paksohet, ndërsa përqindja e vdekjeve shtohet.

 2-Paksimin e konsumimit të oksigjenit nga muskuli i zemrës (Myocardi).

Kjoarrihet duke paksue rrahjet e zemrës, Tensionin e gjakut (BP), dhe Presionin e Mbushjes së Zemrës, që arrihen nëpërmjet Beta bllokuesve, Glyceryl trinitrateve dhe ACE inhibitorve, por kjo asht një punë që doktori juaj e diskuton me ju gjatë konsultës, nëse do t’ju bjerë nevoja.

Këshilla për tu mbajt mend:

KURRË mos e neglizhoni një dhimbje të fortë e të zgjatur gjoksi që shpërndahet në qafë,nofull dhe krah, e që shoqërohet me djërsitje, ankth, vështërsi n’frymarrje, e dëshirë për të vjellë, që janë shenjat ma të shpeshta e të zakonshme për AMI, POR ama mos HARRONI se edhe vetëm një dhimbje nofulle, dhimbje në supin e djathtë,  apo vetëm dhimbje barku, (si rasti i pacjentit në diskutim, që kollaj mund të ngatrrohej me keqësimin e një ulçere stomaku), mund të vinë prej një INFARKTI në PROGRES. Po kështu, diabetikët mund të bajnë INFARKT PA DHIMBJE. Ndërsa  të vjetrit mund të bajnë infarct që paraqitet si një Edeme Pulmonare ACUTE, si një ARYTHMI, si një HYPOTENSION (tension i ulët gjaku), apo vetëm si KONFUSION.

Në raste të tilla, THIRRNI URGJENT AMBULANCËN dhe ndërkohë merrni MENJËHERË ASPIRIN 300mg, dhe po të keni CLOPIDOGREL 75mg,-merrni 8 tableta njëherësh (600mg), si dhe TRINITRINË/Nitroglycerine (tablet ose spry), nën gjuhë, çdo 5-10 minuta, (tek disa, mund t’japë dhimbje koke).

Shënim: Në numrin tjetër të gazetës DIELLI do të diskutojmë ‘Goditjen Ishiemike Kalimtare te Trurit’ (TIA)

Gold Coast, Australi, Gusht 2019

Filed Under: Emigracion, Opinion Tagged With: Dr. Zekri Palushi-Infarkti akut i zemres

…harrimi i borxhit

August 31, 2019 by dgreca

…harrimi i borxhit
Astrit Lulushi

Sokrati u bë filozof, kur pranoi se nuk dinte asgjë. Kjo ndodhi gjatë vizitës së tij në Tempullin e Delfit. Atje ai doli fitues në debat me të tjerët dhe Orakulli e shpalli njeriun më të mençur. Sokrati e dinte që nuk dinte asgjë, por çdo person tjetër mendonte se dinte gjithçka dhe kjo është arsyeja pse Sokrati dinte më shumë se ata. Këtë paradoks, Sokrati e menaxhoi me aftësi e shkathtësinë e fjalës dhe mendimit. Argumentet e tij të zgjuara e hutonin kundërshtarin dhe fitonin përkrahjen e dëgjuesve të debatit.
Politika e sotme shqiptare i ngjan një simpoziumi të Sokratit, por, ku secila palë, duke përdorur dinakërinë e shantazhin, përpiqet të fajësojë tjetrën, pa thënë gjë për veten. Sokrati nuk synonte pushtet, ndërsa politikanët shqiptarë bëhen copë për ‘të. Këto 30 vitet e fundit tregojnë se s’mund të gjesh vend më të mirë sesa arka e shtetit për të vjedhur e pasuruar, kur ajo të besoher për ta ruajtur.
Me debatet e tij, Sokratit i mjaftonte të vërtetonte se kundërshtari e kishte gabim dhe jo që ai (Sokrati) kishte të drejtë. Pasi ushtria athinase u mund nga Sparta, kjo e fundit filloi të kontrollojë qytetin përmes Tridhjetë Tiranëve për të shtypur popullin athinas për të shtruar rrugën për epërsinë spartane. Kjo ishte diçka e vështirësi për Sokratin; ai nuk mund të lejonte që spartanë të shtypnin popullin, sepse mendonte se ishte e gabuar moralisht dhe nuk mund të lejonte spartanët të kishin të drejtë, sepse ai nuk lejonte askënd të kishte të drejtë! Ky qëndrim i shkaktoi atij shumë probleme, dhe kur elita e humbi durimin, solli pasoja tragjike, dënimin e tij me vdekje.
“Gjeli është i Asclepius. Mos harroni borxhin”, ishin fjalët e fundit të Sokratit

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi-Harrimi i borxhit

24 MESAZHE NGA ATJON ZHITI, QË SOT DO TË ISHTE 24 VJEÇ…

August 30, 2019 by dgreca

                                Mesazhet e një të riu si gjykime të forta të vetë rinisë. Kritika dhe mençuri,shpresë dhe vizion, guxim dhe dashuri…                                                             Është datëlindja e Atjon V. Zhitit, do të mbushte 24 vjeç sot, Shokët dhe shoqet , të gjithë ata që e kanë njohur, që e kanë lexuar apo i kanë parë pikturat e tij nëpër libra apo albume, që kanë qenë së bashku pjesë e veprimtarive të ndryshme deri dhe në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit “Giffoni” si dhe në Parlamentin Europian Rinor, etj, e kujtojnë me dashuri, me atë dashuri që dhe ai i donte.

          Atjoni u buzëqesh plot dritë të gjithëve nga Qielli tani dhe fjalët e tij të mençura ende emocionojnë dhe thonë shumë.                                                         Ai studionte për Filozofi në Universitetin “Sacro Cuore” në Milano dhe nisi të botojë shkrimet e para. Libri i tij “Për atë që dua(m)” u prit mjaft mirë nga lexuesi dhe u rishtyp duke patur jehonë dhe në media, po kështu dhe ekspozita e tij me piktura në “Universitetin “Polis” në Tiranë. Më pas u botua albumi dy gjuhësh shqip dhe italisht, “Opera Atjon”. Nga esetë e tij janë botuar dhe në rumanisht, po kështu dhe citate në kalendarë, jo vetëm në shqip, por dhe në gjuhët italisht dhe anglisht

          Portreti i Atjonit në pikturë është ekspozuar në një galeri pranë Luvrit në Paris dhe janë dhënë koncerte për violinë dhe piano në Romë.

          “Studenti i përhershëm” e kanë mbiquajtur..

Me emrin “Atjon Zhiti” jepen dy çmime ndërkombëtare, një për jurinë për fëmijë në Festivalit e Filmit “Giffoni” dhe tjetri poetit më të mirë nga “IWA BOGDANI”, shoqata e shkrimtarëve me qendrat në Prishtinë dhe Bruksel.

          Në Tiranë tashmë është pagëzuar dhe “Rruga e Atjonit”.

          Aq sa do të ishte mosha e tij sot, po botojmë 24 thënie të Atjonit, me kumbim të fortë aktual.

TIRANIA:

1- Fasada është e bukur plot shpresë, rrënjët janë të njëjtat, të kalburat…         

2- Në një regjim gati-tiranik nuk është tiranik vetëm ai që është në krye të shtetit.

Shtetari pa shtetasin është një hiç.

3- Tirania nuk është asgjë tjetër veçse një shtet i servilizmit absolut, jo vetëm servilizëm i qytetarit ndaj detektorëve të fuqisë e pasurisë, por është një servilizëm total, servilizëm i arsyes ndaj instinktit dhe ky servilizëm i jashtëm nuk është asgjë tjetër veçse një shprehje e servilizmit të brendshëm.                                                     

4- Vendi ynë që nga rënia e perandorisë romake perëndimore, e cila ndërtoi teatro, anfiteatro, rrugë, tempuj e shkolla, ku kanë studiuar “ars militaris” emra si Cezari e Augusti, vazhdon deri më sot të jetë prehë e depredimeve të barbarëve, prehë e nepotizmit, prehë e korrupsionit, prehë e inkompetencës së burokracisë dhe administratës, është dhe prehë e një demokracie fiktive, shpesh të munguar.

LIDERI:

5- Lideri ka prirje që nën ndikimin e mediatizimit, të bjerë në narcizëm, pra t’i pëlqejë vetja dhe mendimet e tij në mënyrë të atillë që të mos pranojë asnjë dialog me të tjerët, të mos pranojë gabime, të mos tregojë kufijtë e dijes së vet, përballë së cilës nis injoranca e tij.

A nuk mendoni se ky pohim u përshtatet drejtuesve tanë, kur flasin… për ato që vetë nuk i bëjnë dhe nuk flasin për ato që bëjnë?

          KORRUPSIONI:

6- Korrupsioni është një krim ndaj kolektivit, një plagë ndaj të mirave të saj materiale dhe jo. Gjithsesi. Jepet rasti që shoqëria jonë që prej hapjes së tregut të lirë është kthyer në një konglomerat privatësh dhe partikolarësh ku pasioni civil nuk ka zënë rrënjë.                                                                        7- Kuptohet që në këtë habitat korrupsioni është i toleruar, bile i mirëparë edhe nga kush nuk ka asgjë tjetër në dorë përveçse të humbasë.

8- …korrupsioni rrjedh nga fort-e-dashura shoqëria civile: që ka pushtuar botën e sipërmarrjes, të kreditit dhe të informacionit, ka kalbur privatin gati po aq sa gjënë publike.                                                                                       9- Dhe vatra e problemit është politika, sepse e tillë është bërë veshja, por prapë nga vatra mund të vijë ndryshimi, në këtë rreth ku i përbashkët është fillimi dhe fundi.

 PËR “OPININON-IN”                                                      

10- Sot në shoqërinë tonë, tërë jeta e shoqërive, ku mbretërojnë kushtet moderne të prodhimit, prezantohet si një akumulim i madh spektaklesh.

11- Spektakli nuk është më një bashkësi imazhesh, por një raport social që ka imazhin si medium. Realiteti kështu lindte spektaklin dhe spektakli bëhet real.

12- Imazhi është mall dhe malli kështu ngarkohet me imazhe, imazhe spektakolare, të cilat e mbushin mallin plot jetë dhe çojnë konsumatorin e pamundur për shumë në iluzion.

13- Ky mall i kthyer kështu nuk e ka çliruar njeriun nga nevoja, por i ka ushtruar një presion të ri, një kusht të ri, konsumizmin. Në sajë të kthimit të mallit në parësi, malli ngarkohet me alegori e kuptim simbolik. Malli konsumohet me dukjen, nuk duhet më për mbijetesën dhe kështu pra kemi një mbijetesë të mbingarkuar. Akoma më e shterpët se nevoja e mbijetesës.

14- Në shoqërinë tonë është dramatike se si të qenit, zëvendësohet nga dukja.

PËR SHKOLLËN:

15-  …ndjej një antipati për shkollën. Më duken orë të humbura. Mos ma përmend fjalën shkollë. E urrej shkollën dhe librat që na jep për të lexuar…   16- Shkolla ime nuk më stimulon, nuk më mëson gjë të re, nuk mendon në nivelin tim, më fal(ni) për modestinë…

17- …Të bësh mirë ti e di ça dmth, nuk flitet vetëm për nota e sjellje. Flitet për pasion, dëshirë, këmbëngulje, sakrifica ndoshta dhe vuajtje, por pasioni është kryesori.

PËRGJEGJËSIA PËR NDRYSHIMIN:

18- Por ajo çka do të ishte më e dhimbshme, do të ishte nëse shqiptari nuk do të bënte asgjë për të ndryshuar. Duket sikur premtimi i pambajtur e abuzimi i vazhdimtë ndër vite ndaj vetes dhe vendit, i pozitës janë kthyer në rutinë dhe ajo çka është fatale është fakti se si mirësia e integriteti intelektual të duken si risi…                                                                                          

19- Ne i futemi thellë të vërtetës. Sa thjeshtë e zhveshim atë. Preferojmë sinousitetin e elegancën ndaj mbulesës, por në fund del që lëkura lakuriq është më e komplikuar se mbulesa dhe fundi pastaj bëhet i thjeshtë… Por rruga është keq. Ka shumë gropa. Kërkimi është zhveshje.

20- Kur padrejtësia e përgjithshme bëhet rrugë, rezistenca është detyrë.

21- Duhet të ndërgjegjësohemi e së bashku duhet të bëjmë një kryengritje morale, të vazhdimtë…

22- Duhen patur si burim force e njëkohësisht “thembër Akili” vlerat e paqes e të kulturës, mbrojtjen e të drejtave civile e të lirisë dhe mbi të gjitha një shoqëri më e përbashkuar, pa harruar një patriotizëm erudit e jo një nacionalizëm të shterpët që kemi adoptuar dekadat e fundit, tipik i popujve të vegjël.      

LIRIA:

 23- Liria e vendit tim është e para dhe më e çmuara. Po a jemi gati për atë që duam?                             

24 – TË BËSH TË KTHEHEN GJËRAT NË SHËRBIM TË LUMTURISË SË NJERIUT. (Kortezi-Panorama)

Filed Under: ESSE Tagged With: Atjon Zhiti-24 mesazhe-24 Vjec

RECETA PER “DEMOKRACI” NGA JUDA PRESIDENTI “DEMOKRAT”

August 30, 2019 by dgreca

“HERO  I   VRASJEVE  TË  RINISË  NDER  KUFINJ…”/

Shkruan: Nga Fritz RADOVANI/Melbourne-Australi/

1989: RAMIZ ALIA: POROSI NË BYRONË POLITIKE PËR “RILINDJEN”/

“Kurrë nuk do të lejojmë restaurimin e Pushtetit politik të armiqve tanë! Sistemi ynë ka kapitulluar përballë atij Kapitalist, ndaj jemi të detyruar të ndryshojmë strategji.

  1. Në respektimin e të drejtave të njeriut. 2.Në krijimin e pluaralizmit politik..

Kundërshtarët tanë do t’i nxisim që të krijojnë parti sa të duan të majta e të djathta dhe të qendrës, por gjithësesi këto parti duhet të kontrollohen e të drejtohen nga Ne. Në krye të këtyre partive, duhet të nxirren njerëz që të përkrahin strategjinë tonë. Partia që do të marrë pushtetin, do të shajë komunizmin në themel e në çati. Në këtë mënyrë do të fitojmë simpatinë e Perëndimit dhe të Disidencës antikomuniste. Ne na intereson karta morale e tyre. Këta do t’i afrojmë dhe do t’u japim punë të parendësishme; por kurrë nuk do t’i lëmë të na marrin pushtetin…Të sekuestruarve dhe të shpronsuarëve do t’u japim nga një letër në dorë që t’u njihet prona, por asnjëherë nuk do t’u japim pronën e tyre dhe në forma të ndryshme do t’i ngatërrojmë me njeri-tjetrin… Të burgosurit dhe të persekutuarit janë të moshuar, nuk kanë fuqi dhe janë të parrezikshëm. Por këta duke iu dhënë nga një pashaportë dhe duke iu bërë presion, do t’i largojmë nga Shqipëria. Pasuria e tyre na përket neve sepse ne e bëmë. Ne kemi kuadro sa për shtatë Komitete Qendrore… Ne komunistët reformatorë, do të zbatojmë strategjinë tonë në ekonomi, sipas së cilës kapitalistët dhe pronarët e ardhshëm në një vend socialist, të jemi Ne dhe njerëzit tanë. Me këtë strategji, brenda dy-tre legjisaturash, do të arrjmë që nga klasa komuniste të krijojmë klasën kapitaliste, e cila do të na përjetësoi në pushtetin politik të së ardhmës, që e kemi planifikuar dhe po e përgatisim vetë. Të jeni të sigurtë që e ardhmja do të jetë e jona… Kurrë nuk do të lejojmë restaurimin e pushtetit politik të armiqve tanë. E ardhmja e fëmijëve tanë do të jetë e mrekullueshme, për këtë kemi derdhur kaq gjak dhe do të derdhim përsëri po të jetë nevoja. Shqipërinë do ta gëzojmë Ne dhe fëmijët tanë. Prandaj gjithmonë të jemi të përgatitur për të dyja rruget e mbajtjes së pushtetit: Rrugen paqsore dhe rrugen e luftës së armatosur. Për këtë kemi organet tona të dhunës dhe njerëzit tepër të vendosur që i kemi përgatitur gjithë këto vite me mund e sakrifica. Mjerë ata që do të guxojnë të na dalin përpara e të na kundërvihen. Nëse lind nevoja do të kemi edhe mbështetjen e aleatëve të jashtëm ideologjk në pushtet, të cilët nuk është nevoja t’ua përmend.

Përveç alealëve ideologjikë, nëse do të jetë nevoja, do të kemi edhe mbështetjen e aleatëve të Perëndimit, me të cilët kemi ruajtur fijet e lidhjeve të vjetra për hir të interesave të mëdha. Shoku Enver dhe unë, i kemi ruajtur këto lidhje të domosdoshme dhe jetike, që në fund të fundit, garantonin pushtetin tonë popullor, të cilin do ta mbajmë si sytë e ballit edhe tani edhe në të ardhmen dhe përgjithmonë, pavaresisht nga rrethanat e vështira aktuale, ndaj sido që të rrokullisen punët, ujët do të rrjedhë në mullirin tonë. Për këte jeni të garantuar sot e përgjithmonë.

Mbajeni mend: Fitorja dhe pushteti do të jenë përjetësisht tona!..”

***

30 VJET Asht mirë me ua rikujtue Rinisë Shqiptare disa nga porostë e Ramiz Alisë:

Ky pra, ishte presidenti i parë terrorist i “demokracisë” në Shqipni, një vrasës tinzar në   1945 në Masakren e Tivarit, dhe prap në “Revolucionin Kultural 1967” në Shkoder…

1989: Ma në fund edhe surrati i vertetë i Judës së “Demokracisë vrastare Ramizjane!”:

Fraza ma aktuale per rrezikun e Trojeve Shqiptare dhe të Dardanisë së Lirë,  sot asht kjo: “Përveç aleatëve ideologjikë, nëse do të jetë nevoja, do të kemi edhe mbështetjen e aleatëve të Perëndimit, me të cilët kemi ruajtur fijet e lidhjeve të vjetra për hir të interesave të mëdha.” Gjithshka në perputhje sot me “Veprat e qeveritarve të shartuem!”

Kjo asht “Rilindja” e tiranve e thanun me gojen e Judës plot gjak, helm e vnerë e pabesi.

Gjithshka asht perpjekje per me skllavnue deri në zhdukje të mjerin Popull Shqiptar!..

Shqiptarë! Trokitni tek Ambasadorja e Re Amerikane zj. KIM…

E vetmja Derë Shpetimi asht Ajo në SHBA, me Emnin e Presidentit D. TRUMP !

            Melbourne, 30 Gusht 2019.

Filed Under: Analiza Tagged With: Fritz Radovani-Ramiz Alia- Juda

MIKU I MADH I SHQIPTARËVE, DIPLOMATI HERMAN BERNSTEIN

August 30, 2019 by dgreca

Opinion rreth librit monografik të autorit Mal Berisha /

NGA SHPENDI TOPOLLAJ/

E lexoja librin e diplomatit Mal Berisha për një tjetër diplomat, madje edhe të një tjetër kohe, Herman Bernstein, dhe më sillej nëpër mendje ajo shakaja e Henri Kizingerit, kur thosh se: “Më telefonoi  ministri i Punëve të Jashtme të Amerikës Heig dhe më ngarkoi me misionin t`u shpjegoj politikën e jashtme të qeverisë sonë kinezëve, secilit më vete”. Natyrisht që ky nobelist që afroi politikisht vendin e tij me Kinën dhe Vietnamin e dinte më mirë se kushdo, se detyra e një diplomati, e ca më shumë ajo e një ambasadori, është nga më të vështirat dhe më seriozet. Është njëkohësisht një detyrë që përveç ndershmërisë, kërkon edhe vlera të veçanta intelektuale dhe sidomos përkushtim. Duke i pasur këto cilësi si rrallë kush, brenda frakut të tij diplomatik, ish konsulli ynë i Përgjithshëm në Stamboll dhe më pas si ambasador në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut dhe në Irlandë, Mal Berisha, në morinë e librave të tij mjaft të mirëpritur, kësaj here ka zgjedhur të trajtojë një figurë emblematike, por paradoksalisht, pak të njohur, si ajo e amerikano – hebreut Bernsteinit, i cili nga periudha 1930 deri në vitin 1933 kreu detyrën e ambasadorit të SH.B.A. – ës në Shqipërinë e mbretërimit të A. Zogut. Shekspiri diku ka thënë se: “Jeta është e shkurtër, por e vërteta rron shumë dhe arrin larg”. Dhe ja tek e kemi kaq pranë dhe kaq të qelibartë (siç e thotë ky mbiemër), veprën e një miku të shquar si ky njeri, i cili kur u largua nga vendi ynë meritoi dekoratën më të lartë “Kordoni e Madh të Urdhrit të Skënderbeut” dhe cilësimin nga shtypi i kohës si “…një prej pionierëve të botës së re.” Është shumë domethënëse e vërteta historike se gati të gjithë vizitorët që kanë ardhur në Shqipëri, jo vetëm janë mrekulluar nga bukuritë natyrore dhe mikpritja e popullit tonë tejet të varfër, por dhe janë dashuruar me Shqipërinë dhe janë bërë apologjetë të çështjes tonë kombëtare. Ne u detyrohemi shumë atyre. Dhe këtë bën edhe autori Mal Berisha me librin e tij, i cili nuk përqendrohet vetëm te vitet e protagonistit në Tiranë, por rrok gati gjithë veprimtarinë e tij si poet, prozator, publicist, përkthyes, gazetar, politikan, atdhetar e mik influent i shumë e shumë personaliteteve që ndikuan në historinë botërore, duke na e dhënë të plotë portetin e tij. Vetëm kështu mund të kuptohet sesa rëndësi i vinin vendit tonë, dhe sa respekt kishin për popullin tonë, presidentët e nderuar të Amerikës si Roosevelt, Wilson dhe Hoover, për të vazhduar deri në ditët tona. Janë disa momente që do të shërbejnë përjetësisht si gur themeli në miqësinë me SH.B.A. – në, si ajo deklarata e Presidentit Wilson në Konferencën e Paqes në Paris më 1919 – tën, për moslejimin e coptimit të vendit tonë, vendosja e marrëdhënieve diplomatike, ndihma për çeljen e shkollave emërmëdha, përkrahja e luftës nacional – çlirimtare, trajtimi mëse njerëzor i emigrantëve tanë në Amerikë, ndriçimi i mendjeve të shqiptarëve për rrezikun komunist, ardhja e zotit Bejker pas shembjes së diktaturës, më 23 qershor të vitit 1991, vizita e presidentit George W. Bush, pas të cilës u anëtarësuam në NATO, ndërhyrja ushtarake për çlirimin e Kosovës nga barbaria serbe e Millosheviçit etj. etj. Kur Bernsteini mbërriti në Shqipëri, situata ekonomike, politike e sociale ishte aspak e mirë. Por ai ishte i prirur ta gjente të mirën dhe të bukurën edhe duke parë nga dritarja e selisë së tij. E përshkruan atë me  një romantizëm të ëmbël, e quan atë pamje magjepsëse dhe të çuditshme, tek e cila sheh një peizazh të jetës shqiptare me tërë format dhe ngjyrat e saj të larmishme. Ai ua përshkruan lexuesve amerikanë, që s`kanë asnjë dijeni për këtë vend e këta njerëz, me shumë ngrohtësi dhe me besim se shumë shpejt do të bëhet i zhvilluar si tërë popujt e qytetëruar të Evropës. Ai i fton ata ta vizitojnë këtë vend pa konflikte fetare, se po u vonuan, do humbasin shumë. Duhet ta njohin mikpritjen proverbiale dhe kostumet e bukura e të habitshme. U thotë atyre që të shpejtojnë se shumë nga magjia e këtij vendi po zhduket, pasi po hyn e reja e jetës moderne. Dhe është po ky mik i yni që teksa kërkon nga qeveria e tij ndihmë për arsimin dhe bujqësinë tonë, me shumë dashuri i drejtohet në një relacion presidentit të tij me këto fjalë: “Shqiptarët janë njerëz të tillë që më mirë vdesin, sesa të kërkojnë, më mirë mbarojnë në dëshpërimin e vet, sesa të qahen… Ata janë popull tragjik, por një racë heroike…” Dua të besoj se edhe vetë udhëheqësit shqiptarë, nuk mund të flisnin më me entuziazëm për popullin e tyre. Ky ambasador i njihte mirë dhe kurrë nuk i kapërcente detyrat e tij. Mal Berisha, ky shqiptar i kulluar, dhe me kulturë superiore, ka hulumtuar gjatë rreth kësaj figure kaq interesante dhe ka gjetur mjaft materiale nëpër arkiva që tregojnë se Herman Bernsteini ishte një mbrojtës i palëkundur i aspiratave tona për liri e pavarësi. Vlen të theksohet qëndrimi i tij ndaj çdo lloj synimi për ta pushtuar, shfrytëzuar apo për të përfituar nga mundësitë që Shqipëria kishte. Ai, mban qëndrim tepër të drejtë dhe demaskues, veçanërisht ndaj planeve djallëzore të Musolinit. Ai në tërësi, e shpall dyshimin e tij për tendencat aneksioniste të fashizmit dhe të Hitlerit, aventurat e të cilëve do ta çojnë botën në një luftë tjetër botërore. Mesa duket të çmendurit e Evropës, ende nuk kanë nxjerrë mësime nga kasaphana e Luftës së Parë Botërore. Edhe diplomatët italianë e ndjekin si hije çdo lëvizje dhe çdo qëndrim të tijin. Mali, na i ka dhënë në ligjeratë të drejtë, raportimet e tyre për këtë ambasador që ata e quajnë të shqiptarizuar dukshëm në çdo veprim të tijin. Madje, aq sa i gëzohen largimit të tij, aq edhe i tremben faktit se ai duke qenë me ato talente, pra me botime librash, artikujsh, novelash dhe mundësi politike, do të vazhdojë të përkrahë këtë vend dhe të mbështesë me këshillat e tij si shpëtimtar mbretin Zog. E për më tepër, sipas tyre, ky njeri që hapi shkollën teknike, dhe atë të Golemit e Kavajës, ka mundësi të sjellë edhe ndihma të qenësishme ekonomike. Kapitull më vete në libër, autori i kushton marrëdhënieve të sinqerta dhe mjaft të përzemërta me vetë mbretin. Për më tepër, ai nuk mjaftohet me vlerësimet dhe largpamësinë e këtij burri shteti, por edhe i kërkon dhe shkruan të parën biografi të tij. Sa baltë e helm është hedhur mbi figurën e A. Zogut nga komunistët. Por si ka mundësi që një burrë kaq inteligjent, një njohës i shkëlqyer i historisë, një diplomat me përvojë, një njeri i lirë në mendime, një njeri që nuk i kursen kritikat për askënd, flet për të me aq konsideratë? Mbi të gjitha, ai vëren një mprehtësi mjaft hollë në vështrimin e problemeve si me fqinjët, ashtu edhe kur diskutohen farsa ndërkombëtare. Është me mjaft domethënie vetëm analiza që A. Zogu i bën propozimit Briand për parandalimin e militarizimit dhe për pasojë edhe të vetë Luftës së Dytë Botërore. Ja si shprehet Zogu në bisedë me ambasadorin: “Unë kam vënë re se në këto konferenca problemet më të vështira janë ato që mbeten për t`u zgjidhur në mbledhjen e ardhshme e kështu me radhë dhe pastaj fillon akumulimi i problemeve dhe brengave më të vështira, të cilat nuk mund të zgjidhen dhe as të rregullohen, pasi vërtetë që aty nuk ka dëshira për t`i zgjidhur ato dhe për shkak se secili prej burrështetasve që shkojnë në ato konferenca është i përkushtuar t`i zgjidhë këto probleme sipas interesave të tij dhe jo nga pozicioni i mbarëvajtjes së përgjithshme. Kjo është arsyeja përse unë mendoj se shtetet e Bashkuara të Evropës, siç i propozon Briandi, do të mbeten vetëm një ëndërr boshe, një gjest madhështor, i ndërmarrë me qëllim që Franca, kur të vijë ajo ditë, të realizojë përpjekjet e saj për të bashkuar Evropën, me qëllim që të sjellë paqen.” Asnjëherë H. Bernstein nuk harron të theksojë se shqiptarët janë pasardhës të Skënderbeut, dhe që edhe sot e kësaj dite ata vishen me të zeza për vdekjen e këtij heroi të papërsëritshëm. Ai thekson se për të, në vitin 1873 ka shkruar edhe vetë poeti amerikan, pedagogu i Harvardit Henri Uodsuërth Longfellou: “Ti dorën nuk e zgjate drejt skeptrit njollagjak, / As i trishtë nuk kërkove të shprishurën kurorë, / Përballë i dole që vetë të merrje hak, / Ndaj atij tirani djemrrëmbyes e idhnak, / Që dheun tënd kishte shtënë në dorë.”  Mal Berisha vë në dukje se qëllimi i shkruarjes së këtij libri ka qenë të ndërthurrë tri shtete, pra tre popuj, që kupton veç atij shqiptar dhe amerikan edhe popullin hebre që aso kohe kishte mjaft probleme, pasi jo vetëm luftohej paturpësisht, por edhe bënte përpjekje të jashtëzakonshme për t`u organizuar si gjithë shtetet e popujt e tjerë të botës. Kjo popullsi semitike me Abrahamin në krye, ishte vendosur në Palestinë tetëmbëdhjetë shekuj para lindje së Krishtit dhe ende persekutohej e përndiqej. Kishte ardhur koha që vepra e Mojsiut për bashkimin dhe organizimin e tyre të përsëritej. Herman Bernstein vërtetë ka lindur më 21 shtator të vitit 1876 në Vladislavov të Lituanisë dhe ka gjetur atdheun e tij të dytë qysh nga mosha gjashtë vjeçare në Amerikë, por e di mirë fatin e trishtë të popullit të tij, dhe bën çmos të japë ndihmesën e vet. Dhe ka të drejtë që ndihet krenar se është pasardhës i atij populli sa të zgjuar aq edhe trim. Lexoja pasazhet e këtij libri, kushtuar si mbrojtjes nga shqiptarët dhe qeveria e tij kur nazistët me shokë i terrorizonin, ashtu edhe veprës së Bernsteinit në favor të tyre dhe më kujtohej ajo që na sjell historiani Jozef, kur tregon për ngjarjen e Masadës. Konsulli romak Flaviusi në krye të 8 – 9.000 mijë ushtarëve e rrethon kështjellën në kodër ku ishin 960 banorë hebrej, nga të cilët vetëm 200 ishin ushtarë. Duke e ditur se ata do të luftonin deri në fund, romakët ngritën dheun gjashtëdhjetë metra me qëllim që të mundësonin përdorimin e dashit për të shpartalluan portën e kështjellës. Kur e panë se nuk kishin shpëtim, për të mos u turpëruar duke u dorëzuar, hebrejtë vendosën të vdisnin; ndaj dhjetë prej tyre i vranë ushtarët e shtrirë para grave dhe fëmijëve, pastaj si shtinë shortin, njëri vrau nëntë të tjerët dhe veten e tij. Thuhet se vetëm dy gra shpëtuan gjallë, duke ikur me gjithë fëmijë, nëpër kanalet e ujësjellësit poshtë pallatit, si për të treguar heroizmin që kishte ndodhur. Edhe ne shqiptarër duhet të ndjehemi mirë për gjithë sa bëmë për ta, dhe që kjo vepër u njoh dhe u propagandua nga vetë Bernsteini. Sië e përmenda më sipër, mendoj se ka qenë një zgjidhje mjaft e mirë që autori M. Berisha ka përfshirë diçka nga krijimtaria, intervista dhe korrespondenca e Bernsteinit, pasi kjo e plotëson rëndesën që figura e tij kishte. Ndofta nuk është vendi të ndalemi posaçërisht në të, por duhet theksuar se ai qe një shkrimtar i mirëfilltë, që nuk e ndau detyrën si diplomat nga taleni letrar e gazetarsk, por duhet vënë në dukje se gjithçka ai shkroi që nga Ajnshtaini, Drajzeri, Weizmani, Cecili, Trocki, Papa Benedikti XV – të, Moisiu, Andrejevi, Rodeni, Ellisi, Bergsoni, Meçnikovi, Show, e deri te Leon Tolstoi, pa folur për të tjerë, më kujtojnë atë që dikush thosh për markezin e akuzuar si zhirondin Mari Zhan Antuan Kondorse: “Dashuria për njerëzimin gjallon dhe zbukuron çdo faqe të shkrimeve të tij”. Dhe jam i lumtur që këtë e konstatoj edhe te diplomati dhe njeriu i mrekullueshëm dhe tepër i ditur, modesti Mal Berisha, që jep shembullin sesi duhen nderuar të gjithë ata që bënë sa mundën për Shqipërinë dhe shqiptarët.    

Filed Under: Politike Tagged With: Shpend Topallaj- Ambasadori Herman Bernstein-Mal berisha

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 899
  • 900
  • 901
  • 902
  • 903
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT