• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Çka i tha dhe çka kërkoi Aqif Blyta nga gjenerali Eberhardt?

August 13, 2019 by dgreca

Në vitin 1941, kur u bë aneksimi i Kosovës dhe trojeve e tjera shqiptare me Shqipërinë, u bë ndezja e ndjenjave atdhetare. Pas kapitullimit të Jugosllavisë, patriotët shqiptarë shfaqën tendenca të hapura kombëtare. Në fillim të majit të vitit 1941, shumë atdhetarë nga Kosova që jetonin në Tiranë, Krujë, Shkodër, Durrës, Fier etj., u kthyen në vendlindjet e tyre. Në Mitrovicë erdhën Bedri  Pejani, kryetar i Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës, Rexhep Mitrovica, ish ministër i Arsimit të Shqipërisë (1921-1924), Xhelal Mitrovica, gazetar, Bedri  Gjinaj etj. 

Shkruan: Ismet Azizi

Edhe pse nën pushtimin gjerman, shqiptarët e Prefekturës së Mitrovicës (Vushtrri, Podujevë, Mitrovicë e Pazar i Ri) e shihnin, të thuash, të realizuar idealin madhor. Organet e pushtetit në prefekturën e Mitrovicës ngritën administratën shqiptare dhe u angazhuan me ngulm për rimëkëmbjen e segmenteve të ndryshme të jetës në këtë hapësirë, ku vendin kryesor e zuri arsimi. 

Forca ushtarake e Gjermanisë gjatë ditëve të para, së bashku me krijimin e qendrave komanduese, filloi të zgjidhë edhe çështjen e administratës civile. Kështu, komandanti i Divizionit 60 të motorizuar, gjenerali Eberhardt, me të shpejtë e thërret një tubim të krerëve shqiptarë më 21 prill të vitit 1941, në Mitrovicë në sallën e hotelit “Jadran”. Në këtë tubim morën pjesë përfaqësuesit e Kosovës, Pazarit të Ri dhe Senicës, edhe ata nga Mitrovica: Xhafer Deva, për Senicë: Omer Qiniq dhe Emin Çerkez, për Pazar të Ri: Aqif Blyta dhe Ahmed Daci. Në këtë takim Aqif Blyta i drejtohet gjeneralit Eberhart me këto fjalë: “Zotëri Gjeneral, ne jemi një popull shumë i vjetër që jemi mësuar të pranojmë në këtë tokë jallane shumë kalimtarë. Ne për libër të shenjtë e kemi kuranin (përkthen Xhafer Deva). Zotëri gjeneral, në fund të Kuranit shkruan se Zoti i madhnueshëm betohet në kohën. E ne, kemi humbur shumë kohë e mote në vuajtje dhe mjerim ekonomik. Unë jam nga Sanxhaku. Populli atje e mban në mend kur ajo trevë frymonte e tëra në plisa. Por, më 1912 e këndej çështja e plisit ishte tragjedia më e madhe për një popull nëse vendoste për ta mbajtur. Ka pasur raste kur vojvodët serbo – malazezë, janë kërcënuar se lumenjtë do të bartin vetëm koka dhe plisa të shqiptarëve me muaj të tërë. Kjo do të thotë se pushteti i Serbiano – malazezëve gjithmonë ka provuar të na shfarosë. 

Ne, zotëri oficer, më 1919 në Shkup e kemi pas themeluar një organizatë që quhej Xhemjet. …. ne kemi pasur qenë të detyruar që organin tonë ta quajmë “Hak” që do të thotë “Drejtësi”, ndërsa Xhemjet do të thotë “Bashkim” …Pushteti e ka lejuar Këtë parti me emër turk, për të propaganduar se “ja këta janë turq, organizatat dhe organizimin gazetaresk e kanë në turqishte dhe një ditë duhet të shkojnë kah kanë ardhur”. Kjo politikë shfarosëse është drejtuar në trojet tona me zjarr, pushkë, topa, tatime, grabitje të pronave tona, mos lejim që të shkollohemi në gjuhen tonë e brutalitete tjera që nuk kanë qenë të papërdorura edhe në regjimin e sulltanëve, sepse shqiptarët ishin liridashës, pro, edhe kryengritës pa pushim. Unë me shumë patriotë tjerë, prej tyre kemi kërkuar asgjë më tepër se të na lejohet edhe neve të drejta ashtu si u lejohen hungarezëve dhe gjermanëve në Vojvodinë. Ne tani zotëri, oficeri im i lartë i Rajhut, kërkojmë të na lejohet ta legalizojmë KMKK. Duam sepse kjo parti politike e Kosovës do të hapë së pari shkolla, do të organizojë administratë shqipe nëpër prefektura dhe nënprefektura. Ne duam që organi i KMKK “Populli” të na lejohet. Nëse ky emër nuk lejohet, atëherë ne kërkojmë që të na lejohet një emër zëdhënëse (gazetë ) me emrin “Kosova”. (Të gjithë ngritën në këmbë duke iu drejtuar Aqifit:) “Të lumtë goja shkëlqesi” 

Ne zotëri kemi vuajtur shumë nën robërinë osmane dhe serbiane. Tani jemi në pozitë që me ndihmën tuaj ta shkurtojmë kohën, duke hapur shkolla,   duke ndërtuar rrugë e duke i lidhur krahinat tona të izoluara në mes veti me rrugë, ura e sidomos me telefoni moderne. E Ferhat Begu këtu nuk është, por me të dëgjuar se Ju jeni dakorduar që t’i dëgjoni hallet tona, ky gjest fisnik flet për mundësinë që t’i përvishemi punës dhe vendin ta nxjerrim nga prapambeturia ekonomike, që nga toka jonë e ëmbël të nxjerrim bukë dhe të gjitha të mirat tjera materiale. Ne, zotëri oficer, zanatet nuk i kemi të huaja, por i kemi kultivuar brez pas brezi për të pasur mjete të punës që na nevojitën. Dhe e përgëzoj zotëri Hoxhë Visokën që e hapi çështjen e librave. Por më duhet të them se Bajaram Ajvazi është një tregtar nga Llapi që ka sjellë libra tinëzisht në këto troje nga viti 1927. Ai së bashku me Ibrahim Gjakovën, Asim Luzhën e shumë atdhetarë tjerë më 1927, i patën sjellë 57 libra shqip, për nevoja të çunave tanë. Por ato libra gjithmonë kanë qenë në ilegalitet të përdorura.

 Ne tani në popull e kemi një bindje se ardhja e juaj na ka shpëtuar se për ndryshe do të ishim sipas Konventës të detyruar të shpërngulemi në Anadolli, ku popull i jonë atë klimë nuk e duron dot, sepse është klimë moçalike dhe shumë infektive. Prandaj, kërkojmë që pushteti të funksionojë në gjuhën shqipe dhe të krijojmë një kulturë shtetërore administrative në të gjitha fushat e jetës. Ne kemi administratorë që gjatë viteve 1918-1941 kanë qenë të detyruar të emigrojnë në Shqipëri, dhe ata si intelektual janë cilësi e mirë që të fillojmë shkollimin dhe administratën shqipe në trojet tona. 

Tani zotëri oficer i lartë i Rajhut, po ju dëftoj se si Serbia e ka likuiduar parinë tonë politike në kontinuitet: Më 1902, likuidohet Haxhi Zeka në Pejë; më 1913 likuidohet At Pali në rrethinën e Prizrenit; më 1915295 likuidohet Isa Boletini në Podgoricë; më 1920 likuidohet paria shqiptare e prefekturave; më 1923 likuidohet Mulla Ahmet Shtimja, më 1924 likuidohet Azem Galica; më 1925 likuidohet Bajram Curri, më 1927/8 likuidohet Nazim Gafurri, më 1929 likuidohet Shtjefen Gjeçovi (prift shqiptar), më 1927, 1929 dhe 1931, provohet me atentat të më likuidojnë mua, më 1931 likuidohet Millan Shuflaji në Zagreb një historian, mik i kombit shqiptar. Më 1933 likuidohet me hjekësi në Selanik prijësi ynë kombëtar Hasan Prishtina, më 1935 tentim likuidimi të Hoxhë Brexhnicës, më 1937 tentim likuidimi i Beqir Vocës dhe tentim likuidimi për mua, më 1939 tentim likuidimi për Feta Dragën, dhe më 1941, likuidimi i Beqir Vocës, vetëm pse kundërshtoi depërtimin e shqiptarëve në Anadoll në Skupshtinën e Jugosllavisë. Dhe, nëse keni ardhur zotëri me qëllim që të ndihmoni këtë popull të shtypur, ne jemi të gatshëm ta përqafojmë ndihmën dhe t’u jemi mirënjohës. Por nëse i toleroni bandat serbiane me flamujt e tyre të përgjakur, atëherë ne jemi në anën e kundërt të frontit të kësaj lufte të përbotshme. 

Tani jemi këtu dhe duam ta vazhdojmë jetën e lirë, por si komb kërkojmë të jemi të bashkuar, pra jo një pjesë nën administrimin tuaj e një pjesë nën administrimin e Mbretërisë Italiane. Ne duam të jetojmë të gjithë shqiptarët në një shtet etnik. (Ia dorëzon Eberhartit një hartë linguistike deri ku shtrihet kufijtë e Shqipërisë, hartë kjo e projektuar nga Instituti Etnografik i Berlinit më 1876. Ia dorëzon hartën gjeneralit) dhe përfundon me: Rroftë Shqipëria Etnike, Rroftë Flamuri i Skenderbeut296. Takimi në fjalë dha shumë rezultate pozitive për shqiptarët. Por,edhe pse shqiptarët e këtij mjedisi gëzonin një liri shumë të gjerë në krahasim me kohën midis dy luftërave botërore, ata, megjithatë, ishin të pakënaqur me faktin se Prefektura e Mitrovicës (Mitrovica, Vushtrria, Podujeva e Pazari i Ri) iu nda trungut kombëtar dhe iu bashkua Serbisë. Kështu, disa nacionalistë dhe intelektualë shqiptarë organizuan tubime të mëdha popullore në Mitrovicë, Podujevë, Vushtrri e Pazar të Ri, në të cilat ngritën zërin dhe kërkuan me këmbëngulje që të bashkohen me Shqipërinë.” 

Krahas angazhimit në drejtim të organizimit të procesit mësimor e hapjes së shkollave në gjuhën shqipe, u shtrua nevoja e një mobilizimi, të thuash, të përgjithshëm për mbrojtjen e kufirit verior dhe të popullatës shqiptare në shumë fshatra atje për shkak të rrezikut që i kanosej nga sulmet e forcave çetnike. Ideja për organizimin e forcave të rregullta mbrojtëse mbështetej njëzëri nga atdhetarët e intelektualët, si: Xhafer Deva, Ago Agaj, Rexhep Mitrovica, Bedri Pejanie të tjerë. Gjatë vitit 1941, shqiptarët më eminentë në Mitrovicë, si: Xhafer Deva, Ferhat Draga, Pajazit Boletini, Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica e atdhetarë të tjerë që kishin qenë rreth “Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës”, në gusht të vitit 1941, morën iniciativën për themelimin e një organizate në Mitrovicë, të cilën e pagëzuan me emrin ”Lidhja Popullore Shqiptare”. Kryetar i parë ishte zgjedhur Rexhep Mitrovica, nënkryetar Bedri Pejani, sekretar Xhelal Mitrovica, ndërsa anëtarë të kryesisë ishin: Xhafer Deva, Ali Draga, Pajazit Boletini dhe Shaban Mustafa. Ndër veprimtarët e dalluar ishin edhe Aqif Blyta, Ahmet Daci, Ibrahim Lutfiu, Pajazit Boletini, Jusuf Gradica, e shumë të tjerë. 

Roli i kësaj organizate ishte thjeshtë kombëtar e patriotik. Udhëheqësit kërkonin t’i bashkonin shqiptarët në një shtet unik kombëtar. Fill pas themelimit të “Lidhjes Popullore Shqiptare”, u formua Organizata e Rinisë në krye të së cilës u emërua Bedri Ibrahim Gjinaj. Pos tij, në udhëheqje të rinisë u zgjodhën edhe Ali Gaxha, Lina Shkreli, Melihate Deva, Abdyl Zhubi, Salih Bilalli, Kemajl Mujka, Zehra Zhubi, Rexhep Rexha etj. Mitrovica ishte qendra e kësaj organizate të rëndësishme, e cila ndihmoi shumë në formimin e pushtetit vendor që shikohej në unitet me zhvillimet në shtetin amë, pra në Shqipëri. “Lidhja Popullore Shqiptare” që në fillim e kanalizoi veprimtarinë e vet patriotike në dy drejtime:

 a) të hapë sa më shumë shkolla në gjuhën shqipe, të arsimojë popullin, sidomos rininë e për të zgjuar në rend të parë ndërgjegjen kombëtare; dhe 

 b) të krijojë degët e veta që do të vepronin në rrethin e Mitrovicës, Vushtrrisë, Podujevës dhe Pazarit të Ri për të propaganduar që Qarku i Mitrovicës t’i bashkohet patjetër Shqipërisë

Pra, si në programin e “Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës”, ashtu edhe në atë të “Lidhjes Popullore Shqiptare” në rend të parë theksohej qëllimi dhe strategjia për bashkimin e të gjitha trojeve etnike. Vetëm me bashkimin e trojeve etnike mund të shpëtojë kombi shqiptar dhe kultura kombëtare e tij. 

Në një mbledhje të rëndësishme u bënë riemërime, ku kryetar i “Lidhjes Popullore Shqiptare” u zgjodh Ali Draga, ndërsa sekretar Vehbi Frashëri. 

Në vitin 1941, Rexhep Krasniqi emërohet komisar i lartë i shkollave shqipe në Kosovë. Pas formimit të Misionit Arsimor, Dr. Rexhep Krasniqi, bashkë me anëtarët e Misionit Arsimor të Mitrovicës, vizitoi gati të gjitha vendbanimet e Qarkut të Mitrovicës dhe të nënprefekturave: Vushtrrisë, Podujevës dhe Pazarit të Ri. Pasi mori numrin e përgjithshëm të nxënësve dhe konstatoi gjendjen e objekteve shkollore, propozoi numrin e shkollave, të paraleleve si dhe të mësuesve që do të nevojiteshin. Në Qarkun e Nënprefekturës së Mitrovicës në vitin shkollor 1941/42, parashihej hapja e gjithsej 48 shkollave fillore shqipe, për të cilat nevojiteshin 104 mësues.

Filed Under: Histori Tagged With: Ismet Hazizi- Asif Mbyta-Gjeneral Emberhart

Kosova në prag të zgjedhjeve

August 13, 2019 by dgreca

Kosova në prag të zgjedhjeve si dhe pesë shtyllat kryesore ku duhet përqendruar qeverisja e ardhshme/

Nga Nue Oroshi/

Lekundjet e koalicionit qeverisës në Kosovë ku edhe ashtu  ishte i lëkundur që nga fillimi duke mos pasur një bazë të gjërë të numrave në Parlament,si dhe krizat e konfliktet në mes partive të koalicionit sjellën edhe dorëheqjen e kryeministrit Haradinaj.Kjo dorëheqje ju erdhi si bombë partive politike të cilat i kaploi frika. E më së shumti janë duke u friguar partitë e vogla të cilat nuk kanë fare elektorat por falë rrugës gjarpërore të tyre se edhe me dreqin bëhem vetëm ta kem një vend në parlament i ka sjellur këto parti para një vajtimi dhe trishtimi të madh.Kanë filluar kalkulimet politike ende pa u vetëshperndarë Parlamenti i Kosovës.Unë e shtroj pyetjen: Kur partitë tona politike do ta mësojnë se si funksionon Demokracia?Mëqense se paku katër parti kanë pretendime se janë partitë më të mëdha falë qullit parazgjedhor të zgjedhjeve që deshtuan dhe nuk u krye mandati deri në fund.Mirë do të ishte që këto katër parti të mëdha të garojnë të vetme në zgjedhje t´ia shohim se cilës veçmas fuqinë elektorale dhe ajo parti që del e para me automatizëm ta fitonë të drejtën e marrjës së Postit të Kryeministrit siç është në Demokracitë e Shteteve Perëndimore, kurse ndarja e pushtetit të bëhet sipas fuqisë elektorale  të partive që do ta formojnë koalicionin e ardhshem e jo të vijnë parti me dy deputet siç ishte rasti i njëpartie të harruar nga elektorati i Kosovës me emrin AKR dhe të qeverisë me katër ministri,dy prej të cileve minisitri kyçe për ecjen përpara të shtetit siç është Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Punëve të Brendshme.Kjo në Demokraci është tragjike të qeverisin parti që nuk ju beson elektorati, ta kalojnë edhe pragun zgjedhor.Siç shihet qartë ende pa filluar zyrtarishtë fushata elektorale,mollë sherri në mes partive sërish do të jetë posti i Kryeminsitrit të Kosovës dhe jo ndërtimi i një koncepti të ri Qeverisës ku vendi do të dalë nga hendeku i thellë vdekjeprurës që e kanë sjellur pikërisht qeverisja 20 vjeçare e këtyre Partive që sot i kemi në pushtet.Fatkeqësi është se edhe në këto zgjedhje nuk e kemi një vizion të ri politik që do të garon në këto zgjedhje.Në mungesë të një vizioni të ri politik si në Parlamentin e Kosovës ashtu edhe në Qeverinë e re shumica e deputeteve si edhe shumica e ministrave do të jenë të ricikluar.Ekspertët e letrës shpeshherë ma thonë në Gjermani se letra e ricikluar nuk i ka formatët e kualitetit me ato të origjinalës. Njejtë ndodh edhe në politikë.Është fatkeqësi se Partitë tona nuk mendojnë asnjëherë se si duhet të permirësohet jeta e qytetarve,sa investitorë të jashtem planifikojnë të sjellin në Kosovë,sa vende të punës planfikojnë të hapin,sa fabrika për secilin qytet të Kosovës do të hapen dhe të zbutet kriza e papunsisë.Derisa bëhet riciklimi i të njejtave parti në Kosovë tash e 20 vjet me radhë rinia e Kosovë nuk po gjenë shpëtim,ajo po mësyen  ka sytë- këmbët duke mbetur Kosova pa ardhmërinë e saj.Pavarsisht se kush do të qeverisë në Qeverinë e Kosovës ajo qeveri duhet ti ketë parasysh pesë shtylla kryesore:Sigurinë e mbrendshme në Kosovë e që nënkupton bllokimin e grupeve terroriste si dhe rrjetet e ndryshme të spiunazhit të  shteteve anti Kosovë që mundohen me çdo kushtë ta bëjnë Kosovën si tokë pa Zot e shtet pa zot shtëpie.Këtu hynë edhe mbrojtja e kufijve shtetërore si dhe forcimi i reformave në drejtësi.Forcimin e Diplomacisë me kuadro të pergaditura politike dhe njohës të diplomacisë e jo me djem të tezeve e vajza të hallave, vëllezër, motra e tezakë,militant partiak, që vijnë në krye te diplomacisë pa ditur fare se çka është diplomacia, ku deri dje kanë menduar se diplomacia është ndonjë qokolladë apo tortë që hahet dhe është shumë e shijshme,se jo të kenë takuar ndonjë politikanë apo diplomat perëndimor.Në këtë segment Kosova ka dështuar plotësisht.Zhvillimi Ekonomik ,duke iu afruar projekte të ndryshme bashkëpunimi shteteve të perëndimit për të sjellë investitorë të mesëm në Kosovë që do të hapin vende të reja të punës në çdo komunë të Kosovës.Këtu duhet një bashkëpunimë i ngushtë me Diasporën shqiptare në Evropë dhe Amerikë duke shfrytëzuar projektët e tyre si dhe kontaktët që kanë krijuarë me shtetet dhe bizneset e zhvilluara.Dhe jo me atë pjesë të diasporës të cilët vetëm shesin rrahagjoksi dhe thirren me emra të mëdha bashkimësh të biznesmeneve, e në fakt se kanë ngulur asnjë gozhdë në zhvilliminë e Kosovës.Të tillët i kemi mjaft në diasporë,të cilët nuk ndihmojnë madje as projektet kombëtare dhe kulturore që vijnë nga diaspora por vetem levizin nëpër Kosovë e Shqipëri sa për ti dalur emri dikund,me nje fjalë këta kanë mbetur, si ajo thënja popullore: “Shko e eja si Adem Peja“.

Forcimi i Arsimit,sot jemi deshmitarë  se në Kosovë kemi shume të diplomuar dhe me shumë tituj shkencor por që është fatkeqësi se nuk e kemi kualitetin.Arsimi dhe edukimi i brezave të rinj është baza më e fortë e ecjës përpara në përspektivë të një shteti.Në këtë aspekt duhet forcuar kriteriumi që mos të kemi në çdo lagje Universitete por ato që janë vërtetë të jenë Universitete që sjellin kuadro që i nevojiten Kosovës.Është fatkeqësi që sot në Kosovë na dalin Dr. të shkencës që kurrë nuk i kanë parë arkivat me sy.

Një sferë që për njëzet vite ka dështuar shteti i Kosovës është Mjekësia.Mjekësisë duhet ti ipet prioritet shtetërorë në dhjetë vitet e ardhshme çdo qeveri që vjen në pushtet.Ministria e shëndetësisë duhet të punoj ngushtë me Ministritë si motra në perëndim në mënyrë që të bëjmë një mjekësi të fortë ku edhe politikanët që e udhëheqin Kosovën të kurohen dhe shërohen në Kosovë dhe jo për çdo kollitje të mbesin në bisht të aeroplanit, për të shkuar jashtë. Kosova ka mjek dhe mjeke të zotët,ata dhe ato kanë bërë emër edhe në spitalet me prestigjioze Evropiane.

Nuk duhet harruar asesi edhe investimet në bujqësi,blegtori dhe turizëm.Në të tri këto segmente Kosova ka potenciale shumë të medha,pa harruar fare edhe Kulturën duke filluar nga Gjurmimet Arkeologjike e deri tek zhvillimet kulturore me projekte shkencore që qojnë përpara historinë,gjuhën dhe letërsinë shqiptare.

Këto ishin vëtem disa nga pesë shtyllat ku Kosova në të ardhmën duhet të Koncentrohet ne ndërtimin e shtetit.Politikanët në Kosovë duhet ta kenë një gjë të qartë.Nuk mbahet dhe ndërtohet shteti me inate politike, nuk ecë shtëpia përpara duke e vjedhur mashkujt dhe femrat e shtëpisë, shtëpinë e vetë.Mbushi mend njëherë e përgjithmonë ose lironi rrugë që në Kosovë të vijnë politikanët e pregaditur dhe të përkushtuar për ndërtimin e shtetit dhe ecjës përpara të vendit. 

Filed Under: Politike Tagged With: Nue Oroshi-Kosova ne prag zgjjedhjesh

A po shkojnë shqiptarët nga Perëndimi apo Lindja?

August 13, 2019 by dgreca

Nga Skënder MULLIQI/

   Luhatja  e shqiptarëve më saktë të shprehem e  disa udhehëqësve  ndërmjet  Perëndimit dhe Lindjës , është duke na shkaktuar dëme të mëdha.Shtrohet pyetja ku kemi qenë dhe ku jemi tash? Me Perëndimin apo Lindjën ?Shumë kush mendon së Ballkani ka mbetur diku në mes,  as andej as këndej.Të dytët mendojnë   së shqiptarët kan qenë dhe janë më shumë  Properëndimor.Kurse  pjesa e tretë  mendon së me traditë edhe më mentalitet anojmë kah Lindja.Megjithate ka një përgjigje racionale e bazuar në fakte historike dhe në përvoja së shqiptarët  I takojnë botës Perëndimore.Duke u bazuar në kulturën dhe traditën si vlera fundamentale dhe ekzistenciale për një popull.. .

 Dy shtetet tona  nuk janë duke ecur kahut të duhur historic e shumë më pak po funksionojnë si shtete demokratike.Pushtetet po veprojnë të ndara nga  populli, dhe kjo po prodhon kriza të vazhdueshme politike e institucionale , mos të flasim për stagnim të rrjedhave ekonomike .Po e bëjnë jetën e vet, ndarazi nga shumica .Nuk kemi shoqëri të integruar, së ky drejtim moti I është lëshuar stihisë  .Modeli do të thosha përfekt I shoqërive të integruara i bazuar në vlerat kulturore -institucionale  janë: Amerika, Zvicra, Gjermania dhe disa shtete të Evropës.Bota Perëndimore është shëmbulli i kultivimit të kulturës si bashkësi e organizuar  dhe të  kultivimit  të tolerancës fetare.Ne rrethanat dhe kushtet kur lihën anash këto vlera , nuk kemi mundësi të flasim për institucione demokratike,  dhe as ta paramendojmë një shtet më kulturë politike të mirëfilltë.Elitat të cilat nuk I përceptojnë ose nuk kan dijeni të përceptimit të politikës kulturore , shteti  fillon të dezintegrohet.

 Kuazi elitat politike   janë duke na shkaktuar dëme të mëdha. Një formulë e tillë qeverisese më vendin , e këtyre drejtuesve të politikës të dy shteteve shqiptare , është duke  na sjellur para aktit të kryer, sidomos në planin e saj të  jashtëm.Sjelljët e tilla dualiste politike të orjentuara më shumë ka Lindja ,janë  duke krijuar mjegullë të madhe në opinionin  e gjerë public. Ata të cilët po ulën në dy karrige të Përendimit dhe  ate të Lindjës , nuk iu duhen shqiptareve .Deklarativisht këto elita  janë për Përendimin , kur se faktikisht më  Lindjen.Kjo shumë I  ndihmon dezintegrimit kulturo-politik të  Kosovës  dhe  të Shqipërisë. Ajo që po na mungon më së shumti është koncenzusi nacional kur bëhët fjalë për tema të mëdha.Me udhëheqje  mashtruese , më rrena të organizuara , më hajni, nuk bëhët shteti.Ata që janë duke punuar kunder shteteve  tona dashur apo  me mos dije , sa më parë  do të duhej tu lëshojnë vend forcave përparimtare – demokratike.Në rrethana të tilla, politike jo të mira , tema Perëndim, Lindje ,  po e krijon një ambient  tjetër propagandistic më politika dinake  të te gjitha llojeve .Kjo ka krijuar seriozitet dhe kujdes në hapat e metejme të protagonistëve  të saj. Sigurisht, së kjo nuk është në interesin e jetës normale të qytetarëve ,dhe  nuk është as në interesin nacional. Me këto forca politike vështirë së krijohet ambijent I volitshem për veprime serioze, në ruajtjën e sovranitetit dhe territorit të Kosovës , e sa për planët zhvillimore shumë pak  kemi çka flasim…Shqiptarët shpëtimin gjithmonë e kan gjetur të bota e përparuar perëndimore  dhe Amerika, kurse prej shteteve të Lindjës na kan ardhë dhe po  vazhdojnë të na vijnë vetëm të keqija  shumë  të kushtueshme …

Filed Under: Politike Tagged With: Skender Mulliqi-Shqiptaret-Perendim-Lindje

Odë Shqiptare në Amerikën Veriore

August 13, 2019 by dgreca

Oda u ndërtua në 2004 e veçueme nga shtëpia e cila ndodhet në çarkun e Torontos, Kanadë. Pronar i saj është Qamil S. Dardhankodra prof i Gjuhës dhe letërsisë shqipe i cili erdhi këtu me familjen si muhaxhir në 1999. Mbiemrin Dardhankodra e mori simbas mikrotoponimit ku ndodhet shtëpia e tij në Llashticë, Gjilan. Unë jam Arbana e bija e tij, pranë meje janë vëllezërit e miÇlirimi dhe Shpëtimi. Ati im Qamili vazhdon traditën e gjyshit të tij i cili kishte odë në Llashticë, në fshat qenë disa oda po më e njohura ishte ajo e Bejtë Llashticës që kishte rëndësi historike, kulturore e arkitektonike dhe ishte një nga 5-6 odat kryesore në gjithë Moravën e Epërme. Odën e atit tim deri më tashti e kanë vizituar disa qindra shqiptarë dhe të tjerë të cilët janë mahnitur me bukurinë e saj. Aty ndodhen disa sende të rëndësishme etnografike e historike, disa nga eksponatet pronari “para fundit të tij” mendon t’ia dhurojë muzeut të “Vatrës” në Nju Jork, ai është nënkryetar i degësisë së federatës gjithshqiptare “Vatra” me seli në Toronto. 

Çfarë ka në këtë odë? – përpos mikpritjes tradicionale shqiptare dhe çiltërsisë zemrore aty ndodhen edhe këto gjësende: 2 shpata veku, 1 pollë qilimi 1953, 1 pshtjellak 1952 bogosi (Bogota), 1 verig, 1 bajonetë sh. XIX, 1 dru nga dyert e pesëgjyshit të tij 250-300 vjet, 1 çekan sh. XIX, shtaga e gjyshit Shaip Q. Salihu 1903-1980, 7 gjilpana duhani, 1 drapën, kombana e cingare, 1 def, 1 kandar i blerë në Elbasan sh. XIX, 1 mashë, 1 saç, 1 vegsh, 1 kalanë, 1 çifteli, 1 bludë kafeje 1946, 3 plisa, etj. çdogjë e sjellun nga Dardania.

Dhurata e dhurime: harta e tokave shqiptare – Muharrem Gashi Begracë, gravure e tokave shqiptare -Xhevat Jahiu, Prishtinë, bluzë e federates shqiptare të futbollit 1930 – Edi Laro, Tiranë, flamuri i Dardanisë Xhemajl Hyseni kryetar i çarkut të Gjilanit, parmendë e zgjedhë – Refki Sertolli, Prizren, llampë vajguri – Sabri Sulejmani, Gjilan, të mbathura blerë në Krujë – autorja, 1 lejkë – Avdush Beqiri, Velekincë, Gjilan, 1 fshisë  – Faik Ramiz Berisha, Llashticë, 1 amblemë “Kosova” – Adem Hyseni, Gjilan, etj.

Pamje kulturore e historike nga Kruja, Prizreni, Tirana, e simbole kombëtare; foto: mbretëresha Gjeraldina, mbreti Zog (pronari është monarkist) dr. Rugova, nënë Tereze, etj.

Në këtë odë mbahen mbledhje, takime, përvjetorë si dhe mbledhjet e Federatës gjithshqiptare “Vatra” dega në Toronto, sidomos gjatë dimrit shqiptarët këtu hanë, pinë, bajnë qef dhe terin mish. 

A. Aratërthore 

Filed Under: Emigracion, Histori Tagged With: Ode Shqiptare-Amerika e Veriut

Patriotë apo tradhtarë? Emigracioni politik shqiptar në vitet 1944-1990

August 13, 2019 by dgreca

Thirrje për prezantime për konferencën shkencore/

Në vjeshtën e vitit 1944, qyteti i Shkodrës përjetoi grumbullime të shumta njerëzish në kërkim të një mjeti transporti që do t’i largonte ata nga Shqipëria. Pjesa më e madhe e tyre ishin shqiptarë të pasur dhe të shkolluar, të cilët kishin pasur pozicione të rëndësishme në administratat e krijuara nga pushtuesit italian dhe gjerman, por edhe disa nga krerët e Ballit Kombëtar, Legalitetit dhe organizatave të tjera politike të krijuara gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. 

Vendimet e Kongresit të Përmetit dhe të Mbledhjes së Dytë të Këshillit të Përgjithshëm Antifasisht Nacionalçlirimtar kishin vulosur marrjen e pushtetit nga PKSH-ja e, së bashku me të, edhe drejtimin që do të merrte Shqipëria në të ardhmen. Për këto personalitete, e vetmja mënyrë për t’i shpëtuar hakmarrjes së pushtetarëve të rinj, ishte të zgjidhnin këtë rrugëtim larg atdheut, i cili për një pjesë të madhe të tyre rezultoi pa kthim. Kësaj vale të parë të emigracionit politik shqiptar, kohë pas kohe, iu shtuan edhe shumë e shumë të tjerë, të cilët u detyruan të largoheshin nga vendi për t’i shpëtuar represionit komunist, apo sepse refuzonin të jetonin midis telave me gjemba të imponuar nga regjimi.

Në Shqipëri, drejtuesit e lartë të regjimit i konsideruan emigrantët politikë shqiptarë si “tradhtarë të atdheut”, për shkak të qëndrimeve që kishin mbajur gjatë Luftës së Dytë Botërore; të angazhimit të tyre në mjaft operacione të organizuara nga shërbimet e huaja të inteligjencës, por edhe për shkak të kundërshtimit të hapur ndaj regjimit totalitar të vendosur në Shqipëri. Në emigracion, shumë prej tyre u shndërruan në zëra të spikatur në jetën akademike dhe shoqërore dhe nuk reshtën duke ngritur zërin kundër totalitarizmit shqiptar, por edhe për çështjen kombëtare shqiptare. Në institucionet ndërkombëtare si OKB, Amnisty International, Parlamenti Europian, Senati i SHBA, apo Këshilli i Evropës, kohë pas kohë, do të dërgoheshin letra dhe peticione nga individë apo organizata të emigracionit politik shqiptar, në të cilat shprehej shqetësimi për problematika të ndryshme që lidheshin me Shqipërinë dhe shqiptarët.

Mbi veprimtarinë e emigracionit politik shqiptar, për fat të keq, ende nuk ka botime akademike serioze. Për të mundësuar nxitjen e një debati të shëndetshëm shkencor mbi veprimtarinë dhe personalitetet shqiptare të emigracionit politik shqiptar gjatë viteve 1944-1990

Autoriteti për Informim mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe Instituti i Historisë 

pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike,

në bashkëpunim me

Institutin për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit dhe

Institutin për Integrimin të ish-të Përndjekurve Politikë

Ju ftojnë të paraqitni propozimet për prezantime rreth këtyre çështjeve:

  1. Veçoritë e krijimit të emigracionit politik shqiptar gjatë viteve 1944-1990;
  2. Shtrirja gjeografike e emigracionit politik shqiptar;
  3. Profile të emigrantëve politikë dhe veprimtaria e tyre;
  4. Shoqatat e krijuara nga emigracioni politik shqiptar dhe qasja e tyre kundrejt Shqipërisë komuniste;
  5. Operacioni “Rollback” dhe përfshirja në të e emigracionit politik shqiptar;
  6. Reagimi i shtetit komunist shqiptar ndaj emigracionit politik shqiptar;
  7. Veprimtaria e emigracionit politik shqiptar për mbrojtjen e interesave kombëtare shqiptare;
  8. Kampet e emigrantëve në Europë.
  9. Lufta e Ftohtë, marrëdhëniet e shtetit shqiptar me jugosllavët, grekët dhe italianët. 

***

Pranë arkivit të AIDSSH-së ruhet dhe administrohet një larmi e madhe dokumentesh arkivore të cilat përmbajnë dhe trajtojnë informacione e të dhëna rreth emigracionit politik shqiptar, të arratisurve jashtë vendit, grupeve diversante, organizatave të ndryshme politike të krijuara nga emigracioni shqiptar në Europë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera. Këto dokumente konsistojnë në  raporte, statistika dhe informata mbi veprimtarinë e emigracionit shqiptar në vende të ndryshme, relacione dhe raporte mbi bandat e diversantët që operonin kryesisht në Jugosllavi, etj., relacione dhe statistika për të arratisurit, të dhëna dhe dosje për emigrantët politikë e ekonomikë, etj.

Dokumentet e mësipërme përllogariten të jenë afërsisht 90 mijë dosje e fashikuj dhe i përkasin periudhës 1944-1991. Shumica prej këtyre dokumenteve pritet të bëhen publike për herë të parë për qytetarët dhe studiuesit. 

Ndërkohë, prej një viti Autoriteti ka ndërmarrë projektin e mbledhjes së dëshmive gojore të të mbijetuarve të përndjekjes, pjesë e të cilit janë bashkësia shqiptare në SHBA dhe ajo në Belgjikë. Marrëveshja e AIDSSH-së me Zërin e Amerikës dhe bashkëpunimi me Federatën Panshqiptare Vatra ka mundësuar realizimin e intervistave me të arratisur në Shtetet e Bashkuara, të përndjekur nga Sigurimi i Shtetit, dëshmitë e të cilëve janë depozituar pranë arkivit digjital të Autoritetit. I njëjti projekt vijon në Belgjikë, në bashkëpunim me komunitetin shqiptar atje. Përfaqësues të këtyre komuniteteve ftohen të japin kontributin e tyre në konferencë.

Propozimi duhet të jetë në formë abstrakti jo më shumë se 300 fjalë dhe të dërgohet deri më 15 shtator 2019 në adresën elektronike: info@autoritetidosjeve.gov.al

Pjesëmarrësit do të njoftohet për përzgjedhjen jo më vonë se më 30 shtator 2019.

Komiteti Organizativ:

Akademik Beqir Meta (ASA)

Dr. Marenglen Kasmi (AIDSSH)

Dr. Adriana Topi (AIDSSH)

Prof. Asoc. Dr. Sonila Boçi (ASA)

Dr. Çelo Hoxha (ISKPK)

Filed Under: Featured Tagged With: Emigracioni politik-vitet 1966

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 915
  • 916
  • 917
  • 918
  • 919
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT