• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SFIDAT E NEUROKIRURGJISË PËRGJATË PANDEMISË GLOBALE NË ITALI

May 5, 2021 by dgreca

Nga Sokol PAJA – DIELLI/

Dr. Edvin Zekaj, neurokirurg në spitalin “IRCCS Galeazzi” – Milano, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, situatën e Italisë si vendi i parë në Europë i prekur nga pandemia dhe sfidat e kirurgjisë gjatë kësaj periudhe, vështirësinë e realizimit të kirurgjive në pacientë të infektuar dhe si ndikojnë negativisht veshjet dhe masat anti covid në lëvizjet dhe manovrat kirurgjikale. Neurokirurgu Edvin Zekaj shpjegon se në valën e parë të përballjes me pandeminë Sistemi Shëndetësor në Itali ishte i pa përgatitur për pandeminë dhe kjo ndikoi negativisht në cilësinë e shërbimit të reparteve e kirurgjisë. Reagimi i parë i sistemit shëndetësor ishte ndërprerja e ndërhyrjeve dhe vizitave për sëmundjet jo urgjente dhe kjo shkaktoi një mungesë shërbimi për një numër të lartë pacientësh. Një problem tjetër shpjegon imtësisht neurokirurgu Edvin Zekaj, ishte transferimi në “kohën e duhur” i pacientëve me probleme urgjente nga një spital në tjetrin. Në transferim kërkohej rezultati i tamponit e cila sillte një tejzgjatje të kohës së transferimit. Një problem i veçantë ishte trajtimi i pacientëve Covid pozitivë. Neurokirurgu Zekaj qartëson se cilësia e shërbimit u përmisua në momentin që u zhvilluan protokolle të qarta për manaxhimin e pacientëve. Në lidhje me protokollet e ndjekura dhe organizimin e strukturës dhe menaxhimin e pacienteve Neurokirurgu Edvin Zekaj shpjegon se u krijuan disa protokolle në spital të cilët ndahen në: Protokolle të shërbimit kirurgjikal në urgjencë, Protokolle të shërbimit kirurgjikal jo urgjente dhe Protokolle të trajtimit kirurgjikal dhe jo kirurgjikal të pacientëve Covid pozitiv. Rreth infektimeve në personelin shendetësor dhe ndikimi i tyre në ecurinë e ndërhyrjeve kirurgjikale Dr. Edvin Zekaj shpjegon për “Diellin e Vatrës në New York se personeli shëndetësor ishte një nga kategoritë më të prekura përgjatë pandemisë. Edhe në spitalin ku punoj patëm disa kolegë që u infektuan ku prej të cilëve për fat të keq një koleg nuk arriti të mbijetojë, kujton me dhimbje neurokirurgu Zekaj. Ndërhyrjet kirurgjikale të pacientët covid pozitiv bëhen më të komplikuara për gjithë pajisjet dhe masat që duhen marrë për tu mbrojtur nga infeksioni shpjegon Neurokirurgu Dr. Edvin Zekaj. I gjithë ekipi duhet të përdorë një skafandër dhe veshje që ndikojnë negativisht në lëvizjet dhe manovrat kirurgjikale, citon Dr. Zekaj. Në përballjen me pandeminë globale, Italia po mundohet të krijojë një normalitet në këtë situatë surreale, informon Dr. Zekaj. Shpresa është që me një vaksinimin masiv të ketë si një kontroll të përhapjes së infeksionit edhe një ulje të rasteve më të rënda nga infeksioni. Si në fillim të kësaj historie rolin kryesor do e luajnë qytetarët me sjelljet e tyre duke respektuar disa rregulla bazë, përfundon intervistën e tij për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, neurokirurgu Edvin Zekaj.  

Filed Under: Opinion Tagged With: Dr. Edvin ZEKAJ, Sokol Paja

NJË LIBËR SI NJE DOKUMENT HISTORIK

May 4, 2021 by dgreca

Rreth dosjes së Sigurimit të Shtetit për Sadik Premten përgatitur nga Enver Memishaj./

Shkruan: Dr. Bujar Leskaj/

Në këtë libër, studjuesi Enver Memishaj boton   dosjen e Sigurimit të Shtetit, Drejtoria e Zbulimit Politik, për Sadik Premten, ish nënkryetar i G. K. të “Të Rinjve” dhe njeri nga themeluesit e Partisë Komuniste. (Arkivi MPB, Sigurimi i Shtetit, Drejtoria e Zbulimit Politik, Fashikulli Sadik Premtja nr. Regjistrit 2960/21)

Libri është vazhdim i veprës së këtij autori “Eliminimi i Grupit Komunist të “Të Rinjve”, botuar  në vitin 2016 me dokumente, dëshmi e studime, ku është botuar edhe përmbledhja e dosjes së Sigurimit të Shtetit për Sadik Premten. Por botimi i plotë i kësaj dosje hedh dritë të plotë mbi aktivitetin antikombëtar të Sigurimit të Shtetit.

“Sadik Premtja, siç na thotë autori i këtij libri, ishte  produkt i ëndrrës së vegjëlisë shqiptare për një jetë më të mirë, pa bejlerë e agallarë, por edhe e një populli që lufton për liri e demokraci. Ai ka patur një jetë pritash, pusish e atentatesh të gatuara mafiozisht nga sivëllezërit e tij të idealit”.

Partia Komuniste Shqiptare në emër të fillimit nga e para të historisë, legjitimoi edhe përdorimin e dhunës si mjeti më efikas për të arritur sa më shpejt qëllimin dhe që, në vend sa t’i zgjidhnin problemet së bashku me njerëzit, i përdorën ata thjesht si objekte që duhet t’i nënshtroheshin politikës së partisë.

Historia e diktaturës komuniste në Shqipëri që fillon më 8 nëntor 1941, është dramatikisht e mbushur me gabime e krimet e mëndjeve të sunduara nga ideologjia staliniste, që, duke menduar se historia fillon me ta, nuk kanë lënë krim e dhunë pa bërë ndaj atyre që i pengonin në rrugën e tyre.

Libri që paraqet para lexuesve z. Enver Memishaj ka si synim të hedhë më shumë dritë mbi përndjekjen e dhunshme që iu bë Sadik Premtes, njerit prej kundërshtarëve të Enver Hoxhës, e njësoj si ky gjithë kundërshtarëve të asaj partie terroriste.

Po për çfarë ndiqeshin dhe eliminoheshin edhe anëtarët e Partisë Komuniste? Gogo Nushi, udhëheqësi i lartë i kësaj partie na thotë se: “Për ata që ishin anëtarë partie e që kishin një pakënaqësi ose që kishin shfaqur një dyshim në vijën tonë, kemi pasur direktivë nga Komiteti Qëndror që këta t’i zhduknim” (Libri “Politikë Antikombëtare e Enver Hoxhës” Plenumi II i KQPKSH,Berat 23 -27 nëntor 1944, Tiranë 1996, f. 86)

Kështu shumë komunistë ndër ta Anastas Lula,   Sadik Premte etj u vunë në grykën e pushkës së shokëve të tyre. Mynyr Xhindin, thotë Hysni Kapua, në plenum in e Beratit, e vramë për hiç gjë!!!

Sadik Premtja u shpëtoi atentateve të shokëve të tij dhe u arratis në Francë, por edhe atje ish shokët e tij do ta ndiqnin këmba këmbës dhe do t’i bënin atentat, por që për fatin e tij të mirë shpëtoi, ashtu si edhe në Shqipëri, dhe vdiq në prill të vitit 1991.

Sadik Premte në radhë të parë ishte një “Antifashist i orëve të para, organizator dhe luftëtar në luftë për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj. Iu kundërvu që në fillim vijës antikombëtare të diktatorit Hoxha”. (Dekreti i Presidentit të Republikës së Shqipërisë prof. dr. Sali Berisha nr.1494 datë 22. 5. 1996, që dekoron Sadik Premten “Martir i Demokracisë”.)

Për këtë arsye prof. Sonila Boçi thotë me të drejtë: “Më shumë se një histori personale, studimi i figurës së Sadik Premtes, Anastas Lulës dhe të gjithë anëtarëve të Grupit Komunist të “Të Rinjve”, që u përjashtuan nga radhët e PKSH-së, do të na jepte një përgjigje për një sërë pyetje mbi mënyrën se si u ndërtua kjo parti që në lindjen e saj. Zbatimi i parimit stalinist se partia forcohet duke u spastruar, ishte një nga motot që iu imponua PKSH-së nga të dërguarit jugosllav, Miladin Popoviç

dhe Dushan Mugosha…

Historiografia shqiptare i ka një “borxh” Sadik Premtes, pasi ende nuk i ka kushtuar vëmendjen e

duhur figurës së tij… Ende ka nevojë për vështrim më të thellë në jetën e njeriut që sfidoi për shumë kohë drejtuesit e PKSH/PPSH, në emër të idealizmit dhe një të majte më evropiane”. (Prof. Asoc. Dr. Sonila Boçi, gazeta Tema Tiranë dt. 5.3.2017, f. 5)

Dosja e Sigurimit të Shtetit për Sadik Premten që botohet e në këtë libër është një dokument historik, është pjesë e historisë sonë, për një periudhë të errët historike nën të cilën vuajti populli jonë. Prandaj libri që na paraqet z. Memishaj është një dritare më shumë në drejtim të njohjes së këtij personazhi të historisë sonë. Libra të këtij lloji vijnë si detyrim dhe mision që rezoluta e Këshillit të Europës dhe e Kuvendit të Shqipërisë për “Domozdoshmërinë e dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare, komuniste“, vë përpara intelektualëve, studjuesve dhe

historianëve. 

(Rezolutë nr. 1481, viti 2006 e Asamblea Parlamentare e Këshillit të Europës; “gjykimi moral dhe dënimi i krimeve të kryera, luan një rol shumë të rëndësishëm në edukimin e brezave të rinj”.

Rezolutë, më 30 tetor 2006 Kuvëndit i Republikës së Shqipërisë. “Kuvëndi i Shqipërisë fton akademikët, historianët dhe ekspertët e pa varur, që t’ i intensifikojnë kërkimet e tyre për përcaktimin dhe verifikimin objektiv të historisë së Shqipërisë gjatë diktaturës komuniste”.)

Është detyrë e shtetit demokratik të botojë libra  të këtij lloji me dokumente historike,por edhe e çdo

studjuesi siç po bën z. Memishaj, nëpërmjet të cilave populli të njohë e të mësojë se sistemi komunist që ngriti Enver Hoxhës ishte diktaturë dhe terror mbi popullin shqiptar.

Dosja e Sigurmit është gjithashtu është libri I njohjes, i njohjes nga të rinjtë, nga ata që vijnë pas nesh, por edhe nga të gjithë shqiptarët që provuan dhe jetuan atë kohë e megjithatë nuk e njihnin si duhet armën më të dashur të partisë së Enver Hoxhës dhe që për popullin ishte arma mizore që ushtroi dhunë dhe terror, pra ky është libri i njohjes të atij sistemi diktatorial.

Kush studjon diktaturën komuniste në Shqipëri duhet të njohë historinë e armës terroriste, mafioze

të emërtuar Sigurimi i Shtetit. Kush do të mësojë se si banda terroriste e Enver Hoxhës ndiqte, persekutonte, censuronte, ndërpriste e kontrollonte korespodencën e mohonte të drejtat elementare njerzore duhet të njihet me dosje të tilla të Sigurimit të Shtetit. Jo vetëm studjuesit dhe historianët, por çdo njeri nuk mund të gjykojë e vlerësojë atë sistem çnjerëzor pa njohur dosjet e Sigurimit të Shtetit.

Kështu kjo dosje është pjesë e historisë kriminale të Sigurimit të Shtetit dhe na vjen në ndihmë për popullin e veçanërisht për të rinjtë të mësojnë se si ka punuar Sigurimi i Shtetit. Ka ardhur koha që të botohen të gjitha historitë e degëve të Sigurimit të Shtetit për çdo rreth që vetë oficerët e Sigurimit i hartuan ato në vitet ’70, nën siglën “Tepër Sekret”, që gjenden në arkivin e Ministrisë së

Punëve të Brendshme, pasi vetë ata hartuesit e këtyre historikëve konfirmojnë krimet e kryera. Po ashtu duhen botuar dosjet e zbulimit si dhe të kundërzbulimit. Nëpërmjet këtyre botimeve do të kuptohet në thellësi diktatura komuniste, do të kuptohet hipokrizia e regjimit të ngritur në sistem, që ndryshe propagandonte dhe ndryshe vepronte nën rrogos me sistemin policor politik.

Të rinjtë duhet të mësojnë për atë botë absurde që vuajtën shqiptarët. Pra ky libër ofron një dritare të

qartë dhe të dobishme mbi vështirësitë që u detyruan të përballen shqiptarët gjatë sundimit komunist 1944 – 1990. Dosja që përmblidhet në këtë libër do t’u shërbejë edhe studjuesve për të studjuar metodat e punës së Sigurimit, personalitetet, karkteret, botën njerëzore, idetë, bindjet e njeriut që nuk ndryshojnë edhe kur jetojnë në një botë demokratike si Franca, veçanërisht mësojmë mendimet dhe idetë, kontraditat e mendimeve të emigrantëve politik shqiptar.

Kështu Nexhat Peshkëpia një prej udhëheqësve të Ballit Kombëtar e përshkruan gjendjen e popullit

shqiptar në vitet ’53 me këto fjalë: “Populli Shqiptar – tha ai – sot është duke ngordhur për bukë dhe për liri, për hir të një lufte tmerrësisht vëlla-vrasëse të imponuar nga të huajt dhe që populli i ynë nuk ja ka ndjerë aspak nevojën. Pastaj vazhdoi ay çfarë konkuista shoqërore janë bërë në Shqipëri. Sot shteti detyron katundarin të dorëzojë drithin dhe ullirin në depot e shtetit duke e numëruar kokërr për kokërr, dhe kush nuk e dorëzon ndëshkohet me dënimet më të rënda. Populli

s’ka parë kurrë një skllavëri të tillë. Ai don të shpëtojë nga kjo gjendje pa u interesuar as pak se cili mund të jetë çliruesi i tijë”. (Informacion i vitit 1953.)

E kundërta ndodh me Sadik Premtaj. Është interesant se ky njeri vdiq komunist dhe në asnjë rrethanë ai nuk mundi të shifte dhe të kuptonte realitetin si gjatë luftës ashtu edhe pas çlirimit të Shqipërisë. Ai ëndërronte për përmbysjen e regjimit diktatorial në Shqipëri dhe ëndërroi deri në fund të jetës, që në Shqipëri të vendosej përsëri diktatura komunist, por tashmë jo sipas Enver

Hoxhës por sisps Sadik Premtes!!!

Sadiku thotë se unë jam komunist i vërtetë dhe se ata në Shqipëri janë terrorista dhe kanë devijuar

nga komunizmi. Enver Hoxha dhe shokët e tija kanë tradhëtuar komunizmin sepse sipas tij “Demokracia është një kuptim relative. Duhet që klasa punëtore të jetë e lidhur me sindikatat e saja pa asnjë frymë politike, kështu sindikata vetë të interesohet për mbrojtjen e interesave të punëtoris dhe të ketë në dorë grevat dhe luftën sociale, pa nji thump politik, asnjë drejtim partije, kundra kapitalizmit. Kështu ishte përpara luftës në Francë dhe kështu duhet të jetë sot. Titua ka bërë çdo gjë për të themeluar socializmin në Jugosllavi. Ideollogjija e tijë është një socializëm independent dhe jo të jetë i shtypur. Ka liruar shumë të burgosur prej burgu sepse kështu e kishte parashikuar prej kohe, nuk u rrejtë ose u shitë me oksidentin por bani tregëti të lirë dhe do të përmirësoi

gjendjen e popullit”.(Marrë nga raporti i Francës datë 19. 3. 1952)

Kështu pra Sadik Premtja si ideolog mbetet një utopist. Pasi përvoja 100 vjeçare në Rusi dhe afro 50 vjeçare në Eurpoën Lindore tregoi se komuniszmi nuk mund të ekzistotë pa luftën e klasave, pa burgjet politike dhe kampet e internimeve. Po ashtu edhe shpresat e Sadik Premtes për një

lëvizje nga brenda për të përmbysur bandën mafjoze të Enver Hoxhës me anë të Bedri Spahiut, Dali Ndreut, Kristo Themelkos etj ish anëtarë të G.K. “Të Rinjëve”, mbeten utopi pasi diktaturat nuk mund të përmbysen me format që shpresonte Premtja.

Konkluzionet që arrin Sigurimi i Shtetit se “aktiviteti i Sadik Premtes prej agjenti dhe provokatori të ndyrë kryesisht në shërbim të zbulimit jugosllav, atij Sovjetik dhe shërbimeve të tjera. Ka të dhëna nga emigrantët e Lindjes se ai është edhe agjent i shërbimeve të policisë së Atlantikut. Nga detyrat që kryen në këtë kuadër janë pjesëmarrja e tij në grupet trockiste, dhënia e informatave mbi vendin tonë dhe njerëzit që njef dhe puna që bën në radhët e emigracionit reaksionar dhe atij

Kosovar”, në pamjen e parë këto cilësime janë qesharake, por edhe me interes se tregojnë fare qartë nivelin e mjeruar intelektual të oficerëve të Enver Hoxhës dhe Kadri Hazbiut, me teoritë qesharake të poliagjentëve.

Emigracioni përndjekja, vuajtja e të afërmve në Shqipëri natyrisht që e lodhën Sadik Premten dhe në disa raste është i detyruar të deklarojë se: “Ta kisha ditur, do t’i kisha pranuar të gjitha urdhërat e Partisë dhe sotë me pozitë influente që do të kisha do t’i vleja më shumë gjendjes së sotme dhe kauzës sime. Fatkeqësisht kam qenë i ri dhe më ka munguar eksperienca”.

Socialisti Vasil Gërmenji pasi përshkruan varfërinë dhe terrorin në Shqipëri, thotë qëllimin e jetës së tij: Dhe gjëja më me rëndësi është të evitojmë rikthimin e bejlerëve. (Letër e Vasil Gërmenjit drejtuar S. Premtes e datës 24 janar 1948)

Kundër mendimeve të Sadik Premtes dhe Vasil  Gërmenjit shprehet Ali Toto: “Unë jam besniku privat këtu në Paris i Nuredin Vlorës, i cili më ka thënë që të mos merrem me partitë politike por të kem durim e të pres; vetëm të jem kurdoherë anti komunist dhe t’i luftoj me të gjitha mjetet

e mija të gjithë ata komunista të cilët nën çfarëdo maske që të jenë fshehur, janë agjent të Legatës. Kjo asht detyra ime kombtare”. (Informacion i vitit 1954)

Nga ana tjetër grupi zogist i përbërë nga Nuçi Kota, Isuf Begeja, Sefedin Çollaku përpiqet për bashkimin nëpërmjet komitetit “Lëvizjen Patriotike Shqiptare”, me kryetar Nuçi Kote, por gjen kundërshtar nga gjithë grupet e tjera.

Po ashtu nga kjo dosje mësojmë edhe për jetën dhe vuajtjet e emigrantëve politik shqiptar nëpër botë. Vasil Gërmenji shkruan: Këtu veç punës me kazmë, për të huajt s’ka tjetër.(Letër Vasil Gërmenjit drejtuar S. Premtes e datës 24 janar 1948)

Nga dosja e Sigurimit të Shtetit paraqitur në këtë libër del e qartë se Sadik Premtja po ashtu edhe

emigranët e tjerë politik të njohur dhe që zhvillonin  aktivitet propogandistik kundër regjimit në Shqipëri ndiqeshin në çdo hap që hidhnin nëpër Europë, ose Amerikë.

Të dhënat dhe informacionet Sigurimi i Shtetit i merrte nga bashkëpunëtorët e tij, të rekrutuar dhe të

paguar me paratë e shqiptarëve. Pra ndërsa populli vuante Sigurimi për mbajtjen e pushtetit me dhunë, paguante pa kursim, bile paguante edhe për të vrarë emigrantët shqiptar atje ku i kishte hedhur fati zi, siç përshkruhet në këtë libër atentati dështuar kundër Sadik Premtes.

Libri që ka përgatitur z. Memishaj është me vlerë si dokument historik, por edhe pse për këtë temë e për këto dokumente në të ardhmen do të bjerë interesi e do të shkruhet pak. ose aspak

Vlorë më 15 prill 2021

Filed Under: Analiza Tagged With: Bujar Leskaj, Enver Memishaj, Sadik Premte

Tungjatjeta o shqiptarë!

May 4, 2021 by dgreca

Që të shkarkohet sot Presidenti Ilir Meta është e pamundur, për shkak të proçedurave deri në Gjykatën Kushtetuese, pra një vit humbje kohe me luftë nervash, fjalësh, e emrave nga emrat…

– …në këtë tabllo shqiptarët janë ca sehirxhinj a tifozë të thekur palësh, por jo të vetes. Por edhe nëse Ilir Meta shkarkohet, shqiptarëve nuk u ngrihen rrogat, nuk u përmisohen kushtet e jetesës, nuk u vjen uji 24 orë….

NGA ILIR LEVONJA/

Nisma për shkarkimin e Presidentit të Republikës është një nga gjërat më të panevojshme për shqiptarët. Eshtë e tillë pikë së pari, pasi nuk është çështje e tyre. Shqiptarëve nuk u ndodh gjë as për mirë e as për keq. Në fund të fundit nuk e zgjodhën ata, ky është tashmë ai ekuivok social që deri në 2012 sillte ngërç politik për shkak të numrit 84. Pra deri para viti 2012 duheshin 84 vota, që dmth, edhe nga opozita. Me një fjalë synimi ishte dalja në pah e një kandidati qoftë ky burrë a grua, i cili ofron konsensus, a besim midis kampeve, gjë që mund dhe të refkletonte në shoqëri. Madje i shkonte shumë për shtat edhe statutit presidencial në lidhje me unifikimin e palëve në pergjegjësitë shtetërore. Kosova përshembull e ruan edhe sot, me këtë model zgjodhi Presidenten Vjollca Osmani, një nga kanditaturat më të votuarat në zgjedhjet e përgjithshme. Shqipëria e ndryshoi në 2008 pas ngërçëve të shumta parlamentare, jo vetëm nga emrat por edhe nga pa aftësia shqiptare në lidhje me bashkëpunimin sidomos kur bëhet fjalë për kombin. U ndryshua me inisiativën e PD dhe mbështjen e PS. Kësisoj në 2012, me një shumicë të thjeshtë, pra 73 vota i sollën Shiqpërisë të parin President puro partiak Bujar Nishanin. Në 2017, tashmë me shumicë të konsoliduar të majtë, sollën Ilir Metën, Presidentin aktual. Pra Ilir Meta ashtu si para ardhësi i tij Bujar Nishani, nuk ka se si përfaqësoj shqiptarët. Shqiptarët do t’i përaqësonte një president i cili të mund ta zgjidhnin vet. Megjithëse që nga dalja e opozitës nga parlamenti, ka bërë opozitën reale. Por në të njëjtën kohë edhe lojra politike po si ato të Edi Ramës, Bashës, Sali Berishës etj. Spektaklin më të madh duhej ta luante opozita parlamentare aktuale. Për më tepër që shumë nga ata edhe nuk fituan as votat minimale të kalimit të pragut elektoral. Akoma kur duket krejt bizare se si mundet një parlament logjikisht i vdekur për shkak të zgjedhjeve të reja, të ndërrmarri nisma të tilla, kur vendi ka nevoja imediate si punësimi, rritja e pagave, riparimi i dëmeve nga tërmeti, pandemia etj., të merret me shkarkimin e Presidentit të Republikës. Pra shërbimin më të madh që mund t’i bënin vendit, do ishte dorëheqja nga mandati personal por i krizave kombëtare. Këtë ata nuk e bëjnë. Ndaj sot shqiptarët janë të deytruar të dëgjojnë, të njëjtën retorikë. Atë të luftës personale të emrave me emrave, jo të politikanëve që i shërbejnë vendit. Që të shkarkohet sot Ilir Meta është e pamundur, për shkak të proçedurave deri në Gjykatën Kushtetuese, pra një vit humbje kohe me luftë nervash, fjalësh, e emrave nga emrat. Ku në këtë tabllo shqiptarët janë ca sehirxhinj a tifozë të thekur palësh, por jo të vetes. Por edhe nëse Ilir Meta shkarkohet, shqiptarëve nuk u ngrihen rrogat, nuk u përmisohen kushtet e jetesës, nuk u vjen uji 24 orë. Pastaj Ilir Meta sikur do vetshakrkohej nëse fitonte Edi Rama. Tani sapo filloi lojën hap kutitë si Edi Rama dikur. Shqiptarët asgjë, do mbeten prapë ca sehirxhinjë të denoncuesit dixhital, kush ka dhe kush nuk ka të drejtë, ndërkohë që jo më fëmijët e tyre, por nipërit e mbesat do vazhdojnë të shikojnë të njëjtën tabllo emrash, me të njëjtat mjete, me të njëjtën strategji fyerjesh e sharjesh, por që pavarisht gjithçkaje ata ishin, ata janë, ata do të mbeten aty. Kurse ju, aeroporteve, porteve, metrove, veç me tungjatjeta malli o shqiptarë.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Ilir Levonja, Ilir Meta, shkarkimi i Presidentit

Edhe Kosova në stërvitje ushtarake Amerikane, NATO-s…

May 4, 2021 by dgreca

-Kosova, pjesëmarrëse në mesin e 27 Shteteve në ushtrimin ushtarak “Defender Europe 21”. Ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës radhiten përkrah ushtrive të shteteve anëtare të NATO-s nën udhëheqjen e partnerit strategjik Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kosova do të jetë gjithashtu në mesin e 16 vendeve pritëse…/ 

PRISHTINË, 4 Maj 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Kosova për herë të parë do të jetë pjesëmarrëse në stërvitjen ushtarake më te madhe në rajon “Defender-Europe 21”. 

“DEFENDER-Europe 21” është stërvitje vjetore e përmasave të mëdha ushtarake amerikane në Evropë dhe Afrikë, i përbashkët, shumëkombësh, i dizajnuar për të ndërtuar gatishmërinë dhe ndërveprimin ndërmjet ushtrisë amerikane, NATO-s dhe partnerëve tjerë. 

Me këtë rast, ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) radhiten përkrah ushtrive të shteteve anëtare të NATO-s nën udhëheqjen e partnerit strategjik Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 

Kosova do të jetë gjithashtu në mesin e 16 vendeve pritëse, me ç‘rast trupat e ushtrive të shteteve anëtare të NATOS do të zbarkojnë në Kosovë; në mesin e tyre ushtarakë të ushtrisë Amerikane, pjesëtar të forcave nga Komanda Evropiane e SHBA si dhe Komanda Supreme Operacionale e NATO-s. 

Komanda e Lartë (HICON) dhe Audienca Sekondare do të jenë të vendosur në Aeroportin e Gjakovës, kurse Ushtrimi Fushor do të realizohet në Zonën e Trajnimit në “Baba i Bokës” në komunën e Gjakovës. 

Validimin e kapaciteteve të këmbësorisë do t’a bëjë ekipi vlerësues i KDS në bashkëpunim me ekipin ushtarak amerikan të Brigadës të Ndihmës së Forcave të Sigurisë (Security Force Assistance Brigade- SFAB).   

Pjesa kryesore e ushtrimit do të realizohet nga data 17 deri 29 maj 2021. 

Për detajet e pjesëmarrjes së Kosovës në këtë ngjarje, Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj së bashku me Komandantin e FSK-së Gjenerallejtënant  Rrahman Rama do të mbajë konferencë për media, me datë 6 Maj, 2021, duke filluar nga ora 14:30. 

Konferenca për media me tematikë Ushtrimi ushtarak “DEFENDER – Europe 21”  dhe Kosova do të mbahet në Ministrinë e Mbrojtjes, thekson ftesa e dërguar sot. 

Filed Under: Politike

Tubëz poetike nga Anton Çefa

May 4, 2021 by dgreca

Tubëz poetike/

Nga Anton Çefa/

UNË VUEJ PËR TY ATDHE/

Unë vuej për ty Atdhe:/

-kur me gënjeshtra të shtrembnojnë fytyrën,/

-kur shpifja përlyen nderin që ti e ruen me krenari,/

-kur me shamje fyese të akuzojnë pa të drejtë,/

-kur fymja “të përshëndetë” tash e parë,/

-kur ne shqiptarët të braktisim,/

dhe, ma e keqja: të trathtojmë./

Unë vuej për ty Atdhe./

GJUHA SHQIPE

Gjuhë shqipe,

Praninë tande e jetoj kudo,

Te nji nanë me foshnje në prehen,

Te fëmija i njomë në djep,

Te urtija e një plaku të moçëm,

Te fjala e lashtë e Kanunit,

Te vjetërsia e “Mesharit” të Buzukut,

Te jehona e zaneve të largëta

Te fjala melodioze e arbëreshëve.

Kam mall gjithnji për fjalën tande

Për melodinë e bukur të tingujve,

Për jehonën e lashtë të kohëve.

Mendimet e tua i veshë kurdo

Me kumbimin e kumonëve të shpirtit.

Themelet i ke sa mbi shkambij,

Sa mbi fusha e ara,

Lumej e dete,

Themelet i ke kudo.

SHKODËR, TI MUROSE ROZAFËN

Shkodër, ti murose Rozafën

nga ashti i dhimbjes e nxore

dhe rishtas e fute në dhé

nji andërr e bardhë e kombit.

Varrose qumshtin e nanave

në themele kështjellash e legjendash.

Çfarë varreze madhështore, ti Shkodër,

jetën e krijon,

dhe e pret rishtas nga vdekja.

FJALA

Renditje tingujsh fjala.

Fjalë e mirë lavdi e folësit,

fjalë e randë plagosje në shpirt.

Fjalë burri peshë guri,

gur i çmuar si biluri.

Fjala e të fortit gjethe ullini,

bleron si kokrrat e randueme në degë. 

BULON NË SHPIRT

Bulon në shpirt poezia,

prekë të padukshmen

dhe i falë jetës nji kuptim që dhemb.

Nën shkëlqimin e metaforës

si në nji fosil

rri i mshehun mesazhi i jetës.

ALKIMI E GURIT

 Te guri vizova fjalën

Si bir shkambi që asht,

Mbështeta te ai të mirën, 

të vërteten, 

të bukuren.

Te guri i vuna sinorët fjalës e vetes,

Shpirtit e zemrës,

Mendimit dhe ndjenjës.

Deh, mos ma lueni gurin e sinorit !

Filed Under: LETERSI Tagged With: nga Anton Çefa, Tubëz poetike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 90
  • 91
  • 92
  • 93
  • 94
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT