Tubëz poetike/
Nga Anton Çefa/
UNË VUEJ PËR TY ATDHE/
Unë vuej për ty Atdhe:/
-kur me gënjeshtra të shtrembnojnë fytyrën,/
-kur shpifja përlyen nderin që ti e ruen me krenari,/
-kur me shamje fyese të akuzojnë pa të drejtë,/
-kur fymja “të përshëndetë” tash e parë,/
-kur ne shqiptarët të braktisim,/
dhe, ma e keqja: të trathtojmë./
Unë vuej për ty Atdhe./
GJUHA SHQIPE
Gjuhë shqipe,
Praninë tande e jetoj kudo,
Te nji nanë me foshnje në prehen,
Te fëmija i njomë në djep,
Te urtija e një plaku të moçëm,
Te fjala e lashtë e Kanunit,
Te vjetërsia e “Mesharit” të Buzukut,
Te jehona e zaneve të largëta
Te fjala melodioze e arbëreshëve.
Kam mall gjithnji për fjalën tande
Për melodinë e bukur të tingujve,
Për jehonën e lashtë të kohëve.
Mendimet e tua i veshë kurdo
Me kumbimin e kumonëve të shpirtit.
Themelet i ke sa mbi shkambij,
Sa mbi fusha e ara,
Lumej e dete,
Themelet i ke kudo.
SHKODËR, TI MUROSE ROZAFËN
Shkodër, ti murose Rozafën
nga ashti i dhimbjes e nxore
dhe rishtas e fute në dhé
nji andërr e bardhë e kombit.
Varrose qumshtin e nanave
në themele kështjellash e legjendash.
Çfarë varreze madhështore, ti Shkodër,
jetën e krijon,
dhe e pret rishtas nga vdekja.
FJALA
Renditje tingujsh fjala.
Fjalë e mirë lavdi e folësit,
fjalë e randë plagosje në shpirt.
Fjalë burri peshë guri,
gur i çmuar si biluri.
Fjala e të fortit gjethe ullini,
bleron si kokrrat e randueme në degë.
BULON NË SHPIRT
Bulon në shpirt poezia,
prekë të padukshmen
dhe i falë jetës nji kuptim që dhemb.
Nën shkëlqimin e metaforës
si në nji fosil
rri i mshehun mesazhi i jetës.
ALKIMI E GURIT
Te guri vizova fjalën
Si bir shkambi që asht,
Mbështeta te ai të mirën,
të vërteten,
të bukuren.
Te guri i vuna sinorët fjalës e vetes,
Shpirtit e zemrës,
Mendimit dhe ndjenjës.
Deh, mos ma lueni gurin e sinorit !