• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AFROHUNI SHQIPTARË!

July 22, 2019 by dgreca

    NJË THIRRJE NGA SHKRIMTARI I LARTËSIVE, MARTIN CAMAJ:  “AFROHUNI SHQIPTARË”!/

             “Nga palci i urrejtjes dëshiroj me dalë, si bima prej fare në pranverë”/

                                               Nga Frank Shkreli

Ky muaj shënon përvjetorin e lindjes së shkrimtarit dhe poetitit të mërguar shqiptar, Martin Camajt, me 21 Korrik të vitit 1925, në Temal të Dukagjinit.   Camaj ka ndërruar jetë në qytetin Munich të Gjermanisë, marsin e vitit 1992.   Shkrimtar dhe albanolog i njohur shqiptar në botën perëndimore, gjatë periudhës komuniste, Martin Camaj ishte edukuar në kolegjin e jezuitëve në Shkodër, ndërsa është arratisur në perëndim, në vitin 1956.   Është doktoruar në Romë, ku ka bashkpunuar ngusht me Profesor Ernest Koliqin, në drejtimin e revistës së famshme “Shëjzat”, si dhe në veprimtari të tjera në fushën e albanalogjisë dhe të letrave shqipe.   Martin Camaj ka vazhduar të bashkpunonte me “Shëjzat” edhe pas largimit të tij nga Roma për në Gjermani, ku ka punuar si profesor i albanologjisë në universitetin e Munichut deri që ndërroi jetë, në vitin 1992. Ernest Koliqi kishte shkruar se në veprat e tij, miku dhe bashkpuntori i ngusht për vite të tëra, Martin Camaj, p;r nga natyra ishte human dhe paqësor, duke e cilësuar atë si një njeri të letrave, i cili në veprat e tija, “Lëshon nji kushtrim jo luftarak, por paqësuer, plot shpirtbardhsi dhe flakë dashunije vëllaznore”, midis shqiptarëve, ndërsa ka cituar poetin:

                       “Avitu, njeri! Afrohuni shqiptarë! 

                      Nga palci i urrejtjes dëshiroj me dalë

                             Si bima prej fare në pranverë”.

Është kjo një thirrje që del nga zemra dhe nga shpirti paqësor dhe jo hakmarrës i poetit dhe shkrimtarit Martin Camaj që duhej të rezononte edhe sot sidomos në këtë periudhë konfliktesh dhe mosmarrveshjesh politike, personale dhe partiake që vazhdojnë të përçajnë dhe të ndajnë shoqërinë shqiptare dhe shqiptarët, në përgjithësi, për të cilën  Camaj nuk do të ishte aspak i kënaqur.   Është një thirrje kjo, e një shkrimtari e poeti shqiptar, i cili  ndonëse, siç dihet, regjimi komunist ia “kishte mbyllur portën” — ashtu siç shprehet Ismail Kadare për të — ai prap se prap nuk mbante inat e hidhërim, por bënte thirrje për afrim midis shqiptarëve, madje edhe gjatë një periudhë urrejtjeje si ajo e komunizmit, kur në Shqipëri, vetëm të përmendje emrin e Martin Camajt ose të shkrimtarëve të tjerë si ai në mërgim, të priste qelia e burgut ose dënime të tjera të rënda.  

Megjithkëtë, ka shkruar Ismail Kadare, Camaj, “Nuk i lejoi vetes asnjëherë që, duke përfituar prej lirisë që i jepte mërgimi, të shkruante kundër si-vëllezërve të tij në Shqipëri.   Ishte e vërtetë, se në kohën që ai kujtohej e bëhej merak për ta, ata nuk u kujtuan kurrë për të, por kjo nuk e shtyu asnjëherë (Martin Camajn) t’u mbante mëri për shpërfilljen apo harresën e tyre të gjatë.   Ishte i ndjeshëm për gjendjen e tyre, për optimizmin e rremë e për ankthin e fshehur me kujdes midis festës po aq të rreme”, është shprehur Ismail Kadare, në vlerësimin e tij për Camajn.   “Në ngrehinën e përkorë të letrave shqipe, atje ku është duke zënë vendin e vet Martin Camaj, ashtu si në çdo panteon, hyhet vetëm prej një porte, asaj të madhes.   E ajo portë, siç e tregon emri, nuk njeh veçse arsyet e mëdha”, ka shkruar Kadare.   Ai e ka quajtur Martin Camajn, “Shkrimtari i Lartësive…që i ka strehuar ngjarjet dhe personazhet e veta në një lartësi që iu siguronte pavarësinë. Ka kujtuar ndoshta se do ta mbronte artin e tij prej ndikimit të katrahurës shqiptare, asaj së cilës kujtonte se i kishte lënë lamtumirën”.   

Fatkeqsisht, “katrahura shqiptare” të cilës i referohet Kadare — sidomos në fushën politike — është ndoshta më e thekësuara sot se kurdoherë tjetër ç’prej kohës së komunizmit.   Sot më shumë se kurrë, në këtë rrëmujë në të cilën ndodhet bota shqiptare, thirrja e këtij poeti për “Afrim të Shqiptarëve”, është tepër aktuale dhe ndoshta më e nevojshme se kurrrë më parë, pasi – siç ka shkruar edhe miku i tij Ernest Koliqi—kjo thirrje e Camajt del me të vërtetë nga zemra e një, “Pjestari të një djelmënije të vrugosun në shpirt nga nji stuhi ngjarjesh tepër shqetsuese, të nji djelmënije që u randue me vuajtje të pameritueshme ç’se filloi me marrë mend”, dhe si i tillë, “Njohu mërgimin, fushat e përqendrimit, punën e përdhunëshme…”.   Megjith këto përvoja të këqia personale, Martin Camaj nuk shprehu kurrë urrejtje ndaj shqiptarëve, përfshirë regjimin komunist dhe ata të cilët i kishin mohuar të drejtën të jetonte dhe të punonte në Atdheun e tij të lindjes, për të cilin jetoi dhe punoi gjithë jetën në mërgim, gjithmonë i shtyrë nga dashuria dhe besnikëria ndaj vendit të origjinës të parëve të tij.

Këto ndjenja mos urrejtjeje ndaj shqiptarit — megjithë vuajtjet e tija dhe të familjes së tij nga komunizmi – Martin Camaj, prapseprap falënderon nuk ruante urrjejte as inat ndaj atij sistemi dhe njerëzve që e mbështetën atë regjim në pushtet për pothuaj gjyësm shekulli.   Me shembjen e komunizmin në Shqipëri, ai kishte filluar komunikimin me vendlindjen e tij, përfshirë Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Intelektualëve të pavarur shqiptarë , ku edhe u antarësua e tij në radhët e kësaj orgnizate e cila qe krijuar në vitin 1991, duke komentuar pranimin e tij në atë organizatë, duke thënë se, vlersimi që i bërë atij me atë rast, “na afron”.   Në një letër dërguar Lidhjes së Shkrimtarëve të Pavarur Phqiptarë në vitin 1992, ai u ishte drejtuar atyre dhe “mbarë popullit shqiptar” me fjalët “të dashur miq e vëllazën shqiptarë”:   “Të dashunve miq e vllazën shqiptarë, intelektualë, artistë dhe mbarë popull shqiptar”, duke përcjellë përshëndetjet e tija, vetëm disa ditë para se të ndërronte jetë, mbarë popullit shqiptar me këto fjalë: “Ndonse të ndamë për një gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijt”, ka shënuar Ardian Klosi në një shkrim, duke cituar letrën e Martin Camajt, dërguar Lidhjes së Shkrimtarëve e Intelektualëve të pavarur të Shqipërisë, në vitin1992.

Në këtë frymë vëllazërimi e afrimi me njëri tjetrin, nepërmjet veprave të tija, Martin Camaj u bën thirrje shqiptarëve për afrim, për pajtim e bashkim midis tyre, pa marrë parasyshë dallimet politike — jo se ai kishte frikë ndonjë njeri, se, siç ka shkruar Ernest Koliqi, gjithë jetën e tij, Martin Camaj, “Trimnisht ka përdorur penën, si të parët e tij dikurë taganin dhe pushkën”.   Por ai ka vlersuar se nga thirrja e Martin Camaj, “Afrohuni Shqiptarë”, rrjedhë, “Fisnikija e lashtë e malësorve, kalorsija e natyrshme që u pajisë atyre shpirtin, pikon papritmas edhe në vepër të këtij pinjolli të tyne, e i cili e di harresën në të cilën bota e huej dhe vendase i la malet tona.”   Si pinjoll i atyre maleve, shkruan Koliqi në parathënjen e veprës së Camajt, “Djella”, Martin Camaj e kishte gjithmonë,“Parasyshë mospërfilljen e pavarëshme që shumica e qytetarëve ka dëftue për këta fatosa të lindun, e të cilët si kala e gjallë mbrojtën Kombin nga sulmet e sllavëve”.    Ndonëse, Martin Camaj, sipas tij, “Nuk ishte i nxjerrë jashtë mureve, si Fishta, Konica, Koliqi, por kjo nuk e bënte më pak të ndërlikuar problemin e tij.   Kishte qenë thjesht nënshtetas i atij vendi që quhej Shqipëri, por asnjëherë brenda kullës letrare të saj.   Ka gjasë që për një kohë të gjatë, në nënvetëdijen e tij shestohej e paarritshmja: të bënte pjesë një ditë në atë fis apo në atë urdhër trillan”, ka shkruar ai.

Fatkeqsisht, ashtu i pa dashur dhe i pakuptueshëm si në kohën e komunizmit – siç ishin edhe At Gjergj Fisjhta, Faik Konica dhe Ernest Koliqi, ndër të tjerë të mëdhej shkrimtarë të asaj gjenerate –Martin Camaj dhe miqtë e tij me të cilët punoi për pothuaj gjysëm shekulli duke e bërë të njohur Kombin Shqiptar, identitetin, kulturën dhe gjuhën e tij të vjetër në botën perëndimore – edhe me ndërrimin e epokës, 30-vjet post-komunizëm, mbeten pothuaj ashtu si në kohën e komunizmit –.të pa dashur dhe të pakuptueshëm!

Ka rdhur koha që të përfillet thirrja e Martin Camajt: “AVITU NJERI!   AFROHUNI SHQIPTARË”!

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank Shkreli- Afrohuni Shqiptare-Martin Camaj

Kosova, Bust Senatorit Amerikan Bob Dole

July 22, 2019 by dgreca

-Kryeministri në detyrë Haradinaj: Sot, i gjithë populli i Kosovës e nderon veten dhe miqësinë e përjetshme me ShBA-të. Me rastin e ditëlindjes së Senatorit Bob Dole, ne po shënojmë nisjen e projektit për një përmendore/

 -Busti i Senatorit Bob Dole planifikohet të përurohet më 28 nëntor 2019, që përkon me Ditët e Falënderimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës/

PRISHTINË, 22 Korrik 2019-Gazeta DIELLI/ Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në shënimin e ditëlindjes dhe inicimit të ndërtimit të bustit për Senatorin Bob Dole, që do të përurohet më 28 nëntor 2019, që përkon me Ditët e Falënderimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Me këtë rast, kryeministri në detyrë Haradinaj tha se ky është një moment mjaftë i mirë për t’i uruar një miku të Kosovës ditëlindjen dhe ai është Senatori Bob Dole, duke falënderuar për prezencën dhe kujdes ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, zonjën Alison Kosnett, dhe drejtorin ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka.

 “Po më atribuohet shumë kujdesi për këtë përmendore dhe t’iu them të drejtën unë vetëm ndihmoj, por iniciativa ka ardhur prej qytetarëve, bizneseve, Odës, shumë miqve që janë këtu prezentë dhe më lejoni t’ju falënderoj gjithë juve që jeni bashkuar sot dhe me rastin e ditëlindjes së Senatorit Bob Dole, ne po shënojmë nisjen e projektit për një përmendore për Senatorin Bob Dole”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj.

Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, falënderoj Senatorin Bob Dole për dakordimin e dhënë që ne të veprojmë kështu, duke theksuar se me respektin më të madh i është drejtuar edhe Komunës së Prishtinës me shkresat e duhura dhe tashmë ky proces ka filluar, duke kujtuar kohën e 29 viteve më parë, në vitin 1990 kur është bërë vizita e parë e një delegacioni të lartë të senatorëve amerikanë në Kosovë.”Përderisa Senatori Dole ishte në hotelin “Grand” duke bashkëbiseduar me udhëheqësin e atëhershëm të shqiptarëve, presidentin tonë historik, Ibrahim Rugova, policia, regjimi i Millosheviqit kishte filluar keqtrajtimin e qytetarëve jashtë. Kjo vizitë ishte kthesë, kjo vizitë ishte një nismë për së mbari e Kosovës dhe kështu u vazhdua nga të gjithë ata që na nderuan me vizita më pastaj në Kosovë dhe kështu u vazhdua me përkrahjen e vitit ’99, me ndërprerjen e tragjedisë dhe kthimin e jetës në Kosovë dhe mendoj se sot, i gjithë populli i Kosovës e nderon veten dhe këtë miqësi”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj, duke shtuar se janë të gëzuar që populli i Kosovës i drejtohet me një nderim dhe në shenjë falënderimi për kontributin e tij jetësor për Kosovën, Senatorit Bob Dole.
“Falënderojmë presidentin Trump për kujdesin për Kosovën dhe njëkohësisht urojmë që miqësia jonë Kosovë- Amerikë të jetë e përjetshme. Zoti e Bekoftë Kosovën! Zoti e bekoftë Amerikën!”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj. 

Po ashtu, kryeministri në detyrë Haradinaj beson se artisti Luan Mulliqi, të cilit i është besuar kjo detyrë, do të na nderojë poashtu dhe do të jemi të nderuar.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës  z. Philip Kosnett, falënderoi kryeministrin në detyrë, Qeverinë e Kosovës, Komunën e Prishtinës dhe Odën Ekonomike Amerikane të Kosovës për mundësinë e këtij çasti frymëzuese, duke thënë se bashkë me bashkëshorten e tij janë të nderuar që janë dëshmitarë të vënies së gurthemelit dhe po ashtu edhe senatori Bob Dole është prekur nga ky nderim.

 “Gjatë tërë jetës së tij në shërbim, fillimisht si hero i ushtrisë amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore, pastaj në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si kandidat për president të SHBA-ve dhe tani si njëri ndër burrështetasit më të respektuar, Bob Dole i ka prirë gjithmonë shtytjes përpara të kauzës së lirisë në tërë botën. Andaj, nuk ishte fare befasi që ai u bë mbështetës i pazëvendësueshëm i Kosovës, duke qëndruar përkrahë popullit të këtij vendi në përpjekjet tuaja për ta ndërtuar një shtet të fortë dhe të lirë”, tha ambasadori Kosnett. 

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, tha se nuk ka mënyrë më të mirë sesa kjo e sotmja që t’i urojmë senatorit Bob Dole ditëlindjen e tij, e në të njëjtën kohë nuk ka ditë më të mirë se kjo e sotmja që bashkërisht të konfirmojmë përjetësimin e kujtesës për gjithë rolin dhe kontributin që senatori Bob Dole ka pasur në Kosovë.

Busti i Senatorit Bob Dole planifikohet të përurohet më 28 nëntor 2019, që përkon me Ditët e Falënderimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës./b.j/

***

Kryeministri Haradinaj: 22 Korriku 2010, datë e rëndësishme e shtetësisë së Kosovës

PRISHTINË, 22 Korrik 2019-Gazeta DIELLI/ Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shkruar sot:

Një nga datat më të rëndësishme të shtetësisë së Kosovës është edhe 22 korriku i vitit 2010, kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalli verdiktin se, Pavarësia e Kosovës është legjitime dhe e drejtë dhe nuk bie ndesh me të Drejtën Ndërkombëtare.
Ky vendim historik për vendin, konfirmoi themelet e pavarësisë tonë, të sovranitetit të shtetit dhe integritetit territorial.
Për koicidencë, një ditë para vendimit të GjND-së, më 21 korrik, unë u thirra në Hagë, në procesin e dytë gjyqësor. Sot, kur sërish thirrem në Hagë, në këtë përvjetor të nëntë, Kosova është më e fortë se kurrë, si shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, i pandashëm dhe i përkushtuar në rrugën euro-atlantike.

RH

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari-Ramush haradinaj- Bob Dole sen

Dedication and Blessing of the Shrine for St. Mother Teresa of Albania in Ossining

July 22, 2019 by dgreca

by Joe DioGuardi*/

It was a wonderful day on the grounds of the St. Augustine Church in Ossining, New York, when, on June 20, 2019, the Papal Nuncio of Albania came to dedicate the shrine and bless the statue of St. Mother Teresa of Albania. 

The Nuncio, Archbishop Charles Brown, officiated the ceremony with St. Augustine’s pastor, Fr. Brian T. McSweeney, and former pastor, Msgr. Hilary Franco.  Also present were Fr. Peter Popaj, pastor of Our Lady of Shkodra Albanian Church in Hartsdale, New York, Fr. Gjergj Meta, the Catholic Metropolitan of the Archdiocese of Tirana and Durres, Albania, and former Member of Congress Joe DioGuardi, a parishioner of St. Augustine Church and founder of the Albanian American Civic League.

The idea for the shrine and statue of Mother Teresa was first conceived some ten years ago by then St. Augustine Church pastor Msgr. Hilary Franco, who knew Mother Teresa personally, and even attended her State funeral in Calcutta, India, where she founded her religious order of nuns that she named the Missionaries of Charity.  Msgr. Franco publicly announced this plan on the occasion of the annual dinner of St. Augustine Church in 2009.  He was joined by then New York Archbishop, now Cardinal, Timothy Dolan, Fr. Popaj, Joe DioGuardi, Shirley Cloyes DioGuardi, and 50 Albanian American parishioners of Our Lady of Shkodra Church who supported the Albanian American Civic League and Foundation in planning for the shrine and the statue.

DioGuardi opened the ceremony on June 20, which was attended by more than 200 Albanian Americans, by thanking all for coming to his parish in Ossining and by giving special thanks to Fr. McSweeney, Msgr. Franco, Archbishop Brown, and to Zef and Lina Balaj for their sponsorship of the statue of St. Teresa in the name of Zef’s deceased mother and father, Gjon and Zoja Balaj.  In his comments, DioGuardi remembered the day 26 years ago, on April 25, 1993, when he joined with Mother Teresa and Pope John Paul II at the investiture of four Albanian priests as bishops at the newly reopened and reconstituted cathedral in the center of Shkodra, shortly after atheistic communism was brought down in Albania.  One of the bishops was Zef Simoni who incredibly survived the barbaric Stalinist Communist regime of Enver Hoxha in horrible prisons for more than 45 years.  The other bishops invested by the Pope were Franco Illine, Rrok Mirdita, and Robert Ashton.

DioGuardi concluded his comments before the dedication and blessing of the shrine and statue by Papal Nuncio Brown with the words of St. Mother of Teresa of Albania when she said, “By blood I am Albanian, by citizenship I am Indian, and by faith I am a Catholic nun who by my profession belongs to the world, but by faith I belong entirely to the Sacred Heart of Jesus.”

 * New York, June 20, 2019

Hon. Joseph J. DioGuardi

President, Albanian American Civic League

www.aacl.com

jjd@aacl.com

(914) 671-8583

Filed Under: Histori Tagged With: Joe DioGuardi- St. Mother Teresa Albania

GAZETA RILINDJA-22 KORRIK 1969: RAPORTI I PARË NGA HËNA

July 22, 2019 by dgreca

GAZETA RILINDJA-22 KORRIK 1969, NUMËR I POSAÇËM PËR “APOLO 11”: RAPORTI I PARË NGA HËNA/

-Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja para gjysëm shekulli doli me numër të posaçëm për hapat e parë të njerëzimit në Hënë në misionin e suksesshëm e historik të ekuipazhit të “Apolo 11” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës/

-Histori nga faqet e gazetës tradicionale shqiptare të Kosovës Rilindja, e cila ka nisë të dalë në 12 Shkurt 1945 në Prizren, në frymën e Konferencës së Bujanit – të Rezolutës për vetëvendosje e të drejtë bashkimi me Shqipërinë, e me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana. Si në filmin shqiptar “Udha e Shkronjave”…/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 22 Korrik 2019/ Për ngjarje të jashtëzakonshme, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja  ka dalë edhe me numra të posaçëm, ndër të cilët është edhe ai i 22 Korrikut 1969 për hapat e parë të njerëzimit në Hënë në misionin e sukseshëm të ekuipazhit të “Apolo 11” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në atë numër të gazetës Rilindja kanë mbetur të shënuara FJALËT E PARA NGA HËNA, të astronautit Amerikan Neil Armstrong, që është njeriu i parë që shkeli në Hënë: “KËTU BAZA NË DETIN E QETËSISË, ‘SHQIPONJA’ ZBRITI”.

“ÇFARË SHKRETËTIRE MADHËSHTORE”, kishte thënë Buzz Aldrin, njeriu i dytë që shkeli në Hënë.

Siç shihet në arkiva dhe në monografi, gazeta historike e Kosovës Rilindja ka botuar edhe informata të dhëna drejtpërdrejtë nga Hëna, të astronautëve Amerikanë.

Në fillim të raportit saktësohet vendngjarja e ndodhisë historike: Deti i Qetësisë, Hënë. Prej andej vinte zëri i njerëzve të parë që shkelën në Hënë në 20 Korrik të vitit 1969. Astronautët Amerikanë, Neil Armstrong, Buzz Aldrin dhe Michael Collins në udhëtimin historik nga Toka drejt Hënës ishin nisur katër ditë më parë, në 16 Korrik të vitit 1969, nga Qendra e Hapësirës së Lartë të NASA-s Kennedy, në Florida.

GAZETA RILINDJA QË NISI TË DALË NË 12 SHKURT 1945 NË PRIZREN, HISTORI KOSOVE…

Është histori Kosove gazeta tradicionale shqiptare Rilindja, e cila ka nisë të dalë në 12 Shkurt 1945 në Prizren, në frymën e Konferencës së Bujanit – të Rezolutës për vetëvendosje e të drejtë bashkimi me Shqipërinë, e me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana. Si në filmin shqiptar “Udha e Shkronjave”…

Në monografinë “RILINDJA 60 VJET” kam shkruar se “SHKRONJA PËR RILINDJEN DËRGOI TIRANA” pasi në Shtypshkronjën e  Rilindjes në Prizren nuk kishte shkronja të  mjaftueshme të derdhura në plumb për shkrim në gjuhën shqipe.

“T’I PËRVISHEMI PUNËS…”, ishte kryeartikulli në ballinë i numrit të parë të gazetës Rilindja, që mbanë datën 12 Fruer (Shkurt) 1945, e që sipas shkrimeve Kosovën e përcaktonte si një vend të veçantë.

“JEHONA E VENDIT” ishte rubrika, ku janë të botuara 6 lajme e informata nga Kosova, e të 4 lajmet e tjera janë të jashtë vendit nga fronte të ndryshme të Luftës së Dytë Botërore, që ende vazhdonte (Froni i Lindjes, i Perëndimit, i Jugosllavisë dhe ai i Italisë).

RILINDJA E PARË U SHTYP NË MËSE 3000 EKZEMPLARË

Numri i parë i gazetës Rilindja u shtyp në një tirazh prej mëse 3.000 ekzemplarësh dhe u shpërnda në gjithë Kosovën.

“Kudo Rilindja u prit me entuziazëm e dashuri të madhe, njerëzit e puthnin dhe u mbusheshin sytë lotë nga gëzimi, gazetën e ngritnin lart në duarë si një flamur të jetës”. Ky është tregimi i përmbledhur i atyre që e shpërndanë numrin e parë të gazetës deri te lexuesit.

Në fillimet e saj, në rrethanat e një shkalle të lartë të analfabetizmit të asaj kohe në Kosovë, gazeta Rilindja u përdor edhe për mësimin e shkronjave shqipe, shkrimit e leximit.

ABETARJA E PARË NË GJUHËN SHQIPE

Gazeta historike Rilindja në 19 nanduer  (nëntor) 1946 jepte lajmin e madh për abetaren e parë në gjuhën shqipe të botuar në Kosovë: “Sot duel nga shtypi abetarja e parë në gjuhën shqipe e cila me punën vetmohuese të punëtorëve grafikë u shtyp, për një kohë relativisht të shkurtë…Abetarja përmbanë 58 faqe dhe asht  shtypë në 5.000 ekzemplarë”.

Rilindja e 14 kallnor (janar) 1948 shkruante se si ishte GJENDJA NË SHKOLLAT FILLORE të Kosovës:

“Në vjetin 1945/46 prej 25.302 nxansve e nxanseve të regjistuem në shkollë kanë vazhdue rregullisht dhe kalue klasen vetëm 12.213 nxanësa e nxanëse, d.m.th. ma pak se gjysa.

Në vjetin 1946/47 prej 45.692 nxanësve të regjistruem e kanë ndjekë shkollen ne rrugull dhe kalue klasen 26.157 nxanës dhë në vjetin shkollor 1947/48 prej 51.225 nxansve të regjistruem ne mbarim te tremuejshit të pare ka pase vetëm 17.421 nxanës të regjistruem.

Çka don me thane kjo? Kjo s’don te thot tjeter veçse qe komitetet shqiptare nuk ua kane spjegue njerzve qe nuk asht e mjaftueshme me i regjistrue femijtë e tyne por edhe qe ata t’a vazhdojnë rregullisht shkollën”.

RILINDJA NË LUFTIMIN E ANALFABETIZMIT, PËR EMANCIPIM DHE PËR NDËRTIMIN E SHKOLLAVE

Rilindja lindi në një kohë kur duhej luftuar analfabetizmi. Më 23 janar 1946 kjo gazetë botonte artikullin redaksional “Analfabetizmi asht anmiku i popullit”.

Ndërsa, ndonjë ditë më vonë shkruante se “afër 20.000 burra e gra marrin pjesë në kurset për luftimin e analfabetizmit”. Rilindja e datës 14 fruer (shkurt) 1947, në një titull të madh, shkrunte se në Kosovë “FUNKSIONOJNË 2.485 KURSE KUNDËR ANALFABETIZMIT, KU JANË PËRFSHI 52.413 NDJEKËSA”.

Rilindja (e datës 1 janar) ka hyrë në vitin 1949 me një artikull që angazhohet për të drejtën e shqiptarëve në “përdorimin e gjuhës së tyne amnore” dhe shënon faktin se gjatë viteve 1945 -1949 në Kosovë “kanë mësue shkrim-këndim mëse 100.000 analfabetë”.

Ndërkohë, krahas luftës kundër analkfabetizmit, është zhvilluar edhe aksioni për zgjerimin e rrjetit të bibliotekave. Sipas Rilindjes, në fillimin e vitit 1949 në bibliotekat e Kosovës kishte 8.230 libra e broshura në gjuhën shqipe. Kurset kundër analfabetizmit nëpër qyetet e fshatrat e Kosovës kanë qenë tema e qindëra shkrimeve në shumë numra e faqe të gazetës Rilindja. Fushata – aksioni i Rilindjes për zhdukjen e analfabetizmit filloi qysh në vitin 1945 dhe zgjati gati 7 vjet. Më 1946 dhe 1947 Rilindja iu bashkua aksionit për emancipimin e femrës shqiptare, ndërsa në vitet 1972 – 1975 aksionit për shkollimin e femrës shqiptare.

Aksion tjetër i rëndësishëm në faqet e gazetës Rilindja ishte ai i huasë popullore për ndërtimin e shkollave në Kosovë gjatë viteve 1970-1972.

TEATRI KOMBËTAR NË PRISHTINË FILLOI MË 1948

Rilindja ka njoftuar se më 1 shtator të vitit 1948 fillon punën Teatri Kombëtar në Prishtinë me 20 anëtarë.

Gazeta ka njoftuar edhe se më 7 qershor 1949 u dha shfaqja e parë në gjuhën shqipe në Teatrin Kombëtar të Kosovës në Prishtinë. Më 9 qershor 1950 Rilindja njoftonte se “pranë Teatrit papulluer në Prishtinë u formue ansambli Krahinuer i valleve popullore”. E në 13 prill 1951 Rilindja shkruante për “NJIZETENANDË ÇFAQJE TË THEATRIT TË KUKLLAVE”: Mbas disa përgatitjeve teknike Theatri i Kukllave në Prishtinë filloi punen e tij të rregullt, me ketë rast dha çfaqjen e parë “Borbardha dhe shtate shkurtabiqat” ne gjuhen shqipe…Kjo asht çfaqja e njizetenande e këtij Theatri prej Majit të vitit 1950, kur asht formue e deri tash…”.

RILINDJA MË 1947: NË INTERES TË POPULLIT SHQIPTAR

Rilindja në 6 Gusht 1947 shkruante: …Lufta kundër çarshafit duhet të vazhdojë deri sa të zbulohet edhe femna e fundit. Tridhjet mijë femna shqiptare të zbulueme, në interes të popullit shqiptar kërkojnë që lufta kundra çarshafit të vazhdojë deri në fund…

E më herët, Rilindja e 17 Mars 1946 njoftonte edhe cili ishte “PREMTIMI I NJË GRUAJE”: “Rukmane Blaka (nga Istogu-plotësim yni) ka premtue se deri me 1 Maj ka me zbulue 2 shqiptare, ka me mësue shkrim e këndim 20 gra dhe me mbarue 200 palë çarape”.

RILINDJA MË  6 JANAR 1946: NA DUHET EDHE NJË REVISTË SHQIPE

RILINDJA e 6 janarit 1946 shtronte çështjen e nxjerrjes së një reviste të re shqipe në Kosovë, meqë, siç theksonte, kjo gazetë dhe revista “Zani i rinisë shqiptare” nuk mund të përmbushnin kërkesat e shtuara krijuese, letrare e shkencore. Po në atë numër Rilindja bënte apel për një kujdes më të madh ndaj pastërtisë së gjuhës shqipe. Dalja e numrit të parë të revistës së parë letrare në Kosovë JETA E RE ishte një lajm i rëndësishëm kulturor në gazetën RILINDJA të datës 17 Korrik 1949.

FORMIMI I SHOQËRISË KULTURO-ARTISTIKE TË ARBËRESHËVE DHE OPERA E PARË NË GJUHËN SHQIPE NË ZARË

RILINDJA e datës 14 Tetor 1951 njoftonte se në Zarë (qytet bregdetar në Kroaci) është formuar shoqëria kulturo-artistike e Arbëreshëve, me iniciativën e profesorit të muzikës Shime Deshpalit dhe Josip Reles.

“Në koncertin e parë u këndue edhe nji tercet nga opera ‘Vana’ e Shime Deshpalit ne gjuhën shqipe (e para në historinë e muzikës shqiptare). Opera ‘Vana’ asht nji fragment nga jeta e tyne para 50 vjetësh”, shkruante Rilindja.

GJUHA AMNORE

(…) Popujt e qytetnuem çmohen edhe përkah begatia, pasunija, përkah bamunia se sa kujdes i kushtojnë gjuhës së tyne amnore. Ata kanë themelata të posaçme që ruajnë dhe shtjellojnë gjithnjishëm mundësitë e saj shprehjore… (Idriz Ajeti në RILINDJA, 4 Dhjetor 1952. Akademik, në vitet 1979-1981 dhe 1996-1999 ishte edhe kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës)

REVISTA “HYLLI” DREJTUAR NGA MARK KRASNIQI

Akademik Mark Krasniqi është një nga emrat e shquar të kulturës, arsimit e shkencës shqiptare i pranishëm gjatë shumë viteve në Rilindje. Një kohë para daljes së Rilindjes Mark Krasniqi shkruante dhe drejtonte revistën e nxënësve “Hylli”, që botohej në gjuhën shqipe në Seminarin katolik të Prizrenit nga fundi i viteve të tridhjeta dhe fillimi i të dyzetave të shekullit XX.

TETOVA E VITIT 1952

Tetova ka sot 8 shoqni kulturo-artistike. Organizata sindikale, rinija punuese, rinija shkollore, Shqiptarët, Turqit, organizata e grues, etj. – kanë bashkue në gjiun e vet afër 1500 antarë aktivë që në misjonin e tyne kultural naltojnë vehten dhe popullin. Vetëm shoqnija kulturo-artistike shqiptare “Gjeladin Zeqiri” bashkon në radhët e veta afër 320 antarë dhe anëtare aktivë.

Dy kinothetrat, Theatri profesional, Theatri i kukllave, biblioteka e pasun e qytetit, universiteti populluer, shkollat fillore e të mesme, gjimnazi për puntorë, kurset e ndryshme (për gjuhë të huaja, për amvise), janë çerdhet ku Tetovarët fitojnë dije dhe gjejnë prehinë kulturore. Nuk kalon javë pa udhanë të paktën 4 çfaqje që japin kinotheatri dhe Thetari populluer i qytetit…

(RILINDJA, 24 prill 1952 – fragment nga një shkrim i Gjeto Lekajt)

RILINDJA-ÇDO JAVË, PËRDITË… 

Esad Mekuli, drejtor përgjegjës në shënimin e njëvjetorit të daljes së gazetës Rilindja më 1946, ndër të tjera, shkruante: “… ‘Rilindja’ duhet të dalë çdo javë rregullisht…duhet të bahet pasqyrë e veprimtarisë s’onë…”

Rilindja që nga fundi i nëntorit të vitit 1958 filloi të botohet përditë.

Në fillimin e daljes përditë të Rilindjes rubrikës standarde “Jeta kulturore” iu shtuan edhe rubrika e posaçme “Gjuhë, letërsi, art”, si dhe rubrika e filmit dhe ajo e tregimit.

RILINDJA ME NGJYRËN E KALTËRT, që iu shtua faqeve bardhezi, me fizionomi të re, filloi të dalë të dielen e 17 prillit të vitit 1966. “Dje, sot, nesër”, ishte rubrikë e re në faqen e parë.

RILINDJA MË 1962: KOSOVA FITOI BANORIN E NJIMILIONIT

RILINDJA e datës 6 Korrik 1962 shkruante se Kosova “fitoi këto ditë banorin e njimilionit…”

“Simbas regjistrimit të fundit të 31 marsit të vitit të kaluem, në këtë teritor ka pasë 963.551 banorë…” shkruante gazeta duke shtuar se “asht interesante” se në Kosovë “ka afër 40 mijë mashkuj ma shumë se femna”.

GJUHA E NJËSUAR LETRARE NË RILINDJA NGA 12 SHKURTI 1970

RILINDJA në 25 vjetorin e saj, në 12 Shkurt 1970, filloi të dalë me gjuhën e njësuar letrare shqipe. Me këtë rast, në artikullin “Të mësojmë me vullnet gjuhën letrare” bënte thirrje që gjuhës letrare t’i kushtohet kujdes më i madh nga të gjithë.

PALLATI I SHTYPIT FILLOI TË NDËRTOHET NË NËNTOR 1971

RILINDJA më 20 Nëntor 1971 informonte se një ditë më parë në afërsi të Stadiumit të Prishtinës me një solemnitet rasti filloi ndërtimi i Pallatit të Shtypit. RILINDJA pasi kishte investuar në truallin e Pallatit filloi edhe ndërtimin e tij, duke qenë udhëheqëse e punimeve dhe investitore.

THEMELIMI I UNIVERSITETIT TË PRISHTINËS- RILINDJA: DO TË JAPË DRITË, SHKENCË E KULTURË

“Universiteti i Prishtinës do të japë dritë, shkencë e kulturë”, ishte kryetitulli në gjithë ballinën e gazetës Rilindja në 16 Shkurt 1970. Kështu gazeta historike raportonte gjerësisht për themelimin e Universitetit të Prishtinës – kryeqytetit të Kosovës.

 Festa e madhe dhe e shumëpritur e themelimit të Universitetit të Prishtinës u mbajt më 15 Shkurt 1970 me mbledhje solemne të Kuvendit të Universitetit, vetëm tre ditë pas festës së 25 vjetorit të Rilindjes, e cila në fillimet e saj kishte botuar abetaren e parë shqipe të Kosovës.

“Në RILINDJA, që është edhe abetare e parë, i kanë rrënjët edhe Universiteti, edhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, edhe shumë zhvillime e aspiratat tona”, kam shkruar në Monografi. 

Universiteti i Prishtinës është themeluar me ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës në 18 nëntor 1969 edhe si kërkesë e demonstratave studentore e gjithëpopullore kosovare një vit më herët – në 1968. Kuvendi themelues i Universitetit është mbajtur në 13 shkurt 1970, ndërsa mbledhja solemne e tij dy ditë më vonë,  në 15 shkurt, dhe kjo datë është shpallur Dita e Universitetit të Prishtinës.

Në prag të demonstratave shqiptare, Rilindja ditën e diel të 6 tetorit të vitit 1968 në ballinë kishte shkrimin me titull “Përdorimi i lirë i flamujve kombëtarë”, që po riniste në Kosovë për shqiptarët…

RILINDJA NË VITIN 1972 PËR ZGJERIME BASHKËPUNIMI TË KOSOVËS ME SHQIPËRINË

Gazeta Rilindja në vitin 1972 (në shtator e tetor) shkruante për zgjerime bashkëpunimi të Kosovës me Shqipërinë dhe për këtë nënshkrimin në kryeqytetin shqiptar të protokolit  mes Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Prishtinës, bisedat në kryeqytetin kosovar  mes drejtuesve të “Kosova Filmit” dhe  delegacionit të Kinostudios “Shpiqëria e Re”, ardhjen e shkrimtarëve nga Shqipëria në Gjakovë e Prishtinë dhe bisedat për shkëmbim të botimeve mes shtëpive botuese, Shfaqjen në Teatrin Kombëtar të Prishtinës të “Gjenaralit të Ushtrisë së Vdekur”, që e solli i ardhur nga Tirana Piro Mani si autor i dramatizimit e regjisor, derisa në premierë asistoi edhe autori i romanit Ismail Kadare, siç shkruante  kritiku teatror Vehap Shita edhe në librin “Kur ndizen dritat”, botuar nga Rilindja, ku ka punuar shumë vite…

KOSOVA DREJT PAVARËSISË. RILINDJA NUK U NDAL EDHE KUR U NDALUA, AS KUR U DËBUA…

Kosova po shkonte drejt Kushtetutës së vitit 1974,  e cila i ka siguruar mëvetësi organizative si njësi konstituive me të drejtë vetoje në federatën  e atëhershme, nga shpërbërja e së cilës dolën shtatë shtete të reja të rajonit – Kosova, Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedona…

Rilindja nuk u ndal edhe kur u ndalua me ndërhyrje ushtarako-policore në shtypshkronjë nga regjimi okupues serb në 7 Gusht 1990, edhe kur u dëbua kundërlishëm e padrejtësisht nga shtëpia e saj – Pallati i Rilindjes në 21 Shkurt 2002 nga administrata e UNMIK-ut…Nga 18 Janari 1991 doli edhe me emrin “Bujku” gazetë e rezistencës, e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, me përcaktim e orientim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha.

Gazeta Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha në kohën e dëbimit nga UNMIK e deri në numrin e fundit, pas datës 21 shkurt 2002 deri kur doli përditë, doli me numra të jashtëzakonshëm të kohëpaskohshëm e protestues duke e bërë gazetën tradicionale edhe histori të Kosovës që nga koha e rreth një viti pas Konferencës së Bujanit, e nisur në 31 Dhjetor 1943 dhe e përfunduar në 2 Janar 1944,  deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurtin historik 2008 e njohjet ndërkombëtare…

Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja për 17 Shkurtin historik 2008 doli numër i jashtëzakonshëm festiv me kryetitullin me shkonja ngjyrë ari: KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI.

Po në ballinë, nën imazhet e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, të Flamurit e Stemës së shtetit të ri evropian dhe fishekzjarreve të festimeve në Prishtinë, Rilindja shkruante poashtu me shkronja ngjyrë ari: 17 SHKURTI 2008 DITA MË E MADHE SHQIPTARE PAS 28 NËNTORIT 1912 TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË.

Lart te logoja po në faqen e parë shkruante: RILINDJA JU URON SHPALLJEN DHE NJOHJEN E KOSOVËS SHTET I PAVARUR.

Në këtë numër festiv për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës një nga titujt e Gazetës ishte: PRESIDENTI RUGOVA: DUHET TË SHIKOJMË TË GJEJMË NJË ZGJIDHJE PËR RILINDJEN. Në këtë shkrim citohet një pjesë e një prej intervistave ekskluzive që kam zhvilluar me Presidentin historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, me këtë rast për gazetën Rilindja të jubileut të 60 vjetorit – të 12 Shkurtit 2005, kur në Rezidencën Presidenciale në cilësinë e kryetarit të Këshillit Drejtues dhe kryeredaktorit të Rilindjes i dhurova Pllakatin e Jubileut të 60 vjetorit të  gazetës tradicionale të Kosovës, të punar me ar e argjend nga argjendarët e Prizrenit, qytetit historik  ku ka dalë numri i parë i gazetës. Presidenti Rugova uroi për Jubileun e gazetës Rilindja gjashtë dekada në jetën dhe në familjet e kosovarëve,  duke u shprehur, mes tjerash:

“Unë Ju përgëzoj për këtë përvjetor Jubilar, pra 60 vjetorin e Rilindjes, dhe dëshirojmë që kjo gazetë sa më shpejtë të konsolidohet. Duhet të shikojmë të gjejmë një zgjidhje për Rilindjen, që të mund të vazhdojë si një gazetë tradicionale. Ne duhet të kemi edhe mjete të informimit të formave të ndryshme, mund të gjejë, ta ketë atë formën të një informacioni dhe prezentimi të çështjeve shtetërore, nëse nesër do ta pranojë Rilindja apo dikush tjetër. Dhe, gjithsesi do të gjendet në mozaikun e masmeriumeve të Kosovës. Ne do t’i shikojmë të gjitha mundësitë dhe do të ndihmojmë në këtë plan dhe do t’ju përkrahim. Rilindja është një gazetë që është një pjesë e historisë së Kosovës dhe që ka ndihmuar zhvillimin e Kosovës në përgjithësi. Natyrisht, tash edhe Rilindja duhet të gjendet në këtë çështjen e tregut të mediumeve. Dhe, duhet t’i ketë ato të drejtat që i takojnë si shtëpi botuese, ose si shtëpi informacioni. Sepse ishte një gjigant i masmediumeve, i botimeve për atë kohë, e sot, tash, duhet ta gjejë rolin e vet si gazetë, e të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës. Prandaj, do të keni përkrahjen tonë dhe do të shikojmë gjitha mundësitë administrative si do të ecin.

Pra, Urime edhe një herë dhe Gëzuar!”

Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë dhe njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e mëse 40 numrave të jashtëzakonshëm të kohëpaskohëshëm në 30 Dhjetor 2008, me numrin festiv të Vitit të Ri 2009, me paralajmërimin në ballinë: DUKE BESUAR NË SUNDIMIN E LIGJIT NË SHTETIN E KOSOVËS PRESIM QË NGA NUMRI I ARDHSHËM RILINDJA TË DALË PËRDITË.
Kryetitulli në ballinën e gazetës Rilindja ishte i ëndërres dhe i të ardhmes: KOSOVA SHTET NË OKB. Dy nga titujt tjerë në ballinë: 53 SHTETE NJOHËN SHTETIN E KOSOVËS dhe VITI 2009 I SHQIPËRISË NË NATO.

Pas 10 vitesh, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja në ndërrim motesh – në pritje të 2019-tës, në mbrëmje 31 Dhjetorit  2018 ridoli  simbolikisht (botim digjital) për protestë dhe me kërkesën e përsëritur për t’u rikthyer e përditshme – për privatizim, sipas shembullit të gazetave në rajon që kishin status të njëjtë ndërmarrje shoqërore e që janë pzivatizuar e vazhdojnë të dalin…

“GAZETA DIELLI NË SHBA PËRKRAHJE GAZETËS RILINDJA TË KOSOVËS – SHËNIM REDAKSIONAL I DATËS 22 SHKURT 2017”, është një nga titujt në faqet ku botohet edhe shkrimi i marrë nga Gazeta DIELLI që e kam shkruar si korrespondent i saj në Kosovë, i 17 Shkurtit 2018, me titull “FESTOHET 10 VJETORI I KOSOVËS SHTET” dhe me këtë shënim:

(Botuar në Gazeta DIELLI në Shtetet e Bashkuara të Amerikes – më e herëshmja shqiptare në gjithë botën, e themeluar nga Fan Noli e Faik Konica, organ i Federatës Mbarëshqiptare të Amerikës VATRA, e cila feston jubileun e 110 vjetorit në 15 Shkurt 2019. Në të njëjtin muaj e vit është 74 vjetori i gazetës tradicionale shqiptare të Kosovës RILINDJA, numri i parë i së cilës doli në Prizren në 12 Shkurt 1945. Gazeta DIELLI në vazhdimësi mbështetë të drejtën e Gazetës RILINDJA)…

Filed Under: Histori Tagged With: behlul Jashari-Rilindja- nJERIU NE hENE

PARA 9 VITEVE KOSOVA FITUESE NË GJND

July 22, 2019 by dgreca

KALENDARI I GAZETËS DIELLI: PARA 9 VITEVE KOSOVA FITUESE NË GJND/

-Para 9 viteve, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND)  nori vendimin historik për legalitetin e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. Presidenti Thaçi: Kjo ishte fitorja më e madhe ndërkombëtare e Republikës së Kosovës, e cila i hapi rrugë forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar dhe vulosi përjetësisht të drejtën tonë për vetëvendosje/

-Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë pasoi ankesën që Serbia i kishte dërguar kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 22 Korrik 2019/ Para 9 vitesh, në 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konkluduar se miratimi i Deklaratës  së Pavrësisë së Kosovës  në 17 Shkurt 2008  “nuk e ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e as Kornizën Kushtetuese”.

“Prandaj, miratimi i kësaj deklarate nuk e ka shkelur asnjë rregull të aplikushme të së drejtës ndërkombëtare”, theksohej më tej.

Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, sot përkujton: “U bënë nëntë vjet nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila konfirmoi të drejtën tonë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Kjo ishte fitorja më e madhe ndërkombëtare e Republikës së Kosovës, e cila i hapi rrugë forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar dhe vulosi përjetësisht të drejtën tonë për vetëvendosje. Ky vendim ka trasuar rrugën për anëtarësimin e Kosovës në NATO, BE dhe OKB.”

Para 9 viteve, atëherë ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni, e cilësonte vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë si “të qartë” dhe që “nuk lë vend për dyshime”, se pavarësia e Kosovës është bërë në përputhje me të drejtën ndrëkombëtare.

“Gjykata konstatoi, me shumicë dërmuese, se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Mendimi i Gjykatës është eksplicit dhe i qartë, dhe nuk lë vend për dyshim”, thuhej në deklaratën e ministrit Hyseni, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me pavarësinë e Kosovës.

“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vendosur në favor të Kosovës në të gjitha pikat”, vazhdonte më tej deklarata.

“Tani presim njohje të mëtejme të Kosovës. U bëjmë thirrje shteteve që e kanë shtyrë njohjen e Republikës së Kosovës në pritje të Mendimit të Gjykatës, që tani të vendosin për njohjen (e Kosovës)”, thuhej në deklaratën e ministrit të Jashtëm të Kosovës.

Menjëherë pas këtij zhvillimi me rëndësi historike, në një deklaratë të anëtarëve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rikonfirmohej mbështetja e palëkundur për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës dhe bëhej thirrje për njohje.

“Grupi Drejtues Ndërkombëtar rikonfirmon mbështetjen e palëkundur të tij për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës demokratike dhe shumetnike në kufijtë e saj të tanishëm dhe i bën thirrje shteteve tjera që të njohin Kosovën. Ai po ashtu përshëndet përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe progresin e konsiderueshëm në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në punën për realizimin e perspektivës së saj evropiane”, theksohej në deklaratë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur Pavarësinë, ishte formuar më 28 shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të Kosovës, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin, bazuar në Propozimin Gjithëpërfshirës të emisarit të posaçëm të OKB-së, kryenegociatorit për statusin, Martti Ahtisaari.

Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë u dha pas një ankese që Serbia i kishte dërguar kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Behlul Jashari- GJND-Kosova-9 vite

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 941
  • 942
  • 943
  • 944
  • 945
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT