• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Prof. Dr. Thanas Gjika, Shembull atdhetarizmi

July 12, 2019 by dgreca

(Me rastin e 75-vjetorit të lindjes)*/

Përshëndetje i dashur Thanas – urimet më të përzemërta prej meje dhe bashkëshortes sime Viki – me rastin e 75-vjetorit të lindjes suaj! Uroj t’ia kaloni sa më mirë te ‘Fruit Land Restorant‘ Harvard MA mes familjarëve e miqve tuaj, që jeni mbledhur për të festuar dhe për të celebruar jetën dhe veprimtarinë tuaj të larmishme, në shërbim të familjes dhe të Atdheut.

Të dashur pjesëmarrës, dua dhe unë të them disa fjalë për të nderuar jetën dhe veprimtarinë e atdhetarit të spikatur të komunitetit tonë këtu në Shtetet e Bashkuara, Profesorit Thanas L. Gjika.

Unë me Thanasin jam njohur vetëm pak vjet më parë, kemi zhvilluar një miqësi dhe bashkëpunim të ngushtë, duke qarë hallet e Shqipërisë e të shqiptarëve si në trojet stërgjyshore ashtu edhe këtu në SHBA. Nga njohja me Profesorin e nderuar kam përfituar shumë dhe kam zbuluar, se ndajmë mendime të përbashkëta në lidhje me të kaluarën komuniste në Shqipëri dhe që të punohet për krijimin e një Shqipërie të Vërtetë, me një strategji mbarëkombëtare, për integrimin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në organizmat euroatlantike dhe në miqësi të përhershme të Kombit Shqiptar me ShBA-të.

E kam vlerësuar punën dhe veprimtarinë e tij si dhe veprat e tij të cilat kam pasur nderin t’i lexoj, e që janë shkruar me sy gjithmonë të qartë, me mendje të mprehtë dhe me profesionalizmin e një shkencëtari të mirëfilltë e të shquar të botës shqiptare. Është për t’u adhuruar fakti, se në veprat e Profesor Thanas Gjikës çështjet trajtohen, jo prej një këndvështrimi krahinor ose një përcaktimi të ngushtë personal, por nga një pikëpamje mbarëkombëtare, në të gjitha fushat, të cilat ai prek, siç është, ndër të tjera edhe libri i fundit i tij “Një letërsi kombëtare, një atdhe i vetëm”. Përveç veprave shkencore dhe letrare, për publikun sot, mund të thuhet, se ndoshta studiuesi Gjika njihet më së miri nga publicistika e tij aktuale – e pasqyruar në artikujt, kumtesat, portretet dhe kujtimet kushtuar shumë personaliteteve të fushave të ndryshme në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe në Shtetet e Bashkuara.

Me këtë rast dëshiroj të falënderoj Profesorin e nderuar për portretin e gjatë që shkroi për mua e që u botua në shumë media. Në veçanti, i jam mirënjohës dhe për organizimin e promovimit të suksesshëm dhe të parë të librit tim “Demokracia nuk pret”, më prill 2018 në Worcester MA, ku morën pjesë me gjithë bashkëshortet një numër jo i vogël shqiptaro-amerikanësh, të cilët gjithashtu i falënderoj për respektin që treguan ndaj meje me pjesëmarrjen dhe vlerësimet e tyre. Po ashtu e falënderoj nga zemra Profesor Thanas Gjikën për dashamirësinë dhe përkrahjen që më ka dhënë mua dhe komunitetit tonë në fushën e kulturës dhe të publicistikës, duke më inkurajuar shpesh me komunikime elektronike plot kuptim e ndjenja miqësore, që të vazhdojmë pa u lodhur, pavarësisht nga mosha, me aq sa kemi mundësi të mbajmë lart, këtu në mërgim, frymën e shëndoshë të traditave tona më të çmueshme dhe të ndriçojmë me aq sa mundemi, të vërtetën mbi vuajtjet e shqiptarëve nën regjimin komunist të Enver Hoxhës dhe padrejtësitë që iu bëhen ende sot.

I nderuar Profesor, edhe njëherë faleminderit për miqësinë dhe respektin që keni treguar ndaj meje, gjatë kohës që jemi njohur me njëri tjetrin! Si një ish-seminarist, më pëlqen që në raste të tilla, siç është ditëlindja juaj, të përshëndes me frazën latine: Ad Multos Annos!, një shprehje kjo e vullnetit të mirë dhe të urimit për një jetë të gjatë plot shëndet dhe lumturi!

New York, NY, 13 Korrik 2019

*Kjo përshëndetje është lexuar në drekën festive në qytetin Worcester të shtetit Masaçusets – kushtuar 75-vjetorit të Prof. Asc. Dr. Thanas Ligor Gjikës, krahas vlerësimeve të miqve të tjerë.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Frank Shkreli-Thanas Gjika-Shembull atdhetarizmi

“RRUPUPLIKA E SHQYPEVE” TË DARDANISË


July 12, 2019 by dgreca

Poemë satirike nga Sinan KAMBERAJ/

1.

Kur i kap ‘Magjia e Zezë’
‘Kalorësit Fytyrëvrerosur’
Të ‘Rrupuplikës’ së Dardanisë
Ngjesh’ me ‘Ushta’ e ‘Parzmore’
Seç mësyejnë ‘Kalanë’ e Saj –
Për t’i dalë Zot – ‘Historisë’!

‘Djajtë’ *) e Tyre belaxhi’j
Q’u rrijnë ditë e natë mbi kry
Pa gjumë në sy –
I yshtin me Dalldi
Për ‘Krenari’
E ‘Madhështi’:
– Mos i lëshoni kurrë Bedenat!
Dy herë s’hyhet – në Histori!

Ooo, hej!

Ju jeni – Çlirimtarë!
Të Tjerët – Tradhëtarë!

2.

Kryedjalli e ‘magjeps’ të Parin
‘Kryeatdhetarin’:
– Ti, or Ti, je i Madhi!
Më i Madhi nga të Tretë!
Je, a s’je ‘Kryetrim’ me Fletë?!

Pokështu, të Dytit e të Tretit
Dy Djajtë e Tyre u thonë:
– Ore!
Jeni – Ju, pa është Ai!
Në ‘Rrupuplikën’ Tonë!

‘Të Tretët’ i bindin të Tretë
Se Shtet e Pushtet –
Është secili prej Tyre –
Vetë!

Ara, Fusha e Fabrika
RTV, Gazeta e Livadhe
Shtalla e Spitale
Gjykata e Hamame
Institute e Gurore
Dogana e Pazare
Kazino e Fakultete
Shtëpi Publike e Prokurori
Shpella e Akademi
Hotele e Motele
Truste e Bastore
Pompa benzine
Rektorate e Varreza
Kolektorë Ujërash të Zeza
Male, Kullosa e Pyje
Dhe, mos o Zot –
Edhe pjesë Qielli me Yje!

Ç’u sheh syri anembanë –
Tuajat janë!

Fundja –
Kush dha më shumë se Ju?
Për kët’ Dhé –
Që e keni si Fé, e si Atdhé!

3.

Mbrëmjeve –
Mbas seancash të zjarrta
Kryetrimat ‘Legjendarë’ –
Shkojnë bashkë në Darka
Në ‘’Tiffany” e “Zanzibar”
Larg, larg ‘Synit të Keq’!
Por, kur …
Me nder … bëhen kaps –
Dalin q’andej – veç e veç!

Djajtë e Tyre ‘vigjilentë’ –
Për t’ua zbutur zemërimin
I çojnë në Mal të Deviqit
I mburrin se janë t’një rodi …
… stërnipa të Milesh Kopilit –
Të Kopiliqit!

(Heroi Ynë mesjetar –
Vra e kish’ Muratin e Parë
Se i kish’ ngrehë çadrat e Luftës
Në një Betejë Ballkanike –
Në prona t’Familjes së Mileshit
N’Miniera të sotme t’Thëngjillit
Mazgit – Shipitullë
E gjithandej – Goleshit!)

Zihen fytas – i ç’Fisi ishte!
– Nga Imi! – thotë i Pari
Dy të Tjerët e kundërshtojnë:
– Jo, nga Yti, as nga i Këtij!
Ai ishte i Fisit Tim!
Këtë e dijnë të Gjashtë Feudet –
(Sot – Bastione Politike)
Llap, Gallap, Anamoravë
Drenicë, Shalë e Dukagjin!

Dhe, për t’i çliruar nga xanxa
Djajtë i shalojnë b*thëprapë –
Si kuaj të harlisur – pup!
– S’dini gjë Ju për Mesjetën!
Po, kqyrni ç’Ju ka falë Zoti –
O, bufë të marrë e halldupë!

Në mbrëmje i ulin bashkë –
Mu në Grykë të Gërmisë
Pas vrapit maratonik
Arave, nëpër Vetërnik –
Shpatijeve të Hajvalisë!

I mburrin për vilat magjike
Me nj’atë super-arkitekturë
Në Prevallë e në Brezovicë –
Si këto – nuk keni pa’ kurrë!

Të nesërmen i çojnë n’Kadastër!
Ç’të shohësh?
Tapi të Vjetra!
Secila, më e ‘ruajtur’ se tjetra!
Mbeshtjellë me lëkurë dosash
Të tharqeve të thive t’Uzhicës
Me Standarde të UNMIK-ut
‘Made in Belgrad’!
Sjellë –
Në ‘Mahallë të Kacallarëve’
Me siglën KOS – PRISTINA
Në Agjenci të Privatizimit
Me ndërmjetësim të BE-së –
Hanëmit që zbut ‘llafe’ t’egra
Midis Palëve të Dialogut –
Shyhret F. Mogherinit!

Aty i keni – të gjitha:
Nga Vakt i Sulltan Salepit –
Karamahmutëve bineq
Tanzimatit dhe Hyrrjetit
Kohës së Austrisë e Hunëve
Pastaj të Shekullit t’Gazepit –
Dy Kralëve sarhoshë serbë:
Karagjorgjit të Parë e Petrit!

Tokave t’‘Zadrugave’ të Titos
Ua bëjmë ‘çaren’ vetë –
Në Gjykata – me kismet!
Me nga dy dëshmitarë:
Pleq – që i ka harru’ Egjeli
Po, që i mbajnë mend mexhat:
‘Shumarë’, ‘Milicë’ ose ‘Polarë’!

Tani ato, që nga Sot –
Kanë Pronarë e – Zot!

U mbetet t’i riskanoni
Dhe – t’i trashëgoni!
Me nipa, kunata e tezakë
Me vjehrra e baballakë
Me dhëndurë e baxhanakë
Me kucë e me macë! –
(Le t’plasin ata që s’u rreshtuan
Krahas nesh – në ‘Fronte lufte’
N’ballkone t’Hoteleve t’Tiranës!
Po, ikën – në Kukës e n’Bllacë)!

Të Tretë –
Për një çast mbesin pa gojë:
– Sa e Shtrenjtë paska qenë
Liria!
Kjo Fisnike e Madhe – Zojë!

4.

Në ferk të sabahut –
Kryedjalli e zë Kryeparin
E lavdëron, e lavdëron …
Dhe –
Diçka … fësh-fësh – në vesh
I kujton …

… Atyre që u pate premtu’ –
‘Finalen‘ – do ta kërkojnë!
Je, a s’je Njeriu i Parë?!
Më i Madhi, nga të Tretë –
Më i Miri për ‘Aksham-Pazar’!

Vetëm pak …
Bjeshkëve të Shalës –
Zik-zak …
Teposhtë Luginës së Bistricës …
Nëpër Zhazhë e Vllahi …
Kah Ujmani – n’anën tjetër!
Ko-rri-gjim!
Pra … vetëm dy-tri Komuna
Që jua pat dhënë me “zor”
Ai Qenbirqeni i Zi –
Rankovići – n’vakt të Tij!

Tash, o burra –
Shfaqni pak fisnikëri!
Është koha t’i hiqni qafe –
T’ia ktheni fqinjës Serbi
Dhe, bashkë me to –
Edhe ‘Gropat e Trepçës’
Mbetur shkret –
Qe tridhjetë vjet!

Ju kujtohet?
Në Mitrovicë, aty te Ura –
Nëpër tym …
“Parlé-vous-français”?
O, oui! O, oui!
Kur flisnit disi … me gishta
… gjysmëfjalë me bishta!
Atë mëngjes –
Tako – Yes!
Ovako – Jes”!

Si u bë q’u ndodhët Aty?
Ti – me atë Tjetrin ‘Trim’ –
Që dukej e zhdukej si Hije!
Apo – ju kishte çu’ Dreqi
Dorëzanë – ‘allash-vereshi’?!
Sot e at’ ditë –
S’i ra kush n’fije!

Hë, pra …
S’Ju kujtohet?!
Te Harqet e Urës së Ibrit –
Kur ‘mbilleshin’ Gurë me kryqa …
Diçka – si pika Kufini!
Aty ku e keni vendosur sot
Mbi një Plato graniti –
Burrin me dy kobure në brez –
Plisbardhin – Isa Boletini!

Ju duhet Shtatorja e Tij –
Ju duhet!
Jo veç për Fushata zgjedhore
Kur hidhni valle rreth saj –
Tupanxhi’ e Defatore
Por, dhe për t’jua hequr frikën –
Ai Burrë!
Kur e ‘zbatoni’ Taksën e ‘Re’
‘Qind për Qyl’ –
Nën Urë!

*
Djalli vazhdon t’i flasë –
Atij që e ‘meriton’ Lavdinë:
– Po e arrite ‘Marrëveshjen’
Për Ty do të këndohen –
Këngë epike – me sharki!
Ti – si një Sulltan me ‘kule’
Do ta zësh Ballin e Vendit
Këmbëkryq –
Në “Histori”!

*
Kryeparit na i kujtohet ‘loja’ –
“Fluturon – fluturon!”
Në atë tjetrin Koalicion –
Ly-Dy-Ky e Py-Dy-Ky …
Për t’parin Demarkacion
Kur ve klluçe –
Të ‘Pulave’ opozitare
Binin mbi ‘Koka të zgjedhura’ –
Bashkë me bombola gasi
Në Parlament –
Tym e ‘batare’!

Pastaj –
Pastaj na i kujtohen Çadrat
Në oborr të ‘Pallatit t’Madh’ –
Protestë për ‘Kauzë’
Që u bë Tërkuzë!
Kur pihej si “çaj rusi” rakia
Kur jehonin e alternonin
Lirikja e Heroikja –
‘Kah po shkon, moj Zanë’?
‘Ah, Kosovë, mos thu’j marova’!
Që të Dyja –
N’çiftelia!

Ishte kjo – një ‘Zemërplasje’!
Kundër Hartave t’Komisionit
Të Dymarkacionit
Kur qenë ‘betuar’ –
Trimat tanë Opozitarë
Se, fjalët luajnë – po jo Guri!
N’atë Kufi me Karadak –
Heu, atij na i raftë pika!
Pa u faru’ në Qafë t’Çakorrit –
Djem e Çika!

(I Pari, nga Mahalla e Madhe
Po edhe Dy të Tjerët –
Nga Dy Parti-Mahallët e Tjera
E dinin se Fjalët e Mëdha –
Porsi po*dhët n’Lojë Kapuçash’ –
I merr Era!)

5.

Një mbrëmje –
Djajtë na i kapin Trimat’ tanë
E i bëjnë bashkë
E i çojnë diku, symbyllur –
‘Jashtë’ –
Biçim ‘Komisioni Shtetëror’
Për ‘trajnim’ për bisedime
Me Serbinë
Të Tretë –
Bashkë me ‘ekspertë’ Dr. Mr.
Të ‘Koteceve Pulatike’
Të UP-së e UT-së
Dhe PHD Online – Express
Tèt-à-tèt!

– Ku jemi?, – pyesin njëzëri
Prapë na kthyet në Hotel?!
N’ Karabinanë me Pesë Yje –
Xixa-xixa në Bruksel?!

– Jo, jo, s’jeni në Bruksel!
Po – në Çubrel!
Te Përroni i Keq!
Mos me ju ra kush ‘mësysh’
Para ‘Marrëveshjes’ q’u pret –
U thotë më i Madhi Dreq!

6.

Mesnatë është …
I Pari majëgishtash ngrihet
Dhe niset …
– Ku shkon, ore ku shkon?
O, Komisar Gjarpush!
E ke harru’ këngën e vjetër:
‘Veç ndërgjegjes sate –
Prapa – nuk të ndjek kush’?!

Dhe, Ai, pa një pa dy –
Në TV ‘Kazan’ – shkon!
Aty, në ‘Zonën B.’ –
Si në Odë të Katragjyshit –
Gjel Kokoshit dhe miletit
‘Shkencërisht’ ua shpjegon:
Ç’do të thotë fjala Këmbim
E ç’është – Demarkacion!

“Mbani vesh, o milet!
Për
Të
Siguruar
Njohjen
E
Pavarësisë
Kufirin e bëj pak ‘synet’ –
Pa i dhënë ‘asgjë’ Serbisë”!

Dhe –
Për atë që s’e jep
Kosova e Tij fiton –
(Kur palët të jenë marrë vesh)
Një Shllungë të Madhe –
Lesh!

7.

Mëngjesi gëdhin
Dhe i Pari ngrihet
Pa shti gjumë në sy!
Si t’ia mbyllë mirë at’ gojë –
Me një ‘Asociacion’ të Ri
Të mos bëjë ‘bela’ të reja
Fqinja faqezezë – Serbi?!

Sakaq –
Me një Vendim ‘Yrysh-Siklet’
Nis Ministrin e Përjashtum –
Dr. Rrumpallë Tyxharin
Me Ajrrupllanin e vet –
Në Ujëdhesa të Paqësorit –
Gaga-K’hu e Kaka-Dadhë
Për t’i anulluar ç’Njohjet
Gjashtë –
Njohur, po ra pishman –
Një nga një – me radhë!

Sakaq –
E gjen në prag të derës
Një Pako të Madhe – Dhuratë!
‘Projekt-Aneks-Marrëveshje’ –
Nga Kryekaraministri Shalëgjatë
I Nânës Shqipëri –
Hartu’ me Homologun … vić
(Mbas kthimit nga Beligradi)
Vëllain ideologjik të Tij!
Mbështjellë me shije ‘Piktori’ –
Lidh’ me fjongo ‘Kuq-e-zi’!

Kuq-e-zi?!
“E zeza u raftë mbi kry”!
Mallkojnë plakat
Në Cerajë e Mazhiq –
Mbi Zveçan!
Kur i shohin në TV
Dy B*thëkuqët Shejtan’
Me seli:
Njëri – n’Bunker në Surrel
Tjetri – në Kalamegdan!

Eh, kush janë Ata, kush janë!
Ustallarë – lëkurërrjepës janë!
Që fshehin diçka mbas shpine
Dhe shtirën si babaxhanë!

Po, ç’duan ata?
Me Dardaninë ç’punë kanë?!
E, po –
Duan t’i bien kurrizit të Saj
Mespërmes me gërshanë –
Për një ‘Pajtim Histôrik’ –
T’i bëjnë ‘Dy Nënat’ e Tyre:
Serbinë e Shqipërinë –
‘Taman’!

8.

Në mbrëmje –
I Pari nga të Tretë
E lë Kryekullën e shkon –
Në Vendlindje t’Anekdotave
Ku shpirti shtetkrijues
E shtetndërtues –
I pushon!

Se, rrafsh qe 20 vjet –
Plaka Del Ponte – si hije
Me Burrneshën Ashton
E kanë lodhur aq shumë!
– Flej, flej! – i thonë ato
Po, në terr i shfaqet D. Marty –
Shtrigani që e lë pa gjumë!

Në ag, pa le Dielli –
‘Bariu Ynë’ me shkop në dorë
Arrin majë Mali në Qyqavicë!
Kope t’bardha sheh q’andej …
Që i duken –
Herë votues besnikë
Herë – dele!
Herë të Tij
Herë t’Atij Tjetrit –
Ogiçit galan – Zevzek
Në livadhe e zabele!

Sakaq, na i kujtohet
“Bagëti e Bujqësia” –
E prek fyellin në brez
Dhe –
Me tërë fuqinë thërret:
– T’miat jeni, o Ju paça!
Kullotni, ore kullotni!
Ooo, delet e mia!

Ju bekoftë Perëndia!

Muzgu bie …
Ai, teposhtë Malit –
Tërthoreve ngadalë zbret!
Vetja i duket Barí i Urtë –
Kur e kujton Kopenë!
Po, kur e kap Delir’i Lavdisë –
Ai është më i Madhi – Mbret!

*
Mbret ?
Po, ç’Mbret, ore ç’Mbret ?!
Zoti e ruajtë ‘Grigjën’ e Tij! –
‘Trembur’ si mos më keq
Nga Çobanët batakçi’j!

Ata –
Nuk e kanë hallin e ‘Vathës’ –
As ‘Ujqit’ nuk janë më – Halli!
Janë Halli – vetë Ata!
Shpirtligj – të shitur te Djalli!

9.

Ç’bela e gjeti –
Ore, ç’na e gjeti!
Këtë të ziun Vilajet?!
Ç’i kanë hypur mbi kurriz –
“Çlirimtarët” e vet!
E shalojnë e s’e lëshojnë
Tash njëzet vjet!
Togje – Togje
Matrapazë Deputetë!
Batalione Ministra –
E Zëvendësministra
E Ndihmëszëvendës të Tyre –
Gjysmë-analfabetë!

Dhjetamijëra argatë –
Çatipë që ‘mrizojnë’
Në Zyra të Punëve t’Kota
Derisa t’u vihet ‘çmimi’ –
‘Zgjedhjeve të Reja’ –
‘Nacionale’ e ‘Lokale’
Me kuota:
Një thes Euro –
Dhjetë thasë Vota!

*
Eh, ç’taksirat e gjeti –
Dardaninë, ç’na e gjeti!
Me këta Pronto – Cuba
Kopukë, Hajdutë e Tyxharë
Fajdexhinj e Haraçxhinj –
Pushtetarë!

Ditën shahen në Parlament –
I thonë sho’shojt – faqezi!
Natën këndojnë – duet!
Në dasma e syneti!
N’avuj çoftesh e suxhuku –
Me Ëhisky e me Raki!

Bini djem, bini Tavanit!
Nga d’rrasat e Trapazanit
Me kobure –
Bam e bam!
E, bam e bam!
Lum’ si Ju – hallall e paçit!
‘Rrupuplikën’ Tuaj të Shtrenjtë
Deri në një tjetër – ‘Zaman’!

Të Tjerët –
Që s’ia bëjnë ‘hyzmetin’
S’kanë si t’ia dijnë ‘lezetin’!

Ndaj –
Marrsh!
Çani b*thën …
Nga sytë – këmbët!
Me Viza e pa Viza –
Kush Ju mban?!
S’Ju pëlqen ‘Rrupuplika’?
Gjejeni një tjetër – Vatan!
____________
*) Djajtë janë Alteregoja e ‘Kryeheronjve’ të kësaj kënge
**) Karikatura: nga Top Channel – ‘Fiks-Fare’
_________
Korrik 2019

Filed Under: Politike Tagged With: Sinan Kamberaj-Poeme-“RRUPUPLIKA E SHQYPEVE”- TË DARDANISË

ISMAIL QEMALI-I AKUZUAR PËR NXITJEN E TRAZIRAVE NË SHQIPËRI-INTERVISTA

July 12, 2019 by dgreca

LE TEMPS (1909) / I AKUZUAR PËR NXITJEN E TRAZIRAVE NË SHQIPËRI, INTERVISTA ME ISMAIL QEMALIN NË ATHINË

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 12 Korrik 2019

“Le Temps” ka botuar, të enjten e 10 qershorit 1909, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me reagimin e Ismail Qemalit ndaj akuzave për nxitje trazirash në Shqipëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Ismail Qemali dhe çështja e Shqipërisë/

Korrespondenti ynë na shkruan nga Athina :

Disa gazeta kanë riprodhuar nga Konstandinopoja informacionin se Ismail Qemal Beu është akuzuar për nxitjen e trazirave në Shqipëri. Para se të largohej nga Athina, ky burrë i shquar shteti shqiptar më bëri këto deklarata :

“Unë i kundërshtoj këto zhurma me mohimin më të plotë dhe më formal. Janë armiqtë politikë dhe kundërshtarë të Partisë Liberale që i përhapin këto shpifje. Të më akuzosh për kryengritjen e Shqipërisë është shpifje e pastër.

Sa i përket aspiratave kombëtare të Shqipërisë, ato janë aq legjitime dhe konsistente me ruajtjen e Perandorisë dhe të ekuilibrit ballkanik se as unë, as ndonjë patriot shqiptar nuk do të turpërohemi t’i shpallim ato.

Që prej kur i shërbej Perandorisë, kurrë nuk kam munguar të punoj për të pajtuar interesat e përgjithshme të saj me interesat e veçanta të Shqipërisë, sepse këto interesa identifikohen në gjithçka dhe kudo. Në të vërtetë, Perandoria Osmane nuk mund të ishte ndër fuqitë e qytetëruara të botës, nëse nuk do të ruante pronat e saj evropiane dhe të respektonte me përpikmëri sistemin kushtetues.

A mund të injorojë Turqia shërbimet që shqiptarët i dhanë çështjes liberale gjatë revolucionit të korrikut të vitit të kaluar dhe dobinë për atë të ekzistencës së një Shqipërie të mirëorganizuar si një pjesë integrale e Perandorisë ? Shqiptarët, me guximin e tyre të njohur dhe pozitën gjeografike të vendit të tyre, janë elementi i vetëm i aftë për të ruajtur autoritetin e Perandorisë Osmane në Evropë. Politikanët e regjimit të ri do të kryenin gabimet më të rënda politike nëse nuk e pranonin këtë të vërtetë.

Shqipëria dëshiron të lidhë fatin e saj me atë të Perandorisë Osmane dhe sistemin kushtetues të cilin ajo është gati të shërbejë, por ajo kurrë nuk do të lejojë që të trajtohet si një racë inferiore ose të vendoset nën kujdestari.”

Filed Under: Histori Tagged With: Ismail Qemali- The Tempes-Intervista- Aurenc Bebja

Paralajmërohen dëbime masive të imigrantëve nga SHBA-ja

July 12, 2019 by dgreca

Te shtunen me 13 Korrik 2019, do të nisin të shtunën arrestimin e së paku 2,000 familjeve imigrante në Shtetet e Bashkuara, që do të mund të dëbohen.

Autoritetet amerikane do të nisin të shtunën arrestimin e së paku 2,000 familjeve imigrante në Shtetet e Bashkuara, që do të mund të dëbohen.

Një operacion i tillë mbarëkombëtar u paralajmërua nga presidenti Donald Trump qysh më 17 qershor, por ai u shty për shkak të mospajtimeve brenda administratës, raporton gazeta New York Times.

Agjencia e Imigrimit dhe Doganave tha se nuk do të ofrojë detaje specifike që lidhen me operacionin e ardhshëm, por theksoi se “të gjithë ata që shkelin ligjet e imigrimit mund të jenë subjekt i ndalimit, arrestimit ose largimit nga Shtetet e Bashkuara”.

Operacioni do të ketë në shënjestër rreth 2,000 familje, rastet e të cilave u përshpejtuan në një gjykatë të posaçme dhe rezultuan me urdhra të dëbimit, raporton New York Times.

Mbështetësit e të drejtave të imigrantëve shprehën zemërim mbi bastisjet e planifikuara në dhjetë qytete të mëdha.

Operacione të ngjashme ka pasur edhe në të kaluarën, megjithëse është e pazakonshme të shënjestrohen familje dhe jo imigrantë me histori kriminale.

Trump e ka bërë trajtimin e imigrimit të paligjshëm prioritet të administratës së tij, edhe pse kritikët thonë se ai përpiqet të krijojë armiqësi ndaj popullatave migrante për qëllime politike.

Sipas disa analistëve, Trump, përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, dëshiron t’iu dëshmojë mbështetësve të tij se ai pkriza me migrante ne shbao e trajton imigrimin e paligjshëm – një objektiv politik i administratës së tij.

“Trump është gjithnjë e më shumë i zemëruar nga imigrimi i paligjshëm dhe dëshiron të rrisë numrin e njerëzve të dëbuar”, shkruan gazeta Wall Street Journal.

dministrata e Trumpit është përballur me një numër rekord të familjeve imigrante që kalojnë kufirin ilegalisht.

Që nga tetori, më shumë se 320,000 njerëz kanë kaluar në mënyrë të paligjshme kufijtë e Shteteve të Bashkuara.

Shumica e tyre janë nga Guatemala, Hondurasi dhe Salvadori dhe ata kanë ikur nga dhuna, korrupsioni, varfëria dhe uria, shkruan Wall Street Journal.

Llos Angjelles, Çikago, Baltimor dhe Majami janë në mesin e dhjetë qyteteve ku do të zhvillohen bastisjet.

Zyrtarët thane se kur është e mundur, familjet e arrestuara migrante do të qëndrojnë së bashku në qendrat e paraburgimit në Teksas dhe Pensilvani. Disa mund të qëndrojnë në dhoma hotelesh, për shkak të kufizimeve hapësinore, derisa të rregullohen dokumentet e udhëtimit.

Fushëveprimi i operacionit do të jetë më pak ambicioz sesa paralajmërimet fillestare të Trumpit.

Më 17 qershor, ai ka thënë se zyrtarët së shpejti do të “fillojnë procesin e largimit të miliona të huajve të paligjshëm, që kanë hyrë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara”.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, demokratja Nancy Pelosi, e cilësoi operacionin si “të pashpirt”.

Përgatiti: Valona Tela

Filed Under: Emigracion Tagged With: Emigrantet-Deportime-2 mije familje

PLAKJA E POPULLSISË ME PASOJA JO VETËM DEMOGRAFIKE

July 12, 2019 by dgreca

Diskursi Demografik – Dr. Nail DRAGA/
Në sajë të raportit të publikuar kohë më parë  nga FMN-ja, procesi i  emigracionit  po shfaqet me pasoja të mëdha më ç’rast  Shqipëria po plakët me një dinamikë të përshpejtuar me pasoja për të tashmën dhe të ardhmën e këtij vendi 
Nail  Draga
Duke marrë parasysh së po bëhën tre dekada kur shqiptarët filluan të emigrojnë në botën e jashtme, në sajë të të dhënave të publikuara nga studiues dhe subjekte të ndryshme, del së ky proces i përshpejtuar me vete sjellë edhe pasoja të cilat kanë filluar të paraqiten të popullsia e Shqipërisë. Kemi të bëjmë me një çështje shumëplanëshe e cila ka marrë përmasa shqetësuese, që na prezantohen  së fundit përmes Fondit Monetar Ndërkombëtar(FMN). 
Së dukuria e emigrimit ka ndikuar në rritjen e moshës mesatare të popullsisë në Shqipëri dëshmojnë të dhënat së në vitin 1989 mosha mesatare  ishte 23 vjeç, ndërsa  tredhjetë vite më vonë kjo shifër  është shtuar me 12 vite duke arritur mesataren me 35.4 vjeç. Në pesë vitet e fundit popullatës  65-69 vjeç, i janë shtuar 27.648 vetë ndërsa popullata e të rinjve 15-19 vjeç është zvogëluar  me 49.362 vetë. Në këtë periudhë kohore  numri i njerëzve në moshë mbi 65 vjeç në Shqipëri është rritur me mbi 12%, që kemi të bëjmë me dukurinë e moshënimit demografik, që do të ketë pasoja të mëdha në të ardhmën.  
Sipas FMN-së forca e punës në vend   parashikohet të tkurret gjatë tre dekadave të ardhshme dhe të shtohet numri i pensionistëve. Një dukuri e tillë prezantohet përmes dy treguesve demografik: rënies së lindshmërisë  dhe emigracionit të popullsisë, përkatësisht emigrimi i trurit  në botën e jashtme. Andaj mbetet që institucionet përkatëse të Qeverisë së Shqipërisë, çështjet e tilla ti trajtojnë profesionalisht, duke ofruar projekte dhe investime përkatëse duke stimuluar lindshmërinë dhe ofruar kushte optimale sociale për popullsinë e re në vendin e tyre.
Shpopullimi i fshatrave proces më pasoja shumëdimensionale 
 
Dukuria e shpopullimit është kategori  demografike e cila në aspektin gjeografik është e njohur në sajë të lëvizjeve migruese të popullsisë. Shpopullimi i popullsisë në vendbanimet e zonat përkatëse dallohet nga një vend në tjetrin, sepse në këtë aspekt  kanë ndikuar faktorë dhe rrethana të ndryshme shoqërore dhe politike. Kështu në këtë aspekt deri në vitin 1990, në Shqipëri ekzistonte lëvizje e kontrolluar e popullsisë nga zonat rurale në ate urbane, e cila ishte minimale, sepse e tillë ishte politika e kohës së diktaturës. Një kufizim i tillë me rastin e rënies së sistemit socialist, ishte shkas që në rrethana të reja në shoqërinë pluraliste filloj migrimi i popullsisë  nga zonat rurale në ato pranë urbane e urbane, e sidomos në botën e jashtme. Nga një dukuri e tillë Shqipëria u bë kampion pothuaj në tërë vendet e ish kampit socialist, sepse  sipas të dhënave aproksimative nga viti 1991, nga Shqipëria janë larguar rreth 1.5 milion qytetarë të saj, nga del  së në botën e jashtmë është 1/3 e popullsisë së Shqipërisë.
Nga ana tjetër migrimi nga zonat rurale në pjesen veriore, lindore  e jugore ka ndikuar që shumë fshatra të mbesin më numër simbolik të banorëve apo fare pa banorë. 
Një dukuri e tillë në aspektin demografik e ate sociologjik vlerësohet si trend bashkëkohor, sepse ajo është identike edhe në vendet tjera të ish kampit socialist si Bullgaria, Rumania, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut etj., ku fshatra të tëra janë pa banorë, duke paraqitur një shpopullim të panjohur në kohën më të re, me pasoja të mëdha për të tashmën dhe të ardhmën e vendeve përkatëse.
Në këtë aspekt nuk mungojnë të dhënat e mediave të ndryshme, duke paraqitur informacione shqetësuese, nga vet fakti se ka munguar përkujdesi shtetëror për t’iu siguruar kushte elementare  popullsisë së vendbanimeve rurale, të cilët i ngjanë kohës së monizmit, por vetëm me një dallim se në atë kohë ka munguar prezantimi I gjendjes reale të vendbanimeve të tilla. Të dhënat se në zonat rurale ende mungon rruga, uji i pijshëm etj., janë dëshmi që nuk mund të pranohen në kohën e internetit, andaj duhen ndryshime  në investimet infastrukturore dhe ato sociale,  sepse ata janë baza e qendrimit të popullsisë në zonat e tilla, në të kundërtën do ta kemi fshatin në zonat pranë urbane  apo në qendrat e tyre
. 
Nevojitet strategjia e zhvillimit kombëtar
 
Vetëm me  strategji te zhvillimit ekonomik për investime kapitale, mund të ndalohet një trend i tillë, i cili është me efekte negative për të tashmën dhe të ardhmën.Në fshatrat me dukuri të shpopullimit, banorët ekzistues janë të moshuarit, sepse të rinjët ose janë vendosur në qytete apo në botën e jashtme. Në këtë aspekt nuk ekzistojnë të dhëna të sakta të publikuara, por në sajë të informacioneve që disponojmë, fshatra të tillë ka me dhjetëra, numër ky i cili është duke u rritur vazhdimisht, sidomos në zonat malore. 
Shqipëria i ka të gjitha parakushtet gjeografike e hapësinore për një zhvillim optimal, por duhet qasje serioze dhe profesionale për trajtimin e çështjeve të tilla, në favor të investimeve kapitale për zhvillim të përgjithshëm, sikurse veprohet kudo në vendet  me  pushtet të qendrueshëm e demokraci të konsoliduar.
 
Korrik 2019

Filed Under: Opinion Tagged With: Dr. Nail Draga- Plakja e popullsise

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 949
  • 950
  • 951
  • 952
  • 953
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT