Poemë satirike nga Sinan KAMBERAJ/
1.
Kur i kap ‘Magjia e Zezë’
‘Kalorësit Fytyrëvrerosur’
Të ‘Rrupuplikës’ së Dardanisë
Ngjesh’ me ‘Ushta’ e ‘Parzmore’
Seç mësyejnë ‘Kalanë’ e Saj –
Për t’i dalë Zot – ‘Historisë’!
‘Djajtë’ *) e Tyre belaxhi’j
Q’u rrijnë ditë e natë mbi kry
Pa gjumë në sy –
I yshtin me Dalldi
Për ‘Krenari’
E ‘Madhështi’:
– Mos i lëshoni kurrë Bedenat!
Dy herë s’hyhet – në Histori!
Ooo, hej!
Ju jeni – Çlirimtarë!
Të Tjerët – Tradhëtarë!
2.
Kryedjalli e ‘magjeps’ të Parin
‘Kryeatdhetarin’:
– Ti, or Ti, je i Madhi!
Më i Madhi nga të Tretë!
Je, a s’je ‘Kryetrim’ me Fletë?!
Pokështu, të Dytit e të Tretit
Dy Djajtë e Tyre u thonë:
– Ore!
Jeni – Ju, pa është Ai!
Në ‘Rrupuplikën’ Tonë!
‘Të Tretët’ i bindin të Tretë
Se Shtet e Pushtet –
Është secili prej Tyre –
Vetë!
Ara, Fusha e Fabrika
RTV, Gazeta e Livadhe
Shtalla e Spitale
Gjykata e Hamame
Institute e Gurore
Dogana e Pazare
Kazino e Fakultete
Shtëpi Publike e Prokurori
Shpella e Akademi
Hotele e Motele
Truste e Bastore
Pompa benzine
Rektorate e Varreza
Kolektorë Ujërash të Zeza
Male, Kullosa e Pyje
Dhe, mos o Zot –
Edhe pjesë Qielli me Yje!
Ç’u sheh syri anembanë –
Tuajat janë!
Fundja –
Kush dha më shumë se Ju?
Për kët’ Dhé –
Që e keni si Fé, e si Atdhé!
3.
Mbrëmjeve –
Mbas seancash të zjarrta
Kryetrimat ‘Legjendarë’ –
Shkojnë bashkë në Darka
Në ‘’Tiffany” e “Zanzibar”
Larg, larg ‘Synit të Keq’!
Por, kur …
Me nder … bëhen kaps –
Dalin q’andej – veç e veç!
Djajtë e Tyre ‘vigjilentë’ –
Për t’ua zbutur zemërimin
I çojnë në Mal të Deviqit
I mburrin se janë t’një rodi …
… stërnipa të Milesh Kopilit –
Të Kopiliqit!
(Heroi Ynë mesjetar –
Vra e kish’ Muratin e Parë
Se i kish’ ngrehë çadrat e Luftës
Në një Betejë Ballkanike –
Në prona t’Familjes së Mileshit
N’Miniera të sotme t’Thëngjillit
Mazgit – Shipitullë
E gjithandej – Goleshit!)
Zihen fytas – i ç’Fisi ishte!
– Nga Imi! – thotë i Pari
Dy të Tjerët e kundërshtojnë:
– Jo, nga Yti, as nga i Këtij!
Ai ishte i Fisit Tim!
Këtë e dijnë të Gjashtë Feudet –
(Sot – Bastione Politike)
Llap, Gallap, Anamoravë
Drenicë, Shalë e Dukagjin!
Dhe, për t’i çliruar nga xanxa
Djajtë i shalojnë b*thëprapë –
Si kuaj të harlisur – pup!
– S’dini gjë Ju për Mesjetën!
Po, kqyrni ç’Ju ka falë Zoti –
O, bufë të marrë e halldupë!
Në mbrëmje i ulin bashkë –
Mu në Grykë të Gërmisë
Pas vrapit maratonik
Arave, nëpër Vetërnik –
Shpatijeve të Hajvalisë!
I mburrin për vilat magjike
Me nj’atë super-arkitekturë
Në Prevallë e në Brezovicë –
Si këto – nuk keni pa’ kurrë!
Të nesërmen i çojnë n’Kadastër!
Ç’të shohësh?
Tapi të Vjetra!
Secila, më e ‘ruajtur’ se tjetra!
Mbeshtjellë me lëkurë dosash
Të tharqeve të thive t’Uzhicës
Me Standarde të UNMIK-ut
‘Made in Belgrad’!
Sjellë –
Në ‘Mahallë të Kacallarëve’
Me siglën KOS – PRISTINA
Në Agjenci të Privatizimit
Me ndërmjetësim të BE-së –
Hanëmit që zbut ‘llafe’ t’egra
Midis Palëve të Dialogut –
Shyhret F. Mogherinit!
Aty i keni – të gjitha:
Nga Vakt i Sulltan Salepit –
Karamahmutëve bineq
Tanzimatit dhe Hyrrjetit
Kohës së Austrisë e Hunëve
Pastaj të Shekullit t’Gazepit –
Dy Kralëve sarhoshë serbë:
Karagjorgjit të Parë e Petrit!
Tokave t’‘Zadrugave’ të Titos
Ua bëjmë ‘çaren’ vetë –
Në Gjykata – me kismet!
Me nga dy dëshmitarë:
Pleq – që i ka harru’ Egjeli
Po, që i mbajnë mend mexhat:
‘Shumarë’, ‘Milicë’ ose ‘Polarë’!
Tani ato, që nga Sot –
Kanë Pronarë e – Zot!
U mbetet t’i riskanoni
Dhe – t’i trashëgoni!
Me nipa, kunata e tezakë
Me vjehrra e baballakë
Me dhëndurë e baxhanakë
Me kucë e me macë! –
(Le t’plasin ata që s’u rreshtuan
Krahas nesh – në ‘Fronte lufte’
N’ballkone t’Hoteleve t’Tiranës!
Po, ikën – në Kukës e n’Bllacë)!
Të Tretë –
Për një çast mbesin pa gojë:
– Sa e Shtrenjtë paska qenë
Liria!
Kjo Fisnike e Madhe – Zojë!
4.
Në ferk të sabahut –
Kryedjalli e zë Kryeparin
E lavdëron, e lavdëron …
Dhe –
Diçka … fësh-fësh – në vesh
I kujton …
… Atyre që u pate premtu’ –
‘Finalen‘ – do ta kërkojnë!
Je, a s’je Njeriu i Parë?!
Më i Madhi, nga të Tretë –
Më i Miri për ‘Aksham-Pazar’!
Vetëm pak …
Bjeshkëve të Shalës –
Zik-zak …
Teposhtë Luginës së Bistricës …
Nëpër Zhazhë e Vllahi …
Kah Ujmani – n’anën tjetër!
Ko-rri-gjim!
Pra … vetëm dy-tri Komuna
Që jua pat dhënë me “zor”
Ai Qenbirqeni i Zi –
Rankovići – n’vakt të Tij!
Tash, o burra –
Shfaqni pak fisnikëri!
Është koha t’i hiqni qafe –
T’ia ktheni fqinjës Serbi
Dhe, bashkë me to –
Edhe ‘Gropat e Trepçës’
Mbetur shkret –
Qe tridhjetë vjet!
Ju kujtohet?
Në Mitrovicë, aty te Ura –
Nëpër tym …
“Parlé-vous-français”?
O, oui! O, oui!
Kur flisnit disi … me gishta
… gjysmëfjalë me bishta!
Atë mëngjes –
Tako – Yes!
Ovako – Jes”!
Si u bë q’u ndodhët Aty?
Ti – me atë Tjetrin ‘Trim’ –
Që dukej e zhdukej si Hije!
Apo – ju kishte çu’ Dreqi
Dorëzanë – ‘allash-vereshi’?!
Sot e at’ ditë –
S’i ra kush n’fije!
Hë, pra …
S’Ju kujtohet?!
Te Harqet e Urës së Ibrit –
Kur ‘mbilleshin’ Gurë me kryqa …
Diçka – si pika Kufini!
Aty ku e keni vendosur sot
Mbi një Plato graniti –
Burrin me dy kobure në brez –
Plisbardhin – Isa Boletini!
Ju duhet Shtatorja e Tij –
Ju duhet!
Jo veç për Fushata zgjedhore
Kur hidhni valle rreth saj –
Tupanxhi’ e Defatore
Por, dhe për t’jua hequr frikën –
Ai Burrë!
Kur e ‘zbatoni’ Taksën e ‘Re’
‘Qind për Qyl’ –
Nën Urë!
*
Djalli vazhdon t’i flasë –
Atij që e ‘meriton’ Lavdinë:
– Po e arrite ‘Marrëveshjen’
Për Ty do të këndohen –
Këngë epike – me sharki!
Ti – si një Sulltan me ‘kule’
Do ta zësh Ballin e Vendit
Këmbëkryq –
Në “Histori”!
*
Kryeparit na i kujtohet ‘loja’ –
“Fluturon – fluturon!”
Në atë tjetrin Koalicion –
Ly-Dy-Ky e Py-Dy-Ky …
Për t’parin Demarkacion
Kur ve klluçe –
Të ‘Pulave’ opozitare
Binin mbi ‘Koka të zgjedhura’ –
Bashkë me bombola gasi
Në Parlament –
Tym e ‘batare’!
Pastaj –
Pastaj na i kujtohen Çadrat
Në oborr të ‘Pallatit t’Madh’ –
Protestë për ‘Kauzë’
Që u bë Tërkuzë!
Kur pihej si “çaj rusi” rakia
Kur jehonin e alternonin
Lirikja e Heroikja –
‘Kah po shkon, moj Zanë’?
‘Ah, Kosovë, mos thu’j marova’!
Që të Dyja –
N’çiftelia!
Ishte kjo – një ‘Zemërplasje’!
Kundër Hartave t’Komisionit
Të Dymarkacionit
Kur qenë ‘betuar’ –
Trimat tanë Opozitarë
Se, fjalët luajnë – po jo Guri!
N’atë Kufi me Karadak –
Heu, atij na i raftë pika!
Pa u faru’ në Qafë t’Çakorrit –
Djem e Çika!
(I Pari, nga Mahalla e Madhe
Po edhe Dy të Tjerët –
Nga Dy Parti-Mahallët e Tjera
E dinin se Fjalët e Mëdha –
Porsi po*dhët n’Lojë Kapuçash’ –
I merr Era!)
5.
Një mbrëmje –
Djajtë na i kapin Trimat’ tanë
E i bëjnë bashkë
E i çojnë diku, symbyllur –
‘Jashtë’ –
Biçim ‘Komisioni Shtetëror’
Për ‘trajnim’ për bisedime
Me Serbinë
Të Tretë –
Bashkë me ‘ekspertë’ Dr. Mr.
Të ‘Koteceve Pulatike’
Të UP-së e UT-së
Dhe PHD Online – Express
Tèt-à-tèt!
– Ku jemi?, – pyesin njëzëri
Prapë na kthyet në Hotel?!
N’ Karabinanë me Pesë Yje –
Xixa-xixa në Bruksel?!
– Jo, jo, s’jeni në Bruksel!
Po – në Çubrel!
Te Përroni i Keq!
Mos me ju ra kush ‘mësysh’
Para ‘Marrëveshjes’ q’u pret –
U thotë më i Madhi Dreq!
6.
Mesnatë është …
I Pari majëgishtash ngrihet
Dhe niset …
– Ku shkon, ore ku shkon?
O, Komisar Gjarpush!
E ke harru’ këngën e vjetër:
‘Veç ndërgjegjes sate –
Prapa – nuk të ndjek kush’?!
Dhe, Ai, pa një pa dy –
Në TV ‘Kazan’ – shkon!
Aty, në ‘Zonën B.’ –
Si në Odë të Katragjyshit –
Gjel Kokoshit dhe miletit
‘Shkencërisht’ ua shpjegon:
Ç’do të thotë fjala Këmbim
E ç’është – Demarkacion!
“Mbani vesh, o milet!
Për
Të
Siguruar
Njohjen
E
Pavarësisë
Kufirin e bëj pak ‘synet’ –
Pa i dhënë ‘asgjë’ Serbisë”!
Dhe –
Për atë që s’e jep
Kosova e Tij fiton –
(Kur palët të jenë marrë vesh)
Një Shllungë të Madhe –
Lesh!
7.
Mëngjesi gëdhin
Dhe i Pari ngrihet
Pa shti gjumë në sy!
Si t’ia mbyllë mirë at’ gojë –
Me një ‘Asociacion’ të Ri
Të mos bëjë ‘bela’ të reja
Fqinja faqezezë – Serbi?!
Sakaq –
Me një Vendim ‘Yrysh-Siklet’
Nis Ministrin e Përjashtum –
Dr. Rrumpallë Tyxharin
Me Ajrrupllanin e vet –
Në Ujëdhesa të Paqësorit –
Gaga-K’hu e Kaka-Dadhë
Për t’i anulluar ç’Njohjet
Gjashtë –
Njohur, po ra pishman –
Një nga një – me radhë!
Sakaq –
E gjen në prag të derës
Një Pako të Madhe – Dhuratë!
‘Projekt-Aneks-Marrëveshje’ –
Nga Kryekaraministri Shalëgjatë
I Nânës Shqipëri –
Hartu’ me Homologun … vić
(Mbas kthimit nga Beligradi)
Vëllain ideologjik të Tij!
Mbështjellë me shije ‘Piktori’ –
Lidh’ me fjongo ‘Kuq-e-zi’!
Kuq-e-zi?!
“E zeza u raftë mbi kry”!
Mallkojnë plakat
Në Cerajë e Mazhiq –
Mbi Zveçan!
Kur i shohin në TV
Dy B*thëkuqët Shejtan’
Me seli:
Njëri – n’Bunker në Surrel
Tjetri – në Kalamegdan!
Eh, kush janë Ata, kush janë!
Ustallarë – lëkurërrjepës janë!
Që fshehin diçka mbas shpine
Dhe shtirën si babaxhanë!
Po, ç’duan ata?
Me Dardaninë ç’punë kanë?!
E, po –
Duan t’i bien kurrizit të Saj
Mespërmes me gërshanë –
Për një ‘Pajtim Histôrik’ –
T’i bëjnë ‘Dy Nënat’ e Tyre:
Serbinë e Shqipërinë –
‘Taman’!
8.
Në mbrëmje –
I Pari nga të Tretë
E lë Kryekullën e shkon –
Në Vendlindje t’Anekdotave
Ku shpirti shtetkrijues
E shtetndërtues –
I pushon!
Se, rrafsh qe 20 vjet –
Plaka Del Ponte – si hije
Me Burrneshën Ashton
E kanë lodhur aq shumë!
– Flej, flej! – i thonë ato
Po, në terr i shfaqet D. Marty –
Shtrigani që e lë pa gjumë!
Në ag, pa le Dielli –
‘Bariu Ynë’ me shkop në dorë
Arrin majë Mali në Qyqavicë!
Kope t’bardha sheh q’andej …
Që i duken –
Herë votues besnikë
Herë – dele!
Herë të Tij
Herë t’Atij Tjetrit –
Ogiçit galan – Zevzek
Në livadhe e zabele!
Sakaq, na i kujtohet
“Bagëti e Bujqësia” –
E prek fyellin në brez
Dhe –
Me tërë fuqinë thërret:
– T’miat jeni, o Ju paça!
Kullotni, ore kullotni!
Ooo, delet e mia!
Ju bekoftë Perëndia!
Muzgu bie …
Ai, teposhtë Malit –
Tërthoreve ngadalë zbret!
Vetja i duket Barí i Urtë –
Kur e kujton Kopenë!
Po, kur e kap Delir’i Lavdisë –
Ai është më i Madhi – Mbret!
*
Mbret ?
Po, ç’Mbret, ore ç’Mbret ?!
Zoti e ruajtë ‘Grigjën’ e Tij! –
‘Trembur’ si mos më keq
Nga Çobanët batakçi’j!
Ata –
Nuk e kanë hallin e ‘Vathës’ –
As ‘Ujqit’ nuk janë më – Halli!
Janë Halli – vetë Ata!
Shpirtligj – të shitur te Djalli!
9.
Ç’bela e gjeti –
Ore, ç’na e gjeti!
Këtë të ziun Vilajet?!
Ç’i kanë hypur mbi kurriz –
“Çlirimtarët” e vet!
E shalojnë e s’e lëshojnë
Tash njëzet vjet!
Togje – Togje
Matrapazë Deputetë!
Batalione Ministra –
E Zëvendësministra
E Ndihmëszëvendës të Tyre –
Gjysmë-analfabetë!
Dhjetamijëra argatë –
Çatipë që ‘mrizojnë’
Në Zyra të Punëve t’Kota
Derisa t’u vihet ‘çmimi’ –
‘Zgjedhjeve të Reja’ –
‘Nacionale’ e ‘Lokale’
Me kuota:
Një thes Euro –
Dhjetë thasë Vota!
*
Eh, ç’taksirat e gjeti –
Dardaninë, ç’na e gjeti!
Me këta Pronto – Cuba
Kopukë, Hajdutë e Tyxharë
Fajdexhinj e Haraçxhinj –
Pushtetarë!
Ditën shahen në Parlament –
I thonë sho’shojt – faqezi!
Natën këndojnë – duet!
Në dasma e syneti!
N’avuj çoftesh e suxhuku –
Me Ëhisky e me Raki!
Bini djem, bini Tavanit!
Nga d’rrasat e Trapazanit
Me kobure –
Bam e bam!
E, bam e bam!
Lum’ si Ju – hallall e paçit!
‘Rrupuplikën’ Tuaj të Shtrenjtë
Deri në një tjetër – ‘Zaman’!
Të Tjerët –
Që s’ia bëjnë ‘hyzmetin’
S’kanë si t’ia dijnë ‘lezetin’!
Ndaj –
Marrsh!
Çani b*thën …
Nga sytë – këmbët!
Me Viza e pa Viza –
Kush Ju mban?!
S’Ju pëlqen ‘Rrupuplika’?
Gjejeni një tjetër – Vatan!
____________
*) Djajtë janë Alteregoja e ‘Kryeheronjve’ të kësaj kënge
**) Karikatura: nga Top Channel – ‘Fiks-Fare’
_________
Korrik 2019