• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BOTA ME NJE SY

July 8, 2019 by dgreca

Hyrje/
Gjatë  më shumë se një çerek shekulli jete në SHBA u mësova ta shoh botën me një këndvështrim të plotë e të paanshëm.
Me këtë botkuptim, gjashtë vjet më parë, u ula për të shkruar librin “Yjet nuk janë të kuq”, kushtuar figurës së Pal Melyshit dhe familjes të njohur të Melyshajve me të vërtetat jetsore e historike.
Libri i ri që keni në dorë është ditari i nënës sime, motrës së Palit. Gjatë leximit u shkreha në vaj disa herë, sepse kishte shumë gjëra që unë, e bija, nuk i dija. Më kujtohet që nëna më pat thënë për gjyshen që ajo i “mbante vuajtjet brenda vetes dhe fëmijëve të saj nuk ua thoshte kurrë, sepse nuk donte që ata të rriteshin të trishtuar”. Edhe nëna ime kishte bërë të njëjtën gjë me ne.
Një lexuese më pyeti nëse “Bota me një sy” mund të konsiderohet si pjesë e dytë e librit “Yjet nuk janë të kuq”, e sagës së Melyshajve. Po, ky libër mund të konsiderohet si pjesë e sagës.
I dedikohet dy zonjave për mua të pakrahasushme, që u bënë viktima të urrejtjes klasore brenda e jashtë familjes: Nënë Davës, -nënës së Pal Melyshit, dhe motrës së tij të vetme Marie Melyshit. Libri shpalos atmosferën armiqsore në të cilën mbijetuan, në rastin më të ashpër të luftës së klasave -brenda familjes, që u zhuriste zemrën si hekur i skuqur i ferrit.
Për Pal Melyshin është folur herë pas here në shtyp e u shkruan libra. U bë edhe një film për të “Operacioni zjarri”. Por heroin e lanë “jetim”, të shkëputur nga familja e tij imediate. Askush s’foli për nënën e tij, motrën, dhe as për vëllezërit në moshë të njomë që shoqëronin nënën e tyre nga një internim në tjetrin, për 12 vjet. Askush nuk e përmendte kalvarin e mundimshëm të kësaj gruaje të pafajshme pas telave me gjëmba. Pse?

Bota qe e madhe, por ne kishim vetëm një sy për të parë e një vesh për të dëgjuar.
Ndërkohë brezit të ri i duhet të gërmojë thellë në minierë për të njohur botën në të cilën jetuan prindërit e gjyshërit e tyre.
Shpresoj që ky libër-ditar të jetë një kontribut për ta.

 

 
Albana Melyshi Lifschin
Shkurt, 2019. USA
Episodi  1/
Zjarri partizan rrëmben kullën e Melyshajve
Tërë atë natë askush nuk vuri gjumë në sy në kullën tonë. Ka mbetur një nga netët më të paharruara të jetës sime.

Qentë lehnin e lehja e tyre qe ndjellakeqe. Gratë kishin mbledhur fëmijët pranë vetes e psherëtinin.

Plaku i shtëpisë, gjyshi ynë, u ngrit dy- tri herë e doli në oborr duke u sokëllirë qenve që të pushonin.

Mbaj mend gjyshen që i u afrua e i tha:

-Leni qentë, o plak, se nuk kanë leh kurrë si sonte!

Pastaj ajo lëshoi një ofshamë të thellë:

-Lehja e qenve për kët shtëpi asht lajm i keq! Oh, e mjera unë! Ku i kam djemtë? Ku i kam nipërit?!

-Mbahu, plakë, se kurrë s’të kam pa të të lëshojë zemra! Të pata marrë prej dere trimash.

Gjyshi qe ulur te vendi i tij, tek oxhaku, ku trazonte hirin ende të ngrohtë.

-Mandej as djemtë e as nipërit nuk janë ma kalamaj e po të kujtoj se burrat e kësaj shtëpie të tanë kanë vdekë nga plumbi e jo nga qyrret!

Unë u ngjesha pas fustanit të nënës sime. Atë kohë isha rreth 12 vjeçe. Në kullë kishim një çift të varfër pleqsh, të cilëve gjyshi u kishte dhënë strehë. Ishin bërë pjesëtarë të familjes, ishin si të gjithë ne. Edhe ata rrinin të tulatur pas njëri-tjetrit, po nuk flisnin asnjë fjalë. Atë natë askush nuk vuri gjumë në sy. Kur filloi të zbardhte, njerëzit e shtëpisë zunë të hiqnin shulet dyerve të kullës për të dalë jashtë, siç bënin çdo mëngjes.

Papritur, nga oborri u dëgjua një zë i plotë burri me dialekt tosk:

-Ndal! Mos lëvizni! Jeni të rrethuar!

Njerëzit në kullë ngrinë. Nuset e reja u tmerruan. Fëmijët, tek panë nënat e tyre të trembura, ia plasën të qarit. Çifti i pleqve të vobektë u trembën shumë. Nana jonë u ngrit e iu afrua gjyshit.

-Babë, dikush nga ne duhet të dalë të marrë vesh për se na kanë rrethu. Në më lejofsh, dal e flas unë me ta. Im bir e im shoq janë partizanë.

-Do të dal vetë! – tha gjyshi me një zë të vendosur.

Nana bëri mënjanë. Gjyshi u dha në derë. Ne mbajtëm frymën. Dëgjuam që i tha dikujt:

-Në ke ardhë për mik, futu në kullë të ngrohesh, në të kundërt na thuj ç’farë ka ba vaki?

-Prit këtu, o plak, se po thërras komisarin që të bisedoni,- qe përgjigjja.

Pas pak u dëgjua një zë që foli duke u përpjekur të përshtaste dialektin:

-Tu’ngjat’jeta, bajraktar!

Quhej Petrit Pëllumbi. Nuk do t’ia harronim kurrë emrin që nga ajo ditë që ia mësuam. Kishte një vështrim të keq. Në zë i ndihej ironia. E pyeti gjyshin se ku i kishte burrat e shtëpisë dhe pastaj i komunikoi urdhërin e internimit për të gjithë familjen që ndodhej aty, çka nënkuptonte gjyshin dhe gjyshen, axhën, nënën time, mua me dy vëllezërit më të vegjël, gruan e xhaxhait me tri vajza

të vogla, gruan e kushëririt të parë me dy djem… Dy pleqtë e vobektë që jetonin në shtëpinë tonë, nuk ishin përfshirë në listën e internimit, por ata e ndjenë veten më keq se të gjithë. Si do të bënin pa ne? Ku do të shkonin qyqarët pas djegies së shtëpisë? Kush do të kujdesej për ta?

Komisari bëri apelin e na nxori të gjithëve jashtë nga shtëpia duke urdhëruar të mos merrnim asgjë me vete,me përjashtim të rrobave të trupit. Nana jonë u përpoq të shpëtonte një batanije të kuqe të leshtë duke menduar që me të, të mbulonte fëmijët. Por ai e shtyu tutje duke i thënë:

-Vetëm rrobat e trupit!

Kullës sonë qe vendosur t’i vihej flaka. U mor shpejt e shpejt bar nga mullarët e u fut në të dy katet e kullës dhe pastaj asaj iu vu zjarri.

Nana ime, që partizanët i quante shokë të të birit, pasi edhe ai ishte partizan, lëshoi zë: – Largohuni ma andej djemtë e nanave, se kjo shtëpi ka kenë e pushkës, e bukës dhe e besës, por muret e saj janë të mbushuna me armë e municion.

Sa mbaroi nana këto fjalë, u dëgjua shpërthimi i tyre.

Partizanët bënë disa metra larg që në krismën e parë. Ne ishim mpirë të gjithë. Na dukej e pabesueshme pamja që po na shihnin sytë. Po digjej shtëpia jonë, kulla e madhe e bajraktarit, që i kishte mbajtur hapur dyert e saj për shtegtarin e panjohur, ditën dhe natën.

Po digjej shtëpia që kishte pritur partizanët e uritur, kujtimin e të cilëve e kishin ende të freskët edhe më të vegjëlit e shtëpisë. Gruaja e axhës mbushte furrën me bukë për partizanët e nana jonë ua mbushte trastat me ushqim. Ishte e pabesueshme që kulla të digjej pikërisht nga ata!

Flaka vazhdonte të dilte nga të shtatë dhomat e saj dhe nga kuzhina e gatimit. Gjuhët e flakëve dilnin nga dyert e dritaret e bëra prej pishe. Nga brenda digjeshin sëndukët e drunjtë të grave të shtëpisë. Ne fshinim lotët,por askush s’thoshte gjë. Komisari kishte porositur të na vëzhgonin me kujdes të gjithëve gjatë djegies së kullës.

Zjarri zgjati deri pasdite.

Në perëndim të diellit, i ra fuqia. Gjyshi iu afrua komisarit partizan e i tha:

-Ju i dogjët të tana, pa mendu se kjo shtëpi ka dy parti. I ka dhanë luftës dy partizanë: tim bir Nikollin e tim nip Palin, i biri i tim biri. Nuk rujtët të paktën as dy dhoma për ta. Unë di që kjo luftë u ba për drejtësi.

I pashë se si ata u mblodhën kokë më kokë për disa minuta. Pastaj u shpërndanë pa i dhënë përgjigje gjyshit. Na vunë në rresht njësh kolonë të gjithëve sa u ndodhëm në shtëpi, 25 veta, e kështu morëm atë udhëtim të detyruar pa ditur se ku.

Kaluam shtigje e përrenj e pas disa orëve rrugë, të shoqëruar para e pas me ushtarë të armatosur, mbërritëm në Shpal. Bagëtitë e sekuestruara na vinin pas. Në Shpal na mbajtën të mbyllur pa ngrënë e pa pirë, pa ujë e pa dritë, për njëzet e katër orë në një barakë të vetme të gjithëve. Unë nuk qaja, por fëmijët qanin pareshtur e të rriturit flisnin me zë të ulët. Ajo barakë pa tavan u bë shtëpia jonë për dy javë. Pranvera qe ende larg.

Kishim të ftohtë në trup e akull në shpirt. Nana ime fliste me vete: “Ku asht im shoq? Ku asht im bir? A janë gjallë? A i dinë ata këto që po na ndodhin ne?” Psherëtinte vazhdimisht. Më vinte shumë keq për të. S’e kisha parë kurrë më të dëshpëruar. I rrija afër si më e madhja e fëmijëve, po nuk dija si ta ngushëlloja. Njëlloj si ajo, edhe unë pyesja veten: ”A është baba gjallë? Po Pali? Pse nuk vijnë për me na shpëtu? Përse?


 
Libri “Bota me një sy” u përgatit për botim nga 

Albana Melyshi Lifschin

Shkurt 2019, USA

Filed Under: Opinion Tagged With: Albana M. Lifschin-Bota me aje sy

Gjakova priti mikun e shqiptarëve Eliot Engel

July 6, 2019 by dgreca

Gjakova dhe Malësia e Gjakovës, kanë pritur sot mikun e madh të shqiptarëve, kongresistin amerikan Eliot Engel, të cilit i kanë rezervuar një pritje madhështore, ashti siç ishte madhështore edhe përpjekja e vazhdueshme e tij në shërbim të kombit shqiptar.Fillimisht kongresisti Engel, ka vizituar Qendrën Kreative “Bone Vet”, me ç ‘rast nga stafi i kësaj qendre dhe nga kryetari i komunës së Gjakovës është njoftuar për së afërmi me aktivitetin e përditshëm dhe misionin e “Bone Vet”

Më pastaj, kongresisti Engel i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, bashkëpunëtorët dhe dy veprimtarët shqiptaro – amerikan Harry Bajraktari dhe Rrustem Geci, është ndalur në pikën kufitare të Qafë Morinës, aty ku është zhvilluar ceremonia e emërtimit të rrugës Ponoshec – Bajram Curri, me emrin “Eliot Engel”, vendim ky i marrë bashkërisht nga komuna e Gjakovës dhe bashkia e Tropojës.Nga ana tjetër, presidenti shqiptar Ilir Meta, në fjalën e tij ka thënë se emërtimi i rrugës me emrin e Eliot Engel është më e pakta që shqiptarët kanë mundur të bëjnë për të nderuar kontributin e tij dhe të popullit amerikan, por ka shtuar se në aspektin emocional emri i Eliot Engel është jo vetëm në këtë rrugë, por në zemrat e të gjithë shqiptarëve në tërë botën.

Ndërkohë, duke folur para të pranishmëve, vet kongresisti Eliot Engel se përgjatë këtyre viteve ka dëgjuar për Shqipërinë dhe Kosovën dhe për mikpritjen e shqiptarëve, por tashmë është i lumtur që ka ardhur edhe personalisht t’i shoh këto dy vende të ta përjetojë këtë mikpritje.Ai ka rikujtuar ditët e vështira të shqiptarëve dhe faktin se ky popull nuk e humbi asnjëherë shpresën duke luftuar për liri e demokraci, prandaj edhe ka garantuar se me këtë frymë, aleanca dhe miqësia në mes të popujve shqiptar dhe atij amerikan nuk do të zhduket asnjëherë.Kongresisti Engel dhe delegacioni që po e shoqëron kanë zhvilluar një vizitë edhe në qytetin e Bajram Currit dhe në Luginën e Valbonës, për tu kthyer përsëri në Gjakovë, për të vënë kurora me lule në Pllakatin e vendosur në sheshin “Tom Lantosh” dhe për të zhvilluar një takim me kryetarin e komunës së Gjakovës Ardian Gjini.

Filed Under: Featured Tagged With: Gjakova-Eliot Engel-Rruga

SHQIPTARI SHKËLQEN NË LICEUN EUGENIO MONTALE NË ROMË

July 6, 2019 by dgreca

Senatori shqiptar Klarens Gjeci qëmbaroi liceun e famshëm “Eugenio Montale” nëItali me rezultate tëshkëlqyera/

Liceu “Eugenio Montale” njëshkollë e famshme nëRomë, Itali për mësimdhënien, Klarensin e kanëpërzgjedhur President tëkëtij Liceu. 

Shkollën tetëvjecatre ( Scuola Media ) e mbaroi me rezultatin mëtëlartë10 e lode duke qenëi vetmi nxënës në320 tëtjerëme këtërezultat.

Nga Keze Kozeta Zylo/

Është kënaqësi dhe krenari kur dëgjon për studentët shqiptarë anë e mbanë botës që nderojnë veten e tyre dhe Kombin.  Emigrimi dhe largimi nga Atdheu pëveç problemeve tëshumta solli dhe arritje tëjashtëzakonshme nëshumëfusha tëdijes, artit, kulturës dhe sportit.  Njëi tillë është nxënësi inteligjent Klarens Gjeci i lindur në Romë nga dy prindër shqiptarë, më 1 korrik 2000.  Ai edhe pse i lindur dhe rritur jashtë Shqipërisë sipas prindërve të tij, Klarensi flet dhe shkruan shumë bukur shqip, ndërkohë flet, anglisht, spanjisht dhe frëngjisht, përveç italishtes dhe shqipes që i zotëron në mënyrë të përsosur.  

Ajo që më ka bërë më shumë përshtypje është e folura elekuente në shqip çka është një shembull i shkëlqyer për të gjithë prindërit emigrantë, që për arsye të ndryshme fëmijët e tyre nuk flasin asnjë fjale shqip dhe kjo përbën një tragjedi kombëtare.  Kjo tragjedi do t’na kushtoje dhe do të ndihet shumë në vitet e ardhshme.

Klarensi qysh nëfëmijëri ështëdalluar për inteligjencën, seriozitetin e gjërave dhe studimin rigoroz qëka kryer.  Ai nuk ështëvetem tipi i një studjuesi qëbie tërëditën mbi libra, por ai ështëdhe shumësportiv, çka e bën atëshumëpopullor ndër tëgjitha shkollat ku ka studjuar.  

Shkollën tetëvjeçare “Scuola Media” e mbaroi me rezultatin mëtëlartë10 e lode duke qenëi vetmi nxënës në320 tëtjerëme këtërezultat.

Mbas shkollës “Scuola Media” , studjoi nëLiceun “Eugenio Montale” për gjuhëtëhuaja dhe sivjet përfundoi maturën me rezultate tëshkëlqyera.

Gjate gjithe jetës sëtij shkollore ka qenëi zgjedhur përfaqësues ( Senator i Klasës ) dhe aktualisht ishte presidenti i Liceut Eugenio Montale nëtëcilin studjojnë1500 studentë  duke qenëkështu pjesëe Këshillit drejtues tëkëtij Liceu qëpërbëhet nga 8 profesorëdhe 4 studentë, duke pasur nje rol tërëndësishëm nëvendim-marrjet  e këshillit si buxheti i liceut dhe autoxhestioni nga ana e studentëve .

Liceu “Eugenio Montale”  vitin e kaluar ka zenëvendin e dytënëklasifikimin e  tëgjitha shkollave te Romes si njënga shkollat me rezultate mëtëlarta dhe njëarritje superiore tëmësimdhënies. 

Për dy vjet rrjesht ka fituar bursa dhe ka marrëpjesënëROMEMUN ( Rome Model United Nation ) e stimuluar nga OKB-ja duke përfaqsuar vitin e parëShqipërinënëseksionin e UNESCO –s dhe vitin e dytëSierra Leone ne seksionin e FAO-s .  Është njëdjalëshumësportiv dhe kapiten i skuadrës sëfutbollit.  Gjithmonënëndihmëtë shokëve tëklasësduke krijuar grupe pune pa e kursyer ndihmën sidomos nëlëndët shkencore.

Klarens ka zgjedhur tëstudjojëJurisprudencëe tëspecializohet për tëDrejtën Internacionale për të realizuar ëndrrën e tij gjithmonë nëmbrojtje tëpersonave mëtëdobët.

I urojmëKlarensit shumësuksese dhe shpresojmëqëkëto dije qëpo merr nëbotën e qyetetëuar perëndimore t’i ushtrojënëAtdheun e prindërve tëtij.

Staten Island, New York

6 korrik, 2019

Filed Under: Emigracion Tagged With: Klarens Gjeçi-Senatori- Keze Zylo

LOJE….

July 6, 2019 by dgreca

…lojë/
Nga Astrit Lulushi/

Mes kafshëve, vetëm njeriu është i aftë të ndjejë kënaqësi kur shikon një grindje, një zënkë, një luftë pa marrë pjesë në rrezik; nuk ka gjë më të ëmbël për ‘të sesa të mbajë pozita të larta, të sigurta, por jo nga frika, të fortifikuara, ndërsa të mençurit enden jashtë, ai kënaqet kur shikon se si humbasin në kërkim për udhën e jetës, apo kur sheh garën e intelektit, rivalitetin, natë e ditë, duke u përpjekur të tejkalojnë përpjekjet për të hyrë brenda mureve në luftë deri në majën e pushtetit.
Në çfarë errësire ​​dhe në çfarë rreziqesh kalon kjo periudhë e jetës, duke mos zgjedhur të kuptohet se natyra dëshiron më pak se kjo; dhimbjen ta ndajë nga trupi dhe mendja, që njeriu të gëzojë pa pasur nevojë të mendojë edhe për frikën. Por njeriu që sheh nga muret e fortifikuara vetëm kënaqet, qesh e duartroket vuajtjet e mundimin e tyre.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi-Loje

KUR OKUPOHEJ KOSOVA

July 6, 2019 by dgreca

RILINDJA, 6 KORRIK 1990: OKUPIM KLASIK I KOSOVËS/
 
-Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja para 29 viteve fuqishëm kundër Serbisë: Okupim klasik – titull në faqen e parë në 6 Korrik 1990 dhe nuk u ndal edhe kur u ndalua…/
 KALENDARI i Gazetës DIELLI/
 
PRISHTINË, 6 Korrik  2019/ Korrespondenti i Gazetës DIELLI në Kosovë, Behlul JASHARI sot përkujton se, në kohë të rezistencës e luftës kundër Serbisë okupatore,  gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja në 6 Korrik 1990 në ballinë kishte titullin OKUPIM KLASIK dhe nuk u ndal edhe kur u ndalua.
Para 29 viteve, masat e dhunshme të Serbisë e goditën edhe gazetën tradicionale të Kosovës Rilinda, në ditën e 5 Korrikut 1990 të suprimimit të institucioneve të Kosovës e mbylljes së Radio Televizionit të Prishtinës.
 Me titull  OKUPIM KLASIK, ishte reagimi dhe kundërshtimi i fuqishëm i Rilindjes në komentin në faqen e parë në ditën e 6 korrikut 1990. Beogradi, edhe pse në ditën e masave të dhunshme kishte marrë vendimin, kurrë nuk arriti ta bëjë gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja “organ të Kuvendit të Serbisë”. Asnjë gazetar a punëtor tjetër i gazetës Rilindja nuk e pranoi këtë, të gjithë e kundërshtuan dhe e hodhën poshtë.
Masat e dhunshme pasonin 2 Korrikun historik 1990, kur në shtetrrethim dhe para snajperëve serbë, Kosova me Deklaratën Kushtetuese të Kuvendit të saj shpallte pavarësinë, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.
Edhe në një film dokumentar të shfaqur në seancën solemne të Kuvenditë të Kosovës në 25 vjetorin e Deklaratës Kushtetuese shihej gazeta Rilindja në duart e delegatëve, në mbledhjen para dyerëve të mbyllura të Kuvendit të Kosovës.
Në prag të ditës së Deklaratës Kushtetuese për pavarësi të Kosovës të 2 Korrikut 1990, të dielën e 1 Korrikut, në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja isha redaktori kujdestar për ngjarjet e ditës.
Në atë ditë të 1 Korrikut 1990 pjesë e sulmeve të Serbisë kundër Kosovës e shqiptarëve ishte edhe një “referendum për Kushtetutën e re serbe” të kundërshtuar nga shqiptarët, si dhe shpallja e “shtyerjes” së mbledhjes së Kuvendit të Kosovës të paralajmërur për 2 Korrik, e për të cilën përfaqësuesit e popullit-delegatët shqiptarë shumicë e delegatë të komuniteteve pakicë kishin bërë të gjitha përgatitjet për Deklaratën Kushtetuese…
“Shtyrja” shpallej si vazhdimësi e bllokimeve e ndërprerjeve të punimeve të Kuvendit të Kosovës…“Reprizë nuk do të ketë”, me këtë titull shkruajta komentin në mbështetje të delegatëve që të mbahet gjithësesi mbledhja e Kuvendit me axhendë vullnetin e kërkesat e popullit – Deklaratën Kushtetuese për pavarësi të Kosovës.
“Kuvendi i Kosovës është i popullit dhe në të mund të vendoset vetëm sipas vullnetit e kërkesave të popullit”, theksonte komenti që u botua në numrin e 2 Korrikut 1990 të gazetës Rilindja, e cila që nga faqja e parë kishte raportime e shkrime me tiujt “Kosova duhet të ruajë subjektivitetin e vet në federatë”, “Populli vendosë në Kuvendin e vet”, “Kosova e re – sipas vullnetit të popullit”…
Raportohej se “vazhdojnë tubimet legale dhe protestat e shqiptarëve në Kosovë” dhe se “kërkesë unanime” ishte që mbledhja e Kuvendit të Kosovës “të mbajet sot dhe të ketë në rend dite këkesat gjithëpopullore”. Poashtu raportohej se në Gjakovë përfundoi Kongresi i parë i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, i cili përkrahu delegatët e Kuvendit të Kosovës edhe për iniciativën për shpalljen e Kushtetutës së re të Kosovës, e cila Kushtetutë e Republikës së Kosovës e miratuar në 7 Shtator 1990 pasonte Deklaratën Kushtetues të 2 Korrikut të po atij viti.
Rilindja ishte me delegatët e Kuvendit të Kosovës në ngjarjen historike për të cilën raportoi gjerësisht me ekip gazetarësh e flotoreporterësh dhe kishte edhe redaksionalin tim me titull “Fillim i së nesërmes”, të botuar në ballinë në 3 korrik 1990, ku theksonte se, “Deklarata Kushtetuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës është deklarim i popullit për barazi e subjektivitet të plotë të Kosovës e të shqiptarëve… është fitore e akt historik i shprehjes së vullnetit gjithëpopullor demokratik, është fillimi i fundit të pabarazisë e padrejtësive…Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota”…
Pas pak më shumë se një muaji, në 7 Gusht 1990 gazeta Rilindja u ndalua natën me forcë në shtypshkronjë nga Serbia që e kishte okupuar Kosovën, derisa edhe gjatë ditës forcat policore serbe të armatosura i bënin shtetrrethim redaksisë së gazetës, që edhe në ato rrethana kërcënimi e represioni nuk ndaloi punën.
Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 për pavarësinë e Kosovës është ekspozuar për të parën herë në një ekspozitë të Arkivit Shtetëror të Kosovës të hapur në Muzeun Kombëtar të Kosovës në Prishtinë në 2 Korrik 2019.
Pranë Deklaratës Kushtetuese janë ekspozuar edhe faqe të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja me shkrimet për ngjarjen historike të 2 Korrikut 1990, e cila u pasua me Kushtetutën që shpalli Kosovën Republikë në 7 Shtator 1990 dhe me Referendumin për Pavarësi të shtatorit 1991, në të cilin pro votuan 99,87% në pjesëmarrjen masive të 87,01% të qytetarëve me të drejtë vote.
Deklaratën Kushtetuese për Kosovën e pavarur, e cila është e shkruar me makinë shkrimi, ekzemplarin origjinal që u lexua në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës në 2 Korrik të vitit 1990, në 29 vjetorin e saj, e dërgova në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës me këtë shënim bashkangjitur në një letër shoqëruese të veçantë:
“Kjo është Deklarata Kushtetuese e Kuvendit të Kosovës e 2 Korrikut 1990, ekzemplari origjinal që sapo u lexua e mora dhe e ruajë prej atëherë, kur edhe e kam cituar në redaksionalin që shkruajta për gazetën Rilindja me titull ‘Fillim i së nesërmes’ botuar në faqen e parë në numrin e 3 Korrikut 1990.  Prishtinë, 30 Maj 2019 Behlul Jashari”.
Deklarata Kushtetuese, bashkë me aktet e tjera madhore që e pasuan, Kushtetutën e Republikës së Kosovës të 7 Shtatorit të po atij viti e Referendumin për Pavarësi të  ditëve të fundshtatorit 1991, shënonte kthesën historike drejt së nesërmes – të sotmes së Kosovës së lirë tash mëse 20 vjet nga Qershori 1999, Kosovës shtet  11 vjet – Pavarësisë së shpallur në 17 Shkurt 2008, të njohur deri tani nga 116 shtete të botës, anëtare të OKB-së…
 Rilindja, në atë kohë e vetmja e përditshme shqipe në Kosovë, nuk u ndal edhe kur u ndalua nga Serbia para 29 viteve, vijoi me shkrimet nëpër faqet e revistave, e pastaj duke dalë edhe me emrin “Bujku” nga 18 Janari 1991 gazetë e përdrishme rezistencës, e lëvizjes për liri, pavarësi e demokraci, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha.
Në kohë lufte, kur edhe “Bujku” u mbyll dhunshëm nga forcat ushtarako-policore e paramilitare serbe në fundvitin 1998, gazeta Rilindja doli me emrin e saj të vërtetë, e shtypur në një shtypshkronjë private në Prishtinë, me punë nëpër shtëpitë e punonjësve të saj deri në dëbimin e tyre edhe nga Kosova, dhe u rikthye me kolonën e parë të forcave shpëtimitare të NATO-s që hynë në Kosovë në 12 Qershor 1999 – në Ditën e Lirisë, botim special për ngjarjen historike.
E rikthyer në Kosovë,  gazeta Rilindja doli përditë deri në 21 Shkurt 2002, kur u mbyll kundërligjshëm e padrejtësisht nga UNMIK me dëbim dhunshëm nga Pallati me emrin e saj në Prishtinë.
Dhe Rilindja përsëri nuk u ndal, me punë nëpër shtëpia si në kohë lufte, për të ruajtur emrin e traditën e për të vijuar të jetë histori e Kosovës, doli në raste të veçanta me numra të jashtëzakonshëm e protestues, të kohëpaskohëshëm, edhe kur kishte festa. 
Në pritje të zgjidhjes së ligjshme, duke pasur modelin e gazetave që kishin status të njëjtë në rajon e në botë – në procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, në  ballinë të numrit të fundit të 30 Dhjetorit 2008 është paralajamruar: DUKE BESUAR NË SUNDIMIN E LIGJIT NË SHTETIN E KOSOVËS PRESIM QË NGA NUMRI I ARDHSHËM RILINDJA TË DALË PËRDITË.
Gazeta shqiptare Rilindja nisi të dalë në Prizren në 12 Shkurt 1945, me angazhimin e intelektualëve të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana, e vazhdoi në kryeqytetin Prishtinë.
Duke kaluar nëpër këto zhvillime, gazeta tradicionale Rilindja, që është edhe shenjë identiteti, arriti të jetë histori e Kosovës që nga koha e Konferencës së Bujanit të Rezolutës për të ardhme të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit e deri në Pavarësinë e shpallur në 17 Shkurt 2008 e në njohjet ndërkombëtare.
  

(Behlul Jashari në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja nga Shtatori 1973 – gazetar, reporter i lirë, komentator, redaktor, kryeredaktor i parë-themelues i gazetës së përditëshme të rezistencës “Bujku” dhe kryeredaktor i fundit i gazetës Rilindja, e cila me numrin e fundit të shtypur ka dalë në 30 Dhjetor 2008, ndërsa pas 10 viteve kishte edhe një ridalje simbolike protestuese, botim digjital, në 31 Dhjetor 2018.)





Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari-Okupimi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 956
  • 957
  • 958
  • 959
  • 960
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT