• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidenti Biden rendit arritjet në tubimin në 100 ditët e para në detyrë

April 30, 2021 by dgreca

Në ditën e 100 të administratës së tij të re, Presidenti Biden tha se nuk kishte qenë kurrë më optimist për të ardhmen e Amerikës, sepse vendi “është përsëri në veprim. Ne kemi zgjedhur shpresën mbi frikën, të vërtetën mbi gënjeshtrat, dritën mbi errësirën”.

Presidenti Biden foli në një tubim ku pjesëmarrësit qëndruan në makina, të mbledhur pranë Atlantës në shtetin Xhorxhia. Aktiviteti u organizua nga Komiteti Kombëtar Demokrat.

“Ju po dëshmoni se demokracia ofron zgjidhje për njerëzit,” tha presidenti. Fjalët e tij u përcollën me zhurmën entuziaste të borive të makinave.

Shteti i Xhorxhias siguroi dy vende ekstra për demokratët në Senat pas zgjedhjeve të fundit, duke e bërë më të lehtë miratimin e nismave legjislative të presidentit në Kongres.

Presidenti Biden arriti të sigurojë miratimin e Planit për Shpëtim muajin e kaluar, falë 50 demokratëve në Senat.

Në përgjigje të brohoritjeve nga pjesëmarrësit që kërkuan veprim në ndihmë të familjeve imigrante pa dokumente, të bllokuara në qendra federale në kufi, presidenti tha:

“Po punoj në atë drejtim. Më jepni pak kohë”.

Më pas presidenti u kujtoi pjesëmarrësve se kishte mbajtur premtimin për të shpejtuar vaksinimet dhe për t’u dërguar ndihma amerikanëve në nevojë në mes të pandemisë.

Turneu i fitores nga Presidenti Biden u zhvillua më pak se 24 orë pasi ai mbajti fjalimin e tij të parë në një seancë të përbashkët të Kongresit, ku promovoi propozimet e tij për shtimin e vendeve të punës, modernizimin e infrastrukturës, ndihmën për familjet, kujdesin për fëmijët si dhe mbështetje për arsimin që do të kushtonin triliona dollarë. 

100 ditët e para të një presidenti amerikan janë bërë një moment i rëndësishëm historik që kur Franklin D. Roosevelt mori detyrën në vitin 1933 gjatë Depresionit të Madh. 

“Aspiratat e amerikanëve kanë përkufizuar këto 100 ditë të para,” tha Nënpresidentja Kamala Harris të enjten në një qendër të madhe vaksinimi në një stadium në Baltimorë. 

Nënpresidentja tha se kur ajo dhe Presidenti Biden morën detyrën, “Më shumë se 10 milionë amerikanë ishin pa punë. Shkollat dhe bizneset ishin të mbyllura. Dhe përveç pandemisë, demokracia jonë ishte shenjestruar. Kapitoli ynë sapo ishte sulmuar nga kryengritësit”. 

Arritjet e ekipit Biden-Harris në 100 ditët e para nuk u kanë bërë përshtypje udhëheqësve të republikanëve në Senat. 

Axhenda e demokratëve është “një përpjekje për të vazhduar ta tërheqin zvarrë vendin por ta çuar sa më shpejt e më thellë nga e majta,” tha senatori Mitch McConnell. 

“Presidenti ynë nuk do të lërë gjurmë në histori nëse vazhdon me këtë qëndrim të njëanshëm përmes radikalizmit”, shtoi senatori McConnell në një deklaratë në lidhje me 100 ditëshin e parë të Presidentit Biden. “Ai nuk do të ketë shumë arritje në këtë mënyrë. Kjo nuk do të jetë e mirë për vendin. Dhe çfarëdo që demokratët bëjnë përmes forcës së egër partiake do të jetë e brishtë”, thuhet në deklaratën e udhëheqësit të pakicës republikane në senat.

Filed Under: Featured Tagged With: 100 ditet, Presidenti Biden

Kurti-Borrell: Orientimi i Kosovës për BE dhe NATO pa alternativë

April 29, 2021 by dgreca

-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u prit në takim nga Josep Borrell, Përfaqësues i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë/

BRUKSEL, 29 Prill 2021- Gazeta DIELLI/

Në kuadër të vizitës zyrtare në Bruksel, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u prit në takim nga Josep Borrell, Përfaqësues i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, njëherësh nënkryetar i Komisionit Evropian. Në takim u bisedua për çështje bilaterale, zhvillimet në rajon, dhe për dialogun Kosovë-Serbi.

Në këtë takim, në kuadër të vizitës së parë jashtë vendit, delegacioni i Kosovës i prirë nga kryeministri Kurti, shprehu përkushtimin për reforma të thella në vend dhe integrim evropian. Kryeministri Kurti theksoi nevojën për mbështetje nga Bashkimi Evropian për Qeverinë e Kosovës në zbatimin e programit të saj në të gjitha fushat, përfshirë këtu edhe përpjekjet për të luftuar suksesshëm pandeminë COVID-19 dhe sigurimin e dozave të reja të vaksinave. Ai tha që Kosova e sheh Bashkimin Evropian, jo vetëm si strukturë institucionale por edhe vlerë historike parimore dhe vizion progresiv për të ardhmen. Kryeministri Kurti ritheksoi se orientimi i Kosovës për BE dhe NATO është i qartë dhe pa alternativë.Përfaqësuesi i Lartë Borrell u shpreh i kënaqur me vizitën e kryeministrit Kurti, dhe e falënderoi që ka zgjedhur Brukselin për vizitën e parë zyrtare të tij, pas marrjes së detyrës së kryeministrit. Ai e përgëzoi për mandatin e fuqishëm dhe besimin e madh që ka marrë nga qytetarët e Republikës së Kosovës dhe uroi që me këtë mandat dhe besim ta afrojë Kosovën me Bashkimin Evropian. Përfaqësuesi i Lartë Borrell tha se Kosova dhe qeveria e saj mund të llogarisin në përkrahjen e Bashkimit Evropian, i cili është një nga mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës.

Filed Under: Kronike Tagged With: Borrell, Josep Borrell

Kosova kadetë të rinj në akademitë ushtarake Amerikane

April 29, 2021 by dgreca

-Kosova edhe këtë vit me kadetë të rinj në akademitë ushtarake të SHBA-së – Komunikatë për media  e Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës/ 

PRISHTINË, 29 Prill 2021-Gazeta DIELLI/ Në kuadër të bashkëpunimit, partneritetit  dhe mbështetjes së vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe pas një procesi të konkurrencës shumë të fortë nga qindra konkurrentë nga shumë shtete të ndryshme të Botës, kandidatët Enderon Vuthaj  dhe Arlind Shefiku janë dy studentë-kadetët e radhës të përzgjedhur të Kosovës  për të studiuar në Akademinë e Forcave Ajrore dhe Akademinë Ushtarake të SHBA-së West Point.  

Studentë-kadetët e rinj, Enderoni dhe Arlindi, me suksesin e tyre kanë nderuar dhe bërë krenar Kosovën dhe urojmë që pas katër vite të studimeve me dijen dhe shkathtësitë e tyre të kthehen për ti shërbyer vendit tonë. 

SHBA, si partneri ynë kryesor strategjik vazhdon përkrahjen gjithëpërfshirëse për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës që nga fusha e arsimimit dhe trajnimit, donacionet në pajisje, këshillime profesionale e deri te stërvitjet dhe operacionet e përbashkëta. 

Filed Under: Featured Tagged With: Kadete te rinj, kosova

Humbësi nuk është viktimë!

April 29, 2021 by dgreca

NGA ILIR LEVONJA/
A duhet të dorëhiqet Lulzim Basha? Pa asnjë diskutim që po. Në mes është një nga standartet sa i munguar aq edhe i domosdoshëm në demokracinë shqiptare. Pikë së pari është një akt personal individual që ka sjellë kaq shtrëmbërim të vullnetit të popullit. Lufta e gjakut në Amerikë zgjati katër vjet, 1861-1865. Ai që i dha fund quhej Abraham Linkoln, ose presidenti i 16-të i Shteteve të Bashkuara. Duke ndjerë popullaritetin e madh të tij, Partia Republikane i ofroi kandidimin për një mandat të tretë, pasi Kushtetuta e vendit e lejonte, por ai nuk pranoi. Madje ishte pikërisht ai i cili hodhi idenë e kufizimit të mandatit presidencial. Dhe kjo gjë u bë e mundur me Franklin Rusvelt. Pra dorëheqja dhe kufizimi i mandatit është një akt civil individual që e ka të domosdoshëm vendi për t’ua
lënë si standart fëmijëve. Nuk është fundi i botës të hapësh krahun, por e kundërta.

Tek ne është krijuar një mjedis politik gati shfarosës për të mbrojtur njëshin nga ”armiqtë” brenda të së njëjtës prirje politike, por me mendime të ndryshme. Mos harroni se jemi një komb që kemi histori të hidhur me mendimin ndryshe. Kemi vrarë dhe persekutuar njëri tjetrin.
Nga kjo epokë zie, u bënë tashmë postulat fjalët e një vajze shqiptare e cila nga tavolina e një gjyqi publik, u thoshte motrave dhe vëllezërve të një gjaku se, fakti që mendonte ndryshe, nuk do të thoshte se e donte atdheun më pak se ata. Kjo ishte Musine Kokalari, dëshmia apo fytyra për turp e jona. Nuk bëhet më fjalë se cili iks, ish pd-ist e kërkon atë.
Se vërtetë është e neveritshme të shohësh një ish president demokrat që kërcën vendit si dreqi, që vrapon i pari të kërkoj dorëheqjen e Lulzim Bashës, jo pse nuk fitoi zgjedhjet, por sepse nuk e kishte emrin e tij si kandidat për deputet. Eshtë vërtetë e neveritshme që një president pa nam e nishan nuk u pa asgjëkundi gjatë fushatës, se, normale mendësia e
vlerave të padiskutueshme në parti, hatërmbetja etj., sot kërcen si kokoshkat kundër
Bashës. Në presidencën e tij do mbahet mend për luftën e hapur karshi një poeti modern
kombëtar, që shkonte në Vatikan si përfaqësues i shtetit. Mirëpo presidenti i shërbente
klanit imun të oligarkëve në emërime e ç’emërime, jo trashëgimisë shtetare. Është e
neveritshme të shohësh një kastë karrikethyerish që shpikën opozitën kundër opozitës.
Mbetën studiove duke kritikuar Bashën, jo atë që qeveriste, madje kanë votuar kundër
demokratëve. Po, po pikërisht për inat të Bashës, sot kërkojnë ikjen e tij. Një opozitë që
brejti votat e të djathtës dhe sot morën si dhuratë hallatet e Ramës. Shumë nga ju sot me të
drejtë pyesin, kujt t’i besojmë Rudinës, vajzës së heroit të demokracisë, që na doli me parti
më vete?. Ashtu sikur shumë nga ju ndjeni dhimbje se përse duhet të iki kur ka marrë më
shumë vota nga zgjedhjet e fundit. Eshtë e thjeshtë, nuk ka fituar. Dhe si i tillë duhet të
hapi krahun. Bizarriteti i këtyre zgjedhjeve fillon që me formulën e herësit ku vota
popullore nuk të bën deputet deri në trefishin e saj. Po, Shqipëria është viktimë e
formulave si Dushku i famshëm, apo herësi i Ramës me lista gjysëm të hapura etj.
Megjithatë Basha ka qënë aktor në këtë pengmarrje vullneti të shqiptarëve ndaj duhet të
japi dorëheqen. Djegia e mandateve ishte një akt i madh politik, por donte dhe një vullnet
të madh këmbëngulës në të drejtën se përse sakrifkuat mandatin. Ju e përkrahët Bashën, i
mbushët sheshet. Megjithatë me afrimin e stinës së verës Basha u tha, takohemi në shtator.
Protestuesi nuk ka kohë të pushoj, protestuesi e fillon dhe, o fitimtar o i burgosur. Ju u burgosët Basha shkoi me pushime duke u justifikuar me kancelirët e Europës, jo duan apo nuk duan të huajt. Vullneti është i juaji, jo i të huajve. Duhet ta kuptojmë se politika e denoncimit ka marrë fund dhe se duhen çelur rrugë të reja. Kush ka humbur një herë duhet
të hap krahun. Madje me vullnetin e tij jo me pritjen e skuthit që çirret studiove dhe e quan detyrën e kryer. Në pushtet është një makineri e fortë, një pallat me administratorë që
mishëron absurdin kafkian…, e vështirë për t’u zhbërë kështu. Do mendje të ftohta,
unifikim dhe një strategji me shpirt të madh. Nuk mund të vish në pushtet, të përmbysësh
herësin e Ramës me përjetësisht emrin e Fatmir Mediut në lista. Nëse nuk i jepni
rëndësinë e duhur humbjes, votave të firuara, do mbesim gjithë jetë denoncues dixhital,
qaramanë, përballë 4 vjeçarëve pambarim të Edi Ramës. Koha fluturon si nuk ua merr
mendja, lum ai që nuk e shpërdoron. Përgjegjësia e pa emërt nuk është demokraci.
Humbësi nuk është viktimë, nuk është pështirosja jonë, nuk është plehra jonë. Por është
rishtas pjesë e jona dhe ne nuk duhet të anatemojmë as të anatemohemi me njëri-tjetrin.
Eshtë thjesht standart. Se pikërisht fal mungesës së këtij standarti sot e kësaj dite vazhdon
të shitet votat.

Filed Under: Analiza Tagged With: Humbesi nuk echte viktime, Ilir Levonja

Dy vëllime të “Al Muqaddima”-s së Ibn Khaldun-it në bibliotekën e Faik Konicës

April 29, 2021 by dgreca

NGA MELSEN KAFILAJ/ Dielli

Eseisti, lektori dhe filosofi i madh amerikan Ralph Waldo Emerson në njërën prej letrave drejtuar një mikut të vet i jepte këtë porosi: “Nëse takon një njeri me intelekt të rrallë, mos harro kurrë që ta pyesësh se çfarë librash lexon.”(Emerson 2010:93) 

Fatmirësisht, ne e kemi këtë njeri me intelekt të rrallë midis nesh.Them “midis nesh” pasi ka lënë pas jo vetëm emrin dhe veprën e vet por edhe kabinetin e tij magjik; bibliotekën e tij.Mjafton ti hedhësh një sy kësaj biblioteke dhe e kupton vetvetiu që Faik Konica jo vetëm që ishte një bibliofil me sqimë por gjithashtu edhe një kuvendues ideor me veprat më të shquara të njerëzve të kohërave të shkuara dhe asaj të vet.Një prej këtyre kuvenduesve të thellë është padyshim edhe sociologu, filosofi dhe histografi i madh islamik i Shek.XIV, Ibn Khaldun.

Për mua qe një befasi e këndshme teksa zbuloja në bibliotekën Koniciane edhe 2 vëllime prej veprës së shquar të Ibn Khaldun, e titulluar “Al Muqaddima” (Një hyrje e shkurtër). Ai Ibn Khaldun i cili studiohet sot fuqishëm në Harvard, Leiden, Oxford, Cambridge, etj dhe që ndikon me konceptet e tij edhe pas 600 vjetësh dijetarët bashkëkohorë (ndër të cilët Jacques Attali më i fundit), s’ke sesi të mos habitesh që Konica ynë erudit e lëçiste qysh në vitet 30-të…Fatkeqësisht, po i njëjti Ibn Khaldun- një intelektual i munguar në universitetet shqiptare, madje edhe në Erën e Njohurive dhe Informacionit, në këmbë-shpejtin  Shek.XXI…

Por çfarë mund të thuhet më tej për këto volume?! Vlen të theksojmë se ato janë një përkthim nga origjinali i “Al Muqqadima”-s në frengjisht (“Les Prolégomènes D’Ibn Khaldoun”) prej Orientalistit Irlandez Baron Dé Slane përgjatë viteve 1863-1868.Vepra është në 3 vëllime dhe u botua gjithashtu prej tij.Në bibliotekën personale të Konicës fatkeqësisht ndodhen vetëm 2 prej tyre; Vëllimi I dhe Vëllimi II.(Vëllimi III mungon.) Këto 3 vëllime (hard-cover) i përkasin një edicioni të mëvonshëm, të botuar në Paris prej “Librairie Orientale Paul Geuthner” përgjatë viteve 1934-1938 dhe kanë respektivisht secili 486 faqe (Vol.I), 493 faqe (Vol.II) dhe 571 faqe (Vol.III)

Konica kishte një kërshëri të ndezur dhe ishte një njeri me interesa të gjera kulturore.Nëse do të citonim Umberto Eco-n:“Ai jetonte për librat!” Po ashtu si Atdheu i tij, Shqipëria edhe biblioteka personale ishte një “cultural bridge” mes Lindjes dhe Perëndimit.Krahas veprës së përmëndur më sipër, disa vepra të tjera gjëndur në këtë bibliotekë që rrëfejnë për interesin e tij mbi Orientalistikën janë edhe “Arabia before Muhammad” e De Lacey O’Leary, “History of the Jews” e Heinrich Graetz, “The Founder of Modern Egypt” e Henry Herbert Dodwell të SOAS (një vepër kjo dedikuar “Luanit të Egjiptit”, Muhamed Aliut) apo edhe “Babilonian Life and History” e Sir E. A. Wallis Budge.Një detaj i fundit që më la mbresë nga Biblioteka Koniciane qe edhe “Ex Libris”(Lat), dmth “Nga librat”.Po.Konica kishte të drejtë: Ne bëhemi nga Librat!

Filed Under: ESSE Tagged With: “Al Muqaddima”-s së Ibn Khaldun-it, biblioteka, Konica, Melsen Kafilaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 94
  • 95
  • 96
  • 97
  • 98
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT