• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

100-VJETORI I KONFERENCËS SË PAQËS

June 28, 2019 by dgreca

-Wilsoni, Noli, Fishta dhe gjëndja aktuale politike në Shqipëri/

NGA FRANK SHKRELI/
Ky vit shënon 100-vjetorin e Konferencës së paqës që filloi në Paris në janar të vitit 1919 dhe kulminoi me nënshkrimin e Traktatit të Versajës, më 28 qershor, 1919.  Lufta e Parë Botërore kishte marrë fund në nëntor të vitit 1918, por përfundoi zytarisht me nënshkrimin e Traktatit të Parisit qershorin e vitit 1919.
Ndërkohë që shkollat mund të jenë mbyllur për pushimet verore, kjo nuk do të thotë se nxënësit dhe studentët nuk kanë mundësi të mësojnë për këtë përvjetor historik dhe për rëndësinë që kjo konferencë ka në historinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.  Burimet janë të shumta në internet që hedhin dritë për rëndësinë e asaj konference për Evropën dhe për botën, përfshirë edhe historinë e Shqipërisë. Janë dy arsye që shqiptarët duhet ta kujtojnë këtë përvjetor: Një, është roli i presidentit të atëhershëm të Shteteve të Bashkuara, Woodrow Wilsonit, si përfundim i takimit të Fan Nolit me ish-udhgëheqsin amerikan, para se Wilson të nisej për të marrë pjesë në Konferecn e Paqës në Paris dhe arsyeja tjetër është pjesëmarrja e delegacionit shqiptar në atë konferencë, përfshirë At Gjergj Fishtën. Është edhe 100-vjetori i fjalimit të tij historik mbi të drejtat e shqiptarëve në trojet e tyre autoktone, në atë konferencë — një fjalim ky që deri më sot as Evropa as bota nuk e kanë dëgjuar një fjalim të tillë mbi, “Shqiptarët dhe të Drejtat e tyre”, nga asnjë përfaqsues shqiptar — as në nivel kombëtar as në ndonjë konferencë ndërkombëtare — gjatë 100-viteve të kaluara. 
“Një zë do të kem në Konferencën e Paqës dhe atë zë do t’a përdor në mbrojtje të Shqipërisë.”  Presidenti Wilson ishte i pari president i Shteteve të Bashkuara, i cili në politikën e jashtme amerikane të kohës, ka thekësuar rolin ndërkombëtar si mjet për krijimin e një rregulli të ri botëror, ndërkohë që kishte shpallur hyrjen e Amerikës në Luftën e Parë Botërore, si një përpjekje — sipas tij — për të bërë botën, “të sigurt për demokracinë”.   Ndërhyrja amerikane bëri që lufta të përfundonte në favor të aleatëve dhe janarin e vitit 1918, i paraqiti Kongresit të Shteteve të Bashkuara, objektivat amerikane të përfundimit të luftës, duke njoftuar, “14 Pikat”.  Në bazë të njerës prej këtyre pikave, me mbarimin e luftës do të krijohej Lidhja e Kombeve, në bazë të së cilës, të gjitha kombet — të mëdha e të vogla – do të gëzonin garanci të përbashkëta për pavarësinë politike dhe integritetin territorial të tyre. 
Siç dihet Peshkop Fan Noli ishte takuar me Presidentin Wilson, para se ish-presidenti amerikan të shkonte në Paris për të marrë pjesë në Konferencën e Paqës.  Noli ishte i bindur se Shqipëria, në personin e Wilsonit, kishte një mbështetës të fortë.   Në një fjalim të vitit 1918 botuar në gazetën Dielli, me titull, “Borxhi që Shqipëria i ka Amerikës”, Peshkop Noli shpreh bindjen e tij se Shtetet e Bashkuara do të përkrahnin pavarësinë e Shqipërisë.  Duke shprehur besimin se Amerika do të dilte fituese dhe se fitorja e Amerikës, sipas Nolit, do të ishte edhe një triumf për demokracinë anë e mbanë botës.  Ai ishte i patundur në besimin e tij se kushtet e paqës do të të vendoseshin, sipas Nolit, nga “Një arbitër i botës, i cili është i drejtë, dmth, nga presidenti Woodrow Wilson”, ka thënë Noli.  “Kushtet e tija njihen mirë prej të gjithëve… që secili popull duhet të ketë të drejtën të zgjedhi vet sovranitetin nën të cilin dëshiron të jetojë.”  Fan Noli pastaj vazhdon duke thënë se, “Unë kam patur nderin të takoj këtë njëri të madh, me një rast historik.”    
Në shkrimet e tija, Noli ka rrëfyer se Presidenti Wilson kishte ftuar me një rast, përfaqsues të grupeve etnike, përfshirë edhe Nolin si përfaqsues të komunitetit shqiptaro-amerikan, për tu takuar me presidentin Wilson në Mount Vernon, jo larg kryeqytetit amerikan.  Duke u këthyer nga Mount Vernon për në Washington, Noli kujton se, ai iu afrua presidentit Wilson për t’i folur për hallet e Kombit shqiptar duke i bërë apel Wilsonit që, të “shpëtojë një racë heroike por të pa-mbrojtur”.  Sipas Peshkop Nolit, Presidenti amerikan Wilson u përgjigj pa hesitim: “Unë do të kemë një zë në Konferencën e Paqës dhe atë zë do ta përdor në mbrojtje të Shqipërisë.”  Ashtu edhe ndodhi, megjithëse kërcënimet ndaj Shqipërisë dhe territorit të saj, nga fqinjtë grabitqarë, nuk pushuan as pas Konferecës së paqës.
 
Gjëndja politike në Shqipëri pas Luftës së Parë Botërore ishte tepër e paqartë.  Fqinjtë e saj, serbët, grekët dhe italianët mezi prisnin të ndanin mes tyre Shqipërinë copa copa.  Në të vërtetë, përfaqsuesit diplomatikë evropianë kishin rënë dakort që Shqipëria të ndahej duke i dhënë nga një pjesë Jugosllavisë, Italisë dhe Greqisë.   Kjo marrëveshje u arrijtë pa marrë parasyshë dëshirat e Shqiptarëve, por dhe në mungesë të kryenegociatorit diplomatik amerikan.  Ndërkohë, Kongresi i Lushnjës, në Janar të vitit 1920, vendosmërisht hodhi poshtë marrëveshjen e armiqëve të shqiptarëve për të ndarë Shqipërinë copa copa sikurë të ishte plaçkë, ndërsa u paralajmëruan fqinjtë dhe Evropa se shqiptarët do të luftonin në mbrojtje të integritetit territorial të vendit.  Në këtë atmosferë pasigurie për Shqipërinë deh shqiptarët, në Mars të vitit 1920, Presidenti i Shteteve të Bashkuara Wilson ndërhyri për të bllokuar zbatimin e marrveshjes anti-shqiptare të Parisit dhe menjëherë vendosi të pranonte përfaqsuesin diplomatik shqiptar në Washington, duke afirmuar në këtë mënyrë mbështetjen e Amerikës për pavarësinë e Shqipërisë.   Dhe nga fundi i atij viti, Lidhja e Kombeve njohu sovranitetin territorial të Shqipërisë, duke e pranuar atë si anëtare të plotë të organizatës botërore, megjithëse fatkeqsisht me kufij të cunguar.
 
Duke shprehur admirimin dhe falënderimin e tij ndaj Wilsonit, Fan Noli është shprehur se Amerika kishte Presidentin Abraham Linkolnin, i cili nuk duronte një Amerikë gjysëm të lirë e gjysëm të skllavëruar,  ndërkohë që në personin e Wislonit, Shtetet e Bashkuara,  kishin, “një president i cili nuk mund të duronte një botë gjysëm të lirë dhe gjysëm të skllavëruar.”   Noli ka thënë se Wilsonin, “do ta njohë historia si çlirimtar i të gjitha kombeve, të mëdha e të vogëla.”
 
Ishte Konferenca e Paqës në Paris, 100-vjet më parë që i dha rastin Woodrow Wilsonit që bota ta njihte, atëherë dhe sot, për sukseset e tija në fushën e politikës së jashtme, si një idealist i cili besonte në paqën botërore dhe në vetvendosjen dhe në sovranitetin territorial të kombeve të mëdha e të vogëla.  14-pikat e tija të famshme për paqën në botë – të përpiluara 100-vjetë më parë – mbeten ende pjesë e pandarë e politikës së jashtme amerikane dhe shembull i një vizioni të bashkpunimit ndërkombëtar për sigurimin e lirisë dhe demokracisë të vendeve, vizion ky që më në fund çoi në krijimin e Lidhjes së Kombeve – para-ardhëse e Organizatës së Kombeve të Bashkuara — përpjekje këto për të cilat Wilsonit iu akordua Çmimi Nobel për Paqë, në vitin 1920.
 
Në këtë 100-vjetor të Marrveshjes së Paqës në Paris, me 28 qershor, 1919, të kujtojmë rolin e Woodrow Wilsonit, këtij burrshtetasi të madh amerikan, zëri i të cilit, në Konferencën e Parisit ishte vendimtar për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë.  Të kujtojmë Fan Nolin, sadopak për kontributin e tij, siç ka thënë edhe vet, “Për kauzën njerëzore dhe qytetërimin botëror, me aqë sa kemi mundësi.” Të kujtojmë me këtë rast edhe At Gjergj Fishtën, i cili si anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Parisit, 100-vjet më parë mbajti fjalimin historik  –para përfaqsuesve të disa vendeve më armiqësore të kohës ndaj interesave shqiptare — që mbetet sot e kësaj dite fjalimi më klasik në oratorinë shqiptare mbi, “Shqiptarët dhe të Drejtat e tyre”. 
Është ironik fakti se 100-vjet pas Konferencës së Paqës në Paris, kur Shqipërisë i kërcënoheshin rreziqe të shumta nga armqitë e jashtëm – sot rreziku më serioz që i kanoset Shqipërisë — siç e ka cilësuar edhe Gjergj Fishta – është , “Rreziku i Përmbrendshëm”, megjithse, “Sot Shqypnia ka nji qeveri të vetën, ka nji parlament të vetin, ka nji ushtri, nji financë, e ma tepër, ka nji vijë kufijsh të njoftme ligjsisht prej Fuqive të qytetnueme: të tana sende këto qi na dëshmojnë se Shqypnia asht, e se asht e lirë e e pamvarun”.  Sipas Gjergj Fishtës, janë vet shqiptarët, pikërisht, ata që përbëjnë rrezikun më të madh ndaj interesave të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, si 100-vjet më parë ashtu edhe sot,që ai ka i cilësuar si “Njerëz rrugaça, njerëz shakllabana e të pa kurrfarë njerëzie e mirërritjeje, të pa kurrfarë mësimi të vlefshëm, që gjithë jetën e vet s’qenë të zott me shtrue kund ndoj plang, me ngulë kund ndoj truell, me ngrefë kund ndoj shtëpi, me kapë kund ndoj punë, me zanë kund ndoj mik, por gjithmonë me valixhe nën dorë, të harlisun nga mendja, të përdhosun kah fjala, të çoroditun kah vepra; ku mbillen, s’korren; ku bijnë nuk çohen; veç nga, si mizat pakrye, skele në skele, fshat në fshat, qytet në qytet, gjithkund tue zanë ndoj ves të ri, gjithkund tue lanë ndonji marre të re për Shqypni.”  (Nga “Hylli i Dritës, 1921, nr. 1).


Filed Under: Histori Tagged With: FRANK SHKRELI-KONFERENCA E PAQES-100 VJET

WE A P P E A L !

June 28, 2019 by dgreca

To All US Citizens of Albanian Extraction!/

To All Albanian Citizens Presently Living in the United States !/

To All American Citizens friends of Albania!/



Good morning!
Today, Albania is in danger! Facing a self-inflicted conflict originating by the excessive partisanship  of the two major  political parties, Albania is calling: 
Please, help us before we destroy our own country! We should answer: YES!
    By Presidential decree, local elections were to be held on June 30, 2019. For lack of trust on the part of the opposing Democratic Party, fearing election-rigging for good reasons, irregularities, stealing and buying of votes, a practice confirmed by outside observers, the PD refuses to participate, counter-offering to change the Government of E. Rama and replace it with a technical government- which excluded him. The leader of the Socialist Party refused, thus becoming the target of the opposition attacks. Considering the gravity of the situation, the President of the Republic cancelled the date, and fixed a new date, October 13, 2019, requesting from the two parties to enter into new negotiations. Mr. Rama refused net. The leader of the PD, L. Basha, insisted on his opposition. No compromise was reached, as the country faces a confrontation that does not exclude bloodshed. 
    That’s terrible! We should not allow it!   On June 23, 2019, the Catholic Church of Albania declared a day of prayers for all churches and dioceses, to help the difficult situation”….praying that God may enlighten the minds of the leaders responsible”. 
    Bad news reach us day after day, Yesterday, it was announced that 26 percent of the Albania’s population are asking to emigrate from Albania. In the eyes of he normal people this is the final punch affecting Albanians as a result of bad government. We have now in Albania domestic political radicalism, social unrest, institutional fragility. Trust in the political parties has been the first victim, opening the door to a militancy that predominates, affecting leaders’ decisions. 
   The PD has abandoned the Parliament and chosen the street to protest. Both political parties are engaged in a struggle to replace each other in leading a Government, where the leaders enjoy an unchecked authority. Some results are:-      
-a regional instability will be created, affecting Kosova and N. Macedonia-  

–     closing the door to Albania’s membership to the EU, and the reputation of Albania deeply affected as a country that does not belong to Europe.

–      Entering a new phase of political chaos with unpredictable consequences;

–      Opening a window for Russian interference

–      Economic decline, social unrest, and deeper division of our wounded country
Today, is urgently needed a firmer diplomatic initiative by the international community pushing both sides towards dialogue, by avoiding venomous speeches and reigning on militants – by excluding them!
   WE IMPLORE one and each one of you to visit, call on the phone, email, fax and use of all means of communication available, with your representatives in the US Government and ask for their contribution to prevent a civil war and bring peace to the country of our fathers—Now and until we succeed! 
“Blessed are the peacemakers!” Thank you!
June 17,2019                       
Respectfully,  
                  Sami Repishti, Ph.D. Univ. of Paris and Graduate Center of C.U.N.Y.(retired)
                 Co-founder and First President,  National Albanian American Council



Filed Under: Opinion Tagged With: SAMI REPISHTI-WE APPEAL

LIRIA E ARSYESHME

June 28, 2019 by dgreca

NGA ASTRIT LULUSHI/

Të kesh kaluar në komunizēm 45 vjet, të kesh provuar tmerr, shtypje e frikë, dhe ende të diskutosh nëse zgjedhjet e 1945 ishin të drejta apo padrejta, me ose pa opozitë, i ngjan atyre torturave, po në komunizëm, kur personi i kapur i plagosur gjatë përpjekjes për kalimin e kufirit, dërgohej në spital dhe pasi shërohej, detyrohej të thërriste “rroftë partija dhe pastaj e varnin a e pushkatonin. Kështu talleshin komunistët duke përçudnuar çdo llo ligji, morali, zakoni.
Tani, me votimet e 30 qershorit, socialistët përsërisin skenarin me votime pa opozitë, duke përfshirë anëtarët e protestave në lista e kategori për krime penale ose masa ndëshkuese.
Falë heqjes së dënimit me vdekje. Por ka masa të tjera të ngjashme siç është heqja e pasaportës, mohimi i daljes jashtë shtetit, ose heqja e të drejtës për punësim, që njësoj e vrasin njeriun ekonomikisht. Këto janë disa prej kërcënimeve, që socialistët i bëjnë sot opozitës, të ngjashme me ato të 1945-s. 
Viti ‘45 po përsëritet nga pasardhësit socialistë, lloji i njeriut të ri, bij e bija të komunistëve të djeshëm; me të huajt që po bëjnë të njëjtin gabim duke pranuar hapur a në heshtje kthimin e atij vit të mbrapsht.
Shqiptarët pritet të izolohen përsëri në mjerimin e tyre. Së pari nëpërmjet vendosjes së rojet evropiane në kufi, zvarritjes a shtyrjes së bisedimeve për në BE, vendosjes së vizave, siç bëri Holanda, më pas mund ta bëje edhe Shengeni, për ta veçuar përgjithmonë pjesën e quajtur Evropë juglindore, si republikë të çfarëdollojshme.
Çudi si erdhën punët kështu, edhe pse shqiptarët këto vite e shijuan lirinë, dikush pak e dikush shumë, ishte ndoshta liria e mesme, liria e arsyeshme, ajo që ata e kapërcyen pa mundur ta preknin.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi-Liri e Arsyeshme

SHQIPTARË DHE GREKË PËRBALLEN NË MANHATTAN

June 28, 2019 by dgreca

SHQIPTARË DHE GREKË PËRBALLEN NË PROTESTËN E 75 VJETORIT TË MASAKRAVE GREKE NË ÇAMËRI/

NGA DALIP GRECA/DIELLI/

Në 75 vjetorin e masakrës greke ndaj popullsisë së pambrojtur shqiptare të Çamërisë, të Enjten me 27 qershor, në orën 12.00, Presidenti i Rrënjëve Shqiptare Marko Kepi në bashkëpunim më Çamërinë dhe organizatat e tjera të komunitetit organizuan protestën paqsore përballë Misionit dhe Konsullatës greke në 79 St, mes Park Av & Madison. 


Në qendër të protestës ishte Marko Kepi, president i Rrënëjve Shqiptare dhe Sali Bollati, i mbijetuar i masakrave greke ndaj popullsisë Çame, që e pa dhe e përjetoi tragjedinë me sytë e një fëmije 7 vjeçar.
Përballë protestusëve shqiptarë u kundërvunë një grup i vogël grekësh, që duket se strehën e kishin tek konsullata greke. Me flamurin grek dhe me një banderolë ku akuzonin shqiptarët për vrasjen e terroristit Kostandin(os) Kacifos, sipas tyre i ktheyr në hero për Vorio Epirin.Nuk është hera parë që ky grupim i vogël grekësh i kundërvihet Rrënjëve Shqiptare. E njëjta histori pat ndodhur pak muaj më parë nga përballje në Brooklyn, ku ata ikën të turpëruar nga logjika dhe kundërvënia e shqiptarëve.
Qëllimi këtë herë duket se ishte të bënin zhurmuesin, përballë kërkesave të protestuesëve shqiptarë për drejtësi dhe njohje të gjenocidit nga Greqia. Ka 75 vjet që Greqia përpiqet që ta mohojë masakrën, që përbën njollën e turpit për vendin që pretendon qytetërim të lashtë. Natyrisht që numri i vogël i protestusëve grekë të orkestruar si zhurmues, edhe pse kishin në mesin tyre gazetarë e kamera, bënë që ata të dështonin. Muhamet Omari u kërkoi leje policëve, që siguronin protestën, për t’u ofruar ujë grekëve që shanin, britnin e shkulmonin sharje e ofendime papushim. Natyrisht ishte një mësim edukate për grekët që u ka mbetur ora tek përralla me Vorio Epir grek! Ndër parullat që ata hidhnin ishin edhe thirrjet se Ju shqiptarë nuk jeni Ilir, ndërsa shqiptarët ua kthenin duke i akuzuar se ata ishin magjypë të ardhur…
Sali Bollati, i mbijetuari për të dëshmuar masakrën deri sa të ketë frymë , prezanton dhimbjen dhe historinë e tij se çfarë ndodhi me familjen në kohën e tragjdisë. Ai e ka parasysh tablon e tmerrshme tragjike: Gjyshin 82 vjeçar, Muahrremin, e kishin tërhequr zvarrë dhe e kishin pushkatuar në oborr; vëllanë e madh 10 vjeçar Ferhatin e kishin vrarë tek shtepia e hallë Shazijes, nënën e gjorë zervistët ia vranë në xhaminë e Bollatëve, ndersa nga baba mori vetem imazhin e nje fotografie… . Ai së bashku me jetimët e mbetur gëlltiti tragjedinë dhe eci pas fatit të zi, duke kaluar jetë burgu e më pas rrugëtimin e vështirë, ikjen drejt Shqipërisë…Tragjedia nuk kishte përfunduar, Faruku, vëllai 5 vjeçar, që kishet marrë ftohje në burg dhe gjatë rrugëtimit, humbi jetën në spitalin e Vlorës. Mbeti gjallë vetëm ai, Saliu 7 vjeçar, dhe motra 10 vjeçare, Qerimani. Sali Bollati sapo nis të tregojë tragjedinë e tij zhurmuesi i pakicës greke nisi furinë e thirrjeve dhe sharjeve. Ata nuk diën të respektojnë as të vdekurit….Më pas është Izmir Bako, që tregon historinë e familjes së tij. Ai mbanë edhe një panakrtë të madhe ku shkruhet historia e Bakove. Kur grekët zhurmues thërrasin se çamët ishin kolaboracionistë me pushtuesit, Bako u afrohet afër grekëve dhe u nxjerr parasyve pankartën ku shkruhet në gjuhën angleze, se kur u vranë në Paramithi më qershorin e 1944, Hatixhe Bako ishte vetëm 4 vjeç, Makbule Bako 2 vjeç, Baki Bako 1 vjeç, dhe… propaganda greke flet për kolaboracionistë? A mund të vrisnin këta fëmijë?
Marko Kepi në fjalën e tij plot mençuri u thotë grekëve përballë se çamët kërkojnë vetëm drejtësi. Shteti grek dueht ta njohë genocidin që mori mijëra jetë të pafajshme. Më pas ai lexon listën plot dhimbje, kur fëmijë të vegjël u vranë në mënyrën më makabre nga një ushtri e helmatisur nga shovinizmi dhe spastrimi etnik…Grekët përbalël, zhurmojnë që të mos i dëgjojnë moshat e fëmijëve ët vrarë, 2 vjeç, 1 vjeçe, 3 vjeç…Ata vetëm thërresin emrin e heroit ët tyre terrorist, që qëlloi mbi policinë shqiptare; në çdo vend tjetër do të merrte të njëtën përgjigje. terroristi nuk mund të bëhet hero.
Tragjedia na kujton: Masakra e ushtrisë zerviste e nisën marshimin e vdekjes mbi njerëz të pafajshëm me 27 qershor 1944 në qytetin e Paramithisë për ta përfunduar në mars të 1945-së me atë që njihet si masakra e Filatit. Statistika e publikuara nga media botërore, por edhe në gazetën Dielli në vitet 1944-48, flasin për rreth 3 mijë shqiptarë të vrarë, kryesisht fëmijë e pleq. Rreth 750 gra u përdhunuan nga zervistët, 90 fshatra u shkatërruan, 110 xhami u dogjën dhe një masë e madhe refugjatësh u përzunë dhunshëm nga vatart e tyre, plot 30 mijë. Kjo është tragjedia që ende nuk pranohet për turpin e shtetit grek as sot e kësaj dite, 75 vjet pasi ka ndodhë. Si mundet, që një shtet që pretendon kulturë e qytetërim të lashtë të mohojë tragjedinë që e shkatuan ushtarakët e saj? 
Nazo Veliu, sekretarja e Vatrës, me origjinë nga Çamëria, e ngriti zërin në emër të grave çame dhe kërkoi drejtësi dhe njohje të tragjedisë. Ajo gjatë të gjithë kohës replikoi me grekët duke ua treguar vendin.
Pas protestës për një orë e 30 minuta në vapën e nxehtë në një temperaturë rreth 90 gradë, pasi masa e vogël e grekëve u strehua andej nga kishin hyrë, vargu i protestusëve shqiptarë u drejtuan drejt Misionit të Shqipërisë që ndodhet në të njëjtën rrugë. Edhe pse dyert ishin të mbyllura, foëlsit e ngritën zërin që matanë xhamave të dëgjoheshin thirrjet dhe apeli i tyre për ta ngritur çështjen çame në instacat ndërkomëbtare. Ata kritikuan ashpër qeverinë shqiptare që nuk e ngre zërin për tragjedinë e ndodhur dhe nuk artikulon kërkimin e njohjes nga shteti grek. Marko Kepi, Sali Bollati, Nazo Veliu, Hakik Mema, Marjan Cubi, Muhamet Omari, Xheladin Zeneli, dhe shuëm të tjerë kërkuan drejtësi dhe ndërkombëtarizm të çështjes Çame.
Në fund, të gjitah Pankartat dhe një Listë -apel, me emrat e fëmiëjve të masakruar, u lanë tek dera e Misionit.
Protestën e mbështeti edhe Federata Vatra e cila u përfaqësua me Zv/ nënkryetarin e saj z. Agim Rexhaj, sekretaren me origjinë Çame, Nazo Veliu, anëtarin e Kryesisë së Vatrës, njëkohësisht arkëtar i saj, Marjan Cubi, anëtarët e Këshillit Idriz Lamaj, Anton Raja, Muhamet Omari me zonjën, Asllan Bushati, editori i Diellit, ndryshe nga organizatat e tjera, që kishin vetëm kryetarët. Të pranishëm ishin kryetari i Legalitetit Hakik Mena, kryetari i Shoqatës Dibra Dashamir Myftari, Kryetari i Fondacionit Plavë-Guci, përfaqësues nga Fondacioni Dom Simon Filipaj, Xheladin Zenelaj nga Ana e Malit e të tjerë.
Në fund një vërejtje për komunitetin: Patriotizmi nuk shprehet vetëm në Facebook, por edhe duke iu bashkuar veprimtarive të tilla që kanë të bëjnë me çështjen tonë Kombëtare, aq më shumë që bëhej fjalë për një tragjedi, së cilës ende i ndjehen rënkimet e foshnjëve, pleqëve dhe grave dhe kërkojnë DREJTËSI!

Filed Under: Featured Tagged With: Dalip Greca-Gjenocidi kunder Cameve-Greket

Schmitt: Stabilokracia e perëndimit ndaj Shqipërisë është problem fondamental

June 27, 2019 by dgreca

Intervistë ekskluzive e Deutsche Welle-s me historianin zviceran, Oliver Jens Schmitt, për strukturat autoritare në Shqipëri, mungesën e alternativave të besueshme partiake dhe dilemën e votuesit.
Deutsche Welle: Profesor Schmitt, ju po e ndiqni debatin aktual në Shqipëri. Dhe pyetje e ditës është: Të votosh, apo të mos votosh. Çfarë do të bënit ju, po të ishit shqiptar?
Oliver Jens Schmitt: Kjo është një pyetje e vështirë. Parimisht, si demokrat, unë do të shkoja gjithnjë në votime, por situata aktuale, me vetëm një kandidat në gjysmën e bashkive, dhe me një bllokadë institucionale, si edhe me përvojën nga e kaluara, se zgjedhjet nuk kanë qenë thuajse kurrë korrekte, e bëjnë të pamundur përgjigjen ndaj kësaj pyetjeje.
Ju parashikoni, pra se edhe në këto zgjedhje do të ketë manipulime?
Unë nuk mund të bëj parashikime. Por duke parë se si janë bërë zgjedhjet në të kaluarën, sesi shumica e tyre kanë qenë shumë problematike, atëherë mendoj se çdo shqiptar mund të pyes veten se a mund të ketë besim te institucionet, e kjo pavarësisht nga partia në qeveri.
Opozita pikërisht me këtë argument nuk merr pjesë në zgjedhje. Pra, jeni në një mendje me të?
Unë nuk do ta vija asnjëherë veten as në anën e opozitës e as në anën e qeverisë. Sepse fakti që opozita shqiptare është kaq e dobët, ka të bëjë edhe me besueshmërinë e saj të ulët. Opozita shqiptare, pra, së paku, Partia Demokratike, nuk ka alternativë thelbësore përtej të qenit kundër socialistëve. Nuk kemi një garë programesh ose idesh, por kemi një betejë për burimet dhe kontrollin mbi to. Unë i shoh të dyja me skepticizëm, si opozitën ashtu edhe pozitën. Sigurisht që opozita e tanishme mund të ketë të drejtë, kur thotë se qeveria aktuale është autoritariste dhe se zgjedhjet po zhvillohen në kushte problematike, por edhe Partia Demokratike ka përgjegjësi për këtë kulturë politike të krijuar gjatë këtyre 30 vjetëve.
Edi Rama dhe shumë përfaqësues të pozitës thonë se opozita e bën këtë bojkotim vetëm se krerët e saj janë të lidhur me krimin dhe duan të shpëtojnë kështu nga dënimet e strukturave antikorrupsion që po ngrihen në kuadër të reformës së drejtësisë. E besoni ju këtë argument? 
Jo. Ky nuk mund të jetë argument. Edhe në radhët e Partisë Socialiste ka mjaft njerëz që do të dënoheshin, nëse do të funksiononte drejtësia. Që debati politik nuk bëhet në parlament, por në rrugë, kjo është bërë tashmë traditë në Shqipëri. Kjo po ndodh tash e 30 vjet. Qeveria nuk ka ndonjë legjitimitet të madh në këtë pikë, sepse as ajo nuk e lufton seriozisht krimin e organizuar dhe korrupsionin, por nuk besoj se këtë legjitimitet e ka opozita, pra, Partia Demokratike.
Aktualisht kryeministri Edi Rama ka hapur një front tjetër beteje, kundër kryekorrespondentit të gazetës “Bild”, Peter Tiede. Ai e akuzon atë si vegël të opozitës, dhe kërkon ta padisë. Ndërkohë që këtu në Gjermani shumë njerëz janë habitur me këtë interesim të rritur të gazetës “Bild” për Shqipërinë. Cili është mendimi juaj? 
Lidhja e politikës me krimin e organizuar është një problem real, pavarësisht se si duhen interpretuar përgjimet e publikuara. Ky bashkëpunim mes partive dhe krimit të organizuar ekziston, dhe nuk ka kuptim që të trajtohet duke sulmuar median që shkruan për të. Kush e merr seriozisht luftën kundër lidhjeve të krimit të organizuar me politikën, nuk sulmon mediat, por ngarkon policinë dhe drejtësinë që ta hetojë këtë çështje.
Artikulli i gazetës Bild më 5 qershor 2019 me titullin: Si i manipulon mafia zgjedhjet ne Shqipëri
Pra, ju nuk keni mirëkuptim për aksionin e Ramës për të paditur gazetarin e gazetës Bild?
Unë besoj se do të ishte më mirë sikur ai të luftonte me forcë lidhjet ndërmjet trafikut të drogës dhe politikës se sa të merrej me median që informoi për këto lidhje. Qeveria shqiptare është shumë arrogante ndaj medias. Ajo do të bënte mirë të shtronte pyetjen se sa të vërteta janë këto akuza, dhe të mos përpiqej të përhapte teori konspiracioniste. Nuk është hera e parë që Edi Rama sulmon gazetarë të huaj.
Ju jeni shumë kritik ndaj qeverisjes së Edi Ramës. Ndërsa nga zyrtarët perëndimorë dhe evropianë dëgjojmë thuajse vetëm lëvdata. Si shpjegohet kjo?
Kjo ka të bëjë, nga njëra anë, me mungesën e njohurive për Shqipërinë dhe, nga ana tjetër, me mënyrën tejet kreative të prezantimit të Edi Ramës në perëndim, si artist dhe njëherazi kryeministër. Shumë gazetarë në perëndim i besojnë me naivitet këtij iluzioni se një artist i mirë mund të jetë edhe kryeministër i mirë. Në nivelin politik, këtu kemi të bëjmë me fenomenin e stabilokracisë, të cilin e shohim edhe në vende të tjera të rajonit, si Serbi e Mal të Zi. Për perëndimin këto vende janë garante të stabilitetit, dhe si kompensim, perëndimi nuk përzihet në punët e tyre të brendshme. Qytetarët e këtyre vendeve duan një jetë normale që të mos largohen nga vendi. Ky është një problem fondamental, që perëndimi nuk ndërhyn as për të mbrojtur vlerat demokratike.
Një nga lëvdatat kryesore që merr Edi Rama në perëndim ka të bëjë me procesin e vettingut. Por ky proces ka paralizuar gjyqësorin. Mbi 31 mijë dosje kanë mbetur të patrajtuara në Gjykatën e Lartë. A ka kuptim të lëvdohet kaq shumë vettingu në këto kushte?
Ideja ishte e mirë, sepse, që vendi të zhvillohet e të ketë investime të huaja, i nevojitet një gjyqësor i fortë dhe funksionues. Por fakti që tani kaq shumë gjyqtarë dhe prokurorë janë skualifikuar, pa u zëvendësuar me të tjerë, e ka paralizuar sistemin. Por prapë mendoj se alternativa, pra, mosbërja e vettingut, do të ishte e dëmshme. Edhe pse, tani ndodhemi në një qorrsokak.
Si mendoni se mund të dilet prej këtij qorrsokaku?
Me lustrime mund të zgjidhen disa raste të mëdha dhe të dalin nga loja disa persona të korruptuar, por kjo nuk sjell automatikisht njerëz që do t’i zëvendësojnë ata. Mendoj se për këtë nevojiten njerëz që janë të gatshëm vullnetarisht të angazhohen për shtetin ligjor, qoftë edhe duke bërë sakrifica. Në Rumani, për shembull, ka pasur të tillë, gjyqtarë dhe prokurorë, që, duke formuar një grup kompakt dhe të vendosur brenda institucionit, ushtruan një ndikim të madh në transformimin institucional të drejtësisë.
Kohët e fundit, parlamenti shqiptar ka marrë dy vendime që kanë ngjallur shumë pakënaqësi te një pjesë e intelektualëve: Caktimin e Skënder Gjinushit në krye të Akademisë së Shkencave dhe kufizimin e objektit të studimit të Institutit për Studimin e Krimeve të Komunizmit në periudhën e pasluftës. Si i komentoni ju këto dy vendime?
Mjerisht, këto dy raste janë tipike. Që në krye të Akademisë së Shkencave caktohet pikërisht një person që ka qenë ministër në komunizëm, kjo tregon se Shqipëria ka nisur udhëtimin drejt së kaluarës. Veç kësaj ky emërim bie ndesh edhe me Ligjin e Akademisë që nuk lejon zgjedhjen e personave të jetës politike. Veç kësaj lind pyetja, se cili ka qenë kontributi i veçantë shkencor i personit në fjalë në vitet e fundit që do të arsyetonte emërimin e tij në krye të Akademisë. Kjo nuk e ndihmon as reformimin e Akademisë, që është më se i nevojshëm, sepse Shqipëria nga ana shkencore është shumë e dobët. Edhe dalja e tij e parë në media dëshmoi se ai ka një koncept shumë të kufizuar për median e lirë.
Për të dytin mund të them se është diçka e tmerrshme. Shqipëria ka pasur një nga regjimet më kriminale të Evropës, ka pasur kampe dënimi deri në ditët e fundit të regjimit ku kanë vuajtur mijëra njerëz. Ne kemi në Shqipëri situata ku komandantë të këtyre kampeve dhe përgjegjës të aparatit shtypës, jo vetëm që lëvizin të lirë, por, përkundrazi, përfitojnë edhe pensione të larta, ku viktimat e regjimit intimidohen, edhe sot e kësaj dite, dhe madje haptazi. Pra, është një situatë që nuk e njoh nga asnjë vend tjetër në Evropë. Nëse qeveria pengon trajtimin kritik të së kaluarës, mund të them, se nuk e ka kuptuar aspak se si krijohet një shoqëri demokratike. Dhe nuk ka aspak interes ta mësojë. Unë si historian solidarizohem shumë edhe me viktimat e regjimit. Është një sjellje  më se absurde dhe krejt e papranueshme për një vend që dëshiron të hyjë në Bashkimin Evropian dhe në kundërshtim me të gjitha rregullat e shoqërive demokratike.
Ju thoni, që këto dy vendime janë tipike. Çfarë keni parasysh me këtë?
Kur them se janë tipike, kam parasysh se prej disa vitesh po krijohen struktura autoritare  – në rastin e PS edhe duke rehabilituar sistemin enverist dhe duke mohuar ose minimizuar krimet e tij. Por tendencat autoritare nuk kanë të bëjnë vetëm me qeverinë aktuale, nuk mund të thuhet se Partia Demokratike nuk ka qenë autoritare, edhe ata e kanë instrumentalizuar historinë për çështje partiake. Dhe të dyja partitë nuk kanë pasur interes që intelektualë kritikë të merreshin me temat e së kaluarës. Arkivat u hapën shumë vonë, arkivat, pas gjase, janë ndryshuar shumë, – duhet pasur shumë kujdes kur punon me to. Mënyra se si po merret qeveria me të kaluarën komuniste – dhe socialistët janë partia pasardhëse e Partisë së Punës –jo vetëm që pengon një debat të hapur dhe kritik, por synon harrimin e krimeve komuniste dhe idealizimin e regjimit enverist. Por problemet, prej të cilës shoqëria shqiptare vuan ende edhe sot, u shkaktuan nga sundimi komunist dhe vazhdimësia e tij në epokën e tranzicionit. Strategjia e qeverisë aktuale sigurisht nuk është një mënyrë e mirë për t’i bindur qytetarët ta shohin të ardhmen në vendin e tyre.
Nëse ju thoni, asnjëra nga partitë nuk është e besueshme, atëherë kujt duhet t’u besojnë shqiptarët, nëse jo partive të tyre?
Ky nuk është një problem specifik shqiptar, por vihet re në të gjithë rajonin. Protesta studentore, si ato në fund të vitit të kaluar në Shqipëri, ka edhe në vende të tjera të rajonit, në Serbi, në Mal të Zi, madje edhe në vende anëtare të BE-së, si në Rumani, Hungari, Bullgari. Në të gjitha këto vende sistemi parlamentar me partitë ekzistuese nuk përfaqëson vullnetin e shumicës së qytetarëve. Dhe kjo çon në një bllokadë të të gjithë sistemit demokratik. Në Rumani tani ka nisur të formohet krejt papritur një parti properëndimore opozitare, e cila nuk është ende e qëndrueshme. Edhe në Shqipëri ka pasur përpjekje të ngjashme me lëvizje qytetare, por prej tyre nuk dolën asnjëherë parti të forta.
Meqë ju përmendët Rumaninë, para ca kohësh ju keni shkruar një artikull për rolin e diasporës në zgjedhjet e fundit në Rumani. Mendoni se edhe diaspora shqiptare mund të japë një ndihmesë në zgjidhjen afatgjate të krizës në Shqipëri?
Unë mendoj se ka dy tipa diaspore. Kemi rastin klasik, ku diaspora është konservatore, nacionale dhe autoritare, dhe rastin shumë të rrallë, ku diaspora në të vërtetë është e gatshme që të angazhohet për implementimin e vlerave të vendeve ku jeton. Në diasporën shqiptare ka shumë njerëz të mençur dhe të angazhuar, por kjo energji nuk mund të shndërrohet në punë parlamentare, nëse diaspora nuk ka mundësi të japë votën e saj në vendet ku jeton. Në rastin e Shqipërisë duhet ndryshuar ligji zgjedhor, por kjo për këtë mungon vullneti politik.
 
Oliver Jens Schmitt është profesor i historisë së Europës Juglindore në Universitetin e Vjenës dhe një njohësit më të njohur të Shqipërisë dhe shqiptarëve në Evropë. Schmitt është anëtar i rregullt i Akademisë Austriake të Shkencave dhe anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Kosovës. Ka botuar një sërë librash për Shqipërinë dhe Kosovën, ndër të tjera, edhe librin Skënderbeu (2009), vepër e cila shkaktoi debate shumë të ashpra në opinionin shqiptar. 
 Intervistën e zhvilloi Anila Shuka-DW
 

Filed Under: Interviste Tagged With: Schmitt-Stabilokracia e Perendimit- Shqiperia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 967
  • 968
  • 969
  • 970
  • 971
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT