• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dr. Rexhep Krasniqi, një jetë e përkushtuar për arsimin, kulturën dhe çështjen shqiptare

December 9, 2025 by s p

Gjon F. Ivezaj/

Dr. Rexhep Krasniqi lindi më 24 prill 1906 në qytetin e Gjakovës, një qendër historike dhe kulturore e Kosovës, ku traditat dhe kultura shqiptare kanë mbetur gjithmonë të gjalla. Fëmijëria e tij kaloi nën hijen e sfidave, pasi humbi së shpejti nënën dhe më vonë babain. Megjithatë, u rrit nën kujdesin e familjes së Bajram Currit, një nga figurat më të shquara të shqiptarizmës, i cili e mbështeti dhe e udhëhoqi në rrugën e dijes dhe të shërbimit për kombin.

Arsimin fillor e kreu në Gjakovë, ndërsa disa nga klasat e mëvonshme i përfundoi në Shkodër. Pas përfundimit të shkollës së mesme, me mbështetjen e shtetit shqiptar dhe ndërmjetësimin e Bajram Currit, u nis për studime në Austri, ku kreu gimnazin prestigjioz “Theresianum” në Vjenë. Rezultatet e tij të shkëlqyera akademike dhe përkushtimi ndaj dijes e bënë të dallueshëm që në moshë të re.

Pas përfundimit të gjimnazit, Dr. Krasniqi vazhdoi studimet universitare në Universitetin e Vjenës, ku në vitin 1934 mbrojti me sukses doktoraturën me temën “Kongresi i Berlinit dhe Shqipëria Verilindore”, nën drejtimin e profesorit të njohur Carl Patsch. Kjo punë e specializuar tregoi jo vetëm aftësitë e tij akademike, por edhe përkushtimin ndaj historisë dhe fatit të trojeve shqiptare.

Pas kthimit në atdhe, ai nisi punë si profesor i historisë dhe gjeografisë në gimnazin e Gjirokastrës dhe më vonë u emërua zëvendës-drejtor. Aktiviteti i tij nuk u ndal vetëm në mësimdhënie, por përfshinte edhe drejtimin e arsimit dhe politikave arsimore në vend. Në vitet e mëvonshme u emërua Drejtor i Arsimit dhe më pas Kryeinspektor në Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë. Pas pushtimit italian të Shqipërisë në vitin 1939, ai vazhdoi punën për zhvillimin e shkollave shqipe në Kosovë, duke u bërë Drejtor i gjimnazit të parë në gjuhë shqipe në Prishtinë dhe Komisar i Lartë për Shkollat Shqipe për “Tokat e Liruara”.

Dr. Krasniqi shquhej për angazhimin e tij të palodhur në promovimin e arsimit, kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar. Ai nuk ishte vetëm pedagog dhe zyrtar arsimor, por edhe figurë politike dhe shoqërore e respektuar. Në vitin 1943 u bë deputet dhe Ministër i Arsimit, duke marrë pjesë aktive në organizimin politik të komunitetit shqiptar dhe në çështjet që lidhnin me trojet shqiptare.

Pas vendosjes së regjimeve komuniste në Shqipëri dhe Jugosllavi, Dr. Krasniqi u detyrua të braktiste vendin. Lëvizi fillimisht nëpër Austri, Itali dhe Siri, për t’u vendosur më pas në Australi, dhe më vonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Atje, ai vazhdoi punën e tij të palodhur si udhëheqës i Komitetit “Shqipëria e Lirë” (Free Albania National Committee) dhe përfaqësoi zërin e shqiptarëve në mërgim. Gjatë kësaj periudhe botoi gazetën “Shqiptari i Lirë”, organ i Komitetit, ku artikujt, analizat historike dhe polemikat politike të tij informuan dhe mobilizuan diasporën shqiptare dhe komunitetin ndërkombëtar për çështjet e lirisë dhe të drejtave kombëtare.

Përveç veprimtarisë politike dhe shkencore, Dr. Krasniqi ka lënë një trashëgimi të pasur në fushën e letrave dhe arsimit. Ai ka botuar shumë libra, studime dhe artikuj që trajtojnë historinë, kulturën dhe zhvillimin arsimor të trojeve shqiptare. Ligjëratat dhe leximet e tij në universitete dhe institucione të ndryshme kanë ndikuar në formimin intelektual të brezave të rinj të studentëve dhe studiuesve, duke e bërë veprimtarinë e tij një shembull frymëzimi dhe përkushtimi ndaj dijes dhe kombit.

Dr. Rexhep Krasniqi ndërroi jetë më 12 shkurt 1999 në New York City, në SHBA, duke lënë pas një jetë të gjatë dhe të pasur me kontribute të jashtëzakonshme për arsimin, kulturën dhe identitetin kombëtar shqiptar. Jeta dhe veprimtaria e tij dëshmojnë një përkushtim të pashuar ndaj dijes, integritetit dhe shërbimit për trojet shqiptare. Ai mbetet një figurë e shquar, një shembull i përjetshëm i patriotizmit, i dijes dhe i sakrificës për atdheun dhe brezat e ardhshëm.

Filed Under: Histori

LASGUSH PORADECI, NJERIU TOKËSOR

December 8, 2025 by s p

Thanas L. Gjika/

Lasgushi Poradeci, në poezitë e tij ishte shfaqur si “njeri i shenjtëruar”, kurse në jetën e tij private, sidomos kur kalonte muajt e baharit në vendlindje, në Pogradec, në maj-tetor te shtëpia e vjetër me dy kate, jetonte si një tokësor i zakonshëm. Mirëpo në këtë jetë private ai dukej si një qytetar i dalë kohe, sepse në përgjithësi jetonte në përputhje me rregullat e shoqërisë së lirë austriake, ku ishte edukuar në rininë e tij. Kur vajzat u rritën, ato dhe bashkëshortja Nafie e shoqëronin vetëm në muajt e pushimeve verore të shkollës, qershor-gusht, kurse para qershorit e pas gushtit ai jetonte i vetëm nën kujdesin e ndonjë farefisi a komshiu.
Kur delte për të shëtitur nuk e ndante kurre konkën e tij, kapelën republikë dhe bastunin. Në ditët e ftohta të qershorit e shtator-tetorit, mbante veshur pallton e tij të zezë e të gjatë me xhepa të mëdhenj anash. Mbi kokë mbante kapelën republikë, kurse në duart mbate me njërën bastunin dhe me tjetrën litarkën me të cilën kishte lidhur konkën e tij.

Me kompletin e tij Lasgushi shprehte protestën ndaj luftës që i kishte bërë e i bënte qeveria komuniste modës. Njerëzit, gati të gjithë nuk duhej të mbanin më kapela republikë, vetëm shapka si Lenini, askush nuk duhej të mbanin bastune e konka, se këto i mbanin “borgjezët e fëlliqur”. Vetëm Enver Hoxha filloi të mbante një bastun pasi kapi të 60-tat, për të treguar se u ngjante profesorëve të Liceut Francez të Korçës. Në Tiranë midis atyre që ishin shkolluar jashtë vetëm Dhimitër Shuteriqi mbante beretë, për t’u dukur si intelektual frances.

Në xhepin e djathtë të palltos Lasgushi mbante orën e tavinës, të cilën e kurdiste pa dalë nga shtëpia, në mënyrë që t’i binte zilja 15 minuta para orës 12, kohë kur ai donte të ndodhej në shtëpi për të ngrënë drekën. Mbajtja e asaj ore desh të thoshte se të ardhurat e poetit ishin shumë të pakta, sa që nuk mund të blinte një orë dore, por kalamajtë nuk e kuptonin dhe çuditeshin…
Kur dikush e përshëndeste: “Tungjatjeta zoti Lasgush”, ai ia kthente me respekt përshëndetjen duke e ngritur pak kapelën republikë, njësoj si në vitet e paraluftës Antifashiste. Kur dikush e përshëndeste thjesht: “Mirë mëngjes Lasgush”, ose, “mirë dita Lasgush”, ai e shikonte me sytë zhbirues dhe nuk ia kthente përshëndetjen. Burrat e moshuar ia dinin zakonin dhe e përshëndesnin duke e përdorur fjalën e ndaluar “Zoti”
Kalamajtë e mëhallës nuk i kuptonin “protestat” që shprehte Lasgushi me veshjet dhe përshëndetjet e tij, prandaj ata kishin qejf ta ngacmonin. I kalonin afër dhe i thoshin:

“Mirë mëngjes xha Lasgush”. Kur këta ndodheshin afër, ai u përgjigjej me fjalën fyese:“rrugaç”, kur ishin larg u hidhte bastunin për t’i goditur tek këmbët.
Këtu në Worcester MA jam njohur me dy pogradecarë, Todo Kërxhallin, kushëri i Lasgushit, dhe Andrea Kërthi, lindur e rritur në Pogradec në të njëjtën mëhallë ku jetonte dhe Lasgushi. Unë jam lidhur me ta për të pirë një gotë verë a raki, që i krijon Andrea.
Duke kujtuar momente nga jeta e Pogradecit, Todua filloi të tregonte se një ditë ai me disa shokë kishin vrarë disa arabela, rabecka, si i quanin në Pogradec e Korçë.

“Pasi i kishim vrarë, i kishim rrjepur e i kishim shkuar pesë e nga pesë në disa kleçka të gjata si në hell, gati për t’i pjekur. Duke ecur në rrugë po thërrisnim: “Rabecka, rabecka, blini rabecka taze!”
Na rra rruga nga shpëpia e Lasgushit, njëri nga ne e pa tek porta dhe thirri: “Xha Lasgush blima një nga këto kleçkat të hash drekë me mish zogu!”
Lasgushi i vërviti shkopin dhe ne të gjithë u zhdukëm. Mua m’u kujtua porosia e tim eti: “Kur të takosh rrugës Lasgushin përshëndete me fjalët: “Zoti Lasgush”, se ashtu ka qejf ai. Pas disa minutash u ktheva i vetëm dhe kalova nga shtëpia e Lasgushit. Kur e pashë që ishte ende tek porta, iu afrova dhe i thashë: “Zoti Lasgush a ke qejf të blesh disa nga rabeckat e mia, janë të freskvta, i vrava sot në mëngjes tek pylli”.

“Eja këtu”, më tha dhe zgjati dorën e mori një nga kleçkat e mia e më tha: “Me sa i shet?”
“Me pesë lekë për çdo zog, gjithsej 25 lekë”.
“Mirë, më tha, na pesëdhjetë lekë, po t’i blej me dyfishin e çmimit, po shiko mos gjuash nesër a pasnesër ndonjë thëllëzë.”
“Thëllëzat janë rralluar shumë, po do përpiqem, i thashë dhe u largova…”
“Unë, e mori fjalën Andrea Kërthi, shpëtova mirë një ditë shtatori. Dardha e Lasgushit ishte plot me ato kokrat e vogla të verdha në të kuqe. Më lëshoi goja lëng kur i pashë të varrura mbi avlli. Hipa mbi një gur dhe zgjata kokën. Në oborr pashë Lasgushin të ulur në një karrike. Rrinte me kokën poshtë. Mendova se e kishte zënë gjumi. Zgjata dorën të merrja disa kokra, por një nga tjegullat që mbulonin avllinë lëvizi dhe Lasgushi u gjallërua menjëherë. Më thirri: “Ajde kërko te porta si njeri, të të jap disa kokra, po mos vidh si rrugaç. Hik, se do t’ qëlloj!”

Zbrita nga guri dhe prita disa minuta. Pastaj zgjata kokën. Lasgushi kishte bërë gati llastikat e tij dhe po i mbante gati të më gjuante, sikur të ishte ndonjë nga ne të rinjtë. Gjuajti mbi murin e avllisë, sa për të më trembur. Unë prita disa minuta në heshtje dhe kur mendova se Lasgushi e kishte mbledhur mendjen, se mund të.isha larguar, e zgjata kokën përsëri, mirëpo guri i llastikave të Lasgushit më vërshëlleu mbi kokë.
Ika i trembur se mos merrja ndonjë plagë në kokë. Lasgushi vigjëlonte pa u lodhur”.
Të rinjtë e asaj kohe ishin edukuar me slloganet e partisë, që ta donin e vlerësonin më shumë pronën e përbashkët sesa pronen private. Kurse Lasgushi respektonte ligjin themelor të shoqërisë së lirë perëndimore, vleresonte dhe e mbronte me zell pronën private që i kishte mbetur trashëgim nga prindërit, qoftë dhe një tjegull avllie. Të jepte po t’i kërkoje fruta të kumbllës së vetme, por ama të godiste po të tentoje të vidhje…

Pas ndërrimit të regjimit, fjalën “Zotni” filluam ta përdornim shpesh të gjithë, madje edhe ish komunistët, të cilët e përbuznin aq shumë. Po kështu edhe kapelën republikë, filluan ta mbanin pas vitit 1991 shumë ish-komunistë, ish-sigurimsa dhe fshatarakë, që u dyndën nëpër qytete.Edhe konka filluan të mbanin shqiptarët jo vetëm në shtëpitë private, por dhe në apartamente.
Kurse pronën private, njerëzit që erdhën në pushtet pas viteve 1991-1992, qofshin anëtarë të Partisë Socialiste, ose të Partisë Demokratike, nuk e vlerësuan si duhej. Të gjithë e panë dhe e vlerësuan pronën e përbashkët si pronë të askujt, dhe filluan ta ndanin sipas oreksit të tyre. Mirëpo kur e bënë pronë private pronën e përbashkët, nuk ditën ta menaxhonin dhe filluan të vriteshin me njëri-tjetrin.
Sjelljet, mbajtja e bastunit dhe e konkës, respektimi i pronës private si gjë e shenjtë, e zakone të tjera të Lasgushit u bënë shumë popullore pas ndërrimit të regjimit, por Lasgushi kishte disa vite që ishte larguar nga jeta e nuk mund t’i tallte duke u tundur bastunin e tij…

Filed Under: ESSE

ROMANI “I ARRATISURI”- VLERA TË SPIKATURA TË RRËFIMIT BASHKËKOHOR

December 8, 2025 by s p

– Bisedë e Fatmir Musait me Taip Sulkon, për romanin “I arratisuri” dhe procesin krijues –

Fatmir Musai: Përshëndetje Taip, sapo e mbarova romanin “I arratisuri”. Të falenderoj që ma dërgove. Po them në fillim mbresat e mia dhe pastaj bisedojmë.

“I arratisuri” është një roman befasues, me rrëfimtari mjeshtërore, mbushur plot kulturë e erudicion, që rreket të përfshijë epoka, duke qenë sa brenda, aq edhe jashtë tyre. Përgjithësimet e mëdha qëndrojnë mbi kohët dhe e tillë është Pjesa e parë e “I arratisuri”… Mbetem në pritje të pjesës së dytë.

Vërtet, sa kurioz do të isha që ta shihja të arratisurin se ç’do të bënte pas arratisjes së tretë, pas ’90-s, pas martesës kanibaleske të Soses me Të plotfuqishmin, nëse do të kishte dhe Arratisje të 4-t, në një kohë kur filloi arratisja instiktive e një populli të tërë?!

Në shikimin tim “I arratisuri” është një mozaik kujtimesh e fanepsjesh nga fëmijëria e rinia e hershme që si guralecë shumëngjyrësh krijojnë një vend anonim të një kohe të pakohë, përgjithësisht kronologjike (veç intermexove që dalin si përgjithësime filozofike jashtë kronologjisë) gjithnjë në lëvizje, sikur dalin nga një mjegull që ecën e ndryshon vazhdimisht, diku hapet e diku mbyllet, diku sheh e diku të errësohet e duhet ta marrësh me mend e duhet të ndezësh dritat e mjegullës që të shohësh dhe fantazmat!

Po ashtu dua të ve në pah se ky roman nuk ka një fabul të mirëfilltë, me një intrigë strumbullar që e zbulon enigmën gradualisht deri në fund, si në romanet klasikë e tradicionalë që bëhen bestseller, po është si një zgjim pas një nate dimri e në mëngjes rrekesh ta kujtosh, ta ringjallësh e ta hedhësh në letër ëndrrën e gjatë që porsa ke parë… por, sa e vështirë qenka të ringjallen ëndrrat!… E përfytyroj se ç’ke hequr në këtë kalvar, po ti, Taip, e ke gjetur zgjidhjen: Mozaik e copëra që herë lidhen e herë zgjidhen, ashtu siç janë ëndrrat, madje, jo rrallë nuk dallohet ku fillon e ku mbaron gjuha e përjetimit të personazhit me atë të autorit!

Fatmir Musai: Dhe këtu vjen dhe pyetja ime e parë: Ç’rëndësi ka dhe cili është raporti mes asaj që thua ti si autor dhe asaj që përjetojnë vetë personazhet kryesorë? Si mendon ti, si arrin autori të ruajë një raport të saktë, të zhdëvjellët që të mos ngjajë se diçka kërcet, se personazhet nuk janë aq bindës për historinë e gjendjen e formimit të tyre?

Taip Sulko: Përshëndetje Fatmir, të falenderoj që e ke lexuar romanin “I arratisuri” dhe që po i ndan mendimet dhe mbresat e tua me mua. Thonë se kur një lexues aq më tepër një krijues kërkon të dijë ose don të hamendësojë se si do të vijonte ngjarja, kjo është një shenjë se romani është pëlqyer. Thënë shkurt: ti e kap thelbin e romanit kur e krahason atë me rrëfimin e një ëndrre të gjatë, çka (simbolikisht) synon shpesh edhe letërsia e realizmit magjik. Ky ka qënë edhe pikësynimi im, përzierja e ëndrrës me zhgjëndrrën (në kuptimin letrar). Mendoj se atje ku futet fantazia, ëndrra, atje thelbi është tepër i qartë, sa të dhëmb, ndërsa kufijtë mjegullohen.

Dhe tani të flas rreth pyetjes që ngre ti. Në çdo vepër letrare të gjatë, sidomos në rrëfimin e thyer bashkëkohor, është thelbësore ruajtja e një ndërvarësie të zhdërvjelltë mes asaj që thuhet si autor dhe përjetimeve të vetë personazheve.

Mendoj se letërsia mëton thelbin e shpirtit njerëzor, atë pikë ku të gjithë njerëzit kanë pak a shumë të njëjtin kuptim të gjërave. Por vetjet në roman ecin, zhvillohen secili sipas natyrës së vet. Kjo e bën ndryshimin. Njeriu ka një tërheqje të fortë ndaj fëmijërisë së vet, ka shumë kujtime që mbesin të gjalla. Ndërkaq nuk ka shumë vepra në të cilat vetja kryesore të jetë vetë autori. Ti rrëfen për veten tënde. Eshtë një fushë letrare e minuar, duhet ecur me shumë kujdes. Ti e ke fillin që të lidh me veten, por ti nuk po thua kujtimet. Ti po end një cohë, në të cilën duhet të dalë koha, njerëzit dhe mes tyre, mbase me më shumë hapësirë apo dritë, shfaqesh edhe ti. Ti duhet të rikrijosh veten ashtu sikurse do të rikrijosh gjithçka, mjediset, kohën, mendësitë, vetjet. Shtysa kryesore është se ti duhet të krijosh një vepër arti, që të le mbresa, të bën të mendosh, që i ve në lëvizje fijet e tua të brendshme. Dhe nëse flasim, siç thamë për letërsi bashkëkohore që aq bukur ti e krahason me rrëfimin e një ëndrre të gjatë, kufijtë ngërthehen, mjegullohen, në shërbim të prodhimit të cohës letrare, të veprës së artit.

Do të doja të ndaja me ty një mbresë timen: Edhe pas shumë vitesh, për shumicën e ngjarjeve të forta të fëmijërisë apo rinisë së hershme, kuptimi fillestar nuk ndryshon edhe kur mosha ndryshon, apo dija jonë për botën shumëfishohet. Ndjesitë njerëzore janë një habi, sikur lindim me to, e, si thelb i pandryshueshëm, e shoqërojnë njeriun qysh herët, si erëmimi lulen.

Fatmir Musai: Në romanet ku mbizotëron rrëfimi i thyer, ndonjëherë duket sikur kemi shkëputje të fabulës e logjikës rrëfyese që, gjithësesi, s’mund të justifikohet me stilin e konceptimit modernist! A e ke ndjerë ti në punën tënde këtë rrezik. Nëse po, si mendon ti se një shkrimtar arrin ta tejkalojë këtë dhe, nga një rrezik ta shndërrojë në një vlerë?

Taip Sulko: Të falenderoj për këtë pyetje prej kolegu shkrimtar që e kap mirë thelbin e krijimit. Në fillim dua të them se rreziku i shkëputjes së fabulës dhe logjikës rrëfyese mund të ndodhë me çdo lloj rrëfimi. Domethënë, nëse vemë re një dukuri të tillë, të keqen nuk duhet ta shikojmë tek mjeti, por tek ai që nuk e përdor aq mirë mjetin që ka marrë “në duar”.

Tek romani “I arratisuri” logjikën rrëfyese e mban të lidhur vetja kryesore, Ermiri, arratisjet, zhvillimi si dhe shfaqja dhe rishfaqja në vijimësi e personazheve apo edhe qyteza e Anadellit. Të gjitha këto, besoj se krijojnë një rrjedhë të pashkëputur. Por, siç thashë, kam qënë i vetëdijshëm se në letërsi ndodh që ritmi i rrëfimit në pjesë të caktuara bie dhe kjo të krijon ndjesi jo të mirë. Kam qënë i vetëdisjëm për këtë dhe jam përpjekur që kjo të mos ndodhë tek “I arratisuri”.

Ç’mund të them, a mund të përmend ndonjë hollësi? Thjesht jam përpjekur të dal nga ky rrethim që duket shumë i vështirë. Rrëfimi duhet të ecë shpejt, çdo pjesë, sado e vogël, duhet të thotë diçka tërheqëse dhe ta thotë atë bukur, me art. Ecja e rrëfimit, sidomos kur romani është i gjatë, i ngjan një rrjedhe lumi. Ti, si autor, duhet t’i hapësh shtigje rrjedhës së veprimit, ta ndërtosh ngjarjen, asnjë pjesë nuk vendoset pa një qëllim të ndërtimit të veprës. Çdo pjesë e vogël, duhet të kujtojë ty se lidhet me diçka më parë dhe se do ta hasësh në faqet që vijnë.

Fatmir Musai: Për mua, i padiskutueshëm për nga merita është stili i mirëfilltë i të shkruarit, i rrëfimit, renditja e fjalëve në fjali, mençuria e tyre, erudicioni, deri në sentenca e neologjizma… Për këtë duhet të mos kesh zili askënd. Ti, si autor, si mendon, nëse ti kërkon të jesh origjinal në çdo fjalë dhe fjali, a sjell kjo një si sforcim, dhe a të shtyn kjo që ti ndonjëherë të jesh vetvetja më tepër në konceptim se sa në frazë?

Taip Sulko: Të falenderoj për pyetjen. Ka të bëj, mendoj, me thelbin e përpjekjes për të rrëfyer sa më shqip. Të jam mirënjohës për sa thua në lidhje me veçoritë e rrëfimit dhe pasurinë gjuhësore të romanit. Thelbi i të shkruarit është rrëfimi. Por një roman është një ngrehinë jo e vogël. Ka shumë anë dhe kërkon të paktën durim. Por, pa rrëfim, s’ka letërsi. Ndërkaq edhe gjatë shkrimit (ky roman është shkruar disa herë në disa pjesë edhe shumë herë), por edhe në leximet e mëpasme, më ngjan se sforcimet në rrëfim janë tejkaluar. Synimi im ka qënë arritja e një rrëfimi shqip, të shpejtë, që mundësisht t’i ngjajë rrjedhës së përroit pas rënies së shiut. Mbase ndonjëherë ka një si tingëllim disi ndryshe që vjen nga këmbëngulja për të përdorur vetëm fjalë shqip? Po rrëfej këtu përvojën time, pa folur si e përballojnë të tjerët këtë pengesë apo rrezik. Përdorimi vetëm i fjalëve shqip kërkon logjikën e vet, kërkon edhe një renditje ndryshe të fjalëve në fjali. Mbase kjo duket apo tingëllon si sforcim, sidomos po të mbajmë parasysh se, ndonjëherë, në letërsinë tonë, gjërat kanë ecur jo në drejtimin e duhur (dikur, përdorimi i fjalëve neolatine ka qënë prirje dhe mjet për një ritëm më të mirë në rrëfim).

Fatmir Musai: Në romanin “I arratisuri” vihet re aftësia dhe mjeshtëria e autorit që personazhet kyç i kap e i lë herë pas herë, po s’i harron e i rikujton, i rimerr në evoluim nëpërmjet episodeve origjinalë e të pazakonshëm në kohëra dhe ata të mbeten në mendje, çka i formaton si karaktere të vërtetë! Si mendon, si ia arrin një autor që karakteret që krijon më tepër të shfaqen nga vetëveprimi se sa nga interpretimet e sugjeruara të autorit?

Taip Sulko: Mendoj se frika më e madhe e një autori kur shkruan është të mos bjerë në gabimin apo lajthitjen e krijimit të karaktereve që shfaqen jo nga vetveprimi, por nga interpretimet e sugjeruara të tij, si autor. Nga përvoja ime e di se vetjet (personazhet) e jashtëzakonshme e habisin ndonjëherë edhe autorin me veprimet e tyre (kanë mendim dhe veprim që nuk e parashikon dot). Mendoj se vetjet e një romani, sipas rrethanave, cilësive apo prirjeve njerëzore, kanë secili zhvillimin e vet, rritjen dhe ndonjëherë edhe fundin të mirë apo të keq, sipas rastit, të arritur me mundime apo edhe të përgatitur, në verbëri, me duart e veta.

Fatmir Musai: Markezi te “100 vjet vetmi” themeloi qytetin mistik Makondo… ti qytetin tënd Anadell! (Mbase rastësisht tingëllon si Anadoll!) Mbase është një indicie që Makondon kolumbiane ta sillje në formën e Anadellit në tokë shqiptare, që nga materializimi që është krejt tjetër e tregon se ti ke kapacitetin për ndërmarrje të tjera të mëdha!… Një paralelizëm i tillë m’u bë bindje kur ktheva dhe faqen e fundit të romanit “I arratisuri”!… Veçse, do të dëshiroja të di si ka ardhur kjo ide tek ti, dmth që në indicie, që në konceptimin bazë, në strumbullar?

Taip Sulko: Dëshiroj të falenderoj që e përmend Makondon a Markezit. Nëse në letërsi krijohet një figurë që të ngel në mendje, kjo është arritje. Por unë s’e kam pasur fare në mendje Makandon kur shkruaja romanin “I arratisuri”. Me vetëdije, për vite me radhë, kam punuar fort që të jap shpirtin e kombit, sikurse jepet në romanet e mira. Ka një prirje të tillë në letërsinë botërore. Që nga gjysma e dytë e shekullit të kaluar kjo duket për mua sidomos tek shkrimtarët latinoamerikanë (ku dallohet Markezi me “Njëqind vjet vetmi”), tek ata grekë (ku dallohet Kazanzaqis me “Zorba” -n), tek ata afrikanë (ku mund të veçoja nigerianin Chinua Achebe me “Keq shkuan punët”) e shumë të tjerë.

Qysh herët e kam pasur dhe e kam të ngulitur fort në mendje se dhënia e mjedisit, qytet, fshat, qytezë, rrugë apo edhe shtëpi (si tek “Shndërrimi” i Kafkës), është pjesë e pandarë e një libri si romani. Kjo është sikur të themi se të gjithë e kanë nga një shtëpi. Ndërkaq disa kanë shtëpitë më të bukura, saqë mbahen mend. Kështu edhe Makondo. Kam parë edhe artikuj ku krahasohet Makondo e “Njëqind vjet vetmi” me qytetin (Gjirokastrën) e “Kronikë në gur”. (Sigurisht kjo e dyta, të mahnit aq sa, siç dua ta shtjelloj pak më gjerë në vijim, në fund të shfaqet si vetja kryesore e veprës)!

Ndërkaq do të vija në dukje se Anadelli është fjalë shqip, nga dy fjalë anë+dell (mëngë lumi). Eshtë krijuar si anë+mali, mbart historinë dhe trashëgiminë shqiptare. Në Myzeqe, vende-vende, ende janë gjurmët e degëve tashmë të vdekura të lumit Vjosë, pasi ndryshoi drejtim në shekullit III, duke u bërë edhe një nga shtysat kryesore për rënien e Apollonisë (Jakov Xoxa ka shkruar “Lumi i Vdekur” nisur nga këto degë lumi të braktisura nga rrjedha). Anadelli (që, siç thuhet në roman, e kishte në fillim emrin Qytezë) është një vendbanim shqiptar, përkundër Apollonisë që fillimisht ishte një ngulim i huaj. Qyteza si kjo ishin ato që, pak nga pak, i dhanë shpirt tjetër Apollonisë, për ta bërë atë zotërues pasi të huajt e braktisën. Qyteza (Anadelli) mbart mbi vete vlerat shqiptare. Kjo ka qënë ëndrra ime.

Fatmir Musai: Duke lexuar romanin “I arratisuri” e kam ndjerë se edhe ti, ashtu si unë, jemi ithtarë të “Kronikë në gur” të I. Kadaresë!

Taip Sulko: Më vjen mirë që e përmend “Kronikë në gur” dhe ke vënë re adhurimin tim për këtë vepër të Kadaresë. Po, e vërtetë, është vepra më e mirë e Kadaresë dhe për mua vepra më e mirë e letërsisë shqipe. Por kjo shkon shumë më tej! E kam krahasuar “Kronikë në gur” me ”Fëmijët e mesnatës” të Salman Ruzhdi (nobelist). “Kronikë në gur” është e paarritshme në rrëfim, për mua shumë më e mirë. Ndërkaq mendoj se romanin “I arratisuri” dhe “Kronikë në gur” i bashkon vetëm përdorimi i një mjeti dallues të prozës bashkëkohore, sikurse është thyerja e rrëfimit (e përdorur gjerësisht qysh në gjysmën e parë të shekullit të kaluar). Merita e madhe e Kadaresë është se e ka përdorur në mënyrë gjeniale këtë mjet dallues të letërsisë bashkëkohore. Jemi me fat për këtë. Kadare tek ne është më shumë se shkrimtar, koha ia shton rëndësinë. Por le t’i kthehemi bisedës tonë: Tek “Kronikë në gur”, shfaqja e vetëtimtë e vetjeve (personazheve) dhe përshkrimet mjeshtërore, hap pas hapi, krijojnë fytyrën e jashtëzakonshme të një personazhi të madh dhe të çuditshëm, atë të vetë qytetit.

Ndërkohë, tek “I arratisuri”, veprimi ecën mbi arratisjet, ngjarjet sa janë në Anadell janë edhe udhëve, në arrati. Tek “Kronikë në gur”, djalthi rrëfyes është dëshmitar që të habit, sigurisht me rol në madhështinë e prozës, së bashku me mënyrën e rrëfimit, një ëmbëlsi që vjen nga thellësia e fshehtë, përroi i çuditshëm i jetës, vetjet e vetëtimta që e rrethojnë e të tjera. Ndërkaq, tek “I arratisuri”, Ermiri, vetja kryesore është mbartësi kryesor i veprimit, por edhe veprues, (për arsye të natyrës së arratisjeve). Rrëfimi ndërkohë është plotësisht i ndryshëm në këto dy romane, po ashtu edhe këndvështrimi i jetës, ajri që të rrethon, gjuha që përdoret.

Filed Under: LETERSI

E ardhmja e kombit, e përkrahur nga LAPSH-i, prindërit dhe dashamirësit e gjuhës shqipe, kremtoi 28 Nëntorin në zemër të Zvicrës

December 8, 2025 by s p

REPORTAZH – MANIFESTIMI FESTIV I 28 NËNTORIT I LAPSH–it, KANTONI CYRIH

Përgatiti: Dashnim HEBIBI @ foto nga

Lulzim Hasi përgjegjës edhe në Administratë e financa të LAPSh-it për Kt. Cyrih

Winterthur, 6 dhjetor 2025

Në Winterthur të Zvicrës, mbrëmë më 06 dhjetor u krijua një atmosferë që do të mbahet gjatë në kujtesë – një festë që tejkaloi dimensionet e një manifestimi kulturor dhe u shndërrua në një përjetim kombëtar të pashlyeshëm. Salla ishte e mbushur përplot me bashkëkombas, ardhur nga të gjitha trevat shqiptare: Shqipëria, Kosova, Lugina e Preshevës, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi e diaspora e gjerë. Në një hapësirë larg atdheut, por aq pranë shpirtit të tij, u ndje fuqishëm se gjuha shqipe është atdheu që e mbajmë me vete kudo.

Emocioni i parë: hyrja solemne e nxënësve

Manifestimi nisi me një moment që elektrizoi gjithë sallën. Fëmijët – e ardhmja e kombit larg vendit të të parëve – hynë të rreshtuar me veshje kombëtare, me flamuj të Shqipërisë dhe Kosovës në duar. Zërat e tyre e mbushën sallën me emocion, ndërsa prindërit nuk i fshehën dot lotët e gëzimit dhe krenarisë. Dukej sikur të gjithë ishim për një çast në Tiranë, Shkup apo në Prishtinë – e megjithatë më shumë se kaq, sepse rrallë herë edhe në atdhe mblidhen në një sofër kaq të madhe shqiptarë nga të gjitha trevat.

Në rreshtat e nderit ishte paraparë vendi për korin diplomatik shqiptar në Zvicër, mirëpo askush nga përfaqësuesit shtetërorë nuk mori pjesë.

Në ato vende të zbrazëta u ulën njerëzit që prej tri dekadash janë diplomatë të vërtetë të mbijetesës së gjuhës shqipe: mësuesit veteranë si Hamzë Morina, Nexhat Maloku, Saime Isufi, Nexhmije Ibrahimi, Hasan Spahiu dhe shumë të tjerë. Krahas tyre ishin edhe përfaqësues të shoqërive kulturore: ansambli “Trojet” me kryetar veprimtarin e njohur Zeqë Gashi, SHKA “Bashkimi” me z. Zahim Bajraktari, si dhe Arton Jusufi – ish–luftëtar i Betejës së Koshares.

Programi festiv – një mozaik identiteti

Manifestimi u moderua nga publicisti dhe studiuesi PhD. Dashnim Hebibi, i cili e udhëhoqi mbrëmjen me profesionalizëm e ngrohtësi njerëzore ashtu u cilësua nga shumë të pranishmit që e solli moderimin në një sofër, në një familje. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe himnit të Kosovës, moderatori dha fjalën për përshëndetje dhe e theksoi me krenari faktin se LAPSH është institucioni i vetëm që për 30 vite i ka bashkuar të gjithë shqiptarët pa dallim feje, krahine apo bindjeje politike.

Përshëndetjet

Ndër të parët në skenë u ngjit Naser Ulaj, kryetar i LAPSH për kantonin Cyrih. Ai falënderoi të pranishmit dhe theksoi se këtë vit vendosi të mos mbajë një fjalë të gjatë, për t’ia lënë skenën nxënësve që ishin përgatitur me muaj të tërë.

Pastaj, me duartrokitje të zjarrta u pritën edhe personalitete të tjera:

Prof. Dr. Xhavit Lipaj, shkencëtar i njohur, i cili kishte ardhur nga Andermati i Zvicrës dhe përshëndeti me një fjalim të fuqishëm për rolin e LAPSH-it, mësuesve dhe prindërve.

Mësuesit veteranë Hamze Morina dhe Nexhat Maloku, të cilët folën me emocione për rrugëtimin e gjatë të LAPSH-it.

Mësuesja Saime Isufi, kryetare e LAPSH për Bernë, e cila lexoi një referat të mrekullueshëm për rëndësinë historike të 28 Nëntorit.

Po ashtu, në sallë ishin të pranishëm figura të njohura të komunitetit: Meti Krasniqi, ish–kryetar i rrjetit të miqësisë dhe bamirës; poetja Shqiponja Vrajolli me familje; veprimtari Përparim Sabriu nga Struga dhe shumë të tjerë. Ambasadori i RMV-së në Bernë të Zvicrës, Shkëlqesia e Tij z. Rexhep Demiri, përmes një telegrami përshëndetës që u lexua nga z. Hebibi, i përshëndeti të gjithë të pranishmit dhe i përgëzoi për punën e madhe që ka bërë dhe po bën LAPSh-i. Ai kishte shkruar se ka qenë edhe vetë nxënës i LAPSh-it dhe se do të duhej që numri i fëmijëve që ndjekin shkollën plotësuese shqipe të jetë edhe më i madh, si dhe u shprehu respekt të veçantë mësueseve dhe mësuesve që po punojnë.

“Kësaj here nuk munda të jem fizikisht në mesin tuaj, sepse më herët i kisha dhënë fjalën një manifestimi tjetër, por kjo nuk do të thotë se nuk jam me ju. Gëzuar dhe Zoti e bekoftë gjuhën tonë.”

Artistët mysafirë

Nga Shqipëria enkas për këtë manifestim kishte ardhur këngëtarja e mirënjohur Gentjana Gjergji, e cila solli në skenë këngë të fuqishme kushtuar Flamurit, Nënë Terezës dhe Adem Jasharit. Në një pjesë tjetër të programit, mbrëmjen e zbukuroi edhe artisti i mirënjohur Krist Lleshaj, i cili u prit me shumë entuziazëm nga publiku me këngë të bukura për bashkim kombëtar e padyshim edhe për nobelisten e të shenjtën Nënë Tereza. Instrumentalist i të dy artistëve ishte mjeshtri i sintit Gazmend Bislimi.

PROGRAMI ARTISTIK DHE ARSIMOR

Programi i mësuese Afërdita Veliu

Nxënësit recituan dhe kënduan për atdheun, flamurin dhe gjuhën shqipe. U veçuan interpretimet e Alisa Baliut e Adea Jusufit nga Rainca e Preshevës – të mbesave të familjes së njohur Jusufi, ku tre vëllezër kanë luftuar në Betejën e Koshares. Ky moment krijoi emocion të veçantë në sallë.

Mësuesja Afërdita foli për sfidat dhe bukurinë e punës me fëmijët në mërgim, duke theksuar se ruajtja e gjuhës është mision, jo thjesht punë.

Pasqyrë mbi LAPSH Cyrih

Z.Hebibi informoi publikun: në kantonin Cyrih janë 349 nxënës, 7 mësues, 32 paralele, si dhe një administrator – Lulzim Hasid he stafi tjetër si Gëzim Kasumaj, Fatjon Bajrami. Një shifër që tregon shumë, por jo sa duhet në raport me numrin e madh të shqiptarëve në këtë kanton. Prandaj iu bë thirrje prindërve:

“Dërgoni fëmijët në shkollën plotësuese shqipe.”

Programi i mësuese Elfete Hasi

Nxënësit interpretuan valle, recitale, poezi dhe këngë popullore. Vallja “Shota”, vallja e Rugovës, poezitë “Një gjak, një flamur”, si dhe monologu i fuqishëm “Mos ma prekë djepin” u pritën me ovacione.

Programi i mësuese Sabahate Krasniqi

Interpretimi i këngës “Pa duvak s’kam me u ba nuse” nga Nina Jahiu e Siera Elshani u shoqërua me brohori. U lexuan poezi kushtuar Skënderbeut, flamurit dhe atdheut.

Programi i mësuese Dafina Haziraj

Zarife Krasniqi recitoi poezinë “Atdheu”, duke rikthyer në sallë qetësi dhe emocion të pastër.

Programi i mësuesit Naser Ulaj

Në pjesën përmbyllëse u shfaq një mozaik i pasur interpretimesh: poezi, këngë, tekste për pavarësinë, për gjuhën shqipe dhe për amanetin e të parëve. Kënga “Shqipëri, o nëna ime” nga Lejla dhe Alejna Bajraktari, e shoqëruar me qifteli nga Akil Tahiri, ishte kulminacioni i pjesës festive.

Fjalë falënderimi dhe respekt për sponsorët

LAPSH Cyrih falënderoi sponsorët që prej vitesh ndihmojnë me zemër, ndër ta:

BeFi AG – Winterthur

GEPART AG – Urdorf

Spitexanima GmbH – Zürich

DACH 2000 GmbH – Aarau

MB Baudichtungen GmbH – Dietikon

Zürichsee Garten Gashi – Horgen

SHALA Montagen GmbH – Dietikon

Po ashtu u falënderuan mediat prezente: helveticALforum.ch, Bota Sot, Gazeta “Dielli” (SHBA), Open TV (Maqedonia e Veriut) dhe TV Hapsira.

Moderatori, në fund të programit, me humor dhe sinqeritet tha:

“Jam pak lodhur duke qëndruar në këmbë, por jeta zgjatet kur je në skenë me të ardhmen e kombit. Mësuesit nuk plaken – sepse ata e ruajnë gjuhën shqipe.”

PROGRAMI I ZGJERUAR ME EMRAT E NXËNËSVE – MANIFESTIMI I 28 NËNTORIT, LAPSH CYRIH

Programi artistik i mbrëmjes së 28 Nëntorit në Winterthur ishte zemra e manifestimit – një mozaik i dashurisë për gjuhën shqipe, për historinë dhe simbolet kombëtare. Çdo mësuese dhe çdo nxënës solli një copëz identiteti në skenë, duke e bërë sallën të marrë frymë njësoj me emocionin e tyre.

PROGRAMI I MËSUESES AFËRDITA VELIU

Mësuesja Afërdita Veliu solli në skenë nxënës të cilët u pritën me shumë duartrokitje. Çdo numër artistik ishte një dëshmi e punës së palodhur që ajo bën me fëmijët, të cilët jo vetëm recituan, por jetuan tekstin dhe emocionin e tij.

1. “Trim mbi trima ai Gjergj Kastrioti” – Alisa Baliu & Adea Jusufi

Dy vajzat nga Rainca e Preshevës, Alisa dhe Adea, u ngjitën në skenë me plot krenari. Ato mbajnë mbi shpatulla trashëgiminë e familjes Jusufi – tri breza luftëtarësh e kontribuuesish. Interpretimi i tyre për heroin kombëtar Gjergj Kastriotin emocionoi publikun me timbrin e pastër të zërit dhe artikulimin e qartë.

2. “Djali dhe shqiponja” – Jon Sabriu

Jon Sabriu nga Dollogozhda e Strugës e që jeton në Bülach, i vogël në moshë, por i madh në vetëbesim, solli një interpretim plot gjallëri. Ai përqafoi simbolin e shqiponjës si mbrojtëse të fëmijërisë shqiptare kudo në botë.

3. “Atdheu” – Nerona Uka

Me zë të ëmbël dhe të përqendruar, Nerona Uka recitoi me ndjenjë të thellë poezinë “Atdheu”. Në secilën fjalë dukej dashuria e saj për rrënjët që e lidhin me vendin e të parëve.

4. “Era dhe Flamuri” – Tara Abdullahu

Tara solli një tekst poetik ku era, flamuri dhe zemra shqiptare bashkohen në një tablo të bukur. Ajo fitoi zemrat e publikut me qetësinë dhe sigurinë e saj.

5. “Duaje atdheun tënd” – Nerona Uka, Aurora Omaj, Ronela Asani, Reina Selimi

Katër vajza të talentuara – Nerona, Aurora, Ronela dhe Reina – u bashkuan për të dhënë një mesazh të fortë: dashuria për atdheun duhet mbajtur gjallë, sidomos në mërgatë. Harmonia e tyre në recitim ishte e rrallë.

6. “Gjuha dhe Flamuri” – Alisa Korça & Jora Kryeziu

Interpretim i ndjeshëm për dy simbolet më të shenjta të shqiptarisë. Alisa dhe Jora e ngritën skenën me seriozitet dhe maturi.

Pas numrave artistikë, mësuesja Afërdita Veliu dha edhe një prononcim të shkurtër mbi sfidat dhe gëzimet e punës me fëmijët në Zvicër, duke theksuar se gjuha shqipe është dhurata më e madhe që prindi ia jep fëmijës.

PROGRAMI I MËSUESES ELFETE HASI

Mësuesja Elfete Hasi solli një program të pasur, ku u ndërthurën vallja, poezia, monologu dhe kënga. Pjesa e saj ishte një shpërthim kulturor i traditës shqiptare.

1. Vallja “Shota” – Sara Gerbovci & Erzen Morina

Dy fëmijët Sara dhe Erzeni e nisën programin me vallën “Shota”, duke e ngrohur sallën dhe duke i dhënë ngjyrë e ritëm mbrëmjes.

2. “Gjuha jonë, Nëna dhe mësuesi” – Lejla, Samira, Leona, Dea, Kenza

Pesë nxënëse recituan së bashku, duke e kthyer skenën në një mbretëri të fjalës shqipe. Recitimi i tyre ishte i harmonizuar si një kor i vogël poetik.

**3. Recitali “Nga Manastiri te Kulla e Jasharajve” & “Një gjak një Flamur” –

Juled Dauti, Uerda Behluli, Erjona Husaj, Lea Shala, Ambra Husaj, Sara Grabovci**

Ky ishte një nga numrat më të fuqishëm të mbrëmjes. Nxënësit sollën dy motive të rëndësishme të historisë kombëtare – alfabetin e Manastirit dhe sakrificën e familjes Jashari.

4. “O sa mirë me qenë shqiptarë” – Lejla Gerbovci & grupi

Ky interpretim e ndezi sallën. Fëmijët kënduan me gëzim dhe krenari.

5. Monologu “Mos ma prekë djepin” – Jara Dauti

Jara dha një monolog të fuqishëm emocional. Zëri i saj i ngazëllyer përcolli dhimbjen e nënave shqiptare dhe dashurinë për fëmijët.

6. “Atdheu im” – Alejna Ukshini

Alejna recitoi qetë dhe pastër, me një botë të brendshme artistike që i la përshtypje publikut.

7. Vallja e Rugovës – Grupi i vajzave

Vallja e Rugovës e sjellë nga vajzat ishte një moment e shprehje e traditës së pastër.

8. “Mora fjalë” – Grupi i nxënësve

Një këngë klasike shqiptare, e interpretuar me shumë dritë e ngrohtësi.

PROGRAMI I MËSUESES SABAHATE KRASNIQI

1. “Pa duvak s’kam me u ba nuse” – Nina Jahiu & Siera Elshani & grupi

Interpretim i gjallë, ritmik dhe shumë autentik.

2. Poezi kushtuar Skënderbeut – Ajet Dilaveri, Denis Useini, Akil Sadrija

Tre djem recituan poezi për heroin kombëtar, me zë të fortë e të qartë.

3. “O flamuri i dashur” – Noah & Gent Morina

Dy vëllezërit Morina e mbushën sallën me ngrohtësi dhe krenari.

4. “I dashur atdhe” – Fisnik Krasniqi

Fisniku recitoi me emocion për atdheun dhe rrënjët shqiptare.

PROGRAMI I MËSUESES DAFINA HAZIRAJ

– Poezia “Atdheu” – Zarife Krasniqi

Zarifja solli një recitim të butë, delikat, por me shumë ndjenjë.

PROGRAMI I MËSUESIT NASER ULAJ

Pjesa e fundit e manifestimit, shumë e pasur dhe e larmishme:

1. “28 Nëntori” – Fisi Shala, Norik Maralushaj, Sumeja Kamberi, Leonita Fazliu

Një grup i përkryer fëmijësh që solli emocion dhe solemnitet.

2. “Toka jonë” – Rigersa Kamberi & Alea Lutfiu

Dy vajza të talentuara, të cilat recituan me thellësi.

3. “Jam shqiptar dhe krenar” – Hira, Elhajda, Anika, Inara, Inola

Një grup që shpërndau energji pozitive në të gjithë sallën.

4. “Jam një djal shqiptar” – Rron & Lian Gashi

Dy djem të guximshëm që e shprehën krenarinë kombëtare me plot jetë.

5. “Festa e pavarësisë” – Ilir Tahiri, Era, Elina, Rilind Shala

Interpretim me mesazh të fortë për 28 Nëntorin.

6. “Amaneti i të parëve” – Xhesina & Leandra Selimi

Dy vajzat e vogla sollën një poezi të rëndë në kuptim, por të përcjellë me pafajësinë e fëmijërisë.

7. “Poezia për shkollën shqipe” – Olsa Shala, Lirian Tahiri, Anesa Hasani

Fëmijët falënderuan shkollën e tyre me tekst të bukur dhe të ndjerë.

8. “Gjuha jonë” – Fina & Stina Shala

Dy motrat recituan me një sinkron të jashtëzakonshëm.

**9. “Shqipëri o nëna ime” – Lejla & Alejna Bajraktari e shoqëruar me qifteli nga Akil Tahiri**

Ky numër ishte kurorëzimi artistik i gjithë programit. Zëri i vajzave, i shoqëruar nga tingujt e qiftelisë, solli lot gëzimi e mallëngjimi në shumë sy.

Programi i fëmijëve ishte qendra e gravitetit të gjithë mbrëmjes. Çdo emër, çdo zë, çdo vallëzim ishte dëshmi e qartë se gjuha shqipe, kultura dhe identiteti jetojnë përmes fëmijëve – dhe përmes mësuesve që ua japin këtë pasuri brez pas brezi.

Z.Hebibi ftoi kryetarin Ulaj dhe gjithë stafin e LAPSH-it për një foto kujtimi, ndërsa skena më pastaj iu la në dorë artit dhe shpirtit shqiptar. Kënga dhe vallja vazhduan deri në orën 22:00, duke e mbyllur mbrëmjen me gëzim të madh dhe krenari të përbashkët.

Ky manifestim nuk ishte thjesht festim i 28 Nëntorit. Ishte një demonstrim i fuqisë së diasporës, i përkushtimit të mësuesve dhe i dashurisë së fëmijëve për gjuhën e prindërve të tyre. Në një kohë kur diplomacia shpesh mungon, LAPSH po qëndron si institucioni më i fortë i unitetit kombëtar në mërgatë.

Gëzuar festat e fundvitit! U qoftë i mbarë viti 2026 për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Në fund të këtij reportazhi, mbetet e pamundur të përshkruhet e tërë ajo që u pa: një program i pasur, që na jep shpresë se për LAPSh-in do të punohet dhe do të përkrahet edhe më shumë nga ata që duhet. Nderime për prindërit, mësuesit dhe afaristët bamirës që po e ndihmojnë shkollën plotësuese shqipe ‘Naim Frashëri’.

Filed Under: Reportazh

Libri “Fortesat e Drinit në shekujt IV–VI” 

December 8, 2025 by s p

Prof. Dr. Luan Përzhita/

Libri “Fortesat e Drinit në shekujt IV–VI” pasqyron një ndër periudhat më të rëndësishme të fillimit të ndryshimeve të mëdha politike, ekonomike, administrative dhe etnike në provincat e Iliricumit. Luginat e Drinit kanë lidhur historikisht provincat e Iliricumit të Epirit të Ri, Maqedonisë II, Dardanisë, Prevalitanisë etj. Hapësira kohore midis shekujve IV–VI është një periudhë e rëndësishme e jetës dhe veprimtarisë së popullsisë ilire në Ballkan, gjë që është dokumentuar në shumë burime historike të kohës, si dhe nga ndërtime në një sërë monumentesh ku bëjnë pjesë dhe fortesat e kësaj kohe. Gjatë këtyre shekujve morën rrugë proceset e kalimit, formimit dhe zhvillimit të kulturës paleobizantine të popullsisë ilire, të cilat u reflektuan në ndërtimet urbane, transport, ekonomi etj. 

Përpjekjet për të pasqyruar në aspektin arkeologjik dhe historik të procesit të sistemeve fortifikuese në rajonin e lumit Drin, i cili aktualisht shtrihet në territorin e Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Shqipërisë, kanë filluar pas viteve ‘70 të shekullit të kaluar. Këtu mund të përmendim botimet e disa kështjellave që vijnë si rezultat i kërkimeve përnjohëse në terren gjatë kohës së ndërtimit të kaskadave mbi lumin Drin në zonën e Kukësit, Dibrës dhe Pukës. 

Gërmimet arkeologjike sistematike në drejtim të njohjes dhe evidentimit të fortesave në luginën e Drinit kanë filluar nga autori i këtij punimi në vitin 1983 me kështjellën e Bushatit (Kukës) dhe vazhduan pa ndërprerje gjatë viteve 1983–1991, përgjatë luginës së Drinit të Bardhë dhe të Zi, në kështjella të tjera, nga të cilat mund të veçojmë Qytezën e Pecës, Bardhocit, Domaj etj. Këto rezultate u publikuan nga autori i librit në punimin e doktoraturës “Fortifikimet e antikitetit të vonë dhe mesjetë në pellgun e dyfishtë të Drinave” në vitin 1991. 

Në vijim të punës kërkimore për fortifikime të kësaj periudhe, në vitin 1999 kemi kryer disa ekspedita përnjohëse në pellgun e Drinit të Zi, ku u dokumentuan 12 fortesa të shekujve III–IV dhe VI, të cilat plotësuan kështu panoramën e sistemit fortifikues në ketë areal.

Gërmimet arkeologjike sistematike kanë filluar në vitin 2000 në fortifikimin më të madh të pellgut të Drinit të Zi, në Grazhdan (Peshkopi). Gjatë një periudhe 10-vjeçare tashmë kemi një situatë shumë të qartë të kronologjisë dhe arkitekturës së këtij monumenti që është me sipërfaqe 34 ha, fortifikuar me 44 kulla tipash të ndryshme dhe 3 porta madhështore, një ndërtim i fillimit të shekullit IV.

Gjatë këtyre viteve kemi organizuar disa ekspedita përnjohëse në pjesën e luginës së Drinit të Zi nga Struga e deri në Dibër të Madhe. Po ashtu një vëmendje e veçantë i është kushtuar sistemit të fortifikimeve në pellgun e liqenit të Ohrit.

Gjatë viteve 2000–2005, në kuadrin e projektit arkeologjik “Harta arkeologjike e Kosovës” gjurmimet arkeologjike u fokusuan edhe në fortesat e shekujve IV–VI, të cilat u plotësuan me dokumentacionin përkatës, planimetri, fotografi etj. Në disa raste janë kryer dhe sondazhe, si në Korishë, Prizren etj. Kështu u plotësua për herë të parë sistemi fortifikues i Drinit të Bardhë, një areal që historikisht kishte luajtur rol primar në qarkullimin e mallrave dhe kulturave nga bregdeti Adriatik në Ballkanin Qendror, nëpërmjet Rrugës Lissus – Naissus. 

Nisur nga materiali i analizuar rezulton se në pellgun e Drinit të Zi janë ndërtuar 22 fortesa; në Drinin e Bardhë 19 fortesa; ndërsa në Drinin e Bashkuar 10 fortesa. Pra i gjithë sistemi fortifikues ndërtuar në pellgun e Drinave ka qenë i realizuar nga 51 fortesa të shekujve III–IV dhe VI. 

Siç u paraqit, libri përmban një punë mbi 30-vjeçare kërkimore-shkencore në terren dhe biblioteka shkencore në Evropë dhe prezanton fortesat të lumin Drin në tre kapituj.

Në kapitullin e parë “Fortesat e Drinit të Zi” një vend me rëndësi u   lidhjeve tregtare, ushtarake dhe administrative që realizoheshin në arealin ku kryqëzoheshin rrugët e rëndësishme ndërmjet Detit Adriatik dhe pellgut të Danubit, ndërmjet provincës së Macedonia Secunda, Epirus Novo dhe Dardania. Studimi nxjerr në pah se pellgu i Drinit të Zi shërbeu si një nyjë e rëndësishme dhe strategjike jo vetëm ushtarake, por edhe kulturore e tregtare në kuadrin e rrugës transversale ndërmjet Via Lissus – Naissus dhe Via Egnatia. Rajoni Ohër – Dibër – Kukës, në aspektin urbanistik është vendosur ndërmjet dy qyteteve të mëdha Lyhnidos (Ohër) dhe Deyfrakos (Grazhdan – Peshkopi), qendra të cilat në periudhën e antikitetit të vonë, pra në shekujt IV–VI luajtën një rol parësor në përhapjen e krishterimit, në tregti dhe në aspektin ushtarak. Një sistem i përkryer ushtarak u ndërtua përgjatë kësaj lugine përfaqësuar nga një numër qytezash, kështjellash etj., si në pllajën e liqenit të Ohrit, ashtu dhe në arealin Peshkopi – Kukës. Fortesat e këtij rajoni nisur nga analiza e teknikës së ndërtimit, si dhe nga materiali arkeologjik ishin ndërtime që të shtrira në kohë nga shekulli III–IV dhe shekulli VI, në funksion të mbikëqyrjes dhe mbrojtjes së rrugëkalimeve, por edhe të zonave për rreth tyre. 

Në kuadër të kapitullit të dytë “Fortesat e Drinit të Bardhë” për herë të parë kemi një panoramë të qartë të sistemit mbrojtës në këtë luginë, të përbërë nga fortifikime që janë ndërtuar në periudhën e mbizotërimit romak dhe më pas në periudhën e perandorit Justinian. Qëllimi i krijimit të këtij sistemi fortifikues tregon rëndësinë që kishte lugina e Drinit të Bardhë, një areal që historikisht lidhte Ballkanin Qendror me Bregdetin Adriatik. Duke analizuar kontekstin e ndërtimit, fazat e zhvillimit kronologjik, fizionominë dhe karakterin e tyre, është krijuar një panoramë e përgjithshme që plotëson një boshllëk në literaturën arkeologjike për qendrat arkeologjike të antikitetit të vonë, veçanërisht për transformimin urban të provincës së Dardanisë gjatë shekujve IV–VI. 

“Fortesat e Drinit të bashkuar” në aspektin administrativ të kohës integrohen me provincën e Prevalitanës, ndonëse një pjesë e tyre janë në kufirin ndërmjet provincës së Dardanisë dhe asaj të Prevalitanës. Si rezultat i ndërtimit të hidrocentraleve mbi lumin Drin, në Fierzë, Koman dhe Vaun e Dejës të dhënat mbi gjurmët e fortifikimeve janë zhdukur. Informacioni që kemi në dispozicion vjen nga ekspeditat përnjohëse që janë bërë gjatë viteve 1970, si dhe nga udhëtarët e huaj që kanë vizituar këto zona gjatë shekujve të kaluar. Falë gërmimeve arkeologjike të realizuara në castrum-in e Vigut (Shkodër), qytezën e Rosojës (Tropojë), si dhe ekspeditave përnjohëse në Shëmri (Kukës) etj. është arritur të paraqitet një panoramë e përgjithshme e këtij sistemi fortifikues në luginën e Drinit të bashkuar, që mendojmë se kontribuon në njohjen e këtyre krahinave gjatë shekujve III–IV dhe VI. 

Gjurmimet e deritanishme në pellgjet e Drinit, zonë e cila përfshin pjesët perëndimore të dy provincave, asaj të Maqedonisë dhe të Dardanisë, si dhe pjesët qendrore të provincës së Prevalitanës, ndonëse janë tregues për një veprimtari të gjerë ndërtimore, dëshmojnë se tashmë është krijuar një tablo e qartë dhe e detajuar mbi zhvillimin e fortifikimeve gjatë shekujve IV–VI. Të dhënat mbi fortesat e Drinit, sistemet fortifikuese, tipologjinë e tyre, aspektin kronologjik dhe arkitektonik, si dhe të dhëna arkeologjike, herë-herë gërshetohen me të dhëna nga burimet historike të kohës, duke sjellë risi të dukshme në analizën e monumenteve. 

Mendojmë se përmes këtij studimi kemi sjellë para lexuesit për herë të parë në mënyrë të përmbledhur një panoramë të sistemeve fortifikuese të shekujve IV–VI në pellgun e Drinave. Po ashtu, analiza mbi kronologjinë dhe dinamikën e fazave të ndërtimit të fortifikimeve, si dhe roli i tyre mbrojtës në relacion me rrugën Lissus – Naissus kontribuon në sqarimin e transformimeve urbanistike, ekonomike dhe kulturore që ka njohur ky territor ballkanik gjatë kësaj periudhe. 

Nisur nga materiali i paraqitur shpresojmë se ky botim që u kushtohet “Fortesave të Drinit në shekujt IV–VI ” që për vetë tematikën e studimit lidhet dhe gërshetohet me aspekte të rëndësishme të historisë ballkanike të zhvillimeve dhe transformimeve në prag të dyndjeve barbare, të shërbejë për studiuesit e fushës dhe të gjithë të interesuarit e tjerë.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 100
  • 101
  • 102
  • 103
  • 104
  • …
  • 2858
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA APEL PUBLIK DREJTUAR KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Please join the Albanian American community in celebrating the 18th Anniversary of Kosova’s Independence at New York City Hall
  • VATRA TELEGRAM URIMI QEVERISË DHE PARLAMENTIT TË KOSOVËS
  • Reçaku, një histori e dhembjes, sakrificës dhe ngadhënjimit mbi vdekjen
  • Një shqiptar kandidat për Asamblenë e Shtetit të New York-ut, Shpetim Qorraj: “Dua të jem zëri i fortë i qytetarëve të Distriktit 64”
  • Job-i biblik dhe romani « Brenga » e Pashko Camaj
  • Komuniteti shqiptaro-amerikan kërkon drejtësi
  • Urgjenca dhe Protesta si regjim. Pse ritmi i revoltës prodhon pushtet, jo ndryshim?
  • Kur një korb flet shqip: pse “Korbi” i Nolit nuk është thjesht përkthim i POE-s
  • “Nomos”
  • 𝒁𝒆̈𝒓𝒊 𝒊 𝒅𝒆̈𝒔𝒉𝒎𝒊𝒕𝒂𝒓𝒊𝒕 𝒑𝒆̈𝒓𝒃𝒂𝒍𝒍𝒆̈ 𝒑𝒂𝒅𝒓𝒆𝒋𝒕𝒆̈𝒔𝒊𝒔𝒆̈
  • Kush ishte shkrimtari shqiptar që kishte letërkëmbim dhe vlerësohej nga Viktor Hygo
  • Si u bë Tirana kryeqytet dhe përse Kongresi i Lushnjes nuk mori vendim
  • Shqiptarë – fjala hyjnore që na mban gjallë edhe nga larg
  • Mediat e huaja i kanë bërë jehonë protestës së tretë kombëtare të opozitës në Tiranë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT