• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Prej nga buron krijimtaria e Naum Priftit dhe çfarë sjell ajo tek ne sot?

April 5, 2024 by s p

Ardian Murraj/

Gjatë gjithë jetës krijuese prej më se shtatë dekadave, libri, skena dhe ekrani i dhanë gjerësisht njohje Naum Priftit. Pas ndarjes së tij nga jeta vitin e kaluar, familjarë, kolegë dhe studiues, bashkëkohës të tij dhe lexues të rinj gjatë muajit mars shënuan me disa takime e sesione studimore jetën dhe veprën e shkrimtarit duke përkujtuar 92 vjetorin e lindjes më 7 mars 2024 pa Naum Priftin. E thënë më thjeshtë, Naumi ta kërkon kohën si spektator kur gjendesh përballë skenës dhe ekranit, ndërsa kur përpara veprave të tij vihesh si lexues autori të rrëmben me një formë premtuese se ai ka lënë diçka tjetër edhe për kohën më pas, si për të thënë se shumë shënime dhe dorëshkrime të tij presin për t’u botuar dhe ngjan të thotë se “…do të më kujtoni edhe në të ardhmen”.

Mjeshtri i prozës nuk është më mes nesh, por ai e jetoi dhe e deshi jetën ashtu sikurse edhe hyri mes jetëve të njerëzve natyrshëm dhe i thjeshtë. Sikurse “Midis Dy Kohësh”, vëllim me shënime udhëtimi, kujtime, portrete dhe ese, 2005, shkruar nga Naum Prifti, autori u ndodh midis dy shekujve dhe midis dy sistemeve shoqërore. Kjo ndodhi gjatë jetës së tij jo vetëm me kapërcimin e mijëvjeçarëve, por edhe mes dy vendndodhje shtetesh si Shqipëria dhe Amerika.

Në këtë gjendje të ndërmjetme koha dhe dimensioni i saj të lënë mbresa me disa veprimtari përkujtimore për Naum Priftin. Koha, është elementi më i rëndësishëm i jetës që ai e la të shkruar. E vendosur edhe në titullin “Midis Dy Kohësh”, në vetvete ajo kthehet përmes përkujtimoreve si një ringjallje të cilat me siguri njerëzit dhe brezat do t’i përsëritin sërish. Me të njëjtin titull u mbajt takimi kushtuar autorit në Qendrën Kombëtare të Leximit dhe Librit në Tiranë më 5 mars, 2024 https://gazetadielli.com/naum-prifti-shkrimtari-i-te…/

Më 12 mars, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, referuesit profesorë dhe doktorë të fushës së letërsisë paraqitën për herë të parë brenda një seance, shumësinë e dimensioneve të Naum Priftit si Mjeshtër i Prozës së Shkurtër.

Dimensioni i tretë tek njeriu krijues dhe punëtor rikujtohet për çka bërë dhe kjo i bën shkrimtarët të përjetshëm për kulturën e vendit të tyre si edhe deri atje ku kjo kulturë arrin të depërtojë, të njihet dhe të përqafohet. Me lajmet e ditës kur media ndiqte dhe transmetonte radhazi këto veprimtari, gjendej mbresa sa e bashkëkohësve dhe e bashkëpunëtorëve plot përshtypje po aq edhe e personazheve që zbulonin veten duke treguar se e kishin jetuar kohën dhe ngjarjen edhe përse mesazhi studimor dhe akademik vlerësohej në përcjelljen e lajmit. Me këtë rast, një episod i posaçëm Profil i realizuar nga televizioni Euronews Albania iu kushtua njohjes më të afërt me jetën dhe veprën e shkrimtarit Naum Prifti ku përmblidheshin vlerësimet e akademikëve dhe referuesve, si edhe fragmente jete nga familjarë, bashkëfshatarë, miq të familjes, mësues dhe lexues.

I përfaqësuar me disa gjini dhe zhanre letrare, me dramaturgjinë e teatrit dhe skenarin e filmit artistik dhe vizatimor, një drejtim tjetër njohës që nevojitet të hidhet dritë dhe të vështrohet tek Naum Prifti është jeta e tij si publicist dhe gazetar. Ndoshta këtu gjinden shënimet dhe dorëshkrimet e krijimtarisë së pabotuar të tij, por, që për sa kohë, Naum Prifti jetoi dhe shkroi mes Shqipërisë dhe Amerikës, ashtu siç ai gjendet mes dy kohëve, profili i tij shpreh dëshirën për t’u njohur nga brezat e rinj. Autorja dhe gazetarja e emisionit Profil Greta Topjana e Euronews Albania e ka “takuar” autorin Naum Prifti për herë të parë si nxënëse në 9-vjeçare kur lexoi tregimin Mandolina e prej atij momenti ka qenë shumë kureshtare të njohë më shumë veprat e tij, por edhe vetë autorin. “Vitet kaluan dhe fatkeqësisht vjet mora vesh lajmin e trishtë që Naum Prifti kishte ndërruar jetë dhe përtej keqardhjes njerëzore kisha edhe keqardhjen që nuk e takova shkrimtarin nga afër për të më shuar shumë kuriozitete që kisha,” shprehet Greta. Profili i përgatitur prej saj gjatë muajit marsit Amaneti i Naum Priftit transmetohet në Euronews Albania https://youtu.be/qltOXuEliys…

Ajo ishte kureshtare të dinte më shumë përveç se për krijimtarinë e tij edhe për jetën personale mes Shqipërisë dhe Amerikës… për më tepër ngaqë “veprat e autorëve si Naum Prifti janë krijuar në një kohë kur letërsia ashtu sikurse çdo gjë tjetër kontrollohej nga shteti… por ai me një elegancë i shkroi fëmijëve për historitë apo personazhet e fshatit duke i kamufluar me emrat simpatikë të librave të tij. Duhet të jemi mirënjohës për veprat që ka lënë pas shkrimtari se ka rritur dhjetëra breza fëmijësh me vepra shqip të cilat edhe sot në një epokë dhe regjim tjetër për Shqipërinë janë po aq të dashura,” vëren gazetarja Greta Topjana. Duke e parë në tërësi trashëgiminë letrare të Naum Priftit, ajo e quan atë “pjesë të kujtesës kulturore të popullit shqiptar … Duhet ta kujtojmë të shkuarën për të mësuar nga gabimet, por edhe për të vlerësuar punën e artistëve dhe intelektualeve që e çuan para misionin e tyre edhe atëherë kur një fjalë e “gabuar” të burgoste apo të internonte….”

Pa dashur as ta quajmë rastësi dhe as fat si të tillë, mund të shikohet më tej se si puna dhe përkushtimi rizbulohen edhe atëherë kur njeriu kontribuon mes bashkëkombësve për Shqipërinë. Ndonëse jo fort e hulumtuar më vete, publicistika e Naum Priftit vlen të zbërthehet si komponent kyç në unin e tij krijues për nga rëndësia dhe përkushtimi i njohjes të së vërtetës njerëzore sepse kërkimi me natyrë publicistike dhe kureshtja për njerëzoren ishin burimi i krijimtarisë së gjatë të Naum Priftit. Në qershor të vitit 2018, me rastin e 106 vjetorit të Vatrës, ish-Sekretari i Vatrës Naum Prifti mori nderim jetësor. Në fjalën e tij, ai më shumë theksoi se çfarë do t’i duhej një publicisti dhe gazetari në profesion dhe që e ndihmon atdheun të cilin dëshiron ta shohë të qytetëruar.

“… unë shkela çdo pëllëmbë toke të hapësirës brenda vendit nga veriu në jug, nga lindja në perëndim dhe kudo mbajta shënime udhëtimi. Njoha fshatarin, punëtorin, policin, ushtarakun, bariun. Shkruajta për vuajtjet e mundimet, këngët e legjendat, humorin dhe tragjedinë shqiptare. Mbi të gjitha njoha shpirtin shqiptar çka u bë dhe mbeti burimi i krijimtarisë sime”.

Të flisje në një tubim feste me bashkëkombësit ku një organizatë atdhetare e kishte kapërcyer shekullin dhe është më shumë se pavarësia e Atdheut, kjo tregonte shumë jo vetëm për thjeshtësinë dhe ndjenjat profesionale, por për detyrimin që shqiptarët duhet të kenë për t’i trashëguar këto institucione të para atdhetare si Vatra dhe Dielli.

Atë vit Naum Prifti ishte 86 vjeç dhe me aq sa kishte njohur dhe arritur, me thjeshtësi dhe nga zemra shprehej: “Forca e Vatrës nuk qëndron tek fondet e saj monetare, por tek shpirti i njerëzve të përkushtueshëm që udhëhiqen nga idealet e saj të larta atdhetare. Mendoj se në këtë përvjetor, Vatra ka provuar se i ka kaluar sfidat dhe sprovat. Dhe Kjo Vatër Nuk Ka Për T’u Shuar. Faleminderit për nderimin dhe Gëzuar!”

Shkëputur nga fjala e Naum Priftit mbajtur në Mbrëmjen Gala kushtuar 106 vjetorin e themelimit të Vatrës, 1 Qershor, 2018 https://gazetadielli.com/naum-prifti-kjo-vater-nuk-ka…/

Filed Under: LETERSI

Krist Maloki, mendimtari brilant i viteve tridhjetë

April 5, 2024 by s p

Ndriçim Kulla/

Krist Maloki një mendimtar brilant i viteve tridhjetë, sëmundjet tona shoqërore, shpirtin tonë të tallazitur, karakterin tonë të ashpër e të papërcaktuar e shikonte te filozofia që sollën pushtimet e huaja, sidomos dy perandoritë që qëndruan disa shekuj me radhë. Konkretisht Maloki, mendimtar i kësaj periudhe, problemin shqiptar e shihte te orientalizma e cila e kalbi në trup dhe në shpirt shqiptarin, duke ia shpërbërë fuqitë e tij fisnike dhe kombëtare. Ndryshe nga shumë të tjerë që orientalizmën shqiptare e shpjegonin vetëm si dhuratë të turqve K. Maloki këtë orientalizëm e gjeti 600 e ca vjetë më parë se turqit të pushtonin Shqipërinë. Orientalizma shqiptare – shprehet ky autor, – i ka rrënjët aty nga vitet 740 kur Shqipëria u bë pronë e Bizantit në Leonin e III-të të quajtur Isaurios. Është koha kur shqiptarët u detyruan nga Isaurios të dilnin nga kisha Romake (oksidentale) e të futeshin në labirinthet e errëta të Kishës Bizantine (orientale) të atëhershme. Për të nuk ishte aq e fortë dhe me peshë ndarja kishtare se sa ai shpirt skëterrë i administratës bizantine. Midis bizantizmës historike dhe orientalizmit shqiptar qëndron shenja e barazimit. Orientalizmi ynë është një dhuratë fatale e kristianizmit euro-aziatik. Me këtë origjinë ajo shkatërroi vetitë e larta ndërmjetësuese-kolektiviste, marrëdhëniet e shqiptarit me shqiptarin, dhe marrëdhëniet e shqiptarit me shtetin dhe eprorët e tij. Biznatizma historike si një epidemi rrënimtare e shkatërroi dhe e deformoi karakterin e drejtë të shqiptarit.

Filed Under: Komente

Biblioteka e parë publike, ku lexoheshin libra të lidhur me zinxhirë

April 5, 2024 by s p

Siç mund ta dini, librat në mesjetë ishin tepër të pakta dhe të çmuara. Çdo libër, pasi sigurohej në rrugë të ndryshme, shpesh të blerë me shuma të majme, kopjohej me kujdes me dorë, disa prej të cilave të shoqëruar me ilustrime, që kërkonte mijëra orë punë të kualifikuar. Umberto Eco te “Emri i trëndafilit” shtjellon në mënyrë të detajuar mënyrën se si kopjoheshin librat nga murgjarit dhe si ruheshin objektet e rralla dhe botimet e rëndësishme në një bibliotekë rrethuar nga mistika e kodeve dhe labirinteve, befasive dhe intrigave, frikës dhe vdekjes.

Gjatë mesjetës së mëvonshme, kur u krijuan bibliotekat e aksesueshme për publikun, librat shpesh lidheshin me zinxhirë në raftet, duke i lejuar publikut t’i lexonte, ndërsa ruanin koleksionin e vlefshëm të bibliotekës nga hajdutët e mundshëm, që ishin të shumtë për shkak të vlerës.

Zinxhirët ishin të vendosur në cep ose në kopertinën e librave, nëpërmjet unazave dhe ishin mjaft të gjata për të lejuar, që librat të hiqeshin nga raftet e tyre dhe të lexoheshin, por jo të hiqeshin nga vetë biblioteka. Vetëm bibliotekari mund t’i hiqte librat nga zinxhiri duke përdorur një çelës.

Më e famshmja nga këto syresh është biblioteka e Katedrales Hereford, në Hereford, Angli, e cila është më e madhja e mbijetuar, e lidhur me zinxhirë, me shufrat dhe bravat e saj të paprekura ende sot, me një koleksion prej 150 librash. Ajo ishte një bibliotekë huadhënëse dhe referuese teologjike që funksionon e vendosur në Katedrale. Shumica e vëllimeve në koleksion datojnë nga blerjet e bëra në vitet 1100, megjithëse libri më i vjetër në koleksion, “Hereford Gospels”, daton rreth vitit 800. Librat kanë lëvizur nëpër ndërtesat e Katedrales gjatë shekujve me disa të lidhur me zinxhirë në tavolina dhe të tjerët në foltore ose tavolina studimi në të njëjtën kohë. Biblioteka e lidhur me zinxhirë si një koleksion u krijua kur librat u zhvendosën në Kapelën e Zonjës në 1611, pas një hetimi për kujdesin e librave. Çuditërisht, katedralja dhe koleksioni i bibliotekës i shpëtuan dëmtimit të gjerë të Luftës Civile Angleze, duke shtuar më shumë libra në 1678 nga një kolegj jezuit.

Gjatë mbretërimit të Elizabeth I, në vitin 1582, një komision që hetonte katedralen, zbuloi se koleksioni, i mbledhur që nga shekulli i 12-të, ishte i organizuar dhe mbajtur keq. Në vitin 1590 e gjithë biblioteka u zhvendos në Kapelën e Zonjës dhe në vitin 1611, Biblioteka e Zinxhirëve u krijua nga Thomas Thornton. Thornton, i cili ishte kanun i Herefordit, nga viti 1583 e tutje dhe zv/kancelar i Universitetit të Oksfordit më 1583 dhe 1599, ishte i pari që lidhi libra me zinxhir në bibliotekë. William Brewster ia la trashëgim koleksionin Kolegjit St John, Oksford. Shumë libra u shtuan në shekullin e 17-të dhe në 1678 koleksioni nga Kolegji jezuit në Cëm, Llanrothal, Uells, iu bashkua bibliotekës kur kolegji u mbyll pas pushtimit nga John Arnold i Monmouthshire.

Në vitet 1840, katedralja i’u nënshtrua një pune të konsiderueshme restauruese, librat dhe raftet duhej të hiqeshin nga Kapela e Zonjës. Ajo u nda midis Transeptit të Veriut dhe Bibliotekës Victorian Dean Leigh. Më vitin 1854, Francis Tebbs Havergal u emërua zëvendësbibliotekar dhe ai e përmirësoi shumë bibliotekën dhe i kushtoi vëmendje detajeve të tilla, si temperatura e dhomës dhe pastërtia. BF Streeter ishte përgjegjës për një ndryshim të madh në organizimin e bibliotekës, siç ishin bibliotekarët si Langton E. Brown dhe Maude Bull nga viti 1897 e tutje; Bull punoi në bibliotekë për më shumë se pesëdhjetë vjet deri në vdekjen e saj në 1951. Për vite me radhë, studiuesi i shquar, Canon Wlliam wolfe Capes (1834–1914), renditi regjistrimet brenda bibliotekës; ai shtypi një vëllim që përmban të dhëna të hershme, duke ua paraqitur atë anëtarëve të Shoqërisë Cantilupe. Gjithashtu të rëndësishëm në historinë e bibliotekës ishin Frederick Charles Morgan (vdiq më 1978, 100 vjeç) dhe vajza e tij Penelope (1976–90). FC Morgan mbikëqyri projektin e katalogimit të vitit 1927 e në vazhdim, pas një donacioni nga Fondi Dean Leigh. Nipi i tij Paul u pasua si bibliotekar nderi nga Penelope Morgan, e cila qëndroi në këtë post deri në vitin 1989. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Mappa Mundi (harta më e madhe mesjetare e njohur që ekziston ende) dhe dorëshkrime të tjera të vlefshme nga periudha mesjetare, u mbajtën gjetkë në sigurisë dhe u kthye në koleksion në 1946.

Në vitin 1988, Dekani dhe Kapitulli propozuan shitjen e Mappa Mundi dhe zgjuan kundërshtime të konsiderueshme kombëtare. Pas krijimit të një besimi të përkushtuar, një donacion nga Sir Paul Getty dhe një shume parash nga Fondi Kombëtar i Përkujtimit të Trashëgimisë, Mappa dhe biblioteka e lidhur me zinxhirë u transferuan në Trustin Bamirës Mappa Mundi dhe u hap një ndërtesë e re e projektuar nga Sir William Whitfield më 3 maj 1996 nga Mbretëresha për të strehuar koleksionet historike dhe bibliotekën historike të lidhur me zinxhirë, e cila është e hapur për publikun.

Si biblioteka e lidhur me zinxhirë, ashtu edhe koleksionet historike në dyqan tani mbahen në dhoma të kontrolluara nga temperatura, rezistente ndaj zjarrit, Mappa dhe koleksioni historik janë shumë më të lehtë për t’u aksesuar sesa në katedrale. Megjithatë, biblioteka e lidhur me zinxhirë është ende e lidhur me raftet e librave.

Shumica e librave në koleksion datojnë rreth vitit 1100. Vëllimi më i vjetër në bibliotekë, Ungjijtë Hereford me karaktere anglo-saksone, daton rreth vitit 780 dhe ishte i vetmi libër që i mbijetoi zjarrit të vitit 1055. Shumë nga librat dhe dorëshkrimet u mblodhën nga Herefordshire, me shumë prej atyre që nga shekulli i 14-të e tutje të lidhura me ligjin e qarkut. Për disa shekuj librat u ruajtën në dollapë ose arka druri derisa u krijua dhoma e parë e bibliotekës, në manastirin jugperëndimor të katedrales, në shekullin e 15-të.

Biblioteka përmban kryesisht libra të vjetër në dorëshkrim të lidhur me zinxhirë në vendet e tyre, disa prej tyre ekzemplarë të bukur të dorëshkrimit të lashtë, që përmbajnë ilustrime të bukura në ar dhe me ngjyra. Biblioteka ka një antifonar të lashtë dhe të ruajtur mirë të Herefordit të shekullit të 13-të. Një thesar tjetër është një relike e lashtë prej lisi, e lënë trashëgim në katedrale nga Canon Russell, që thuhet se është marrë nga një familje katolike romake në zotërimin e së cilës ishte prej kohësh. Ajo është e mbuluar me pllaka bakri të veshura me smalt Limoges që përfaqëson vrasjen dhe varrimin e Shën Thomas të Canterbury. Biblioteka disponon gjithashtu rreth 229 dorëshkrime, kryesisht teologjike, të datuara nga shekujt VIII-XVI. Përveç Ungjijve Hereford, është aty edhe Bibla Wyclifite dhe Breviary Hereford e shekullit të 13-të, si e vetmja kopje e mbijetuar.

Pjesa më e madhe e koleksionit të bibliotekës përbëhet nga libra mbi teologjinë, studimet biblike dhe kishtare dhe ligji. Përveç 150 vëllimeve, të datuara në shekujt e 16-të dhe të 17-të, nga Biblioteka e Jezuitëve në Llanrothal, ajo mori në vitin 1925m 242 vëllime mbi teologjinë nga Paul Foley nga Stoke Edith House dhe, në vitin 1978, 260 vëllime të shtypura midis viteve 1494-178. nga Biblioteka e Shkollës Lady Hawkins në Kington. Biblioteka ka marrë gjithashtu shumë donacione të tjera të vogla gjatë viteve, duke zbuluar një pasqyrë të rëndësishme në historinë e qarkut dhe praktikat kishtare brenda tij. Koleksioni përmban gjithashtu dorëshkrime muzikore të përdorura në Katedralen Hereford midis fundit të shekullit të 17-të dhe 19-të dhe rreth 9,000 artikuj të shtypur pas vitit 1850, si dhe një seksion të historisë lokale.

Përgatiti: Albert Vataj

Filed Under: ESSE

Sa kafe duhet të pini në ditë?

April 5, 2024 by s p

Përktheu Rafael Floqi/

Ndiheni të mërzitur këtë mëngjes? Në filxhanin tuaj të tretë të gjërave të zeza? Kafeja mund të jetë një shpëtim energjie për shumë njerëz – por sa është shumë?

Ndërsa kafenetë kanë qenë në rënie falë mungesës së udhëtarëve, shitjet e pijeve me kafeinë të prodhuara në shtëpi janë rritur shumë. Kafeja ishte zona më e madhe e rritjes për prodhuesin më të madh të ushqimit në botë Nestle, me një rritje prej 17% në produktet Nespresso në muajt e parë të 2021.

Është shumë e lehtë të kuptosh pse: ne të gjithë po kërkojmë një dozë energjie për të mposhtur lodhjen sociale tani që kufizimet janë lehtësuar, si dhe kërkojmë rehati dhe ngrohtësi për të na ndihmuar të kalojmë ditën. Nga një kafe klasike e bardhë e sheshtë në një kafe të modës proteinike Tik Tok, thjesht nuk mund të ngopemi.

Megjithatë, le të jemi të sinqertë, kafeja merr një reputacion të keq, veçanërisht për këdo që është gjetur duke derdhur filxhanin e tretë të ditës para orës 10 të mëngjesit. Por çfarë është kafeja për të cilën të gjithë jemi të shqetësuar?

“Nuk ka një përbërës specifik në kafe që është i keq për ne në vetvete,” shpjegon nutricionistja Emilia Thompson PhD. “Përkundrazi, është tejkalim i madh i sasisë së kafeinës me të cilën jemi mësuar që mund të shkaktojë disa shqetësime afatshkurtra.”

Këto mund të variojnë nga rritja e presionit të gjakut deri te ankthi, shpjegon Emilia, “por kjo ka tendencë të jetë tek ata që tashmë shfaqin ankth ose tek ata që nuk janë të prirur ndaj kafeinës”. Në pirësit tashmë të rregullt të kafesë, këto efekte negative zakonisht gjenden vetëm në doza shumë të larta (më shumë se 500 mg, ose pesë filxhanë kafeje). “Deri në dy filxhanë, që është, sigurisht, një sasi më realiste për konsum, duket se nuk kanë asnjë efekt të rëndësishëm,” thotë Emilia.

Në fakt, kafeja është shoqëruar me një reduktim të diabetit të tipit 2 (për shkak të polifenoleve, një antioksidant që përmban) si dhe me Alzheimerin dhe sëmundjet e zemrës. Një studim i ri i botuar në revistën Circulation të Shoqatës Amerikane të Zemrës zbuloi se konsumimi më i lartë i kafesë lidhej me rrezikun e reduktuar të dështimit të zemrës. Studime të mëtejshme që eksplorojnë efektin e kafeinës në tru kanë treguar gjithashtu se ata që pinë kafe mund të përjetojnë kontroll të përmirësuar motorik gjithashtu.

Megjithatë, para se të arrini për filxhanin e dytë (ose të tretë ose të katërt), sa është shumë? Sipas Agjencisë Evropiane të Standardeve të Ushqimit (EFSA) ne nuk duhet të kemi më shumë se 400 mg kafeinë në ditë, që është e barabartë me afërsisht katër filxhanë kafe.

Por ajo që ndikon në një person është një pikë në oqean te një tjetër, kështu që është më mirë të merren parasysh nevojat tuaja individuale. 3-5 mg/kg peshë trupore është një dozë e përafërt dhe funksionon në rreth 200-350 mg (ose dy-tre filxhanë kafe në ditë për një person 70 kg), sipas EFSA. Dhe mbani mend se nëse jeni një konsumues i zakonshëm i çajit ose pini pije të tjera me kafeinë si pijet energjike, do t’ju duhet të zvogëloni marrjen e kafesë për të marrë parasysh këtë.

Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se ndërsa një studim i fundit nga Universiteti i Rejkjavikut u raportua gjerësisht për sugjerimin që gratë shtatzëna duhet të shmangin çdo kafeinë, NHS thotë se konsumimi i 200 mg ose më pak në ditë nuk duhet të përbëjë ndonjë rrezik të rëndësishëm për nënën ose foshnjën.

Nëse do t’i jepni vetes një filxhan të madh, Emilia këshillon që ta fusni dhe ta rrisni me rrufitje të vegjël në mënyrë që të mos i jepni trupit tuaj një dozë tronditëse kafeine. Dhe, “ora e mëngjesit është më e mira”, thotë Emilia. “Idealisht, shmangni marrjen e kafeinës brenda 10 orëve nga koha juaj e zakonshme e gjumit.” Studimet tregojnë se doza të vetme prej 100 mg kafeinë (rreth një filxhan kafe) mund të rrisin vonesën e gjumit dhe të zvogëlojnë kohëzgjatjen e gjumit tek disa njerëz, veçanërisht kur konsumohen afër kohës së gjumit.

Por, të mos harrojmë se rritja e energjisë nuk është gjithmonë e keqe: “Pirja e kafesë para stërvitjes mund të ndihmojë në vonimin e lodhjes dhe të mbështesë intensitetin e ushtrimeve”, thotë Emilia, duke e bërë atë pijen perfekte para stërvitjes.

Pra, ndërsa mund të “mbështesë performancën njohëse dhe fizike, dhe ka shije të shijshme”, Emilia na kujton se mund të ketë shumë gjëra të mira. “Nëse ndjeni ndonjë ndikim negativ të kafesë personalisht, për shembull, gjumë të shqetësuar ose rritje të ankthit, atëherë provoni të reduktoni marrjen e kafeinës. Nuk ka asnjë test të standardit të arit për këtë, dhe është disi subjektive.”

Nuk ka turp thjesht të duash një të bardhë të sheshtë të avulluar. Por nëse ndiheni kaq të lodhur sa duhet t’i drejtoheni rregullisht kafeinës, është më mirë të flisni me një mjek për trupin tuaj. po përpiqet t’ju tregojë, në vend që ta maskojë me kafe.

Filed Under: Sociale

Përkujtohet Beteja e Koshares që bashkoi shqiptarët, e para çerek shekulli

April 5, 2024 by s p

-Seancë solemne e Kuvendit në shënim të 25-vjetorit të Betejës së Koshares/

-Foto Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari: Një nga gurët e rrënuar të kufirit ndërshqiptar në Betejën e Koshares i ekspozuar në Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr.Ibrahim Rugova në Prishtinë/

PRISHTINË, 4 Prill 2024-Gazeta DIELLI / Përkujtohet Beteja e Koshares që bashkoi shqiptarët, e para çerek shekulli, e vlerësuar simbol i unitetit dhe sakrificës sublime për çlirimin e Kosovës. Për nder të Betejës së Koshares, zhvillohen manifestime tradicionale në përvjetorët e rrënimit të gurëve të kufirit ndërshqiptar Kosovë-Shqipëri nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës në luftën për liri e pavarësi, për dëbimin e forcave okupuese serbe.

Me intonimin e himnit të Kosovës dhe himnit kombëtar, si dhe me një minutë heshtje në nderim të të rënëve, ka filluar seanca e sotme solemne e Kuvendit, mbajtur për nder të 25-vjetorit të Betejës së Koshares.

Para deputetëve e para fjalën e mori presidentja Vjosa Osmani, e cila Betejën e Koshares e konsideroi pikë kthese për popullin e Kosovës kundër regjimit gjenocidal serb. Ajo tha se luftëtarët e kësaj beteje dhanë gjithçka për atdheun dhe realizuan ëndrrën shekullore. Ajo tha se njëzet e pesë vjet më parë Kosova qëndroi në një udhëkryq ekzistencial të krijuar nga padrejtësia, shtypja, tirania, por mbi të gjitha nga tendenca e regjimit gjenocidal i Serbisë për shfarosje të popullit të saj.

“Megjithatë, ditëm të mobilizohemi të gjithë në një front të përbashkët, gra e burra, duke mbrojtur dinjitetin dhe të drejtën tonë për liri dhe shtet. Sot, jemi këtu për të nderuar guximin dhe përkushtimin e vajzave e djemve të UÇK-së, të cilët dëshmuan shpirtin dhe guximin e paepur për lirinë tonë, për Republikën tonë”, theksoi presidentja Osmani, duke shtuar se kësaj rezistence të armatosur i parapriu rezistenca paqësore nën udhëheqjen e presidentit historik Ibrahim Rugova.

E para e vendit tha se luftëtarët e UÇK-së në Betejën e Koshares dëshmuan shpirtin vetëmohues për t’i dhënë gjithçka atdheut edhe gjënë më sublime të tyre, jetën.

“Teksa kujtojmë me nderimin më të thellë luftëtarët e Brigadës Agim Ramadani riafirmojmë përkushtimin që të punojmë fort për Republikën e Kosovës siç e deshën ata që ranë. Lavdi heronjve të Brigadës Agim Ramadani”, tha në fjalën e saj presidentja Osmani.

Kryetari Glauk Konjufca nga foltorja e Kuvendit tha se themelimi i UÇK-së është një nga ngjarjet më të rëndësishme të kombit shqiptar në 100 vitet e fundit, ndërkaq Beteja e Koshares është një nga betejat më të lavdishme të luftës sonë për çlirim nga Serbia. Kryetari i Kuvendit tha se ashtu siç UÇK-ja ia dha çlirimin dhe lirinë Kosovës, shtoi ai, Beteja e Koshares ia dha namin UÇK-së si një ushtri që ishte e aftë për ta sfiduar fuqishëm armatën serbo-jugosllave, duke e bërë atë tashmë të paaftë të garantojë kufirin e vendosur dhunshëm mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Prandaj, jemi mbledhur sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës për të kujtuar këtë betejë historike të UÇK-së e për të nderuar të gjithë dëshmorët e heronjtë e saj, në krye me heroin e Kosovës, Agim Ramadanin, komandantin emblematik të Brigadës 138. Beteja e Koshares u bë shtegu pa kthim i përpjekjeve gati njëshekullore të kombit shqiptar për çlirim e për bashkim. Kjo betejë ishte sinonimi më i mirë i betimit të ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Shembja e gurit të kufirit me çizmen e komandantit Agim Ramadani e Sali Çekaj, ishte një nga ngjarjet historike të luftës sonë çlirimtare”, tha kryetari Konjufca.

Duke marrë fjalën në seancë, kryeministri Albin Kurti tha se panorama e madhe e historisë së Betejës së Koshares, përcjellë imazhin e pothuajse tërë luftës së Kosovës si në një format miniature.

“Aty e shohim se në luftimet e Betejës së Koshares, janë të përfshirë luftëtarë dhe njësite nga të gjitha zonat operative të UÇK-së, si dhe nga të gjitha trevat e banuara me shqiptarë; i shohim të përfshirë me gryka artilerie edhe ushtarët shqiptarë të Divizionit të Kukësit, ndërsa në qiell i shohim avionët bombardues të NATO-s që hidhnin predha mbi caqet e ushtrisë së Serbisë e që quhej asokohe Jugosllavi e Milosheviqit”, u shpreh ai.

Kryeministri Kurti shtoi se liria e brendshme e popullit është parakushti më total i çlirimit nga okupatorët e jashtëm dhe mundësia më reale e shtetformimit integral.

“Nga kushtrimi dhe beteja për liri vjen çlirimi e krijohet shteti. Andaj nga Kuvendi i Kosovës sot u shprehim mirënjohje të thellë të gjithë luftëtarëve të lirisë që morën pjesë në luftimet e Betejës së Koshares, nga të cilët 380 u plagosën. Lavdi 114 dëshmorëve të rënë në Betejën e Koshares dhe të gjithë dëshmorëve të kombit tonë mbarë”, tha kryeministri Albin Kurti.

Pas fjalimeve të tre drejtuesve shtetërorë, kryetari Konjufca u kaloi fjalën përfaqësuesve të grupeve parlamentare.

Ne emër të GP të Vetëvendosjes, deputeti Enver Haliti, duke e cilësuar gjithshqiptare Betejën e Koshares, tha se emrat e 14 dëshmorëve të saj u shkruan me shkronja të arta ne historinë e luftës sonë të lavdishme. Ai shtoi se pjesëtarët e Brigadës 1938 të UÇK-së kishin një qëllim, thyerjen e kufirit midis Kosovës dhe Shqipërisë, për t’i forcuar dhe furnizuar me armatim radhët e UÇK-së, e cila po vazhdonte luftën në gjithë territorin e Kosovës, për t’i dhënë goditjen e fundit forcave pushtuese serbe, nëpërmjet një ofensive tokësore.

“Prandaj me të drejtë kjo betejë është vlerësuar një ndër betejat më të rëndësishme të UÇK-së. Në ngjarje të tilla përkujtimore nuk mund të mos përmenden familje të tëra nga Tropoja, Hasi, Bajram Curri e Kukësi, të cilat dhanë kontribut të jashtëzakonshëm, duke pritur e përcjellë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në shtëpitë e tyre, por edhe duke dhënë trima, të cilët e përqafuan uniformën e UÇK-së, për t’i dhënë Kosovës edhe jetën e tyre, duke rënë dëshmorë në përballje me forcat serbe”, tha deputeti Haliti.

Nga GP i PDK-së, deputeti Hisen Berisha, tha se Beteja e Koshares i dha një dimension të sigurt fitores së lirisë, ndaj krimit shtetëror dhe barbarisë serbe mbi shqiptarët, si dhe për t’i hapur rrugën pavarësisë së Kosovës. Ai tha se Kosharja mposhti “ushtrinë hyjnore” siç e cilësonte regjimi i Milosheviqit, duke ia marrë që në sulmin e parë Kazermën Ushtarake të Koshares, për të vazhduar me luftimet edhe për atë në “Qafë Morinë”, ndërkohë që shumë më herët, qysh në shtatorin e vitit 1998 ishte tërësisht neutralizuar Kazemra “Vujinoviç” në Trekufi.

Deputeti Berisha shtoi se Kosharja, në aspektin juridik-ndërkombëtar rrënoi me forcën e armës komponentën kryesore të shtetësisë së dhunshme dhe terrorizuese të Jugosllavisë, kufirin, që ndau padrejtësisht shqiptarët.

“Shkelja e gurit të kufirit nga këmba luftëtarit të UÇK-së ishte shkelje në padrejtësi historike. Duke shkelur kufirin vramë iluzionin e kriminelit Milosheviq dhe të gjithë ndjekësve të tij se do të mund të mbante ende ëndrrën gjallë, për të vazhduar të vrasë dhe dëbojë popullsinë civile shqiptare nga vatrat e tyre. Kosharja dinamizoi dhe rivitalizoi forcën e UÇK-së si feniks, që me beteja po mbillte lirinë në çdo shpirt dhe pëllëmbë toke të Kosovës”, tha deputeti Berisha.

Deputeti Anton Quni, në emër të GP të LDK-së tha se më 9 prill, para 25 vjetësh në kufirin Shqipëri-Kosovë, në Koshare, në orët e hershme të mëngjesit do të fillonte operacioni për çlirimin e territorit të Kosovës. Deputeti Quni tha se për të arritur qëllimin përfundimtar strategjik, duhej arritur qëllimet operative dhe taktike, pra neutralizimi dhe shkatërrimi i caqeve ushtarake serbe, në njerëz, teknikë, objekte dhe instalime të tjera ushtarake.

“Në përpjekjen tonë për arritjen e qëllimit dhe në rezistencën e armikut për të ruajtur territoret e okupuara, do të zhvillohej një ndër betejat më epike dhe një ndër betejat më të përgjakshme. Nga 9 prilli deri më 15 qershor kur forcat serbe u tërhoqën përfundimisht, përjetuam shumë momente të vështira. Por, pas çdo vështirësie ne u gëzoheshim fitoreve. Çdo ditë ishim më të fortë e më të vendosur. Ne po përparonim çdo ditë e më shumë. Rritej numri i luftëtarëve, sigurohej armatimi dhe municioni, specializoheshin njësi të ndryshme, dominonim terrenin dhe bashkëvepronim më mirë, ndërsa përballë rreshtoheshin njësi masive të armikut. Por, përballë forcës sonë ato u neutralizuan dhe u demoluan”, tha ndër të tjera deputeti Quni.

Deputetja Time Kadriaj nga GP i AAK-së tha se po bëhen 25 vjet nga thyerja e kufirit shqiptar, që siç tha ajo, ka qenë ëndërr e çdo shqiptari, kufirit që ndau vëllezërit e një gjaku e të një gjuhe.

Deputetja Kadriaj tha se Epopeja e UÇK-së, në fillim të muajit mars në Prekaz, ku ra për të mos vdekur kurrë Komandanti Legjendar Adem Jashari, për të vazhduar në Gllogjan me Epopenë e Dukagjinit dhe epopetë e tjera anekënd Kosovës, ishte kambanë alarmi se me regjimin e Beogradit nuk ka dialog dhe që e vetmja mënyrë për kundërpërgjigje është lufta e armatosur.

Ajo evokoi kujtime nga beteja e Koshares, përkatësisht shërbimi mjekësor që ekipi i mjekëve të luftës u ofroi luftëtarëve të plagosur.

“Secili hero dhe dëshmor i Kosovës ishte histori në vete. Ballë rrufesh ranë 114 dëshmorë të betejës, ndërsa 423 të plagosur ndanë jetën me vdekjen. Mijëra luftëtarë, mes të ftohtit e në acar e në diell përcëllitës ishin aty, për t’i dhënë Kosovës lirinë”, tha ndër të tjera në fjalën e saj deputetja Kadriaj.

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1053
  • 1054
  • 1055
  • 1056
  • 1057
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT